Rita Ora e mrekullueshme në klipin e ri me Ed Sheeran (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, është bashkuar me shokun e saj Ed Sheeran për të incizuar versionin akustik të këngës së saj më të re “Your Song”.

Bukuroshja 26-vjeçare dukej e lumtur me bashkëpunimin që e bëri me Sheeranin për versionin e ri të këngës të cilën ajo e lansoi në muajin maj./ KultPlus.com

Pranvera dhe Arta Muja pjesë e katalogut të Clemens Wirschke

Dy modelet shqiptare, Pranvera dhe Arta Muja, të cilat jetojnë në Gjermani, atje ku edhe po zhvillojnë karrierën e tyre si modele, jo rrallë na kanë shpalosur imazhet e tyre si pjesë e fotosesioneve për brende të njohura gjermane, shkruan KultPlus.

Dy motrat, së fundmi kanë pozuar për dyqanin e njohur Clemens Wirschke, i cili ekziston që nga 1946.

Dyqani i C. Wirschke është adresa ekskluzive e Düsseldorfit për etiketat e modelit të klasit të lartë. Pjesë e katalogut të këtij dyqani, dy modelet shqiptare janë bërë për herë të tretë.

Pranvera dhe Arta në këtë katalog kanë prezantuar koleksionin e ri 2017/2018. / KultPlus.com





Në ditëlindjen e At Gjergj Fishtës, bëhet zbulimi i shtatores së autorit

Unioni i Shkrimtarëve ka njoftuar për dy ngjarje kulturore që do të mbahen përgjatë datave 27 shtator dhe 23 tetor, përcjellë KultPlus.

Më datë 23 tetor, me rastin e ditëlindjes së Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871), do të bëhet zbulimi i shtatores së autorit dhe me këtë rast do të lexohen edhe disa poezi.

Andaj, të gjithë poetët që janë të interesuar që me rastin e zbulimit të përmendores të marrin pjesë me poezitë e tyre, ftohen të jenë pjesë e eventit më 23 tetor.

Ndërsa nga data 27 shtator deri më 30 shtator, do të mbahet Simpoziumi i 5-të ndërkombëtar me ç ‘rast më 28 shtator organizohet ora e madhe letrare ku seleksionimin për të lexuar pozitë do e bëjnë këshilli organizativ nën udhëheqjen e Prend Buzhales, Gjongjergjaj Lyra dhe të tjerë.

Tema e këtij edicioni do të jetë: Identiteti evropian në literaturë

Poashtu pas orës letrare do shtrohet një drekë për krijuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë nga Unioni i Shkrimtarëve. / KultPlus.com

Norvegjia prezanton listën e ngushtë për Oscars, në garë edhe filmi i Izer Aliut

Norvegjia ka publikuar tre filmat të cilët janë në garë nga ky shtet për Oscars të këtij viti. Ndër këta filma është edhe filmi “Hunting Flies”, i regjisorit shqiptar Izer Aliu, shkruan KultPlus.

Lista është publikuar nga Qendra e Kinematografisë së Norvegjisë, aty ku janë publikuar edhe dy filmat e tjerë që janë në garë me filmin e shqiptarit Aliu, siç janë: “Thelma” me regji të Joachim Trier dhe “Jorunn” nga Myklebust Syversens. Këta janë kandidatët për Oscars së këtij viti, ku njëri nga ta do ta përfaqësoj Norvegjinë.

Rikujtojmë se Izer Aliu, së fundi fitoi çmimin si regjisori më i mirë në ceremoninë e Amandas Awards në Norvegji ndërsa tashmë është në përgatitje të filmit tjetër të ri me një kastë aktorësh nga Kosova dhe jo vetëm./KultPlus.com

Zbulohen dyqane 2 mijë vjeçare në Antali

Gjatë gërmimeve në qytetin e antik Aspendos, në nënprefekturën Serik të Antalias në Turqi, janë zbuluar ndërtesa të vjetra 2.000 vjeçare, të cilat janë përdorur si dyqane apo depo.

Qyteti i lashtë i Aspendos, teatri dhe ndërtesat e tjera të të cilit tërheqin një numër të madh turistësh, studiuesve çdo ditë u ofron surpriza të reja.

Hulumtimet sipërfaqësore kanë filluar në vitin 2008, kurse me vendim të Këshillit të Ministrave të Turqisë të vitit 2014 filluan gërmimet, të cilat kanë vazhduar deri më sot nën mbikëqyrjen e profesorit Veli Kose lektor në Fakultetin e Arkeologjisë pranë Universitetit Hacettepe.

Kose ka thënë se gërmimet e këtij viti u përqendruan në një zonë për të cilën supozohet të ketë qenë një kompleks tregtar.

Ai theksoi rëndësinë e dyqaneve dhe ndërtesave të tjera 2.000-vjeçare, ndërsa shtoi se “Besojmë se në këto dyqane janë shitur materiale të vlefshme ose janë ruajtur këtu. Për më tepër, ekziston mundësia që disa prej tyre janë përdorur edhe si zyre. Këto pretendime mbështeten nga fakti se ato ishin të vendosura menjëherë pranë agorës, por edhe në qendër të qytetit”.

Rama: Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është mbyllur diskutimi maratonë me skuadrën e re qeverisëse duke treguar tutje edhe vendimin e parë që do ta marrë qeveria në vitin 2018, përcjellë KultPlus.

Sipas Ramës, vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”, shkruan Rama në Facebook.

Viti 2018 përkon në 5050 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. / KultPlus.com

Intervista e rrallë e nënës së Mbretëreshës Geraldinë

Rrëfimi i zonjës Girault për ndarjen e vështirë me të bijën dhe largimi dramatik nga Shqipëria.

Nga Aurenc Bebja, Francë

Gazeta franceze, “Paris-soir” pati botuar, të hënën e 17 prillit 1939, në faqet 1 dhe 3, rrëfimin e nënës së mbretëreshës Geraldinë, e cila gjendej në Tiranë në momentin kur Italia fashiste nisi të pushtonte Shqipërinë.

Zonja Girault, vetëm pak kohë pasi ishte kthyer në vendbanimin e saj, në Nice të Francës, ka dhënë një intervistë në të cilën ka shpjeguar qëllimin e vizitës së saj në kryeqytetin shqiptar, po ashtu edhe arsyet e ndarjes me vajzën e saj dhe largimin e përshpejtuar nga Shqipëria.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Rroftë Daladier ! Rroftë Franca !”, bërtisnin në Tiranë, ndërsa aeroplanët italianë vërtiteshin në qiell – tha Zonja Girault – nëna e mbretëreshës Geraldinë. Kështu, ajo na rrëfeu vuajtjen e vajzës së saj, e cila duhej të arratisej nga Shqipëria me fëmijën e saj të porsalindur.

(Nga ana e korrespondentit tonë të veçantë) – Nice, 16 Prill.

– Tërë jetën time, unë do t’i mbaj mend këta njerëz të Tiranës, të mbledhur, në prag të pushtimit, para ambasadës së Francës. Unë ende i dëgjoj thirrjet e tyre : “Rroftë Franca ! Rroftë Daladier !”

Zonja Girault, kolonele, ish-kontesha Apponyi, nëna e Mbretëreshës së vogël Geraldinë, e cila na mirëpriti gjatë kthimit të saj në Nice, vazhdoi rrëfimin e orëve patetike që ajo kishte jetuar në Tiranë, pranë vajzës së saj.

NA JEPNIN ULTIMATUM PAS ULTIMATUMI
– Më 16 mars, u largova nga qyteti i Nicës me fëmijët e mi për në Tiranë, ku prisnim një ngjarje të lumtur. Sapo arritëm në pallatin mbretëror, ndjeva se ankthi ishte i përgjithshëm. Merrnim, me sa duket, ultimatum pas ultimatumi !

– Kaluan dy javë në pritje të ngjarjeve. Më 5 prill, më në fund, herët në mëngjes, mbretëresha lindi një princ të vogël.

– Qe një situatë shumë e vështirë. Vajza ime iu nënshtrua një operacioni tepër delikat që zgjati më shumë se një orë. Ndërkohë që dridheshim për jetën e saj, qarkullonin thashetheme, në fillim alarmuese, pastaj qetësuese : « Italianët zbarkuan… Ata janë zmbrapsur… ». Kaluam një natë të tmerrshme. Sapo u siguruam për gjendjen shëndetësore të mbretëreshës, erdhi urdhëri që të largoheshim menjëherë nga qyteti.

FLUTURIMI I TMERRSHËM I AVIONËVE ITALIANË

Kolonelja Girault, në një gjendje emocionale, të cilën e përmbante me vështirësi, vazhdoi rrëfimin e saj :

– Urdhëri ishte i formës së prerë. Burri im dhe unë duhet të ndaheshim nga mbretëresha. Si do ta gjenim? Çfarë do të bëhej me të ? Aeroplanët italianë rrotulloheshin mbi çatitë e Tiranës. Në rrugë, shqiptarët, të merakosur e të hutuar, vraponin, burrat për të marrë armët e tyre, ndërsa gratë dhe fëmijët maleve. Avionët e zhurmshëm italianë, gjatë fluturimit, lëshonin trakte nga qielli. Ne ishim të kërcënuar nga një bombardim që, në pak minuta, e rrafshoi kryeqytetin… Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, mendoja për vajzën time që ishte në një gjendje tejet të dobët… Më në fund, ne u larguam, me zemër të thyer, për në kufirin jugosllav… Ne arritëm atje më 7 prill.

– Ndërkohë, vajza ime, më pak se tridhjetë e gjashtë orë pas lindjes, e shtrirë mbi një barelë të instaluar në një ambulancë, udhëtoi në rrugë të mjerueshme, gjatë 400 kilometrave, përpara se të arrinte në Greqi.

Kolonelja Girault, pas një momenti heshtjeje, na rrëfeu më në fund :

PAMJE LUFTE

– Kur burri im dhe unë po afroheshim pranë kufirit jugosllav, ne pamë, të tronditur, dëmin që kishin shkaktuar predhat italiane në portin e vogël të Shëngjinit. Nga këto shpërthime të jashtëzakonshme kishte diçka absurde dhe barbare. Me të vërtetë, pyesnim veten se si një gjë e tillë mund të ishte e vërtetë !

– Burri im dhe unë jemi në gjendje të themi se asnjë italian nuk është ngacmuar në Shqipëri. Ndërsa largoheshim nëpër këto fshatra të frikësuar, ku mbretëronte një panik i tmerrshëm, ne nuk mund të kuptonim, dhe askush nuk mund t’i kuptonte thirrjet italiane që flisnin për tradhtinë e mbretit Zog. Të gjithë shqiptarët, njerëz krejtësisht paqësor, e adhurojnë mbretin e tyre dhe janë të gjithë patriotë.

Pasi e pyetëm Zonjën Girault, nëse ajo kishte lajme për vajzën e saj, ajo u pëgjigj se një telegram nga Larisa i ka sjellë lajme të shkëlqyeshme për shëndetin e ish-mbretëreshës.

Le të shtojmë se mbretëresha Geraldinë gjendet e shoqëruar në Larisa, jo vetëm nga burri i saj dhe një gjinekolog i mirënjohur grek, por edhe nga nëna e saj e dytë, kontesha Szarthos – që e ka rritur në Budapest – e cila, siç e thamë, ka arritur dje pranë saj./ KultPlus.com

Flaka Jahaj me miqtë nga Amsterdami sjellin ‘Pop Up Shop’ në Prishtinë

Flaka Jahaj, stilistja zvicerano-shqiptare e cila punën e saj e zhvillon në Zvicër, ka depërtuar fuqishëm në tregun e modës zvicerane duke u frymëzuar me traditën e punës së dorës të nënave shqiptare, shkruan KultPlus.

Koleksionet e saj tashmë kanë depërtuar në tregun e modës zvicerane, madje ajo vlerësohet si një nga kreatoret më të mira të këtij shteti, duke fituar vendin e parë në “Swiss Design Awards 2014”.

Por, jo vetëm stiliste, Flaka e organizon edhe një Pop Up Shop me shokët e saj nga Amsterdami “BONNE SUITS, SMIB”. Ky Pop Up Shop dhe prezantimi i koleksionit të saj që vjen në bashkëpunim me IAHAI X BONNE SUITS, do të mbahet më datë 8 shtator në qendrën tregtare ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë, duke filluar nga 16:00 deri në ora 20:00.

Gjithashtu edhe me datë 9 shtator nga ora 12:00 – 19:00 edhe më datë 10 shtator në po të njëjtin orar. / KultPlus.com

Shpend Xani me rol në shfaqjen ‘Love and Information’ në Washington D.C

Aktori shqiptar Shpend Xani, tashmë është mjaft aktiv në skenën teatrore në Amerikë aty ku edhe jeton.

Kësisoj Xani, ka njoftuar së fundmi se do të jetë pjesë e projektit ‘Love and Information’, me skenar të Caryl Churchill e regji të Michael Dove, në Forum Theatre në Washington DC, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë publike nëpërmjet rrjetit social vetë aktori Xani, i cili poashtu ka shkruar se është i nderuar të marrë pjesë në këtë shfaqje.

‘Love and Information’, sjellë mbi 60 momente të pëshpëritjeve intime, shkëmbimeve filozofike dhe zbulimeve që ndryshojnë jetën nga më shumë se njëqind karaktere duke u përpjekur të bëjnë kuptimin e asaj që ata dinë.

Shfaqja premierën do ta ketë më 28 shtator ndërsa do të qëndroj në repertor të Forum Theatre deri më 21 tetor të këtij vitit./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti një delegacion të Finlandës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar sot një delegacion të Finlandës, të kryesuar nga Pekka Metso, ambasador për proceset e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës (MFA), të shoqëruar nga Ambasadorja finlandeze në Kosovë, Anne Huhtamaki, përcjellë KultPlus.

Ndërmjet ministres Dumoshi dhe delegacionit finlandez u bisedua për bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e kulturës.

Ne këtë takim, ambasadorja finlandeze e uroi ministren për detyrën e re dhe premtoi ndihmë në përmbushjen e agjendës së promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Republikës së Kosovës.
Ndërsa ambasadori Pekka Metso e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e mirë në shtetformim, sidomos tani në vigjilje të festimit të 10-vjetorit të pavarësisë, përfshirë integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare./ KultPlus.com

Katër rolet ndërkombëtare të aktorit Kushtrim Hoxha (VIDEO)

Kushtrim Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme kryesisht në New York, shkruan KultPlus.

Aktori, ka postuar një video ku në të janë përfshirë katër role të rëndësishme ndërkombëtare të tij, kjo video është postuar në ‘Vimeo’.

“Kushtrim Hoxha TV Showreel” shfaq katër nga rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “Blue Bloods”, “Person of interest”, si dhe “The Americans”.

Në “Elementary”, Hoxha ka luajtur në episodin e 19-të. Në këtë serial ai ka luajtur përkrahë aktorëve të famshëm si Lucy Liu dhe Johnny Lee Milerr.

Pas rolit në serialin “Elementary”, aktori shqiptar Hoxha u prezantua në serialin “Person of Interest”, serial i cili transmetohet në CBS. Roli i Kushtrimit në këtë serial ishte ai i një rusi i cili quhet Vasily.

Një tjetër rol i rëndësishëm i Kushtrimit, ishte edhe ai në episodin e parë të sezonit të shtatë të “Blue Bloods”. Në këtë serial Tom Selleck vjen në rolin kryesor, krahas Len Cariou, Bridget Moyahan, e mes tyre edhe Hoxha. Blue Bloods ka nisur për herë të parë transmetimin në vitin 2010-të.

Pas disa roleve në teatër dhe seriale në Amerikë, ai ishte i përzgjedhur të jetë edhe pjesë në njërin nga episodet e serialit të famshëm amerikan “The Americans” i cili punohet me regji të Joe Weisberg. Ky rol ishte i një rëndësie të veçantë për Kushtrimin duke pas parasysh shikueshmërinë e serialit dhe famën e tij.

Këto role ishin jo pak të rëndësishme për aktorin Hoxha i cili po vazhdon suksesshëm rrugën e tij si aktorë duke bërë karrierë ndërkombëtare. Më poshtë po ju sjellim videon e postuar në ‘Vimeo’. / KultPlus.com

Revista e njohur irlandeze boton poezitë e Ragip Sylajt

Revista e njohur letrare irlandeze ‘The Galway Review’, ka botuar katër poezi të poetit kosovar Ragip Sylaj, shkruan KultPlus.

‘Lodhur nga fëmijëria’, ‘Njerëz të urtë’, ‘Vdekja e poetit’ dhe ‘Rrëmbimi i Erosit’ janë poezitë që i janë botuar Sylajt në këtë revistë e të cilat po pëlqehen mjaft shumë nga lexuesit. Të përkthyera në gjuhën angleze, poezitë e poetit kosovar përçojnë mesazhet e thella ashtu siç vetëm Ragip Sylaj di të shkruaj. Në këtë revistë poashtu është publikuar edhe një CV e shkurtër e poetit, ku tregohet karriera e tij në pika të shkurtra. Poezitë i përktheu Kujtim Morina./ KultPlus.com

“8 femrat”, premierë në Teatrin e Korçës

Regjisorja Driada Dervishi sjellë për herë të parë në skenën e re të Teatrit të Korçës, disa nga aktoret më të mira të skenës shqiptare, përcjellë KultPlus.

Komedia “8 femrat” do të vij e interpretuar nga Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli si dhe brezi i ri i aktorëve, të cilët nisën kështu edhe siparin e “Festivalit Mbarëshqiptar të Komedisë KokoFest 2017”.

Premiera e shfaqjes ‘8 femrat’ vjen më datë 16 dhe 17 shtator në ora 20:00, në Teatrin “Andron Zako Çajupi”, Korçë. / KultPlus.com

Kaçurrelat, perla e muzikës shqiptare e kompozuar në burgun komunist

Ka dy lloj burgjesh për njeriun: I pari për trupin dhe i dyti për shpirtin.
Burgosja e trupit gjatë komunizmit nuk ishte në dorën tonë, ama ajo e shpirtit po. E pkërisht me këtë motiv, kompozitori dhe muzikanti shkodran, Gac Çuni kaloi vitet e burgimit të padrejtë nga një sistem padrejtësish.

Një natë, të gjithë të burgosurit u çuditën kur nga një prej qelive, një zë i ëmbël hyri si dritë mes errësirës së vuajtjes e terrorit. Ishte zëri i Gac Çunit që i këndoi një këngë të jashtëzakonshme një vajze me të cilën e lidhte ndjenja platonike e dashurisë!

Këngë me natyrën e këngëve të dikurshme greke, pa muzikë të regjistruar e pa tekst të shkruar, por të transmetuar për vite me radhë ndër qelitë e vogla të burgjeve, deri kur pas ’90-tës, bashkë me të burgosurit, fitoi lirinë e saj duke dalë në botën e vërtetë në kërkim të atij frymëzimi platonik që shtyu Gacin të bënte këtë perlë.

Më poshtë janë vargjet e kësaj kënge dhe partitura me notat e saj muzikore, marrë nga libri “250 Këngë qytetare Shkodrane” me autorë Tonin Dajinë e Tonin Zadejën.

Kaçurrelat

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.

(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

Regjisorja e teatrit politik, laureate e çmimit “Goethe”

Themeluesja dhe regjisorja e teatrit “Théâtre du Soleil” është një figurë legjendare e teatrit evropian. Qyteti i Frankfurtit i ka vlerësuar arritjet e saja duke e nderuar me çmimin prestigjioz “Goethe”.

Ariane Mnouchkine gjithmonë ka dashur të jetë në kontakt të ngushtë me audiencën e saj. Për më shumë se 50 vjet regjisorja e teatrit, tash 78-vjeçare, i ka mirëpritur vizitorët në hyrjen e institucionit kulturor. Ish-fabrika e municioneve në jug të Parisit ishte shndërruar në teatër që mori emrin “The Théâtre du Soleil” (Teatri i diellit).

Në vitin 1964, në moshën 25-vjeçare, ajo e themeloi një ansambël jokonvencional, bashkë me kolegët e teatrit, rikujton shkrimi në DW, që e transmeton sot “Koha Ditore”. Prej atëherë ajo ka qenë drejtoreshë artistike e teatrit dhe vazhdon të jetë edhe sot. Në traditën e teatrit popullor ky teatër kombinon elemente të pantonimës, kabare, improvizim dhe akrobaci. Publiku gjithashtu shpeshherë është i përfshirë në këto veprime.

Repertori i “Théâtre du Soleil” përfshin ngjarje të mrekullueshme , në të cilat bën pjesë edhe teatri i lashtë “Comedia dell’Arte” dhe stilet e teatrit aziatik.

Regjisorja franceze, Ariane Mnouchkine, u bë e famshme në botë me shfaqjen e saj me titull “1789”, që u shfaq në vitin 1970. Ajo vuri në skenë trazirat e studentëve të vitit 1968 dhe njëkohësisht elemente nga Revolucioni Francez. Megjithatë, Mnouchkine jo vetëm që dëshiron t’i komentojë ngjarjet politike me shfaqjet e saj, por me teatrin e saj synon të ndikojë drejtpërdrejt në realitetin shoqëror të njerëzve.
Ajo gjithashtu beson se kufijtë midis teatrit dhe aktivizmit politik janë shumë të hollë. Në vitin 1995 ajo protestoi me një grevë urie njëmujore kundër mosveprimit të Francës gjatë gjenocidit boshnjak. Në vitin 2008 ajo publikoi filma të shkurtër në internet duke bërë thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike në Pekin, duke rritur ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë.

Vajza e producentit të filmave francezo-rus, Alexandre Mnouchkine, gjithashtu për dy vjet punoi regjisore e një filmi në fund të viteve 1970. Filmi prej katër orësh flet për jetën e dramaturgut francez Moliere dhe përfshinte 500 aktorë.

Të hënën “La Reine” – mbretëresha, siç është quajtur në Francë – e ka marrë çmimin “Goethe” të qytetit të Frankfurtit.

Peter Feldmann, kryetar i bordit të administratorëve dhe kryetar i Frankfurtit, i janë referuar Mnouchkine duke e konsideruar “regjisore të vërtetë evropiane”. Me kolektivin e vet teatror “Théatre du Soleil”, ajo ka treguar “sa produktive mund të jetë një qasje politike në teatër”.

Çmimi “Goethe”, me vlerë financiare prej 50 mijë eurosh, jepet çdo tre vjet më 28 gusht, në ditëlindjen e Johann Wolfgang von Goethe. Laureatët e mëparshëm të çmimit ishin: Thomas Mann, Hermann Hesse, Marcel Reich-Ranicki dhe Pina Bausch. / KultPlus.com

Anida Take: Prita pesëdhjetë vjet të vija në Kosovë

Këngëtarja e njohur Anida Take, e cila ndërroi jetë në fillim të vitit të kaluar në moshën 83 vjeçare, megjithatë gjatë jetës së saj pati disa ëndrra të cilat nuk iu plotësuan kurrë.

Në librin e Sanije Gashit – “Ecje nëpër kujtesë – tregime jete të grave me karrierë” ajo mes tjerash tregon dëshirën e saj të flaktë për Kosovën, dhe se si kërkoi me ngulm të vinte në Kosovë për të kënduar.

“Anida që herët ka qenë në dijeni se edhe në Kosovë po e dëgjonin, po e admironin, kur në Radio Tiranën e atëhershme po i shkonin shumë letra nga Kosova, por që asnjëherë nuk i janë dorëzuar! Veçse, asnjëherë nuk iu dha rasti të vinte e të këndonte: Prita 50 vjet që të vija e të këndojë një herë në Kosovë! Këtë ardhje e realizova tash vonë, me insistimin tim! Më thoshte im shoq, Anida, mos u dorëzo, do të vijë një ditë që do të të plotësohet kjo dëshirë! Kur Ansambli erdhi për herë të parë në Prishtinës, emri im nuk ishte në atë listë… Unë e realizova ardhjen, por gjithmonë më mbetet një merak, që në Prishtinë nuk kam kënduar asnjëherë! Gjithnjë kam pritur të më vinte një ftesë, sidomos tani që atje përditë paraqiten këngëtarë nga Tirana…” i pati thënë Anida Sanijes në një bashkëbisedim për këtë libër, të botuar në vitin 2012-të, shkruan KultPlus.

Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1951, është emëruar si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit.

Gjatë karrierës së saj mbi gjysmë shekullore, Anida Take ka interpretuar një repertor prej 750 këngësh. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës shpallë listën e fituesve të Fondit të Përkthimit Letrar

Në vijim të politikave kulturore në mbështetje të autorit shqiptar dhe të promovimit të letrave shqipe jashtë vendit, si dhe në përkrahje të përkthyesve dhe shtëpive të huaja botuese të interesuar në përkthimin e letërsisë shqipe, Ministria e Kulturës shpall listën e fituesve të Fondit të Përkthimit Letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj, për vitin 2017.

Fondi synon t’u vijë në ndihmë përkthyesve të huaj që janë të interesuar të përkthejnë nga gjuha shqipe, si t’u lehtësojë kostot e botimit botuesve që marrin përsipër t’u ofrojnë lexuesve të huaj vepra të letërsisë shqipe.

Nga 8 aplikime të shtëpive botuese të huaja, u përzgjodhën 5 prej tyre të cilët kaluan fazën e seleksionimit nga kolegjiumi dhe ekspertët e fushës.

Fituesit janë si më poshtë:

1. Rubbettino Editore – Rrëfenja me ndërkombëtarë – Ylljet Aliçka – Elio Miracco – Italisht
2. Salento Books – Bolero në vilën e pleqve – Fatos Kongoli – Luigi Ruggeri – Italisht
3. Plethora Editions – Ndërhyrjet e zotit Shyti – Ardian Vehbiu – Eleana Zhako (Ziakou) – Greqisht
4. Editorial Argonáutica – Përmbledhje poetike – Luljeta Lleshanaku – Lucia Paprčková Spanjisht
5. Salento Books – Unë kam vrarë Eni Vasili – Valentina Notaro – Italisht

“Mother and Child”, audicion për aktorë në Tiranë

Me regji nga Dino Mustafiq, regjisor i njohur nga Sarajevë, shfaqja “Mother and Child” kërkon aktorë në Tiranë.

Me datë 5 shtator vjen një audicion i hapur për aktorët e rinj, të interesuar të jenë pjesë e audicionit me këto karakteristika: aktor mashkull / 19-25 vjeç dhe shqipfolës.

Regjistrimet ndodhin në e-mail [email protected].

Autor i tekstit të dramës së njohur është Jon Fosse . / KultPlus.com

Ka nisur punëtoria ‘Trojanet’, bashkëpunim i Artpolis dhe La Mamas

Ka filluar punëtoria “Trojanet” në bashkëpunim të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis dhe teatrit amerikan nga qyteti i Nju Jorkut, La Mama.

Nga data 28 gusht deri më 10 Shtator, 2017 artistët/et e Teatrit La MaMa në partneritet me Qendrën Artpolis, në teatrin Oda në në Prishtinë dhe në fashtin artistik Kukaj do të fokusohen për të ngritur kapacitete të reja të artistëve dhe artisteve në eksplorimin e zërit, muzikës dhe gjesteve, si dhe duke përdorur tekstin nga produksioni i famshëm i La MaMa’s së vitit 1974 “TROJANET”.
Disa nga artistët dhe artistet të cilat janë pjesë të kësaj punëtoria janë kryesisht emra të njohur të skenës kosovare dhe ndërkombëtare si: Ilire Vinca, Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Lulzim Bucolli, Flutur Mustafa, Qendresa Kajtazi, Edlir Gashi, Fisnik Sykaj, Daniela Markaj dhe shumë artist/e të rinj, si: Fjolla Hama, Skender Podvorica, Redon Kika, Alban Goranci, Edon Shileku, Margarita Ukaj.
Njëherësh të përfshirë në këtë punëtori janë edhe dhjetëra artiste dhe artistë profesional dhe të rinj nga komuniteti serb në Kosovë të cilët të gjithë sëbashku me komunitetin kosovar, praktikisht po arrijnë të jetësojnë shfaqjen “Trojanet”.

Rreth La Mama-së:

Teatri eksperimental La Mama i është dedikuar të gjithë artisteve/ëv kudo nëpër botë. Teatri u themelua në vitin 1961 nga Ellen Steëart, ndërsa tradicionalisht njihet si teatri i të gjitha kulturave botërore. La Mama ka prezantuar më shumë se 150.000 artistë nga mbarë bota në qindra vende të ndryshme. Çdo vit teatri La Mama prezenton mbi 80 produksione, ndërsa vizitohet nga 34.000 vizitorë të të gjitha moshave. Ky teatër përkrahë çdo individë që krijon art duke ju dhënë mundësi promovimi dhe mbështetje financiare.

Rreth bashkëpunimit dhe projektit në Kosovë:
Projekti “Trojanet” është një program i arteve perfomuese që merret me artist/artiste dhe gjithashtu komunitete të cilat kanë qenë pre e konflikteve ose vazhdojnë të jenë. Projekti “Trojanet” do të merret drejtëpërdrejt me ato komunitete të cilat shfaqin interesim për adresimin e çështjeve bashkëkohore duke përdorur fuqinë e teatrit. Projekti përbëhet nga produksioni i njohur botëror La MaMa me titull “Trojanet”, i cili u krijua në vitin 1974. Ky produksion do të kombinojë gjuhën e shpikur dhe gjestet duke i përdorur ato si mekanizëm për eksplorim. Kjo shfaqje bazohet në dramën 2500 vjeçare “Trojanet” dhe në temat e saj të luftës, zhvendosjes, dhunës kundër grave, fëmijëve dhe gjenocidit.

Funksioni i teatrit për shekuj me radhë ka qenë gjetja e një arsye dhe ndjenjës së përbashkët të njerëzimit për të krijuar një botë më të mirë. Inskenimi i saj është unik në mënyrën se si ndërveprojnë aktorët dhe publiku. Fuqia e kësaj shfaqje të veçantë është vërtetuar në prezentime gjatë 40 viteve të fundit dhe në më se 30 kombe.

Projekti “Trojanet” është i veçantë sepse përdorë një kombinim të punëtorive, provave, prezantimeve, dialogut dhe ndërgjegjësimit të komunitetit.

– Faza e parë – takimet 2-3 javor me ekipin e projektit për të ndarë një qasje specifike jo tradicionale në performancë me elemente të muzikës, lëvizjes, dhe historisë së Trojaneve. Kjo do të jetë e mundur me ndihmën e një grupi pjesëmarrësish që reflektojnë kulturën dhe diversitetin shoqëror të zonës.

– Faza e dytë – prej një periudhe 5 – 6 javore të provave dhe eksplorimit do të shpie në prezentimin e shfaqjes. Elementet e lidhjeve personale dhe kulturore të grupit me materialin do të jenë të përfshira në produksion.

– Faza e tretë – pas largimit të ekipit La MaMa në fund të fazës së dytë, pjesëmarrëset/it do të inkurajohen që të përdorin mësimet paraprake në krijimin e shfaqjeve për të rritur dhe për të zhvilluar punën e tyre.

– Faza e katërt – zhvillimi i vazhdueshëm i rrjeteve ndër-kulturore, në nivel personal, lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, me artistë dhe komunitete të cilët kanë marrë pjesë në Trojanet.
Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrëset/it do të eksperimentojnë me metodat për forcimin e zërit dhe përdorimin e tingullit të pastër. Ata/Ato do të hulumtojnë gjestet dhe gjuhën e trupit. Artistët/et do të mësojnë muzikën dhe disa nga inskenimet e produksionit të La MaMa’s. Nga artistët/et do të kërkohet që të zgjerojnë materialin duke sjellur këngë, tregime dhe levizje nga përvojat e tyre personale. Bashkëpunimi do të jetë në ansambël. Do të krijohet një hapësirë për diskutime mbi procesin e punës, temat e shfaqjes si dhe lidhjet me jetën tonë personale. Në fund të punëtorisë do të ketë një prezentim publik të punës së arritur para një audience të ftuar. / KultPlus.com

Margarita Xhepa: Nëna ime ishte e Bukura e Dheut!

Margarita Xhepa, aktorja e madhe shqiptare, flet me shumë emocion kur flet për prindërit e saj.

Nëna Marie e babai Zoj Prifti duhet të kenë lënë gjurmë të thella tek personaliteti i aktores, të cilat gjurmë kanë ndikuar në formimin e saj si aktore dhe si një grua me zemër të madhe e të bardhë.
“Nëna Marie ishte e Bukura e Dheut, në fytyrë dhe në shpirt! Unë nuk jam ndoshta as çereku I saj, është pasuri e madhe të kesh prindër të tillë. Se, nga prindërit kam mësuar gjëra pa na i diktuar, pa na i thënë, por vetë duke i parë, duke u rritur me shtatin, ne i merrnim këto virtyte” tregon aktorja Margarita Xhepa kur bashkëbisedon me Sanije Gashin në një libër ku kjo e fundit ka përmbledhur gratë shqiptare që kontribuuan në art e kulturë, shkruan KultPlus.

“Ah, mua më ka vdekur nëna shumë e re, prandaj më mungon aq shumë nona, që ka mbetur ëndërr në sytë e mi. Dhe, brenda zemrës sime ka mbetur zemër. Se, kur ke nënë, je e pasur shpirtërishsht, se nëna nuk të rrit vetëm me kujdesin e saj, por me syrin e dhembshëm, të mban gjallë me shpresa, me dashurinë, me dhembjen… Kështu që unë jam rritur me një nanë të dytë, por patëm fatin të na vinte nga jë fis shumë I mirë, dhe ne ishim shumë fëmijë, na gjeti katër, i pruri tre me vete dhe lindi edhe tre të tjerë me babën, se ishin të rinj, të dy” vazhdon e tregon historinë aktorja.

Për babanë, tregonte se edhepse i pa shkollë, i mësoi dhe edukoi fëmijët në rrugë të drejtë.

“Kurrë mos ofendoni kënd në jetë, se s`keni të drejtë. Kjo më ka mbetur si amanet, porosi e vyer, do të thosha. Këto janë gjëra të bukura njerëzore, që duhet të na udhëheqin” tregon Xhepa në këtë libër ku shpalosë emocionet e saj më të thella. / KultPlus.com

Do t’jet’ shumë vonë

Poezi e shkruar nga Blega Sheholli.

Kur do kërkosh pllamën e dorës tem me ta prek krahun
e me t’thanë se “gjithçka ka me ra n’vend t’vet”

Sytë tu kanë me lypë me i pa t’mijtë
e shikimet me na u lidhë si gërshetë
por do të jet’ shumë vonë ti asgja tjetër s’ke me pa përveç zbrastisë së dhomës
dhe do t’çmendesh kur t’dëgjosh kangët tona teksa bajnë duet me vetminë dhe nëpër ezofag ke me çu nji gotë vner

Shumë vonë do të jet’ kur ti ta kuptosh se heshtja jem ka qenë faculetë e lotëve tu e asgja tjetër s’ki me ngu përveç fjalëve boshe të atyne që veç të qeshën e kurrë… s’të qanë.

Mos e prit ardhjen teme
kur une të bahem shi
e ti shkretinë. Ikjen time ke me pasë mallkim që të djeg në ballë.

Vonë, shumë vonë për mu
për ty
për takimin tonë.

Nëse ndonjiherë vij, do t’vij veç me t’harru…

Këngëtari shqiptar Ermal Meta vazhdon me turneun e tij nëpër Itali

Ermal Meta ka publikuar kësisoj datat e turneut të tij nëpër Itali.

Një emër më shumë i njohur në Itali sesa në Shqipëri, shqiptari Ermal Meta ka bërë famë sidomos me pjesëmarrjet e tij në Sanremo Festival – festivali i muzikës shumë i respektuar në Itali.

Me datë 27 gusht turneu ka nisur në Verona të Italisë ndërsa do të vazhdojë deri me 19 tetor në Torino, me rreth 30-të koncerte dhe paraqitje në Mantova, në Trieste, në Milano, Romë, Palermo e qytete tjera.

Ermal Meta është 36 vjeçar, me origjinë nga Fieri, ndërsa në edicionin e këtij viti të Sanremos ai morri çmimin Mia Martini – çmimi i kritikës së festivalit dhe që mban emrin e një këngëtareje të madhe italiane, shkruan KultPlus.
Meta ende nuk ka paralajmëruar një koncert në Shqipëri apo Kosovë, sado që dukshëm shihet se ai ka fansa në të dyja vendet. Pas Anna Oxës dhe Elsa Lilës, ai është shqiptari tjetër që ka marrë pjesë në Sanremo dhe ka korrur suksese. / KultPlus.com

Katër seritë që duhet shikuar patjetër këtë muaj


Orange is the New Black

Seriali në fjalë është ngjarje e vërtetë. Te kjo do të kthehemi më vonë, por ajo çka është e rëndësishme është fakti se burgu i grave del të jetë i egër. Piper Chapman, një bionde amerikane e cila vetëdorëzohet pasi ka bartur drogë, kthehet në burg në një biznesmene rrobash të brendshme. Një serial ku ka vrasje, dashuri, komedi, Orange is the New Black ka gjithsej pesë sezone të cilat shikohen shpejt e shpejt. Seriali është vlerësuar lart për humanizmin e qenieve njerëzore brenda në burgje, derisa gjithmonë gratë nëpër burgje trajtohen keq dhe konsiderohet si vetëm kriminele – dhe kaq. Çdo episod ka një histori personale të grave që përfunduan në burg. NETFLIX është platforma ku jepet seria, por atë mund ta shihni edhe me anë të linqeve të ndryshme.

Sense8
Vetëm dy sezone, Sense8 tregon historinë e një grupi njerëzish nga vende të ndryshme të botës të cilët lidhen mentalisht, i gjenden njëri tjetrit në situate të ndryshme, ndihmojnë njëri tjetrin. Një vajzë nga Seuli, një djalë nga Najrobi, një gjerman biond i bukur, një aktor spanjoll homoseksual, të gjithë fizikisht mund të paraqiten për njëri tjetrin edhe nga largësia. Sense8 morri hov vitin e fundit, ndërsa NETFLIX ka ndërprerë kontratën me ta. Nëse nisni ta shikoni serinë, jo më shumë se tre javë do t`iu duhet ta përfundoni. Seriali ka marrë edhe nominim për Emmy Awards, shkruan KultPlus.


Stranger Things
Serial me vetëm një sezonë, i realizuar në vitin 2016-të, Stranger Things nuk duhet t`iu humbë. Horror në një fshat pasi zhduket një djalë, më pas një vajzë, dhe nisin kërkimet për ta, por zbulohen të vërteta që ishin mbajtur fshehtë për shumë kohë. Millie Bobby Broën dhe Winona Ryder, dy aktore të njohura, vijnë në rolet kryesore. Si vetë titulli i serialit, gjëra të çuditshme ndodhin në cdo episod të këtij seriali. Dikush zhduket, një aparat i një djali provon të gjejë zgjidhjet e problemeve, dhe një krijesë e lëngët e ka folenë e saj diku në pyll. Një laborator në fshatin e trilluar bën probleme dhe krijon monstrume, por fshati dëshiron të luftojë kundër padrejtësive. Momentalisht, Stranger Things është seriali më i klikuar në NETFLIX, prandaj flisni me ata që e kanë parë ose po e shohin tani, dhe do të bindeni për emocionin që sjellë ky serial.


House of Cards
Tani disa vite shumë i famshëm, House of Cards vazhdon të jetë serial i thellë në trajtimin e tij por edhe i vecantë në këtë zhanër. Frank Underwood është një personazh karizmatik që synon të bëhet President i Shteteve të Bashkuara. Në sezonin e tretë, atij i kthehet në rivale gruaja e tij, Claire. Këtë vit, sezoni i pestë i House of Cards premton shumë. Molly Parker, Michael Kelly, Reg E. Cathey, Constance Zimmer dhe Corey Stoll janë krahas aktorit të madh Kevin Spacey në rolin kryesor, në serialin që ka nisur të shfaqet qysh në vitin 2013-të. Një seri për ata që pëlqejnë intrigat politika, strategjitë e ndryshme politike për të dalë më përpara se rivali yt, një serial për ata që duam dramë dhe stres në personazhet të cilat punojnë në institucione të larta shtetërore amerikane. / KultPlus.com