Muralet të cilat po e ringjallin ‘fshatin e përgjumur’ bullgar (FOTO)

Një grup artistësh të rinj polakë, po sjellin një spektakël të artit të gjallë të rrugës në fshatin Taro Zhelezare, krejt kjo me qëllim që të ngjallin jetën në këtë fshat, i cili njihet si ‘I përgjumur’ në Bullgarinë jugore. Ata kanë krijuar disa muralë të mëdhenj, ku kanë paraqitur disa figura të njohura vendase dhe disa figura të famshme të botës, përcjellë KultPlus.

Ky lloj arti me anë të këtyre muraleve të veçanta, është bërë në kuadër të projektit të quajtur ‘Fshati i hapur/Fshati avant-gard’, me anë të cilit synohet të ringjallet jeta dhe ekonomia në këtë fshat. Muralet paraqesin portrete si atë të Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeth, Dalai Lama, Papa Françeskut, Angela Merkel, Margaret Thatcher dhe Barack Obama, shkruan ‘Reuters’, përcjellë KultPlus.

‘Ideja është të tregohet se çdo individ ka stilin e vet dhe nuk është e rëndësishme nëse jeni i famshëm apo jo’, tha Katarzyna Piriankov, e cila para disa vitesh ka pikturuar bashkë me burrin e saj bullgar, në muralet e fshatit Staro Zhelezare, me shpresën për të sjellë një jetë të re, një shpresë të re në këtë fshat.

‘Një grua e vjetër nga Staro Zhelezare mund të thotë diçka të rëndësishme, ashtu si Barack Obama apo Donald Trump’, tha tutje ajo.

‘Unë erdha … për t’i dhënë një ngjyrë dhe bukuri këtij vendi dhe këtyre njerëzve. ‘Njerëzit këtu janë aq të këndshëm dhe miqësorë’, tha Kinga Matuszewska, një tjetër artiste, e cila studion arkitekturën në Poznan dhe që është pjesë e këtij projekti që synon të ngjallë fshatin bullgar.

Vendorët, të cilët për Reuters pozuan shumë të lumtur përpara këtyre muraleve në fshatin e tyre, shpresojnë se këto vizatime në murale do të joshin turistët, të nxisin ekonominë dhe të ngjallin këtë fshat, në të cilin ka rënë edhe numri i popullsisë, pas rënies së komunizmit në Bullgari në vitin 1989 dhe në krejt fshatin kanë mbetur më pak se 500 banorë.

Taro Zhelezare, është një nga fshatrat më të varfra në Bashkimin Evropian, të cilin po e braktisin shumë të rinj, për të gjetur një të ardhme më të mirë se aty. /KultPlus.com


Isa Mustafa emëron katër ministra të rinj, Vlora Dumoshi ministre e Ministrisë së Kulturës

Ministrat e rinj do të shërbejnë deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa e ka emëruar Ministër të financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, Ministre të kulturës, rinisë dhe sportit, shefen e deritashme të stafit në kryeministrit, Vlora Dumoshi, Ministër të infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, dhe Ministër të punës dhe mirëqenies sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi”, thuhet në komunikatën për media të zyrës se kryeministrit.
Vendimin për emërimin e ministrave të rinj, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, e ka bërë pasi ministrat e deritashëm janë zgjedhur deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Ministrat e rinj do të shërbejnë deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës./KultPlus.com

Poezia që Din Mehmeti ia kushtoi Nexhmije Pagarushës

Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.

Këngës i dolën flatrat

Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë.

Dashuria për jetë
Ia mori zërin

Këndoi e këndoi
Derisa shkundi shkrumbin
E shpirtit të vet
Derisa bulëzuan pranverat
Në zemrat e njerëzve

Këngës i dolën flatrat
Ajo tash fluturon
Mbi të gjitha fatkeqësitë
E vdekja s’ka ç’ti bëjë.

Adele ndihmon fëmijët e viktimave të Grenfell Tower në Londër

Këngëtarja e njohur britanike – Adele e njohur për iniciativat e saj humanitare, po vazhdon të tregojë mbështetjen e saj për të mbijetuarit e fatkeqësisë nga zjarri që ndodhi në muajin qershor, në Grenfell Tower në Londër, shkruan ‘Yahoo’, përcjellë KultPlus.

Së fundmi, 29 vjeçarja ka menduar për argëtimin e fëmijëve të viktimave të kësaj tragjedie, duke organizuar për ta një mbrëmje filmi në kinema, për të parë filmin e famshëm për fëmijë ‘Despicable Me 3’.

Përveç se u kënaqën me ‘Minions’ – personazhe shumë të dashura këto nga shumë fëmijë nga mbarë bota, fëmijët patën mundësinë edhe të bisedojnë dhe të fotografohen me Adele, e cila është shumë e dashur me fëmijë, shkruan KultPlus.

Kjo nuk është hera e vetme që Adele ka treguar mbështetjen e saj për të prekurit nga zjarri në Grenfell Tower. Ajo ka mbledhur dhe po vazhdon të mbledhë para për t’u ndihmuar të prekurve.

Gjyshërit e disa prej fëmijëve të mbijetuar, të cilët u bënë pjesë e organizimit të Adele për të parë
filmin, postuan një fotografi në rrjetin social Twitter.

‘E mahnitshmja Adele ka dërguar fëmijët tanë në kinema duke treguar shumë dashuri për fëmijët e #Grenfell. Faleminderit shumë!’ kanë shkruar ata poshtë fotografisë ku shihet Adele bashkë më fëmijët.
Të paktën 80 vetë humbën jetën në zjarrin e Grenfell dhe mbi 158 familje u prekën nga fatkeqësia. /KultPlus.com

Zgjedhet vajza më e bukur e bjeshkëve, në Malësi të Madhe (FOTO)

Më 5 gusht u organizua në Malësi të Madhe aktiviteti “Logu i Bjeshkve 2017”, që u mbajt pranë fshatit Lepushë, me këngë e valle folklorike rinore por edhe me zgjedhjen e vajzës më të bukur të bjeshkëve, veshur e stolisur sipas traditave të hershme

Aty morën pjesë banorë te trevave të veriut, nga Kosova, Mali i Zi, por dhe shume turistë të huaj gjermanë, zviceranë e italianë. Shihni fotot dhe vlerësoni vetë bukurinë e kësaj zone dhe njerëzve të saj. / KultPlus.com


Inaugurohet parku i të martuarve, kurorëzohen tre çiftet e para

Sot u inaugurua parku i të martuarve, park ky ku secili çift që kurorëzohet në Komunën e Prishtinës mund të mbjellë drurit e tyre, për ta shënjuar kështu martesën, shkruan KultPlus.

Kryetari Shpend Ahmeti, para se t’i kurorëzonte 3 çiftet e para që mbollën në këtë park, falënderoi që të gjithë ata që kanë kontribuuar në ndërtimin e këtij eko-parku të parë në Prishtinë. “Ky projekt ka dy qëllime: shënjimi i martesës për çiftet, si dhe rritja e gjelbërimit në kryeqytet. Sapo të mbushet ky park, projekti do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit, ashtu që të ndikojmë sa më shumë në përmirësimin e ambientit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Drejtori i Coca-Cola HBC Kosova, Neritan Tira, tha se ky kontribut i vogël për qytetarët e Prishtinës, ka një ndikim afatgjatë në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë. “Parku është i pajisur me pllaka informacioni që do të ndihmojnë në edukimin dhe ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë, si dhe me zona të relaksimit dhe rekreacionit. Ne jemi krenar të vazhdojmë kontributin tonë në përmirësimin e ambientin në cilin punojmë dhe jetojmë, duke realizuar këtë projekt kaq atraktiv, ku fillimet e reja me të vërtetë marrin jetë.”, theksoi Tira.

Në fjalën e tij të rastit, Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se është krenar me punën e kompanive amerikane në aspektin e përgjegjësisë shoqërore. “Inkurajoj edhe bizneset kosovare që ta ndihmojnë komunitetit edhe në Prishtinë, edhe në të gjithë Kosovën. Shpresoj që ky park të nxitë investime të ngjashme nga kompanitë”, tha Delawie.

Ky park u ndërtua si rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Prishtinës dhe Coca-Cola HBC Kosova. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në realizimin e ideve të tilla të kreative, duke pasur si synim kryesor përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës./KultPlus.com

Filmi “Lost Exile” i Fisnik Maxhunit në televizionin zviceran

“Lost Exile”, flet për historinë e një vajzë që tenton të largohet nga Kosova për në Hungari e ngecë në Serbi, flet më së miri për tmerrin që kaluan emigrantët e Kosovës për një jetë më të mirë, shkruan KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër i regjisorit të ri kosovar Fisnik Maxhuni. “Lost Exile”, i cili është prezantuar edhe në Locarno Film Festival, por edhe në DokuFest, do të prezantohet edhe në njërin prej televizioneve kombëtare të Zvicrës, shkruan KultPlus.

Filmi do të shfaqet RTS Deux , më 15 gusht, prej orës 00:55.

“Lost Exile”, flet për historinë e një vajzë që tenton të largohet nga Kosova për në Hungari e ngecë në Serbi, flet më së miri për tmerrin që kaluan emigrantët e Kosovës për një jetë më të mirë. Filmi do të jetë në tri gjuhë, atë shqipe, serbe dhe angleze, ndërsa dy personazhet kryesore i sjellin aktorët May-linda Kosumoviq dhe Arben Bajraktari.

Ky film është kooproduksion ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, është i financuar nga Ministria e Jashtme e Zvicrës si dhe Ministria e Kulturës së Zvicrës e poashtu edhe televizioni nacional i Zvicrës ka financuar dhe i ka blerë të drejtat e filmit, por në Kosovë vetëm Ikonë studio, si kompani ka participuar në buxhet të filmit me një shumë simbolike./KultPlus.com

Të jetoni si Nënë Tereza, pesë virtytet për të qenë njeri më i mirë

Të gjithë e kemi përdorur ndonjëherë ose kemi pasur rastin ta dëgjojmë pyetjen e njohur retorike ‘Kush jam unë, Nënë Tereza?’. Duket se kjo pyetje e cila vetë të jep edhe përgjigjen është me shumë vend, sepse nuk mund të jemi të gjithë si kjo grua, e cila qysh në moshë të re dha shumë nga vetja.
Kur të gjitha vajzat e vogla ishin duke luajtur me kukulla dhe duke luajtur lojëra ashtu siç luajnë të gjithë fëmijët, Nënë Tereza, e njohur edhe si Tereza e Kalkutës, ishte duke ndihmuar të varfrit. Ëndrra e saj u realizua, kur ajo në moshën 18 vjeçe pasi u pranua në institucionin ‘Sisters of Loreto of Ireland’. Më pas Nëna Terezë shërbeu në Indi dhe krijoi spitale, kuzhina dhe në vitin 1950 themeloi kishën katolike, ‘Missionaries of Charity’.

Puna e saj humanitare mbetet e pashembullt dhe sakrifica e saj mbetet një model i diçkaje që ne të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje. ‘Kemi frikë nga e ardhmja, sepse po humbim të sotmen. A po humbisni sot kohën nga frika?, shkruante ajo. Mësoni nga Nënë Tereza se si të jetoni më mirë jetën tuaj. Kjo është lista e pesë virtyteve me anë të të cilave Nënë Tereza e jetoi jetën e saj dhe kësisoj ndihmoi njerëz në mbarë botën.

Shërbejini të tjerëve
‘E shihni dikë duke vdekur? Ndihmoji. E shihni dikë të uritur? Jepni ushqim. Edhe ai mund të japë dhe të marrë dashuri. Mos e shikoni racën e tij, as fenë e asgjë tjetër. Ndihmojeni. Nëna Terezë ka thënë: ‘Çdo person, nëse ai është hindu, mysliman ose budist, ai është vëllai im, motra ime’.
Të qenit i sjellshëm nuk do të thotë të jetë detyrë, por mund të jetë diçka që ju zgjidhni të bëni çdo ditë. Çështja është të dalësh nga kutia jote e vogël dhe ndërkohë që ti ndihmon të tjerët, do të ushqesh edhe shpirtin tënd.

Jetoni në të tashmen
‘E ardhmja është aq shumë në duart e Zotit, unë e shoh shumë më lehtë ta pranoj të tashmen, sepse e djeshmja ka shkuar dhe e ardhmja nuk ka ardhur ende’, tha Nënë Tereza. Për shembull, mund të hiqni të gjitha gjërat që lidhen me të kaluarën tuaj, sepse kjo mund të ndikojë në mënyrën se si jetoni tani. Nëse keni vetëm 5 minuta kohë për të pirë një kafe në mëngjes, bëjeni atë. Gëzojnë çdo moment të cilin jeni duke e jetuar. Shko jashtë për ajër të pastër, ose shkoni për një shëtitje me miqtë apo familjen. Të jetosh në të tashmen është sikur të jetosh në pushim dhe pa presion. Nëse ne çdoherë brengosemi për të nesërmen, e humbim vlerën e të sotmes.

Jini mirënjohës
Nënë Tereza me misionet e saj, ka udhëtuar shumë dhe asnjëherë nuk lejoi të hidhej ushqimi I tepruar në aeroplanin me të cilin ajo udhëtonte. “Ka shumë njerëz që mund të bëjnë gjëra të mëdha, por ka shumë pak njerëz që do të bëjnë gjëra të vogla. Mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tonë ndaj
Perëndisë dhe njerëzve është të pranojmë gjithçka me gëzim, ka thënë ajo.

Mother Teresa

Lini gjurmë
Kërkoni Perëndinë, aty ku ai ju do juve. Ndoshta është koha t’i ndihmoni më shumë njerëzve, pyeteni Zotin se si duhet ta bëni këtë. Nënë Tereza ka punuar në lagjet e varfra dhe ka dashur që njerëzit të pranojnë të varfrit në shoqëri. Ajo e bëri këtë në emër të Perëndisë, kështu mund ta bëni edhe ju.

Qëndroni të fokusuar
Shumë prej nesh ndihen sikur kanë humbur brenda jetës së tyre dhe ndihen se nuk kanë shpresë. Nënë Tereza ka kaluar nëpër sfida, por ka punuar shumë për të mbajtur vëmendjen e saj të përqendruar në thirrjen e saj, dhe në Perëndinë. Nëse edhe ne ndihemi të humbur në jetën tonë, mund të bëjmë si Nëna Terezë.

Rëndësia e Nënë Terezës mbetet e fortë sot dhe ne mund ta rimarrim frymën e saj pas kaq shumë vitesh dhe ta përdorim atë në botën tonë. / KultPlus.com

Rita Ora lanson këngën e re me 10 gusht, dëgjoni pak sekonda nga kënga

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, shumë shpejt do të publikojë hitin e saj më të ri.

Bëhet fjalë për projektin me titull “Lonely Together” e cila duket se do të vijë vetëm në versionin audio. Lajmin e ka konfirmuar këngëtarja përmes Instagram, ku ka bërë me dije që edhe 3 ditë kanë mbetur që të lansohet projekti.

“Është himni im i verës! Mezi pres që ta dëgjoni të gjithë! Edhe tri ditë!”, ka shkruar Rita.
Pjesë e hitit të radhës është edhe Avicii – DJ i njohur suedez. Në profilin e tij në Facebook ai ka zbuluar një moment thelbësor të ndërtimit të këngës që tingëllon si euforike dhe e pamohueshme.

“Prodhimi i pabesueshëm, melodi e papërballueshme, dhe në këtë rast, stil artistik nga Rita Ora e bukur”, ka shkruar Avicii. / KultPlus.com

1 muaj, 75 milion shikime në Youtube për këngën e Dua Lipës

Saktësisht me 7 korrik, pra sot 1 muaj, Dua Lipa ka lansuar në Youtube videoklipin e këngës “New Rules”.

Ky është ndoshta edhe videoklipi i parë me kaq pompozitet i Duas, i realizuar në mënyrë profesionale dhe goditës për muzikën botërore.

Kënga numëron gjithsej 75 milion klikime në Youtube, ky një rekord për këngëtaren shqiptare e cila tanimë është në listën e dhjetë këngëtareve më të dëgjuara në Angli.

Dua ka pak kohë që ka nxjerrë edhe albumin e ri i cili u prit konsiderueshëm mirë. / KultPlus.com

Përurohet “Parku i të martuarve”, përfshihen edhe mesazhe nga politikanët e Kosovës (FOTO)

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj inaugurimit të “Parkut të martuarve”.

“Në “Parkun e të Martuarve”, që u përurua sot në Prishtinë, të rinjtë e PDK-së në kryeqytet përmes një aksioni simbolik kanë shpalosur “dashuritë” e vërteta të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili për katër vjet nuk ka shërbyer për qytetarët e Prishtinës, por për interesa të ngushta dhe korruptive të krerëve të Partisë Vetëvendosje”, thuhet në kumtesë.

Kryetari i të rinjve të PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj, ka treguar edhe arsyet që i kanë shtyrë ta ndërmarrin këtë aktivitet simbolik.

“Meqë Shpend Ahmeti nuk po gjen kohë t’u përgjigjet qytetarëve për skandalet e qeverisjes së tij të korruptuar, ku administratën e ka shndërruar në çerdhe të punësimit partiak të mbi 500 militantëve, si dhe me të tillë i ka mbushur edhe shkollat dhe ndërmarrjet publike të Prishtinës;

Meqë Shpend Ahmeti, me urdhra të Kurtit dhe Molliqajt, edhe tenderët ua jep kompanive të bashkëpartiakëve dhe miqve e të afërmve të tyre. Ndërsa, sekserë për të shitur leje ndërtimore i ka dostat dhe në emër të nënës blen edhe banesa në Shëngjin;

Meqë për këto dhe shumë të tjera, ai po i injoron faktet. Dhe përveç injorimit, po shfaqet edhe i papërgjegjshëm, duke i ikur llogaridhënies qytetare…

Pra, si dembel që është për të punuar, por jo edhe për të aktruar, ai me dramaticitetin shekspirian vetëm po aktron rolin “kishe po punoj diçka”, duke u bërë lajka të rinjve edhe me kësi simbolika boshe, si ky: Parku i të martuarve apo i të dashuruarve!

Atëherë, ne, meqë kryetari e ka simbolikën politikë dhe e tërë puna e tij është vetëm simbolike, jemi këtu që t’ua tregojmë dashuritë e vërteta të Shpend Ahmetit, që ai i do me gjithë zemër dhe i ka kultivuar në Komunën e Prishtinës: Korrupsionin, tenderët, jahtet, punësimet partiake, lejet ndërtimore, bashkë me banesat, pronat dhe milionat”, ka thënë Sadikaj.

Kryetari i të rinjve të PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj, ka thënë se përveç këtyre, Ahmeti është i dashuruar marrëzisht edhe pas Shëngjinit.

Sadikaj ka thënë se këto janë dashuritë e vërteta të Shpend Ahmetit, të cilat i adhuron dhe gjithmonë është i gjunjëzuar para tyre. / KultPlus.com

Daniel Mulloy, regjisorit që Kosova i jep një tjetër perspektivë mbi jetën

Sarandë Selimi

Mik dhe bashkëpunëtor i gjatë i DokuFest-it, regjisor i shpërblyer Daniel Mulloy mbajti dje në ditën e tretë të edicionit të 16-të të DokuFest, një masterklasë për temat me të cilat është i lidhur si dhe për procesin e filmbërjes.

Duke menduar se interesimi do të ishte jo i madh, e duke e parë krejt të kundërtën në sallën ku po mbahej masterklasa, fituesi i BAFTA-s me filmin “Home”, filloi rrëfimin e tij.
Ka shumë njerëz që dinë gjëra rreth tij. Ndoshta më shumë nga ana profesionale. Por mesditën e së dielës, në Kino Klubi, Daniel Mulloy shpalosi edhe shumë gjëra të tjera personale. Danieli në adoleshencë është marrë me sport. Prindërit e tij kanë qenë filmbërës e kjo pak a shumë e ka shtyrë të merret me kinematografi. Ai ka kaluar shumë kohë i vetëm, duke ecur e duke vëzhguar njerëzit.

“E kam menduar se këtë takim ta zhvillojmë më shumë si një bisedë. Fillimisht kam menduar të flas rreth, të themi procesit se si jam bërë një filmbërës. Mua më pëlqejnë tej mase projektet krijuese me gjëra me të cilat jam i lidhur dhe më pëlqen shumë të punoj me njerëz që kanë pasion për punën, njerëz që kur nisin të bëjnë diçka, të punojnë diçka, e fusin edhe veten e tyre në atë punë, më pëlqen bashkëpunimi, më pëlqejnë njerëzit të cilët bashkëpunojnë me të tjerët” tregon Mulloy.

“Prindërit e mi kanë qenë regjisorë, kështu që një mënyrë ose në tjetrën do të përfshihesha në film. Kur kam qenë fëmijë dhe adoleshent jam marr me atletikë dhe sport, të cilat i kam dashur shumë, kam bërë disa operacione në gju në kohën kur jam marr me sport e më pas hoqa dorë nga sporti. Si i ri nuk kam qenë edhe shumë i shoqërueshëm, kam kaluar shumë kohë vetëm, duke menduar dhe duke vëzhguar çdo lëvizje të njerëzve nga ecjet në rrugë deri të mënyra se si po hynë në tualet”, theksoi Mulloy i cili tha se observimi dhe të qenit i vetëm e ka ndihmuar shumë më pas në film, fotografi dhe në zhvillimin e tij si artist.

Në këtë masterklasë që erdhi si një rrëfim për inspirimin e regjisorëve të rinj dhe jo vetëm, Daniel Mulloy tregoi se si ka realizuar filmin e parë.

“Shkoja në klube shpesh. Në toaletet e të gjitha klubeve vëreja se punonin gra algjeriane. Më pengoi se si ato trajtoheshin si objekte e jo si njerëz. Rrija në toalete edhe i shikoja. Më pas vendosa që të incizoj ato gra që bënin punën e tyre. Kështu realizova një film. Ndihesha jo rehat me të. Më pas motra ime e dërgoi atë nëpër festivale në emrin tim. Fitoi çmim shumë të madh, më duket 50 mijë euro për ta bërë një film tjetër dhe më pas fitoi çmimin ‘Bafta’ në Wales. Kështu vazhdova të realizoja filma të tjerë”, ka thënë Mulloy.

Pas kësaj Daniel Mulloy, foli edhe për bashkëpunimin me Kosovën, më saktësisht me DokuFest-in. Ai tha se ka qenë e mrekullueshme të realizonte film në Kosovë, duke bashkëpunuar me artistë të Kosovës dhe duke sjellë një histori universale dhe një problematikë që dikur e kanë kaluar edhe kosovarët.
“Para dy vitesh kur po bashkëpunoja me këtë festival dhe kur po bëheshim gati për temën e migrimit, posterët dhe gjithçka tjetër, ka qenë shumë e bukur. Ky film ka qenë dëshmi se si në mënyrë natyrale kanë rrjedhur gjërat. Ne kemi dashur të shtyjmë edhe më shumë përpara dhe të tregojmë se çka është ‘DokuFesti’ në gjendje që të bëjë”, u shpreh ai.

Daniel Mulloy, një regjisor plot pasion, thotë se të tillë njerëz ka gjetur edhe në Kosovë.

“Tema e migrimit dhe refugjatëve ka qenë e lehtë të bëhet këtu sepse secili ka qenë i prekur direkt. Gjithmonë kam bërë gjëra të ndryshme krahas filmit. Tani i shoh si bonus, plus fakti se kam disa vite që vi në Kosovë kam krijuar opinion tjetër për hasje në kinematografi, për kulturë. Kam mësuar shumë këtu, po ashtu nga partnerja ime dhe familja. Vetëm fakti se jam këtu dhe sa ndryshe është nga Britania e Madhe, kam tjetër perspektivë”, tha ndër të tjera regjisori i filmit ‘Home’, Daniel Mulloy.
Kjo ishte ajo që Daniel Mulloy ndau dje me audiencën që ishin në një numër goxha të madh në DokuFest.

Ai si përfundim u shpreh shumë i lumtur edhe njëherë që ndodhet në Kosovë dhe që DokuFest dita ditës po rritet e po formohet edhe më shumë si festival i respektuar në rajon dhe jo vetëm. / KultPlus.com

Kadare: Shqiptarët gjithmonë i kanë pranuar të gjitha fetë

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është aktivizuar së fundmi me intervistat e ndryshme dhe me deklarata mbi zhvillime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë.

WELT-i gjerman e ka intervistuar shkrimtarin shqiptar rreth çështjeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe tolerancën fetare e cila tek shqiptarët gjithmonë është shumë e pranishme.

“Po, harmonia fetare ndër shqiptarë ka ekzistuar gjithmonë. Gjatë periudhave të ndryshme historike: në sundimin osman, në fashizëm, në mbretëri, në komunizëm madje, kur toleranca fetare dukej e largët, në Shqipëri gjithmonë ka qenë e pranishme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë gjetën tek ne strehimin dhe shpëtimin” tregon mes tjerash në këtë intervistë shkrimtari Kadare.

Kur është pyetur se pse iku në Francë, ai tha se nuk mund ta duronte regjimin e Ramiz Alisë dhe se asokohe ka pasur njerëz që mendonin se Ramiz Alia ishe një Gorbachev shqiptar.

“Në regjime totalitare, letërsia lulëzon dhe merr formë. Njëjtë ka ndodhur edhe me mua. Sa i përket çmimit Nobel, unë nuk ndihem keq. Bota letrare merret me kritikën dhe me vëmendjen ndaj autorëve në çdo periudhë të vitit kur ndahet çmimi. Më duket si kohë e Krishtlindjeve” tregon Kadare kur pyetet për Nobelin dhe kur intervistuesi aludon se ai nuk e ka marrë Nobelin për Letërsi për faktin se nuk e ka kundërshtuar aq sa duhet sistemin komunist.

Helena Kadare, gruaja e tij, për të ka qenë shoqëruesja më e mirë.

“Pa ndihmën e saj, cdo ditë e jetës sime do të ishte e vështirë. Ajo gjithmonë është lexuesja ime e parë dhe kjo ka rëndësi të madhe për shkrimtarin. Ajo më ka ndihmuar edhe në draftet finale të veprave të mia” tregon Kadare për WELT, në një intervistë voluminoze ku ai flet edhe për dosjet që kërkoi të hapeshin pas komunizmit por edhe ku flet mbi Erdoganin dhe deklaratën e tij se Kosova është Turqi.
“Nuk i kam besuar vetes dhe as syve të mi kur lexova se ai ka thënë diçka të tillë” shton Kadare për fund. / KultPlus.com

Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi largohen nga Shqipëria, arsyet janë këto

Një tjetër artist që ka lënë gjurmë në muzikë ka vendosur që të braktisë Shqipërinë. Bëhet fjalë për kompozitorin Shpëtim Saraçi dhe bashkëshorten e tij, Mira Konçi.

Të dy artistët kanë vendosur që të largohen drejt SHBA-ve. Ka qenë vetë Saraçi ai që për ‘Panorama’ ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.

Ai shprehet i zhgënjyer për shkrirjen e redaksisë ku ai punonte në RTSH bashkë me Alfred Kaçinarin dhe Edmond Zhulalin.

Ai shton se ky vendim ka të bëjë edhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për t’u dhënë një mundësi më të mirë shkollimi atyre në Amerikë.

“Ajo që është e sigurt është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë… Për të tjerat, çdo gjë është fakultative. Di që departamentin e punës në RTSH, që drejtoja, na e shkrinë në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës.

Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri, prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”, u shpreh Saraçi.

Me 5 shtator bëhet shenjtërimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë

Me datë 5 shtator të këtij viti në Prishtinë do të ndodhë shenjtërimi i Katedrales “Nëna Terezë”.

Ky është edhe veprimi i fundit i planifikuar që Katedralja të jetë në shërbim të qytetarëve dhe Zotit.

Don Lush Gjergji ka treguar se është i lumtur pasi edhe Papa Françesku ka caktuar tanimë të dërguarin e tij në këtë ceremoni që do të ndodhë në kryeqytet. Ernest Troshani është personi i cili është i dërguari përfaqësues nga Papa i Vatikanit, shkruan KultPlus.

Këtë 5 shtator bëhen gjithsej 20-të vite nga vdekja e Nënës Terezë, e cila vdiq në Kalkuta të Indisë.
Shtatorin e vitit të kaluar Nënë Tereza u shpall shenjtore në një ceremoni e cila u ndoq me interesim nga mbarë bota. / KultPlus.com

Ambasadori Delawie sot viziton DokuFest-in

Ambasadori amerikan Greg Delawie, sot do të jetë pjesë e e edicionit të 16-të të festivalit të filmit DokuFest, i cili po mbahet në Prizren.

Gjatë vizitës së tij në Prizren për të qenë pjesë e mbrëmjes amerikane në DokuFest, ambasadori amerikan Delawie do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, i cili njëkohësisht do të vizitojë shtandet turistike dhe do të jetë në një koktej kushtuar kësaj mbrëmje amerikane.

Këtë vit, fokus i festivalit është e ardhmja për të cilën organizatorët shpresojnë të jetë më e mirë dhe të rrisin optimizmin për të ardhmen përmes këtij programi.

Plava dhe Gucia, me festën e madhe të këngës e valles shqipe (FOTO)

Plava dhe Gucia për tre ditë me radhë mirëpritën edicionin e dytë të festivalit, “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i cili përkoi edhe me 20-vjetorin e veprimtarisë së përvitshme, “Alpet shqiptare, Vuthaj 2017”.

Gjatë këtij takimi dhe festivali në lëndinën mes këtyre maleve të larta u mblodhën më shumë se pesë mijë vuthjanë dhe të ardhur nga zonat për rreth, nga Kosova , Shqipëria, dhe Malësia e Madhe, përfshirë edhe dhjetra mërgimtarë, që kishin ardhur së bashku me familjet e tyre, nga SHBA dhe Europa, për t’u çmallur edhe për të shijuar bukuritë mahnitëse të alpeve shqiptare.

I pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe ish- ambasadori Uilliam Uoker, i njohur për kontributet e jashtëzakonshme për çështjen e Kosovës, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, etj.

Këto aktivitete të zhvilluara nën kujdesin e veprimtarit të njohur Tahir Gjonbalaj, u organizuan në fshatin Vuthaj, Plavë-Guci nga Shoqata e Alpeve, Shoqata Maja e Karafilit me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në datat 30,31 korrik, 1 gusht 2017.

Gjatë këtyre ditëve ansamble dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi shpalosën vlerat më të arrira të folklorit tonë burimor, këngën e moçme, kostumet dhe vallet.

Artistët pjesëmarrës në festival u nderuan me mirënjohje dhe çmime. Vendi i tretë i takoi ansamblit “Prishtina”. Në vend të dytë u rendit ansamblit “Shotë Galica”, Drenas. Dhe vendi i parë i takoi ansamblit polifonik “Qepini”, Vlorë, raporton atsh.

Juria e festivalit shpalli grupin më të mirë të valleve ansamblin “Shkupi”. Unioni Artistik i Kombit shqiptar do të vazhdojë traditën e organizimeve të tilla përveçse në trevat shqiptare, edhe në diasporë.

Tenori Agim Hushi reagon pas ofendimeve që i mori nga shqiptarët

Një koment i postuar në rrjetet sociale nga tenori i njohur Agim Hushi, krijoi një valë të gjerë urrejtje.

Dy ditët e fundit, ai është përfshirë në debate të shumta me ndjekësit në rrjetet sociale, por sot ka zgjedhur që të tregojë se si e ka përjetuar këtë situatë. Ai i është drejtuar me maturi çdo komenti kritik, duke i bërë me dije se si puna e tij, mendon çdo shqiptar, në çdo cep të botës. Tenori u ka dhënë një “shuplakë” të gjithë njerëzve, të cilët e shanë në rrjetet sociale, duke u thënë se nuk u intereson mendimi i tyre.

“Të dashur miq
Është e pabesueshme e gjitha kjo!
Nuk mund ta besoj akoma, se si një postim personal për miqtë e mi, me dashurinë dhe reagimin e natyrshëm njerëzor të kthehet në një agresion të verbër, ku mungesa e arsyes, cmira e zeze dhe instikte të një gjykimi balkanik të hedhin baltë mbi një njeri dhe jetën e tij pa asnjë shkak ose për shkakun e vetëm se foli sinqerisht për një klasë politike që po e bënte të ikte atë dhe mijëra bijë dhe bija të tjerë.

Një shoqëri që nuk ngurron të hedh baltë vetëm se ka lexuar gazetën, bile arrin deri aty sa që një “filozof” shkruante se kisha pështyrë atdheun megjithëse kur e pyeta ma trego ku e paskam bërë këtë, mu përgjigj se nuk e kam bërë; një “gazetare” me quan Gimo dhe “lën pushimet” pse paskam thënë që më vjen turp që jam bashkëkombas me hajdutët e popullit tim, paskam bërë tradhti pse më dhemb që populli im është përdorur nga politika!
Po të ishte ndryshe, kush e mban këtë klasë politike mbi kokë?

Ndërkohë mijëra e mijëra mesazhe mbushen inboxin tim me suport dhe dashuri. Nuk gjej fjalë si ti falenderoj. Por do të doja që dhe ata që ndoqën turmën dhe më “mallkuan”, të rishikojnë me qetësi fjalët e mija dhe ta kuptojnë se janë fjalë që i thonë shqiptarët cdo
ditë. S’do doja kurrë të zhgënjeja njeri, por smë interesojnë fare, pasi gjithë jetën jam ndeshur me ziliqarët, cmirëzinjt dhe njerëzit e lindur me sindromën e tmerrit, kur dikush ecën me këmbët e tij dhe prek suksesin! Nuk jam unë natyrisht shkak i vrerit të tyre, as zeri im nëse braktiset plazhi në Shqipëri apo sepse kthehem unë te jetoj ne Sydney.
Ju siguroj se fyerjet e tyre, jo vetëm që sme thyejnë, por më lartësojne dhe me bëjnë krenar se vërtet unë vlej…”, përfundon ai.

Kur interneti gënjen: Këto janë thëniet që asnjëherë nuk i tha Papa Françesku

Interneti, kjo botë e madhe virtuale, shpesh mund edhe të gënjejë. Njerëzit brenda saj janë shpesh të aftë të gënjejnë dhe nga ky trend nuk përjashtohen edhe figurat e mëdha e personalitetet e ndryshme.

Shpesh, thënie të mençura postohen në internet kinse janë thënë nga Papa Françesku, por në fakt shumë prej tyre nuk janë thënë nga ai e janë interpretuar keq. Në rastin ekstrem, janë shpikur, shkruan KultPlus.

Sipas shtypit zyrtar të Kishës Katolike të Vatikanit, disa prej mesazheve që qarkullojnë në internet se i ka thënë Papa, e në fakt si ka thënë kurrë e që qarkullojnë në internet se janë fjalë të Papës, janë:

– Kemi nevojë për shenjtorë pa mbulesë. Kemi nevojë për shenjtë në xhinse dhe patike
– Zoti nuk përdorë Facebook, ai komunikon me neve me anë të lutjeve
– Jesusi, Muhamedi, Jehovai, Allahu. Të gjithë këta emra përdoren për të përshkruar një entitet që është i njëjti në mbarë botën
– Nuk është e domosdoshme të besosh në Zot për të qenë njeri i mirë
– Kisha tashmë nuk beson në një ferr të përjetshëm, ku njerëzit vuajnë
– Kjo jetë shkon shpejtë. Mos e gjykoni veten, trupin tuaj. Mos fleni më shumë se që duhet. Mos ndaloni së puthuri fëmijët, partnerin. Mos u frikësoni ta lini vetë shtëpinë

=

Shkrimtarja Flutura Açka: Shqipëria është burg, ndjej dhimbje…

Vendi ynë i shtrenjtë duket se ende ka rrugëtime për të bërë. Të paktën këtë reflekton përmes rreshtave shkrimtarja e njohur Flutura Açka, e cila numëron të gjitha pengesat që ajo i ka hasur me syrin e saj kritik. Sipas saj, demokracia për të cilën kemi ëndërruar të jetë e shëndetshme, është bërë qesharake. Ajo e nis këtë analizë, duke marë dy shembuj konkret, Metën dhe Veliajn. Shkrimtarja rrëfehet se në ato pak ditë në Shqipëri, në ato pak çaste që ka parë televizorin, nuk i është shmangur për asnjë edicion lajmesh kryetari i Bashkisë së Tiranës, “i cili ka vendosur që për çdo fendë të vetën të bërë me paratë e shqiptarëve, të dalë e të flasë dora vetë…”. Ndër të tjera ajo citon se pasojat e Shqipërisë së kanabizuar vitet e fundit, do të jenë të lemerishme, shenjat e para i dhanë zgjedhjet, zjarret janë vetëm vazhdimi. Më tej ajo parashtron pyetjen se në cilën demokraci mund të ndodhë që opozita të jenë edhe president edhe pjesë e Qeverisë, pra një demokraci pa opozitë nuk është demokraci.

“Ky fillimgushti më gjeti duke lexuar librin me kujtime të mikut tim të vjetër, Kurt Kola, me titull “Në Shqipërinë burg” dhe kjo më ndodhi menjëherë pasi vizitova (në fare pak ditë që qëndrova në Tiranë këtë verë) Muzeun e Gjetheve. Desha t’ia plotësoj njohjen për Shqipërinë tim biri, një fëmijë shumë i interesuar për historinë dhe gjithçka përreth identitetit tij të dyfishtë etnik. Në korridorin e Muzut të Gjetheve ndesha me një vajzë të re, e cila më dha të njohur dhe më kujtoi se ishim takuar në një takim letrar për një nga romanet e mi dhe se kishte emrin e njërës prej personazheve më të rëndësishëm të romanit tim “Ku je?”, botim i vitit 2009. Më tha se sa herë vinte në punë aty, asaj i kujtohej romani im, që lidhej kaq shumë me historinë që ajo strehë famëkeqe mban. Sigurisht ajo ishte vetëm një asistente dhe një vajzë e re dhe shumë e pafajshme për gjithë çfarë rri varur dukshëm dhe fshehtas në historinë e asaj ngrehine, por i shpjegova shkurt se në të gjithë muzetë e botës, libra si romani im dhe shumë vepra që kanë subjekt atë kohë të errët, do të ishin të ekspozuar në një sallë më vete, për t’i dhënë me dije vizitorëve (por edhe ndërgjegjjes sonë) se ne po merremi me shqyrtimin e së keqes që na e deformoi (bindja ime personale) gati ADN-në. Në atë raft duhet të ishte edhe ky libër me kujtime i Kurt Kolës, një libër rrëqethës për nga e vërteta dhe një dëshmi e një nga krimeve më të mëdha historike. Një genocid i pastër për të cilin askush deri më sot nuk është akuzuar. Vajza e re mblodhi supet, fundja unë isha shumë e lumtur që njëra e brezit të saj lexonte autorë shqiptarë, madje me një vëmendje të admirueshme.

Në fund të vizitës, mes komplimenteve për kuratorët dhe gjithë stafin që ka punuar me të, në librin e shënimeve të mia, shkrova: “Po vrasësit kush janë?”. Meqenëse dokumentet e ekzpozuara aty janë të deklasifikuara, dhe në shumicën e tyre janë emrat e viktimave, dhe statistika pafund për të vrarë, të burgosur, të humbur, të internuar, të dhunuar, të deportuar, të përzënë me fe e me farë, pse nuk janë emrat e vrasësve. Sepse viktimat me emër kanë edhe vrasës me emër?

Me këtë shllim mental, e lashë Shqipërinë dhe në vend të parasolave të plazheve private shqiptare (disa vërtet të mrekullueshëm, aty ku vandali rajonal dhe qeveritar nuk ka vënë dorë), zgjodha të ftohtin gushtor të Europës dhe çadrën time aerodinamike, që më mbron nga athëtia e tepruar shqiptare dhe nga erërat deri në 80 km në orë. Në ato pak ditë në Shqipëri, në ato pak çaste që hapa televizorin për ndonjë njoftim nuk m’u shmang për asnjë edicio lajmesh kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili ka vendosur që për çdo fendë të vetën të bërë me paratë e shqiptarëve të dalë e të flasë dora vetë (kurioze të di ç’këshilltarë të dobët ka ky njeri), njoftimet mbi javën e parë të presidentit të ri, entuziazmin e papërshkruar të rinisë partiake në qirtoret e ngritura në Jalë e kudo në kampingjet për rioshët e partive (që do të sjellë parazitët e dhe përfituesit e ardhshëm politikë), gjumin dhe plazhin për qejf të opozitës, themethashet me-dhe-pa bikini nëpër rërë të vip-ave të sajuar, një histori gruaje e zënë në grackë në seks e sipër nga kunatëria dhe që të nesërmen protestoi të mos ia zinin dashnorin me gojë (a thua se ishte një mekanizëm dhe i ishte hequr spina!) dhe zjarret, zjarret që i vinin të mërziturit që nuk mbillnin dot kanabis pasi nuk i lejonin po ata që i kishin lejuar vitet e fundit. E kam shkruar edhe më parë, pasojat e Shqipërisë së kanabizuar vitet e fundit, do të jenë të lemerishme, shenjat e para i dhanë zgjedhjet, zjarret janë vetëm vazhdimi, ppr nuk keni parë gjë akoma.

Shkurt, demokracia për të cilën kemi ëndërruar të jetë e shëndetshme të gjithë, është bërë qesharake. Më qesharake nuk mund të bëhet. Në cilën demokraci mund të ndodhë që Opozita të jenë edhe President edhe pjesë e Qeverisë, pra një demokraci pa Opozitë nuk është demokraci. Tek nisa të lexoj “Në Shqipërinë burg” të mikut tim Kurt Kola, m’u kujtua një nga takimet e para me të aty nga fillimi i viteve 2000. Ai u afrua, u takuam dhe u përkul mbi karrocën e tim biri, ia zgjidhi rripat dhe e la të lirë fëmijën, dhe unë, edhe pse me merakun e nënës që mund t’i rrëzohej fëmija që hidhte shkelma nga lumturia e mbjellë nga çlirimi që i ndodhi, prita disa minuta në respekt të këtij njeriu që kishte kaluar një gjysmë shekulli burgeve, kampeve, gjyqeve dhe hetuesive të diktaturës. “Nuk shoh dot njerëz të lidhur”, u shfajësua. Këtë çast epik në sytë e mi, e kam përshkruar në romanin tim “Ku je?”, që duhej të ishte (bashkë me mijëra dëshmi rrëqethëse të krimeve të diktaturës) pjesë e Shtëpisë së Gjetheve. Por nuk do të jetë kurrë sepse Shqipëria vazhdon të jetë një burg, por një burg kaotik, sa kohë do të ketë një demokraci qesharake, pjesë e së cilës kam dhimbje të jem”.

Robert Bisha dhe Kori Iso-Polifonik ‘lëkundën’ mrekullueshëm Kalanë e Prizrenit

Sarandë Selimi

Shumë njerëz mbrëmjen e së shtunës, përkatësisht ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër Dokufest, morrën rrugën goxha të mundimshme për tek Kalaja e Prizrenit. Të gjithë ata njerëz deri lart tek hyrja e kalasë i shoqëroi edhe perëndimi i diellit, që jepte një pamje mahnitëse aty lart tek muret e kalasë ku shkruan me plot drita ‘FUTURE MY LOVE’. Gjithçka dukej mahnitëse, edhe hyrja brenda kalasë e cila është në përfundim të një restaurimi i cili ia kishte dhënë pamjen e një ‘perandorie’. Ecja drejt Kino Kalasë. Arritja tek porta e kinemasë ku duhej pritur në rend për tu futur brenda.
Ulja e njerëzve në një formë gjysmë hëne, e gjithçka tjetër dukej bukur. Por jo aq sa pamja e një skene të madhe ku mbi të rrinte një piano, dhe një kitarë.
Tingujt e kitarës kishin jehuar edhe më herët në themelet e Kalasë së Prizrenit por jo edhe të pianos. E këtë për herë të parë e bëri një artist i madh shqiptar i cili jeton në Itali. Ai nuk kishte ardhur vetëm. Të gjithë kishin dëgjuar për të, e ndoshta edhe performancat ia kishin dëgjuar në rrjetet sociale, por pak nga ta e kishin dëgjuar live. Një performancë dhe këndim i magjishëm ndodhi mbrëmjen e së shtunës. E kush din ta bëjë atë më mirë se Robert Bisha dhe Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik

Tradicionalja me bashkëkohoren. Një interpretim me zemër. Siç thotë për KultPlus vetë artisti Bisha, flladi veror iu bashkëngjit duke e mrekulluar edhe më shumë.

Krejt si fillim skenën e pushtoi Kori Iso-polifonik, të cilët sollën barën emocionale ndërshekullore të manifestuar me fuqinë e zërit njerëzor. Dalëngadalë aty iu bashkua improvizimi gjenial i Robert Bishës, si njëri nga kompozitorët më të talentuar që ka parë publiku shqiptar ndonjëherë.
‘Delja Rude’, ‘Janinës çi panë sytë’, këngë me vargjet e Gjergj Fishtës, ‘Baresha’ e Nexhmije Pagarushës që erdhi mrekullisht vetëm përmes tingujve të telave brenda pianos nga Robert Bisha e shumë e shumë këngë të tjera hijeshuan Kalanë e së ardhmes së DokuFestit.

Krejt kjo u bë si lloj feste për kalanë e rinovuar të qytetit të Prizrenit ku DokuFest bashkoi forcat bashkë me ChWB Kosova për këtë koncert.
Ishte e bukur edhe ajo pjesa e fundit ku publiku nuk e lejon Robertin të dalë nga skena pa interpretuar edhe një këngë. Ai u kthye por bëri që publiku t’i bashkohet performancës së tij jo vetëm nëpërmjet këngës por edhe valles.
E kështu emocionet u rritën edhe më shumë për Robert Bishën, i cili pas përfundimit të koncertit dhe pas përshëndetjeve të shumta që bëri me publikun foli edhe me KultPlus, duke i treguar emocionet e kësaj mbrëmje.

“Unë u ndjeva shumë mirë, publiku kishte një muzikalitet interesant sepse të gjitha frazave të mia iu përgjigjën. Kisha ndjesi të shumta dhe flladi i verës u bë pjesë e koncertit dhe e përdorëm, ose më mirë të them e ftuam e mirëpritëm. Është një emocion i fortë dhe për mua është nderë të jem pjesë e këtij festivali. Të vij në Kosovë për mua është diçka e veçantë sepse më duket se edhe origjina ime është e kësaj ane, nuk e kam vërtetuar por kështu thoshin nga dajët”, tha në rrëfimin e shkurtër për KultPlus, Robert Bisha.

Bisha përveç në piano interpretoi edhe në kitarë. Ai vazhdoi tutje të tregonte se pse ka zgjedhur që vargjet e Gjergj Fishtës t’i kthejë në këngë e poashtu foli pak edhe për jetën e tij në Itali.

“Së pari fjalët e Gjergj Fishtës i kam zgjedhë sepse janë një deklaratë e dashurisë në përgjithësi e cila nuk ka një drejtim për një person ‘Në ty mendoj’, pra ky dimensioni i tekstit është një dimension që e kam kompozuar për kor. Në Itali jeta ka shkuar siç ka dashur të shkoj. Tashmë janë bërë 17 vite, kam shkuar që kur isha 14 vjeç. Kam studiuar muzikën, pastaj kam punuar që ta mbaj veten sepse isha krejt i vetëm atje, pastaj kam nisë karrierën atje”, përfundoi artisti Robert Bisha, i cili edhe njëherë ishte falënderues për këtë mikpritje.

Ky ishte koncerti që solli DokuFest mbrëmjen e dytë të edicionit të 16-të të tij. Ky festival po vazhdon edhe sot me natën e tretë ku përveç filmave, masterklaseve, e shumëçka tjetër do të sjellë në skenën Andrra vetë Andrrën. Pra Fatime Kosumi-Andrra, interpreton sonte në DokuNights, eventet e mbrëmjes të DokuFest./ KultPlus.com

Performanca e Era Istrefit në Rumani, këngëtarja e ndezë skenën (VIDEO)

Era Istrefi po vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.

Ajo ka dhënë një performancë të shkëlqyer para publikut rumun në Festivalin “Untold”.

Këngëtarja shqiptare në Instagram ka publikuar momente nga ky festival, dhe atmosferën që ka krijuar.

“BonBon” e “Redrum” ishin dy hitet e saj që ka interpretuar në këtë festival.

Pa Kadarenë, Shqipëria do të ishte e mangët

Shkruan: Mentor Kikia

Ismail Kadare nuk bën pjesë tek ata njerëz që nuk u intereson se çfarë mendojnë ato flasin të tjetërt për të. Për këtë arsye ai edhe reagoi pas publikimit të letrës së tij të Prillit 1980, drejtuar Enver Hoxhës. Një përpjekje për të sqaruar rrethanat e kohës, arsyes së shkrimit dhe përmbajtjes së letrës. Fakti që në letër Kadare shkruante për të motrën se “është me problem mendore, ndaj flet keq politikisht” dhe se për këtë arsye edhe i kishte kërkuar të mos i shkonte më në shtëpi, u konsiderua nga ata që janë të etur të baltosur gjithëçka e këdo në këtë vend, si tregues se Kadare ka qenë një servil i Enver Hoxhës. Dhe për këtë “bëri hasha edhe motrën e tij”. Por Kadare sqaron se ajo që i shkroi sundimtarit për të motrën ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar të motrën nga burgu, dhe padyshim e dhe veten e të tjerë persona të familjes, që dihej si përfundonin atë kohë për të tilla gjëra.

Nuk është hera e parë që Kadaresë i drejtohet gishti si një nga përgjegjësit e diktaturës. Gjithë ky çerekshekulli ka qenë një betejë mes shkrimtarit, që herë pas herë ka bërë përpjekje të sforcuara për tu shitur si disident, dhe atyre që e sulmojnë për çdo paudhësi të regjimit komunist. Dhe e bëjnë këtë njerëz me mend, që e njohin dikaturën, Kadarenë dhe letërsinë e tij. Sikundër e bëjnë edhe ata që nuk njohin as letërsinë, as Kadarenë. E bëjnë përgjegjës sepse nuk i doli hapur dikaturës, nuk i doli hapur Enver Hoxhës. E akuzojnë se ka qenë shkrimtari i prefetuar i tij dhe për këtë arsye depsoti e mbronte. E akuzojnë se i kishte dyert hapur në KQ etj etj.
Unë kam një pyetje: Çfarë mund të bënte Kadareja kundër diktaturës? Së pari, ai nuk ishte një prej fajtorëve, sepse ai ishte vetëm një shkrimtar dhe jo politikan. Së dyti, emri i tij nuk figuron askund si dëshmitar apo “ekspert” që ka çuar në dënimin e ndonjë shkrimtari. Së ttreti, nëse Kadare do të guxonte më shumë, duke denoncuar dikiturën dhe vetë Enver Hoxhën, diktatura dhe Hoxha nuk do të kishin pësuar asgjë. Ai thjeshtë do të kishte përfunduar në burg dhe sot Shqipëria nuk do ta kishte Kadarenë. Rrugëtimi i Kadaresë – shkrimtar në diktaturë i ngjan atij njeriut që ka zgjedhur që qenve që i dalin përpara, të mos i gjuajë me gurë, por tu hedhë nga një kothere sa për ta lënë të ecë. Sepse misioni i tij nuk ishte të luftonte me qentë, por të shkonte në destinacionin e tij. Një mision prej Maratonomaku.

Detyra e Kadaresë ndaj shqiptarëve ishte të shkruante, dhe këtë ai e bëri në mënyrën më gjeniale. U bë shkrimtari më i madh i shqiptarëve. U bë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj në botë. U bë njeriu më i njohur ndër shqiptarët në botë. U bë zëri më i dëgjueshëm dhe më serioz në sallonet e Perëndimit, në një kohë kur nga Shqipëria niseshin vetëm anije me refugjatrë. U bë zëri më i fortë i denoncim të genocidit serb në Kosovë dhe ishte ndër të paktët shqiptarë që i hapeshin dyert e i lexoheshin letrat në kancelaritë perëndimore.

Diktaturës nuk do ti dhimbesj aspak ta sakrifikonte këtë njeri në galeritë e kromit. E kishte thjeshtë procedurë. Sepse nuk ishte hera e parë që shkrimtarë, artistë e shkencëtarë ishin transformuar në minatorë e bujq. Por sot Shqipëria do të ishte e mangët pa Kadarenë. Shoqëria jonë do të ishte e mangët nëse do të kishte një Kadare që priste të merrte këstin e radhës të dëmshpërblimit të burgut dhe jo Kadarenë që ka.

Eshtë e turpshme që në një shoqëri që nuk ka dënuar asnjë ish funksionar të diktaturës për krimet që kanë bërë, përjashtuar ca gjyqe qesharake që u bënë në fillim të viteve ‘90, ku argument kryesor ishte se ish udhëheqësit kishin ngrënë mish 3 herë në javë, pra kjo shoqëri guxon të anatemojë një shkrimtar pse nuk ka luftuar diktaturën.
Padyshim që Kadare nuk ishte një shkrimtar disident. Por padyshim që ai nuk as asnjë grimë përgjegjësie për atë që ndodhi nën diktaturë. Ai thjeshtë diti të luajë me dikaturën për të shpëtuar kokën e tij nga një makineri vrastare, e për vazhduar rrugën e krijimtarisë. Mua me vjen ndot që në këtë vend ka njerëz, të cilët kontributin e vetëm kanë statuset në rrjetet sociale, që hedhin baltë ndaj Kadaresë. Kadare nuk është thjeshtë një shkrimtar, por një aset kombëtar, për të cilin dekada më pas nuk do të ketë debate indjote nëse ishte me nënë greke apo baba sllav. Ai e ka pastruar edhe këtë livadh.
Eshtë shqiptar 24 karat!

Tre ushtarë turq para dy kokave të prera?

Nga agjencitë fotografike (Agjencia Rol) na vjen prej vitit 1911 një foto e rrallë dhe makabër. Tre ushtarë, që me gjasë janë turq, pozojnë të qetë para një tavolinëze ku ekspozohen dy koka të prera, që normalisht duhet të jenë kokë rebelësh shqiptarë.

Fotografia me formatin 13x18cm, me negativ në xham, tregon gjakftohtësinë me të cilin trajtohet një kokë e prerë. Jemi në një periudhë kur jeta njerëzore vlente pak, dhe humbja e jetës mund të shërbente dhe për të ruajtur një kujtim nëpërmjet një fotografie.

Artan Lamja do të interpretonte më mirë domethënien e kësaj fotoje, kostumet e ushtarëve, etj., ashtu si dhe mund të tregonte se kur kishte ndodhur kjo ngjarje.

Me gjasë ky ekspozim ka qenë pjesë e kulturës së terrorit mbi popullsitë. Akte të tilla makabre e tregojnë sa pak ka kushtuar jeta në atë kohë, dhe se mund të rrije qetësisht bashkë me vdekjen, madje të dilje dhe në foto, si duket nga imazhi më poshtë.