Mes bërrylash e reagimesh, Eugent Bushpepa do të japë maksimumin në Eurovizion

Rok-këngëtari shqiptar, Eugent Bushpepa, ka arritur që karrierën e tij ta ndërtojë falë performancave të shumta ‘live’ sidomos nëpër emisione televizive. Ai vlerësohet si një prej vokaleve më të mira mashkullore shqiptare dhe “Maska e madhështisë” është hiti më i madh i tij.

Këngëtarin e kem parë shpesh nëpër festivale, por që suksesi i tij më i madh doli të jetë këtë vit në Festivalin e RTSH-së, në të cilin arriti të fitojë çmimin e parë dhe në këtë mënyrë që të jetë pikërisht ai i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar në garën më të madhe evropiane të këngës, “Eurovizion 2018”, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Portugali.

Eugenti u prezantua me këngën “Mall”, një krijim tërësisht i tij, transmeton “Express” në KTV.

Si zakonisht, përzgjedhja për “Eurovizion” gjithmonë zgjon debat të ashpër në media, por edhe në vetë komunitetin e këngëtarëve.

Pos tjerash, një reagim të gjatë ka pasur nga këngëtarja Manjola Nallbani, e cila ka qenë një prej këngëtareve pjesëmarrëse këtë vit në RTSH. Ajo ka vënë në pah faktin se si fituese është ditur shumë më herët, ashtu siç ka ndodhur deri tash.

“Nuk kam asgjë me fituesin, sepse Eugenti është këngëtari i mirë e kënga ishte e bukur, por një gjë nuk kuptova. Po kaq këngëtarë e këngë të mira ishin edhe të Elton Dedës, Mariza Ikonomit, Redon Makashit e ndonjë tjetër, dhe sigurisht kënga ime “I njëjti qiell”, por për asnjë nga to nuk kisha dëgjuar që do të ishin fituese që para 20 ditësh si për fituesin aktual, megjithëse kënga fituese kuptohet vetëm në momentin kur këngëtari këndon ‘live’ në skenë, apo jo? Sa për jurinë, unë akoma sot nuk e di e sata u rendita në këtë festival”, ka shkruar –pos tjerash këngëtarja e njohur në postimin e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Edhe vetë këngëtari fitues ka pasur një reagim pas gjithë diskutimeve të bëra, megjithëse urimet për të nuk kanë munguar nga emra të njohur si Aurel Gaçe e Juliana Pasha, sipas së cilave, Bushpepa e ka merituar këtë fitore.

Ndërkohë, në reagimin e tij përveç tjerash, Eugenti ka shkruar: “Mësohesh me mbyllje shtigjesh dhe goditje bërrylash. Bën paqe me to dhe i lë gjërat të rrjedhin, duke ushqyer dilema mbi ekzistencën tënde si artist. Befas një dritë në horizont e lënë ndezur nga dikush enkas për mua për zbulimin e një shtegu të ri nis dhe me ushqen një tjetër ndjenjë, atë të mbivlerësimit. Mos vallë jam mbivlerësuar dhe prandaj u la ndezur? Ajo dritë ndriçon aq shumë, saqë arrij të shoh se rruga që vazhdon pas saj mbart plot sfida, por ndihem i fortë t’u bëj ballë falë mbështetjes së fytyrave të bukura që më shoqëruan deri te kjo dritë, në këtë fillim rrugë të re”.

Këngëtari ka thënë se do të japë maksimumin për një përfaqësim sa më të denjë në skenën e madhe të “Eurosong”-ut.

Muaj më parë, Eugenti mbajti një koncert në Pejë në kuadërtë edicionit të 8-të në “Ainbar”-it. Ai arriti të krijojë një atmosferë fantastike me performancat e tij të cilat u shoqëruan me shumë duartrokitje dhe brohoritje dhe këtë ai e quajti ‘pritje fantastike’.

Në një intervistë për emisionin “Express”, ai pati bërë të ditur se po punon për albumin e ri.

Këngëtari deklaroi se nuk ka një kohë të caktuar se kur do të lansohet albumi, por që kishte premtuar se një promovim do t’i bëjë edhe në Kosovë.

Përfaqësuesja e fundit e Shqipërisë në “Eurovizion”, Linda Halimi, nuk pati arritur kualifikimin për finalen e madhe, ndërkohë pritet të shihet nëse Eugent Bushpepa do ta kapërcej fillimisht këtë sfidë, me të cilën nuk ai kanë dalë dot shumë përfaqësues të tjerë. / KultPlus.com

Ibrahim Rugova i konvikteve, rrëfimi nga cimerët (VIDEO)

Pesëdhjetë vjet më parë, në dhomën numër 509 të konviktit të parë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kishte nisur studimet Ibrahim Rugova, i cili dy dekada më pas do të shndërrohet në udhëheqësin kryesor të popullit të Kosovës në rrugën e gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Në vitin 1967 Rugova kishte regjistruar në Prishtinë Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ishte vendosur në dhomën 509 të konviktit bashkë me tre studentë tjerë: Rexhep Ismajlin, tashmë akademik, Shaban Shabanin dhe Xhemaledin Salihun, studentë nga Presheva. Në këtë dhomë shpesh gravitonte edhe Riza Halimi, tashmë politikan nga Presheva.

Salihu gjatë një rrëfimi për gazetën “Zëri” jep detaje nga jeta studentore e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si shqiptarin me zemër të pastër dhe studentin që thellohej në lexime edhe kur shokët e dhomës nuk ndaleshin së biseduari me zë të lartë.

Salihu thotë se në atë kohë në Qendrën Studentore të Prishtinës ishte vetëm një konvikt, ndërsa në dhoma ishin nga dy shtretër, ku flinin katër studentë. / KultPlus.com

Kam nevojë për ndjenja

Poezi e shkruar nga ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

S’kam nevojë për para.
Kam nevojë për ndjenja,
fjalë, fjalë të zgjedhura me urti,
për lule të ashtuquajtura mendime,
për trëndafilë të ashtuquajtur prani
për ëndrra që banojnë pemëve,
për këngë që çojnë peshë statujat në vallëzim,
për yje q’u pëshpërisin dashnorëve rrëzë veshit.
Kam nevojë për poezi,
kjo magji që djeg rëndesën e fjalëve,
që zgjon ndjenja dhe fal ngjyra të reja.
Poezia ime është e rrufeshme si zjarri
më përshkon gishtërinjtë si një rruzare.
Nuk lutem ngase jam poeti i gjëmës
që hesht, hera-herës, dhimbjet e një lindjeje mes orëve,
jam poeti që çirret dhe luan me britmat e veta,
jam poeti që këndon dhe s’gjen fjalë,
jam kashta e thatë mbi të cilën rreh tingulli,
jam ninulla që përlot fëmijët,
jam mendjemadhësia që vetërrëzohet,
jam petku i hekurt i një lutjeje të gjatë
të hidhërimit të shkuar që s’sheh dritë.

Shpallet fituesja e ekspozitës ndërkombëtare ‘Onufri’ në Shqipëri

Shpallet fituesi i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri XXIII”, me koncept kuratorial Au fil du temps – Kujtesë kolektive, kujtime personale, kuruar nga Gaetano Centrone.

Artistja fituese është Jelena Tomasevic nga Mali i Zi, për veprën Mixed Memor, në mix media, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e kësaj ekspozite.

Artistja nga Mali i Zi Jelena Tomaseviç është shpallur dje, fituese e edicionit të 23-të në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”, me veprën “Mixed memor”, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e konkursit. Duke iu referuar konceptit kuratorial të këtij viti “Au fil du temps- Kujtesë kolektive, kujtime personale”, për jurinë e përbërë nga tre artistë Lumturie Blloshmi, Greta Lami dhe Ledia Kostandini – shfaqja e sjellë në mix media nga artistja malazeze ka ngacmuar në përshkrimin e këtij motivacioni: “Jelena Tomasevic arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh. Ajo koleksionon impulset që i ofron memoria. Tomaseviç filtron eksperiencën kolektive përmes një gjuhe figurative tejet simbolike, duke ofruar qëndrimin e saj personal ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”. ​


jelena_tomasevic-01-12-49 “Apparent Servitude”

Tomaseviç ka një proces pune të veçantë, shfaqur edhe në këtë konkurrim në mix media: instalacion në mur, qelq, dru dhe letër. Ato janë skicime dhe fotografi me vizione pothuaj periferike. Disa prej tyre janë ngarkesa surreale, figura e objekte, herë dhe brutale që qëndrojnë në vende të bardha të papërcaktuara. Në fakt ky është dhe gjithë “politika” figurative e punëve të saj, dhe nga ana tjetër ajo krijon imazhe stereotipike të feminitetit dhe ankthit, që rezultojnë nga presioni shoqëror.

Këto fragmente që na vijnë tek Onufri si duket shkojnë drejt këtyre përjetimeve, edhe pse e “detyruar” t’ia përshtatë këto punë “kujtesës” kolektive të sugjeruar nga kuratori Gaetano Centrone. Për artisten malazeze punët e saj pothuaj janë fragmente kujtese, ëndrrash absurde, ironike, melankolike dhe me humor, krijimtari e “qëllimshme” për të çuar vizitorët në botën e spektaklit, dhe si artisti tregon “botën e kujtesës kolektive”. Me këtë vlerësim në Tiranë, Tomaseviç përveç trofeut, shkon në vendin e saj e vlerësuar edhe financiarisht me shumën prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.


Zero Degree of Representation w/ Jelena Tomasevic & Jovana Stokic

Në këtë edicion të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” morën pjesë dhjetë artistë nga vende të ndryshme të botës: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro. Ekspozita “Onufri XXIII”, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Janar 2018. / KultPlus.com

Agron Blakçori reflekton “ndotjen estetike” në Kosovën e pasluftës

Artisti Agron Blakçori mbrëmë solli ekspozitën e tij personale në Galerinë e Fakultetit te Arteve te Bukura, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo ekspozitë që përmes formave të ndryshme kishte zënë vend në këtë galeri përmbante gjithsej shtatë monumente të njëpasnjëshme, me anë të së cilave artisti kishte reflektuan kaosin e vendit ku ai është zhvilluar si artist. Në mesin e tyre ai paraqet edhe një statujë, fytyrën e të cilit qëllimisht e fsheh. Kjo për vetëm një arsye, për të treguar se si janë ngritur statujat në këtë vend, pa plotësuar kriteret e duhura, e që bën që ato shtatore shpesh të jenë shumë larg personalitetin të cilit i dedikohet.

Profesori dhe kuratori i kësaj ekspozite, Mehmet Behluli, thotë se autori përmes veprave të tij mundohet ta ngrit ndërgjegjen kolektive dhe si individ të mendojmë më shumë për “ndotjen estetike”, që po ndodh kudo në rrethin tonë.

“Ai e ka pasionin pa të cilin nuk mund të punohet në asnjë fushë të artit. Ai e kupton mirë rrethin ku funksionon. I kupton proceset të cilat ndodhin në botën e artit”, kështu shprehet profesori Behluli.

Ai për KultPlus tregoi se kjo ekspozitë vije me emrin “Monumentet”, pasi që pasluftës monumentet janë të orientuara më shumë në aspektin ideologjik se sa në krijimin e një monumenti të mirëfilltë. Lidhur me këtë ai thotë se më shumë i kemi krijuar monumente vetvetes se sa heronjve e dëshmorëve.

“Qytetarët e Kosovës, e kanë të vështirë ta kuptojnë se si një monument që i kushtohet diçkaje shumë madhore, është i nivelit ma të ulët artistik e ideor. Kosova është mbushur me monumente jo të këndshme, dhe përmes këtyre veprave autori hap një dialog me publikun se mos monumentet mund të jenë edhe ndryshe”, u shpreh profesori Behluli derisa kujton një rast në vitin 2004, se si dy parti gati erdhën në një konflikt fizik për shkak se kërkonin që secili ta vendos heroin e tij në një hapësirë publike.

Skulptori Agron Blakçori, thotë se kjo është një temë që e ka preokupuar atë që nga paslufta, kur monumentet edhe kanë filluar të ndërtohen në mënyrën jo të duhur, kjo shpesh edhe si pasojë e konkurseve, të pafokusuara në kritere profesionale.

“I kam përcjellë edhe konkurset e shtatoreve se si janë bërë, dhe kjo ka qenë si pikënisje për të punuar më shumë lidhur me monumentet. Unë jam lidhur tek kjo dhe tek ndërtimi i objekteve sepse në çdo vend ne e kemi një lloj kaosi”, shprehet skulptori Blakçori për KultPlus.

Artisti përmes punimeve të tij nxjerrë zërin artistik lidhur me gjithçka që e rrethon. Përpjekjet e tij nuk reshtin as për ta kthyer trishtimin e disa vendeve, në një ndjesi pozitive për qytetarët. Ai në këtë ekspozitë e paraqet edhe një silos të grurit i cili ndodhej shumë pranë shtëpisë së tij, dhe nga kulmi i atij vendi, gjatë kohës së luftës qytetarët kanë përjetuar trishtimin më të madh pasi që aty kanë qëndruar trupat paramilitare serbe me çerdhe të snajperëve. Ideja e skulptorit kishte qenë që ky vend të zëvendësohet me një galeri arti, apo një restorant ku njerëzit mund të argëtohen. Pra, synimi i autorit është që qytetarëve të atij vendi përmes këtij objekti t’ua shëroi traumat me momente kënaqësie. Kështu artisti, me ndryshimin e imazhit, përpiqet t’i ndryshoi edhe ndjesitë e qytetarëve lidhur me objektin.

“Unë mendoja si artist si me të ja ndryshoj imazhin këtij objekti, unë kam dhënë dy ide të bëhet galeri arti apo restorant por edhe nëse e bën kërkesën ky objekt është i privatizuar”, tregon skulptori për KultPlus.

Ai po ashtu në këtë ekspozitë sjellë edhe kabinën e postës, të cilët rëndom qëndrojnë të dëmtuara dhe të papërdorura nga qytetarët, që dikur u hynin në shërbim. Ato të lëna në harresë nga të gjithë, artisti i ka shndërruar në vepër të tijën.

“Sot për to nuk po interesohen as njerëzit kompetent që janë, as posta që e ka lënë në hapësirë publike, dhe unë kam shkuar e kam nënshkruar dhe e kam bërë si vepër timen, pra në mendjen time kam thënë ma mirë është të shihet si një skulpturë, pra monument se sa si një gërmadhë që ka mbetur midis qytetit”, tregoi Blakçori.

Të gjithë ata që duan të shijojnë këto shtatë monumente, kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur për dy javë në Galerinë e Fakulteteve të Arteve të bukura./ KultPlus.com

Qendra fetare islame në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, reagon Shpend Ahmeti

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.

E në zonën ku momentalisht ndodhet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.
Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.

“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset Kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëherë vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.

Idetë e Pacollit nuk i mbështetë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

“Momentalisht e kemi atë lokacion. Unë e kam diskutu disa herë me Bashkësinë Islame për ta pa mundësinë e ndërrimit të lokacionit, por nuk ka pasë gatishmëri” ka thënë mes tjerash në reagim Ahmeti.

Universiteti i Prishtinës, në anën tjetër, ende nuk ka dalë me asnjë qëndrim rreth këtyre zhvillimeve. / KultPlus.com

Selim Pacolli insiston në ndërtimin e një qendre fetare islame në Kampusin e UP-së

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.

E në zonën ku momentalisht ndohet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.

Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.

“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëhere vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.

Një projekt të tillë, Selim Pacolli e kishte paraqitur gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kur ai kandidonte për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga radhët e AKR-së.

AKR dhe Vetëvendosje kanë një marrëveshje koalicioni mes vete, për të qeverisur me Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese.
Përktheu: Orjela Apolloni.

Ti je për mua një krijesë e trishtë
një lule e përkohshme poezie
që bash në çastin kur e gëzoj
dhe provoj të dehem
e ndjej që ikën larg
shumë larg,
për mjerimin e shpirtit tim
mjerimi im i trishtë.
Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër
dhe ta thith gojën,
gjatë, papushim,
jam i trishtuar, vogëlushe,
sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur
duke të dashur kaq keq.
Ti ma jep gojën tënde
dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë
dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur
sepse shpirti në ne është shumë i lodhur
nga ëndrra tash t’ëndërruara.
Por jam unë, jam unë frikacaku,
dhe ti je kaq lart
saqë, kur mendoj për ty,
nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie
për atë pak gëzim që më jep,
s’di a për tekë a për mëshirë.
Bukuria jote është bukuri e trishtë
të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja,
por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr.
Kur të flas për gjërat më të ëmbla
dhe të shtrëngoj në zemrën time
dhe ti nuk mendon për mua,
ke të drejtë, vogëlushe:
unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak.
Dhe ja, ti je për mua
asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë
me sy të mëdhenj ëndrre,
që për një orë më shtrëngohet në zemër
dhe më mbush plot
me gjëra të ëmbla, plot keqardhje.
Kështu më ndodh kur i dërrmuar
shtrydhem për të futur në vargjet e lehta
një hov timin të trishtë.
Një lule e përkohshme poezie
asgjë më shumë, dashuria ime.
Por ti nuk e di, vogëlushe,
dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj.
Do të vazhdoj, lule e vogël bionde,
që kaq shumë ke vuajtur në jetë,
të ta sodis fytyrën që të qan
edhe kur buzëqesh
-oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde!
nuk do ta dish kurrë, vogëlushe –
do të vazhdoj të adhuroj pranë teje
gjymtyrët e tua të vogla melodioze
që kanë ëmbëlsinë e pranverës
dhe janë kaq prekëse dhe aromatike
saqë unë gati sa nuk çmendem
nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë
duke i mbërthyer në trupin e tij.
Do të vazhdoj të të adhuroj,
të të puth dhe të vuaj,
deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka
duhet të marrë fund.
Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg
dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën,
por do të çirrem nga dhimbja
dhe do të puth në ëndërr
dhe do të shtrëngoj në gjoks
iluzionin e zhdukur.
Dhe do të shkruaj për ty,
për kujtimin tënd zemërthyes
pak vargje vajtuese
që ti nuk do t’i lexosh kurrë.
Por mua do të më qëndrojnë mizorisht
të gozhduara në zemër
përgjithmonë.

N’Shqipni, secili gjun me allti kur don dhe ku don…

“Shumë prej tyne murmuritën në shenjë mohimi, ndërsa një njeri i madh i fuqishëm, një ushtar kambësorie, tue dalë nga radhët, foli me za të naltë dhe tha:

“Për cilin gabim Rexhepi (kështu quhej i burgosuni) qenka fajtor? Ka gjujtë me allti në qytet, por nuk e ka lëndu askënd. A asht ky krim? Ban me qenë sipas bindjesh angleze, por jo sipas atyne shqiptare.”

“Shko”, tha aj tue m’u drejtu mue,”në Shqipni, veç një ditë udhë larg, dhe shih se çfarë zakonesh ka atje. Secili gjun me allti kur don dhe ku don. Na nuk kemi hy në shërbimin anglez për me u trajtu si fëmijë e me gjujtë me armët tona vetëm kur të marrim leje me e ba këtë. Jo,” vazhdoi ai, “shqiptarët nuk munden me u trajtu në këtë mënyrë, dhe unë, ashtu si të tjerët, kundërshtoj dënimin me kamxhikosje të Rexhepit”.

Shumë njerëz i duertrokitën folësit e unë menjëherë e kuptova se kisha një punë të vështirë para meje.”

Edward Money, “Dymdhjetë muej me bashibozukë”, Llondon, 1857, fq. 153.
Ilustrim nga libri: “Ushtar shqiptar bashibozuk”.
Marrë nga Agim Morina.

Momentet më të fuqishme përmes fotoreportazheve të vitit 2017

Shpërndarja e fotografive, tregon se ato po bëhen gjithnjë e më shumë mjete të rëndësishme për të përfaqësuar dhe kuptuar realitetin. Më poshtë KultPlus ju përcjellë disa nga momentet më të fuqishme që kanë karakterizuar fotoreportazhin, gjatë këtij viti.

1 . Fotografia e parë paraqet ditën e inaugurimit të presidentit Donald Trump

Më 20 janar, Donald Trump erdhi në Avenue Pennsylvania, për të dhënë betimin si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Në vend që gjatë hyrjes për në Shtëpinë e Bardhë të shoqërohej me zonjën e parë Melania Trump, ashtu siç kanë bërë presidentët e mëparshëm, ai vazhdonte të ecte përpara pa të. Ai edhe pasi përshëndeti Presidentin Barak dhe Zonjën e Parë Michelle Obama, ai hyri në Shtëpinë e Bardhë para të treve. Kjo fotografi e shkrepur nga Kevin Dietsch tregon se Obama dhe gruaja e tij me butësi vendosen duart në shpinë të Melanias për t’i dhënë asaj përparësi gjatë hyrjes në mungesë të Trump. Kjo ka ngjallur shumë reagime dhe shumë frikë se si do të ndikoi fitorja e Trump në jetën e grave.

2. Marshi i Grave në Uashington

Më 21 janar, më shumë se 500,000 burra dhe gra u mblodhën në mënyrë paqësore në Qendrën Kombëtare për “Marshin e Grave në Uashington” për të protestuar ndaj zgjedhjes së Presidentit Donald Trump. Fotografitë janë të shkrepura nga Stapleton dhe tregojnë se fotografi ndodhet midis grave të moshave të ndryshme, racave dhe gjinive, të bashkuara me shumë kapela ngjyrë rozë. Dhembja dhe zemërimi i protestuesve janë të dukshme në vetullat e tyre të zbërthyera, sytë e mbyllur dhe shikimin e mpirë. Megjithatë, ky imazh nxit shpresë, ndërsa shihet një grua e gjatë duke buzëqeshur me qetësi dhe duke ndezur një shenjë paqeje. Pamja e saj kujton disa nga imazhet më protektive të protestave që kanë përcaktuar lëvizjet gjatë historisë. Ajo e mban kokën lart në një shprehje trimërie dhe rezistencë paqësore, në fillim të një viti që do t’i testonte këto virtytet herë pas here.

3. Mohammed Mohiedin Anis në dhomën e tij në Aleppo

Në vitet e fundit, një numër i madh imazheve kanë sjellë në horizont tmerret e luftës civile siriane, duke përfshirë edhe viktimat e saj më të reja në moshë. Më 9 mars, më pak se një javë përpara gjashtë vjetorit të luftës civile të Sirisë, një tjetër fotografi nga konflikti u shfaq dhe u përhap me shpejtësi. Fotografia tregon Mohammed Mohidin Anis (i njohur gjithashtu si Abu Omar) i ulur në shtratin e tij, i cili është i i rrethuar me pluhur dhe copa të vogla të mbeturinave, kurse prapa tij. shihen edhe dritaret e rrëzuara dhe muret e shkatërruara. Shtëpia është e vendosur në lagjen al-Shaar, vendi i një beteje vdekjeprurëse që shkatërroi zonën në vitin 2016. Fotografi Joseph Eid tha për TIME historinë pas imazhit. Në këtë fotografi ai shihet i veshur mirë me një xhaketë sportive të gjelbër të errët dhe, siç duket ai ende mban shpresën për botën.

“Kurdoherë që ndiej ose do të ndiej ndonjë lloj dëshpërimi ose do të dorëzohem në problemet dhe pengesat e jetës, gjithmonë do të kujtoj imazhin e Ebu Omarit duke pirë cigaren e derisa qëndronte ulur në shtratin e t copëtuar dhe duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar, ” ishte shprehur fotografi për TIME.

4. Zjarri pas lojës së golfit

Këtë vit, gazetat anembanë vendit shpërndanë imazhe të zjarreve që kalonin nëpër Kaliforni, pjesë që cilësohet “më vdekjeprurëse dhe më destruktive” lidhur me historinë e zjarrit. Por nuk ishte vendi i vetëm i shkatërruar nga zjarri. Më 2 shtator, dy adoleshentë duke luajtur me fishekzjarrë të paligjshme vendosën aksidentalisht një zjarr që dogji rreth 50,000 hektarë pyll në Eagle Creek, Oregon. Një fotografe amator i quajtur, Kristi McCluer, fotografon disa burra duke luajtur golf, pasi zjarri masiv kishte pushtuar qiellin e Oregonit. McCluer e gjeti veten në fushën e golfit duke kërkuar një hapësirë të hapur për ta fotografuar zjarrin larg spektatorëve të shumtë – dhe atje ajo zbuloi një lojë që po zhvillohej, edhe në tymin gjigant një qiell që kishte marrë formën e flakës.

5. Sulmet në Las Vagas

Në tetor, Stephen Paddock zjarri u përhap mbi 22 mijë njerëz në një festival muzikor në Las Vegas, duke vrarë 59 njerëz dhe duke plagosur 527 të tjerë në shtënat më të rënda në historinë moderne të SHBA-së. Një fotografi, e marrë nga David Becker, tregon një djalosh të shtrirë afër një gruaje. Trupi i tij që mbulon atë pothuajse tërësisht, duket se mbulon sytë e saj në mënyrë që të mos e shoh masakrën që e rrethon.. Edhe pse statistikat kapin e njerëzve që kanë humbur jetën këtë vit janë të mëdha, ndonjëherë ata që ndodhen pranë ngjarjeve të tilla, edhe humbasin anën e tyre humane. Ky imazh është një kujtesë e fuqishme e individëve që u përballën me tragjedinë e paimagjinueshme në Nevada atë ditë./ KultPlus.com

Zbulohen kartolinat e rralla të Dritëro Agollit

Në familjen Agolli është i pari Vit i Ri, pa shkrimtarin. Kur po afrohet 1-vjetori i ikjes së tij, familja e ndjen ende më shumë mungesën, kur kolltuku në dhomën e drunjtë, ku shkrimtari rrinte para një gote rakie me cigare në dorë, është bosh.

“Muaji i dhjetorit, muaji përmbyllës i vitit, për familjen tonë ngjyrosej me larmi kuptimesh, ndjesish, emocionesh. E ndërsa ditët ndiqnin njëra-tjetrën, shumë shpejt nisnin porositë për kartolina, bisedat për gjelin e detit, për verën e porositur e për shumëçka lidhej me natën e ndërrimit të viteve”, kujton e bija, Elona Agolli, teksa rrëmon në sënduqet e t’et. I kujtohen fraza bisedash të mbetura prej pothuaj pesë dekadave pranë babait. “Po ‘Klik’-u nuk ka bërë sivjet kartolina? – thoshte ai tërthorazi, si për t’i drejtuar kërkesën e kartolinave të urimit. “Im atë askurrë nuk harronte t’u shkruante e dërgonte për miqtë e të njohurit e tij. Vitet e fundit i ndante një pjesë me Sadijen, mamanë time, pasi dora i lodhej më shpejt dhe gërmat formonin figura të çuditshme, me të cilat edhe vetë habitej, por edhe argëtohej jo rrallëherë”, rrëfen Elona. Imazhe prej kartolinave e dorëshkrimeve që botohen sot në “Gazeta Shqiptare” për herë të parë, kujtojnë jo vetëm zakonin e përvitshëm të shkrimtarit, por edhe marrëdhënien e tij me ata që deshi më shumë.

Për Agollin, shkrimi i kartolinave të urimit niste nga më të afërmit e dashur, e më pas vijonte me miq e shokë. Ja një prej tyre, drejtuar Elonës: “E dashur guguçja ime e bukur dhe e shumëmira Lonë, Unë, ati yt dhe Babagjyshi i Vitit të Ri, të uroj jetë të lumtur dhe të gëzuar me të pamposhturin Luan dhe të shkathëtin tigër Luel.
Gëzuar 2010-ën
Dritëroi”.

Një tjetër kartolinë, i drejtohej së mbesës, Annës, një prej njerëzve që e deshi fort, mbase edhe sepse e pat rritur pothuajse vetë. Kartolina për ‘vajzën e gjyshërve’ është shkruar kështu:
“E dashur Anna, me dy n, të uroj Vitin e Ri 2011, urime të kesh edhe në vitin 2122, kur të bëhesh mbi 100. Gjyshi dhe nëna të kanë ëngjëllushe dhe kur nuk je ti në Tiranë themi: ‘Ku është dhe çfarë bën ëngjëlli?’
Të puthëm.
Gjyshi dhe nëna.
31.12.2010”

Tri vite më vonë, Dritëroi ishte po aq i përzemërt ndaj mbesës.
“E dashur Anna,
Unë dhe nëna të urojmë gëzuar Vitin e Ri 2014. Ne gëzohemi për arritjet e tua në universitet dhe jemi të bindur që këto arritje do të shumëfishohen; se ne të duam aq sa kur të pritet pak gishti, na dhëmbin neve të 20 gishtat, 10 të gjyshit e 10 të nënës. 20.12.2013”.
FLETË
DITARI
E ndërsa kënaqësia e të shkruarit të urimeve përmbushej, natën vonë, kur asgjë nuk pipëtinte, niste të frymëmerrte ditari i shënimeve. Dukej ato çaste më i sinqertë se kurrë, kur i vetëm para një flete, me shkrimin që e tradhtonte, shënonte përjetimet e orëve të vona. Ishin orët kur ishte i vetëm përballë vetes. / KultPlus.com

Rita Ora kujton vitin 2017 me një seri fotosh

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka shijuar një vit të suksesshëm që prej rikthimit në skenën muzikore.

Rita është treguar nostalgjike për vitin 2017 të enjten kur postoi në Instagram fotografi nga momentet e saj më të mira për sivjet.

Këngëtarja, 27-vjeçare, postoi një seri të fotove me stil, por në disa të tjera bëri shaka me fustane që treguan më shumë seç duhet për yllin nga Kosova. / KultPlus.com

Babagjyshat rikthehen në qytetin e shkatërruar (FOTO)

Tringëllima e zileve të Babagjyshit nuk dëgjohej prej vitit 2013 në qytetin Sirian të Rakës.

Dy burra të veshur si Santa Klaus parakaluan përmes qytetit të copëtuar nga lufta, duke habitur dhjetëra qytetarë që i shkonin nga pas. Në vitin 2014, grupi xhihadist i Shtetit Islamik pushtoi qytetin, duke e bërë atë kryeqytetin “de facto” të Kalifatit, e duke zbatuar interpretimin e tyre strikt të Islamit ndaj kujtdo. Por, forcat e mbështetura nga SHBA i dëbuan xhihadistët në muajin tetor pas një beteje disamujore.

Dy djem që shtynin një karrocë me kabllo elektrike nuk mund ta përmbanin gëzimin teksa shihnin babagjyshat që sollën pak atmosferë festash atje.

Pasi ndaluan në atë që ka mbetur nga Kisha Katolike Armene në qendër të qytetit, Santat u shpërndanë lodra atyre pak familjeve të pranishme. Gjithashtu, disa artistë kontribuuan për t’u dhënë gëzim të mbijetuarve të luftës. Ata thanë se donin t’i jepnin ngjyra qytetit të shkatërruar. / KultPlus.com

John Lennon, veç dy fjalë për dashurinë

Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz. Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme. Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme. Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen. Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër.

John Lennon

Elsa Lila dhe Fanfara Tirana festojnë në Pallatin e Kongreseve (VIDEO)

Elsa Lila gjithmonë ka ditur të sjellë magjinë në skenë. Një prej këngëtareve shqiptare më të arritura dhe një fituese e disa festivaleve në Shqipëri, Elsa gjithmonë e ka ruajtur pozitën e saj të respektuar si një vokal i mirë dhe që transmeton emocionin.

Po kthehemi sot në një kohë kur Elsa u bashkua për një performancë sa spontane aq edhe të mahnitshme me Fanfara Tirana, shkruan KultPlus.

Elsa solli “Margjelo”, në versionin shqip dhe më pas edhe në një frëngjishte simpatike, në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, në dhjetorin e vitit 2008.

Ajo në skenë realizon edhe një dialog me publikun. Elsa ka marrë pjesë në Festivalin e TVSH-së në vitin 1996 dhe 1997 ndërsa ka triumfuar në të dyja tentimet e saj. Elsa Lila ka marrë pjesë dy herë në Sanremo në Itali. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Reflektime demokratike’ i Jakup Krasniqit

Kontributi i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, është vlerësuar shumë me rastin e promovimit të librit të tij “Reflektime demokratike”, që është një përmbledhje e periudhave të ndryshme të përjetuara nga vetë autori, i cili shpalos pjesë nga to.

Autori Jakup Krasniqi nuk foli shumë për librin, por vetëm e sugjeroi atë si një udhërrëfyes për ata që duan të hyjnë në jetën politike.

“Ky libër do t’i shërbejë atij që sapo ka hyrë në politikë, atij që është dhe atij që mendon të hyjë”, tha ai.

Shkrimtari, njëkohësisht edhe botuesi i këtij libri Abdullah Zeneli, tha se kishte insistuar që ky libër të botohej më shpejt për shkak të vlerës që ka, transmeton kp.

Ndërsa studiuesi letrar Adem Gashi librin e quajti “Reflektim për reflektimin”, si titull i dytë i mundshëm.

“Jakupin tashmë e ka pensionuar mosha, por nuk e ka lënë as librin e as politikën”, u shpreh ai.

Bashkim Musliu, profesor, shkrimtar dhe kritik, tha se sipas tij kjo vepër do të shërbejë për ta ruajtur kujtesën historike dhe se ky libër përbëhet nga fjalimet e autorit kur ishte në pozitën e kryetarit të kuvendit dhe kryesisht pjesë nga jeta e tij në politikë.

“Autori është personalitet me jetë të gjatë në sferën politike, ka qenë pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve për të cilat flet. Së pari kombi, pastaj shteti dhe krejt në fund partia”, tha ai.

Përkthyesi nga Shqipëria Elvi Sidheri, foli për marrëdhëniet shpirtërore që ka me Kosovën.

“Kosovën e kam konsideruar si lloj amaneti nga gjyshi”, tha ai.

Sa i përket librit, ai e vlerësoi punën e autorit mjaft shumë dhe shprehu besimin që ka për subjektin e librit.

Ky është libri i dymbëdhjetë i radhës nga Jakup Krasniqi. / KultPlus.com

Nusja nga Kosova

Poezi e shkruar nga DRITËRO AGOLLI.

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujërat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi vello të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetrën botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.

“Askush s’mund ta zhvendosë Universitetin e Prishtinës për ta kthyer në Qendër Islamike…”

Organizata e studentëve Demokracia Studentore reagon ndaj deklarimeve të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës , Selim Pacollit, i cili tha se ‘ideja ime për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës për ta rikthyer atë në një qendër Islamike do të përkrahet edhe nga Shpend Ahmeti’.

Mexhid Ramusa nga Organizata “Demokracia Studentore” shprehet se ‘ne studentët e Republikës së Kosovës jemi të shqetësuar nga deklaratat dhe planet e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së Selim Pacolli në lidhje me planin e zhvendosjes së UP-së për ta shndërruar në një qendër Islamike’.

“Ne studentët ja rikujtojmë Pacollit që as Serbia në kohen e okupimit nuk ka mundur ta zhvendos universitetin e Prishtinës në objekt kishtar e cila me dhunë ka tentuar dhe e ka vendosur Kishën Ortodokse ne Kampusin Universitar dhe as një herë nuk ka mundur ta vë në funksion, por as ju nuk mundeni pasi UP-ja është tempull i dijes dhe jo tempull i objekteve fetare”, thuhet në reagim.

“Ne si student të republikës se Kosovës, kemi nevojë për zhvillimin e sektorit te Teknologjisë Informative Laboratorë liberalizim të vizave, depolizim të universiteteve, punësime e jo për qendra islamike”, përfundon reagimi. / KultPlus.com

ShKA Agimi kundërshton “privatizimin e Zambakut të Prizrenit”

Me një letër drejtuar kryetarit të Prizrenit Mytaher Haskuka dhe ministrit të MKRS-së Kujtim Gashi, ShKA Agimi ka shfaqur shqetësimin vet për organizimin e festivalit Zambaku i Prizrenit, siç ka thënë nga një kompani private e Prizrenit. Ajo këtë e ka quajtur privatizim të Festivalit.

Ky është teksti i letrës së ShKA Agimi:

“Jemi thellësisht të shokuar nga një organizim i mbrëmshëm, në të cilin një kompani private e Prizrenit abuzoi me njërën nga vlerat më karakteristike të kulturës së Prizrenit, festivalin e këngës së vjetër qytetare Zambaku i Prizrenit. Më e dhimbshmja ishte prezenca e logove të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, me pretendimin se e gjitha po organizohej nën patronatin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Zhgënjimin tonë e bën edhe më të thellë fakti që ky sulm i ultë i kësaj kompanie private ndaj kulturës së Prizrenit u kamuflua me logot e institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilat do të duhet të ishin garantuese të mbrojtjes së Zambakut të Prizrenit, si një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpirtërore

Ajo çfarë u manifestua mbrëmë ishte turpëruese dhe për këtë arsye besojmë që opinionit të gjerë i detyroheni një shpjegim dhe arsyetim. Nga ju kërkojmë të deklaroheni publikisht dhe të na njoftoni të gjithë se si ka mundësi që Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit të jenë pjesë e një përpjekje të paskrupullt të një kompanie private për të privatizuar Zambakun e Prizrenit. Si është e mundur që institucionet shtetërore që paguhen nga taksat e qytetarëve për t’i ruajtur vlerat e përbashkëta të kësaj shoqërie të bëhen pjesë e një skeme të këtillë manipuluese dhe privatizuese ndaj kulturës. Nëse i gjithë ai organizim është përkrahur edhe financiarisht nga fondet publike, shkelja merr përmasa edhe më drastike.

Ka kohë që ne jemi duke luftuar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të qytetit të Prizrenit, me fokus në ShKA Agimin, të cilin e kanë zaptuar disa individë të papërgjegjshëm dhe manipulues, që ishin pjesë e organizimit të mbrëmshëm. Në një kohë që jeni zotuar edhe publikisht që do të ndihmoni në tejkalimin e sfidave të ShKA Agimit ju keni përkrahur një ngjarje, në të cilën një kompanie private ia keni dhënë të drejtën të veprojë në emër të Zambakut të Prizrenit, deri në ndarjen e mirënjohjeve. Çdo dështim i juaji për t’u deklaruar për këtë rast dhe për të marrë veprime konkrete parandaluese do të legjitimojë degradimin e kulturës dhe do t’i hapë rrugë të këqijave edhe më të mëdha. Prandaj, ju ftojmë të reflektoni seriozisht dhe të veproni në pajtim me detyrimet që ju kanë dhënë qytetarët.

Ju premtojmë që përpjekja jonë për të mirën e kulturës në Prizren nuk do të ndalet. Ndërsa nga ju presim seriozitet dhe distancim publik nga e keqja dhe manipuluesit me vlerat tona të përbashkëta”./ KultPlus.com

Dekorimi i qytetit të Prizrenit për festat e fundvitit me mesazh gjithëpërfshirës “T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës”

Këtë vit Komuna e Prizrenit konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, përmes dekorimit të qytetit përcjell tek qytetarët një mesazh të veçantë dhe gjithëpërfshirës.

Elementet ndriçuese që dominojnë janë yjet dhe siluetat që vallëzojnë:

‘Dashuria, optimizmi, gëzimi e lumturia janë thelbi i jetës së secilit prej nesh. Ajo çka na bashkon e na bën njëlloj është vlerësimi për njëri tjetrin, për ekzistencën.
Figurat e ndritshme që vallëzojnë, të ilustruara në teknikën e artistit të famshëm Pablo Picasso, i gëzohen jetës dhe shumëllojshmërisë së saj. Ato festojnë prezencën e çdo gjëje që frymon. Gjersa ne vallëzojmë vallen e jetës, yjet sipër nesh, si burim i pashtershëm i energjisë, ndriçojnë ditët e netët tona pa pushim, duke na bashkuar të gjithëve nën qiellin e pafund. T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës.’

Tekstin e shkruar duhet ta ndjejnë edhe pjesëtarët e të verbërve ku në këtë projekt gjithëpërfshirës u shkrua mesazhi sipas alfabetit BRAJ…

Të gjitha elementet e këtij instilacioni janë të punuara në vend dhe përbehen nga dy materiale themelore, nga shufrat metalike dhe kabllot ndriçuese. Kjo strategji ka për baze idenë e reciklimit të materialeve dhe ripërdorimit te tyre. Konkretisht në rastin e Prizrenit, metali i përpunuar mund të ripërpunohet dhe të krijojë forma të reja për instilacione të ardhshme./ KultPlus.com

Kontribut për ta njohur gjendjen e arsimit në një trevë të Kosovës

Shkruan: Ragip SYLAJ

Veteran i arsimit dhe njohës i arsimit shqip në Komunën e Kamenicës, në Kosovë dhe më gjerë, Isë Hasani (Tygjec, 1940), duke qenë i përkushtuar dhe i mishëruar me këtë traditë e me këto procese dhe, gjithashtu, duke e çmuar rolin iluminist a ndriçues të arsimit për popullin dhe vendin tonë i ka hyrë hartimi të librit të karakterit monografik “Arsimi në Komunën e Kamenicës (Retrospektiva dhe perspektiva)”. Përpilimi, mbarështimi, respektivisht hartimi dhe shkrimi i këtij libri është rezultat i punës trevjeçare të autorit.

Librit i paraprijnë tri thënie aforistike që kanë të bëjnë me kuintesencën e arsimit, respektivisht vlerën dhe rëndësinë e tij për mirëqenien dhe perspektivën e popujve. Ato janë tri thënie të tre emrave të njohur të arsimi, kulturës e të letrave të hapësirën sonë nacionale dhe të asaj ndërkombëtare: Naim e Sami Frashëri dhe shkrimtarit të madh Rabindranath Tagora. Për ta ilustruar kalimthi rolin civilizues të arsimit dhe vlerën e tij të pakontestueshme për shoqërinë me këtë rast po e sjellim thënien e Sami Frashërit: “Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë”.

Për vendbanimet, respektivisht lokalitetet, duke filluar nga Kamenica, por edhe për shkollat në veçanti është paraqitur një historik i shkurtër, gjendja konkrete (sa i përket infrastrukturës, gjendjes së kuadrit, numrit të nxënësve etj.) dhe janë dhënë edhe objektivat dhe nevojat e tjera për përmbushjen e synimeve në të ardhmen. Për të ofruar dëshmi, respektivisht faktografi për gjendjen e arsimit të kësaj treve, qoftë në të kaluarën, qoftë në situatën e përtashme, tekstet e librit në akëcilin kapitull janë ilustruar me tabela të ndryshme, harta dhe fotografi.

Lënda e librit është strukturuar në këtë mënyrë: Komuna e Kamenicës, për të cilën është dhënë një këndvështrimi historik e gjeografik, por edhe demografik, pastaj Fshati Tygjec, Shkolla e mesme e ulët “Metush Krasniqi” në Roganë, Shkolla e mesme e ulët “17 Shkurti” në Muçiverc dhe paralelet e ndara në Dajkoc e Krenidell, Shkolla “Abdullah Krashnica Presheva” në Koretin, Shkolla fillore “Skënderbeu” në Hogosht dhe paralelet e ndara në Kopernicë, Lisockë, Dazhnicë e Gjyrishec, Shkolla fillore në Desivojcë dhe paralelet e ndara në Poliçkë, Tërstenë, Lajçiq, Velegllavë e Sedllar, Shkolla fillore “Rexhep Mala” – Topanicë, Shipashnica e poshtme dhe Shipashnica e epërme, Karaçeva e epërme, Karaçeva e poshtme, Fshati Hodonoc, Fshati Busavatë, Shkolla fillorre “Idriz Seferi” në Strezoc, Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Xhelal Sopi” në Petroc etj. Ndërkaq, në fund të librit janë evidentuar ata që kontribuuan në kompletimin e kësaj monografie

Për ta pasuruar këtë vështrim monografik në fund të tij është sjellë edhe një fotoalbum mjaft i pasur, i përbërë nga fotografitë e lokaliteteve të Komunës së Kamenicës, të objekteve shkollore dhe të personaliteteve kontributdhënës që kanë të bëjnë me arsimin në komunën e përmendur. Si i tillë andaj ky libër ofron mundësi të krijohet një imazh më i qartë, qoftë rreth të kaluarës (vështirësive e peripecive të ndryshme), qoftë për gjendjen e tashme që paraqet gjendjen faktike në arsim, rrjedhimisht edhe për të krijuar një vizion për perspektivën e tij.

Libri është shkruar me një gjuhë të qartë dhe të rrjedhshme dhe si i këtillë është një ndihmesë e mirë sa për ta njohur arsimin shqip në trevën e përmendur po aq për ta dashur dhe për ta ripërtërirë atë edhe në të ardhmen.

(Ky tekst është botuar si parathënie e librit “Arsimi në Komunën e Kamenicës: Retrospektiva dhe perspektiva”)

Pse burrat e Hollivudit do të vishen në të zeza në ceremoninë e Golden Globe?

Për herë të parë, aktorët kryesorë të Hollivudit do t’ua dedikojnë veshjen e tyre disa grave. Aktorët më të njohur kanë nxjerrë një njoftim në fillim të këtij muaji, se ata do të vishen në kostume të zeza në Golden Globe, për tu solidarizuar me viktimat e sulmit dhe ngacmimeve seksuale, përcjellë KultPlus.

Dwayne Johnson ka konfirmuar se shumë aktorë meshkuj do të bëjnë të njëjtën gjë. “Po, burrat duke u veshur të gjithë në të zeza do të solidarizohen me gratë për të protestuar kundër pabarazisë gjinore në Golden Globe që do të mbahet këtë vit”, ka shkruar stilisti i famshëm Ilaria Urbinati në Instagramin e tij këtë javë. /KultPlus.com

Me def në një lokal Jazzi në Itali (VIDEO)

Artist i njohur shqiptar i cili jeton në Itali, multiinstrumentisti Robert Bisha, është ndër ata të rrallët që mahnit publikun me performancat e tij me instrumentet si piano, kitarë, perkusione, çifteli, def, e shumë të tjera.

KultPlus, sot po e sjellë një video ku Robert Bisha në një lolak Jazz-i në Itali mjeshtërisht sjellë melodinë dhe fuqinë e defit.

Defi një instrument popullor shqiptar i cili përveç të tjerash është shumë i pranishëm në dasmat shqiptare, jehonë në këtë skenë nëpërmjet duarve të Robert Bishës dhe zërit të tij.

Dëgjoni performancën e mrekullueshme që artisti me prejardhje nga Veriu i Shqipërisë pati dhënë në vitin 2012-të./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=FeY2I0seis0

Verë n’Dimën i ka dhënë një pamje të bukur Prishtinës

Festat e fundvitit janë duke krijuar një atmosferë shumë të ngrohtë në sheshin e Prishtinës, ku shumë të rijnë, qysh prej orëve të hershme të mëngjesit e deri në mbrëmje po frekuentojnë këtë pjesë, ku tashmë janë vendosur edhe kënde të ndryshme, kënde që tash e sa vite i japin formë organizimit “Verë n’Dimën”, shkruan KultPlus.

Shtëpizat prej druri, produkte të ndryshme të pijeve por edhe të ushqimit tashmë kanë shndërruar këtë pjesë të Prishtinës si pjesën më të frekuentuar të këtyre ditëve të fundit të vitit 2017.
Dhe një pamje e veçantë e kësaj atmosfere vjen edhe prej Lul Makollit, i cili pamjen e kësaj pjese, bashkë me bredhin e ka nxjerrë prej lartë, ku shihet një atmosferë mjaftë festive./KultPlus.com