“Vallja e Shqiponjave”, vallja e famshme e Rexhep Çelikut (VIDEO)

Ai është konsideruar si valltar që ka zotëruar skenën, dhe njëra ndër vallet që ka shkëlqyer është edhe “Vallja e Shqiponjave”, shkruan KultPlus.

Një incizim i vitit 1995 tregon valltarin Çeliku duke vallëzuar këtë valle, i cili me magjinë e tij ka mbërthyer audiencën. Për më shumë mund ta përcillni videon./KultPlus.com

Bill Gates dhe Mark Zuckerberg sugjerojnë librat që duhet të lexohen në Davos

Ndërsa njerëzit e botës së pasur do të paketojnë valixhet e tyre për Forumin Botëror Ekonomik në Davos, ata do të kenë mundësi edhe të shijojnë leximin e librave që kanë sugjeruar Gates dhe Zuckerberg, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.

WEF, i cili që nga viti 1971 mbledh liderët globalë dhe drejtuesit e biznesit në qytetin alpin të Zvicrës, tanimë ka publikuar edhe një listë të librave të rekomanduara nga dy njerëzit e rregullt të Davosit, të cilët gjithashtu janë lexues të pasionuar: Bill Gates dhe Mark Zuckerberg.

Nëse ata janë fansa të EL James, John Grisham ose JK Rowling ata nuk e thonë këtë me zë shumë të lart. Në fakt, lista e tyre me libra fiktiv është shumë e shkurtër, kurse me libra jo fiktiv është shumë e dendur por përmban edhe zgjedhje shkencore: The Three-Body Problem nga shkrimtari kinez, LiuCixin
Gates dhe Zuckerberg, të cilët janë njerëzit më të pasur në botë, e kanë cilësuar leximin si çelësin e suksesit të tyre. Gates, i cili ka një pasuri prej 92 miliardë dollarësh, kryesisht nga Microsoft, lexon për të paktën një orë çdo natë dhe përfundon librin për gati një javë.

Zuckerberg, i cili ka një pasuri me vlerë rreth 77 miliardë dollarë, 13 vjet pasi ai filloi Facebookun në dhomën e fjetjes së universitetit të Harvardit, nuk është një lexues shumë i shpejtë siç është Gates, por rezultatet e tij në 2015-en tregonin se ai lexonte së paku një libër çdo dy javë.
Të dy pajtohen se libri“BetterAngelsofOurNature: Ëhy Violence has Declined” një libër 800-faqe nga psikologu i Harvardit,StevenPinker është një domosdoshmëri. Libri argumenton se ndërkohë që mund të ndihet sikur bota është bërë më e rrezikshme, një vështrim më i gjatë mbi historinë njerëzore tregon se dhuna po zvogëlohet. Ky libër arriti të prek fillimin e listave të Amazon, momentin kur Gates fillimisht bëri një postim duke thënë se ishte “libri më frymëzues që kam lexuar ndonjëherë”.”Gates, në një përmbledhje të postuar në blogun e tij, tha se libri i Pinker ishte “një nga librat më të rëndësishëm që kam lexuar – jo vetëm këtë vit, por gjithnjë”.

Gates gjithashtu rekomandon The Gene: Një histori intime nga SiddharthaMukherjee, një onkolog dhe i diplomuar në Oksford, Harvard dhe Stanford. “Mukherjee shkroi këtë libër për një audiencë laike, sepse ai e di se teknologjitë e reja janë në prag të ndikimit të të gjithëve në mënyra të thella”, tha Gates.
Zuckerberg rekomandon Liu’s The Three-Body Problem si një “pushim argëtues” nga ekonomitë e rënda dhe librat e shkencave shoqërore që ai përfshiu në listë. Libri është flet për kohën gjatë revolucionit kulturor të Kryetarit Mao dhe hapet me një garë të huaj që pushton Tokën pasi qeveria kineze fsheh fshehurazi sinjale në hapësirë./KultPlus.com

Në vitin 1996, Rexhep Çeliku pat ngritur në këmbë audiencën prishtinase (VIDEO)

Populli shqiptar është tronditur me lajmin mbi vdekjen e valltarit të famshëm Rexhep Çelikut, i cili ka shkëlqyer gjithmonë me paraqitjet e tij skenike, shkruan KultPlus.

Ai shumë herë është vlerësuar si valltari fluturues, dhe pikërisht një paraqitje të tillëpat pasë edhe në vitin 1996, kur Ansambli Kombëtar i Valleve të Shqipërisë pat mbajtur një koncert në Prishtinë, në vitin 1996.

Për të parë më afër këtë koncert që është përcjellë edhe nga figura të rëndësishme të Kosovës, mund ta përcillni videon e bashkangjitur nga KultPlus./KultPlus.com

“Sight to see” nga Mjellma Istrefi (VIDEO)

Mjellma Istrefi e cila është e njohur për performanca të ndryshme të coverëve tashmë ka publikuar këngën e saj më të re, shkruan KultPlus.

Kënga e lansuar nga Mjellma Istrefi titullohet “Sight to see” dhe është me tekst dhe muzikë të vetë Mjellmës, kurse kënga është realizuar nga kompozitori Florent Boshnjaku “Dream House”.

Kënga duket të jetë shumë premtuese, duke pas parasysh edhe vokalin e vecantë të Mjellma Istrefit./KultPlus.com

Shuhet legjenda e valles shqiptare Rexhep Çeliku

Vetëm katër ditë më parë Rexhep Çelikun do ta shihnim në hollin e institucionit të Presidencës, teksa Ilir Meta do t’i jepte dekoratën e lartë të “Nderit të Kombit”, por mesa duket krijuesi e ka kërkuar lart, pasi mjeshtri i valleve ka humbur këtë të premte jetën.Rexhep Çeliku vdiq në moshën 63 vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Zemra e tij pushoi në orën 02:30 të orëve të para të kësaj dite.

Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Meta e dekorioi katër ditë më parë me motivacionin.
“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”./KultPlus.com

Ndezet flakadani i Flakës së Janarit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me stafin e tij dhe me familjarë të dëshmorëve, kanë bërë ndezjen e flakadanit të “Flakës…”, për të shënuar kështu edhe simbolikisht fillimin e manifestimit mbarkombëtar “Flaka e Janarit”, që i dedikohet heronjëve dhe dëshmorëve të rënë në janarët e acartë për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast kryetari Lutfi Haziri ka thënë se heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë të rënët në luftën për liri janë ata që i sollën këtij vendi lirinë dhe që po e ruajnë atë vazhdimisht.

“Këtë flakadan, sikur sonte edhe vitin e kaluar e kemi ndezur bashkërisht me familjet e dëshmorëve. Sonte përveq mungesës së dëshmorëve, është edhe mungesa e migjës Rexhep, i cili është ndar nga jeta dhe u është bashkuar këtyre shpirtave të bardhë që sot bëjnë dritë mbi lirinë e Kosovës. Kalendari i Flakës nëpër të gjitha shtyllat, i kushtohet respektit dhe nderimit të veprës së dëshmorëve të kombit. Ky vit i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe 50-vjetorit të dëmonstratave për flamur”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka bërë të ditur se nga ky vit do të punohet që kalendari i flakës të jetë më i hapur, më gjithëkombëtar dhe ndërkombëtar.

“Këto ndryshime do të bëhen, sepse vlerat e dëshmorëve tanë brenda kombit tashmë i njohim të gjithë, por këto vlera do t’i bëjmë edhe më ndërkombëtare. Do t’u tregojmë edhe të tjerëve se çfarë vlerash, çfarë heronjësh e dëshmorësh kemi. Flaka e Janarit, pas 27 vjetësh do të merr konotacion dhe hapësirë ndërkombëtare”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

“Dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës janë figurat që na mësuan se si luftohet për liri dhe ata janë që po e ruajnë këtë liri. Sa për ne të gjallët, dyshoj edhe unë që kjo liri ishte marrë moti kohë nëpër këmbë. Faleminderit veprës dhe kujdesit të tyre”, ka përfunduar kryetari Lutfi Haziri.

Kurse Fitore Malaj, vajza e dëshmorit Rexhep Mala, në emër të familjeve Mala e Berisha, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për përkushtimin e treguar dhe për angazhimin në nderim të dëshmorëve, heronjëve dhe gjithë të rënëve për liri.

“Sot i ndezëm këta flakadanë. Kështu i ndezën para 34 vitesh flakadanët e lirisë edhe Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Ata ndezën flakadanin e lirisë së Kosovës. Ndjehemi shumë të nderuar si familje për respektin dhe nderimin që i bënë Komuna e Gjilanit dhe gjithë Kosova, heronjëve tanë”, ka thënë ajo pas ndezjes së flakës.

Aktivitetet e Flakës…” vazhdojnë me 17 janar me akademinë që i kushtohet dëshmorëve të rënë, dhe përfundon me 31 janar kur edhe bëhet mbyllja e manifestimit shumëkulturor dhe mbarkombëtar “Flaka e Janarit”.

Përndryshe, me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Kuvendi i Komunës e ka shpallur qytetar nderi bashkëshorten e dëshmorit Rexhep Mala, Hanifen dhe babain e dëshmorit Nuhi Berisha, Rexhep Berishën./KultPlus.com

Zyliha Miloti, ikona e humorit feston sot 72-vjetorin e lindjes

E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, ikona e humorit shqiptar, Zyliha Miloti feston sot 72-vjetorin e lindjes.

Teatri Migjeni ka nxjerrë në faqen e tij një kolazh fotosh të artistes Zyliha Miloti për t’i uruar ditëlindjen e duke shprehur dhe njëherë krenari për këtë figurë të papërsëritshme të artit tonë.

Ajo lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret ma të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.

Plot hir në skenë, me një prani aktoriale që imponohej gjithandej me zë të plotë e të bukur, Zyliha Miloti numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer. Shfrytëzon me sens e maturi nëndialektin e të folurës shkodrane, pa e bërë atë një zhargon të rënd, përkundrazi duke i dhënë një tingëllim poetik e plot muzikalitet.

Ka krijuar figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazane, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naive apo ”burrnesha”, zyrtare e intelektuale të kohës etj.

Në aktrimin e saj ka pak elementë grotesku, duke qenë më aktive ato të një humori me thekse realiste e të sjella sa më pranë modeleve jetësore. Në skenë, Miloti ishte partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi, sikurse edhe e Zef Dedës, me të cilin ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë, kujtojmë këtu: Fotografisti, Në spital, Kunati i shokut Xhemal, Truall i zënë , Toka jonë etj.

Loja e saj shquhet për finesë, elegancë, me një përshtatshmëri të rrallë dhe me kapërcime të natyrshme, nga tragjikja te komikja dhe anasjelltas, duke krijuar figurën e një nëne të dhimbshme e plot mall për të birin emigrant.

Ka luajtur edhe në disa filma, ku veçohet filmi ”Shoku ynë Tili” me rolin e nënës dhe te ”Dy herë mat” me atë të gruas së drejtorit . / 27.al / KultPlus.com

Lumturia sipas shkrimtarit Fabio Volo: Thjesht fantastike, nuk duhet ta humbisni

“Teksa rritesh, mëson se sa e bukur dhe me vlerë është thjeshtësia”.

“Aroma e kafesë së mëngjesit është një ritual i vogël i lumturisë. Të mjaftojnë notat e një kënge, ndjesitë që të fal një libër, aromat e ushqimit në kuzhinë, poezia e poetëve të lumturisë, apo prania e kafshëve shtëpiake rreth vetes për të ndjerë një lumturi të pafund. Parfumi i pranverës të zgjon nga dimri, dhe të lexuarit nën hijen e një peme, të relakson mendjen. Këto janë detaje të vogla që falin lumturi.
Teksa rritesh, mëson se lumturia është e përbërë nga shpërthime të vogla që të ngrohin zemrën. Mëson se dashuria është e përbërë nga ndjesi delikate, me flutura në stomak, dhe me ndjenjën sikur e ke pranë dikë, edhe pse ai person mund të jetë larg teje. Vetëm 5 minuta me atë person të mjaftojnë për të përballuar stresin e gjithë ditës. Mëson se mjafton të mbyllësh sytë për të zgjuar ndjenjat. Mëson se mjafton të lexosh një poezi, të dëgjosh një këngë, apo të gatuash, përveçse të bëjnë të ndjesh lumturi, të bëjnë edhe të kujtosh personat që i ke larg dhe në këtë mënyrë zvogëlon distancat. Mëson se të dëgjosh zërin e dikujt në telefon, apo të marrësh një mesazh të papritur, janë grimca të vogla lumturie. Mëson të mbash në zemër ëndrra të vogla, por të çmuara.

Teksa rritesh, mëson edhe se nuk ka lumturi më të madhe, se sa të mbash në krahë një fëmijë. Mëson se dhuratat më të shtrenjta janë ato që flasin për personat që do. Mëson se lumturia gjendet edhe në melankoli, atëherë kur në një ditar ti hedh gjithë ndjesitë e tua. Mëson se sa e bukur dhe me vlerë është thjeshtësia…”

Në Maqedoni po protestohet edhe për gjuhën shqipe

Një grup qytetarësh sonte janë mbledhur para Kuvendit të Maqedonisë në shenjë revolte për shkak të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Protestuesit janë duke kundërshtuar votimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, që sot u miratua me 69 vota ”për”.

Komunikacioni në rrugën “11 Tetori” është i bllokuar nga QT “Paloma Bianca” deri te udhëkryqi te Spitali i qytetit.

Protesta ka filluar që në mesditë, kur bëhej votimi i këtij ligji. Grupi prej 10-15 qytetarësh me flamuj Vergina ishin para ndëtesës së Kuvendit, por atëherë komunikacioni nuk ishte ndërprerë. / KultPlus.com

Artistja suedeze Mia Enell ka hapur ekspozitën ‘Tani tani tani’ në Kryeministri

Mia Enell, artistja suedeze ka hapur sezonin e parë të 2018 me ekspozitën “Tani tani tani” në COD.

Enell prezantoi 22 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë dhe në sallën “Tako Artistin”.

Ekspozita që gërsheton pikturën me vizatimin është kuruar nga Genti Gjikola dhe bën bashkë vepra që “përtej lehtësisë së dukshme dhe thjeshtësisë, shfaqin kompleksitetin e botës që Mia Enell kërkon të zbulojë”. Mia Enell lindi më 1967 në Goteborg të Suedisë.

Mia Enell foli për artin e saj, gjuhën e tij dhe komunikimin me publikun. “Nuk dua që puna ime të ketë të bëjë vetëm me një gjë. Nëse vepra kërkon qëllimisht të mos bjerë në sy dhe ka një fill humori, mundet që ajo të hedhë dritë mbi çështje madhore dhe jo thjesht një ide”,-u shpreh Enell.

Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork, SHBA. Enell përfundoi Shkollën e Artit Nyckelvikskolan në Stokholm (1987) dhe më pas Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris, DNSAP (MFA), (1992).

Punët e saj janë prezantuar në shumë ekspozita kolektive e vetjake, në muze e galeri të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Veprat e Mia Enell gjenden në koleksione të mëdha ndërkombëtare dhe private, përfshirë L.A.C.M.A., Muzeun e Arteve në Los Anxheles; Koleksionin Borghese, Itali, Koleksionin Ahrenberg, Zvicër; Statens Konstråd – Agjencia Kombëtare e Artit Publik, Suedi; Fondin e Depozitave e Investimeve dhe FNAC – Fondin Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Paris, Francë. / KultPlus.com

Një natë e mirë

Poezi nga Ute Margaret Saine / Përktheu: Gjergj Loka

A ishte për ty
vetëm një moment i vetmuar
që takuam rastësisht
U përgjigjëm.

Se ne buzëqeshëm
qeshëm
filloi të na merrej goja
rrokje – rrokje
pa gjuhë të përbashkët.

Dhe tani
atë moment të kaluar
mes nesh
e ke marrë me vete kudo
Ti nuk dëgjon
nuk përgjigjesh

një ajër i zbrazët
dhe i heshtur
ngadalë zvarritet
natës sime.

Ti më mungon
dhe unë nuk mund të them
natën e mirë.

Këngëtarja Rita Ora vjen në Kosovë për 17 shkurt

Kosova edhe disa ditë mbushë një dekadë nga shpallja e pavarësisë së saj.

Në dhjetëvjetorin e shënimit të kësaj dite, më 17 shkurt 2018, e pranishme do të jetë edhe ylli i Kosovës me famë botërore, Rita Ora.

Këngëtarja Rita Ora vjen në Kosovë me 17 shkurt. Kështu thonë disa burime të KultPlus – gazetës online për art dhe kulturë.

Rita Ora vite më parë pati ardhur në Kosovë ekskluzivisht për të realizuar një videoklip, ku kishte shpalosur edhe simbole të shtetit më të ri dhe prejardhjes së saj. / KultPlus.com

Analizë gjuhësore ftesës së Edi Ramës me rastin e Vitit të Skënderbeut

I paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm sa ishte i gjallë… Është zbuluar ftesa që numri një i Qeverisë, Edi Rama ka dërguar për 550-vjetorin e Skënderbeut.

Kështu, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, të martën, në pallatin e Kongreseve dhe atë të Brigadave, përkatësisht në orët 17:45 dhe 19:30, do të çelen kremtimet “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, me rastin e 550 vjetorit të kalimit në amëshim të heroit Kombëtar.

Dikush edhe e ka analizuar këtë ftesë.

Ilir Seci, në rrjetin social Facebook ka ‘thurë’ një status rreth këtij teksti të ftesës në fjalë.

“Personi që ka shkrue këtë tekst duhet me ia rifillue shkolles nga klasa e parë per me mësue shqip. Ky tekst asht model çmobilizimi gjuhësor, tekst që të kujton trumbat e ushtarëve të porsaliruem nga ushtria teksa hedhin teshat në ajer. Sinqerisht ka vite që nuk kam pa tekst ma të çgramatizuem…Tekst që asht ma lamsh se ndërtimet pa leje në Tiranë. Nji katrahurë gjuhësore, njaq kalladatëse sa me këtë tekst mundesh me i ba fëmijet me lanë Playstation-in e me shkue me fjetë herët, mjafton me u thanë :
– “A po fleni a ua lexova këtë ftesën?”
Vetëm lexojeni :
– “pashfaqshëm” – Si i pashfaqshem?! Nese autori ka dashte me krijue figure letrare, tue dashte me vu vetlla ka nxjerre syte…Pikerisht se ishte i shfaqshem Gjergj Kastrioti-Skenderbeu i bani balle per 25 vjet fuqise ma te madhe ushtarake te botes ne ate kohë ;
– “u tjetërsua” – ne gjuhen shqipe me u tjetërsue ka vetëm konotacion negativ. Dikujt i thuhet “Je tjetërsuar.”, vetem për me theksue nje shndërrim per keq ;
– “trupi vdektar” – a ka trup jo vdektar!? ;
– “imago” – këtë fjalen ta kishte shenue me yll, * e ta kishte sqarue ne fund te fteses sepse ata qe kane marre ftesat nuk kane me dvetë çka do me thane kjo fjalë, nuk kane me dvete per dy arsye, e para se nuk duen me dale si te paditun dhe e dyta si me ia vu ne dyshim fjalet shefit ;
– “gjithëpërfshirëse gjalluese” – ky tog fjalesh te ban me te ardhe keq, shumë keq per gjuhen shqipe, me iu dhimbte gurit e drunit, i shkreti Dhaskal Todri… “ është postimi i Secit.

Nga sa mësohet, do të ketë ekspozitë me piktura te Pallati i Kongreseve, si dhe ekspozitë sendesh mesjetare pothuaj të njëkohshme me Skënderbeun.

Ndërkaq në këto kremtime, të pranishmëve, veçse u duhet të kenë kartë identiteti në hyrje, u është bërë e qartë dhe kodi i veshjes… / KultPlus.com

Teqeja e Shehlerëve dhe kaderinjtë e devotshëm të Prishtinës

Është e njohur sipas Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, pronar. Teqeja ndodhet ngjit me Kullën e Sahatit e gjimnazin “Sami Frashëri”, objekt thuaja i shtrirë përtokë. Sheh Mehmeti është njeriu që ka bërë propagandë në baza fetare për të mos u shpërngulur popullata për në Turqi. Shumica e myhymëve (ithtarëve) të tij nuk janë shpërngulur. Njihet si njeri me shumë autoritet në qytet, i lindur e i rritur këtu.

Teqetë, zaten, përfaqësonin institutet specifike të fesë islame, ku kryheshin ritet e tyre. Teqeja e Sheh Mehmetit thuhet se është ndërtuar diku rreth viteve 1925-1929, ndërsa për Tyrben nuk dihet data e saktë. Tashti, Mehmet Shehu, nipi i Sheh Mehmetit, tregon se gjyshi i tij kishte mbledhur eshtrat nga disa tyrbe të cilat i kishin shkatërruar bullgarët e serbët, dhe i kishte vendosur në këtë Tyrbe.

-Tarikati i gjyshit, Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, kanë qenë kaderinjtë – shpjegon tutje nipi. Kaderinjtë, i falin pesë vaktet e namazit, e agjërojnë ramazanin, shkojnë në haxhillëk, alkoolin nuk e përdorin, veprojnë sipas Kuranit… Sheh Mehmeti ka vdekur në vitin 1947.

Në brendi të Teqesë, aty ku falet namazi, ndodhet biblioteka e Sheh Mehmetit, me libra të vjetër deri 700 vjeçarë, të shkruar në gjuhën arabe, turke (osmane), perse dhe frënge, si dhe dorëshkrime që ende nuk janë zbuluar, edhe pse nuk janë të ndaluara për askënd – thuhet në këtë shtëpi kulti. Vijnë njerëz të interesuar nga Turqia e nga tërë Evropa.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime.

Bastardët që e fyen Gjergj Kastriotin nuk janë shqiptarë!

Gani Mehmetaj

Bardhyl Mahmuti në rrjetin social, shkruajnë disa portale shqipfolëse, i paska fyer shqiptarët myslimanë. Gënjejnë portalet. Bardhyl Mahmuti me asnjë rresht nuk i ka fyer shqiptarët myslimanë, as ua ka përmendur fare kombësinë, duke e ditur se maskarenjtë që e shajnë Skënderbeun nuk janë shqiptarë. Ai i shau shqip kopilat (bastardët) e osmanëve e sllavëve që e fyejnë Gjergj Kastriotin.

Kopeja e shqipfolësve që e fyejnë heroin tonë kombëtar nuk është e madhe, mirëpo janë të pacipë, agresivë, shpifës, banalë dhe me tru të shpërlarë. Janë turma më e mjerë dhe më fatkeqe në faqen e dheu, por që mjerimin e tyre nuk e perceptojnë, as nuk e përjetojnë, sepse i kanë bërë synet në tru. Prandaj s’kanë tru, ndërsa kërkesat e stomakut ua errësojnë arsyen. Ata s’kanë identitet kombëtar, s’kanë fe as atdhe, janë nomadë që bredhin pesëqind vjet nëpër këto troje. Pjesa tjetër edhe kur janë shqiptarë duke dëshiruar t’ua bëjnë qefin turqve, janë servil e shpirt skllavi, janë mendjefyçkë, janë hiq që e ndotin tokën shqiptare.

Një hoxhe që vehabistët, e sollën në dinë e në iman, e bënë myslimanë të egër me dajak , duke ia bërë më të butë shpinën se barkun, thotë se Skënderbeu nuk është heroi i tij kombëtar. Kush qenka atëherë heroit i tij kombëtar? Milosheviqi e Sulltan Murati.

Pse nuk qenka Gjergj Kastrioti heroi kombëtar i këtij hoxhe shqipfolës? Sepse paska vrarë myslimanë! Hoxhallarët injorantë e të të paarsimuar nuk e dinë ose nuk duan ta dinë se mbreti i arbërorëve me ushtrinë e tij të gjithë ata që i vrau ishin myslimanë turq, arabë, azerë, turkmenë e dreqër të tjerë, që me yll e më hënë si simbol të krimeve të tyre e sulmuan Shqipërinë. Gjergj Kastrioti po të mos i vriste a dëbonte në Azi të Vogël këta myslimanë turq, do të bënte tradhti. Prandaj është heroi ynë kombëtar, sepse i vrau dhe i mundi 25 vjet turqit myslimanë me ushtrinë e tyre që erdhën nga Azia e Vogël.

Prandaj Bardhyl Mahmuti shau shqip nga zemërplasja, i vetëdijshëm së sharësit e fyesit e Gjergj Kastriotit në Maqedoni, qeveria sllave nuk do t’i ndëshkoj as nuk do t’i ndaloj. Përkundrazi do t’i ndërsej e shpërblej.

Tre libra që mund ti lexoni gjatë janarit

Janari ka nisur tash e disa ditë por nuk është kurrë vonë të niset leximi i një libri.

Energjia është mëse e pranishme në fillim të këtij viti dhe për ata që duan të lexojnë, kjo është një periudhë e vitit kur me shiun jashtë dritares, me kohën e ftohtë dhe me nxehtësinë brenda shtëpive, do të mund të lexohet me ëndje e me kërshëri.

KultPlus po i sjellë për lexuesin tre libra, në gjuhën shqipe, të cilët do të mund ti lexoni këtë muaj, ose së paku të nisni e të nxeheni me emocione letrare. Tre propozimet tona janë ndjesi të ndryshme letrare, nga Rusia e ftohtë e deri te fjalët e këshillat që na duhen për jetë nga Gibrani

Net të bardha – Dostojevski
Dy të rinj takohen krejt rastësisht. Djali është një ëndërrues ndërsa Nastjenka është një bukuroshe e cila gjendet rastësisht në një trekëndësh dashurie. Një libër që mund të lexohet në një frymë, “Net të Bardha” është shkruar nga një prej mendjeve më gjeniale të Rusisë. Ngjarja zhvillohet për katër net e një mëngjes, në Shën Petërsburg. Një narrator fantastik, Dostojevski në rreth 100 faqe tregon për një dashuri që është gati të lindë, e nuk arrin të ketë jetë. Tregimi në vetën e parë është i magjishëm, ndërsa është fat që një novelë të tillë e kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Këngë e ëmbël – Leila Slimani
Një familje merr një dado për fëmijët e tyre. Një dado perfekte gati gati, por në një libër si ky gjithmonë ekziston një “POR…”. Leila është një shkrimtare e re në jetën franceze, por ka ditur të godasë në këtë rrëfim të sajin. Mjerimi social, dy fëmijë, lodrat, Dadoja Luizë, Miriami si nënë që provon të mbajë gjallë jetën e saj dhe ta kontrollojë në të gjitha aspektet, vijnë në librin e përkthyer në shqip nga Urim Nerguti. Madje, ndodhë edhe krimi.

Profeti – Khalil Gibran
Poeti libanez Khalil Gibran tashmë është përkthyer në 40 gjuhë e padyshim vepra e tij më e njohur është “Profeti”. Libri është i konstruktuar në 26 proza poetike që flasin për çështjet kryesore të jetës së njeriut: Punën, Dashurinë, Martesën, Veshjen, Tregtinë, Kohën, Harenë, Dhimbjen, e të tjera. Profeti është pëlqyer në të gjithë botën. Përmban thëniet e një profeti të dhëna në formën e bisedave që ai bën me njerëz të ndryshëm. “Çfarë është Martesa, mjeshtër? / E ai iu përgjigj duke thënë: / Ju keni lindur bashkë dhe bashkë do të jeni gjithmonë / Do të jeni bashkë kur flatrat e bardha të vdekjes do t’i përzënë ditët tuaja / E bashkë në kujtesën e heshtur të Zotit”. Janari është muaji i parë i vitit dhe këshillohet që viti të niset me këshillat dhe me poetikën e fjalëve të Gibranit. / KultPlus.com

Requiem

Poezi nga Bardhyl Londo.

Pasi i hëngrën të gjitha banketet,
Pasi i shijuan të gjitha presidiumet,
Pasi i morën të gjithë çmimet, të gjithë titujt,
Pasi i bënë të gjitha udhëtimet jashtë shtetit,
Befas një mëngjes folën krejt ndryshe:
Atë që kemi puthur, ta pështyjmë tani.

Dhe zgjatën duart prapë drejt banketeve, çmimeve,
titujve, udhëtimeve…
Rituali i ripërtypjes filloi në remaxhor:
përtyppështy, pështypërtyp…

Zoti të ruajt, demokraci!

Haradinaj dhe Rama bisedojnë rreth organizimeve për Vitin e Skënderbeut

Kryeministri i Kosovës- Ramush Haradinaj, i cili është duke qëndruar për një vizitë në Shqipëri është takuar sot me homologun e tij – Edi Rama.

Haradinaj ka postuar një foto në llogarinë e tij në Facebook së bashku me Ramën ku shihen të buzëqeshur dhe duar shtrënguar.

“Gjithmonë kënaqësi ta takoj kryeministrin Edi Rama dhe të bashkëbisedojmë për temat me interes nacional dhe zhvillimor për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndër tjerash Haradinaj ka treguar se gjatë takimit me Ramën kanë biseduar për zhvillimet politike në rajon dhe organizimet për vitin kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Në kuadër të takimit, biseduam edhe për zhvillimet politike në rajon dhe për aktivitetet që do të organizohen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka përfunduar Haradinaj. / KultPlus.com

Përdoren gabimisht fotografitë e shqiptarëve që largohen me anije për në Itali

Fotografia e famshme e vitit 1991 kur mijëra shqiptarë largoheshin me anije për në Itali ka ushqyer edhe më shumë stigmën e krijuar për refugjatët.

Dhe kjo, është e vërtetë për gazetarin turk Gulin Cavus, i cili në një artikull ka treguar se si fotografi të ndryshme që kanë qarkulluar nëpër botë, janë lajme artificiale dhe vetëm sa e kanë forcuar racizmin sidomos në krahasim me refugjatët.

Gazetari i cili ka shkruar për Observers në Francë, tregon se fotografia e famshme e shqiptarëve është përdorur gabimisht në rreth 160 raste, ndërsa është përhapur me përshkrimin se “këta janë refugjatët nga Afrika që po vijnë në Evropë”.

Portali Riposte Laique e ka përdorur fotografinë si të ishte e realizuar viteve të fundit. Partia REFORM MOVEMENT në Belgjikë po ashtu e ka marrë fotografinë si një valë e refugjatëve nga Afrika. Zëvendës-ministri i Senatit Italian poashtu. Por të gjithë kanë rënë pre e lajmit të gabuar, shkruan KultPlus.

Fotografitë e shkrepura janë të vitit 1991 kur shqiptarët po largoheshin nga vendi për shkak të mungesës së ushqimit dhe një mundësie të fillimit të luftës asokohe.

Gazetari turk në fakt ka analizuar edhe fotografi të tjera të cilat qarkullojnë në internet në kontekst të gabueshëm.

Një fotografi me 16 gra që u tha se janë sulmuar nga refugjatët në Gjermani, doli të jetë e gabuar.

Asnjëra nga këto gra nuk është gjermane, ndërsa fotografitë vijnë nga Anglia dhe Amerika dhe këto janë gra të cilat janë viktima të dhunës në familje.

Shembuj të tjerë janë të pafund se si lajmet e ndryshme në internet po përdoren për të nxitur urrejtje ndaj grupeve të caktuara, dhe janë informacione të gabueshme. / KultPlus.com

Studentët protestojnë me këngë para Rektoratit të UP-së (VIDEO)

Para rektoratit të UP-së sot janë mbledhur studentët të cilët kanë shpalosur kërkesat e tyre kundër uljes së bursës, ndërsa përveç kësaj, studentët këtë aktivitet e kanë vazhduar edhe me këngë, përmes të cilave kanë tentuar të përçojnë një mesazh të fuqishëm, shkruan KultPlus.

Shkumbin Bytyqi nga organizata “Reforma Studentore”, ka thënë në këtë protestë se kërkojnë nga Këshilli Drejtues i UP-së, që ta shqyrtojnë kërkesën e tyre dhe të studentëve për rritje të bursës studentore. Më pas ai ua la radhën studentëve të Arteve të Bukura nga Departamenti i Muzikës të cilët përcollën këtë protestë me këngë, të cilat konsiderohen më revolucionare, dhe bëjnë thirrje për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Të mbledhur së bashku ata filluan dukë kënduar tekstin e fuqishëm të këngës “Amaneti i Clownit” të grupit Troja. Duke qenë se në qendër të këtyre muzikantëve të rinj ishte këngëtarja e re, Albina Kelmendi, ata kënduan edhe një pjesë të këngës “Ëndrrën mos ma merr”, për të vazhduar me këngën e Jerichos “Zgjohu”./ KultPlus.com

Kur e kujtoj babën…

Shkruan Migjen Kelmendi.

Kur e kujtoj baben, ajo qe me ban me mendue asht ku e ka burimin kreativiteti: ne talent apo ne nxanje?

Talenti a asht i lindun apo asht i nxanun? Msohet?

Ne familjen tone para Ramizit nuk kishim njerez te shkolluem. Kishim njerez qe kane dijte me fitue dhe me mbijetue.

Ramizi, baba jem, me 15 vjet, ne vitin 1945, e shkruen nji poezi fatale per lirine dhe e boton fletushken “Drita e Lirise” me grupin patriotik te Pejes, e cila u shpall antijugosllave edhe antikomuniste.

Ishte grupi qe po gjykohej bashke me Marije Shllakun dhe bashkeluftaret e saj per idene e bashkimit te Kosoves me Shqipnine mbas Luftes se Dyte Botnore.

Ali Shukrija, prokurori qe po i gjykonte, nuk ka besue se ate vjershe mundet me shkrue nji djal rugovci me 15 vjet. Ishte koha kur ne Kosove 95 perqind e popullates ishte analfabete. Ali Shukrija kerkon prej Ramizit ne gjykimin publik qe u mbajt ne Prizren, me pranue se poezine e ka shkrue mesuesi i tij Isak Çavolli, sepse donin me e burgos per idete e tij. Por Ramizi kambengul se e ka shkrue ai.

Nuk vonoi dhe fakti se Ramizi shkruen dhe shkruen bukur u deshmue me krejt karrieren e tij, e cila filloi me fletushken antikomuniste “Drita e Lirise” dhe perfundoi me nji opus letrar pa te cilin nuk kuptohet Kosova e mbas Luftes se Dyte Botnore, e as kryeqyteti i saj – Prishtina.

E tha per bukuri shkrimtarja Natasha Lako, qe Ramiz Kelmendi ishte “njeri i kryeqyteteve”. Themelues i Prishtines kryeqytet, bashke me krejt gjeneraten e tij, sepse asht kultura, fryma ajo qe nji qytet e ban me qene kryeqytet.

Ky gjykim ne Prizren, ku u dhane edhe denime me vdekje ndaj Marijes dhe bashkeluftareve te saj, dhe burg per krejt grupin e Pejes, diqysh e ban Ramizin me u formue nen hijen e ndjekjes. Ai shkruente a thue se çdo çast dikush mundet me e kerkue dhe me e burgos. Ndoshta kjo edhe e ka ba me pase nji opus letrar aq te begate.

Ai ishte pak i preokupuem me ndjekjen, me ndjeksit…me ata ‘shtate persona qe e ndjekin autorin’. I mendonte te shemtuem, agjenta, qe gjithmone e survejojne, qe e dijne çka o ka ban.

Kur mbas shume vjete i kam kallxue se nji nga ata qe e kane ndjeke dhe e kane ‘mbulue’ nuk ka qene i shemtuem e as serb, po ka qene miku i tij ma i afert, “esmer”, ai nuk e besonte ne fillim. Ja kishin thane edhe tjeret, por ai nuk donte me besue. U zhgenjye shume, por nuk e nderpreu komunikimin me te.

Dhe ketu vijme te ajo qe Ramizin e ka dallue: intelegjenca e tij emocionale.

Ai i ka dasht njerezit. Ka besue ne ta. Depertonte lehte ne zemrat e tyne, ne intimitet. Nuk e ka pase per zor me jau thane fjalet e mira. Ndoshta i zhveshun nga ambiciet politike, ai i shihte njerezit nga ana e tyne e mire…nuk i interesonte kafsha politike mbrenda tyne. Prandaj edhe ata e donin.

Ai i shprehte emocionet, nuk ka dijte me i mshef…

Aq i dalluem u ba ne fjalet e tij te mira sa e ftojshin me i thane fjalet e fundit ne vdekjen e miqve te tij, te cilat familjet i ruejn edhe sot e kesaj dite. Ai dinte me ta thane fjalen e mire. Fjalen e dashtun. Fjalen e respektit. Diçka kaq e rralle sot.

Nji mik i tij tha me nji moment, kaq bukur po i shkruen Ramizi fjalet e fundit, sa po kam deshire me vdeke, qe Ramizi me m’i thane fjalet e fundit.

Dhe nese ka nji fjale qe e perkufizon Ramizin asht fjala – dashni!

Ne familje, sot mbas 1 viti prejse nuk asht me ne, jemi plot mall e kujtime, jemi te lumtun qe ishte i joni, dhe krenar qe sot i takon te gjitheve.

Gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë në Qeverinë e Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.

Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare, shkruan koha.net Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.
Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare./ KultPlus.com

Meryl Streep nuk i kujtohen 20 filmat në të cilët është nominuar për Oscar (VIDEO)

Meryl Streep është aktorja më e nominuar e të gjitha kohërave për çmimin e madh Oscar. Nga 20 nominimet ajo ka fituar tri herë – për filmin Kramer vs Kramer, dhe aktorja më e mirë për filmin Sophie’s choice dhe The Iron Lady, përcjellë KultPlus.

Aktorja e njohur Meryl Streep, e cila ka qenë e ftuara e Jimmy Kimmel, është vënë nga ky i fundit në një test mjaft të vështirë, të cilin nëse do ta realizonte me sukses do të fitonte një Oscar shtesë nga moderatori.

Ajo ka pasur gjithsej gjashtëdhjetë sekonda në dispozicion për të përmendur 20 filmat në të cilët është nominuar për çmimin e madh Oscar. Derisa aktorja ka filluar mirë duke numëruar pesë filmat e saj, ajo ka ngecur më pas kur ka kuptuar se ajo nuk ka marr ndonjë çmim për filmin A Cry in the Dark./ KultPlus.com