Britania dëgjoi muzikë në shifra rekorde, Dua Lipa në mesin e tyre

Fansat e muzikës në Britani të Madhe më shumë se kurrë më parë kanë dëgjuar muzikë online gjatë 2017, në total 68.1 miliardë klikime të këngëve, raporton BBC.

Në mesin e yjeve të rinj që u klikuan mjaft shumë ishte edhe ylli shqiptar, Dua Lipa, që së bashku me Stormzy, Harry Styles dhe J Hus arritën mbi 100 mijë shitje të albumit, transmeton Koha.net.

Për shitje më të madhe të albumit dhe transmetimit të këngëve prin ylli Ed Sheeran, që pati katër nga top 10 hitet më të mëdha në botë.

Albumi i parë i Dua Lipës ishte në top 50 edhe të “Billboard”, që e renditi në vendin e 43./ KultPlus.com

Lasgush Poradeci dhe Eqrem Çabej bëjnë zhurmë në restorant

Marie Lasgush Poradeci

Ishin të dy me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në guxhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëqente shumë ushqimi aty.

Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe here pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klintët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë. I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal.

Mali i Tomorrit u vizitua nga 160 mijë turistë (FOTO)

Mali i Tomorrit bën pjesë në Parkun Kombëtar me të njëjtin emër.

Për vitin 2017, në këtë park janë futur rreth 160 mijë turistë vendas e të huaj të cilët kanë vizituar edhe qytetin e Beratit.

Ky është një numër i konsiderueshëm për një Park Natyrorë që kërkon aftësi fizike të veçantë për ta eksploruar për shkak të terrenit të tij malor dhe të vështirë në rrugë kalime.

Mali i Tomorrit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.

Edhe këtë fillimvit,nuk kanë munguar ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurier të rafftingut në kanionet e Osumit.

Ecjet në këmbë dhe me motorra në shtigjet e hapura posaçërisht për vizitorët turistik vendas e të huaj, e kanë bërë më të lehtë orientimin dhe ngjitjen në lartësitë e vështira të këtij mali mitik.

Parku Kombëtar i Tomorrit ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit.

Nga Administra e këtij parku raportohet se numri i vizitorëve në 2017 ka qenë rreth 170 mijë vizitorë dhe nga këta rreth 20 mijë kanë qenë turistë të huaj, kryesisht nga vendet nordike.

Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë, egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij.

Aty mbretëronte sipas mitologjisë Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës.

Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo.

Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje. / KultPlus.com

“Ajo më ishte e vetmja shpresë…” nga Grupi Humus (VIDEO)

Me këto fjalë nisë refreni i këngës “Asaj” kënduar nga Grupi Humus.

Sonte po sjellim pak kujtime nga grupi në fjalë, i cili na ka sjellë disa këngë të cilat i dëgjojmë edhe sot dhe kujtojmë kohën kur jeta ishte më ndryshe, e ndoshta edhe muzika dhe emocioni që vinte prej saj.
HUMUS vijnë nga Prishtina, ndërsa janë formuar në vitin 2002. Nuk ka shumë informacione rreth grupit por megjithatë, refrenin si ai i këngës “Humus” e kemi të njohur për veshin, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=Vj7nxQUt6kc

Grupi ka qenë ndër më të mirët e kohës kur ka qenë pjesë e muzikës, me zhanrin rock-alternative por edhe me këngët më të qeta në formën e baladave.

Pjesë e grupit kanë qenë Adnan Dragaj, Nderim Ramadani, Blerim Azizi dhe Patriot Neziri, ndërsa mes këngëve tjera të njohura dhe të dëgjuara janë edhe “Ninulla”, “Ameba” e “Dyfishohem”. / KultPlus.com

Ditari i Drita Çomos, 31 dhjetor 1977

DRITA ÇOMO – DITAR

E shtunë, 31 Dhjetor 1977

Nata e Vitit të Ri. Ora 2:20. Radioja transmeton muzikë. Kudo është qetësi dhe trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë. Mami u shtri dhe gati e ka zënë gjumi. Ndërsa mua nuk më flihet. Sa njerëz në botë janë zgjuar në këto çaste. Kushedi. Njerëzit festojnë me kaq zhurmë largimin e një viti. Gëzohen. Iku edhe një vit. Po ç’ka këtu për tu gëzuar. Apo njerëzit shpresojnë se Viti i Ri do të jetë më i mirë me ta. Shpresojnë… Kurse unë ndiej një si frikë kur mendoj; kanë ikur kaq shumë vjet, është viti i njëzetë që jetoj dhe nuk kam bërë asgjë, të duket si ëndërr. Po ç’mund të bësh? Po njerëzit e tjerë ç’bëjnë? Përse jetojnë? Rriten, martohen, bëjnë fëmijë, përpiqen, luftojnë, plaken. Po përse të gjitha këto? Sivjet më duket se nuk shkruajta asnjë kartolinë. Nuk di ç’të shkruash. E ç’duhen ca urime banale, standarte, me ca rreshta sentimentale, pa asnjë lidhje me jetën. Megjithatë, njerëzit e duan kaq shumë festën. Edhe unë e dua. Jeta ka nevojë për festa, për gëzim. Edhe ne e festuam VItin e Ri. Çdo gjë duket e qetë në sipërfaqe, bile mundohesh ta bindësh edhe veten se po gëzohesh; ç’hipokrizi! Kurse në shpirt ke kaq shumë trishtim. Babai dhe daja sigurisht tani flenë. Na kanë kujtuar në mbrëmje, e kanë festuar edhe ata në njëfarë mënyre dhe tani flenë. Ndërsa Agroni as që dihet se ku është.
Edhe ti mbase më ke kujtuar. Po në mënyrën tënde. Në botë bashkëjetojnë gjëra kaq të kundërta. Kjo është e pamundur.

“Sa të marrësh frymë shpreso.” Lamartin

Se ç’mund të kemi tjetër veç Shpresës? Dhe si mund të jetonim pa të?

“Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, premiera e parë e këtij viti në teatër

“Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vepra e shkruar nga Ferdinand Hysi nën regjinë e Elma Dorezit, do të vijë premierë më 13 janar në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në role kryesore do të interpretojnë aktorët Sokol Angjeli Bujar Asqeriu, Ola Harizaj Dritan Borici, Rajmonda Bulku , Klod Hoxha, Devis Muka dhe Klea Huta.

Kostumografia është nga Laedia Hajdari ndërsa skenograf Drini Shehu. Nën muzikën e Elgid Doda kjo komedi pritet të sjellë përmes luftën e përjetshme mes të vjetrës dhe të resë për të sjellë ndryshimin. Prej kohësh regjisorja ka nisur provat për ta sjellë këtë vepër si premierën e parë për këtë vit në skenën e Teatrit. E shkruar me stil nga Hysi, vepra mbart karaktere dhe një humor elegant. Vepra mbart aktualitet një cilësi e njohur e dramaturgut Hysi.

Përmes një subjekti që i flet realitetit kjo vepër synon të prekë publikun përmes temave të ndjeshme që trajton. Kjo komedi solli emocione dhe gjatë netëve të leximit të dramës shqipe, nga ku dhe u seleksionua për tu ngjitur më pas në skenë, nën titullin “Kompleksi i Edipit”.. Dramaturgu Hysi për zanafillën e kësaj drame, është shprehur se, gjithçka nis nga një barsoletë me tre zarfe.

“Në një institucion të rëndësishëm zëvendësohet drejtori. Ish- drejtori shkon te drejtori i ri dhe në momentin, që do të largohet i thotë: ‘Të kam lënë tre zarfe, kur të kesh vështirësi hapi njëri pas tjetrit me radhë’. Pas disa muajsh, kur drejtuesi nuk po ia dilte dot hapi zarfin dhe lexoi atë që shkruhej në të: ‘Hidhja fajin atij që ishte para teje’. Kështu drejtori aktual nisi të thotë se fajet i kishte drejtori paraardhës, që i la situatën në atë gjendje. Por, as me fajësimin e drejtorit të parë nuk zgjidh dot gjë. Prandaj, pas dy muajsh hap zarfin e dytë, në të cilin ishte shkruar:

‘Bëj një autokritik dhe shtyje dhe për pak kohë’.Ndërsa, zarfi i tretë ishte për drejtorin që do të vinte! Hysi është marrë vetëm me zarfin e parë, ku pas drejtuesit që është ndarë nga jeta, vendin e tij e zë një tjetër. Dramaturgu rrëfen se e ka shkruar këtë vepër, duke u nisur nga predispozita, që ky drejtues ka dëshirë për të bërë diçka. Por çfarë ndodh në vepër? “Ndodh që drejtuesi i parë, i cili është ndarë nga jeta, e që tashmë ka mbetur veçse në një portret, ‘zbret’ nga portreti dhe i drejtohet drejtuesit aktual duke i thënë: ‘Unë për ty nuk kam vdekur! Unë jam këtu i gjallë!”. I gjithë teksti i dramës zhvillohet në këtë linjë, ku ish- drejtuesi vazhdon që të jetën nëpër këmbë dhe firmos e vepron kudo.

“Pra edhe drejtuesi aktual nuk bën asgjë ndryshe nga ai i pari”. Kështu shtyhen disa vite me drejtuesin që iku, por nuk shohim se çfarë bën drejtuesi aktual. Nga kjo situatë përfitojnë, edhe ata që mbahen pas pushtetit, me servilizëm. “Familja futet në mes, prandaj siç Edipi kishte frikë nga i ati, për shkak të mëkatit që kishte bërë, dhe drejtuesit kanë frikë nga mëkati, që kanë bërë karshi pushtetit dhe njerëzve”. Këtu del në pah dhe paaftësia e drejtuesit aktual. Nuk është hera e parë që regjisorja Dorezi bashkëpunon me dramaturgun Hysi. / KultPlus.com

Hoteli “Union”, aty ku u fol për heqjen e çarçafit

Hoteli “Union”, objekt ky i bukur i Prishtinës, që me pamjen dhe pozitën e tij i jepte një pasqyrë dekorative qytetit, është ndërtuar në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, projektuar nga një arkitekt austriak. Fillimisht do të funksionojë si hotel “Pallas”, mirëpo më pastaj do të ndërrojë disa funksione. Si është ndërtuar ky objekt, kush e ka shfrytëzuar, mësojmë nga vendësi Sabit Haxhikurteshi:

– Unioni ka qenë kafene e njëfarë Çika Zakos, kështu i thoshim, ai e pati nisur ndërtimin e me kredi, mirëpo, nuk arriti ta kryente, kështu që e morën dhe e përfunduan kredidhënësit. Në atë kafene nuk ka mund të hynte gjithkush dhe dosido i veshur, ose pa kravatë. Shkonin efenditë e qytetit, nga tanët mund të hynin 5-6 veta. Në mbrëmje kishte muzikës, shkruan KultPlus.

Kur erdhën gjermanët, më 1941, Malush Kosova u kthye nga Shqipëria dhe e morri “Unionin”, si kafene. Po nuk i eci puna dhe e bëri kinema, që njihej si Kinemaja e Malush Kosovës. Edhe Abdurrahman Shala e ka pasur kinemanë e tij, ai e hapi më vonë, më 1943. Malushi, sipas prishtinasit Rexhep Abdullahu, ishte një njeri i pasur. E shquante veshja dhe sjellja e tij në stilin perëndimor.

Veçse kur jemi te “Unioni”, ta përmendim edhe një të dhënë, që tregon se pikërisht në atë lokal, në vitin 1947, është mbajtur Konferenca, dedikuar heqjes së çarçafit.

– Unë vetë kam qenë i pranishëm aty, sikurse edhe shumë prishtinas të tjerë, tregon z.Sabit. Shpesh më bie ndër mend kjo. Çështja e heqjes së çarçafit zgjati deri në vitin 1950.

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Prishtinë

Poezi e shkruar nga Çun Lajçi.

Asgjë s’të dhashë
E shumë t’mora,
Vjedha kujtimet
Që si ruajte ti.
At urën e drurit
Prapa Teatrit
Plepat e gjatë
E përrockë Vellushën,
Ribli restorantin
Ku Rexho Mulliqi
E “baresha”pinin raki!
Kafè Nitën e vogël
E hotel Beligradin,
Bozhur e Union
Që u rrinin karrshi.
Taxi pajtonët
Me kuaj të dalldisur,
E pishinën e vogël
Ku lahesha si i ri!
…………………………
Aq shumë të deshta
Sa ta fala rininë
E sa fortë m’harrove
I humbur mbeta
Rrugëve tua Prishtinë!!!

17.03.2015

Gjeorgjiani legjendar që e luajti rolin e Skënderbeut

Aktori gjeorgjian është ndoshta ndër fytyrat më të njohura në kinematografinë e këtij shteti.

Një shtet jo fort i njohur në Evropë, Gjeorgjia është vendlindja e Akaki Khorava, aktorit i cili ka portretizuar Skënderbeun në filmin e famshëm të vitit 1954 – “The Great Warrior Skanderbeg”.

Khorava ka lindur më 1895 ndërsa ndërroi jetë në qershor të vitit 1972. Ai ka luajtur në rreth 15-të filma.
Gjeorgjiani ka luajtur edhe në teatër dhe është konsideruar e konsiderohet si mjeshtri më i madh i Gjeorgjisë në artin dramatik. Ai ishte themelues i Teatrit Shota Rustaveli dhe ishte njëri ndër themeluesit e Shoqërisë Teatrore Gjeorgjiane, në vitin 1945, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=EznfJnLhpFU

Para se ti ofrohej roli i Skënderbeut, ai studioi në Kiev të Ukrainës, ka luajtur edhe Othellon dhe Laertin e Shekspirit.

Khorava është fitues i pesëfishtë i cmimit shtetëror të USSR – në vitin 1943, 1946 (dy herë) 1943 dhe në vitin 1951.

Në filmin ku ai luajti Skënderbeun, pati për krah Besa Imamin në rolin e Donikës dhe Adivie Alibalin në rolin e Mamicës. / KultPlus.com

Balerini Eno Peçi mahnitë me paraqitjen në ‘Trëndafilat e jugut’

Dirigjenti që drejtoi Orkestrën e Filarmonisë se Vjenës këtë vit ishte Rikardo Mutti, italiani që ngjitet për të pestën herë në pultin e dirigjentit të Koncertit më të famshëm në botë.

Programi përmbante valse të njohura të dinastisë Shtraus, nga Johan ati, Johan Biri dhe Jozef Shtraus, si edhe një uverturë nga Franz Von Zyppe.

Temat ishin nga më të larmishmet, që nga valset e brishta romantike, valset homazh për fshatin dhe qytetin deri tek polkat e shpejta dhe dramatike.

Gjatë interpretimit të orkestrës u transmetuan edhe imazhe nga Biblioteka Kombëtare e Vjenës në Pallatin Perandorak, ku pamë edhe dorëshkrime të vjetra prej 650 vjetësh, si edhe punime porcelani nga artizanet vjeneze 300 vjet para, pyjet dhe rezidencat perandorake rreth Vjenës etj.

Në pauzën mes dy pjesëve u transmetua një reportazh që tregonte Vjenën moderne nga viti 1918 deri më 2018-n. Trupa e Baletit Shtetëror të Vjenës shoqëroi disa nga valset.

“Trëndafilat e jugut” ishte valsi më i gjatë që u luajt nga kërcimtarët e Baletit Shtetëror të Vjenës, në ambientet magjike të vilave perandorake, ku në rolin kryesor interpretoi balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi.

Së fundmi orkestra interpretoi valsin “Danubi i bukur”, duke na dhënë njëkohësisht pamje të lumit Danub, pyjeve dhe fushave përgjatë të koloritit të stinës së Vjeshtës dhe bardhësinë e dimrit.

Koncerti u mbyll me “Marshin e Radeckut”, i shoqëruar edhe me duartrokitjet e publikut entuziast që kishte tejmbushur sallën.

Johann Sattler, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri, ka vlerësuar me superlativa balerinin shqiptar Eno Peçi. Solisti i parë i Operës Shtetërore të Vjenës prej 15 vjetësh, Peçi performon në koncertin e Vitit të Ri.

Ambasadori Sattler është shprehur i emocionuar në rrjetin social Twitter për rolin e balerinit shqiptar në koncertin e madh vjenez duke u shprehur me këto fjalë “Pra, cili është kontributi i shqiptarëve në koncertin e Vitit të Ri në Vjenë? I jashtëzakonshmi Eno Peçi i Baletit e Operës Shtetërore…” -përgjigjet po vet ambasadori i Austrisë. / KultPlus.com

Ish-jugosllavë

Poezi nga IZET SARAJLIC / Përktheu Elida Buçpapaj

Ish-jugosllavë
Për Mustafa Cengicnek
Ne jemi
ish Jugosllavë
subjekt për zhdukje
nga një tendosje e ish
Ushtrisë jugosllave.

TA MBIJETOSH TË GJITHË KËTË

Për Zija Kafedžić

Ta mbijetosh të gjithë këtë—
përveç këtyre vargjeve
dymbëdhjetë, pesëmbëdhjetë njerëz më kanë ndihmuar mua,
njerëzit e zakonshëm,
shenjtorët e Sarajevës,
që para luftës unë gati nuk i njihja.

Shteti gjithashtu tregoi një lloj kuptimi
në mjerimin tim,
por sa here që i trokisja në derë,
Nuk ishte i gatshëm të më priste—
ishte ose në Gjenevë
ose në New York. / KultPlus.com

Letra e Dritëro Agollit në një Vit të Ri: Të jetosh është heroizëm; mund të vdesësh edhe në fillim të jetës

E bija e shkrimtarit të madh Dritëro Agollit ka pritur fundvitin e parë pa babanë e saj. Megjithatë ajo e rrethuar me trashëgimin e tij artistike, ka ndarë disa shënime nga ditari i shkrimtarit, ku kishte shkruar për ndjesitë e tij në Vitin e Ri të 2009-së, shkruan KultPlus.

“Shënime në kapërcyell të viteve nga ati im, shënime që për mua frymojnë”, ka shkruar Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar.

KultPlus, ju sjellë shënimet e autorit të madh shqiptar, i cili në atë fillimvit i rrethuar me nipin dhe mbesën, ai ndihej si një plak i Vitit të Ri.

Viti 2009. Arrita deri këtu dhe jam një hero, se mund të mos e kisha arritur. Të jetosh është heroizëm; mund të vdesësh edhe në fillim të jetës, duke mbledhur lule dhe duke ditur se ç’janë fishekët. Ndaj unë në këtë ditë të Vitit të Ri luaj me Emilin dhe Drisartën, bëhem si plak i Vitit të Ri, duke vënë një mjekër dhe mustaqe. Në fakt mjekrën ma vënë Emili dhe Drisarta, dy engjëj të vërtetë.
Sadija krah meje shikon me një fytyrë të mallëngjyer e të përvuajtur plot trishtim e dashuri. Ajo e ndjen se këtij plaku, mua, po i vjen fundi. E kuptueshme. Shumëzimi i viteve është shkurtimi i ditëve të pleqve. Ja, unë i telefonova Arqile Aleksit, që ka qenë me mua gazetar në “Zërin e Popullit” në fund të viteve 50-të dhe në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Ja dëgjova zërin sikur i vinte nga një botë tjetër. “E hëngrëm edhe këtë gjeldeti”- më tha.

Kishte të drejtë. Ne hanim gjelat e detit në shekullin e 20-të, por nuk thoshim: “E hëngrëm dhe këtë vit”. Ishim të rinj./ KultPlus.com

Parisi, vendlindja

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Paris, maj 1981

Eurodram, hapë thirrje për drama në gjuhën shqipe

Komiteti Shqiptar i Eurodram, publikon thirrje të hapur për drama në gjuhën shqipe, për vitin 2018. Afati i fundit është 20 janar 2018.

Eurodram është rrjet Europian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që tua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor. Komiteti shqiptar i EURODRAM-it koordinohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë (www.qendra.org)

Për këtë sezon, 2017- 18, komiteti shqiptar është i ngarkuar që të përzgjedhë drama nga autorët shqiptar, të shkruara në këto 5 vitet e fundit. Dramat, jo domosdoshmërish duhet të kenë qenë të inskenuara apo botuara më përpara. Përjashtohen dramat të cilat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të EURODRAM-it.

Dramat mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët etj. në këtë e-mail adresë më poshtë, me titullin: EURODRAM 2018:
[email protected]

Propozimet duhet të përfshijnë dramën e plotë, një përmbledhje të shkurtër të dramës (synopsis), një biografi të shkurt të dramaturgut/es, një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.
Përzgjidhet e tri dramave më të mira nuk nënkuptojnë pagesë.

Megjithatë, përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokal e ndërkombëtar për ta vënë në skenë apo botuar dramën.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 20 janar 2018.

Komiteti shqiptar i EURODRAM-it:
http://www.sildav.org/component/content/article/288
Për më shumë rreth EURODRAM:
http://www.sildav.org/component/content/article/479

“Pse je idhnu”, kur Hanife Sejfulla Reçani i këndonte dashurisë (VIDEO)

Këngëtarja Hanife Sejfulla Reçani, që në repertorin e saj ka rreth 150 këngë, ishte pjesë e skenës për 50 vite radhazi, shkruan KultPlus.

Hanife Sejfulla Reçani, ndërroi jetë në nëntor të vitit 2017-të, por pas saj la një pasuri të madhe të këngëve shqipe, të cilat këndohen nga shumë këngëtarë tjerë edhe sot.

“Pse je idhnu ti me mu”, ishte një ndër këngët e dashura për adhuruesit e Hanifës, të cilën KultPlus, vendosi që sot ta risjellë në memorien e tyre. / KultPlus.com

…Kur mi qoshe letrat djalo,
shnosh e mirë që jam,
shih o djalo gjej një tjetër,
se për ty nuk jam….

Festivali Coachella sjellë në skenë Beyoncén dhe Eminem

Festivali i muzikës në Kaliforni, tashmë ka publikuar listën e emrave pjesëmarrës, në të cilën përfshihen emra të njohur si Beyonce, Eminem, The Weekend dhe dhjetëra yje të tjerë të zhanrit pop dhe rap, përcjellë KultPlus.

Festivali i njohur, i cili do të mbahet në bazat e Empire Polo Club në Indio të Kalifornisë, do të zhvillohet gjatë dy fundjavave në muajin prill, në fundjavën e parë të festivalit që do të mbahet më 13 deri më 15 prill. Fundi i dytë i Coachella do të zgjasë nga 20 deri më 22 prill.

Beyoncé është tërhequr nga skena e festivaleve dhe performancat live nga turneu i saj i “Formation”, që nga viti 2016. Ylli i R & B u tërhoq nga performancat live vitin që shkoi, pas lindjes së binjakëve Rumi dhe Sir. Ajo po kthehet në këtë festival me performancë live pas një kohë të gjatë.

Dy emrat e tjerë të njohur janë Eminem, i cili do të prezantohet me albumin e tij të rikthimit “Revival” , me të cilin ka arritur të kryesoj listat si në SHBA dhe Britani të Madhe, ashtu edhe The Weekend, i cili gjithashtu mund të ketë projekte të reja që vijnë pas albumit të tij të suksesshëm të vitit 2016.

Coachella, i cili filloi në vitin 1999, është bërë një nga festivalet më të suksesshme të muzikës amerikane. I dashur nga kreatorët dhe yjet e famshme, tradicionalisht ka tërhequr rreth 250,000 njerëz gjatë dy fundjavave të saj në luginën e Indio pranë Palm Springs./ KultPlus.com

Humori që sillte Mixha Ramë që nga vitet 85’ (VIDEO)

Mixha Ramë, ishte personazhi shumë i dashur nga publiku shqiptar. Fitim Domi aktori i lindur në Tiranë në vitin 1939, ishte ai që jetësoi personazhin e Mixhës Ramë për disa vite radhazi në televizionet shqiptare, shkruan KultPlus.

Vdekja e tij në qershor të vitit 2014-të, pikëlloi shumë adhuruesit e Mixhës Ramë, që nuk ishin të pakët.

Ai vazhdon të mbetet në kujtesën e qytetarëve shqiptar, pasi që, ishte pjesë e shumë emisioneve humoristike në Kosovë, përfshirë edhe atë “Qesh e Ngjesh”.

Fitim Domi, ka punuar edhe si redaktor përgjegjës i programit humoristik në ish-Radio Prishtinë, ndërsa kohëve të fundit ishte angazhuar si redaktor në programin kulturor-arsimor në Radio Kosovë.

Domi poashtu është dalluar edhe si këngëtar i muzikës së lehtë qytetare.

KultPlus, sot po e kujton Mixhën Ramë përmes një video humoristike./ KultPlus.com

The Economist: Pse Maqedonia ka një emër të dytë?

Për pothuajse një çerek shekull Maqedonia, pjesa më jugore e ish-Jugosllavisë është quajtur IRJM (Ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë) nga Kombet e Bashkuara, BE dhe shumë organizata të tjera.

Emri është pjesë e një çështjeje të çuditshme që ka shthurur marrëdhëniet e Maqedonisë me fqinjin e saj, Greqinë, që kur ajo u bë e pavarur në vitin 1991. Së fundmi, kanë filluar negociatat e udhëhequra nga OKB për një marrëveshje, e cila mund të ndihmoj Maqedoninë të marrë një ftesë për t’u anëtarësuar në NATO dhe për të filluar bisedimet për të hyr në BE (të dyja aktualisht janë bllokuar nga Greqia). Mungon vullneti i mirë nga të dyja anët. Radmilla Sekerinska, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë, i përshkruan bisedimet si një “mundësi të madhe” për ta zgjidhur këtë çështje, shkruan The Economist, përcjellë KultPlus.

The Economist shkruan se në disa gjuhë “Maqedonia” është emër për një sallatë frutash. Kjo për shkak se rajoni historik osman i Maqedonisë ishte i përbërë nga shumë popuj të ndryshëm. Çifutët historikisht përbenin një grup i madh në qytetin port të Selanikut. Ky rajon ishte gjithashtu shtëpi për turqit, grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët dhe sllavët e tjerë. Më pas ky rajon u nda në luftërat ballkanike të viteve 1912-13. Jugu u bë grek, një pjesë tjetër e vogël u bë bullgare dhe pjesa tjetër ishte “Serbi Jugore”. Në vitin 1944, komunistët jugosllavë vendosën që ajo të bëhej një nga gjashtë republikat e Jugosllavisë. Nëse popullata e shumicës së saj sllave dikur nuk kishte një identitet të fortë maqedonas si serbët apo kroatët, kjo filloi të ndryshoi në vitin 1991.

Kur Jugosllavia u shpërbë, Greqia bllokoi njohjen e Maqedonisë nga anëtarët e BE-së, Komunitetit Evropian. Kjo ndodhi me pretendimin e Greqisë se emri Maqedoni nënkuptonte ambicie territoriale në Maqedoninë greke. Kjo çështje nxiti me të vërtetë nacionalistët grekë. Argumentimi i tyre ishte se vetëm ata të Maqedonisë greke kishin të drejtë ta quanin veten maqedonas. Në 1995 u arrit një marrëveshje. Në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, Greqia nuk do të bllokonte Maqedoninë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare nëse ajo e quan veten IRJM. Në vitet e mëvonshme, krerët grekë ranë dakord se Maqedonia mund të përdorte emrin e saj, por vetëm me një prapashtesë, si “Maqedonia e re” ose “Maqedonia e sipërme”. Megjithëkëtë, në vitin 2008, Greqia e ndaloi NATO-n që të kërkojë nga Maqedonia që t’i bashkohet dhe ka ndaluar edhe BE-në që të hapë negociatat e pranimit. Qeveria e atëhershme populiste në Maqedoni u përgjigj me ndjenja të ngjashme nacionaliste. Kjo qeveri filloi një fushatë për të riemërtuar stadiume dhe autostrada me emrin e Aleksandërit të Madh dhe babait të tij Filipit të Maqedonisë, duke ngritur edhe statuja për ta.

Një qeveri e re maqedonase, e cila ka qenë në pushtet që nga maji dhe një qeveri greke e goditur nga sfidat ekonomike, janë më të prira që t’i përmirësojnë marrëdhëniet. Por shumë nacionalistë në të dy vendet janë të gatshëm të qetësojnë çdo marrëveshje. Pyetja më e madhe ka të bëjë me identitetin. Të dy qeveritë mund të bien dakord për një emër për Maqedoninë (“Maqedonia e re” duket më e mundshme për momentin). Por ata gjithashtu duhet përpiqen të negociojnë se a mundet BE t’u referohet shtetasve të Maqedonisë si “maqedonas”. Iniciativa Evropiane e Stabilitetit ka propozuar një rezolutë për zgjidhjeje e çështjes. Por njëherë shkroi edhe një letër ku shkruante “Duke pritur për Godotin” një shfaqje në të cilën dy miq presin përgjithmonë për dikë që do të vijë. Krejt në fund “The Economist” shkruan: Mos prisni që ai të arrijë në 2018, megjithëse edhe mund të vij./ KultPlus.com

Aktori shqiptar, pjesë e serialit të BBC-së (VIDEO)

Një aktor shqiptar bëhet pjesë e serialit më të madh dhe më të vjetër të BBC-së, “Eastenders”, që ka 33 vjet që transmetohet në gjigantin mediatik britanik.

Orli Shuka, që jeton prej 20 vjetësh në Londër, luan në episodet e transmetuar në tre ditët e para të Janarit, ndërkohë që producentët e BBC-së i kanë ofruar vazhdimin e rolit të Robertit në episodet e ardhshme, madje me aktorin kryesor të telenovelës së famshme britanike, duke filluar xhirimet në 15 Janar.

Orli Shuka, djali i aktorit të ndjerë Agim Shuka, i njohur për rolin e tij të spikatur në komedinë “Shi ne plazh”, ka një karrierë të suksesshme në kinematografinë britanike, e vështirë për të penetruar, duke luajtur në 6 filma deri më sot, si dhe në disa vepra teatrale siç ishte së fundmi në Teatrin e Manchesterit. Orli Shuke është produkt i Akademisë shqiptare të Arteve në Tiranë, përpara se të vendosej në Londër.

Orli Shuka ka luajtur gjatë karrierës së tij edhe me aktorin me famë botërore, yllin e Hollywood-it, Brad Pitt në filmin “War Machine” apo edhe në filmin Hyena-t.

Ndër filmat që ai ka luajtur janë edhe “Big Dog”, që ka fituar çmim në festivalin e filmit BFI në Londër. Orli Shuka i tha Top-Channel në Londër se “roli im në këtë telenovelë emblemë të BBC-së është padyshim roli më i madh në industrinë britanike të filmit dhe më interesanti, duke pasur parasysh shikueshmërinë e saj, një telenovelë që ndiqet në BBC nga mbi 6 milionë shikues çdo mbrëmje”./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=gMH74afcdoo

Valbona priti Vitin e Ri me bilancin 120 mijë vizitorë për vitin 2017 (VIDEO)

Pushuesit dimëror kishin mbërritur në Valbonë për të kaluar atje ndërrimin e viteve dhe për të vazhduar pushimet disa ditore.

E gjendur mes maleve të thepisur dhe ujit të lumenjve e liqeneve, Valbona është një vend ku mund të befasohesh nga natyra dhe trashëgimia kulturore. Ky ndërrim vitesh e gjeti luginën të zbardhur nga bora e përhershme.

Peizazhe shumëngjyrëshe, male të larta, lumenj, lugina, kjo është panorama që ofron malësia e Tropojës për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend që befason me kontraste natyrore dhe me kulturën e jetesës.

Vetëm këtë vit, në Luginën e Valbonës u futën rreth 120 mijë vizitor të huaj dhe vendas, thotë për ATSH Besnik Hallaci, Drejtor i Parkut Natyrorë të Tropojës.

Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e vendasve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.

Lugina e Valbones është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Kufizohet me Parkun Kombëtar te Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit” së fundmi i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e biodiversitetit.

Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Zbritjet e lumit nga Bjeshkët e Rragamit e Çeremit plot zhurmë e shkumëzim janë një impresion i veçantë për turistët. Uji është i pastër,i kthjellët,i rrëmbyeshëm dhe mjaft i tejdukshëm.

Në natyrën e larmishme, të këtij terreni mund të praktikohen të gjitha llojet e sporteve. Këtu do të gjeni borën e përjetshme edhe gjatë verës. Parku është i pasur me guva e shpella, ku njëra prej tyre është dhe shpella e Dragobisë.

Është zona më e ftohtë e vendit me dimër të gjatë e të ashpër. Në disa raste temperaturat zbresin ne – 10° C deri ne – 20°C., ndërsa vera është mjaft e freskët. Hoteleria është ajo tradicionale me ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, por së fundmi janë ngritur hotele bashkëkohorë me të gjitha komoditet. Vizitorët këtu gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka.

Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse. Lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët./ KultPlus.com

“Ater Umbra” e Memli Kelmendit botohet në Francë

Vepra “Ater Umbra” e kompozitorit Memli Kelmendi, sapo është botuar në Francë dhe tani është pjesë e albumit “Evocations” pjesë e Label “iM Les choristes aux milles couleurs”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompozitori Kelmendi, i cili poashtu ka treguar se albumi përmban gjithsej 15 vepra muzikore nga kompozitorë të ndryshëm që nga periudha e Renesancës deri tek muzika bashkëkohore.

Po sjellim shkrimin e plotë të kompozitorit Kelmendit, të bërë nëpërmjet rrjetit social Facebook:

“Vepra ime “ATER UMBRA” sapo është botuar në Francë dhe është dhe tani është pjesë e albumit “EVOCATIONS” pjesë e Label “iM Les choristes aux milles couleurs”. CD është realizuar nga EVOC Ensemble dhe është dirigjuar nga Camille Coillet-Barthés.
Albumi përmban gjithsejt 15 vepra muzikore nga kompozitorë të ndryshëm që nga periudha e Renesancës deri tek muzika bashkohore (Peter Philips, Tomas Luis de Victoria , Johann Ludëig Bach, Johann Christoph Bach, Josef Rheinberger , Pekka Kostiainen, George Shearing, John Ëinston Lennon, Christopher Chiyan Tin etj). e cila mbrohet nga © 2017 Les choristes aux milles couleurs.
Tani “Ater Umbra” dhe CD gjindet edhe në online: Amazon, Itunes, Deezer, Shazam, Highresaudio, qobuz, open.spotify etj.pra tani mund të blehet nga të gjitha vendet e botës”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Personazhet e njohura shqiptare që u larguan nga jeta në vitin 2017

Përveç ngjarjeve të shumta të gëzueshme, viti që po lëmë pas ka sjellë edhe shumë momente të hidhura, siç kanë qenë ndarjet e shumta nga jeta të artistëve, sportistëve, politikanëve dhe figurave të tjera publike shqiptare.

Një pjesë e tyre në moshë fare të re, e një pjesë në përmbyllje të karrierave të suksesshme, ja cilët kanë qenë personazhet që janë shuar përgjatë 2017-së, duke lënë pas krijimtarinë apo kontributin e tyre për Shqipërinë.

Dritëro Agolli
Një ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, u nda nga jeta më 3 shkurt në moshën 85-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në mushkëri.

Hajrie Rondo
Pasi frymëzoi me historinë e saj të luftës kundër kancerit, aktorja e mirënjohur ndërroi jetë nga e njëjta sëmundje më 9 shtator, në moshë 66-vjeçare.

Françesk Radi
Kantautori i njohur, u shua si pasojë e në hemorragjie cerebrale më 27 mars, në moshën 67-vjeçare.

Aleksandër Lalo
Kompozitori i famshëm u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak më 19 nëntor, vetëm pak pas fillimit të emisionit “C’est la vie”, ku ai ishte pjesë e jurisë.

6.Mërkur Bozgo
Aktori i famshëm Mërkur Bozgo, u shua më 11 nëntor, në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Adelajda Xhamani
Ndarja nga jeta e gazetares së njohur dhe ish-banores së “Big Brother” në moshën 31-vjeçare tronditi mbarë opinionin publik. Xhamani ndërroi jetë më 29 tetor si pasojë e një ataku kardiak, nga një sëmundje e zemrës për të cilën as ajo vetë nuk kishte dijeni.

Kasëm Trebeshina
Shkrimtari i famshëm ndërroi jetë më 6 nëntor në moshën 92-vjeçare, në Ankara të Turqisë.

Blerta Pepa
Vdekja e artistes së vogël të spektaklit “Gjeniu i vogël” shokoi opinionin publik, pasi 16-vjeçarja ndërroi jetë më 16 maj, gjatë një operacioni në gju, si pasojë e një komplikacioni të rrallë.

Blerim Peci
Aktori i njohur i humorit u nda nga jeta më 9 dhjetor, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në mëlçi që i mori jetën në moshën 44-vjeçare.

Drita Agolli
Regjisorja e parë femër në Shqipëri dhe aktorja e mirënjohur u shua më 1 nëntor, në moshën 92-vjeçare.

Besnik Kaso
Aktori dhe bashkëshorti i këngëtares Irma Libohova u nda nga jeta më 17 mars, pas një sëmundjeje të rëndë që e mundonte prej kohësh.

Erinolda Isufaj
Gazetarja e emisionit “Stop” u shua në mënyrë tragjike në moshën 24-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë automobilistik më 11 nëntor.

Hanife Recani
Këngëtarja e muzikës folklorike u shua më 17 nëntor, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Bubulina Lajçi
Aktorja dhe e bija e aktorit Çun Lajçi u nda nga jeta në moshën 34-vjeçare më 19 dhjetor, për shkaqe ende të panjohura.

Skënder Tafaj
Aktori i njohur është ndarë nga jeta më 4 gusht, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Arlinda Canaj
Gazetarja e njohur u nda nga jeta në mënyrë tragjike më 24 gusht, në moshën 46-vjeçare. Canaj kreu vetëvrasje në kushtet e depresionit./ KultPlus.com

Justin Timberlake i rikthehet muzikës me album të ri

Justin Timberlake ka njoftuar se të premten do të lansojë albumin e tij më të ri.

Albumi me titull “Man of the Wood” që do të dalë në shitje më 2 shkurt, shënon rikthimin e Timberlake në muzikë pasi për një kohë i ka munguar skenës.

“Ky album vjen si frymëzim nga djali, gruaja dhe familja ime, por më së shumti ka të bëjë me atë prej nga vij”, ka thënë Timberlake. “Dhe është personal”, ka shtuar ai.

“Man of the Woods” është albumi i parë i Timberlake që prej albumit “The 20/20 Experience 1 and 2” në vitin 2013./ KultPlus.com

Marina Abramoviq do të ekspozojë në Beograd pas 44 vitesh

Qeveria e Serbisë e ka dhënë vet lajmin se Beogradi do të jetë nikoqir i ekspozitës retrospektive të artistes Marina Abramoviq.

Abramoviq është ndër artistet më të mira serbe dhe e cila jeton e vepron prej shumë kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku edhe ka marrë famë.

Ajo ka lindur në Beograd ndërsa hera e saj e fundit në ekspozitë në këtë qytet ka qenë në vitin 1975.
Ekspozita “The Cleaner” do të hapet në Beograd në shtatorin e vitit 2019-të, ndërsa më pas do të udhëtojë edhe për në Stokholm, Kopenhagë, Oslo, Bonn, Torino dhe Firence, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=OS0Tg0IjCp4

Ekspozita ka kohë që po negociohet me artisten në fjalë, ndërsa suksesi ka ardhur pasi kryeministja serbe Ana Brnabic ka insistuar që diçka e tillë të ndodhë dhe e ka vizituar artisten Abramoviq në një prej ekspozitave të kësaj të fundit në Norvegji, nëntorin e 2017-tës.

Ekspozita do të përfshijë piktura, vizatime e instalacione të artistes edhe gjatë viteve kur ajo punonte në Beograd, rreth fillimit të viteve 70-të të shekullit të kaluar.

Marina është 71 vjeçare, ndërsa pos artit pamor ajo është e suksesshme edhe në shkrimin e librave, kryesisht gjërave personale të përfshira në biografi të ndryshme. E fundit ishte “Walk Through Walls” botuar në vitin 2016-të. / KultPlus.com