Valbona priti Vitin e Ri me bilancin 120 mijë vizitorë për vitin 2017 (VIDEO)

Pushuesit dimëror kishin mbërritur në Valbonë për të kaluar atje ndërrimin e viteve dhe për të vazhduar pushimet disa ditore.

E gjendur mes maleve të thepisur dhe ujit të lumenjve e liqeneve, Valbona është një vend ku mund të befasohesh nga natyra dhe trashëgimia kulturore. Ky ndërrim vitesh e gjeti luginën të zbardhur nga bora e përhershme.

Peizazhe shumëngjyrëshe, male të larta, lumenj, lugina, kjo është panorama që ofron malësia e Tropojës për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend që befason me kontraste natyrore dhe me kulturën e jetesës.

Vetëm këtë vit, në Luginën e Valbonës u futën rreth 120 mijë vizitor të huaj dhe vendas, thotë për ATSH Besnik Hallaci, Drejtor i Parkut Natyrorë të Tropojës.

Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e vendasve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.

Lugina e Valbones është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Kufizohet me Parkun Kombëtar te Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit” së fundmi i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e biodiversitetit.

Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Zbritjet e lumit nga Bjeshkët e Rragamit e Çeremit plot zhurmë e shkumëzim janë një impresion i veçantë për turistët. Uji është i pastër,i kthjellët,i rrëmbyeshëm dhe mjaft i tejdukshëm.

Në natyrën e larmishme, të këtij terreni mund të praktikohen të gjitha llojet e sporteve. Këtu do të gjeni borën e përjetshme edhe gjatë verës. Parku është i pasur me guva e shpella, ku njëra prej tyre është dhe shpella e Dragobisë.

Është zona më e ftohtë e vendit me dimër të gjatë e të ashpër. Në disa raste temperaturat zbresin ne – 10° C deri ne – 20°C., ndërsa vera është mjaft e freskët. Hoteleria është ajo tradicionale me ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, por së fundmi janë ngritur hotele bashkëkohorë me të gjitha komoditet. Vizitorët këtu gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka.

Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse. Lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët./ KultPlus.com

Viti i shqiptares Dua Lipa, nga himni i saj “New Rules” e deri tek gatimi i pites në Amerikë (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa brenda një kohë të shkurtër, ka arritur të jetë një nga emrat më të njohur në mbarë botën. Dua duket sikur është krijuar për muzikën, të cilën e ka përcjellë me pasion që nga fëmijëria e saj, e duke e vazhduar më intensitet më të shtuar në moshën 14 vjeçare, kur ajo filloi të publikoi “cover”-et e parë, me këngë të artistëve të tjerë në YouTube. Sot, jo shumë vite pas, ajo ka arritur që të lë prapa shumë nga emrat e njohur, duke u bërë këngëtarja më e dëgjuar e këtij viti, sipas Spotify, shkruan KultPlus.

KultPlus, në këtë fundvit ju sjellë rrugëtimin e saj të spikatur përgjatë këtij viti, që e ngjiti atë drejt majave të toplistave muzikore. The Guardian shkruan se këngëtarja, Dua Lipa me hitin e saj muzikor “New Rules” duket sikur dha një mesazh inspirues për një ushtri të tërë të grave të reja. Ajo gjatë këtij viti me këtë popullaritet, arriti të lë nën hije edhe emra tashmë të ngulitur thellë në muzikën ndërkombëtare. Ajo la prapa Beyoncén dhe Rihannan, Ariana Grande e Taylor Swift, e shumë emra të tjerë të njohur. Mbi të gjitha Dua Lipa, në këtë vit që po lëmë pas, mori edhe çmimin “Artistja më e mirë e re” në ceremoninë e çmimeve të MTV EMAs. Ajo edhe pse nuk ishte e pranishme në këtë ceremoni gjeti mënyrën ideale që përmes një video të falënderoj të gjithë fansat e saj, të cilët nuk i kursyen fjalët e madhe për vajzën nga Prishtinë, Dua Lipa.

Shqiptaren tashmë e njohur si ylli britanik i pop-it, shifrat e fundvitit të Spotify, e nxorën si këngëtaren më të dëgjuar gjatë vitit 2017 në Britani. Edhe këngëtare të cilat tashmë janë ndërtuar në skenën muzikor, kanë dhënë mjaft nga puna e tyre këtë vit, por Lipa, me vetëm 22 vite mbi supet e saj, tashmë është duke u parë si një zë i vërtetë i gruas së re britanike: e pavarur, e ftohtë dhe në komandën e seksualitetit të saj.

Dua, e rritur në Britani të Madhe, ajo në moshën 13 vjeçare u zhvendos me prindërit e saj shqiptarë në shtëpinë e tyre të mëparshme në Prishtinë. Pak kohë më vonë, ajo u kthye përsëri në Londër për të ndjekur ëndrrën e saj për muzikë, ku dhe filloi të postonte “cover”-et e saj përmes platformës së YouTube. Pas kontratës së saj me Warner Bros, erdhën edhe këngët e saj origjinale, të cilët depërtuan më shumë shpejtësi. Debutimi i Duas me “Be The One” e renditi emrin e saj në pozitën e 9-të para dy vitesh, mirëpo me këtë vit ajo shënoi kulmin e suksesit.

“Dukej sikur këngëtarja ishte në kërkim të momentit,” thotë eksperti i toplistave, James Masterton. “Nuk është rastësi që kënga e radhës u bë hiti i saj më i madh”.

Në korrik të këtij viti ajo solli “New Rules”, duke shijuar suksesin më të madh të saj, të debutimit si këngëtare.

Dua, gjithmonë ka folur me guxim për feminizmin dhe rëndësinë e inkurajimit të fanseve të saj, pikëpamje të cilat edhe i ka shkrirë edhe në këngët e saj. “New Rules”, është himni i saj muzikor, përmes të cilit ajo ofron një plan veprimi për këdo që përpiqet të rindez gjërat me një ish të dyshimtë. Ajo arrin kulminacionin e këngës gjatë interpretimit të pjesës: “If you’re under him, you ain’t getting over him”. Publikimi i videos e çoi më tutje idenë e solidaritetit femëror, duke u shfaqur me një grup vajzash të renditura njëra pas tjetrës, dhe duke ua larguar telefonat secilës që do ta kontaktoj ish-in e saj.

Kompletimi i kësaj kënge, u duk shumë elegant dhe aspak artificial, prandaj arriti të bëhet një ‘bombë’ virale. Deri më tani, videoja ka arritur 843 milion shikime, duke u renditur në mesin e videove më të mira në YouTube të vitit 2017.

Albumet e muzikës pop shpesh mund të shihet si një mendim jo i duhur, dhe fakti që debutimi i Lipës u shty për tri herë, dukej një shenjë e keqe. Megjithatë, shitjet mbeten të qëndrueshme, duke arritur në 1.2 milion shitje në mbarë botën, një shifër jashtëzakonisht e lartë. Martin Talbot, kreu i Official Charts Company, theksoi se rreth gjysma e këtyre shitjeve ishin shitje të bëra në mënyrë fizike, “duke e gdhendur atë si më shumë se vetëm një njeri i famshëm”.

Pritet që Dua Lipa, në vitin që po vjen do të sjellë edhe këngën e saj të shtatë, e cila tashmë do të depërtoj edhe më suksesshëm nga këngëtarja shqiptare.

“Nuk ka qenë kurrë një problem për të motivuar Duan”, insiston menaxheri i saj Ben Mawson.

“Ajo është shumë e lumtur me suksesin e saj, por edhe më e etur për sukseset të reja në vitin 2018”, shkruan “The Guardian”, përcjellë KultPlus.

Baza që ka shtruar Dua Lipa në këtë vit të suksesshëm, nuk mund të ekzagjerohet. Nëse janë dashur dy vite që Lipa të vijë këtu, kolegët e saj që kanë disa vite në skenë, në çdo vit ecin me përpjekjet e tyre për të arritur kulmin e karrierës. Dua tashmë ka shtruar rrugën e saj të suksesit, drejt të cilës po ecën me hapa gjithnjë e më të fuqishëm. Mbi të gjitha Dua Lipa, në këtë vit dëshmoi se edhe “rregullat e reja” janë bërë që të thyhen.

E për ta përmbyllur këtë vit ashtu siç është më së miri e mrekullueshmja Dua Lipa, ishte e pranishme në emisionin e gatimit të bashkëkombasit të saj Action Bronson. Aty Dua Lipa, foli shqip, vallëzoi me këngë shqipe e poashtu gatoi pite, midis Amerike. / KultPlus.com

20 filma të mbështetur nga QKK, janë xhiruar gjatë vitit 2017 (FOTO)

Gjatë vitit 2017 shumë projekte filmike kanë filluar xhirimet, prej të cilave, disa janë ende në xhirim e të tjerat në faza të ndryshme të zhvillimit.

Këtë vit kanë filluar xhirimet e 20 filmave të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës ku 8 prej tyre janë filma artistik të metrazhit të gjatë si: ‘Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, ‘Njeri’i dosjeve’ nga Ismet Sijarina, ‘Fusha e Mëllenjave’ nga Arzana Kraja, ‘Delegacioni’ nga Bujar Alimani, ‘Qiej të Trazuar’ nga Anton Ndreca, ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, ‘The Happiness Effect’ nga Borjan Zafirovski dhe ‘Derë e Hapur’ nga Florenc Papas.

Ndërsa filmat dokumentarët që kanë filluar xhirimet sivjet janë: ‘Shpresa’ nga Vjosa Abazi, ‘Tregimi i tregimtarit’ nga Gazmend Avdiu, ‘Vater Atdhe’ nga Pamela Cohn, ‘Rrugëtim prej Kampioni’ nga Arton Humolli, ‘Kosova Brothers’ nga Samir Karahoda dhe ‘Aktorët e Kanës’ nga Mentor Spahiu.

Pa lënë anash edhe filmat e metrazhit të shkurtër: ‘Drita’ nga Rita Krasniqi, ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi, ‘Ajo’ nga More Raça, ‘Klithma’ nga Korab Lecaj, si dhe dy filma të animuar, ‘Magneti’ nga Arvan Berisha dhe ‘N’kornizë’ nga Gëzim Ramizi./ KultPlus.com

Dëgjojeni këngën që do të bartë flamurin shqiptar në Eurovizion-Lisbonë (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa është shpallur fitues i edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH, fitore që e bënë si përfaqësues të Shqipërisë në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Ai ka kënduar këngën “Mall” dhe shumë herët fansat ishin rreshtuar për këtë këngë, si këngë fituese e këtij edicioni.

Në vijim gjeni tekstin e këngës:

MALL

STROFA 1

Nje pritje e gjate
E embel e zjarrte
Ca hapa trokasin si zemer kete nate
Une ndjek ritmin e saj
Dy duar qe zgjaten perpijne ne ngrohtesi
Ky mall qe te djeg nuk njeh kufi as largesi

PARA REF 1
Asgje ne kete bote nuk mund ta shprehe dot ndjesine
Kur zemrat bashkohen dhe prape rrahin si nje

STROFA 2
Dua te hesht ne kete nate i shtrire ne kete shtrat
Ku endrrat hyjnore sherojne cdo plage
Te shoh portretin e saj
Momentet kalojne
Sekondat nuk falin
Oret pasojne por ndjenjen se ndalin, jo

PRE REF 2
Si me magji hena shikimet perpin
Me sjell vegimin tend

REFREN
Lot i pathare ndricoje kete nate
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjale
Vetem nje cast dhimbja te me ndale
Ky lot i pathare nje dite do shteroje
Nga puthjet e zjarrta qe enderroi
Ne ate cast dhimbja do ndaloje

STROFA 3
E embel kjo jete por nuk njeh kufi
Here na perkedhel here na krijon largesi
Ty te kam larg
Me ben te luftoj kur fuqite kane shteruar
Te enderroj edhe kur zgjuar jam

PRE REF 3
Si me magji hena shikimet perpin
Syte tane puqen serish edhe pse eshte fantazi
Jeten do ta fal ty

REFREN
Lot i pathare…

Ylljet Aliçka, shpallet shkrimtari i vitit nga PEN Albania 2017

Qendra PEN e Shqipërisë dhe PEN International gjatë ceremonisë vjetore të Çmimeve për letërsinë Albanologjinë dhe përkthimin në Bibliotekën e Librit Akademik, të mbajtur më 8 dhjetor, shpalli shkrimtarin e vitit, pedagogun e UET, shkrimtarin Ylljet Aliçka, poetin e vitit, Ilirjan Zhupa, dhe përkthyesin Romeo Çollaku.

Këto vite të fundit, po shënojnë një rast të rrallë për letrat shqipe, që në një anë flitet për krizë leximi, autorësh shqiptarë…por skena letrare tregon të kundërtën. Atmosfera lidhet me çmimet letrare, që tashmë nuk mund të konsiderohen vetëm një alternativë shtetërore, apo politike ku komprometimi e lidh autorin me veprën. Bashkë me vlerësimet e Ministrisë që ndan çdo fund viti, tani shtrirja e tyre liston të tjerë “mecenatë” që vlerësojnë letërsinë si vendëse dhe të huaj. Kështu pas çmimit Kadare, ndarë nga Instituti Pashko, renditen çmimet e Shoqatës së Botuesve në rastin e panairit të librit në Tiranë, si dhe, së fundi organizata ndërkombëtare për shkrimtarë “PEN”, mban aktivitetin vjetor dhe shpall çmimet e saj “PEN Albania”. Këtë vit “PEN”, organizoi para pak ditësh aktivitetin e saj vjetor, ku shpalli çmimet e shkrimtarit të vitit, në poezi, përkthim dhe autorin e ri.

Çmimi i PEN International Albania “Shkrimtari i vitit 2017” iu dha shkrimtarit Ylljet Aliçkaj, pedagog në UET, me motivacionin: Rrezatim dhe promovim i vlerave të letërsisë shqipe jashtë vendit- përkthyer dhe botuar së fundi në tri gjuhë: çekisht (Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë), italisht (Valsi i lumturisë-Një ëndërr italiane) dhe norvegjisht (Një rrëfenjë me ndërkombëtarë).

Entela Kasi, Presidente e Qendrës “PEN” në Shqipëri, dhuroi çmimin: “Mirënjohje për Vepër Jetësore dhe Kontribute të Çmuara në Kulturën Kombëtare”, për autorin dhe studiuesin Zef Mark Zeka. Qendra “PEN” dhuroi dy çmime: “Mirënjohje për Promovimin e Urave Kulturore përmes Gjuhës dhe Letërsisë në Botë”, për shkrimtarin Safet Hadroviç; si dhe “Mirënjohje në Fushën e Kulturës dhe Promovimin e Gjuhës Shqipe në Hapësirat mbarëshqiptare dhe Diasporë”, për z. Ali Daci. E ndërsa Kryetari i Bordit të “Pen Albania” z. Çerçiz Loloci, ndau çmimet: “Shkrimtari i vitit 2017”, Ylljet Aliçka; “Poeti i vitit 2017”, Ilirjan Zhupa; “Autori më i ri i viti 2017”, Akri Çipa; “Përkthyesi i vitit 2017”, përkthyesi Romeo Çollaku, shkruan Mapo. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, e cila mbajti edhe një fjalim të shkurtër në këtë ceremoni. Ndër të tjera, deputetja Mehmetaj tha: “Unë do të jap angazhimin tim por besoj edhe të kolegëve të mi, qoftë si pjesë e Komisionit të Edukimit në Parlament. Për të mbështetur çdo iniciativë të “Qendrës PEN” për të afruar të rinjtë te librat, qoftë si lexues por edhe si shkrues./ KultPlus.com

Rita Ora këndon LIVE “Your Song” dhe “Anywhere” në BAMBI Awards 2017-të (VIDEO)

Këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Rita Ora, mbrëmë morri pjesë në ceremoninë e çmimeve BAMBI Awards 2017-të në Berlin, shkruan KultPlus.

Përveç pjesëmarrjes së saj dhe dukjes së mrekullueshme që kishte, Rita Ora, mbrëmë performoi dy këngët e saj të reja. “Your Song” dhe hitin “Anywhere”, janë këngët që i këndoi Rita, e të cilat u mirëpritën nga audienca.

KultPlus, sjellë videon ku Rita Ora, këndon të dy këngët në skenën gjigante të Bambi Awards 2017-të në Berlin./ KultPlus.com

Shpallen fituesit e çmimeve Kult 2017-të

Është mbyllur mbrëmja e madhe e çmimeve Kult këtë të martë në sallën e Koncerteve të Katedrales Ortodokse, në Tiranë. Një nga eventet më të veçanta që arrin të bashkojë të gjitha zhanret e artit shqiptar për garën e çmimeve Kult ka shpallur sonte artistët fitues pas dhjetëra nominimesh.

Mbrëmja gala e ndarjes së Çmimeve Kult për të trembëdhjetin vit radhazi, shpalli fitues emrat më të mirë në fushën e artit.

Aktorë, këngëtarë, autorë librash, instrumentistë, balerinë e artistë të artit pamor dhe jo vetëm, pritën me emocion ndarjen e çmimeve.

Emra të shumtë të artit dhe kulturës shqiptare ishin pjesë e eventit madhështor të ndarjes së Çmimeve Kult. Mbrëmja Gala u transmetua Live në Klan Plus, nën prezantimin e regjisorit Leonard Bombaj dhe Vikena Kamenica.

Lista me disa nga çmimet më të rëndësishme të mbrëmjes:

Artisti Pamor i Vitit
Bashkim Ahmeti

Balerini i Vitit
Ervis Nallbani

Instumentisti i Vitit
Jonian Kadisha

Interpretuesi lirik i Vitit
Vikena Kamenica

Kënga e Vitit
Alban Skënderaj

Aktori i Vitit
Bujar Asqeriu

Regjia e Vitit
Altin Basha

Edhe një shqiptar i nominuar në MTV EMA 2017-të (VIDEO)

Pas tre këngëtarëve me prejardhje shqiptare që janë nominuar sivjet në MTV EMA 2017, është edhe një këngëtar me prejardhje shqiptare që i bashkohet kësaj liste, duke sjellë sivjet numrin katër të shqiptarëve në MTV EMA 2017-të, shkruan KultPlus.

Është Shkëlzen Kastrati i njohur me emrin artistik Xen, i cili është nominuar për çmimin ‘Best Swiss Act’, në ngjarjen e madhe EMA Awards.

Xen, është shqiptari i lindur në Zvicër, i cili në vitin 2012-të, debutoi me albumin e tij ‘Ich Gäge Mich’, album ky që u radhit në numrin katër të Top Listave Zvicerane.
Rikujtojmë se sivjet në MTV EMA 2017-të, janë të nominuar katër shqiptarë: Rita Ora, Dua Lipa, Ermal Meta dhe Xen./ KultPlus.com


Rita Ora do të udhëheq sivjet MTV Europe Music Awards në Londër

Ceremonia e këtij viti do të zhvillohet në Londër për herë të parë në më shumë se 20 vjet.

Rita Ora është shpallur si udhëheqësja e këtij viti në MTV Europe Music Awards, shkruan Official Charts, përcjell KultPlus.

Këngëtarja do të paraqesë ceremoninë e këtij viti, e cila po mbahet në Londër, dhe gjithashtu do të luajë në skenën e EMAs. / KultPlus.com