Dua Lipa përsëri do të performojë në emisionin e Jimmy Kimell

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa javën tjetër do të performojë në emisionin e njohur amerikan Jimmy Kimell Live, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka performuar edhe më parë në këtë emision, pranverën e vitit të kaluar. Sipas faqes online të biletave, 1iota, Dua Lipa do të filmojë një “mini-koncert në ambient të hapur” më 14 shkurt. Ndërsa për këtë performancë ka njoftuar edhe vet këngëtarja Dua Lipa, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”.

“Shumë e emocionuar që të kthehem përsëri për të performuar në këtë show”, ka shkruar Dua.

Dua Lipa po ashtu do të performojë edhe në një prej emisioneve më të shikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo më 13 shkurt do të jetë pjesë e Ellen Degeneres Show./ KultPlus.com

Eliza dhe Nate Dushku kërkojnë fonde nga publiku për “Mapplethorpe”

Eliza dhe Nate Dushku kërkojnë ndihmë nga publiku për filmin e ri “Mapplethorpe” të cilin janë duke e realizuar, shkruan KultPlus.

Aktorja shqiptare Eliza Dushku dhe vëllai i saj Nate Dushku kanë bashkuar forcat që të realizojnë një film mbi fotografin e njohur amerikan Robert Mapplethorpe. Filmi nën direktimin e Ondi Timoner, dedikuar njërit nga fotografët më kontraverzial në historinë Amerikane ka qenë duke u realizuar si një iniciativë plotësisht vetjake. Mirëpo tani ekipi i filmit ka kërkuar ndihmë edhe nga publiku, një ndihmë të tillë e ka kërkuar edhe aktorja shqiptare Eliza Dushku.

Eliza Dushku në rrjetin e saj social Facebook ka ndarë një shkrim ku ka kërkuar nga të gjithë që t’i bashkohen ekipit të filmit “Mapplethorpe”, duke ndihmuar kështu që ky film të realizohet.

“Jam shumë e emocionuar që të ju lajmërojë që jemi tubuar që të realizojmë një kampanjë për mbledhjen e parave në Indiegogo për filmin “Mapplethorpe” gjatë javë në vazhdim”, ka shkruar ajo.

Fotografi Mapplethorpe ishte i njohur për fotografitë e tij bardhë dhe zi që paraqesin një koleksion të gjerë temash nga vetë-portrete dhe lulet deri të ato nudo dhe BDSM. Ai vdiq nga SIDA në moshën 42 vjeçare./ KultPlus.com

Të famshmit shqiptarë gatuajnë pite në Amerikë (VIDEO)

Kësaj radhe modelja e njohur Emina Cunmulaj dhe këngëtari Albert Stanaj janë bërë së bashku për të përgatitu pite në Amerikë.

Modelja Emina Cunmulaj, e cila ka kohë që karrierën e saj po e zhvillon në Amerikë ku edhe po shënon sukses, mbrëmë ka pasur një mysafir mjaftë të veçantë. Përmes rrjeteve sociale ajo ka ndarë momentin pas përgatitjes së pites, së bashku me këngëtarin Albert Stanaj duke e konsideruar mbrëmjen si “Nata e Pites”./ KultPlus.com

Eliza Hoxha me ekspozitë “Midis ëndrrës dhe realitetit”

Artistja Eliza Hoxha, këtë të diel do të sjellë ekspozitën personale “Midis ëndrrës dhe realitetit”, që do të hapet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ekspozita hapet këtë të dielën më 11 shkurt, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

BB Poqi sonte në Rockuzinë

B.B Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha në rajonin ku flitet shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.

Sonte BB Poqi do të performojë në Rockuzine duke filluar nga ora 21:30. / KultPlus.com

Sonte vjen edicioni i dytë i konkursit të poezisë KultStrofa

Më 7 SHKURT, e mërkurë, në ora 18:00 në Hamam Bar në Prishtinë, vjen edicioni i dytë i konkursit të poezisë, “KultStrofa”.

Ky edicion i cili mblodhi gjithsej 150 poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora, nga juria profesionale Erenestina Gjergji Halili – kryetare e jurisë, Halil Matoshi – anëtar dhe Adil Olluri – anëtar, u zgjodhën 10 poezitë më të mira për këtë finale të madhe.

Emin Emini, Manjola Brahaj, Sibel Halimi, Erlind Sulko, Arjola Zadrima, Adem Gashi, Arlinda Guma, Liridon Mulaj, Brikenë Ceraja-Beka dhe Shkumbin Haxha janë dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Finalistët do të lexojnë poezitë e tyre, ndërsa do të jetë një mundësi tjetër e njohjes mes adhuruesve të poezisë dhe letërsisë. Të dhjetë finalistët por edhe të dashuruarit pas poezisë dhe të tjerët konkurrentë të këtij edicioni janë të ftuar të bashkohen në këtë natë leximi poezish në kryeqytet.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamam Jazz Bar, Rockuzinë dhe Hotel Nartel.

Konkursin e organizon KULTPLUS – e para gazetë shqiptare online e dedikuar vetëm për art dhe kulturë./ KultPlus.com

Ermal Meta mund të skualifikohet nga Sanremo

Në fund të natës së parë të edicionit të 68-të të Sanremos bëhet çështje kënga e prezantuar nga Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë).

Sipas mediave italiane kjo këngë është prezantuar në edicionin e Sanremo Giovani të 2016-ës pasi ka shumë ngjashmëri si në tekst dhe në melodi.

“Silenzio” u këndua në atë kohë nga Ambra Calvani dhe Gabriele de Pascali, transmeton tch. Edhe në këngën e Sanremos të Metës dhe Moros është i njëjti autor i këngëve, Andrea Febo.

Nëse prania e të njëjtit autor do të mund të shmangte akuzat për plagjiaturë, është pikërisht përhapja e këngës së prezantuar në Sanremo Giovani 2016 që mund të sillte probleme për Ermal Metën dhe Fabrizio Moron./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=58fdkMUwwBo

Shqiptari Ermal Meta këndon në Sanremo, emocionet janë të fuqishme (VIDEO)

Këngëtari shqiptar Ermal Meta e ka nisur me këmbë të mbarë pjesëmarrjen e tij në Sanremo 2018.

Ermal Meta mbrëmë, bashkë me Fabrizio Moro, në fund të natës së parë të Sanremo 2018 – festivalit më prestigjioz të muzikës në Itali, kanë përfunduar në mesin e shtatë këngëve më të votuara nga juria.

Ky megjithatë është votimi i vetëm një jurie profesionale.

Ermal Meta mbrëmë ka kënduar së bashku me Moro këngën “Non mi avete fatto niente”, ndërsa shikuesit e Sanremos, që janë miliona të tillë, e kanë kritikuar pozitivisht këngën në fjalë.

Në fund të natës, Meta dhe Moro janë radhitur në shtatëshen më të votuar, krahas emrave si Nina Zilli dhe Annalisa, këngëtare këto të njohura në Itali, shkruan KultPlus.

Mbetet të shihet në netët në vazhdim se si do të ecë ky konkurrim, por është e sigurt se Ermal Meta mund të jetë këtë vit një prej favoritëve kryesorë për të fituar Sanremon.
Sanremo vazhdon sonte natën e dytë, deri në natën e pestë kur mbahet edhe finalja e festivalit. / KultPlus.com

Në Tiranë zbulohet një kodik i panjohur muzikor

Një kodik i panjohur muzikor është zbuluar nga një dorëshkrim në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë.

Ky dorëshkrim është paraqitur në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i cili është vendosur në fondin “Koleksion dokumentesh përpara vitit 1912” si shtesë fondi e vitit 1989.

Së shpejti këtë kodik, bashkë me të tjera thesare të fondeve më pak të njohura të AQSh, do paraqiten në një ekspozitë, në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bën të ditur ATSh.

Meqenëse në atë vit në AQSh ekzistonte një fond i veçantë për librat e dorëshkruar, ku “Koleksion i kodikëve”, dorëshkrimi duhej të ishte sistemuar atje. Ndoshta arkivistët nuk e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një dorëshkrim të asaj kategorie. Është koha kur Theofan Popa, nga të paktët studiues bizantinistë të kohës dhe i vetmi që ishte marrë me kodikët, nuk jetonte më. Ky kodik është “vëllai” i kodikëte të tjerë të Beratit, paçka se nuk është vendosur fizikisht pranë tyre.

Kodiku përmban tekstin e Triodit dhe Pesëdhjetores, muzikë bizantine dhe është dorëshkrim në letër i përbërë nga 102 fletë, duke datuar në mes të shek. XIX dhe ka përmasa 230 x 160 mm. Kopisti është anonim. Siç thotë shënimi në anën e brendshme të kapakut të kodikut, ka qenë pronë e të Përndershmit priftit Mihal Jorgo Vutziani.

Shënimi i përket 6 marsit të vitit 1879. Në materialin mbështjellës të vendosur nga AQSh është shënuar “Serafin Xhveri, 1983”, me gjasë data e dhurimit apo shitjes së kodikut në AQSh./ KultPlus.com

Rita Ora e mrekullueshme në premierën e “Fifty Shades Freed” (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, ka shkëlqyer në ceremoninë e premierës së filmit “Fifty Shades Freed”.

Rita e veshur me një fustan elegant me ngjyrë të bardhë, dukej si një engjëll të martën mbrëma në premierën e filmit që u dha në Paris.

Përveç rolit që ka në film, 27-vjeçarja së bashku me Liam Payne kanë incizuar këngën “For You” si kolonë zanore për këtë film./ KultPlus.com

Helena

Poezi e shkruar nga Hajnrih Hajne

Më je betuar, deri në varr,
Me magjinë tënde më ke folur
Se do më duash tërë zjarr,
Po prapë mbetem i pangopur.
Gojën, te fytyra ime e ver,
Fryma jonë s’ka të sosur
Shpirtin tënd, do ta pi krejt
Të vdekshmit janë të pangopur.

Neritan Liçaj, i shndërruar nga Makbethi

“Vend i mjerë, trembet kur sheh veten/ E kishim nënë dhe na u bë varr!/Ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri.” Këto rreshta të Makbethit shprehin forcën e kësaj tragjedie që vijon të vendoset në skenë prej kaq vitesh. Aktori Neritan Liçaj që ka rolin kryesor në veprën që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar së shpejti, duket i gjithi i shnëdrruar në rol. Vepra do të vijë nën regjinë e, Kled Kapexhiu I cili pritet të sjell një tronditje shekspiriane në skenën shqiptare. Aktorët e përzgjedhur janë disa nga emrat më të njohur të botës së aktrimit, ndërsa mësohet se rolet kryesore i janë besuar Luli Bitrit, si Ledi Makbeth dhe Indrit Çobanit, në rolin e Makbethit.

Të tjerë artistë që do të ngjiten në skenë për të interpretuar janë edhe Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Suela Bako, Egla Ceno, Klodiana Keco etj. Stafi realizues mbart në vetvete figura po aq të njohura të fushës së krijimtarisë në Shqipëri: skenografia do të realizohet nga Genc Shkodrani, kostumografia dhe maskat nga Gerta Oparaku, realizimi i kostumeve mban emrin e Enada At’Nikollës, dhe muzika do të realizohet nga Bled Boraku.

Vepra pritet ta ketë premierën më 24 shkurt. “Mua më ka pëlqyer përqendrimi që bën Shekspiri tek personazhi kryesor, tek tronditja e personazhit. Te stërmundimi, sfilitja, drama dhe tragjedia personale. Pastaj i kam dhënë dhe një drejtim se si zhvillohet, në çfarë rrethane ndodh kjo tragjedi, ku ky vërtetë është vrasës por dhe ata që vijnë më mbrapa janë po sërish vrasës”, është shprehur Kapexhiu.

Makbethi është një ndër tragjeditë e Shekpirit ku paraqitet lufta e përgjakshme për pushtet në Skoci gjatë shekullit XI. Makbethi është një gjeneral në ushtrinë e mbretit dhe një ditë krejt papritur ai ndeshet me një magjistare. Magjistarja parashikon fatin e tij dhe i tregon se një ditë ai do të bëhej mbret, por se nuk e dinte se ku. Pas këtij parashikimi ai nuk resht së menduari se një ditë do të bëhej mbret, këtë gjë ai ia tregon dhe të shoqes, e cila tepër ambicioze dhe gjakftohtë e bind Makbethin që të vrasë mbretin e Skocisë.

Në fillim të veprës kemi një gjakftohtësi nga të dyja palët, por Makbethi kishte vrarë disa në fushën e betejës, por ata kanë qenë armiq dhe ai nuk ka vrarë kurre në përfitim të tij, por vetëm në shërbim të mbretit.

Zonja Makbeth, pa u menduar e bind Makbethin se gjëja më e mirë për t’u bërë ishte vrasja e mbretit dhe më pas ai do të merrte fronin. Ajo shprehet në mënyrën më mizore, duke thënë se n.q.s mbreti nuk do t’i ngjante të atit, ajo do ta vriste vetë. Por gjatë skenës së krimit, autori ka dhënë një skenë rëqethëse dhe tregon dobësinë e Makbethit. Por edhe pas kryerjes së krimit, Makbethi nuk arrin të jetë i lumtur, sepse këtë gjë ia pengon ndërgjegjja e tij, e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Gjatë veprës jepet edhe dobësimi i karakterit të zonjës Makbeth. Ajo gjithashtu torturohet nga vetë ndërgjegjja e saj për krimin që shtyu të shoqin të kryente, i cili në një çast dobësimi kish pranuar ta kyente. Dhe Makbethi vdes.

Agron Sokoli, i ftuar në jurinë e festivalit të filmit GIFFA

Aktori dhe producenti shqiptar, Agron Sokoli, është ftuar në jurinë e festivalit të filmit Global Impact (GIFFA).

Ai është ftuar në rolin e anëtarit të jurisë për t’i dhënë çmimet e këtij festivali.

Në konfirmimin e prezencës së tij ai cilësohet si legjendar nga ky festival botëror.

“Me gjithë zemër mirëpresim aktorin legjendar dhe producentin e njohur të filmit në industrinë evropiane, Agron Sokoli, në jurinë e GIFFA 2018”, shkruan në konfirmimin zyrtar të festivalit të madh botëror.

Agroni njihet dikur si një nga aktorët e komedisë “Stupcat” e më vonë edhe si producent.

Sokoli është edhe një nga themeluesit e një prej festivaleve më të mëdha në vend, HardhFest. / KultPlus.com

Atifete Jahjaga ndihmon shitjen e banerit me një shumë simbolike

Ish presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, sot i ka dhuruar 100 euro për shitjen e banerit me fotografinë e saj.

Jahjaga, me të kuptuar se baneri me figurën e saj në MIQT PUB në kryeqytet do të dalë në ankand dhe të hollat do të dërgohen për bamirësi, ka dhuruar këtë shumë të hollash.

Lajmin e ka konfirmuar për KultPlus Dardan Ibrahimi nga MIQT PUB.

“Kur të shitet baneri, i shtohen edhe 100 euro të donacionit simbolik në fjalë” tregon Dardan Ibrahimi.
Baneri e tregon Jahjagën me një armë në dorë, dhe ka qenë i famshëm në MIQT PUB.

Baneri është i vendosur kah toaleti, ndërsa në të shkruan “Laj duar, Zana!”. / KultPlus.com

Rita Ora, një grua me stil të veçantë

Këngëtarja Rita Ora gjatë javës së fundit ka qenë e zënë duke promovuar këngën e re “For You” në bashkëpunim me Liam Payne.

As të reshurat e borës sot nuk e kanë ndalur këngëtaren me prejardhje nga Kosova që të shfaqë stilin e saj të veçantë të modës.

27-vjeçarja mori vëmendjen në Paris kur u shfaq me një fustan të kuq të valëzuar, të cilin e kombinoi me një palë take ngjyrë kafeje të çelët.

Ergin Oda me instrumentistët shqiptarë do të sjellin në New York perlat e muzikës shqipe

Vokalisti Ergin Oda, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të realizojë një koncert me bendin që përbëhet nga instrumentistët më të dalluar shqiptarë në Amerikë, shkruan KultPlus.

Oda do të shoqërohet nga bendi i përbërë prej Lekë Salihut në piano, Taulant Mehmeti në bass, Jeta Hyseni në kitarë, Igli Tuga në klarinetë dhe Faton Kaja në timpane.

Koncerti titullohet “O vendi im”, ndërsa për publikun atje do të vijnë këngë arbëreshe, këngë të Shqipërisë së Jugut dhe këngë të dy këngëtarëve të mëdhenj, Muharrem Qenës e Nexhmije Pagarushës.

Vokalisti Ergin Oda, kohë më parë ka sjellë një interpretim të mahnitshëm të ‘Bring Him Home’ të Les Misérables, në Metropolitan Room në New York.

Kjo pjesë e kënduar nga vokalisti shqiptar, konsiderohet si një nga pjesët më të vështirat të arieve Broadway pasi që kërkon kontroll të fortë të tingullit. KultPlus ju sjellë një video nga koncerti i tij recital, “Ergin Oda Show”, që është mbajtur kohë më parë ndërsa kjo shfaqje u ka rezistuar shfaqjeve më të shitura dhe më të kërkuara Broadway të të gjitha kohërave.

Ky koncert do të mbahet më 17 shkurt ne Riverdale, në New York. Ky koncert i kushtohet Pavarësisë së Kosovës, dhe u dedikohet të gjithë banorëve shqiptarë të New Yorkut. / KultPlus.com

“Nana ime të dua shumë”, kur djali i dërgonte mesazh Tinka Kurtit

Aktorja e madhe Tinka Kurti është në zi, pasi ditën e djeshme u nda nga jeta djali i saj i vetëm, i cili jetonte me familjen në Kanada.

Kur e madhja Tinka Kurti festonte 85-vjetorin e lindjes, në një aktivitet të zhvilluar më datë 17 dhjetor në Shkodër në teatrin “Migjeni”, djali i saj Zef Kurti i dërgonte një video-mesazh surprizë të ëmës, ku i thoshte:

“Nana ime të dua shumë!” Me të dëgjuar këto fjalë, Tinka shpërtheu në lot. Gazeta Shqiptare po sjell më poshtë fotot e asaj dite…

Tre libra për lexim gjatë muajit shkurt

Muaji shkurt është i librave.

28 ditët e këtij muaji mund të shërbejnë edhe për të lexuar, për tu kthyer në romane që i kemi lexuar dikur ose për të nisur një lexim të ri.

Secili mund të lexojë diçka nga dëshirat personale, por ne po i sjellim këtu tre libra të cilët mund të lexohen gjatë këtij muaji. Sepse leximi duhet të jetë i vazhdueshëm.

MICHEL HOUELLEBECQ – PLATFORMA

Michel, një nëpunës i administratës shtetërore franceze, vendos të marrë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë. Në këtë rastësi të tij, ai do të gjendet, herë si spektator, e herë si aktor, në rrjetin e turizmit seksual botëror. Një roman satirik mbi seks-turizmin dhe etjen e papërmbajtshme për dominimit që paraja i bën kësaj bote. Houellebecq është një prej shkrimtarëve më në zë në Francë. Është fat që librat e tij i kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Le të ndodhë njoftimi i parë me të këtë muaj, me librin “Platforma”.

PAULO COELHO – BUZË LUMIT PIEDRA U ULA DHE QAVA
Kjo është një histori për dashurinë. Pilar, një grua e re dhe e pavarur, me ambicie për të ardhmen, takon ish-të dashurin, që tani është një udhërrëfyes shpirtëror. Takimi me të trondit gjithë qenien e Pilarit. Rrallëherë ndodh që dashuria në adoleshencë të arrijë potencialin e plotë, po çfarë ndodh kur dy të dashuruar ribashkohen pas njëmbëdhjetë vitesh? Tani janë edhe një herë bashkë, të nisur në një udhëtim të mbushur me vështirësi, teksa demonët e varrosur prej kohësh dhe pakënaqësitë ridalin në sipërfaqe, pas më shumë se një dekade. Por në një fshat të vogël në Pirenejtë francezë, në brigjet e Lumit Piedra, një marrëdhënie shumë speciale do të riekzaminohet në dritën e pikëpyetjeve më të mëdha të jetës. Paulo Coelho, lindi në Rio-de-Zhanejro më 1947. Ai është vlerësuar si një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore.


TAHAR BEN JELLOUN – RACIZMI SHPJEGUAR VAJZËS SIME

Racizmi – i gjallë edhe në modernitetin e sotëm. Shkruar në vitin 1998, libri e sjellë shkrimtarin nga Maroku duke folur për racizmin dhe sidomos ndikimin e tij tek fëmijët. Fëmijët janë ata që e kuptojnë më mirë se racist nuk lind, por bëhesh, ndërsa të rriturit shpesh nuk i ndërrojnë idetë e tyre kur duan ta urrejnë një person, një ide, një kulturë. Një protestë në Paris, një vajzë e vogël bën pyetje për racizmin, dhe autori duhet të gjejë përgjigje për interesimin e vajzës së vogël, në formë dialogu. Janë 160 fletë që flasin shumë për mendjet e prishura dhe ato që janë të ndritura. / KultPlus.com

Një libër në pergamenë

Poezi nga MARTIN CAMAJ.

Mendimet ranë shkokrrueshëm
prej pergamenës mes gishtave
për tokë e u banë copë-copë.

Gjithkund ish natë e dola
sy-hapë n’dritare
a mos u trand nga krizma dheu.

Qyteti milionësh shtrihej në gjumë
i mbështjellun në mjegull.
Në mjedis shndriste tempulli
i librit n’pergamenë – biblioteka –
me fekse idesh madhështore
në ballin e gjanë të shekullit.

Buzë lumit Piedra u ula dhe qava

fragment nga Paulo Coelho – Buzë lumit Piedra u ula dhe qava
përkthimi në shqip nga D. Taçe

Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijmë ta kontrollojmë. Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet. Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh.
Ky vogëlush është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin. Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brenda nesh. Lum fëmijët sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim. Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet i vetmuar se ne nuk e dëgjojmë thuajse kurrë. Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme. Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve. Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën.

Filmi i Zgjim Terziqit do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Atlanta

Filmi “Një muaj”, me regji të Zgjim Terziqit është ftuar që të shfaqet në Festivalin e 42-të të Filmit në Atlanta, që do të zhvillohet nga 13 deri më 22 prill të vitit 2018, si pjesë e Programit Shorts Narrative, shkruan KultPlus.

Ky film ka arritur të jetë pjesë e këtij festivalit në mesin e 7500 aplikimeve, ndërsa Festivali i Filmit të Atlanta (ATLFF) – është një nga festivalet më të mëdha dhe më të gjata në Shtetet e Bashkuara.

“Një Muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj, secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Do të shitet për bamirësi baneri me Atifete Jahjagën

Një baner me Atifete Jahjagën do të shitet.

MIQT PUB nga kryeqyteti po e shesin banerin ku paraqitet ish presidentja Jahjaga me armë në dorë.

“Po e shesim në ankand, për 10 vjet shtet. Të hollat nga shitja e banerit po dojmë me i dhuru për ndonjë kauzë për bamirësi. Ju lutem propozoni” kanë shkruar nga MIQT PUB.

Baneri është dizajnuar nga Visar Arifaj, ndërsa është mjaft i famshëm në ndodhjen e tij të tanishme, në MIQT PUB. / KultPlus.com

Filmi për kitaristin Petrit Çeku nisë rrugëtimin në festivalin ZagrebDox

Listës së filmave të cilët do të shfaqen gjatë festivalit ZagrebDox i është shtuar edhe filmi “Sarabande”, shkruan KultPlus.

Filmi i cili shtjellon udhëtimin që bëjnë së bashku regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe kitaristi Petrit Çeku do të jetë pjesë e filmave në listën garuese në kategorinë ‘Programin Regjional’ të festivalit. http://sarabande.eu/2018/02/06/first-stop-zagrebdox-2018/

“Sarabande” ka filluar si një dokumentar personal mbi muzikën klasike të Petrit Çekut i cili në vitin 2014 ishte gati për të regjistruar në Spanjë “Bach: The Cello Suites”. Pikërisht versioni i Petrit Çekut për suitat Bach është konsideruar shumë personale, joshëse, me pasion dhe një zbulesë e mrekullueshme. Mirëpo më vonë këto xhirime gjatë rrugës për në Spanjë u shndërrua në një film mbi kufijtë dhe paligjshmërinë, për t’u përfunduar më vonë në një udhëtim të dy shokëve që udhëtonin midis ideve të shpikura të Lindjes dhe Perëndimit, të së kaluarës dhe të së ardhmes.

Festivali do të fillojë më 25 shkurt dhe do të zgjasë deri më 4 mars kurse datat e shfaqjes së filmit “Sarabande” akoma nuk janë bërë publike./ KultPlus.com

Le Figaro: Shqipëria me vreshtat më të vjetra në Evropë

Para se të mbërrij në Shqipëri, i bëj vetes 1 001 pyetje për vendin. Kujt i ngjan ai? Si do të pritemi? A janë rrugët në gjendje të mirë për kampingun tonë? Si është cilësia e verërave?

Kaq shumë pyetje që më shtonin më shumë se kurrë dëshirën për të eksploruar këtë destinacion enigmatik të Ballkanit që njihet për prodhimin e verës, që kufizohet me Malin e Zi dhe Kosovën në veri, Maqedoninë në lindje dhe Greqinë në jug.

Me male të mrekullueshme të thepisura dhe të mbuluara me dëborë, me fshatra të gjelbëruar, me plazhe piktoreske dhe me qytete plot jetë, Shqipëria është një kartolinë që duhet zbuluar menjëherë.

Për dashamirësit e verës, varietet e shumta të rrushit autokton, vreshta prej 10 000 hektarësh dhe tradita mijëravjeçare mrekullon dhe më kuriozët. Zbulim.

2800 vjet vreshtari

Mbërritur në Shqipëri në mbrëmje, pas një kontrolli në kufi prej më shumë se dy orësh, lodhja ndihet në kamping. Ne vendosëm të ecnim edhe disa kilometra dhe të ndalonim pas Shkodrës, qyteti kryesor i zonës.

Papritur, në qendër të qytetit, ndërkohë që ne po ecnim pa pengesa në dy korsi të ndara nga një platformë e ngritur, shfaqet nga asgjëja një kalë i bardhë, duke ecur në krah të kundërt mbi asfalt. Me një refleks të mirë, ne shmangëm kafshën nga e keqja. Momenti është surrealist!

Për të larguar emocionet tona, ndalojmë për të darkuar dhe duke përfituar nga kjo për të mësuar më shumë për historinë e vreshtarisë së vendit. E habitshme. Vreshtaria ishte zhvilluar aty që prej shekullit VIII para Jezu Krishtit, në bazë të varieteteve të shumta të rrushit autokton që kishin rezistuar në epokën e akullt duke e bërë Shqipërinë një prej vendeve më të vjetra të prodhimit të verës në Europë.

Gjatë shekullit XVII, prodhimi i verës u ngadalësua nën influencën e Islamit, për shkak të uljes së konsumit të pijeve alkoolike.

Do të duhej të pritej viti 1972, gjatë dominimit komunist, për të parë prodhimin e verës shqiptare të arrijë kulmin , me 20 000 hektarë.

Në fillim të viteve ’90 u krijua një institut kërkimi dhe një program për privatizimin e tokave të vreshtarive u vendos për të modernizuar prodhimin e vreshtarive, për të rritur varietetet e rrushit vendas dhe për të vendosur një ekonomi tregu.

Fillimi i një epoke të re për vreshtarinë shqiptare dhe premtimi për zbulime të bukura.

Kantina ”Arbri”, simbol i ringjalljes së vreshtarisë shqiptare

Sapo mbërritëm në Mirditë, një vend me 40 000 banorë në veri të vendit, ne u pritëm shumë ngrohtë nga banorët, me buzëqeshje të shumta dhe shenja duarsh.

Kampingu është një atraksion këtu. Disa afrohen. Të tjerë ruajnë distancën. Të gjithë duken kuriozë.

Mirësevini në fermën ”Arbri”. Me 25 hektarë, që ndodhet 396-640 metra mbi nivelin e detit, kjo vreshtari familjare është trashëguar në tre breza për prodhimin e verës.

Klima e rajonit, mes nxehtësisë së diellit mesdhetar dhe netëve të freskëta malore, të mundëson të punosh me saktësi dy variete rrushi autokton, Kallmet (i kuq) dhe Shesh i Bardhë.

“Gjyshi im, i cili kishte filluar mbjelljen në vitet ’20 u detyrua të ndalonte gjatë komunizmit shqiptar për shkak të kolektivizimit të vreshtave nga qeveria”, na tregon Rigers, nipi i tij.

Në vitin 1991, pasi vendi rifitoi pavarësinë, Fran Kaçorri, babai i tij, pati kurajo të rihapte fermën ”Arbri” dhe të riniste nga zeroja.

Një histori e bukur, në të cilën përfshihet sot Rigers, si enolog.

Për histori, Mirdita, që është sigurisht zona më katolike e Shqipërisë, pranoi në vitin 2014 vizitën e papa Françeskut, i cili erdhi për të vizituar kantinën ”Arbri” dhe degustoi disa verëra. Gral i Shenjtë për fermën.

Kantina ”Bardha”, historia e pabesueshme e suksesit (amerikan)

Sigurisht, vreshtaria shqiptare nuk resht së befasuari. Në pjesën qendrore-perëndimore të vendit, mbi fshatin Marikaj, ndodhet ferma ”Bardha”. Një shtëpi e mahnitshme me arkitekturë italiane, e vendosur 400 metra mbi nivelin e detit, ku rriten varietetet e rrushit autokton mavrud, Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë.

Kjo fermë, është ëndRra e Ekrem Bardhas. Pasi i është dashur të emigrojë në SHBA për shkak të regjimit komunist në vitet ’50, në atë kohë me profesion berber, ai iu fut aventurës së McDonald.

Me një ndjenjë të jashtëzakonshme biznesi, ky autodidakt i palodhur është sot në krye të një perandorie të vogël (18 licensime!).

Ëndrra e tij më e madhe e asaj kohe, të kthehej në Shqipëri menjëherë pasi vendi të rifitonte pavarësinë dhe të krijonte një vresht në tokat e fëmijërisë.

Kështu lindi Kantina KKBardha”, një vreshtë e magjishme, e mbjellë në kodër, ku pulat enden të qeta mes rreshtave të rrushit.

Me jo më pak se 300 ditë diell në vit dhe tokat minerale, klima unike e rajonit jep për verërat një ekuilibër shumë të mirë mes aciditetit dhe antocianes (antioksidant të jashtëzakonshëm natyrorë!). Ne e kemi adhuruar.

Shëtitje në vreshta

Mirësevini në fermën ”Kokomani”, një vreshtë krijuar në vitin 2008, me bukuri të paparë.

Mes Tiranës dhe Durrësit, ajo ndodhet mbi malet përreth duke ofruar një pamje panoramike që të lë pa frymë. Në kohë të mirë mund të shikosh nga aty edhe detin.

Vend ideal për turistët, të cilët kërkojnë të zbulojnë bukuritë e këtij vendi duke degustuar verërat lokale.

Takimi me Blerim Kokomanin, vreshtar, i cili punoi në Itali për 13 vjet përkrah të njohurit Andrea Franchetti, para se të rikthehej në Shqipëri dhe të krijonte fermën ”Kokomani”.

Ky “dashnor i natyrës”, ashtu si dëshiron ta cilësojnë bashkëshortja dhe vajza e tij, kultivon në mënyrë biologjike vreshtat e tij.

Ujitja dhe pesticidet nuk janë të domosdoshme këtu!

Pasi shijojmë ushqimin tradcional të restorantit të fermës, ne përfundojmë me një vizitë epike prej 20 hektarësh mbi një gomar!

Një shëtitje epike, gjatë të cilës ne përfitojmë kohë për të admiruar natyrën e egër rreth nesh.

Sepse këto janë toka minerare dhe lymishta të vjetra detare, që rrisin këto dy varietete të rrushit emblematik të Shqipërisë, Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi, me origjinë nga fshati Shesh.

Një vreshtari që ka ditur të ringrihet nga komunizmi

Të mos harrojmë që vreshti shqiptar u rikthye. Në shekullin e kaluar, me daljen nga regjimi komunist, atij iu desh ta rindërtonte nga zero. Kështu dëshmon ferma ”Çobo”, në Urën Vajgurore, në jug të vendit, që ne kemi pasur kënaqësinë ta vizitojmë.

”Pavarësisht traditës së hershme në prodhimin e verës që daton në fillim të viteve 1900, familja ime, ashtu si shumë ferma të tjera në mbarë Shqipërinë, u detyruan të ndërpresin prodhimin kur regjimi komunist mori pushtetin në vitin 1945. Sipërmarrjet private nuk u lejuan të zhvillojnë aktivitetin e tyre, ndërsa kantina Çobo pushoi së qëni e tillë”, na tregon Muharrem Çobo.

Gjatë kësaj periudhe, traditat për prodhimin e verës u zhdukën. Dhe vetëm në sajë të kujtimeve dhe historive të transmetuara nga anëtarët e familjes, ferma ”Çobo” mundi të rilindë, pas vendosjes së demokracisë shqiptare në vitin 1991.

“Ne kemi rikthyer traditën dhe jemi krenarë që po ringjallim Çobon, nëpërmjet vreshtarisë, kantinës dhe verës tonë që prodhojmë.

Sot, vreshti i Çobos, që ndodhet në tarracat mbi kodrat përreth, është padyshim një prej vendeve më të bukura të prodhimit të verës në vend.

Dhe lojërat e dritës që e mbulojnë këtë pasdite vetëm e sublimojnë akoma më shumë.

Gjatë rrugës, tashmë di që do të më duhet të rikthehem. Ky udhëtim më ka prekur dhe duhet të them që ndjehem i mrekulluar.

Përulësia dhe mirësia e njerëzve është befasuese./Nga Jean-Baptiste Ancelot/ATSH