Shitja e biletave për premierën e filmit “Martesa”, tejkalon edhe premierat botërore në Cineplexx

Kinemaja Cineplexx Kosova, ka njoftuar mbrëmë se për premierën e filmit “Martesa” të regjisores Blerta Zeqirit, janë shitur të gjitha biletat, duke tejkaluar kështu edhe premierat botërore si Maze Runner dhe Den of Thieve, shkruan KultPlus.

Në këtë film që shtjellohet dashuria nëpërmjet një trekëndëshi, me rolet e tyre luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu. E gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë Nolin.
Të gjithë ata që duan ta shohin këtë film, tashmë ky film çdo mbrëmje do të jetë pjesë e repertorit të Cineplexx në Prishtinë në dy orare prej 19:20 dhe 22:30. Po ashtu premiera e këtij filmi mbrëmë u prezantua edhe në Dokukino në Prizren. Sonte ky film do të jepet premierën në Tiranë, në kinemanë Milenium./KultPlus.com

Rita Ora: Nëna ime është heroina ime

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka folur për Kosovën dhe shpërnguljen e familjes së saj në Britani të Madhe, në emisionin amerikan “Live Kelly and Ryan”.

Në këtë emision krijuesja e hitit botëror “Anywhere” tregoi se në kohën e shpërnguljes në Londër, nëna e saj u diagnostikua me kancer të gjirit, sëmundje të cilën e ka mposhtur, transmeton Koha.net.

“Është një vend i vogël me 2.3 milion banorë në Europën Lindore unë jam shpërngulur në Angli kur isha një vjeç dje prindërit e mi nuk flisnin anglisht dhe krijuan një jetë të re për ne”, ka thënë Rita Ora.

“Kur u shpërngulëm nga Kosova. Të them të drejtën ajo është heroinë për mua. Ajo u diagnostikua me kancer të gjirit, por është mirë. U diagnostikua pastaj studioi për psikiatri dhe e mësoi anglishten”, ka treguar Rita derisa ka folur për familjen e saj.

Veton Surroi deputetëve të Kosovës: Votojeni Rezolutën për kandidimin e Natasha Kandiq për Çmimin Nobel

Kujtesa kolektive e Kosovës së luftës në masë të madhe është ruajtur falë punës së FDH dhe Natasha Kandiqit. Përgjatë viteve të zhbërjes së ish Jugosllavisë, zëri i Natasha Kandiqit ka qenë i qartë në vetminë dhe guximin e vet, kundër fashizmit serb dhe fashizmave të tjerë.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës:

të nderuar zonja dhe zotërinj,
më 31 janar 2018 senatori amerikan Roger Ëicker and përfaqësuesi Eliot Engel nominuan Natasha Kandiqin dhe fondin për të Drejtën Humanitare për Çmimin Nobel për Paqe 2018.
Natasha Kandiq dhe FDH kanë qenë dhe mbeten dokumentuesit kryesorë të krimeve e viktimave të luftërave të ish Jugosllavisë dhe kanë qenë dhe janë bartësit kryesorë të shtyllës kryesore të idesë se pajtimi mes kombeve e qytetarëve mund të bëhet nëpërmjet të ballafaqimit me të kaluarën.
FDH, themeluar nga Natasha Kandiq, është sot i vetmi institucion i besueshëm që ka dokumentuar luftën në Kosovë dhe krimet e bëra në të. Kujtesa kolektive e Kosovës së luftës në masë të madhe është ruajtur falë punës së FDH dhe Natasha Kandiqit.

Përgjatë viteve të zhbërjes së ish Jugosllavisë, zëri i Natasha Kandiqit ka qenë i qartë në vetminë dhe guximin e vet, kundër fashizmit serb dhe fashizmave të tjerë.
Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës, me pajtim të gjitha grupeve parlamentare, të votojë një Rezolutë për kandidimin e Natasha Kandiqit dhe FDH-së për Çmimin Nobel për Paqe 2018. Me këtë do të nderonte jo vetëm punën e vetmohueshme të FDH-së dhe Natasha Kandiqit,aq të rëndësishme për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, por edhe idenë , më se të nevojshme për Kosovën dhe tërë regjionin, e pajtimit të popujve dhe qytetarëve nëpërmjet të ballafaqimit me të kaluarën./KultPlus.com

Liqeni i Lasgushit e i poezive të dashurisë në sprovën e UNESCO-s

Shqipëria dorëzoi sot Dosjen e Kandidimit të rajonit të Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Lajmin për këtë e ka bërë me dije numri një i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi.

Ai ka thënë se pas një pune të gjatë përgatitore, e gjithë dosja voluminoze, me vlerat e pamohueshme natyrore dhe kulturore të liqenit është tashmë në Qendrën e UNESCO-s në Paris, në pritje të miratimit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

“Liqeni i Lasgushit, poezive të dashurisë dhe natyrës piktoreske në çdo stinë, me pasuritë e tij natyrore dhe kulturore është tashmë në sprovën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s! Përgatitja e dosjes nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit u realizua nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ekspertët e fushave respektive, institucioneve lokale dhe pushtetit vendor”, ka thënë Klosi.

“Bashkë me dosjen e nominimit është tashmë dhe suplementi i Planit të Menaxhimit të rajonit të Liqenit të Ohrit, që do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës, duke siguruar, bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën në kontekst ndërkufitar”, ka shtuar më pas.

Rreth kësaj është deklaruar edhe zëvendësministri Hajrulla Çeku.

“Shqipëria që duam është vend i vlerave të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore. Edhe një nominim për të fuqizuar pozitën konkurruese të shtetit tonë në nivel global”, ka thënë Çeku.

28 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se Kryetar u zgjodh dr.Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Prof. Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani.

Uta Ibrahimi shpalosi kujtimet nga Himalajet në ekspozitën e parë personale (FOTO)

Gili Hoxhaj

Uta Ibrahimi është gruaja e parë shqiptare e cila është ngjitur në majën më të lartë të tokës , Everest. Disa momente të ngjitjes së saj janë përjetësuar përmes fotografive. Pikërisht përmes tyre, ajo e solli këtë rrugëtim shumë më pranë të pranishmëve në ekspozitën e parë personale ‘’Kujtimet nga Himalajet’’ që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Që në hyrje të Lapidariumit të Muzeut, Uta dukej sikur kishte vendosur që me të afërmit e vizitorët e saj të ndajë një pjesë të çmueshme të eksperiencës së saj.

Kartolina e bluza e gjëra të tjera ishin dhurata që Uta ofronte për çdonjërin. Uta dukej sikur një pjesë të kujtimeve të saj donte t’i bënte pjesë e të gjithë atyre që vazhdojnë ta mbështesin, e dëshironin ta shihnin më për së afërmi rrugëtimin e saj. Nëntëmbëdhjetë fotografi të ekspozuara në mure, e dëshmonin guximin dhe sakrificat e saj përgjatë ngjitjes. Me sy të buzëqeshur Uta është që nga pamja e kampit bazë në Everest, në kampet e tjera, akullnaja e deri tek mbërritja e majës. Përveç kësaj, ajo në këtë ekspozitë solli edhe rrobat, tendat e pajisjet që e kishin shoqëruar gjatë ngjitjes.

Ideja e Utës për t’i prezantuar kujtimet e saj në një ekspozitë ka lindur gjatë prezantimeve e takimeve të ndryshme me të rinj në shkolla dhe organizata, atje ku edhe e vëren interesimin dhe kureshtjen e tyre për eksperiencën e saj.

Uta para rreth një viti ka ngritur flamujt shqiptarë në majën më të lartë.

Vetëm dy muaj e ndajnë nga synimi që këta flamuj t’i ngrisë edhe para 12 majave të tjera. Këtë vit ajo synon ta arrijë majën e katërt më të lartë në botë, majën Lhotce (8516), për të vazhduar në muajt e verës në majën më të rrezikshme të botës , ne majën K2 (7,221m). Për t’i arritur këto Uta ka lansuar kampanjën ‘’14 Majet e Himalajeve’’, dhe brendin ‘’Utalaya Himalaya’’ ku përmes platformës Kosova Ideas, të gjithë mund të kontribuojnë me donacione për të përkrahur ekspeditat e saj në të ardhmen. Uta tha për KultPlus se deri më tani përkrahja morale ka qenë shumë e madhe, ndërsa tani të gjithë kanë rastin me mundësitë e tyre ta përkrahin atë edhe financiarisht.
Rrugëtimi, fotografitë e prezantimet e shumta të saj kanë një mesazh tejet inkurajues. Ajo thotë që pavarësisht që jetojmë në një vend të vogël e më shumë probleme, mundësitë për t’i arritur majat e jetës janë shumë të mëdha, dhe krejt çka duhet është puna dhe sakrifica.

“Everesti ka qenë për mua diçka e pamundshme, ose më mirë të them vështirë e realizueshme dhe unë e kam arritur. Shumë njerëz, sidomos femrat dhe gratë, unë i shtyj dhe i motivoj që t’i arrijnë majat e tyre në jetë, cilado qofshin ato”, ka thënë Uta Ibrahimi për KultPlus.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që aktivitetet e muzeut në vigjilje të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës po fillojnë pikërisht me këtë ekspozitë, e cila tregon suksesin e jashtëzakonshëm të një vajze kosovare. Ai po ashtu për KultPlus tha se sukseset dhe puna e saj do të jenë frymëzuese edhe për gjeneratën e re dhe ato që do të vijnë.

“Për mua është i rëndësishëm suksesi i saj si një femër e madhe dhe guximtare. Është shumë e rëndësishme po ashtu që edhe për gjeneratën e re, të dërgojmë mesazhe që secili mund të ngjitet majave të botës kur besohet fort në ëndërr dhe kur punohet shumë që ato ëndrra të bëhen realitet edhe në rastet kur mungon mbështetja apo është inkezistente ose edhe e vonuar”, ka thënë Boshtrakaj.

Ekspozita e Uta Ibrahimit do të qëndrojë e hapur për një javë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. / KultPlus.com

Shkruaj poezi

Poezi nga PETRIT RUKA

Shkruaj nëse sytë të kanë lënë e nuk sheh,
në je i belbër
a mbete pa këmbë,
po ngele jetim, në burg a me kancer,
kur shpirti të ka ardhur ndër dhëmbë.

Shkruaj po u ndave nga një grua a shok,
kur malli të këput për të vdekur.
Kur ëndrra nuk sheh dhe duhet t’i shpikësh,
kur ajri ngjishet, bie era hekur.

Shkruaj poezi kur fjalët mungojnë,
fshihen si milingonat nga shiu.
Kur të ndjesh se të gjithë
të paskan harruar
siç harrojnë arixhinjtë një varr arixhiu.

Shkruaj kur të mungon i tëri Atdheu,
kur Atdheu për festa
ha mëlçinë tënde,
kur vetmia të të mbetet e vetmja grua
që mund të martosh çdo mendje.

Në këto çaste shkruaj
për të mbetur i gjallë,
të mbijetosh mes Hiroshimë së marrë,
shkruaj që Biblioteka e Aleksandrisë të gjendet
të lexosh aty poezinë tënde të parë.

Por mos shkruaj kurrë, kur të jesh i lumtur,
se nuk je ti,
je ndërruar me një tjetër.
në botë nuk mbeti më asgjë për të parë
përveç poezisë, gjithçka është e vjetër…

Tiranë, janar 2013

Fjalët e fundit të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr.

Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh. / KultPlus.com

Viti 1971, bashkohen katër emra të artit e kulturës shqipe

Në këtë fotografi të realizuar në vitin 1971 janë katër njerëz që i dhanë shumë artit e kulturës shqipe.

Melihate Ajeti – Aktorja numër një e teatrit prishtinas. Melihatja e nisi aktrimin si 16 vjeçare, më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin dhe kapacitetin e madh prej aktoreje.

Ismail Kadare – Shkrimtar shqiptar i njohur në mbarë botën. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit, shkruan KultPlus.

Azem Shkreli
– poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën

Besim Sahatçiu
– Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. U lind më 2 tetor 1935 në Pejë, dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Fotografia: ILAZ ALIU / Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history.

“Kukulla” e Kadaresë botohet në italisht

Në 1994 Ismail Kadare niset nga Parisi për në Tiranë. Nëna e Ismailit po vdiste dhe i vëllai e paralajmëroi me shpresën që ai mund ta gjente gjallë, sa ta përshëndeste. Ajo është në koma dhe është në shtëpinë e së motrës për një kujdes më të mirë.

Kushëriri i Ismailit e ka marrë në krahë, sepse ishte e lehtë, si të ishte letër. Një kukull letre, mendon Ismaili, dhe e kupton se asgjë nuk ka ndryshuar.

Kështu nis shkrimi për botimin në gjuhën italiane të roamnit “Kukulla”, rrëfimit të Ismail Kadaresë për të ëmën në “mangialibri”.

Shënohet se siç rrëfen Kadare, e ëma ishte e lehtë kur ecte, sa pothuaj nuk i prekte shkallët, e lehtë ishte edhe mënyra se si ajo fliste.

Kur kukulla në vitin 1933 arriti në shtëpinë e bashkëshortit duhet të jetë ndjerë shumë e impresionuar për shkak të ndryshimit dhe për shkak “tri të panjohurave të mëdha që e prisnin: i shoqi, shtëpia dhe vjehrra”.

E nxehur, nëna e bashkëshortit të saj, kishte zgjedhur pikërisht atë çast për të shpallur zyrtarisht “mbylljen” e saj siç e diktonte zakoni: gratë më të vjetra, në një farë kohe, vendosin të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi deri në fund të ditëve të tyre.

Nisin “proceset”, siç i quan Ismaili, që i kujton mirë, sepse në atë kohë ai ishte djalosh. Procesi në shtëpinë “Kadare” duhej herë pas here të zgjidhte konfliktet mes Kukullës dhe vjehrrës, për të dekretuar se kush kishte të drejtë.

Shkrimtar, poet, eseist e më shumë se një herë kandidat për Çmimin Nobel, Ismail Kadare në këtë roman tregon për jetën e nënës së tij, nën titullin “Kukulla”. Si gjithnjë kur ndiqn gjurmët e jetës së një personi, nuk tregohen vetëm episodet. Shpesh flitet për atë që nuk është thënë, shkruan Gazeta Shqiptare.

Nuk është rastësi që autori, duke reflektuar në punën e tij si shkrimtar, citon romanet e pashkruara si më të mirar dhe shtëpia në Gjirokastrës, është një shtëpi e madhe që e frikëson Kukullën – “shtëpia më ha mua” duket sikur thotë. Duke portretizuar nënën e tij, Kadare flet për veten, letërsinë dhe historinë komplekse të Shqipërisë midis viteve ’30 dhe ’90.

Shqipëria e Ismail Kadaresë, “Kukulla”, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit ‘Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si roman më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë. / KultPlus.com

Robert Pichler kthehet në kohë, në Galerinë e Arteve në Shkodër

Të premten e 2 shkurtit do të hapet në Galerinë e Arteve në Shkodër një ekspozitë fotografike e fotografit e antropologut austriak Robert Pichler, kuruar nga Edit Pula.

“Kthim në kohë. Shqipëria e viteve 90-të” do të hapet nesër mbrëma, ndërsa një bisedë me artistin do të vijojë me datë 3 shkurt në ora 11:00.

Ekspozita e Pichler prezanton fotografi nga Shqipëria e Veriut dhe Shkodra në Vitet 90 dhe tematizon fazën e rrëmujshme të tranzicionit në Shqipëri nga komunizmi në demokraci.

Kjo ekspozitë lëvizëse, e cila nisi udhëtimin e saj verën e shkuar në Stacionin e Autobusëve të zonës së Veriut në Tiranë, u shfaq për herë të parë në Muzeun Historik të Bajram Currit, do të ndalet dy javë në Shkodër, për të vazhduar rrugëtimin e saj më tej edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 shkurt. / KultPlus.com

Manjola Brahaj në mesin e finalistëve në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Manjola Brahaj, e cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Ishte e bukura”.

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com

Sërish ndërtim pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore si dhe lejes ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon, njofton OJQ EC Ma Ndryshe.

Rasti i ri, sipas autoriteteve lokale ka ndodhur në rrugën “Bujtina”.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti në fjalë ka leje për ndërtim në etazhitet B+P+1, e cila sipas Inspektoratit të Komunës së Prizrenit nuk është respektuar dhe është tejkaluar. Lidhur me këtë rast Inspektorati ka pohuar se ka reaguar, duke ndërmarrë masën e ndalimit të punimeve dhe inicimin e procedurave të mëtejme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EC MA NDRYSHE i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë serioze dhe t’i zbatojnë në përpikëri të gjitha normat ligjore në këtë zonë të mbrojtur, ashtu që të ruhen dhe promovohen vlerat e saj. / KultPlus.com

Eleni Foureira do të këndojë ‘Fuego’ në Eurovizion

Eleni Foureira do ta shkundë mirë skenën e Eurovizionit.

Shqiptarja që do të këndojë këtë vit për Qipron në Eurovizion, do të këndojë këngën “Fuego”, e cila ende nuk është bërë publike për audiencën.

Foureira është me origjinë nga Fieri i Shqipërisë dhe ka një karrierë pë tu lakmuar, në Greqi.
Kënga e saj është kompozuar nga Alex Papaconstantinou, shkruan KultPlus.

Foureira sot është shpallur edhe zyrtarisht si përfaqësuese e shtetit qipriot nga faqja e Eurovizionit.
Foureira do të këndojë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit, me datë 10 maj.

Qipro, si rezultat më të mirë në Eurovizion ka pozitën e pestë, në vitin 1982, 1997 dhe 2004.

Qipro ka debutuar në Eurovizion në vitin 1981 dhe ka marrë pjesë në garë gjithsej 34 herë. / KultPlus.com

Admira dhe Bosko, kur dashuria e vërtetë vritet me plumba

Ai ishte një serb 15 vjeçar, ajo 16 vjeçare myslimane. Bosko Brkic dhe Admira Ismic u takuan në një festë të Vitit të Ri në Sarajevë. Ata ishin bashkë për nëntë vjet, derisa u vranë në maj të vitit 1993.

Në tentimin e tyre pa sukses për tu larguar nga Sarajeva, çifti provoi të kalonte nëpër urën Vrabna, e njohur si vendi ku u vranë në vitin 1993 dy studente, Suada Dilibegovic dhe Olga Sucic, nga një snajper.

Historia e ‘Romeos dhe Xhulietës’ nga Sarajeva është një tregim i durimit, forcës dhe emocionit.
Kur nëna e Boskos e kishte pyetur Admirën se kush do ta ndante atë nga i dashuri i saj, ajo tha – “Vetëm plumbat”. Gjeneratat e reja mund të mësojnë se çifti pati ndjenja, pati jetë mes vete, patën momente gëzimi deri në vrasjen e tyre.

Historia është e njohur sidomos për qytetarët e Bosnjës, shkruan KultPlus.

Babai i Admirës, Zijo, ka disa fjalë për këtë dashuri e cila përfundoi në plumba të armikut.
“Vdekja e tyre është e pabesueshme, nuk e besoj as sot, të rinj të etur për jetë që u shuan nga vdekja, të gjitha planet e dëshirat u zhdukën me një të shtënë. Kjo është dëshmia se dashuria nuk mund të triumfojë, nuk mund të fitojë mbi njerëzit që nuk besojnë në të”.

Për dyshen është realizuar edhe një dokumentar, në vitin 1994, me titull “Romeo dhe Xhulieta në Sarajevë”. Nëna e Boskos, Rada, nuk është kthyer më kurrë në Sarajevë, sepse ajo nuk mund të ecë nëpër rrugët e njëjta ku ka ecur djali i saj.

Ka shumë më shumë informacion mbi dashurinë e cila bashkoi dy familje të frikësuara nga Bosnja e viteve 90-të.
Tanja shoqja e ngushtë e Admirës, tregon se ajo ishte e buzëqeshur, e lumtur.

“Ishim të ndryshme. Ajo interesohej në gjëra të cilat mua më dukeshin të çuditshme. Ka qenë një vajzë jo e zakonshme, ka ditur të rregullojë vetura të prishura dhe të voziste biçikletën”.

“Ndërsa Bosko ishte ndryshe. Më i relaksuar, më i qetë. Ai kishte sharmin që nuk e sheh në shumë njerëz” tregon Tanja.

Dyshja nderohen sot tek ura ku u pushkatuan gjatë 1335 ditëve të Sagës së Sarajevës. / KultPlus.com

Maud Wagner, artistja e parë e tatuazheve (FOTO)

Si një nxënëse e bashkëshortit të saj, Wagner mësoi se si të bënte tatuazhe tradicionale “me dorë”, pavarësisht nga shpikja e makinës së tatuazhit dhe u bë vetë tatuatore, duke shënuar kështu artisten e parë femër të tatuazheve, përcjellë KultPlus.

Së bashku, Wagners ishin dy nga artistët e fundit të tatuazhit që punonin me dorë, pa ndihmën e makinave moderne të tatuazhe. Maud Wagner ishte artistja e parë e njohur i tatuazheve në Shtetet e Bashkuara.

Këtë zanat ajo e kishte mësuar nga bashkëshorti i saj, Gus Wagner me të cilin fillimisht u takua gjatë udhëtimit në Ekspozitën e Blerjes së Luizianës (Panairi i Botës) në vitin 1904, ku punonte si aerialiste. Ajo shkëmbeu një takim romantik me të për një mësim në bërjen e tatuazheve, dhe disa vite më vonë u martuan. Së bashku ata kishin një vajzë, Lotteva, e cila filloi të merret me tatuazhe në moshën nëntëvjeçare. / KultPlus.com

Me rolin e Alfredos, Ramë Lahaj do të ngjitet në skenën e Operës Kombëtare të Parisit

Tenori shqiptar Ramë Lahaj do të prezantohet me shfaqjen “La Traviata” të Giuseppe Verdi në Operën Kombëtare të Parisit, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje operistike do të ngjitet me premierë më 2 shkurt. Vetë Ramë Lahaj ka njoftuar se kjo shfaqje operistike është realizuar me regji të Benoit Jacquote dhe me dirigjent Dan Ettinger.
Ramë Lahaj në këtë shfaqje do të prezantohet në rolin e Alfredos, kurse në atë të Violetës do të paraqitet Marina Rebeka.

Në bazë të faqes zyrtare të Operës Kombëtare të Parisit kjo shfaqje do të ngjitet si premierë më 2 shkurt dhe do të ketë shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsejtë 8 shfaqje./KultPlus.com

Fotografia e gruas nga Shqipëria, në mesin e fotografive më mahnitëse të botës

Fotografia e një gruaje rome në Tiranë listohet nga National Geographic në mesin e nëntë fotografive më mahnitëse të grave në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Kjo fotografi është shkrepur nga Luigi Pellerano, në vitin 1930 në kryeqytetin e Shqipërisë ndërsa shihet një grua rome e veshur me veshje tradicionale./ KultPlus.com

Performanca e parë e “For You” nga Rita Ora dhe Liam Payne (VIDEO)

Rita Ora mbrëmë ka qenë pjesë e emisionit të famshëm amerikan “The Tonight Show”, të udhëhequr nga Jimmy Fallon, shkruan KultPlus.

Ajo së bashku me Liam Payne gjatë këtij emisioni kanë dhënë perforamncën e parë të këngës “For You”.

https://www.youtube.com/watch?v=VSKuhdmYkUU&feature=youtu.be

Kjo këngë është pjesë e filmit Fifty Shades Freed, që do të vije brenda një muaji në kinematë angleze. Po ashtu kjo këngë javën e kaluar është publikuar edhe me videoklip. /KultPlus.com

Edhe yjet e Baftas do të vishen në të zeza në shenjë proteste

Yjet më të mëdhenj të Britanisë pritet të vishen në të zeza në qilimin e kuq në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të këtij viti në Bafta Film, përcjellë KultPlus.

Veshja me këtë ngjyrë simbolizon mbështetjen e iniciativës Time’s Up, lëvizja që u krijua nga disa emra të Hollivudit kundër ngacmimit seksual. Në një letër që ka qarkulluar është kuptuar se shumë yje do të marrin pjesë në Baftas.

Kërkesa ka mbledhur tashmë mbështetjen nga yjet e Britanisë së Madhe që pritet të marrin çmime nga kjo ceremoni dhe figura të tjera të industrisë. Lista do të përfshij emra si Emma Thompson, Daisy Ridley, Emma Watson, Gemma Arterton, Keira Knightley, Jodie Whittaker, Emilia Clarke, Noma Dumezëeni, Natalie Dormer dhe Felicity Jones.

Përmes kësaj letra atyre u thuhet “që të visheni në të zeza në ceremoninë e shpërblimeve, për të ndjekur shembullin e motrave tona që morën pjesë në Golden Globe”.

Kjo ngjarje do të zhvillohet në Royal Albert Hall më 18 shkurt./ KultPlus.com

Arjola Zadrima, finalistja tjetër e konkursit të poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Arjola Zadrima, e cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Po te due unë”.

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. /KultPlus.com

Ditari i vajzës së Dritëro Agollit: Orët e fundit të babait

Elona Agolli

Asnjë çast nuk e pranova që babai im nuk ishte më. E mendoja që do ta takoja pasditeve.

Do ja dëgjoja zërin e puthja duart. E megjithatë vinte dita e fundit e javës e unë shkrehesha në vaj, shkoja ta takoja aty, nën qetësinë e qiparisëve , aty ku duket që nuk ka fjalosje, por nuk është e vërtetë.

Unë llafosja e kuvendoja me atin tim.

Tani shfletoj ditarin tim , ato çka unë i kam quajtur Fletët e dhimbjes, thuajse nje vit më parë:

Shkurt 2017, Ditar

Një brengë e madhe më mbërthen shpirtin. Brenga e të moskuptuarit. Nuk arrija të zbërtheja fjalë e gjeste, lëvizje duarsh të babit 4 ditë para se ai të mbyllte sytë.
Kishte katër ditë me intubim për frymëmarrje të drejtuar, e thuajse tërë kohën ishte i përgjumur.

– Pse kështu?- pyesja doktoreshën.

-Po kështu na udhëzojnë protokollet mjekësore e gjithçka ndiqet sipas atyre protokolleve ndërkombëtare të rastit në fjalë. Dmth, duhet mbajtur në gjendje gjumi e qetësie derisa të normalizohen parametrat e të nisë të aktivizohet frymëmarrja.

Kështu që babi përgjatë 6 ditëve pas shtrimit nē reanimacion , thuajse nuk reagonte dhe ishte tërë kohën në gjumë. Unë erdha nga Italia të enjten pasdite, pas një përmirësimi të mërkurën pasdite të babit.

Tani , mē mori në telefon i entuziazmuar , duke më rrëfyer për organizmin e fortë të babit , që kapërcen çdo situatë të vështirë”. Këta mjekët nuk njohin fuqinë e babit . Ata thonë fjalën e keqe pa u menduar .”- vijonte vëllai im më tepër se optimist.

Tani më qetësoi disi, por një si tymnajë gri gjithsesi më pushtonte mendimet dhe gjendjen shpirtërore . Mezor prisja të kthehesha e të shkoja drejt e te babi .
Tani më tregonte sesi kur ishte përmendur pak babi, një ditë pas shtrimit, i kishin shkarë në faqe dy pika lot.

Kishte dëgjuar zërin e mamit dhe Tanit e ishte ndjerë i përmalluar.

Të enjten, nga ora 7 shkova në spital; babi flinte me atë tubin e tmerrshëm në gojë, të lidhur me ca fasho, me garza të vendosura në anën e djathtë të qafës, mesa duket tubat e frymëmarrjes. Sytë i kishte të mbyllur e sado unë e puthja duart e i fërkoja ballin , nuk reagonte . Infermieret këshillonin të mos i shkaktonim emocion e për këtë arsye duhej shumë kujdes. Pas 6 ditësh intubacion dhe pasi mesa duket nuk i kishin dhënë morfinë e ilaç gjumi, babi hapi sytë.

Bënte lëvizje me duar sikur kërkonte të shkruante. I dhamë një dosje e një fletë të bardhë së bashku me stilolapsin. Dora i dridhej e nuk shkruante dot . Hodhi në letër ca si firma , pa mundur të deshifroheshin dot. Gjithsesi dukej që reagonte mirë. Po atë ditë ja hoqën tubat dhe babi dukej më i qetë. Buzëqeshi kur i shkova te krevati e më tha që ” nuk flisja dot , më kishin vënë në gojë diçka .” Ndjehej si i lehtësuar.

Në hundë kishte tubat e hollë të oksigjenit, njëlloj si ato që mbante në shtëpi. Gjatë dy ditëve ishte pak i acaruar , kërkonte të çohej e të ikte. Mesa duket kërkonte shtëpinë. Infermieret i bërtisjin dhe ai paçka se burrë autoritar dhe i fortë, bindej e nuk bëzante , porsi një fëmijë i urtë.

Por herë pas here , e sidomos kur shkonim ne , reagonte duke kërkuar të çohej . Mami përpiqej ta qetësonte , duke i krehur flokët e bukura ,duke e përkëdhelur e i folur në vesh. I thoshte: – Rri edhe pak Dritëro , se do ikim në shtëpi , sa të bëhesh më mirë. Ja qetësohu, fli pak.

E babi ngrinte sytë lart , sikur fliste me zogjtë e me perëndinë . Herë – herë i dridhej mjekra ,lëvizte duart sikur trembte djajtë, mblidhte buzët e merrte një pamje sikur vajtonte . E kam në sy pamjen e Atit tim autoritar , e tashmë i mpakur e i pamundur nga afrimi i zuzkës , shtrigës Meremje.

Oh babushi im, sa mall kam tani që shkruaj. Pse të lashë aty , në atë krevat hekuri , i rrethuar nga tubat , në atë pavion vdekje. Ti kërkoje ndihmë , doje t’i shpëtoje atij burgu të zi e prandaj më thoje shpesh: “çfarë është ai hu atje , ajo copë hekuri “; kur ula kokën një ditë për të puthur , më kape flokët e m’i tërhiqje. Nuk e kuptova çfarë doje babushi im. Kur të shërbenin infermieret, inatoseshe e madje njërën e quaje police, kurse ato që donin të ndërronin u thoje : Kokëmisër, hiq duart nga aty ku më prek vetëm Sadija ime.
Si namuzqar, nuk mund të pranoje nënshtrimin e kujdesin e të tjerëve për ty , varësinë nga të tjerë njerëz e jo nga Sadija.

Mesa duket, kur e pe që duhej të nështroheshe , kur e pe që përpjekja për të ikur nga sytë këmbët nga ai pavion i vdekjes , ishte e kotë , vendose të mos frymëmarrësh .
Sapo pive pak lëng kivi , të përgatitur nga unë , na hidhje sytë herë mua herë mamit , i largoje më pas , e i ngrije sipër . Flisje me shpirtra e zot , i bukuri im . Pas dy orësh na u dha lajmi i kobshëm : Arrest kardiak . Ora 4 pasdite dt 3 shkurt , dite e premte . Fytyra të ngrira , pa shprehje , të ftohta . Dritëroi, zemra e tij ndaloi.

– Mos , mos më thuaj . Babi , nuk do të shoh më. Ati im , duart e mia , flokët e bukura , nuk jetoj dot pa ty. O zot pse nuk më more mua. Tmerr , babi i ftohtë , me bluzën e leshtë të veshur, me buzëqeshje , i bukur .

Babushi im, po shkruaj tani me stilolapsin tënd . Aq për zemër i kishe sa përherë doje të vetmen dhuratë: parker , stilolaps , apo stilograf . Sot mbushen plot dyjavë babush që po fle vetëm , në tokën e ftohtë ; të lamë vetëm babush e vetmia është vrastare. E ndjeje babushi im që edhe pak kohë të kishte mbetur për të qëndruar bashkë e prandaj atë pasdite kur të telefonova zëri yt buçiste , kishte ankth , alarm , dashuri , përgjërim : Lona, kur do vish ?

E unë mjeranja që nuk e kuptoja thirrjen tënde . Ti i jepje fuqi vetes për të artikuluar fjalët e fjalitë e unë dëgjoja zërin buçitës e kurrë nuk ma merrte mendja që do të gjeja në spital , në atë gjendje të tmerrshme , me tuba e të përgjumur siç të gjeta .
Babushi im , nuk më njohe tërësisht kur të qëndroja afër krevatit , pasi nuk më komunikonin sytë e tu . Ishe lodhur duke mē pritur , e kur unë erdha ishte tepër vonë./ KultPlus.com

Dy poetët e mëdhenj kosovarë në një fotografi (FOTO)

Azem Shkreli nga Peja dhe Ali Podrimja nga Gjakova janë përfaqësuesit më të mirë kosovarë sa i përket artit poetik, shkruan KultPlus.

Këta dy poetë shënuan kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Arti i tyre i veçantë poetik, tashmë ka depërtuar edhe në nivel ndërkombëtar, pasi që poezitë e tyre janë përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja. KultPlus ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy poetëve. /KultPlus.com

Largohet obelisku i “NEWBORN” në Prishtinë (FOTO)

Obelisku i “NEWBORN”, i vendosur para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, para disa minutash ka nis të largohet nga aty, shkruan KultPlus.

Deri më tash janë larguar disa shkronja e disa ende janë në vendin ku kanë qenë.

Arsyeja e largimit të shkronjave historike është renovimi i tyre ne prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“NEWBORN sivjet po e merr trajtimin që e ka meritue edhe e ka pritë tash 10 vjet. Po e çojmë me i gërrye ngjyrat, ndryshkun edhe papastërtinë që e ka mbledhë ndër vite. Kthehet qeto ditë edhe më i bukur, me pamje të re, që tashmë është bë traditë”, ka shkruar në rrjetin social, Fisnik Ismaili-ideator i këtij obelisku.

“NEWBORN”, tashmë është në mbrojtje të përkohshme në Listën e Trashëgimisë Kulturore ndërkaq ky obelisk është vendosur plotë 10 vite më parë, kur Kosova u shpall shtet i pavarur./ KultPlus.com