Muzeu i Kosovës vjen me disa aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

18 maji shënohet si Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Me këtë rast Muzeu i Kosovës organizon një sërë aktivitetesh, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë .

Aktivitetet fillojnë më 18 maj, nga ora 10:00 deri në orët e vona, në ambientet e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni edhe agjendën e aktiviteteve që do të mbahen më 18 maj në Muzeun e Kosovës.

10:00h- 11:00 h Programi edukativ interaktiv –Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Institucionet parashkollore grupmoshat 5-6 vjeç,

11:30 h- 12:30 h Programi edukativ interaktiv- Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Shkollat fillore, grupmoshat 7-12 vjeç ,

13:00 h -14:00 h Pauza

14:00 h- 15:30 h Programi edukativ interaktiv- Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Shkollat e mesme, grupmoshat 14-18 vjeç,

19:30h- 20:30h Prezantimi i punimeve dhe dokumentareve “Citites of Peace” të realizuara më parë në 10-të vende të botës,

20:30h- 21:00h Shpërndarja e çertifikatave për vullnetarët e Termokiss në Muzeun e Kosovës,

21:00 h- 24:00h Muzeu i hapur për të gjithë,
21:00h- 23:00h Nezafete Shala & Band,
23:00h- 24:00h Muzikë,

*Edukimi për Paqe, është një program i cili përmes punëtorisë artistike inspiron gjeneratat e reja me trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke promovuar paqen dhe mirëkuptimin.
*Atelijeja e Qyteteve të Paqës, zhvillohet përmes punës praktike me artin e shëndritjes, ku fëmijët mësojnë teknika të ndryshme të muraleve, kaligrafisë dhe ikonografisë. Atelijeja do të ofrojë punën me fleta të arit nga nuanca të ndryshme, dhe do të përshtatet për të gjitha grupmoshat.
Ri – interpretimi i Trashëgimisë Kulturore përmes artit.

Monumenti më i vjetër i Tiranës tërheq vëmendjen e turistëve gjermanë (FOTO)

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë së I-rë është siti arkeologjik më i vizituar i qytetit.

Një grup vizitorësh gjermanë, të cilët pas një turi disa ditorë nëpër Shqipëri, destinacion të radhës kishin edhe vizitën pranë Mozaikut të Tiranës. Turistët u njohën me Trashëgiminë Kulturore të Qytetit të Tiranës dhe në veçanti me informacion në lidhje me mozaikun dhe objektet që ndodhen pranë tij.

Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga veri-lindja që përbëhet nga nje sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qëndrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absiden gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së I të shekullit te IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976./a.a/

Turistët izraelitë mrekullohen nga muzeu “Solomoni” në Berat

Muzeu “SOLOMONI”, kushtuar bashkëjetesës së shqiptarëve dhe hebrenjve përgjatë një historie mbi 500-vjeçare, është shndërruar në një qendër të mirëfilltë atraksioni për turistët e huaj që vizitojnë Beratin, sidomos për ata izraelitë dhe hebrenj nga vende të ndryshme.

“Tek Muzeu “SOLOMONI” Berat, gjatë këtyre 13 ditëve pas çeljes së tij, më 3 maj 2018, kanë ardhur shumë turistë e vizitorë: amerikanë, anglezë, suedezë, danezë, gjermanë, holandezë, italianë, turq, grekë, singaporas, etj., sigurisht edhe disa grupe izraelitësh, por sot mbërriti grupi më i madh në numër i izraelitëve që rrezatonte interes më të gjerë”, shkruan themeluesi i Muzeut të vetëm kushtuar hebrenjve në Shqipëri, Simon Vrusho, autor edhe i librit “Hebrenjtë e Beratit”. i cili ka postuar edhe foto nga vizita e turistëve izraelitë.

Gëzimet e agjërimit

Poezi nga RUMI / Përktheu: Rozafa Kelmendi

Ka ëmbëlsi të fshehur në zbrazëtinë e barkut.
Ne jemi lahuta, as më shumë, as më pak.
Nëse kutia e zërit është e mbushur plot me asgjë, muzikë nuk ka.
Nëse truri dhe barku digjen pastër
me agjërim, çdo çast një këngë e re del nga zjarri.
Mjegulla pastrohet, dhe një energji e re,
të bën të nxitosh hapat që para ke.

Kur agjëron, zakonet e mira mbledhen si miq që duan të ndihmojnë.
Agjërimi është unaza e Sylejmanit. Mos ia fal atë
ndonjë iluzioni dhe të humbasësh fuqinë .
Por edhe nëse ke humbur gjithë dëshirën dhe kontrollin,
kthehen sërish, kur të agjërosh,
si ushtarë që shfaqen nga toka,
me flamujt që u fluturojnë sipër.

Publikohen faqe të fshehura nga ditari i Anne Frank (FOTO)

Dy faqe të reja nga ditarët e Ana Frank janë bërë publike dhe ato përmbajnë disa barsoleta dhe mendimet e saj për seksin.

Ditari i adoleshentes hebreje, i shkruar ndërsa fshihej nga nazistët, u bë i famshëm kur u publikua pas vdekjes së saj, në përfundim të luftës. Fletët e fshehura ishin mbuluar në fakt me një letër bojëkafe, në dukje për të fshehur shkrimet e saj shumë intime nga familja.

Teknika të reja të ekzaminimit i kanë mundësuar kërkuesve ti lexojnë ato. Fletët ishin shkruar më 28 shtator 1942, jo shumë pasi 13 vjecarja ana ishte fshehur.

“Unë do të përdor këtë fletë për të shkruar disa shaka të ndyra”, shkruan ajo në një nga fletët e ditarit. Ajo shton disa rreshta mbi edukimin seksual e madje përmend edhe prostitutat.

“Anna Frank shkruan për seksualitetin në një mënyrë çarmatosësh”, thotë Ronald Leopold nga muzeu që mban emrin e saj në Amsterdam. Si çdo adoleshente tjetër, ajo është kurioze mbi subjektin.

Ana Frank u fsheh në një ankes sekret në dyqanin e të atit më 5 korrik 1942, rreth një muaj pasi kishte marrë si dhuratë një ditar, për ditëlindjen e saj të 13. Ajo jetoi atje me familjen dhe miqtë, deri në zbulimin e tyre dy vite më vonë. Ajo vdiq nga një sëmundje në një kam nazist të vdekjes në 1945, vitin kur përfundoi lufta. Babai, i vetmi pjesëtar i familjes që mbijetoi, publikoi ditarin e saj në 1947.

Ditari i Anne Frank është përkthyer në 70 gjuhë dhe është shitur rreth 30 milionë herë. Anne Frank, që të premten (12.06) do të kish mbushur 80 vjeç, mori një ditar si dhuratë për ditëlindje, kur mbushi 13 vjeç.

Sevdai Radogoshi në Gjykatë, i akuzuar për rrahje të motrës

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur seanca në rastin ku i akuzuar është humoristi Sevdai Radogoshi, i njohur si Qumili.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë në bazë të së cilës Radogoshi akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Gjatë seancës së kaluar i pandehuri është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj motrës së tij.

Pasi që gjyqtari i çështjes Mentor Bajraktari lexoi provat materiale, i akuzuari kishte vërejtje duke thënë se “nëse në raportet mjekësore është dikush tjetër përveç doktorit Valdet Spahiu, atëherë ato dokumente janë fals”.

Po ashtu, i akuzuari e kundërshtoi edhe raportin e ekspertizës mjeko-ligjore, duke cekur se këto lëndime nuk ia ka shkaktuar ai.

E dëmtuara Floranta Radogoshi kishte deklaruar se në ditën kritike është rrahur edhe nga vëllai tjetër i saj, Mesut Radogoshi.

Gjatë rrjedhës së procedurës e dëmtuara prezantoi edhe disa dokumente të tjera shëndetësore, për të cilat deklaroi se “ ka qëndruar 10 ditë në Repartin e Neurologjisë për lëndimet rreth kokës për të cilat jam ende në trajtim”.

“Po ashtu kam pasur rritje të oresterolit dhe të tensionit të syve. E gjitha kjo si pasojë e stresit të shkaktuar nga rasti i fundit”, tha e dëmtuara Floranta Radogoshi.

Më pas i akuzuari lidhur me provat e paraqitura nga e dëmtuara theksoi se e njëjta ka mundur ta hapë rastin se kinse ka qëndruar në spital, pasi që është paciente e doktorit Ilir Grezda-neuropsikiatër në Spitalin Regjional në Gjakovë.

Prokurori Bajram Kryeziu në fjalën e tij tha se aktakuza mbështetet në prova dhe fakte, të cilat do të vërtetohen në shqyrtim gjyqësor.

Sipas aktakuzës në maj të vitit 2016, pas një fjalosjeje në mes tyre, duke i kërkuar që e dëmtuara ta lirojë shtëpinë, i akuzuari i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës dhe për një moment përdor forcë ndaj saj duke e goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe më pas e tërheq për hunde.

KALLXO.com kishte raportuar për shoqërimin e Sevdai Radogoshit në Polici.

Me këto veprime i akuzuari Sevdai Radogoshi ka kryer veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Gjyqtari i çështjes konstatoi se duke marrë për bazë që janë dy ekspertiza mjeko-ligjore të dy mjekëve ligjorë, atëherë në cilësinë e dëshmitarit do të thirret eksperti mjeko-ligjor Naim Uka për të dhënë shpjegime lidhur me lëndimet e pësuara nga e dëmtuara.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 25 qershor.

Fituesja e Eurovizionit performon ‘Toy’ në sheshin kryesor në Tel-Aviv (VIDEO)

Rreth 30 mijë qytetarë kanë dalë në Sheshin kryesor në Tel-Aviv për ta përcjellë koncertin e fitueses së Eurovizionit këtë vit, Netta Barzilai.

Mbrëmë ajo në Sheshin kryesor ka performuar këngën fituese, me të cilën ia solli Izraelit fitoren e katërt në Eurovizion, të dytën pas 20-të vitesh.

Netta u shndërrua kësisoj në një këngëtare të njohur brenda pak kohësh, pasi të shtunën e 12 majit e fitoi finalen e Eurovizionit këtë vit.

Kënga “Toy” është ritmike dhe tregon fuqinë e femrës, edhe pse ka debate të ndryshme rreth këngës dhe mesazhit të saj feminist.

Shtetet që e kanë fituar më së shumti Eurovizionin janë Irlanda – gjithsej shtatë herë, Suedia gjashtë herë, Anglia dhe Franca e Luksemburgu me nga pesë herë dhe Izraeli e Holanda me nga katër herë secila. / KultPlus.com

Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri.

Imami që përcillte meshat e Fan Nolit

Bajram Mjeku / Facebook

Se ç’është toleranca fetare e dinjiteti njerëzor dhe si shkohet gjithë jeta në shërbim të atdheut, këtë e dëshmon më së miri ky burrë në foto, i cili si luftëtar i Rezistencës antikomuniste u largua nga Shqipëria në tetor të vitit 1948 dhe për të të gjallë, nuk e pa më asnjëherë Shqipërinë. Është Hamit Perolli, i cili u lind në Perollaj të Hasit të Shqipërisë në vitin 1913.
Hamit Perolli para se të largohej nga Shqipëria, ishte imam i xhamisë në vendlindjen e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupi i tij dhe ai i Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi luftuan kundër fashistëve italianë. Grupi ushtarak i Hamit Perollit më vonë iu bashkua Lëvizjes Fronti i Përbashkët, që udhëhiqej nga Gani Bej Kryeziu. Në këtë Front, Abaz Kupi përfaqësonte krahun e djathtë politik, Mustafa Gjinishi të majtin, ndërsa këshilltar politik ishte, Lazar Fundo.
Në vitin 1943, Gani Bej Kryeziu themeloi partinë Lidhja Katundare, e cila për mision kishte bashkimin e trojeve shqiptare. Në shtator të vitit 1944, komunistët rrethuan Grupin nacionalist dhe arrestuan Gani Kryeziun e Lazar Fundon. Duke dashur që t’i ikte luftës civile, Gani Kryeziu shpërndau grupin dhe u kthye në Gjakovë.
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, jeta e familjes Perolli ishte e trishtë dhe dramatike. Kjo familje kaloi me vite të tëra në kampe përqëndrimi. Në fillim jetuan në Gjakovë, pastaj në Podujevë, Vushtrri, Kamenicë, më vonë në Vojvodinë dhe në Sisovec të Shumadisë. Në këtë të fundit, si pasojë e kushteve të rënda vdiq Skënderi, djali dy vjeç i Hamitit.

Familja e imam Hamit Perollit jetoi në ish-Jugosllavi deri në vitin 1954. Këtë vit migruan në Itali dhe qëndruan deri në vitin 1956. Më 6 nëntor të këtij viti, familja Perolli bashkë me atë të kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva nga Aeroporti i Romës fluturuan drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ateruan në Aeroportin John F. Kenedy, i cili atëbotë quhej Adlewild Airport. Bashkë me familjet Perolli e Deva udhëtonte edhe Said Kryeziu, vëllai i vogël i Gani Kryeziut më vonë sekretar i Komitetit Shqipnia e Lirë, pastaj Gaço Goga nga Korça, ndër më të shquarit e Lëvizjes së Legalitetit, si dhe familjet e Miftar Spahisë, Ramazan Qosjes, Mark Shalës nga Malësia e Shkodrës, i cili ipërkiste Bllokut Independent, si dhe disa familje tjera të shquara. Kishte edhe personalitete tjera të shquara, të cilët më vonë themeluan Komitetin Shqipnija e Lirë, si dhe funksionarë të katër partive kryesore politike si Balli Kombëtar, Legaliteti, Partia Katundare dhe Blloku. Tri partitë e para ishin anëtare të Komitetit Shqipnija e Lirë, ndërsa Blloku nuk bënte pjesë si parti. Udhëheqësit e Bllokut, Ismail Vërlaci e Ndue Gjomarkaj në Komitetin Kombëtar ishin pranuar si individ.
Familja e Hamit Perollit dhe ajo e ministrit Xhafer Deva në fillim u vendosën në Boston. Gani Perolli, djali i imam Hamit Perollit, i cili edhe sot jeton në moshë të shtyer në Nju Xhersi, kujton se baba i tij Hamit Perolli, të dielave vishej bukur dhe bashkë me të shkonin për t’i përcjellë meshat e ish-kryeministrit shqiptar dhe eruditit të shquar, peshkop Fan S. Noli. Ganiu kujton se kur e pyesja babën pse shkonim në meshë, pasi i takonin fesë muslimane, baba i tij Hamiti thoshte:
– E kishim gjashtë muaj Kryeministër të Shqipërisë dhe meriton respekt…
Gani Perolli kujton se gjatë një bisede me Fan Nolin në vitin 1956, kur ky i fundit e pyeti pse u larguan nga Shqipëria mbas çlirimit?, – baba u përgjigj:
– Unë Hirësi, si edhe ti jemi njerëz të fesë, por kur atdheu ynë u pushtua nga Italia fashiste, vura Kur’anin në raft dhe mora pushkën në dorë për të çliruar atdheun.
Hamit Perolli vazhdoi bisedën me Fan Nolin dhe i tha:
– Kur komunistët morën Qeverinë me forcë, nisën të na persekutojnë neve që luftuam kundër okupatorit nazifashist. Kur komunistët shqiptarë u lidhën me komunistët jugosllavë, ne kundërshtuam këtë bashkëpunim, pasi udhëheqja komuniste shqiptare braktisi Kosovën dhe e la nën mëshirën e komunistëve jugosllavë.
Ish-kryeministri shqiptar dhe kryepeshkopi i Kishës Autoqefale shqiptare, Fan Noli për disa qaste qëndroi mendueshëm e tha:
– Ne nuk i disponojmë këto informata!
Hamit Perolli ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare nga një sulm në zemër më 3 janar të vitit 1987 në Shtetet e Bashkuara. Në komunitetin shqiptaro-amerikan, mbahet mend si burrë me dinjitet, i cili gëzonte respekt të madh dhe asnjëherë nuk pushoi së kërkuari të drejtat për Kosovën. Edhe sot mbahet mend si luftëtar i paepur e unikat. Përveç që ishte patriot dhe besimtar i devotshëm, ai e dinte përmendësh edhe Lahutën e Malcisë së Gjergj Fishtës.

Foto: Imam Hamit Perolli në Itali në vitin 1955

Robert Radoja, figura emblematike e muzikës shqiptare (FOTO)

Robert Radoja një nga figurat emblematike të muzikës shqiptare festoi mbrëmjen e djeshme 80- vjetorin e lindjes.

Me emrin e tij lidhen breza të tërë muzikantësh që kanë marrë duartrokitjet e publikut në skenat shqiptare. Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve për kontributin e tij organizoi një mbrëmje muzikore.

Mbrëmja ishte titulluar ”Një urim Robert Radoja në 80-vjetorin e lindjes”, e cila bëri që mjeshtri i muzikës të kalonte një ditë të gëzuar lindje dhe të veçantë një një atmosferë festive.

Në mbrëmjen festive ishin të pranishëm studentë,pedagogë,miq të shumtë dhe orkestra e RTSH-së të cilët mbushën sallën e madhe të Universitetit të Arteve mes urimesh e këngësh.

Robert Radoja ka orkestruar këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në Radio Televizion ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike ishte në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë prej datës 13 deri në 15 dhjetor të viti 2002, puna e tij e palodhur në vite u vlerësua me “Çmimin e Mirënjohjes”./ata

Elektro artistët kosovarë të njohur në Europë performojnë në Itali

Artistët kosovarë, Vegim dhe Flekitza, emra të njohur për adhuruesit e muzikës elektronike, në Kosovë dhe Evropë, këtë fundjavë do jenë në Lecco, Itali për një showcase të labelit të tyre, TMM Records.

Take More Music Records TMMR, është label i muzikës techno i themeluar në 2006 nga Vegim dhe Flekitza, producent dhe DJ kosovar, më qëllim të prodhimit të muzikës kualitative që sjell ritëm dhe energji në cdo përformacë.

Duke u mbështetur nga artiste të njohur Evropian, TMMR tash zë një emër në skenën e techno-s në Evropë.

Me 17 May 2018, në Lecco të Italisë TMMR do të ketë showcase-in e rradhës ku do të përformojnë Vegim, Flekitza, Several Rooms, Mattia Birelli dhe Cryptonight.

Vegim filloj karrierën e tij si DJ në 1998, ndërsa produksionet e tij të para datojnë qysh në 2002.

Qindra produksione dhe remix-e të tij janë publikuar në disa nga labelet më të njohura të muzikës techno. Produksionet dhe remixat e tij janë mbështetur nga DJ-të njohur Evropian si: Dave Clarke, Laurent Garnier, Chris Liebing, Ben Klock, Marcel Dettmann, Dax J, Slam dhe shumë të tjerë.

Duke qenë një ndër zhvillueset e para të muzikës techno në Kosovë, Flekitza është një ndër DJ femra më të kërkuara nga Ballkani. E njohur për shkathtësitë e saja miksuese, Flekitza arrin të dhuroj muzikë që përcjellë energjinë e publikut deri në orët e hershme të mengjesit. Me një karrierë të gjatë si promotere dhe gazetare, ajo arrin të drejtoj dhe promovoj TMMR në një treg global, duke e promovuar dhe zhvilluar skenën e muzikës elektronike në Kosovë.

Vegim, një Kosovar etnik Shqiptarë, dhe Mirjana (Flekitza), Kosovare me etni Serbe janë një duo që kanë kontribuar në skenën e muzikës elektronike në Evropë duke pasqyruar kulturën multietnike të Kosovës. Të bashkuar nga dashuria, dhe pasioni për muzikën Vegim & Flekitza dhurojnë energji të vecantë, kështu duke u bërë shumë të kërkuar nga publiku. Si të tillë, ata kanë përformuar në shumë vende Evropiane duke përfshirë Gjermaninë, Portugalinë, Francën, Lituaninë, Italinë, Belgjikën, Austrinë, Zvicrrën e shumë të tjera, njofton Klan Kosova.

Vegim ka përformuar edhe në shtete ku Kosova nuk njihet, si Exit Festival në Serbi dhe në Teknofilia në Spanjë duke demonstruar që në shoqëri arti vlen më shumë se politika./ KultPlus.com

John Travolta me vallëzimin e tij të veçantë gjatë performimit të 50 Centit në Kanë

Duket se aktori ende ka disa nga lëvizjet e veçanta të vallëzimit.

Aktori i njohur Hollywoodian, John Travolta, ka bërë vallëzimin e tij të veçantë gjatë performimit të reperin të famshëm 50 Cent në Kanë.

Travolta është i njohur për lëvizjet e tij të vallëzimit në filmat si Grease, Saturday Night Fever dhe Pulp Fiction, transmeton Koha.net.

50 Cent më vonë ka postuar videon ku shihen të dytë në skenë dhe ka shkruar: “Unë dhe John Travolta duke u argëtuar. Betohem se kam ardhur këtu vetëm për të”.

Shikoni videon:

Në Tiranë do bëhet promovimi i vëllimin të parë të serisë ‘Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë’

Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore CNRS dhe Universitetin Paris IV, në Francë, do të organizojnë një aktivitet të përbashkët për të promovuar Vëllimin e Parë të serisë “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë – Corpus of Mosaics of Albania”, shkruan KultPlus.

Ky publikim është botuar në vitin 2018 në Francë dhe i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, Pasuri Botërore.

“Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” është konceptuar si një seri vëllimesh nga autorët: Agron Islami, përgjegjës i sektorit të artit pranë IMK, restaurator dhe Marie-Patricia Raynaud, specialiste e mozaikëve, inxhiniere pranë CNRS, Collège de France, Paris.

Ky Vëllim i Parë vjen si pasqyrim i punës disavjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaikë (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Mozaikët në Shqipëri, shpeshherë jo edhe aq të trajtuar në kontekstin e tyre arkitektonik dhe arkeologjik, vijnë nëpërmjet këtij publikimi si një vlerë e shtuar e botimeve me karakter promovues dhe kërkimor në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” është një botim në format të madh, ku përfshihen planimetri të lexueshme dhe dokumentacion fotografik i shfrytëzueshëm me ngjyra. Publikimi pasqyron një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve të Butrintit, të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.

23 Maj 2018, ora 12:30, Salla UNESCO dhe Salla e Ekspozimeve të përkohshme, në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Otto Sauter dhe Daniel Crespo, trumbetistët që përcollën energjinë e tyre përmes ‘Kosova Brass Festival’

Alberina Haxhijaj

Tashmë ka nisë edicioni i tretë i “Kosova Brass Festival”. Në kuadër të këtij edicioni kanë qenë të ftuar edhe profesori Otto Sauter, trumbetist ndërkombëtar dhe drejtor artistik i “World & European Brass Association” si dhe profesori Daniel Crespo, trumbetisti i parë në Filharmoninë e Teatro Colón dhe profesor i trumpetës në konzervatorin Franz Liszt në Buenos Aires – Argjentinë.

Trumbetistët Otto Sauter dhe Daniel Crespo, në intervistën e realizuar për KultPlus kanë shpalosur detaje mbi jetën e tyre muzikore, përshtypjet që kanë për Kosovën, si e shohin muzikën në vendin tonë, e po ashtu kanë diskutuar edhe për masterklasat që kanë mbajtur me studentët në Prishtinë.

Otto Sauter i cili tani ka 56 vjet gjithë jetën e tij ia ka kushtuar muzikës. Ai rrjedh nga një familje muzikantësh. Kështu për njeriun i cili çdo ditë bënë vetëm 3 orë gjumë, e që posa hapë sytë, hapë edhe partiturat për tu ushtruar në trumbetë, muzika është gjithçka, por fillimi për të nuk ka qenë i lehtë.

Otto Sauter i lindur në Gjermani studimet i përfundoi në Zvicër. Vend ku shkollimi kushtonte shumë por që vendlindja e tij nuk ishte opsion për trumbetistin pasi që Gjermani nuk e lejonte studimin pa përfunduar shkollën e mesme.

“Unë nuk dëshiroja që tu merrja të holla prindërve. Një ditë shkova në bankë dhe pyeta për kredi. Isha shumë naiv, ju tregova se sa para më duheshin dhe me thanë që mund të largohem dhe do të më lajmëronin. Pas dy ditëve më lajmëruar se mund të marrë kredinë. Pas shumë viteve dhe pasi që e kisha paguara kredinë, e kam vërejtur që prindërit e mi i kishin nënshkruar dokumentet mirëpo asnjëherë nuk më kishin thënë”, thotë ai duke treguar më krenari se prindërit e tij kanë qenë përkrahësit e tij më të mëdhenj gjatë këtij rrugëtimi.

Pas studimeve ai mori edhe punën e parë, por entuziazmi për të nuk vazhdoi për shumë kohë

“Dëshiroja që të bëhesha instrumentistë në orkestër dhe kur e mora lajmin që jam pranuar ishte sikur të kisha rënë në dashuri, mund të ndjeja fluturat në bark. Në atë kohë në Gjermani të gjitha shtëpitë operistike kishin një repertor të madh. Dhe ishte një ndjenjë shumë e mirë, por sjelljet e disa prej kolegëve të mi bënë që pas gjashtë javë ato ndjenja të zhdukeshin”, theksoi ai duke shtuar se aty e kuptoi se kjo nuk ishte vendi ku përkiste, prandaj vendosë që vëmendjen e tij të ia kushtojë arsimit.

Nga viti 1988 deri në vitin 1998 ai u emërua trumbetist kryesor në Bremen, Orkestrën Filharmonike të Shtetit. Në këtë qytet të Gjermanisë veriore, ai i kushtoi shumë energji avancimit të artistëve të rinj. Që nga viti 1991 ai ka qenë drejtor artistik i “Bremen International Trumpet Festival”, ndërsa në vitin 1994 Otto Sauter themeloi “Bremen Trumpet Academy”

“Vërejta që sistemi i arsimit atje nuk ishte i mirë. Një profesor nuk mund të jetë i mirë në të gjitha fushat. Prandaj ftova disa trumbetistë nga Gjermanai, Moska, Parisi, LosAngelos, Suedia dhe morëm prej të gjitha sistemeve vetëm elementet pozitive dhe i eliminuam ato negative. Tani kam hequr dorë nga mësimdhënia dhe luajë më këtë dua, çfarë unë dua dhe shkoj ku unë dua, asnjë pagesë nuk e zëvendëson këtë”, theksoi Otto Sauter.

Në vitin 2014 ai themeloi “The World & European Brass Association of international Brass Festivals”me 6 shtete nga Bashkimi Evropian. Tani ku festival përfshinë më shumë se 50 vende duke përfshirë edhe Kosovën, pas thirrjes që i bënë instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit Avni Krasniqi dhe Betim Krasniqi.

“Që të dy po investojnë shumë energji për të ndihmuar dhe për të përkrahur studentët e ri dhe prandaj edhe unë jam këtu. Ajo që dëshirojë është që studentët të marrin nga këto masterkasa entuziazmi dhe dashurorin për instrumentin. Për mua muzika dhe trumbeti janë numër një, nuk ka asgjë në botë që mund ta ndryshojë këtë”, tha ai duke theksuar se mundësit për studentët dhe instrumentistët në Kosovë nuk janë të kënaqshme.

“Sigurisht mundësit për instrumentistë këtu nuk janë shumë të mira, nuk ka mjaft punë, paga nuk është si duhet që të jetë dhe studentët nuk kanë një shtytje për përpara. Mirëpo unë çdo herë ju them nëse jeni të mirë si instrumentistë ju mund të gjeni punë çdo kund nëpër botë dhe të paguheni mirë” theksoi ai për fund duke u ndjerë krenar për klasën e tij ku dominojnë vajzat e që sipas tij është edhe e veçanta e Kosovës pasi që në vendet e tjera në këtë instrument luajnë zakonisht meshkujt.

Në anën tjetër Daniel Crespo po ashtu vjen nga një familje muzikantësh mirëpo ai nuk kishte luajtur që në fillim në trumbetë. Ai për KultPlus solli kujtimet e tij nga kjo kohë duke treguar sesi fillimisht kishte mësuar sesi të luante në piano, diçka që më vonë e kishte ndërruar me kitarën pasi që kishte dëgjuar grupin The Beatles, për të përfunduar me trumbetë edhe pse ëndërr e kishte të bëhej pilot.

“Fillova kur isha 16-të vjeçar, diçka jo tipike për instrumentistët. Gjëja e mirë ishte se fillova me teknika të mira që në fillim. Po luaja dhe mendova që pas kësaj do studioja diçka tjetër mirëpo në një festival mu dha mundësia që të studiojë në Graz të Austrisë. Aty fillova që ta marr me seriozisht këtë dhe të bëhem një trumbetist i mirë”, tha ai duke numëruar tutje shtëpitë operistike ku ka performuar por duke treguar edhe për babin e tij, trumbetistin e njohur Enrique Crespo.

“Ëndrra e babit ka qenë të shkojë në Chicago dhe të luajë xhaz mirëpo gjyshja ime këmbëngulte që ai të luante muzikë klasikë. Ai fitoi bursën për Berlin ku studio për dy vite. Atëherë ishte koha pas luftës në Gjermani dhe çdo gjë ishte e shkatërruar. Ai luante shumë mirë dhe qëndroi atje duke luajtur për orkestra të famshme. Në vitin 1974 krijoi “The German Brass” dhe gjithë jetën e tij ja dedikoi kompozimit dhe muzikës dhe unë kam lindur pikërisht në këtë ngritje të karrierës së babait tim”, tregon Daniel Crespo i cili aktualisht është trumbetisti i parë në Filhramoninë e Teatro Colón dhe profesor i trumbetës në konzervatorin Franz Liszt në Buenos Aires – Argjentinë.

“Kur mora këtë punën, mendova që do të qëndrojë vetë 3 vite mirëpo jam aty që nga viti 2010. Është një nga shtëpitë operistikë më të mira, më 5 mijë ulëse dhe më shtatë kate. Punën e kam afër familje, kjo është edhe pjesa tjetër e mirë”, thotë Crespo i cili e njohu Kosovën përmes trumbetistit Otto Sauter.

“Njihem me punën që bënë Otto përmes projekteve që ka ai në World Brass Association. Në fillim kur më ftoi nuk dija asgjë për Kosovën. Kur erdha u habita nga ngrohtësia e njerëzve dhe e nga edukimi që kanë. Jam mahnitur nga bukuritë e vendit . Por kryesorja është fakti që jemi këtu dhe po ndihmojmë pak, pasi që gjeneratat këtu janë shumë të reja, nuk është se ka ndonjë traditë për këtë instrument”, përfundon ai.

Ndërsa të dy presin me padurim për t’u rikthyer në Prishtinë përsëri por edhe për të parë sesa do të përparojnë studentët./KultPlus.com

Atifete Jahjaga takohet me Ismail Kadarenë (FOTO)

Shkrimtari Ismail Kadare është duke qëndruar në Tiranë, ku është takuar me ish-Presidenten Atifete Jahjaga.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka biseduar së bashku me Jahjagën për rimëkëmbjen kulturore në hapësirat shqiptare, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur vet Atifete Jahjaga përmes një postimi në Facebook ku edhe ka publikuar fotografi nga ky takim.

“Me shkrimtarin Ismail Kadare në Tiranë biseduam për nevojën e rimëkëmbjes kulturore në hapësirat shqiptare për të rigjeneruar dhe forcuar vlerat demokratike”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Vlerat e ndërtesave konstatohen nga autoritetet e trashëgimisë kulturore

Komuna e Prizrenit në sqarimin e bërë më datë 15.05.2018 lidhur me rrënimin e shtëpive të vjetra me statikë të dëmtuar skaj rrugëve të qytetit ka veçuar reagimin e OJQ-së EC Ma Ndryshe, duke shkëputur vetëm pjesën ku thuhet se “zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave”.

Në këtë komunikim publik, Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se ka dërguar ftesë me postë elektronike dhe nuk ka marrë përgjigje nga QRTK për pjesëmarrje, derisa ka shtuar se në takimin e mbajtur të këtij komisioni nuk është paraqitur asnjë zyrtar i QRTK-së. Gjithashtu Komuna ka pohuar se në takim me drejtorin e QRTK-së ka marrë përgjigje se ky institucion nuk ka kapacitete njerëzore për pjesëmarrje në këtë proces.

E para, tendenca e Komunës së Prizrenit që procesin e vlerësimit të vlerave të ndërtesave të vjetra ta reduktojë vetëm në çështjen teknike të pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes së zyrtarëve të QRTK-së në një takim të një organi komunal është një qasje që duhet të ndryshojë, ngjashëm sikurse edhe mënyra e komunikimit të deritanishëm lidhur me këto çështje.

E dyta, Komuna e Prizrenit qëllimshëm ose jo në sqarimin e vet, nuk i është referuar pjesës tjetër të paragrafit të reagimit të EC-it, ku thuhet se: “Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja”.

EC përkujton se në njoftimin e parë të Komunës së Prizrenit shkruan që: “Në përzgjedhjen e tyre (objektet e vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër) ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjinden në Qendrën Historike të Prizrenit”. Pikërisht këtu edhe qëndron problemi, ngase organet komunale nuk japin vlerësime mbi vlerat e ndërtesave të vjetra, pasi që legjislacioni e ka përcaktuar MKRS-në dhe organet e saja vartëse (QRTK) si institucione që kanë përgjegjësi dhe kompetenca në këtë drejtim. Prandaj nëse QRTK-ja nuk ka marrë pjesë në takimin e organit komunal (Komisionit përkatës) ose edhe nëse e ka refuzuar një gjë të tillë, atëherë Komuna është dashur që të komunikojë edhe me MKRS-në për këtë çështje.

Kjo edhe për faktin se MKRS-ja merr vendim për Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, hartimi i së cilës është një proces i vazhdueshëm sikurse edhe plotësimi i saj me asete.

Për më shumë pos komunikimit me MKRS-së dhe organet e saja lidhur me listën e ndërtesave që parashihen për rrënim, Komuna e Prizrenit është dashur që t’i bëj publike raportet e Komisionit përkatës, vendimet e tij bashkë me arsyetime, ashtu që edhe publiku i gjerë të jetë i njoftuar me vendimmarrjen për këtë çështje, në përputhje me zotimet e lidershipit komunal për transparencë radikale.

EC konsideron se Komuna mund të ketë argumente që veprimi i saj ka qenë i nevojshëm për hir të sigurisë së qytetarëve, por megjithatë përsërit qëndrimin se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore dhe jo nga organet komunale./ KultPlus.com

Gashi: Kemi rritur buxhetin për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar

Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi për zbatimin e programit dhe politikave të trashëgimisë kulturore dhe punën e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

Ministri informoi deputetët se që nga muaji shkurt kur ky Inspektorati ka filluar punën, ka bërë 21 inspektime, ndër to ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë në vend. Ministri po ashtu u shpreh se MKRS ka përgatitur koncept-dokumentin për ligjin për trashëgiminë kulturore i cili do të procedohet në Kuvend.

Ministri theksoi se ka filluar zbatimi i programit për trashëgiminë sidomos në plotësimin e legjislacionit dhe se MKRS ka rritur buxhetin për trashëgimi.

“Sa i përket zbatimit të programit për vitin 2018 mund të them se kam pas një përkushtim të veçantë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, rritjes se buxhetit për institucionet vartëse dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve kapitale”, është shprehur ministri Gashi duke shtuar se “Rritja e buxhetit për vitin 2018 në programin e trashëgimisë kulturore është afërisht 1 milion krahasuar me vitin 2017 (që zbërthyer në përqindje i bie afërsisht 30%)”.

“Buxheti i vitit 2017, në projeksion kapital ka qenë 3.125.684€ kurse në subvencione 842.286 euro derisa ne vitin 2018 në projeksionin kapital 4.020.000 euro kurse ne subvencione është i njëjtë. Prioritet ka qenë themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, një detyrim ligjor ky i pa përmbushur për më shumë se një dekadë”, ka shpjeguar ministri.

“Bazuar në programin e punës në MKRS, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të kushtuar dhe përbën një nga sfidat kryesore të kësaj ministrie. Janë realizuar 12 projekte në ndërtesat me status të mbrojtjes kurse tek kërkimet në kuadër të trashëgimisë arkeologjike janë realizuar 19 projekte”, tha ministri.

Ministri ka njoftuar anëtarët e Komisionit edhe për përgatitjen e materialeve e dokumenteve të trashëgimisë kulturore. “Tek botimet janë realizuar 10 sosh. Një vëmendje e shtuar në kuadër të politikave programore i është kushtuar 14 projekteve në trashëgimin shpirtërore”, tha ai.

Kryetari i komisionit Ismail Kurteshi tha se përmes këtij takimi po tentohet të rritet bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Trashëgimisë Kulturore, agjenci kjo që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua edhe për Këshillin e Trashëgimisë, të cilës pritet t’i kalojë mandati dhe duhet të përzgjidhen kandidatët e rinj për këtë Këshill./ KultPlus.com

Gazetarja italiane: Berati, qyteti magjik me bukuri mahnitëse

Të kthehesh në Berat, çdo herë është një kënaqësi. Qyteti, nga 2008 është në listën e pasurisë së Unesco-s falë arkitekturës së tij të mrekullueshme që daton prej epokës otomane dhe nga bashkëjetesa paqësore e shumë feve, është i shkëlqyer.

Në vizitat e mëparshme kam ndenjur vetëm disa orë në Berat, por këtë herë, kisha kënaqësinë të kaloja një fundjavë në qytetin më romantik të Shqipërisë dhe të zbuloj me qetësi vendet ikonike të tij.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

Berati është një qytet magjik ku historia e tij është e ndërthurur me tregime legjendare. Ashtu si ai i dy vëllezërve Shpiragu dhe Tomorri në zënkë për një vajzë të bukur, me të cilën ishin të dy të dashuruar dhe luftuan me njëri-tjetrin deri në vdekje. Nga historia e tyre janë lindur malet, ndër të cilat është vendosur Berati: mali i Shpiragut që duket se është prerë në feta dhe mali i Tomorrit, i cili ka gropa të mëdha. Vajza, e trishtuar për rivalitetin midis dy vëllezërve, derdhi shumë lot që, sipas legjendës lokale, i dhanë jetë lumit Osum që sot e ndan qytetin në dy, transmeton atsh.

Çfarë të shikosh në Berat

Goricën

Gorica është një lagje historikisht e krishterë e Beratit. Arrihet duke kaluar Urën e Goricës, një urë që ka një veçori shumë të veçantë: pavarësisht se është një ndërtim masiv, duke ecur sipër lëviz. Unë ju këshilloj që të ndaleni përafërsisht në gjysmë të rrugës në urë për të admiruar pamjet e bukura dhe për të marrë disa fotografi në lagjen tjetër historike të Beratit, Mangalem, për të cilën do të flas më vonë.

Në Goricë gjenden dy kisha ortodokse guri, shtëpi të shumta otomane, kopshte të fshehta. Ecja nëpër rrugët e Goricës është sikur të katapultuar në një dimension përralle: dyer me ngjyrë që fshehin kopshte plot me bimë, macet që flenë në mure, lule në anët e rrugëve. Kjo lagje më impresionoi dhe është e vështirë të mos bie në dashuri me të.

Mangalemi

Nëse Gorica është tradicionalisht zona e krishterë e Beratit, Mangalemi është mysliman. Një nga arsyet që e shtyu UNESCO-n për të përfshirë Beratin në listën e trashëgimisë njerëzore, përveç bukurisë së saj të pamohueshme, ishte bashkëjetesa e vjetër e feve. Berati është, në fakt, një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës fetare në Ballkan.

Mangalem është lagja e njohur për shtëpitë e stilit otoman të mbushura me dritare të shumta, të cilat i kanë dhënë Berat pseudonimin qyteti i një mbi një dritareve, për Muzeun Etnografik, në brendësi të të cilit gjenden artefakte të gjetura në zonë dhe për xhami historike. Më të rëndësishmit janë Xhamia e Plumbit, e vendosur përgjatë lumit Osum, e cila në të kaluarën frekuentohej nga djemtë që kërkonin grua, dhe Xhamia e Mbretit, pranë së cilës është edhe Teqeja Halveti, një vëllazëri e myslimanëve.

Kalaja

Zona e tretë që përbën qendrën historike të Beratit është Kalaja, zona e kështjellës. Për ta arritur atë ju duhet të përshkoni një ngjitje mjaft impenjative që ka origjinën në lagjen Mangalem (ju gjithashtu mund të arrini me makinë, por unë e kam bërë gjithmonë rrugën në këmbë). Hyrja në kështjellë kushton 100 lekë për person, që korrespondon me rreth 70 centë të euros. Zona e kështjellës, ende e banuar sot, është mjaft e gjerë, dhe brenda saj gjenden kisha dhe xhami, përfshirë Xhaminë e Bardhë, nga e cila sot kanë mbetur vetëm mbetjet e vendosura në pikën më të lartë të lagjes, ku gjendet një bar që përgatit një kafe të mrekullueshme turke për t’u shijuar në ajër të hapur.

Dhe kur mendoni se ke parë çdo gjë, Berati të dhuron një surprizë të fundit të këndshme: e fshehur prapa rrënojave të lashta të kalasë, ndodhet kisha më fotozhenike e Shqipërisë, kisha e Shën Triadhës e Shekullit të 13-të. Një xhevahir i fundit për t’u admiruar dhe bërë fotografi, para se të përshëndesësh këtë qytet të bukur që në çdo vizitë të dhuron kujtime të mrekullueshme./ KultPlus.com

Për atë që është duke më lexuar

Poezia “Për atë që është duke më lexuar” nga Jose Luis Borges, sjellë në shqip nga Albert Bikaj.

Ti je i pamposhtur.
A nuk ta sollën forcat që fatin tënd kontrollojnë
sigurinë e pluhurit?
A s’mund të ishte koha jote e pakthyeshme
a nuk është ai lum qe me ndriçimin e te cilit
pasqyron Heraklitin duke lexuar shkurtësine?
Një pllakë mermeri është ruajtur
Per ty, një që nuk ke per ta lexuar,
Tashmë e varrosur me qytetin, epitaf, me datat e të vdekurit
Dhe njerëz te tjerë janë gjithashtu
Ëndrra të kohës,
Dhe jo të perforcuar në bronz, [apo] ar të pastër.
Ata janë pluhur
Si ti; dhe universi është Proteus.
Hije,do të udhetosh te ajo çfarë te pret,
Hija fatale duke të pritur në cep.
Dije këtë: në njëfarë mënyre ti tashmë ke vdekur./ KultPlus.com

Sot, 19 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta gati arriti një vit në Kosovë, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe. Por dhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Me 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre.

Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë. Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.

Sot do të mbahet një tubim sensibilizues për fatin e Ukshin Hotit me rastin e Javës së Ukshin Hotit, që organizohet në Krushën e Madhe, vendlindjen e tij./ KultPlus.com

Fundi i dhimbshëm i 50 grave të pasura të Elbasanit në diktaturë

Jo vetëm burrat, por edhe gratë e pasura u shpërfytyruan nga komunizmi. Ato u detyruan që të braktisnin sjelljen e fisme, normat, virtytet dhe të transformoheshin sipas moralit revolucionar me kazma e lopata në duar, shpesh duke i detyruar të punonin në sektorët më të vështirë.

Kjo është një panoramë e viteve ’50 kur gratë dhe vajzat e familjeve më të pasura të qytetit të Elbasanit, pasi u përballën me sekuestrimin e pasurisë dhe pronave, u dërguan të hapnin kanale në bujqësi.

Këto bashkëshorte dhe bija qysh nga 1945 e deri më 1956, shtërnguan fort zemrën kur u burgosën, u pushkatuan, u internuan burrat dhe baballarët e tyre me vulën “armiq të popullit”, “kriminelë lufte” dhe “sabotatorë të Pushtetit Popullor”.

Këto nëna mbajtën mbi shpatulla për vite me radhë dhe provuan shumë nga mëria komuniste, që sa vinte bëhej me vrastare dhe pashpirt. Këto nëna provuan flakjen jashtë shtëpie, daljen në rrugë në mëshirë të të tjerëve, zhveshjen ekonomike dhe financiare, sepse parat ia morën deri në monedhën e fundit; mbetën pa orenditë e nevojshme për gatim, pa ushqime, pa shtroje e mbuloje.

Shkurt pushteti komunist shpejt, shumë shpejt i çoi në atë derexhe, sa po vihej në rrezik edhe jeta. Përveç rekuizimit dhe sekuestrimit, reforma të tjera ekonomike shtërnguese si ajo e triskimit, i detyronte të drejtoheshin për të punuar dhe mbajtur frymën. Por, për to puna ishte e caktuar qëllimisht dhe e vetmja punë për to ishte puna e krahut, sepse vetëm kështu arrihej varfërimi i tyre dhe për më tepër diskreditimi para opinionit shoqëror. Duhej të krijohej koncepti i ri, duhej përmbysur patjetër dinjiteti qytetar i këtyre familjeve, duhej të realizohej falsiteti i barazisë shoqërore të popullit në varfëri.

Kështu shumë gra elbasanase iu drejtuan punës së krahut, si e vetmja mundësi për të mbijetuar dhe siguruar bukën e gojës. Historikisht dihet që femra elbasanase dhe sistemet shoqërore të tjera kishte punuar por kurrë në punë fizike krahu. Edhe para e gjatë luftës gratë e shtresave të varfra punonin si shërbyese, si mbledhëse ullinjsh, në zhveshje e shkoqje misri, por kurrë në punë të rëndë krahu apo ndërtim. (Nga editori, infoelbasani.al)./ KultPlus.com

Qendër multifunksionale për turistët në Karaburun-Sazan

Në Administratën e Zonave të Mbrojtura të Vlorës u bë prezantimi i draft-strategjisë së menaxhimit të Qendrës së Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan” dhe konsultimi me grupet e interesit.

Me mbështetjen e UNDP, kjo qendër do të funksionojë si një qendër multifunksionale duke ofruar shërbime edukimi, informimi, aktivitetesh etj.

Zhvillimi i kësaj strategjie ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Gjithashtu, do të shërbejë si një model në menaxhimin e qendrave të tjera të vizitorëve të implementuara nga AKZM, shkruan ata./ KultPlus.com

Hapet konkursi për festivalin “Pena ime”

Sezonin veror në Kumanovë do ta begatoj një ngjarje e madhe kulturore e organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “JEHONA E KARADAKUT”.

Festivali “Pena Ime”, i cili do të filloj më 20 qershor, për tre ditë rradhazi, do ti bëjë bashkë pothuajse të gjithë krijuesit shqiptarë dhe të komuniteteve tjera në fushën e artit figurativ, muzikës e poezisë.

Kordinatori i këtij projekti shkrimtari Fatos Rushiti bëri të ditur për INA se, Klubi tashmë ka shpallur konkursin për pjesëmarrje në festivalin interdiciplinar.

Kriteret për artin figurativ:

-Të drejtë konkurrimi kanë artistët nga Maqedonia që e kanë të kryer Akademinë e arteve, me vetëm një punim në: pikturë, grafikë apo skulpturë;

-Vepra artistike duhet të ketë të shënuar: emrin e autorit, titullin e veprës, teknikën, vitin dhe dimensionet. Vepra duhet të mos jenë ekspozuar më parë, dimensionet nuk duhet te tejkalojnë 100 cm horizontalisht dhe 200 cm vertikalisht;

-Veprat konkurruese i nënshtrohen seleksionimit nga Këshilli Artistik, ku do të përzgjidhen gjithsej 30 pjesëmarrës;

-Do të ndahen tre shpërblime: “Pena e artë për pikturë”, “Pena e artë për grafikë”, “Pena e artë për skulpturë”;

-Afati i dorëzimit të punimeve: 11 maj – 11 qershor 2018.

-Personi përgjegjës për artin figurativ: Dali Alili, tel. 071 723 272 ose tel.071 260 841.

Kriteret për artin poetik:

-Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë të rinjtë që shkruajnë poezi nga Maqedonia. Konkurrohet me një poezi, tema e lirë, me emër dhe mbiemër dhe me një biografi letrare;

-Poezitë dorëzohen ne këtë e-mail: [email protected] deri më 11 qershor 2018, më pas Këshilli artistik përzgjedh 30 poezi për pjesëmarrje në festival;

-Juria letrare do të përzgjedh tre poezitë më të mira, “Pena e artë – I”, “Pena e artë – II” dhe “Pena e artë – III”, për të cilat do të ketë edhe shpërblime;

-Personi përgjegjës për artin poetik: Fatos Rushiti, tel.071 260 841.

Kriteret për artin muzikor:

-Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë të rinjtë nga Maqedonia, studentë dhe të diplomuar në Akademi të arteve muzikore;

-Çdo konkurrent duhet të shpreh interesim në këtë e-mail: [email protected] duke treguar veprën që ka përzgjedhur të interpretojë: piano, kitarë, violinë, violë, violinçelë, klarinetë, flaute apo solo këndim, si dhe një biografi personale;

-Këshilli Artistik do të përzgjedh 10 pjesëmarrës, ndërsa juria do të ndajë shpërblimin “Pena e artë” për interpretimin më të mirë muzikor;

-Personi përgjegjës për artin muzikor: Funda Ali, tel. 078 266 605 ose tel.071 260 841.

Koha dhe vendi i mbajtjes së aktiviteteve:

-Më 16.06.2018 do të publikohen të përzgjedhurit për pjesëmarrje në festival;

-Më 20.06.2018, ora 17:00, hapet ekspozita e artit figurativ, në Qendrën e Kulturës ”Trajko Prokopiev” në Kumanovë, kur dhe kumtohen vlerësimet;

-Më 21.06.2018, ora 18:00, zhvillohet ora letrare në njërin nga lokalitetet e Komunës së Likovës, kur dhe ndahen shpërblimet;

-Më 22.06.2018, ora 18:00, mbahet ora e muzikës serioze, në Qendrën e Kulturës “Trajko Prokopiev” në Kumanovë, kur edhe ndahen shpërblimet;

-Projekti interdiciplinar mbështetet nga ana e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë.

Festivali “Ditënetët e librit”, një rikthim te magjia e letrës

Vargje, promovime, arie, skica, konkurse, përkthime, autorë të ftuar, rrëfime shkrimtarësh, sfilatë libër e letër.

Më shumë se 70 aktivitete mbahen në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar, Akademinë e Arteve, Lezhë e Fier në datat 16-20 maj, bën të ditur Gazeta Shqiptare. Përkthimet e mëdha, veprat e mëdha, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj e mandej literaturë gjuhësore në një takim me Ledi Shamku-Shkrelin. Gjithëçfarë synohet është një festë dite e nate, që nis nga libri, për t’u përbashkuar në zhanre të tjera arti.

Çelja e festivalit bëhet te Atriumi i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar. Në ceremoninë e inaugurimit, krah organizatorit “Klik EkspoGroup” nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës do të jenë të ftuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Rexhep Hoti, zv.ministër i Kulturës i Kosovës. Menjëherë pas çeljes, Kosova vjen mes vargjesh. Poezi nga Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rexhep Hoti dhe Ismail Syla lexohen nën moderimin e Diana Çulit e Alda Bardhyli në një panel ku të ftuar janë studiuesi Pandeli Koçi e Iris Gjinovci. Takimi shoqërohet me arie, poezitë e zgjedhura të poetëve të Kosovës recitohet nga Justina Aliaj nën tingujt e pianos së Etrita Ibrahimit, për t’ia lënë vendin sfilatës “Libër & Letër” të Akademisë së Arteve nga Prof. Najada Hamza.

Njëherit, do të mbahet edhe ceremonia e Vlerësimit me medaljen “Shqiponja e Artë” për zëvendësministrin e Kulturës së Kosovës, Rexhep Hoti “Për kontributin në nismat kulturore përbashkuese që përçojnë vlerat e gjuhës dhe letërsisë shqipe”.

Përkthimi

Një vend i madh në këtë festival i është lënë përkthimit, si një farë “letërsie e dytë”, ose të rishkruemit të një libri në një gjuhë tjetër.

Më 17 maj te Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar do të diskutohet për rolin e përkthyesve dhe përkthimeve në Ballkan, ndihma e rezidencës europiane të shkrimtareve në Tiranë, revista Poeteka dhe përkthimet ballkanike, Botimet Poeteka, shtëpia botuese që ka në fokus letërsinë e rajonit. Eventi i organizuar nga Poeteka nëmoderimin e Arian Lekës, mbahet me pjesëmarrjen e Ben Andonit (përkthyes, gazetar kulture),

Milena Selimit (përkthyese, këshilltare e ministres së Kulturës), dr. Silvana Leka (Drejtore e Botimeve Poeteka), Dr. Arian Leka nga Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Emina Zuna shkrimtare nga Bosnja (Erasmus Mundi Fellowship).

Më 18 maj, rivjen në vëmendje një emër i lënë mënjanë i përkthimit. Në orën 18:00, Profesor Edmond Tupja drejton një bisedë mbi përkthimin.

Botimet Zenit me rastin e 100-vjetorin të lindjes se një prej mjeshtrave më të mëdhenj të përkthimit-HalitSelfo- nga i cili kemi në një shqipe të pakrahasueshme vepra madhore si Robinsoni, Guliveri, Zhyl Vern, Dumas, Anatol France, De Amicis etj, flet për Halit Selfon në orën 18:00 me 18 maj.

Takime e rrëfime

Përtej letërsisë që shkruan, për shkrimtarin si krijues, interesiështë i madh edhe sa i takon rrëfimit mbi veten, përtej rrëfimit mbi personazhet e tij.

Paraditen e 16 majit, mbahet një takim që synon të nxjerrë në pah gjenezën e letërsisë së disa autorëve. Te Stenda e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, nisur nga Dritëro Agolli do të ketë në fokus të takimit të tij, gazetarët që u bënë shkrimtarë. Cilët janë ata dhe si nisi udhëtimi i tyre drejt letërsisë. Nën titullin “Gazetarë – Autorë, stil jete” shembujt që do jepen do të kenë synim të shpërfaqin karrierat e nisura nga redaksitë mediatike, për të shkuar në shtëpitë botuese tanimë si autorë.

Një qasje me interes, është edhe ajo për të cilën do të flasë drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi. Fokusi i bisedës së tij është “Rrëfimi letrar përmes historisë” dhe ai zhanër letrar që ngërthen sa faktet historike, po aq trillin e shkrimtarit, duke pasur të ftuar historianë, kritikë arti e studentë të Gjuhë-Letërsisë. me 17 Maj, është shkrimtari Bashkim Shehu që përballë Ben Andonit vjen në një bisedë për letërsinë e tij e më gjerë.

“Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Iris Elezi, do të rreket t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje dhe atyre që kanë të bëjnë me raportin mes librit dhe filmit, e mandej, edhe vetëshndërrimit që pëson libri kur bëhet film. Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, do të bisedojë me studentë të Artit Skenik, kritikë arti, skenaristë dhe studentë të Gjuhë-Letërsisë.

Mandej, më 19 maj, nën moderimin e Arben Andonit, një takim mbahet për karikaturën. “Karikatura- shqiptarët përballë identitetit”, bashkon Bujar Kapexhiun, Arben Meksin, Ardian Karanxhën dhe Shpend Bengun në një bisedë mbi imazhin me të cilin janë përcjellë shqiptarët në botë, përmes karikaturës, kryesisht si viktima në duart e Europës.

Më 18 maj, promovohet librit “Bekimi i Plisit të Moisiut” i autorit dhe aktorit Çun Lajçi. Pranë tij do të jetë Besnik Mustafaj, ndërsa vetë aktori Çun Lajçi që do të rrëfejë dhe do të performojë.

Po më 18 maj, nën titullin “31 Aforizma – 31 leksione” do tëmbahet një bisedë mbi librin e aforizmave “Nulla Dies Sine Linea” të Dritëro Agolli, event i Shtëpisë Botuese “Dritëro” me moderimin e Aleksandër Çipës. Mes takimeve, me interes është edhe biseda me poetet e Kosovës Valentina Saraçini, Ilire Zajmi dhe Shqipe Malushi (përmes vargjeve), ndërsa poezitë recitohen nga aktorja e njohur skenës së Kosovës, Safete Rogova.

Të premten me 19 maj, duke marrë shkas nga një libri “Dashuri në moshën e Krishtit”, letërkëmbim mes Dritëro dhe Sadije Agolli, mbahet takimi që ngre pyetjen: A ka më Letërkëmbim dashurie në moshën e “Fast-Textit”? Eventi është i organizuar nga “Letërsia dhe Qyteti & Botimet Dritëro” nën moderimin e Beti Njumës, ku i ftuar është Prof. Shaban Sinani.

Po atë ditë, për Kadarenë flitet duke marrë shkas nga vargjet e proza lirike. Një bashkëpunim i projektit Letërsia dhe Qyteti me Botimet Onufri, takimi që sjell fakte kurioze mbi jetën e recitime të shoqëruara në piano, moderohet nga Alda Bardhyli e Mimi Dhima. Po ashtu, një tjetër takim mbahet për Kadarenë të dielën e kësaj jave nag Mimoza Puto me temë “Ismail Kadare dhe pasqyrimi i veprës së tij në shtypin spanjoll të kohës”.

Me 19 maj, mbahet edhe promovimi i librit “L’Italia che sognava En ver” i Nicola Pedrazit me “Besa Editrice”.

Foto&Skica

Në larminë e imazhit, më 17 maj, promovohet një‘Album-Antologji’ e përgatitur nga FotaqAndrea që përfshin mbi 200 sinopse dhe 1000 imazhe nga gjenitë e artit botëror, mjaft prej tyre të panjohura, si Volter, Longfellow, Tizian, Giorgione, etj. Vëllimi i botuar nga “Zenit Art” përmbledhautorë e vepra.

Po në këtë lami, vlen të përmendet edhe aktiviteti që mbahet të shtunën e 19 majit në orën 19.00 te Pavijoni i Akademisë së Arteve Pamore, njëceremoni të Çmimit tëIlustratorit “Tendencë”, nën kujdesine Prof. Ardian Isufit. Në takim do të jenë edhe studentë, botues, autorë e artistë.

Po në Pavijonin e Fakultetit të Arteve Pamore mbahet ceremonia e Çmimeve të Ilustratorit më të mirë nën kujdesin e David Kryemadhit dhe me praninë e studentëve, botuesve, autorëve dhe aplikantëve për konkursin.

Paraqiten njëherësh edhe ilustrimet e 10 poezive të përzgjedhura tëDritëroAgollit. Të dielën me 20 maj një takim mbahet në kujtim të Niko Nikollës, shkrimtarit të madh të satirës dhe humorit nën kujdesin e së bijës, Flora Nikolla.

E diela e 20 majit, shënon ceremoninë e Çmimeve të Mediumit më të mirë. Me moderimin e Rashel Kolanecit dhe ElaQatos./ KultPlus.com