Dy filma shqiptarë, pjesë e SEE Film Festival në Berlin dhe Paris

SEE Film Festival këtë vit do të mbahet në Berlin nga 24 deri më 27 maj dhe në Paris nga 30 maj deri më 2 qershor.

Pjesë e festivalit “South East European Film Festival” janë edhe filmat shqiptarë “T’padashtun” dhe “Jeta mes ujërave”, shkruan KultPlus.

“The rest is silence” nga Romania, “T’padashtun” nga Kosova, “The last day before June” nga Moldavia, “Soma & Li” nga Qipro, Hawaii nga Rumania, “Nothing but the wind” nga Bosnja dhe Hercegovina, “Lines” nga Greqia janë disa prej filmave tjerë pjesëmarrës në festivalin që nisi mbrëmë

‘T`padashtun’ me regji nga Edon Rizvanolli do të shfaqet sonte mbrëma në këtë festival.

https://www.youtube.com/watch?v=Q62eZa3TO0o

Filmat nga 16-të vendet e Ballkanit të cilët janë pjesë e festivalit janë po ashtu edhe në garë për çmimet që ndanë festivali duke përshirë filmin më të mirë, skenarin më të mirë, çmimin për regjisorin më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, filmi më i mirë dokumentar, filmi më i mirë i shkurtër, filmi më i mirë i animuar si dhe çmimi special i jurisë. / KultPlus.com

Zbathun

Poezi nga Dritë Ademi

Kur e mbathi këpucën e djathtë,
e besoj Zotin.
Kur e zbathi këpucën e majtë,
e harroj Zotin.
Mandej më mungon diçka
Mandej më mungon shumçka.
Zbathi këpucët e hyj në zemrën tande.
Atje e gjej Zotin, dashuninë.
Dreqi le t’i marrë këpucët !
Se rri zbathun n’poezi…

Era Istrefi: Jam adhuruese e futbollit dhe mezi pres që të fillojë Kampionati Botëror

Këngëtarja kosovare, Era Istrefi do të jetë zëri i këngës së Botërorit 2018 bashkë me dy këngëtarët më të suksesshëm të botës, Will Smith dhe Nicky Jam.

Të tre këngëtarët janë shprehur të emocionuar dhe të lumtur që janë përzgjedhur të jenë pjesë e një organizimi kaq madhështor në botën e futbollit, Rusia 2018.

Për këngën ‘Live It Up’ dhe bashkëpunimin që kanë pasur me njëri-tjetrin këto ditë, të tre këngëtarët janë shprehur të lumtur në prononcimet që dhanë për faqen zyrtare të FIFA 2018.

“Të jesh pjesë e këngës zyrtare të Kupës së Botës, FIFA 2018 ka qenë njëra ndër përvojat më të pabesueshme dhe emocionale që kam pasur deri tani. Ishte e mahnitshme të punosh me Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët unë kam admirim të madh. Jam adhuruese e futbollit dhe mezi pres që të filloj Kampinati Botëror”, është shprehur këngëtarja shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=gX6pNNHX4ns&feature=youtu.be&a=

Po ashtu edhe bashkëpunëtorët e saj, Diplo Nicky Jam dhe Will Smith kanë thënë se për ta kjo është një arritje jetësore.

Ndërkaq ky i fundit e ka përmendur edhe këngëtaren kosovare.

”Është nder kur të kërkohet të performosh për Kupën e Botës në FIFA 2018. Kjo ngjarje globale sjell njerëz nga e gjithë bota për t’u gëzuar, qeshur, festuar dhe provuar magjinë. Bashkëpunimi me Nicky, Diplo dhe Erën në këtë rrugë përfaqëson harmoni. Në fund të ditës thjesht duam ta shohim botën duke vallëzuar”, ka thënë ndër të tjera Smith, njëri ndër pop-reperët më të suksesshëm të viteve të 80-90-ta.

Kampinati botëror nis më 14 Qershor dhe ndeshja e parë zhvillohet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite. / KultPlus.com

Kënga e Era Istrefit, Will Smith dhe Nicky Jam për Botëror

‘Kush janë Hashim Thaçi e Bujar Bukoshi që të flasin për Presidentin historik Rugova?’

Driton Selmanaj / Facebook

Hipokrizia nuk paska fund!

Sot isha për një vizitë në Muzeun e Kosovës, ku për nder të ditës së Presidentit, ky institucion kishte hapur ekspoziten me titull “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”. Duhet vlerësuar se ekspozita ishte tejet e pasur ku përmes shumë eksponateve dhe fotografive pasqyrohej angazhimi politik, institucional e kombëtarë i Presidentit Rugova.
Ajo që ishte neveritëse deri ne mosdurim ishte fakti se folës kryesor në këtë ngjarje ishin: Hashim Thaqi dhe Bujar Bukoshi.

Kush janë këta njerëz që të flasin për Presidentin historik Rugova?! Kush janë këta njerëz që për së gjalli të tij e luftuan me çdo mjet dhe mundësi, kurse sot i thurrin elozhe figures së tij?!

A janë këta njerëz që here e akuzonin për tradhti kombëtare e herë lëshoheshin në banalitete duke mos ja paguar rrymën e telefonin?!!
Qfare pafytyrësie?!!!!
A nuk është ky Hashim që gjatë luftës e kërcënonte Rugovën se do të dënohej rëndë për veprimet e tij antikombëtare?!

A nuk është ky njeri që në librin e tij autobiografik, presidentin historik Ibrahim Rugova e quan pijanec, i nënshtruar, defetist, frikacak, njeri që pinte vazhimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letersinë e shekullit 16 dhe i papërshtatshëm për udhëheqjen e negociatave në Rambuje, që nuk mund ta menaxhonte as kollën e tij, etj etj.
Njerëzit e tillë, jo që nuk do duhej lejuar të flisnin për Presidentin Rugova në ngjarjet e tilla, por ata as në cilësin e vizitorëve nuk e kanë vendin aty.
TURP!!!

PriFest do të mbahet nga 17-22 korrik

PriFest publikon datat e festivalit dhe shpalos imazhin për këtë vit.

Prishtina International Film Festival këtë vit do të ketë edicionin e 10-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në datat 17-22.

Ekipi kreative i PriFest i përbërë nga project.graphics dhe B2 si çdo vit edhe këtë vit kanë punuar që të krijojnë një identitet vizual të festivalit që do të prezentojë festivalin për këtë vit jubilar.

“PriFest i kushton shumë rëndësi identitetit vizual të vet, aq më shumë kur për çdo vit jemi vlerësuar në konkurse ndërkombëtare dhe dizajnet e posterëve dhe katalogjeve tona kanë fituar në gara të ndryshme. Andaj mburremi që kemi një ekip shumë kreativ që e prezenton festivalin në pamjen e vet më të mirë” – u shpreh Vjosa Berisha, udhëheqëse e PriFest.

Në edicionin e 10-të të festivalit, PriFest do të sjell një javë plot aktivitete, filma, mysafirë e ekspertë të fushave të ndryshme, workshope dhe debate, si dhe risi të tjera në fushën e industrisë së filmit.

Çdo vit, PriFest përkujdeset që të sjellë një program të pasur dhe inovativ, si dhe një frymë festive në kryeqytet, duke sjell shumë premiera filmash në programet e veta filmike garuese dhe jo-garuese që kënaqin publikun e të gjitha moshave.

Gjatë javëve në vijim e deri në javën e hapjes së PriFest do të shpalosen të gjitha programet e festivalit, promot e filmave dhe informatat e nevojshme rreth festivalit. Për të qenë të informuar dhe nëse dëshironi ta ndiqni këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, vizitoni rrjetet tona sociale dhe uebfaqen tonë rregullisht që të merrni lajmet e fundit. / KultPlus.com

Eliza Hoxha shpërthen në lot: Jam e lumtur që prezantova Shtëpitë-Shkolla në Bienalen e Venedikut

78 emra dhe mbiemra të pronarëve të shtëpive shkolla janë vendosur në satelitët e kuratores Eliza Hoxha, e cila, në mesditën e së enjtes, punën e saj artistike që ka nisë qysh nga muaji janar e shpalosi në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, të titulluar “The City is everywhere”, shkruan KultPlus.

Ardianë Pajaziti

Vizitorë të shumtë ndalonin te Pavijoni i Kosovës, i cili nga jashtë ishte me tulla të kuqe, që kosovarët dinë më së miri për shtëpitë me tulla të kuqe, për të vazhduar më pas me hyrjen brenda shtëpisë, që dallonte prej asaj nga jashtë.
78 satelitë të vendosur lartë, sikur i bënin rojë tepihut të shtruar poshtë, të cilat kishin një ndërlidhje brilante.

Satelitët në këtë Pavijon kishin emër e mbiemër, kishin emrat e pronarëve të cilët kishin rrezikuar edhe familjet e tyre për ti shndërruar shtëpitë e tyre në shkolla, vetëm që mos të linin gjenerata të pa arsimuara.

Kurse tepihu poshtë, ishte një tepih që barte hartën e Prishtinës, e cila me vijzimet e zeza tregonte rrugët, kurse pikat e kuqe tregonin shtëpitë shkolla, krejt këto përjetime të viteve të 90-ta, ku gjenerata të tëra kanë përfunduar arsimimin e tyre në këtë sistem paralel të arsimit.

Dhe pos tullave të kuqe, satelitëve dhe tepihut, ky pavijon reflektonte, reflektonte nëpërmjet pasqyrave të shumta, të cilat padyshim bënin vizitorët të mendonin më shumë për këtë ndërlidhje artistike të kuratores Eliza Hoxha, e cila për herë të parë ka zënë hapësirën si përfaqësuese e Kosovës, në edicionin e 16-të të Bienales së Venedikut.

E emocionuar deri në palcë, për këtë rrumbullakim të punës, artistja, arkitektja Eliza Hoxha, përderisa fliste për KultPlus, shpërtheu në lot.

“Ka pas momente shumë të rënda, kur e kam takuar drejtorin e shkollës së Gjimnazit të atëhershëm, ai në fillim nisi të qajë, ‘më fal tha se sa herë flas për këto vite, më vjen të qajë’. Krejt çka kanë bërë njerëzit atëherë ka qenë që ne me qenë të shkolluar, sepse ka qenë e pamundur”, ka treguar në lot Eliza Hoxha, e cila megjithatë është shprehur të jetë e lumtur që këtë rrëfim të popullit të saj po e prezanton në një hapësirë kaq të rëndësishme, sikurse është Bienalja e Venedikut.

“Pavijon i jonë nuk është dokumentues, nuk është përshkrues, është konceptual, sjellë një hapësirë të jashtme, brenda një hapësire të brendshme. Ideja jonë ka qenë me e prezantu shtëpinë, sepse shtëpia për ne ka qenë hapësirë e lirë, po flas për vitet e 90-ta, sepse nuk kemi pasë mundësi me e gëzu të drejtën e institucioneve zyrtare. Shtëpia ka qenë sinonim i qytetit, sepse në secilën shtëpi është bërë jeta brenda, kurse hapësira e jashtme është frekuentuar në të shumtën e rasteve për me protesu, demostru”, ka thënë Hoxha për KultPlus.

Ajo më pas ka shpjeguar se Pavijoni vjen si shtëpi, si shtëpi e pa kryer, me blloka, sepse, sipas saj, sinonimin e shtëpive të kuqe e dinë gjithë kosovarët.

“Ka ardhë koha me e pa historinë tonë në sy, dhe krejt akterët që kanë kontribuar në këtë periudhë, ka ardhë koha që të vlerësojmë kontributin e tyre”, ka thënë Hoxha, e cila më pas ka shpjeguar edhe punën e satelitëve. “Satelitët vijnë si strehë e jona, sepse jemi ushqyer nëpërmjet satelitit, prej tyre kemi kuptuar për botën. Jemi formësuar intelktualisht, gjuhësisht, kemi mësuar shumë gjuhë, pa dashje ndoshta. Sateliti ka pasë shumë rëndësi në jetën tonë”, ka thënë Hoxha.

Ajo me plot emocione tregon edhe për tepihun brenda shtëpisë, tepih që poashtu ndërlidhet me vitet e 90-ta, ku nxënësit kanë mësuar në shtëpitë shkolla dhe janë ulur edhe nëpër tepih.
“Tepihu është vet Prishtina, sepse secila shtëpi është përfshirë në këtë tepih. Janë tri gra në Gjonaj, ato e kanë punuar këtë tepih në vek, gëzohemi shumë që e kemi sjellë, sepse edhe ky pavijon kur të përfundojë, do të na mbetet ky tepih”, ka thënë për fund ajo.

Kurse arkitekti Përparim Rama, përfaqësuesi i parë në Bienalen e Venedikut ka treguar për KultPlus për ekspereincën e vitit 2012, dhe ka potencuar se krejt ky prezantim nuk është fare i lehtë.
“Vitet e 90-ta janë një periudhë shumë e rëndësishme, por edhe e rëndë për popullin shqiptar, por është shumë me rëndësi që po prezantohet në Bienale, sepse është shumë me rëndësi për popullin tonë. Unë vet e kam përjetuar periudhën e viteve të 90-ta dhe e mbaj në mend, që lirinë e kemi pas brenda, në hapësira publike kemi qenë të robëruar, ose nuk kemi qenë të lirë, sepse tërë kohën ka pasë mundësi me na ndodhë me keqja. Dhe mu për këto ngjarje nuk kemi kuptuar prej medieve tona, mirëpo nëpërmjet satelitëve, prej jashtë e kemi parë se çfarë po ndodhë brenda. Historia e viteve të 90-ta është shumë me rëndësi dhe po prezantohet në mënyrë të denjë në Bienalen e Venedikut”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Përparim Rama ka thënë se kjo periudhë ka potencial të mjaftueshëm edhe për artistët e tjerë, në mënyrë që të nxirren rrëfime, prezantime sa më të mira, duke përfshirë edhe tullat e kuqe, sepse njerëzit në vitet e 90-ta, sipas tij janë frikësuar të mbajnë paratë në banka dhe kanë investuar në tullat e kuqe.

Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut e ka mbështetë Qeveria e Kosovës, ku të pranishëm në hapjen zyrtare ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli, ministri kulturor Kujtim Gashi, ministrja e Ministrisë së Ambientit, Albena Reshitaj, Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, dhe shumë artistë dhe bashkëpunëtorë të Eliza Hoxhës, e cila këtë vit është prezantuar me komisioneren Jehona Shyti./KultPlus.com

Dua Lipa gjatë verës sjellë bashkëpunimin e ri

Dua Lipa do të jetë pjesë e projektit “Silk City” kanë bërë të ditur Diplo dhe Mark Ronson për Billboard, përcjellë KultPlus.

Diplo dhe Mark Ronson tashmë kanë publikuar këngën e tyre të re “Only Get Better” si pjesë e projektit “Silk City”.

Ata kanë shpalosur më shumë detaje për projektin e tyre i cili ka ardhur si homazh ndaj qyteteve më të mëdha të muzikës duke përfshirë Çikagon, Londrën, Parisin e vende tjera.

Në mesin e zbulimeve ka qenë edhe bashkëpunimi i tyre së bashku me këngëtaren shqiptare Dua Lipa, bashkëpunim i cili pritet që të publikohet këtë verë, shkruan Billboard.

Silk City do të performojë në disa festivale duke përfshirë edhe Governors Ball, Treasure Island dhe UK’s Bestival. Ndërsa ata kanë bërë një paraqitje befasuese edhe në Las Vegas, Electric Daisy Carnival. / KultPlus.com

“I vetëm në banesë” vjen premiera në Teatrin e Qytetit të Gjilanit

Me tekst të Avni Shkodrës e regji të Natyrë Kallabës, më 28 maj në Teatrin e qytetit të Gjilanit, jepet premiera e shfaqjes “I vetëm në banesë”, shkruan KultPlus.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Njomëza Kalaveshi, Tringa A. Hasani dhe Safete Mustafa.

Teksti flet për Artanin, 35 vjeçar, një skenarist filmi, fillon të shkruajë skenarin e tij të rradhës. Këtu fillon mjegullimi dhe pamundësia për të dalluar realen prej imagjinatës. Personazhet që ai shkruan fillojnë ti shfaqen në skenë. Ato herë janë realë e herë pjellë e imagjinatës së tij. Artani humb sensin e realitetit kështu duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Karakteret që vijnë në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sjellin kryepersonazhin në situata kaotike emocionale, ku si përfundim ai përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh që vjen në dhomën e tij.

Skenografia dhe kostumet i janë besuar Bekim Korçës, formulimi muzikor nga Florim Gagica, dizajni i dritave nga Fatmir Halili, koreografia po ashtu nga Bekim Korça, inspicient dhe organizator është Raif Haziri, rekuizitat nga Suad Berisha dhe realizatorë të skenografisë janë Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti.

Premiera vjen të hënën më 28 maj me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

‘Netët e Letërsisë Austriake’ vazhdojnë sonte e nesër

Në kuadër të vitit kulturor Austri Shqipëri, IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake sjellin për publikun “mik” të librit, “Netët e Letërsisë Austriake”, tre nete leximesh nga autorë të njohur austriak.

Në datat 23-25 Maj, 2018, në sallën Gëte, tek Teatri Eksperimental, nga ora 18:00 deri në 20:00, do të zhvillohen biseda dhe lexime me autorët e njohur austriake Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl. Në të tre netët, autorët do të diskutojnë rreth qyteteve, kulturave nga vijnë, dilemave ekzistenciale dhe tematikave të ndryshme të përditshmërisë, që janë aktuale edhe sot në shoqërinë tonë.

Ky aktivitet synon shkëmbimin e kulturave mes dy vendeve Austri-Shqipëri. E veçanta e tij, ndër të tjera lidhet me faktin që autorët pjesëmarrës kanë përzgjedhur materiale të cilat do ti ndajnëme publikun në gjuhën e tyre origjinale. Vlen të theksohet këtu që Andrea Grill, një prej autorëve pjesmarrëse në këtë aktivitet, kupton, dhe flet mirë gjuhën tonë shqipe.

Krah tyre nuk do të mungojnë as autorët e njohur shqiptarë si Agron Tufa, Jonila Godole, Lazër Stani, Agim Baçi.

Gjatë tre netëve, nën “magjinë” e librave, autorët do të lexojnë fragmente nga veprat e tyre, por dhe vepra të përzgjedhura të autorëve të njohur austriake, përmendim këtu autorin “mit” , Stefan Zweig. Pjesë nga veprat e tij do të ndahen me publikun pjesmarrës nga Klemens Renoldner, që është njëkohësisht edhe drejtor i Qendrës Stefan Zweig, në Universitetin e Salzburgut.

Në këtë aktivitet publiku nuk do të jetë thjesht prezent, pasi risia këtë vit është “Klubi i Leximit”, ku pjesëmarrësit sëbashku me autorët do të mund të diskutojnë rreth veprave të njohur të letërsisë klasike dhe bashkëkohore, të cilat prekin tematike aktuale të ditëve të sotme. Moderimi do të bëhet nga emra jo pak të njohur në fushën e letërsisë dhe publicistikës shqiptare, si Marsela Likaj, Lili Sula, dhe Alda Bardhyli.

Theksojme se Netët e Letërsisë Austriake 2018“ organizohen nga IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në kuadër të nismës disa vjeçare #TiranaLexon, në mbështetje të Raiffeisen Bank dhe Ambasadës Austriake.

Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës erdhi i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e identitetin e këtij shtetit. Të gjitha këto gjurmë erdhën të përmbledhura në një ekspozitë të vetme e tejet të pasur që është titulluar “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Bashkautorët e kësaj ekspozite Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, përmes saj sollën para publikut rreth 500 fotografi, të cilat paraqitnin imazhin e Rugovës mes buzëqeshjes e situatave serioze e poashtu edhe mes takimeve me përfaqësuesit më të njohur ndërkombëtar. Një pjesë e fotografive e tregonin Presidentin pranë njerëzve të tij të afërt, mes fushatave, pranë popullit e në përqafim të fëmijëve.

Kjo ekspozitë numëronte mbi 70 eksponate të ndryshme të Presidentit Rugova, të cilat përmbanin motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia. Mes dokumentesh, kishte dhe gazeta të cilat pasqyronin kontributin historik të Rugovës.

Dinamika e jetës e kontributi i pazëvendësueshëm i Rugovës, erdhi sot në Muzeun e Kosovës, i cili hapi dyert për një numër të madh vizitorësh, një pjesë e madhe e të cilëve i takonin Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çmimet e ndryshme, mirënjohjet e Presidentit Historik, busti i tij, plisi që e kishte vënë në kokë e deri tek kostumi personal me të cilin Rugova prezantohej gjatë vizitave me personalitete vendore e të huaj.


Në njërën dhomë të ekspozitës ishte vendosur zyra e Presidentit Historik, e krejt në fund të ekspozites qëndronin pamjet e ceremonisë mortore, aty ishte i palosur edhe flamuri dardan me të cilin edhe iu dha lamtumira e fundit Rugovës. Në gjithë këto gjëra binte fort në sy Vula e Presidentit Historik, që aq sa është e gdhendur në memorien e të gjithëve e vendosur në çdo hapësirë dukej sikur e bënte më të dukshme frymën Rugoviane.


Pas hapjes së ekspozitës, Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, ishin udhërrëfyesit e Presidentit Thaçi, e familjes Rugova. Fana Rugova mes emocionesh shprehte falënderimin ndaj Krasniqit e Rracit për këtë përmbledhje të ekspozitës.

Para se të hapej ekspozita, Presidenti Thaçi kishte pritur Familjen Rugova, të cilëve u kishte dhuruan medaljen presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova. Thaçi tha se ndihet i nderuar që sot erdhi në hapjen e kësaj ekspozite, në shënimin e kësaj dite simbolike që njihet si Dita e Presidentit.

“Jam i nderuar që sot jam në mesin tuaj me hapjen e kësaj ekspozite me rastin e shënimit të kësaj dite simbolike, dita e Presidentit. Para se të vij këtu kisha nderin dhe kënaqësinë të ndaj çmimin për Presidentin Historik, Çmimin për Liri dhe Pavarësi, që ndahet për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra çmimin e meritave”, u shpreh fillimisht Thaçi.

Ai tutje u shpreh se kushdo që e viziton këtë ekspozitë do të ketë mundësi të bëj një kthim në kohë në vitet e rënda e tragjike të këtij vendi, e të cilat pashmangshëm lidhen me emrin e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

“Lëvizja për Pavarësi e Kosovë si në dimension politik edhe në atë ushtarak i bënin bashkë politikanët, intelektualët, ushtarakët, gra dhe burra, pleq dhe të rinj me një qëllim të vetëm. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm gjeneratë pas gjenerate se kjo u fituar me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe, ku rol të pazëvendësueshëm ka Presidenti Ibrahim Rugova”, u shpreh tutje Thaçi, duke shtuar se UÇK ishte lëvizja më e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore, e që kombinimi i këtyre dy komponentëve rezultoi me unitetin qytetar e përkrahje masive të ndërkombëtarëve për Pavarësinë e Kosovës.

Njeri komunikativ, të dialogut, të negociatave, njeri të durimit e pajtimit, si njeri të vizionit, e cilësoi sot Thaçi, Ibrahim Rugovën.

Pas tij fjalën e mori ish- Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i cili tha se këto fotografi flasin më shumë se çdo fjalë që mund ta thotë ai. Më pas ai theksoi kombinimin e tre faktove meritor për shtetin e Kosovës.

“Kjo rezistencë paqësore që është bërë për dhjetë vite e që e ka udhëhequr Ibrahim Rugova e ne kemi qenë vetëm “hyzmeqarë”, nuk po e them me një modesti të rrejshme por ashtu qëndron puna. Kjo rezistencë e ka përgatit “shtratin” për Pavarësinë e Kosovës, po ashtu patëm edhe komponente e rezistencë të shqiptarëve dhe e treta është se duke e pasur sponsorin e fortë, SHBA-në arritëm që shteti i Serbisë të largohet nga këtu”, u shpreh Bukoshi.

Në mesin e shumë politikanëve, e vizitorëve që po e ndiqnin nga afër ekspozitën ishte dhe historiani Gani Mehemetaj, i cili tha se kjo ekspozitë paraqet një organizim shumë të mirë dhe mënyra e organizimit të fotografive është mjaft reprezentative.

“Kjo është një biografi jo vetëm e Presidentit Rugova por e ngjarjeve dhe viteve të 90’ta që prezanton zhvillimet politike të asaj kohe. Unë i pash me shumë interesim dhe pjesa e dyzetë viteve është prezantuar këtu. Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh që e kemi pasur ndonjëherë dhe mënyra se si është prezantuar është reprezentative dhe e paraqitur mirë”, u shpreh Mehmetaj për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri në muajin shtator, duke i dhënë mundësinë edhe qytetarëve të diasporës që të vijnë dhe ta shohin atë nga afër në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com

Vjen në shqip “Shqipëria: ndërtimet, kostumet dhe veglat në Shqipërinë e Veriut”, i albanologut Franz Baron Nopcsa

Vjen në gjuhën shqipe vepra “Shqipëria: ndërtimet, kostumet dhe veglat në Shqipërinë e Veriut” nga Franz Baron Nopcsa, pjesa e parë, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Cuneus” sjellë këtë përkthim nga albanologu i mirënjohur Franz Baron Nopcsa që në shqip vjen nga shkrimtari Arif Kutleshi.

“Franz Baron Nopcsa njihet si një prej albanologëve më të shquar për vrojtimet, përshkrimet, analizat e krahasimet e kulturës e jetës shqiptare. Ky libër sjell edhe një aspekt të studimit të tij esencial për kulturën materiale të shqiptarëve, të cilët ai i kishte vizituar, njohur e analizuar prej së afërmi. Për secilin studiues të studimeve shqiptare ky libër është më se i nevojshëm si referencë themelore”, thotë Arsim Canolli, antropolog i kulturës.

Për lexuesit e botimeve “Cuneus”, libri do të dalë për herë të parë në Panairin e Librit në Prishtinë më 5-10 qershor 2018./ KultPlus.com

“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

Nën qiellin e hapur në parkun e qytetit “Ibrahim Rugova”, të mërkurën, ka nisur edicioni i 16-të i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, që ka bërë bashkë autorë nga vende të ndryshme të rajonit e të botës.

Ky manifestim letrar dyditor, që në këtë edicion i kushtohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është organizuar nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nën mbikëqyrjen e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, por i cili nuk ishte i pranishëm në hapjen e këtyre takimeve. Hapjen e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, që uroi pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shqiperia, ShBA-ja, Gjermania, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Hungaria, Kroacia… që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre takimeve, në të cilat poezitë e veta i lexuan 15 poetë vendorë e të huaj, e në mesin e tyre edhe poet të rinj, u bë edhe ndarja e çmimit “Bulëzat”, që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim e fitoi pejania 11-vjeçare Leonisa Ahmeti, nxënëse e shkollës fillore “Smajl Hajdaraj” në Pejë. Në orët e pasdites janë organizuare dhe dy tribuna letrare. Njëra me tematikën “Kulti i fjalës në poezinë e Azem Shkrelit”, që u ligjërua nga Dabahajdin Cena. Kurse në tribunën tjetër me tematikën “Roli i poetëve dhe shkrimtarëve në shtetndërtim”, që e mbajti studiuesi Ndue Ukaj, me poezitë e veta janë prezantuar 15 poetë, në mesin e të cilëve Nikollë Lokaj, Fatmire Duraku, Qazim Muska, Zhaneta Barzhaj, Erina Coku, Labinot Berisha, Marigonë Kelmendi… derisa jashtë konkurrencës për çmime në këto takime u paraqitën Esat Loshaj, Rrustem Gërguri dhe Shaqir Foniqi.

Në ditën e dytë të takimeve, ku përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut. Meqenëse ky edicion i takimeve letrare “Azem Shkreli” i kushtohet Skënderbeut, në Galerinë e Arteve në Pejë në ditën e dytë të takimeve do të hapet edhe ekspozita me motive nga historia e Skënderbeut, në të cilën do të lexohet edhe një kumtesë nga Mira Tuci. Përveç çmimit kryesor, në këto takime do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, çmimi për poezi më të mirë. Kurse vetëm për këtë edicion do të ndahen edhe çmimet “Skënderbeu’’ dhe “Pavarësia’’.

99 emra

Poezi e shkruar nga Shqiptar Oseku.

Së pari rrethuan ndërtesat me tanke e ushtri.
Ishim si ishull i frikësuar.
Pastaj braktisën korridoret brenda godinave,
për herë të parë qëkur qenë ndërtuar.
Por ikja e tyre e beftë s’u duk kumt i mirë.
Zunë pikat e larta: hypën mbi pullaze e në pika
mbi mure. Ishin armatosur
rëndë.

MASAKËR/A f. Vrasje e therje
e njerëzve të pambrojtur në masë dhe në mënyrë mizore;
shfarosje në masë; kasaphanë, kërdi,
mizori.

Ish maj, mëngjes: mes grilash dukej një ditë vere.
Më kujtohet mendimi, tashti gjinkallat sigurisht këndojnë
atje në fshat, nëse fshati ekziston ende. Përjashta
dëgjohej këngë rojesh të dehura që me nadje.
Na urdhëruan ashpër në megafon të dilnim përnjëherë
të gjithë në oborr. Disa nga ne thanë
të mos dalim.

Etimiologji: nga frëngjishtja qendrore Massacre;
frëngjishte e vjetër Maçacre, nga Macacre prej Macecle,
në folje Macecler, nga latinishtja vulgare Macellum,
mishtore, dyqan mishi ku therren kafshët.
Therrtore.

Por ku të fsheheshim?
Ata së pari kishin rrethuar ndërtesat me tanke e ushtri.
Ishim ishull i frikësuar.
Ata na këndonin këngë vrasjesh me zë të mbarsur.
Kur na urdhëruan së dyti të dalim na ulëritën
dhjetë minuta, përndryshe!
Disa ndenjën. Por shumica prej nesh dolëm
në diell.

Murakami shkruan se ata që kryejnë masakra
GJITHMONË mund të racionalizojnë
e të harrojnë. Por viktimat s’harrojnë dot.
”Ja se ç’është bota”, thotë ai: ”një betejë e pafund
kujtimesh kontrastuese.”

Na urdhëruan nga lart të renditeshim në rreshta,
pastaj nisën të na numërojnë.
Por pa arritur te njëzet, një nga rojet që kish kënduar
hapi zjarr. Përjashta ishte diell, maj, mëngjes.
Diku larg gjinkallat sigurisht këndonin atje në fshat,
nëse fshati ekzistonte ende.

Kurt Vonnegut mendon se për masakrat s’thuhet dot
asgjë inteligjente.Të gjithë pritet të vdesin,
të mos flasin më, të mos kërkojnë më gjëra, kurrë ndonjëherë.
Gjithmonë pritet të jetë shumë heshtur pas një masakre
dhe gjithçka ashtu hesht,
pos shpendëve.

Dhe gjinkallave Kurt, harrove gjinkallat në fshat-
nëse ai ekziston ende.
Përkundër 300 vjetsh përvojë, shihet që amerikanët
mbajnë ende një qëndrim të distancuar
ndaj masakrash. I mendojnë ende si Surgical Strikes.
E vërteta është se pas masakrash ka gjithmonë
rënkime. Oh nënë. Ujë.

”Më vjen dita mua t’i masakroj të gjithë
E ta zhduk farën e fisin e tyre” – Shakespeare
te Tit Androniku. Ja, anglezët kanë një përfytyrim
më të saktë për forcat që janë
në lëvizje.

Dhe ata u vunë në lëvizje. Ekzekutuan
ata që rënkonin në oborr.Veç pse mundeshin.
Pastaj u kthyen në godina,
për të na gjahtuar neve që kishim ikur.
Ne fshiheshim. Ata na kërkonin. Ishte si kukafshehti,
veçse nganjëherë jehonin krisma
të ndara.

Pitagora thonte se gjersa ne të masakrojmë kafshët
do të vrasim edhe njëri-tjetrin.
Mu kështu shkruan ai, κτείνω e përdor për kafshët,
e për njerëzit shkruan
thjesht “vrasje”.

Nuk di të të them pse shpëtova-
fshati im nuk është më.
Por dua të të rrëfej si mbaruan shokët e mi.
Të lutem më dëgjo: së pari na rrethuan.
Ishim një ishull
i frikësuar.

(Kushtuar masakrës së të internuarve shqiptarë në burgun e Dubravës 19-24 maj 1999, ku u vranë 99 njerëz duarthatë)

Bota e letrave vajton vdekjen e Philip Rothit

Të hidhëruar dhe të mallëngjyer…” Kështu shprehet bota letrare për lajmin e vdekjes së Philip Rothit në të gjitha rrjetet sociale ku shkrimtarë, kritikë dhe lexues shprehën ngushëllimet dhe e kujtuan autorin 85 vjeçar amerikan.

E para që u shpreh ishte autorja Joyce Carol Oates, që ishte e lidhur me Rothin, ndau me publikun një intervistë që bëri bashkë me autorin në vitin 1974.

“Ishim shumë të rinj atëherë, por Philip kishte një sasi të konsiderueshme punësh. Unë e kuptova që ishim shpirtra binjakë kur pashë që në murin e dhomës së shkrimit mbante Franc Kafkën, një foto identike me atë që mbaja unë. U prehtë në paqe!”

Autor tjetër që shprehu keqardhje në gazetën britanike “The Guardian” ishte Jonathan Safran Foer, i cili sinjalizoi se ndikimi i Roth është i krahasueshëm me autorë amerikanë të përmasave të Herman Melville dhe Emily Dickinson.

“Nëse do të kem nipër shpresoj që t’i lexojnë dhe që jetët e tyre të formësohen nga fjalët e tij ashtu siç ndodhi me timen. Ai ishte heroi im!”

Shkrimtarja dhe mikja personale e Rothit, Anne Margaret Daniel u shpreh për ndikimin e tij dhe se asnjë autor amerikan nuk kishte njohje më të pasur mbi historinë e vendit.

Autorja sugjeroi se vepra e Rothit duhet të jetë pjesë e studimit të historisë amerikane të shek XX. Një tjetër përfaqësues i letërsisë ishte edhe Gary Shteyngart: “Nuk do të ketë asnjë si ai”.

Gazeta La Reppublica e përshkruan autorin si një shkrimtar me shpirt hebre që rrëfeu Amerikën. Autori spanjoll Juan Cruz tha se amerikani ishte shkrimtari që pushoi së shkruari kur i deshi qefi. The New York Times e përshkruan veprën e Rothit si imponuese dhe thotë se vepra e tij eksploron si askush tjetër epshin, judaizmin dhe Amerikën.

The Washington Post rrëfen mbi ndikimin që provokoi një nga romanet e tij më të njohur “Ankimi i Portnoit”, i cili skandalizoi dhe ndryshoi për gjithmonë letërsinë amerikane.

Thaçi ia dorëzon Medaljen Presidenciale familjes Rugova

Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur sot gruan dhe fëmijët e ish presidentit Ibrahim Rugova në zyret e tij ku i ka dorëzuar edhe medaljen presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

“Medalja Presidenciale për 10 vjetorin e pavarësisë i jepet presidentit Ibrahim Rugova për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi kur ia dorëzoi medaljen gruas së presidentin Ibrahim Rugovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin gruaja e ish Presidentin Rugova dhe tre fëmijet e tij.

Kjo pritje nga ana e Thaçit u bë në Ditën e Presidentit, 24 Majin. Kjo është dita kur Kosova kishte mbajtur zgjedhjet e para në vitin 1992 ku Rugova ishte zgjedhur President me shumicë dërmuese të votave./ kallxo/ KultPlus.com

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, me piktura të jashtëzakonshme në GKA

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, kështu titullohet ekspozita që do të çel sezonin e ri artistik në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e parë retrospektive e piktorit Edi Hila do të çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve . Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facebok me ftesën për të ndjekur pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të kaluar një moment magjie artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ekspozohen nga sot pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rëndësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë së bashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tre vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975-1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

Hila kryesisht krijon seri mbi një temë të caktuar përgjatë disa pikturash. Seritë më të rëndësishme të Hilës përfshijnë Paradoks (2000–2005), Marrëdhëniet (2002–2014), Kërcënimi (2003–2009), Objekte anash rrugës (2007–2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Evropës lindore nga rastësia apo aventura, të cilat gjënden rëndom në shumë interpretime të tjera të këtij fenomeni në rajon. Duke i dhënë këtyre transformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre.

Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit.

Edi Hila: Piktori i Transformimit është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë./a.g/

Ermal Meta publikon këngën e re

Të gjesh dashurinë në tre minuta. Kjo është fabula e videoklipit të ri të këngës ‘Dal Alba Al Tramonto’, e kantautorit të talentuar Ermal Meta. Kënga është pjesë e albumit të suksesshëm ‘Non Abiammo Armi’, i publikuar në muajin shkurt, gjatë festivalit të San Remos ku shqiptari u shpall fitues.

I realizuar nga Slim Dogs Productions, videoja e këngës që në shqip përkthehet “Nga agimi në Perëndim”, realizohet në një lokal që organizon takime të shpejta mes njerëzve që duan të gjejnë dashurinë në tre minuta.

https://www.dailymotion.com/video/x6iqlgi

Edhe vetë këngëtari është protagonist i historisë, bashkë me një çift të rinjsh. Kantautori shfaqet teksa ndërvepron me një vajzë hipotetike, në një takim ku spektatori mund ta identifikojë veten.

Pas suksesit të koncertit Forum di Assago dhe kthimit nga Lisbona, ku së bashku me Fabrizio Moron u klasifikua i pesti në Eurovizion, me këngën ‘Non mi avete fatto niente’, Ermal Meta i është rikthyer angazhimeve televizive dhe muzikore në Itali, nga roli pjesëtarit të jurisë në programin ‘Amici’, të Maria de Filipit, tek përgatitjet për turneun rreth Italisë. Në 1 qershor, Meta do të mbajë një koncert edhe për publikun shqiptar, në Tiranë./ Ata/ KultPlus.com

Dua Lipa paralajmëron koleksionin e ri të modës në bashkëpunim me Nyden (VIDEO)

Dua Lipa, një nga këngëtaret më të suksesshme në industrinë e muzikës, tani po fillon edhe një rrugëtim por kësaj radhe në një fushë krejt tjetër.

Ajo më herët ka publikuar një video të shkurtër, e cila tregon për përkushtimin e saj edhe në fushën e modës për të cilën thotë se luan një rolë të rëndësishëm në jetën e saj. Ajo ka paralajmëruar koleksion të ri se bashku me Nyden, një koleksion që i përshtatet asaj dhe fansave.

“Dashuria ime e parë është muzika, por moda gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në jetën time sepse mendoj se është thelbësore për të shprehur veten. Gjithmonë me interesojnë rrobat që pasqyrojnë forcën dhe guximin por gjithashtu përputhen edhe me kohën e tanishme. Kështu që unë jam i emocionuar që së bashku me Nyden do të krijojmë kreacionet e mija – do të jetë një koleksion që plotësisht më përshtatet mua, si në skenë, ashtu dhe jashtë saj si dhe për fansat e mi”, ka shkruar Dua Lipa në mbishkrimin e saj në Instagram./ KultPlus.com

Të dielën nis edicioni i 17-të i ReMusica

ReMusica – Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës, edicioni i 17-të nisë këtë të diel, me koncertin e duos fantastike: Petrit Ceku, i cilësuar në shtypin e shumë qendrave botërore si “gjeniu i kitarës” dhe Marc Bouchkov, violinist virtuoz belg, i cili është duke pushtuar furishëm sallat prestigjioze evropiane.

Duke e ruajtur fizionominë e saj, të bazuar në gërshetimin e muzikës së re me atë të epokave të tjera, ato të barokut, klasicizmit dhe të romantizmit, edicioni i 17-të me radhë i ReMusica-s sivjet bën një shtrirje më të madhe, duke u zgjeruar edhe në disa fusha të tjera të artit por edhe duke synuar diversifikimin e mëtejmë të publikut.

“Edicionin e sivjetmë, më 27 maj, do ta hap kitaristi i mirënjohur kosovar Petrit Çeku, i cilësuar në shtypin e shumë qendrave botërore si “gjeniu i kitarës”. Ai kësaj radhe paraqitet në duo me Marc Bouchkov, violinist virtuoz belg, i cili është duke pushtuar furishëm sallat prestigjioze evropiane duke bashkëpunuar me orkestrat më me nam të Evropës, si Orkestra Nacionale të Belgjikës, Orkestra e Brukselit, Orkestra e Moskës, etj. Ata do të shpalosin një literaturë të veçantë, gjithnjë e më të preferuar në jetën muzikore të sotme, të shkruar për këto dy instrumente”, thuhet në njoftimin dërguar medieve.

Nata e dytë do t’i takoj sekstetit vokal proMODERN nga Polonia, që shquhet me një këndim të rafinuar, stilistikisht të diferencuar dhe me kulturë të lartë vokale. Ata do ta shfaqin projektin e tyre Shakespired, të sajuar prej veprave të stilit të barokut, me sonetat e Shekspirit, që gërsheton poezinë e shekullit 16 dhe muzikën moderne. Frymën e barokut edhe këtë vit do e sjell ansambli i përbërë prej solistëve tanë të talentuar vokal, në koncertin vijues të quajtur Prishtina Baroque Night. Ky ansambël tash e disa vite paraqitet në ReMusica dhe ngadalë por bindshëm është duke u formësuar si një ansambël kompakt dhe atraktiv i përkushtuar në mënyrë specifike muzikës së barokut. Nata Shqiptare, segment i pandashëm tematik i festivalit, këtë vit sjell në pah autorët dhe interpretët nga Kosova dhe Shqipëria. Programi i këtij koncerti është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: a) Vepra pianistike dhe kamertale të autorëve tanë, b) Vepra për instrumente frymore, interpretuar nga kuinteti All about ëind… instruments! dhe c) Vepra korale të autorëve tanë interpretuar nga Siparantum Choir nga Peja.
ReMusica Junior dhe Nata Akusmatike edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj. Programi është i përbërë nga veprat e kompozitores Donika Rudi, të cilat zbulojnë strukturat dhe shtresat tingullore në hapësirë.

Këtë vit ReMusica, krahas koncerteve të mbrëmjes, sjell segmente të reja përmbajtsore dhe programe shtesë, si ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretimin, instrumentin dhe kompozitorin duke u njohur me zejen dhe teknikën e zejes së tyre.

Publiku, i përbërë prej fëmijëve trevjeçar e tutje, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtra dedikuar instrumenteve të veçanta. ‘ReMusica Virtuale’ në fokus ka inovacionin dhe zhvillimet e fundit të teknologjisë së përdorur në muzikë, andaj ReMusica sjell një aktivitet specifik që ka për synim që nëpërmjet syzeve të Realitetit Virtual (Virtual Reality) të projektoj publikun në mënyrë virtuale, në koncertet e skenave të mëdha botërore. Programi tjetër shtesë është ‘ReMusica n’Shesh’ që synon të përafroj publikun e gjerë me muzikën në këndin e festivalit në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku për çdo ditë për dy orë rresht, do të ketë dëgjim të muzikës klasike dhe njëkohësisht publiku do të ketë mundësi të dëgjoj dhe të merr informacione direkt nga artistët që do të performojnë në netët kryesore, të mbrëmjes, të ReMusica-s. Në zgjërimin e saj pëmbajtësor festivali sivjet promovon programin ‘PRE ReMusica’, në të cilin do të shfaqet filmi dokumentar “Sarabandë”, me regji të autores Kaltrina Krasniqi, ku ajo në mënyrë origjinale e portretizon virtuozin Petrit Çeku gjatë inçizimeve të Suitave të Bahut në një Studio në Spanjë në vitin 2014.

Koncertet në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës mbesin të çmueshme dhe shumë të veçanta të programit tonë. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me solist Marc Bouchkov dhe dirigjentin Toshio Yanagisaëa, sjellin repertoar nga epoka të ndryshme. Kurse Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjentin Rafet Rudi sjellin një program ta përpiluar kryesisht me vepra të autorëve shqiptarë, të prezantuara me shumë sukses ditë më parë në turneun e këtij ansambli në Angli.
Në ReMusica gjithmonë i është dhënë rëndësi diskutimit të çështjeve të rëndësishme, andaj festivali vendosë që nivelin e diskutimit ta ngritë në nivel ndërkombëtar, duke sjellë përfaqësues të institucioneve muzikore kyçe nga Evropa dhe rajoni, me fokus në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, sivjet ReMusica theksin e ka në krijimtarinë e kompozitorëve kosovar andaj edhe do të sjellë për çdo natë vepra të autorëve kosovarë, me fokus në përvjetorët e dy kompozitorëve tanë të çmuar, 95 vjetorin e lindjes së Rexho Mulliqit dhe 60 vjetorin e lindjes së Mendi Mengjiqit./ KultPlus.com

Rita Ora me energji të jashtëzakonshme në Paris (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora po ecën nëpër skenat më të mëdha botërore, atje ku po mbledh një numër të madh të fansave nga vende të ndryshme.

Një atmosferë të jashtëzakonshme e ka krijuar në Paris të Francës, atje ku ka interpretuar këngët e saj.

“Unë as që mund ta përballoja se sa të zëshëm ishit. Unë jam veshur në të kuqe për një arsye”, ka shkruar Rita Ora në postimin e saj në Instagram.

Rita Ora së fundmi ka publikuar këngën më të re të titulluar “Girls”, e cila është bashkëpunim me Bebe Rexhen, Cardi B dhe dhe Charli XCX/ KultPlus.com

Ndahet nga jeta “Mësuesi i Popullit”, Kolec Topalli

Është ndarë sot nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Sot, më 24 Maj 2018, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare”, njofton Akademia e Shkencave duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit akademik, miqve dhe kolegëve brenda dhe jashtë vendit..

Kolec Topalli ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.

Punën shkencore e ka nisur në fillim të viteve ’70, duke u përqendruar në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ka dhënë leksione dhe ka mbajtur konferenca shkencore për historinë e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si edhe në disa universitete e qendra shkencore jashtë vendit (Kozencë, Romë, Lecce, Palermo, Bari, Napoli, Mynhen, San-Peterburg, Detroit, Bukuresht, Zagreb, Glaskoë, Krakov, Riga etj.). Ka botuar artikuj shkencorë në disa revista të huaja (Gjermani, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Kroaci etj.); ka referuar në shumë simpoziume e seminare ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksive të disa revistave. Për 15 vjet radhazi (1994-2009) ka dhënë leksionet e Fonetikës historike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Për kontributin e tij në fushën e arsimit, në vitin 1993 është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe për meritat në fushën e shkencës, në vitin 1994 ka marrë titullin shkencor “Drejtues kërkimesh” (“Profesor”).

Është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave në korrik të vitit 2008; rektor i shkollës së lartë “Gjon Buzuku” Shkodër në vitin 2010; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2012. Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi I Albanologjisë 2008”. Më 2011 ka botuar veprën “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” dhe është shpallur fitues i çmimit të Akademisë KULT 2012 për librin studimor më të mirë të vitit. Ka përfunduar veprën “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” që do të botohej në vitin 2015, kurorëzim i punës 45 vjeçare të tij në fushën e albanologjisë.

Homazhet në nderim të personalitetit të akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 Maj 2018, nga ora 10.00-11.00 ndërsa ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës.

Studim për ndriçimin e fytyrës së gruas shqiptare

Nga Don Lush Gjergji

Studimi burimor i Gjystina Cacaj-Shushka “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit”, i botuar nga Sh.B. “DRITA” 2018, paraqet një risi të dobishme, të nevojshme, të mirëfilltë, një zbërthim mjaft të qëlluar ndërdishiplinor duke na dhënë një pasqyrë reale të gruas shqiptare të asaj kohe dhe të atyre vendeve ku jetoi dhe veproi i madhi Atë Anton Harapi. Gërshetimi i lëndës, njohja e drejtpërdrejt e Malësisë së Madhe nga ana e Autores, tradita dhe kultura e lashtë iliro-shqiptare që ndoshta në një mënyrë më së miri ruhej në ato vise, i japin kësaj vepre një kolorit të veçantë me karakter fetar, kombëtar dhe publicistik, na ndihmon t’i zbulojmë dhe t’i shijojmë vlerat dhe virtytet e lashta të traditës sonë, nëpërmjet shqyrtimit të aspekteve morale, edukative, shkollore, traditore, gjuhësore, historike, si dhe hapin prizmin e mirëfilltë të ardhmërisë.

Romani i bukur dhe kuptimplotë “Andra e Pretashit”, fatkeqësisht pak i njohur nga lexuesit e aq më pak i studiuar, është fryt i punës dhe veprimtarisë baritore të Atë Anton Harapit në Malësinë e Madhe, ku në mënyrë të qëlluar letrare përshkruhet, trajtohet, përpunohet e pasqyrohet psikologjia e shqiptarit, në veçanti tradita ndaj femrës shqiptare, që atë e robëron dhe nënçmon duke ia mohuar të drejtën e jetës si person, atë të lirisë, të përcaktimit, të dashurisë. Aty shihet dhe njihet dinjiteti i saj njerëzor, fuqia e pathyeshme shpirtërore dhe morale në sprova, rreziqe, pikëllime, sfida, si dhe del në pah qëndresa, duresa, guximi, krenaria, vlera këto, që Atë Antoni i zbuloi dhe hetoi gjatë shërbimit të tij meshtarak në Malësinë e Madhe. Ai nuk ishte vetëm përshkrues apo vëzhgues, kronist i ngjarjeve, i fatit të zi të femrës shqiptare, i mungesës së kulturës, shkollimit, lirisë për jetë, për fejesë apo për martesë, i kushtëzimeve të llojllojshme, e vegëlsimit dhe të keqpërdorimit të saj për motive tejet të ulta, por edhe luftëtar profetik për të drejtat dhe liritë e femrës, pa të cilat s’ka drejtësi dhe liri as për popullin shqiptar.

Pjesa e fundit: urimet, mallkimet dhe betë në veprën e Atë Anton Harapit japin materiale të çmueshme të pasurisë dhe të urtësisë popullore e cila ka ofruar “zgjidhje” për çdo situatë jetësore.

Me këtë studim të Gjystina Cacaj-Shushka kemi mundësi dhe lehtësim që sa më mirë të njihemi me jetën dhe veprën e Atë Anton Harapit, që ende tejet pak njihet, studiohet, sidomos në prizmën e paraqitjes së femrës dhe shoqërisë shqiptare, si dhe na mundësohet aktualizimi i kësaj tematike dhe problematike në vështrimin e së kaluarës, në përcaktimin e së tashmes dhe në orientimin e së ardhmes. Kultura dhe qytetërimi i një populli matet, vlerësohet dhe trajtohet me përmasa të qëndrimeve ndaj femrës (gruas, motrës, bijës, nënës), si zemra e familjes dhe e shoqërisë.

Ne shqiptarët ndoshta sot më tepër se kurrë më parë kemi nevojë për kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Nëpërmjet Bijës, Motrës dhe Nënës sonë Tereze erdhi në shprehje bujaria, zemërgjerësia, fisnikëria, flijimi, dhurimi, dashuria, apo si do të thoshte Ajo “pjesa më e bukur” e popullit tonë.

Zbërthimi dhe studimi i kësaj tematike mbush një zbrazëti dhe jep një kontribut të çmuar për ta ndriçuar sa më mirë fytyrën e femrës shqiptare dikur dhe sot./drita.info

“Në kërkim të Venerës” fton aktorët në audicion

Projekti filmik “Në kërkim të Venerës” me regji të Norika Sefës, hapë audicion për aktorë.

Shtëpia filmike Circle Production, fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë për audicion në këtë projekt filmik i metrazhit të gjatë.

Kërkohen:
Vajza të moshës 15-22 vjeçare
Djem të moshës 6-30 vjeç
Gra të moshës 35-70 vjeçare
Burra të moshës 45-70 vjeç


Të gjitha informatat që kërkohen në fotografinë më lartë dërgohen në [email protected]./ KultPlus.com