Posta e Amerikës i paguan artistit 3.5 milionë dollarë, përdori versionin e tij të Statujës së Lirisë

Posta e Amerikës do i paguajë një artisti 3.5 milionë dollarë pasi që aksidentalisht printoi versionin e tij të Statujës së Lirisë në qindra pulla postare, përcjellë KultPlus.

Zyrtarët e postës e ngatërruar versionin origjinal të statujës në New York me një kopje të Las Vegas.

Një gjykatës ka dënuar Postën e Amerikës, kështu ajo do i paguan skulptorit Robert Davidson 3.5 milionë dollarë si dëmshpërblim pasi që imazhi i tij i Statujës së Lirisë, që qëndron jashtë një hoteli në Las Vegas, është përdorur në më shumë së tre bilionë pulla postare.

Davidson e ka paditur qeverinë për shkelje të të drejtave të autorit dhe për përdorim të punës së tij pa leje. Përderisa origjinali i statujës së vitit 1886, është publike dhe të gjithë kanë të drejtë që ta përdorin atë.

Sipas letrave të dërguar në gjykatë posta e Amerikës kishte vërejtur gabimin tre muaj pasi që pullat postare ishin printuar por kishte vendosur që ti shiste ato pasi që ishin shumë në “modë” dhe ata tashmë kishin paguar 8 milionë dollarë për t’i pintuar./KultPlus.com

Vjen traileri i ‘Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha (VIDEO)

Premiera e filmit “Një tregim Prishtine” do të jetë në kuadër të programit të filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018, shkruan KultPlus.

Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku.

Regjisore e filmit është Burbuqe Berisha, skenari është bërë nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, producent Agron Vula, ndërsa në kastën e aktorëve janë aktorët Teuta Krasniqi, Donat Qosja, Luran Ahmeti, Artiola Hamdijaj e të tjerë.

Filmi ka në qendër historinë e Aurorës dhe Benit, të porsamartuar të cilët kanë një vajzë Fionën. Kjo familje i takon klasës së mesme të shoqërisë, por jetojnë në harmoni dhe janë shumë të lumtur.

Sfidat e tyre fillojnë kur vajza e tyre diagnostifikohet me kancer. Beni humbet punën, ndërsa ende paguan borxhin e kompanisë së tij, dhe i duhet të paguajë hipotekën e banesës së re, si dhe kredinë.
Aurora punon për një organizatë ndërkombëtare, por me pagën e saj e ka vështirë për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet, sidomos tani kur ata do të kenë nevojë për paratë për trajtimin e Fionës, jashtë vendit.

Drama familjare, drama shoqërore, si dhe korrupsioni dhe dashuria, marrin një kthesë tjetër kur Fiona është diagnostifikuar. Beni është i detyruar të bëjë gjëra që ai kurrë nuk mendonte të bënte, ndërsa Aurora nuk e kupton situatën e Benit dhe e lë atë.

Vetëvritet djali i këngëtares së famshme

Djali i madh i këngëtares së famshme Tina Turner, ka kryer vetëvrasje, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Craig Raymond Turner e ka qëlluar veten me qifte në shtëpinë e tij në Los Anxhelos.

Policia kishte arritur në shtëpinë e tij të martën pasdite dhe ai ishte shpallur i vdekur në vendngjarje. Craig ka lindur kur Tina ishte vetëm 18-vjeçe, para se ajo të martohej me Ikea Turnera. Por babai biologjik i Craig, ishte saksofonisti Raymond Hill i cili luante në grupin e Ikea, ‘Kings of Rhythm’.

Përndryshe, Tina Turner jeton në Zvicër, ndërsa lajmi i rëndë për të vjen në kohën kur ajo gjendet në udhëtim jashtë vendin, çka ndodhë rrallë. Momentalisht gjendet në Paris, por pritet shpejt të udhëtoj në SHBA, Craig merrej me patundshmëri dhe ishte 59-vjeçar. / KultPlus.com

Rrënohet shtëpia e vjetër e Kulturës në Obiliq (FOTO)

Shtëpia e vjetër e Kulturës në Obiliq është rrënuar sot, këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Obliliqit, Xhafer Gashi.

Sipas tij qytetit po fillon të marrë një pamje më moderne duke ofruar hapësira atraktive dhe në dobi të qytetarëve.

“Qytetit të Obiliqit po i kthehet pamja moderne dhe me realizimin e këtyre projekteve qytetarëve dhe të rinjve të komunës po u ofrohen kushte atraktive për argëtim dhe hapësira të mjaftueshme për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, ka shkruar ai në Facebook.

Rrënimi i këtij objekti sipas tij liron hapësirën për ndërtimin e Sheshit në këtë komunë dhe njëkohësisht i liron pamjen Shtëpisë së re të Kulturës, projekt ky i cili është në përfundim e sipër./KultPlus.com

Inva Mula premton një cikël koncertesh me muzikë franceze në Korçë

Një festival i ri parashikohet të mbahet në Korçë. Sepse Inva Mula premton një cikël koncertesh ku muzika franceze do të pushtojë pazarin e vjetër e teatrin e ri.

E ndonëse festivali është konceptuar pesë ditë, Inva do të performojë vetëm ditën e katërt.

Ministrja Kumbaro e konsideroi këtë event si simotrën e fustanellës, festivalit që mori jetë vjet në Gjirokastër duke ndërthurur historinë me muzikën e traditën.

Por ky nuk do të jetë festivali i vetëm që do të mbahet në Korçë këtë verë pasi pritet të marrë jetë edhe kokofest, një manifestim i gjithë komedive në teatrot shqiptare. / KultPlus.com

Kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në Eurovision 2019?

Nëse Kosova do të debutojë në Eurovizionin e vitit 2019-të në Izrael, kush do të mund të ishte përfaqësuesi i parë i saj në këtë festival ?

Pyetja kryesore është kjo derisa po pritet të dihet në fund të këtij viti nëse EBU do ta lejojë Kosovën të debutojë në Eurovizion.

EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë ka treguar se ende Kosova nuk ka mundësi të anëtarësimit në EBU por megjithatë ka ende shpresë që së paku Kosova të jetë pjesë e disa organizimeve nga ky Union, përfshirë Eurovizionin.

Lindita Halimi dhe Rona Nishliu janë dy kosovare që kanë kënduar për Shqipërinë në Eurovizion, por kush do të ishte përfaqësuesi i Kosovës gati për të na përfaqësuar denjësisht vitin tjetër në Izrael?

Propozimet dhe idetë janë nga më të ndryshmet, ndërsa komentet janë gjithmonë pozitive për një debutim sa më të mirë dhe ideal për Kosovën në festivalin e madh që më shumë se garë muzikore është edhe politike.
Momentalisht në Kosovë muzika po zhvillohet në zhanre të ndryshme dhe secila audiencë e ka të veçuarin ose të veçuarën e saj.

Premtues është fakti që emrat si Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi janë nga Kosova, por a do të ishte dikush nga këto figura përfaqësimi më i mirë i Kosovës në Eurovizionin 2019, nëse pranohet kjo pjesëmarrje?

Rona Nishliu, prapë? Adelina Ismaili? Dafina Zeqiri? Nora Istrefi? Ledri Vula me ndonjë bashkëpunim ose solo? Kush do të ishte më adekuat për një format të festivalit si Eurovizioni ? / KultPlus.com

Vdes muzikanti i njohur, Richard Swift

Anëtari i grupit The Black Keys, Richard Swift, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare.

Partneri I grupit të Richard, Dan Auerbach e konfirmoi lajmin pas vdekjes së tij përmes rrjeteve sociale, transmeton Klan Kosova.

“Sot bota humbi një nga muzikantët më të talentuar që njoh”, shkroi Dan në Instagram.

“Ai tani është më nënë dhe motrën e tij. Do të më mungosh miku im”.

Deri tani detajet mbi vdekjen e Richard nuk janë lëshuar. / KultPlus.com

Vjershë

Poezi e shkruar nga Alexander Pushkin.

Mos u ngrys prej dëshpërimit
Nëse jeta të gënjen,
Hesht në ditën e mundimit
Rishtaz ditë e gazit vjen.

Zemra me të ardhmen rron,
Nga e sotmja shqetësohet,
Kur gjithçka papritur shkon
Për të shkuarën mallohet.

Dhe zemra rrek e ngazëlluar
Sepse për të u ngjallën sot
Hyjni e vjershë e frymëzuar
Dhe jetë e dashuri e lot.

“Future World” dhe “Ant-Man and the Wasp” 3D, vijnë nesër premierë ne Kino ABC

Nesër në Kinemanë ABC do të shfaqen premierë filmat, “Future World” dhe filmi “Ant-Man and the Wasp” 3D , shkruan KultPlus.

“Future World” është një film fantastiko-shkencor në të cilin janë të përfshirë James Franco, Suki Waterhouse, Milla Jovovich, Lucy Liu, Jeffrey Wahlberg, Snoop Dog, etj. Filmi më i ri nga heronjtë e Marvel-it “Ant-Man and the Wasp” 3D, është një film i zhanrit aksion/aventure/fantasiko-shkencor, dhe janë të përfshirë Paul Rudd, Evangeline Lilly, Michael Pena, Michael Douglas, Michelle Pfeiffer, etj.

Premiera e filmit “Futture World” do të shfaqet nesër duke filluar nga ora 18:20, kurse premiera e filmit “Anti-Mand and the Wasp” do të shfaqet po ashtu të enjten me fillim nga ora 20:00, kurse gjatë vikendit “Ant-Man and the Wasp” 3D shfaqet ne ora 14:00 dhe 20:00. / KultPlus.com

Bebe Rexha publikon këngët e reja nga albumi i fundit (VIDEO)

Bebe Rexha vazhdon të publikojë projekte të reja muzikore nga albumi i ri “Expectations”.

Ajo ka sjellë këngën “Sad” që i dedikohet mendimeve që ka njeriu sa herë që qëndron në vetmi. Së bashku me të ka publikuar edhe “Pillow”, “Grace” dhe “Shining Star”.

E përkthyer në shqip “Sad” do të thotë ‘e mërzitur’. Tekstet janë shkruar nga vetë artistja mund të kenë lidhje me gjendjen e saj emocionale, por ende nuk është konfirmuar diçka e tillë.

Këngët janë vetëm në versionin audio dhe tekst, ndërsa nuk dihet nëse do vijnë me klip muzikor. Ka vetëm pak ditë që Bebe ka publikuar projektin “I’m a mess” në po të njëjtin version.

Duket se Bebe nuk do të ndalet dhe ky do të jetë viti i saj për sukseset në tregun e muzikës./ KultPlus.com

Altin Krasniqi këtë të premte sjellë ekspozitën personale në Soma Book Station

Altin Krasniqi këtë të premte do të prezantoj ekspozitën e tij me një sjellë seri të pikturave në Soma Boook Station, shkruan KultPlus.

Në këtë seri Altin Krasniqi paraqet dëshmi të tranzicionit socio-ekonomik të cilat si fasadë urbane rrëfejnë një shpresë të popullit për të filluar një jetë të re më të mirë. Ndërtimet, mbindërtimet, shtesat, ndërrimi i destinimit të objekteve mund të shihet si një identitet social që gjendet në transformim konstant e që reflekton ambicie për të ardhmen e në të njëjtën kohë mbetje e “pasuksesshme” nga e kaluara.

Ekspozita do të hapet këtë të premte, më 6 korrik duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Genc Bekteshi prezantohet në një koloni artistike në Sarajevë (FOTO)

Piktori suharekas Genc Bekteshi ka qenë i ftuar në koloninë e artistëve “Art House” në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës. Ai u ftua në mesin e dhjetëra artistëve nga shtatë vende të botës, përcjellë KultPlus.

Bekteshi, që rrjedh nga familja e piktorit të njohur Naim Bekteshi, ka treguar se Sarajeva ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme.

“Ndryshe nga ajo që mund të shihet online, Sarajeva është një kryeqytet fantastik. Pjesët e reja dhe pjesët e vjetra të qytetit të shetisin në kohë dhe të japin kënaqësi të veçantë”, ka treguar ai. Madje Genci ka treguar se ka takuar edhe kosovarë tjerë që janë gjeneratë e tretë që jetojnë në Sarajevë, shkruan Therandapost.

Për këtë koloni ka raportuar edhe prestigjiozja “Al-Jazeera Balkans”, ku thotë se kjo koloni ka arritur të bashkojë popujt dhe kulturat.

Kjo nuk është hera e parë që Bekteshi lë shenjë në koloni të ndryshme jashtë vendit, sikur ajo në Pljevlje të Malit të Zi apo edhe në disa tjera në Turqi./ KultPlus.com

Rugova i kishte kërkuar Albright-it që Kosova të bëhet shteti i 51-të amerikan

Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova ditë më parë ka publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.

Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.

“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com

Sislej Xhafa zbulon detaje rreth ekspozitës “Të dua pa e ditur”

Sislej Xhafa është duke punuar në ekspozitën e tij “Të dua pa e ditur” e cila do të hapet të enjten duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Mirëpo artisti ka gjetur kohë për të dhënë një intervistë për Ambasadën Amerikane në Kosovë ku ka zbuluar më shumë për ekspozitën dhe titullin e saj, përcjell KultPlus.

Sislej Xhafa fillimisht është shprehur shumë i lumtur që është rikthyer në Kosovë për të prezantuar punën e tij në këtë ekspozitë e cila është ekspozita e tij e parë në Prishtinë.

“Titulli është “Të dua pa e ditur” dhe për mua është shumë e rëndësishme sepse për mua në dashuri nuk ka as hapësirë e as kohë dhe është diçka që nuk mund ta definojmë. E duam nënë, vëllain , motrën, shoqen, partneri, dikë të veçantë dhe çdo kush mund të gjejë në të këdo që dëshiron. Për mua marrëdhëniet me vendin ku kam lindur dhe më atë ku tani jetoj, New York, është një dashuri në të cilën nuk ka dallime por që është një dhuratë”, është shprehur ai.

Tutje ai ka theksuar se për të, arti është një lloj sfidë dhe veçanërisht kjo ekspozitë e mënyra sesi ajo është projektuar. Ai po ashtu ka treguar se në këtë ekspozitë do të përfshihen punime të tij të mëparshme por edhe të reja.

“Kemi zgjedhur punime të cilat theksojnë kompleksitetin e botës , që nuk lidhen vetëm me ambientin në Kosovë por me pyetje universale” , ka theksuar Xhafa.

Tutje artisti Sislej Xhafa ka diskutuar edhe për artin dhe familjen e tij ku edhe babi dhe motra, merren me art.
“Tani nuk flasim shumë për artin në familje sepse e kemi një lloj autonomie dhe nuk dimë as se çfarë tjetri është duke punuar. Kjo e ka anën e bukur të saj në mënyrën sesi ne evoluojmë në punën tonë duke qenë se jemi tre anëtarë të familjes që merremi me art”, tha ai duke treguar se sigurisht që ata janë të afërt me njëri-tjetrin por nga ana profesionale mundohen që të respektojnë këtë hapësirë mes tyre.

Artisti, ka diskutuar edhe për jetën që po e bënë tani në New York dhe për zhvendosjen në Amerikë. Ai ka diskutuar edhe për ndikim që ka pasur pikërisht ky vend në punën e tij dhe në konceptin e tij për demokracin, duke mos harruar edhe artin dhe mënyrën sesi arti paraqitet atje.

Sipas tij kjo ekspozitë është një ndërlidhje në mes të eksperiencave që ai ka pasur gjatë jetës duke përfshirë këtu faktin që ka lindur në Kosovë dhe jetën e tij në Amerikë.

Duke përdorur titullin “Të dua pa e ditur” për ekspozitën, Sislej Xhafa, është shprehur se ka arritur që të theksojë këto dy eksperienca në mënyrë të shëndetshme pasi që janë përbërësit e duhur që e nxisin artistin për të pyetur vetën, një rezistencë e vazhdueshme në një term më ndryshe./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/videos/2564696926889780/

Kur MC Kresha mahnit me interpretimin e këngës “M’i dhe flakë mallit tim” (VIDEO)

Reperi Mc Kresha prin në listën e reperëve më të dëgjuar shqiptar, duke numëruar hite-këngësh të stërdëgjuara nga publiku, shkruan KultPlus.

Krahas talentit të tij në zhanrin rep, në një interpretim të tij në emisionin “Oxygen”, ai ka dëshmuar se talenti e muzikaliteti i tij shkon përtej kësaj. “Mi dhe flake mallit tim”, është dëgjuar mjaft shumë nga këngëtari Bujar Qamili, ndërsa Mc Kresha ka sjellë po ashtu një version të shkurtër, por të mahnitshëm të kësaj kënge, duke e popullarizuar edhe më shumë./ KultPlus.com

Edhe 98 vite më parë, shqiptarët festonin Ditën e Pavarësisë së ShBA-së

Sot është 242-vjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kësisoj, në këtë ditë Ambasada Amerikane në Tiranë, ka publikuar një fotografi të vitit 1920, asokohe kur shqiptarët kanë nderuar Shtetet e Bashkuara dhe kanë festuar me flamurin amerikan këtë ditë, përcjell KultPlus.

“Foto e Ditës | 1920, Shqiptarët nderojnë Shtetet e Bashkuara. Me flamurin amerikan të rreshtuar në krah të flamurit të tyre kombëtar, fëmijët shqiptarë mblidhen për të nderuar 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke shpresuar që në këtë mënyrë do të përcjellin përtej oqeanit mirënjohjen e tyre për ndihmën dhe përkrahjen në kohë të vështira.( Arkiva e Bibliotekës së Kongresit)”, thuhet në publikimin në rrjetin social Facebook nga Ambasada Amerikane në Tiranë./ KultPlus.com

Lihet në harresë rrapi 600-vjeçar i Ballabanecit

Rrapi 600-vjeçar i Ballabanecit në zonën e Krujës është lënë në gjendje të degraduar dhe plotësisht në harresë. Edhe pse monument kulture, për të nuk është vendosur qoftë një tabelë e thjeshtë për të orientuar vizitorët.

Rrapi 600-vjeçar i Ballabanecit në zonën e Krujës është lënë në gjendje të degraduar dhe plotësisht në harresë. Edhe pse monument kulture, për të nuk është vendosur qoftë një tabelë e thjeshtë për të orientuar vizitorët. Rrapi është tepër i dëmtuar pasi është djegur dhe është ndarë në mes, e askush nuk ka treguar as interesin më minimal për mirëmbajtjen e tij, edhe pse ai daton që në kohën e Skënderbeut.

Sipas historisë, rrapit i është vendosur emri Ballabanec, pasi Ballaban Pasha, një renegat shqiptar nga Mati dhe një nga gjeneralët më të mirë të ushtrisë otomane u vra pikërisht në atë vend. Ballabani u varros në Petrelë, ku iu kushtua edhe një tyrbe brenda teqesë (Rrapi 600-vjeçar i Ballabanecit në zonën e Krujës)./ KultPlus.com

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën”

Presidenti historik Ibrahim Rugova i cili kujtohet për politikën e tij pacifiste e properëndimore, cilësohet si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. “Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimor” është shprehja që e karakterizonte pothuajse çdo fjalim të presidentit Rugova. Me këtë frazë ai largohej nga çdo tubim, takim brenda dhe jashtë Kosovës. Këtë frazë populli e dëgjonte çdo të premte kur ai mbante konferencën për media.

Kjo frazë u mishëruar me popullin dhe lidhshmëria vetëm u forcua kur Bill Klinton urdhëroi NATO-n që të bombardojë objektet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999./ KultPlus.com

Thaçi dekoron familjen shqiptaro-amerikane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë ka dekoruar sot lobistin e çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanin, Ekrem Bardha dhe vajzën e tij, Donika Bardha për kontributin e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Thaçi ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për ndihmën e Amerikës ndaj pavarësisë së Kosovës. “Ne do jemi mirënjohës për mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve që bënë të pamundurën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Këtë dekorim presidenti e ka bërë në 242 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, me ç’rast ka uruar të gjithë shqiptarët që jetojnë atje dhe që forcojnë miqësinë e përjetshme me SHBA-të.

Akuza të reja për ngacmim seksual ndaj Kevin Spacey

Policia po heton për 3 akuza të tjera për ngacmim seksual ndaj aktorit Kevin Spacey. Nga muaji shkurt e deri në prill të këtij viti, policia ka marrë të tjera akuza ndaj aktorit amerikan, për ngacmim seksual ndaj meshkujve në Londër dhe Gloucester.

Denoncimet e reja e çojnë në 6 numrin e akuzave për ngacmime seksuale ndaj Spacey, për të cilat policia në Londër ka nisur hetimet, transmeton tch.

“Scotland Yard” nuk ka konfirmuar ende emrat e personave që kanë ngritur akuzat, por ajo që dihet është se ngacmimi i parë është raportuar në “Westminster” në vitin 1996; i dyti në Lambeth në vitin 2008; ndërsa i treti në Gloucester, 5 vite më parë.

Aktori 58-vjeçar, fitues i çmimit “Oscar”, është akuzuar për ngacmime të tilla seksuale nga më shumë se 30 meshkuj. Akuza e parë ndaj tij erdhi nga aktorit Anthony Rapp, në nëntor të vitit 2017, i cili sqaroi se aktori e ka ngacmuar në vitin 1986, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, ndërsa Spacey 26./ KultPlus.com

Dikur sëmundja gati ia pamundësoi shkollimin, tani boton librin “Guxo”

Ditë më parë ka dalur nga shtypi libri i parë me poezi i autores së re nga Kosova, Blerina Murtezi, i titulluar “Guxo”. Libri është prodhim i shtëpisë botuese “Atunis”.

Përmes këtij libri, autorja shfaq veten dhe gjithçka në të cilën ajo beson, ëndërron e shpreson.

“Ky libër më përfaqëson mua, kujtimet dhe dhimbjet, humbjen e më të shtrenjtit tim vëllaut, e që nga ajo humbje mora forcë e guxim të shkruaj për çdo gjë që kalova e çdo sfidë që përjetova. Dhimbja as nuk pushon as nuk ndalon por ajo të bën saqë ti edhe vrapon”, shprehet autorja.

Libri “Guxo” shtjellon tema të ndryshme dhe synon të trokasë në ndërgjegjen e shoqërisë sonë mbi dukuri e situata të ndjeshme nëpër të cilat kalon secili njeri nëpër faza të ndryshme të jetës, përfshirë këtu edhe humbjen e më të dashurve, por edhe guximin e tejkalimit të sfidave me të cilat na përballë jeta, ashtu siç e përballi autoren e librit, e cila tash e disa vite vuan nga Distrofia Muskulare, sëmundje kjo që e ka lënë në karrocë, shkruan AlbFem.

Edhe përkundër të gjitha sfidave dhe vuajtjeve, Blerina është ngritur për të mos u rrëzuar më kurrë, e ka shndërruar dhimbjen në forcë e forcën në art, kurse artin e ka vënë në shërbim të forcimit dhe komunitetit dhe shoqërisë.

Fshati që po del nga ‘varri’

Një fshat i zhytur gjatë ndërtimit të një rezervuari masiv është duke dalë ngadalë nga “varri”.

Mardale Green, në Cumbria, është parë rrallë që kur u zhduk në vitin 1935, kur lugina u përmbyt për të hapur rrugën për Haweswater Reservoir. Qindra fshatarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe shumica e ndërtesave u hodh në erë nga Inxhinierët Mbretërorë të cilët i përdorën ato për praktikë të prishjeve.

Mardale i fundit doli nga thellësitë ujore të rezervuarit gjatë një vale të nxehti në vitin 2014. Por fshati shpirtëror po rishfaqet përsëri pasi nivelet e ujit kanë rënë në mënyrë dramatike në mes të nxehtit të pazakontë këtë verë. Fotot tronditëse tregojnë se sa i rezervuarit – i cili furnizon Mançesterin me ujin e tij – është tharë.

Mbetjet e strukturave të lashta, duke përfshirë portat e fermave dhe trungjet e pemëve, tani janë zbuluar pranë vijës së ujit të larguar. Mardale Green u konsiderua si një nga fshatrat më piktoreske në Westmorland, Cumbria. Kur u ndërtua diga Haweswater, ajo ngriti nivelin e ujit mbi 29 metra dhe mund të mbajë 84 miliardë litra ujë.

Diga krijoi një rezervuar të gjatë 6 km dhe rreth 600 metra të gjerë. Muri i saj ka një gjatësi prej 470 metra dhe lartësi 27.5 metra. Rezervuari sot furnizon rreth 25 për qind të nevojave të ujit për Veriperëndimin e vendit. Ajo ushqehet nga rrjedha të ndryshme dhe ujësjellës nga Swindale, Naddkle, Heltondale dhe Laguna Sleddale, shkruan OraNews./ KultPlus.com

Amerika feston 242 vjetorin e Pavarësisë

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson.

Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratë.

Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.

Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.

Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello të shtetit Virxhinia, kurse Adamsi në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”.

Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studiojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri tjetrin.

Botohet Antologjia e poezisë shqipe në gjuhën kineze

Në Tajvan botohet Antologjia e poezisë shqipe në gjuhën kineze (Mandarinë), e cila përfshin poezi nga 20 poetë bashkëkohorë shqiptarë si dhe disa poezi të Naim Frashërit, shkruan KultPlus.

Në Antologjinë e poezisë shqipe, janë përfshirë me nga pesë poezi dhe një biografi të shkurtër Zef Schirò Di Maggio, Basri Çapriqi, Fadil Bajraj, Ledia Dushi, Mario Bellizzi, Naime Beqiraj, Ilire Zajmi, Ndue Ukaj, Salajdin Salihu, Parid Teferici, Anton Gojcaj, Olimbi Velaj, Mujo Buçpapaj, Silke Liria Blumbach, Manjola Brahaj, Jeton Kelmendi, Isuf Sherifi, Belfjore Qose, Alisa Velaj, e shkrimtarë tjerë.

Po ashtu në fillim të librit janë vendosur edhe disa poezi të poetit të njohur Naim Frashëri.
Përkthimin e poezive nga anglishtja në gjuhën kineze (Mandarinë) e ka bërë laureati i FNP “Ditët e Naimit”, poeti tajvanez Kuei-shien Lee. / KultPlus.com