‘Nëse për liri duhet të vdesin 30 mijë shqiptarë, le të vdesin’

Nëpër histori: si e përshkruan Madeleine Albright, sekretarja e atëhershme amerikane e punëve të jashtme, bisedën telefonike me Adem Demaçin gjatë negociatave të delegacionit kosovar në Rambouillet, në dimër të vitit 1999. Detajet janë shkëputur nga libri i Albright “Madam Secretary: a memoir”, Miramax Books, 2003.

Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa ta provoja edhe Adem Demaçin.

Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni ku ndodhej dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që ta mbështeste qëndrimin tonë.

Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: “Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit.”

Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.

Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.

Iu përgjigja: “Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. I thoni Thaçit se e mbështetni atë.

E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses.

Djali i Adem Demaçit: Dëshira e babait ka qenë për një Kosovë të organizuar

Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka falënderuar Kuvendin e Kosovës për organizimin e kësaj ceremonie.

Ai tha se babai i tij ka vdekur i qetë dhe më i qetë do të jetë në një Kosovë të organizuar.

“Ju falënderoj për këtë organizim, veç deshta të shtoj që baca Adem ka vdekur i qetë dhe gjithmonë i qetë do të jetë. Edhe më i qetë do të jetë në një Kosovë të organizume. Kështu ka qenë dëshira e tij”, tha Demaçi.

Pas këtij fjalimi, familja, krerët e shtetit e mysafirët, kanë filluar të bëjnë homazhe. / KultPlus.com

Sot koncerti i Daddy Yankee në Sheshin “Skënderbej”

Kanë mbetur më pak se 24 orë nga koncerti madhështor i këngëtarit nga Porto Rico, Daddy Yankee, në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytet.

Organizatorët po vijojnë punën për të ngritur një skenë prestigjoze, ku do të performojë këngëtari, por edhe krijimin e ambienteve mikpritëse për të gjithë spektatorët.

Koncerti do të startojë me Encën dhe Ledri Vulën, që do të ngrohin atmosferën, para se Daddy Yankee të nisë performancën e tij madhështore, që do të zgjasë rreth 90 minuta.

Këngëtari i hiteve reggaeton Dura, Gasolina e Despacito do bëj që fansat e e tij të argëtohen dhe të kërcejnë nën ritmet latine në këtë sezon veror.

Biletat shiten në sheshin “Skënderbej”. Të ndara në disa kategori, ato nisin nga 19.5 euro, ndërsa për ata që duan më shumë komoditete si tavolina, ndenjëse dhe një pamje më të mirë të skenës, koncerti rezervon zonat Vip Gold, Platin dhe Diamant.

Festivali i Filmit në Venecia, me emrat si Bradley Cooper e Lady Gaga

Festivali i Filmit në Venecia ka shpallur kësisoj programin e tij garues.

Festivali prestigjioz i filmit, mes filmave tjerë do të sjellë edhe premierën e “A Star is Born” me lojën e Lady Gaga dhe Bradley Cooper.

Me datë 29 gusht do të hapet edicioni i 75-të i Festivalit, në të cilin vijnë filma edhe nga vëllezërit Coen, Paul Greengrass dhe Alfonso Cuaron.

Filmi “First Man” i Damian Chazelle do ta hapë festivalin.

https://www.youtube.com/watch?v=jzE3cYg-5YE

Janë 20 filma që do të garojnë për Luanin e Artë të festivalit, me kryetar jurie Guillermo del Toro. / KultPlus.com

‘Ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë’

Jusuf Thaçi / Facebook

Baca Adem,

Tani që ike, kuptova se të gjithëve u paske shërbyer si inspirim e si model sjelljeje, megjithëse shumë pak prej tyre të ngjasojnë sadopak me virtyte, vlera, bindje e sjellje.

E unë që s’jam si ata, në shenjë përshëndetjeje për ty me rastin e ikjes tënde në botën tjetër, vetëm mund të të kërkoj falje e mirëkuptim që nuk të kam model të cilin unë e ndjekë, jo se unë nuk do të doja, por sepse ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë.

Do të doja që të kisha këmbëngulësinë tënde për të kundërshtuar e refuzuar padrejtësitë dhe për të luftuar për të drejtat e njeriut e për të drejtat kombëtare, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha forcën tënde morale për të sakrifikuar gjithçka nga vetja për të mirën e përgjithshme, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha lakoninë e sinqeritetin tënd për t’i thënë gjërat qartë e çiltër, por ja që nuk i kam.

Do të doja që të kisha shpirtmadhësinë tënde për të mos urryer e për t’i falur edhe ata që të shkatërrojnë jetën, por ja që nuk e kam.

Megjithatë, një gjë mendoj se mund ta bëj. Ta luftoj tendencën e të tjerëve që dëshirojnë të të shndërrojnë në mit. Duke të të bërë mit, duan ta shfajësojnë veten pse nuk janë sadopak si ti dhe duan t’i largojnë gjeneratat e ardhshme nga modeli yt. Sepse miti është mit, është i ekzagjeruar, është mbinjerëzor, është i paarritshëm. Prandaj, ti na duhesh, ne e të ardhmëve, si njeri për ta ndjekur si model, jo si mit i paarritshëm.

E fatbardhësisht për ne, ti ishe njeri, sigurisht i rrallë, patjetër madhështor!

Mirupafshim në “botën kuantike” njeri i mirë!

Edhe Adem Demaçi e bëri me duar shqiponjën shqiptare (FOTO)

Ka ndërruar jetë mbrëmë Mandela i Kosovës – Adem Demaçi.

Demaçi i cili ka kohë që ishte i sëmurë dhe lëngonte duke mos pasur shumë aktivitet fizik, mbrëmë ndërroi jetë.
Sot derisa e kujtojmë punën e tij dhe vitet të cilat ai i kaloi në burg, po e sjellim një fotografi të marrë nga një faqe në Facebook me emrin “Adem Demaçi” dhe ku janë rreth 13 mijë pëlqime.

Demaçi shihet duke e bërë shqiponjën gjatë një darke dhe momenti argëtimi.

Demaçi u arrestua së pari më 1958 nga regjimi autoritar i Josip Broz Titos, duke u dënuar me tre vite burgim. Pas lirimit ai u radhit me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin Shqiptar. U burgos sërish më pas më 1964 për dhjetë vjet burgim dhe u ridënua më 1975 me pesë vjet burgim.

Më 1969 Amnesty International e njeh si të burgosur të ndërgjegjes. U lirua prej burgut në kohën e presidentit Sllobodan Millosheviç. / KultPlus.com

Fjalët e Ibrahim Rugovës pasi Demaçi doli nga burgu në vitin 1990

(“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

Adem Demaçi në vazhdimësi ka kritikuar presidentin Ibrahim Rugova, edhe pas amshimit, kurse ka qenë vetë presidenti Ibrahim Rugova, i cili me fjalë të ëmbla i ka uruar mirëseardhje Adem Demaçit në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, menjëherë pas lirimit të tij nga burgu.

Lexojeni se me çfarë fjalë të ngrohta e priti presidenti Rugova Adem Demaçin:

Më 18.V.1990, në një atmosferë të përzemërt, mysafir i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte Adem Demaçi, njëri nga ata që krijoi bërthamën e saj dhe njëri nga pionierët e letërsisë shqiptare që krijohet në Jugosllavi.

Në këtë pritje të shkrimtarit, fjalën e rastit e mbajti dr.Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, i cili, midis tjerash, tha:

I dashuri dhe i nderuari Adem Demaçi, ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Më lejoni që këtë fjalë rasti ta filloj me moton e romanit Tuaj të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, njërit nga romanet më të njohura shqiptare: ”Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, po atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.
Po e filloj me këtë moto, sepse është një formulë universale, e dalë nga shpirti i shkrimtarit, për paqe e mirëkuptim midis njerëzve.

Pra, Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, sepse shkrimtari deshi me veprën e tij të heq e të zhdukë një të keqe të popullit të tij – gjakmarrjen. Po ashtu, vizionin e ndritur të romanit po e përjetojmë sot, kur, si në antikën greke dhe ilire, shqiptarët po i falin gjaqet, po i shuajnë gjarpinjtë e gjakut dhe po bëhen pajtimet.

Sot, thuaja të gjithë, jemi bërë personazhe të mesazhit të romanit Tuaj – të pajtimit dhe të harmonisë. Kjo ngjet vetëm te popujt e moçëm, që dinë të falin, që dinë të mos harrojnë, e po ashtu, që nuk dinë të hakmerren.

Sot në këtë ditë gëzimi për gjithë shkrimtarët shqiptarë, nuk do të flas për burgjet Tuaja 30-vjeçare. Të gjithë këtë po e quaj qëndresë njerëzor dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore.

Fati Juaj është fati i një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë dhe i letërsisë shqiptare. Ju nuk pësuat vetëm për bindjet politike, që bolshevizmi i shpalli armiqësore, po edhe pse ishit ndër të parët dhe më të rinjtë që shkruanin në shqipe, pse ishit shkrimtar i mirë dhe me aftësi të rrallë letrare dhe me bindje të thella humaniste për popullin Tuaj dhe për të tjerët. Pushteti totalitar gjithmonë u frikësohet shkrimtarëve të mirë dhe të aftë.
Më lejoni, i nderuari Adem, ta mbyll këtë fjalë me dëshirën tonë të madhe që t’ju mbajë shëndeti dhe të na dhuroni edhe ndonjë kryevepër, sepse ende jeni në moshën e burrërisë, ende jeni me Diellin, siç i klasifikonte moshat shkrimtari ynë i vjetër Pjetër Bogdani.

Ju faleminderit që gjetët kohë të jeni me ne – me trup e me shpirt, sepse me shpirt dhe me vepër gjithmonë keni qenë me ne.

(“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

“Gardhi” i Lendita Zeqiraj më 4 gusht në DokuFest

Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj i cili ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, tashmë do të shfaqet edhe për publikun shqiptar në DokuFest, shkruan KulPlus.

Filmi shfaqet më datë 4 gusht në ora 20:00 në DokuFest.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com

http://dokufest.com/program/categories/?filmId=792&filmName=Fence

CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës

Për një vend që shumë njerëz vështirë se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.

Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesë më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës, shkruan rrjeti informativ prestigjioz amerikan, CNN.

Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacenuar dhe park kombëtar. Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.

Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike. Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.

Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues. Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.

Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit. Një grusht varkash druri peshkatarësh kanë streha të bëra me kallam bambuje dhe kanë të gjitha emra individualë, kështu që ju mund ta gjeni veten mbi një varkë me emrin Milica apo Bretkosa e Artë.

Me zërin e heshtjes dhe bukurinë mahnitëse të natyrës rreth teje, gjithçka që keni nevojë të bëni është të uleni dhe të ecni ngadalë pa ndonjë qëllim. Liqeni është shtëpia e një diversiteti të dukshëm të jetës së egër.

Pesëdhjetë lloje peshqish jetojnë në këto ujëra, 18 prej të cilëve nuk gjenden diku tjetër në Tokë, çka konfirmon statusin e një ligatine me rëndësi ndërkombëtare. Ka ngjala dhe levrek, bli dhe më i përhapuri është krapi. Ka më shumë se 50 lloje speciesh kërminjsh ujërash të freskëta, ku të paktën një e treta janë endemikë, duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme të Europës.

Nëse do të ishit me shumë fat, atëherë ju mund të kapni një pamje momentale të një vidre të rrezikuar, ndërkohë që gjarpërinjtë e ujit rrëshqasin pranë jush. Kandila të vegjël blu të mrekullueshëm, së bashku me pilivesa të kuqe, portokalli dhe jeshile janë shoqërues të përhershëm.


Jeta e shpendëve

Një grup prej 270 speciesh e bëjnë Liqenin e Shkodrës një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve të Europës dhe një destinacion popullor për ornitologët. Kjo për shkak se ata mund të dallojnë aty disa nga pelikanët e fundit dalmatë të Europës, karabullakët e detit që thajnë krahët e tyre dhe habitatet e çafkave të rralla e të verdha.

Rreth 90% e tyre janë zogj migrues, që do të thotë gatat sqeplugë, rosat dhe çafkat e bardha janë vizitorë të tjerë të rregullt. Ndonjëherë në varkë ndjeheni sikur jeni në një ekspeditë gjuetie zogjsh, me diversitet të pabesueshëm në çdo hap.

Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura. Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina. Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike.

Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.

Histori

Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar. Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.

I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar. Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Alcatrazi i Malit të Zi

Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I. Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen. Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap. Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.

Ushqimi

Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj. E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathërat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.

Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm. Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë. Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.

Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.

Manastiret

Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon. Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke pasur një pamje të pabesueshme.

Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend. Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjaltë mesa duket me përfitime mjekësore./KultPlus.com

Eleni Foureira nderohet me mirënjohje nga Erion Veliaj

Mbrëmë, këngëtarja e njohur, Eleni Foureira ka mbajtur një koncert madhështor në Tiranë.

Bukuroshja nga Fieri, muaj më parë kishte njoftuar se do jetë e pranishme në një koncert në Shqipëri, me 25 korrik.

31 vjeçarja është nderuar me mirënjohje nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili ndau një foto me ndjekësit në Instagram.

“Foto e ditës”, është përshkrimi i Veliajt që ia ka bashkangjitur imazhit.

Ndryshe, Eleni në Festivalin Evropian të këngës e përfaqësoi Qipron me këngën “Fuego”, ndërsa ishte shumë pranë që ta fitonte garën./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/Blsu5QuH7jw/?taken-by=erionveliaj

Ismail Kadare telegram ngushëllimi për Adem Demaçin

Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij, Helena, i kanë shprehur ngushëllime familjes Demaçi për vdekjen e veprimtarit dhe shkrimtarit Adem Demaçit.

“Te tronditur si rrallë herë në jetë, ju dërgojmë ngushëllimet tona për humbjen e Ademit të shtrenjtë, mikut të pazëvendësueshëm , të domosdoshëm si rrallëkush për ne dhe për kombin, Ismail dhe Helena Kadare.”, thuhet në letrën e shpërndarë në media./KultPlus.com

Fjalimi i Demaçit në PE me rastin e dorëzimit të çmimit “Sakharov” më 1991: Keni nderuar popullin tim

Shkrimtari Shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian, për mendimin e lirë, “Sahraov”. Atëkohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Për shkak të shkrimeve dhe përcaktimeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet jugosllave (serbe). Iniciativën e filluan dhe propozimin e dhanë njëzeteshtatë deputetë të Parlamentit Evropian (nga i nënshkruari i parë – deputet i Parlamentit Evropian i të Gjelbërve nga Tiroli Jugor, Aleksandër Langer) dhe ngadalë pasuan gjithnjë e më shumë vota deri te Presidiumi i zgjeruar i Parlamentit Evropian,i cili edhe e mori vendimin për ndarjen e këtij çmimi Demaçit.

Bartës të deritashëm të çmimit “Sakharov” të Parlamentit Evropian ishin vetë Sakharovi, Nelson Mandela dhe Aung Sun (më pas ata fituan edhe çmimin Nobel). Nga Kosova, Sakharov kishte marrë edhe presidenti Ibrahim Rugova.

Duke u falënderuar për këtë çmim të lartë para Parlamentit Evropian në Strasburg, Adem Demaçi tha:

E ZBULUAT TË VËRTETËN PËR SHQIPTARËT

Zoti kryetar, Zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian. Në këto momente historike për Evropën dhe Ballkanin, duke më nderuar me çmimin “Sakharov” keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por prore liridashës, paqedashës e krenar. Duke nderuar popullin tim, para historisë, keni nderuar edhe këtë institucion të lartë, sepse të mbrosh një popull të pafajshëm nga pushtuesit e shtypësit, gjithmonë ka qenë e është lavdi e nder i madh.

Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet:”E para është fjala e lirë” si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë. Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progres.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e Lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së Lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së Lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.

Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni tingullin e fjalës së Lirë shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.

Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara.

As në Maqedoni, shqiptarët ende nuk po trajtohen në frymën e plotë demokratike, në Mal të Zi, gjendja e shqiptarëve është edhe më e keqe, kurse populli boshnjak është gjithashtu viktimë e hegjemonizmit serbomadh.

Por, zonja e zotërinj të nderuar, dashnorët e fjalës së lirë janë dashnorët më të pasionuar, dashnorët më të flaktë që njeh bota, prandaj edhe janë të pathyeshëm e sypatrembur.

Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë, por ai vdiq, sepse fjala e lirë nuk i tradhton dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën të pavdekshëm.

Edhe vëllëzërit e mi Mandela e Marçenko, janë dashnorë të fjalës së lirë, si edhe zoti Dubçek; edhe motra ime Aung San Suu është një dashnore e madhe e fjalës së lirë; prandaj që të gjithë edhe u nderuan në mënyrë dinjitoze nga ky forum i lartë.

Sa për tragjedinë të cilën është duke e përjetuar populli mik kroat, besoj se nuk ka nevojë të them ndonjë fjalë. Kasaphana rrëqethëse që është duke u zhvilluar në hapësirat e Kroacisë është në fokusin e mediumeve informative ndërkombëtare. Bota mbarë është shumë e çmeritur dhe nuk mund t’u besojë syve e veshëve të vet se si është e mundur që në këtë kohë, në zemër të Evropës, pas konferencave të Helsinkit, të Parisit, të Kopenhagës, të Moskës, të ndodhin gjëra kaq pikëlluese. Bota me të drejtë pyet si është e mundur që pikërisht në Jugosllavi, e cila është nënshkruese e Kartës së OKB-së, nënshkruese e Kartës së Parisit e të dhjetëra e dhjetëra konventave e Marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njeriut e të popujve, si është e mundur që pikërisht në këtë vend të ndodhin gjëra kaq monstruoze. Bota pyet, si është e mundur që pikërisht pas fillimit dhe gjatë zhvillimit të Konferencës paqësore në Hagë, lidhur me Jugosllavinë, plasën dhe u zhvilluan luftimet më të përgjakshme në hapësirën e Kroacisë.

Pa e kuptuar esencën dhe karakterin e pushtetit të sotëm serbomadh e militarist, as këto gjëra nuk mund të kuptohen, prandaj më lejoni që me pak fjalë ta jap ndihmesën time modeste për sqarimin e këtij problemi. Pushteti i sotëm serbomadh e militarist është i gërshetuar, përveç tjerash, edhe nga tri komponente kryesore: nga burokratët, nga parazitët dhe mafiozët. Burokratët nuk munden dhe as guxojnë të shikojnë as majtas as djathtas për të parë se ç’faktorë të rinj janë shfaqur brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare; burokratët nuk munden as nuk guxojnë të bëjnë analiza objektive, të gjithanshme e të thelluara, duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë të rinj. Ata nuk guxojnë, se një analizë e këtillë do të kërkonte nga ata që të hiqnin dorë nga objektivi i tyre i përcaktuar që më parë të mbeten në pushtet përgjithmonë.

Parazitët, nuk munden as nuk duan të ndahen nga jeta plot privilegje e përfitime, të ndahen nga parajsa të cilën e kanë ndërtuar mbi mjerimin dhe varfërinë e popullit.

Mafiozët, për t’i arritur të gjitha këto nuk zgjedhin mjete, i shembin të gjitha urat prapa vetes dhe tërë popullin e vet e shtyjnë dhe e detyrojnë të bëhet kriminel kolektiv. Në Kosovë e bëjnë këtë duke i shkelur shqiptarët, duke i zëvendësuar shqiptarët e flakur nga puna me serbë, duke ua marrë shqiptarëve të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare, i kanë konfrontuar keqas dhe në mënyrë të rrezikshme këta dy popuj, kurse në Kroaci përmes një propagande të shfrenuar, të gjithë serbët e atjeshëm i frikësuan, i hipnotizuan dhe i bindën se ata atje ishin gjoja të rrezikuar nga pushteti i ri demokratik kroat. Pastaj i cytën me të gjitha mjetet duke mos ngurruar edhe para shantazheve më të ndyra, i armatosën deri në dhëmbë me armët më moderne dhe i hodhën serbët në luftë totale kundër popullit kroat. Në këtë mënyrë, duke rregulluar tërësisht marrëdhëniet e bashkëjetesës me kroatët vendas, serbëve të atjeshëm nuk u mbetet mbështetje tjetër përveç Serbisë dhe armatës jugosllave. Dhe ky është njëri nga burimet e luftës për jetë a vdekje ndërmjet serbëve dhe kroatëve. Të njëjtën gjë parazitët serbë janë duke e përgatitur edhe në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Maqedoni.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë,

Dëshiroj të besoj se nuk do të më qortoni për dëshirën time të flaktë që ta forcoj me ju miqësinë duke Ju bërë të ditur edhe ndonjë veprim Tuajin që ne shqiptarëve, nuk na duket i drejtë.

Për lëshimet që i ka bërë dikur Evropa, Serbisë, në kontekst të ngjarjeve e rrethanave të atëhershme, Evropa e ditëve tona nuk është dhe as nuk mund të jetë fajtore, por për rastin më të freskët, për Konferencën e Paqes për Jugosllavinë në Hagë, nuk më duket se është krejt pa gjynahe.

Dihet se udhëheqja serbe, si kusht për pjesëmarrjen e saj në konferencën e Hagës, pat shtruar kërkesën që në këtë konferencë të mos ftoheshin përfaqësuesit legjitimë të tre milionë shqiptarëve, përfaqësuesit e Krahinës së Kosovës, e cila gjatë gjithë kohës së ekzistencës së kësaj Jugosllavie, ishte element ndërtues e konstitutiv i kësaj bashkësie. Një kërkesë e tillë e Serbisë është pritur gjithsesi, por një pajtim me këtë kusht nga Bashkësia Evropiane nuk është pritur kurrsesi. Ky lëshim joparimor që i bëri Evropa Serbisë, krijoi tek pushtetmbajtësit hegjemonistë serbomëdhenj, iluzionin se Serbia qenka fuqi e madhe dhe se mund të konfrontohet edhe me Bashkësinë Evropiane. Ja edhe një burim i përpjekjeve të dëshpëruara të hegjemonizmit serbomadh, për ta vazhduar luftën me shpresë se edhe pse bën një luftë pushtuese e të pamoralshme, edhe mund të ndodh që ai të dalë fitimtar.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,

Ne e kemi plotësisht të qartë se edhe Bashkësia Evropiane është gjendur para një problemi tejet delikat e të ngatërruar: si të shkarkohen nga pushteti burokratët, parazitët e mafiozët serbë e malazezë e të mos dëmtohen në tërësi popujt e Jugosllavisë, përfshirë edhe popujt serb e malazez, të cilët edhe vetë edhe janë duke hequr të zitë e ullirit nga ky pushtet i mallkuar. Ua bëjë të ditur me kënaqësi të posaçme, se në Serbi e Mal të Zi, përkundër kushteve tejet të vështira, janë duke vepruar me guxim demokratë të vërtetë si arkitekti Bogdan Bogdanoviç, profesori Zhivotiç, poeti i guximshëm Jevrem Bërkoviç, regjisori i talentuar Llazar Stojanoviç, profesoresha zonja Zagorka Golluboviç, avokati Sërgja Popoviç e shumë të tjerë.

Siç shihet, në Jugosllavi, ka probleme të mprehta e fort komplekse, mirëpo unë kam besim të plotë se Bashkësia Evropiane ka potenciale kolosale njerëzore e materiale, për t’i zgjidhur të gjitha problemet që shtrohen para Evropës së sotme.

Prandaj, zoti Kryetar dhe ju, zonja e zotërinj të këtij forumi të lartë, në emër të të gjithë djelmoshave të të gjitha kombeve që masakrohen në këto luftëra absurde e anakronike, në emër të nënave e baballarëve jo vetëm shqiptarë, por edhe atyre serbë e malazezë, kroatë e boshnjakë, hungarezë e maqedonasë, në emër të të gjithë prindërve që humbin krijesat e tyre më të dashura nëpër luftërat shkatërruese, ju lutem shumë që ta vëni në lëvizje tërë energjinë Tuaj që ta ndalim së bashku gjakderdhjen e panevojshme dhe ta largojmë një herë e përgjithmonë nga skena politike bastionin e fundit të diktaturës ushtarako-policore, të regjimit shovinist e hegjemonist serbomadh, ta tejkalojmë përgjithmonë rrezikun e një lufte shfarosëse ballkanike e evropiane.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,

Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare.

Faleminderit për mirësinë dhe vëmendjen tuaj.

4 dhjetor, 1991

Adem Demaçi

Stadiumi “Fadil Vokrri” hapet me Medën

Më 23 korrik, ditën kur Fadil Vokrri do të festonte ditëlindjen e 58-të, në nderim të kësaj date, stadiumi në Prishtinë mori pamje të re, duke u vendosur emri i Vokrrit, shkruan KultPlus.

Ndërsa në mbrëmjen e po kësaj dite, emri i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri u ndriçua duke i dhënë vendit një pamje mahnitëse.

Por, ditën e shtunë do të jetë ceremonia e hapjes së stadiumit.

Sipas një zyrtareje të Federatës së Futbollit të Kosovës, në ceremoninë hapëse do të luajnë edhe këngëtarët si Meda, Blero, Ermal Fejzullahu e të tjerë.

Stadiumit, që tashmë quhet “Fadil Vokrri”, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë dhe pritet të licencohet nga UEFA për ndeshjet ndërkombëtare./KultPlus.com

Kërkohet medalje presidenciale me emër të Demaçit e bust për të në Prishtinë

Ndonëse udhëheq me Ministrinë e Ambientit e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, nuk ka hezituar që të japë ide se si duhet nderuar Adem Demaçi pas vdekjes së tij.

Ajo ka propozuar që një medalje presidenciale të mbajë emrin e tij, njësoj sikurse edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. Ndërsa ka thënë se një bust në qendër të Prishtinës është gjëja më vogël që si shoqëri mund të bëjmë për këtë kolos.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta te veprimtarit të pashoq dhe simbolit më të veçantë të rezistencës intelektuale, bacës Adem Demaçi. Sakrificat dhe vuajtjet 28 vjeçare nëpër burgjet jugosllave të Bacës Adem janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe patriotizmit. Qëndrimet dhe vetë jeta e tij do të jenë gjithmonë udhërrëfyese për brezat që do të vijnë. Prehu në paqe baca ynë, në këtë tokë për të cilën dhe aq shumë. Një medalje presidenciale duhet të mbajë emrin e Bacës Adem dhe, natyrisht, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës duhet të quhet po ashtu me emrin e tij. Një bust në qendër të Prishtinës është gjëja më vogël që si shoqëri mund të bëjmë për këtë kolos. Ngushëllime familjes dhe gjithë popullit shqiptar”, ka thënë Reshitaj.

Limaj: Do ta kujtojmë gjithmonë sakrificën dhe rezistencën e Bacës Adem

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Demaçi për vdekjen e veprimtarit të shquar shqiptar.

Baca Adem siç shkruan Limaj ishte dhe mbetet frymëzuesi më i mirë për djemtë dhe vajzat e reja që duan ta nderojnë vendin dhe kombin e vet.

“I trishtë lajmi për vdekjen e njeriut të sakrificës dhe rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, që ne me dashuri dhe respekt e thërrisnim baca Adem. Do ta kujtojmë gjithmonë rezistencën dhe sakrificën tënde për vendin, popullin dhe kombin shqiptar. Baca Adem kishte një jetë plot sfida e sakrifica për kombin shqiptar. Baca Adem dhuroi shumë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Baca Adem do të jetë pjesë e historisë së kombit shqiptar. Ngushëllime familjes, bashkëveprimtarëve dhe gjithë kombit!”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Limajt.

PSD: Nga Baca Adem më së shumti mësuam se liria nuk vjen pa sakrificë

Partia Socialdemokrate përmes një telegrami, ka ngushëlluar familjarët e Adem Demaçit.

PSD shkruan se përpjekjet e tij për lirinë e Kosovës ishin të vazhdueshme. Ai simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë.

Telegrami i PSD-së:

Partia Socialdemokrate shpreh pikëllimin e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Bacës Adem Demaçi. Veçanërisht ngushëllojmë familjarët e të afërmit e Bacës Adem, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, dashamirët e tij, popullin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar. Sepse baca Adem ishte i të gjithëve, dhe tërë jetën e tij ua kushtoi të gjithëve, universalisht lirisë e barazisë, rezistencës e luftës kundër shtypjes, paqes e solidaritetit.

Përpjekja afatgjatë popullore e shqiptarëve të Kosovës për liri e barazi, për dinjitet e zhvillim, përshkruhet përmes dy lloj angazhimesh: rezistenca e organizuar aktive (herë ilegale e herë gjysëm-legale) dhe lufta e armatosur.

Të dy këto faza të angazhimit lidhen me dy prijëtarë e pishtarë, dy Bacët : Adem Demaçi dhe Adem Jashari!

Baca Adem Demaçi simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit politik karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë. Në këtë drejtim 28 vitet e burgosjes së Bacës Adem, më shumë se çkado tjetër, shpërfaqnin gënjeshtrën formale të ‘Jugosllavisë së popujve të barabartë’. Baca Adem me qëndrimin e tij tregoi se Jugosllavia dhe Serbia kishin instaluar regjim kolonial në Kosovë që shtypte e përndjekte, dëbonte dhe vriste shqiptarët. Pra ishte regjim që mbijetonte përmes represionit, e jo pushtet demokratik i vullnetit popullor.

Siç e thoshte në poezinë e tij Agim Spahiu :

Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishë të bardhë

Ishe djalë,

Dhe pe larg…. ky ishte faj?

Por, në anën tjetër, Baca Adem emanciponte politikisht. Për së brendshmi frymëzonte qindra e mijëra njerëz dhe u tregonte atyre për rëndësinë e qëndresës e angazhimit për liri, për barazi, për zhvillim, për Republikë dhe për bashkim kombëtar. Nga Baca Adem më së shumti, në Kosovë e jashtë saj mësuam e kuptuam se nuk jemi të lirë dhe se liria nuk vjen pa sakrificë. Përmes rezistencës së tij, e përmes tij, kuptuam se sa e rëndësishme është ta kemi shtetin tonë, sa e rëndësishme është të vendosim vetë për fatin tonë kolektiv, sa e rëndësishme është të jetojmë dinjitetshëm, se si sistemi shoqëror politik që përndjek e shtyp nuk mund të jetë i mirë, edhe kur mundëson kamje, dhe se si sistemi shoqëror e politik që nuk mundëson barazi e mirëqenie nuk mund të jetë i duhuri edhe kur nuk përndjek e shtyp objektivisht.Kështu Baca Adem me qëndresën e tij i tregonte botës se çfarë shtypje ekzistonte në Kosovë, por edhe se në çfarë nivele të lirisë e barazisë ishin arritur nëpër botë.

Baca Adem ishte intelektual i angazhuar. Shkrimtar, gazetar, aktivist për të drejtat e njeriut. Veprat e tij letrare, shkrimet e tij publicistike dhe aktiviteti i tij për të drejtat e njeriut shpërfaqin karakterin e tij emancipues shoqëror. Lexonte Nolin, Samiun, Sartrin, Gëten, Dostojevskin…Modern, fliste si populli, për popullin.

Adem Demaçi nuk e kishte prioritet pushtetin edhe pas çlirimit. Luftonte regjimet, jo popujt. Për liri dhe barazi për të gjithë.

Kritik dhe vetëkritik, Baci shquhej për nga modestia dhe dinjiteti.

Ishte demokrat i bindur. Humanist i lindur. Madhështi. Siç ju njoh botërisht me çmimin « Sakharov».

Nuk ka fjalë të bollshme që mund ta përmbledhin tërë veprën e rëndësishme, të pazëvendësueshme, e të papërsëritshme të Adem Demaçit; në shërbim të lirisë, barazisë, solidaritetit, paqes e popullit. Baca Adem e dëshmoi se njerëz të mëdhenjë mund të lindin nga popuj të vegjël, të nëpërkëmbur. Se madhështia nuk vjen nga madhësia e popullit prej nga vjen, por nga vendosmëria, urtësia e përkushtimi.

E nuk ka as fjalë të bollshme për ta përshkruar pikëllimin për humbjen e tij. Përveç kënaqësisë e krenarisë se vepra e tij do të jetojë e jehojë.

I lehtë i qoftë dheu.

E përjetshme qoftë lavdia e tij.

I përhershëm qoftë kujtimi për të.

PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një telegrami ngushëllimi i shpreh ngushëllimet familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.

“Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave. Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë”, thuhet në telegramin e PDK-së.

“Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë. I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin”, thuhet më tej në këtë telegram.

VV: Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka ngushëlluar familjarët dhe gjithë qytetarët pas vdekjes së Adem Demaçit.

Telegrami i ngushëllimit:

Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.

Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.

Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.

Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.

Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.

Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!

LDK: Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një telegrami, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.

“Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb”, thuhet në telegramin e tyre.

Tutje, thuhet se qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Veseli: Demaçi do të rrojë sa të ekzistojë ky popull

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar takimin e tij të fundit me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare që vdiq sot, pas një sëmundje të rëndë.

“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar.

“Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë. Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë. Ngushëllime, Kosovë”, ka shkruar Veseli.

Tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi

Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.

Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës. Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore./KultPlus.com


Edi Rama: Me vdekjen e Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë

Veprimtari i çështjes kombëtare, dhe ish i burgosuri politik, Adem Demaçi, ka vdekur sot.

Per vdekjen e tij kanë shprehur pikëllim edhe figurat politike, ndër ta edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë. 🙏Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha #RESPEKT”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ceremonia për varrimin e Demaçit do të mbahet të shtunën dhe do të jetë me ceremoni shtetërore.

Kurse, gjatë ditës së nesërme është paraparë që nga ora 12:00 të këtë homazhe në Tetarin Kombëtar të Kosovës.

Demaçi ka vdekur në shtëpinë e tij, në moshën 82-vjeçare./KultPlus.com

Demaçi varroset të shtunën, nesër homazhe në Teatrin Kombëtar

Veprimtari i çështjes kombëtare, dhe ish i burgosuri politik, Adem Demaçi, ka vdekur sot.

Ceremonia për varrimin e tij do të mbahet të shtunën dhe do të jetë me ceremoni shtetërore.

Kurse, gjatë ditës së nesërme është paraparë që nga ora 12:00 të këtë homazhe në Tetarin Kombëtar të Kosovës.
Demaçi ka vdekur në shtëpinë e tij, në moshën 82-vjeçare./KultPlus.com

Poezia që Ali Podrimja i kushtoi Adem Demaçit

Katrori magjik
(Adem Demaçit)

Tani gjendesh
brenda katrorit magjik
dhe kërkon Kosovën në hartën e vezullimeve
Jugu e Lindja Veriu e Perëndimi
katër kapakë të mbyllur
të një ëndrre
Tej grilave përcjell fluturimin e dallëndysheve se besimi
drejtpeshimi i lirisë
Ciatje gjarpërinjsh rreth gishtit të ngritur nga Zoti
Dhe pika e gjakut vizaton Diellin
Katrori magjik
është fatal
po qe se bie brenda tij
Në cilën anë do të zgjohet Kosova./KultPlus.com

Veseli: Demaçi do të rrojë sa të ekzistojë ky popull

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar takimin e tij të fundit me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare që vdiq sot, pas një sëmundje të rëndë.

“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar.

“Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë. Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë. Ngushëllime, Kosovë”, ka shkruar Veseli./KultPlus.com

Këngë për Adem Demaçin (VIDEO)

Këngëtari Luan Zhegu në vitin 2016 i pati kushtuar një këngë tashmë të ndjerit Adem Demaçit.

KultPlus ju sjellë më poshtë tekstin dhe videon e këngës.

“Këngë për Adem Demaçin”

Thash tja nisi sot nje kengës, por nuk di nga tja filloj, o hej..
Pse nga malli mdixhet zemra. Fjal kto zemres ja kerkoj, o hej

Bjen sharkija e don tplasi, se xhdo trim osht yll trimnije,
por qaj burrë adem demaci, qenka mal me pas shqipnije, o hej
Bjen sharkija e don tplasi, se xhdo trim osht yll trimnije,
por qaj burrë adem demaci, qenka mal me pas shqipnije, o hej

Bon gajret Adem Demaci, se per ne dot jesh shqiptar,
pasha besen nuk ta vrasin, as kurkush kosoven mbar o hej

se nuk shterret ujt e drinit, nuk kafshohet çyqavica
kosovari sa doto lindi, thot unë jam azem galica, o hej

ti qe mbeti shkem nder male, e su sosesh 30 vjet, o hej
terë kosoven rininfales, e lirin le amanet, o hej

more formen e flamurit, yll i rrall per mbi shqiponj,
syrin prush e zemër guri, se thot birë nana kosovë, o hej

Bjen sharkija e don tplasi, se xhdo trim osht yll trimnije,
por qaj burrë Adem Demaçi, qenka mal me pas shqipnije, o hej

Bon gajret adem demaci, se per ne dot jesh shqiptar,
pasha besen nuk ta vrasin, as kurkush kosoven mbar o hej

se nuk shterret ujt e drinit, nuk kafshohet çyqavica
kosovari sa doto lindi, thot unë jam azem galica, o hej

se nuk shterret ujt e drinit, nuk kafshohet çyqavica
kosovari sa doto lindi, thot unë jam azem galica, o hej. / KultPlus.com

Thaçi: Baca Adem, simboli ynë i rezistencës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e Adem Demaçin, i cili ndërroi jetë sot, shkruan KultPlus.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! HTH”, ka shkruar presidenti Thaçi në facebook. /KultPlus.com

Haradinaj: Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Adem Demaçin, i cili ndërroi jetë sot.

“Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./KultPlus.com

Çun Lajçi poezi emocionuese për Adem Demaçin

Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi i ka dedikuar një poezi emocionuese veprimtarit Adem Demaçi.

U PRE E MUGULLOI N’THIKA
( Adem Demaçit)

E shtrydhi zemrën e rininë e lagu
Me gjakun e atdheut
Në tri thika u pre e mugulloi sërishë
U kafshue nga gjarpërinjtë e gjaku iu helmue
E prap mugulloi e prap u pre në thikën e Atdheut
Ai ishte plak
Në bulzën e re e pip i ri në trungun plak
Kurrë s’e shijoj e aç afër e pati
Kosovën e rrudhur n’lëkurën e tij
Shqipërinë e donte nga larg e burgun nga afër
Ne frigoheshim nga mendimi e liria e tij
Prononcoheshim e
distancoheshim
Përqafoheshim me robërinë,
Lëkurën shpetonim
Ai zihej për neve n’kalvarin e t’merrit
E prap gjarpërijtë e gjakut e kafshonin
Goli Otok ishte parajsa në këmbim të Lirisë
Ai u shtrydh gjithë jetën nga skjau
U pre dhe mugulloj n’thika
E gjithë jetën rrjedhi Shqipëri.

26.01.2016