Në Egjipt zbulohet një sfingë e lashtë

Ministria e Antikiteteve të Egjiptit ka njoftuar se arkeologët kanë zbuluar një statujë të trupit të një luani me një kokë njeriu në qytetin e Asuansit, në jug të vendit.

Të dielën, Ministria e Antikiteteve tha se sfingu nga guri ranor u gjet në tempullin Kom Ombo gjatë punimeve për të mbrojtur vendin nga ujërat nëntokësore.

Mostafa Waziri, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, tha se statuja me siguri daton nga koha e Egjiptit të Ptolemeut. Dinastia e Ptolemeut qeverisi Egjiptin për rreth 300 vjet, nga 320 deri në vitin e 30 para epokës së re.

Egjipti shpreson që zbulimet e tilla do të inkurajojnë zhvillimin e turizmit, një degë e ekonomisë që ka pësuar dëme të mëdha pas trazirave politike që nga protestat e vitit 2011./ KultPlus.com

“Rreze” i Lorena Sopit fiton çmim në Los Angeles

Filmi ‘Rreze’ me regji të Lorena Sopit, i realizuar sipas një flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut dhe i cili në muajin maj është shfaqur premierë në Cannes Film Festival – Short Film Corner, si dhe në festivalin e famshëm San Gio Verona Film Festival, mbrëmë ka fituar çmimin Filmi më i mirë i luftës / Best War Drama Film/ në festivalin MovieScreen Pro Film Festival, i cili është mbajtur nga data 11 deri më datën 16 shtator në Los Angeles të SHBA-ve.

Është ky çmimi i parë për filmin ‘Rreze’ të cilin e pret një rrugëtim i gjatë ndërkombëtar. Gjatë këtij muaj dhe gjatë muajit në vijim, filmi “Rreze”, do të shfaqet në programet zyrtare të Goa Short Film Festival – Goa, Indi. ASA Humanitarian Film Festival – Weimar, Gjermani. Corto e a Capo Film Festival – Venticano, Itali. Sose International Film Festival – Yerevan, Armeni. Roma Independent Film Festival – Roma, Itali. Festival Film International Signes de Nuit – Paris, Francë…

Në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shënjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar që ushtarët nuk qajnë kurrë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë…

Filmi ‘Rreze’ është realizuar sipas ditarit të vërtet të Rreze Abdullahut.

Në rolet kryesore: Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi. Në rolet tjera paraqiten: Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi, Uran Duli.

Drejtor fotografie: Besnik Hasolli, zëri: Gëzim Rama, kompozitor: Mendi Mengjiqi./ KultPlus.com

“Renuo” e Memli Kelmendit, interpretohet dhe regjistrohet në Belgjikë (VIDEO)

Vepra Renuo e kompozuar nga Memli Kelmendi për piano solo është interpretuar dhe incizuar në Ghent/ Belgjikë, konkretisht nga pianisti Lukas Huisman.

Lukas Husman njihet për përformimin e veprave kontemporane, i cili ka doktoaruar pikërisht me temen “new virtuosity in Late Romantic, Modernistic music and New Complexity.”

Vepra për piano “Renuo” është kompozuar muaj më parë dhe për herën e parë është interpretuar muajin e kaluar nga pianisti Agron Shujaku në Maqedoni.

Vepra Renuo shumë shpejtë do të interpretohet edhe në disa vende të tjera dhe në vitin 2019 do të jetë pjesë e një Label shumë të rëndësishëm./ KultPlus.com

Vjen premiera e “Kopshti i Vishnjeve”

Sot më 17 shtator në Teatrin Kombëtar të Kosovës, vjen premiera e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”, shkruan KultPlus.

Teksti i autori Anton Çehov vjen me regji të Ilir Bokshit, ndërsa do të jetësohet nga kasta e aktorëve si: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

“Kopshti i Vishnjeve”, vjen me premierë sot më 17 shtator me fillim nga ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Ndërron jetë në SHBA shkrimtari nga Elbasani, Makensen Bungo

Me 15 shtator 2018, ditën e shtunën në mëngjes, ndërroi jetë në një spital të Nju Jork-ut, shkrimtari Makensen Bungo.

Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë (pas burgut).

U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për ‘krime kundër shtetit’ dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë.

Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1950.

Makensen Bungo provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekejn me sy në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj. Akuza e fabrikuar ishte ‘Agjitacion e propogandë’, e konsideruar si krim kundër shtetit! A e dini pse? …

Sepse kishte thënë në biseda se Kosova është e robëruar…

Gjatë kohës së diktaturës nuk u lejua që të botojë. Makenseni edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.

Makensen Bungo, pas rënies së komunizmit, është autor i disa librave. Përmendim:

1- Monografia për Abaz Kupin (2001)

2- Këneta e Vdekjes (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë- më 2009 u botua në gjuhën angleze)

3- Gruaja me të zeza-Vëllim me tregime (2008)

4- Rrugëtim me psherëtima-Roman (2009)

5- Nëna Kosovare-poemë (2003)

6- ‘Varret’ poemë…etj..

7- Musine Kokalari…

Ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, veçanërisht i gazetës ’Dielli’ në SHBA, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj./ KultPlus.com

Sot 193-vjetori i lindjes së Pashko Vasës

Pashko Vasa lindi më 17 shtator 1825 në Shkodër.

I njohur gjithashtu si Vaso Pasha e Vaso Pashë Shkodrani, qe nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Më 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u riatdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.

Pashko Vasa vdiq në Bejrut më 29 qershor 1892./ KultPlus.com

Maqedonia synon ta bëjë të veten traditën e luftës së pelivanëve

“Tradita e pehlivanit është një pasuri e vendit tonë, ndërsa bashkë me pehlivanët rrumbullakojnë mozaikun e traditës dhe kulturës sonë, të cilën si të tillë, do ta bartim me vete në Bashkimin Evropian (BE)”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në manifestimin ndërkombëtar kulturoro-sportiv në mundje, “Tradita vazhdon” i cili tradicionalisht mbahet në Studeniçan të Shkupit.

Mbi 200 pehlivanë nga vende të ndryshme, të ndarë në pesë kategori sipas moshës dhe peshës, prezantua traditën shekullore të këtij sporti të mundjes, ndërkohë që pjesë e eventit ishin edhe këngët dhe vallet shqiptare dhe gatimet tradicionale./ KultPlus.com

“Kosova” në Tiranë, hap dyert e të ardhmes (VIDEO)

“Kosova” e rilindur, shkolla simbol e historisë së Tiranës u hapi sot fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies së qeverisë për Tiranën dhe Shqipërinë që duam.

Duke shpërndarë pamje nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle, Kryeministri Edi Rama uroi një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor për të gjithë nxënësit.

“Mirëmëngjes dhe pas një lufte afro pesëmbëdhjetë vjeçare, me ata që e morën padrejtësisht si pronë, me ata që e dogjën, pabesisht si godinë, me ata që përmes gjykatësish të korruptuar donin ta kthenin këndin e saj historik në pallat, kam kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor, me “Kosovën” e rilindur, shkollën simbol të historisë së Tiranës që sot u hap fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies sonë për Tiranën që duam, për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama./ KultPlus.com

Kino “Lumbardhi” në Prizren synohet të rijetësohet

Se objekti i kinemasë “Lumbardhi” duhet vendosur në shërbim të gjeneratave të ardhshme dhe se objektit duhet t’i shtohen funksione tjera për ta bërë atë të shfrytëzueshëm në baza ditore, është thënë në takimin konsultativ të Komisionit për Rijetësim të këtij objekti, me hisedarë të ndryshëm.

Komentet e takimit të mbajtur në kuadër të procesit për hartimin e projektit për restaurim e rijetësim të kësaj kinemaje do të shqyrtohen në një diskutim publik që pritet të mbahet muajin që vjen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Arkitektja Aslihan Demirtas nga studioja “Khora” ka bërë të ditur se ky proces synon që ta vendosë këtë ndërtesë në shërbim të gjeneratave të ardhshme në përputhje me aspiratat, dëshirat dhe nevojat e tyre.

Kinemaja ’Lumbardhi’ është ndërtuar dhe e menaxhuar dikur nga shteti.

Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” ka përmendur se bëhet fjalë për një institucion kulturor të qytetit, i cili pas dy vjetësh i mbush 70 vjet të themelimit.

“Rijetësimi dhe funksionalizimi i objektit të ish-kinemasë ‘Lumbardhi’ duhet t’u përgjigjet nevojave të reja të identifikuara nga komuniteti, duke respektuar të kaluarën e saj”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Zhduket aktorja e famshme kineze

Fan Bingbing, aktorja më e famshme kineze dhe një nga aktoret më të paguara në botë, është zhdukur pa gjurmë.

Tash e tre muaj nuk ka informacion mbi gruan e suksesshme kineze e cila bëri famë me rolet e saj në filmat “Iron Man” dhe “X-Men”, përcjell koha.net.

Mediat amerikane raportojnë se Bingbing ndoshta është arrestuar fshehurazi për fshehjen e taksave në industrinë e filmit.

Një artikull që është botuar më 6 shtator, media shtetërore kineze Securities Daily, thuhej se Bingbing është nën kontroll dhe se pritet aktgjykimi ligjor. Por, ky informacion u fshi shumë shpejt. Në të njëjtën kohë, nuk ka informata zyrtare rreth akuzave, si dhe informacione zyrtare mbi një hetim të pretenduar kundër aktores.

CNN shkruan se problemet e saj filluan në maj të këtij viti kur ajo publikisht njoftoi kontratën e saj të filmit. Sipas tabloidit Global Times, Fan kishte dy kontrata të ndryshme – një zyrtare ku thuhej se ishte paguar rreth 1.5 milion dollarë dhe një private sipas së cilës ajo kishte fituar 7.5 milionë dollarë.

Burrel, 10 vjeçari qe shet misra për të blerë librat e shkollës

Kushdo që kalon në aksin Burrel-Tiranë është e pamundur që të mos e ketë parë në rrugë këtë fëmijë 10-vjeçar në vendin e quajtur ‘Ura e Karicës’.

Ai është Olgerti i mitur, që mundohet të sigurojë të ardhura për familjen e tij e mbi të gjitha për veten pasi të hënën që vjen duhet të shkojë në shkollë.

Puna është nder, ndërsa ai buzëqeshur e dëshmon këtë.

Olgerti thotë se del në rrugë çdo ditë në orën 8 të mëngjesit e kthehet në shtëpi në orën 19:00, duke sfiduar motin e nxehtë por edhe vetminë që duhet ta shoqërojë gjatë gjithë ditës, për të mos folur për lodhjen që e sfilit shtatin e tij të parritur ende.

https://m.youtube.com/watch?v=dwrBlzGpM20&ebc=ANyPxKr8j804RLWb1ISmblJ5x3YQ6k2QOJsXfJJFMpSZ_59fliyQk2K30VlM_FeOgw0Kddi5RhOdAEuYX5wqLO3ad8wRey6HxQ

I veshur me këpucë të grisura dhe me një pamje të pafajshme, Oligerti shpreson që dikush të ndalet dhe të blejë një misër që do t’i sillte pak para në xhepin e tij

‘Duhet me shit misra me bë lekë, se duhet me ble rrobat e dimrit. Mami dhe babi janë pa punë dal nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës’, shprehet ai.

Këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit: Mos u merrni me muhabete gjatë punës

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore….

“Asgjë nuk të lëndon, trishton, dhemb më shumë se sa zhgënjimi, sepse…”

Asgjë nuk të lëndon, trishton, dhemb më shumë se sa zhgënjimi, sepse zhgënjimi është një dhimbje që derivon gjithmonë nga një shpresë e shkuar, një humbje që lind gjithmonë nga tradhëtimi i besimit, ndryshimi i qëndrimit të dikujt apo të diçkaje tek e cila beson.

E për ta duruar ndihesh i mashtruar, poshtëruar, viktimë e një padrejtësie që nuk e prisje, e një dështimi që nuk e meritoje, ndihesh i fyer, qesharak saqë herë pas here kërkon hakmarrjen, zgjedhje që mund të të bëjë të ndihesh i çliruar ndonjëherë, por që rrallë shoqërohet nga gëzimi dhe shpesh kushton më shumë se falja…

–Oriana Fallaci

Italian journalist Oriana Fallaci is shown in this undated photo. (AP Photo)

Kam dijtë me keshë me loçkë t`shpirtit

Poezi e shkruar nga Donjeta Elshani.

Kam dijtë me keshë me loçkë t`shpirtit,
Kam pritë pranvera t`hershme me lulue,
e flladitë shpirtin me ujë t`kroneve t`dynjes,
Kam knue kangë, e kam lujtë lojna me verën,
tuj përqesh shpirta t`frikshëm,
e tuj harrnue panla t`moçme.
Kam nga dathë, e jam qortue,
Po lumninë hiq kerkush s`ma ka nalë,
As n`shi,
e aq ma pak n`borë..
Jem lagë tuj e vizatue n`tokë nji copë dilli n’tokë,
e kem recitue vargje për me na lanë me lujt,
E na çka ka thanë qiellit e kem mirëpritë,
Me gëzim, lojë e t`keshme,..
tuj recitue vargje tjera, n`lojna t`tjera,
Dikah, dikun veç n`do ankthe ka pasë perbindsha,
Tjerat janë kanë dashni e dritë..

Historia e jetës së aktores së famshme Katarina Dulaj Josipi (FOTO)

Aktorja e famshme, Katarina Dulaj-Josipi (Kati), lindi më 11 shtator 1923 në Zymë të Hasit (Prizren), shkruan KultPlus.

Shkrimtari Frrok Kristaj ka zbuluar pamje e detaje të rëndësishme nga jeta e aktores Katarina Dulaj- Josipi e njohur si Kati, të cilat KultPlus ua sjellë më poshtë.

Mendohej se aktorja s’kishte jetë private, për shkak të angazhimit të madh në rolet e shfaqjeve, por Kati u martua dhe lindi 2 fëmijë. U martua me Hilë Pjetrin (inxhinier pyjesh) dhe u bë edhe nënë. Lindi dy fëmijë që ndërruan jetë nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa Hilën, të cilin pushteti serbo-jugosllav ia dëboi nga Kosova si person të padëshiruar dhe e strehuan në Shqipëri (Kavajë). Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të ndërronte jetë (1968), vizitoi ish bashkëshortin në Kavajë, te familja e tij e re. Kati njohu gruan dhe 5 fëmijët e tyre. Dy fëmijët e mëdhenj (djali dhe vajza), mbanin të njëjtat emra, që patën dikur fëmijët e saj.

Ajo ndërroi jetë, më 29 prill 1969 në Prishtinë, në ditën e Shën Katerinës./ KulltPlus.com

“Do ta mbrojë me sytë e Zotit, si një perlë në pikë të lotit” (VIDEO)

Këngët e Alban Skenderajt janë dëgjuar sa e sa herë, ndërsa përmes melodive e teksteve të këngëve, ai ndër vite ka përcjellur përplot emocion tek dëgjuesit që i kanë qëndruar besnik tash e sa kohë.

Ani pse krijimtaria e këngëtarit Alban Skenderaj është mjaft e pasur me shumë balada e këngë ritmike, kënga “Eklipsi” është një nga ato këngët qe edhe sot dëgjohet. KultPlus sot ju përcjellë videon dhe tekstin e kësaj kënge.

Ndoshta më nuk ia vlen
Të humbas në sytë e tu
Jo ti s’ke pse gënjen
I qartë shkrimi në blu
Se kur hëna diellin e fsheh
Veç rrezet i mbulon
Për një çast freskia të deh
Por eklipsi shpejt mbaron

Ndoshta më nuk ia vlen
Të zgjohem me mendjen tek ti
Ose nisesh e vjen
Por unë fluturoj që të vij

Sepse ndryshe s’do të kishte mbarim
Zjarr i fshehur në ujë
Më ndihmo engjëlli i im….
Zjarrin ta shpëtoj

Jo nuk dua ta pranoj(ta pranoj)
Fati të na ndajë,
huuuuuuu uuuuu
Dua ta mbroj(ta mbroj) dashurinë e saj
refreni
Do ta mbroj me sytë e Zotit
Si një perlë në pikë të lotit
heeeeeeeeeeej
Do ta mbroj
Të jetojë
Dashuri e saj.

Ndoshta më nuk ia vlen
Ndoshta më nuk ia vlen
të zgjohem me mendjen tek ti
dua pranë të të kem
pa mall pa largësi
Ndryshe s’do kishte mbarim
Zjarr i fshehur në ujë
Më ndihmo engjëlli im
Zjarrin ta shpetoj

Jo nuk dua ta pranoj
Fati te na ndaj
Dua ta mbroj dashurinë e saj

refreni 2x
Do ta mbroj me sytë e zotit
si nje perlë ne pikë te lotit
do ta mbroj te jetoj
dashurinë e saj
(Nanararararanananananananananananana)

Një poezi emocionuese për nënën e recituar nga Zyliha Miloti (VIDEO)

“Cigarja” quhet poezia e shkruar nga Fadil Kraja e që aktorja e mirënjohur Zyliha Miloti ka recituar te “Rudina”.

“20 vetë ne ishim, 20 vetë ushtarë

1 cigare kishim, kush me e ndez ma parë

dielli na përvëlonte, dielli na kish tha

nga cigarja s’dojshim asnjeni me u nda”…

Këto janë vargjet, me të cilat aktorja nis recitimin e mrekullueshëm të një poezie që i dedikohet nënës.

Vazhdimin mund ta përjetoni përmes një recitimi emocionues nga aktorja e madhe shkodrane.

Një cigare…

Njëzet vetë na ishim,
njëzet vetë ushtarë,
një cigare kishim,
kush ta pijë ma parë?!

Dielli na përvëlonte,
etja na kish tha,
nga cigarja s’donte
asnjeri me u nda…

Me nji za vendosëm
të hedhim lotori,
Nuk asht përrallë, vëllezën,
Mos t’ju vijë çudi.

Në letër kush të shkruente
emnin ma hyjnor,
atij do ja lëshonim
cigaren në dorë…

Mu më qeshi fytyra,
gjeta emnin “NANE”
mendova, cigaren
mu do ma lanë!

U lexuen letrat,
Nuk kisha fitu,
nga njëzet, tetëmbëdhjetë
“NANE” kishin shkrue…

Shikum njeni-tjetrin,
fytyrat shprehnin mall,
cigaren e ndezëm,
e thithëm me radhë.

Dielli ma s’përvëlonte,
etjen lamë në një anë,
zemrat na i shëndonte
emni i dashun… “NANE”…

Shqipëria, midis peizazheve të përrallave dhe mikpritjes së jashtëzakonshme

Shqipëria është një pjesë e paprekur dhe e paeksploruar në enigmën komplekse të Europës, shkruan gazeta italiane online “Tizinonline -20 minuti” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

E mbushur me peizazhe përrallash, pamje që të lënë pa frymë, kulturë të pasur dhe banorë jashtëzakonisht mikpritës, Shqipëria duhet të jetë në krye të listës së destinacioneve për ta vizituar për një eksperiencë autentike udhëtimi. Peizazhi i Shqipërisë është 70% e territorit malor, kështu që nëse e doni natyrën dhe ajrin e pastër, ajo duhet patjetër të jetë një nga destinacionet tuaja më të dëshiruara.

Një tipar tjetër dallues i këtij vendi është karakteri. Shqiptarët kanë një ndjenjë të madhe humori dhe një qëndrim të relaksuar: ndonjëherë, ky i fundit mund të bëjë një tendosje mbi durimin e udhëtarëve më entuziastë. Shqiptarët kujdesen shumë për traditat e tyre dhe është pak sikur vendi të ishte ndalur në kohë, duke frymëzuar për të jetuar dhe udhëtuar në një mënyrë të thjeshtë. Teknologjia shkon në sfond dhe udhëtimi këtu është një mundësi e shkëlqyer për të trajnuar për të jetuar në momentin e tanishëm. Shqipëria mund të arrihet me avion në aeroportin e vetëm të vendit, që ndodhet në kryeqytet, Tiranë.

Tirana, kryeqyteti aktiv e Shqipërisë, është një shkrirje e kulturave dhe zemra që rreth e këtij vendi interesant. Pas rënies së komunizmit në vitin 1992, Tirana ka ndryshuar pamje, duke transformuar atë që dikur ishte një qytet i fikur dhe i kufizuar, në një kryeqytet në ngjyra të ndritshme, me rrugët plot me bare dhe restorante dhe sheshe të reja publike të vendosura në çdo pjesë të qytetit .

Në qytetin bregdetar të Sarandës do të gjeni restorante të shkëlqyera të peshkut, një natë energjike dhe një atmosferë gëzimi. Në verë, Saranda gumëzhin nga të rinjtë dhe ofron një natë plot argëtim, me një natë që zgjat deri në dritën e parë të agimit.

Saranda është gjithashtu një bazë ideale për eksplorimin e qyteteve dhe plazheve të tjera përgjatë Rivierës. Nga këtu, ju gjithashtu mund të merrni tragetin në Korfuz, një nga ishujt më të gjelbër dhe të dashur të Greqisë. Shpesh, vizitorët që qëndrojnë në Korfuz vijnë këtu gjatë ditës për të zbuluar fqinjën shumë më të qetë dhe ekonomike se Greqinë, Shqipërinë.

Gjatë qëndrimit në Sarandë, sigurohuni që të vizitoni “Syrin e Kaltër”,i vendosur vetëm 20 km larg. Është një burim me thellësi prej më shumë se 50 metra, por nuk ka matje të saktë, pasi zhytësit kanë arritur të zhyten deri në 50 metra thellë./ ata

“Njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu”

Poezi e shkruar nga Visar Zhiti.

Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.

Mehmet Kraja: 10 libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar

Shkrimtari Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen lënë pa lexuar. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë ai vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe, për lexuesin e MapoLetrare.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda, “Juvenilia”

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi, “Ujku dhe Uilli”

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore. /mapo/

Autori shqiptar Besim Xhelili prezanton para austriakëve romanin “1803”

Besim Xhelili, autori shqiptar nga Tetova, i cili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, dje ka prezantuar romanin e tij me titull “1803” në Muzeun e Bashkisë Mödling. Ky roman, si pjesë e parë e një trilogjie me po të njëjtin emër, u botua në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhët gjermane dhe suedeze, përcjellë KultPlus.

Me ftesë të Shoqërisë Letrare Mödling, dhe nën udhëheqjen e kryetares Nicole Fendesack, në Muzeun e Bashkisë Mödling “Thonetschlössl”, u mbajt një orë letrare me shkrimtarin dhe poetin shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, i cili prezantoi para një publiku të konsiderueshëm, artdashës dhe adhurues të librit, romanin e tij me titull “1803”.

Këtë aktivitet me vlera letrare e hapi vetë kryetarja Fendesack, e cila pasi dha disa informacione mbi historikun e Shoqërisë Letrare Mödling, tregoi për aktivitetet dhe programin e planifikuar për këtë tremujor të fundit të këtij viti. Më pas ajo tha se ndjehet e gëzuar si mysafir kanë një autor siç është Xhelili, i cili premton shumë me krijimtarinë e tij të bujshme dhe shumë laramane, duke pasur parasysh që ai ka shtatë vëllime me poezi dhe një roman në gjuhën shqipe, porse ai tash ka bërë hapin e madh, duke na ofruar këtë roman në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Ajo dha disa njohuri biografike mbi shkrimtarin Xhelili dhe recitoi për të pranishmit një poezi nga ai, duke e shpallur kështu të hapur këtë pasdite kulturore.

Shkrimtari Besim Xhelili falënderoi Shoqërinë Letrare Mödling, kryesinë dhe vet kryetaren për ftesën dhe mundësinë që ai të prezantojë romanin e tij para lexuesve dhe dashamirësve të librit të Bashkisë Mödling.

“Ndjehem shumë i gëzuar dhe i nderuar të jem sot këtu në mesin tuaj, si mysafir i Shoqërisë tuaj, e cila ka tashmë një historik dhe një veprimtari prej më shumë se 80 vjet. Falënderoj të gjithë të pranishmit, miqtë e shumtë për përkrahjen dhe natyrisht lexuesit që përcjellin krijimtarinë time”, ka thënë në fjalën e tij autori Xhelili. Më pastaj ai rrëfeu pak për përmbajtjen e romanit në fjalë, pa u futur në detaje, si dhe lexoi disa fragmente nga po ky libër. Në fund pati një bisedë të ngrohtë me të pranishmit, të cilët morën nga një libër dhe i bënë pyetje autorit. Ishte kërkesë e madhe të njihen me atë se çka do të thotë titulli “1803”, por autori tha se kjo do të zbulohet në pjesën e tretë të romanit.

Përndryshe Besim Xhelili ka prezantuar tashmë romanin e tij në disa vende të tjera në Europë si Gjermani, Zvicër, Greqi, Suedi dhe në vendet autoktone shqiptare. Recensionin e ka bërë kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse përkthimin në gjermanisht Kurt Gostentschnigg dhe atë në suedisht Ullmar Qvick. Autori ka shpresë që deri verën e ardhshme të arrijë të mbarojë dy pjesët e tjera të romanit, kurse ka në proces edhe disa vëllime me poezi. Ai është anëtar i PEN Qendrës Austriake, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe ka marrë pjesë me disa krijime në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht./ KultPlus.com

At Zef Pllumi për Rugovën: Nuk çau kryet për kurrnji kritikë sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve

Frati françeskan shqiptar, i njohur për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, ishte deklaruar edhe për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

At Zef Pllumi, i cili kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë: “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.

Pllumi vdiq më 25 shtator 2007. Dje u shënuan gjithsej dhjetë vite nga vdekja e një prej burrave më me ndikim në ideologjinë fetare ndër shqiptarë. Ai është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Saranda Xhemajli nesër sjellë ekspozitën e saj personale në Galerinë “Monet”

Saranda Xhemajli është artistja e radhës që nësër do të prezantojë punimet e saj në “Galerinë Monet”, shkruan KultPlus.

Saranda Xhemajli është një artiste e re figurative, në pikturat e saja zakonisht mbizotëron femra. Ajo tenton të paraqesë disa karakteristika te veçanta njerëzore, me të cilat synon harmoninë e personazheve të saj.

Ne ekspozitën e saj do te trajtohet portreti me trëndafila dhe kurora përmes të cilave, Xhemajli zhvillon edhe konceptet e saj.

Ekspozita do të hapet nesër në Galerinë “Monet” duke filluar nga ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë, deri më 30 shtator të këtij viti./ KultPlus.com