13-të vite nga vdekja e Rifat Kukaj

Sot më 11 shtator bëhen plotë 13-të vite nga vdekja e shkrimtarit Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.

Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.

Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.

Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.

Rifat Kukaj, vdic më 11 shtator 2005./ KultPlus.com

Artisti misterioz që kthen makthet në piktura (FOTO)

Gazetari i medias britanike “Vice” pasi kishte ndjekur blogun e një artisti mjaft interesant, vendosi të kontaktonte me të, në mënyrë që t’i merrte një intervistë.

Ndryshe nga shumica e artistëve, të cilët dëshirojnë të promovohen, piktori shfaqi një mungesë interesi për t’u takuar me gazetarin e për t’u bërë i njohur.

Megjithatë, ai pranoi t’iu përgjigjej disa pyetjeve në email.

Përgjigjet në fjalë rezultuan po aq misterioze sa vetë artisti.

Kur iu kërkua të tregonte diçka për veten, artisti u përgjigj: “Jam nga Rusia. Jam mashkull. Mosha ime është më e madhe se mesatarja.”

Pyetjes nëse kishte studiuar arte, ai iu përgjigj: “Jam ende analfabet, sidomos në art”.

Kur iu kërkua që të tregonte se çfarë shikonte kaq tërheqëse tek makabrja, piktori u shpreh se kuptimi që kishte ai për të ishte i ndryshëm nga ajo e njerëzve të tjerë.

Dhe pyetjes se nga i vijnë idetë për pikturat, iu dha përgjigja se “është histori e gjatë”.

Gjithçka që dihet për këtë artist të veçantë, është që ka një blog që quhet Vergvoktre.blogspot.com./ KultPlus.com

Thesaret e fshehura të Shqipërisë mbërrijnë në Peshtan

Vrapues profesionistë nga shumë vende të botës nën logon “Thesaret e fshehura të Shqipërisë” arritën ditën e djeshme në Peshtan. Xavi nga Spanja ishte fitues i turit nga Buzi në Peshtan. Në vend të dytë ishte Vincent Riviore nga Franca dhe në vend të tretë Micheal Traub nga SHBA.

Vrapuesit do të akomodohen në Peshtan në shtëpitë e banorëve dhe nesër do të vazhdojnë rrugëtimin në zemër të Zagories, duke vazhduar më pas në Libohovë Mesopotoam deri në Butrint.

Këtë vit në Tepelenë ka patur një numër relativisht të lartë turistësh, krahasuar kjo me një vit më parë, të cilët kanë qenë kryesisht sportistë të apasionuar pas ngjitjeve në mal, ecjeve në shtigje të vjetra.

Gjithashtu nuk kanë munguar as grupe të ndryshme, familjarë që kanë zgjedhur pushimet në fshatrat e Kurveleshit, apo zonës së rrëzës në Peshtan./ ata

Besa Luzha: Greva e përformuesve të instutucioneve vartëse të MKRS-së ra nën hijen e ngjarjeve politike

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” javën e kaluar kanë filluar grevën, duke anuluar çdo aktivitet, pasi që nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre për rritjen e pagës sipas rregullores, shkruan KultPlus.

Profesori i trombonit në Fakultetin e Arteve Betim Krasniqi me anë të një postimi në Facebook ka indiferencën e komunitetit muzikor përkitazi me grevën që po e mbajnë kolegët tyre në Filharmoninë e Kosovës. Ai tha se është për keqardhje fakti se asnjë institucion i muzikës në Kosovë, e as edhe një festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme, veçmas për festivale të veta.

Lidhur me këtë reagim ka reaguar profesoresha dhe drejtoresha e festivalit “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha duke thënë se përkrahja e komunitetit nuk kërkohet me ton kërcënimi dhe se disa prej komunitetit vazhdimisht kanë përkrahur kërkesat e tyre dhe se duhet të qëndrojnë të bashkuar për një trajtim më të mirë të skenës muzikore. Ajo tutje shtoi se pavarësisht përkrahjes, momenti i grevës mund të mos ketë qenë i duhuri pasi që greva ra nën hije nga ngjarjet politike.

Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të Besa Luzhës.

Betim përkrahja e komunitetit nuk kërkohet me ton kërcënimi që u ndje në postimin tënd. Disa prej komunitetit kanë përkrahur vazhdimisht kërkesat tuaja. Kur u dha lajmi për ligjin dhe rregulloren për pagat për artistët ne u gëzuam shumë. Ndoshta ske mujtë me i përcjellë krejt reagimet por menjëherë kemi shpërnda lajmin për grevën. Shumë prej nesh kemi konsideruar se greva i takon punëtorëve të institucionit e ne mundemi vetëm me ju përkrahë. Ndoshta edhe momenti s’ka qenë i përshtatshëm sepse greva juaj ra në hije nga ngjarjet politike.
Edhe komuniteti i festivaleve të cilit iu ke drejtu ka pasur goditje dhe pati pak përkrahje nga komuniteti artistik institucional por nuk u akuzua askush. Përçarjet janë të dëmshme. Ne duhet të gjithë të jemi të bashkuar për një trajtim më të mirë të skenës tonë muzikore dhe statusit të artistit. Një kërkesë për përkrahje në formë peticioni do të mjaftonte si nismë. / KultPlus.com

Zbulohet varri i vajzës së Faraonit në Egjipt

Dhoma e varrit 3700 vjeçare e vajzës së Faraonit besohet të jetë gjetur pranë të rrënojave të një piramide të zbuluar së fundi në Egjipt.

Ministria e antikës tha se dhoma në nekropolin mbretëror Dahshur, në jug të Kajros, përmbante një kuti druri të gdhendur me hieroglifë. Brenda kutisë ishin katër kavanoza të mbushur me organet e të vdekurit, me gjasë të së bijës së mbretit Emnikama. Piramida e sundimtarit është rreth 600m nga dhoma.

Muajin e kaluar, arkeologët duke kërkuar rrënojat e një strukture gjetën një shtesë me dhjetë radhë hieroglifë që mbajnë emrin e Emnikama-s.

Ata gjithashtu zbuluan mbetjet e një sarkofagu antropoid.

Dahshur gjendet aty ku Sneferu, mbreti i dinastisë së katërt, ndërtoi piramidën e parë të lashtë të Egjiptit, Piramidën e Kuqe 103 metra të lartë, rreth 4,600 vjet më parë.

Ai gjithashtu ndërtoi një version më të hershëm, Piramidën Bent 105 metra të lartë, shpatet e së cilës ndryshojnë këndet prej 54 deri në 43 gradë rreth gjysmën e lartësisë, shkruan syri. Sneferu u pasua nga djali i tij Khufu, i njohur për Piramidën e Madhe në Giza, e cila me lartësinë prej 138m është njëra prej mrekullive të lashtësisë./ KultPlus.com

Betim Krasniqi: Ra kjo grevë dhe u pa kush dhe kujt e sa i intereson mirëqenia e Filharmonisë së Kosovës

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” javën e kaluar kanë filluar grevën, duke anuluar çdo aktivitet, pasi që nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre për rritjen e pagës sipas rregullores.

Profesori i trombonit në Fakultetin e Arteve Betim Krasniqi me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar indiferencën e komunitetit muzikor përkitazi me grevën që po e mbajnë kolegët tyre në Filharmoninë e Kosovës. Ai tha se është për keqardhje fakti se asnjë institucion i muzikës në Kosovë, e as edhe një festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme, veçmas për festivale të veta.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të profesori Betim Krasniqi:


Instrumentistët dhe koristët e Filharmonisë së Kosovës për një javë janë në grevë duke e ngritur zërin për herë të parë për trajtim jo të dinjitetshëm që i është bërë deri tash, duke kërkuar rritjen e mirëqenies së tyre.

Edhe pse shumë me vonesë, instrumentistët dhe kori i Filharmonisë janë organizuar mirë dhe janë të vendosur për kërkesat e tyre legjitime që janë ngritja e mirëqenies së tyre e cila do të ketë ndikim dhe në ngritjen e nivelit profesional-artistik të institucionit më të lartë muzikor në vend.

Për keqardhje ishte mos përkrahja zyrtarisht e kësaj greve nga bordi udhëheqës i Filharmonisë si dhe nga komuniteti artistik në vend.
Asnjë institucion i muzikës në Kosovë, asnjë Festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre njerëzve që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme e sidomos për Festivalet e veta.

Asnjë instrumentist që shumë herë kanë qenë solistë me këtë orkestër, dirigjent, kompozitorë, muzikologë…. asnjë nuk erdhi as t’i vizitojë e as ti perkrahë kolegët e tyre!…

Ra kjo grevë dhe u pa… kush dhe kujt e sa i intereson mirëqenia e atij institucioni dhe e artistëve që punojnë aty e që për vite me radhë ka qenë shtyllë e kultivimit dhe zhvillimit të muzikës artistike si dhe ka përkrahur çdo iniciativë si për individë ashtu dhe për festivale të ndryshme.

Si ka mundësi që as edhe një?!… nga të gjithë komuniteti të mos dalë publikisht ta përkrahë grevën?
Një koleg më tha .. pse me u merakos për artistët e Filharmonisë, të gjithë ju që duhet të flisni merrni rroga shumë të mëdha nëpër fakultete, borde, organizata etj ejt

Sado e papëlqyeshme mu duk dalëngadalë duke e analizuar erdha në përfundim që kolegu kishte të drejtë.
Drejtuesit e Festivaleve të muzikës artistike shumica janë Profesorë nëpër universitete dhe kanë paga shumë të mira, një pjesë tjetër e kanë mbush buxhetin dhe ndihen rehat për aktivitetet që i zhvillojnë dhe ruhen që të mos flasin që vitin tjetër të mos dalin nga lista e subvencioneve etj. etj…

Si përfundim asnjë fjalë….

Strukja dhe indiferenca ndaj problemeve është veti artistike që kultivohet dhe trashëgohet në Kosovë e sidomos prej njerëzve që kanë pozitë apo ndikim në shoqëri, prandaj edhe nuk kemi asgjë si duhet…..psh. salla koncertale, shkolla të mirëfillta, fakultete, orkestra etj etj…

Po ju kujtojmë që instrumentistët dhe kori ka filluar të organizohet, shumë shpejt vjen koha që do të marrë pjesë në vendimmarrje dhe do të vendosë edhe për pjesëmarrje të Orkestrës dhe Korit nëpër evenimente që nuk janë në agjendën e përcaktuar për nevoja të Filharmonisë.

E pra…. festivalet duhet ta gjejnë veten pa natën e fundit me Filharmoninë si natë kulminante-madhështore!!! edhe ashtu mosmirënjohja, kritikat jo të sinqerta në formë thashethemi për jo profesionalizëm ndaj këtij institucioni vijnë nga po të njëjtit që edhe e shfrytëzojnë këtë orkestër për glorifikimin e festivalit.

Mirëqënia e anëtarëve të Filharmonisë mund të rritet edhe me pjesëmarrje me pagesë në festivale

Psh.një propozim për Drejtorin dhe bordin udhëheqës të Filharmonis, pjesëmarrja në ndonjë Festival e orkestrës apo korit kushton 8000 euro.

Për ata që nuk e dijnë, si për ironi ky komunitet që aspak nuk i intereson mirëqënia e antarëve të Filharmonisë i ka 10 koncerte në vit dhuratë nga Filharmonia e Kosovës!…

Atelie restaurimi në kishat e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë

15 profesionistë të rinj në fushën e trashëgimisë kulturore nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës ishin sot pjesë e ditës së parë të punës në Atelienë e Restaurimit, që po zhvillohet në Kishën e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bëri të ditur se “gjatë ditës së sotme puna nisi me instruktimin paraprak mbi sigurimin teknik dhe masat e nevojshme në kantier”.

Në Atelienë e Restaurimit 15 pjesëmarrësit nga Europa dhe Shqipëria, së bashku me mjeshtrat e DRTK Berat, që po përcjellin përvojën e tyre të shumë viteve, nën kujdesin e stafit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, filluan punën për restaurimin e kësaj kishe.

Kisha e Shën Sergjit dhe e Bakut, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është atraksion turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.

Atelieja dyjavore e restaurimit organizohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, GIZ Shqipëri, si dhe bashkinë Himarë./ata

“Electricity” nga Dua që në ditët e para premton të shndërrohet në hit

Dua Lipa është duke i shijuar sukseset e para nga publikimi i këngës së re me titull “Electricity”, të cilën e shoqëroi me videoklip.

Bashkëpunimi i saj me “Silk City”, ekipi i formuar nga dyshja Mark Ronson dhe Diplo, premton të shndërrohet në një tjetër hit të madh botëror.

Njëherësh, pa kaluar 24 orë, videoklipi kaloi shifrën prej një milionë shikimesh në shërbimin më të popullarizuar të shpërndarjes së videove.

Ndërsa akoma pa kaluar 48 orë nga lansimi, klipi pritet të kalojë tre milionë shikime në YouTube dhe aktualisht është në vend të pestë në ‘Trending’, shkruan telegrafi.

“Electricity” që është kënga e katërt e projektit të përbashkët të Mark Ronson dhe Diplo, është një rikthim në stilin e muzikës së viteve të nëntëdhjeta, ndërsa Dua e kompleton me një vokal të stilit ‘house’ të asaj kohe.

Në ndërkohë, 23-vjeçarja ishte ndër personazhet kryesore të ceremonisë së 21-të të ndarjes së çmimeve, “GQ Men of the Year Awards”, ku e fitoi çmimin për solo-artisten më të mirë të vitit.

Qeveria mund të tërhiqet nga Ligji për Teatrin në Tiranë

Në Shqipëri, qeveria duket se do të bëjë një tërheqje nga ligji për Teatrin kombëtar, duke parashikuar hapjen e një gare për ndërtimin e tij dhe zhvillimin urban të zonës.

Të paktën, kështu bën të njohur letra që Komisioni europian i ka dërguar autoriteteve në përfundim të vlerësimit të Ligjit të posaçëm të propozuar nga qeveria i cili hasi në kundërshtime të forta publike dhe u kthye pas nga presidenti Ilir Meta.

Ligji për Teatrin kombëtar i miratuar me forcën e kartonave të shumicës në fillim të muajit korrik parashikon ndërtimin e një godine të re moderne me fondet e shoqërisë private Fusha së cilës në këmbim i jepen mijëra metra katrorë të tjerë për të ngritur aty pranë, një kompleks kullash shumëkatëshe. Më shumë se sa debati nëse duhet apo jo një ndërtesë e re për Teatrin, procedura e veçantë që u ndoq në këtë rast përbënte një aspekt me dritë-hije të shumta.

Edhe në letrën që Komisioni europian i dërgon autoriteteve shqiptare theksohet se “ ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka paraparë një përzgjedhje të një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE , p.sh trajtim të barabartë, dhe konkurrencë të hapur”. Në letër, ndonëse shkruhet se “nuk mund të konstatohet asnjë shkelje e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, në këtë fazë” theksohet se “shërbimet e Komisionit, inkurajojnë autoritetet shqiptare që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”.

Eshtë pikërisht vijimi i tekstit që zbulon se në ndërkohë qeveria shqiptare duket se ka premtuar të bëjë një ndryshim në ligj. “Shërbimet e Komisionit mirëpresin angazhimin e autoriteteve shqiptare për të ndryshuar Ligjin e Posaçëm me qëllim të futjes së një thirrjeje të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo palë private mund të paraqesë një propozim për projektin”.

Opozita shqiptare e cila e ka kundërshtuar më forcë projektin duke folur për një aferë korruptive, u shpreh sot për një fitore të saj

Clipp “përgjigja e Brukselit është e qartë: Qeveria ka shkelur ligjin! Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës. Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si “Fusha shpk”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Nga ana e tij kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili u vu në vijë të parë të mbrojtjes së këtij projekti, e cilësoi letrën e Komisionit europian “një lajm të shkëlqyer. Ndërsa Ligji nuk shkel MSA-në, kemi shansin ta bëjmë më të mirë”, shkruajti zoti Veliaj në rrjetet sociale. Në fakt pozicioni i zotit Veliaj është i ndryshëm nga ai i pak javëve më parë, kur reagoi ashpër ndaj kthimit pas të ligjit nga ana e presidentit Ilir Meta, duke deklaruar se brenda 40 ditëve do të miratohej siç ishte. Ndërsa tre ditë më parë, pikërisht në ditën kur Komisioni europian i është drejtuar autoriteteve, ai deklaroi se Clipp “besoj se në një draft të dakortësuar me Komisionin europian, ne shumë shpejt do të kemi bazën e nevojshme ligjore, procesin e nevojshëm transparent dhe të hapur për të gjithë dhe në fund fare një Teatër të ri për Tiranën”.

Tani mbetet për të parë se çfarë procedure do të ndiqet. Nëse shumica do të bëjë një ndryshim në ligj, atëherë do të duhet të votojë pro dekretit të presidentit Meta, për kthimin pas në parlament të tekstit aktual dhe të paraqesë më pas ligjin e ri me ndryshimet që do të lejojnë një garë të hapur për këtë projekt në zemër të kryeqytetit./VoA

Vjen për herë të parë në Shqipëri eventi “Balkanika Folk Festival”

Për herë të parë në Shqipëri, vjen një event artistik i një tjetër lloji. “Balkanika Folk Festival” vjen në Tiranë më 18-23 shtator në Sallën e Akademisë së Arteve.

300 artisë nga 12 shtete pjesëmarrëse do të garojnë në kërcim për 5 kategori çmimesh. Njëri prej çmimeve do të jetë “Lahuta e artë” që do të përzgjidhet nga votimi në sallë i publikut, ndërsa katër të tjerat nga juria. Është përzgjedhur pikërisht simboli i lahutës si vegla muzikore më e lashtë në rajon.

Festivali do të prezantohet nga Jonida Lloha dhe Klaus Bardeli, ndërkohë që skenografia është mundësuar nga Dea Martini. Eventi është një produksion i Sokol Gugës. /KultPlus.com

Pse na pëlqen aroma e librit?

Shkenca ka arritur të gjejë se pse aroma e librave ndonjëherë është aq e parezistueshme.

Disa studiues nga Kolegji Universitar për Trashëgimi të Qëndrueshme në Londër, e kanë kryer një eksperiment duke i pyetur pjesëmarrësit se si ndjeheshin rreth disa aromave të ndryshme.

Mes tyre, natyrisht, ishte edhe aroma e librit të vjetër. Zbulimet e tyre pastaj u publikuan në Shkencën e Trashëgimisë.

Pa e ditur se çfarë po nuhasnin, pjesëmarrësit në këtë eksperiment në shumicën e rasteve, aromën e librin e përshkruanin si aromë çokollate.

Ndërsa e dyta që më së shumti është cekuar ka qenë aroma e kafes. Sipas shkencëtarëve, letra e vjetruar i ka disa nga komponentët e njëjta kimikale me kafen dhe çokollatën.

Në këtë kuptim, nuk është shumë befasuese se pse këta pjesëmarrës të këtij eksperimenti ishin në gjendje ta identifikonin këtë aromë familjare, meqenëse shumica e atyre që e pëlqejnë leximin, e pëlqejnë edhe çokollatën gjithashtu. /KultPlus.com

Kush ia sugjeroi Kadaresë titullin për romanin “Kronikë në gur”?

Arkitekti dhe piktori Maks Velo, ka treguar se ishte ai që ia kishte sugjeruar Ismail Kadaresë që romanit “Kronikë në gur” t’ia vendoste këtë titull.

Në një intervistë për emisionin CODEX në KTV, Velo ka rrëfyer historinë se si Kadare i kishte kërkuar atij ta lexonte atë roman, – atëherë në dorëshkrim, – dhe t’i sugjeronte ndonjë titull.

Ideja e Velos që ai të titullohej “Kronikë në gur”, ishte pranuar më pas nga Kadare. I botuar më 1971, “Kronikë në gur” mbahet si një nga veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë./KultPlus.com

Dardanët nderojnë Fadil Vokrrin, shpalosin banerin “Heroi Ynë” (VIDEO)

Tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe një herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.

Në tribuna është ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë).

Ndërsa i gjithë stadiumi e ka thirrur emrin Fadil Vokrri.

Përfaqësuesja e Kosovës zhvillon ndeshjen e vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, ku përballet me Ishujt Faroe.

Është kjo sfida e parë që skuadra zhvillohet në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë./KultPlus.com

Eleni Foureira sërish në vëmendje të mediave: Kam lindur në Shqipëri, por ndihem greke

Këngëtarja Eleni Foureira vazhdon të jetë në interesin e mediave greke për shkak të origjinës së saj shqiptare.

Në një intervistë të fundit televizive në Greqi, Eleni tregon se si ndihet kur dëgjon komente të ndryshme. 31-vjeçarja ka lindur në Shqipëri dhe kur ishte ende e vogël, prindërit e saj emigruan në Greqi, ku ajo jeton tashmë prej më shumë se 20 vitesh.

“Është e padrejtë ndaj Shqipërisë, por vetëm sepse nuk kam jetuar aty, ndihem greke. Kur jeton në një vend më shumë se 20 vite, je rritur dhe je bërë kjo që je sot, nëse më pyesin nga je do të them kam lindur në Shqipëri, por jam greke. E respektoj dhe e dua Shqipërinë dhe dua të bëj gjëra aty, por unë jam rritur në Greqi dhe mentaliteti im është grek. Kur shkoj në Shqipëri thonë erdhi kjo grekja. Dhe këtu shumica thonë erdhi shqiptarja. Unë ndihem shqiptaro-greke, tani edhe pak qipriote”, thotë Eleni.

Këngëtarja me origjinë shqiptare përfaqësoi denjësisht Qiprion në Eurovizion, duke zënë vendin e dytë./KultPlus.com

Kështu ka vendosur ta mbyllë karrierën Sir Elton John

Tre orë spektakël me 23 këngë, pa të ftuar special dhe me vetëm pesë minuta pushim, ky është formati se si këngëtari i madh britanik Elton John ka vendosur të mbyllë karrierën.

Këtë të shtunë, në Pennsylvania të SHBA-ve nisi koncerti i parë i turit të fundit “Farewell Yellow Brick Road”.

John kujton me dashamirësi vitet kur jepte koncerte në mbarë botën dhe u drejtohej adhuruesve të tij me fjalët: “Sa më pëlqen të regjistroj në studio, por asgjë nuk është njësoj si të luash përpara një audience me qenie njerëzore…kanë kaluar rreth 50 vjet, dhe ju keni qenë madhështor”.

John, sot 71 vjeç, thotë se duhet të shpenzojë më shumë kohë me familjen, bashkëshortin e tij dhe dy djemtë. Koncerti i tij përfundon në shtator të 2019-ës./KultPlus.com

‘Letërsia Lëvizëse’ nga nesër nëpër Kosovë

Alter Habitus, organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë.

Ky edicion ka për qëllim të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.

Në Istog nesër në orën 17:00 do të lexohet e flitet për letërsinë e shkrimtares Fehime Selimi, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Istog.

Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes që do ta lexojnë letërsinë e tyre janë: Naime Beqiri, Shukrije Gashi, Ilire Zajmi. Për realizimin e mbrëmjes falënderim të veçantë komunës së Istogut.

Ky aktivitet kulturor në Ferizaj do të mbahet të premten ku do të lexohet e diskutohet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”.

Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.

Ndërsa, në kryeqytet më 17 shtator flitet për krijimtarinë Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani.

Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com

Elia Zaharia, aktorja më e mirë e ‘Koko Fest’

Elia Zaharia është shpallur aktorja më e mirë e edicionit të pestë të Festivalit KokoFest që mbahet në qytetin e Korçës.

Juria e përbërë nga Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Enver Petrovci, Rajmonda Bulku dhe Adem Karaga, vlerësuan interpretimin e saj në komedinë “Vetëvrasësi” nën regjinë e Sulejman Rushitit.

“Vetëvrasësi” është një shfaqje e vitit 1928 nga dramaturgu rus Nikolai Erdman. Performanca e tij u ndalua gjatë epokës staliniste dhe u prodhua vetëm në Rusi disa vjet pas vdekjes së shkrimtarit të saj. Sot ajo konsiderohet si një nga dramat më të mira, që ka dalë nga Rusia komuniste. Për ta sjellë këtë premierë në skenë regjisori Rushiti angazhoi një kastë aktorësh të njohur, por dhe të rinj të teatrit.

Me çmime të tjera në këtë festival u vlerësuan: Ilir Bokshi si regjia më e mirë, Aktori më i mirë Adrian Morina &Ylber Bardhi, aktori më i mirë jo protagonist Visjan Ukcenaj, aktorja më e mirë jo protagonistë Monika Lubonja, artistja e re Paola Kodra, artisti i ri Margent Caushi . Çmimi i karrierës (Femër) shkoi për dy aktoret “Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti . Ndërsa çmimi i karrierës (Mashkull) shkoi për aktorin Reshat Arbana .Çmimi i KoKo FEST “Nderi i Festivalit ” shkoi për Koço Qëndro./KultPlus.com

A vuajmë kur vlerësojmë

Dy tri fjalë për librin me poezi të Nexhat Halimi “A vuan më pse nuk vuan”, botuar më 2018 nga shtëpia botuese “Fad” në Prishtinë.

Nga Shaip Grabovci

Ti e lexon poezinë e ndalesh dhe mendon: prej nga e nxjerr zjarrin, prej nga e sjell thellësinë, prej nga e zgjon flakën të digjet e ta krijojë të bukurën, mallëngjimin ai që shkruan, ai që shprehet për dashurinë, për dhembjen, për mungesën?!

a vuan më pse nuk vuan
a të dhemb më pse s`të dhemb
a digjesh pse s`digjesh
ndërsa puthen flaka e akulli
e hijet shkruajnë lule në erë
s` do të përgjigjesh më kurrë
pse s` do të vish me shprehi
të më prekësh në netët e acarta
a i kam këmbët të ftohta
të më mishërosh me besim

… Të vlerësosh punën e ndonjë tjetri është përgjegjësi e madhe e përgjegjësia bëhet edhe më e madhe në qofte se është fjala për poezi, ngase poezia, nga të gjitha simotrat e saj në krijimtarinë artistike, është me më shumë dimensione, prandaj edhe këtë shkrim për librin me poezi: “A vuan më pse nuk vuan”, të Nexhat Halimit, nuk kam si ta pagëzoj ndryshe, pos: A vuajmë kur vlerësojmë…

Po, gjithsesi po.

Edhe vlerësimi është një lloj vuajtje, ngase përherë thellë, në ndërdije ngel ndonjë pikëpyetje: mos vallë a është thënë tërë ajo që është dashtë të thuhet, vallë sa është arritur në depërtimin e të gjitha matjeve, te të gjitha fshehtësitë e poetit me të cilat nganjëherë edhe ai vetë befasohet! Pyetjet e bëra dhe të gjitha ato të ngjashme, zakonisht mbesin pa përgjigje të plotë, kurse atyre që tentojnë të bëjnë vlerësime, për satisfaksion u mbetet rruga që kanë trasuar për të arritur kah zbërthimi i enigmave të ngritur nga poetët, të cilët, nganjëherë edhe pa vetëdije i kanë ngritur.
Pra, shëtitja në vargje ngjason sikur të gjurmojmë në një vend të mrekullueshëm, për të cilin gjurmim ishte dashur shumë vite, e ne në dispozicion kemi vetëm disa orë! Nisur nga kjo që u tha, këtë shkrim, nuk mund ta quaj as ese, as shënim, as vështrim, as recension, as kritikë për veprën… Por vetëm një shëtitje në një tufë poezish që thellë do të prekin zemrën e çdo njeriu, ngase secili nga ne është i lindur nga nëna. Kështu, kalimthi do të na kujtohen ninullat, poezitë nga ditët e para shkollore e deri te ato edhe sot kur i lexojmë e nuk na lënë indiferent… Por, përkundrazi na bëjnë të lundrojmë në ato çaste shumë, shumë thellë të ruajtura në vetëdijen tonë, të cilat nganjëherë nuk duam t` ia themi as vetit.

E vargu i poetit, Nexhat Halimit, depërton mu në ato çaste, të cilat i ruajmë vetëm për veti, por që forca e madhe krijuese e poetit, bën që t’i ndjejmë, t`iu “takojmë”! Pra, ja një rast, kur vargjet e poetit na bëjnë që të “fluturojmë” lartë atje, të çmallemi me të gjitha ato për të cilat na ka marrë malli! Gjatë leximit të këtij librit më shkonte mendja të pyes:” vallë, mos poetët janë qenie që më shumë se të tjerët i duan nënat e tyre, apo dinë që në mënyrë të veçantë të shprehin atë që edhe të tjerët e ndiejnë, por nuk dinë për ta thënë aq bukur.

Kur e kemi fjalën për shprehjet, në mënyrë të veçantë, me shkon mendja edhe të mendoj në numrin: Dyzet… Dyzet trimat e pamposhtur, Dyzet ditë zie, Dyzet vjet pritje… e shumë dyzetësha të tjerë… E libri i Halimit, kushtuar nënës i ka dyzet e dy poezi! Sikur Halimi ka dashtë të tregoje se dashuria e tij ndaj nënës është mbi të gjithë DYZETSHAT!

Kështu si e sugjeron vetë titulli i veprës: A VUAN ME PSE NUK VUAN, sikur përcjell vuajtjen deri në amshim. Vetëm pse dhembja dhe poezia janë një – amshim. / KultPlus.com

Eminemi konfirmon datën e videoklipit të radhës

Pas publikimit të videoklipit “Fall” ditë më parë, reperi i mirënjohur amerikan, Eminem ka konfirmuar datën e videoklipit të radhës.

Përmes rrjeteve sociale ai ka konfirmuar se të mërkurën, më 12 shtator, e sjell me videoklip “Lucky You”, në bashkëpunim me Joyner Lucas, transmeton Koha.net.

“Video e ‘Lucky You’ me Joyner Lucas publikohet të mërkurën”, ka shkruar shkurt Eminemi.

Kjo këngë është pjesë e albumit të tij të ri “Kamikaze” që ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm./KultPlus.com

Nis Konferenca e Albanologjisë kushtuar “Vitit të Skënderbeut”

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka çelur të hënën sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor e për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit.

Tomi Frashëri, kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, edhe ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesit që do parashtrojnë këndvështrimet e tyre për figurën e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. “Sot do të nisim me Profesor Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, këtu po përmend Profesor Aleksandër Meksin, apo Profesor Luan Malltezin. Parashikohet që ky sesion të zgjasë deri më 26 tetor.

Më datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra. Do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa. Kjo Konferencë po jep fryte të rëndësishme në jetën akademike dhe duket se do të jetë një rast shumë i mirë për tu mbledhur për trajtesa të reja dhe gjurmët që ka lënë në histori Heroi ynë Kombëtarë Skënderbeu”, tha Frashëri

“Urojmë që mbulimi medatik të jetë i duhuri por dhe interesi publikut gjithashtu, pasi ky aktivitet e vlerëson në optikën shkencore figurën e Skënderbeut e jo atë politik apo tjetër natyre. Qeveria për këtë arsye i jep rëndësi kësaj kumtese. Vitin e ardhshëm këto kumtesa do të mblidhen e do të botohen”, tha Frashëri gjatë intervistës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Profesor Dhori Qiriazi, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në kuadër të Konferencës Mbarëkombëtare të Skënderbeut rrëfeu zbulumin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko.

“Ligjërata ime merr shkas nga një dokument që kam zbuluar në arkivin Shtetëror Shqiptar, këtu në Tiranë, para disa vitesh të Thimi Mitkos. Një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të Mitkos me historianin grek Konstandinos Paparigopulos. Ky i fundit konstaton apo korrigjon, që sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko Sapo lexon këtë shkrim të Paparigopulosit shkruan një letër të gjatë e ku i ndërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale dhe thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar. Po ashtu me Rilindasit e tjerë, Mitko ka kuptuar se për t’u bërë Shqipëria, që ishte një vreshtë e lënë djerrë duhen bërë njerëzit shqiptarë dhe kjo bëhet përmes Skënderbeut dhe ringritjes së figurës së tij, duke u kthyer në një maja të ngjizjes së popullit shqiptar. Është diçka shumë e rëndësishme, e realizuar mirë dhe e menduar mirë”, tha Qiriazi.

“Për mua, shtoi ai, Skënderbeu është një burim frymëzimi, është një hero, një mbi hero. Populli shqiptar ka një mallkim, “varrë mos-gjendur”, por Skënderbeu është një varr-bekuar, varr kudogjendur. Siç thoshte Kadareja, Skënderbeu e ka varrin në Gjakun e Arbrit, e të Shqiptarit dhe unë do shtoja që Skënderbeu e ka varrin në frymën e lirë në dëshirën për liri, dhe frymëzon liri për ato persona që luftojnë për liri, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën”, tha Qiriazi

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha./KultPlus.com

Ilire Avdiu përfaqëson Kosovën në Bullgari

Klarinetisja Ilire Avdiu ditët e fundit ka përfaqësuar shtetin tonë në Bullgari, duke mbajtur Koncerte në Jazz Bar në Sofia si dhe International Jazz Festival në Pleven, përcjellë KultPlus.

Ajo ka interpretuar albumin e saj “A night in Prishtina” të lansuar dy vite më parë si dhe disa pjesë të reja muzikore me anë të së cilave ka paralajmëruar albumin e saj të dytë, i cili do të publikohet këtë vit.

Ajo ishte e ftuar poashtu në intervistën e Jazz FM Radio të Bullgarisë si dhe në Radion nacionale të Plevenit.

“Jam befasuar me mikpritjen e njerëzve të cilët kanë reaguar në mënyrë aq pozitive ndaj muzikës që kemi luajtur saqë edhe në Kosovë ende po më përcjellë ajo energji pozitive plot vullnet. E kam ndier vetën vërtetë të respektuar dhe të përkrahur. Falënderoj shumë organizatorët dhe të gjithë publikun për këtë eksperience shumë të bukur”, është shprehur Ilirja për KultPlus.

Këto evente janë iniciuar nga organizata joqeveritare “Balkan Ways To Friendship”.
Instrumentistët që kanë bashkëpunuar kanë dhënë një profesionalizëm jashtëzakonisht të përgjegjshëm, duke i dhënë muzikës stilin e duhur që ajo kërkonte.
Instrumentistët kanë qenë të vendas si: Stanislav Arabadzhiev në piano, Mihail Ivanov në Bas Kitarë dhe Stefan Goranov në Bateri.

Si mysafir special i këtij kuarteti në Sofia Jazz Bar ka qenë kavallisti Zhivko Vasilev.

Si në Sofia ashtu edhe në Pleven Ilire Avdiu ka pasur një sukses të padiskutueshëm.

Ajo do të ketë edhe tjera evente të tilla, në të cilat do t’a përfaqësoj vendin tonë me krenari në mënyrën e saj artistike./KultPlus.com

Artistja Dije Bllaca prezanton në Maqedoni ekspozitën “Sinqeriteti mistik”

Ajo është aq e vetëdijshme sa vetë emri i saj se çdo prezantim përpara publikut është më tepër se përgjegjësi dhe i është dashur plotë një vit intensiv punë për tu prezantuar me një ekspozitë të re.

Kur duhet se ka bërë një shkëputje me promovimin e veprave të saj, por jo me artin, Dije Bllaca, piktorja nga Kosova prezantohet fuqishëm duke sjellë një botë plotë ngjyra nëpërmjet pikturave që vijnë si një ftesë për të shijuar jetën nëpërmjet artit të ngjyrave, për të harruar realitetin ku jetojmë dhe punojmë qoftë dhe për pak çaste.

Plotë 20 vepra të krijuara gjatë këtij viti ka prezantuar piktorja Dije Bllaca, në ekspozitën e saj, titulluar “ Sinqeriteti mistik”. Ekspozita që u hap pak ditë më parë në Qendrën Informative Kulturore, në Shkup të Maqedonisë mblodhi në një mbrëmje miq të artistes, drejtues institucionesh kulturore atje dhe student të arteve.

Veprat e realizuara në akrilik dhe pëlhurë tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve për larmishmërinë e ngjyrave dhe formave, ku bie në sy shpërthimi emocional i një bote shpirtërore mjaft të pasur që Bllacën e karakterizon.

Në hapje të ekspozitës drejtoresha e qendrës, Sermine Purrini, ftoi të gjithë pjesëmarrësit që të shijonin artin e Dije Bllacës, e cila di që të surprizojë publikun me prezantimet e saj.

Ndërsa, kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri, një emër i njohur në botën e artit dhe kulturës në Shkup, u shpreh se çdo kush do të donte ta pyeste Dijen për veprat e saj, për emocionet që ajo përcjell, ku vihet re qartë se artistja nuk ka një apo disa ngjyra të preferuara, pasi ajo përdor një larmishmëri ngjyrash për të sjellë përpara publikut vepra të mira.

“Nëpërmjet veprave të mija në këtë prezantim të radhës kam dashur ti sjell publikut qetësi, paqe, art, për të harruar sadopak të përditshmen. Kam synuar që çdo kush që shikon pikturat e mija të humbas në një botë arti, të gjejë veten në ngjyra dhe forma, për tu shkëputur qoftë dhe për disa çaste nga realiteti ku jetojmë, tha Dije Bllaca, për KultPlus.

Pjesë e shoqërisë artistja nuk e shikon veten të shkëputur nga realiteti ndaj dhe thotë se koha ku po jetojmë, patjetër që ka një lloj ndikimi dhe kjo pasqyrohet në artin e saj, ndaj dhe në disa prej veprave vihet re një lloj shpërthimi, një lloj vullkani që herë herë bën presion për të dal në sipërfaqe duke reflektuar në ngjyra dhe forma.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Shkup deri më datë 16 shtator dhe më pas do të vijoj rrugëtimin e saj artistik në Gostivar.

Dije Bllaca, është një emër tashmë i konsoliduar në artin pamor shqiptar. Sot, një profesorë arti, pikture, ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Gjermani, Austri, Argjentinë. Ka hapur ekspozita personale në Kosovë e Maqedoni, ndërsa është vlerësuar në vitin 2017 me çmimin “Zef Kolombi” në Ferizaj, dhe në vitin 2013 me çmimin “ Draudakum” në Maqedoni./ Erjola Azizolli /KultPlus.com

Ndahet nga jeta ish-Miss Univers

Ish Miss Universe, Chelsi Smith ka humbur betejën me kancerin pasi u përball me sëmundjen për një kohë të gjatë.

Ajo humbi jetën në moshën 45 vjeçare.

Smith u shpall Miss Univers në vitin 1995 dhe Mis USA 1995.

Kur Chelsi konkursoi në Miss Univers u bë gruaja e parë amerikane që fitoi titullin pas 15 vitesh.

Ish-missi vuante nga kanceri i mëlçisë./KultPlus.com

“Gjyshja punonte si vajtuese”, Eugent Bushpepa zbulon detajet që nuk kemi ditur për të

Mëngjesin e sotëm startoi edhe puntata e parë e emisionit të mëngjesit “Wake Up”, në “Top Channel”, ku i ftuar ishte këngëtari Eugent Bushpepa.

Në një rrëfim ndryshe Eugenti zbuloi disa detaje mbi talentin e tij dhe se nga e ka trashëguar zërin fantastik.

Eugenti rrëfeu se gjyshja nga ana e babait të tij kishte punuar vajtuese (një grua që thirret miqësisht apo kundrejt pagesës gjatë ceremonive mortore për të qarë të ndjerin).

“Gjyshja ime ka punuar si vajtuese. Thirrej nga njerëzit, sidomos nga njerëzit e babit nëpër ceremoni mortore. Babi më thotë gjithmonë se asaj i ngjan ti”, tregoi Eugenti.

Ndërsa përsa iu përket projekteve muzikore, Eugenti rrëfeu se përkushtimi ndaj interpretimit në jetën e natës e ka penguar atë të përqendrohet në studio.

Mirëpo pavarësisht gjithë angazhimeve ai premtoi se në dhjetor më në fund do të prezantojë një këngë të re./ dita