Promovohen librat me pulla shqiptare të Nënë Terezës dhe Gjergj Kastriotit, nga koleksionisti Hysen Dizdari

Alberina Haxhijaj

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot janë promovuar dy libra të veçantë për Nënë Terezën dhe Skënderbeun. Librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të koleksionistit dhe autorit Hysen Dizdari, shkruan KultPlus.

Hysen Dizdari është një koleksionin të cilit dëshira për të mbledhur pulla postare i kishte lindur shumë natyrshëm, duke mos e menduar asnjëherë se do arrinte që të ishte autori i dy librave të cilat do mbanin koleksione të veçanta të pullave kushtuar dy figurave të mëdha shqiptare, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.

Mirëpo ashtu siç tha sot edhe profesoresha e tij, Flutura Xhavi, ka mjaftuar që Dizdari të kishte një ide dhe të besonte në të dhe puna deri te realizimi i saj do ishte i pashmangshëm për të pasi që ai veçohej si student punëtor dhe i dedikuar.

“Figurat e mëdha si Skënderbeu dhe Nëna Tereza duhet që t’i bëjmë të kapshme dhe jo vetëm të krenohemi që ata janë shqiptarë si ne pasi që bota vazhdimit po ecën. Ne duhet që të kapemi pas vlerave të tyre që shumë pak kush i ka dhe të bëhemi bartës të këtyre vlerave”, u shpreh ajo.

Libri për Nënë Terezën fillon me “Emisioni i zakonshëm – Nëna Tereza”, emërtuar më 4 tetor 1992 i cili përmbante dhjetë pulla postare me të njëjtën pamje, Nënë Tereza duke mbajtur në duar një fëmijë. Ky libër ka gjithsej 14 emisione të ndryshme dedikuar figurës së Nënë Terezës.

Në anën tjetër Don Lush Gjergji u shpreh se çdo libër i cili diskuton apo vë në pah kontributin e Nënë Terezës është i mirëseardhur pasi që ajo është nëna universale e mbarë njerëzimit dhe e meriton një kujdes të tillë.

“Librin të cilin e sjellim këtu është me pulla postare kushtuar Shën Nënë Terezës, me këto pulla të cilat ngjiten në zarfe dhe dërgohen çdo kund në botë. Unë kisha dashur që figura, që jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjet dhe zemrat tona. Që ne të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Tereza ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, u shpreh ai.

Për librat bisedoi edhe vet autori i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim. Libri për pullat postare kushtuar Skënderbeut ka 33 emisione, i pari është emërtuar më 1 dhjetor 1913. Ndërsa në mesin e pullave postare është edhe ajo e figurës së Skënderbeut realizuar nga piktori Ibrahim Kodra, emërtuar më 20 nëntor 2004.

“Mbledhja e pullave dhe përgatitja për botim e albumit historik për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bazuar te historia mbi 100 vjeçare e filatelisë shqiptare, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh ai.

Në fund ai tregoi se ndër vite duke ju shtuar numri i pullave në koleksionin e tij, i ka lindur ideja e krijimit të një koleksioni të veçantë me pulla të cilat do u kushtohen figurave të mëdha patriotike dhe atdhetare të popullit shqiptar./ KultPlus.com

Shpresa Gashi nderohet me çmimin “Mbretëresha Teutë”

Klubi i grave shqiptare nga Kroacia, në bashkëpunim me Shoqatën “Anima” dhe “Labeatët” nga Ulqini, kanë mbajtur këtë vit manifestimin “Ditët e Mbretëreshës Teutë” i cili për 14 vjet është organizuar në Zagreb të Kroacisë.

Gra të shquara nga mbarë bota morën pjesë në këtë manifestim tashmë tradicional. Kryetarja e Shoqatës ”Anima” Zylfije Gjoni – Duraku kërkoi që shtatorja e Mbretëreshës Teutë të vendoset në Kalanë e Ulqinit.

Kjo ide u përkrah edhe nga ministri Zenka. Ndërkaq, kryetarja e Klubit të Grave nga Kroacia, gazetarja dhe regjisorja e njohur Shenida Bilalli ndau disa çmime, medalje e mirënjohje.

Shpresa Gashit iu nda çmimi “Mbretëresha Teutë” me motivacionin: Për vlerat e veçanta si Artiste e Shquar, për interpretimin mjeshtëror të këngës klasike, artistike, shqiptare; Alida Hiskut, për kontributin e çmuar në muzikën shqiptare dhe luftën për të drejtat e njeriut dhe të gruas në veçanti si dhe përballimin e sfidave në sistemin totalitar në Shqipëri; dr. Zylfije Gjoni-Duraku, për kontributin e çmuar në integrimin e femrës shqiptare në Mal te Zi dhe mbarëkombëtar, poashtu për punën humanitare dhe kombëtare gjatë luftës në Kosovë; Stanislava Krivokapic, për kontributin e dhënë në ruajtjen e figurës së Mbretëreshës Teutë në punën e saj artistike.

Në programin që ishte përgatitur enkas për këtë manifestim interpretuan me mjeshtëri të rrallë Shpresa Gashi, Alida Hisku, Myferete Laze si dhe Kori “Nexhmije Pagarusha”. Në Risan zonjat vizituan Muzeun e Mbretëreshës Teutë dhe u pritën nga një shoqatë e gruas malazeze e cila edhe shtroi drekë për to. Aktivitetin e kanë mbështetur edhe kryetari i komunës së Ulqinit Loro Nrekic, ministri për Pakica, Mehmet Zenka si dhe Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës./KultPlus.com

Nga Velipoja në Theth, 230 mijë turistë në zonat e mbrojtura të Shkodrës

230 mijë turistë vizitojnë Zonat e Mbrojtura në Qarkun Shkodër këtë sezon turistik. Këtë shifër e konfirmon specialistja e Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Age Martini.

Shkodra ka disa pika me akses turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit, por më të vizituarat këtë sezon veror kanë qenë Velipoja dhe Thethi. Age Martini thotë se “Velipoja pati prioritet këtë verë edhe për arsye të motit të freskët që largoi për disa ditë pushuesit e plazheve drejt kësaj zone me një bukuri të rrallë natyrore dhe mundësi vëzhgimi të shpendëve ujorë”.

Thethi ishte një tjetër destinacion i preferuar për turizmin malor dhe atë të aventurës. Lugina e gjelbëruar,ujërrjedhat malore, kullat e vjetra mbushur me histori e gojëdhëna si dhe ushqimi bio, e bëjnë të preferuar në çdo stinë këtë fshat malor. Age Martini thotë se “sivjet patëm dyfishin e lëvizjes turistike krahasuar me vitin e kaluar, ku një ndihmesë të veçantë dhanë djemtë dhe vajzat e “Smile Albania”, rreth 700 syresh të shpërndarë në mbarë pikat e vizitueshme të zonës.

Ditët e ngrohta nuk kanë mbaruar akoma dhe pas tyre do të nisë turizmi i “bardhë” apo ai i maleve me borë dhe kështu që Qarku i Shkodrës i ka të gjitha mundësitë ta zhvilloj atë që nga Kelmendi deri në malet e Dukagjinit”, thotë specialistja e AdZM-së Shkodër./ KultPlus.com

Prishtina synon të jetë nikoqire e Bienales Ndërkombëtare Manifesta

Drejtori i drejtorisë së kulturës në Komunen e Prishtinës Yll Rugova, sot përmes një njoftimi në Facebook, ka treguar se tashmë komuna ka dorëzuar dokumentacionin e kandidaturës për të organizuar ngjarjen e rëndësishme ndërkombëtare të artit në Prishtinë Manifesta, shkruan KultPlus.

Ky është postimi inplotë i Rugovës:

Pas vizitës në Prishtinë nga zyrtarët e Manifestas, dje edhe zyrtarisht kemi dorëzuar dokumentacionin e kandidaturës për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit në Prishtinë.

Në rast të përzgjedhjes, Prishtina bëhet nikoqire në vitin 2022 e bienales ndërkombëtare që sivjet po mbahet në Palermo, kurse vitin 2020 do të mbahet në Marsej.

Në diskutim edhe me përfaqësuesit kemi shprehur pritjet tona në zhvillim të artit dhe turizmit përmes Manifestës, si dhe për intervenimet urbane në qytet që mund të bëhen gjatë kësaj kohe. Të dhëna nga qytete tjera tregojnë se rreth 200,000 vizitorë e përcjellin këtë ngjarje, si dhe mijëra gazetar nga e mbarë bota.

Në muajin nëntor mirret vendimi nga bordi i bienales.

Studiueset shqiptare pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Baladës në Pragë

Në Konferencën Ndërkombëtare të Baladës në Pragë, të 48-tën me radhë, të organizuar nga Muzeu Etnografik i Çekisë dhe Kommission für Volksdichtung morën pjesë studiueset nga Instituti Albanologjik i Prishtinës: Leontina Gega-Musa, Lumnije Kadriu dhe Arbnora Dushi, përcjell KultPlus.

Tema qendrore e konferencës ishte Baladat dhe Kujtesa (Ballads and Memory), në të cilën studiueset në fjalë u prezantuan me temat mbi këngët arbëreshe për Skënderbeun si shprehje të kujtesës kolektive, si edhe për baladën popullore “Fryni era u çel taraba”, si inifikuese të rrethanave historike e veçorive kombëtare, bazuar në praninë e varianteve të saj në folklor, por edhe në rikrijimet artistike në letërsi, dramë e balet.

Gjithashtu në këtë konferencë u prezantua edhe studiuesja Olimbi Velaj nga Durrësi me dramën e mërgimit në kujtesën personale dhe kolektive, të shprehur nëpërmjet këngës polifonike “Vajzë e valëve”.

Për çështjet e kujtesës në balada dhe këngë popullore për katër ditë sa zgjati kjo konferencë, me tema dhe diskutime u paraqitën studiues nga Skocia, Anglia, Ëellsi, Sllovenia, Kroacia, Spanja, Portugalia, Serbia, Rumania, Korea e jugut, Japonia, Afrika e jugut, Italia, Franca, Hungaria, Çekia, Suedia.

Prezantimet për folklorin shqiptar, nga studiueset e Kosovës e të Shqipërisë, u pritën mirë dhe zgjuan interesimin e studiuesve të huaj të pranishëm. Vlen këtu të përmendet gjithashtu që studiuesja Arbnora Dushi, nga viti i kaluar është zgjedhur në postin e nënkryetares së Komisionit Ndërkombëtar të Baladës, të njohur si Kommission für Volksdichtung./ KultPlus.com

Analfabeti politik është kaq gomar, nuk e di hajvani se injoranca e tij politike lindë prostituta

Bertold Brecht

Analfabeti më i keq është analfabeti politik. Ai nuk dëgjon, nuk flet, nuk do t’ia dijë për ngjarjet politike. Ai nuk e di se kostoja e jetës, çmimi i fasuleve, i peshkut, i miellit, i qirasë, i këpucëve e i ilaçeve varen nga vendimet politike.

Analfabeti politik është kaq gomar sa krekoset dhe e fryn gjoksin duke thënë se e urren politikën.
Nuk e di hajvani se injoranca e tij politike lindë prostituta, fëmijë të lënë rrugëve, grabitës me thyerje, lindë më i keqi i të gjitha banditëve.../KultPlus.com

“Po janë këta njerëz që diellin ma kanë nal”

“Amaneti i Cloën-it”, nga grupi Troja është publikuar në shkurt të vitit 2015-të, shkruan KultPlus.

Kjo këngë me një tekst shumë aktual për gjendjen në vend, po vazhdon të dëgjohet shumë nga qytetarët.

Po ashtu kjo është kënga e cila po përcjellë protestat e përjavshme që po mbahen nga qytetarët për ngjarjet e fundit në vend.

Po sjellim të plotë tekstin:

Janë do vjet që kanë kalue neper mue
Mrena n’shpirt me forcë po më shtyn me thanë..
Kush janë këta njerz që s’janë shkollue
Nuk kan msu qe njeri nuk ban
Shpin e vet me vjedh
Janë do fjal që nuk po muj me i thanë

Janë kta njerz qe kan teprue
Shumë kanë kushtu rrenat e tyne
Janë tu m`qu atje ku veten nuk muj ma me gjet

Edhe sa vjet duhet me shkue
Me i duru kta njerz qe krejt forcen ma kan marr
Janë kta njerz që trunin ma kanë la
Janë kta njerz që vet nuk muj me i nal

AAAAHHH(scream)

Kisha dasht diqka me ndrrue
Te kta njerz qe diellin diellin ma kan nal
Sa shum vjet kam andrrue
Kam besue.. zotit ju kam lut dielli me dal
Po jan kta njerz qe diellin ma kan nal
Jan kto vjet qe kurr nuk muj me i marr

Rita e mrekullueshme në ceremoninë e revistës GQ

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka shkëlqyer gjatë parakalimit në tepihun e kuq për ndarjen e çmimit “Men of the Year” nga revista e njohur “GQ”.

Përkrah yjeve si Abbey Clancy, Rosie Hintington-Whiteley dhe Kate Beckinsale, krijuesja e hitit “Girls” shfaqi glamur me fustanin e saj të tejdukshëm./ KultPlus.com

Vdekja e Bob Marley, reperët dalin me fakte të reja

Kanë kaluar rreth 40 vite nga humbja e Bob Marley, por sërish janë ngritur hipoteza të ndryshme për vdekjen e tij.

Pak ditë më parë një ish agjent i CIA-s ka shpjeguar se e ka vrarë ai Bob Marley dhe ka vrarë rreth 17 persona në vitet 1974-1985 për qeverinë amerikane.

Dyshohet se Bob humbi jetën pasi një gozhdë ju ngul në gishtin e këmbës dhe shkaku supozohej të ishte melanoma.

Ish agjenti ka treguar se i ka injektuar Bob Marley një substancë kancerogjene për rreth 1 vit, ai është njohur me të pasi ka përdorur identitet të rrëmë dhe i është prezantuar si fotograf i New York Times.

Teorinë e vrasjes nga CIA e kanë hedhur edhe reperët e njohur T.I dhe Busta Rhymes dhe shkrimet e tyre në rrjetet sociale kanë patur shumë komente. Madje ndjekësit mendojnë se Marley u vra pas kritikave që bënte për CIA-n./ KultPlus.com

Dua Lipa merr çmimin Artistja Solo e Vitit në GQ

Mbrëmë u mbajt ceremonia e çmimeve të revistës GQ, shkruan KultPlus.

Përveq të tjerëve në këtë ceremoni çmim mori edhe këngetarja nga Kosova Dua Lipa.

Ajo në një publikim në rrjetin social Instagram ka treguar se është shpërblyer me çmimin “Solo Artist Of the Year”.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe Rita Ora, ku ka ndarë çmimi “Men of the Year”./ KultPlus.com

Ky është dokumentari i animuar për Skënderbeun (VIDEO)

Kanali Kings and Generals në YouTube, ka publikuar dokumentarin në gjuhën angleze të animuar për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Në këtë dokumentar trajtohet jeta dhe vepra e Skënderbeut, por në një mënyrë mjaft të veçantë.

Çdo detaj i luftërave të tij dhe lëvizjeve që ka bërë ai në atë kohë, janë animuar në mënyrë profesionale.

Dokumentari është publikuar më 2 shtator dhe deri më tash ka plotë 153 mijë shikime dhe 7 mijë pëlqime.

Më poshtë mund të ndiçni atë:

“Këtu – apo atje, është më atje”, Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Nesër më 7 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, hapet ekspozita e parë personale në Shqipëri e artistet Flaka Haliti, shkruan KultPlus.

Ekspozita hapet me fillim nga ora 19:00 ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor.

“Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes. E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë.

Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjerë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi. Duke zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, Haliti u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.

Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik. Banerë të ngjyrosur me sprej, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri,ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. Duke refuzuar status quo-në e objektit, Haliti përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen potenciale të tij, duke e hapur fushën e mundësive dhe perspektivave që tejkalojnë nocionet e thjeshta të përkatësisë. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.

“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.

Biografi e shkurtër Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas diplomimit në Grafikë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë në vitin 2006, ajo vazhdoi studimet për Artet e Bukura në Städelschule në Frankfurt mbi Main nga viti 2008 deri në vitin 2013. Aktualisht ajo është duke bërë doktoraturë në praktikë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Vjenë. Punët e saj janë ekspozuar në shumë raste, përfshirë edhe ekspozita personale në pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 56-të të Venecias (2015), në mumok, Vjenë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Prishtinë (2014). Në vitin 2016 ka qenë artist rezident në Villa Romana në Firence, dhe në po të njëjtin vit është nderuar me çmimin Ars Viva. Në vitin 2018, ajo është pjesëmarrëse në Artin Publik të Mynihut dhe Bienalen e Busanit. ——– Imazhi: E shqetësume prej fantazmës pa u brengosë, 2017 Njëzetë e pesë flamuj banerë, flamuj në shtizë, flamuj në hark, metal, print digjital, bojë me sprej, beton Pamje instalacioni Kunsthaus Hamburg, 2018.

Me autorizimin dashamirës të artistes dhe Deborah Schamoni, Mynih Foto: Michael Pfisterer./ KultPlus.com

Dua Lipa publikon videoklipin e këngës “Electricity” (VIDEO)

Dua Lipa e ka lansuar këngën e saj të re me titull “Electricity”, të cilën e ka shoqëruar me videoklip.

Është fjala për një bashkëpunim me “Silk City” – ekipi i formuar nga Mark Ronson dhe Diplo.

Ka qenë një javë mjaft e ngarkuar për këngëtaren shqiptare, e cila ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me grupin e fermave, “Blackpink”, në projektin e saj “Dua Lipa – Complete Edition”.

“Electricity” është kënga e katërt e projektit të përbashkët të Mark Ronson dhe Diplo, të cilët janë quajtur si “Silk City”./ KultPlus.com

Etno Fest ndau çmimet, ai i karrierës iu nda Melihate Qenës

Mbrëmë Etno Fest ndau çmimet e edicionit të tetë, shkruan KultPlus.

Juria profesionale e përbërë nga Dilaver Kryeziu, Bislim Muquaj dhe Naser Shatrolli ndau këto çmime:

1.Aktori më i mirë: Gjelbrim Emini
2. Aktorja më e mirë: Qëndresa Kajtazi
3. Shfaqja më e mirë: “Të harruarit” në regji të Shkurte Aliut
4. Regjia më e mirë: Zana Hoxha për shfaqjen”Copë Copë’
5. Debytantja më e mirë: Verona Koxha në shfaqjen “Ana dhe Zefi”
6. Riti më i mirë: Aziza Shefitagiq për “Ritin e stolisjes së nuses Ilire”
7. Kostumet më të mira: “Karnevalet Ilire” nga Malësia e Tetoves
8. Performanca më e mirë: “Kangë e pambaruar në rexhi të Arta Mulliqit
9. Etno performanca më e mirë: “Ana dhe Zefi” nga Erson Zymberi
10. Etno Ansambi më i mirë: grupi folklorik nga Ura Vajgurore,Berat
11. Vallëtari më i mirë vjen nga Ansambli “Ura Vajgurore” Berat
12. Çmimi i karrierës: Melihate Qena

Era Istrefin për Spindlemagazine: Asgjë nuk e zëvendëson origjinalitetin

Spindlemagazine ka publikuar një artikull të cilin ia ka kushtuar Era Istrefit dhe suksesit që ka arritur ajo. Era në këtë intervistë ka biseduar për këngët e saj, performancën në Kupën e Botës dhe për shumë gjëra të tjera.

Spindlemagazine ka shkruar për suksesin e Erës duke theksuar së këngët e saj veçohen për përfshirje të fjalëve nga gjuha shqipe dhe nga gjuha angleze.

Era Istrefi e pyetur se si ndjehet pas performancës së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, është shprehur nuk ka pasur emocione pasi që kanë ushtruar shumë dhe janë përgatitur. Mirëpo sipas saj befasues ka qenë numri i madh i njerëzve, e q një numër të tillë kaq të madh ajo nuk e kishte parë asnjëherë së bashku në një vend.

“Will Smith, më ka thënë që asnjëherë të mos ndalojë së buzëqeshur dhe kam vlerësuar shumë këtë këshillë të tij. Unë e kam një buzëqeshje tatuazh në dorën time, dhe është një këshillë e mirë. Nuk është vetëm një buzëqeshje, është që asnjëherë të mos ndalosh së punuari që të jem e lumtur”, ka theksuar ajo.

E pyetur se më kë do të dëshironte që të bashkëpunonte, Era ka përmendur Lil Uzi dhe Cardi B. Era po ashtu është shprehur edhe krenare me superhitin e saj, këngën “Bon Bon”.

“Nuk e kam pritur që kënga do të ketë këtë sukses dhe vazhdimisht e kam analizuar se perse dhe e kam gjetur përgjigjen. Asgjë nuk e zëvendëson origjinalitetin. Diçka që është e vështirë që ta mbash në një botë e cila tenton që të të korrigjojë”, është shprehur ajo.

Tutje këngëtarja ka diskutuar edhe për këngët e tjera, duke përfshirë këtu këngën “Prisoner”, të cilën e ka xhiruar në Xhamajka./ KultPlus.com

Maksut Vesgizhi solli në GKK copëza të realitetit shqiptar si formë kritike dhe nostalgjike

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur sonte ekspozitën “Pavilion K”, të artistit Maksut Vesgizhi. Ekspozitë kjo e kuruar nga Matilda Odobashi, shkruan KultPlus.

Në katin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës sonte kanë zënë vend punimet e Maksut Vesgizhi. Ato u ekspozuan me rastin e hapjes së ekspozitës së tij “Pavilion K”, në Prishtinë. Ekspozitë kjo e cila tërhoqi mjaftë artdashës të cilët vështronin me syrin e tyre kritik këtë ekspozitë.

Të vendosura në fillim të hyrjes qëndronin dy dorashka, ndërsa në mur qëndronin të varura disa rroba, e me të kthyer kokën në anën e djathë mund të gjeni armaturë, dhe thasë të mbushura me sfungjerë, ndoshta një jastëkë ky i ideuar nga artisti.

Pikërisht këto punime vinin në pah edhe multimedialitetin e artistit, diçka që theksoi edhe Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani.

Kjo ekspozitë veçanërisht përfaqëson atë drejtim të cilin Galeria Kombëtare e ka marrë gjatë navigimit në rrjedha të artit bashkëkohor me tendencë që të ketë sa më shumë ekspozita interdisiplinare dhe multimediale, që ndërthurin fusha të ndryshme të artit në një identitet”, u shpreh ajo.

Pak më tutje në hapësirën më të madhe të këtij kati të Galerisë, vend kishin zërë edhe disa tulla të vendosura në qese të plastikës, të cilat qëndronin horizontalisht dhe në rend me njëra-tjetrën. E disa hapa larg tyre, sfungjerët me ngjyrë të verdhë, qëndronin afër mureve në dy anët e kësaj hapësirë. Materialet të cilat mund t’i hasim edhe në përditshmërinë tonë e që dëshmojnë se edhe në arkitekturë por edhe në arte vizuale interesimi i Vezgishit është eksperimenti dhe modernia, duke kthyer njëkohësisht vëmendjen kah kërkimi në artin aktual shqiptar.

Ekspozita “Pavilioni K”, mund të konsiderohet edhe një ribashkim artistik në mes të artistin Maksut Vesgizhi dhe kuratores Matilda Odobashi, pasi që ata kanë punuar edhe në të kaluarën së bashku.

“Për mua punimet që po shihni janë si copëza apo pjesëza të realitetit shqiptarë dhe shqip-folës, të cilat mendoj se paraqiten me një formë sa kritike aq edhe nostalgjike. Një kohë që ndoshta ishte por që edhe vazhdon të jetë sot e asaj ditë”, theksoi kuratorja.

Maksut Vezgishi i lindur në Prizren, në vitin 1960, kreu studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ai punoi si asistent në Fakultetin e Arkitekturës, (1993/95). Njëkohësisht punoi si redaktor artistik edhe në gazeta, në shtëpinë botuese ‘Dukagjini’ në Pejë, në Galerinë ‘Dodona’. Pastaj në Teatrin e Qytetit të Prizrenit, si projekt autorial punoi Dramën Vizuele/Skena Alternative;
‘Proporcione Hyjnore’ (1990). Po ashtu në fushën e skenografisë bashkëpunoi me teatrot në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel, Elbasan.

“Më 1978, para 40 viteve takova në Prishtinë ambientet e para moderne për të cilat kam nostalgji. Shtëpia e Mallrave, Mensa e Studentëve, Biblioteka. Arkitektura mi përmblodhi artet aktuale sot edhe atëherë”, ishin fjalët që artisti i thekoi në hapje të ekspozitës para se të ftonte të gjithë të pranishmit që të hynin brenda dhe ta vizitonin ekspozitën. Ekspozitë kjo e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

“Mos jeto kurrë pa jetë!”

Poezi e shkruar nga Nënë Tereza.

Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria./KultPlus.com

E konfirmojnë shkencëtarët: Freddie Mercury është këngëtari me vokalin më të mirë në histori

Një grup shkencëtarësh austriakë, çekë dhe suedezë kanë bërë një hulumtim, të cilin e kanë publikuar në Logopedics Phoniatrics Vocology, duke e shpallur Freddie Mercuryn këngëtarin me vokalin më të mirë në histori.

Derisa nuk e kanë konfirmuar mitin se ai ka kënduar në katër oktava të plota, ata kanë zbuluar disa fakte magjepsëse rreth zërit të këngëtarit.

Edhe pse është njohur kryesisht si tenor, në fakt, ai ka qenë shumë më pranë baritonit. Këtë zbulim, shkencëtarët e kanë bazuar duke i dëgjuar gjashtë intervista të tij, ku është shfaqur një frekuencë mesatare prej 117.3 Hz.

Edhe sa ishte gjallë, Freddie kishte refuzuar të bënte një duet në opera, sepse kishte frikë se fansat do ta kuptonin zërin e tij bariton – ndërsa kjo është një tjetër dëshmi se këngëtari ka qenë aq i talentuar saqë ka mundur ta tejkalojë bazën e tij vokale.

Ekipi i shkencëtarëve më pas e angazhoi rokerin Daniel Zangger Borch për ta imituar zërin e Mercuryt. Ata e xhiruan laringun e tij në 4.132 korniza për sekondë, në mënyrë që të shikonin me saktësisë se si ka arritur Freddie ta bënte atë që ka bërë.

Ekspertët e kuptuan se ai ka përdorur subharmoninë – një mënyrë e të kënduarit ku flegrat ventrikulare (flegra të mukozës membranore që e mbështjellin ligamentin vestibular që njihen edhe si korda të rrejshme vokale) vibrojnë njëkohësisht me flegrat vokale.
https://www.youtube.com/watch?v=o8Eg-mWdDLc
Hulumtimi ka treguar se kordat vokale të Mercuryt kanë lëvizur shumë më shpejt në krahasim me njerëzit tjerë. Derisa një vibrato tipike do të lëvizte ndërmjet 5.4 Hz dhe 6.9 Hz, te frontmeni i “Queen” kjo vlerë ka qenë 7.04 Hz.

Në studimin e tyre kishin shkuar:

Analizat sasiore duke shfrytëzuar një parametër të sapo futur për të vlerësuar rregullsinë e vibratos së vokalit, konfirmoi natyrën e tij të parregullt, duke sugjeruar se (pa)rregullsia e vibratos është një tipar dallues i zërit këndues.

Imitimi i mostrave subharmonice të fonacionit nga një këngëtar profesionist i muzikës rok, i dokumentuar nga një xhirim me shpejtësi të lartë endoskopik në 4.132 korniza për sekondë, zbuloi një frekuencë 3:1 të flegrave vokale dhe flegrave ventrikulare./KultPlus.com

“Bota u përket atyre që guxojnë…”

“Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona gati të pazëvendësueshëm dhe kam harruar persona të paharrueshëm. Kam vepruar sipas momentit. Jam zhgënjyer nga njerëz që nuk mendoja kurrë që mund të zhgënjehesha… por edhe unë kam zhgënjyer. Kam mbajtur dikë mes krahëve të mi për ta mbrojtur; jam bërë mik përjetë. Kamqeshur kur nuk ka qenë e nevojshme.
Kam dashuruar, më kanë dashuruar, por edhe më kanë refuzuar. Më kanë dashuruar dhe unë nuk kam ditur si tua kthej dashurinë. Kam bërtitur dhe jam hedhur përpjetë për kaq shumë gëzime. Kam jetuar për dashurinë dhe kam bërë premtime në emër të saj.
Kam qarë duke dëgjuar muzikë e duke parë fotografi të mbushura me kujtime.
Kam telefonuar thjesht për të dëgjuar një zë. Jam dashuruar vetëm me një buzëqeshje. Kam pasur frikë se mos humbisja një person shumë të veçantë, të cilin gjithsesi e kam humbur, por kam mbijetuar dhe jetoj akoma! E rëndësishme është të luftosh me vendosmëri, ta përqafosh jetën me pasion dhe ta jetosh atë.
Humbi betejat me klas, por guxo të fitosh, sepse bota u përket atyre që guxojnë të jetojnë! Jeta është shumë e shkurtër për të qenë e parëndësishme.” – Charlie Chaplini

“Il Messaggero”: Numër i madh turistësh në Shqipëri, në mesin e tyre shume italiane

Bum turistësh drejt Shqipërisë, një prej destinacioneve më popullore gjatë verës 2018, sipas të dhënave nga portalet e prenotimeve të hoteleve dhe fluturimeve, shkruan në faqen e saj në internet gazeta italiane “Il Messaggero”.

Vendi i Shqiponjave pëlqehet shumë edhe nga italianët. Rreth 5,7% e tyre e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet e verës. Por, edhe ata që kërkojnë në internet informacione për Shqipërinë janë të shumtë.

Një rezultat i jashtëzakonshëm, nëse shihet historia e këtij vendi, që vetëm pak vite më parë turizmi gati nuk ekzistonte fare.

Arsyet përse turistët zgjedhin këtë vend si destinacion për pushimet e tyre janë të shumta.

Në radhë të parë ka një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Shqipëria është një destinacion i lirë dhe cilësia e shërbimeve është e mirë.

Nga ana tjetër, komentet e turistëve janë shumë pozitive dhe kjo tregon se vendi ka shumë për të ofruar.

Për të mos u nënvlerësuar është edhe pozicioni i mirë i Shqipërisë, që është pranë të gjitha baseneve të Mesdheut.

Në fund, një faktor tjetër i rëndësishëm që tërheq gjithnjë e më shumë persona janë 3390 atraksionet turistike të vendit.

Mund të gjeni për të gjitha shijet. Nga plazhet e bukura të Velipojës, Rana e Hedhun, tek Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë dhe gadishulli i Karaburunit, pa harruar qytetet dhe fshatrat e shumta për të vizituar. / KultPlus.com
https://economia.ilmessaggero.it/economia_e_finanza/albania_turismo_italiani-3952366.html

Pasaporta e Nënë Terezës ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar

Pasaporta e Nënë Terezës, që shenjtores iu dha në vitin 1927, pasi i bëri një kërkesë autoriteteve në Shkup për të vizituar familjen e saj në Tiranë, përpara se të nisej me mision, për herë të parë u prezantua sot, në ditën e shenjtores Nënë Tereza.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, shprehet: “Ky është hapi i parë që një institucion në Maqedoni, shtetëror dhe shkencor po merret me hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Shën Terezës. Kemi gjetur në arkivë pasaportën e Nënë Terezës dhe kjo pasaportë i është dhënë në vitin 1927. Ne po e nxjerrim për herë të parë në dritë”, raporton Top Channel.tv

Por, pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Kur Gonxhe Bojaxhiu mëson se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkruan një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, që të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë. Letra prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.=

Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, thotë: “Disa objekte janë të familjes që vizitoi. Familja e Tonin Shpatit, edhe aty kemi shumë objekte që i ka dhuruar ajo familje me të cilat u ushqye Nënë Tereza në atë darkë. Bëhet fjalë për 15 objekte, të cilat kjo familje ia ka dhuruar në muze në vitin 1997”.

Së bashku me ekspozitën në ambientet e muzeut, u promovua edhe botimi “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, që pasuron më tej historinë e jetës së Nënë Terezës./ KultPlus.com

Shtatorja e Shën Nënë Terezës do të përurohet në Trsat të Kroacisë

Shtatorja e Shën Nënë Terezës në Kishën Shën Marisë në Trsat, në Rijeka do të përurohet më datë 22 shtator duke filluar në ora 13:00, përcjellë KultPlus.

Ngjarja do të mbahet nën patronatin e Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete në parlamentin e Kroacisë

Organizatorët e kësaj ngjarje janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Marijes në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës. /KultPlus.com

Dua një grevë, që t’i takoj të gjithë

Poezi nga Gioconda Belli. Përkthyer nga Maksim Rakipaj.

Dua të bëhet një grevë që t’i takoj të gjithë.
Të bëjnë grevë krahët, këmbët, flokët,
një grevë që të lindë në çdo trup.
Dua një grevë
punëtorësh, pëllumbash,
shoferësh, lulesh
teknikësh, fëmijësh
mjekësh, grash.
Dua një grevë të madhe
që të arrijë deri te dashuria.
Një grevë që të ndalojë gjithçka
orët, fabrikat,
ndërmarrjet, shkollat,
autobusët, spitalet
rrugët, portet.
Të bëjnë grevë sytë, duart, puthjet.
Një grevë e madhe ku të mos lejohet as të marrësh frymë,
një grevë që të lindet heshtja
për të dëgjuar hapat e tiranit që largohet./ KultPlus.com

Presidenti Ronald Regan dhe Nënë Tereza në vitin 1986

Ambasada e Amerikës në Tiranë ka zgjedhur sot një fotografi të veçantë, si foto të ditës, shkruan KultPlus.

Ambasada përmes një fotografia ka kujtuar 13 qershorin e vitit 1986. Në këtë fotografi shihet ish-Presidenti i Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan duke qeshur së bashku me Nënë Terezën dhe Motrën Frederik, ndërsa të tre takohen në Shtëpinë e Bardhë.

Nënë Tereza u dekorua me Medaljen e Lirisë nga Presidenti Regan dhe mori titullin qytetare nderi amerikane nga Presidenti Klinton në vitin 1996./ KultPlus.com