5 libra nga nobelisti Gabriel Garcia Marquez që duhet t’i lexoni

Sot, para  92 viteve në Aracataca të Kolumbisë ka lindur nobelisti Gabriel Garcia Marquez. Marquez ka lënë pas një pasuri të vërtet librash, KultPlus ju sugjeron që të paktën pesë prej tyre ti lexoni patjetër.

Njëqind vjet vetmi – 1967

“Njëqind vjet vetmi” është një novel e cila bazohet në historinë e familjes Buendia në qytetin e Makondos. Kjo është vepra e cila i dha famë ndërkombëtare shkrimtarit të njohur kolumbian. Bestselleri i Marquez i dha një dimension tjetër letërsisë amerikano-latine.

Vjeshta e patriarkut – 1975

Kjo poemë është e bazuar në jetën e një diktatori “imagjinar” të cilin Marquez e ka krijuar në bazë të variteteve të disa diktaorëve si Gustavo Rojas Pinilla, Francisco Franco dhe Juan Vicente Gómez. Nga kërkimet e Institutit Spanjoll të Librave, “Vjeshta e patriarkut” është libri më i shitur në vitin 1975, në Spanjë.

Dashuria në kohën e kolerës – 1985

Novel e bazuar në histori familjare, “Dashuria në kohën e kolerës” tregon se si dashuria midis Florentino Arizo dhe Fermina Daza prishet nga martesa Ferminas me një doktor i cili përpiqet të zhdukë kolerën. Pas largimit të tij Florentino rikthehet pas 60 vjetësh.

Gjenerali në labirinthin e tij – 1989

Kjo novel i kushtohet Simon Bolivar, i cili çliroi Kolumbinë nga pushtimi spanjollë në shekullin e 19. Novela shkaktoi një stuhi të vërtet në Amerikën e Jugut kur u publikua për herë të parë.

Kronikë e një rrëmbimi – 1996 Tematika e librit bazohet në rrëmbimet e organizuara nga kartelat e drogës në Kolumbi, të udhëhequra nga trafikanti i famshëm Pablo Escobar. Fillimisht libri është publikuar në spanjisht në vitin 1996, për tu përkthyer një vit më vonë në anglisht./ KultPlus.com

Gruaja

Nazim Hikmet. Përktheu Petrit Sulaj.

Ka që thonë se gruaja
është për të ndarë shtratin me burrin
netëve të gjata të dimrit.
Të tjerë, se është
balerinë me nente zile, kurore në flokë
që vallëzon mes pyllit të gjelbër;
Dikush thotë, gruaja është bashkëshortja ime,
mëkati që mbaj mbi shpinë;
të tjerë thonë se është ajo që zë brumin..

Gruaja s’është asnjë nga këta
Nuk është shtrat, as balerinë
as bashkëshorte, as mëkat;

Gruaja është krahët e mi. këmbët e mia
foshnjë, nëna, gruaja, motra ime
është shoqja e jetës time…/ KultPlus.com

10 koleksionistë të famshëm të librave


Nuk e kam të lehtë të ndahem prej librave dhe, nëse po e lexoni këtë artikull, ndoshta kjo gjë iu ndodh edhe ju. Siç thotë Summer Brennan “çfarë lloj i degjeneruari dëshiron vetëm të ketë 30 libra (ose më pak) në të njëjtën kohë, qëllimisht?” Askush që unë njoh. Por, me sa duket, iu duhet të keni vetëm një mijë libra për t’u konsideruar si koleksionues librash. Shifër pak e ulët, për të qenë i sinqertë, nëse nuk po flasim për një mijë libra të vendosur në një dhomë gjumi në New York City, rast në të cilin, të falet.

Në përgjithësi, unë jam i interesuar në koleksionet e librave të të tjerëve. Sa libra kanë, cilët, si mbahen, ku mbahen? Pra, në një pasdite me shi, fillova të kërkoj rreth koleksioneve të librave të njerëzve të famshëm, për të parë se cilët konsideroheshin koleksionistë të librave. Disa prej rezultateve më surprizuan – megjithëse e pranoj që tashmë kisha dijeni për Karl Lagerfeld.

Sigurisht, që kjo listë nuk është aspak shkencore apo përfundimtare – pa dyshim që ka shumë njerëz të tjerë të famshëm me biblioteka të mëdha (me të ardhura të mjaftueshme dhe me shumë hapësirë që ua mundësojnë këtë), por as shifrat aktuale nuk janë dokumentuar kurrë, ose unë thjesht nuk kam mundur të gërmoj më shumë për to. Të famshmit që nuk janë bërë pjesë e listës janë Marilyn Monroe (400 libra), George Washington (1,200 libra), Charles Darwin (1,480 libra), Oprah (1,500 libra), Frederick Douglass (2,000 libra), dhe David Markson (2,500 libra).

Karl Lagerfeld: 300,000 libra

Karl Lagerfeld ka më shumë libra se shumëkush. Në Festivalin Ndërkombëtar të Modës dhe Fotografisë në vitin 2015, Lagerfeld shpjegoi: “Sot mbledh vetëm libra; nuk ka vend në dhomë për të tjera gjëra. Nëse do të vini në shtëpinë time, do të jeni të rrethuar vetëm me libra. Kam arritur të kem një bibliotekë me 300,000 të tillë. Janë shumë për një person të vetëm”. Kjo nuk është një shaka. Koleksioni i tij përfshin libra në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht, dhe për të krijuar sa më shumë hapësirë në shtëpinë e tij për të gjitha vëllimet, ai i pozicionon librat e tij horizontalisht, në vend të vertikalisht. Oh, ka dhe një shkallë spirale për të arritur librat në lartësi. Ky është Lagerfeld, në fund të fundit.

George Lucas: më shumë se 27,000 libra

Në vitin 1978, George Lucas krijoi Bibliotekën “Lucasfilm Research” – fillimisht mblidhte vëllime në zyrën e tij në Los Anxhelos dhe përfundimisht e transferoi bibliotekën në shtëpinë e tij në Skywalker Ranch. Përveç më shumë se 27.000 librave, koleksioni përfshin mbi 17.000 filma, si dhe fotografi, botime periodike, copa shkrimesh të botuara dhe shumë të tjera. Biblioteka e Lucas nuk është e hapur për publikun, por vetëm për punonjësit e tij, si dhe për mysafirë të veçantë si Cecil B. DeMille, Alfred Hitchcock, Cary Grant, Clint Eastwood, Steve Martin, Edith Head dhe Charlton Heston.

Jay Walker: 20,000 libra

Pra, Jay Walker mund ta konsiderosh thjesht një person të famshëm nëse je i painformuar, mendoj. Ai është sipërmarrësi që themeloi Priceline.com, por për mua të paktën, është me të vërtetë i famshëm për shkak të bibliotekës personale: në krah të shtëpisë së Ridgefield, në Connecticut, që ai e quan “Biblioteka e Historisë së Imagjinatës së Njeriut”. Është thellësisht pretencioz, e di, por vetëm shikoni: ka tre nivele, një urë xhami, platforma lëvizëse dhe po, shumë libra.

Michael Jackson: më shumë se 10,000 libra

Mbreti i pop-it ishte gjithashtu Mbreti i Librave. Gjatë jetës së tij, Michael Jackson ishte një klient i rregullt në libraritë lokale në Los Anxhelos, duke përfshirë “Book Soup” dhe “Skylight”. “Ai e donte seksionin e poezisë”, thotë Dave Dutton, pronar i “Dutton’s Books” në Brentëood. Ralph Waldo Emerson ishte i preferuari i tij. “Ylli i pop-it kishte 10,000 libra në Ranch Neverland. Aty kishte vende që ai pëlqente të ulej dhe të lexonte, dhe ti mund t’i shihje librat me letrat e tij të shënimeve. Dhe unë mund t’ju them se nga bisedat me të- sidomos për dikë që ishte i “vetë-mësuar”, si ai, dhe kishte listën e tij të leximit – kam kuptuar se ai ishte njeri shumë i lexuar”, shprehet avokati i Jackson, Bob Sanger, për “LA Weekly”.

Ernest Hemingway: më shumë se 9,000 libra

Sipas librit të Debra A. Moddelmog dhe Suzanne del Gizzo, “Hemingway në kontekst”, shkrimtari mbante një bibliotekë me vete kudo që shkonte dhe vazhdimisht blinte libra të rinj, deri në 150-200 në vit. Deri në ditën e vdekjes, biblioteka e tij “Finca Vigía” kishte rreth 9,000 vëllime, të cilët nuk përfshinin librat që la në Key West (ai u zhvendos me vetëm rreth 800 libra). Ndoshta, jo e habitshme, por gjithsesi mbresëlënëse.

William Randolph Hearst: më shumë se 7,000 libra

Hearst kishte dy biblioteka në kështjellën e tij “Ken Dream House” – biblioteka kryesore, e cila përmbante 4.000 vëllime, dhe studimi gotik, i cili përbëhej nga 3.000 libra. Dukej se nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të gjithë librat e tij dhe ai i vinte ata kudo që mund të gjente vend.

Thomas Jefferson: 6,487 libra

“Unë nuk mund të jetoj pa libra,” ka qënë shprehja e famshme e Thomas Jefferson. Sipas Bibliotekës së Kongresit, kur britanikët dogjën kryeqytetin në vitin 1814, Jefferson kishte ndërtuar bibliotekën më të madhe personale në Shtetet e Bashkuara, të cilën më pas ia shiti Kongresit për 23,950 dollarë. Pas kësaj, ai menjëherë filloi të mblidhte përsëri libra (dhe e shiti edhe koleksionin e ri për të paguar borxhet në vitin 1829).

Nigella Lawson: 6,000 libra

Autorja e recetave të gatimit, personazhi televiziv dhe kuzhinierja e jashtëzakonshme, Nigella Lawson është fotografuar në shtëpinë e saj në Belgravia të Londrës, para grumbujve të librave në dysheme, dhe rafteve që arrinin deri në tavan, të mbushur me mijëra libra gatimi. Nuk ishin vetëm librat e gatimit që e bënë të njohur për listën e leximit, ajo gjithashtu ka edhe prirje letrare. Libri i saj i preferuar është “David Copperfield”.

Harry Houdini: më shumë se 5,000 libra

Kur Houdini vdiq, ai ia la bibliotekën e tij private me libra mbi magjinë, Teatrin dhe spiritualizmin, Bibliotekës së Kongresit. Disa burime pohojnë se në atë kohë, ai kishte koleksionin më të madh të librave mbi magjinë në botë.

Hannah Arendt: 4,000 libra

Koleksioni i Hannah Arendt, në Kolegjin Bard, përbëhet nga 4.000 vëllime, efemera dhe pamflete, duke përfshirë edhe më shumë se 900 shënime të saj – që vinin drejtpërdrejt nga apartamenti i saj në Nju Jork, ku ajo jetonte deri sa vdiq në vitin 1975. Unë shpresoj të ishte më i madh se një dhomë gjumi. (Për shumë arsye, 4,000 duket si një numër me fat për bibliotekat e librave letrarë – shkrimtarë të tjerë që kishin shumë libra të tillë në koleksionet e tyre private përfshijnë Virginia Woolf dhe Katherine Anne Porter)./lexo.al / KultPlus.com

Artpolis sonte sjellë mbrëmje poetike për fuqizimin e grave

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 6 mars organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”,  shkruan KultPlus.

Të gjithë aktivistët, artistët dhe qytetarët janë të ftuar për  për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave këtë vit përmes leximit për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre.

“Çdo ditë është 8 mars, çdo ditë jemi këtu e çdo ditë duhet çmuar”, shkruhet në njoftimin e ngjarjes.

Në këtë organizim mund të takoheni me poetët Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani & Nora Prekazi dhe artistet Melihate Qena, Anisa Ismaili, Qendresa Kajtazi & Daniela Markaj.

Ngjarja do të mbahet në librarinë Dukagjini në Prishtinë/Sheshi Nëna Terezë prej orës 19:00. Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër./ KultPlus.com

Artistja italiane sjell ekspozitë dedikuar Shqipërisë

Gjendja kalimtare e ngjarjeve të mundshme” titullohet ekspozita e artistes italiane Valentina  Bonizzi, e cila vjen si një dedikim ndaj Shqipërisë. Ne ketë prezantim, artistja sjell marrëdhënien social-politike si një binom të pashmangshëm.

Artistja Italiane Valentina Bonizzi e cila e zhvillon jetën artistike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë vjen para publikut shqiptar me ekspozitën “ Gjendja kalimtare e ngjarjeve të mundshme” në mediumin e instilacionit dhe video artit

Artistja e ka realizuar këtë vepër në dualizëm  mes gërmimit te  arkivat dhe  komuniteteve, vepra e Valentina Bonizzi thekson problemet e drejtësisë shoqërore duke zbuluar potencialin për demokratizim në ridefinimin artistik të praktikave hartografike.

Puna e saj shqyrton rolin e imazhit teknik në të gjitha format e tij të zgjeruara, duke marrë parasysh politikën e kohës në lidhje me hibridin, migrimin dhe mjedisin.

Ekzistencën e individit në historinë kolektive. Valentina punon me media të ndryshme si film, fotografi, arkiv.

Forbes publikon listën e personave më të pasur në botë

Forbes ka publikuar listën e personave më të pasur në botë.

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos mban vendin e parë me një pasuri me vlerë 131 miliardë dollarë.

Ai themeloi kompaninë në vitin 1994 në garazhin e tij në Seattle. Jeff mbetet shefi ekzekutiv i Amzon dhe zotëron 16 % të aksioneve.

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates ndodhet në numrin e dytë, me një pasuri me vlerë 96.5 miliardë dollarë.

Bill ka shitur pjesën më të madhe të aksioneve të tij në kompani që kur e themeloi në vitin 1975 me Paul Allen.

Ai pasohet nga Warren Buffett, një nga investitorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me 82.5 miliardë dollarë pasuri.

Bufett drejton Berkshire Hathaway, e cila zotëron më shumë se 60 kompani, duke përfshirë prodhuesit e baterive Duracell.

Ndër 10 të parët janë shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg dhe bashkë-themeluesi i Google, Larry Page.

Lista e Forbes me 10 njerëzit më të pasur në botë:

1) Jeff Bezos, 131 miliardë dollarë

2) Bill Gates, 96.5 miliardë dollarë

3) Warren Buffett, 82.5 miliardë dollarë

4) Bernard Arnault, 76 miliardë dollarë

5) Carlos Slim Helu, 64 miliardë dollarë

6) Amancio Ortega, 62.7 miliardë dollarë

7) Larry Ellison, 62.5 miliardë dollarë

8) Mark Zuckerberg, 62.3 miliardë dollarë

9) Michael Bloomberg, 55.5 miliardë dollarë

10) Larry Page, 50.8 miliardë dollarë . /KultPlus.com

Për nder të Karl Lagerfeld, Cara Delavigne i rikthehet pasarelës

Në “Grand Palais” në Paris sfiloi koleksioni i fundit i dizajnuar nga Karl Lagerfeld për “Chanel”.

Vizionari “Kaiser” ishte drejtori kreativ për markën franceze prej vitit 1982 deri në ditën kur ndërroi jetë, më 19 shkurt. Lot e mallëngjime në pasarelë dhe në radhët e publikut, sfilita u hap me një minutë heshtje në kujtim të stilistit legjendar dhe u mbyll me notat magjike të “Heroes” të David Bowie.

Në “catwalk” parakaluan disa nga modelet e tij të preferuara; Kaia Gerber, Mariacarla Boscono, Vittoria Ceretti, madje dhe Penelope Cruz. Rikthim në pasarelë ishte për Cara Delevingne, e cila sfiloi sërish vetëm për Lagerfeld, pas lamtumirës së dhënë dy vjet më parë.

Në radhët e publikut nuk munguan emra të njohur të pasarelave dhe ekranit, si Kristen Steëart, Claudia Schiffer e Monica Bellucci. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BuoHAgUBBKZ/

“Kur je i ri, priresh të mendosh se bota do të bëhet më e mirë por sot ne po jetojmë pa këtë ideal”

Haruki Murakami, autori i njohur i romaneve “Pylli norvegjez” apo “Kronika e zogut kurdisës”, ka qenë i ftuar në Paris në një bashkëbisedim me studentë, ku ka folur për politikë dhe letërsi.

70 vjeçari, përpara 650 personave në vigjilje të dhënies se shfaqjes “Kafka në breg”, bazuar në librin e tij, u shpreh për disa nga temat që lidhin shkrimtarin me politikën. “Populizmi i është kundërvënë globalizmit, ndërsa po shtohen forcat e ekstremit të djathtë. Edhe Japonia po përballet me problemin e fuqisë nukleare. Unë kam mendimet e mia lidhur me këto çështje, por nuk di se si t’i shpreh në romanet që shkruaj. Kjo më është kthyer në një sfidë të vërtetë”, ka thënë Murakami.

Duke iu referuar Luftës së Dytë Botërore, shkrimtari japonez ka thënë: “Përpiqem të shkruaj për luftën sa më shumë që të mundem. Edhe Japonia ka pasur një problem me revizionizmin historik. Përpjekja për të mësuar vetëm “historinë e përshtatshme” është një problem në shumë vende, por ne duhet ta luftojmë.”

Nuk ka mundur t’i shpëtojë as pyetjeve për internetin dhe rrjetet sociale. “Në kohën time, jemi përpjekur të tregonim vetëm histori të vërteta. Por liberalizimi i lajmeve dhe historive të rreme u shtua për shkak të internetit. Kjo është shumë, shumë e rrezikshme”, ka thënë Murakami. “Kur je i ri, priresh të mendosh se bota do të bëhet më e mirë. Por sot ne po jetojmë pa këtë ideal. Ditët e sotme, të rinjtë mendojnë se bota do të jetë një vend më i keq në të ardhmen. Prandaj, në një farë forme, detyrohem të kaloj tek idealizmi im, të cilin e kam të rrënjosur në mendje që kur isha dhjetë vjeç.”

Duke folur edhe për forcën e romaneve të tij, Murakami tha: “Ne nuk e dimë se çfarë do t’i ndodhë botës në të ardhmen. Por unë besoj në ato kohë, dhjetëra mijëra vjet më parë, kur njerëzit jetonin në shpella dhe natën tregonin histori për të luftuar ankthin dhe frikën. Origjina jonë do të mbetet e njëjta, edhe pse bota ecën përpara. Prandaj besoj se forca e rrëfimit”./Opinion.al

Testamenti i Nobelit

Ishte dëshira e fundit dhe testamenti i Alfred Nobelit, që i dha jetë më pas çmimit Nobel. Fondacioni, me të njëjtin emër, ka pajtuar një përkthim të ri në gjuhën angleze të testamentit, për ta bërë të menduarit origjinal të Nobelit edhe më të qasshëm. Lars Heikensten, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Nobel, beson se qëllimet dhe vlerat e Nobelit janë më të rëndësishme se kurrë.

Përktheu: Suadela Balliu

Cila është historia pas testamentit të Alfred Nobelit?

Kur Alfred Nobeli ndërroi jetë, më 1896-ën, dëshira e tij e fundit i dha jetë krijimit të çmimit Nobel. Alfred Nobeli ishte një industrialist dhe shpikës suedez, i cili besonte te përparimi, te shkenca dhe humanizmi. Ai dëshironte të shpërblente këtë progres dhe i theksoi qëllimet e tij në këtë dokument madhështor. Ideja ishte se këta laureatë të Nobelit duhet të shpërbleheshin pa marrë parasysh kombësinë dhe se ata duhet të funksiononin si role modele dhe të frymëzonin më shumë njerëz për të bërë të mirën. Të parat çmime në Fizikë, Kimi, Fiziologji ose Mjekësi, Letërsi dhe Paqe u akorduan në vitin 1901.

Ç’domethënie ka testamenti për Fondacionin Nobel?

“Do të thotë shumë për ne – përcakton udhëzimet se si i çojmë përpara veprimtaritë tona. Fondacioni Nobel ka përgjegjësi të përgjithshme për përmbushjen e qëllimeve në dëshirën e Nobelit.

Përse keni bërë një përkthim të ri të testamentit?

Duam që të jetë një dokument i gjallë dhe që fjalët e Alfred Nobelit të lexohen nga shumë individë. Për ta siguruar këtë, të duhet të përditësosh gjuhën, për ta bërë më të aksesueshme për audiencën bashkëkohëse.

Çfarë ka ndryshuar në këtë përkthim?

“Një aspekt që mund të tërheqë interes është formulimi qendror që çmimet duhet t’u akordohen atyre që kanë prurë “dobitë më të mëdha për njerëzimin (humankind)”. Versioni më i hershëm i përkthimit në gjuhën angleze thotë “mankind”, por kjo është një gjë e natyrshme për t’u përditësuar.

Sa i rëndësishëm është testamenti i tij sot?

Mënyra e të menduarit që Alfred Nobeli nënvizon në testamentin e tij, është më e rëndësishme se kurrë. Ne tani jetojmë në një kohë ku arsyetimi i bazuar në fakte dhe në fjalë të lirë, po sfidohet në shumë anë të botës. Duhet të ngrihemi për ato vlera; ne si Fondacioni Nobel kemi përgjegjësi për ta bërë këtë.

Teksti i plotë i Testamentit të Nobelit, përkthyer nga gjuha angleze

Unë, i nënshkruari, Alfred Bernhard Nobel, pas një shqyrtimi të pjekur, deklaroj këtu se kjo më poshtë është dëshira ime e fundit dhe testamenti në lidhje me pronësinë që mund të lë pas vdekjes sime: Nipërit e mi, Hjalmar dhe Ludvig Nobel, bijtë e tim vëllai Robert Nobel, do të marrin shumën e dyqind mijë kronave; nipi im Emmanuel Nobel do të marrë shumën e treqind mijë dhe mbesa ime Mina Nobel njëqind mijë krona; të bijat e vëllait tim Robert Nobel, Ingeborg dhe Tyra, secila do të marrë shumën e njëqind mijë kronave; zonjushë Olga Boettger, që aktualisht banon me zonjën Brand, 10 Rue St Florentin në Paris, do të marrë njëqind mijë franga; zonjushës Sofie Kapy von Kapivar, adresa e së cilës njihet si Anglo-Oesterreichische Bank në Vjenë, i është dhënë e drejta e një pensioni vjetor prej 6 mijë florinash Ö.Ë., që do t’i paguhen asaj nga banka e lartpërmendur dhe me këtë qëllim kam depozituar në këtë bankë sasinë e 150 mijë florinash në obligacione sovrane hungareze; zoti Alarik Liedbeck, banues në 26 Sturegatan, Stokholm, do të marrë njëqind mijë krona; zonjushës Elise Antun, banuese në 32 Rue de Lubeck, Paris, i është caktuar një pension vjetor prej dy mijë e pesëqind frangash.

Për më tepër, asaj i është caktuar t’i kthehen dyzet e tetë mijë franga të kapitalit që i përket asaj dhe është aktualisht e depozituar tek unë; zoti Alfred Hammond, nga Waterford, Teksas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të marrë dhjetë mijë dollarë; zonjushë Emmy Winkelmann dhe zonjushë Marie Winkelmann, nga Potsdamerstrasse 51, Berlin, do të marrin secila nga pesëdhjetë mijë marka; zonja Gaucher, nga 2 bis Boulevard du Viaduc, Nimes, Francë, do të marrë njëqind mijë franga; shërbyesit e mi, Auguste Oswald dhe bashkëshortja Alphonse Tournand, të punësuar në laboratorin tim në San Remo, do të marrin secili një pension vjetor prej një mijë frangash; ish-shërbyesit tim, Joseph Girardot, nga 5 Place St. Laurent, Châlons sur Saône, Francë, i është caktuar një pension vjetor prej pesëqind frangash dhe ish-kopshtarit tim, Jean Lecof, banues me zonjën Desoutter, në Curaliste, Mesnil, Aubry pour Ecouen, S.&O., Francë, do të marrë një pension vjetor prej treqind frangash; zotit Georges Fehrenbach, nga 2 Rue Compiègne, Paris, i është caktuar të mbledhë një pension vjetor prej pesë mijë frangash, nga 1 janari 1896 deri më 1 janar 1899, kur do të reshtë së marri; fëmijët e tim vëllai – Hjalmar, Ludvig, Ingeborg dhe Tyra – secili ka një shumë prej njëzet mijë kronash, të depozituara tek unë pa dijeni dëftese, do t’u kthehen.

Të gjitha asetet e zbatueshme që mbeten, do të shpërndahen si vijon: me kapitalin e kthyer në depozita të sigurta nga ekzekutorët e vullnetit tim do të ngrenë një fond, interesi në të cilin është të shpërndahet çdo vit në formë çmimesh për ata që, gjatë vitit pararendës, kanë sjellë dobitë më të mëdha për njerëzimin.

Interesi është të ndahet në pesë pjesë të barasvlershme dhe të shpërndahet si vijon: një pjesë për personin që ka bërë zbulimin ose shpikjen më të rëndësishme në fushën e Fizikës; një pjesë për personin që ka bërë zbulimin apo përmirësimin më të rëndësishëm kimik; një pjesë për personin që ka bërë zbulimin më të rëndësishëm brenda sferës së Fiziologjisë ose Mjekësisë; një pjesë për personin i cili, në fushën e Letërsisë, ka prodhuar veprën më të jashtëzakonshme në një drejtim idealist; dhe një pjesë për personin që ka bërë më shumë apo më të mirën për përparimin e shoqërisë mes kombeve, zhdukjen apo reduktimin e armatimeve dhe vendosjen dhe promovimin e kongreseve të paqes.

Çmimet për Fizikën dhe Kiminë do të akordohen nga Akademia Suedeze e Shkencave; ajo për arritjet në Fiziologji ose Mjekësi nga Instituti Karolinska në Stokholm; ajo për Letërsinë nga Akademia në Stokholm; dhe ajo për kampionin e Paqes nga një komitet prej pesë personash, që do të zgjidhen nga Stortingu norvegjez. Është dëshira ime e shprehur që kur të akordohen çmimet, të mos merret në konsideratë kombësia, por që çmimi t’i akordohet personit më të vyer, qoftë apo jo skandinav.

Si ekzekutues të dispozitave të mia testamentare, caktoj z. Ragnar Sohlman, banues në Bofors, Värmland, dhe z. Rudolf Liljequist, në 31 Malmski-llnadsgatan, Stokholm dhe Bengtsfors, pranë Udde-valla. Si kompensim për vëmendjen dhe përpjekjet e tyre, i akordoj z. Ragnar Sohlman i cili me gjasë do t’i kushtojë pjesën më të madhe të kohës kësaj çështjeje, njëqindmijë krona dhe z. Rudolf Liljequist, pesëdhjetë mijë krona.

Asetet e mia aktualisht konsistojnë pjesërisht në pronat e paluajtshme në Paris dhe San Remo dhe pjesërisht nga depozitat e sigurta me Union Bank of Scotland Ltd, në Glasgou dhe Londër, me Crédit Lyonnais, Comptoir National d’Escompte dhe me Alphen, Messin & Co. Në Paris; me agjentin e bursës M. V. Peter të Banque Transatlantique, gjithashtu në Paris; me Direction der Disconto Gesellschaft dhe me Joseph Goldschmidt & Cie, në Berlin; me Bankën Qendrore Ruse dhe me z. Emmanuel Nobel, në Peterburg; me Skandinaviska Kreditaktiebolaget, në Goteborg dhe Stokholm; me Enskilda Banken në Stokholm dhe në kasafortën time në 59 Avenue Malakoff, Paris; si edhe me llogaritë e arkëtueshme, patentat, tarifat e patentave apo honorarët për mua etj., rreth të cilave ekzekutuesit e testamentit tim do të gjejnë të dhëna në shkresat dhe librat e mi.

Sa për tani, kjo dëshirë dhe testament është i vetmi i vlefshëm dhe revokon të gjithë dispozitat e mia testamentare të mëparshme, nëse ndonjë i tillë do të gjendet pas vdekjes sime.

Në fund, është dëshira ime e shprehur që pas vdekjes sime, arteriet e mia të këputen dhe kur kjo të jetë bërë dhe mjekët kompetentë të kenë pohuar shenjat e qarta të vdekjes, eshtrat e mia të digjen në një kremator.

Alfred Bernhard Nobel

Paris, 27 nëntor 1895

Ava Max në Rai: Krenare që jam shqiptare (VIDEO)

Tashmë mund të klasifikohet pa frikë si një nga këngëtaret me origjinë shqiptare, e cila po bëhet e njohur ndërkombëtarisht.

Këngëtarja me origjinë nga Saranda, Ava Max, ka qenë e ftuar në emisionin “Che tempo che fa” ku performoi hitin e saj “Sweet but psycho”.

Pas performancës Ava u pyet edhe për origjinën e saj, për të cilën u shpreh se është krenare që është shqiptare dhe që të gjithë njerëzit duhet të krenarë për atë që janë, shkruan ‘Opinion.al”.

Gjithashtu ajo përshëndeti në gjuhën shqipe: “Hello shqiptarët, ju dua shumë faleminderit”, përcjell albinfo.ch.

Këngëtarja ceku pak peripecitë që familja e saj ka kaluar deri në ditët e sotme duke dhënë një mesazh të fortë vullneti dhe kurajoje në Rai. Së shpejti pritet që Ava të publikojë albumin e saj të parë. / KultPlus.com

Sali Bytyçi prezantohet në “Antologji e poezisë botërore në gjuhën angleze”


Autorja e shumë antologjive në gjuhën angleze dhe hinduse, Seena Srrevalson, do ta publikojë më 10 mars në shtetin Keler të Indisë antologjinë më të re në gjuhën angleze me titull “Antologji e poezisë botërore në gjuhën angleze”, shkruan KultPlus.

Ne këtë antologji përfshihet nga një poezi nga autorë prej gjashtë kontinente dhe 36 vende të botës, të cilët edhe janë të ftuar të marrin pjesë në përurimin e kësaj antologjie. Në mesin e poetëve që do të prezantohen në këtë antologji është edhe autori nga Prishtina, Sali Bytyçi.

Bytyçi ka botuar deri më tani disa vepra nga fusha e kritikës letrare dhe e studimeve të letërsisë, po ashtu edhe disa libra poetikë dhe me tregime: “Labirinteve të tekstit letrar” (kritika dhe recensione” (2003), “In medias res”, recensione (2007), “Simbolet florike dhe zoomorfike në poezinë e sotme shqipe” monografi (2007), “Fjalë prej guri” (vepra letrare e Azem Shkrelit, botim i Institutit Albanologjik (2010), “Prej pseudoteorive deri te plagjiatura”, kritikë (2011), “Shkrime kritike për letërsinë”, studime, kritika dhe recensione (2011), pastaj librat poetikë “N’Rezervat”, “Dita që e bart kot mbi shpinë”, “Qiell ku s’fluturojnë më patat e egra” etj.”, kurse vitin që sapo lamë Sali Bytyçi botoi librin me tregime “Gjunjët”, i cili u shpërblye me Çmimin Vjetor për Letërsi nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. Më parë disa njësi poetike të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze edhe në SHBA, me titull “What’s Left of the Dream”.

Poezia në gjuhën angleze është përkthyer nga Fadil Bajraj, ndërsa në këtë antologji është dërguar nga poeti, përkthyesi dhe profesori palestinez, që jeton në Jordani, Nizar Sartawi, i cili edhe ka përkthyer dhe botuar në gjuhën arabe një cikël poetik të Sali Bytyçit, të shkruara në Burgun e Nishit (1999-2000), gjatë kohës sa poeti vazhdonte të jetë rob i luftës. Poezia e prezantuar në këtë antologji është njëra prej poezive të këtij cikli, me titull “Kur e akuzojnë poetin për terrorizëm”. / KultPlus.com

Tregimi për gjumin e vdekjes

Poezi nga Xhevdet Bajraj.

Kur u ndërpre ëndrra e keqe e luftës në qiell
Zoti i sapo zgjuar nga gjumi
e ndezi TV-në
dhe e pa një grua në tokë
duke bërë dashuri
me sëpatën e ngulur në kokë
në bishtin e së cilës shkruante: 
Bac u kry

Pas nëntë muajve
trupi i saj lindi filiza binjakë
gjembat ishin vaji i tyre i parë
lulet ishin vaji i tyre i fundit

“Vitet që nuk e sollën pranverën”, De Rada, 2018, Ferizaj

“Sikur të banonte Perëndia në Tokë, njerëzit me siguri do t’ia thyenin të gjitha dritaret”, urtësi hebraike

Thuhet shpesh se, urtësia hebreje ka çliruar botën, dhe na mjaftoi kaq shtysë që të shfletonim për të gjetur diamantet më të shndritshëm nga thesari i madh i popullit hebre, një popull i cili vazhdon të ketë një rol vendimtar në punët e botës edhe sot.

Për kënaqësinë e lexueve tanë, kemi grumbulluar këto urtësi 24 karatshe, dhe mos harroni të na thoni cila ishte e preferuara juaj, na intereson sinqerisht mendimi juaj.

Ai që jep, s’duhet ta kujtojë; ai që merr s’duhet ta harrojë.

Ai që ka nxitim në dashuri, ka nxitim edhe në urrejtje.

Ata që nuk janë të pranishëm, gjithnjë janë fajtorë.

Burri dhe gruaja janë si një trup, por me xhepa të ndryshëm.

Çfarë nuk sheh me sytë tuaj, mos e shpik me gjuhë.

Dashuria është sikurse tlyni: më mirë shkon me bukë.

Dashuria që mbahet me dhurata, gjithmonë është e uritur.

Duke mësuar mirë një gjë, mund t’i mësosh edhe dhjetë të tjera.

Epshi i mbrapshtë e ka fillimin të ëmbël, kurse mbarimin të hidhur.

E pyetën të urtin: “Kë do më shumë, vëllanë apo mikun tënd?”. Urtaku u përgjigj: “E dua vëllanë tim, nëse e kam mik!”.

Është më e vështirë të njohësh një njeri se dhjete qytete.

Gjysmë e vërteta është gënjeshtër e plotë.

Hajduti kur s’ka ç’të vjedhë, pretendon se është i ndershëm.

I lumi ai që mbetet i qetë pas ofendimit të parë, sepse me atë veprim shpëton prej qindra ofendimeve të tjera.

Ka njerëz si dyqanet, që në vitrinë janë të shkëlqyer, brenda bosh.

Kur nëna e lëvdon vajzën, lëre dhe ik; kur fqinji e lëvdon vajzën, grabite dhe ik!

Kur njeriu punon nuk ka kohë t’i shpërdorojë të hollat vend e pa vend.

Kush don të ruajë mikun ka tre kushte: nderim në prezencë, lavdërim në mungesë, ndihmë në nevojë.

Kush nuk shet dhe nuk blen nuk ngrihet dhe nuk ulet.

Martesa pa dashuri ka vetëm një fund, dashuri pa martesë.

Mejhanexhiu e do pijanecin, por jo për dhëndër të vetin.

Më e rëndësishmja në një bisedë është ajo që nuk e ke thënë.

Në qoftë se do të përpiqem të jem si një tjetër, kush do të jetë si unë?

Nëse dëshiron të dish sa lart qëndron, shiko poshtë.

Nëse njeriu pi pak, është i mirë si dele; nëse pi pak më shumë, bëhet trim si luani; nëse e tejkalon masën, bëhet i vrazhdë si tigri; po nëse pija i bëhet pasion (afsh), njeriu i ngjet derrit që zhgërryhet në baltë.

Nuk do të ketë ndonjëherë kohë, ai që thotë do ta bëj kur të kem kohë.

Nuk ka vend për Zotin tek ai që është përplot me vetveten.

Njeriu i vogël edhe në kodër është i vogël.

Njeriu i zgjuar dëgjon një fjalë dhe kupton dy.

Njeriu lind dhe vdes duarbosh.

Një i tillë i cili thotë se është njëqind për qind në të drejtë, është një mburracak i keq, një vjedhacak i madh dhe një faqezi i pashoq.

Një njeri që është tepër i mirë me botën, më së shpeshti nuk është i mirë për familje e vet.

Pamundësia për të thënë të vërtetën nuk do të thotë se është e nevojshme gënjeshtra.

Perëndia nuk mund të ishte e pranishme në çdo vend, prandaj i ka krijuar nënat.

Poho vazhdimisht se ti ke të drejtë dhe do të shpallesh fajtor.

Prej suksesit deri te mossuksesi është vetëm një hap, prej mossuksesit deri te suksesi shpie një rrugë e gjatë.

Sikur të banonte rastësisht Perëndia në Tokë, njerëzit me siguri do t’ia thyenin të gjitha dritaret.

Sikur të pasurit të kishin mundësi t’i blejnë njerëzit që të vdesin në vend të tyre, të varfërit do të kishin mundur të jetojnë shkëlqyeshëm.

Shkaku i shumë fatkeqësive rri në fund të gotës.

Shoqëria e keqe korrupton njerëz e zakone të mira.

Shpirti me humor e bën jetën të gëzuar dhe të qetë.

Të vetmit njerëz, vërtetë të vdekur, janë ata që janë harruar nga të tjerët.

Tri gjëra rriten edhe natën: qiraja, borxhi dhe vajzat e pamartuara.

Veshja e mirë i hap të gjitha dyert./ shkollaesuksesit

Majlinda Kelmendi solli të shkuarën, të tashmen, ëndrrat e saj dhe vijën e kuqe në mes tyre

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e ekspozitës së artistes Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

Artistja Kelmendi në veprat e saj të fundit të cilat erdhën të ekspozuara mbrëmë tregoi lidhshmërinë që ka ajo me të kaluarën, të tashmen por edhe me procesin e të ëndërruarit.

Sipas kuratorit Edison Çeraj, artistja Majlinda Kelmendi nuk i rikthehet të shkuarës ngaqë është e magjepsur prej saj, as për t’u arratisur prej të tashmes, por mbi të gjitha, për të njohur veten dhe për të kuptuar kohën në të cilën jeton.

“Ashtu siç nuk zgjedhim se çfarë kujtojmë e çfarë harrojmë, po ashtu nuk zgjedhin se kur do mendojmë e kur do ndiejmë. E gjitha rrjedh, vetëm rrjedh. Ne dorëzohemi, pastaj ngrihemi. Më pas zgjedhim, pastaj harrohemi. Me pas kujtohemi, me shpresën që të mos jetë vonë. Edhe kur është vonë, ka gjithmonë një xhep kohë për të bërë atë që duhet. Është ai xhep kohë që të rikthen të gjithë “kohën e humbur”. Kelmendi e kërkon me ngul këtë “kohë të humbur”, atë kohë të ndaluar ku lejohej vetëm ajo që diktohet “vija e partisë”. Ajo kërkon gjurmët e asaj periudhe në të tashmen e saj, në atë çfarë ajo është sot jo vetëm si artiste por mbi të gjitha si njeri”, thekson Çeraj.

Koncepti i ekspozitës “A është e shkuar ëndërr” sipas artistes Kelmendi ka ardhur pikërisht duke kërkuar përgjigje në këtë pyetje e cila sipas saj na shoqëron të gjithëve. Mirëpo përtej kësaj pyetje ajo tregoi për KultPlus se në veprat e saj dëshiron që të vejë afër njëra-tjetrës të shkuarën dhe realitetin për një analizë pasi që sipas saj pa e njohur të shkuarën nuk mundemi të derivojmë në të tashmen.

“Ne kemi pasur tranzicion të gjatë në Shqipëri dhe në Kosovës dhe historianët e ndryshëm janë përpjekur që të manipulojnë me virtytin dhe me historinë tonë por jo me ëndrrën tonë. Me këtë kam dashur që edhe të ngacmojë publikun, në mënyrë që sa të ketë jetë të ketë edhe ëndërr. E shkuara nuk duhet që të ndikojë në të ardhmen tonë por gjithsesi ajo është aty afër nesh dhe ne duhet të përpiqemi për pak ndryshim”, u shpreh ajo duke thënë se e gjithë ekspozita e saj është lojë me simbole diçka që mund të vërehet edhe nga vizitorët të cilët do e shohin këtë ekspozitë.

E rëndësishme sipas artistes përtej historisë si e shkuar në rrafsh shoqëror është se çdo njeri ka një të shkuar në rrafsh individual në këtë rast kujtimet. Pikërisht këto kujtime sipas saj- të cilat mund të barten në forma të ndryshme si përmes shkrimeve apo në këtë rast përmes artit- krijojnë së bashku memorien kolektive.

Veprat e Kelmendit të cilat erdhën te ekspozuara sonte duke përfshirë këtu edhe video-instalacionet, shtriheshin përgjatë mureve të lyera me të bardhë apo të zezë. Ngjyra tjetër që veçohej në këtë ekspozitë ishte e kuqja, një përzgjedhje e tillë për modifikimin e hapësirës ekspozuese sipas artistes është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe krijon lidhshmëri me veprat e video-instalacionet e ekspozuara.

“Shumë gjëra të së shkuarës janë në tym në kujtesën tonë por herë pas herë ngjarje apo histori të caktuar, qofshin ato të bukura ose jo, ngelin në kujtesën tonë ashtu siç janë sot. Ndërsa e kuqja simbolizon dy gjëra, së pari kujtimet që mbeten sikurse janë sot, reale. Pastaj edhe si ngjyrë që lidhet me atë si për shembull në komunikacion e që ndalon diçka, për t’u larguar nga diçka që nuk të bënë mirë për të tashmen”, u shpreh artistja për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë këtij muaji për të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë që të zbërthejnë më shumë lidhshmërinë në mes të së kaluarës, të tashmes dhe ëndrrës që ka sjell artistja Majlinda Kelmendi përmes artit të saj. / KultPlus.com

Marigona Qerkezi, kosovarja e parë që do performojë në Operën e Tokyos

Jeta Zymberi

Ka shkelur shumë skena anë e mbanë botës, por ajo po vazhdon të marrë role të mëdha dhe të prek skena shumë të njohura botërore. Fituese e shumë çmimeve e garuese në çmimet më të njohur botërore si ai “Operalia” dhe një interpretuese e shkëlqyer, është kjo sopranoja e njohur kosovare Marigona Qerkezi e cila më zërin e saj të fuqishëm dhe paraqitjet dinjitoze është duke mahnitur botën.

Kësaj radhe ajo do të ketë një debutim të dyfishtë në Tokyo – Japoni, shkruan KultPlus.

Kjo do jetë hera e parë që Marigona do performojë në New National Theater Tokyo – Teatrin kryesor të operës atje, dhe gjithashtu kësaj radhe ajo do shënojë edhe debutimin në rolin e Donna Annas nga opera Don Giovanni e Mozartit.

Ky fakt e bën shumë të lumtur artisten e cila është krenare që po arrin që përmes artit të saj të bëjë një përfaqësim dinjitoz për shtetin e saj, Kosovën.

“Kam kënaqësinë që të fus Kosovën në listën e interpretuesve në këtë teatër, duke qenë kosovarja e parë që performon edhe në Operën e Tokyos. Ende e kam të freskët gëzimin tim të papërshkrueshëm tre vite më parë kur edhe e fitova audicionin në mes të shumë solistëve nga e mbarë bota”, ka treguar Qerkezi emocionet e saj për KultPlus.

Në Tokyo do të jepen gjithsej pesë shfaqje, e në të gjitha këto shfaqje sopranoja kosovare do të performojë në rolin e Donna Anna-s. Madje Qerkezi ka treguar për KultPlus se për njërën nga këto shfaqje janë shitur të gjitha biletat.

Qerkezi së fundi ka vizituar edhe Kosovën, po ajo nuk mungon në vendin e saj edhe kur është fjala për koncerte e pjesëmarrje në festivale të ndryshme ku pritja e publikut për të është gjithmonë e mrekullueshme. / KultPlus.com

Dibër, arti i kulinarisë për promovimin e turizmit

Turizmi dhe kulinaria janë dy nga potencialet që ofron Shqipëria për turistët e huaj gjithashtu janë dhe motor zhvillimi ekonomik për të rinjtë.

Në Dibër së fundmi janë angazhuar mbi 40 rinj për të krijuar prototipe që promovojnë Dibrën si një atraksion turistik, kulturor dhe kulinar. Mjeshtra dhe të rinj punuan bashkë në punishten eksperimentale ku mësuan sesi bëhet sheqerparja, një nga ëmbëlsirat tradicionale të vendit e që njihet nga gjithë vizitorët.

Kjo nismë bën të mundur trashëgiminë e kulturës, traditës dhe kulinarisë tek brezi i ri që të mësojnë vlerat e saj dhe ti përçojnë ato tek brezat pasardhës, pasi vetëm në këtë mënyrë vlerat turistike dhe traditat tona do promovohen gjithmonë.

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/820191611652055/

Ky prototip është mbështetur në kontekstin e projektit “Mbështetje për Punësimin dhe Shërbimet Sociale për të rinjtë dhe gratë vulnerabël në veriun e Shqipërisë”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatuar nga UNDP Shqipëri.

BBC: A është Prishtina kryeqyteti më i shëmtuar europian?

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, zë sot njërën prej hapësirave të gjigantit mediatik BBC.

“A është Prishtina kryeqyteti më i shëmtuar europian?” – është titulli i një shkrimi të gjatë të autores Deborah Huso, që ka qëndruar vet në Prishtinë për dy ditë dhe nga ato që ka parë e trajtuar në tekstin e saj, e kanë bërë që ta shtrojë këtë pyetje në krye të artikullit, njofton Klan Kosova.

Huso, e cila nuk është gazetare e BBC, por bllogere që fokusohet në udhëtime dhe tema të suksesit në punë dhe amësi, sa ka qëndruar në Prishtinë, ka vizituar monumente fetare e historike, bulevarde, statuja dhe objekte të ndryshme.

Ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët e pluhurosura e të përbaltura janë, sipas saj, të parat që ta qartësojnë pse Prishtina bie në sy për të keq.

Ajo përmend se publikimi turistik Lonely Planet e ka cilësuar kryeqytetin kosovar si vend që estetikisht nuk do ta bënte kurrë dikë që ta vizitonte ndonjëherë.

Pristina, Kosovo, is often dismissed as Europe’s ugliest capital (Credit: Credit: Deborah Huso)

Boston Globe dikur kishte shkruar: “Ky qytet ballkanik është ndoshta ndër më të shëmtuarit në botë dhe qyteti më qesharak në Europë”, citon Huso.

Por, megjithatë, ajo përmend se duke qenë një vend që ka përjetuar në vazhdimësi luftëra, Prishtina nuk mund të krahasohet me Parisin apo Romën.

Ndërtesa e Hotelit Grand dhe xhamat e thyer përmenden ndër të parat dhe citohet Presidenti Hashim Thaçi  kur kishte thënë për New York Times: “Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, për shkak se bota është shumë e madhe”.

Ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ajo e quan famëkeqe, e përmend se si Virtual Tourist e ka quajtur atë njërën prej ndërtesave më të shëmtuara në botë.

With its Brutalist architecture, the National Library of Kosovo has been called one of the ugliest buildings in the world (Credit: Credit: Deborah Huso)

“E hapur më 1982, ajo është krijimi më i habitshëm i arkitekturës brutaliste: një monstër me dofarë rrethojash të metalta që të japin të mendosh se është më shumë një burg”. Bukuria e saj e vetme janë 99 kupolat dhe dritaret e mëdha.

Ndërtesën e Katedrales “Shën Nënë Tereza” dhe lartësinë e saj prej 76 metrash, Huso e ka quajtur ironike, duke përmendur se ajo ndodhet në qendër të Prishtinës për faktin se vetë Vatikani ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se 90 përqind e kosovarëve janë të besimit Islam.

Completed in 2017, Pristina’s Cathedral of St Mother Teresa was paid for by donations from both Christians and Muslims (Credit: Credit: Greg Balfour Evans/Alamy)

Historia e katedrales, sipas Huso, reflekton dëshirën e kosovarëve për të lënë prapa vetes dekada konfliktesh që më shumë kanë qenë etnike sesa fetare.

Ecjen nëpër sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë ajo e ka përshkruar si të tmerrshme.

Thekson se ndër gjërat e mira këtu ka hasur në kulturën e kafesë, por që shëmtia është te numri i madh i kafeneve – rreth 100 – në një qytet që ka rreth 200 mijë banorë.

According to the Gastronomic Society of Pristina, there are more than 100 cafes in a city of just 200,000 people (Credit: Credit: dpa picture alliance/Alamy)

Përmendorja e kohës komuniste afër ndërtesës së Komunës së Prishtinës, Monumenti “NEWBORN” dhe monumenti “HEROINAT”, janë të radhës që kanë rënë në syrin e saj.

Objektet e larta fetare të kohërave të vjetra dhe shtatoret e larta te heronjve kombëtarë, por edhe figurave tjera me peshë ndërkombëtare si ajo e Bill Clinton, zënë vend në tekstin e publikuar në BBC.

Pristina features a number of monuments to and streets named for American politicians, including Bill Clinton (Credit: Credit: Christian Kober 1/Alamy)

“Ne ndoshta kemi statujën më të shëmtuar në botë të Bill Clinton” citohet kryetari i komunës Shpend Ahmeti kur ka folur për Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa vitin e kaluar.

“Gruaja e tij Hillary kur përuroi atë tja:  ‘Nuk duket se është burri im”.

Në tekst është përmendur edhe mosfurnizimi i vazhdueshëm më ujë, por që në fund Huso gjithçka ka përmbyllur me fjalët: “Padyshim se Prishtina nuk i ngjan as Parisit as Romës. Por, për shkak të së kaluarës së rëndë do të gjeni njerëz që marrin veten shpejt dhe një kryeqytet që është gati ta shkruajë kapitullin e tij të radhës”.

“Kjo është e bukura e pamohueshme”. / KultPlus.com

Hollywood jep lamtumirën Luke Perry-t: Je një shpirt i fuqishëm, që ke lënë shenjë

Pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur të Beverly Hills, kolegët e tij shprehin mesazhet e tyre të lamtumirës. Ata e vlerësojnë si një njeri me personalitet e ndjeshmëri të lartë dhe profesionist si rrallëkush

Anila Dedaj

Kanë qenë të shumtë mesazhet për Luke Perry, Dylan McKay të “Beverly Hills 90210” të ndarë dje nga jeta, por njëri në veçanti përmbledh më mirë atë që ishte personaliteti i Luke, që kushdo që e ka njohur mund të thotë se ishte me të vërtetë një njeri i mirë. Colin Hanks, i biri i Tom, edhe ai aktor, ka treguar një anektodë shumë të veçantë në profilin e tij në Instagram. Bëhet fjalë për një eksperiencë të drejtpërdrejtë të pasur gjatë një udhëtimi me të në të njëjtin avion. “Hanks dhe bashkëshortja e tij ishin në një avion duke u kthyer nga Meksiko, kur dy fëmijë, dy vëllezër nisën të qanin: “Nga vendet e klasit të parë vjen ky burrë i gjatë, me mjekër dhe kapele – ka shkruar në statusin e tij – mori dy tullumbace, i fryu dhe u ul në gjunjë përpara fëmijëve dhe ua dha. Ato ndaluan menjëherë së qari, dhe i gjithë avioni e duartrokiti këtë gjest. Pasi e vëzhgova mirë, vura re se bëhej fjalë për Luke Perry – kujton Colin Hanks – kështu iu afrova dhe patëm mundësi të flisnim. Më rrëfeu se të mbaje me vete dy tullumbace është një truk që përdor gjithmonë kur udhëton, pikërisht për të qetësuar fëmijët që bërtasin”. Një episod ky që tregon shumë për Luke Perry të ndarë nga jeta në moshën 52-vjeçare e që do t’u mungojë shumë fansave të tij rreth e përqark botës.

Ian Ziering: Shpresoj që Zoti të të rezervojë një vend afër tij, pasi ti e meriton!

Pas ndarjes nga jeta të aktorit simbol të viteve ’90, CNN ka përcjellë disa nga reagimet e kolegëve të tij. Ndër përshëndetjet e para ishte ajo e Ian Ziering, apo të Steve Sanders të Beverly Hills, që përmes rrjeteve sociale ka publikuar një fotografi ku janë së bashku të shoqëruar me një mesazh prekës: “I dashur Luke, do të mbaj të skalitur në kujtimet e bukura që kemi ndarë bashkë gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Uroj që rrugëtimi yt të jetë i pasur me shpirtra të jashtëzakonshëm të atyre që janë larguar para teje, ashtu siç ke bërë ti me ne që kemi mbetur pas. Shpresoj që Zoti të të rezervojë një vend afër tij, pasi ti e meriton”.

Shannen Doherty: Zemra ime është thyer!

“Jam e shokuar, më është thyer zemra. Jam e dërrmuar për humbjen e mikut tim”, është shprehur për “People” Shannen Doherty, e cila ishte një nga të parat që përshëndeti Luke me një mesazh sapo u përhap lajmi. “Kam kaq shumë kujtime nga Luke që më bëjnë të buzëqesh, dhe që kanë mbërthyer zemrën dhe mendjen time”.  Mandej, kolegia kujton, se i kishte qëndruar shumë pranë gjatë diagnostikimit me kancer. “Luke ishte një njeri shumë inteligjent, i heshtur, fisnik dhe kompleks, me një zemër të artë dhe me një integritet dhe dashuri të pafundme”, vijon aktorja, duke treguar se lidhja me të me kohën ishte forcuar edhe më. Një miqësi e lindur në shesh të xhirimeve, që kur kanë qenë të rinj, e që nuk do të përfundojë kurrë, ashtu siç ka ndodhur edhe me kolegët e tjerë në kast. Ndër të tjera, Luke ua kishte thënë menjëherë edhe aktorëve të “Riverdale”, ashtu siç ka nënvizuar produksioni i serialit nëpërmjet rrjeteve sociale pas lajmit të ndarjes nga jeta të aktorit: “Personazhet tuaja do t’ju shoqërojnë përgjithmonë, ashtu si edhe miqësitë”.

Leonardo DiCaprio: Ishte nder për mua të punoja me Luke Perry-n!

Ndër të tjerë miq që patën mundësi ta njihnin e të punonin me të është edhe aktorja amerikane Gabrielle Carteris, e cila ka ndarë kujtimin e saj në Twitter: “I dashur Luke, jam e dërrmuar dhe pa fjalë. Ti, miku im, je një shpirt i fuqishëm dhe ke lënë shenjë”.

Aktori kanadez Jason Priestley ka shkruar “faleminderit” dhe ka shpërndarë një “tweet” të gazetarit të Entertainment Tonight Canada” Roz Ëeston me një intervistë të 2013-ës duke komentuar: “Luke do të mbetet përgjithmonë tipi më simpatik, i sjellshëm dhe tërheqës që unë kam njohur”.

Mandej ngushëllimin e tij e ka dhënë edhe Leonardo DiCaprio, me të cilin Perry ka recituar në “Once Upon a Time in Hollywood,  filmi i ri i Quentin Tarantino, që do të jetë i fundit që do të shohim nga aktori: “Luke Perry ka qenë një artist tepër i sjellshëm dhe me një talent të pabesueshëm. Ka qenë një nder për mua të punoja me të”.

“Riverdale” ndalon xhirimet pas ndarjes nga jeta të Luke

Në ndër të aktorit Luke Perry “Reverdale” ka ndalur xhirimet. Në këtë serial aktori ishte Fred Andrews,babai i një nga personazheve kryesorë Archie Andrews të interpretuar nga KJ Apa. Produksioni ka vendosur që të ndalë xhirimet për një ditë, kështu që i gjithë kasti të kishte mundësi të kujtojë ashtu siç e meriton kolegun si dhe të kishte një moment reflektimi.  “Jemi shumë të shokuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të Luke Perry-t – ka shkruar produksioni i “”Riverdale”, një anëtar i dashur i seralit që kishte gjithçka që duhet të ketë një njeri i mirë: i ndjeshëm në mënyrë të pabesueshme, një profesionist i madh me një zemër gjigante, një mik i vërtetë për të gjithë. Një figurë prindërore dhe një mentor për pjesën më të re të kastit. Luke ishte bujar dhe shpërndante dashuri dhe sjellje të mirë”. / KultPlus.com

“CultureTrip”: Riviera shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit

Ballkani është ende një destinacion i paprekur në Europë, i cili është kryesisht i pa eksploruar nga të huajt, shkruan CultureTrip.

Ky cep në juglindje të Europës ka shumë “letra të fshehura nën mëngët të saj”, duke përfshirë ide romantike “për arratisje” në qytete të përsosur për çifte, liqene dhe hotele.

Nëse dëshironi të zbuloni një destinacion të ri dhe t’i keni pushimet tuaja romantike të përballueshme, CultureTrip ka renditur rivierën shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit.

”Riviera shqiptare ende është e panjohur për të huajt, por me ujin e saj bru, plazhet e pacenuar dhe limanet, është një vend i përkryer për një largim romantik të përballueshëm. Mënyra më e mirë për të eksploruar është të marrësh me qira një makinë dhe të vozisësh vetëm përgjatë bregut, kudo që të ndalosh do të ndeshësh një plazh të egër shkëmbor. Vetë Shqipëria është një gur i çmuar për eksploruesit e vërtetë, i përshtatshëm për ata çifte që kanë nevojë për diçka më shumë se një plazh dhe një koktej”, shkruan CultureTrip.

Riviera shqiptare renditet si destinacion romantik mes vendeve si Dubrovniku, Kroaci, Santorini Greqi, Liqeni Bled, Slloveni etj. /j.p/ KultPlus.com

Margariti: Shumë pranë ngritjes së Muzeut Kombëtar të Hebrenjve

Ministrja e Kulturës Elva Margariti pati një takim të veçantë me veprimtaren e shquar të diasporës shqiptare në Izrael, Felicita Jakoel, fituese e Shqiponjës së Artë në Samitin e Diasporës dhe Ambasadore e Diasporës dhe juristin Agron Alibali për një histori unike, për një popull që shpëtoi falë të drejtës zakonore shqiptare të quajtur BESA apo më bukur akoma “N’dorën tande” si thirrje e ardhur nga Qielli.

”Diskutuam për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, një nga inspektimet e mia të para në zonën e Qendrës Historike, Vlorë, e cila po ndryshon nga dita në ditë. Ministria e Kulturës mbetet e angazhuar në një mbështetje institucionale për këto nisma që evokojnë përvojën thuajse unikale të shqiptarëve për shpëtimin dhe ruajtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Me juristin Agron Alibali diskutuam për nismën private dhe të pavarur të një grupi aktivistësh shqiptaro-hebraiko-amerikanë për kthimin në atdhe të trashëgimisë bibliotekare dhe arkivore të albanologut të shquar, Norbert Jokl”, u shpreh ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë takim.

”Ka ardhur koha të vendosim në vend amanetet. Amanete që na mbërrijnë nga veprimtarja e shquar, Johanna Gerechter Neumann, familja e së cilës erdhi në Shqipëri pikërisht 80 vjet më parë dhe ishte një nga mijëra familjet hebre të shpëtuara. Trashëgimia e Joklit në tërësi ende mbetet e pakthyer”, tha Margariti.

”Jemi vetëm në fillim të punës, por me veprimtare si Znj, Jakoel Kryetare e Shoqatës Izrael-Shqipëri, e cila ka folur në qindra aktivitete në mbarë botën për rolin e Shqipërisë gjatë Holokaustit jemi shumëpranë ngritjes së Muzeut Unikal të Hebrenjve në Shqipëri”, përfundoi ministria e Kulturës Elva Margariti./A.T.SH./ KultPlus.com

Arkitekti Arata Isozaki shpallet fitues i çmimit Pritzker

Arata Isozaki është shpallur fitues i çmimit prestigjioz për arkitekturë, “Pritzker”.

Isozaki merret me këtë profesion që nga 1960-tat , dhe është konsideruar vizionar i arkitekturës për qasjen e tij transkombëtare dhe patrembshëm futuriste ndaj dizajnit, shkruan Arch Daily.

100 ndërtesa janë krijuar falë punës së tij, dhe Isozaki njihet si arkitekt me ndikim tek bashkëkohësite vet.

Ai është arkitekti i 49-të gjithsej, dhe i teti nga Japonia që e pranon këtë çmim.

“…në kërkimin e tij për arkitekturë të kuptimtë, ai krijoi ndërtesa të cilësisë së madhe që edhe sot i sfidojnë kategorizimet, e reflektojnë evoluimin e tij konstant dhe janë gjithmonë të freskëta për nga qasja”, janë fjalët me të cilat juria ia ndanë çmimin atij.


Televizioni publik holandez me reportazh për Prishtinën dhe Prizrenin

Televizioni publik holandez NPO3 ka publikuar një reportazh nga Kosova, në veçanti Prishtinën dhe Prizrenin, si vende që duhet vizituar nga turistët holandezë.

Kosova është një vend ideal për ata që e duan aventurën. Gryka e Rugovës ofron këtë mundësi, nëse s’keni frikë sigurisht, përcjell albinfo.ch.

Prishtina ofron shumë mundësi, si për jetën e ditës, ashtu edhe atë të natës. Televizioni holandez tregon edhe për statujën e Bill Clintonit, ish-presidentit amerikan që kontribuoi për Pavarësinë e Kosovës.

Mosha mesatare në vend është 26 vjet, ku jeta e natës është shumë e gjallë, por edhe e lirë, përcjell tutje albinfo.ch.

1.5 orë larg nga Prishtina është Prizreni. Qyteti ku shumica janë myslimanë dhe ka shumë xhami.

Prizreni është gjithashtu kryeqyteti kulturor i Kosovës. Gjatë verës organizohet “DokuFest”, ku gjithashtu sjell shumë turistë të huaj.

Ferdi Limani, ekspozitë dhe bisedë në ‘Project Space’

Ferdi Limani, me 6 mars vjen me ekspozitë digjitale dhe bisedë në Prishtinë.

Pas studimeve të gazetarisë, Ferdi Limani filloi të punojë për gazetat ditore në Kosovë dhe bashkëpunoi me agjenci të ndryshme ndërkombëtare.

Pas studimeve të gazetarisë, Ferdi Limani filloi të punojë për gazetat ditore në Kosovë dhe bashkëpunoi me agjenci të ndryshme ndërkombëtare.

Puna e tij mori tjetër kahje kur u ngarkua ta dokumentoj deklaratën e pavarësisë. Ai do të sjell fotografi të pa publikuara më parë të asaj ngjarje. Po ashtu fotografi të tjera të realizuara viteve të fundit, në Siri, Ugandë, Francë e po ashtu edhe serinë e fotografive për personat e pagjetur në Kosovë.

Emocioni, përditshmëria e njerëzve që përballen me probleme të ndryshme në vendin ku jetojnë, dhimbja, humbja e shpresa projektohen në fotografitë e Ferdit.
Ai do të shpalosë historitë prapa secilit cikël të fotografive të tij e po ashtu dhe do të flas për përvojat e përjetimet personale që lidhen me udhëtimet që i ka bërë.

Ferdi për herë të parë prezanton fotografitë e tij para publikut kosovar në “Project Space”. Kjo ekspozitë e tij digjitale përcillet me një bisedë intime e rrëfime që ai do t’i ndaj me ne. Emocioni, përditshmëria e njerëzve që përballen me probleme të ndryshme në vendin ku jetojnë, dhimbja, humbja e shpresa projektohen në fotografitë e Ferdit.

Ai do të shpalosë historitë prapa secilit cikël të fotografive të tij e po ashtu dhe do të flas për përvojat e përjetimet personale që lidhen me udhëtimet që i ka bërë.

Ferdi për herë të parë prezanton fotografitë e tij para publikut kosovar në “Project Space”. Kjo ekspozitë e tij digjitale përcillet me një bisedë intime e rrëfime që ai do t’i ndaj me ne.