Gjuha zyrtare serbe ndaj shqiptarëve, tragjike apo diç përtej?

Arben I. Kastrati

Sa shumë energji shpenzojmë për mërinë dhe me sa pasion e trajtojmë atë. Ne nuk kemi prurje ideshë dhe nuk debatojmë me argumente. Ne vetëm garojmë se kush ofendon më shumë. Dhe kush është më i ofenduari.

Nuk e kuptoj dëshirën e përhershme serbe për armiqësi me shqiptarët. Nuk e kuptoj kënaqësinë që serbëve u dhuron ofendim. Ashtu siç nuk e kuptoj “superioritetin’ zyrtar serb, që vazhdon t’a ofendoj një popull që ka kohë që e ka humbur kompleksin e inferioritetit.

Kryeministrja e Serbisë, në dekaratën e saj acidike dhe skajshmërisht fyese, kishte përmbledhur në vetvete të gjitha llojet dhe mënyrat ekzistuese të urrejtjes për shqiptarët. Kjo deklaratë, ngjanë e ardhur jo nga një kryeministre e një “vendi demokratik”, por nga një asistente e djallit.

Por, kur Znj. Brnabic, flet në cilësinë e Kryeministres, e që kryesisht deklaratat politike janë mendime të kursyera nga sinqertiteti, ç’mendim kanë Serbët e rëndomtë për Shqiptarët?!!!!

Për herë të parë, nuk kam ndjerë asgjë. Në vend se të ndjeja hidhërim, ndjeva mëshirë për popullin serb. Kaq vite pas, ata nuk arrijnë t’i tejkalojnë dëftimet e trilluara! Ngelen peng të mitologjisë. Serbia, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për çmitizues. Kosova nuk mund të jetë vetëm serbe ose e vdekur.

Është e turpshme se ç’urretje mund të prodhoj Kryeministrja e një “vendi demokratik”, dhe ç’lavde i thurri populli i saj për këtë “vepër heroike”. Znj. Brnabic, me deklaratën e saj, ka zgjuar të gjithë demonët, duke zyrtarizuar rikthimin në “kosmet-mitologjinë e përhershme serbe”. Në atë të shkuar, ferri ishte i zbrazur, sepse të gjithë djajtë ishin këtu.

Me deklaratën e saj, i detyroi ata që deshën t’a harrojnë të shkuarën (për hirë të së ardhmes), që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Znj. Brnabic, e udhëhequr nga “Filozofia e Pallankës”, çimentoi vazhdimin e urrejtjes me pasion. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë kohë, mund dhe imagjinatë duke projektuar asgjësimin e njëri tjetrit.

Mendimet tona të sinqerta për njëri tjetrin sollën luftrat e së shkuarës.  Nga deklaratat e Kryeministres së Serbisë, që sollën kënaqësi dhe urrejtje njëkohësisht, perspektiva jonë duket e largët. Deklaratat e Kryeministres së Serbisë, shkojnë përtej tragjikes. Njëzetë vite pas, realiteti mbetet ende i hidhur. Dhe serbët të njëjtë.

“Europa nuk i ndërron shtetet duke i kërcënuar ti okupoj ato: kërcënimi i tyre më i madh është t’i injoroj” Mark Leamand./KultPlus.com

Raca shqiptare më e bukura në botë

Shkruan: Fahri Xharra

“Kafkat e shqiptarëve e tregojnë racën më superiore të Europë, (Rudolf Virchow). “Prej elementeve të ndryshme të popullsisë, asnjë nuk tregon tipare më karakteristike se shqiptarët, një racë që shfaq kapacitetin kafkor më të madh në Europë. Kafkat e shqiptareve tregojnë racën më superiore të Europës.

Ndërkohë, aq i bindur ishte Virchow në lidhje me përgjigjet shkencore për racën shqiptare, saqë i drejtohet Kongresit të Berlinit që të ruante këtë racë të rrallë. Atë, nuk e dëgjuan. Natyrisht që Shqipëria u copëtua si mos më keq. Shkenca para politikës (interesave, pazareve) është thuajse gjithmonë e zhvleftësuar. Po kaq vlerë kishte edhe drejtësia e Fuqive të Mëdha. Do të ishte me shumë interes për publikun shqiptar të dinte kumtesën e mbajtur nga Virchow në lidhje me racën shqiptare dhe përpjekjet që ai ka bërë për vlerësimin tonë, nga Kongresi i Berlinit, si racë me tipare të veçanta. Por profesori i ditur, nuk ishte i vetmi që i shikonte shqiptarët si një racë tejet të lashtë”.

Shkenca para politikës (interesave, pazareve) është thuajse gjithmonë e zhvleftësuar. . (Albert Hitoaliaj )

Por sidoqoftë në Parlamentin e Anglisë diskutohej:“Joseph Cowen: Besoj se qëllimi i anijeve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t’u kallin frikën turqve. Po sikur të mos i zërë frika Turqit? Çdo të bëhet atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdoret për të djegur a për të shkatërruar kasollet e gjahtarëve, peshkatarëve ose barinjve shqiptarë të Ulqinit? Për këtë qëllim të poshtër do të përdoret fuqia e Britanisë? Për fitim të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për fitim të malazezëve… Malazezët janë rrethuar prej një populli tjetër, i cili është aq trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në brymë të kohës. Shqiptarët janë më i vjetri komb i Lindjes. Ishin atje më parë se grekët e vjetër. Shqiptarët kanë legjenda, gjuhë e karakteristika të veçanta të tyre. Kanë ca cilësi që ndryshojnë fare nga ato të malazezëve, po janë aq trima sa ata dhe dashuria e tyre për liri, as u vu as mund të vihet në dyshim. Plani i fuqive të mëdha është të marrin një copë të Shqipërisë dhe t’ia japin Malit të Zi, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u marrë atyre leje. ( Përmbledhur nga Kristo Frasheri 1961)

Jemi apo nuk jemi? Sa e vlerësojmë vetveten? Pse sot jemi aq të pa kurriz?

Në vitin 1915, pas ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare, Shqipëria kërcënohej sërish nga një copëtim i ri. Ishte viti i Traktatit të fshehtë të Londrës. Në këtë vit, Faik bej Konica, intelektuali i njohur shqiptar, ngre zërin për padrejtësitë e radhës që po bëheshin ndaj shqiptarëve. Në atë kohë ai ndodhej në Lozanë, Zvicër. Më 12 nëntor 1915, duke i dërguar një letër të hapur, zotit Hans Delbruck, (këshilltar i afërt i qeverisë, profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit), Në këtë këtë letër të Konicës, është se ndër të tjerë ai i referohet edhe Virchow-t, për t’i treguar profesorit gjerman, Hans Delbruck, tiparet e kombit shqiptar. Ja seç shkruan ndër të tjera Faik bej Konica:

“…mund t’ju vë në dijeni për ekzistencën e një traktati bullgaro-grek për ndarjen e Shqipërisë, traktat i sugjeruar, miratuar, vulosur dhe garantuar nga Gjermania. Për këtë arsye, marr guximin t’ju drejtoj, i lutur nga bashkatdhetarët e mi një pyetje: “Si do të arrini ju të pajtoni deklaratën tuaj me planin brutal të copëtimit të Shqipërisë?”

….Ja një vend, ja një popull që hyn në kategorinë e “kombësive të vogla” dhe që do të meritonte, në mënyrë të veçantë, mirësinë dhe vlerësimin tuaj. A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan? A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore? A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që shqiptari dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”

Që profesor Virchow ishte një prej emrave më të shquar të shkencëtarëve të kohës, vihet re lehtë. Këtë ide e përforcon edhe më tepër Blowitz në artikullin e tij. Duket se ky emër i famshëm kishte bërë që artikulli i Blowitz, të botohej, në të njëjtën kohë me Times, edhe në cepin më të largët të botës, në Zelandën e Re (“Dr. Virchow on skulls”, New Zealand 22 November 1878) Ja se si e përshkruan Blowitz-i takimin në shtëpinë e profesorit Virchow:

“Në muzeun e tij në vitin 1878, gjatë kohës që po mbahej Kongresi i madh në Berlin, të nesërmen e luftës ruso-turke, (shënim, A. Hitoaliaj) kur po flitej për racat e ndryshme të Ballkanit, doktori dijetar (Profesori Virchow) u ngrit papritur: “Shikoni! – tha ai. Ja raca me të vërtetë superiore e këtyre vendeve. Shikojini këta!” Përpara na vuri tri kafka me një konformacion të barabartë. “Njëri nga kolegët e tu më ka dërguar të parën, pastaj shtiva në dorë dy të tjerat. Janë kafka shqiptarësh të vrarë nga turqit. Vështrojini me kujdes! A s’janë të bukura?! A s’janë madhështore?!”

Aq të njohura ishin bërë për kohën pohimet e Virchow-it, saqë kishte raste kur merreshin si treguese krahasuese të superioritetit. Qëllimet se përse bëheshin këto krahasime nuk janë më të rëndësishme sesa fakti që i referoheshin shkencës antropologjike si element i pakundërshtueshëm. Këtyre krahasimeve nuk iu shmang as poeti kombëtar më i madh rumun, Mihai Eminesku: “Raca e pastër shqiptare, e para nga perandoria e lashtë e Lindjes”

Raca shqiptare nuk ka nxjerrë vetëm burra të pushkës,por edhe njerëz të mendjes e të shpirtit, filozofë, ligjvënës, burra shteti, shkencëtarë, letrarë, dijetarë, poetë e artiste të mëdhenj. Numrit të njerëzve të dëgjuar, që njihen si Shqiptarë, duhet t’i shtohet një numër tjetër shumë m’i i madh të panjohurish, që janë mbajtur si pjellë e ndonjë populli tjetër dhe që ne nuk ua dimë emrat.

E kemi edhe profesorin Stillman (antropolog i njohur gjerman), i cili në kujtimet e tij për takimet me Z. Virchow në lidhje me studimet e racës shqiptare. Ai përmend një bisedë që ka bërë me profesor Virchow në lidhje me Pellazgët dhe nisur nga kjo i dërgon atij kafkat e shqiptarëve. Nuk duhet shumë mprehtësi për të kuptuar se raca pellazgjike për të cilën Stillman kishte biseduar dikur me profesorin ishin pikërisht shqiptarët. Në të kundërt përse do përmendte këtë gjë kur synonte të shtinte në dorë kafkën e shqiptarit? (A.H)

fahriu“Mbledhjen e kësaj lëndeje, lëndës së racës ne nuk duhet ta kërkojmë prej të huajt, por prej vetë Shqiptarëve… Për të zbuluar origjinën tonë dhe për të njohur vetveten duhet t’i kushtojmë kujdesin e duhur studimit të racës, që do të kishte për rendësi të barabartë,në mos më të madhe me studimin e gjuhës e të historisë ( Jakov Milaj1911-1997) Kontributin që kjo race i ka sjellë botës, në përpjesim më numrin e me kushtet në të cilat ka jetuar,nuk e vë prapa racave të tjera fqinje. Tregon, përkundrazi,se paja shpirtërore e sajë është e madhe dhe e shumanshme.”

Duke e pasur një vetvete me një pajë shpirtërore të madhe dhe të shumanshme, si mundemi të luftojmë që ta shëmtojmë vetveten. “Popujt që kanë patur të bëjnë me Ilirët gjatë shekujve kanë qenë kolonizatorë, pushtues ushtarakë ose imigrantë endacakë. Këta nuk kanë patur kontakt të barabartë me të gjithë turmën ilirike të përhapur në një trevë kaq të madhe. Por,ndërsa,ndrydhja e tyre ka qenë më forte për disa fise e vise,ka qenë shumë me dobët ose nuk është ndier aspak nder fise e vise të tjera. Disa nga këta popuj,nuk kanë lënë gjurmë veçse në qytetërim: kurse disa të tjerë kanë lënë shumë gjak ndër fiset e pushtuara. Vetëm ai grup i Ilirëve që më vonë u quajt me emrin Shqiptar, qëndroi m’i pastërti dhe, me gjithë se e ndjeu mjaft ndikesën e qytetërimit të huaj, mbeti gati krejt i paprekur për nga raca.” Kështu pra na e shpjegon Jakov Milaj racën shqiptare./KultPlus.com

“Racizmi është sëmundje e çuditshme: prek të bardhët dhe vret të zinjtë”

Disa që shkruan për racizmin:

“Nëse popujt do të njiheshin më mirë, do të urreheshin më shumë.” – Ennio Flaiano

“Të gjithë jemi jugu i dikujt tjetër.” – Luciano De Crescenzo

“Racizmi është sëmundje e çuditshme: prek të bardhët dhe vret të zinjtë.” – Alberto Cottin

“Racizmi do të mbarojë kur të mund t’i ofendojmë të zinjtë njësoj si të bardhët.” – Michele Serra

“Racizëm: urrejtja maksimale për arsyen minimale.” – Abraham Heschel

“Deri kur ngjyra e lëkurës do të jetë më e rëndësishme se ngjyra e syve, do të këtë gjithmonë luftë.” – Ernesto Che Guevara

“Njeriu i bardhë ka njohur kryqin përmes Biblës, ndërsa njeriu me ngjyrë e ka njohur Biblën përmes kryqit.” – James Arthur Baldwin/KultPlus.com

Letra e Agollit e vitit 1979: Shoku Ramiz, Kadare është tip i ftohtë!

Në një nga dhomat e Shtëpisë Muze të Kadaresë është edhe njëra në të cilën janë ekspozuar një sërë letërkëmbimesh që lidhen me projektin për të realizuar një film mbi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”…

Një staf kineastësh e aktorësh të shquar, si Michel Piccoli, Luciano Tovoli e Marcello Mastroianni, ishin të interesuar për veprën e shkrimtarit shqiptar. Në një vend të izoluar si Shqipëria, ky ishte një rast i jashtëzakonshëm, por që nuk u shfrytëzua, madje u hapën gjithfarë problemesh. Ismail Kadarenë e ftonin vazhdimisht në Francë, por kjo nuk shihej edhe aq me sy të mirë.

Ndër shumë letrash që mbanin firmën e Manush Myftiut apo vetë Ismail Kadaresë dërguar Ramiz Alisë dhe Mehmet Shehut, është edhe njëra nënshkruar nga Dritëro Aglli, asokohe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që i shkruan Ramiz Alisë, duke shprehur shqetësimin se po anashkalohej LSHA dhe se Kadare po bëhej mospërfillës ndaj kësaj organizate.

Më poshtë janë disa nga letrat.

***

Shoku Ramiz,

Kohët e fundit ka lindur një problem, që tani për tani ndofta nuk përbën ndonjë shqetësim të dukshëm. Megjithatë, meriton vëmendje. Çështja qëndron kështu: Na vjen një njoftim nga Ambasada jonë në Paris nëpërmjet Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, se I. Kadareja është ftuar nga Eskarpiti, shkrimtar dhe miku ynë, për një aktivitet që do të organizohet në Bordo e për punë të tjera.

Që shkon në Francë është një gjë shumë e mirë dhe ne duhet t’i inkurajojmë këto lidhje dhe aktivitete, por mendoj se:

E para, nuk veprohet drejt kur nuk njoftohet Lidhja, sikur kjo të jetë një organizatë e papërfillshme as nga ata që e dërgojnë, as nga ai vetë.

Atëherë, e gjithë kjo organizatë paskësh për detyrë vetëm t’i sigurojë I. Kadaresë veturë për aeroport.

E dyta, duke mos na njoftuar për misionin që shkon, neve na privohet e drejta të bisedojmë me I. Kadarenë për ato botime të tjera që francezët i kërkojnë në rrugë zyrtare: një antologji për poezinë, një përmbledhje tregimesh, ndonjë roman etj.

E treta, çdo njeri në vendin tonë ka një qendër pune të tij dhe bën një veprimtari të organizuar dhe shokët e tij, institucioni apo ndërmarrja duhet ta dinë. Dhe kjo ka të bëjë me mirësjelljen, etikën dhe respektin e vendit zyrtar.

E katërta, ju e dini natyrën e ftohtë të I. Kadaresë. Duke e ditur edhe vetë se për shkuarjen e tij në Francë e gjetiu askush nuk pyetet zyrtarisht në Lidhje, fillon të manifestojë një mospërfillje e të mbajë distancë ndaj kësaj organizate.

Atëherë, largohet nga njerëzit, asnjeri mund të mos pyesë, duke e konsideruar veten të paprekshëm nga kritika Kjo, pastaj, ka pasoja për gjithë unitetin e Lidhjes, pasi ai, me talentin tij, influencon në çdo punë të saj. Unë nuk dua që të fillojnë përsëri thashethemet se gjoja askush nuk pyet Lidhjen kur është fjala për ndonjë apo disa…

Ju e dini se sa kemi vuajtur nga këto përpara Plenumit IV të KQ të Partisë! Prandaj, shoku Ramiz, mendoj se duhet të porositen instancat që i nisin jashtë shtetit I. Kadarenë apo ndonjë tjetër, që zyrtarisht të njoftohet Lidhja dhe t’ia bëjë të njohur të interesuarit, duke kryer veprimet e nevojshme si për çdo anëtar të saj.

Këtë nuk e them i nisur nga ndonjë fyerje, por e theksoj për hir të rregullave të vendosura nga partia, për hir të ruajtjes së unitetit të forcave krijuese, që të mos u lihet rrugë thashethemeve.

Edhe një herë e theksoj, se shkuarja e tij në Francë këtë herë dhe herë të tjera, kur të jetë nevoja, është shumë e frytshme për nderin e kulturës sonë. Por, si çdo rast tjetër, qoftë edhe formalisht, të kalojë nëpërmjet Lidhjes, anëtar i së cilës është.

Me respekt Dritëro Agolli

Tiranë, më 17.3.1979

Arkivi i Shtetit çel dyert për vizitorët


Për “Javën e Arkivave të Hapura”, por edhe për 70-vjetorin e themelimit të Arkivit të Shtetit publiku mund të vizitojë ambientet e këtij institucioni.

Nga data 3 qershor deri më 7 qershor, vizitorët mund të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që është shfaqur rrallë herë në publik.

“Publiku mund të shikojë proceset e punës,që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror, nga sektori i vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimi, digjitalizimi dhe restaurimi i dokumenteve arkivore”, shprehet Elsa Saka, përgjegjëse e promovimit dhe komunikimit në DPA.

Përgjegjësja e promovimit dhe komunikimit në DPA, folu edhe për gjetjen e Vulës së Fermanit e Manastirit të Kamenës, që rezultonte e humbur para 20 ditësh në këtë institucion.

“Edhe kur u gjet vula, në mjediset e publikut. Hetimet po vazhdojnë edhe është në proces hetimi. Nuk ka dalë jashtë arkivit edhe është në proces hetimi. Pasi të zbardhet e gjithë ngjarja do të ketë një njoftim konkret”, thotë Saka.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mund të vizitohet gjatë këtyre ditëve nga të gjitha shkollat dhe universitetet.

Ora e linçimit!

Fermeri mysliman që merrej me produktet e qumështit, i quajtur Rakbar, u vra nga një turmë hinduiste që mendonte se ai po e merrte lopën për ta ther për mish.

Gruaja e Rakbarit, Asmeena, duhet t’i nënshtrohet një idati të fortë (zisë në purdah, që i bie izolim – v.j.) dhe vajza e tyre Sahila është detyruar të braktisë shkollën për t’u kujdesur për familjen.

Ndërkohë që familja po shkatërrohet, makineria e urrejtjes e nacionalistëve djathtistë hinduistë – politikanët dhe turmat e linçeve – po punojnë me të madhe për të legjitimuar vrasjen.

I realizuar në një fshat të largët në Indi, dokumentari “Ora e linçimit” hedh dritë mbi një problem global: komunitetet që kthehen tek “të tjerët” – ndonjëherë me dhunë ekstreme.

Dokumentarin e ditores Guardian, mund ta shihni të plotë në videon e postuar më poshtë. /Telegrafi/

Në Beograd promovohet antologjia e dramës bashkëkohore nga Kosova “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”

Alberina Haxhijaj

Dita e tretë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” filloi me debatin dhe promovimin e antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater”, shkruan KultPlus.

“One flew over Kosovo theater” është një koleksion i dramave të përzgjedhura nga autorë shqiptarë nga Kosova, të realizuara qysh nga periudha e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi më 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008. Gjatë kësaj periudhe, rruga e gjatë drejt pavarësisë është përshkruar, nga bojkoti civil deri në rezistencën e armatosur nën regjimin shtypës intensiv të Sllobodan Millosheviq, pasuar nga përdorimi i taktikave diplomatike.

Në këtë antologji janë botuar dramat: “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj, “Gishti”nga Doruntina Basha, “Bodrumi” nga Ilir Gjocaj, “Vrasja e një mushkonjë” nga Xhevdet Bajraj, si dhe “Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha.

Në promovim të kësaj antologjie në Beograd i pranishëm ishte edhe vet Krusha i cili theksoi rëndësinë që ka ky festival pasi që ofron mundësi bashkëpunimi në mes të shkrimtarëve dhe artistëve nga këto dy vende.

“Unë jam kthy në Kosovë nga mesi i qershorit në vitin 1999 dhe kemi fillu në shtator me u mbledh studentë. Atëherë kam qenë në vitin e katër dhe si rezultat i studimeve më është dashur të shkruaj një temë diplome kështu që atëherë ka ardhur si ide prej profesorit që të shkruaj diçka për gjithë atë hallakamë që po ndodhte. Edhe sot pas 20 viteve e kam shumë problem me shkru prapë për përjetimet e asaj periudhe. Ideja për dramë ka ardhur përmes serialit ‘Alo-Alo” ku situata e atëhershme kthehej në një mënyrë më komike”, tha ai.

Krusha theksoi se e kishte më të lehtë të krijonte situata komike në atë kohë sesa të mendonte seriozisht pasi që sipas tij ishte e vështirë të mendoje seriozisht dhe të sillje një dramë me kontekst më serioz. Drama “Kafeneja në udhëkryq” është inskenuar më parë në Teatrin Kombëtar të Shkupit.

Krusha po ashtu tregoi edhe për situatën e skenës teatrore në Kosovë dhe sipas tij një nga problemet kryesore është problemi financiar i cili nuk do të duhej që të ekziston në mënyrë që artistë dhe personat të cilët krijojnë shfaqje të merren me çështje të krijimit dhe jo  me probleme të tilla themelore, në mesin e të cilëve është edhe struktura ligjore.

Shkrimtarja dhe aktivistja Ana Iskoviq u shpreh se është interesante sesi teatri është një tregues i asaj që po ndodh dhe i asaj që do të ndodh. Sipas saj kjo arrihet që të shihet edhe nëse analizohet repertori i teatrit edhe në Serbi më parë kur në fokus ishte ndjena kombëtare.

“Sa i përket dramave në këtë antologji ajo që është fasionuese në lidhje me to është drejtpërdrejtësia që shihet në këto drama”, theksoi ajo. IIskovic po ashtu bisedoi edhe për situatën e skenës teatrore në serbi.  I pranishëm ishte edhe regjisori serb Stevan Bodroza i cili bisedoi për bashkëpunimet e tij me regjisorë shqiptarë dhe rëndësinë që kanë bashkëpunimet e tilla.

Dramat e botuara janë përzgjedhur nga Jeton Neziraj dhe Saša Ilić. Libri u krijua si pjesë e shkëmbimit letrar midis skenës serbe dhe asaj të pavarur të Kosovës, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar POLIP, i cili që nga viti 2010 është organizuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina dhe LINKS nga Beogradi. / KultPlus.com

Përurohet shtëpia muze e Katarina Josipit

Në fshatin Zym të Prizrenit, është bërë përurimi i shtëpisë muze të aktores së madhe dhe ikonike të Kosovës, Katarina Josipi, projekt në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka investuar rreth 50 mijë euro, e cila është një monument i trashëgimisë kulturore në Zym të Prizrenit dhe që i kategorisë arkitekturore.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe ministri Kujtim Gashi e cili e vlerësoi se gradualisht fshati Zym po shndërrohet në një pikë turistike të Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë që të marrim pjesë në një fshat të veçantë të Kosovës, i cili trajtohet me një ligj të veçantë, Ligji për fshatin Zym dhe pa dyshim që përkushtimi i jonë për këtë vendbanim të rëndësisë së veçantë dhe të trashëgimisë kulturore por edhe i imi si ministër është tejet i rëndësishëm. Edhe më herët disa ministra janë marrë me këtë projekt, i cili është stërzgjatur shumë. Ne, duke pas parasysh rëndësinë dhe specifikat që ka pasur ky projekt, natyrisht që është dashtë një punë e madhe dhe përkushtim për ndryshim brenda projektit”, tha ministri.

“Mbi të gjitha këtë objekt ia dedikoj një njeriut që ka punuar shumë për këtë projekt, Fikret Tekvesh, i cili nuk është më mes nesh, i cili me përkushtim të madh është angazhuar në këtë projekt. Ua uroj të gjithëve këtë projekt, sidomos qytetarëve të Zymit”, ka thënë Gashi.

“Fshati Zym tashmë po kthehet në qendër turistike. Po besoj që jemi në rrugë të mirë me ngrit edhe shtatoren e Pjetër Bogdanit. Edhe për ekspozitën sepse do të jemi prapë këtu, është fazë tjetër besoj shumë shpejtë do ta kemi dhe do të jemi prapë bashkë”, tha Gashi.

Nikollë Dura, familjar i Katarina Josipit, tha se e ka mirëpritur këtë projekt edhe pse e ka quajtur si të vonuar.

“I falënderojë të gjithë, posaçërisht ministrin. I përshëndes edhe shumë ministra të tjerë, 5 janë ndërruar deri këtu, ju e keni tash nderin më të madhin. Ma ne fund na erdhi puna për tu falënderuar për të gjitha që keni bërë edhe pse pak me vonesë nuk më ka penguar mua pse jemi vonuar”, ka thënë Dura.

Kafu flet për racizmin: Për çdo ditë ballafaqohemi me racizëm

Bajram Kafu Kinolli është një ndër këngëtarët më të suksesshëm kosovarë, i cili me muzikën e tij ka bërë që të prezantohet me koncerte edhe në shumë shtete evropiane. Me Kafun kemi biseduar për racizmin, për përvojën e tij si fëmijë, për periudhën e pasluftës, por edhe për ditët e sotme. Kafu në këtë intervistë të dhënë për KultPlus ka thënë se racizmi është shumë i shprehur në Kosovë, dhe kjo vjen si pasojë e mosedukimit të mirë në familjet kosovare.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Tash e dy herë është duke u sulmuar një grua nga komuniteti rom, njëherë në Lipjan dhe tash në Ferizaj, cili është reagimi i juaj mbi këtë dhunë, e vlerësoni racizëm, apo sulm nga grupe të rrugëve që janë ndikuar nga mediet?

Bajram Kafu Kinolli: Çka ka rëndësi nga cili komunitet është ajo grua! Ne duhet ta perceptojmë se në këtë rast është sulmuar një grua, se nëse bëjmë keso ndasi racore, shumë keq për ne! Sulmet e tilla duhet të dënohen shumë rënd! Nuk mendoj që veç një lajm i rrem mund të ndikojë që një racist ta rrafë dikend publikisht. Ky mllef vjen nga injoranca dhe kultura familjare në gjithë Kosovën.  E dijmë shumë mirë që racizmi në Kosovë është mjaftë i theksuar, dhe mendoj se  99% e njerëzve shfaqin racizëm, dhe është për të ardhur keq që kjo nuk vjen vetëm prej të moshuarve, por edhe nga të rinjtë.

KultPlus: Ju jeni një ndër këngëtarët e sukssesshëm në Kosovë dhe me gjerë, por racizmin si fëmijë padyshim që e keni përjetuar, a mund të na tregoni kur ka qenë situata më e rëndë kur jeni ballafaquar me këtë fenomen?

Bajram Kafu Kinolli: Jo që jam ballafaquar, por edhe sot për çdo ditë  ballafaqohem! Gjithmonë ka qenë po kjo situatë dhe nuk di qysh do të  zgjidhet ky problem, apo edhe racistët ndoshta duhet dënuar brutalisht. Sikurse shqiptarët, edhe nga komuniteti rom janë vrarë në luftë, por neve na vranë edhe pas lufte. E këtë e dijnë të gjithë, por kurrë nuk figurojmë, as në statistika. Dhe shtrohet pyetja pse, ndoshta nuk ka se kush e mbron komunitetin rom, apo thjeshtë, vetëm nuk i kanë regjistruar në lista. Ne jemi dëshmitarë se shumë rom të Kosovës janë dëbuar në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni, por edhe për këtë çështje nuk e ngre zërin askush. Edhe ky fenomen është një pjesë e historisë së dhunës. Pastaj, shumë shpesh kam dëgjuar aso komente se “romët kanë qenë me serb”, kjo është njësoj kur provon me e la mu… me shu..(thenie e njohur popullore)

KultPlus: Na trego për fëmijërinë tuaj, cili ka qenë raporti me fëmijët shqiptarë, dhe çfarë qasje kanë pasë ata në raport me ty?

Bajram Kafu Kinolli: Fëmijëria ime ka qenë si e  gjithë fëmijëve tjerë,  sepse si të vegjël nuk kemi ditë të gjykojmë, edhe pse, tash e di që ka pas shumë ndarje, racizëm. Por këtë fakt, unë thjeshtë e kam kuptuar shumë vonë. Por atëherë, si fëmijë, më shumë më ka preukopu varfëria se sa racizmi.

KultPlus: Të kanë rrahur si fëmijë, pikërisht për faktin se jeni nga komuniteti rom?

Bajram Kafu Kinolli: Po, ka pasë raste kur na kanë rrahur për këtë fakt, por edhe sot vazhdon të jetë i njëjti fenomen. Dhe ne nuk na kanë rrahur vetëm fëmijët, por edhe të mëdhenjtë, edhe profesorët. Dhuna në shoqërinë tonë është problem kyç,  dhe vjen për shkak  të komunikimit jo të mirë në familje.

KultPlus: E mendoni se racizimi ka qenë më i theksuar para apo pas luftës në Kosovë?

Bajram Kafu Kinolli: Mund të flas vetëm për periudhën e pas luftës, sepse mendoj që kam më shumë të drejtë të flas për këtë periudhë. Ka racizëm, bile edhe shumë,  në çdo skaj të kësaj shoqërie,  në çdo të dytën fjalë,  çdo lajm,  çdo këngë,  çdo libër! Dhe është një situatë për të ardhë keq, dhe një situatë e tillë nuk është vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin.

KultPlus: Ju jeni angazhuar shpejt nëpër organizata të ndryshme dhe jeta juaj duket të jetë më e lehtë për dallim nga shumë qytetarë të komuniteti rom, a mendon se shteti është duke bërë mjaftueshëm për integrimin e  tyre?

Bajram Kafu Kinolli: Shtetin e bejnë njerëzit! Kjo përgjegjësi më shumë bie mbi barrën e qytetarëve,  ata duhet së paku ta kujtojnë se agresorin e kemi pasë pranë për 100 vjet, dhe tash,  po shumica e kësaj kohe po bëhet agresorë i ditëve të sotme. Marre.

KultPlus: Sidomos në Prishtinë, supozohet se shoqëria ka ndryshuar sa i përket qasjes me racizmin, e ndjen si të vërtetë, apo është një lloj maske që të paraqitet nga  njerëzit që duan të tregohen më të civilizuar?

Kafu: Prishtina ka pasë afro 5000 romë! Ku janë tash ata? Cfarë ndryshimi??? Veç pse nuk përballen për çdo ditë me ta të mendojmë se ka ndryshim, apo ndoshta i paskemi harruar.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë do të duhej të ndryshonte që jeta të bëhet më e lehtë për komunitetin rom?

Bajram Kafu Kinolli: Romët në Kosovë janë mësuar tash që për ti ndihmuar, gjithmonë duhet të vij dikush.  Pikërisht ky fakt më së shumti më vret.

Njeriu duhet të bëjë çmos që mos të jetë në pozitë të diskriminuesit, e kjo fitohet me edukim, miqësi dhe vullnet të çdo individi. Krejt çka po flas, po flas në vetën e parë. Viktimizmi është sëmundje e rëndë, e cila është istaluar nga sisteme dhe dhunë të ndryshme ndaj ketij populli./KultPlus.com

Pianistja Merzana Kostreci sjell në Uashington recitalin “Ndjesi pranverore”

Të bësh karrierë në muzikë klasike është një rrugë e vështirë. Ky rrugëtim bëhet edhe më sfidues kur ndodhesh në vend të huaj. Por Merzana Kostreci me punën dhe talentin e saj, po mahnit publikun me lojën e saj në piano.

Artistja shqiptare, po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar që të bëhet një emër i njohur i muzikës klasike. Burim Goxhuli i Zërit të Amerikës ndoqi koncertin e saj fundit të titulluar “Ndjesi pranverore”. Duartrokitjet ishin të gjata në fund të interpretimit të pianistes shqiptare që u vlerësua shumë nga të pranishmit në koncert.

Karrigia pranë pianos është vendi më i rehatshëm për të, ndërsa tingujt e këtij instrumenti muzikor janë arma e saj më e fortë.

Artistja shqiptare Merzana Kostreci, po bën karrierë si pianiste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ëndërr të cilën e ka qysh nga fëmijëria.

“Unë e kam nisur pianon që e vogel dhe kam vite që performoj për publikun. Jo vetëm që është e veçantë për mua, sepse mua më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikes, por kur luaj muzikë klasike, piano për mua është si një pjesë e imja. Performanca në piano dhe pjesët kur unë luaj për publikun, shprehin atë që mund të ndjej dhe nuk e them dot me fjalë. Kënaqësia më e madhe është kur edhe publiku e pëlqen performancën dhe unë arrij të përcjell ndjenjat e mija nëpërmjet muzikës tek publiku”, thotë Merzana.

Pianistja Kostreci deri tani ka realizuar disa performanca në Evropë e SHBA. Çmimet artistike të fituara në Shqipëri, i mundësuan asaj shkollimin në Universitetin e Muzikës në Këln të Gjermanisë.

Por diplomimi në vitin 2003 duket nuk i mjaftoi Merzanës… Ajo vazhdoi studimet për piano në Universitetin e Maryland-it, në Shtetet e Bashkuara.

Artistja Kostreci, tregoi për Zërin e Amerikës, për vështirësitë që mund të ketë një emigrant për të bërë karrierë në Amerikë, sidomos në zhanrin e muzikës klasike.

“Sfida që kam hasur unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend i huaj së pari, ka qenë sepse nuk është vendi ku ke lindur dhe do pak kohë që të krijosh një reputacion si muzikante. Gjithashtu kam pasur vështirësi si muzikante klasike, sepse këtu ka nga të gjitha llojet e rrymave të muzikës që konkurrojnë për të patur një treg, për t’u bërë të sukssesshëm”, thotë Merzana.

Këto komente pianistja Merzana Konstreci i bëri një ditë para koncertit që pati në qendrën e artit “Katzen” në Universitetin Amerikan, ku interpretoi përpara një publiku me shqiptarë e të huaj.

“Pjesët që kam zgjedhur për këtë recital janë kryesisht pjesë të stilit romantik. Kam katër pjesë nga Shopen. Pjesët nga Shopen janë intime në përgjithësi dhe i kam zgjedhur tamam për sezonin e pranverës. Gjithashtu kam një pjesë nga Shuman, që është një pjesë më virtuoze. Gjithmonë kam qejf të kem pjesë virtuoze në repertor, sepse janë më ritmike dhe më të gjalla”, thotë ajo.

Interpretimin e saj e shoqëruan duartrokitjet e gjata. Nuk munguan as lëvdatat për artisten Kostreci, nga publiku që u largua nga shfaqja me përshtypje dhe ndjenja pozitive.

“Kjo paraqitje i ka tejkaluar pritjet e mija. Unë kuptoj shumë nga muzika klasike dhe pashë një performancë të mirë. Kjo shfaqje po më kujton fjalët e një muzikanti profesionist, që thoshte se performanca të këtij niveli nuk arrihen nga ato që ke lexuar dhe ke mbajtur mend, jo ajo që është në duart, mendjen dhe në shpirtin e një artisti. Prandaj kjo artiste mori duartrokitje më se të merituara. Për mua është privilegj të jem këtu dhe e falenderoj për këtë”, thotë David Pappert, banor i Uashingtonit dhe ish-drejtor i Bordit të Drejtorëve të Universitetit Duquesne.

“Ne u kenaqëm shumë sonte. Merzana na mbajti pezull me muzikën e vet. Ishte kënaqesi jo vetëm për faktin që ti shkon diku në një salle koncerti, muziken e bukur por për ne është shumë e veçantë për të mbështetur njëri tjetrin, për të mbështetur pikërisht artistët e rinj, talentet e reja, nxënësit, studentët të cilët performojnë kudo ku ata janë. Ishte kënaqësi shumë e madhe”, thotë banorja e Uashingtonit Enkelejda Balliu.

“Mendoj se ajo është shumë e talentuar, luan me pasion. Jam e mahnitur nga fuqia e saj. Jam e impresionuar nga pjesët e luajtura nga ajo. Shpresoj që ajo të ketë karrierë të mrekullueshme. Ajo duhet të vazhdoj të luajë profesionalisht dhe të vazhdojë ta rrisë audiencën e saj, sepse e meriton të njihet. Ajo është një pianiste e mrekullueshme”, thotë Caren Ginsberg.

“Koncerti që sapo ndoqëm ishte me të vërtetë shumë i arritur nga ana artistike dhe teknike. Meri Kostreci është shumë e talentuar dhe të gjitha veprat që luajti ajo sot, ishin jo vetëm të bukura, por kishin të gjithë spektrin e emocioneve, nga ato romantike tek ato më të fuqishme. Për sa i përket aktiviteteve kulturore në zonën tonë është një gjë që të jep kënaqësi të jashtëzakonshme që të kesh një aktivitet si ky që e ndoqëm”, thotë Evi Budo Struble.

Merzana Kostrecin e pret një rrugë e gjatë drejt synimeve të saj, por ajo premton se nuk do të ndalet në rrugëtimin drejt suksesit, krahas punës së përditshme që bën si mësuese pianoje.

Kjo ishte hera e tretë që ajo interpretoi e vetme. E veçanta e këtij recitali është se të gjitha pjesët e luajtura, i ka përgatitur vetë. Herën tjetër ajo synon t’i sjellë para publikut tingujt e saj, në një koncert me orkestër.

Metamorfoza

Poezi nga Gjergj Fishta

Qe besa, or burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sod derri dajë…

Me anmiq t’Shqypnís
Un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,
Kacagjelue.

Pse kam pasë thânun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet
Per atdhe t’vet;

Edhe kam pritun,
Mbas ktij mendimi,
Trimnisht per atme
Çfarë do ndeshkimi.

Por tash, t’a dini
T’tânë rreth e çark,
Se mue m’ka hi
Sod lepri n’bark.

M’âsht bâ shtupë zêmra,
E m’la trimnija,
Si jam tue njoftun
Se ç’m’qet Shqypnija…

Po, po; kujdesi
Për Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun
Si hút n’ketë prroskë,

Kû, ndêjë harû
Si dac n’govigj,
M’janë bâ, qe besa,
Kërçikët si vigj,

E shtati tjeter
Porsi degë pishe,
Thue se kam hanger
Haram gjâ kishe.

Si me pasë lé
M’ndo’i knetë n’Zejmên,
A me pasë ndêjun
Tue tredhun qen.

Ehu! t’kishe shkue
Pak mâ kadalë,
S’kisht’ kênë nevoja
Me tjerrë ktû fjalë;

Përsè ishe màjun,
Si mâjet njala,
E punue m’kishte
Kuleta e fjala;

Porsi njatyne,
që ndêjë n’Shqypní,
Kujtojn se gjinden
Shi n’Australi;

E per dhé t’t’Parvet
S’u bjen nder mend
Me sa per kpurdha
që bijn n’dervend.

Ata, eh t’paça!
Kanë spaten n’mjaltë,
E si balona,
Per ditë mâ t’naltë:

Per ditë t’u mâjun,
Si mâjet njala,
U punon m’shekull
Kuleta e fjala.

As per punë t’ême
S’kanë t’lodhët, hae i keq,
Me sá druen halen
Se i therë n’perpeq.

E pse, pra, t’rrekem
Pa i bâ gjâ kujë?
Persè t’a mbajë
Un shatin n’ujë?

A thue dishroni
Prej ktyne s’ligash
Gjithmonë me m’pamun
Si t’pimun shtrigash?

Ehu jo, bre burra,
S’kam lé per s’teprit!…
Mâ mirë u rrnueka
Me zêmer t’leprit…

Kam dá, t’a dini,
Me vjetë t’sivjetit
Me u shporrë Shqypnijet,
Me kênë i vetit.

E dij se kini
Ju t’gjith me m’shá,
E se me m’thirrun
Mâ s’kini vllá;

Por n’dashtë; le t’thohet
Se dredhoi Leka,
Veç kurr mos t’thohet
Se ka mbetë Leka.

T’a dijë Shqypnija
Prá, e sheklli mbarë,
Se mâ mbas sodit
Un s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni,
që rrini m’shkam?
Un mâ me sodjet
Shqyptár nuk jam.

M’thirrni si t’doni
U tham: Urdhno!
Zulù m’a njitni…
Shqyptár, por, jo.

Per mue Shqypnija
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme
As fis, as vllá,

Fis kam mâ t’fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.

Prandej, mbas sodit,
Kur t’m’leverdisin
Un kam me shndrrue
Sá herë t’due fisin.

Kshtû, kam me rá
Un n’mbramet Grek,
Kam me ndjehë n’nesret
Shkjá ja Zejbek.

Dér sod kjeç dhanun
Per gjuhë shqyptare:
Por shka, me sodjet,
Per mue dalët fare.

Per mue janë baras
Si bukë si pane,
Por due qi gjindja
Pa tê t’mos m’lâne.

Persè veç shqypja
Do folë n’Shqypní,
(Si duen me thânun
Nji palë zotní),

Kur me ‘i gut’n Morgen!
A kali imera!
Me ‘i dobra vecer!
A buona sera!

Mue punët të tana
M’hecin për fille,
E dér morrizi
M’qet drandofille?…

Luftët e Kastriotit
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra hînit.

Sot per mue Leka
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca
E Jaho Begu.

Mâ s’kam me i qitun
Zavall un krés
Per krena t’vendit
As per t’parë t’fés;

Kushdo per mue
Le t’jét i pár:
T’jetë dreq me bryna,
Por jo Shqyptár.

Pse krejt sod jeten
Un ndrrue e kam,
Kam lé per s’dytit:
Shqyptár mâ s’jam.

E prej se s’dytit
Kam lé sivjèt:
Kurdo t’pagzohem
A t’m’bâjn synèt,

Un due t’m’a njesin
Pantaleone
Pse mbarë bjen fjala
Me napolione.

Pantaleone,
O ‘i tjeter êmen
që t’dáj se mashkull
Nuk jam, as fêmen:

Taman si duhet
Shqyptari t’jét,
që don me pasun
Kuleten xét.

Tash bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!

Persè me sodjet
Nji jetë e ré
Do t’xâje filli
N’Shqypní per né.

Per né xén filli,
Po, koha arit,
Sod që i rám mohit
Rodit t’Shqyptarit.

O i lum ti i lumi,
Si padishà
Tash ké m’u lkundun
Mbi ndo’i sofá.

Per né mbas sodit
Per çdo punë t’liga
Nuk do t’na marre
Mbi shekull friga.

Kemi per t’kênun
Si hy mbi tokë,
Kem’ per t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë,

Kemi me shkelun
Mbi rrashtë t’Shqyptarvet,
Tue lànë mbas krahit
Burrnín e t’Parvet.

Tjerët kanë m’u ushqye
Me lakna t’veja.
Me shllinë (n’i paçin,
Medjè, dhênt plleja),

Ti ké me rrue
Bibâj e pata,
E makerona
Edhe sallata.

Tjerët kanë me shkimun
Edjen me hirrë;
Ti, veç a mundesh
Shampanjë e birrë.

Pa lodhë na menden
Per dhé e gjuhë t’t’Parit,
Kem per t’kênë çmue
Prej zogjsh s’Shqyptarit.

S’ka per t’ngranë palla
Pse t’digjet ara
Ase mos t’gjindet
Kund rrushit fara.

Kúr per tý greza
Bâjn malit bungat
E mjaltë per tý
Kullojnë dér cungat.

Ehu! dy germaza
Sod kjeçë tue dashtë
E ‘i plandc lastiket
Krejt mbrendë e jashtë:

Kjé at-herë tu’ u zgjâ
Ti sá koteci,
E tu’ u kuqë hunda
Mue m’kje si speci.

Oh! Kúr t’xâsh filli
Me vû ti strehë,
Sa t’u ngjatjetat
Ké per t’i njehë!

E ka me u gjetun
Ndo’i farë Orfeut
që lavdet t’ua
T’i a kndojë dheut.

E ti, tue qeshun
Kangë e kangtár,
Tash mban perkthesen:
Nuk jam Shqyptár

Mandej, kúr plakun
E lodhë prej vjamit,
Ké m’u dá shekllit,
(Per sherr t’Adamit),

Njata që zhaben
N’ketë jetë t’a rrasen
Kshtû kanë me t’shkrue
Mbi vorr ty rrasen:

“Ktû njaj fatbardhi
Âsht tue pushue
Per Fé e per Atme
që pat jetue.”

A thue se âsht vorri
Bash i Spartanvet
që n’Thermopila
Bânë báll Persjanvet…

Prá, bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!/KultPlus.com

Për ne që mburremi shumë e nuk bëjmë asgjë

Bajram Mjeku

Ka disa vjet, që mburremi pafundësisht në faqet e gazetave dhe në rrjete sociale me sukseset e shqiptarëve me origjinë nga Kosova e Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, se si të rinjët tanë me origjinë shqiptare, i kanë pushtuar stadiumet më të famshme të futbollit, skenat më prestigjioze të teatrit e baletit dhe auditoriumet më të fuqishme të artit muzikor, shkruan KultPlus.


Mburremi së tepërmi me futbollistët si Shaqiri e Xhaka, Mustafi e Behrami, por edhe me Kosovare Asllanin, futbolliste e reprezentacionit suedez e shumë sportistë të tjerë. Jo pak mburremi edhe me të gjithë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët janë lindur në Evropë dhe janë stërvitur në akademitë më të njohura të saj. 
Kot mburremi edhe me korreografin e shquar Angjelin Preljocaj i cili jeton e punon në Paris. Mburremi kot edhe me violinistët e famshëm Tedi Papavrami, Olen Çezari, Shkëlzen Doli e Jonian Kadesha. Familja Preljocaj në vitet pesëdhjetë kur iku nga Shqipëria staliniste dhe kaloi kufirin në Jugosllavi, Angjelini ishte në barkun e nënës së tij, ndërsa fatin pak a shumë të njëtë e patën edhe violinistët tjerë, të cilët braktisën atdheun e tyre, pasi mundësitë për t’i pushtuar skenat e Evropës mundeshin vetëm t’i ëndërronin.
Shumë pak mund të mburremi edhe me aktorët Bekim Fehmiu, Eliza Dushku e Alma Saraçi dhe të mos flasim për aktoren Irena Papas, të cilës më në fund ia zbuluam rrënjët shqiptare!
Mburremi fort edhe me sukseset e dy këngëtareve tona të mrekullueshme, Rita Ora e Dua Lipa se si i kanë pushtuar skenat e artit muzikor gjithandej Evropës e ditëve të fundit jemi duke u mburrur pafundësisht edhe me eurodeputeten Arba Kokalari, përfaqësuese e Suedisë në Parlamentin Evropian dhe me Ylfete Fanaj, kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Jo vetëm me këta, por mburremi dhe rrahim gjoksin deri në gjakosje edhe për shumë të rinj tjerë me origjinë shqiptare, sukseset e të cilëve u dedikohen shteteve ku ata e gëzojnë shtetësinë e më së paku Shqipërisë dhe Kosovës.
Duke u mburrur pafundësisht me sukseset e tyre, bëhemi edhe të pasinqertë. E dimë se gjithë këta të rinj shqiptarë janë shkolluar në shtetet në të cilat e gëzojnë shtetësinë dhe janë përkrahur me investimet e familjeve të tyre dhe nën përkujdesin e shteteve evropiane dhe përtej oqeanit ku e gëzojnë shtetësinë.
Mburrja me armatën e të rinjëve shqiptarë, do të na takonte vetëm atëherë kur dy shtetet shqiptare, do të investonin në kontigjentin e të rinjëve tanë të mrekullueshëm. As me xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe të gjitha të tjerat, nuk kemi hapësirë të mburremi. Të gjitha sukseset e tyre ishin individuale dhe falë investimeve të familjeve të tyre. Shtetit i doli gjumi të investojë në këto sportiste të mrekullueshme, vetëm atëherë kur nisën presionet nga të gjitha anët, më saktë kur këto vajza mbushën gjokset e tyre me medalje në kampionatet më të njohura botërore.
Të këtillë jemi ne, që mburremi aq shumë e nuk bëjmë asgjë.

Në foto: Korreografi Angjelin Preljocaj./KultPlus.com

Libri i kësaj shkrimtareje, do të botohet në vitin 2114

Çka nëse e shkruan një libër, por vetëm njerëzit në vitin 2114 do të kenë mundësi ta lexojnë? Ky është projekti Future Library (Biblioteka e së ardhmes).

E nisur nga artistja skoceze Katie Paterson, Biblioteka e së ardhmes përgatit çdo vit nga një shkrimtar të ri që të kontribuojë me një dorëshkrim, i cili do të mbesë i papublikuar për 100 vjet. Materiali do të ruhet në një bibliotekë speciale në Norvegji, në një dhomë të ndërtuar nga drurët, që e rrethojnë bibliotekën. 100 pemë do të mbillen po në të njëjtin vend, dhe në vitin 2114 pemët do të priten dhe do të përdoren për të shtypur tekstet.

Han Kang është autorja e fundit që do të kontribuojë për këtë projekt. Autorë të famshëm, si Margaret Atwood dhe David Mitchell, ishin ndër të parët shkrimtarë që dhanë dorëshkrimet e tyre.

I titulluar “Dear Son, My Beloved” nuk dihet saktë se për çka bëhet fjalë në këtë shkrim, dhe nuk do të mund ta dimë deri pas 100 vjetësh. Për Kang-un, ndarja nga dorëshkrimi i saj ishte tepër personale. Në një intervistë për The Guardian, Kang përshkruan se si i tha lamtumirë dorëshkrimit të saj.

“Ishte sikur një martesë e dorëshkrimit tim me këtë pyll. Ose një ninull për një gjumë të gjatë shekullor që prek butësisht tokën… Është koha për t’u thënë lamtumirë”, ka thënë ajo.

Procesi i dorëzimit të dorëshkrimit bëhet duke e mbështjellë atë në një pëlhurë të bardhë dhe duke e zvarritur nëpër pyllin norvegjez. Në Kore, një rrobë e bardhë tradicionalisht përdoret si fustan për foshnjat e porsalindura ose përdoret si veshje në funerale.

Mbase është dëm që njerëzimi nuk mund ta lexojë këtë libër për një kohë kaq të gjatë. Ju a do të lejonit që dorëshkrimi juaj të mbetej i fshehur për kaq shumë kohë?

Përktheu nga bookstr.com: albinfo.ch

Singapori i udhëkryqeve të mëdha

Gani Mehmetaj:  Nga Prishtina në Australi

Sikurse shumica e evropianëve edhe unë në shtegtimin tim nga Prishtina në Australi u ndala në Singapor. Këtë rrugëtim e kanë bërë ndër shekuj udhëtarë e tregtarë, shtegtarë e aventuristë. Singapori ishte caku i parë edhe për shumë shqiptarë që u nisën drejtë kontinentit të ri-Australisë, duke shpresuar për  jetë të re e punë. Vendi i ishujve nuk i ndali asnjërin, por Singaporin e kam dëgjuar në rrëfimet e peripecitë e tyre. Aeroporti pas njëmbëdhjetë orë fluturimi mu duk oazë e qetë e gjumëndjellëse.  Zyrtarja e aeroportit me priste me emrin tim e të gruas, të shkruar në një copë letre të bardhë. Kinezja simpatike mezi dëgjohej derisa fliste me zë të ulët. Aeroporti ishte një ambient i veçantë, me restorante të dizajnuara mirë, me gjelbërim e kopshte botanike, me kaktuse e bimë tropikale të mbjella brenda, sepse edhe qyteti atë klimë e ka. Singapori ka njërin ndër aeroportet më të mëdha në Azi, të rregulluar me shije. Ambienti i brendshëm është qetësues për shtegtarin e stresuar e të pagjumë që ka kaptuar kontinente, që vjen nga njëri cep i botës në tjetrin. Shërbimi i mirë nëpër restorante është përshtypja tjetër e këndshme.

Kur dola jashtë aeroportit vala e të ngrohtit tropikal me goditi befasisht, i mësuar me freskun e pranverës në Prishtinë që më shumë ishte fund dimri. Zyrtarët e aeroportit mezi i dëgjoje kur të flisnin me pëshpërima sikur druanin se mos e zgjonin nga gjumi dike të padukshëm.

Singapori është i veçantë nga vendet tjera të Azisë juglindore, e megjithatë ka diçka nga secili prej tyre. Një miku im virtual me dëshiroi pushim të mirë duke me sugjeruar se Singapori është një kryqëzim Kine, Malajzie, Indonezie e Perëndimi. Singapori është sinonim i zhvillimit marramenthës, shembull i shkrirjes së tradicionales me bashkëkohoren, zhvillimin ekonomik dhe disiplinën e hekurt, fatin dhe kujdesin. Durimi tradicional oriental me dinamizmin euro perëndimor, ku shprehia e punës, ngërthehet me ligjet e rrepta, bënë që ky vend të jetë në kreun e vendeve të zhvilluara. Por edhe rreptësia me të cilën trajtohen disa sëmundje të qytetërimit të huton. Secilit udhëtar që vjen nga Evropa a SHBA-të ia vënë në pah qysh në aeroplan letrën me pyetësor se bartja a tregtimi i drogës dënohet me vdekje, që e bëjnë t‘i shkojnë djersë të ftohta, gjithnjë duke  u druajtur se mund t’ia kurdisë dikush ndonjë sasi droge të mjaftueshme sa të dënohet me vdekje. Në të kaluarën janë dënuar disa perëndimorë, pavarësisht faktit që pati ndërhyrje nga qarqe të larta për falje.  Rasti i australianes që është kapur me drogë, ndërsa ajo thotë se nuk është droga e  saj, por këmbëngulte që dikush ia ka vënë në bagazh, është rrëqethës.  Për kurdisje ose fatkeqësi të tilla kam parë edhe filma artistik amerikanë.  

Singapor është shembull i qytetit që u pavarësua pa dashje. Pasi u larguan britanikët Malajzia e përjashtoi Singaporin nga shteti i përbashkët, për ç’gjë singaporasit janë mërzitur shumë, sepse britanikët i lanë në një shtet. Në atë kohë Malajzia ishte shumë më e zhvilluar. Emri i vjen nga Singapura  që do të thotë Qytet i Luanit. Ndërkaq, Singapori nuk ka luaj. Sot Qyteti i Luanit është qytet-shtet si Monako apo Vatikani. Është ndër vendet më të vizituara, shumë joshëse për shtegtarë.

Por ajo që të bie në sy, hiq ligjin e ashpër për drogën, Singapori është shembull i vendit të lulëzuar nën kapelën britanike, dëshmi e pushtuesit që nuk të zhvat por të ndihmon e të qytetëron. Anglezët e themeluan këtë koloni, e zhvilluan dhe e ngritën në qendër botërore të tregtisë, për ta vazhduar pastaj kinezët me malajzianët. Dhe kur e sheh këtë mrekulli, se si të vjen, Singapori të gjitha këto i bëri nën sundimit e Perandorisë britanike. Kinezët nuk donin që të iknin britanikët, situatë absurdi po të shihet nga prizmi ynë.  E qeverisën Singaporin më shumë se sa që mund të themi se e pushtuan, i dhanë injeksione dhe e bënë qendër tregtare e udhëkryq në mes të dy botërave, madje në mes të disa kontinenteve. Singapori e shfrytëzoi pozitën e mirë strategjike, kjo i avancoi duke i dalluar nga shteti amë, ku varfëria e barazisë komuniste ua hanë shpitin. 

Pozita strategjike e ndihmoi, i dha krah zhvillimit, e bëri qendër nevralgjike jo vetëm për Azi, sepse Singapor është udhë kyçe nga Evropa në Australi. Shumë nga shqiptarët që i kemi takuar më vonë në Australi e përmendin se si erdhën një herë në Singapor e pastaj vazhduan tutje në qytete të ndryshme australiane. Është fjala kryekëput për shqiptarë nga Dardania e territoret etnike. Thuhet se edhe shumë shqiptarë pas rënies së komunizmit në Shqipëri ia mësyn Singaporit me shpresën se do të realizohen, meqë i njihnin kinezët e Mao Ce Dunit, mirëpo kinezët e Singaporit ishin ndryshe. Ikën shqiptarët në shtegtime drejtë Malajzisë apo tutje në Australi.

A ka shqiptarë të Singapor? Sigurisht ka, por është i vogël numri i tyre. Është vështirë t’i takosh në këtë qytete shumëmilionësh. 

Edhe Shqipëria natyrale mu si Singapori pati pozitë të mirë strategjike në Gadishullin Ilirik , por ky fakt nuk e ndihmoi, përkundrazi e dëmtoi, sepse secili nga pushtuesit e lakmonte vendin pa vendës, ndërsa nuk kishin ide për zhvillim e avancim.

Britanikët me qytetërim ishim para vendësve në Singapor, ishin para të gjithë botës, prandaj kjo gjë i dha krah zhvillimit të kinezëve. Askush nuk e do pushtuesin, askush s’ka pse e lavdëron, mirëpo ata e zhvilluan Singaporin disa herë më shumë se sa që ishte Kina. Derisa në mendjen time i bëja krahasimet e pushtuesit të mirë e të keq, para kisha Singaporin e jetës dinamike e qytetërimit euro aziatik, kryqëzimin e disa kulturave dhe kryqëzimin ekonomik tregtarë të disa kontinenteve. Perandoria britanike ka mbet në kujtesë të mirë, gjë që nuk mund të thuhet për ish- pushtuesit tonë.

 Me pushtuesin e mirë jam ndeshur edhe më parë, kur shëtisja në Lubjanë e Maribor  (Slloveni), apo në Zagreb e qytetet dalmatine të Kroacisë. Dhe me dëshpërim krahasoja atë që ua la Austria  sllovenëve e kroatëve me atë që na e lanë neve turqit e serbët.

Sikur të triumfonte ideja e Haxhi Zekë Biberajt ne do ta kishim Britaninë e Madhe në vend të Turqisë e Serbisë, mbase do të bëheshim Singapor evropian. U nisa nga Singapori me një aeroplanë ndërkontinental australian “Qantas”  mbi oqeanin e pafundmë, me një dozë dëshpërimi pse nuk e kapëm momentin historik. /KultPlus.com

Ekspozita Bauhaus Imaginista / Collected Research do të prezantohet në Kosovë

Bauhaus imaginista është një projekt i madh ndërkombëtar që mbahet me rastin e njëqind vjetorit të shkollës së artit me fokus të veçantë në shpërndarjen dhe pritjen e saj në botë. Që nga fillimi. Bauhaus ishte një projekt ndërkombëtar, me studentë dhe mësimdhënës nga Evropa dhe Azia që iu bashkuan kësaj shkolle.

Në vitin 1933 kjo shkollë u mbyll nga nacionalistët socialist ku shumica e studentëve u detyruan dhunshëm të ikin dhe të shpërndahen nga Gjermania në vende tjera ku si pasojë  Bauhaus bëhet rrjedhë kulturore e popujve përtej Evropës.  Bauhaus imaginista gjen bashkëpunim në pjesë të ndryshme të botës nëpërmjet bashkëpunimeve kërkimore me studiues nga Brazili, Kina, India, Japonia, Maroku, Nigeria, Rusia, Britania e Madhe dhe në SH.B.A.

Këto histori të hulumtuara tregojnë se si Bauhaus kishte kontakte me shkolla dhe lëvizje të ndryshme moderniste ndërkombëtare, se si idetë e Bauhaus u tërhoqën, adaptuan apo u refuzuan duke u bazuar në kushtet vendore të kohës, luftën e ftohtë, politikave jo të përafruara, diktaturave si dhe proceseve të dekolonializmit dhe projekteve zhvillimore. Ato na tregojnë një ri-lexim të statusit kosmopolit të Bauhaus nga perspektiva trans-historike dhe trans- nacionale në lidhje me pyetjet bashkëkohore, të zhvilluara përmes rrjetit të hulumtuesve dhe artistëve.


Bauhaus imaginista largohet nga katër objektet kryesore të Gegenstande të Bauhausit që janë përdorur për të zhvilluar katër kapitujt tematikë dhe konceptual që lidhen me pritjet në vende të ndryshme gjeografike. Këtu përfshihen: Manifesti i Bauhausnga Walter Gropius (1919), që është baza e Korrespondimit me hulumtimin e reformës pedagogjike; Tepihu, një vizatim nga Paul Klee (1927), për kapitullin Duke mësuar nga, që shqyrton përvetësimin kulturor; Ein Bauhausfilm nga Marcel Breuer (1926), ku gjenerohen idetë për evolucionin e dizajnit në relacion me ideologjinë;
dhe Reflektorische Farblichtspiele, një mjet ndriçimi nga Kurt Schwerdtfeger (1922), ku gjenerohet kapitulli Ende i pavdekur ku përdoren eksperimente me dritë dhe zë. Kjo ekspozitë udhëtuese kombinon idetë, kërkimet dhe dokumentimet nga bauhaus imaginista. Artisti Luka Frei ka dizajnuar një strukturë e cila është gjysmë skulpturë dhe gjysmë ekspozitë arkitekturale – si një hapësirë ku vizitorët mund të angazhohen në shumë shtresa të këtij projekti. Aty përfshihen fjalime kuratoriale, tekste dhe imazhe që ndërlidhen me katër kapitujt si dhe dokumentime të programit ndërkombëtar
bauhaus imaginista 2018. Në qendër të këtij instalacioni gjendet një kompjuter ku vizitorët mund të
kërkojnë në të gazetën online të bauhaus imaginista, të printojnë nga aty imazhe dhe tekste të cilat mund ti bashkojnë në një dosje. Krahas kësaj shfaqet një program filmik  me vepra të komisionuara së voni për temat dhe historinë e Bauhaus nga artistët dhe hulumtuesit bashkëkohor si Zvi Efrat,
Kader Attia, grupi Otolit dhe nga Wendelian van Oldenborgh. bauhaus imaginista është një bashkëpunim mes Bauhaus Kooperation Berlin Dessau Weimar, Institutit Goethe, dhe Haus der Kulturen der Welt (HKW). Ky projekt hulumtues me stacione të ndryshme ekspozuese është pjesë e njëqind vjetorit nga themelimi i Bauhaus (2019). Instituti Goethe e madhështon këtë program me perspektivat ndërkombëtare të saj si pjesë e projektit HKW, 100 vite të tashmes, bauhaus imaginista i bashkoi në Berlin. Ky projekt u mundësua nga fondet e komisionerit federal të qeverisë për kulturë dhe media (BKM). Fondacioni federal i kulturës (KSB), përkrahë ekspozitën në Berlin; Zyra për marrëdhënie me jashtë përkrahë stacionet ndërkombëtare. Partnerët e jashtëm janë Institutet Goethe në Kinë, New Delhi, Lagos, Moskë, New York, Rabat, Sao Paolo dhe Tokio. Po ashtu partnerë tjerë janë edhe Dhoma e pavarur artistike- Le Cube në Rabat si dhe disa institucione tjera. Bauhaus imaginista u realizua në bashkëpunim me muzeun e dizajnit të Kinës (Hangzhou), Institutin e Pavarur
Administrativ të Muzeut Kombëtar të Artit / Muzeu Kombëtar i Artit Modern (Kjoto) Garage / Muzeu i Artit Bashkëkohor (Moskë), dhe SESC Pompeia, Sao Paolo. Bauhaus imaginista do të hapet me 7 qershor në orën 20:00./KultPlus.com

Kujtim Gashi kërkon të fillojnë procedurat për ngritjen e shtatores së kongresmenit Eliot Engel

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Gashi ka nënshkruar memorandume me Komunën e Prizrenit, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që të fillojnë procedurat për ngritjen e shtatores për Eliot Engel, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim postimin e tij të plotë.

Gjatë vizitës në qytetin historik, Prizrenin, takova kryetarin e komunës Mytaher Haskuka, nga i cili kërkova të fillojë procedurat administrative për ngritjen e shtatores së Kongresmenit Eliot Engel, si dhe nënshkrova 10 memorandume për financimin e projekteve për infrastrukturën sportive dhe kulturore, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë euro. Po ashtu edhe rreth 3 milion euro parashihen të investohen në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit.

Projektet në të cilat MKRS-ja do të investojë janë “Pishina Olimpike, Prizren” 1 milion e 350 mijë euro; “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur, Prizren” 1 milion euro; “Stadiumi Përparim Thaqi, Prizren” 840 mijë euro; “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme – Prizren” 120 mijë euro; “Stadiumi i fshatit Gjonaj – Prizren” 100 mijë euro; “Poligoni Sportiv në Mushnikovë – Prizren”, 60 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Novo Selo në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Pauske në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skorrobisht në Prizren” 50 mijë euro; dhe “Kompleksi sportiv “11 Marsi”, Prizren” 50 mijë euro.

Projektet në të cilat do të investojë MKRS-ja janë mbështetje në kuadër të politikave dhe programit të ministrisë dhe se pres që pas realizimit të projekteve të krijohen mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët ashtu që ata ta kenë më të lehtë t’i kryejnë aktivitetet kulturore e sportive. Gjithashtu, kërkova nga komuna të merr vendim për ngritjen e shtatores së Kongresmenit Eliot Engel. Ndërkaq, komunës së Prizrenit i mbetet të përgatisë aspektin administrativ dhe t’i ndajë lokacionet për projektet të cilat pritet të fillojnë dhe të cilat do të investohen nga MKRS-ja. 
Projektet tona në fushën e Trashëgimisë Kulturore janë duke vazhduar në qendrën Historike të Prizrenit. Së shpejti do të fillojë së zbatuari projekti rreth 2 milionësh për rerehabilitimin e rrugës “Marin Barleti” /KultPlus.com

Ambasadori gjerman ironizon me Bërnabiqin: Gjermanët janë adhurues të maleve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka ironizuar me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, duke thënë se gjermanët janë adhurues të maleve.

Bërnabiq ditë më parë bëri fyerje raciste ndaj politikanëve shqiptarë duke thënë se, “janë të ardhur nga malet”, transmeton Koha.net.

Në një postim në Twitter, Heldt ka shkruar, “gjermanët janë adhurues të maleve. Sapo dola prej malit, shihemi sërish”.

Bill Clinton dhe Madeleine Albright vizitojnë Kosovën në 20 vjetorin e çlirimit

Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.

Sipas burimeve të Indeksonline në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Bill Clinton.

Gjatë vitit 1999 ShBA në krye me ish-Presidentin Clinton kanë qenë akterët kryesor në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.

Përveç ish-Presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish sekretarja e ShBA-së Madeline Albright.

Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Kjo është hera e katërt që Bill Clinton po e viziton Kosovën,ish-Presidenti Amerikan për herë të fundit e kishte vizituar Kosovën para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 ku ishte pritur në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Po atë ditë ishte përuruar edhe shtatorja e tij në bulevardin Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës.

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” i kushtohet të pagjeturve, shoqërohet edhe me protesta

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili po mbahet në Beograd, i është kushtuar të pagjeturve. Fillimisht vëmendjen e të pranishëmve e morën 10 rrëfimet e familjeve të të pagjeturve të cilat janë shtypur në librin me 164 faqe të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Pas librit vëmendjen e pjesëmarrësve të festivalit e mori historia e Ferdonijes, gruas e cila humbi katër fëmijë dhe burrin gjatë luftës në Kosovës.

Gjatë shfaqjes së filmit “Ferdonija”, një grup protestuesish u mblodhën para Dorcol Platz, vendit ku po mbahej festivali dhe tentuan që të kalonin kordonin e vendosur nga policia. Për shkaqe sigurie pjesëmarrësve ju është kërkuar që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të filmit,  derisa protestuesit u shpërndanë. “Ambiciet e mia nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike”, theksoi regjisorja e filmit Shkurte Dauti para shfaqjes së filmit.

Dauti së bashku me regjisorin Gazmend Bajri sjellin 24 orë nga jeta e Ferdonije Qerkezit e cila tregon sesi më 27 mars 1999, forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Nje nga momentet prekëse të këtij filmi  është biseda e Ferdonijës me varret e anëtarëve të familjes së saj. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta. Dauti, theksoi se filmi dëshiron që të potencojë fuqinë që ka Ferdonija për ti bërë ballë një dhimbje kaq të madhe.

“Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djem dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen” u shpreh ajo.

Përgjatë 30 minutave Ferdonija tregon si ishte jeta e saj para luftës, momentet e vështira gjatë luftës dhe ato pas luftës në mesin e të cilave është edhe lufta e saj me vëllezërit e bashkëshortit të saj të cilët dëshirojnë që t’ia marrin tokën dhe shtëpinë. Rrëfimi i Ferdonijës është i ngjashëm me rrëfimet në librin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, i cili u promovua në Beograd. Edhe personazheve të intervistuar në libër ju mungon dikush nga familja e tyre, 20 vite pas luftës disa nga familjaret e tyre akoma figurojnë të zhdukur.

Fetije Mirenës, një nga të intervistuarat tregon sesi mbrëmja e 21 prillit të viti 1999, në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitar të ardhur nga Serbia të veshur zi. Të armatosur dhe të maskuar, ata ju hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilët tubojnë 16 burra, vëllezër, djem axhallarësh dhe bijtë e të tyre.  E mbetur me katër fëmijë, rrëfimi i Fetije Mirenës, shoqes së Nezirit të rrëmbyer atë ditë, erdhi përmes aktores Kaltrinë  Zeneli. Sipas dokumenteve që i ka marrë Fetija, burri i saj ka qenë i vrarë me shtatë plumba. Trupi i Nezirit është gjet në vitin 2006, ndërsa në dhjetor të vitit 2017 familjarëve ju është dorëzu edhe një pjesë e krahut mirëpo trupit të tij akoma i mungojnë disa pjesë.

“Momentet e fundit bashkë, s’më heken prej mendsh, e kom pasë nji pite me spinaq – e hiç s’kom merak mo me qitë kurrë – e pata qitë për drekë, hongrëm, po apet tha: “O Zot, fort jom untu”. Thashë vec p’e mjeli lopën, e po hina po hamë darkë. Qet’ muhabet të fundit e kena bo n’oborr me ta. Kur jena hi mrena, mo aty nuk m’kujtohen fjalët e ti. E nuk mujti me hangar bukë ma qatë natë. Kurrë nuk muj prej asaj dite, vec i qes për hatër t’fëmijëve pitet me spinaq se m’ka metë zhig që nuk e ka hangar atë bukë t’fundit n’shpi t’vet”, është një pjesë nga rrëfimi i Fetijës të cilën e lexoi për të pranishmit aktorja Kaltrinë Zeneli.

Para botimit të këtij libri me 7 rrëfime nga familjet shqiptare dhe 3 nga familje serbe, në Kosovë në hollin e Kuvendit, në shkurt, u hap ekspozita ku 1mijë e 653 çelësa kanë qëndruar të varur si portretizim i asaj se çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rrinë pezull. Ndërsa në muret e të dy anëve të hollit ishin ngjitur në mur fotografitë e të intervistuarve të realizuara nga Atdhe Mulla dhe disa nga fjalët e tyre të cilat shprehin edhe dhembjen që ata kanë.

Këto fotografi dhe këto copëza të rrëfimeve të kthyera në një video-instalacion u përdorën edhe gjatë një koncerti të Filharmonisë së Kosovës, në muajin mars. Ato shfaqeshin në ekranin e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, prapa instrumentistëve të cilët atë koncert ua kushtuan pikërisht të pagjeturve dhe familjarëve të tyre.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD theksoi se procesi i punës së tyre deri të ky libër ka filluar në vitin 2018 me idenë që çështjen e personave të pagjetur me e fut në diskursin publik duke  shfrytëzuar metodën hulumtuese ‘Oral History’

“Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta . Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, theksoi ai. Ndërsa tregoi tutje se të intervistuarit, pavarësisht se janë të dy etnive të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pas problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

E pranishme në promovimin ishte edhe Marijana Toma, historiane nga Serbia. Ajo vlerësoi punën e bërë për botimin e këtij libri.

“Ne viktimat i kujtojmë me statistika dhe ato bëhen pjesë të numrave, mirëpo pas çdo viktime është një tregim një dëshmi për fatin e atij personi dhe historia gojore e cila si metodë historike është e re na jep mundësi e madhe që ta ruajmë kujtesën e viktimave veçanërisht kur të bëhet fjalë për të pagjeturit. Ajo na jep më shumë mundësi që të përmbledhim deklarata që përdorën në procesin e ballafaqimit me të kaluarën duke filluar nga dëshmia në gjykatë ku dëshmitarët dhe viktima duhet të fokusohen mbi momentin e zhdukjes apo vrasjes. Ne këtu kemi mundësi që të mësojmë për viktimën si ishte ai/ajo, si ka jetuar dhe si e kujtojnë familjarët prandaj historia gojore nuk është vetëm metoda me të cilët ruajmë kujtimet ajo është një lloj memoriali memorial, i cili i përkushtohet viktimës”, tha ajo.

Historiania Toma po ashtu kritikoi edhe qeverinë serbe e cila sipas saj nuk është duke bërë mjaftueshëm.

“Lidhur me konfliktet e armatosura në Kosovë mbi 1 mijë e 600 persona janë regjistruar si të pa gjetur, në mes të tyre janë edhe serbët edhe romët edhe shqiptarë. Ajo që është problem, një nga gjërat ku shihet sa nuk kujdeset Serbia në lidhje më këtë çështje të të pagjeturve, të zhdukurve është korniza ligjore me të cilët rregullohen të drejtat e familje të të pagjeturve dhe Serbia nuk e ka atë lidh. Po ashtu nëse i krahasojmë atë me vendet e tjera në rajon situata në Serbi është me problematike”, tha ajo duke theksuar se i vetmi ligj i cili trajton të drejtat e familje  është ai i cili rregullohet me ligjin për invalidët, civilët e luftës i miratuar gjatë regjimit të Sllbodan Millosheviqi.

Sot në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan”do të mbahet debati dhe promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater” dhe shfaqja “Kreolët e Ballkanit”./ KultPlus.com

Foto e rrallë, si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë

Alfred Peza ka postuar  një  foto të rrallë, ku tregon detaje nga jetesa elitare e gati një shekulli më parë.

Mes luksit plot finesë dhe standardeve të larta kulturore, krahas fotos, Peza shkruan: “Si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë. Kjo foto është shkrepur më 1940, në banesën e familjes Suma, një nga më të njohurat e qytetit të Shkodrës”.

Postimi i plotë

Si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë

Kjo foto është shkrepur më 1940, në banesën e familjes Suma, një nga më të njohurat e qytetit të Shkodrës. Oxhaku i shkëlqyer që ndodhet në qendër të kësaj pamje tregon shijet e holla artistike, fuqinë ekonomike dhe standardin e lartë kulturor të elitës shqiptare të kohës.

Në të majtë, shfaqet njëri nga pinjollët e familjes Suma i cili sipas fotografit italian Giuseppe Massani (djathtas) ushtronte në atë kohë, profesionin e Noterit në qytetin më të madh të Shqipërisë së veriut.

Gjurma e parë e kësaj familje është zbuluar në një dokument të vjetër qe fliste për një baron me emrin Demetrius Summa, që kishte jetuar rreth 700 vjet më parë, në vitin 1331, e që njihej si sundimtari i Shirqit.

Disa prej banesave të vjetra e karakteristike të familjeve më në zë të aristokracisë shkodrane, janë ende në këmbë, por me kalimin e moteve e kanë humbur shkëlqimin e tyre të dikurshëm.

Ndërsa shumë prej prej orendive të tyre unikale, pjesë e inventarit të objekteve të trashëgimisë së kulturës shqiptare, ose kanë humbur nga koha, ose janë grabitur, shkatërruar dhe trafikuar.

“Beli, Blerta dhe Balena Blu” premierë në Gjilan

Me 1 qershor, ora 11:00, vjen premiera dhe shfaqja më e re për fëmijë “Beli, Blerta dhe Balena Blu”, me koncept dhe regji nga Burim Baftiu ku luajnë Safete Mustafa dhe Gëzim Bucolli, shkruan KultPlus.

Shfaqja është e bazuar në tregimet dhe përvojat e fëmijëve dhe vjen në një format të jashtëzakonshëm dhe shumë aktual.

Beli, një “gejmer” / “youtube-r” ose lojtar i pasionuar dhe i fiksuar pas lojërave elektronike, bie viktimë e Balenës Blu dhe fillon të mungojë edhe në shkollë nga frika prej saj. 
Blerta, shoqja e tij më e ngushtë, kupton këtë gjë dhe fillon t’i ndihmojë atij ta mposhtë frikën dhe ta rikthejë në shkollë.
Një tregim fantastik, një lojë e jashtëzakonshme dhe më e rëndësishmja – një leksion ose edukim për të gjithë fëmijët.

Kjo shfaqje prezantohet në Teatrin Profesionist të Gjilanit./KultPlus.com

Shkolla Verore më e mirë për fëmijë në Kosovë sjell program super-atraktiv këtë verë

Anglia Summer School është programi më atraktivë veror në Kosovë për fëmijë të moshave 5-17 vjec. Qëllimi i #AngliaSummerSchool është gjuha angleze përmes aktiviteteve praktike dhe në lëvizje.

Komunikim bëhet vetëm në Gjuhën Angleze me PROFESORË NDËRKOMBËTAR!

Anglia Summer School organizohet në 7 qytete të Kosovës duke përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe Mitrovicën.

  • Eksperimente shkencore praktike ne kimi dhe fizike;
  • Klasa te Gatimit;
  • Climbing (Ngjitje profesionale)
  • Kayak dhe stand-Up Paddle
  • KAMPING – Mbijetesa në natyrë;
  • Klasë profesionale e notit;

Në përfundim të Shkollës Verore fëmijët do të pajisen me Certifikata Ndërkombëtare nga Anglia Network Europe.

Për më shumë #informata rreth Shkollës Verore 2019 ju lutem klikoni këtu: https://bit.ly/2JniFoM apo ne 044166173!

Ylfete Fanaj pritet të bëhet kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

Me kushtin që të zgjidhet nga Parlamenti i Kantonit, do të jetë kryetare e presidumit të Parlamentit për vitin 2020-2021.  Me këtë, ajo do të bëhet zyrtarisht politikania më e lartë e Kantonit të Lucernit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (SP) në Parlamentin e Kantonit të Lucernit ka nominuar kryetaren e tij të deritashme, Ylfete Fanaj, për presidiumin e këtij Parlamenti në vitin 2019-2020, shkruan zentralplus.ch. Ndërsa në vend të saj, shef i grupit parlamentar nga 10 qershori bëhet Matrcel Budmiger, citohet një komunikatë e presidiumit të Parlamentit.

Zgjedhjet për presidium mbahen më 17 qershor, transmeton albinfo.ch. Kështu, Ylfete Fanaj, me kushtin që të zgjidhet nga Parlamenti i Kantonit, do të jetë kryetare e presidumit të Parlamentit për vitin 2020-2021.  Me këtë, ajo do të bëhet zyrtarisht politikania më e lartë e Kantonit të Lucernit.

“Gëzohem të përfaqësoj anën urbane dhe kozmopolite të kantonit tonë”, ka thënë Ylfete Fanaj me këtë rast.

Politikania me rrënjë kosovare që nga viti 2011 përfaqëson qytetin e Lucernit në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Në zgjedhjet kantonale të këtij viti (2019)  ajo është rizgjedhur me rezultatin më të mirë nga të gjitha partitë sa i takon qytetit të Lucernit.

Para zgjedhjes në nivel kantoni, Fanaj ka qenë nga viti 2007 deri në vitin 2011 anëtare e Asamblesë së qytetit të Lucernit dhe kështu ajo tashmë ka prapa vetes 12 vjet përvojë në punë parlamentare.

Vetëm pak ditë më parë ajo është nominuar për deputete në Parlamentin Federal të Zvicrës, në zgjedhjet që mbahen më 20 tetor 2019.
Ylfete Fanaj është politikania me rrënjë shqiptare që deri tash ka arritur më së larti në politikën zvicerane./albinfo.ch

Ky është shqiptari që ka qenë pjesë e misionit të parë në hënë “Apollo 11”

Wilson Kokalari nga Gjirokastra ka qenë shqiptari i parë që ka marrë pjesë në misionin e rëndësishëm “Apollo 11”.

Kokalari ka lindur në Shqipëri, por në moshën 1-vjeçare ka emigruar në Amerikë. Ai ka shkruar udhëzuesin që ndihmoi astronautët e “Apollo 11” që të zbrisnin anijen kozmike në tokë në mënyrë të sigurt.

Si inxhinier, Wilson Kokalari luajti një rol të rëndësishëm në misionin Apollo 11. Ai ndihmoi në koordinimin e zbritjes së Apollo 11, por gjithashtu shkroi edhe udhëzuesin që ndihmoi astronautët e Apollo 11 të zbrisnin anijen e tyre kozmike. Fotoja tregon qendrën e komandës të NASA-s në momentin e nisjes”, shkruhet në faqen e Ambasades Amerikane. /KultPlus.com