Maks Velo: Mendoja se kisha shokë artistë, por ata ishin përbindësha!

Arkitekti dhe artisti i njohur Maks Velo akuzoi kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.

Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo tha se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara. Ai akuzon Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehet se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona. Velo tregon se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kanë penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkon veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët. Por dëshpërimin më të madh arkitekti e lidh dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilëson korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, shprehet Velo.

Maks Velo

Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër. Tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij. Kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë. Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar.

Ai i dinte të gjitha. Ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja. Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”. Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj. Thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.

Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja. Më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.

Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!

Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!

Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.

Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. / Intervistë e mëhershme

Arti si ndëshkim

Blerton Gashi

        Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, piktori, studiuesi, shkrimtari e analisti i cili në artin e tij pasqyroi artin modern evropian. Ai u bë bartës i ndikimeve evropiane çka bëri që të etiketohej nga pushteti i atëhershëm si kundërshtarë i parimeve të pushtetit dhe si armik i partisë.

        Për këtë krijimtari të tij ai u kritikua rëndë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie(1978). Jetën brenda katër mureve, prapa grilave ai do ta përshkruajë në shkrimet e tij të mëvonshme( lirohet me 1986 dy vjet para kryerjes së dënimit) Pikërisht në librin  e tij më të ri “ Jetë paralele” të përgatitur nga Alda Bardhyli na vjen me dokumente e dosje sekrete të përndjekjes, hetimeve e deri te dënimi që i bëri pushteti i atëhershëm komunist, dosje këto hetimore të sigurimit të shtetit, organ i pushtetit që kontrollonte çdo gjë dhe çdo kënd që tentonte të sillte frymë ndryshe në kundërshtim me parimet e realizmit socialist.

        Në këto dosje ishte edhe Maks Velo me rrëfimet  e tij mbi ngjarjet e raportuara që vijnë të përfshira në ato 106 dokumente të sigurimit të shtetit. Kjo dosje mbi artistin e shkrimtarin , Maks Velo ndoshta mund të paraqitet si biografi mjaft e mirë e autorit e realizuar nga ata që donin ta ekzekutonin. Nga fillimi i këtyre dokumenteve e deri në fund shohim ngjarje e njerëz që krijuan historinë e artit shqiptar nën pushtetin komunist.

    Libri jo rastësisht titullohet ngjashëm  me librin e Plutarkut.  “ Jetë paralele”, kështu titullohej edhe libri i Plutarkut, libër në të cilin  janë një seri biografish të njerëzve të famshëm, të organizuar së bashku për të ndriçuar virtytet ose dështimet e tyre të përbashkëta morale, ndoshta të shkruara në fillim të shekullit të dytë pas Krishtit.

       Në jetë paralele përfshihen dokumente sekrete ngjarjet të sigurimit të shtetit nga fillimi deri në burgim secili dokument ka autorin e vet.

        Mijëra njerëz të përndjekur politik kanë dëshmuar për jetën dhe pasojat që iu ka  shkaktuar mendimi ndryshe në pushtetin e atëhershëm. Prapa grilave çdo gjë është reale, njerëz të vuajtur që lëshojnë pasthirrma dhimbjeje, malli dhe brenge por të gjitha këto sot na vijnë vetëm si dokumente. Dhe, edhe pse dokumenti si dokument  na ofron vetëm një komunikim indiferent dhe pa emocione, në këto dokumente përballemi me një dramacitet të skajshëm.

      Kjo përmbledhje e dokumenteve përbrenda të cilëve gjendet edhe dosja e Maks Velos, ku përgatitet dhe vuloset edhe dënimi i tij, brenda tyre kemi, përmendje, shkresa me urdhra, njoftime, përgjime , marrje në pyetje, raportime, shënime si dhe vendime gjyqësore. Brenda këtyre 106 dokumenteve, shihen masat represive të shtetit përkatësisht Sigurimit të këtij shtetit.

      Tek “ Jetë paralele” shohim se si aparatura e shtetit me bashkëpunëtorët e shumtë kanë kontrolluar shoqërinë, duke mos kursyer as artistë e as  shkrimtarë që donin të shfaqnin diçka ndryshe nëpërmjet artit. Ata kryenin persekutime shtypëse të rrepta që i jepnin efikasitet pushtetit për t’i mbajtur dhe realizuar qëllimet e veta, dhe çdo kush që tentonte te paraqiste diçka ndryshe nga realizmi socialist ajo merrej si propagandë ndaj pushtetit dhe pushteti reagonte nëpërmjet Sigurimit të vet, i cili nuk e kurseu as Maks Velon.

        Këtu paraqiten individ të ndryshëm që nga etja për pushtet ose inatet profesionale thurnin komplote dhe drejtonin  njerëzit e Sigurimit të shtetit. Shihet një shtet me një llupë të madhe që sheh dhe kontrollon çdo gjë brenda tij, për të mbajtur gjallë idealet e partisë. Libri hedh pikëpyetje të shumta edhe mbi disa figura të mëdha qofshin ata artist apo shkrimtar, afërsitë e tyre me pushtetin duke u parë si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit madje edhe brenda përbrenda lidhjes së shkrimtarëve. Interesant është ballafaqimi i individit mënyra se si ai e sheh rrezikun që ai vet e krijoi në masën e gjerë , ky libër po ashtu na jep mundësi për të gjurmuar në mes lirisë dhe vullnetit të individit dhe imponimit që vjen nga pushteti. Ky libër na orienton kah morali si ide , si ndikues i madh në qëndrime. Por ku është ideja e ku është njeriu? Kush duhet të kërkoj falje?

          Velo thotë se Arti pa moral është anije e mbytur ne liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimor i ka edukuar feja dhe arti. Botimi i këtyre dokumenteve si proces gjyqësor kundër tij  është hap drejt një debati në lidhje me artin dhe kulturën e zhvilluar në kohën e pushtetit komunist. Këto dokumente tregojnë qëndresën e një artisti ndaj ideologjisë së kohës në kushtet e një represioni totalitar, ai arriti ta qoj më lart kulturën shqiptare edhe në këto rrethana të egra të diktaturës komuniste, më kohën e së cilës doli edhe ky artist i madh . 

Familja Kokalari shpëtoi Enver Hoxhën nga zjarri, i njëjti persekutoi mbi 20 vetë nga fisi i Kokalarëve

Evi Kokalari ka folur mbrëmë në emisionin Opinion për familjen Kokalari, duke shpjeguar në detaje vuajtjet e kësaj familje nga regjimi komunist, përcjellë KultPlus.

Ajo ka treguar një detaj jo të njohur për publikun shqiptar, familja Kokalari dhe ajo e Enver Hoxhës kishin jetuar afër njëra tjetrës, dhe sipas saj, njëherë kishte rënë zjarri në shtëpinë e Enver Hoxhës, derisa ky i fundit ishte foshnjë në djep.

Dhe pikërisht një nga familjarët Kokalari kishte hyrë nëpër zjarr që të shpëtonte këtë foshnjë, që të nesërmen u shndërrua në diktatorin  më të madh të periudhës së komunizmit. Ai, përpos Musine Kokalarit që e dënoi me mbi 20 vite burg, e internoi dhe nga një intelektuale e shndërroi në një pastruese, ai nga kjo familje, pushkatoi, internoi më shumë se 20 persona. Për më shumë ndiqeni videon./KultPlus.com

PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest, këtë vit do të organizojë edicionin e tretë të Green Film Project, projekt ky i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe aktivizmin tek të rinjët për rëndësinë e mjedisit, me fokus impaktin që ka shoqëria në kualitetin e ajrit përgjatë tërë vitit.

Green Film Project është program me karakter garues me temë mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që këtë vit do të jetë me fokus të veҫant në cilësinë e ajrit.

PriFest, ju fton që të merrni pjesë në edicionin e III të Green Film Project për të sjellur para publikut të PriFest idetë tuaja kreative, në formë të filmit të shkurtër dokumentar apo fiktiv, që trajtojnë ajrin.

Reflektimet tuaja për ajrin, njohuritë apo kurioziteti rreth ajrit, gjetjet tuaja arkivore ose ato të dokumentuara rishtazi, idetë inovative ose ato poetike, secila arsye logjike apo emocionale që do t’u inspironte për ta zgjedhë filmin si mjet për tregimin tuaj, mund ta shfaqni në Green Film Project.

Drejtoresha e Festivalit PriFest Vjosa Berisha shprehet e kënaqur që ky aktivitet do të vazhdojë të jetë pjesë e PriFest:

“ – Vetëdijësimi i të rinjve lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe dhënja e informatave për këtë problematikë është shumë e rëndësishme, andaj për ne si festival, marrë parasysh se kemi mundësi dhe hapsirë që të informojmë publikun lidhur me këtë ҫështje, e bëjmë këtë gjë me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi. Mënyra se si e kemi realizuar në të kaluarën ka qenë shumë e përshtatshme sepse përmes garës janë stimuluar të rinjët që të kyҫen dhe të realizojnë idetë e tyre. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë edhe këtë vit.”

Ndërsa, të drejtë pjesëmarrje kanë:                                                                                    

–          Të gjithë të rinjtë moshës 16 vjeç.

–          Pjesëmarrësit nuk kanë nevojë të kenë ndonjë përgatitje paraprake si filmbërës. Mjafton të kenë idenë dhe dëshirën për të prodhuar një film

–          Filmat mund të xhirohen me çfarëdo mjeti xhirues: kamera, smartphone, ipad, etj.

–          Kohëzgjatja e filmit nga 30 sekonda deri në 3 minuta

–          Projekti është i hapur deri më datë 1 korrik.

–          Filmat e përfunduar duhet të ngarkohen në linkun e ndarë enkas për Green Film Project në www.prifest.org

–          Pjesëmarrësit poashtu duhet të plotësojnë formën e aplikacionit me të dhënat e tyre që do të ndodhet në ëebfaqen e PriFest prifest.org

–          Pjesëmarrësit në garë mund të ndajnë edhe një promo të vogël të filmit 10 sekonda të cilën mund ta promovojnë në Instagram me hashtag #GreenFilmProject2019 #PriFest #millenniumfoundationks.

–          Të drejtë aplikimi kanë vetëm shtetsati Kosovar.

Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit për t`u shfaqur në PriFest 11 në njërën nga netët e festivalit në datat 16-21 korrik. Ndërkohë juria ndërkombëtare do të përzgjedh edhe filmin më të mirë të Green Film Project. Autori i filmit më të mirë do të fitojë si shpërblim një kamerë profesionale dhe Pllaketën e Hyjneshës së Gjelbër.

Edicionet e kaluara të Green Film Project, kanë nxitur interesim të jashtëzakonshëm tek të rinjtë kosovarë, të cilët nëpërmjet filmit kanë arritur edhe të mësojnë më shumë rreth mbrojtjes së mjedisit.

PriFest këtë vit mbahet më datë 16-21 korrik.

       Miqësi. Përgjithmonë. PriFest

#LiterallyJustEmergedFromTheWoods dhe #PeopleFromtheWoods

Pasi Ana Brnabic, kryeministre e Serbisë, në një organizim politik i ka quajtur shqiptarët si ‘të ardhur prej mali’, duke mos qenë kjo deklarata e saj e parë raciste ndër vite, shqiptarët e Kosovës janë organizuar në rrjetin social Twitter.

Heshtegu #literallyjustemergedfromthewoods – apo në shqip ‘të sapodalur nga mali’ ka arritur rreth 2.3 milion përdorues të rrjeteve sociale, me shqiptarët që kanë nisur këtë kampanjë për t’i treguar Brnabic për të arriturat e tyre në jetë, edhe pse ‘të dalë nga mali’.

Njerëzit kanë postuar sukseset e tyre, pozitat e punës, Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Era Istrefin, fotografitë nga mali, fotografitë familjare dhe shumë kreativitet të lidhur me këtë deklaratë të panevojshme nga Brnabic.

Krahas heshtegut të parë, shumë njerëz kanë postuar fotografi me heshtegun tjetër #PeopleFromtheWoods – apo njerëzit nga mali. Petrit Selimi, Vlora Çitaku, Gjeraqina Tuhina, gazetarë e personazhe tjera publike por edhe qytetarë kanë marrë pjesë me idetë e tyre në këtë fushatë.

Krijime mahnitëse të pikturuara mbi gra të zhveshura

Në një projekt që përshkruan bukurinë e formës femërore me skena spektakolare nga natyra, një artist ka krijuar imazhe mahnitëse në shpinë e femrave, përcjellë GazetaBlic.

John Poppleton nga Kalifornia, krijon vepra të pabesueshme të artit të pikturuara drejtpërdrejt në lëkurën e njeriut duke përdorur nuancat fluoreshente, vjollcë, portokall dhe gjelbër, duke realizuar më pas fotografi me to.

Projekti i tij, i quajtur “Nën dritën e zezë”, përbëhet nga trupa të fenomeneve spektakolare natyrore, oqeane tropikale gjatë stuhisë së shiut, dhe vargjet malore nën dritën e hënës.

Artisti përshkruan skena kozmike të yjeve, galaktikave dhe auroreve të ndritshme. Skenat e tij të mrekullueshme me piktura fotografohen nën dritën e zezë për të prodhuar imazhe me ngjyra të ndezura në dukje./KultPlus.com

“Virtyti më i madh i njeriut është ndoshta kurreshtja”

Disa thënie nga Anatol France:

Të gjitha ndryshimet, edhe ato më të dëshiruarat, kanë melankolinë e tyre; sepse ajo çfarë ne lëmë pas nesh, është një pjesë e jona; ne duhet të vdesim ndaj një jete, përpara se të hyjmë në një jetë tjetër.

Shansi është ndoshta pseudonimi i Zotit, kur ai nuk dëshiron të firmosë.

Ekzistenca do të ishte e patolerueshme, nëse nuk do të ëndërronim kurrë.

Librat e historisë që nuk përmbajnë gënjeshtra, janë tmerrësisht budallenj.

Unë parapëlqej më mirë trallinë e entusiazmit se indiferencën e zgjuarsisë.

E falënderoj fatin që më lindi të varfër. Varfëria më mësoi mua vlerat e vërteta të dhuntive të dobishme për jetën.

Edhe sikur një milion veta ta thonë një marrëzi, ajo është prapë marrëzi.

Nëse rruga është e bukur, le të mos pyesim se ku na çon.

Injoranca dhe gabimi janë të domosdoshëm për jetën, si buka dhe uji.

Në art, si në dashuri, instinkti mjafton.

Pafajësia më së shumti është fat i mirë dhe jo virtut.

Ironia është kënaqësi e reflektimit dhe përjetim i zgjuarsisë.

Është më mirë të kuptosh pak se të keqkuptosh shumë.

Është në thelbin e njeriut të mendojë zgjuarsisht dhe të veprojë në mënyrë absurde.

Njeriu nuk është kurrë i lumtur, përveç me çmimin e njëfarë injorance.

Shkollimi nuk ka të bëjë shumë me çfarë kemi mbushur kujtesën, as me sa shumë ne dimë. Aika të bëjë me aftësimin për të dalluar midis çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë.

Një shkollim që nuk e kultivon dëshirën është një shkollim që e përjashton mendjen.

Besimtarët e përkushtuar janë të siguruar në shkallë të lartë kundër rrezikut të disa sëmundjeve neurotike; pranimi i neurozës universale nga ana e tyre ua kursen atyre mundësinë e një neuroze personale.

Vetëm të varfërit paguajnë me para në dorë, dhe jo nga virtuti, por ngaqë atyre iu mohohen huatë.

Është mirë që zemra të jetë naive dhe mendja të mos jetë.

Të dashuruarit që dashurojnë vërtetë, nuk e mbajnë shënim lumturinë e tyre.

Natyra nuk ka parime. Ajo nuk bën ndryshime midis së mirës dhe së keqes.

Mos jep kurrë libra, sepse askush nuk t’i kthen ato; të vetmit libra që i kam në bibliotekë janë ata që të tjerët m’i kanë dhënë mua.

Nëntë të dhjetat e edukimit janë inkurajim.

Nuk ka qeveri pa censorë; dhe atje ku shtypi është i lirë, askush nuk do ta donte

Nga të gjitha përkufizimet që i janë bërë njeriut, më i keqi është ai që e shikon atë si një kafshë të arsyeshme.

Një gjë më shumë se gjithçka i zbukuron mendimet e njerëzve, dhe kjo është rrëmuja. Një mendje që nuk është e ndërlikuar më irriton dhe më mërzit mua.

Vetëm burrat që nuk janë të interesuar për gratë, janë të interesuar për veshjet e grave. Burrat që iu pëlqejnë gratë nuk ua shikojnë kurrë veshjet.

Feja ia ka bërë dashurisë një shërbim të madh kur e ka shpallur atë mëkat.

Heshtja është magjia e budallenjve.

I matur është ai njeri që as shpreson, as ka frikë nga ngjarje të tilla që përcaktojnë të ardhmen.

Njeriu mesatar nuk do çfarë të bëjë me këtë jetë, megjithatë dëshiron një jetë tjetër që do të zgjaste përgjithmonë.

Librat të cilët gjithkush i admiron janë ata të cilët akush nuk i lexon.

Budallai e mendon veten se është i zgjuar, por i zgjuari e di veten se është budalla.

Kritik i mirë është ai që i lidh aventurat e shpirtit të tij në mesin e kryeveprave.

Virtuti më i madh i njeriut është ndoshta kureshtja.

Vuajtja! Ne ia detyrojmë asaj të gjithë të mirën brenda vetes, gjithçka që i jep vlerë jetës; ne ia detyrojmë asaj mëshirën, ia detyrojmë guximin, ia detyrojmë të gjitha virtutet.

Ligji, në barazinë e tij të përkryer, ua ndalon të pasurve si dhe të varfërve të flenë poshtë urave, të luten në rrugë dhe të vjedhin bukë.

E vërteta është se jeta është e mrekullueshme, e tmerrëshme, magjepsëse, e ëmbël, e hidhur, dhe kjo është e gjitha.

I gjithë arti i mësimdhënies është vetëm art i nxitjes së kureshtjes natyrore të mendjeve të reja me qëllim që të kënaqin të ardhmen e tyre.

Për t’i përmbushur gjërat e mëdha, ne nuk duhet vetëm të veprojmë, por edhe të ëndërrojmë; jo vetëm të planifikojmë, por edhe të besojmë.

Përfytyrimi është gjithçka, dija nuk është asgjë.

Shetitjet në natyrë e rivendosin harmoninë zanafillore, e cila dikur ekzistoi midis njeriut dhe universit.

Lufta do të zhduket vetëm atëherë kur njerëzit nuk do të marrin pjesë në asnjë lloj dhune dhe do të jenë gati të vuajnë çdo persekutim që d t’iu sjellë kjo mungesë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta shfuqizuar luftën.

Ne nuk i durojmë njerëzit kur flasin për veten, por ajo është tema që e trajtojnë më mirë.
Ajo që na frikëson më shumë në një njeri të çmendur është të biseduarit e tij të shëndoshë.

Pa gënjeshtra njerëzimi do të rrënohej nga dëshpërimi dhe mërzia.

Njeriu mëson të flasë duke folur, të studiojë duke studiuar, të vrapojë duke vrapuar, të punojë duke punuar; në të njëjtën mënyrë ju mësoni të duheni duke dashuruar./Elida Buçpapaj/

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq i quan shqiptarët ‘njerëz të malit’, i përgjigjet eksperti Alon Ben-Meir

Profesori amerikan Alon Ben-Meir dhe eksperti i politikës reagon ndaj deklaratës së kryeministrës së Serbisë e cila deklaroi se shqiptarët janë njerëz që kanë dalur nga malet, shkruan KultPlus.

Ben-Meir përmes një statusi në facebook duke shfaqur fotografitë e figurave të çmuara të grave shqiptare që patën sukses botërorë i përgjigjet Brnabiqit dhe e quan deklaraten e saj të turpshme.

Dr. Alon Ben-Meir është një ekspert i politikës dhe çështjeve të Lindjes së Mesme, i specializuar në bisedimet e paqes midis Izraelit dhe shteteve arabe. Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, Dr. Ben-Meir është përfshirë drejtpërdrejt në negociata të ndryshme midis Izraelit dhe vendeve të saj fqinje dhe ka vepruar si një ndërlidhje midis zyrtarëve të lartë arabo dhe atyre izraelitë. Përveç kësaj, Dr. Ben-Meir shkruan artikuj javore, duke përfshirë një kolonë të përbashkët në Jerusalem Post../KultPlus.com

Ritmi i valëve të Detit Adriatik prodhon muzikë natyrale

Arqitekti kroat Nikola Baic është duke bashkëpunuar me detin Adriatik për të bërë një muzikë të rrjedhsh,e. Në vitin 2005, ai kishte dizajnuar një objekt të artit të dëgjimit të quajtur Organet e Detit me 230 këmbë që përdorë ritmin e valëve për të luajtur një melodi, shkruan KultPlus.

Në sipërfaqe ky krijim mund të duket si një kombinim i zakonshëm i shkallëve të bardha të gurit, por është i mbuluar me disa vrima të ndryshme.

Këto hapje të çojnë në dhomat brenda instrumentit që lidhen me 35 tuba organesh. Ndërsa valët pëlcasin dhe rrjedhin, ajri shtyhet përmes kanaleve të brendshme në pjesën e poshtme të shkallëve dhe nga vrimat e sipërme të bilbilit që luajnë meloditë e ëmbla. Kjo e bën një aleancë të harmonishme midis njeriut dhe natyrës.

Ky objekt ‘Organi i Detit’ ndodhet në Zadar, Kroaci, i cili u shkatërrua në mënyrë shkatërruese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë rindërtimit, qyteti ishte i mbushur me struktura të betonit të rrafshët që nuk bënë shumë për të përmirësuar bukurinë e zonës. Falë ndërtimit muzikor të Baicit, gëzimi artistik po kthehet në qytetin 3,000-vjeçar./KultPlus.com

Të rinjtë që duhen

Poezi nga Zhak Prever

Të rinjtë që duhen puthen në këmbë
Përballë portës së natës
Dhe kalimtarët që kalojnë i tregojnë me gisht
Por të rinjtë që dashurohen
S´ndodhen aty për askënd
Është vetëm hija e tyre
Që dridhet në errësirë
Duke shkaktuar tërbimin e kalimtarëve
Tërbimin e tyre përbuzjen e tyre nënqeshjet e tyre
Zilinë e tyre
Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd
Ata janë gjetiu shumë më larg se nata
Shumë më lart se dielli
Janë në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë./KultPlus.com

Në Beograd po shfaqet ‘Ferdonija’, jashtë sallës ka protesta

Në Beograd sonte në kuadër të festivalit Mirëdita Dobar Dan po shfaqet filmi “Ferdonija”.

Siç tregon gazetarja Alberina Haxhijaj nga KultPlus, nga Beogradi, jashtë sallës ku po shfaqet filmi ka protesta ndërsa të gjithë të pranishmit brenda sallës nuk po lejohet të dalin prej sallës, për shkaqe sigurie.

“Ferdonija” është film nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti dhe tregon jetën e një gruaje e cila ka humbur anëtarët e familjes së saj në luftën e fundit në Kosovë.

Haxhijaj është brenda sallës ku po shfaqet filmi dokumentar dhe do të na sjellë ngjarjet e fundit nga festivali.

***

“Ambiciet e mia nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike. Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djem dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen” tha sonte Shkurte Dauti, një prej regjisoreve të filmit, në këtë shfaqje para publikut në Beograd.

“Street art” rinon Patosin, artistët e huaj pikturojnë pallatet e vjetra

Arti Mural po përhapet gjithmonë e më shumë dhe këtë rradhë është qyteti i Patosit ai që ka mirpritur Festivalin ndërkombëtar “ Street Art”.

Prej ditesh, dhjetë artistë të njohur ndërkombëtare kanë nisur punën e pikturimit ne 6 pallate. Kuratori Elidon Haliti e shikon nismën si një vlerë të shtuar për qytetin.

Këtë herë artistët do të sjellin punime që vec fantazisë së tyre do ti prshataten urbanistikës, e do të ruajnë simbolikën  e qytetit.

Ky festival do të vazhdojë deri me 2 qershior në Patos, ndërsa një tjeter I tillë kushtuar artit mural do të nisë në fundjavë në Tranë me artitë të huaj.

Letra e fundit dashurisë e pinjollit të Kokalarëve: Kurrë nuk kam dashur askënd, përveç teje

15 prill 1945. Lemi Kokalari ishte 23 vjeç dhe kryente shërbimin ushtarak pranë U.S. Army Air Corps, kur u lidh në martesë me Drita Pashun, atëherë 21 vjeçe. Ata do të jetonin rreth 50 vjet këtë marrëdhënie të bukur. Pak para se të ndronte jetë, disa muaj para se të festonin 50-vjetorin e martesës, Lemiu do të shkruante letrën e fundit ku i kujtonte edhe një herë Dritës se ishte dashuria e vetme e jetës së tij. Disa pjesë nga letra, janë si më poshtë:

“Ne kishim uljet dhe ngritjet tona, por nëse do e jetoja edhe një herë sërish jetën time, nuk do të kishte asnjë tjetër për mua, por veç ti. Do të kthehem pas, kur të pashë të parën herë në Rrugën Norfolk, kur ti ishe rreth 14 vjeç dhe unë rreth 16 vjeç, dhe megjithëse isha shumë i ri për të menduar për martesën, thashë me vete, ‘ajo është’.

Pastaj kaluan disa vjet, ti ishe rreth 16 vjeç ndërsa unë pothuaj 18 vjeç, kur shkuam së bashku në kinema. Nuk mbaj mend se si e bëmë të mundur, por ne e bëmë. Kjo ishte dalja jonë e parë së bashku. Në film unë isha aq nervoz dhe atë natë nuk fjeta fare. Pyesja veten se çfarë mendoje për mua, dhe kur do të mund të dilnim përsëri. Mezi prisja të të shihja përsëri. Në ato ditë, siç e di, nuk ishte kaq e lehtë.

Familja jote ishte larguar nga Norfolk Street dhe ne qëndruam larg për disa vite. Unë nuk e kisha guximin për të ardhur në shtëpinë tënde, edhe pse shumë herë më tundonte ky mendim. Me kalimin e viteve, ne u takuam aty-këtu, por me distancën, shkollën dhe punën, ne ishim të ndarë, megjithëse të kisha gjithmonë në mendje.

Pastaj erdhi lufta, dhe unë shkova në ushtri. Nga kampi im të shkrova një letër. Nuk mbaj mend nëse më shkrove edhe ti, apo jo, por unë mora një kuti me karamele nga ju. Unë e di që ti dhe familja jote dërguat kuti të tilla për të gjithë djemtë shqiptarë në shërbim, por unë e mora kutinë time si personale.

Dhe po atë çast unë mendova që në vizitën e ardhshme në shtëpi do të vija në shtëpinë tënde, gjë që e bëra dhe lidhja jonë filloi. U ktheva në bazën e ushtrisë duke menduar se e përfundova qëllimin tim. Kështu që unë vazhdoja të shkruaja. Nga ky moment fillova të vija në shtëpi më shpesh, kur më në fund arritëm të njiheshim mirë njëri-tjetrin. Çdo gjë ndodhi shpejt deri në lidhjen në martesë. Ëndrra ime kishte ndodhur vërtet. Unë kurrë nuk kam dashur askënd përveç teje”. /Shqip/KultPlus.com

Mbledhje komemorative për Petrit Imamin

Dramaturgu kosovar Petrit Imami u shua dje me datën 29 Maj në Beograd, shkruan KultPlus.

Ndërsa nesër me datën 31 Maj nga ora 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të mbahet mbledhje komemorative për dramaturgun, skenaristin, profesorin e intelektualin Imami.

Profesor Petrit Imami la pas vetes një bagazh të pasur artistik duke filluar nga skenari, drama por edhe botime të librit të cilat u ndihmojnë gjeneratave të reja të avancohen në ketë drejtim.

Në anën tjetër kishte botuar edhe fjalor të gjuhës shqipe dhe të serbishtes e një mori studimesh tjera përfshirë edhe tri vëllimet rreth raportit shqiptar dhe serb./KultPlus.com

Leximi dhe shëndeti mendor: Shkrimtarët e njohur flasin për shërimin tekstual

Në momentet më vë vështira, letërsia mund të jetë ilaçi më i mirë. Telegrafi sjell pjesë të debatit të veçantë të organizuar nga BBC Culture, me shkrimtarë të njohur të Anglisë.

Ditët e fundit ishin të tmerrshme për Theresa Mayn. Ajo shpejtë do të jetë ish-kryeministre, por pasi do ta lë Numrin 10, cilët libra mund të lexojë për të zbutur shpirtin e trazuar?

Mund të fillojë me romanin klasik të vitit 1978, të shkrimtarit amerikan Hubert Selby Jr, “Rekuiem për një ëndërr”, të cilën e sugjeron “biblioterapistja” Ella Berthoud. Rrëfimi për katër njerëz që në mënyra të ndryshme e luftojnë varësinë nga droga – më vonë i përshtatur në film, në fillim të mijëvjeçarit – mund të jetë “i zymtë, por mendoj se do të lidhet me të”, thekson Berthoud. “Mesazhi i përgjithshëm i librit është që të përpiqemi t’ju përmbahemi parimeve; ta kapin momentin edhe një herë. Ndaj, shpresoj se do ta lexojë dhe se do të ndjehet e pastruar dhe e ripërtërirë”.

Ky rekomandim erdhi gjatë një diskutimi interesant për vlerën terapeutike të romaneve. Nën moderimin e shkrimtares dhe gazetares së BBC-së, Hephzibah Anderson, paneli i debatit me temën “Shërimi tekstual: A mund të shërojë proza letrare?”kishte Berthoudin, autore dhe agjente letrar, e cila dha këshilla personale për lexim dhe mendimet sesi letërsia përmirëson shëndetin mendor. Në debat me të ishin edhe romancierët Jessie Burton dhe Alex Wheatle.

Pra, si mundet libri të të ribalancojë?

Mbi të gjitha, siç u pajtuan panelistët, librat ofrojnë një formë të arratisjes, që është më intensive sesa çdo formë tjetër arti.

“Me një shfaqje filmike ose televizive ju jepen pamjet, kurse me një roman e shpikni vetveten, ndaj është një ngjarje më e fuqishme sepse ju jeni të përfshirë aty”, theksoi Berthoud.

Wheatle ofroi një shembull të fuqishëm të efektit transportues të prozës letrare, kur kujtoi zbulimin e “Hakëllberi Finit” të Mark Twainit, teksa jetonte në një shtëpi për fëmijë në jug të Londrës. “Libri ishte vendi ku mund të ikja nga trazirat e mia të përditshme. Të paktën mund të fshihesha nën mbulesa, me pishtarin tim të vogël, të kaloja nëpër ato faqe e të imagjinoja se isha lundrues në Misisipi, në një anije me avull ku unë merrja vendimet e mia se kur do të haja e kur do të pushoja”.

Me tregimet e strukturuara, romanet mund të sjellin rend në një mendje të çrregulluar. Burton i tha audiencës së mbledhur se romanet e saj të preferuar për t’u lexuar gjatë kohëve të turbullta, ishin ato të serisë së CJ Sansomit, për misteret historike të Anglisë së kohës së dinastisë Tudor. Kur pak vite më parë, suksesi i debutimit të Burtonit – vepra “Miniaturisti” – shkaktoi një episod të ankthit, ishte Sansomi ku u kthye për ngushëllim: “Duke u përfshirë në komplot të zymtë që ju mund të përpiqeni ta zgjidhni, ky është aktivitet i zhvendosjes nga zhurmat e mendjes suaj”, shpjegoi ajo.

Paneli ishte gjithashtu i bashkuar në mendimin se letërsia nuk duhet të jenë doemos e lumtur – në fakt ajo mund të jetë pozitivisht e zymtë. Wheatle kujtoi se kur rritej, babai do t’i tregonte për fëmijërinë e tij në Xhamajkë, kur një “tregimtar shkonte nga fshati në fshat, veçanërisht në kohët e korrjes, dhe se ata do të interpretonin tregimet e skllavërisë. Kjo pjesë është shumë e zymtë, por gjithashtu afirmon luftën që njerëzit kanë kaluar”.

Rileximi i romaneve të preferuara mund të ofrojë një lloj biblioterapie të veçantë. Berthoud tha se ajo kishte marrëdhënie të vazhdueshme me “Tesin e D’Erbervilëve” të Thomas Hardyt. “Herën e parë që e lexova, kur isha 15 vjeçe, me të vërtetë identifikohesha me Tesin, dhe herën e dytë, 10 vjet më vonë, pashë se isha pasive siç ishte ajo. Dhe, pastaj e lexova edhe 10 vjet më vonë dhe fillova të kuptoja përsëri disa nga vendimet e mia. Ka diçka te rikthimi në një libër, përmes jetës tuaj, gjë që është tepër e dobishme – ju e njihni veten më mirë, sepse i vizitoni shtresat që keni pasur gjatë viteve, si një qepë”.

Duke menduar për lexuesit më të rinj, letërsia mund të luajë rol të rëndësishëm në trajtimin e krizës së shëndetit mendor, që është gjithnjë e më shumë pjesë e temave në botë. Tani ekzistojnë gjithnjë e më shumë romane për të rinj, që mund të ndihmojnë adoleshentët t’ju drejtohen çështjeve me të cilat ata mund të merren në jetën e tyre të përditshme, që nga ngacmimi e deri te droga, çështjet transgjinore dhe çështjet e përjashtimit social. Berthoud përmendi romancierët Juno Dawson, Melvin Burgessdhe Malorie Blackman që mund të jenë më të dobishëm që të shtyjnë fëmijët për të folur për “çështjet që mund të ndodhin në jetën e tyre, por që nuk kanë qenë në gjendje t’i artikulojnë. Unë me të vërtetë mendoj se një libër mund të jetë sëpata që thyen detin e ngrirë brenda nesh, siç ka thënë Kafka, dhe kjo është e vërtetë për çdo moshë”.

Por, derisa leximi sjell përfitime të padyshimta psikologjike, ç’të themi për shkrimin?

Wheatle dhe Burton pranuan se jeta e një shkrimtari mund të jetë një qese e përzier – e të mirës dhe të keqes. Nga njëra anë, siç sugjeroi Wheatle për shkrimet e tij mbi përvojat gjatë kujdesit, kjo mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të përpunuar dhe për të zbrazur traumat emocionale. Nga ana tjetër, siç tha Burton, “akti i shkrimit është jashtëzakonisht i izoluar dhe ju jeni vetëm për javë, muaj e vite. Isha një aktore, e kjo ishte eksperiencë bashkëpunuese, përvojë që më mungon shumë… paradoksi është që libri juaj lexohet nga mijëra njerëz, por nuk jeni atje për ta dëshmuar këtë; nuk bëni koncert për këtë, kështu që është ndjesi shumë e çuditshme”.

Në fund, duke parë ndikimin që një libër mund të ketë në mirëqenien e lexuesve, kjo është gjëja më e mirë për mirëqenien e një shkrimtari. Wheatle kujtoi një reagim të pazakontë dhe të mirë që ai merr kohët e fundit. “Ajo tha: ‘Alex, e dua librin, më bëri të merrem me poçeri. Mendova se ‘nuk ka asgjë për poçerinë’ në libër. Por, ajo gjithmonë donte të merrej me poçeri dhe meqë heroina kalon në shumë pengesa në jetën e saj dhe ajo përpiqet t’ia dalë si të mundet, kjo e ka frymëzuar atë. Rralë merr këtë lloj reagimi, por kur e merreni bindesh se kjo është arsyeja se pse merremi me këtë punë. /Telegrafi/KultPlus.com

Bukurije Gjonbalaj emërohet këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Sarandë B. Rugova

Në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri është ministri Gent Cakaj. Ndërsa së fundmi si këshilltare për Integrim në Ministrinë përkatëse është zgjedhur Bukurije Gjonbalaj, shkruan KultPlus.

Bukurije Gjonbalaj njihet si një diplomate me koxha përvojë në politikë e cila kishte qenë edhe ambasadore e Kosovës në Itali.

Ish-ambasadorja Gjonbalaj, kishte qenë një nga gratë e pakta që ishin aktive në politikë.

Pas rrugës së gjatë të aktivitetit politik që kishte zhvilluar në Kosovë dhe jashtë vendit, ka vendosur që kontributin e saj prej diplomate të jap edhe në Shqipëri./KultPlus.com

Rimëkëmbet “Hollywood-i” i Evropës

Dikur një nga studiot më të mëdha të filmit në Evropë, e preferuar nga emra të tillë si Alfred Hitchcock apo Pablo Picasso, “Victorine” në Nisë ka luftuar që prej viteve 2000 që të shmangë ‘mbytjen’. Por, tani, ajo po feston 100 vite të krijimit dhe qyteti i bukur bregdetar francez duket i gatshëm të injektojë jetë të re në strukturën ikonë.

E konsideruar si djepi i kinemasë në Côte d’Azur, “Victorine” dhe përvjetori i rëndësishëm i saj janë duke u kremtuar me 7 ekspozita, përfshirë edhe një prezantim shumë të pasur në Muzeun “Masséna”, me titull “Nice, Cinémapolis”, i cili do të tregojë më qartë lidhjet e saj të privilegjuara me artin e shtatë.

Janë mbi 1.000 filma të xhiruar në Nisë, përfshirë kryeveprat e Hitchcockut ose Truffaut, dhe një aktivitet i vazhdueshëm nga vëllezërit Lumières.

“Ne shpesh kemi menduar se qyteti më i madh i kinemasë në Côte d’Azur ishte Kana, e cila ka një festival të rëndësishëm botëror. Por, kur zhytemi në histori, kinemaja në fakt është bërë pikërisht këtu”, thotë Jean-Jacques Aillagon, kurator i “Biennale des Arts de Nice”, me temën “l’Odyssée du cinéma”.

I mbiquajtur “Hollywood”-i i Evropës në një pamflet të vitit 1927, studioja “Victorine” ka pasur ulje-ngritjet e saj që prej themelimit në vitin 1919 nga Serge Sandberg, megjithatë tani duket se është në rrugën e mbarë të ripërtëritjes.

Albani e Mirami sapo lansuan këngën e tyre më të re, klipi me momente të kurorëzimit në Maldive (VIDEO)

Alban Skënderaj dhe Miriam Cani para disa ditëve kanë kurorëzuar lidhjen me martesë. Çifti që është bashkë që 12 vjet, kishte përzgjedhur ishujt luksoze të Maldiveve për të kurorëzuar romancën e tyre.

Edhe pse larg syrit të publikut, dyshja pritet që gjatë fundjavës të bëjë edhe një dasmë.

Çifti shumë i dashur për publikun para disa ditës kishin paralajmëruar për këngën me të re të cilën sapo e publikuan sot, kënga titullohet “Duamë”, klipi i së cilës është xhiruar në Maldive me momentet më të lumtura të çiftit gjatë kurorëzimit të dashurisë së tyre./KultPlus.com

Shuhet një nga parodistët e Vlorës

Aktori i madh vlonjat i humorit, Muhamet Lika është ndarë sot nga jeta në moshën 65 vjeç. Lika vuante prej kohesh nga sëmundja e zemrës, ndërsa ishte për kurim në Itali.

Muhamet Lika numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41-vjeçar. Lika mban shume tituj dhe çmime ndërsa së fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh” Lika është baba i dy fëmijëve.

Ndarja nga jeta e Muhamet Likës është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare ndërsa familja humbi njeriun e shtrenjtë të saj./KultPlus.com

Bebe Rexha nesër publikon këngën e re me The Chainsmokers

Përmes rrjeteve sociale këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka konfirmuar se nesër do të publikojë këngën e saj të re në bashkëpunim me The Chainsmokers.

“Call You Mine”, quhet kënga e tyre e re, që vjen me videoklip, transmeton Koha.net.

Kjo këngë është pjesë e albumit të ri të The Chainsmokers “World War Joy”.

Sekuenca të videoklipit ka publikuar Bebe Rexha në Instagram.

Kujtime për Dritëro Agollin: Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin

Nga: Kiço Blushi (1943-2019)

Nuk e di se si mund të ketë ndodhur që në një fshat të Devollit (Menkulas) është shënjuar me emrin Dritëro një foshnjë që destini historik nuk do ta lejonte të ndiqte trashëgiminë e të bëhej bujk, por shkrimtarin më të madh e më shqiptar të këtij shekulli.

Nuk e kam për zakon të flas në mënyrë kategorike për askënd e për asgjë, pasi e di fort mirë që kjo veti, në mos është shenjë budallallëku, së paku është shenjë servilizimi. Nga kjo e dyta nuk kam frikë.

Kur Dritëroi ka qenë kryetar i Lidhjes disa herë jam ndeshur me të e prapë ne mbetëm këta që jemi: Kuvendarë të respektuar e për këtë ka meritë fisnikëria e Dritëroit.

Nuk ka qenë vetëm një rast kur Dritëroi është sulmuar në mënyrë të turpshme pikërisht nga ata letrarë shkarrashkrues gazetash të cilëve ai u ka bërë ndere të mëdha jo vetëm duke i përkrahur për botime, por edhe duke i sjellë nga periferitë në qendër të Tiranës, pasi atëherë, siç dihet, nuk ekzistonte qarkullimi i lirë i njerëzve si sot. Por, në asnjë rast, në shtyp jo se jo (dhe dëshmi janë edhe këto libra me publicistikë), por as me gojë ai nuk ka dëshirë të shprehet “për ata”. “Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin”, thotë ai shkurt, duke u skuqur, për të treguar se ai jo vetëm që nuk e ka për zemër të flasë për mëkatin e mosmirënjohësve, por edhe se ata ai i ka falur, pasi si zhbirues i lindur i shpirtit njerëzor e di fort mirë se shumë njerëz të rëndomtë bien kollaj pre e tundimit për shkak të varfërisë shpirtërore e materiale, gjë që prish karakterin dhe moralin njerëzor.

Nuk njoh asnjë personalitet tjetër të letrave e të kulturës sonë që të mos ketë frikë nga e kaluara, nga e sotmja (nevojat materiale, marrëdhëniet shoqërore, me partitë, me publikun etj.) por edhe nga e nesërmja (ç’do të thonë lexuesit nesër?). Sidomos në këto shtatë vitet e fundit kemi patur fatin të shohim lakuriq shumë personalitete që hermetizmi i çdo lloj diktature vesh me një vel fals. Të trembur nga e kaluara e tyre, duke dhënë prova mashtruese për gjoja disidencë, ata nuk e kuptuan se kësisoj përfitimi nga e sotmja do të sjellë pashmangshmërisht rrënim të së nesërmes (të emrit të tyre). Kthimi i vlerave në antivlera dhe anasjelltas, dukuri kjo mjaft e prekshme në këto vite ka sjellë prishje të ekuilibrit moral në shoqërinë shqiptare e është kjo prishje ekuilibri që solli rrënimet e shkatërrimet e fundit. Emri Dritëro është padyshim ndër ato emra që jo vetëm për sot por edhe për nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka patur edhe burra të vërtetë që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga koniunkturat kohore.

Nuk gjen në Shqipëri në asnjë kadastër e zyrë civile ndonjë person me emrin Dritëro. Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “shënjimi” profetik i bërë 66 vjet më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, inatçor, zemërmadh e mbi të gjitha i urtë prej veprës të të cilit, bota shpirtërore është dritëruar për gati pesëdhjetë vjet.

Jam i bindur që sa thashë më lart, po edhe intervistat që i kam marrë unë e jo më pastaj gjithë korpusi i publicistikës së tij, vërtetojnë vetëm pjesërisht si analiza laboratorike e një pike uji të marrë nga një lumë i madh që nuk ka të shterrur (26.8.1997). /Dita/

Filharmonia me dy koncerte, njërin për nder të Lorenc Antonit

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë shtypi, në lidhje me koncertin e Korit të Filharmonisë, i cili do të mbahet në bashkëpunim me festivalin ReMusica, për nder të 110 – vjetorit të lindje të Lorenc Antonit, raporton EkonomiaOnline.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, dha detaje rreth dy koncerteve që pritet të mbahen gjatë javës.

“Jemi në prag të koncertit të radhës që do të mbahet sonte, me korin e filharmonisë pas një jave mjaft të suksesshme që e kaluam në Paris pa pushim ju kemi rrek punës me dy koncerte gjatë kësaj jave, sonte dhe me 2 qershor koncerti i orkestrës. Koncerti i sotëm është koncert i pavarur i korit e quajmë koncert ‘Akapella’ përveç vokalit do të marrin pjesë edhe disa solist, Rafed Rudi dirigjent”, tha ai.

Dirigjenti Rafed Rudi, tha se përmes koncertit të sontëm do të shpërfaqin një literaturë bashkëkohore, e cila vë në pah muzikën e emocionalitetit.

“Filozofia e programit të  sotëm është mjaft qartë e përcaktuar dhe synim në program është afirmimi qitja në pah e një literature bashkëkohore por që mund të përmblidhet me një term, muzikë e mocionalitetit, muzikë që ka emocionalitet të ri. Vepra për Fa got dhe kor e Hovland si dhe vepra e fundit e imja e definojnë pikërisht këtë emërtim që unë e them. Muzikë që ka fillua në fund në shekullit 20 si rrym të muzikës atonale që kanë qenë në fund të viteve 70-ta”.

Rudi tha se pjesa tjetër e programit është e ndërtuar prej disa miniaturave të shkurta të kompozitorëve shqiptarë dhe vepra e Lorenc Antonit që shënon 110 – vjetorin e lindjes së tij.

“E kam marrë këtë vepër për ti treguar publikut për rëndësinë e autorit në muzike. Jam i bindur qe publiku do ta pëlqej kemi bë përgatitjet e duhura”, tha ai.

Ndërsa Orges Malaj,  fagotist nga Tirana, tha se ndjehet i priveligjuar që do të jetë pjesë e këtij koncerti.

“Ndihem i kënaqur që marrë pjesë në këtë bashkëpunim me maestron Rudin. Është hera e dytë që bashkëpunoj me të, por është e veçantë sepse ruaj lidhje të veçantë me korin e Filarmonisë së Kosovës. Shpresoj që sonte të japim më të mirën”, tha ai.

Ky koncert mbahet për nderë të 110 vjetorit të lindjes së Lorenc Antonit. 

Do të performojë Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën dirigimin e Rafet Rudit.

Poashtu do të përformojnë edhe Egil Hovland, John Leavitt, Dafina Zeqiri, Endri Sina, Oliver Messiaen, Stephen Leek, Jaakko Mantyjarvi.

Shqipëria në vitet 1928-1931, ekspozita e çiftit italian Quaroni interes të madh nga artdashësit

Ekspozita e fotografëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni me 780 fotografi të dixhitalizuara të arkivit personal të tyre të Shqipërisë së viteve 1928-1931, e çelur në  Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë, është vizituar nga një numër i lartë vizitorësh.

“Vetëm 10 ditë nga hapja, ekspozita “Arkivi Fotografik 1928-193″ shënon mbi 1000 vizitorë, të cilët po befasohen çdo ditë nga fotot e ekspozuara për herë të parë në COD nga çifti Quaroni”, bën të ditur COD.

Sipas COD, mbresëlënëse janë shënimet dhe vizitat nga studiues, gazetarë dhe trashëgimtarë të familjeve të njohura shqiptare të viteve ’20, të cilët do të japin ndihmesën e tyre për studime të reja të historisë së asaj kohe.

Vizitorët kanë zbuluar në këtë fotografi ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni.

Fotografitë janë realizuar nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën Italiane në Shqipëri. Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familja Quaroni i ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivën e familjes së saj, me 780 fotografi.

Të gjitha fotot e digjitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD deri më 29 qershor 2019./k.s/KultPlus.com