Madonna reagon për Eurovision: Nuk do të përkulem për t’ju përshtatur asnjë agjende politike

Gjatë mbrëmjes së kaluar ka startuar festivali evropian i muzikës, i njohur më mirë si Eurovision.

Në mbrëmjen finale që do të mbahet në kryeqytetin izraelit të Tel Avivit do të performojë disa këngë edhe Madonna.

Megjithëse nuk ka arritur një marrëveshje me Unionin Evropian të Transmetimeve dhe thirrjeve për bojkot, këngëtarja ka folur rreth kësaj teme për Reuters.

“Unë kurrë nuk do të ndalem së kënduari dhe nuk do t’i përshtatem agjendës politike të dikujt, as nuk do të ndalem të flas kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut kudo që të jetë në botë”, tha Madonna.

“Zemra ime prishet sa herë që dëgjoj për jetët e pafajshme që humben në këtë rajon dhe dhuna që bëhet për t’iu përshtatur qëllimeve politike të njerëzve që përfitojnë nga ky konflikt i lashtë. Shpresoj dhe lutem që së shpejti do të shpëtojmë nga ky cikël i tmerrshëm i shkatërrimit dhe do të krijojmë një rrugë të re drejt paqes “, shtoi ajo.

Ndryshe, nata finale e garës do të zhvillohet më 18 maj gjersa thirrjes për bojkot së palestinezëve dhe botës islame i është bashkuar edhe këngëtari, Roger Waters. 

Katër qytetet më mbresëlënëse në Kroaci për pushime të shkurta

Kroacia shumë shpejt është shndërruar në një vend për t’i kaluar pushimet viteve të fundit, kjo pasi që u mundëson turistëve shumë gjëra për t’i parë dhe shumë gjëra për t’i bërë.

Ndër tjerash, Kroacia është shtëpi edhe e shumë plazheve të bukura të cilat ia vlen t’i vizitoni, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, nëse jeni duke kërkuar për një pushim të shkurtë, atëherë janë qytetet ato të cilat duhet t’i keni në radarin tuaj.

P.sh. Dubrovniku asnjëherë nuk dështon t’i befasojë turistët falë Qytetit të Vjetër dhe mureve historike, ndërkaq Spliti është po aq i mahnitshëm.

Jemi duke folur për arkitekturë magjepsëse, trashëgimi kulturore dhe objekte të cilat jua vjedhin vëmendjen – krejt këto me një çmim jo shumë të shtrenjtë.

Dubrovniku

Popullariteti i Dubrovnikut është rritur pasi ka shërbyer si një prej lokacioneve ku është xhiruar serial “Game of Thrones” dhe fansat e vizitojnë për ta parë Qytetin e Vjetër me muret piktoreske që i ka dhe me rrugët prej kalldrëmi.

Ju nevojiten dy deri në tri ditë për të eksploruar çdo gjë, por nëse keni hapësirë kohore, ia vlen ta bëni një vizitë edhe në plazhin Banje.

Spliti

Shpenzoni tri apo katër ditë në Split dhe do të gjeni shumë histori, kulturë dhe një jetë vibrante të natës.

Kalaja spektakulare e Pallatit Diolcetian është diçka që patjetër duhet ta vizitoni, megjithëse qyteti është i mbushur edhe me kisha dhe katedrale magjepsëse.

Shëtituni nëpër rrugët e ngushta dhe eksploroni dyqanet dhe restorantet vendore, ndërkaq në mbrëmje shkoni në anën e detit në Riva ku do t’i gjeni restorantet dhe kafenetë më të mira.

Zagrebi

Kryeqyteti kroat ka shumë atraksione, duke përfshirë katedralet e mahnitshme, St Mark dhe Ban Josip Jelacic, e gjithashtu edhe një prej muzeve më të çuditshëm në botë – Muzeun e Lidhjeve të Ndara.

Pula

Pula është shtëpi e shumë rrënojave romake, duke filluar nga amfiteatri i vet e deri te Tempulli i Augustusit.

Veç kësaj, adhuruesit e ushqimit këtu mund ta shijojnë udhëtimin duke shijuar ushqim të mahnitshëm dhe verëra të cilat gjenden në këtë qytet piktoresk me pamje kah deti. /Telegrafi/ KultPlus.com

Bebe Rexha shpërblehet me çmim në BMI Awards

Çmimet BMI janë ceremoni vjetore për kompozitorë në zhanre të ndryshme të organizuara nga Broadcast Music, Inc., duke nderuar autorët e këngëve dhe këngëtarët interpretues.

Çmimi kryesor i muzikës pop u themelua në vitin 1952, gjersa këtë vit festohet edicioni i 67-të i tij.

Këngëtari i famshëm Sting, është nderuar për këngën e tij hit “Every Breath You Take”, e cila është bërë kënga më e dëgjuar në katalogun BMI të mbi 14 milionë veprave muzikore.

Ngjarja është zhvilluar në Hotelin Beverly Wilshire në Los Angeles, duke nderuar kompozitorët dhe prodhuesit e këngëve popullore më të suksesshëm të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë eveniment e pranishme ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

Ajo është shpërblyer me çmimin “Kënga më e performuar e zhanrit POP”, për vitin 2018, për këngën “Meant to be”.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vet artistja teksa ka publikuar disa imazhe të trofeut në InstyaStory, duke u ndjerë falënderuese ndaj eventit që e nderoi me këtë çmim.

Bebe Rexhës i jepet çmim “Kënga më e performuar e zhanrit POP” në BMI Awards (Foto: Bebe Rexha/InstaStory)

“Meant to be” përndryshe ka qenë një ndër hitet më të mëdha në karrierën e Bebe Rexhës, që deri më tani numëron mbi 760 milionë shikime vetëm në kanalin YouTube.

Është pikërisht ky projekt muzikor në bashkëpunimin me grupin Florida Georgia Line, që i ka dhuruar asaj nominime në disa çmime ndërkombëtare si: Grammy, MTV Vma, AMA, MTV Ema, etj.

Ndonëse artistja shqiptare në fillim të këtij viti deklaroi se u nda e zhgënjyer nga shumë prej tyre që nuk e vlerësuan me çmim këngën “Meant to be”, ajo arriti që gjatë këtij viti të marrë çmim në “Billboard Music Awards” dhe “iHeart Radio Music Awards”, për këngën në fjalë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Bebe Rexha në “Grammy Awards” (Foto: Jon Kopaloff/Getty Images/Guliver)

Ramë Lahaj takohet me aktorin e njohur botëror (FOTO)

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj, vazhdon të shijojë suksese të shumta në arenën ndërkombëtare.

Duke i rastisur të udhëtojë shpesh për interpretimet e tij, jo të paktat janë rastet kur Lahaj ka shansin të takohet me emra të njohur të Hollywoodit.

Së fundmi, ai ka pasur fatin të takohet me aktorin e madh, Sylvester Stallone.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Instagram, ku shfaqet duke pozuar krah aktorit me famë ndërkombëtare.

“Përshëndetje nga Los Angeles”, ka shkruar tenori në mbishkrimin e fotografisë, ndërsa ka marrë pëlqime dhe komente të shumta nga ndjekësit e tij.

Përndryshe, projekti i fundit muzikor që Ramë Lahaj publikoi ishte kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime”, e cila erdhi si dhuratë këtë vit për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Cricket befason me projektin e ri (VIDEO)

Producenti i njohur Donat Prelvukaj, i njohur për publikun si Cricket, tashmë ka marrë epitetin si producenti më i mirë kosovar, këtë e dëshmojnë edhe bashkëpunimet e shumta me artistë, shkruan KultPlus.

Por, kësaj radhe Cricket ka befasuar me një projekt krejt të vecantë.

Ai ka sjell për publikun remiksin e këngës “Ende e dua” të Shyhrete Behlulit, duke e shndërruar atë në një këngë aktuale dhe shumë të pëlqyer për publikun të cilët kanë filluar menjëherë ta shpërndajnë.

Ky remix i cili mban titullin “Kthema kohën” vjen në bashkëpunim me Numen dhe është shoqëruar edhe me një video.

Mund të themi që një krijim i tillë ende nuk është dëgjuar në tregun tonë dhe kjo e bën diferencën mes artistëve.

Përndryshe, Cricket është duke punuar vazhdimisht për të sjell krijime të reja dhe bashkëpunime më artistët më të mirë shqiptar. / KultPlus.com

Vdes në moshën 85 vjeçare komediani Tim Conway

Komediani, Tim Conway ka vdekur dje në moshën 85 vjeçare, raporton People.

Përfaqësuesi i tij, Howard Bragman ka konfirmuar se ai ka vdekur sot në ora 08:45 në Los Angeles, transmeton Koha.net.

Conway kishte pasur komplikime nga presioni normal i hidrocefalia (NPH), por nuk kishte shenja të demencës apo Alzheimerit.

Ai është i njohur për “The Carol Burnett Show”, derisa kishte fituar shikueshmëri për rolin e tij “Oldest Man and Mr. Tudball”. Ai kishte rrëmbyer çmime në Golden Globe Award dhe Emmys përgjatë viteve të 70-ta. / KultPlus.com


Këto shtete janë kualifikuar në finale të “Eurovision 2019”

Ka filluar edicioni i 64-të i “Eurovisionit”, i cili këtë vit mbahet në Tel Aviv të Izraelit. Eurovisioni këtë vit do të prezantohet nga modelja e njohur me famë botërore, Bar Rafaeli si dhe Erez Tal, Assi Azar dhe Lucy Ayoub.

Mbrëmë është mbajtur nata e parë gjysmëfinale e festivalit, ku përformuan 17 shtete. 10 prej tyre kanë aritur të kalojnë në finale, e cila do të mbahet të shtunën 18 maj.

Ja cilat shtete janë kualifikuara në finale.

Kujtojmë se, Jonida Maliqi, e cila përfaqëson Shqipërinë do të performojë këngën “Ktheju tokës” më 16 maj, e 14-ta me radhë. / rtv21/ KultPlus.com

‘Shtëpiaket e dëshpëruara’, aktorja dënohet me burg dhe 20 mijë dollarë gjobë

Aktorja  Lynette Scavo u bë mjaft e njohur me rolin e Felicity Huffman në serialin “Shtëpiake të dëshpëruara”. Aktorja Felicity Huffman  u bë mjaft e njohur me rolin e Lynette Scavo në serialin “Shtëpiake të dëshpëruara”. Aktorja së fundmi u vu në qendër të një skandali ku së bashku me 50 prindër të tjerë të pasur dhe të pushtetshëm akuzohen për korrupsion.

Aktorja akuzohet se ka paguar shuma të mëdha parash në mënyrë që vajza e saj e madhe të mund të studionte në një nga shkollat më të mira në SHBA.

Ajo ka paguar $15,000 në mënyrë që e bija të kishte përgjigjet e sakta të SAT (një testi që duhet t`i nënshtrohet dikush para se të pranohet në univeristet).

Aktorja i ka pranuar pasojat duke shtuar se dëshira për të ndihmuar të bijën nuk justifikon thyerjen e ligjit. Ajo ka treguar se e bija 18 vjeçare nuk ishte në dijeni të planit.

Aktorja u dënua me 4 muaj burg dhe me  gjobën prej 20 000 dollarësh. (Shqiptarja.com)

Këto pamje të refugjatëve shqiptarë nuk janë publikuar asnjëherë më parë (VIDEO)

Në 20 vjetorin e luftës së Kosovës janë duke u publikuar fotografi, video dhe materiale të tjera që janë regjistruar në lokacione të ndryshme,  përgjatë dëbimit të shqiptarëve nga serbët, shkruan KultPlus.

Së fundi është publikuar edhe një video ku shihen shqiptarët duke e lëshuar Kosovën, të cilët shihen të jenë familje me gra e fëmijë, në mesin e të cilëve shihen edhe duke u trajtuar nga plagët e mara. Kjo video është shpërndarë nga faqja “Krimet Serbe”./KultPlus.com

Familja publikon pamjet kur marrin trupin e pajetë të Fehmi Aganit

Më 8 maj të vitit 1999, trupi i pajetë i Fehmi Aganit iu dorëzua familjarëve.

Familjarë të Aganit, kanë publikuar një video të 20 vjetëve më parë, në kohën kur u kumtua vdekja e Aganit, ku shihet edhe bartja e trupit të pajetë të atij që konsiderohet truri i lëvizjes paqësore të Kosovës, i vrarë nga forcat serbe.

Shpend Agani, djali i Fehmi Aganit dhe Edita Tahiri, Ministre e Punëve të Jashtme në ekzil, folën para mediave për këtë rast tragjik, transmeton Koha.net.

“Është e vështirë për mua të njoftoj për këtë lajm të dhimbshëm, për vrasjen e liderit kosovar, intelektualit e mendimtarit të madh, profesorit e akademikut Fehmi Agani, nga forcat paramilitare serbe”, kishte thënë Tahiri./KultPlus.com

Linda Spahiu: Kemi pasurinë më të madhe në Europë për etnografinë, por s’kemi muze

Koleksionistja e kostumeve popullore shqiptare Linda Spahiu e sheh si shqetësim mungesën e një muzeu etnografik në Tiranë. Spahiu thotë se pasuria e kostumeve popullore shqiptare është e jashtëzakonshme, ndaj kjo pasuri ka nevojë të ruhet e transmetohet ndër breza.

Bukuria e kostumeve popullore shqiptare prej vitesh e ka rrëmbyer pediatren Linda Spahiu. Përmes  një mini ekspozite ajo prezantoi disa artefakte të pakonestueshme në muzeun Historik Kombëtar.

Për koleksionisten rikthimi tek rrënjet është po aq i domosdoshëm sa edhe shëndeti. Ruajtja e kësaj trashëgimie të çmuar ndër breza është mision më vete dhe domosdoshmëri për vijimësi.

Mungesa e një muzeu etnografik prej vitesh është një problem i madh sipas saj, pasi as turistët nuk  kanë mundësi që të njihen me këtë pasuri të paçmuar të popullit tonë.

Linda Spahiu rendit si kryeartefaktin me të veçantë xhubletën, e cila daton rreth 4000 mijë vjetë më parë.  Sipas saj  ky artefakt i rrallë duhet të jetë pjesë e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Disa prej kostumeve popullore shqiptare u prezantuan për disa orë në Muzeun Historik Kombëtar. /ABC News Albania/KultPlus.com

10 thënie nga Angelina Jolie që do t’iu ndihmojnë të realizoni ëndrrën tuaj

1. “Jeta vjen me shumë sfida. Ato që nuk do të duhej të na frikësonin, janë ato që mund ti kontrollojmë.”

2. “Pa dhimbje, nuk do të kishte vuajtje. Pa vuajtje kurrë nuk do të mësonim nga gabimet tona. Për të bërë gjënë e duhur, dhimbja dhe vuajtja janë çelësat e të gjitha dyerve.”

3. “Nëse nuk dilni nga kutia në të cilën jeni rritur, kurrë nuk do ta kuptoni se sa e madhe është bota.”

4. “Ne nuk dashurojmë kur gjejmë njeriun perfekt, por kur mësojë të shohim një njeri jo perfekt në mënyrë perfekte.”

5. “Nëse pyetni njerëzit, shumica nuk kanë bërë atë që kanë dashur. Kjo më dhemb në zemër. “

6. “Nëse mendoj për vdekjen më shumë se të tjerët, është për shkak se unë vlerësoj jetën më shumë se ta.”

7. “Unë do të mundohem të bëj më të mirën time të mundshme në këtë botë.”

8. “Ti mendon, “çfarë nëse do ta bëj një gabim sot dhe do të pendohem’. Por unë nuk besoj në pendim, unë besoj që çdo vendim çon tek të kuptuarit se kush jemi, dhe thjesht duhet të hedhim një hap para, të përkushtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

9. “Sa herë që ndihem e humbur, marr një hartë dhe e vështroj deri sa ti kujtoj vetës sime se jeta është një aventurë e gjatë, sa shumë për të bërë e sa shumë për të parë!”

10. “Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte.”/KultPlus.com

Hoxha i cili e themeloi Stomatologjinë në Shqipëri

Kur serbët e malazezët ja mësyen Shkodrës, një intelektual, hafiz, doktor e profesionist ishte me pushkë në dorë nëpër istikamet e ushtrisë duke e mbrojtur Shqipërinë në përgjithësi e Shkodrën në veçanti.

Ky ishte Hasan Kaduku i lindur në vitin 1865 në Shkodër dhe kishte jetuar deri në vitin 1948.

U diplomua në Stamboll si mjek stomatolog, kreu hifzin e Kur’anit, pra e mësoi Kur’anin të tërin përmendësh, dhe ju kthye Shqipërisë si intelektual e trim i vërtetë. Njihte gjuhën arabe, osmane e frenge. Kultura e tij ishte shumë dimensionale. Ai ishte hoxha, hafizi, haxhiu dhe stomatologu mjekërbardh me xhybe e çallmë.

Njerëzit e asaj kohe, nuk e njifshin profesionin dentist, por e njifshin si Kaduk, pra mjek i dhëmbëve. Ai ishte themeluesi i “kadukësisë, pra stomatologjisë” në Shqipëri.

Kronikistët e kohës e përshkruajnë si njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, me mjekër të bardhë, mjaft i pashëm, bujar, zemërgjerë, fisnik e i ndershëm.

Ndërsa malsorët e Thethit, fshat turistik verior, në të cilin kishte qëndruar hoxha dhe stomatologu e njohin si njeriu bujar i cili kishte ndërtuar depozitën e parë të ujit në fshat, ku njihet si “Kroni i Kadukut”.

Ai ishte i përkushtuar të respektonte besimet dhe intelektualët shqiptar të gjitha besimeve. Gjergj Fishta, e përshkruante këndshëm punën e tij “Asnjëherë nuk jam përkulur, as prej shkaut e as prej ukut, por rri e bëhem pulë te karrigia e Kadukut”.

E keqja e madhe, komunizmi, e preku edhe hoxhën, ku ia konfiskuan gjithë ordinancën stomatologjike./KultPlus.com

Porosia e Nanës

Poezi nga Esad Mekuli

Për ke në dritë ju qita,
o djelm!
Për ke ju rrita,
o bij`?
Pse u gëzova unë në jetë?
— Nanën po e leni sot
kur kryet
me mburrje për ju e ngrita;
kur futën e zezë e hoqa;
kur zjarmin në votër
pa frigë e ndezim në mbramje —
kur sofrën ma thatë s`e shtrojmë!
Në dheun e huaj shkoni?
Atje —
ku vesh s`ju marrin:
ku vllau të vllanë
me bisht të synit shikon
e punën e vet soll kqyrë!
Atje —
ku bima ndër ara
thahet nën hanë;
ku grizhlat sqep-mprehta
frytet e vjeshtës s`parit shkretojnë!

Atje —
ku dheu i zi
randë do t`ju peshojë mbi rreshtna
pa etnit tuej për bri!
Unë be po u qes,
bre djelm —
në trollin
që shkelët si fëmi,
në eshtnat e të parëve,
në gjakun e derdhun për liri,
në fatlumninë tuej e të nipave,
në tamblin e gjive të mi` —
m`i terni lotët që t`harroj çdo dhimbë:
mos me u nda
prej prehnit tim
as vllau me vlla!/KultPlus.com

A janë shqiptarët aq të vjetër sa mendojnë ata? Ja citimet e të huajve!

Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia. dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhehequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”.

Nikolla Jorga: “Populli shqiptar së bashku me baskët, janë më të vjetërit në Evropë”.

Maximilian Lambertz: “Historia e vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve”.

Lamartini: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”.

M. Huacunthe Hecquard: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret dhe disa nëna shqiptare kanë përzënë prej shtëpisë bijtë e vet pasi ata ishin larguar nga fronti i luftës. Ato i kishin kthyer në fushën e betejës”.

Lord Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

Henry Noel Brailsford: “…Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është ‘Mbinjeriu’ për të cilin Nietzsche ëndërronte”.

Gjusepe Katapangu: “Atllantida e cila është zhdukur para 12.000 vjetësh, ishte tokë e Ilirëve (pellazgëve), të cilët shpëtuan nga përmbytja e Atlantidës dhe filluan civilizimet e reja në të gjitha kontinentet, sidomos në Evropë, Afrikë dhe Azi të vogël”!

Agostino Ribeco: “Te drejtat mijëvjeçare të shqiptarëve, etnografike dhe gjeografike, shtrihen prej kohërave të vjetra në Iliri, Maqedoni dhe Thesali”.

Braisllav Nusic: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.

Dushko H. Konstantinov: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.

Edvin Jasques: “Ilirët ose shqiptarët, këta bijë të paeupur, ishin luftëtar të shqipes, trashëgimtarë të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Piros së Epirit…”.

Edvin Pears: “Shqiptarët janë pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, gjegjësisht të racës arjane, duke e nxjerrë këtë fjalë nga dy rrënjët e fjalëve shqipe: Ar dhe Anë, që d.m.th. Njerëz të arit të pastër”.

Maks Myle: “Emrat e mjaft popujve të njohur rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘Ar’. Kjo vlen edhe për mjaftë vende të botës.”

Fanulla Papazogllu: “Dardania është njëra nga krahinat antike të Ballkanit ku popullata autoktone është ruajtur më së miri”.

Gos Xhen: “Origjina e shqiptarëve ngjitet deri te koha e pellazgëve dhe kanë origjinë parahelene”.

Gustav Majer: “Shqiptarët janë Ilir të rinj”.

Georg Hahn: “Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve… Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”.
-Haki Pasha: “Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”.

Harold Whitehal: “Hieroglifet egjiptiane, të krijuara para 4.000 vjetësh kanë domethënie shqipe”.

Henri Braisford: “Në Maqedoni, vetëm shqiptarët janë popull autokton”

Johan Georg Fon Han: “Shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja”.

Jovan Cvijiq: “Sllavët e jugut, pas ardhjes në Ballkan, aty gjetën shqiptarët, të cilët nën trysninë e tyre (sllavëve) u tërhoqën jugu dhe në vendet më malore, ku i hasim edhe sot”.

Konstandin Paparigopulos: “Vetëm shqiptaret konsiderohen si pasardhës të racës ilire”./KutlPlus.com

Vetëm përmes zemrës, dikush mund të shohë drejt!

Një libër për fëmijë nga mosha 7 deri në 77-vjeçare, ose më saktë, sot mund t’i shtohen edhe njëzet vjet të tjerë, meqë është rritur jetëgjatësia.

Është një libër për fëmijë, për fëmijën që jeton ende brenda nesh, derisa ndërrojmë jetë.

Princi i vogël – “The Little Prince”, është novelë që për herë të parë u publikua në vitin 1943 dhe është vepra më e famshme e aristokratit francez, shkrimtarit dhe poetit Antoine de Saint-Exupéry.

Kjo vepër është përkthyer në 250 gjuhë, duke u shitur në 140 milion kopje në gjithë botën.

10 Shprehjet e përzgjedhura nga libri “Princi i vogël”

1.Është koha që ke humbur për trëndafilin tënd, ajo që e bën atë të rëndësishëm.

2. Dashuria nuk qëndron tek vështrimi ngultas te njëri – tjetri, por tek shikimi i përbashkët në drejtimin e njëjtë.

3. Dhe tani, ja ku po ju tregoj sekretin tim, një sekret vërtetë të thjeshtë:

Vetëm përmes zemrës, dikush mund të shohë drejt. Ajo që është thelbësore, është e padukshme për syrin.

4. … Sepse dashuria e vërtetë është e pashterrshme; sa më shumë që jep, aq më shumë ke. Dhe nëse shkoni për të mbushur tek burimi i vërtetë, sa më shumë ujë që mbushni, aq më e bollshme është rrjedha e tij.

5. Natyrisht, unë do të të lëndoj ty dhe gjithashtu ti do të më lëndosh mua. Natyrisht, ne do ta lëndojmë njëri – tjetrin, sepse ky është kushti i vetëm i ekzistencës.

6. Është shumë më e vështirë ta gjykosh veten, se të tjerët. Nëse ia del me sukses në gjykimin e drejtë të vetes, atëherë ti vërtetë je njeri i mençur.

7. Ajo që ka rëndësi më së shumti janë kënaqësitë e thjeshta, aq të shumta saqë ne do të mund t’i shijonim të gjitha…

8. Lumturia nuk qëndron tek objektet të cilat ne i grumbullojmë rreth vetes. Për ta gjetur atë, e gjitha që duhet të bëjmë – është t’i hapim sytë.

9. Për t’u bërë pranverë, nënkupton ta pranosh rrezikun e dimrit. Për të qenë i pranishëm, do të thotë ta pranosh rrezikun e mungesës.

10. Gjuha është burim keqkuptimesh. Por, dita ditës, do mund të ulesh pak më afër … ”/KultPlus.com

Kartolinë e rrallë nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një kartolinë e dërguar nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore në Milano të Italisë, paraqet veshjet interesante të një ansambli nga Kosova.

Kjo kartolinë ishte dërguar me postë ushtarake italiane më 19 prill 1941, asokohe kur Kosova kontrollohej nga okupimi Italian.

Katrolinë e rrallë nga Kosova

Kartolina ishte shtypur në Itali dhe paraqet fotografinë e ansamblit me veshje popullore./Shqiperia.com/KultPlus.com

Realizmi socialist tërheq turistët e huaj në Shqipëri

Muajt e verës që ofrojnë diellin dhe detin janë pika e fortë e turizmit në Shqipëri. Po mesa duket historia dhe kultura e vendit tonë janë po aq tërheqëse për turistët e huaj, duke i kthyer qytetet shqiptare në destinacine gjatë gjithë vitit.

30 vite me parë ky grup turistësh nga Italia do të përbënte një ngjarje të pazakontë për shqiptarët e izoluar nga diktatura. 30 vite më vonë është periudha e realizimit socialist që ngjall kureshtjen e turistëve të huaj.

“Jam nga Como, Itali. Erdhëm në Shqipëri sepse kemi kuriozitet për historinë tuaj, çfarë ka ndryshuar këtu. Bunkeri për shembull për ne është një gjë shumë e çuditshme. Por jemi të kënaqur sepse duke mësuar për të shkuarën, mund të kuptojmë të ardhmen”.

Nostalgjia e së kaluarës ka sjellë në Shqipëri edhe këtë grup nga Kina. Ata thonë se shqiptarët vazhdojnë të mbeten për ta “populli mik”.

Për ne në Kinë ka qenë dikur ëndërr të vizitonim vëllezërit tanë në Shqipëri. Mendoj që Tirana dhe Shqipëria ka ndryshuar shumë që nga ndryshimi i sistemit politik, por ne mund te vazhdojmë t’i ruajmë marrëdhëniet vëllazërore”.

Martini dhe Korelia vijnë nga Gjermania. Përtej së kaluarës, ata mendojnë së Shqipëria ofron terren për aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.

Dje kemi qenë në Durrës, na pëlqeu, ndërsa sot po vizitojmë Tiranën. Na pëlqen shumë stili mesdhetar, veçanërisht arkitektura”.

Jam e surprizuar sesa shumë kafene ka në Shqipëri. Njerëzit janë të dashur dhe miqësor me të huajt. Ne ndjehemi mire dhe të sigurt këtu”.

Pavarësisht protestave që ne nuk i kuptojmë shumë, por prap nuk u ndjejmë veten të pasigurt”.

“Do të kthehemi serish në Shqipëri. Kemi parë që Tirana rrethohet nga male të bukura, ndaj do të provojmë ecjen dhe ngjitjen në mal”.

Sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2018 rreth 5.6 milionë shtetas të huaj e vizituan Shqipërinë për qëllime pushimi nga më shumë se 4.6 milionë turistë që erdhën më 2017./KultPlus.com

Stacioneve të dashurisë

Poezi nga Blerina Racaj

Tek po të mendoja
Mu kujtua Llora 
Dhe rruga e Kadaresë për ta takuar
Ajo dashuri e marrë
Dhe ndjenjat që kurrë s’u shuan.

Kujtova stacionet e aeroportet
Si e çmendur duke vrapuar
Për të zënë trenin e fundit
Në at vend të huaj për mua!

Shi binte atë ditë
E lagur dridhesha si para vdekjes
Jo nga të ftohtit
Por nga ndjenjat që më kishin kapluar!

Zemra kur të pashë 
Nga vendi seç me dilte
Mendoja se po jetoja në ëndërr
Se marrëzia për ty më kish pushtuar!

Erdhi shpejtë orë e ndarjes
Si çast i mortjes m’u duk
S’ndjeva gjë veç heshtjes
Një lot i nxehtë më ra mbi buzë!/KultPlus.com

Është për marre që Kosova s’ka asnjë webfaqe ku mundesh me i nxjerrë të dhënat për masakra, të zhdukur, gra te dhunume e të vrarë

Arbana Xharra, gazetarja nga Kosova e cila deri para pak kohësh ka vepruar në Kosovë duke publikuar disa shkrime hulumtuese të cilat kanë të bëjnë me situata të ndryshme në vend.

Aktualisht është duke jetuar dhe vepruar në New York, ku edhe atje ka vazhduar aktivitetin e saj.

Ajo sapo lansoi një status në rrjetin social Facebook duke kritikuar se Kosova nuk e ka asnjë faqe online ku mund të ketë dëshmi të shumta për gjenocidin dhe tmerret e luftës së fundit në Kosovë.

Statusi i plotë:

Profesori me te cilin shkruaj artikuj ne New York, Alon Ben-Meir me kerkoi të dhëna për gjenocidin në Kosovë. Është për marre që Kosova s’ka asnjë webfaqe ku mundesh me i nxjerrë të dhënat për masakra, të zhdukur, gra te dhunume e të vrarë…Burimet e këtyre informatave janë artikujt e mediave të huaja, por asnjë adresë zyrtare në Kosovë. Nuk jeni të vetdijshem sa propaganda me shkrime kunder Kosovës po bëhët nga Serbia nëpër rrjete sociale dhe ëebsajte online. Në rrjetin social më shumë ndikim Tëitter, shqiptarët jane të pa vrejshem që komentojnë, serbët të vërshojnë me komente e propagandë në gjuhen angleze. Ju rrini kafeve gjithë ditën e kqyrni ka sa like e folloëersa po i merrni nëpër statusa në FB./KultPlus.com

Karl Gega, shqiptari që gjendet i varrosur afër Mozartit, Beethovenit dhe Schubertit…

Karl Gega karrierën si inxhinier e filloi me ndërtime rrugësh dhe ujësjellës në Venedik. Ndër të tjera ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemagna”, rrugës nga Treviso për në Cortina d’Ampezzo.

Gega ishte me prejardhje shqiptare. Eshtrat e Gegës janë të vendosura në varrezat monumentale të njerëzve më të shquar të Austrisë, pranë Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Strauss-it, Brahms-it dhe Alois Negrellit.Carl (Ritter) nga Ghega-Karl Gega

Prindërit e Karl Gega-jt ishin me origjinë shqiptare, kjo dëshmohet edhe nga studiuesi dhe albanologu Kanadez Robert Elsie, kur thotë se prindërit e Gegës ishin me prejardhje shqiptare. Edhe dijetarët e tjerë e pranojnë faktin e prejardhjes së Gegës.

Meet Karl Gega, the AlbanianVarri monumental i Karl Ritter von Gega
Njihuni me Karl Gega-jn, shqiptar

Karl Gega studioi në Padova, Itali, ku në moshën 17 vjeç mori titullin Doktor i Shkencave Matematike. Karriera e tij si inxhinier filloi me ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësit në Venedik. Pastaj ai studioi shkencën hekurudhore në Angli dhe vende të tjera evropiane.

Prej vitit 1836 deri më 1840 ishte udhëheqës i ndërtimit për pjesën e rrugës hekurudhore “Kaiser-Ferdinand-Nordbahn” prej Ludenburg deri në Brünn (Brno). Gjatë kësaj kohe (1836 – 1837) studioi shkencat hekurudhore në Angli dhe në shtete të tjera evropiane.Related image

Meet Karl Gega, the Albanian Hekurudha e trenit Semmering veper nga Karl Gega
Më 22 qershor 1869, Shoqata e Arkitektëve dhe Inxhinierëve Austriak inauguroi në Semmering, Austri, monumentin kushtuar projektusit dhe ndërtuesit më të famshëm të hekurudhës malore në botë, i cili hodhi poshtë një prej dogmës kryesore të shkencës inxhinierike angleze mbi pamundësinë e ndërtimit të hekurudhave malore; Karl Gega bëri të mundur ngritjen e trenit në një lartësi të paparë më parë – rreth 1000 metra mbi nivelin e detit.Meet Karl Gega, the Albanian

Në nder të Gega-jt, rruga në qytetin austriak Vilach mban emrin e tij.
Gega vdiq më 14 mars 1860 në Vienë nga pasojat e tuberkulozit. Ceremonia fetare u mbajt në Katedralen Kryesore të Vjenës, St Stephen (Stephansdom), dhe trupi u varros në varrezat Währinger në Vjenë. Në 1887, kur këto varreza u hoqën, sarkofag me eshtrat e Ghega u vendos në varrezat monumentale të njerëzve më të shquar të Austrisë, si Mozart, Beethoven, Schubert, Strauss, Brahms dhe Alois Negrelli./The Natural Albania/KultPlus.com

Sonte nis Eurovisioni, Shqipëria prezantohet në natën e dytë

Finalja e festivalit është më 18 maj Sonte do të fillojë edicioni i 64-të i Eurovisionit, i cili këtë vit do të mbahet në Tel Aviv të Izraelit.

Eurovisioni këtë vit do të prezantohet nga modelja e njohur me famë botërore, Bar Rafaeli si dhe Erez Tal, Assi Azar dhe Lucy Ayoub.

Dhjetë shtete do të performojnë në tri netët e këtij festivali, ku në mesin e tyre është edhe shteti i Shqipërisë, që në këtë vit përfaqësohet nga Jonida Maliqi. Këngëtarja do ta përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës” dhe do të këndojë më 16 maj, në natën e dytë gjysmëfinale e 14-ta me radhë. Finalja e Eurovisionit do të mbahet më 18 maj./KultPlus.com

https://youtu.be/eo4aFzAkQkA

Lashtësia e stërlashtë e plisit

Shkruan: Fahri XHARRA

Historia jonë shkon shumë thellë në kohë, në lashtësinë e saj. Jemi dëshmitarë të një simboli që fatbardhësisht është ruajtur gjer më sot mbi kokat tona e ai është Plisi.

Por nuk është vetëm plisi, është edhe gjuha jonë që i ka dhënë emër plisit dhe më të edhe kohës së stërlashtë.

Referenca ime për këtë lashtësi është  Fatbardha Demi, historiane e cila në mënyrën e saj shkencore të elaborimit të fakteve të jep guximin për studime të mëtutjeshme.

Fatbardha Demi është mike e ngushtë e Mathieu Arefit, për të cilin shkenca shqiptare duhet të ngrihet në këmbë.

E kemi të shkruar se Pellazgu ishte i pari që i dha jetë jetës së njeriut, por ne kësaj radhe do të flasim për një kohë jo aq të largët, pra nga koha e  “Dhiatës së Vjetër“, e cila lexohet me gjuhën shqipe.

Faktet dëshmuan se emërtimi i librit të ligjeve (Torah) është i gjuhës shqipe, por brenda saj ka fjalë që përdoren edhe sot nga shqiptarët. Historia e shenjtë e popullit hebraik, kapitulli i Gjenezës hapet me krijimin e botës: “Në fillim Zoti (Elohim) krijoi qiellin dhe tokën…“ (Gen. 1:1).

Fjalën “në fillim“ e tregon shigjeta në (fig.1, poshtë) shkruar me alfabetin hebraik, por shqiptimi është në gjuhën shqipe. (nga Fatbardha Demi):
(Morris Jastrow’s Dictionary of thë Targumim, thë Talmud Babli and Yërushalmi, and thë Midrashic Litëraturë , 1903; pag 923, PDF vol 2 )

Dhjetë urdhëresat e marra nga “goja” e Zotit, Mojsiu i ka shkruar në gjuhën pellazgo-shqipe. 

Në ditën e parë të muajit të tretë që nga largimi nga Egjipti, izraelitët e lodhur dhe plot dyshime për fjalët e Moisut dhe fatin e tyre, mbërritën në këmbë të malit Sinai.

Sipas urdhrit të Zotit, mbas tri ditë “pastrimi”, Moisiu i vetëm iu ngjit malit Sinai, ku qëndroi dyzet ditë dhe netë, për të marrë nga goja e të Plotfuqishmi dhjetë Urdhëresat ( Es17,8-13), dy prej të cilave të shkruara “me gishtin e tij” mbi dy rasa guri që njihen me emrin TORAH. (11) Vendosja jo e rastësishme e ngjarjes, mbi një mal me emrin e Perëndisë hënore Sin të panteonit sumer, babilonez dhe të asirëve,(12) dëshmon jo vetëm besimin hënor të pellazgëve në këto vende, por dhe origjinën pellazge, të mitit kristian.

Gjithnjë sipas studiueses Fatbardha Demi: “Emërtimi i librit të ligjeve të shkruar nga Moisiu -Torah–është vetë emri i Zotit. Si fjalë simbolike gjen shprehjen e saj të plotë, vetëm në gjuhën shqipe. (Xh.Katapano)

Brenda saj ka fjalë shqipe të papërkthyera dot, por të shkruara me gërma hebraike.

SHENJA e Zotit në alfabetin hebre (Yod) e ka origjinën nga alfabeti fonetik i Perëndise pellazge Thot(Tot), nisur nga emri “dora“, siç emërtohet edhe sot në shqip.

Mos të harrojmë: “Shqiptaro-arbërit e sotëm janë pasardhësit e mbetur e një race shumë të madhe pellazgjike të Lashtësisë. Sipas studiuesit austriak J.Hahn (Johann Georg von Hahn 1811 –1869) “Shqiptarët janë Pellazgët e Rinj“ (37), tezë e mbështetur edhe nga shumë studiues të tjerë të mëvonshëm shqiptarë dhe të huaj”.
“Popujt e detit”- siç dëshmon Dr. Arif Mati (Aref Mathieu) – përbëheshin nga fise të ndryshme, në shumicën e tyre, të të njejtit trung etnik që quhet ‘pellazg, proto-ilir, frigjian apo thrako-ilir”.

Në Testamentin e Vjetër ata emërtohen si pasardhës të drejtpërdrejtë të Noe, krijuesit të racës së re njerëzore.(28)

Kur jemi tek Plisi: Tissot shprehës i simboleve të besimit pellazg dhe traditës së shqiptarëve- kështu na udhëzon Fatbardha Demi  “Në këtë rrugëtim do të na ndihmojë Xhejms Tissot (James /Jacques-Joseph Tissot 1836–1902), një nga portretistët më të famshëm francezë të shek. 19, që i përket brezit të rrymës realiste në art.

Xhejms Tissot u rrit në një familje të përkushtuar katolike dhe mbas vitit 1887, në pikturat e tij (365 punime në vaj) autori ka trajtuar tema nga historia e Biblës (Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri).

Si piktor që i jepte rëndësi të madhe detajeve, ai udhëtoi në Jerusalem, Palestinë dhe shtete të tjera të Lindjes se Mesme, për t’u njohur me vendet dhe popullsinë që përfshiheshin në historinë e Biblës dhe ku gjendej një material i pasur arkeologjik.

Elementi i përbashkët i të gjithë grupit të figurave, pavarësisht periudhave mijëvjeçare që i ndajnë, është mbulesa e kokës, që në gjuhën shqipe quhet Plis ose Qeleshe.

Siç pohojnë studiuesit, Plisi është pjesë e traditës së Kombit shqiptar. “Veçanërisht kësula e bardhë është ajo që, me gjithë ndryshimet e formës të rrjedhura nga fisi, e dallon shqiptarin nëpër gjithë Ballkan” (Eqrem Çabej “Shqiptaret midis Perendimit dhe Lindjes” f29) Plisi – simbol i të zgjedhurve të Zotit!

Edhe sot ne i shikojmë tek besimtarët hebrenj fijet (simbolike) që zgjaten në veshjen e burrave, që tregon rolin e tyre besimtar. Duke parë pikturat kushtuar Biblës hebraike, të krijohet bindja se Xh.Tissot nuk ka qenë vetëm njohës i mirë i saj, por edhe i simboleve të lashta të besimit parakristian.

Këtë e dëshmon edhe një detaj tjetër në veshjen e profetëve dhe engjëjve, por edhe tek shqipetarët dhe ka lidhje me simbolin kryesor të Kristianizmit: KRYQIN. (Fatbardha Demi)

Megjithatë na ngacmon mendimi se si e zbuloi piktori i shquar francez, Plisin? Duke gërmuar në materialet arkeologjike në vendet ku shëtiti piktori gjatë dhjetë viteve të fundit të jetës së tij, ne kemi mundësi t’i japim përgjigje pyetjes sonë, duke u nisur nga faktet logjike.

Me qeleshe, simbolet pellazge, figurën apo krahët e shqiponjës, nuk janë “veshur” vetëm faraonët më të shquar të Egjiptit të lashtë, por edhe mbretër/profetë të hyjnizuar si Perëndi, të Azisë së Afërme dhe Qendrore (fig.poshtë).

Ishte intuita e tij prej artisti dhe studiuesi, që e çoi tek idea se në lashtësi Plisi ishte një simbol shumë i rëndësishëm besimtar dhe tregonte lidhjen me Krijuesin.

« Qëllimi i studimit – shkruan Fatbardha Demi-nuk ishte thjesht të kënaqim kureshtjen tonë në lidhje me Plisin e shqiptarëve në pikturat e Xh.Tissot.

Synimi ishte të dëshmonim se edhe një popull si ai shqiptar, për të cilin studiuesit ankohen se s’kanë të dhëna historike për origjinën, besimin dhe gjuhën e tyre, mbart brenda traditës së tij fakte, jo vetëm për Lashtësinë e tij, por edhe të shumë popujve të tjerë, që deri më sot janë të mbuluara me mister ose janë keqshpjeguar nga ana shkencore.

Detyra që i vuri vetes Xh.Tissot për të pasqyruar sa më besnikërisht Historine e Biblës hebraike, e çoi në mënyrë të pavetëdijshme në zbulimin e Plisit të pellazgo-shqipetarëve dhe të simboleve të besimit të parë euro-afro-aziatik.

Vetë emrat e lashtë dhe të sotëm për Zotin dhe simbolin e tij, nuk mund të shpjegohen pa ndihmën e gjuhës dhe traditës së shqiptarëve».
Të gjitha fotot: Tissot, James (French 1836-1902) Victorian, Also known as: James Jacques Joseph Tissot, Jean-Jacques Tissot.

Moisiu me plis

Konkurs ndërkombëtar i fotografisë “Ngjyrat e Orthodhoksisë. Shqipëria”

Të gjithëve ju që jeni të pasionuar pas fotografisë ju njoftojmë se Konkursi Ndërkombëtarë i Fotografisë “NGJYRAT E ORTHODHOKSISË. SHQIPËRIA” është hapur.

Konkursi organizohet nga Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë, portali OrthPhoto.net dhe Departamenti i Botimeve i Kishës Ortodhokse të Polonisë dhe ka si qëllim të paraqesë diversitetin dhe bukurinë e Orthodhoksisë në Shqipëri.

Konkursi do të kulmojë me botimin e një albumi artistik në katër gjuhë dhe me çeljen e një ekspozite në Shqipëri.

Ju ftojmë t’i bashkoheni konkursit të fotografisë, duke paraqitur deri në 6 fotografi për secilën nga kategoritë e mëposhtme:

1.Kisha (arkitekturë, afreske, kryqe, kisha në natyrë, peizazhe, etj.).

2. Njerëz (klerikëdhe laikë, portrete, etj.).

3. Reportazhe (ngjarje kishtare, pelegrinazhe, të kremte fetare).

4. Ringjallja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri (kjo kategori fotografike synon të pasqyrojë udhëtimin e “Ringjalljes” së Kishës Orthodhokse në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit ateist).

Konkurruesit duhet të dërgojnë fotografitë e tyre deri në datën 15 korrik 2019, në adresën elektronike: [email protected].

Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë.

Merrni pjesë në konkursin tonë të fotografisë dhe fitoni çmimet e mëposhtme:

Grand Prize: 600 €

Çmimi i parë për çdo kategori: 200 €

Çmimi i dytë për çdo kategori: 100 €

Çmimi i tretë për çdo kategori: 50 €

Çmimi i nderit: Një album fotografik nga botimet e partnerëve tanë. (Numri i çmimeve të nderit do të vendoset nga juria).

Për më tepër detaje rreth konkursit, rregullave dhe çmimeve, na vizitoni në adresën e mëposhtme: www.albania.orthphoto.net si dhe në faqen tonë në Facebook: Colours of Orthodoxy. Albania (@albaniacoloursoforthodoxy)

Afati i dorëzimit: 15 korrik 2019