Sot është shumë e vështirë të dallosh një foto reale nga një e rreme në internet. Mediet masive zakonisht na mashtrojnë.
Kjo ndodh pasi që është me të vërtetë sfiduese për të kuptuar nëse një foto është fotografuar apo jo.
Por këto foto të ndryshuara u shfaqën edhe para se Photoshopi të ishte shpikur dhe mund të ndryshonte fotografitë ashtu siç donin.
Në disa raste, ata as nuk kishin nevojë të përdorin ndonjë mjet për korrigjimin e fotografive, ata duhej vetëm të fillonin një thashetheme./tch/ KultPlus.com
Për këtë gazetë zëmadhe kisha mësuar në shkollën e vendlindjes, ashtu siç kisha mësuar edhe për Fan S. Nolin dhe për disa personalitete tjera shqiptaro-amerikane. Pas rënies së Aleksandër Rankoviqit nga pushteti jugosllav në Kosovë kishin filluar të botohen disa monografi të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Në vitrinën e një librarie në rrugën kryesore të Gjakovës ishin vendosur disa vepra të poetëve nga Shqipëria, ku bënte pjesë edhe një poemë e Nolit. Portretet dhe titujt e këtyre veprave letrare ishin për ne, një lloj frymëzimi.
Në mitingje letrare dhe poetike aktorët shqiptarë të Kosovës recitonin poezitë e Nolit më shumë se të asnjë poeti tjetër. Elita kulturore e Kosovës gëzonte dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Fan Nolin. Shumë nga ata e kishin dëgjuar zërin dhe komentet e tij në Seksionin Shqip të ‘Zërit të Amerikës’, sepse Noli kishte jetuar deri në mars te vitit 1965. Ndryshe nga Konica dhe poetët e tjerë shqiptarë ,që kishin qenë të ndaluar, Imzot Noli megjithatë nderohej për veprimtarinë e tij kombëtare , fetare dhe kulturore.
Emri i këtyre dy kolosëve dhe emri i Amerikës ishin si një trinom për brezat shqiptarë kudo në botë. Amerika për ne ishte simbol i lirisë, demokracisë dhe begatisë. Shqiptarët në Ballkan ishin të shtypur, prandaj e nderonin Amerikën jo vetëm për të mirat e saj, materiale, por edhe për lirinë dhe mundësinë që u kishte dhënë shqiptaro-amerikanëve për të vepruar në të mirën e çështjes kombëtare.
Bostoni dhe Washingtoni ishin dy qytete të dashura për botën shqiptare. Disa ditë para se të largohesha nga Prishtina në fillim të janarit 1970, një student nga Malësia më pyeti pse po shkon në Amerikë. Përgjigjja ime ishte sa qesharake aq edhe profetike. Po shkoj në Amerikë:”Për të shkruar për gaztën “Dielli”, për të folur në “Zërin e Amerikës” dhe për t’u bërë i pasur”!?. Objektivat e mia ishin në lartësitë e Everestit , dhe si të tilla më munduan për pothuajse një gjysmë shekulli. Drejtori i Zyrës së “Zërit të Amerikë” në New York, Al Banks shkroi 30 vjet më parë një artikull për gazetarët e kësaj zyre. Al Banks shkroi gjerësisht edhe për mua në revistën “VOICE”, që ishte organ i këtij radiostacioni. Ai kishte vënë në dukje tre objektivat e mia,dy të parat të realizuara,por ai ishte optimist në shkrimin e tij se edhe objektivin e tretë do ta realizojë, duke parë tek unë vullnetin e mirë dhe përpjekjet serioze. Kjo revistë ishte përhapur në shumë vende të botës dhe kisha marrë disa letra sidomos nga vendet e Afrikës. Ata kishin menduar se isha i pasur, gjë që nuk ishte e vërtetë, por Al Banks kishte parashikuar këtë, sepse në atë kohë kisha filluar investime në prona të patundshme (real estate).
Gazeta Dielli për mua kishte edhe një rëndësi ngase editori i saj Dr. Athanas Gegaj ishte njeri i familjes sime. Në gazetën e tetorit të vitit 1970 kishte bërë një shënim për ardhjen tonë në Amerikë. Pas disa muajsh vendosëm lidhje. Ai kishte një dashuri e respekt të madh për “Diellin” dhe për “Vatrën”. Në fillim të fillimit në Amerikë nuk kishim asnjë lidhje tjetër me botën shqiptare përveç gazetës “Dielli”. Në atë kohë ishte 4 faqesh por botohej një herë në javë. Në mesin e viteve 70’ filluam bashkëpunim serioz me “Vatrën”.
Në New York kishte shumë aktivistë vatranë ku shquhej Ymer Doda. Ai fitoi menjëherë mbështetjen tonë dhe të shumë malësorëve nga trojet shqiptare të robëruara. Ymer Doda shkonte derë për derë duke kërkuar parapagues të gazetës dhe anëtarë të Vatrës. Dega 29 e Vatrës në New York ishte shtylla kryesore e kësaj organizate. Dekada e 8-të e shekullit të kalar ishte periudha më historike dhe tragjike e pjesë së dytë të shekullit të kaluar. Në pranverë të vitit 1981 filluan kryengritjet e Kosovës për liri e pavarësi. Në pranverë të vitit 1982 u vranë vëllazërit Gervalla dhe Kadri Zeka. Në atë kohë u vra ose u vetvra Mehmet Shehu dhe tre vjet më vonë vdiq Enver Hoxha. Të gjitha këto ngjarje ndodhën në një distancë kohore prej 4 vjetësh. Analistët politikë shqiptarë dhe të huaj parashikonin ndryshime të mëdha në botën shqiptare. Kombi shqiptar ishte në lëvizje e sipër për liri e demokraci.
Edhe shqiptarët e Amerikës kishin filluar aktivitetet e tyre për të mirën kombëtare. Këtu bënte pjesë edhe Vatra e Dielli. Ishin bërë tradicionale kuvendet e kësaj organizate të mbahen gjithmonë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Kuvendi i vitit 1985 u zhvillua në Boston në fundjavën e parë të tetorit. Ne vatranët e qyteteve tjera amerikane shkonim në Boston të gëzuar sepse ky qytet për ne ishte një Tiranë e vogël. Kisha katedrale e Shën Gjergit dhe restauranti i famshëm Anthony Pier 4, kishin për shqiptarë rëndësi historike dhe kulturore. Kuvëndet fillonin të shtunën në mëngjez dhe vazhdonin gjithë pasditën, bile disa herë edhe të dielën para se të shtrohej një drekë e veçantë në Anthony Pier të Antoni Athanasit. Kuvendi i atij viti kaloi mirë në fillim deri në momentin kur sekretarja e Vatrës Paulina Lukas deklaroi se gazeta “Dielli” nuk botohet më. Kur dëgjuan këtë lajm delegatët i kaploi një dhimbje që nuk ishte parë asnjëherë në kuvendet e kësaj organizate. Disa nga të pranishmit pyesnin pse po mbyllet gazeta? Zonja Lukas përgjigjej për mungesë të financave. Aty ishte edhe Antoni Athanas por nuk reagonte fare. Qeveria komuniste e Tiranës dhe ajo e Beogradit kishin vepruar natë e ditë për mbylljen e kësaj gazete. Të dy këto qeveri kishin miq besnikë në Amerikë.
Patriotët shqiptarë antikomunistë dhe antijugosllavë që fatkeqësisht nuk kishin mundësi të mjaftueshme financiare e kundërshtuan këtë vendim. Dielli ç’prej vitit 1960 e deri në vitin 1985 kishte bërë punë të madhe kundër diktaturës në Shqipëri dhe kundër pushtimit jugosllav të tokave shqiptare. Kjo ndodhi në sesionin e parë të mëngjesit. Gjatë pushimit midis dy seancave u këshillova me vëllaun tim, Lucë Gjonlekaj, i cili ishte i pranishëm në këtë kuvend për mundësinë e një kontributi për shpëtimin e kësaj gazete. Ai e mbështeti me këmbëngulje qëndrimin tim për botimin e 12 numrave me 8 faqe për gjashtë muaj duke filluar nga janari i vitit 1986. Çdo numër kushtonte 950 dollarë, dhe prej 1 janarit 1986 e deri më 1 korrik po të atij viti ne paguam $11,400 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind dollar). Pas pak kohe kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia kërkoi një deklaratë tonën për këtë kontribut ,bile edhe fotografinë tonë. Ne ia plotësuam dëshirën duke ia shpjeguar se populli ynë kishte nevojë të madhe për një gazetë serioze shqiptaro-amerikane. Shqipëria nën diktaturë dhe Kosova dhe viset tjera shqiptare nën robërinë jugosllave prisnin prej nesh ndihmën për liri e pavarësi. Do të ishte qenë mëkat për ne sikur të kishim hequr dorë nga thirrjet e tyre për shpëtim. Mbyllja e gazetës Dielli në atë kohë do të ishte një vepër e keqe. Të pranishmit e pritën mirë dhe e duartrokitën premtimin tonë,edhe pse dukej i pamundshëm.
Shumë shqiptarë të Amerikës e përshëndetën këtë akt. Kryeredaktori i Diellit Xhevat Kallajxhi botoi një editorial në këtë gazetë për këtë dhuratë, duke e cilësuar si dhuratën më të madhe në historinë e Diellit dhe Vatrës. Ndërsa kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia e cilësoi si një vepër të madhe patriotike. Edhe Profesor Repishti na përgëzoi për këtë kontribut me një shkrim ne gazetën Dielli. Edhe shqiptarë të tjerë kanë shkruar e folur për ketë vepër. Gjatë një vizite në New York, Antoni Athanas më përgëzoi duke më thënë: “Qerrata e mbajte fjalën, Urime”. Ndërsa miku ynë Prenkë Gruda tha: “Urime, e shpëtuat ‘Diellin’ nga varri”. Unë ruaj kujtime të mira për dy gazeta shqiptare, për gazetën “Rilindja” e Prishtinës dhe për gazetën “Dielli” të Bostonit. “Rilindja u shua,ndërsa gazeta “Dielli” një muaj më parë kremtoi 110-vjetorin e saj. Do Zoti e kjo gazetë nuk do të shuhet kurrë, ashtu siç nuk do të shuhet kurrë as drita e diellit (Gjekë Gjonleka, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York).
Gjekë Gjonlekaj dhe Lucë Gjonlekaj me gazetën Dielli në 1996./koha.net/ KultPlus.com
Arbëreshët e Italisë janë ndoshta gëzimi më i madh dhe plaga më e madhe e shqiptarëve. Një popullsi që është larguar vite më parë nga Shqipëria edhe sot e mban gjallë kulturën shqiptare brenda territorit italian.
Arbëreshët edhe sot e kultivojnë kulturën e tyre. Këngët e tyre, ndoshta janë dëshmia më e mirë e një traditë muzikore të fuqishme e cila edhe sot trashëgohet, e këndohet në versione të ndryshme, për tu mbajtur gjallë. Frymon shqip, frymon bukur.
Po ju prezantojmë këtu pesë këngë arbëreshe të cilat vlen të dëgjohen dhe të kultivohen tek gjeneratat më të reja. / KultPlus.com
Në përfundim të gërmimeve arkeologjike katër-javore, ambasadorja Schütz vizitoi punimet arkeologjike në Zgërdhesh.
Në këtë projekt të përbashkët, arkeologu gjerman Dr. Thomas Maurer dhe kolegja e tij shqiptare Dr. Elvana Metalla së bashku me studentët gjermanë dhe shqiptarë kanë bënë zbulime të mahnitshme! Këtë vit ata eksploruan rrënojat e kishës të periudhës së hershme bizantine si dhe portën jugore të epokës helenistike të qytetit të lashtë. Që vitin e shkuar, studiuesit analizuan një varrezë të periudhës së vonë antike dhe nxorrën në dritë objekte interesante./ KultPlus.com
Është e mahnitshme
kur Donika Podrimja i kujton momentet e bukura me babain e saj, shkrimtarin Ali
Podrimja.
“Se ka qenë një
person i cili poezinë e tregimin i ka pasur pjesë të jetës së përditshme, e
dëshmon edhe tregimi se si është takuar me nënën tonë, Fitorën. Ne deri sa jemi
rritur kemi menduar që ai e ka shpëtuar nënën tonë nga peshkaqeni, në Pulë të
Kroacisë, ku ata për herë të parë janë takuar. Dashurinë e tyre e ka përshkruar
gjithmonë si diçka në mes hyjnores dhe magjepjes, dhe është kënaqur shumë me
reagimet tona kur e tregonte këtë dhe storie të tjera, të cilat më vonë kemi
kuptuar që ishin imagjinatë romantike e babait tonë”.
Kështu e fillon rrëfimin e saj Donika, vajza e shkrimtarit
Ali Podrimja. Shkrimtari, një fëmijë jetim, dashurinë prindërore e cila i
mungoi më pas e ktheu në fuqi për familjarët e tij. Kujdesi i tij ndaj fëmijëve
ka qenë i madh, tregon Donika, meqë ai e ka shfrytëzuar çdo rast për të
shprehur dashurinë si prind.
“Babai im ka qenë
një person i hareshëm dhe një tregimtar i lindur, si dhe shumë mendjehapur prej
se e kam mbajtur ndër mend. Mua dhe tre vëllezërit na ka trajtuar me një dashuri
të madhe dhe na ka ngulitur ndjenjën e barazisë në mes gjinive, e cila nuk ka
qenë vetëm në raport me neve fëmijëve por edhe me nënën, si dhe nipin e mbesat”
tregon Donika.
Donika, sot vet një nënë dhe një grua që e di mirë rëndësinë
e të pasurit fëmijë, tregon se e kujton shkrimtarin çdo ditë.
“E kam një engjull mbrojtës që çdoherë është afër meje. Ai
si prind ka qenë afër meje në momentet më të vështira, dhe tani kur kam ndonjë
vështirësi, unë mendoj në të, dhe kjo më jep siguri dhe guxim për të ecur
përpara. Shpesh mendoj se sa më lehtë do të ishte, po të ishte ai me ne” tregon
Donika.
Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë ndërsa që nga viti
1961 ka botuar prozë e poezi të ndryshme. Në vitin 1982 me përmbledhjen “Lum
Lumi” zuri vendin e merituar në letërsinë shqipe, për të qëndruar aty deri në
ditët e fundit, kur ndërroi jetë në vitin 2012-të. Nuk ka sot shqiptar që e do
fjalën e bukur dhe që nuk e njeh Ali Podrimën.
Një dhimbje e
tmerrshme e humbjes së Lumit
LUM LUMI
A thua është dita jote
e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.
Nuk të kam sharë as
nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.
Në jetë, në art
vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.
Ti mëso të duash
vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.
Me ditë me shikon nga
krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.
spitali tepër i
vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.
Do të vijë koha kur do
të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.
A thua na u sosën
fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.
Ti je më i madh,
vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
Kur kujtojmë shkrimtarin
Ali Podrimja, kujtojmë ‘Lum Lumin’, poezinë ndoshta më të thellë dhe më të
dhimbshme të shkrimtarit. Shumë njerëz bashkëndjejnë në dhimbjen e shkrimtarit,
dhe historinë e trishtë të humbjes së të birit.
“Kujtimet më të vështira i kemi nga koha e tragjedisë tonë
familjare, kur prindërit tanë, në moshë të re, janë përballur me një sëmundje
të rëndë dhe vdekjen e djalit, Lumit. Poashtu, humbja dhe pastaj vdekja e
babait në Lodeve të Francës, ka qenë një ankth dhe vuajtje e madhe për ne, pasi
ndërroi jetë në vetmi. Shkuarja e vëllaut, Petritit, menjëherë në Francë ishte
një ngushëllim për të gjithë ne që nuk kishim viza të udhëtonim, por Petriti i
vetmuar në Lodeve mori lajmin e hidhur për babain, dhe sot e kësaj dite e kam
në vesh zërin e tij duke qajtur kur na lajmëroi se babai është gjetur i vdekur”
rrëfen Donika.
Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një
festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të
autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit.
Për Donikën, kjo poezi por edhe një përmbledhje e tërë e
poezive nën këtë emër, është dhimbja familjare e thurrur në vargje e tragjedisë.
Donika sot duhet të jetojë jetën e saj, gjithmonë duke u mbështetur
në bagazhin letrar voluminoz e të fuqishëm të Aliut të të gjithë shqiptarëve, të
të gjithë botës së poezisë.
“Poashtu, i pëlqej edhe poezitë që i ka shkruar në moshë
shumë të re, kur populli shqiptar ka qenë i shtypur. Më fascinon fakti që
pothuajse si fëmi, babai ka gjetur shprehje të tilla artistike për të shprehur
patriotizmin e tij, dhe si ka mundur në një moshë aq të re të ketë aq ndjenja
të forta patriotike. Tash ndjej krenari që po ato poezi, sikurse “Unë Biri Yt,
Kosovë’ që është shndërruar në amblemë identitare e Kosovës” tregon Donika.
Ndër veprat më të njohura të Podrimjes janë :
“Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”,
“Credo”, “Drejtpeshimi”, “Lum Lumi”, “Fundi
i Gëzuar”, “Zari”, “Në bisht të sorrës”,
“Buzëqeshje në kafaz”, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë
në blu”.
Donika mund të quhej
lehtësisht Lekë
“Në të vërtetë, unë është dashur ta kem emrin Lekë, meqenëse
prindërve të mi u është thënë se do të jem djalë, pasi në atë kohë nuk ka qenë
e mundur që të detektohet gjinia e frutit, por është bazuar në interpretimin e
njerëzve nga dukja e gruas shtatëzënë” tregon Donika.
“Kur kam qenë e vogël nuk më ka pëlqyer shumë emri im, pasi më
është dukur si emër për njerëz të moshuar, dhe kam kërkuar që të ma ndërrojnë.
Por, babai, ma ndërroi mendjen kur më tha se Donika ka qenë një mbretëreshë,
një grua e fuqishme dhe e ditur, se unë jam kryevepra e tij, dhe se për këtë
arsye duhet ta mbaj këtë emër. Përsëri, kjo ishte njëra ndër imagjinatat e tija
magjepëse, me të cilat na zbukuronte jetën çdo ditë” vazhdon Donika.
Ajo kujton se Aliu ka udhëtuar shumë, si për krijimtarinë e
tij ashtu edhe për lobim për çështjen e Kosovës në rrethet intelektuale të
Evropës.
“Barra më e madhe ka qenë e nënës për kujdesje ndaj neve fëmijëve.
Ai kur kthehej nga udhëtimet mundohej që të kalonte sa më shumë kohë me neve,
dhe të na argëtonte me tregimet e tij. Kthimi nga udhëtimet e kishin edhe një
gëzim tjetër për neve fëmijëve, pasi babai gjithmonë na sjellte dhurata që na
gëzonin shumë” tregon Donika.
Në Gjakovë, ka një park me emrin e shkrimtarit ku të rinjtë
e Gjakovës mblidhen për ngjarje kulturore dhe artistike. Aty edhe përkujtohet në
çdo përvjetor të vdekjes, shkrimtari Ali Podrimja. Donika thotë se ajo dhe
familja i janë mirënjohës Gjakovës, vendlindjes së shkrimtarit, me këtë park
por edhe me vendosjen e bustit të tij.
Poeti Ali Podrimja, nga Mario Bellizzi.
“Kolegët dhe miqt e babait në mënyra të ndryshme dhe me aq
sa kanë mundësi e kujtojnë dhe e nderojnë ate. Jemi shumë falenderues ndaj
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që pos organizimit të ceremonies
mortore në mënyrën më dinjitoze, ata shumë shpejtë pas vdekjes së tij, e botuan
vëllimin prej nëntë librave të krijimtarisë së tij. Vend të veçantë kanë edhe
miqt e tij nga Franca, të cilët në vazhdimësi i botojnë poezitë e tij në gjuhën
frënge. Një pjesë të panjohur të madhështisë e tij njerëzore, jam duke e
kuptuar dita ditës, nga miqt dhe kolegët e tij, të cilët më tregojnë se si ju
ka ndihmuar në rrugëtimet e tyre artisktike, Poashtu, tani jam duke e kuptuar
edhe më mire, se sa shumë dhe me vite të tërra ka punuar ai dhe intelektualët e
vendit tone për çështjen e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare, të
cilat kontribute janë të përmbledhura në esetë në vëllimin e veprave të tij të
botuara nga ASHAK” përfundon Donika.
Nuk ka mënyrë më të mirë ta kujtojmë shkrimtarin me të cilin
jemi rritur të gjithë, sesa me një poezi të shkruar nga dora e tij.
ME JETUE
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta vlosh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër në
kohë në kosmos
Ti dhe Uji
Diellin ta shikosh nga
hija e plepit
dhe ta masësh
kur hijen tënde nuk mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macjen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo nuk është symbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam
frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të
dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk te beson
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam Unë
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë
dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetvetën derisa kemi frymë
(1979)
(Ky botim është
prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është
përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet
si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).
O grua intelektuale shqiptare! Sa himne mund të thuren për ty! Poezia, piktura, muzika, simfonia, nuk t’i këndojnë dot ato vetija ty, që lexon e mëson duke larë e shpëlarë, duke të qarë fëmia. Ty, që jep provime, mbron tema, doktorata, me orë të ngrëna nga nata. Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në dorë, gjellën duke trazuar. Mbete duke nxituar për të shkuar në punë, në Institut, në zyrë. Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh, të shihesh në pasqyrë. Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës ndal e ble ç’arrin të gjesh. Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban edhe rrjetën me presh… Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar, të shkolluar, kërkojmë këmishë të kollarisur, kostum të varur në kremastar, shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar. Po, kur s’i gjejmë kështu, i varim buzët të inatosur dhe prej asaj buze lëshojmë romuze. Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh. Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë. Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate, këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…
Në verën e vitit 1986 Shemsi Krasniqi nxori një biletë treni për të udhëtuar nga Fushë-Kosova në Marseille (Marsejë, Francë). Para 33 viteve kanë qenë të mundshme ëndrra të tilla. Shkoje në Fushë-Kosovë, merrje biletën e trenit dhe niseshe për në Francë. Vizë? Ah, jo, s’kishte nevojë për vizë. Në Marseille mund të blije bileta për Festivalin e Teatrove në Avignon. Shemsi Krasniqi, sot profesor sociologjie në UP, i ka ruajtur të gjitha biletat e vitit 1986. Në vitin 2019 nuk mund të marrësh biletë treni nga Fushë-Kosova në Marseille. Njëherë duhet të presësh me muaj, me muaj, me muaj për një termin, pastaj për një vizë… Një padrejtësi e poshtër!/ Marrë nga llogaria e Enver Robellit në Facebook./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka hapur sot audicion për disa pozita. Më poshtë mund të shihni disa nga pozitat ndërsa për me shumë informata mund të ndiqni faqen e TKOBAP-së në Facebook, shkruan KultPlus.
Pianist Përgatitor në Drejtorinë e Operas dhe Filarmonisë.
Valltar, pranë Drejtorisë Artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në TKOBAP.
Tenor në Drejtorinë e Operas dhe Filarmonisë përkatesisht tek sektori i Korit në TKOBAP.
Korist pranë Drejtorisë Artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në TKOBAP.
‘Gjon Leka njëzet vjeç djalë’, është këngë që këndon Dervish Shaqa në këtë incizim të rrallë, shkruan KultPlus.
Rapsodi i njohur i gjithë shqiptarisë Dervish Shaqa, vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të folklorit shqiptar. Kjo këngë që po sjellim sot është e rrallë në internet dhe Dervish Shaqa, i këndon një djaloshi trim nga jugu i Shqipërisë. ‘Gjon Leka njëzet vjeç djalë’, është këngë që këndon Dervish Shaqa në këtë incizim të rrallë./ KultPlus.com
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture? Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm? A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi, Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje. Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. / KultPlus.com
Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Adrian Civici,
Skënder Buçpapaj e Çun Lajçi janë fituesit e edicionit të gjashtë të Panairit Kombëtar
të Librit në Fier.
Nga 132 libra konkurrentë, në gjini të ndryshme, juria e panairit e përbërë nga akademiku Ali Aliu (kryetar) dhe Flutura Açka e Erenestina Halili (anëtare), arriti të përzgjedhë më të mirët. Në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1.200 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse./ KulPlus.com
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën është bërë hapja e Bibliotekës Austriake (Këndit Austriak), me mbi 2 mijë tituj të librave në gjuhën gjermane.
Me këtë rast ambasadori austriak,Gernot Pfandler ka theksuar se kjo bibliotekë është një sinjal për të gjithë studentët e rajonit të Prizrenit të cilët mësojnë gjermanishten, duke uruar që kjo bibliotekë për shumë vite një vend ndihme dhe inspirimi për studentët.
Ushtruesi i detyrës së rektorit Ismet Temaj theksoi se hapja e kësaj biblioteke është një lajm i mirë për studentët e UPZ-së, për realizimin e së cilës falënderoi ambasadorin austriak, lektoren Drescher, KFOR-in austriak dhe të gjithë ata që kanë kontribuar.
Ai shtoi se shteti dhe populli austriak kanë mbështetur shtetin dhe popullin e Kosovës në shumë aspekte, ndërsa hapja e kësaj biblioteke do të jetë një urë lidhëse mes studentëve e profesorëve të UPZ-së dhe Austrisë.
Po ashtu lektorja në UPZ nga OeAD, Martina Drescher, Andreas Kurz, zyrtar i programeve në OeAD dhe Peter Schinnerl , nga KFOR-i austriak përshëndeten hapjen e kësaj biblioteke dhe theksuan se për ata ka qenë një nder që kanë pasur mundësinë që të ndihmojnë UPZ-në dhe studentët e gjermanishtes. /atsh/ KultPlus.com
Bisedë me përkthyesin e letërsisë shqipe dhe shkrimtarin e njohur rumun Marius Dobresku të dekoruar nga presidenti Bujar Nishani me Medaljen e Mirënjohjes, të nderuar me çmimin Penda e Argjendtë, po ashtu në Tiranë dhe fituesin e dyfishtë të Çmimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana Mimoza
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar z. Dobresku, lexuesi
shqiptar ju njeh si një nga miqtë më të mëdhenj të letërsisë shqipe që për gati
gjysmë shekulli keni përkthyer dhe e keni bërë të mundur leximin e kësaj letërsie
në gjuhën rumune, a mund të na thoni si u njohët me gjuhën shqipe dhe si
vendosët të mirreni me përkthimin e veprës letrare shqipe?
Marius Dobresku:
Pasi erdha në Bukuresht
si student i Fakultetit të Historisë – isha pra në vitin e parë, na thirrën tek
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), mua dhe Filip Teodoreskun (i cili ka qenë
dhe ambasador i Rumanisë në Tiranë në fund të viteve ‘90), për të na dërguar në
Tiranë, për të vazhduar për studime në gjuhë dhe letërsi shqipe. Në atë kohë
MPJ kishte nevojë për specialistë në disa gjuhë të huaja, shqipja duke qenë njëra
prej tyre. Kam pasur kolegë të fakultetit të cilët në të njëjtin vit kanë
vajtur shumë larg në Azi, në Vietnam, Kore, Mongoli, ose më afër, në Bullgari.
Ne të dy patëm fat: Shqipëria ishte, nga ana gjeografike, një vend europian, megjithëse pushteti komunist
nuk ishte larg diktaturave aziatike. Në qershor të vitit 1971, duke zbritur nga
avioni në aeroportin e Rinasit, para nesh hapej një botë e panjohur dhe mjaft
misterioze. Ishte bota shqiptare. Ashtu që vazhdova për katër vjet Fakultetin e
gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku, midis të tjerëve, patëm si profesor Ismail
Kadarenë, i cili jepte mësime mbi letërsinë perëndimore bashkëkohore. Duke e
njohur personalisht dhe duke i studiuar librat e periudhës së parë, ata të
viteve ‘70, u dashurova me krijimtarinë e tij, ashtu që në fund të studimeve
tema e diplomes sime ishte mbi rezistencën e popullit shqiptar gjatë shekujve të
pasqyruar në romanet e Kadaresë. Pasi i dhashë të gjitha provimet, u ktheva në
Rumani me një valixhe të mbushur me libra. Këtu vazhdova leximin e romaneve të
tij dhe korrespondencën me të, ashtu që pas 12 vjetësh e mora përsipër ta përkthej
romanin e parë, “Kronikë në gur” (1983), i cili u prit me entuziazëm nga
publiku rumun. Para këtij romani, në Bukuresht u botua “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”, varianti i Foqion Miçaços, në vitin 1973. Që nga viti 1983, viti kur
doli nga shtypi libri i parë im, kam përkthyer në gjuhen rumune gati 30 vepra të
Ismailit, pa përmendur vjershat dhe dramatizimet pas romaneve të tij. Puna në
ambientin e letërsise shqipe më është bërë një natyrë e dytë, ashtu që përveç
Kadaresë jam marrë me veprat e shkrimtarëve të tjerë, si: Arbër Ahmetaj, Gjekë
Marinaj, Ramiz Gjini, Rita Petro, Ermir Nika, Fahri Balliu e kështu me radhë.
Mimoza H. P.: Bazuar në punën tuaj në leximin dhe përkthimin
e letërsisë shqipe, mund të themi se jeni njohës i mirë i saj, cili është
mendimi juaj për zhvilllimin e letërsisë dhe kritikës letrare në Kosovë dhe
Shqipëri, kohës së fundit?
Marius D.: Nuk mund të them se e njoh shumë mirë letërsinë
shqipe të ditëve tona, por prapë se prapë…. duhet t’ju them se, përveç përkthimeve,
merrem edhe me redaktimin e revistës së vetme të komunitetit shqiptar të
Rumanisë, revista Drita. Si gazetar kisha rastin të punoj gjatë 18 viteve të
fundit me tekstet e shumë krijuesve shqiptar, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga
Kosova. Kam botuar poezi dhe proze nga shkrimtarë kosovar të dalluar, duke
filluar me akademikun Rexhep Ismaili dhe duke mbaruar me Eqrem Bashën, Agim
Vincën, Ali Podrimjën, Esad Mekulin etj. Lista është tepër e gjatë. Në vitin
2012 botova një antologji të poezisë shqipe të sotme me titullin “Misteri i
lutjeve”, ku ka poetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora shqiptare.
Tani, lidhur me këta shkrimtarë, problemi është mungesa e vizibilitetit të tyre
jashtë vendit. Në periudhën komuniste nuk njiheshin sepse vendi ynë, Rumania,
ishte një vend i mbyllur dhe rrallëherë kishim mundësinë të udhëtojmë. Pas përfundimit
të studimeve, në 1975 unë shkova në Seminarin e Prishtinës, dhe më 1978 në
Moldavinë sovjetike. Kaq. Librat vinin po ashtu shumë rrallë. Tani, kur njerëzit
dhe vlerat qarkullojnë pa problem kryq e tërthor botës, është paradoksale së vështirësitë
kanë mbetur po ato. Është prapë e vështirë të botosh letërsi të huaj, përveç
asaj perëndimore, sepse shumica e shkrimtarëve të bllokut ish-komunist nuk kanë
shumë autoritet dhe vizibilitet në vendin tim. Shtëpitë botuese, që janë ndërmarrje
tregtare në fund të fundit, duan të fitojnë para. Dhe me shkrimtarë të panjohur
kjo nuk mundet. Ashtu që është shumë vështirë të promovosh, në këtë kohë, një
shkrimtar shqiptar në Rumani. Këtë vështirësi e kam edhe unë. Një fakt tjetër:
para 15 vitesh, në ditët e Panairit të nëntorit (e kam fjalën për panairin e
librit) Ministria e Kulturës së Shqipërisë ftonte në Tiranë përkthyes të njohur
të letërsisë shqipe, të cilët takoheshin me shkrimtarë vendas, bisedonin dhe
merrnin pjesë në aktivitete kulturore të ndryshme. Por, ky projekt pati jetë
shumë të shkurtër. Përsa i përket kritikës shqiptare, këtë e njoh akoma më pak.
Mimoza H. P.: Jeni nga përkthyesit më voluminoz të veprës së
autorit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. Që nga përkthimi i veprës së
parë, Gjenerali të Ushtrisë së vdekur dhe deri sot keni bërë të mundur leximin
në rumanisht të rreth 30 veprave të Kadaresë, si e zgjodhët autorin, duke u
bazuar në mendimet e kritikës apo vlerësimet tuaja personale?
Marius D.: Po, kriteret e mia janë dy: në radhë të parë
bazohem mbi shijen dhe përvojën letrare personale. Pra, në vleresimet intime
mbi këtë apo atë autor. Kjo sepse në shumicën e rasteve, kryeredaktori i shtëpisë
botuese më pyt personalisht mbi cilësitë e veprës të cilën duam ta perkthejmë.
Herë të tjera, propozimin për këtë apo atë vepër e bëj vetë. Pra, vepra
respektive duhet të më pëlqejë mua në radhë të parë. Po më pëlqeu, jam i sigurtë
99% se ajo ka të gjithë cilësitë për ti pëlqyer më tej redaksisë dhe publikut.
Kjo ka të bejë me përvojën e përkthyesit. Kriteri i dytë është patjetër ai
komercial. Këtu interesi im ka prapë diçka të përbashkët me atë të shtepisë botuese,
sepse pa e plotësuar këtë kriter vepra nuk mund të dalë në dritë. Shumë rrallë
kam parasysh mendimin e ndonjë kritiku. Dhe kjo nuk është indiferencë, por një
gjykim praktik: në kushtet e një prodhimi letrar me përmasa “industriale”,
shpeshherë specialistët nuk arrijnë të orientohen në morinë e veprave
letrare.
Mimoza H. P.: Jeni edhe shkrimtar i njohur, sa ju ndihmon
aftësia për të krijuar në procesin e përkthimit?
Marius D.: Po, më pëlqen të shkruaj dhe kam botuar vetë dy
romane për të rinjtë – njëri prej tyre është publikuar në Tiranë në përkthimin
e Dionis Bubanit. Me raste shkruaj prozë të shkurtër dhe ndonjë vjershë. Fatkeqësisht,
nuk mund të krijoj ashtu siç dua dhe për këtë “fajtor” është vetë Ismail
Kadare. Unë vij nga një qytet buzë Danubit, qyteti i Naum Veqilharxhit: Brăila.
Është qytet më një histori mesjetare osmane, me shumë pakica kombëtare dhe me
folklor qytetar shumë të pasur. Këtu janë lindur dy nga tregimtarët rumunë më të
mëdhenjë: “francezi” Panait Istrati dhe Fanush Neagu. Arti i të treguarit është
bërë traditë te ne. Unë jam rritur në këtë atmosferë përrallore, ku çdo
familje, çdo rrugë dhe çdo shtëpi ka historinë e vetë. Pastaj Danubi, Danubi është
i mrekullueshëm dhe ai vetë ka legjendat e tij. Në Rumani ka disa shqiptarë që
merren me përkthimin e letersisë shqipe, por duke mos zotëruar shumë mirë gjuhën
rumune është e qartë se realizimet e tyre nuk janë në nivelin e duhur. Një vepër
letrare e cila vjen nga një letërsi tjetër duhet të plotësojë në radhë të parë
kërkesën e cilësisë stilistike dhe gjuhësore. Sepse duke hyrë në një hapësirë
linguistike tjetër, me gjithë filozofinë që përcjellë, ajo bëhet pjesë e asaj
letërsie ku po hynë. P.sh. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në të dyja
variantet, janë tashmë pjesë e letërsisë rumune. Prandaj duhet të tingëllojë
rumanisht, të duket se është shkruar direkt në gjuhën rumune. Fakti se shkruaj
çdo ditë më ndihmon shumë.
Mimoza H. P.: A mund të na flisni për praktikat tuaja të
përkthimit?
Marius D.: Përkthimin e një libri unë e shikoj sikurse një
provim në matematikë. Çdo fjali është një ushtrim, çdo frazë një problem. Të
gjitha këto kërkojnë një zgjidhje. Duhet punuar tamam si në matematikë: me këmbëngulje
dhe përkushtim. Unë e përdorë shumë rrallë fjalorin. Disa herë kuptimin e një
fjale e kam shumë të qartë në shqip, gati-gati e imagjinoj objektin ose
veprimin respektiv, por në rumanisht më vjen vështirë t`a shpreh. Nuk e gjej
korrespondentin më të mirë. Kjo ndodh rrallë, shumë rrallë. Atëherë shkoj në
dhomën tjeter dhe e pyes gruan: ja, nuk e di siç i thonë kësaj rumanisht? Dhe
ajo më ndihmon. Maria ka mbaruar për gjuhë-letërsi rumune, është gazetare dhe
ndihma e saj është shumë e vlefshme për mua. Kur përkthej një tekst nuk më
intereson fare kuptimi mot-a-mot i frazës në gjuhën rumune dhe e riformuloj
rumanisht, disa herë më zë të lartë, për të degjuar si tingëllon. Teksti duhet
të rrjedh në mënyrë të natyrshme, me toponime specifike rumune. Kur isha nxënës
kam marrë mësime për violinë dhe veshin e kam shume të mirë, vesh violonisti.
Kur punoj nuk nxitohem. Pasi e mbaroj veprën, e lë disa javë të “çlodhet”,
çlodhem edhe unë, dhe pastaj e rilexoj, ndreq gabimet dhe riformuloj frazat që
nuk më duken të kënaqshme. Jam shumë ambicioz dhe ata të shtepisë botuese me të
cilën bashkëpunoj, e kam fjalën për Humanitas, botuesi më i mirë tek ne, thonë
për tekstet e mia që janë shumë korrekte edhe nga ana gramatikore, edhe nga ajo
stilistike.
Mimoza H. P.: Përveç veprës së Kadaresë, sa është e njohur
letërsia shqipe për lexuesin rumun?
Marius D.: Kadare është patjeter shkrimtari përfaqësues
i letërsisë shqipe. Ambasadori më i mirë i kësaj letërsie, ndoshta ambasadori më
i mirë i Shqipërisë në botë. Dhe unë krenohem me veprën dhe miqësinë e tij. Jam
i sigurtë se pas Shqipërisë dhe Francës, Rumania është në vend të tretë të
botimeve të këtij shkrimtari. Fatkeqësisht, shkrimtarë të tjerë të njohur nga
letërsia shqipe nuk ka tek ne. Ka disa vepra të botuara, por me sponsorizim ose
të financuara nga qeveria nëpërmjet organizatës së shqiptarëve të këtushëm. Kam
përmendur disa prej tyre. Vitin e kaluar, p.sh., doli nga shtypi libri i Fate
Velajt “Kreutztanne”, por varianti rumanisht është jashtëzakonisht i dobët. Po
ashtu një libër i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, libri “Kurbani”. Përkthime
të dobëta. Një përkthim i tillë hedh mbi autorin një dritë jo të favorshme dhe
ai libër mund të jetë vepra e parë dhe e fundit që botohet në Rumani. Pra, roli
i përkthyesit është shumë i rëndësishëm, sepse ai nga një shkrimtar i mirë mund
të nxjerr një mediokër dhe anasjelltas.
Mimoza H. P.: Pas pavarësisë së Shqipërisë (1912) letërsia e
Shiqpërisë dhe Kosovës ndoqën dy rrugë të krijimit. Në këtë kontekst a mund të
na thoni sa është e njohur vepra e autorëve kosovarë në Rumani, a keni përkthyer
dhe a keni në plan të përktheni veprat e autorëve kosovarë?
Marius D.: Mund të
them me siguri se veprat e shkrimtarëve kosovarë janë gati të panjohura në
Rumani. Ka disa përkthime nga poezia, disa proza të Bashës a ndonjë shkrimtari
tjetër dhe kaq. Kjo vjen edhe nga mungesa e kontakteve midis shkrimtarëve rumunë
dhe atyre kosovarë, dhe qeveria e Prishtines duhet të bëjë më shumë në këtë
drejtim. Të ofrojë bursa për përkthyes të huaj, të organizojë takime në kuadrin
e panaireve, të sponsorizojë botimin e veprave etj. Sidomos në kontekstin
aktual, kur Rumania nuk ka njohur akoma shtetin e pavarur kosovar. Kosova duhet
të njihet më mirë në Rumani. Por, nuk e kam fjalën vetëm per vendin tim.
Seminari i gushtit ka tjetër profil dhe nuk është i mjaftueshem.
Mimoza H. P.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar
aktualisht lidhur me letërsinë shqipe?
Marius D.: Përveç revistës së muajit shkurt 2019 (revista
duke qenë mujore), ku kam një prozë të Ramiz Gjinit dhe dy vjersha të Dritëro Agollit,
sapo kam mbaruar një vëllim me katër novela të Ismailit. Vëllimi titullohet “Kalorësi
me skifter” dhe besoj së do të dalë në librari në verën e këtij viti.
Marius Dobrescu është lindur në Braila, Rumani, më 23 prill 1951. Ka mbaruar Fakultetin e Histori-Filologjisë në kuadrin e Universitetit Shtetëror të Tiranës (1975). Për shtatë vjet ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë dhe që nga viti 2001 ka drejtuar si kryeredaktor gazetën Miku i Shqiptarit (Drita), periodiku i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. U dallua si përkthyes në Rumani për përkthimin e veprës së Ismail Kadaresë. Ka përkthyer nga veprat e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe është autori i antologjisë së poezisë shqipe bashkëkohore ‘Misteri i lutjeve’. Është marrë me studime rreth historisë së komunitetit shqiptar të Rumanisë, me kulturën dhe traditat e kësaj pakice kombëtare. Është dekoruar nga presidenti Bujar Nishani me Medaljen e Mirënjohjes dhe është Qytetar Nderi i Korçës. Ka fituar dy herë Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim dhe u nderua në vitin 2006 në Tiranë me Pendën e Argjendtë. Por vlerësimin më të vlefshëm ia bëri shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili e konsideron përkthyesi i tij më i mirë dhe më besnik. /KultPlus.com
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka shqyrtuar raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, raporton Ekonimia Online.
Isuf Koci nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, tha se situata e njëjtë në këtë institucion po vazhdon ende, pasi që ata nga 23 korriku i 2018-tës përballen me mungesë të anëtarëve të bordit, gjendje kjo e cila sipas Kocit është një sfidë për ta.
“Raporti i KKTK-së është pasqyrë e përgjithshme punëve që ne si institucion kemi realizua gjatë 2018 ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen që ndodhet KKTK-ja.KKTK deri më 23 korrik të 2018 ka qenë në përbërje të plotë të anëtarëve të bordit, por afati ka skaduar dhe tani ne funksionojmë pa anëtarë të bordit që nga ajo periudhë. Kemi pasë sfida të mëdha brenda institucionit sic janë mos bashkëpunimet e institucioneve me ne”.
Ai tha se këtë vit, shteti ka shpenzuar rreth 20 milionë euro për trashëgimi kulturore.
“Raporti konstaton se për trashëgimi kulturore janë shpenzuar rreth 20 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Bazuar në këtë raport nëse e krahasojnë punën e KKTK-së në vitin 2018 me një vit më parë këtu përshkruhen shumë aktivitete që janë pozitive”, tha deputeti Ismail Kurteshi.
Koci shtoi se prej vitit 2010 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk i ka dërguar projektet për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Prej 2010 Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, nuk i ka dërguar projekte për vlerësim KKTK-së ne i kemi të gjitha shkresat që i kemi dërguar të gjithë ministrave të Kulturës që nga 2010 për dorëzim të projekteve por nuk kemi marrë kurrë përgjigje. Ne nuk kemi arritur me nxjerrë përfundime të raporteve për shkak të mungesës me KKTK-në dhe konsideroj që nëse do kishim një bashkëpunim mes institucioneve do kishim një gjendje më të mirë. Kur ne por raportojmë për gjendjen aktuale në KKTK duket që dikujt nuk po i pëlqen”. / KultPlus.com
Festivalit Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip”, mbrëmë përmbylli suksesshëm edicioni e 9-të në menzën “Ramiz Sadiku” ku u lexuan poezi e tregime në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje lexuan Jasna Dimitrijevic nga Serbia, Mariklena Nico nga Shqipëria, Eleni Suela Douxi e cila lexoi në gjuhën shqipe dhe greke, Gerhard Meister nga Zvicra e shumë të tjerë.
Drejtori i qendrës “Multimedia” dhe organizatori i këtij
festivali Jeton Neziraj, tha që gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve dhe se e
veçanta e këtij festivali ishte edhe bashkimi i festivalit “Polip” me
festivalin “GranFest” .
“Gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve edhe publiku ka qenë sivjet në numër shumë të madh e realisht nuk kemi pritur që të ketë numër kaq të madh dhe më vjen mirë për këtë. E veçanta e këtij festivali ishte edhe bashkimi i dy festivaleve, i kemi dhënë jetë një festivali të ri në kuadër të festivalit “Polip”, pra edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik “GranFest” tha Neziraj për KultPlus.
E bashkimi i këtyre dy festivaleve sipas tij ka funksionuar
jashtëzakonisht mirë. Po ashtu Neziraj mbeti i habitur edhe me interesimin e
madh të publikut për të marr pjesë në panelet që janë organizuar në kuadër të këtij
festivali.
“Pjesa e paneleve ka shkuar shumë mirë po ashtu edhe interesimi i publikut ka qenë shumë i madh, kjo na habiti se më herët interesimi për panele nuk ka qenë i madh, kësaj radhe kanë ardhur shumë dhe sallat kanë qenë të mbushura”, u shpreh Neziraj për KultPlus.
Pas leximeve, të pranishmit u argëtuan me muzikë live nga
grupi “Arshikët e Gjakovës”.
Kujtojmë që gjatë këtij festivali kanë marrë pjesë rreth 40 shkrimtarë e artistë nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës. /Gzim Mujaj / KultPlus.com
Violinisti shqiptar me famë botërore Tedi Papvrami dhe pianisti François Frederic-Guy do të sjellin mbrëmjen e sotme një koncert ku do të interpretojë sonatat 2,7 dhe 10 të Beethoven.
Ky koncert, që do të zhvillohet në sallën e katedrales Ortodokse në Tiranë, vjen në kuadër të “Different Trains”, pjesa e dytë e integrales së sonatave Beethoven.
Papavrami dhe Guy do të sjellin për publikun kryeqytetas sonatën e dytë, të shtatën dhe të dhjetën, ku kjo e fundit i është kushtuar një ndër etapave të vështira të gjeniut të madh. Vitin E kaluar violinisti Papavrami dhe pianisti Guy kanë interpretuar 4 sonatat nr. 1,4,5 dhe 6 të Beethoven.
Papavrami dhe Guy në këtë koncert në Tiranë vijnë pas një bashkëpunimi të gjatë së bashku në shumë skena botërore.
Në vitin 2020, vit i 250 vjetorit të Beethoven, do të luhet koncerti i tretë dhe i fundit që mbyll ciklin e plotë të 10 sonatave që Beethoven ka shkruar për violinë dhe piano.
Tedi Papavrami me aktivitetin e tij ka interpretuar në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogëood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj.
Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit.
Artisti Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj./k.s/ KultPlus.com
Në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, të dielën pasdite në qendrën “Multimedia” në Prishtinë , u diskutua mbi temën “Paralelni polis, një koncept disident që e bezdis të tashmen”, shkruan KultPlus.
Në këtë diskutim panelistët kanë folur për politikën,
shoqërinë civile dhe rolin e kulturës dhe artit në politikë dhe shoqëri. Aty u
bë krahasimi i politikës çeke me atë të kohës së
Jugosllavisë. Paneli i diskutimit ishte i ndarë në dy pjesë, pjesa çeke
e cila përbëhej nga shkrimtari Marek Sindelka nga Republika Çeke dhe akademikja
gjermane e letërsisë çeke Alida Bremer, dhe
pjesa jugosllave që përbëhej nga Lena Dorn nga Kroacia dhe publicisti Shkëlzen
Maliqi.
Në këtë panel u shpjegua termi “Paralelni polis” dhe
u tregua ndikimi që ka ky koncept mbi shoqëritë. Akademikja Alida Bremer, tha që
ky koncept ka lindur në vitet 70-ta dhe 80-ta dhe struktura që janë krijuar nga
ky koncept për qëllim kanë pasur të përdorin zbrastësira në shoqëritë
socialiste.
“Paraleni
polis është një koncept i cili ka lindur
në vitet e 1970-80 nga disidentët ceko-sllovak dhe personi i parë që e ka
formuluar ka qenë Basllav Benda i cili ishte filozof dhe matematikan. Ishte
ideja e tij për të ndërtuar këto struktura paralele dhe këto struktura kanë
pasur për qëllim të përdorin zbrastësira në shoqëritë socialiste, ai ka
propozuar pesë fusha: kulturë, arsim, shkencë, ekonomi dhe informim. Pra qëllimi
i tyre ka qenë krijimi i një shoqërie civile kritike e solidare nga institucionet
institucionaliste” tha ajo.
Shkrimtari Marek Sindelka tha që edhe sot në Çeki
mund të shohësh njerëz që përdorin pikërisht koncepte si të Bendës.
“Në 5 apo 8 vitet e fundit ka pasur ndryshim shumë të
shpejtë të rrjedhjes së politikës ceke. Sot mund të shohësh shembuj të shumtë të
shoqërive, këto grupe njerëzish politikisht të orientuar kryesisht janë grupe të djathtës ekstreme dhe tek to mundë të
shohësh pikërisht konceptet si të Bendës edhe sot” tha Sindelka.
Lena Dorn tha që strukturat paralele në Kroaci nuk
kanë qenë disidente me idenë e liberalizmit, por ato ishin disident me
pozicione shumë nacionaliste.
Shembullin për “Paraleni polis” kosovar ne kohën e
regjimit serb foli publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili tha që në kohën e regjimit
të Millosheviqit nuk ka pasur kushte që
të krijohen shoqëri civile të cilat do të punonin për interesat e popullit.
“Në Kosovë në kohën e regjimit të Millosheviqit nuk
ka pasur kushte për zhvillimin e shoqërive civile organike. Gjendja nuk ka qenë e mirë as në arsim, gjatë
asaj kohe janë mbyllur edhe shkollat. Në Kosovë partitë politike janë krijuar
nga viti 1989-90” tha Maliqi duke iu referuar asaj periudhe që ka kaluar
Kosova, e që sipas tij ka qenë me shumë kthesa.
Në këtë debat është bërë diskutimi i përvojave në periudha të caktuara, të cilat janë vën në diskutimin e panelit të “Polip”. / Gzim Mujaj /KultPlus.com
Në Tel Aviv, 41 vende do të marrin pjesë në edicionin e 64 të “Eurovision Song Contest”, ku pas dy gjysmë finaleve që do të mbahen të martën dhe të enjten, vetem 26 prej tyre do të jenë pjesë e finales së madhe të së shtunës. Shqipëria do të përfaqësohet në festival me Jonida Maliqin me këngën “Ktheju tokës”.
Punk islandez? Folk polak? Apo Joik norvegjez? Çfarëdolloj rryme dhe kushdoqoftë fituesi i Eurovision-it, e rëndësishme është muzika. Në Tel Aviv, 41 vende do të jenë pjesëmarrëse në edicionin e 64 të “Eurovision Song Contest”, ku pas dy gjysmë finaleve që do të mbahen të martën dhe të enjten, vetem 26 prej tyre do të jenë pjesë e finales së madhe të së shtunës.
Edhe ky edicion i Eurovision-it nuk erdhi i papërfshirë nga polemikat. Ukraina u tërhoq nga konkurimi pasi e pa të papërshtatshem Izraelin si vend organizator kurse Bullgaria nuk merr pjesë për arsye financiare. Gjithashtu shumë organizata joqeveritare kanë bërë thirrje për bojkot, pasi e shohin Izraelin si vend okupator. Megjithatë, këtë fundjavë miliona teleshikues do te “mbërthehen” para televiziorit për të ndjekur magjinë vjetore muzikore.
Mes 41 vendeve pjesëmarrëse, Holanda, që do të përfaqësohet nga Duncan Laurence me këngën “Arcade” shikohet si favorite dhe pas saj renditet Rusia. Shqipëria do të përfaqësohet në festival me Jonida Maliqin me këngën “Ktheju tokës”. Pavarësisht faktit se gjatë provave, regjia televizive e festivalit ka patur probleme teknike, blogerët e Eurovizionit janë shprehur se Maliqi është një nga zërat më të mirë në konkurrim./Shqiptarja / KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, ka festuar sot së bashku me djemtë e Aeronautikës Shqiptare 20-vjetorin e Albanian Open 2019.
Klosi u shpreh se Shqipëria ka vende spektakolare për këtë sport, që së fundmi është shndërruar mirëfilli në biznes 15 vite nga fluturimi i fundit në Llogora.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit bëri një tjetër hedhje me parashutë nga mali i Kaninës, në Vlorë. Një fluturim si simbolikë me rastin e 20-vjetorit të Albanian Open 2019, të organizuar nga Aeronautika Shqiptare, por edhe si një mënyrë për të promovuar bukuritë përrallore të Shqipërisë dhe turizmin e aventurës, gjithnjë e më shumë në fokusin e turistëve të huaj.
“Sot, me djemtë e Aeronautikës Shqiptare po festojmë 20- vjetorin e Albanian Open dhe po marrim pjesë në një garë spektakolare me shumë garues nga 13 shtete të botës dhe po promovojmë një dimension të veçantë të turizmit shqiptar, që është turizmi i aventurës. Shqipëria ka vende spektakolare për këtë lloj sporti dhe djemtë e kanë kuptuar tashmë që ky nuk është vetëm sport, por edhe biznes dhe një atraksion i shtuar turistik”, tha ministri Klosi.
Gjatë këtij sezoni të ri turistik, Vlora, Llogaraja, Himara, apo destinacione të tjera turistike ku mund të zhvillohen sporte të kësaj natyre, do të shoqërohen me shumë fluturime nga djem dhe vajza profesionistë, që i ofrojnë turistëve një dimension tjetër turistik, të pashquar më parë. Në mbrëmje, ministri Klosi mori pjesë edhe në ceremoninë festive të Open Air Albania 2012, që këtë vit u organizua në Lungomare nga Aeronautika Shqiptare, ku u shpërndanë edhe çmimet për garuesit më të mirë, përfaqësues të njohur të kësaj disipline nga e gjithë bota. Një mbrëmje e mrekullueshme, me protagonist kryesor fituesin e garës spektakolare të hedhjeve me parashutë, sllovenin Matjaž Sluga. /j.p/
Shqiptarja Florentina Ferati tash e sa vite është njëra ndër punonjëset e kompanisë gjigante, atë të rrjetit social Facebook.
Ajo është pjesë e dikasterit për siguri kibernetike, teksa së fundmi në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur rreth detajeve të punësimit dhe avancimit në këtë kompani.
“Me mbi dy miliardë përdorues, rrjeti shoqëror ka më së shumti të dhëna për të mbrojtur nga të gjitha tek-kompanitë. Puna në ekipin e sigurisë kibernetike të Facebook-ut bart përgjegjësi të madhe, por dhe shpërblim të madh, meqë ekipi përballet me sfida të reja dhe përherë sjell risi në industrinë e teknologjisë. Çdo problem që haset ndryshon nga të tjerët, duke kërkuar metodologji të ndryshme shqyrtimi e reagimit inovativ për ta gjetur shkakun dhe zgjidhjen”, ka thënë Florentina Ferati për Telegrafin.
E pyetur se si është të punosh në zyrat e Facebook, shqiptarja nga Ferizaji rrëfen më tej se ambienti që të ofrohet në këtë kompani është vërtet i veçantë dhe i duhur për të të motivuar për punë.
“Që prej qershorit 2015, unë kam zyrën në rrugën “Hacker Way” në Menlo-Park të Kalifornisë, ku ndodhet selia e Facebook-ut. Facebook është një kompani që të ofron shumë mundësi dhe benefite profesionale dhe personale. Disa që mund t’i cek që luajnë rol kryesor në arsyet pse unë jam në Facebook që tash e katër vite është kolektivi i mirë dhe mundësia për të pasur ndikim në sigurinë e të dhënave të përdoruesve të Facebook, dhe mundësinë që më jepet për të zotëruar projekte të ndryshme që ecin përpara zhvillimin e teknologjisë në këtë fushë. Është një ambient ku secila dite ndryshon nga tjetra dhe Facebook-u me të vërtetë është si asnjë vend tjetër: e dua kulturën e mahnitshme dhe njerëzit, dhe ndjenjën e fuqizimit për të punuar në projekte që me tërheqin. Diçka tjetër që me duket unike dhe që më pëlqen në lidhje me ekipin e Sigurisë në Facebook është se sa shpejt ekipe te ndryshme vijnë së bashku për të punuar në probleme të rëndësishme. Me të vërtetë është shumë mbresëlënëse të punosh në një organizatë kaq inovative”, ka potencuar ajo më tej.
Në intervistën e plotë, Ferati tregon me krenari se si u rrit nga prindërit në Kosovë, teksa në rrugëtimin e mëvonshëm profesional, e gjeti veten në fushën e teknologjisë.
Në një ambient të bukur të “Der Kunstraum”, në qendër të Vjenës, mes artit të pikturave të mrekullueshme bashkë me atë letrar dhe tingujt e harfës luajtur nga Veronica Klavzor u mbajt orë letrare artistike. Ajo u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri në kuadër të Javës së Integrimit në Vjenë, ku autorët prezantuan veprat e përkthyera në gjermanisht dhe lexuan prej tyre.
I pranishëm ishte gjithashtu Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri. Tani e disa kohë në aktivitet letrare aq me vlerë mungojnë përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri. Në emër të nikoqirit, përshëndeti Hubert Thurnhoffer, pronari i galerisë “Der Kunstraum’’, ai e falënderoi organizatorin për bashkëpunimin dhe tha se galeria e tij e artit ka qëllim ndërtimin e urave kulturore mes kombeve. Programi i drejtua me shije në të dy gjuhët nga Kaltrina Durmishi.
Mbrëmjen e hapi Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe mes tjerash tha: “Qëllimi i Lidhjes sonë është që me aktivitet tona të sjellin më shumë vepra letrare të krijuesve nga diaspora të përkthyera për lexues, para se gjithash atij vendor.” Ai dha një historik të shkurtër rreth aktiviteteve të Lidhjes.
Kurt Gostentschnigg
Dr. Kurt Gostentschnigg, albanolog, foli rreth veprave të përkthyera prej tij të autorëve Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Mërgim Osmani. Rreth poezive të Besim Xhelilit mes tjerash shtoi: “Poezia e Besim Xhelilit mund të kuptohet sipas dy konteksteve: së pari sipas kontekstit të biografisë së autorit dhe shoqërisë dhe së dyti interpretimin e veprës sipas frymëzimit të dalë nga zemra. Tek poezia e Besimit kuptimi vjen nga muza e frymëzimit, gjegjësisht nga fuqia e shpirtit dhe zemrës“. Ai lexoi disa poezi në gjermanisht nga libri “Sy të pafajshëm” (,,Unschuldige Augen’’) të përkthyer na ai, kurse në shqip nga ky libër lexoi Marsela Xhaferaj.
Prof. Peter Paul Wiplinger, shkrimtar i njohur austriak shkroi parafjalën e veprës “Kohëthyerja” (,,Zertrümmerung der Zeit’’) të autorit Hazir Mehmeti, nga e cila mes tjerash tha: “Është një art të shkruari në frymën e kohës dhe të letërsisë. E bazuar natyrisht në trashëgiminë e mënyrës së të rrëfyerit të traditës së letërsisë shqiptare, por arti i të shprehurit dhe kultura gjuhësore e Hazir Mehmetit janë shumë afër realitetit. Këtu rrëfen një autor, histori të thjeshta, në një gjuhë “të thjeshtë”, të qartë. Pikërisht për këtë, kjo mënyrë të rrëfyeri ka stil dhe kualitet. Prandaj libri është një urë letrare lidhëse ndërmjet dy botëve: botës së vjetrës dhe asaj të re si dhe të kulturave të tyre; por edhe ndërmjet së kaluarës dhe së sotmes; ndërmjet atdheut dhe mërgimit. Dhe para së gjithash një lidhje ndërmjet Autorit dhe lexuesit.” (përkthimi në shqip nga Shpresa Musaj). Elona Kamberi lexoi pjesë nga tregimi “E ftuara” në gjermanisht nga përmbledhja “Kohëthyerja” e autorit Hazir Mehmeti. Kjo vepër u botua nga P.E.N- Klubi Austriak i njohur, redaktor i librit është Dr. Helmut Niederle, kryetar i klubit.
Poetja e njohur polake e cila jeton në Austri, Marzanna Danek, lexoi disa poezi nga përmbledhja e saj e fundit në gjuhën gjermane. Përndryshe, Marzanna ka fituar disa çmime të larta në vendlindjen e saj dhe në Austri.
Ishte një mbrëmje e bukur arti e cila lidh shpirtërisht artdashësit nga kombe e gjuhë të ndryshme që jetojnë e krijojnë në Austri.
Peter Paul
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri ka bërë emër në afirmimin e krijuesve shqiptarë që jetojnë në Austri. Janë ndërtuar ura miqësie arti, e më shumë se aq, me klube e shoqata kulturore të shumta në Austri. Ka bërë miq të shumtë nga radhët e krijuesve vendor pa të cilët nuk do mund të kishte kaq shumë fryte puna e Lidhjes nën drejtimin e veprimtarëve drejtues të zellshëm. Tani ka raporte të afërta bashkëpunimi me P.E.N –Klubin austriak rreth të cilit veprojnë mijëra krijues kombesh të ndryshme në Austri e më gjerë. PEN- është edhe botues (për herë të parë) i disa veprave të autorëve shqiptarë në Austri.
Vet Java e Integrimit në Vjenë flet mbi afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare në hapësirat e pa njohura deri tani gjermanofolëse.
Shumë nga aktivitetet letrare u mbështetën nga donatorë artdashës dhe konkursi letrar, vite më parë, nga Ministria e Diasporës. Ura me e fuqishme e njohjes dhe komunikimit me të tjerët është fjala e artit, kjo nuk na mungon, andaj kërkohet mbështetje akoma më e fuqishme e Lidhjes në botimin e veprave me vlera të mirëfillta. / albinfo.ch / KultPlus.com
Në edicion të 58-të të Bienales së Venecias Shqipëria u përfaqësua me artistin Driant Zeneli me videoinstalacionin “Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, kuruar nga Alicia Knock. Ceremonia u çel nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës është e bukur që Shqipëria prezantohet në këtë kozmos artistik me një vepër që lind në Bulqizë dhe tejkalon kufijtë lokalë, për të përcjellë një mesazh shumë më universal.
“Ju falënderoj që jeni këtu për të mbështetur të
bukurën që arti shqiptar krijon dhe e përfaqëson në këtë paradë të artit botëror.
Jam e kënaqur që përfaqësohemi me Driantin, një i ri energjik, një talent i
zbuluar prej kohësh, I përkushtuar ndaj artit të tij, që po na mirëpërfaqëson
në këtë ngjarje, çka po e dëshmojnë dhe shkrimet e shumta të mediave të huaja.
I bashkohemi kësaj bienaleje me një thyerje dimensionesh, duke sjellë histori
të vogla, nga qytete të vogla e duke i kthyer në art bashkëkohor dhe në
dimensionin e së bukurës”.
Kuratorja Alicia Knock u shpreh se vepra e Zenelit
shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet.
Vepra e Driantit flet për një realitet specifik të
Shqipërisë, të Bulqizës, të kromit, që udhëton nga zemra e malit drejt
kozmosit”, teksa përshkruan një udhëtim gjeopolitik, ekonomik, industrial, në
veprën e Zenel
Ndërsa artisti Driant Zeneli u shpreh:
“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë
persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar
nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të
gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e
tyre”
Kuratori Edi Muka vlerësoi metaforën e përdorur nga
Zeneli, për të lidhur nëntokësoren me mbitokësore.
Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, Artisti Adrian Paci e quan një gjetje konceptin e veprës së Driant Zenelit, që lidh realitetin me fantazinë, nëntokën e Shqipërisë me kozmosin. / atsh/ KultPlus.com