“Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse”, e nis artikullin e saj media franceze “20 minutes”, duke renditur sitet arkeologjike, peizazhin e paprekur dhe gastronominë si arsye për ta vizituar.
Kryeministri Edi Rama këtë të diel zgjodhi këtë artikull për të uruar një të dielë të qetë. “Me këtë artikull të medias franceze për thesaret tona të trashëgimisë kulturore, biodiversitetin dhe gastronominë si disa ndër shumë arsyet për të vizituar Shqipërinë, ju uroj një të dielë të qetë”, tha ai.
Artikulli i “20 minutes.fr”.
”Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse. Një kthesë e vogël për këtë vend interesant, të cilin bota nuk e ka njohur për një kohë të gjatë.
Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe limane të qeta.
Për një kohë të gjatë, Shqipëria mbeti nën petkun e një diktature që përzihet me marksizmin dhe kultin e personalitetit. Sunduesi i saj i vetëm, Enver Hoxha, e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në mesin e viteve 1980.
Si një paranojak që ishte, ky tiran shpërndau gjatë bregdetit bunkerë duke menduar se pushtimi ishte afër. Edhe pse tashmë shumë prej tyre janë shkatërruar, një numër i konsiderueshëm i këtyre ndërtesave të këqija mbeten ende të dukshme. Një film i vitit 1996 “Kolonel Bunker”, i drejtuar nga Kujtim Çashku, të ringjall këtë valë delirante.
A dëshironte Hoxha të mbronte regjimin e tij, apo të ruante në mënyre strikte thesaret e vendit të tij? Kjo pyetje lind që nga hapja e kufijve dhe zbulimi i gjurmëve të pabesueshme të lashta. Shqipëria ka tërhequr me të vërtetë lakminë e qytetërimeve të mëdha: greke, romake, bizantine, osmane dhe ilire, ku me këta të fundit, shqiptarët e konsiderojnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë, kanë lënë shenjën e tyre aty.
Në udhëkryq të kulturave
Si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, anulon rrjedhën e kohës. Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor.
Virgjili dhe Racine aty kanë imagjinuar takimin e Andromakës, Helenusit dhe Eneas. I banuar që nga kohët parahistorike, vendi reflekton tërheqjen e shumë kulturave për këtë vend strategjik me një atmosferë magjike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Qyteti i Apolonisë, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm. Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve.
Qyteti i ri, dekor i ri. Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është shtëpia e një prej amfiteatrove më të shquar – më i madhi në Ballkan – që daton në shekullin II. Kripta e tij, ndërtuar nga të krishterët e hershëm, tregon një mozaik kompleksiteti të rrallë. I njohur dikur si Epidamnus, qyteti ishte një port imponues në rrugën tregtare Egnatia ndërmjet Romës dhe Bizantit. Ky qytet është sot një vendpushim bregdetar shumë popullor për turistët.
Flora dhe fauna në harmoni
Përveç bregdetit të saj jugor dhe mrekullive të lashta, Shqipëria është në dy të tretën e saj e përbërë nga pyje, livadhe dhe relieve të ndryshëm. Natyra që ende gëzon të gjitha të drejtat e saj, ku mund të gjejmë ujqër, arinj, dhia e egër dhe rrëqebulli që jetojnë në harmoni në rezervate natyrore të mëdha.
Mali i Tomorit është simboli i kësaj bote të egër që ende ruhet. Është shtëpia e qytetit muze, Beratit 2400-vjeçar. Kalaja, kishat bizantine dhe xhamitë madhështore dëshmojnë për të kaluarën e pasur. Më tej në veri, Gjirokastra, një nga qytetet më të rëndësishme në jug të vendit, është shpallur gjithashtu një qytet muze për shkak të shtëpive të vogla mesjetare që kufizojnë rrugët e saj të ngushta.
Një kryeqytet i këndshëm
Natyrisht, Tiranën gjithashtu ia vlen ta vizitosh, veçanërisht për ndikimet e saj ruse dhe sheshin e saj mahnitës “Skënderbej”, emri i heroit të rezistencës ndaj turqve, të cilit shqiptarët i detyrohen flamurin e të tyre të kuq me një shqiponjë me dy koka. Aty gjejmë dhe xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si dhe Kullën e Sahatit, Pallatin e Kulturës me opera, teatër, bibliotekë dhe shumë muze që do të na mësojnë më shumë për vendin.
Një ndalesë në kryeqytet gjithashtu fton turistët të zbulojnë kuzhinën shqiptare, që vërtet ia vlen të ndalosh. Pjata kombëtare është tava e kosit, mish qengji i gatuar në kos. Një mrekulli, sidomos nëse shoqërohet me verërat më të mira të vendit. Llokume dhe kafetë e stilit turk do ta mbyllin këtë largim në vendin e shqiponjave.
Çfarë të hamë?
Kuzhina shqiptare është e ndikuar nga gastronomia turke dhe greke. Aty gjejmë dollmatë, perimet e mbushura dhe mbizotërimin e mishit të deles.
Qëndrimi
Meqenëse turizmi është relativisht i ri në Shqipëri, infrastruktura hoteliere është kryesisht e vendosur në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike. Akomodimi është mjaft i lirë, edhe pse në Tiranë çmimet janë më të larta. Ka edhe disa hostele dhe fushata të rinjsh me tarifa shumë të volitshme. Sidoqoftë, mikpritja dhe ndjenja e të qenit i mirëpritur janë vlera kryesore në të gjithë vendin. Një proverb afirmon gjithashtu se “shtëpia e shqiptarëve është e zotit dhe e mikut”. Qëndrimi tek banorët vendas është një aventurë për t’u provuar”. /j.p/ KultPlus.com
Një anije peshkimi që u mbyt në detin Mesdhe, në 2015, duke i marrë jetën qindra emigrantëve në bord, po prezantohet në Biennalen e Venecias. “Barca Nostra” është pjesa kryesore e një projekti të artistit Christoph Buchel.
Vetëm 28 pasagjerë mbijetuan kur anija e peshkimit u përplas me një tjetër barkë ndërsa ishte nisur nga Libia drejt Lampeduzës, në 2015, me 700 deri 1100 njerëz që humbën jetën në tragjedi. Barka u nxor nga qeveria italiane vitin që pasoi dhe tani është pjesë e një projekti më të gjerë të artistit islandezo-zviceran, që eksploron emigracionin dhe kufijtë, transmeton TCH.
Vetë artisti është përballur me disa sfida ndërsa e ka transportuar anijen në Venecia, jo vetëm se ajo nuk ka një pronar zyrtar por edhe për faktin se anijet e mbytura në Itali duhet të shkatërrohen. Sidoqoftë, ajo do të shërbejë tani si një kujtesë e fatkeqësive dhe krizave të emigrantëve. Pas Biennales, Buchel planifikon ta kthejë anijen në një kopsht kujtese, në qytezën August, në Sicili, që ajo të qëndrojë si një monument për njerëzit që humbën jetën në fatkeqësi.
Këngëtari i famshëm, Justin Timberlake, Missy Elliott dhe kompozitori i njohur, Alex Lacamoire pranuan të shtunën doktoraturë nderi nga Kolegji prestigjoz i Berklee i Muzikës në Boston.
Pas ceremonisë së diplomimit, ata ndan me të pranishmit disa fjalë me mesazhe tëfuqieshme për të rinjtë.
Ata iu bënë thirrje të gjithëve që të mos i ndërpresin ëndrrat e tyre, duke treguar se kurrë nuk është vonë të rikthehesh në kolegj.
“Ju jeni të përcaktuar nga ajo që përcaktoni dështimin si. Nuk është gjë nëse ju çon në suksesin tuaj. Kjo është e gjitha pjesë e udhëtimit”, ka thënë Timberlake pas marrjes së titullit.
Për ta bërë më komike situatën, këngëtari 38-vjeçar tha se shpreson që ta shohë këtë klasë diplomimi një ditë në skenën e muzikës.
“Takohemi në studio, dua të iu shoh të gjithëve atje!”, iu drejtua ai kolegëve të tij gjithashtu të diplomuar.
I njëjti ka publikuar disa fotografi edhe në rrjetin social Instagram, duke treguar se u ndje tejet i veçantë pas pranimit të titullit të doktoratës.
”Nuk ka ëndërr që është shumë e madhe … Vazhdoni !!! Më besoni mua … Unë jam një doktor! Por, vërtetë … FALEMINDERIT Barklee College për këtë nder të pabesueshëm, unë jam shumë i përulur dhe mirënjohës”, ka shkruar Justin në mbishkrimin e fotografisë. /Telegrafi/KultPlus.com
Një fotografi interesante dhe po aq e frikshme do të na kthejë në vitin 1992, në shtetin Shqiptar.
Në këtë fotografi është
paraqitur dënimi i fundit me vdekje i aplikuar në Shqipëri. Dënimi kishte
ndodhur në mesin e qytetit të Durrësit ndërsa dy personat e likuiduar janë
vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko.
Ata u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë. / KultPlus.com
“Evropianët e rinj” ishte termi me të cilën Kosova u prezantua pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Tani, 11 vjet pas, të rinjtë që përbëjnë shumicën e popullatës sfidohen nga izolimi si pasojë e mungesës së liberalizimit të vizave.
Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, shumica nga studentët e anketuar janë përgjigjur se nuk e ndjejnë veten të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në shtetet e BE-së, edhe pse jetojnë në të njëjtin kontinent.
Studentja Flondra Blakçori, thotë se ky etiketim është i mirë, por në realitet është e kundërta.
“Faktikisht, emërtimi po më pëlqen shumë, etiketimi tepër i mirë por me faktet që jemi duke i jetuar këtu është tmerrësisht e kundërta. Mos të them 180 shkallë dallojmë prej këtij etiketimi, mirëpo sigurisht që duhet të besojmë për të mirën, të shpresojmë për më të mirën. Ne të rinjtë të mundohemi dhe të mos lejojmë që këto barriera mos të arrijnë që të na ndalojnë të bëjmë diçka më shumë, por thjeshtë të jenë inspirim, të provojmë më shumë dhe përnjëmend të quhemi evropianë”, thotë Blakçori.
Driton Syla, student, shprehet se ndihet i ofenduar me këtë emërtim deri sa Evropa nuk bënë dicka për liberalizimin e vizave.
“Nëse flasim për regjimin e vizave, atëherë nuk e ndiej vetën evropian, për nëse flasim si territor atëherë ne jemi në mes të Evropës dhe nuk kemi ku të shkojmë. Mirëpo, padrejtësia që është duke iu bërë vetëm Kosovës është duke na imponuar që mos e quajmë vetëm evropianë dhe ta marrim si ofendim nëse dikush na quan evropianë të rinj për deri sa Evropa nuk bën diçka për ne, atëherë pse ne të ndihemi pjesë e tyre ku ata na refuzojnë të jemi pjesë e tyre”, shprehet Syla. / KultPlus.com
Më 6 deri 10 maj 2019 në qytetin e Gjakovës u mbajt me sukses të plotë Mitingu i 55 i Poezisë, i organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i këtij qyteti. Mitingu i Poezisë i Gjakovës mbahet pa ndërprerje që nga viti 1964 dhe është manifestimi më i rëndësishëm i poezisë shqipe dhe ndër më të rëndësishmit në Ballkan.
Gjatë kësaj veprimtarie bëhen promovime
librash të rinj, takime të poetëve me lexuesit, debate estetike, recitime të
krijimtarisë së zgjedhur poetike nga aktorë të fjalës poetike, ndërsa në
tribunën qendrore që përbën edhe pjesën kulmore të veprimtarisë krijimet e tyre
i lexojnë para auditorit vetë poetët.
Mitingu i 55 i Poezisë u ndoq me interesim
dhe pjesëmarrje të madhe nga krijuesit e Gjakovës, të qyteteve të tjera të
Kosovë, nga Plava, Gucia, Presheva, Tropoja, diaspora. Veprimtaria u mbështet
edhe nga Klubi i Letrarëve dhe Artistëve të Tropojës me kryetar poetin e njohur
Lulzim Logu, shoqata dhe klube të tjera letrare e artistike, nga Universiteti
“Fehmi Agani” i Gjakovës, e tjerë. Çmimet që u ndanë kësaj here, vijnë prej jurisë
tepër profesionale. Çmimi për përmbledhjen më të mirë poetike ndërmjet dy
mitingjeve iu nda poetit ndër më të shquarit krijues bashkëkohor Xhevdet
Bajraj.
Çmimi poezia më e mirë në Oren Qendrore të
Poezisë iu nda krijuese dhe botueses Flutura Açka.
Çmimi jubilar, që është edhe çmimi kryesor i mitingjeve jubilare, iu nda poetit dhe publicistit të shquar Skënder Buçpapaj.
Çmimi “Nenë Tereza”, që u ndahet poeteve
ndërkombëtar, pjesëmarrës në Miting, këtë vit e fitoi Ricardo Rubio, nga
Argjentina, Maria Barro, nga Portugalia, kurse mirënjohja “Nënë Tereza” iu nda
Laura Garavaglia nga Italia, që kanë peshë dhe ndikim tek krijuesit e jashtëm.
Njëkohësisht, çmimi “Yllka Domi”, që i ndahet
poetes debutues në Miting, i takoj krijueses nga diaspora Shqipe Bytyqi.
Po ashtu Klubi, duke mos harruar,
krijuesit e shquar që nuk jetojnë më fizikisht, ndau mirënjohje postmortum, për
poetin e niveleve antologjike, të ndjerin Basri Çapriqi.
Për suksesin e Mitingut të 55 të Poezisë
në Gjakovë kanë meritë të veçantë Kryesia e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”
dhe vetë kryetari Muharrem Kurti, prej një kohe të gjatë pjesëtar aktiv i
klubit, kryetar, anëtar i Kryesisë në shumë mandate, poet e prozator i shquar
me vlerësime dhe çmime ndërkombëtare, njeri me prestigj dhe përkrahje të qytetarëve,
profesor i Gjuhës e letërsisë shqipe në Gjakovë.
Sponsorë kryesorë të manifestimit ishin Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com
Në faqen n°238 të dokumentit të “Société des Nations – Journal Officiel”, botuar në shkurt të 1925, gjejmë një letër të veçantë të çamëve myslimanë drejtuar asokohe Komisionit Miks të Lidhjes së Kombëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Letër
presidentit të Komisionit Miks
Athinë, 13 maj 1924.
“Pas ekspozesë që patëm nderin të bëjmë në Prevezë, ne
po nxitojmë t’i paraqesim Komisionit të Lartë argumentet në vijim, të cilat
përkrahin racën shqiptare të Çamërisë, që do të thotë rrethet e Margaritit,
Gumenicës dhe Fulatit, për të cilat ne jemi përfaqësuesit e tyre dhe ku asnjë
mysliman, sipas mendimit tonë, nuk duhet të jetë subjekt i shkëmbimit.
Myslimanët
e Çamërisë, duke përfshirë ata të Paramithisë, janë shqiptarë të njohur si të
tillë nga të gjithë historianët, historikisht, dhe veçanërisht nga ata të
shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të fillim të nëntëmbëdhjetës.
Këta
historianë dhe udhëtarët janë anglezë, francezë dhe grekë; do të mjaftojë të
citojmë Leake, Pouqueville, Gervinus, Finlay, Aravantinos.Të gjithë kanë thënë se Çamët, si Suliotët, janë
shqiptarë nga raca, gjuha dhe zakonet.Ka
ende sot, në fshatin Gardhioi, një lagje e quajtur Kopolat, të gjithë
muslimanët që janë kushërinjtë e heroit të famshëm suliot Xhavella.
Në
të vërtetë, ajo që dallon një racë nga një tjetër, ajo që dëshmon se çamët janë
shqiptarë është gjuha e tyre, gjuha shqipe e folur në familje, zakonet e tyre,
të cilat ndryshojnë plotësisht nga ato të turqve, zakonet dhe traditat
shtëpiake, ato që lidhen me martesën, funeralet, lindjen e një fëmije, vallet,
këngët, etj.
Kostumi
i Çamëve është mjaft karakteristik; ai është krijuar që në kohën e Pellazgëve
dhe është i përbashkët për të gjithë shqiptarët, për çamët si dhe për të
tjerët.Sa për ata që argumentojnë se Çamët erdhën
nga Damasku (Chem en lyre), këto janë fjalë të pandershme të njerëzve të
paditur në fushën e historisë dhe që veprojnë për interesa personale. Disa
“hoxhallarë” kanë pretenduar gjithashtu se jemi turq, sepse dëshironin të
shkonin në Anatoli, duke shpresuar, kështu, të gjenin atje Khalifin.
Ne
do të ishim jashtëzakonisht mirënjohës, nëse një vendim do të merrej sa më parë
në favorin tonë, duke na dekretuar jashtë shkëmbimit, dhe nëse merren masa për
heqjen e kufizimeve ndaj elementit shqiptar mysliman, dhe kështu, të jemi të
lirë që të gëzojmë pronat tona, lirinë tonë, të drejtat tona civile, në mënyrë
që të kthehemi në një gjendje normale, diçka pas së cilës kërkojmë për gjatë
pesëmbëdhjetë muajsh.
Ne
ju lutemi, z. President, që të bindeni për sigurimin e respektit tonë më të
thellë.”
Në
emër të Hysni Abezit (Husni Abez), Haki Mazës (Haki Masa), Qazim Xhaferit
(Kasim Djafer), Ramadan Sulejmanit (Ramad Suleiman) nga Filati;
Sheko Hamidit (Cheko Hamid), Abedin Xhemalit (Abidin Djemali), Adem Sehmetit
(Aden Sehmeti) nga Gumenica; Haxhi Brahit (Hedji Brahi), Mehmet
Duzes nga Margariti.
• Nuk është i pasur ai që ka shumë, por është i pasur ai që
jep shumë.
• Nuk mund të bësh mirë ndaj botës, pa e lënë veten shpesh
herë keq.
• Vetëm ai që ka besim te vetja është i zoti të jetë besnik
ndaj të tjerëve.
• Egoistët janë të pazotë t’i dashurojnë të tjerët,
por nuk janë të zotë ta duan as veten.
• Aftësia për të qenë enigmatik është premisa e të
gjitha krijimeve, qoftë në art apo shkencë.
• Rreziku i së shkuarës ishte që njerëzit bëheshin
skllevër. Rreziku i së ardhmes është që njerëzit mund të bëhen robotë.
• Prirjet më të bukura dhe ato më të shëmtuarat e
njeriut nuk janë pjesë e një natyre njerëzore të dhënë biologjike, por rezultat
i procesit social që e krijon njeriun.
• Marrëdhënia nënë-fëmijë është paradoksale dhe, në
një mënyrë, tragjike. Ajo kërkon dashurinë më të thellë nga ana e nënës, e
prapë kjo dashuri e vërtetë mund të ndihmojë që të largohet nga nëna dhe të
bëhet plotësisht i pavarur.
• Të vetmit të pasur të vërtetë janë ata që nuk duan
të kenë më shumë.
• Njeriu i zakonshëm me pushtet të jashtëzakonshëm
është rreziku kryesor për njerëzimin – jo i ligu dhe sadisti.
• Qëllimi psikik të cilin një njeri mund ta përmbushë
ndaj vetes nuk është për t’u ndjerë i sigurt, por që të jetë i aftë për ta
toleruar pasigurinë.
• Kërkimi i qartësisë bllokon kërkimin e kuptimit.
Paqartësia është kushti i vërtetë që e ndalë njeriun të shpalosë fuqitë e tij.
• Revolucionari i suksesshëm është një burrështetas, i
pasuksesshmi një kriminel.
• Nuk ka liri të vërtetë pa lirinë e dështimit.
• Ne të gjithë ëndërrojmë; ne nuk i kuptojmë ëndrrat
tona, e prapë veprojmë sikur asgjë e çuditshme nuk ndodh në mendjet tona të
fjetura, të çuditshme të paktën në krahasim me gjërat logjike, të qëllimshme të
mendjeve tona, kur ato janë zgjuar.
• Ne jetojmë në një botë sendesh, dhe e vetmja lidhja
jonë me to është të dimë si t’i manipulojmë apo konsumojmë ato.
• Ajo që shumëkush në kulturën tonë kupton me të qenët
i adhurueshëm është në thelb një përzierje midis të qenit popullor dhe të qenit
tundues.
• Pse duhet të ndihet shoqëria përgjegjëse vetëm për edukimin e fëmijëve dhe jo për edukimin e të gjithë të rriturve të të gjitha moshave?
Një performancë operistike në një plazh artificial, në të cilën pushuesit paralajmëronjë një katastrofë ekologjike, ia siguruan Lituanisë çmimin kryesor në Bienalen e Venecias, një nga ekspozitat ndërkombëtare më të mëdha dhe më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.
“Sun & Sea (Marina)” – prezantuar nga artistet Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte dhe Rugile Barzdziukaite, mori çmimin “Luani i Artë” për pjesëmarrjen më të mirë kombëtare në Bienale, duke mundur 89 pavione të tjera, përfshirë edhe atë të Kosovës të përfaqësuar nga Alban Muja, transmeton Koha.net.
Kjo është hera e dytë që çmimi shkon për një vepër performuese: Më 2017, fitues ishte Pavijoni i Gjermanisë me Anne Imhof “Faust.”.
Çmimi tjetër i madh në këtë Bienale u nda edhe për artistin amerikan Arthur Jafa. I cili ka treguar film prej 50 minutash “The White Album”, përmes së cilës manifeston supremacinë e bardhë përmes portreteve të njerëzve të bardhë, dhe gjithashtu shfaq një set të skulpturave monumentale të gomave të kamionëve në zinxhirë, shkruan NYT.
Edicioni i 58-të i Bienales së Venecias do të jetë i hapur deri më 24 nëntor. / KultPlus.com
Përpara se të garoj për president, do të ishte më mirë të luaja një rol presidenti, deklaroi sot aktori i njohur amerikan, Will Smith, 50 vjeç.
“Do të më pëlqente më mirë të luaja rolin e Obamës në një film dhe pastaj të garoja për president”, tha Smith.
Smith, i famshëm për filmin “Men in Black,” ndodhet në Berlin së bashku me regjisorin Guy Ritchie për filmin e ri “Aladdin and His Magic Lamp”, që do të shfaqet më 23 maj.
Guy Ritchie ka qenë regjisor në filma si “Sherlock Holmes” dhe “The Man from UNCLE”./Atsh/
Më 12 maj të vitit 1226, u doreshkrua në manastirin e Shën Andreas, afër Krujës, në atë kohë qendër e Principatës së Arbërit Kodiku “Vatikeanus Greaus” me numrin 103, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, një monument i rëndësishëm i kulturës sonë kombëtare.
Në këtë Kodik është përfshirë një epitaf metrik, kushtuar arkedhiakut të Arbanonit, Kostandin Meles.
Po në të gjenden edhe disa epigrame të Dhimitrit të Arbërit, që dëshmojnë për historinë e kësaj principate dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre./BotaSot
Nata ime është pa hënë. Nata ime ka sy të mëdhenj që shohin
të fiksuar një dritë gri që filtron nëpër dritare. Nata ime qan e jastëku bëhet
i lagësht dhe i ftohtë. Nata ime është e gjatë dhe duket e shtrirë drejt një
fundi të pasigurt. Nata ime më sulmon në mungesën tënde.
Të kërkoj, kërkoj trupin tënd të pafund pranë timit, frymën
tende, erën tende.
Nata ime më përgjigjet: bosh; nata ime më jep të ftohtë dhe
vetmi.
Kërkoj një pikë kontakti: lëkurën tënde.
Ku je? Ku je?
Kthehem herë në njërin krahë e herë në tjetrin, jastëku i
lagur, faqja me ngjitet, flokët e lagura kundër tempujve. Nuk është e mundur që
ti nuk je këtu.
Mendja ime endet, mendimet e mia shkojnë, vijnë dhe
turmezohen, trupi im nuk mund ta kuptojë. Trupi im do të donte ty. Trupi im,
kjo zonë e gjymtuar, do të dëshironte të harrohet për një çast në ngrohtësinë
tënde.
Trupi im kërkon disa orë qetësi. Nata ime është një zemër e
shndërruar në një leckë. Nata ime e di se do të më pëlqente t’ju shikoja, të
ndiqja me duar çdo lakim të trupit tënd, të ta njihja fytyrën tënde dhe ta
përkëdhelja.
Nata ime më mbyt për mungesën tënde. Nata ime ndizet me
dashuri, atë që unë përpiqem ta bëj, por që ndriçon në hije, në çdo fibër
timin. Nata ime do të donte t’ju thërras, por nuk ka zë.
Megjithatë, dëshiron t’ju thërrasë e t’ju gjejë e të mbahet për ty një çast dhe ta harrojë kohën që masakron. Trupi im nuk mund ta kuptojë. Ai ka nevojë për ty aq sa kam unë. Mund të ndodhë që, në fund të fundit, trupi im dhe unë formojmë një tërësi. Trupi im ka nevojë për ty. Shpeshherë pothuajse më ke shëruar. Nata ime gërryhet derisa të mos ndiej më mishin dhe ndjenja bëhet më e fortë, më akute, pa substancë materiale. Nata ime më djegë me dashuri. /Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/KultPlus.com
Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në OKB, priti në takim të përbashkët ekipin e shfaqjës “Refuge”, shfaqje e teatrit ODA dhe e cila trajton fatin e hebrenjve në të kaluarën dhe vendstrehimin e tyre masiv në Shqipëri.
E nderuar për këtë është ndjerë edhe vetë ambasadorja
Kadare, e cila e ka shprehur entuziazmin e vetë përmes një postimi në rrjetin
social Facebook.
Postimi:
E entuziazmuar për të pritur në Misionin e Shqipërisë në OKB aktorët e mrekullueshëm të shfaqjes “Refuge” (Refugjatët), të realizuar nga Baruch Arts Center, së bashku me kompaninë teatrore të Bekuar të Papës dhe Teatrin ODA të Kosovës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mijëra refugjatë hebrenj u
strehuan nga familjet në Shqipëri, shumica prej të cilëve praktikonin fenë
islame. Megjithë okupimin nazist, asnjë
hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria dhe ishte i vetmi
vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.
“Refuge”
ndriçon dritën mbi këtë histori pak të njohur, me sfondin e tanishëm të sulmeve
antisemite dhe krizës së refugjatëve në Evropë.
Çfarë ndjenje e madhe të rrethohet nga shumë artistë të talentuar
shqiptarë dhe amerikan. Pika kulmore e
mbrëmjes ishte performanca e improvizuar e këngëve të vjetra shqiptare.
Faleminderit të gjithë atyre që e bënë mbrëmjen aq të ngrohtë dhe miqësorë. Falënderime të veçanta për Fadil Berishën të cilët bashkë e organizuan ngjarjen!
Përndryshe Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të nderuar Ismail Kadare. /KultPlus.com
“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari nga çdo banor i Salaminës, si dëshmi për historianin grek, Tasos Karantis. Janë dy studime të botuara në revistën greke, “Rrezet e grekëve” për historinë e arvanitasve në Greqi.
Në këto studime evidentohet se në shumicën e krahinave të Greqisë, duke përfshirë edhe Athinën, gjuha mbizotëruese ishte ajo e arvanitasve, ose siç e quanin ata, arbërisht.
Në një faqe të kësaj reviste, artikulli në fjalë paraqet atë
çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin. Të dhënat vijnë nga
vepra e Dhimitriu Bizantiut, shkruar në vitin 1836. Ja se ç’shkruan ai
konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi se banorët e fshatrave përreth Atikës,
por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar,
flisnin një gjuhë që Arvanitët e moshuar e quanin: ‘arbërisht’, ku ishte e
njohur gjerësisht si arvanitëshe”.
Në vijim artikullshkruesi krahason fshatrat grekë dhe ato
arvanitas/arbëreshe, ku sipas tij, nuk ekzistonte asnjë dallim. Madje deri në
shekullin XX gjuha që mbizotëronte në këto fshatra dhe brenda në Athinë ishte
arbërishtja.
Ndërkohë sillet dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis për arvanitët e Salaminës, kur me krenari banorët e saj thoshin se: “Eimai arbanitis kai milao arbanitika (Jam arvanit dhe flas arvanitika)”. Këta vendas thoshin se gjuha është e “tatërve (etërve) tanë”, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike – Gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve!/KultPlus.com
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare
Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë
Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë
O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj.
“Njeriu i cili i arrin lehtë gjërat që i dëshiron, duket se plotësimi i dëshirave nuk i sjell lumturi.”
“Dashuria është forma e parë dhe më e zakonshme e emocioneve
që shpie drejt bashkëpunimit dhe ata që e kan ndier dashurinë në çfardo
intensiteti, nuk do të pajtoheshin me filozofinë e cila e konsideron se e mira
më e madhe është të jenë të pavarur nga personi që dashurojnë.”
“Njeriu që nuk ka provuar kurr gjëra të bukura në shoqëri të
gruas që e ka dashur, nuk e ka ndier kurr fuqin magjike që e kan gjërat e
tilla.”
“Dashuria është e zonja ta thyejë lëvozhgën e fort të Un-it,
pasi ajo është një form e bashkëpunimit biologjik në të cilën janë të nevojshme
ndjenjat e njërit që të plotësohet qëllimi instiktiv i tjetrit.”
“Ajo që njeriu tipik modern kërkon nga të hollat është që
t’i sjellin më tepër të holla dhe famë që të mund të shquhet, të shkëlqejë dhe
t’ua kalojë atyre që deri tash kan qenë në të njejtin rang. Rrjedhimisht prej
kësaj, të gjitha emocionet snobiste bëhen më të shqetësuara se sa atje ku
shkallët shoqërore janë të caktuara.
Përveç kësaj, paraja është pranuar edhe si masë e mendjes.
Një njeri që fiton shumë të holla është burrë i mençur, një njeri që nuk fiton
nuk është. Askush nuk dëshiron që ta marrin për budalla.”
“Rrënja e brengës qëndron në atë se suksesi i garës
theksohet së tepërmi si burim i lumturisë. Ajo që pohoj është se suksesi mund
të jetë vetëm pjesë e lumturisë dhe është paguar shumë shtrenjtë nëse për ta
arritur këtë janë flijuar të gjithë përbërësit e tjerë.”
“Njeriu i pasur i kohëve tona ka tendenca të bëhet një tip
njeriu tjetër fare. Ai nuk lexon kurrë. Edhe nëse e bën një galeri pikturash,
me qëllim për t’u mburrur, ai mbështetet në ekspertë që t’ia zgjedhin pikturat;
kënaqësia që ai ka për to nuk vjen nga të shikuarit e tyre, por nga pamundësia
e njerërve tjerë të pasur për ti patur ato.”
“Gjithnjë deri sa njeriu nuk do ta mësojë se çka të bëjë me
suksesin pas arritjes së tij, arritja e tij do të bëhet domosdo pre e mërzisë.”
“Dashuria është një përjetim në të cilin tërë qënia jonë
përsëritet dhe freskohet si bimët me shi pas thatësisë. Në marrdhënien
seksuale pa dashuri, nuk ndodh asgjë nga kjo. Kur kryhet kënaqësia momentale,
pasojnë lodhja, neveria dhe ndjenja se jeta është e zbrazët. Dashuria është
pjesë e jetës së tokës; seksi pa dashuri nuk është.”
“Me vullnet ose pa vullnet, me qëllim ose me pahir, shumica
e njerëzve modernë, bëjnë një jetë që i shaktërron nervat dhe është vazhdimisht
tepër e lodhur, që të jetë e aftë të ndiej kënaqësi pa përdorimin e alkoolit.”
“Asgjë nuk i shterron më shumë lëngjet e jetës se pavendosmëria dhe asgjë nuk ka më të kotë se ajo.”
Bertrand Russell, “Pushtimi i Lumturisë”/KultPlus.com
Fotografisti ikonik Pjetër Marubi, ia kishte arritur, atje brenda mureve të studios së tij të shkrepë një fotografi të jashtëzakonshme për kodeksin shqiptar të kohës.
Marubi, atje në errësirë, kishte bindur një grua malësore, me tipare të ashpra, të pozoi për të e zbuluar, ndoshta e bindur se Marubi nuk do e nxirrte sekretin.
Sekreti u ruajt deri në ditën kur një kuriozitet i çmendur gruaje zbuloi gruan e parë shqiptare të zhveshur në sytë e Pjetër Marubit, fotografit që nuk u martua kurrë, për arsye që ende nuk dihen./KultPlus.com
Shqiptari ka ngritur biznes në Venedik Kastriot Zilja, artist nga qyteti i Vlorës, tani e rreth 29 vjet jeton në Venedik, ku ka ngritur edhe biznesin e tij të prodhimit dhe tregtimit të maskave veneciane.
E ka nisur këtë aktivitet rastësisht, por tashmë është një nga furnizuesit e tregut të suvenireve te maskave në Venedik.
Ai shprehet se,“përgatitja dhe dizejnimi i maskave, përbëjnë një art më vete, që kërkojnë fantazinë dhe profesionalizmin e një piktori”.
Përgatitja e formave, e dekorit etj kalon në disa procese, ku duhet të zotërohen të fshehtat e përgatitjes së maskave, pasiqë ato i bën 100 % punë dore, për dallim nga tregtarët kinez, të cilëtt kanë dëmtuar tregun, duke shitur maska jo origjinale./KultPlus.com
Në librin “Doke e Zakone shqiptare”, mbledhur nga Atë Donat Kurti dhe botuar pas vdekjës së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendosen besëtytnitë që lidhen me çdo krahinë e zakon.
Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në
pikën e katërt shkruhet:
“Besëtytni në lidhni me mik.
– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e
bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik
(Dukagjin).
– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që
përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e
jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).
– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen
nji mik (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë
për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë
bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë
mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).
– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos
nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi
e Madhe).
– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër
bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë
se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).
– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se
humbet nji mik (Malsi e Madhe).
– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë
me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).
– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër)”./KultPlus.com
“Kjo jetë është ajo që ju e ndërtoni. Pa marrë parasysh se çfarë, ju do të bllokoheni ndonjëherë, kjo është një e vërtetë universale.
Por pjesa më e mirë është që ju mund të vendosni se si ta
rregulloni atë. Vajzat do të jenë mike tuaja – ose do të veprojnë si të
ishin gjithsesi. Por vetëm mos harroni, disa vijnë, disa shkojnë. Miqtë që
qëndrojnë me ju nëpërmjet gjithçkaje – ata janë miqtë tuaj më të mirë. Mos u
ndaj prej tyre. Gjithashtu mbani mend, motrat janë miket më të mira në botë.
Sa për të dashuruar, mirë, ata do të vijnë e të shkojnë
gjithashtu. Dhe e dashur, urrej ta them këtë, shumica e tyre – në të vërtetë
shumë e shumë prej tyre do të thyejnë zemrën tuaj, por nuk mund të heqësh dorë,
sepse nëse do heqësh dorë, nuk do të gjesh shokun tënd të shpirtit.
Ju kurrë nuk do të gjeni atë gjysmën që ju bën të plotë dhe
kjo vlen për gjithçka nëse nuk provoni. Vetëm për shkak se ju dështoni një
herë, nuk do të thotë se ju do të dështoni në çdo gjë.
Gjithmonë provoni, gjithnjë, gjithmonë besoni në veten tuaj,
sepse nëse nuk e bëni, atëherë kush do ta bëjë këtë, e dashur?
Pra, mbani kokën lart, mbani mjekrën tuaj lart, dhe më e rëndësishmja, rrini të qeshura, sepse jeta është një gjë e bukur dhe ka shumë për të buzëqeshur “./KultPlus.com
Bebe Rexha ka treguar shpesh se është shumë krenare për origjinën e saj dhe nuk ka lënë rast pa e thënë këtë gjë.
Pavarësisht se është rritur në Amerikë, ajo dhe familja e saj i kanë ruajtur me përpikmëri traditat shqiptare. Megjithatë së fundmi ajo u ka bërë një kritikë publike të gjithë shqiptarëve dhe mund të themi se Bebe ka plotësisht të drejtë.
“Unë e dua kulturën time. Unë jam nga Shqipëria dhe unë e dua, sepse me të u rrita. Por, ndonjëherë shqiptarët nuk ndihmojnë në rritjen e njëri-tjetrit. Ndonjëherë lexoj komentet në ‘Instagram’ dhe komentet në ‘Instagram-in’ tim janë shumë të këqija. Kjo më konfuzon, sepse mendoj a duhet ta rrisim dhe ta mbështesim njëri-tjetrin? Të gjithë janë shumë kritikë”.
“Unë mendoj se si kulturë kemi nevojë për më shumë dashuri, njësoj si kulturat e tjera, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të jemi krenarë për njëri-tjetrin”.
Më tej ajo ka vazhduar duke thënë se megjithatë ka shumë fansa dhe miq shqiptarë që embështesin dhe ndjehen krenare për të, shkruan lapsi.al, përcjell albinfo.ch.
Në fakt, Bebe nuk është e para që e thotë këtë gjë, sepse dhe shumë artistë të tjerë e kanë konstatuar si një të metë te shqiptarët./KultPlus.com