Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy zbulon te ”Pasionet”, libri që ka dalë në shitje qysh dje, kujtimet e tij në rrugëtimin në politikë dhe në aspektin personal deri në ngjitjen në Elize’ në 2007.
”Më 6 maj 2007, në momentin që shoh foton time të formësohej me 53% të votave të shfaqej në ekran, ishte një vullkan ndjenjash. E gjithë bota bërtiste, kërcente, qeshte, disa madje përloteshin nga gëzimi. Ne ndiheshim kështu. Më në fund gjithçka mbaroi. Unë arrita të fitoj, atë që e kisha qëllimin tim personal prej kaq vite. Më në fund po bëhem legjitim’’, shkruan Sarkozy, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.
President mes viteve 2007 dhe 2012, Nicolas Sarkozy e rrëfen të gjatë rrugëtimin e tij politik, që nisi me një takim të ish-partisë Mbledhja për Republikën (RPR) në Nisë (juglindje të Francës) në 1975, pasuar me një takim në Matignon me kryeministrin e atëhershëm, Jacques Chirac, i pranishëm gjatë 360 faqeve të autobiografisë së tij të parë.
Ai tregon me një stil të drejtpërdrejtë ngjitjen drejt presidencës, më konkretisht kalimin në krye të Ministrisë së Brendshme (2002-2004, 2005-2007), pak më shumë se tre vite që ishin më të lumturat për të në aspektin profesional.
‘’Më pëlqen të fitoj. Unë kam luftuar gjithnjë për fitoren, por forca është t’i pranoj vetes që më shumë kam mësuar nga dështimet sesa nga sukseset’’, pohon ish-presidenti, i mundur nga socialisti François Hollande në 2012 dhe autori i një rikthimi pa sukses në parapraket e së djathtës në 2016/AFP. / KultPlus.com
Me ardhjen e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.
Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91 të Universitetit të Prishtinës, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi. Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po këtij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi. /Insajderi / KultPlus.com
Mbetjet e një anije nga periudha romake janë zbuluar në fund të detit në lidje të bregdetit të Qipros, kanë njoftuar sot autoritetet qipriote.
Ministri e Antikiteteve mkoftoi se është gjetur një numër i madh amforash në këtë anije, me siguri nga Siria e Kiliki, krahina të cilat në periudhën antike ndodheshin në juglindje të Azizë së Vogël.
Pritet që të dhënat që do të nxirren nga mbetjet e anijes do të japin një pasqyrë më të mirë në lidhje me tregtinë ndërmjet Qipros dhe krahinave romake në Mesdheun lindor.
Mbetjet e anijes i zbuluan zhytësit e angazhuar në kuadër të ekpit të Fakultetit Arkeologjik të Qipros. / Koha.net / KultPlus.com
Vjollca Robelli- Mripa tani me emrin AJO është rikthyer në skenen muzikore me një stil krejtësisht tjetër duke përfaqësuar traditën shqiptare përmes muzikës së saj, AJO synin tregun ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.
Sipas informacionit të publikuar në rrjetin social Facebook,
ajo tregon se sonte në orën 12:00 do të publikohet kënga e saj më e re bashkë
klipin.
Është rikthyer në skenen muzikore me një stil krejtësisht tjetër duke përfaqësuar traditën shqiptare përmes muzikës së saj, AJO synon tregun ndërkombëtarë.
Sapo u publikua kënga dhe klipi më i ri i titulluar BESA të cilën të gjithë mund ta shikojnë në kanalin Youtube.
N’kohë t’vjetra gjaku për ftyrë ish kanë katër lira; gjaku i
burrit dymdhetë lira e varra sakat gjashtë lira.
Shkon njani tu ni plak edhe e dvet:
– Qysh bâhet kjo punë qi varra i ka gjashtë lira e ftyra katër lira?
– Ftyra nuk lahet me pare, – ja kthei plaku. – Ai qi nuk don m’e hupë ftyrën e
vet, për tâ âsht pishtoli. Ai qi nuk ka dert për ftyrë e do m’i marrë paret,
boll i ka katër lira.
Shkrimtari amerikan John Steinbeck mësoi se i biri, adoleshent, kishte rënë në dashuri me një shoqe klase. Letra e Steinbeck për të birin mbart disa leksione të mëdha mbi prindërimin dhe dashurinë dhe kjo letër me pak paragrafë është bërë një klasik në letërsi.
Letra,
Nju Jork,
10 nëntor 1958
I dashur Tom:
Ne morëm letrën tënde sot në mëngjes. Unë do të përgjigjen
nga këndvështrimi im dhe natyrisht Elena nga i saji.
E para – nëse ti je në dashuri – kjo është një gjë e mirë –
kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë çdokujt. Mos lejo askënd ta bëjë
atë të vogël apo të parëndësishme për ty.
E dyta – Ka shumë lloje dashurie. Njëra është fodulle,
dorështrënguar, makute, një gjë egoiste që përdor dashurinë për t’i dhënë
rëndësi vetes. Kjo është ajo e llojit më të ulët. Tjetra është e tillë që
shpërthen çdo gjë të mirë te ty – të qenit i këndshëm dhe me konsideratë dhe
respektues – jo vetëm respekti shoqëror i sjelljeve të mira por respekti më i
madh i cili njeh dhe pranon personin tjetër si unik dhe të paçmuar. Lloji i
parë mund të të bëjë ty të sëmurë dhe të vogël dhe të dobët por e dyta mund të
çlirojë fuqinë tënde, dhe kurajën dhe mirësinë e madje edhe mençurinë që ti nuk
e dije se e kishe.
Ti thua se kjo është dashuri rinore. Nëse ndjehesh kështu
kaq shumë – natyrisht ajo nuk është dashuri rinore.
Por unë nuk mendoj se ti po më pyet mua se si ndjehesh ti
vetë. Ti e di më mirë se çdokush tjetër. Ajo që ti kërkohe nga unë është që të
të ndihmoj mbi atë se çfarë duhet të bësh – dhe unë këtë mund të ta tregoj.
Para së gjithash shijoje atë dhe ji shumë i lumtur dhe
falënderues për të.
Objekti i dashurisë është më i miri dhe më i bukuri. Përpiqu
të jetosh në lartësinë e saj.
Nëse ti do dikë – nuk ka asnjë dëm që ta thuash këtë – ti
vetëm duhet të mbash mend se disa njerëz janë shumë të turpshëm dhe në disa
raste ta thuash këtë duhet të marrësh atë siklet parasysh.
Vajzat kanë një mënyrë për të ditur ndjenjat që ti ke, por
zakonisht pëlqejnë ta dëgjojnë prej teje.
Në disa herë ndodh që ajo që ti ndjen nuk është e njëjtë nga
ana tjetër për një arsye apo një tjetër – por kjo nujk e bën atë që ti ndjen më
pak të çmuar dhe më pak të mirë.
E fundit, unë e di ndjenjën tënde sepse unë e kam atë dhe
jam i lumtur që ti e ke atë.
Ne do të jemi të lumtur të takojmë Suzanën. Ajo është shumë
e mikpritur. Por Elena do të bëjë organizimet për të gjithë këtë sepse është
roli i saj dhe ajo është e lumtur që ta bëjë gjithashtu. Edhe ajo di shumë për
dashurinë dhe ndoshta mund të të japë më shumë ndihmë nga unë.
Dhe mos u shqetëso se mund ta humbësh. Nëse është e mirë,
ajo ndodh – gjëja kryesore është të mos nxitosh. Asgjë e mirë nuk ikën.
Në Amerikën e viteve 1940, një grup punonjësesh bibliotekash përdornin kuaj për të shpërndarë libra në bibliotekat publike të vendbanimeve të largëta të Maleve Apalash.
Bibliotekaret me kuaj
Anika Burgess, Atlas Obscura
Ato njiheshin si “gratë e librave.” Ato zakonisht çoheshin
herët në mëngjes, mbushnin thasët me libra, hipnin në kuaj dhe kalëronin nëpër
shtigje të vështira pavarësisht dëborës apo baltës me një synim të vetëm: të
dërgonin materjale për të lexuar te bashkësitë e izoluara malore të Kentakit.
Iniciativa e Bibliotekës me Kuaj qe pjesë e një programi të nisur nga Presidenti Franklin Roosevelt, me synimin për të nxjerrë Amerikën nga Depresioni i Madh, një krizë ekonomike e gjatë dhe e vështirë e cila në vitin 1933 e ngriti normën e papunësisë deri në 40 për qind në këtë zonë malore të maleve Apalash. Synimi i programit të qeverisë qe i dyfishtë. Nga njëra anë punësonte gra si librare, nga ana tjetër, nxiste leximin mes popullsisë në një mënyrë të lirë.
Bibliotekat publike janë në gjendje të ofrojnë kënaqësinë e
leximit me kosto shumë më të ulët se sa bibliotekat private. Nëse një libër
gjendet në një bibliotekë publike, ai mund të lexohet nga një numër shumë i
madh njerëzish të cilët e huazojnë atë dhe e kthejnë sërish pa e dëmtuar shumë.
Por iniciativa e bibliotekës me kuaj synonte të arrinte më shumë se kaq. Duke përdorur kuajt, libraret e guximshme qenë në gjendje të furnizonin me libra hua edhe fshatrat më të thellë. Librat përqendroheshin fillimisht në një bibliotekë publike në një fshat të madh apo një qytezë para se të transportoheshin me kuaj nëpër fshatrat dhe qytezat e tjera më të vogla. Shkollat e zonës ndihmuan për të mbuluar kostot e sigurimit të materjaleve për të lexuar – libra, revista dhe gazeta – të cilat u dhuruan nga banorët posaçërisht për këtë synim. Biblioteka pranoi si dhuratë çfarëdolloj libri, pavarësisht se sa i përdorur dhe i dëmtuar qe ai. Bibliotekaret i riparuan librat e dhuruara, ngjitën gazetat dhe revistat sipas profilit, – fjala vjen, revistat me receta gatimi u lidhën bashkë – dhe pastaj ia shërbyen këto materjale edhe banorëve të fshatrave më të largët. Para se t’ia shpërndanin lexuesve, bibliotekaret pajisën çdo libër me një kartolinë, me synimin që lexuesit të mos kishin nevojë të palosnin faqen si shenjë por të përdornin kartolinën si ndarëse.
Gratë bibliotekare që shpërndanë libra arritën të udhëtonin
100 deri në 200 kilometra në javë pavarësisht kushteve klimaterike. Nëse
destinacioni qe tepër i largët edhe për kuaj, ato zbritën dhe vijuan rrugën në
këmbë.
Nga fundi i vitit 1938 kishte 274 bibliotekare që
shpërndanin libra në 29 konte. Programi punësoi në total mbi 1 mijë
bibliotekare. Financimet për të u ndërprenë në vitin 1943, por një dekadë më
vonë, programi u rinis, kësaj here duke përdorur makina për shpërndarjen e
librave.
Përveç ofrimit të librave, bibliotekaret shërbyen edhe si zyrë koordinimi për bibliotekat e ndryshme. Ato mblodhën kërkesa nga lexuesit për libra të veçantë, njoftuan rrjetin e bibliotekave nëse i kishin librat e kërkuar dhe i qarkullonin ato te lexuesi përkatës./KultPlus.com
Teksa lëshohem teposhtë një kodre të gjatë me biçikletë,
mendja ime shkon pas në natën kur unë isha katërmbëdhjetë vjeç dhe babai im,
asokohe dyzet e katër vjeç, u zgjua gjatë natës me një dhimbje të fortë në
gjoks. Në ato kohëra, mjekët vinin në shtëpi, dhe nëna i telefonoi
menjëherë mjekut tonë të familjes, doktor Mançesterit. Në pikë të natës, që të
tre – babai, nëna dhe unë prisnim me ankth që mjeku të mbërrinte.
(Motra ime, Xhina, shtatë vjet më e madhe, qe larguar nga
shtëpia për në kolegj.) Sa herë nëna ime shqetësojej, i kthehej mendimit
primitiv: nese ndodhte diçka e keqe, duhej fajësuar dikush. Dhe ai dikushi isha
unë. Atë natë, teksa im atë shtrëngohej nga dhimbja, ajo më bërtiti më shumë se
një herë: ” Ti… ti e vrave!” Më la të kuptoja që moskokëçarja ime, mungesa e
respektit, përçarja e vatrës familjare – të gjitha së bashku – e kishin futur
babanë në dhe. Vite më vonë, kur ndodhesha vetë në kolltukun analitik, tek ia
përshkruaja këtë ngjarje Oliv Smithit, psikanalistes sime superortodokse, ajo
pati një shpërthim të rrallë momental dhembshurie.
Ajo kërciti gjuhën ncuq ncuq, u përkul drejt meje dhe tha: “Ç’lemeri. Kushedi sa e tmerrshme duket të ketë qenë për ty.” “Ti e vrave, ti e vrave.” Edhe sot më kumbon zëri i çjerrë i nënës sime. Mbaj mend që unë rrija kruspull, i paralizuar nga frika dhe i tërhuzur. Doja t’ia ktheja fort: “Ai nuk ka vdekur! Qepe gojën, idiote.” Ajo i fshinte ballin babait dhe e puthte në kokë, teksa unë strukesha i kruspulluar në një cep derisa, më në fund, më në fund, rreth orës 3 të mëngjesit, dëgjova Buikun e madh të doktor Mançesterit që kërcëllinte gjethet e vjeshtës në rrugë dhe u sula përposh, duke kaluar nga tri shkallë për të hapur derën. E pëlqeja shumë doktor Mançesterin, dhe ajo pamja e njohur e fytyrës së tij të madhe rrumbullake të buzëqeshur më qetësoi.
Ai më vuri dorën në kokë, më shpupurishi flokët, qetësoi
nënën, i bëri një gjilpërë babait(ndoshta morfinë), vuri stetoskopin mbi
gjoksin e tij, dhe më lejoi te dëgjoja teksa thoshte: “E shikon, birçe, po
rreh, aq fort dhe e rregullt sa vet ora. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do
bëhet mirë.” Atë natë që pashë me sytë e mi babanë në fill të vdekjes, ndjeva,
si kurrë më parë dufin shpërthyes të nënës sime, dhe mora një vendim
vetëmbrojtës për t’ia mbyllur derën.
Duhej të ikja nga kjo familje. Përgjatë dy viteve në vazhdim, thuajse nuk fola fare me të: jetonim si të huaj nën të njejtën çati. Dhe, më shumë nga të gjitha, më kujtohet lehtësimi im i thellë e i madh kur pash doktor Mançesterin tek hynte në shtëpinë tonë. Askush nuk më kishte dhënë më parë një dhuratë kaq të madhe. Qysh atëherë, vendosa të isha si ai. Do të bëhesha doktor dhe do të përçoja te të tjerët përdëllesën që më kish dhënë ai./KultPlus.com
Florjan Binaj ka postuar këtë shkrim marrë nga PUKA ndër vite
Sot, jemi të gjithë Çamë.
75 vite të përkujtimit të gjenocidit të Çamërisë.
Që nga data 27 Qershor 1944 deri më Mars të 1945-ës, në Filat, u vranë 1.286, në rajonin Gumenicë 192, Margelliç dhe Parga 626 persona u vranë barbarisht.
Ndërsa në Paramiti vetëm në një ditë janë vrarë mbi 600 persona. Rreth 5.800 shtëpi në 68 fshatra u shembën. Ndërsa janë vrarë 3.242 civilë, nga të cilët 214 gra dhe 96 fëmijë. 745 gra janë përdhunuar, 76 gra janë marrë peng, ndërsa 32 nga fëmijët e vrarë kanë qenë nën moshën 3 vjeç.
Qindra fshatra të tjera u shkretuan. Pronareve të bagëtive
ju grabiten 120 mije dhen, 24 mije dy thundrake, 18 mije kuaj. Nga hambarët e
fshatareve të pasur çamë u rrëmbyen 250 mijë kg grurë etj…
Sipas Komisionit Ndërkombëtar të Hetimeve pranë Organizatës
së Kombeve të Bashkuara thotë se mbi 35 mijë shqiptarë nuk mund të kthehen në
Çamëri tek shtëpitë e tyre.
Për vëllezërit tanë shqiptarë të Çamërisë, akoma sot nuk
është vendosur drejtësi.
Çështja Çame është lënë në harresë nga çdo qeveri e jona e gjithashtu edhe nga ndërkombëtarët./KultPlus.com
Në postimin e ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale,
28-vjeçarja vjen me një pamje më ndryshe dhe mjaft e veçantë.
“Ritual” mban titullin projekti i fundit i bukuroshes tonë, që e solli të shoqëruar me videoklip para pesë ditësh. Fillimisht, ky projekt u lansua në versionin audio (më 31 maj), e më pas me videoklip.
Rita, po ashtu, do jetë pjesë e “Alba Festival”, i cili do të mbahet më 29 dhe 30 qershor në Hardturm-Areal në Cyrih. Bashkë me të janë edhe yjet si Ledri Vula, Dhurata Dora, Ermal Fejzullahu, Capital T e shumë të tjerë.
A duhet që të merret xhubleta, në mbrojtje nga UNESCO? Koleksionistja dhe poetja Luljeta Dano, një jetë të tërë ja ka kushtuar kësaj pune. Për të xhubleta sot “nuk është e gjallë”!?
“Prodhimi i xhubletës tradicionale, me të gjithë parametrat
e saj, ka ndaluar në vitet 1950 apo 1960. Të prodhohet një xhubletë kërkonte
6-8 muaj. Më pas nuk janë prodhuar më. Natyrisht që në logun e bjeshkëve
shikojmë xhubleta për vajzat e vogla, që nuk kanë lidhje për prodhimin e
xhubletës”, shprehet Dano.
Por, sa ruhet kjo traditë në familjet malësore, aty ku xhubleta
në trajtë kambane, e valëzuar në pjesën e pasme, ruante identitetin e kombit
shqiptar?
“Ndërtimi i xhubletës është shumë i sofistikuar. Gjithë
areali, muzetë shqiptarë dhe koleksionet private kanë një numër që shkon deri
në qindra. Unë kam parë edhe në shtëpitë malësore që në qilarë kanë arka që
janë me xhubleta të paprekura. Pavarësisht se shumë xhubleta kanë dalë nga
tregjet e Shkodrës, Milotit edhe Krujës, është për t’u gëzuar që shumë xhubleta
janë edhe nëpër familje. Mendoj se edhe arkivi shtetëror ka rreth 33 xhubleta.
Koleksionet private shkojnë nga disa dhjetëra në qindra. Unë kam një
përzgjedhje të orientuar tek simbolika e xhubletave. E orientuar në
dekoracionin e tyre, duke përfshirë të gjithë elementët ndërtues të xhubletave
edhe stolitë”, rrëfen koleksionistja.
Dano tregon edhe se cila është puna që bën çdo ditë me
xhubletën për mirëmbatjen e saj.
“Unë punoj çdo ditë në lidhje më xhubletën duke e konservuar. Ajo ka shumë nevojë për mbrojtje nga mikroorganizmat, për botim dhe fotografim. Mendoj se xhubleta më e vjetër ndodhet në Muzeun e Njeriut dhe i përket shekullit të XVIII. Xhubletat më të vjetra që ndodhen në koleksionet shqiptare janë nga shekulli i XIX”, shpjegon më tej. /Shqiptarja/
Themeluesi dhe kryeredaktori i gazetës My Kali, Abdul Hadi, ka folur në Prishtinë për reformimin e islamit në dobi të grave dhe komunitetit LGBT, shkruan KultPlus.
Ai ka treguar që gazeta My Kali është e para dhe e vetmja gazetë online që shkruan dhe trajton të drejtat e grave dhe të drejtat e komunitetit LGBT. Gazeta është botuar fillimisht në Jordan në vitin 2007 vetëm në gjyhën angleze, dhe i është dedikuar artit, opinjoneve dhe lëvizjeve politike me karakter liberal.
Është e vetmja gazetë që shkruan për homofobinë, martesat e aranzhuara dhe rolet gjinore në familje dhe shoqëri. “Në vitin 2016 kjo revistë ka fillau të publikohet edhe në gjuhën arabe. Unë dua që kjo gazetë të mbërrijë te të gjithë qytetarët dhe askush të mos ndjehet i përjashtuar” ka shpjeguar kryeredaktori Abdul Hati. “Sidomos publikimi në gjuhën arabe e ka rritur interesimin e njerëzve mbi kërë revistë, një gjë që bëri që qeveria ta urdhëronte që i gjithë numri i gazetës që u botua në shtator të 2016-ës të digjej komplet” ka th Hati.
“Gazeta u jep hapësirë artistëve të rinjë si dhe provon të bëhet zëri i artistëve të komunitetit LGBT si Yasmine Hamdan, Haig Papazian of Mashrou’ Leila, Alaa Ëardi dhe Zahed Sultan, duke shkruar kronika dhe storie për ta” ka shpjeguar Abdul Hati. “Para gazetës sonë nuk është folur për cështje të homoseksualitetit dhe komunitetin LGBT” ka thënë ai. Ai ka thënë që ka takuart mijëra e mijëra njerëz që kanë vuajtur si pasojë e represionit dhe ka vendosur që t’i ndihmojë pjesëtarët e komunitetit në të cilin bënë pjesë edhe vet.
“Ne i kemi shfrytëzuar ballinat tonë për ta ngritur zërin, jo vetëm për komunitetin LGBT, i cili në Jordan është një nga komunitetet më të shtypura, por për të folur në përgjithësi për cështje me rëndësi për shoqërinë si të drejtat e grave, të vajzave të reaj dhe të drjetën e tyre për të zgjedhur një jetë për vetën e tyre, duke filluar që nga veshja deri të martesat e aranzhuara” ka thënë ai.
Eventi është hapur gjithashtu edhe për pyetje të publikur të cilet kanë qenë kuriozë të dinë për sigurinë personale për një gazetar që shkruan lidhur me të ashtuquajturat çështje tabu në shqëri islamike, gjë për të cilën ai ka thënë që dhuna e cfarëdo lloji është pjesë e shoqërisë ku ai jeton.
Ai ka shtuar gjithashtu që gazeta e tij nuk ëahtë e regjistruar vetëm për shkakun që po të regjistrohej do t’u hiqej liria të shkruajnë llojin e shkrimeve që bëjnë. Për fund ai ka shtuar që kur njerëzit flasin për seksualitetin e marrin vetëm si ide perendimore, sipas tij është një ideologji që duhet të hiqet sepse pavarësisht nëse bëhet fjalë për marrëdhëni burrë-grua, burrë-burrë a grua-grua, të gjitha hyjnë në të njëjtën kategori të seksualitetit, biseda për seksualitetin është përtej gjinisë, përtej orientimit dhe për të gjithë./RronaJaka/KultPlus.com
Në janar të vitit 1989 në Lubljanë, në « Cankarjev dom », u mbajt Konferenca e parë shkencore në ish-Jugosllavi kushtuar Kosovës. Profesor Hivzi Islami e organizoi këtë konferencë bashkë me kolegët e vet nga Ljublana – Tonçi Kuzmanic dhe Slavko Gaber. Ishte Konferenca e parë, ndonëse Kosova u bë, që nga viti 1981, territor i përshkallëzimit gradual të trajtave të shumfishta të terrorit jugosllav e serb mbi shqiptarët dhe institucionet e Kosovës.
Disa muaj pas, u botua libri me kumtesat e 15 autorëve nga Kosova dhe nga Ljubljana, Zagrebi, Beogradi e Shkupi. Në këtë libër u botuan edhe tetë intervista rrënjësore, me qytetarë të Kosovës e njëherazi edhe interpretimi i hulumtimit të opinionit publik në Kosovë.
Në Përmbajtjen e librit rradhiten këto kumtesa : Muhamedin Kullashi : Kriza e Kosovës dhe kriza e Jugosllavisë ; Rudi Rizman : Mbi të kuptuarit sociologjik të popujëve dhe kombësive ; Hivzi Islami : Problemet demografike të Kosovës dhe interpretimi i tyre ; Shkelzen Maliqi : Kosova si katalizator i krizës jugosllave ; Rexhep Ismajli : Gjuha shqipe në Jugosllavi ; Fehmi Agani : Qasje kritike ndaj diskursit politik mbi Kosovën ; Gani Bobi : « Drama » e Kosovës dhe « mëkati » kominternian ; Branko Horvat : Kontribut për debatin ; Slobodan Samardzic : Dilema e reformave jugosllave – midis nacionales dhe demokratikes ; Isuf Berisha : A është e mundshme përbashkësia në Jugosllavi ?; Lev Kreft : Kosova është problem ; Jasa Zlobec : Kontribut për diskutimin ; Lino Veljak : Teza për shqyrtimin mbi Kosovën, Sërbinë dhe Jugosllavinë ; Vlasta Jalusic, Tonci Kuzmanic : Dhuna mbi shqiptarët.
Ky tubim dhe libri me kumtesa pati jehonë në ish-Jugosllavi dhe nxiti debate lidhur me problemet që u shtruan. Pesha e Konferencës dhe librit u shfaq me nivelin intelektual të analizave kritike mbi zhvillimet në Kosovë midis vitit 1981-1989. Nê disa media tê Beogradit u paraqitên kërcënime të qarta ndaj autorêve nga Kosova.
Ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha. Pra nëse keni planifikuar të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund t’i lexoni, në varësi të vendeve që do të vizitoni.
Kur përmenden pushimet verore – automatikisht mendja ikën
tek deti, rëra dhe dielli.
Megjithatë, ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar
preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në
qytete të mëdha.
Në raste të tilla, planifikimi është shumë i rëndësishëm:
vendet që do të vizitohen, lista me muzetë, restorantet tradicionale etj,
transmeton Klan Kosova.
Por disa të tjerë që nuk janë shumë të dhënë pas
udhërrëfyesve. Ata janë të apasionuar pas letërsisë, i pëlqejnë librat në të
cilat vendi i ngjarjes është po aq i rëndësishëm sa personazhet.
Nëse keni bërë plan të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga
librat që mund të zgjidhni të merrni me vete, në varësi të vendit që do të
vizitoni.
Pragë – “Shakaja”, Milan Kundera
Nëse do të udhëtoni në Pragë, lexoni “Shakaja” të Milan Kunderës. Një libër që rekomandohet gjithnjë. Një histori e vendosur gjysmë shekulli më parë, që megjithatë është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë. Përshkrimi me detaje i një pjese të folklorit vendas i jep ngjyra realitetit gri të periudhës komuniste në ish-Çekosllovaki.
Barcelonë – “Hija e erës”, Carlos R. Zafon
I vendosur në Barcelonën e pasluftës, libri rrëfen jetën e
Daniel Sempere, ende fëmijë, që mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në
raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e
lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të
Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme
dhe fate të humbura.
Tokio – “Kronika e zogut kurdisës”, Haruki Murakami
Në rrethinat e Tokios, jeta e Okadas, një burrë në moshë të re, do të ndryshojë pas telefonatës së rastësishme të një gruaje…
Kejp Taun – “Turpi”, J.M.Coetzee
Pasi ka dhënë mësime për vite me radhë në Universitetin
Teknik të Kejp Taunit, David Luri, një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i
shkurorëzuar, ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studente të tij.
Stamboll – “Muzeu i pafajësisë”, Orhan Pamuk
Libri ndjek jetën e një sërë personazhesh në një Turqi që po
zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky
roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit
të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës
orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse
piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo
thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën,
mentalitetin, modernitetin, traditën…
Paris – “Kodi Da Vinçi”, Dan Brown
Një triller interesant, që pavarësisht pretendimeve për
gabime historike apo kritikave për prozë të dobët, të mban mbërthyer deri në
fund. Nga rrugët e Parisit, në kisha e galeritë e Luvrit.
Teksti i këngës ‘All at once’ nga Whitney Houston. Përktheu në shqip A.S
Përnjëherësh U ndala dhe mendova për një moment E kuptova Ti nuk do të kthehesh Dhe ndjenja më goditi përnjëherësh Numërova lotët dhe gati një milion të tillë dolën sytë mu lagën dhe ëndrrat mu shkatërruan përnjëherësh
Qëkur të kam takuar Je i vetmi që e kam dashuruar dhe nuk mund të të harroj edhepse më duhet e vetme të vazhdoj
Përnjëherësh Po lundroj në një det të vetmuar Që ti të kthehesh te unë, duke shpresuar Dhe kjo është e vetmja gjë e rëndësishme
Përnjëherësh Po lundroj në një det të vetmuar e kapur për kujtime më e lënduar nga sa ti mendon sepse nuk shihet Përnjëherësh
Përnjëherësh Shikova përreth dhe të gjeta me një tjetër në krahët e dikujt tjetër dhe ëndrrat mu shkatërruan përnjëherësh Buzëqeshja që më jepje dikur sot është dielli i dikujt tjetër të morri ajo dhe më la mua me kujtime përnjëherësh.
Me duket se në forumin mediatik “Pro Gegnishtes” ka ra
diskutimi në nivele që nuk paraqesin asnjë lloj interesi gjuhësor e
problematik. Nuk shohim të na përcillen shkrime e debate nga ata që
konsiderohen proemiment të mbrojtjes së Gegnishtes e mos-hupjes së saj. Nuk
shohim të na përcillen copa letrare nga shkrimtaret e poetet gegë.
Mendoj se ky sot, kjo lidhje a forum bashkëbisedimi, duhej të kishte mendime për Gegnishten, mendime të brezave të nxjerra nga arkivat e referenca por edhe mendime të atyre që sot shkruajnë dhe ndodhen para dilemash gjuhësore. Sepse ka mendime të ndryshme se si do gjendet një zgjidhje për të mos hup vlerat e mëdha që ka gegnishtja e kultivueme, e cila meritueshëm ka mbërrit deri ne nivele ma të nalta letrare. Kena jo pak por kolosë të letërsisë, një Mjedë, një Fishtë, një Koliq, një Migjen, një Camaj, për të mos përmend autorë të tjerë kombëtarë të trungut të gegnishtes. A duhet mendue Gegnishtja një formë letrare e mëvetësishme dhe krejt e çkapun prej dialekteve e formave të tjera, apo një bashkëveprim me tosknishten duke gjetun normat dhe frymën e përbashkët? A ma mirë e ma i fuqishëm asht një Dri që ndahet në dy degë apo një Dri, ku bashkohen dy degë e bahet një lumë ma i madh. Nëse nji nanë e ka le një fëmi me njollë a deformim në fytyrë, si mendojnë se duhet t’i thuhet nanës, na tash po e vrasim këtë fëmi dhe ti lind tjetër, apo, me një operacion plastik mjeksia e Hipokratit bën mrekullinë e vet e jeta vazhdon. Ne duam jetë. Jo shkatërrim. Si mund të ecim në historinë e kombeve duke u shkapërnda. Prandaj duhet të kthjellojmë mendjen e qëllimin tonë; cila është zgjidhja ma e dobishme për Gjuhën Shqipe të njësueme. Sepse Njësimit nuk kemi kah i ikim.
E kjo nuk ka të bajë me standartin e ngurtë e të ngrim,
sepse një gjuhe e ngrime është heret a vonë një gjuhë e vdekun. Po le të
kthehemi tek forumi mediatik “Pro Gegnishtes” ku ka mbi 7 mijë anëtarë. Pse aty
shfaqen shkrime që nuk kanë asnjë lidhje me problemet gjuhësore, ta zamë se
çfarë paska thanë Jozefina Topalli se “demokratët e vërtetë nuk djegin
shkolla”. Nuk dua të polemizoj me askend, por dua të them se nuk është vendi
këtu për politizime e referime të atyre që bëjnë karrierë e për kolltuk e
mirakande përleshën politikisht edhe në mes vedit. Këtu përkundra duhet të
kishim letërsi të autorëve gegë duke filluar që nga Kristoforidhi tek Anton
Xanoni e të tjerë, sepse Gegnishtja nuk flitet e shkruhet veç në Shkodër, por
çfarë përfshin Shkumbini dhe përpjetë e deri në Kosovë.
Do të duheshin të shfaqeshin këtu poezi e proza të autorëve gegë nga tradita e deri në kohët ma të vonshme, si dhe krijime të shkrimtarëve të sotëm me origjinë gegë, që e kanë gegnishten gjuhë të vendlindjes. Por gjithashtu mendoj se nuk duhen të përjashtojmë, siç sugjerohet e thuhet në forum, autorët gegë që përdorin një sistem të tillë shkrimi ku gegnishtja e tosknishtja gjenden pranë e pranë, sepse veçimi ban ma shumë dam se dobi. Unë kam shkru shumë përsiatje për problemin e Gegnishtes, kam përdor, veçmas në krijimtarinë time poetike, të folme të veriut e të jugut pa dallim. Sepse gjuha është si ari, që nuk kemi luksin ta hedhim. Por ve re se ka shumë që na shfaqen ma të fortit radikalë me fjalë por me vepra nuk gjenden kurrkund. Kam kenë e mbetem me mendimin se Gegnishtja para se me fjalë është mendim dhe frymë.
Kur ne në dialektale apo në të ashtuquajtun “standart”
përdorim fjalë të huaja si turqishte, serbishte e italishte, pse qenka krim me
përdor fjalë e shprehje të tosknishtes nga autorët me prejardhje gegë apo dhe e
kundërta. Veç në gjuhë, kulture e dije nuk ka pse kërkohen tradhtarë. Madje
edhe kur shkruan në gjuhë të huaj nuk mund t’ia marrësh për të madhe tjetrit. A
e kena lexue vjershën e Ndre Mjedës, poetit mjeshtëror, me një dimension aq të
madh që lexohet nga të gjithë ne trojet shqiptare, një poet Gegë që lexohet e
kuptohet, madje mësohet përmendësh aq mrekullisht nga lexuesit e Tosknisë.
Mjeda kish gjetun çelsin e artë të fjalës poetike dhe të ndjesive të zemrës të
çdo shqiptari, të cilën e shpreh edhe në poezinë “Gjuha shqipe”: “Geg e Toskë,
malci jallia janë nji komb mu nda s’duron, fund e maj nji asht Shqipnia e nji
gjuhë gjith na bashkon”. Qe pra, poeti na ka dhanë nji rrfanë e na ka ndez një
dritë me na ndihmue për me e gjet shtegun e mundësinë e bashkimit e jo të
moskuptimit e ndamjes.
Studiuesi i dramës, Berat Dakaj (alias Armagedoni), ka botuar sot librin studimor “Dramat e Qosjes (monografi)”, të cilin para disa vjetësh e ka pasur punim të diplomës së masterit, paraqitur dhe mbrojtur në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nën udhëheqjen e mentorit, profesorit Haqif Mulliqi.
Në këtë monografi janë analizuar, interpretuar dhe studiuar dramat e Rexhep Qosjes me titull “Mite të zhveshura”, në të cilën përmbledhje të dramave, në botimin e parë dhe të dytë të tyre janë përfshirë dy drama dhe një monodramë, kurse në botimin e tretë dhe të katërt edhe një monodramë tjetër, e cila nuk është marrë për studim në këtë monografi pasi, sipas Armagedonit, është dramë shumë e thjeshtë artistike dhe është dramë me motive krejtësisht politike.
Monografia s’është ndarë në kapituj, por emërtimi i njësive dhe ndarja e tyre u ngjajnë kapitujve. Në fillim të librit është dhënë shpjegimi për dramën, për origjinën e dramës, për nocionet e dramës, për poetikën dhe evolucionin e saj ndër shekuj. Po në këtë kontekst teorik dhe historik, për poetikën e dramës janë dhënë mendimet e Aristotelit, të Baluhatit, të Platonit, të Hegelit e disa shpjegime të tjera të shkëputura nga fjalorët shqip dhe anglisht për mimesisin dhe katarsisin, pastaj disa shpjegime të librave teorikë për dramën në përgjithësi.
Së këndejmi, duke marrë njohuri teorike nga këta teoricienë të teatrit e të dramaturgjisë, janë analizuar praktikisht dhe veç e veç dramat e Qosjes, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, jo edhe “Bardha” e tij, të cilat janë përfshirë në “Mite të zhveshura”.
Ndër të tjera, meqë dramave të tij u paraprijnë peritekstet, janë analizuar edhe ata, pasi nëpërmjet tyre është parë ajo çfarë shprehin dramat e tij dhe ato çfarë kanë dashur të shprehin ose mund të kenë shprehur gjatë shfaqjes së tyre në teatër, regjisorët. Dhe, meqë këto drama kanë motive intertekstuale dhe janë të motivueshme politikisht, janë vënë në raport krahasimi me ato që u shëmbëllejnë: me arketipat të cilët kanë pësuar transformim zhanror.
Përpos kërkimit të gjenezës së intertektstit e arketipave e shfaqjes së tyre në dramat e Qosjes, është bërë edhe një kërkim gjenetik i botimit të tyre, duke i parë variantet e tyre botim pas botimi.
(Sonte në TKK jepet shfaqja ‘Bisha në Hënë’. Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar artistja Alketa Xhafa Mripa, bazuar në konceptin si më poshtë. Fotoja e ballinës dhe fotot tjera: Valerie Plesch)
Biblioteka e Harresës
Biblioteka e Harresës është bibliotekë e improvizuar në skenën e shfaqjes që përkujton të zhdukurit, ose pothuajse të harruarit, sepse ata ndalngadalë po harrohen.
Kjo vepër si njëra ndër pjesët themelore në skenografi në këtë shfaqje u dedikohet mijëra familjeve shqiptare që pësuan nga politika serbe për spastrim etnik.
Vlora Nikçi / Facebook
Kjo bibliotekë përbëhet nga libra në formatin e botimeve vepra të njohura shqiptare, botime të cilat pothuajse kanë qenë ose ende janë prezente në familjet shqiptare nëse nuk i ka djegur lufta. Këto vepra në bibliotekën familjare gjithmonë kanë qenë të çmuara dhe trajtuara me një kujdes dhe vëmendje të veçantë.
Prezenca e këtyre librave në biblioteka familjare i ka dhënë karakter më me vlerë bibliotekës dh ambientit në familje. Tashmë, per t’iu dhënë një vemendje më të dukshme, dhe për ta lartësuar kujtimin për ta, unë kam vendosur që të vë në nga një libër/vepër secilin mbiemër të familjeve shqiptare në Kosovë që kanë së paku një të zhdukur ose të vrarë nga lufta. Në të ardhmën kjo biblotekë do ta realizohet në formatin e librave.
Vëmendja kolektive për te vrarët dhe të zhdukurit nga lufta është aq e ulët, saqë drejtësia për ta është bërë një fenomen i harresës. Për dallim nga neglizhimi sistematik i politikës bashkëkohore ndaj përjetimeve shqiptare gjatë regjimit serb në Kosovë, të zhdukurit po kalojnë në domenin e harresës. Kjo gjendje e detyruar nga kjo politikë ka bërë që mijëra viktima e të zhdukur të njihen si numra, si shifër pa ndonjë atribut të veçantë ndaj krimeve të kryera nga Serbia.
Nga Valerie Plesch
Kjo librari përmban mbiemrat e të gjitha familjeve shqiptare që kanë të paktën një të vrarë ose të zhdukur nga lufta. Me veprën, unë mundohem ta kthej vëmendjen nga shifrat tek dhimbja për secilën familje. Në të ardhmën kjo biblotekë do ta realizohet në formatin e librave. Ku secila vepër do mban emrin e mbiemrin e secilit. Emër e mbiemër, sepse ata nuk janë as shifra, as iniciale, as material statistikor, ata janë të zhdukur nga një krim lufte i një shteti si Serbia që sot gëzon më shumë të drejta sesa Kosova. Bashk me “Bibliotekën e Harresës”, në formatin skeneografik, bëhet një ngërthim konceptual i shumë elementeve të cilat reflektojnë pervojen kolektive të shqiptarëve të Kosovës të prekur prej regjimit dhe segregimit serb gjatë viteve 90-të.
Dhoma e pritjes e përmbushur në stilin e viteve 90-të, karakterizon shtëpinë si institucion alternativ atë kohë. Shqiptarët e Kosovës duke vuajtur çdo formë të jetesës e qasjes ndaj domenit publik, iu kthyen shtëpive për të rezistuar. Dhoma e pritjes si element i kësaj vepre në skenën e shfaqjes përfaqëson edhe pasigurinë e frikën që riprodhohej nga izolimi i detyruar. Në dhoma të pritjes, shqiptarët jetonin dhe kultivonin hallet dhe shpresat e tyre të hirta, por njekohësisht bashkoheshin në pritje të ndryshimit. Shtëpia shkollë simbolizon shtëpite e para dhe hapësirat private që u shëndrruan në shkolla gjatë sistemit paralel. Kjo pjesë e skeneografisë do jete nje mundësi për audiencën që me tematikën e shfaqjes ta përjetojë më afër karakterin epik dhe kontributin e dhënë nga shumë individë, mësimdhënës e familje që arsimimi i gjeneratave shqiptare në Kosovë të mos ndërpritej.
Shkolla me banka (në shtëpi) Kjo pjesë simbolizon evolimin dhe normalizimin e shtëpive shqiptare në shkolla. Tashmë, platforma private sikur shtëpite e hapësira të ngjashme u vune në dispozicion të rezistencës dhe sistemit paralel. Një element i rëndësishem i kësaj pjese është se nga këto banka plot nxënës dolën të suksesshëm anë e kënd botës.
Mirëpo, plot të tjerë pësuan dhe vuajtën pasoja të ndryshme të regjimit dhe terrorit serb. Kafeteri. Ambient ku fatkeqsisht ende ndjehemi më te sigurtë për të shprehur ide e për të nisur një revolucion, më shumë se kudo tjetër. Atëkohë, te rinjte e gjenerates time mblidheshin në kafeteri të vecanta per t’u organizuar per protesta ose ndonjë veprim kolektiv për të kundërshtuar regjimin. Kafeteria edhe sot është platforme shume e veçantë per ne shqiptaret në Kosovë, dhe si e tillë na ka mbetur nga ajo kohë, sepse cdo domen tjetër na mohohej. Ndërsa sot të izoluar dhe të papunë, kemi mbetur në kafeteri. E tërë skeneografia në raport me shfaqjen “Bisha në Hënë” do jetë një mundësi për publikun që të reflektojë për të kaluarën dhe temat që prekin të kaluarën. / KultPlus.com
“Duke ecur prej Prizrenit drejt veriut, arrihet për një ditë udhëtim në Fushë- Kosovë. Është ky vend shumë i rrafshtë, i rrethuar me xehrore të arit, të argjendit dhe të metaleve të tjera, të ruajtura në qytetin e Novobërdës që gjendet në malin mbretëror të Argjentinës. Sa është ky mal i varfër e i zhveshur nga jashtë, aq është i pasur për brenda me xehe (…) Nëpër Kosovë janë edhe këto vende: Prishtina, e cila nuk ka kështjellë dhe s’është e rrethuar me mure, por është një lokalitet i banuar me afro 3.000 shtëpi kryesisht tregtare; mban lidhje me Shkupin, që gjendet larg për një ditë rrugë. Zakonisht këtu banon pashai i Shkupit për t’i zvogëluar shpenzimet dhe për të qenë më afër minierave. Ai e bleu pashallakun për 100.000 para mbretërore, me leje që mos të shkonte kurrë në luftë. Afër vetes i mban nga 100 ushtarë, këmbësorë e kalorës. S’ka të drejtë të luftojë, veçse të kërkojë tatime”. (Ervina Halili e solli këtë pjesë në Facebook)
Një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë është niveli i lartë i braktisjes së studimeve nga studentët. Një ndër këto probleme është edhe tranzicioni i studentëve nga shkolla e mesme në universitet, ku dallimet janë të theksuara.
Në mënyrë që studentët të kenë sukses dhe të mos i braktisin studimet, është me rëndësi që universitetet të përcjellin nga afër progresin e studentëve në të mësuarit. Në këtë mënyrë, profesorët dhe adminsitratorët e universiteteve, do të kenë mundësi të ofrojnë mbështetje individuale për studentët të cilët mbesim mbrapa me studime.
Për këtë Kolegji Universum në kuadër të projektit “Innovative Teaching Education in Math – iTEM” po bën zhvillimin e instrumenteve të cilat bëjnë identifikimin e studentëve që mbesin mbrapa në mësime. Ky instrument do të përdoret nga universitetet partnere nga Kosova, Greqia, Izraeli dhe Uzbekistani për të rritur suksesin e studentëve duke zvogëluar numrin e studentëve të cilët i braktisin studimet.
Aktualisht Kolegji Universum është duke menaxhuar 3 projekte të financuara nga Komisioni Evropian “Erasmus+ Capacity Building”, projekte këto në vlerë prej 3 milion €. Kjo i kontribon shumë ngritjes së kapaciteteve të brendshme të Kolegjit Universum, përmirësimit të cilësisë, zhvillimit të kurrikulave, zhvillimit profesional të stafit përmes trajnimeve dhe vizitave në universitetet partnere, si dhe përmirësimin e teknologjisë përmes paisjeve të reja në laboratore dhe salla.
Kolegji Universum është institucion lider i ndërkombëtarizimit. Deri tani 108 studentë të Kolegjit Universum kanë përfituar shkëmbim semestral me bursë të plotë në 22 shtete të BE-së. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame
Për më shumë informata ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Një djalë i vogël i rritur në Rugovë të
Hasit, afër Drinit. Djali i Xheladinit do të rritej shumë afër ujit e natyrës,
gjithmonë me dashuri për gjuetinë e peshkut.
I vogël, po i njëjti djalë njomak do të niste të mësonte lojën në instrumente, pikërisht prej Xheladinit – ky një instrumentist jo i shkolluar. Emri i djalit të vogël është Shaqir, Shaqir Hoti, sot një burrë 84 vjeçar i cili në studion e tij të punës në Prishtinë nuk mund të ulet.
“Rrijmë në këmbë, është sëmundje
profesionale” thotë Shaqiri derisa unë bisedoj me të në një hapësirë të vogël
për simpatike të punës.
Sot, pak kush nuk e njeh plakun e bardhë
Shaqir Hoti.
“Unë jam i bindur se këto instrumente me të cilat sot punoj, si fëmijë janë ngulitë thellë në trurin tim, dhe çdo gjë që ngulitet në fëmijëri është vështirë të shlyhet. Unë gjithmonë instrumentet i kam pasur afër, si fëmijë kam luajtur në to por nuk kam ditur t’i punoj” tregon axha Shaqir, siç më pëlqen ta thërras.
Disa kampionë të Akordeve të Kosovës. Nga majtas: Shaqir Hoti, Zef Tupeci, Enver Stafaj, Nexhmije Pagarusha, Isak Muqolli, Shahindere Bërlajolli-Stafaj. / Burimi: Micky Haxhiislami
**
Jo vetëm lojë në instrumente, por edhe studim dhe
intervenim në tingullin e tyre
Sot, ata njerëz të cilët e duan folklorin e
instrumentet shqiptare, e njohin mirë Shaqir Hotin. Hoti, i cili ka përfunduar
shkollën fillore në vendlindje, më pas shkoi në Prizren për të regjistruar
shkollën e mesme të muzikës.
“Gjenerata ime komplet i kemi taku një terri të plotë informativ, dhe ishim fort të uritur për dije. Semimaturën, apo tetë vjeçaren e përfundova dhe mezi pritsha me shku dikah me u regjistru. As edhe një katërshe nuk e kam pasë, krejt pesëshe. Shumë arsimtarë më thojshin shko në normale, disa në gjimnaz, por atëkohë u hap Shkolla e muzikës. Vullneti për dije ishte i madh. Bashkë me një shokun tim çdo ditë kemi bo 50 kilometra, 25 ardhje e 25 vajtje, derisa nisi bora e madhe, prej Rugovës në Prizren kemi udhëtu, rruga atëherë ishte ma lakore sesa tash. Edhe atëherë instrumentet gjithmonë i kam pasë nëpër dorë, edhepse kemi ushtru tinëz sepse pa partitura nuk lejohej kurgjo” tregon Hoti.
Ai sot luan në instrumente, punon me to, i
krijon ato, i studion ato, duket sikur edhe flet me këto instrumente. Qetësinë
shpirtërore thotë se e gjen duke punuar me instrumente, knaqet i tëri sidomos
kur dëgjon tingujt e parë të një instrumenti. Kurrfarë pushimi tjetër më të
dëlirshëm nuk gjen Shaqiri, sesa në instrumente, sesa në ambientin e vogël
poshtë shtëpisë së tij, aty prej nga ai punon me fyell, me kavall, me okarina,
me pipëza, me gajde, me zumare, me instrumentet tjera.
Janë mbi 1500 instrumente në këtë hapësirë, prej të cilave Shaqir Hoti thotë se nuk është ndarë asnjëherë, në asnjë peripeci të jetës.
“Këtyre instrumenteve kurrë s’ju kam nda,
edhe gjatë obligimeve tjera, edhe kur kam punu në arsim apo në Radio Prishtinë.
Në Radio kam qenë në Orkestrën Popullore – si flautist, dhe isha ndër të parët
si flautist. Aty kam punu deri në masat e dhunshme. Krahas krejt obligimeve
tjera, instrumentin tradicional nuk e kam hekë nga dora, jam mundu me e rujt.
Kam dashtë gjithmonë me lujt bukur në instrumente duke e shfrytëzu burimin dhe
melosin burimor. Kam intervene edhe vetë në instrumente, në temperim, në
tingull të duhur, hapsha e mbyllsha vrima deri vijsha tek niveli i lartësisë.
Gjithmonë kam mendu kësisoj, që nëse kam jetë më të gjatë në pension nuk do të
jem një pensionist i zakonshëm. Drejt me thanë, më dhimben nëse këto
instrumente i lojmë në harresë, sepse kanë qenë shumë shekuj në këto treva”
tregon Hoti.
Biseda përcillet me luajtje në instrumente, dhe unë ndoshta bëhem i bezdisshëm duke i kërkuar axhës Shaqir që të luajë enkas për mua. Megjithatë ai e lë shpirtin e tij në secilën lojë që i bën instrumenteve derisa e nxjerrë nga i njëjti shpirt edhe rrëfimin e tetë dekadave jetë.
Rrethohet prej fyellit të shokës/brezit, të
cilin e ka shumë për zemër. Më larg qëndrojnë gajdet, të cilat i ka krijuar
vetë prej shtofit dhe të cilat tash e 19 vite kanë ruajtur formën e tyre të
mrekullueshme. Pipëzat nuk i ka larg, por as edhe instrumentet e vogla që janë
krijuar prej arrave, bërthamës së avokados dhe bririt të lopës. Shaqiri jonë,
çkado që gjen në natyrë provon ta kthejë në instrument.
“Fyelli i shokës dallon pak, dhe thirret
kësisoj pasi bariu e ka futë në brez pasi ka luajt në të. Edhe për nga
struktura dhe punimi është i thjeshtë, hapen gjashtë vrima dhe pjesa lart. Si
diapoazon ka dy oktava, pra është i fuqishëm, ndërsa bashkë me zërin e fyellit
dëgjohet edhe fryma e njeriut. Fyelli i madh apo kavalli, në turqisht e
përdorin edhe çoban-kavall edhe një lloj tjetër që thirret nej, edhe atë e dua
fort. Jam gjithkonë në hulumtime të timbrit, temperimit, të avancimit, aty ku
ka mundësi ta shoh që një instrument mundet me ecë përpara” tregon Shaqir Hoti.
** Tregim jete i ndarë në copëza të bukura
mbushur plot melos popullor
Hoti i quan instrumentet si fatin e tij të
mirë. Edhe jeta e tij është një tregim me fat.
“Në shkollë të mesme, drejtori ka qenë shqiptar, Lorenc Antoni. Atëherë as Prishtina dhe as Nishi nuk kanë pasur shkollë të muzikës. Lorenci më tha se kam vesh absolut dhe u bëra nxënës i tij në violonçelo. Deri në gjysmëvjetorin e dytë isha fort i mirë, aty përparova shumë. Rastësisht e dëgjoj një djalë malazez duke luajtur në flautë, i cili po bëhej gati për ushtrime në klasë. I thashë të ma jepte pak instrumentin sepse s’kisha pa me sy më parë këtë instrument. Tingujt i ngjasonin kavallit. E morra dhe e luajta një melodi tonën baritore – aty del profesori dhe më zuri me instrument në dorë. Shkojmë bashkë te drejtori dhe aty profesori i thoshte drejtorit që të bëhesha flautist. Lorenci refuzoi por më vonë pranoi sepse ai po largohej për të punuar në Radio Prishtinë. Kishim pak literaturë, por huazonim sidomos prej violinës. Prej aty u ktheva në fshat” tregon Shaqiri.
Ansambli Azem Bejta vitet 1970-ta. Nga majtas: Shaqir Hoti, Bajram Rrmoku, Rizah Spanca dhe Abdurrahman Svirca / Burimi: Micky Haxhiislami
Kthehet në fshat që të kontribuonte. Shtatë
vite pas shkollës së mesme ai qëndron në fshat derisa vjen në Prishtinë në
vitin 1967.
“Bile kom pritë shumë, sepse mu dhimbshin
ata fëmijë atje ti la. Vij në Prishtinë, asokohe Rexhai Surroi ka qenë drejtor
i Radio Prishtinës dhe ma nënshkroi vendimin e përhershëm si pjesë e formacionit
të Orkestrit Popullor” vazhdon Hoti.
“Në orkestër e gjej drejtues Rexho Mulliqin
– drejtues. Ai e donte shumë instrumentin tradicional, herë herë e fuste në
orkestrime të këngëve por edhe nëpër turne kur shkonim, gjithsesi diçka nga
këto instrumente i ka marrë me veti; fyellin, okarinën, kavallin….”
** Berlin 1969
Punëtoria e tij është një punëtori e
veçantë në të gjitha trevat shqiptare. Ka plot njerëz që punojnë instrumente,
por Shaqir Hoti është ndër të paktët që e njeh intrumentin organikisht, njeh
tingull për tingull. Madje ai i ka të shkruar për secilin instrument veç e veç
mundësitë teknike të interpretimit, mënyrën e punimit, si të dalë tingulli.
I kanë premtuar se do t`ia botojnë këto
shënime diku, njëjtë siç edhe i kanë premtuar se kjo punëtori do të mund të
ishte pjesë e Muzeut. Deri sot, ai vetë thotë – “Premtimet kanë mbetë si zhag”.
Në njërin qosh të punëtorisë, një fotografi e vjetër bën dritë, Shaqir Hoti shihet sikur duke pirë cigare. “Veç osht grrithë letra, nuk jam me cigare” tregon Shaqiri. Në fotografi janë shtatë personazhe, mes tyre Shaqir Hoti dhe Nexhmije Pagarusha. Nexhmija është e vetmja grua, dy meshkuj të tjerë janë nga Serbia. Të gjithë janë me tesha kombëtare, në Berlin të Gjermanisë, në një festival ku ata morrën vendin e parë. Shaqir Hoti thotë se kurrë askush nuk ka shkruar për atë fitore.
“Në festival në vitin 1969 e përfaqësuam
Jugosllavinë. Shkuam aty dhe ne ishim formacion me shtatë veta, gjashtë krymba,
ndërsa shtetet tjera ishin me orkestër të madhe e me revyja simfonike me 100 e
kusur veta. Në prova gjenerale dolëm si pula e lagt. Kangën e parë –“Bijnë
tupanat në katër anët” e këndon Nexhmija e unë isha me çifteli, reagimi ishte i
shkëlqyeshëm. Kanga e dytë –“Sytë për ty i kam të njomë” bukur mirë u nxeh
publiku, ndërsa te kanga e tretë – “Baresha” ku unë isha shoqërues në flautë,
Nexhmija u detyrua me u kthy në skenë disa herë. Fituam në festival. Të
nesërmen vijnë Ambasada Gjermane dhe ajo Jugosllave e na urojnë për këtë
sukses. Kthehemi në Kosovë bukur krenarë që e nxunëm vendin e parë, gazetat
gjermane me 2 faqe të plota për atë rast, me Nexhmijen edhe veshjen kombëtare.
Kanë kalu 50 vjet e kusur dhe kërkush asnjë germë se ka shkru për atë koncert”.
Këngën “Baresha”, Hoti e ka përcjellur me
flautë, në versionin e saj origjinal.
“Rexha e ka ba melodinë, partiturën, aranzhimin, orkestrimin, ka nejtë derisa osht finalizu kanga nuk ja ka da, tekstin e ka bo Rifat Kukaj. Bile, janë mshelë dytë në banesë edhe deri e kanë kry kangën sjon dal prej qatyhit” tregon Hoti.
**
“E vërejta se gajdet po zhdukeshin, nuk dëgjoheshin
kurkund fare”
Tregim që nuk ka të mbaruar, burrë që nuk
njeh lodhje, me misionin e tij të vetëm në jetë nxjerrjen e instrumenteve
shqiptare nga terri i lashtësisë, drejt dashurisë për tënden, për autentiken,
për zanafillën, për muzikën burimore e folklorin.
Sikur gishtat e dorës, të pandashme dhe secila e rëndësishme, janë edhe instrumentet në të cilat axha Shaqir punon e luan. Prej pipëzës, një instrument i vogël që punohet prej kashtës dhe degës së shtogut e kaçës, jetëshkurtër, deri te kavalli e bishtnicat-gajdet, ky njeri i 84 vjeshtave e dimrave ka ende shumë energji dhe dashuri për çdo ditë të jetës.
Shaqir Hoti me gajde / Fotografia: Arbër Selmani
“Sidomos me gajdet, e vërejta që ky instrument
nuk dëgjohej kurkund fare. Fillimisht gajdet i futa në orkestrimin e një prej
këngëve të Shyhrete Behlulit, dhe nga ajo instrumenti thuajse është gjallë”
tregon Shaqiri. Njëra gajde, më e moçme, është prej lëkurës së qengjit e kecit
së cilës i duhet qumështi për ta mbajtur të njomë e të botë.
“Unë bëra çmos që t’i avancoj gajdet. E kam
këtu njërën me shtof e cila mrena ka kese të madhe të najllanit. Që 19 vite e
testoj dhe asnjëherë nuk ka problem, nuk i bjen era e keqe, as s’don ly as
s’don ngjy”.
Dhe unë e gjej në punëtori këtë njeri me
zemër të mirë, duke punar pikërisht një pjesë të gajdeve.
“Gjithmonë kam dashur ta prekë intrumentin,
mos ta dëmtoj. Tek gajdet gjithmonë ka qenë problem pëlqesa apo burdani, në jug
i thonë iso – tingujt e barabartë. Arrihej unison i plotë i tingujve por shpesh
humbte. Unë me anë të një unaze në gajdet e mia e kam anashkalu këtë problem”
tregon Shaqiri.
**
Kjo dashuri e pashterrur për okarinën, pa lënë anash
edhe instrumentet tjera
Okarinën e ka shumë për zemër. Ka disa okarina të shpërndara në këtë hapësirë të vogël ku punon Shaqiri, por secila prej tyre përbën një copëz të zemrës.
“Viteve të fundit jam angazhu shumë me
okarinën origjinale e cila osht gjetë në Runik afër Skënderajt. U gjetën
asokohe shumë objekte, e unë shkova sepse dëgjova për okarinën. Isha i
interesum me e pasë instrumentin frymor. Pas disa kohe doli në Muze dhe u
ekspozua, por nuk mundej me u hapë përpos kërkesave zyrtare. Kështu okarina
kurrë nuk ra në dorën teme. Pas luftës erdha me gëzim që do ta gjejmë okarinën
e do ta prek, por ajo ishte zhdukur bashkë me qindra artefakte tjera, për fatin
e të cilave nuk dihet. Edi Shukriu më dha informata të shkëlqyeshme dhe ma
përshkroi këtë okarinë, pasi ajo e pati në dorë, unë isha me dy mendje a ishte
ma e shtypur apo cilindrike. Doli të jetë krejt cilindrike. Mi dha krejt masat
e saj, me fotografinë origjinale të instrumentit” e fillon tregimin e okarinës
Shaqir Hoti.
“Pjesa ma e gjatë ishte 8 centimetra, pjesa e gjerë 6 centimetra. Vrimat poshtë nuk i ka bash drejtë. Unë e kopjova më pas. Isha gjithmonë në dyshime a ka qenë instrument ritual a paramuzikor, dhe pas një kohe bukur të gjatë të hulumtimit e vërejta se ky instrument ka një tingull të msheftë, prandaj më nuk do ta quaj instrument paramuzikor por instrumental sepse i ka tingujt e vet”
“Jam i sigurtë se secili instrument në vete
ka mesazhin e tij, njëjtë edhe vegëlpunuesi i saj. Shembull, tek okarina janë
12 viza në pjesën horizontale, ndërsa vertikalisht janë 7. Pra 7 me 12. 7 në
mitologji ka pasë shumë rëndësi, për 7 ditë është krijuar bota, 7 male, 7
kodra, pra kush e ka krijuar ka dashur të thotë diçka me të” tregon Shaqiri.
Edhe ai vetë, në çdo instrument e gdhendë
emrin e tij. Në një fotografi dhuratë prej miqve të tij nga Italia, në të katër
anët e fotografisë ai ka krijuar instrument, katër fyella të ndryshëm.
Krijon në dru, instrumente në formë
shqiponje, në formë të ndonjë shpendi. Një okarinë e bukur e bardhë është
krijuar në lajthi, një tjetër në vezën e makushit e strucit.
Një fyell, duke e krijuar i dha zor shumë,
e dëmtoi në njëfarë mënyre. Poshtë fyellit e shkroi: Në duart e kqija prishet,
dështon humb!
Për fund, e pyes axhën Shaqir se cili është
mesazhi i tij për rininë, për njerëzit që i duan instrumentet dhe muzikën e
bukur.
“Kërkush nuk po ngan t`punoj me këto
instrumente, ti bëjë për vete. Çdo popull e ruan me xhelozi instrumentin e
traditës. Kemi pas bo kërkesë me e hapë një shkollë për këto instrumente apo
kjo të jetë si një lëndë mësimore në shkollë të muzikës. Edhe këtu para
premtime por jo realizime” sqaron axha Shaqë.
Vazhdon të kalojë kohën e tij në punëtori, krejt kohën në eksperimente, me okarinë nga argjila e dheu. Verës del rreth liqejve, edhe nëpër mal. Asnjëherë nuk punon në vetëm një instrument, herë shkon tek njëri e herë tëk tjetri.
“Kam përkrahje edhe sot, edhe gjithmonë kam
pasur, prej familjes. Djemtë nuk u angazhuan në këtë drejtim sepse të punosh
një fyell për treg – më mirë është me ja bo një argat dreqit. Nuk vlerësohet.
Shpesh ndoshta një instrument t’i merr 2 ditë kohë për me u shitë për 2-3 euro.
Si instrument bjen poshtë rëndësia, jo mundi i personit. Diaspora është e
interesuar me i ble këto instrumente, më shumë” tregon Hoti.
(Ky
botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij
botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund
të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).
Vitin e kaluar më shumë se 190 festivale kanë nënshkruar zotimin që të arrijnë normën 50/50 të përfaqësimit gjinor deri në vitin 2020. Shtatë muaj që nga ajo kohë, dhe ky plan është duke u zgjeruar më shumë nëpër kompani, orkestra e salla koncertale. Vanessa Rees është themeluese e “Keychange” dhe drejtoreshë e fondacionit PRS, e cila ndihmon financiarisht muzikantët dhe talente në zhvillim.
Ajo po ashtu është zgjedhur gruaja e tretë me e fuqishme në industrinë e muzikës nga “Radio 4’s” pas Beyonce dhe Taylor Swift,
“Jemi duke e zgjeruar këtë zotim pasi që ne e dimë se zbrazësia gjinore është një problem në gjithë industrinë e muzikës dhe jo vetëm në festivale”, ka thënë Vannessa. “Ne duhet të shohim një fuqi punëtore me të balancuar”. “E dimë se nuk i ndihmon zhvillimit të artisteve nëse ato prezantohen vetëm me burra në studio të incizimit apo me burra në anën tjetër të tavolinës, kur janë duke nënshkruar një marrëveshje”, ka thënë ajo.
“Le të mos harrojmë faktin se në industrinë e muzikës vetëm 15 për qind e kompanive janë të udhëhequra nga gratë dhe pothuajse nuk ka asnjë grua nëpër studio të incizimeve”. Ajo thotë se festivalet dhe koncertet duhet që të reflektojnë audiencën./Kkoha.net
Janë dy numra revistash të ilustruara vjeneze që interesohen për Shqipërinë në një distancë kohore fare të pakonsiderueshme nga njëra-tjetra, por që shënojnë fort fundin e një epoke e nisjen e një tjetre që do të sillte më pas shumë pasoja për vendin.
E para flet ekskluzivisht për shqiptarët, traditat e zakonet e tyre, duke marrë për shembull ata të veriut, ku shpalosen fraza që të bëjnë të ndihesh vërtet krenar, ndërsa pohon edhe disa të vërteta që çuditërisht i kanë mbijetuar kohës e që shihen edhe sot e kësaj dite si plagë shoqërore.
Të mbushura me foto ilustruese dhe të ekspozuara qysh në kopertinë apo faqet e para të revistës, artikulli i 1 marsit 1939 në “Das Interesante Blatt” dhe ai i 16 prillit 1939 në “Wiener Bilder”, na ofrojnë një imazh thuajse të harruar të Shqipërisë.
Në rastin e parë shkruhet se Shqipëria tashmë ndodhej përpara ndryshimeve rrënjësore, si pjesë e një Ballkani që po kërkonte një “modernizim të dhunshëm”, aq sa pas pak viteve të huajt duhet të rrëmonin vërtet shumë për të gjetur diçka “autentike shqiptare”. Më 1 mars 1939, autori i shkrimit flet tejet pozitivisht e me realizëm për Shqipërinë, e sidomos për rininë, që tashmë duket se kishte marrë një drejtim dukshëm pro-evropian, falë edhe arsimimit në shkollat italiane, franceze e gjermane.
Por, duket se merak ai ka malet e veriut dhe mikpritjen e malësorëve, të cilën ai thotë se është ekzemplare në botë, sikurse edhe duhani që ata “prodhojnë”, lulja e vetme që mbin në kopshtin e tyre. Po ashtu, gruaja dhe mbrojtja e nderit të saj në një mënyrë po aq të veçantë, duket se e habisin shumë autorin, i cili, nga ana tjetër, nuk ngurron të theksojë në një mënyrë proverbiale se: “Një Kazanovë në Shqipëri, nuk ka shans të arrijë pleqërinë”.
Pak i diskutueshëm ngjan të jetë pohimi se më anë tjetër duhet të bësh mirë hesapet nëse shkon në shtëpitë e malësorëve, pasi duhet të llogaritësh dhuratat që duhet të bësh për gratë e asaj dere, të cilat mund të jenë të shumta në numër, çka ndoshta mund të jetë një keqkuptim nga ana e autorit, pasi diçka e tillë nuk njihet e nuk pohohet nga asnjë kod zakonor shqiptar e as nga asnjë i huaj që ka shkelur në ato troje para dhe pas artikullshkruesit në fjalë.
Në rastin e dytë, duket sikur autori ka dashur që Shqipërisë t’i kushtojë faqen e parë dhe kopertinën e revistës, me qëllimin për t’i bërë reklamë synimeve të aleatëve të Rajhut, italianëve.
Vetëm një javë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, një revistë e njohur e ilustruar vjeneze, ka dashur të sjellë thuajse pa komente, sikurse e përmbante dhe formati i saj, pikërisht realitetin shqiptar gjatë ditëve të ndërhyrjes fashiste “në vendin e skipëtarëve”, siç i pëlqen asaj t’i cilësojë ata, duke marrë me siguri referencë nga rrëfenjat e famshme të Karl May-it, që asokohe ishte tejet i famshëm ndër lexuesit gjermanikë.
Ndërsa sjell disa foto ekskluzive të marra gjatë ditëve të pushtimit nga fotoreporteri i saj, që na shfaqin portrete malësorësh e malësoresh nga rajoni përreth Shkodrës apo pazarin e Krujës që autori e përshkruan si “kështjella e dikurshme e famshme e Skënderbeut”, në faqet më në thellësi, na shfaq një foto të mbretit Zog, me cilësime sigurisht negative dhe një foto të kontit Ciano më datë 9 prill 1939, ndërsa pritet me ovacione në aeroportin e Tiranës.
Por, ajo që ngjan disi e çuditshme, është faqja e dytë e revistës që servir një reportazh relativisht të shkurtër të shoqëruar me foto e që flet për një komunitet që për shqiptarët ka qenë i njohur në kohët e shkuara e të sotme. Artikulli i “Wiener Bilder”-it i datës 16 prill 1939, flet për ato që autori i cilëson si “nomadët e fundit të Evropës”, pikërisht për arumunët ose vllahët të cilëve u parasheh në fund një fat të madh përpara, në një kohë që Shqipëria tashmë po mendohej se do të ishte për dekada – e ndoshta dhe shekuj – pjesë e Perandorisë së re Romake, aleate e Rajhut të Tretë, pjesë e së cilës ishte tashmë edhe vetë Austria.
Duket sikur autori ka rënë rastësisht në gjurmët e tyre dhe është i bindur se “këta nomadë pa dyshim se përbëjnë mbetjet e fundmit të kolonizatorëve romakë, edhe pse ata janë përzier më pas fort me elementë të popujve të tjerë”.
Ndërsa vë në dukje kushtet e vështira në të cilat ata jetonin, flet për namin e tyre që dikur kishte shkuar deri në Venedik, duke theksuar se ata themeluan dhe banuan dikur Voskopojën, që shumë shpejt u bë edhe qyteti më i madh i brendësisë së Ballkanit.
Dy artikujt e revistave austriake të vitit 1939 përbëjnë kështu edhe një dëshmi më shumë, me vlera të pakontestueshme historike e jo vetëm, për të parë se ç’mendonin dhe si e trajtonin të huajt jo vetëm historinë e realitetin shqiptar, por edhe atë të një komuniteti që ishte ngulitur me kohë në trojet e tyre, për të cilin në një aspekt tjetër, ata mendonin se nuk kishte kurrfarë lidhjeje me shqiptarët dhe që në të njëjtën kohë, i shihnin si “mbrojtës fanatikë të krishterimit” në Ballkan.
***
Në Malet e Shqipërisë
Epoka e arsimimit ka shumë gjasa të jetë edhe një epokë e paragjykimeve. Disponohen njohuri të ndryshme rreth Shqipërisë dhe po ashtu edhe shumë paragjykime. “Duhet të bësh shumë kujdes me gjakmarrjen”, dëgjoj unë për shembull të thuhet dhe dikush tjetër mendon se pas çdo shkëmbi atje fshihet një kusar. Vendet e Ballkanit gjenden aktualisht në një zhvillim të vrullshëm. Ajo që dje ishte e vërtetë, sot kthehet në një legjendë. Dhe, një vend duhet përjetuar me të gjitha avantazhet dhe disavantazhet që ofron, në mënyrë që të flasësh për të.
Shqipëria ka një tokë të begatë buzë detit dhe paralel me bregdetin, si një mur i vërtetë, shtrihen disa vargmale. Nëpër shekuj dhe mijëvjeçarë këtu kanë shkelur pushtues të huaj, por në male ata s’mundën dot të vinin këmbë kurrë. Kësisoj, pjesa bregdetare akoma dhe sot e kësaj dite ruan një karakter osman.
Por, që prej kohësh po përmbyset prej atij evropian. Brezi i ri i shqiptarëve, arsimuar nga italianët, francezët dhe gjermanët, është tejet i motivuar dhe i angazhuar të përthithë arritjet e kulturës evropiane. Të gjitha shenjat flasin për atë se në pak vite atje do të kemi shndërrime shumë të mëdha. Shumë keq për të huajt që duan të shohin në Shqipëri diçka “shqiptare”. Ballkani dëshiron të jetë “modern” dhe në këtë pikëpamje, mendon në një mënyrë shumë më radikale sesa ne.
Por, kush interesohet për një popull me tipare për t’u admiruar, i mbështetur tërësisht në forcat e veta, që u ka bërë rezistencë turqve me qindra kryengritje, ai duhet të shkojë e të vizitojë një herë malësitë e Veriut.
Rrugë të bukura e të këndshme për të përshkuar, atje nuk ka. Dhe, as stacione të ndihmës së parë apo hotele e bujtina. Vizitori duhet të ketë çadra e tenda, si dhe një sasi të konsiderueshme rezervash ushqimore, gjithmonë me vete. Shqiptari i Alpeve, malësori, nuk ka kurrfarë ushqimi tjetër përveç një buke misri të ashpër dhe pak kripë.
Për më shumë se kaq, ai nuk ka nevojë. Dhe, ngaqë ai s’ka nevojë për asgjë, ai edhe nuk ra kurrë në varësi të atyre që prodhojnë diçka. Gjithçka ai e bën vetë. Veshje nga leshi i deles, shtëpi prej gurëve të maleve të veta, kurse pajisje shtëpiake nuk posedon. Duhani, të cilin e mbjell në një kualitet të pakrahasueshëm vetë, është edhe “lulja” e vetme që mbin në kopshtin e tij.
Dhe, megjithatë, këto nuk e kanë penguar këtë banor, më të varfrin e të gjithë malësorëve në botë, të jetë më mikpritësi nga të gjithë.
Një françeskan shqiptar më pyeti një herë: Si do i bëhet nëse unë vij në Vjenë, e ju në Shqipëri? A do të pritem e shërbehem edhe unë atje, nëse trokas diku?
Ai më vuri në një situatë të vështirë. Më mirë do të kisha preferuar të gënjeja. Ishte e vështirë t’i shpjegoja atij se në një qytet të madh të mbyllen dyert, se ka portierë e madje edhe kasaforta. Nga ana tjetër, nga anët tona nuk e di njeri se në një shtëpi shqiptari, në të cilën pritesh miqësisht, duhet dhënë një dhuratë. Dhe, vlera e dhuratës orientohet nga fakti se sa gra ka në atë shtëpi. E, ato mund të shkojnë në një numër të konsiderueshëm, të cilat para se të shkelësh pragun, nuk duhen parë në fytyrë.
Nuk mund të jesh kurrë i sigurt për to, pasi për nderin e një gruaje apo një virgjëreshe, nuk bën rojë vetëm babai apo bashkëshorti, por edhe vëllai, xhaxhai apo gjyshi. Me një fjalë, të gjithë meshkujt e fisit dhe gjithkush prej tyre është i gatshëm të marrë pushkën e të “vendosë drejtësi”. Një Kazanova në Shqipëri, nuk ka shans ta arrijë pleqërinë.
Edhe martesa nuk është një kënaqësi. Familjes së nuses i duhet paguar një shumë e konsiderueshme parash. Si një taksë sigurie për të dëshmuar se dhëndri është një nikoqir i mirë dhe se në jetën e tij, ai arrin të kursejë diçka.
Për këto karakteristika, një burrë mund të marrë një grua, të cilën vërtet e ka pas vetes. Vajzat janë shumë të bukura, të fuqishme dhe punëtore. Në kohë luftërash, ato u kanë qëndruar krah burrave nëpër beteja.
Marrë nga “Das Interessante Blatt”, Vjenë, 1 mars 1939
***
Nomadët e fundit të Evropës!
Në fushat e izoluara të Shqipërisë, në të cilat gjenden fshatarë të ngulitur – por qoftë edhe në lugina të futura thellë ndër male, në të cilat është shumë e vështirë të depërtosh – herë pas here ne hasëm në kasolle të rralla në formë të rrumbullakët prej degësh druri, të ndërtuara si ato të negërve.
Në këto kasolle banon një popull i çuditshëm që nuk ka të bëjë aspak me shqiptarët. As në gjuhë e as në zakone, edhe për sa i përket prejardhjes së tyre. Janë nomadë që emigrojnë gjatë gjithë vitit që nga zonat pranë detit – ku ata kalojnë dimrin – deri në malet e larta të Shqipërisë së Mesme; janë arumunët apo xinxarët, siç quhen ata.
Ky popull i çuditshëm – dhe kjo është e veçanta në të – ka një të shkuar të madhe. Këta nomadë, dyshim se përbëjnë mbetjet e fundit të kolonizatorëve romakë, edhe pse ata janë përzier më pas fort me elementë të popujve të tjerë.
Ne dimë se ata rreth vitit 1000 posedonin një territor të gjerë banimi që shtrihej nga Trakia deri në Shqipëri. Edhe në shekullin e XII e deri në atë XV, formonin një “Despotat romakësh” dhe në atë kohë përjetuan edhe pika kulmore të kulturës së tyre. Ata kanë luftuar në formacione të izoluara si kristianë me besim të fortë kundër turqve.
Në shekullin XVI e XVII, themeluan qytete në mes të maleve të Shqipërisë dhe nami i tyre shkoi deri në Venedik. Themeluan dhe banuan Voskopojën, që shumë shpejt u bë edhe qyteti më i madh i brendësisë së Ballkanit.
Arti dhe shkenca lulëzuan asokohe në të. Kisha madhështore u ngritën dhe, edhe sot e kësaj dite, rrënojat dhe reliktet e asaj periudhe flasin për një epokë të rëndësishme ndërtimi. Stuhia shkatërruese e turqve u drejtua kundër këtyre rojtarëve rezistentë të krishterimit.
Gratë e tyre e mbanin shenjën e kryqit të tatuazhuar në ballë. Qyteti u zhduk katër herë nga faqja e dheut. Sot, ajo është më shumë vetëm një fushë rrënojash, dhe vetëm pak kisha kanë mbetur më këmbë.
Nomadët lëvizin me tufat e tyre të dhenve nëpër zonat e egra malore. Një pastërti shembullore mbizotëron në kasollet e tyre. Gratë mbajnë veshur çuditërisht veshje të pazakonta për popullsitë nomade dhe banorët e kasolleve e tendave. Ato janë të zbukuruara me ar e filigramë.
Arumunët flasin një gjuhë që është e ngjashme me latinishten, d.m.th. me rumanishten. Nëpërmjet ngritjes së shumë kufijve, atyre emigrimi u është bërë gjithnjë e më i vështirë. Por, ndoshta edhe për to tashmë ka ardhur koha që kohët e vjetra t’i zgjojnë nga gjumi, kur të hyjnë në kontakt me racën e madhe latine. E mbase ora e tyre ka ardhur sot.
Marrë nga revista vjeneze, “Wiener Bilder”, 16 prill 1939