“Mapping of the Obscurity” thyen barrierat midis digjitales e fizikes

Rreth 400 animacione janë pjesë e ekspozitës “Mapping of the Obscurity” në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kjo ekspozitë ka sintetizuar formën e artit të animacionit me atë tradicionale.

Në muret e Lapidariumit, të hënën, kanë reflektuar tre projektorë të cilët shfaqin edhe videoinstalacionin kryesor të kësaj ekspozite të ndarë në tre sektorë. Në murin në të majtë të hyrjes janë vendosur gjashtë korniza, pikturat brenda këtyre kornizave janë digjitale, ndërsa në anën e majtë është e kundërta. Kornizat digjitale, pastaj pikturat. Muri përballë hyrjes është i gjithi digjital. Edhe kornizat, edhe arti që shfaqej brenda tyre. Sipas, Benart Shalës, dizajnues i kësaj ekspozite, një prezantim i tillë është bërë për të dëshmuar që gjërat e njëjta përjetohen ndryshe varësisht prej mënyrës se si ato prezantohen.

“Ideja është që diçka përjetohet ndryshe, kur prezantohet si e projektuar dhe jo e vizatuar fizikisht”, ka thënë ai.

Në këto videoinstalacione shfaqen pamje të ndryshme, duke filluar me format tradicionale të artit të profesorit Ferid Morina e deri në ato abstrakte, duke përfshirë edhe kuptimin arkitekturor. Shala ka thënë se përmes kësaj ekspozite ka dalë edhe nga profesioni i tij, duke thyer barrierat.

Në fakt e gjithë ekspozita është për të dalë përtej barrierave. Pjesë e ekspozitës ishin edhe disa televizorë të vjetër, tek të cilët në anglisht shkruhej: “A e kemi sjellë gjuhën e komunikimit të teknologjisë dhe artit në të tashmen, si fazë fillestare e së ardhmes apo kemi shkuar më mbrapa”.

“Ekspozita ka qëndruar e hapur vetëm gjatë së hënës, nga ora 20:00 deri në 24:00, ndërsa organizatorët kanë fituar të drejtën për ta prezantuar ekspozitën edhe te “Reja” e Fujimotos në Tiranë./koha.net

“Vdekja e Skënder Gashit, humbje e një njeriu të madh”

Akademikë, profesorë, ministra e shumë miq kanë marrë pjesë në akademinë komemorative që Instituti Albanologjik ka organizuar në nderim të figurës së prof. dr. Skender Gashit.

Gashi, i cili ndërroi jetë ditën e enjte në Vjenë, kishte nisur punën e parë të tij, pikërisht në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se profesori Skënder Gashi ka dhënë një kontribut të madh në këtë institut duke theksuar se ikja e tij nga jeta ka lënë zbrazëti të madhe.

I pranishëm në këtë akademi ishte edhe Zv.Kryeministri Behgjet Pacolli i cili duke ngushëlluar familjen Gashi, ka thënë se Kosova ka humbur një njëri të madh.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, i cili njëherësh është djali i profesorit të ndjerë, ka falënderuar të gjithë për kujdesin dhe fjalët e mira.

Gashi ka thënë se për shkak të procedurave ende nuk e kanë caktuar kohën e varrimit të profesorit, por se për këtë do të njoftohen me kohë.

Skender Gashi ka vdekur dje në moshën 74 vjeçare./koha

“Love Death Robots” filmi që do t’u bëjë ta shihni botën nga perspektiva e robotëve

“Love Death Robots” është filmi i animuar futuristik që provon ta shpjegojë natyrën njerëzore përmes perspektivës së robotëve, transmeton KultPlus

Filmi është i ndarë në episode të vogla dhjetëminutëshe ku çdo herë trajtohet një tjetër e metë e natyrës njerëzore.

Filmi tregon një botë ku arroganca njerëzore do të sjellë shkatërrimin e Tokës dhe njerëzit do të detyrohen të shndërrohen në robotë ose të jenë azil në planetë tjera.

Filmi luan me idenë e realitetit dhe virtualitetit duke na quan në një botë imagjinare.

Pikat më të forta të këtij filmi janë skenografitë të cilat çdo herë përfundojnë me një PlotTwist të jashtëzakonshëm./R.J/KultPlus.com      

Filmi vizatimor që po çmend kinezët, shfaqet 18 vjet me vonesë ngaqë u prodhua në Japoni

Filmi i animuar japonez, Spirited Away ka dominuar “box office-t” në Kinë, 18 vjet pasi shfaqjes së tij për herë të parë, duke grumbulluar më shumë të ardhura “Toy Story 4” i “Disney”.

Filmi i studios “Ghibli” ka mbledhur 27.7 milionë dollarë, sipas Maoyan, “site” më i madh kinez për kinematografinë. Spirited Away u shfaq zyrtarisht në vitin 2001, por vetëm tani, 18 vjet më vonë, ai i mbërriti dhe publikut kinez.

Kjo në sallat e kinemave, sepse shumë vendas janë rritur duke e parë këtë film mjaft të preferuar, përmes DVD-ve apo shkarkimeve pirate.

“Toy Story 4” solli 13,2 milionë dollarë të ardhura në fundjavën e prezantimit në Kinë, por nuk arriti të mposhte joshjen e “Spirited Away”. Filmi vizatimor mjaft kompleks rrëfen historinë e një vajze të vogël, e cila e gjen veten në një botë fantazie pasi hyri në një park të braktisur lojërash me prindërit e saj.

Filmi ka mbërritur praktikisht një ndjekje prej kulti, siç thotë BBC, dhe mbetet më fitimprurësi i të gjithë kohërave për studion Ghibli. Ai është gjithashtu filmi i parë i animuar jo në anglisht që ka fituar një çmim “Oscar”.

Pse Çabej e “fshiu” himnin e tij?

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Më 1937-ën, Çabej do të shkruante këtë himn, në konkursin “për një himn të ri, me frymë thjesht shqiptare”. Por, ai e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur mësoi se në këtë konkurs ishin pjesëmarrës personalitete të cilët, Çabej i nderonte dhe i çmonte shumë, duke mos e konsidruar veten të denjë të matej.

Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi, për himnin kombëtar. Të tilla kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921, si fitues i vendit të parë në konkursin për himnin kombëtar shpallur nga ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Po ashtu edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar në vëllimin ‘Vallja e yjeve’ etj.

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25-të pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllimin e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të komisionit të ngritur për kremtimet e 25-vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937, vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një grup që do të vendoste për caktimin e krijimit artistik, si himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit, nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs që do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë nuk u miratua si e tillë, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himnin kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë, më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues, për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë.

Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70-të. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’, ku morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta: Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit, me poezi të Fatos Arapit, të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Por, historia e himneve vazhdoi pa sjellë ndonjë…

Sidoqoftë, në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar, që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë – ku aplikoi fillimisht edhe Çabej – ngjyra e kuqe cilësohej simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

HIMNI I FLAMURIT

Nga: Eqrem Çabej

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Skënder Gashi shkruan për prejardhjen e goranëve

Prejardhja e goranëve në dritën e emrave të vëllazërive e të vendeve

Skënder GASHI

VENERIME PËRMBYLLËSE

Në bazë të një interpretimi të pasaktë është shfaqur mendimi hipotetik, sipas të cilit paska mundësi që hapësira e sotme e Gorës, e ndoshta edhe e Opojës, të jetë përmendur që në gjysmën e dytë të shek. I p. e. s., përkatësisht në librin 43. 20. 1 të veprës Ab urbe condita të historiografit romak Titus Livius si Illyrici solitudines “Shkretëtirat e Ilirisë”, që do të duhej kuptuar si “krahina të shkretëruara të Ilirisë” dhe jo për “shkretëtira të Ilirisë”.

I besueshëm mund të mbetet porse paravendimi që në periudhën e sundimit romak të Dardanisë, përkatësisht të pjesës më të madhe të Kosovës së sotme, nëpër këtë krahinë do të ketë kaluar një rrugë dytësore (në krahasim me atë kryesoren Lissus Naissus), gjë që mbase e dëshmon edhe toponimi Shtatuli në krahinëzën shqipfolëse të Opojës, që rrjedh nga fjala latine statio, e trajtësuar me prapashtesën karakteristike të latinitetit ballkanik -ul që në këtë rast mund ta ketë edhe kuptimin deminutiv.

Dëshmia e parë e shkruar e përmendejes së Gorës mbase për si rajon më vete, porse pa kufij të përcaktuar saktësisht, rrjedh nga viti 1348. Për territor i mëvetshëm po me këtë emër, Gora është evidentuar edhe në të gjitha regjistrimet osmane-turke të kryefamiljarëve e të pronave gjatë shekujve XVI-XVIII.

Që nga vitet e ’20-ta të shek. 20, njësia mbase dikur unike etnografike e gjuhësore e Gorës është e ndarë me kufij politikë midis Kosovës e Shqipërisë dhe midis Kosovës e Maqedonisë. Së këndejmi, në pjesën kosovare të hapësirës gjuhësore të shqipes bien sot 19 katunde; në atë të rrethinave të Kukësit të Shqipërisë 9 dhe në atë të Maqedonisë 2 katunde, banorët e të cilave e quajnë, përkatësisht e mbajnë veten për goranë.

Një gjë që duhet mbajtur parasysh në këtë mes është rrethana që as në dokumetacionin kishtar serb të shek. XIV e as në defterë osmanë/turq të regjistrimit të kryefamiljarëve të shekujve 15-18, që edhe janë të vetmet nga të cilat do të mund të pritej një gjë e tillë, sikur të kishte pasur ndonjë emër etnik më vete i cili më vonë do të vazhdohej deri në ditë tonat, nuk përmendet shprehimisht ndonjë grup etnik me emrin goran/ë. Në të dyja këto lloje të dokumentacionit përmendet vetëm nocioni gjeografik Gora që përmbahet, vetëm një herë, edhe si emër i prejardhjes së ndonjë banori, jo porse si distinktiv i përkatësisë së tij etnike.

Rrethana e konstatuar më sipër tregon se atributi goranështë distinktiv që i shenjon ardhësit e quajtur në bazë të emrit Gora të regjionit ku u vendosën dhe se, fundja, emri goran nuk është, pra, kurrfarë distinktivi për përkatësi etnike, gjuhësore e religjioze më vete për banorët e vendosur aty (për këtë sh. më poshtë). Që ky fakt ka të bëjë pikërisht (edhe) me goranët, bëhet më e pranueshme edhe po u tërhoq një paralele p.sh. me popullatën fqinje shqipfolëse të Opojës e cila nuk e ka për emër etnik emrin e regjionit, por emrin e mirëfilltë nacional: shqiptar, e vërtetë kjo që vlen edhe për popullatën e viseve të tjera përreth të banuara kryesisht me shqiptarë.

Për t’u sqaruar mbetet koha e mundshme e ardhjes së popullatës së quajtur sot gorane në këtë hapësirë. Dokumenti më i vjetër dhe më përmbledhës që dihet deri më sot përkitazi me hapësirën që e banonte popullata e quajtur sot me emrin “goran” e Malësive të Prizrenit, Kukësit e pjesërisht edhe të Tetovës, rrjedh nga gjysma e parë e shek. XIV. Ky dokument është krisobula e sundimtarit serb St. Dushan e vitit 1348, përmes së cilës ai ia falte manastirit në ngritje të shenjtorëve Mëhill e Gabriel të Prizrenit edhe shumicën e katundeve të sotme të hapësirës që zënë krahinëzat e Gorës e të Opojës. Duke qenë se ky dokument nuk është regjistrim i popullsisë, porse një urdhëresë/dekret, në të cilën përcaktohen vetëm kufijtë e katuneve “tbaneve” dhe të katundeve që në atë kohë bëheshin pronë e manastirit të lartpërmendur, këtu ka krejt pak të dhëna përkitazi me antroponiminë e banorëve të këtij regjioni.

Duke qenë se gati të gjithë emrat e bashkësive blegtorale të gjakut në vijën mashkullore, përkatësisht emrat e katundeve e të vëllazërive apo barqeve të përmendura në dokumentin e vitit 1348 të kishës e të pushtetit serb në ekspansion janë ruajtur deri në ditë tonat po si emra aktivë/aktualë të vëllazërive ose në trajta të tyre të ngurosura nëpër mikrotoponime e lejon jo paravendimin, porse përfundimin e mbështetur, se edhe popullata e sotme bullgarofone e regjionit të Gorës jetonte në shek. XIV po në këtë regjion, ashtu si edhe popullata edhe sot shqipfolëse e krahinave fqinje të Opojës, Malësisë së Tetovës dhe të regjionit të Kukësit, përkatësisht që pararendësit e goranëve të sotëm ishin vendosur këtu shekuj përpara se të lindej dokumenti kishtar serb i vitit 1348. Një shembull tipik i kontinuitetit onomastik e territorial të një emri të dëshmuar në shek. 14 është emri Dikanoviki i familjes së priftërinjve të vitit 1348 (të cilët nuk kanë mundur t’i takojnë kurrnjë kishe tjetër përpos asaj ortodokse serbe) që është ruajtur tek emri i vëllazërisë së sotme Dikanovci, përkatësisht tek emri Dikance i katundit më vete, tek emri Dikovllëk në Lubizhdë dhe tek emri Dikaćenko i një mahalle-vëllazërie të katundit Brod të regjionit të Gorës si edhe kontinuiteti territorial emëror i mikrotoponimit mesjetar me prejardhje antroponimike potokb makočevski tek emri homonim i vëllazërisë gorane po në katundin Brod të Gorës (më gjerësisht khs. 2. Lënda onomastike historike për krahinat e Gorës e të Opojës dhe sidomos referencën 35). Konstatimi i shprehur më sipër përforcohet edhe nga rrethana që kjo vazhdimësi dëshmohet edhe në defterin osman-turk të regjistrimit të pjesërishëm të kryefamiljarëve të këtij regjioni në vitet 1451-1452. Një shembull për këtë është p.sh. antroponimi Shutko i kryefamiljarët të dëshmuar më 1451-1452 i cili është ruajtur deri në ditë tonat në mtp. Sutkarovo Gumno në Restelicë e mbase edhe tek emri Sutinicanë Brod të Gorës.

Autoktoninë relative të goranëve që e banojnë këtë hapësirë do ta dëshmonte edhe fakti që në këtë regjistrim osman ka disa vendbanime të këtij regjioni që nuk përmenden në dokumentin e vitit 1348. Ky fakt e dëshmon jo ardhjen e sërishme, porse rritjen e natyrshme dhe zgjerimin e natyrshëm territorial të pararendësve të goranëve të sotëm.

Përkitazi me lashtësinë e kësaj popullate në këtë hapësirë ka porse mendime të ndryshme. Teza më e përqafueshme nga shumica e dijetarëve që janë marrë me këtë çështje është ajo që pararendësit e goranëve të sotëm qenkan popullatë e ardhur. Për hapësirë nismëtare nga e cila këta u dyndën për në shpatije të Sharit merren malet e Rodopeve të shtetit të sotëm të Bullgarisë, por edhe nga Maqedonia e sotme, nga Greqia, përkatësisht Shqipëria e Jugut.

Pararendësit romanë ballkanikë/ vlleh të goranëve të sotëm si pjesë e një Romania në lëvizje, erdhën në hapësirën që e banojnë sot në kuadrin e lëvizjes në kontinuitet të barinjve trakas së pari të romanizuar e më pastaj të bullgarizuar gjuhësisht që në atdheun e tyre të kryehershëm.

Pararendësit ardhës të goranëve të sotëm nuk kanë mundur as të romanizohen e as të sllavizohen, bullgarizohen në atdheun e ri të rrethuar gjithandej nga shqiptarë. Kjo sepse në rastin e Gorës kemi të bëjmë me një hapësirë të populluar rrallë, të organizuar mbi bazën e vëllazërive, mbi bazën e lidhjes së gjakut në vijën mashkullore, në të cilat vështirë se mund të depërtonte elementi i huaj mashkull dhe së dyti pse kjo nuk ishte zonë e banuar me sllavë, porse me shqiptarë e ndoshta edhe me pak vendës të romanizuar, përkatësisht me “ vlleh” vendës.

Karakterin vllah të mesjetës së vonë të pararendësve të goranëve të sotëm e tregon mungesa e kontinuitetit në të folmen dhe në onomastikën e tyre e leksikut të mirëfilltë të latinishtes popullore/vulgare, gjë që sqarohet me të vërtetën e njohur gjithandej që elementi sllav i Ballkanit s’ka histori të antikës, por vetëm të mesjetës, prandaj as tek popullata gorane nuk gjendet ndonjë emërtim apo leksemë nga latiniteti ballkanik që nga sllavishtfolës, çfarë në antikën ilire-romake as që kishte në këtë zonë, do të ishte trajtësuar sipas veçorive fonetike të sllavishtes.

Se goranët e sotëm ishin vlleh të ardhur në këtë hapësirë e tregon edhe ruajtja deri në ditë tonat e emrave të vëllazërive gorane të formuar sipas modelit të vllehve të hapësirës së Jugut të Ballkanit. Të këtillë janë p.sh. emrat: tudorč dolb i një lugu që përbënte kufirin midis bjeshkës së katundit Radesh të Gorës dhe regjionit të Opojës; një pikë tjetër e kufirit të kësaj bjeshke e quajtur Milšor dhe vendi tjetër i quajtur Milšin katund i cili mbase mund të identifikohet me pjesën Milčeva bačila të kullotave të katundit Brod. Toponimi i parë (tudorč dolb) është i tipit antroponimik. Në këtë emër vendi ruhet antroponimi i gjithkrishterë me origjinë greke Θεόδωρος Theódoros në trajtën karakteristike rumune, vllahe të tij Tudor; në toponimin e dytë ruhet një trajtë e shkurtër e një baze antroponimike sllave Mili zgjeruar këtu me prapashtesën karakteristike vllahe të përkëdhelisë -šor që ndeshet edhe në mikrotoponime të tjera vllahe të Kosovës të emërtuara nga vllahishtfolës dhe është njëkohësisht edhe prapashesë e shqipes e hyrë nga rumanishtja. (khs. emrin e zhdukur Skokšor të një ujvarje në rrethina të Istogut, të përmendur që në fillimet e shek. 13; emrin Dabšor të një vreshti në rrethina të Prizrenit që përmendet në vitet 1198-1199; emrin e vjetër Vinishor të katundit të sotëm Nishor të Suharekës; emrin Brajshor të vëllazërisë në katundin me emrin po ashtu vllah Sharban të Prishtinës; emrin Nekshor, i shënuar në shek. XVI për katund më vete e lagjes/vëllazërisë së sotme të katundit Prapashticë të Prishtinës e ndonjë tjetër). Kjo prapashtesë e rumanishtes dëshmohet edhe në emrin e një truallishte të qajtur Srbšor që për në hapësira të Maqedonisë së sotme përmendet në vitin 1332.

Se këto mikrotoponime, që e dëshmojnë praninë e elementit roman ballkanik, përkatësisht vllah nuk janë të rastit, e tregon rrethana se edhe sot ka ndër emra vëllazërish të goranëve sish me prejardhje vllahe. Të këtillë janë p.sh. emrat Surdulovci në katundin Rapçë nga rum. surd-ul “i shurdhët”; Çuçulovci, nga rum. cucul“qyqe” Ursulovci nga rum. ursa “arushë”; Muševci (khs. antroponimin vllah Muçat, emrin e vëllazërisë Muçateçtitek rumunët dhe emrin e katundit Mushtisht të Kosovës) që rrjedh nga mbiemri sinonim muçat “i bukur” i mbiemrit bucur, përkatësisht a se bucura “i lumtur, gazmor” i rumanishtes e ndonjë tjetër.

Ndryshe qëndron puna, në këtë rrafsh, me popullatën shqipfolëse të krahinës së Opojës në të cilën ndeshen fjalë si kurt,-i “oborr i thurur me mur apo me gardh; 2. kopsht” nga lat. ballkanike curtis, e dalë nga cohorse kjo nga co(cum) dhe rrënjës hortus “kopsht”. Kjo fjalë e dalë nga përdorimi në latinitetin dalmat që në shek. 12, e ka ruajtur në të folmen e Opojës vlerën kuptimore të kryehershme të oborrit, pikërisht ashtu siç është ruajtur në frëngjishten, rumanishten e në greqishten e re, përkatësisht vlerën që e kishte curtisi latinitetit ballkanik si dhe fjalën burg-ue cila në këtë zonë e ka kuptimin e bartur “vath; vath rrëzë mali; rrënzë shkëmbi” dhe rrjedh nga lat. burg, burgus me kuptimin “mal, kurriz mali, gungë shkëmbore”

Ky fenomen ka ndodhur edhe tek mikrotoponimi opojar Kilikerja (nga lat. calcaria“gëlqere” me të njëjtin kalim të c/k të lat. në g si edhe tek lat. castania, shq. gështenjë) dhe tek mikrotoponimi opojar Udha pukë në katundin e sotëm Zgatar të Opojës që rrjedh nga një *Via publica e latinitetit ballkanik. Në të mirë të pranisë së një popullate shqiptare të vërshuar nga elemente romane ballkanike do të fliste edhe trajtja e ruajtur deri në ditë tonat e mikrotoponimit latin-ballkanik si Shtatuli; e emrit Blaq të katundit opojar (nga antroponimi me prejardhje latine Blasius) dhe e katundit Kapre (nga lat. capra “dhi,-a”) që tregojnë se shqiptarët autoktonë i trajtësuan e ruajtën ato fjalë e emra vendesh me origjinë nga latiniteti ballkanik (pjesë e të cilit ishin edhe këta vetë) në harmoni me ligjet fonetike të shqipes si në gjithë hapësirën etnolinguistike të shqiptarëve. Në dritën e ç’u tha më lart rezulton që as varianti goran i mikrotoponimit *Statio në trajtën Statuljtë latinitetit ballkanik, nuk do të mund të merrej për ndonjë dëshmi e kontinuitetit sllav të një emri antik, porse trajtë të cilën pararendësit vlleh të goranëve të sotëm do ta kenë adaptuar nga trajta shqipe Shtatul, që edhe dëshmohet tek mikrotoponimi homonim në katundin Blaç të shqiptarëve të Opojës. Kjo rrethanë do të tregonte që pararendësit romanë ballkanikë të goranëve të sotëm ishin bartës të një gjuhe në të cilën elementet latine ballkanike u zhvilluan ndryshe në krahasim me atë në shqipen. Dhe kjo do të jetë gjuha e trakasve të romanizuar, përkatësisht e romanëve/ vllehve ballkanikë. Në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me fenomenin e shprehur figurativisht nga dijetari gjerman Gotfried Schramm e një vazhdimësie të lëvizshme të latinitetit ballkanik nga blegtorë romanë të Ballkanit, përkatësisht me një “Romani ballkanike të barinjve”.

Ata nuk u sllavizuan pra në atdheun e tyre të ri edhe për faktin që nuk erdhën me hope, porse përnjëherë si kolektivitet. Këta erdhën pra në këtë hapësirë me identitet të formuar gjuhësor, si bullgarishtfolës, nga hapësira gjuhësore e bullgarishtes. Po të mos ndodhte kështu, do të ishte e vështirë të shpjegohej arsyeja përse e folmja aktuale e goranëve është një variant i bullgarishtes. Sikur këta të mos kishin ardhur si grup i formuar gjuhësor që në atdheun e kryehershëm të tyre, përkatësisht sikur kjo ngulitje të mos ishte masive, vështirë se do të mund të sqarohej rrethana përse kjo popullatë, e vendosur në një ambient të rrethuar nga të katër anët nga popullata autoktone shqipfolëse, nuk e mori gjuhën shqipe, përkatësisht nuk u shqiptarizua e as nuk u serbizua, siç ndodhi gjithandej nëpër Kosovën e sotme ku vëllazëri të veçanta që ishin ngulitur në ambiente shqiptare dhe kishin sajuar të ashtuquajturat katune vllehsh të cilat kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit dhe në krahinën e Drenicës shumë shpejt u shqiptarizuan, ndërsa në Rrafsh të Kosovës, në krahinat e Llapit, Gallapit, të Moravës e të Karadakut pjesërisht edhe u serbizuan.

Në filologjinë sllave (bullgare, maqedonase, serbe) çështja e prejardhjes së goranëve nuk ndiqet më thellë e më larg se harku kohor midis shek. 10-12 dhe lidhet vetëm me herezinë armene të përhapur së pari tek popullata e Bullgarisë dhe e quajtur bogumilizëm. Ky është pra harku kohor i lindjes dhe i përndjekjes së lëvizjes bogumile (më gjerësisht për këtë sh. nënkapitullin 4. 2.) në e nga Bullgaria, nga Maqedonia e Selanikut dhe nga Maqedonia e Vardarit e ndoshta edhe nga Serbia.

Në relacion me kishën e me pushtetin serb dhe me banorët serbë çfarë në zonën e Sharit nuk pati asnjëherë, banorët e regjionit të Gorës janë autoktonë relativë, përkatësisht të vendosur para shtrirjes këndej të pushtetit serb. Më mirë se gjithçka tjetër këtë e tregon varianti bullgar i të folmes së banorëve të kësaj krahinëze. Bullgarishtja, nga ana tjetër, nuk ka mundur të jetë gjuhë e vendit e kësaj hapësire porse vetëm gjuhë e “kolonëve” në rastin tonë e blegtorëve vlleh bullgarishtfolës dhe jo e “bullgarëve” etnikë siç ia ka ënda të besojë filologjia bullgare. Në kontekstin historik, e folmja e banorëve të regjionit të Gorës nuk ka mbështetje të mbahet për e folme maqedonase, sa kohë që jo vetëm atëherë, por madje as sot nuk pranohet për gjuhë më vete “maqedonase” një e tillë që u farkua kryesisht për shkaqe politike.

Po u pat parasysh konstatimi që pjesa dërmuese e vllehve, duke qenë blegtorë transhumanë, ishin gjithmonë e kudo bilingualë, sidomos burrat, e në të shumtën e rasteve edhe u asimiluan, do të rezultonte që pararendësit e goranëve të sotëm e sollën me vete bullgarishten jo si gjuhë të dytë, porse si gjuhë të komunikimit, ndërsa veçorinë etnike vllahe e ruajtën me pak fjalë vendëse dhe me më shumë emra familjarë që u kishin shpëtuar procesit të bullgarizimit.

Arsyeja e parë përse në atdheun e ri nuk u zhvillua procesi i asimilimit të ardhësve vlleh bullgarishtfolës në shqiptarë është mbase në rend të parë rrethana që këta ardhës do të kenë zënë vend këndej si grup relativisht kompakt në një hapësirë bjeshkësh të banuara rrallë nga popullata vendëse shqiptare, e pranishme ndoshta vetëm me kullota e tbane, e romanizuar thellë, mbi të cilën (hapësirë) elementi ardhës pati mundësi jo vetëm ta ruajë mëvetësinë gjuhësore e etnike porse, madje, edhe ta bullgarizojë ndonjë vëllazëri shqiptare që mund ta kenë gjetur në atë zonë. Ky paravendim mund ta ketë për mbështetje ruajtjen e disa toponimeve me prejardhje nga latiniteti ballkanik në hapësirën e krahinëzës fqinje të Opojës.

Arsyeja e dytë që ndikoi në ruajtjen e mëvetësisë së pararendësve të goranëve është rrethana që këta nuk gjetën në këtë zonë një institucion të fortë kishtar të asnjërit nga dy ritet e krishterimit, gjë që ua mundësoi ta vazhdojnë jetën si paganë, përkatësisht si ithtarë të dogmës së bogumilizimit.

Pararendësit vlleh të bullgarizuar të goranëve të sotëm do të jenë ngulitur në hapësirën e Gorës (në Kosovë e në Shqipëri) gjatë periudhës së pushtimit/sundimit bullgar të Kosovës së sotme në shek. 10-12. Sikur kjo masë vllehsh të ishte e ardhur më vonë, do të pritej që kjo ardhje të shënohej në anale jo vetëm të kishës bizantine, porse edhe në sosh të asaj serbe. Në të mirë të paravendimit të mësipërm duket se flet edhe rrethana që megjithë shtrirjen së pakut të përkohshme të kishës serbe mbi këtë regjion në shek. XIV, pikërisht vetë kjo administratë kishtare, pushtuese, i gjeti e prandaj edhe u bartën, u ruajtën deri më sot, pothuajse të gjithë emrat e vendeve e të vëllazërive me prejardhje vllahe, që janë shënuar në ato burime. Në këtë mes është për t’u vërejtur rrethana që në shkrime kishtare serbe të cilat kanë të bëjnë me Gorën, asnjëherë nuk del nocioni vlah as në kuptimin etnik e as në atë të “barinjve”. Kjo mbase sepse elementi vllah i bullgarizuar kishte ardhur në këtë zonë para shtrirjes jetëshkurtër të pushtetit, përkatësisht të kishës serbe në këtë zonë. Lashtësinë e ngulitjes së vllehve para pushtimit/sundimit serb të dinastisë së Nemanjidasve të Raška-s/Rashës në krahinën e sotme të Gorës sikur e ilustron shumë mirë rrethana që administrata e kishës pushtuese serbe me shtrirje (në rastin e Gorës) shumë të dobët të saj, regjistronte në vitin 1348, megjithatë, oikonime e mikrotoponime me prejardhje të latinitetit ballkanik/vllah që rrjedhin nga kohëra më të mugëta se ngulitja e kishës dhe e pushtetit serb në gjithë Kosovën e sotme, e pra edhe në regjionin e Gorës.

Komponentë vendimtare që dëshmon se pararendësit vlleh të goranëve ishin folës të bullgarishtes është e folmja e sotme (bullgare) e popullatës së këtij regjioni. Kjo e folme përmban dy veçori shquese fonetike e morfologjike të bullgarishtes: kalimin e zanores τ> të bullgarishtes së vjetër ( = sllavishtes së vjetër) në o dhe të gjysmëzanores b në e si edhe në bullgarishten e vjetër dhe jo në a si në serbishten e vjetër. Fenomeni i ndryshimit të a > o në të folmen e goranëve, që dëshmohet edhe në huazimet më të moçme të shqipes është, siç mësohet nga dija e gjuhësisë sllave, jo më i vjetër se shek. 9. Përveç kësaj, karakterin bullgar të së folmes së Gorës e dëshmon edhe ruajtja deri në ditët tona e kategorisë së shquarsisë së emrave në këtë të folme, cilësi kjo që në Ballkan e kanë vetëm shqipja, rumanishtja e bullgarishtja, përkatësisht maqedonishtja, jo porse edhe serbishtja e aq më pak varianti boshnjak i saj. Së këndejmi, të gjitha pretendimet që e folmja e goranëve të nxirret për e folme serbe, maqedonase apo, që është madje edhe qesharake, boshnjake, duhet të mbahen vetëm për teza të politizuara të cilat nuk kanë vend në vathin e dijes objektive të gjuhësisë.

Nga aq burime sa ka për këtë regjion, mësohet se emrat e sotëm të vendbanimeve të këtij regjioni janë po ata që dëshmohen më 1348 dhe këta emra nuk janë shënuar në atë burim në trajtat bullgare të tyre, porse në sosh serbe. Sado që në dokumentin e vitit 1348 nuk ndeshen mikrotoponime me prejardhje bullgare, mundësinë që banorët e kryehershëm të kësaj krahine e flisnin bullgarishten do ta tregonte fakti i pamohueshëm që disa nga mikrotoponime të dëshmuara në vitin 1348 në trajta serbe të tyre janë ruajtur nga vendësit deri në ditë tonat në trajtat bullgare të tyre. Kjo rrethanë do të tregonte se procesi i serbizimit librar të toponimisë së këtij regjioni, si edhe në gjithë hapësirën gjuhësore të shqipes, kishte përfunduar para shek. 14.

Qenien bullgare të mikrotoponimisë së Gorës edhe në kohën e lindjes së dokumentit të kishës serbe, përkatësisht karakterin bullgar të së folmes sllave të goranëve si edhe të kolonëve bullgarë të rrethinës së Prizrenit e dëshmojnë jo krejt tërthorazi edhe trajtat bullgare të disa emrave të vendbanimeve të vetë regjionit të Gorës si Globočica, Krstec, Shishtavec, Košarišt të përmendura në burimin e vitit 1348, disa oikonime të rrethinave të Prizrenit, si Nashec, Tupec, të Suharekës si Rahovec, Sallagrazhdë e madje edhe të Klinës si Bubavec e të Kamenicës Zajçec që përmenden nëpër burime kishtare serbe të shek. XIII-XV. Kjo rrethanë do ta përligjte bullgarishten jo vetëm për gjuhë të goranëve, porse edhe rolin e saj si gjuhë dhënëse e sllavizmave më të vjetra të shqipes së folur në Kosovë dhe pushtuesin më të vjetër sllavishtfolës të hapësirës etnolinguistike të shqiptarëve.

Gjykuar mbi bazën e të dhënave onomastike, sado të pakta, nga defterë osmanë-turq të shek. 15-16, del për pothuajse e vërtetë e palëkundshme që pararendësit e goranëve të sotëm nuk erdhën këndej as si “bullgarë”, as si “maqedonas” e as si të islamizuar, porse u islamizuan në hapësirën që e banojnë sot ashtu si edhe popullata shqiptare që krahinëzën e Gorës dhe popullatën e saj e rrethon, thënë thjesht, nga të gjitha anët e horizontit.

Komponentja myslimane, si formë rezistence e goranëve për të mos u deklaruar shqiptarë, bullgarë, maqedonas, e aq më pak serbë (sado që ka të tillë që deklarohen për serbë, maqedonas, turq, të papërcaktuar etj.) bënë që goranët të jenë entitet shumë i lakmueshëm, i gatshëm edhe ky vetë të bie nën ndikimin e politikave të ditës. Kjo shihet më së miri kohëve të fundit kur kjo popullatë, e ngopur nga propagandat maqedonase e serbe, po deklarohet për boshnjake. Në këtë kontekst, krerë lojalë, më së shumti mësues, të hutuar të goranëve shfrytëzojnë, edhe kundër njëri-tjetrit, privilegje të pritura p.sh. nga Bullgaria për marrjen e vizave të BE-së edhe formimin në perspektivën iluzore të një shteti të madh të myslimanëve në Ballkan, i cili nën patronatin e Bosnes do të përfshinte Bosnjën, Sanxhakun, pjesët myslimane e boshnjake dhe shqiptare të Malit të Zi, gjithë Shqipërinë, Kosovën e pjesën shqiptare të Maqedonisë.

Teza e lidhjes së prejardhjes së popullatës së Gorës me boshnjakët nuk është më e moçme se 15 vite dhe është, vështruar politikisht, e pandashme nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Në deklarimin për boshnjakë të një pjese të popullatës së Gorës do të ketë ndikuar mbase në rend të parë përkatësia fetare islame e popullatës së këtij miniregjioni, me ç’rast nuk është marrë fare në konsideratë rrethana që banorët e Gorës e flasin një gjuhë të variantit sllav i cili (variant) nuk ka ndonjë lidhje gjenetike me variantin boshnjak të serbishtes, përkatësisht të kroatishtes. Mbase duke e heshtur faktorin e propagandës, deklarimi i një pjese të goranëve për boshnjakë arsyetohet p.sh. nga autori S. Idriz me rrethanën që “procesi i formimit të kombeve i nisur në Ballkan në shek. XIX po vazhduaka edhe sot e gjithë ditën.” Në këtë kontekst më duket i drejtë reagimi i autorit Samir Velija sipas të cilit goranëve ua imponuan termin boshnjak, të cilin goranët e refuzuan, ashtu siç do të vepronte secili njeri që e heton se me terma që atij nuk i janë fare të njohur po i kërcënohet me të fortë identiteti. Kjo aq më parë që goranët as që paskan ditur gjë përkitazi me boshnjakët e aq më pak për ndonjë përkatësi imagjinare të tyre grupit të etnik të boshnjakëve. Në rrafshin gjuhësor, ky autor vëren më tej, edhe që “gjuha e bashkësisë gorane i ngjet më fort maqedonishtes, por që duke mos qenë e standardizuar, hapësira për manipulime mbetet e gjerë.” Ky autor shton edhe konstatimin se kjo propagandë po i shtynë goranët drejt boshnjakizimit, sado që deri vonë goranët s’dinin gjë për boshnjakët, prandaj autorit tonë i ka rënë jo rrallë të dëgjojë: “unë nuk mund të jem boshnjak, sepse nuk e kam nështetësinë e Bosne-Hercegovinës”.

Skënder GASHI, “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, AShAK, Prishtinë, 2015.
(Fotografia në ballinë: Skënder Gashi / Dialogplus.ch)

Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris më 1919

Shqiptarët e të drejtat e tyne

(100 vjetori 1919 – 2019- fjalimi “Shqiptarët e të drejtat e tyne” në Konferencen e Paqës)

Zotnij

Ç’ me kohë të Luftës turko – ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së 1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë t’ anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër si me miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese, se do të mund të nxirrshin ma kurr atë pre të lotueme prej çapojve të tyne rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak.

Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogel që të ishte, do të kishte të drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të përparshme, do t’ u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila per së shpejti do t’ u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata, ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë boten, ata ia kishin hy një lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut në daç për mjete, me të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna.

Në këto fjalë të tyne u trand Shqipnia gëzimit, e me shpnesë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve që asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej, që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun, ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që t’u delte zot të drejtave të saj.

Veç shka se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.

Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në rrezik pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te. E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej.

I

Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurr të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë. E pra, sa kavaljete nuk gjimuen mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta. Po; bash ky popull i paperkulun kurr, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë boten nën kambë të nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat e Romës para nji Burri.

E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit. Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?

Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët!

Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni e t’nji trashigimi të pakputun etnik ka tager me nda vetë per vedi shartet politike, ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetem mund të levdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombsi kryekëput të ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare.

Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ ia njofin Shqipnisë pamvarsinë, si dhe siperaninë e vet. E njimend: e po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar?

A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë frymë? E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij? Apo asht Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk i asht perkulun nji force të huej? Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni, por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë; njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji që rrëshet mbi shpinë të rosës”. I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, – kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue de deux Mondes”, shkruen “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar, bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.” Për liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, – e këto, jo vetëm në Shqipni, por edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij.

Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’ rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?

Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje. Nji fllad i ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut, që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira se Atdheu gjendet në rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ ia lëshonte anmikut, po s’ e lau para të tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nen kambë. Gjaku rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia kishte hy luftës me Shqiptarët. Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve.

Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue zmadhue punët, me qellim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka nder libra të randë kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’ Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë.

Por mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin. – Këtu, disi për rrëshqit, due t’ ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjeter punë. Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen e Europës. E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush tjeter shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja per liri e pamvarsi të kombit vet! Por unë shpnesoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në ç’ hall ka vojtë Europa mbas kater vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet.

E mos kujtoni, Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej zgjedhës së sajë, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’ asgja të drejtat e tija. Edhe pamvarsia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo, po, Greqinë e kanë lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.

Edhe konstitucioni i Turkisë kje nji veper e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar.

Shqiptarët, po kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta perdhosin dhe ta çorodisin vetë konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e jo per të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, – tue pa se nëper autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë, çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare per lirimin e popullit kristjan prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë rrenimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, per me e rrenue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar!

Arsyeja pra, pse kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shof, Zotnij, se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvedi! Por shka ti bajmë punës, janë faktet që më japin arsye! Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qinda mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912 kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qinda e qinda katunde, veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare, mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çfutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore. Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar! Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet, atbotë kur ky t’ ishte i zoti: si me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë. Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Kombi Shqiptar ka tager me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie: Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona.

II

Deri këtu kumbona jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen me i kamuflue pretenzionet e veta mbi Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë thëmelohet , si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.

Thonë, pra, anmiqtë tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët janë:

a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,

c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe krejt i pamvarun.

E dij, se unë jam tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve.

Pra, simbas mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne, lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë.

Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda mija rob të ramë në dorë, – e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të pamvarun e të lirë; – po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije, ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!

Kongresi i Versajës me 1919

Serbët, në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera (kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshem?

Por, edhe me pasë për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan t’ Amerikës, si e kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. – Atëherë kur populli francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë, se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’ ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në 1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë. Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri, as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore, numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Por këtu tash, vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët… e tyne, duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej Shpirtit të këtij Kombi.

Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas Kanunit, po t’i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit, ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit.

Po gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter, tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe, veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Per mos me i dhanë shkas pra, nji luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, – i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë, Sulltani i Stambollit.

Shqiptari pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë. Nëse duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit, nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore.

Stanaj publikon këngën e re “Love Me”

Albert Stanaj ka publikuar projektin më të ri muzikor.

“Love Me” titullohet kënga e re e tij, të cilën nuk e ka shoqëruar me videoklip.

Para lansimit të këtij projekti, Stanaj u shpreh se ky është projekti më i veçantë për të deri më tani.

Alberti deri më tani ka sjell një sërë projektesh që u mirëpritën nga publiku si “The Way I love her”, Romantic”, “Ain’t love strange” e të tjera.

Stanaj po ashtu gjithnjë ka treguar se ka një shoqëri me reperin Chris Brown, dhe ai ka thënë se Chris ka qenë një ndër artistët e mëdhenj që e ka mbështetur shumë edhe në rrjete sociale.

Kujtojmë që këngëtari vitin e kaluar ishte në Kosovë në festivalin “Sunny Hill”, i cili dhuroi një performancë të ‘zjarrtë’ para qindra njerëzve. /Telegrafi/ KultPlus.com

Flaka Haliti në bashkëbisedim me kuratoren Leonie Radine


Qendra Multimedia organizon bashkëbisedim mes artistes kosovare Flaka Haliti dhe kuratores gjermane Leonie Radine.

Ky bashkëbisedim do të shënojë përmbylljen e takimeve ballë-për-ballë të dy artisteve me artistë të rinj vendorë në Kosovë, në të cilat ata kanë pasur mundësinë të marrin këshilla për projektet e tyre artistike.

Në këtë bashkëbisedim, dy artistet do të flasin për artin bashkëkohor në përgjithësi si dhe për bashkëpunimet e tyre të mëparshme dhe ato në të cilat janë duke punuar aktualisht.

Bashkëpunimi i dyshes ka filluar në vitin 2018 me ekspozitën “KËTU – APO ATJE, ËSHTË MË ATJE” të Halitit në Galerinë Kombëtare të Tiranës, dhe vazhdon me ekspozitën e ardhshme “KËTU DHE TANII” në Muzeun e Ludwig: Transcorporealities në Kolonjë.

Në punët e saj, Haliti përzien estetikën me objekte të ndryshme të përditshmërisë, në mënyrë që të eksplorojë horizonte, agjenci të mundshme dhe figuracione alternative përtej kufijve strukturorë dhe politikë, koncepte të thjeshta të përkatësisë dhe projeksione që lidhen me identitetin. Praktika e saj ndërdisciplinare kërkon për diversitetdhe lëvizje të pozitës së çfarëdo objekti si dhe ndërvarësive brenda për brenda një rrjeti kompleks të marrëdhënieve të pushtetit.

Ky bashkëbisedim do të mbahet të shtunën më 29 qershor, me fillim nga ora 18:00.  / KultPlus.com

“Beerfest Kosova” vjen me edicionin e nëntë, pritet të jetë madhështor

Festivali tradicional i Birrës “Beerfest Kosova”, vjen për herë të nëntë në Prishtinë më shumë birra dhe me një program artistik të një festivali spektakular ndërkombëtar.

Beerfest Kosova 2019, do të mbahet në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë, në të njëjtin lokacion ku janë mbajtur edhe edicionet e fundit.

Sipas kompanisë MODUS (organizatore e Beerfest), sivjet adhuruesit e birrave do të kenë një mundësi unike që përveç kënaqësisë dhe freskimit me birrat më të mira vendore dhe ndërkombëtare, të shijojnë edhe nje program artistik që i konkuron festivaleve më të mëdha të muzikës në Rajon.

Beerfest Kosova i përket një formati argëtues dhe promovues ku qytetarët për 5 netë me radhë mund të argëtohen me program të mrekullueshëm artistik dhe duke shijuar birra nga më të ndryshmet me çmime promovuese.

Sipas Ekrem Tahirit, nga MODUS Events, si edhe në vitet e kaluara, rëndësi të madhe do ti kushtohet rregullimit të hapësirës dhe në veçanti skenës dhe Programit Artistik. Sivjet do të ketë mbi 20 artistë dhe bende që do të përformojnë në 5 netët e BeerFest dhe emrat e tyre janë shumë të dashur për audiencën Kosovare.

“Programi artistik i kompletuar do të publikohet me 10 Korrik, por do të kemi artistë ndërkombëtar dhe vendorë. Ajo cka mund të shpalosim në këtë moment është që Beerfest do të hapet me këngetaren e mirënjohur Dhurata Dora në përcjelljen e DJ Bannzz të mërkurën me 24 Korrik kurse do të përmbyllet me Red Hot Chili Peppers European Tribute të dielën me 28 Korrik”, bëri të ditur, Ekrem Tahiri nga MODUS Events.

Përveç muzikës e birrave të ndryshme, këndit të ushqimit e pijeve jo-alkolike, vizitorët do të kenë rastin të jenë pjesë e lojërave të ndryshme, të cilat ndihmojnë në realizimin e atmosferës festive dhe verore.

Beerfest do të jetë aktiv nga ora 17:00 ku do të ketë shumë lojëra dhe gara të ndryshme me birra. Për ekipet fituese do të ketë shpërblime mjaft të mëdha, që do ta bëjë edhe më interesante këtë edicion. Të gjitha këto do të publikohen me 10 Korrik kur edhe do të hapen konkurse, kështu njoftojnë përfaqësuesit e BeerFest.

Ky festival ka për qellim që qytetarëve të izoluar të Kosovës, të ju ofroj argëtim madhështor me një kosto shume të ulët dhe të përballueshme për qytetarët tanë.

Më shumë informata rreth agjendës së Beerfest dhe aktiviteteve të cilat do të organizohen ato dite, do të jepen në ditët në vazhdim përmes mediave sociale dhe elektronike. / Telegrafi / KultPlus.com

Themelohet qendra e certifikimit ‘Dante Alighieri’

Në Kosovë për herë të parë është themeluar Qendra për Certifikim “Dante Alighieri”, e cila do t’i certifikojë të gjithë ata që njohin gjuhën italiane me certifikatën “Plida” që njihet në Itali dhe gjithë botën.

Çdo vit mijëra njerëz në mbarë botën vërtetojnë njohuritë e tyre të italishtes me testet “Plida” dhe marrin një certifikatë të njohur nga shteti italian dhe të vlefshme në mbarë botën. “Plida” organizon provimet katër herë në vit dhe komisioni përbëhet nga: Giovanni Polliani, Arjeta Berisha, dhe Chiara Laura Bonetti.

Studentët që kalojnë testet marrin certifikatën “Plida” të nivelit përkatës. Ndërsa, për t’u regjistruar për provimin e testit “Plida” nuk ka kufizime të moshës. Secili kandidat mund të zgjedhë nivelin përkatës dhe nuk është e nevojshme që të ketë kaluar nivele më të ulëta.

Po ashtu secili kandidat zgjedh nivelin që ai ose ajo e konsideron më të afërt me zotërimin e gjuhës italiane dhe gjithashtu mund të regjistrohet në disa nivele brenda të njëjtit sesion.

Kalendari për provimet e organizuara, i vlefshëm në mbarë botën gjendet në www.plida.it.

Çfarë ju duhet certifikimi “Plida”: Për leje qëndrimi (nga niveli A2) (dekreti i presidentit 179, i datës 14 shtator 2011); për leje qëndrimi të gjatë (dekreti ministror, 4 qershor 2010), transmeton fakteplus.

Regjistrimi në universitetin italian pa u nënshtruar provimit të gjuhës italiane (niveli C1) (info: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/); të përjashtoheni nga provimi italian për licencën dygjuhësore në Trentino Alto-Adige (dekreti presidencial 86, i 14 majit 2010); paraqitja në mënyrë transparente të nivelin tuaj të njohurisë italiane, në CV.

Lumbardhi prezanton programin e filmave nga “Retrospektiva e Želimir Žilnikut”


Realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me një përzgjedhje prej njëmbëdhjetë filmave të shkurtër e të gjatë nga regjisori serb Želimir Žilnik, programi i filmit do të shfaqet nga data 3-27 korrik, çdo të mërkurë dhe të shtunë te Lumbardhi.

Përzgjedhja e filmave nga karriera e viteve të fundit të regjisorit serb Želimir Žilnik, State of Exception: Retrospektiva e Želimir Žilnikut, përfshin trembëdhjetë filma nga arkivi i punës së regjisorit që do të shfaqen gjatë një aktiviteti njëmujor në kinemanë Lumbardhi.

Duke filluar nga 3 korriku, programi fillon me krijimet e Žilnikut të përgatitura nga një periudhë kundërthënëse dhe e shpërbërjes sociale të Jugosllavisë, ku socializmi ekzistues doli në pah nëpërmjet turbulencave nacionaliste në rritje dhe dhunës shtetërore. Rregullat e jashtëzakonshme që nga atëherë tregojnë se “gjendja e përjashtimit” në të cilën është jetuar, ishte në të vërtetë, përjashtim. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ku realiteti kulturor dhe politik ishte nën hegjemoninë e “Perëndimit” liberal, kriza e refugjatëve dhe përhapja e madhe e ndasive (mureve), kufijve dhe dhunës policore u bënë manifestimi më i dukshëm i këtij përjashtimi të pafund.
Duke trajtuar drejtpërdrejt të përndjekurit, që ishin të paracaktuar të mbeteshin të padukshëm në kontekste të ndryshme historike dhe politike, Žilnik filmoi këto popullata “të përjashtuara” dhe ekzistencën e tyre spektrore në shoqëri për më shumë se 50 vjet. Praktika e tij e filmit është dëshmi se puna në një kontekst të tillë kërkon një angazhim politik me situata bashkëkohore i cili nuk është i mundur brenda territorit të kinemasë zyrtare me buxhet të lartë.

Që nga fillimi i karrierës së tij të filmit, Žilnik, në mënyrë provokative, i trajtoi të lënët pas dore dhe të papunësuarit gjatë sistemit socialist jugosllav, ku shpejt pas ballafaqimit me çështje të censurës në Jugosllavi, i kaloi vitet e mesit të të 70-ve në Gjermani. Pas kthimit në Jugosllavi në të 80-at dhe xhirimet në vitet pas 2000-tës, ai trajtoi tema të dhunës politike, refugjatëve dhe emigracionit në Evropë, duke reflektuar në jetërat e shkatërruara nga kjo gjendje e përjashtimit të përhershëm.

Paralelisht me filmat e përzgjedhur, Žilnik do të organizoi një punëtori dyditore ku do të shpjegojë metodat dhe angazhimet e tij me praktikën e filmit politik dhe vështirësitë që ky lloj filmi bart me vete. Gjatë pjesës së dytë, ai do të paraqesë filmin e tij më të fundit Among the People: Life & Acting (2018), i cili përmbledh kujtime dhe komentime nga aktorë joprofesionistë me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë” të kombinuara me filmime të ekipit i cili angazhohet në filmat e Žilnikut. Filmi do të përcillet me zhvillimin e një diskutimi.

Programi i filmave është bërë i mundur përmes programit ‘Kulturë për Ndryshim’ që financohet dhe menaxhohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të zbatuara nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e organizatorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Të gjitha shfaqjet janë pa pagesë dhe shfaqen në gjuhën origjinale me titra në gjuhën shqipe dhe atë angleze. / KultPlus.com

Shqiptari shpëton të dehurin nga vdekja e sigurt nën rrotat e trenit në Zvicër

I riu guximtar tregon se ishte duke shërbyer një blerës kur e kishte parë një burrë duke u lëshuar poshtë, te binarët. Ai kishte vrapuar menjëherë dhe e kishte kapur personin në fjalë.

Sërish një shqiptar dhe sërish punonjës i kioskut të njëjtë të pjekurinave (xhevrekëve) “Bretzel König” në stacionin hekurudhor Stadelhofen të Cyrihut, shpëton një njeri nga treni, duke e nxjerrë nga binarët. Fjala është kësaj here për Valon Rufatin, shef i këtij kiosku, shkruan albinfo.ch. Më parë, së paku dy herë, jetë njerëzish ka shpëtuar Senat Iseni, shqiptari nga Shkupi, i cili punonte po këtu.  Ai kishte qenë pastaj në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin prestigjioz për guximin qytetar, në nivel të Zvicrës.

Kiosku tashmë i njohur është i vendosur fare pak metra nga binarët e trenit të stacionit hekurudhor Stadelhofen, ndër më të frekuentuarit jo vetëm në Cyrih.

Heroi i ditës në Cyrih, Valon Rufati, ka shpëtuar të martën që shkoi një person të dehur që kishte dashur të zbriste në binarë për të marrë nga aty një xhaketë, shkruan 20minuten.ch. Sipas Rufatit, në këtë pikë ndodhin eksese të ngjashme në vazhdimësi.

“Unë gjithmonë e mbaj një sy në drejtim të binarëve, kur jam duke punuar. Ai thotë se pak kohë më parë një i ri kishte dashur madje të flinte mbi shina.

Ja si ka ndodhur rasti më i ri. “Unë po prisja rreth orës 7 te peroni nga po vinte treni S6 në drejtim të Badenit, kur papritur një person që shihej qartë se ishte i dehur, provoi të zbriste te binarët”, tregon një lexuese për 20minuten. Ajo kishte dëgjuar një klithmë dhe ndërkohë kishte parë një punëtor të Bretzel König të vraponte dhe ta tërhiqte personin e dehur nga binarët. Pak sekonda më vonë ia behu treni. “Jam e sigurt se personi në fjalë do të ishte i vdekur nëse punëtori i përmendur nuk do të ndërhynte. Është një rast shembullor i guximit qytetar”.

Ndërsa heroi i këtij rasti, Valon Rufati, tregon se ishte duke shërbyer një blerës kur e kishte parë një burrë duke u lëshuar poshtë, te binarët, transmeton albinfo.ch. Ai kishte vrapuar menjëherë dhe e kishte kapur personin në fjalë. ”Ai donte ta merrte nga binarët një xhaketë vezulluese, e cila i kishte pëlqyer shumë”, thotë Rufati, i cili pastaj e kishte joshur të dehurin me një cigare.

Ai shton se po ky person ishte shpëtuar në dhjetorin e kaluar nga një koleg i tij, përcjell albinfo.ch. “Është një person që qëndron shpesh këtu, në Stadelhofen dhe të shumtën e herave i dehur rëndë.

Zëdhënësi i Policisë së Qytetit të Cyrihut e ka cilësuar si të guximshëm veprimin e Rufatit. Por, ai ka tërhequr vërejtjen nga vrapimi i pakujdesshëm drejt binarëve. “Veçanërisht në një stacion me frekuentim të madh si ai në Stadelhofen, në këtë mënyrë i nënshtrohesh një rrezuiku të madh”. / albinfo.ch / KultPlus.com

Shfaqja kamertale “Pronë e lanun mbas dore” mbërtheu publikun me një performancë fantastike

Në Teatrin e Fakultetit të Arteve është dhënë premiera e shfaqjes kamertale “Pronë e lanun mbas dore” nën regjinë e Iliriana Arifit dhe me performancën e aktoreve Fatlume Bunjaku dhe Fiona Gllavica, shkruan KultPlus.

Në thelb të dramës një aktshe, janë dy vajzat Vili dhe Toma rreth së cilave vërtitet e gjithë ngjarja. Ato janë të vendosura në një hekurudhë të trenit, ku takohen rastësisht dhe miqësohen. Vili që luhet nga Fatlume Bunjaku, është vajzë e çuditshme. Ajo i rrëfen të kaluarën Tomës që e luan Fiona Glavica, lumturinë që dikur kishte në familje dhe zbrazëtinë e madhe që e ka kapluar atë nga vdekja e së motrës Elvirës. Motra e saj Elvira, kish qenë dikur atraksion i burrave, ajo kish flirtuar me disa të tillë, Albertin, Inspektorin dhe tani ndodhej në pushimin e të vdekurve, në varr.

Në bisedë e sipër, ato zbulojnë se kishin pasur mësuese të njëjtë por që të dyja e kanë ndërprerë mësimin prej kohësh dhe tani vërtiten pa ndonjë qëllim të caktuar. Krejt çka do Vili, është t’i ngjaj së motrës dhe të ketë edhe ajo dashuriçka me burrat, të cilët thotë se ka aftësi t’i mahnisë. Përmes një dialogu të çiltër, dhe një performance fantastike, aktoret Bunjaku dhe Gllavica kanë arritur t’i jetësojnë karakteret e veprës dhe ta mbajnë të mbërthyer publikun e pranishëm. Kah fundi, ato përqafojnë njëra-tjetrën duke shikuar qiellin e zbardhur dhe duke pritur trenin, zhurma e të cilit ndihet në sfond, që lajmëron ardhjen e tij.

Këto personazhe janë të skalitura aq bukur nga dramaturgu i famshëm amerikan Tennessee Williams, i cili ka fituar shumë çmime të rëndësishme, mes tyre edhe Çmimin për Letërsi nga Universiteti St. Louis, derisa në vitin 1979 (katër vjet para vdekjes) ai u fut në The American Theater Hall of Fame.

Aktoret Fatlume Bunjaku dhe Fjolla Gllavinca, u shprehën të entuziazmuara për shfaqjen të cilën e konsiderojnë si sukses të tyre dhe me interesimin e publikut të pranishëm në skenën e Teatrit të Fakultetit të Arteve.

Shfaqja u përkrah nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Bujar Meholli / KultPlus.com

Dua Lipa ia uron nënës ditëlindjen me një fotografi me veshje tradicionale (FOTO)

Anesa Lipa, nëna e yllit botëror, Dua Lipa, sot feston ditëlindjen. Mënyra se si ka vendosur ta uroj Dua nënën e saj është krejt e veçantë, shkruan KultPlus.

Ajo ka zgjedhur një fotografi të nënës së saj me veshje tradicionale kur ka qenë nuse,  njëkohësisht përmes kësaj fotografia ajo promovon para botës kulturën dhe traditën shqiptare.

Pas kësaj fotografi, ajo ka vendosur edhe disa të tjera ku shpalos disa momente nga fëmijëria përkrah nënës.

Edhe pse ka kohë që jetojnë në Londër, duket se familja Lipa nuk harrojnë që të prezantojnë Kosovën në mënyra të ndryshme, kjo pasi edhe Dua gjithnjë e ka thënë se krenohet me vendin e saj.

Vlen të ceket se në vitin 2008, familja e Duas është zhvendosur në Kosovë, por në moshën 15 vjeçare, ajo vendosi të kthehet në Londër dhe të jetojë me miqtë e saj, ku njëherë filloi punën si modele për t’u kthyer më pas në një nga emrat më të kërkuar të muzikës anembanë botës.

Momentalisht është njëra nga artistet më të suksesshme e më të komentuara në botë, me një sërë çmimesh të rëndësishme. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BzQGRmjB0_u/

Promovohen librat për historinë e Kosovës përmes rrëfimeve nga 100 pleq e plaka

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” promovuan botimin e librit (10-vëllime) “Kujtesa e Kosovës”, 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

 “Kujtesa e Kosovës”100 rrëfime autentike shpalosin gjithë botën e përditshmërisë në Kosovë, nga Lufta e Dytë Botërore deri sot, vijnë në rreth 5000 faqe transkriptesh të 100 intervistave me 100 pleq dhe plaka mbi 80 vjeç. Temat të cilat u trajtuan në historitë gojore ishin tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “Me ndihmën dhe kontributin e bashkëpunëtoreve të ndryshëm, profesorëve, studentëve, bibliotekarëve, ky botim shënon përfundimin e realizimit të projektit të rrëfimeve të 100 pleqve e plakave, dhe një fillim të ri për ndërtimin dhe zhvillimin e një projekti afatgjatë për ruajtjen e kujtesës së Kosovës”.

“Ky projekt më ndryshe dhe më gjithëpërfshirës ka mbledhur, dokumentuar, publikuar dhe po promovon historitë gojore të personave të moshuar të Kosovës, duke “zënë kështu hapin” në grumbullimin e historive jetësore të një periudhe jo-mjaftueshëm të dokumentuara, që të mos themi fare pak të dokumentuar, periudhë kjo e vuajtjes, e vetëmohimit, e flijimit të njerëzve të Kosovës” tha ministri Gashi.

Tutje ministri Gashi tha se realizimi i këtij projekti vjen edhe pas trajnimit të ekipit punues nga ligjëruesit profesionistë të fushës së historisë gojore, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ministri Gashi po ashtu konfirmoj se  Ministria e Kulturës do ta përkrahë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës edhe më tutje që të mbledhë dhe të ruajë rrëfimet biografike autentike të njerëzve të Kosovës, duke përzgjedhur ata që kanë çfarë të rrëfejnë për jetën e tyre, për përjetimet e tyre të ruajtura në kujtesën e tyre, si dhe këto rrëfime të botuara në shqip, të përkthen edhe në gjuhën angleze që të bëhen të qasshme edhe për përdorues të huaj.

Ai po ashtu theksoi “Sot, në mesin tonë, gjenden ata të cilëve u atribuohet rezultati i mbledhjes së 100 historive. Rrëfimtarë të historive tuaja plaka e pleq të urtë, që kanë përjetuar dhe gjëra që nuk i përthekon mendja e njeriut ju falënderojmë përulësisht që hapët dyert e zemrat tuaja për të treguar me zërin tuaj, jetën tuaj dhe atë të komunitetit, ashtu si e kujtoni dhe ashtu siç ju është treguar”.

Ne fund ministri Gashi tha se “Le të jetë ky edhe një frymëzim për krijimin e një qasjeje të përbashkët ndaj rëndësisë që i duhet kushtuar zhvillimit të historisë gojore në vend dhe zhvillimit të arkivave të historisë e identitetit tonë”.

Ndërkaq, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Bajraku falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen e vazhdueshme dhe tha se “sot po botohet, botim i parë i historisë gojore të 100 pleqve dhe plakave, mbledhja dhe ruajtja e kulturës gojorë është një qytetërim modern, një hap i ri nga biblioteka kombëtare e Kosovës. Mbledhja e kujtimeve të njerëzve të moshuar ka një rëndësi për historinë e Kosovës”. / KultPlus.com

EBU vendos kundër pjesëmarrjes së Kosovës në Eurovision

Republika e Kosovës ia ka parë sot edhe një herë sherrin Serbisë. Në Asamblenë Gjenerale të EBU-së të mbajtur në Oslo të Norvegjisë 673 shtete kanë votuar kundër ndryshimeve të Statutit të EBU-së, të cilat do t’i lejonin Kosovës të bëhej anëtare me të drejta të plota në këtë institucion.

Pas këtij votimi, Kosovës i duhet që të presë edhe më shumë për t’u paraqitur në Eurovision.

Pro kanë votuar 400 shtete, ndërsa 113 të tjera kanë abstenuar. Para fillimit të votimit, 17 shtete, përfshirë këtu Greqinë, Qipron, Spanjën dhe Serbinë kanë kërkuar që votimi të bëhej në mënyrë të fshehtë.

Kjo kërkesë ishte miratuar, dhe votimi për kërkesën që të ndryshohet Statuti është bërë në mënyrë të fshehtë, raporton Express.

Siç shkruan mediumi ‘eurovisionfun.com’, ky votim e vendos situatën në një kaos , pasi që Kosova vazhdimisht kërkon që të marrë pjesë në Eurovision.

Sipas tyre e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës, është që Prishtina të zgjidh problemet me Beogradin dhe të fitojë pozitën në Kombet e Bashkuara. / Insajderi / KultPlus.com

Prezantohen veprat e panjohura rreth 100-vjeçare të Kolë Idromenos

Piktori dhe personaliteti i madh i artit shqiptar Kolë Idromeno vjen i plotë në ekspozitën retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Për herë të parë prezantohen edhe dy vepra të tij, të panjohura deri më sot për publikun.

Sapo përmend piktorin e njohur Kolë Idromeno përpara të shfaqet kryevepra e tij, “Motra Tone” realizuar në moshën 23-vjeçare prej tij. Galeria Kombëtare e Arteve sjell për herë të parë veprën e plotë të piktorit.

Për herë të parë prezantohet edhe portreti i rrallë nga Idromeno i vitit 1927, i cili është identifikuar së fundmi dhe që është kleriku Ernest Çoba.

Kompozimi “Kur dreqi hyn në shtëpi” ekspozohet për herë të parë pasi është restauruar, se fundmi bashkë me 24 vepra të tjera.

Ekspozita retrospektivë, e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare për 3 muaj na shpalos Kolë Idromenon në shumë dimensione, si piktor, fotograf, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Një tablo gjigande e Kolë Idromenos, e vlerësuar nga kritika si një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra me një histori të pazakontë udhëtimesh nëpër Malësinë e Veriut ka edhe një histori të veçantë të restaurimit dhe konservimit të saj. Pavarësisht se tema e kësaj vepre është me karakter religjioz dhe në regjimin komunist ishte e ndaluar çdo vepër me simbolikë fetare, për mjeshtrin e pikturës shqiptare Kol Idromeno duket se është bërë një përjashtim.

Po t’iu referohemi detajeve, në këtë kompozim bien në sy zakone, tradita dhe veshje popullore. Është një manifestim i gjallë i etnografisë shqiptare.

Janë plot 220 figura, ku janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe fotografitë e rralla të Kolë Idromenos.

Ndërkohë studiuesja e njohur e etnografisë Afërdita Onuzi për ta plotësuar lidhjen shpirtërore me tablotë mbi 100-vjeçare, ka punuar shumë për ta shoqëruar ekspozitën e Idromenos me një ekspozitë etnografike, me kostume, veshje e stoli, imazhet e të cilave i gjen në pikturat e tij/dita. / KultPlus.com

T’ngrohtit, Prizrendit tem

Vlora Ademi

sa herë t’ndjejë nga larg
ninulla djepi m’përkundin
andrrave t’kahmotshme
për me t’pa t’praruem

magjepsun pas teje
si mas flutrave
n’hap t’parë

shkelë fije bari t’njomë
për me e pasë ma t’bukurin
t’bardhin zambak
njomun me stërpikat
e po t’bardhit lum

Po,
kshtu t’du!

t’bardhë
e t’hijshëm
me tana rrudhat e ballit
e kalldërm t’shkelun
cep m’cep
për me t’i njoftë
t’ligat
t’largëtat
e t’moçmet
mshefun rrugicash t’ngushta
e trarëve
t’rënduem vitesh
që i bajnë mbi krah
si tjegulla t’daluna boje

Po,
kshtu t’du!

pshtetun
n’gurë t’kalasë
ku e kam
n’pllamë dore
krejt madhështinë tande
me minare e kupola
si kurtizanë mesjete
n’mexhë tundimi
n’mes t’ezanit
e tinguj kambanash
që t’lypin për vete
n’t’njejtin dakik
për me i kalue lirshëm
tana urat e gurta
e me ju ngjitë shtegut t’thanave
tuj t’i numru thinjat
nji kah nji

Po,
kshtu t’du

me tana hiret
e vrragët
e shekujve
lënë mbi Ty
gjurmë lavdesh
që i shtojnë nurit tënd hijeshi
e me m’pasë zili
secila majëmali
që t’rrethon
pse shputë e imja
shejon aq prajshëm mbi Ty

Po,
kshtu t’du!

se shpirti pezull m’rri
sa herë largohem nga Ti
dhe ditën që do t’i ngjitem
qiellit përpjetë
ruhin tim t’ma mbashë shpatullave
kryet n’dërrasë mbështetë
se si n’shpatullën tënde
n’asnji tjetër shehër bote
t’ngrohtit e diellit s’e kam gjetë. / KultPlus.com

Përkrah Vasfijes, shfaqja ‘Bisha në hënë’ tregon historinë e luftës dhe të përdhunimeve

Nën hijën e hënës që rrinte në fund të sallës regjisori Butrint Pasha na sjellë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar historinë e tre jetimëve të luftës që krijuan një familje së bashku, një histori që e la edhe Vasfije Krasniqin në lot. Mbrëmja e të enjtes u shënua me shfaqjen madhështore të dy armenëve që i shpëtuan gjenocidit dhe përndjekjes fetare të turqve për të krijuar një jetë në botën e re, shkruan KultPlus.

Duke u bërë edhe vet pjesë e shfaqjes, në rolin e narratorit, Pasha i ka grumbulluar të gjitha tragjeditë e luftës në një tregim që të mbante nën ethe dhe të bënte të buzëqeshje me shakatë që me mjeshtëri i nxirrnin shikuesit nga terrori i luftës. Përkrah Vasfije Krasniqit, aktorët Armend Baloku dhe Vlora Nikçi arritën të tregonin historitë e përdhunimit të grave e të fëmijëve.

Pasha e ka shfrytëzuar me mençuri skenën e vogël të teatrit duke i bërë edhe shikuesit pjesë të shfaqjes e duke komunikuar me ta përmes fotografive dhe rrëfimit që bënte ai vet. Duke cituar herë nga bibla e herë proverba të ndryshëm, shfaqja ka trajtuar dinamikën e raportit burrë-grua duke e refuzuar kategorikisht mendësinë që gruaja duhet të rrijë e heshtur e të bëjë atë që do burri i saj.

Historia zhvillohet rreth tri personazheve fatkeqe që kanë humbur gjithçka nga lufta, gjithçka përveç një simbolike që te të tre është një provë nga e kaluara. Xhaketa, monedha e artë dhe kukulla prej leshi, janë të vetmet gjëra që personazhet kanë trashëguar nga koha e luftës dhe për secilin prej tyre kjo dhuratë simbolizon diçka të ndryshme. Nga një amplitudë në tjetrën kalohej me aq lehtësi sa harroje kohën, vendin e hapësirën.

Të pyetur nga KultPlus, shikuesit i dhanë vulën duke thanë që u kthyen në kohë për ta përjetuar vetë persekutimin e krishterë dhe traumën e humbjes së gjithë familjes në duart e pushtuesit turk.

“Kjo është një shfaqje perfekte për sallën e vogël. Kemi provuar t’i ftojmë shikuesit brenda narrativës së tregimit dhe t’iu tregojmë një histori nga e shkuara. Kjo nuk është vetëm një histori, histori të tilla fatkeqe i ka përjetuar në lëkurë populli ynë”, ka thënë Pasha për ne pas përfundimit të shfaqjes.

“Kemi punuar shumë dhe sonte gjithçka u finalizua me shumë sukses, unë jam i mbërthyer nga emocioni dhe reagimi i publikut për shfaqjen që u kam prezantuar. U ndjeva i plotësuar se e pashë që gjithë lodhja dhe angazhimi u shpërblyen kur publiku duartrokiste me entuziazëm dhe me lot në sy”, shtoi tutje regjisori.

Shfaqja “Bisha nën Hënë” zgjatë më shumë se një orë dhe do të përsëritet dy ditë rresht pas premierës, me datat 28 dhe 29 qershor./RronaJaka / KultPlus.com

Dy kuzhinierët më të famshëm shqiptarë, bashkë në një foto

Dy super kuzhinierë shqiptarë që tashmë i njeh edhe bota, jo rrallë herë janë shpërblyer me çmime tejet të rëndësishme në fushën në të cilën veprojnë, shkruan KultPlus.

Rene Rexhepi është njëri prej tyre, i cili u bë supër i famshëm me restaurantin e tij “Noma” në Danimarkë.

“Noma” është restaurant i cili për herë të parë është themeluar nga René Rexhepi, në Kopenhagë, Danimarkë, në vitin 2004, ndërsa tani “Noma” ka në vende të ndryshme të botës.

Rene Rexhepi

Tjetri është Bledar Kola i cili pas eksperiencave në Evropë u kthye dhe hapi një restorant në kryeqytetin e Shqipërisë me emrin “Mullixhiu”, i cili ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Kuzhinieri është i vendosur që vendin e tij ta sjellë përsëri në kulturën e tij të lashtë të ushqimit.

Kohë më parë Bledar Kola kishte marrë oferta të ndryshme nga restaurantet me të famshme në Evropë, madje edhe nga Rene Rexhepi, po asnjë nuk e bindi, ai u kthye në vendin e origjinës për të bërë punën e tij.

Bledar Kola

KultPlus, po ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy super kuzhinierëve shqiptar. Këtë fotografi e ka shpërndarë Bledar Kola teksa uron Kuzhinierin supër të famshëm shqiptar Rene Rexhepin kësaj radhe për nominimin që ka marrë si restauranti i dytë më i mirë në botë ./ KultPlus.com

Restauranti i kuzhinierit shqiptar Rene Rexhepi, nominohet i dyti më i miri në botë

Restoranti “Noma”, i kuzhinerit me origjinë shqiptare, Rene Rexhepi, është nominuar si restoranti i dytë më i miri në botë.

Këtë lajm e ka dhënë vetë Rene Rexhepi

Rexhepi ka njoftuar në rrjetet sociale se restoranti i tij në Kopenhagë të Danimarkës është nominuar i dyti pas vetëm 12 muajsh që është hapur.

“Sapo jemi nominuar si restoranti i dytë me i mirë në botë! Sinqerisht, asnjë nga ne nuk e ka ëndërruar që kjo do të ndodhte. Një ditë dikush në kuzhinë tha “Hej, ne mund të jemi numër 49!”. Duke mos qenë pjesë e listës për tashmë katër vjet dhe tani të debutojmë me numrin 2 pas 12 muajve që kemi nisur, është e pabesueshme për ne. Nuk dua të hyjë në politikat se cila listë orë meny është më e mirë se tjetra, por vetëm dua të them se ndihem jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur me ekipin që punoj çdo ditë dhe falënderues për të gjithë ata që votuan për ne. Faleminderit të gjithëve. Por, sa me fat jemi ne në qytetin që ka dy restorante në top pesëshen. Përgëzime për “Geranium” që është votuar si i 5’i në listë. Përgëzimet më të mëdha shkojnë te një shok i mrekullueshëm i imi dhe te kuzhinieri më i mirë që e njoh, Mauro Colagreco dhe të gjithë ekipin në Mirazur!”, ka shkruar Rexhepi në Facebook. / KultPlus.com

Poetja izraelite: Një nder i madh të jem në çmimin “Azem Shkreli” në Kosovë

Laureatja e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare flet posaçërisht për gazetën online “Izraeli Sot”.

Prej 17 vjetësh, Peja është kthyer në një qytet të kulturës evropiane dhe asaj botërore, falë Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, të cilat i kanë sjellë Kosovës, personalitete të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare, dhe kësaj herë e ftuar është dhe poetja izraelite, Hava Pinhas CohenPërmes këtij manifestimi ndërkombëtar, Kosova ka shpalosur vlerat e humanitetit, parimet universale të lirisë, duke dëshmuar trashëgiminë kulturore jo vetëm letrare por edhe atë historike të shqiptarëve.

“Jam shumë kurioze të jem dhe të përjetoj festivalin në Kosovë. Dhe sidomos për çmimin e aktivitetit, “Azem Shkreli. Është një nder i madh të jem këtu”, tha poetja izraelite për gazetën online “Izraeli Sot”.

“Letërsia dhe përkthimet janë urë më e mirë ndërmjet gjuhëve dhe kombeve, kjo është mënyra më e mirë për të njohur njëri tjetrin dhe për të respektuar njëri-tjetrin në një mënyrë shumë të ndershme”, shton autorja e përkthyer dhe botuar në Shqipëri (nga Entela Kasi), në Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Bullgari, Serbi, Kinë, Turqi, Slloveni dhe Maqedoni.

Ky Manifestim i cili mban emrin e poetit Azem Shkreli, një prej majave të letërsisë shqipe, mbetet i një rëndësie të veçantë, dhe njëkohësisht një urë lidhëse midis Kosovës, rajonit të Ballkanit, Evropës dhe botës. Emmanuel Pierrat, shkrimtar, Kryetar i PEN Francës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, do jetë i pranishëm në këtë Manifestim. Gjithashtu marrin pjesë Sylvestre Clancier, Antonio Della Rocca dhe Rafaël Newman. Mes emrave të 18 autorëve shqiptarë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të jenë për publikun në orën qëndrore të Manifestimit, Aleksandër Çipa, Rozafa Shpuza, Naime Beqiraj, Arjan Kallço, Flamur Shala, Xhevat Latifi, Irena Gjoni, Lindita Ramushi Dushku, Rami Kamberi, e shumë autorë të tjerë shqiptarë nga hapësirat mbarë shqiptare.

Hava Pinhas Cohen është laureate e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare. Poetja izraelite tregon një respekt të madh për letërsinë shqiptare.

“Shumë shkrimtarë shqiptarë janë përkthyer në hebraisht dhe ne e vlerësojmë letërsinë shqipe. Personalisht, më pëlqen shumë poezia dhe kam përkthyer disa”, thekson Hava Pinhas Cohen, e cila vetë është autore e shumë librave me poezi, dhe autore e librave me studime për letërsinë, gjuhën, artet, kulturën hebraike.

Hava Pinhas Cohen është studiuese dhe kërkuese shkencore në Universitetin Bar Ilhan, prej vitit 2012. Themeluese dhe drejtuese e revistës “ Dinooy”, prej vitit 1989.

Ajo e njeh mjaft mirë historinë dhe lidhjet historike midis shqiptarëve dhe hebrenjve, dhe veçanërisht shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë Holokaustit të tmerrshëm që solli vdekjen e të paktën 6 milionë hebrenjve.

“Ne e dimë në Izrael se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët ishin midis disa që shpëtuan dhe ndihmuan për të shpëtuar më shumë se 3000 hebrenj nga gjermanët”, thotë me krenari poetja izraelite,

Nuk mungon edhe një kompliment për Entela Kasin, presidenten e PEN Albania, bashkorganizatore e Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, së bashku me PEN Kosovën.

Poetja izraelite, Hava Pinhas Cohen

POETJA IZRAELITE HAVA PINHAS COHEN

Poete, botuese, lektore e arteve në Jerusalem. Studiuese dhe kërkuese shkencore në Universitetin Bar Ilhan, prej vitit 2012. Themeluese dhe drejtuese e revistës “ Dinooy”, prej vitit 1989.

Është autore e shumë librave me poezi, dhe autore e librave me studime për letërsinë, gjuhën, artet, kulturën hebraike. Ndër temat e saj kërkimore janë për shtrirjen e kulturës hebraike në Ballkan, prej periudhës së shekullit të xv deri në luftën e dytë botërore dhe Holokaustin.

Është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të botës. Ndër librat e saj të fundit, kritika ka çmuar ‘ Të bashkosh të ndarët’ , botuar nga Siracuse University Press, 2016 dhe libri me biseda titulluar , ‘Shkolla e njeriut’, me poetin Israel Eilzar.

Është laureate e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare. Është botuar në Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Bullgari, Serbi, Kinë, Turqi, Slloveni, Maqedoni. Është përkthyer në gjuhën shqipe nga Entela Kasi.

***

POEZI NGA HAVA PINHAS COHEN

URË PËR TË NDARËT

Dhe Abrahami u zgjua herët
Pa ditur se po ecte kodrave të Jerusalemit
Ndërsa binte dielli në kodrat e Moabit
Shkëmbinjve të kuqerremtë të artë
Dhe era e ftohtë e vjeshtës
Hyrë në eshtra
Nën lëkurë dridhej
Në tokën mbetur pas shkëmbinjve
Mbolla dadofil dhe anemene
Perime të dimrit për supë të gjelbër
Ndryshe nga ati nuk mbolla
Fruta ose pisha
Shegë, portokaj, ullinj
Sikur
Të gjitha së bashku
Të mund të kthenin
Dashurinë

(Përktheu Entela Kasi)

Edicioni i tretë i ‘URACult Literae’ vjen me një program të larmishëm

Me edicionin e tretë të  “URACult Literae” , shoqata kulturore URACult nga Köln-i ka përgatitur një program të larmishëm për dashamirët e fjalës së shkruar për këtë mbrëmje letrare që mbahet në lokalin “Welträume” në Köln.

Në organizimin që është një nga pesë pjesët e projektit vjetor “URA5” të URACult, autorët e rijnë Jetë Zhitia dhe Driton Sadiku, do të lexojnë nga veprat e tyre në gjuhën gjermane. Gazetari dhe autori Selajdin Gashi ka përzgjedhur shkrime të autorëve Martin Camajt dhe Azem Shkrelit të cilat do ti lexoj në gjuhën shqipe dhe gjermane.

Pjesën muzikore të mbrëmjes do ta mbulojnë Agron dhe Tringa Shala.

Mbrëmja mbahet më  datë  29 qershor duke filluar nga ora 18:00 në  “Welträume” Lochnerstraße 12, 50674 Köln, hyrja e lirë . / KultPlus.com