Artisti kosovar në Kanada i cili gërsheton dy kultura

Për 20 vjet, një artist kosovar nga Dartmouth ia ka dedikuar jetën e tij ndërtimit të lidhjeve në mes të dy kulturave. Në maj të vitit 1999, në kohën e krizës së refugjatëve kosovarë, Kanada kishte pranuar më shumë se 5 mijë refugjatë.

Zeqirja Rexhepi dhe familja e tij kanë qenë në mesin e atyre që kanë shkuar në Kanada. Ata ishin marrë nga një kamp refugjatësh në Maqedoni për në Nova Scotia nga ushtria kanadeze.

Që atëherë muralet e Rexhepit, pikturat dhe afresket kanë kontribuar në skenën artistike jo vetëm në Kanada, por edhe në shumë shtete evropiane.

“Është e gjitha për të krijuar lidhje dhe për të prezantuar kulturën kosovare tek të tjerët”, ka thënë Rexhepi gjersa ecën nëpër shtëpinë e tij, e cila është një ekspozitë me veprat e tij me të mira.

Garazhi është studioja e tij. Muret në dhomën e ndejës, dhoma të gjumit dhe korridore janë të mbushura me artin e tij simbolik e shumëngjyrësh.

“Aty, ju mund të shikoni njerëzit, mirëpo nuk e dini se kush janë ata”, thotë Rexhepi. “Ju vetëm e dini se ata janë në të njëjtën situatë”.

Rexhepi ka qëndruar në një kamp refugjatësh me gruan e tij dhe gjashtë fëmijët për një muaj, pasi që ishin larguar nga shtëpia e tyre në Kosovë.

“Unë kam fjetur për tri net jashtë pasi që nuk kishte vend brenda në tendë”, thotë ai. “Mirëpo, ky nuk ishte një problem pasi që së paku mund të shikoja që familja ime ishte e sigurt”.

Ai filloi që të pikturonte posa mbërriti në “14 Wing Greenwood” në bazën e forcave kanadeze.

“Kam bërë 120 piktura në muajin tim të parë”, ka thënë Rexhepi. “Të gjithë që punonin aty kërkuan nga një pikturë… Ata sollën fotografi të fëmijëve të tyre ‘a mund të vizatoni fëmijët e mi? Unë ju thosha: ‘Sigurisht, nuk ka problem. Ju mund ta merrni atë nesër’”.

Ata të cilët e kishin nën përkujdesje ia siguruan atij mjetet e nevojshme, përfshirë pëlhurën për të pikturuar dhe ngjyrat, por po ashtu e paguan atë edhe për punën e tij.

Rexhepi kishte ardhur në Kanada si një artist me eksperiencë. Ai kishte studiuar në shkollën e artit në Kosovë dhe Maqedoni në vitet 1974 dhe 1979 dhe ka studiuar për dizajnim të rrobave dhe qëndisje në Zvicër.

Ai ishte lejuar qe të pikturonte disa murale në Nova Scotia, përfshirë muralin me anije të mëdha, që ishte një peizazh në qendër të Halifax që nga viti 2000 deri në 2017, një seri prej tetë muraleve në Alderney Landing, që reflektonin mbi historinë e Dartmouth dhe një mural në Windsor, që tregon historinë e dëbimit të banorëve autoktone të Acadias. Ai gjithashtu ka bërë murale dhe piktura edhe në vende të tjera në Kanada.

Gjatë 20 vjetëve në Kanada, Rexhepi ka pasur dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive. E para ishte në bazën ushtarake, në Greenwood, dy muaj pasi që ai kishte ardhur aty.

Në Evropë, Rexhepi ka bërë dhjetëra murale dhe afreske në kisha dhe xhami në Kosovë, Zvicër, Gjermani, Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi.

“Më e madhja është 835 metra katrorë në një kishë katolike në Kosovë”, ka thënë ai. “Shumica e punës artistike nuk ishte religjioze. Është për historinë e shqiptarëve”.

Rexhepi reflekton në kulturën e shqiptare të Kosovës dhe eksperiencën e tij gjatë viteve të luftës së vitit 1999. Për të arti është më së shumti i lidhur me identitetin, dhe njerëzorja është elementi i tij kryesor në shumicën e pikturave të tij. Ai po ashtu pikturon kafshë, instrumente muzikore dhe i përdor ato si metafora për të treguar histori për karakterin e njerëzve dhe eksperiencat.

Derisa drejtohet nga një pikturë me një fytyrë gruaje, ai tregon sesi ajo e heq maskën dhe fillon të flasë.

“10 mijë gra janë dhunuar”, thotë ai. “Dikush duhet që të flasë se çfarë ka ndodhur. Një (grua shqiptare nga Kosova), e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka treguar historinë e saj dhe çfarë ka ndodhur me të kur ajo ishte 16-vjeçare”.

Rexhepi e konsideron veten e tij ambasador të njerëzve të tij.

‘’Gjithçka që unë bëj është për të bërë që njerëzit e mi të ndihen krenar me mua”, thotë ai. “Unë jam shqiptar krenar nga Kosova”.

Pasi që ishte kthyer në Kosovë, nëntë muaj pasi që kishte ardhur në Kanada ai kishte parë që shtëpia e tij ishte djegur. Ai e kishte kthyer atë në një vepër arti, duke pikturuar në gërmadhat e shtëpisë së tij me mjete që ka gjetur në mes të rrënojave.

Gjatë luftës njerëzit duan vetëm që të mbijetojnë, thotë Rexhepi.

Njerëzit “ikin në mes të vdekjes dhe jetës”, thotë ai. Kur ajo kohë erdhi, unë harrova se çfarë kisha ndërtuar… lashë diplomat e mia, instrumentet e mia, lash kulturën time”.

Kosovarët të cilët ishin vendosur në Kanada është dashur që të fillojnë rindërtimin e jetës së tyre nga fillimi, thotë Rexhepi. Ata po ashtu është dashur që të shpëtojnë reputacionin e tyre, shton ai.

“Unë gjithmonë them kur ju pranoni njerëz nga një krizë, mos u shqetësoni për ata. Ata do të punojnë në çdo gjë. Ata do të vlerësojnë vendin, që do t’i mirëpresë”.

Mirëpo ende refugjatët dhe emigrantët duhet që të përballen me sfidën e paragjykimeve që ekzistojnë në shoqëritë perëndimore në lidhje me etnicitetin e tyre. Shqiptarët për shembull janë paragjykuar në filmin “Taken”, ku luan Liam Neeson, si një grup mafiozësh, thotë ai.

“Ju kam thënë fëmijëve të mi: ‘Ju duhet që të punoni shumë dhe t’i tregoni shoqërisë se kush jeni’”, thotë Rexhepi.

“Ju duhet që t’u tregoni njerëzve që jeni të sjellshëm dhe kontribuoni shumë në shtet. Mirëpo mbani kulturën tuaj. Kur njerëzit lënë vendin e tyre ata humbasin shumicën e gjërave që lidhen me rrënjët e tyre”, thotë ai.

“Djali im më i ri është shumë patriot, ai dëshiron që të kthehet në Kosovë”, thotë ai. “Mirëpo, ai tani ka një familje të madhe këtu”. Një nga vajzat e tij jeton në Zvicër, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve është edukuar dhe ka punë të mirë dhe familje të mira në Kanada.

“Rrënjë të reja tani janë rritur këtu”, thotë ai. “Nipërit dhe mbesat e mia do te kenë me shumë rrënjë dhe lidhje këtu sesa në Kosovë”/ The Chronicle Herald.

Muzeu i Kosovës organizon ‘Kampin me të rinj nga Diaspora’

Muzeu Kombëtar i Kosovës për herë të parë organizon kampin: “Kampi me të rinj nga Diaspora”, përmes të cilit do t’iu ofrojë të rinjve aktivitete që lidhen me trashëgiminë kulturore në Kosovë.

Muzeu Kombëtar i Kosovës është institucioni i parë i trashëgimisë kulturore i themeluar në vitin 1949, me qëllim të hulumtimit, mbledhjes, ruajtjes, restaurimit-konservimit dhe prezantimit të trashëgimisë së luajtshme kulturo-historike, që nga parahistoria e deri më sot, në territorin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës funksionon edhe sektori i edukimit, i cili zhvillon programe të edukimit për të rinj dhe fëmijë përmes aplikimit të metodave dhe teknikave më të avancuara në lëmin e profileve shoqërore, duke aplikuar teknika interaktive përmes punës praktike. Datat e kampit: 16 -19 gusht, 2019.

Kampi do të jetë i hapur nga ora 09:00-17:00 për katër ditë sa zgjatë zhvillimi i aktiviteteve. Kjo nënkupton se çdo ditë pjesëmarrësit do të marrin pjesë në aktivitetet sipas orarit të lartshënuar, ndërsa në mbrëmje do të kthehen në ambientet familjare.

Kampi do të mbahet në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë dhe aplikuesit duhet të jenë të rinjtë e moshës 14-24 vjeç.

Pjesëmarrësit e kampit do të pajisen me certifikata mbi modulet e ndjekura sipas punëtorive të ndara në planin e aktiviteteve.

 “Kampi me të rinj nga Diaspora” është kamp i cili mbledh së bashku 35-40 të rinj nga e gjithë Kosova për 4 ditë, duke ofruar përplot aktivitete dhe mësime mbi trashëgiminë kulturore. Gjatë këtij kampi do të zhvillohen prezantime, punëtori dhe aktivitete të lira garuese.

Nëse dëshironi të informoheni dhe të mësoni mbi trashëgiminë kulturorë atëherë, “Kampi me të rinj nga Diaspora” është vendi i duhur për ju!
Për të marrë pjesë APLIKONI duke plotësuar formën e aplikimit deri më 14 gusht 2019! Rekomandohet që forma e aplikimit të plotësohet në kompjuter, laptop ose smart phone. Shënim: Shpenzimet e rrugës nuk janë të përfshira. 

“Kampi me të rinj nga Diaspora” financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe menaxhohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Një këndvështrim ndryshe për të zbuluar se ç’është dashuria

Nga Jiddu Krishnamurti

Përktheu: Shpëtim Kelmendi

Ç’është dashuria? Fjala është falsifikuar dhe molepsur aq shumë, saqë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe ta përdor.  Të gjithë flasin për dashurinë – çdo revistë e çdo gazetë, çdo misionar flet papushim për dashurinë. E dua vendin tim, e dua mbretin tim, e dua librin, e dua atë mal, e dua kënaqësinë, e dua gruan, e dua Zotin. Dashuria është një ide? Nëse po, mund të kultivohet, ushqehet, ledhatohet, urdhërohet me shkop, mund ta trajtojmë si të duam. Kur thoni se e duam Zotin, çdo të thotë? Do të thotë se doni një projeksion të imazhit tuaj, një projeksion të vetes suaj nën një farë mveshjeje respektueshmërie, varësisht prej asaj që e besoni si fisnike dhe të shenjtë. Dashuria mund të jetë zgjidhja e fundme e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut. Pra, si do t’ia bëjmë për të zbuluar se ç’është dashuria?

Duke u mjaftuar me përkufizimin e saj? Kisha e ka përkufizuar në një mënyrë, shoqëria në një tjetër, e kësisoj ekziston një numër i madh devijimesh dhe interpretimesh të gabuara. Të adhuruarët e dikujt, të fjeturët bashkë, shkëmbimi i emocioneve, miqësia – vallë, kjo është ajo që ne mendojmë se është dashuri? Dashuria mund të ndahet në të shenjtë dhe në profane, në njerëzore dhe në hyjnore, apo ekziston vetëm dashuria? Dashuria i përket ndokujt dhe jo shumë njerëzve? Nëse them, “Të dua”, mos vallë kjo e përjashton dashurinë e tjetrit? Dashuria është personale, apo jopersonale? Morale apo imorale? Është diçka intime, apo jo? Nëse e doni njerëzimin, a mund ta doni edhe të veçantën. Dashuria është një ndjenjë? Është një emocion? Është kënaqësi? Është dëshirë? Të gjitha këto pyetje tregojnë – është apo s’është e vërtetë?- që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet e s’duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën jetojmë. Kështu, për të thelluar çështjen se ç’është dashuria, pikësëpari do të na duhet të çlirohemi nga ndryshku i shekujve, t’i lëmë mënjanë të gjitha idealet dhe ideologjitë, mbi çka duhet e çka s’duhet të jetë. Të ndarët e  çfarëdolloj gjëje, në atë që duhet të jetë e në atë që është, përbën mënyrën më gënjeshtare e të jetuarit. Pra, si do t’ia bëj për të zbuluar se ç’është ajo flakë që ne e quajmë dashuri – jo për t’ia shprehur ndokujt tjetër, po veç për të ditur se ç’është ajo në vetvete? Si punë të parë, më duhet të largoj mënjanë ato që, kisha, shoqëria, prindërit e mi dhe miqtë, ato që çdo person e çdo libër ka thënë mbi dashurinë, sepse dua ta zbuloj vetë se çfarë është (…) Qeveria thotë: “Shko e vrit për dashurinë ndaj vendit tënd”. “A është kjo, dashuri? Religjioni thotë: “Harroje seksin për dashurinë ndaj Zotit!”. A është kjo, dashuri? Dashuria është dëshirë? Mos thoni jo. Për pjesën tonë më të madhe është – dëshirë e kënaqësi, kënaqësi që rrjedh nga shqisat, nga tërheqja seksuale e nga kënaqësia. Nuk jam kundër seksit, por përpiquni të shikoni se si ai është ngatërruar në të. Ajo që seksi ju jep çastërisht, është braktisje e plotë e vetes suaj. Mandej riktheheni në konfuzionin tuaj, e kështu, doni ta ripërsërisni e ripërsërisni atë gjendje në të cilën nuk ka shqetësime, probleme, nuk ka unë. (…) T’i përkasësh një tjetri, të jesh psikologjikisht i ushqyer nga një tjetër, të varesh nga një tjetër – në gjithë këtë duhet të jetë prorë ankthi, frika, xhelozia, faji, e përsa të jetë frika, nuk është dashuria. Një mendje e ndrydhur nga dhimbja nuk ka për ta ditur kurrë se ç’është dashuria; sentimentalizmi dhe emotiviteti nuk kanë të bëjnë absolutisht me dashurinë. E kështu, dashuria nuk ka të bëjë fare me kënaqësinë dhe dëshirën. Dashuria nuk është një prodhim i mendimit, që është e kaluara. Në mënyrë absolute, mendimi nuk mundet kurrsesi të kultivojë dashurinë. Dashuria nuk është e kufizuar apo e kurthëzuar nga xhelozia, meqë xhelozia i përket së shkuarës. Dashuria është gjithmonë prani aktive. Nuk është “Do të dua” ose “Kam dashur”. Nëse njihni dashurinë, nuk do të ndiqni askënd, dashuria nuk bindet. Kur dashuroni, nuk ekziston as respekti, as arroganca. Nuk dini se ç’do të thotë realisht ta doni dike – ta doni pa urrejtje, pa xhelozi, pa zemërim, pa ndërhyrë në atë që tjetri bën apo mendon, pa dënuar, pa bërë krahasime – nuk dini çfarë do të thotë? Ku ka dashuri, ka krahasim? Kur dashuroni dikë me gjithë zemër, me të gjithë mendjen, me gjithë trupin, me të gjithë qenien tuaj, egziston krahasimi? Nëse e dorëzoni veten krejtësisht në këtë dashuri, atëherë nuk egziston tjetri. Ndoshta dashuria ka përgjegjësitë dhe detyrimet e veta, dhe i përdor ato? Kur bëni diçka përtej detyrimit, a ka dashuri? Në detyrimin nuk ka dashuri. Struktura e detyrimeve, në të cilat qenia njerëzore ka rënë në kurth, shkon duke e shkatërruar. Përsa kohë që jeni të detyruar të bëni diçka, thjesht sepse është detyra juaj, nuk e doni atë që bëni. Kur është dashuria, nuk është detyrimi apo përgjegjësia. (…) Nëse i jepni rëndësi, do të vëreni se e gjithë kjo ndodh brenda jush. Mund ta vëreni në mënyrë të plotë, krejtësisht, me një vështrim, pa humbur kohë me analiza. Brënda një çasti, mund të vëreni strukturën e tërë dhe natyrën e kësaj gjëje të vogël e të pavlerë, që quhet “unë”, lotët e mi, familja ime, kombi im, besimi im, religjioni im – të gjitha këto pisllëqe janë brenda jush. Kur ta kuptoni këtë me zemër, me mendje, kur ta kuptoni që nga thellësia e zemrës, atëherë do të keni çelësin që mund t’i japë fund dhimbjes. (…) Kur të pyesni se ç’është dashuria, ndoshta do të jeni tepër të trembur për të parë përgjigjen. Ajo mund të ketë domethënien e një ndryshimi rrënjësor; do mund ta thërrmojë familjen; do mund të zbulonit se nuk e doni gruan tuaj, burrin tuaj ose fëmijët tuaj – apo jo? – do mund t’ju duhet të shkatërroni shtëpinë që keni ndërtuar, me gjasë s’do mund të ktheheshit më në tempull. Por, nëse ende doni ta zbuloni, do të shihni se frika nuk është dashuri, se varësia nuk është dashuri,se ndjenja e pronësisë dhe dëshira e mbizotërimit nuk janë dashuri, se përgjegjësia dhe detyrimi nuk janë dashuri, se vetëmëshirimi nuk është dashuri, se ankthi i të mos qenit i dashur prej tjetrit nuk është dashuri. Dashuria nuk është e kundërta e urrejtjes, më shumë nga ç’është përunjësia e kundërta e vanitetit. (…) E kështu, kemi arritur në pikën: a mundet mendja të takojë dashurinë, pa e patur nevojën e disiplinës, mendimit, mundimit, pa pasur asnjë libër, mjeshtër apo udhërrëfyes – ta takojë ashtu siç takohet një perëndim i bukur? (…) Një mendje që kërkon, nuk është mendje e pasionuar, dhe ta takosh dashurinë pa e kërkuar, është e vetmja mënyrë për ta gjetur – ta takojmë pa e ditur, e jo si rezultat i një përpjekjeje apo i një përvoje. Do zbuloni se kjo dashuri nuk i përket kohës, se kjo dashuri, qoftë personale ose  jopersonale, i përket si njërit ashtu edhe shumicës. Krejt si një lule kundërmuese, së cilës ju mund t’i merrni erë ose të mos e vini re fare. Ajo lule është aty për këdo, edhe për atë që nuk merr mundimin t’i marrë erë thellësisht e ta vështrojë me kënaqësi. Qoftë ai shumë afër kopshtit apo shumë larg, për lulen është e njëjta gjë; duke qenë e pasur me kundërmim, ajo ua shpërndan atë të gjithëve. Dashuria është diçka e re, e freskët, e gjallë. Ajo nuk ka dje e as sot. Gjendet përtej çdo lloj konfuzioni mendimesh. Vetëm mendja e pafajshme e di se ç’është dashuria, dhe mendja e pafajshme mund të të jetojë në botën që e pafajshme nuk është. Është e mundur ta zbulojmë këtë gjë të jashtëzakonshme, të cilën njeriu ka kërkuar përjetësisht, në vetëflijim, në adhurim, në marrëdhënie, në seks, në çfarëdolloj forme kënaqësie e dhimbjeje, vetëm kur mendimi arrin të kuptojë veten e të mbërrijë natyrisht në fund. (…) Mund t’i lexoni këto fjalë hipnotizuese dhe ngashnjyese, por të shkosh realisht përtej mendimit dhe kohës – pra të shkosh përtej dhimbjes – do të thotë se ekziston një tjetër përmasë e quajtur dashuri. Por ju nuk dini të arrini në atë burim të jashtëzakonshëm – pra si do t’ia bëni? Nëse nuk dini çfarë të bëni, mos bëni asgjë – apo jo? Absolutisht asgjë. Atëherë. Në intimitetin tuaj, ju do të gjendeni në heshtjen më të plotë. E kuptoni se ç’do të thotë? Do të thotë se nuk kërkoni, nuk doni, nuk shkoni në kërkim të diçkaje; nuk ekziston absolutisht një qendër. Atëherë ekziston dashuria. /KultPlus.com

Shkëputur nga libri: “Liri nga e njohura”

Historia e panjohur e motrës së Mozartit, e cila “sakrifikoi” për kompozitorin

Maria Anna Mozart motra e madhe e Volfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishin pengesat që koha ia vinte një gruaje në karrierë atë kohë.

Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën që të mësonte të gatuante dhe të martohej.

Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Evropë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i saj) ajo që merrte vëmendjen e madhe të kritikëve.

Por më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqendruar gjithçka te djali, Volgang. Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetë evropiane të të dyve dhe për këtë arsye, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Annas u ndërpre.

Fati i saj ishte tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej grua dhe nënë e mirë. Historinë e motrës së Mozartit, gati dy shekuj pas, e risjell vepra teatrale e shkruaj nga Sylvia Milo me titull “Mozarti tjetër”.

Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë “Nanerlit” gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.

Edhe vetë Volfgangu e kishte të qartë talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto” i thoshte ai.

Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, vetëm familjet e pasur mund të kishin mundësi të investonin te një pianist. /KultPlus.com

Maria Anna Mozart

Uta Ibrahimi pushton edhe vargmalet e Pakistanit, maja e 11-të më e lartë në botë

Më 12 korrik, rreth orës 08:00, alpinistja Uta Ibrahimi ngjiti edhe majën “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), majën e 11-të më të lartë në botë, pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan.

Rruga deri në maje të tilla asnjëherë nuk është pa të papritura, për shkak të terrenit të egër, motit të paparashikueshëm, akullnajave dhe orteqeve.

Për të arritur deri në kampin bazë (5,200m), është dashur të ecë 150-160 km nëpër kampe të ndryshme, një shteg i përzier me gurë (morane) e akullnaja. Ngjitja prej Kampit bazë deri në Kampin 2 (6500m) ka qenë ngjitje krejtësisht pa litar dhe mjaft e rrezikshme sidomos për faktin e cravasasve – mirëpo ngjitjet janë bërë me litar në mes të ngjitësve të ndryshëm.

Për në Kampin 3 (7,200m), ngjitja ka qenë kryesisht teknike, me pjerrtësi prej 50-65% dhe gurë e akull.
“Ngjitjet nga kampi në kamp janë përgatitje e rëndë për sulmin drejt majës, por janë edhe mundësi e mirë për të takuar dhe biseduar me alpinistë nga e gjithë bota dhe kuptohet, për të ju treguar për Kosovën tonë, për malet tona. Me shumë prej tyre e vazhdoj bisedimin edhe pas ekspeditës, dhe në raste të njëjta, disa edhe e kanë vizituar Kosovën”, shprehet Uta Ibrahimi.

“Kjo është maja e 5-të 8,000 metërshe që e kam ngjitur, çka zyrtarisht më bën alpinisten e vetme në Ballkan që i ka ngjitur 5 maje mbi 8,000 metërshe – duke e kaluar alpinisten nga Sllovenia (e cila i ka 4 maje të ngjitura). Kam ende maje për ti ngjitur (edhe 9 tjera), por nuk do të ndalem. Jam shumë e lumtur që vazhdoj të promovoj Kosovën nëpër ngjitje, të vendosi flamurin tonë kudo që ngjitem, dhe të ju tregoj botës për bukuritë tona natyrore që vlen të vizitohen”, ka thënë Uta nga Islamabadi, Pakistan.

Maja Gasheburum 1 (8,058 m) është ngjitë për herë të parë prej Amerikanëve në 1958 nga një rrugë tjetër, dhe më pas ne vitin 1980 nga një ekspeditë japoneze, kah faqja veriore, shteg të cilin e ka ndjekë edhe Uta Ibrahimi.

Kjo ngjitje është pjesë e ekspeditës “14 majet e Himalajeve”, e filluar nga Uta Ibrahimi për të ngjitur gjithsej 14 majat më të larta të botës – një ekspeditë që shumë pak e kanë realizuar në botë (deri mëtani 3 gra te vetme nga e gjithë bota).

Kjo ekspeditë është përkrahur nga: Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit te Kosovës, Red Bull, Park Hote- Shkup, Aeroporti i Prishtines-Limak, Turkish Airlines dhe Familja Begeja.

Romancë vere

Agim Vinca

Te ura e Drinit piskasin fëmijët
Tek hidhen nga parmakët.
Një djalosh me mjekër si saudit
Shet libra për profetët.

Dielli ngjitet thik përpjetë
Asfalti i nxehtë valë.
Te tavolina lart në breg
Mevludë, ilmihalë.

Si peshq pllaq e plluq fëmijët
Çapkënët struganë.
Bekuar uji që i rrit!
Pa lutje e temjan.

Në Bluesky bosët pinë koktej.
Cicërojnë celularët.
Alo, zemra!… Ku je?… Okej!
Tolloviten shqiptarët.

Te ura e Drinit, mes qytetit.
Stërkala uji e gazi.
O Zot, ç’njerëz! Mjek’r e poetit
Trandet nga marazi.

(Strugë, verë 2008)

Filmi i “Woodstock” do të shfaqet në kinema vetëm për një natë

Derisa përpjekjet për ta sjellë në skenë 50-vjetorin e Woodstockut muajin e ardhshëm kanë hasur në një pengesë të madhe, ata të cilët kanë mbetur të magjepsur nga festivali origjinal i vitit 1969 do të mundë ta ripërjetojnë atë kur “Woodstock: The Director Cut” të mbërrijë në kinema në të gjithë SHBA-në për një natë të vetme, më 15 Gusht, në ora 19:00 sipas kohës lokale.

Versionit të pa shkurtuar prej 44 minutash, të bërë në vitin 1994, i janë shtuar edhe 40 minuta më shumë dhe ai përfshinë këngë nga Jimi Hendrix, Janis Joplin dhe Jefferson Airplane të cilët mbetën jashtë origjinalit, si dhe një sekuencë përmbyllëse që i përkujton të famshmit e viteve të ’60 të cilët kanë vdekur. Filmi do të shfaqet me një interval të shkurtër që do të zhvillohet në dy orë e tetë minuta në film.

“Si dokumentar ashtu edhe si një fenomen i pop-kulturës, Woodstocku është një moment historik, një moment i rëndësishëm i kapur përgjithmonë, duke e dëshmuar fuqinë e qëndrueshme të kinemasë”, tha Ray Nutt nga Fathom Events në një njoftim për shtyp. “Pesëdhjetë vjet më vonë, nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, qoftë si një festival muzikor apo si ndonjë film, dhe Fathom Events është krenar që do të jetë pjesë e përvjetorit të Woodstockut”.

Fillimisht i publikuar në mars të vitit 1970, në dokumentarin e koncertit me regji të Michael Wadleigh janë paraqitur performancat kryesore nga shumë interpretues të festivalit të fundjavës – duke përfshirë The Who, Santana, Sly & the Family Stone, Joe Cocker dhe Richie Havens – dhe intervista me vizitorët e koncertit dhe vendasit. Dokumentari e fitoi Oscarin për Dokumentarin më të Mirë dhe u nominua për Editimin më të mirë filmik dhe për Zërimin më të mirë, edhe pse humbi nga filmi Patton në të dy kategoritë. /KultPlus.com

Dr. Howard Kelly dhe historia e gotës me qumësht

Historia e Dr. Howard Kelly

Një ditë një djalosh i varfër që shiste gjësende derë më derë për të paguar shkollimin e tij, pa se nuk kishte të holla e ishte shume i uritur. 

Vendosi që të kërkonte diçka për të ngrëne në shtëpinë e radhës ku trokiti për të shitur diçka. Megjithatë ai humbi fuqinë dhe kur në derë u lajmërua një zonjë ai në vend të ushqimit kërkoi një gotë qumësht. Asaj ia mori mendja se ai mund të jetë shumë i uritur dhe i solli një gotë të madhe me qumësht. Ai e piu ngadalë dhe e pyeti:
– “Sa ju kam borxh?”
– “Nuk më ke borxh asgjë” ia ktheu ajo “nëna na ka mësuar që kur të bëjmë mirë të mos marrim asnjë para”
– Ai ia ktheu “Atëherë të falënderoj nga zemra”.

Kur Howard Kelli (djaloshi i varfër) u largua nga ajo shtëpi jo vetëm që u ndje më i fuqishëm fizikisht por besimi i tij në Zot dhe në njeri ishte edhe më i fuqishëm. Deri në atë moment ai qe në gjendje të hiqte dorë nga gjithçka.


Disa vite më vonë ajo grua u sëmur rëndë. Mjekët lokal nuk kishin shpresë se ajo do të shpëtonte, dhe më në fund e dërguan në qytetin e madh ku u mblodhën shumë specialistë që të studiojnë sëmundjen e saj të rrallë. Për konsultime ishte thirrur Dr. Howard Kelly. Kur ai dëgjoi emrin e qytetit se nga ishte ajo grua, një shkëlqim i çuditshëm shkëlqeu sytë e tij. Përnjëherë u ngrit dhe duke vrapuar shkoi në dhomën e saj ku ishte e shtrirë. I veshur me mantelin e tij të bardhë hyri ta vizitojë atë. E njohu sapo e pa. U kthye në dhomën e konsultimeve i vendosur që të bëjë gjithçka që ta shpëtojë jetën e saj.

Që nga ajo ditë u dha vetëm pas atij rasti.

Pas peripecive të gjata, beteja u fitua. Dr. Kelly kërkoi nga zyra e biznesit që t’i dërgojnë atij faturën për aprovim. Ai e shikoi njëherë, e pastaj shkroi diçka në fund të faturës dhe iu tha qe t’ia dërgojnë në dhomën e saj. Ajo kishte frikë ta hapte sepse e dinte se do t’i duhej që gjatë tërë jetës së saj të paguante për atë faturë. Më në fund e hapi, dhe diçka e tërhoqi vëmendjen e saj, në fund të faturës ajo i lexoi:
“E paguar me një gotë qumësht”

Lotët e gazimit nuk pushonin nga sytë e saj dhe zemra e saj e shoshte vetëm një lutje: Faleminderit o Zot që dashurinë tënde e përhap përmes zemrave dhe duarve të njerëzve”.

(E nënshkruar)
Dr. Howard Kelly.

Bazuar në historinë e vërtet të Dr. Howard Kelly (1858 – 1943). / KultPlus.com

Ankoheshin se po bënte zhurmë, Ed Sheeran blen shtëpitë e fqinjëve

Fqinjët u ankuan për zhurmën që po bënte, kështu që muzikanti Ed Sheeran vendosi të blinte pronat përreth tij.

Ai pasurive të tij të patundshmërive ia shtoi edhe disa shtëpi të tjera që rrethojnë pasurinë e këngëtarit në Londër me vlerë 21 milionë euro. Artisti i ri tashmë ka 22 prona në vlerë 49 milionë euro.

Britaniku vendosi ta bënte këtë pasi fqinjët e raportuan në polici për ndejat e shfrenuara dhe muzikën që bënte gjatë orëve të vonshme të mbrëmjes.

Ed Sheeran – Foto: Phil Walter/Getty Images/Guliver

“Fqinjët e Edit u ankuan për muzikën me zë të lartë, kështu që sapo iu shfaq një mundësi, ai bleu dy shtëpi pranë tij në Londër”, tha burimi për “The Sun”.

Problemet me fqinjët filluan kur 28-vjeçari liqenin e shndërroi në pishinë dhe e rrethoi me bari artificial për ta mbrojtur veten nga sytë e njerëzve.

Pasuria në të cilën ishte bërë nuk ishte e destinuar për ndonjë ndryshim natyror dhe këngëtarja ishte në gjendje të merrte leje për të mbajtur pellgjet nëse nuk ka asgjë në të që do të rrezikonte natyrën. /KultPlus.com

‘Koprraci’ i Ferizajt ngjitet në skenën teatrore të Egjiptit


Loja e aktorëve ferizajas dhe mjeshtëria regjisoriale e regjisores Elmaze Nura me shfaqjen “Koprraci” për pak javë shpërthejnë kufijtë e prezantimit kombëtar.

Është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental i Kajros, që në edicionin e tij të 26-të ka zgjedhur pikërisht shfaqjen “Koprraci” të regjisores Nura, prodhim i Teatrit “Adriana” në Ferizaj që ta ftojë në ceremoninë hapëse të këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar. Siç transmeton rtk, trupa jonë ka të rezervuara dy data, 11 dhe 12 shtator për t’i prezantuar publikut teatror ndërkombëtar, magjinë, lojën, intrigën dhe zhdërvjelltësinë skenike që bart nga fillimi deri në fund, shfaqja “Koprraci”.

Kjo ftesë, rezultat i angazhimit të pakursyer të regjisores Nura për promovimin e teatrit shqiptar në arenën ndërkombëtare ngre siparin më 10 shtator dhe zgjat deri më 19 shtator të këtij viti. Aktorët ferizajas, ansambli i shfaqjes “Koprraci” dhe një pjesë e drejtuesve të teatrit e kulturës në Ferizaj, tash kanë bërë përgatitjet që në shtator të ngjisin skenën e Shtëpisë së Operës në Kajro, në hapje të Festivalit.

Udhëtimi i shfaqjes sonë në Egjipt është e para e këtij lloji dhe përmase në dekadat e fundit, që flet mjaft për ecjen përpara të Teatrit “Adriana”, komunikimin dobiprurës me regjisorët e angazhuar dhe bashkëveprimin në funksion të promovimit të talenteve, artit teatror dhe punës krijuese tek ne.

Ky është përfaqësimi i vetëm dhe më i lartë që i bëhet Republikës së Kosovës në këtë festival prestigjioz, mbështetje për të cilën dha Komuna e Ferizajt.

Natalie Portman do ta luajë versionin femëror të “Thorit” në filmin e ardhshëm të Marvelit

Natalie Portman do të kthehet në franshizën “Thor” në një status paksa më të lartë. Ajo do ta ketë rolin e versionit femëror të perëndeshës nordike të vetëtimës dhe bubullimës, shkruan Sky News.

Njoftimi erdhi pasi që Marvel Studios e publikoi një tabelë të superheronjëve të ardhshëm në filmat e tyre të rinj, përfshirë Angelina Jolie në “The Eternals”, filmin “Blade” me fituesin e Oscar, Mahershala Ali dhe “Black Widow” me Scarlett Johansson.

Portman do ta përsëris personazhin e vet Jane Foster në filmin “Thor”, por në vazhdimin e ri do ta marrë “çekanin hyjnor” i cili do ta bëjë atë perëndeshë të vetëtimës.

Chris Hemsworth, i cili fillimisht e luan Thorin, dhe Tessa Thompson, e cila e luan Asgardian Valkyrie, gjithashtu do të shfaqen në vazhdimin e ri.

Filmi është pjesë e fazës së katërt të Marvel Cinematic Universe, i cili filloi me Iron Man në vitin 2008 dhe pason me shfaqjen e blockbusterit “Avengers: Endgame”.

“Thor: Love and Thunder” do të shfaqet në nëntor të vitit 2021. /KultPlus.com

Lasgushi letër të bijës: Jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet

Poeti dhe shkrimtari shqiptar Lasgush Poradeci në një letër drejtuar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974, i drejtohet me këto fjalë:

 “… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”.

Letra është publikuar nga vajza e tij Marie Poradeci / KultPlus.com

Ndërron jetë në moshë 81-vjeçare ikona e muzikës botërore

Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, ikona muzikore e New Orleans, Art Neville (Arthur Lenon Neville).

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, menaxheri i tij ka bërë të ditur lajmin e hidhur për mediat dhe fansat e Neville.

Mediet a huaja shkruajnë se 81-vjeçari është gjetur i pajetë në shtëpinë e tij, pasditen e së hënës. Ndërkohë ende nuk dihet shkaku i vdekjes.

Art Neville ka qenë pjesë e disa grupeve të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “The Meters” dhe “The Neville Brothers”, me të cilët ka pasur shumë sukses.

Neville ka fituar edhe çmimin “Grammy Awards”. Gjithashtu ai ka marrë një çmim nga organizata “Lifetime Achievement Award” në karrierën e tij artistike mbi 50 vjet. / KultPlus.com

Gjuha shqipe është themeli i tezës së autoktonisë së shqiptarëve

Gjuha ka qenë e mbetet një nga treguesit më parësor në formimin dhe natyrisht edhe në përcaktimin e karakterit etnik të një populli. Rrjedhimisht edhe në përcaktimin e origjinës së arbërve-shqiptarëve të hershëm, të dhënat gjuhësore përbëjnë themelin e tezës së autoktonisë së shqiptarëve, ndaj nuk është rastësi që studiuesit e parë që u morën me origjinën e arbërve, janë gjuhëtarët. Kështu, gjatë shek. XIX dhe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, në zgjidhjen e këtij problemi ka mbizotëruar mendimi i gjuhëtarëve.

Duke qenë se një paraqitje e plotë e pikëpamjeve të gjuhëtarëve rreth origjinës së gjuhës shqipe, del jashtë kuadrit të kësaj trajtese si edhe jashtë mundësive tona, do të mjaftohemi të japim disa nga pikëpamjet më kryesore të studiuesve të ndryshëm, të cilat të krahasuara me të dhënat e shkencave të tjera qëndrojnë më fuqishëm në mbështetje të autoktonisë së popullit shqiptar. I takon merita albanologut G.Hahn, i cili qysh në mesin e shek. XIX formuloi tezën e lidhjeve: pellazgë-ilirë-shqiptarë. “Me sa duket, – shkruan ai, – shumë më e natyrshme është të pranohet që stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve, zinin vendbanimin e sotëm të tyre dhe që zakonet e tyre të përbashkëta me popujt fqinjë janë ruajtur në mënyrë më të pastër dhe më besnike se sa te fqinjët e tyre”(Hahn,J.G. 213). Kështu Hahni arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve më të vjetra të ilirishtes dhe ilirët si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, kanë lidhje me pellazgët. Fakti që autori i kësaj pikëpamjeje e kërkon lidhjen e shqipes me pellazgjishten, pra shumë më herët në kohë dhe mbi bazën e pellazgjishtes shumë të diskutueshme, e bëri tezën e autoktonisë së shqiptarëve shumë pak të besueshme.

Teza e G.Hahnit mbi autoktoninë e shqiptarëve u përkrah dhe u mbrojt mbi një bazë shkencore më të gjërë e më të thelluar nga një varg historianësh e gjuhëtarësh të huaj si G.Mayer, H.Pedersen, N.Jokli, V.Cimohovski, etj. Me krijimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, më 1946, e më pas të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë me shumë sektorë shkencorë, në fushën e studimit të historisë së gjuhës shqipe u shënuan arritje cilësore, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë në veprën e prof. Eqerem Çabejt (Çabej,E. 1060,32-27; Çabej,E. 1969, 41-65; Çabej,E. 1974,II,7-26). Ato janë pasuruar dhe çuar më tej edhe nga gjuhëtarë të tjerë shqiptarë si prof. Mahir Domi (Domi,M. 1969,247), prof. Shaban Demiraj (Demiraj,Sh.1988), prof. Seit Mansaku (Mansaku,S.1982,3), etj. Kështu, në sajë të përpjekjeve dhe studimeve të disa brezave historianësh e gjuhëtarësh për historinë e gjuhës shqipe, është arritur të provohet shkencërisht prejardhja ilire e kësaj gjuhe.

Krahas tezës iliro-shqiptare u parashtruan pikëpamje e teza të tjera, midis të cilave veçohet teza sipas së cilës shqiptarët janë stërnipër të trakëve e për rrjedhojë origjina e shqipes duhet kërkuar tek trakishtja dhe se ilirishtja nuk është gjë tjetër veçse një dialekt trak i ilirizuar (Barić,H. Albanorumanische Studime I, 125). Një qëndrim të ndërmjetëm kanë mbajtur disa gjuhëtarë të tjerë, të cilët bëjnë një bashkim të qytezave. Sipas N. Joklit, karakteri iliro-thrakas i gjuhës shqipe shpjegohet me faktin se karakteristikat gjuhësore të ilirishtes përputhen me karakteristikat e njëjta të gjuhës thrake (Jokli, N., 24) Nuk mungojnë edhe variante e nënvariante të pikëpamjeve të këtyre tri grupimeve kryesore që përmendëm më lart, të cilat studiuesit i kanë zhvilluar e stërholluar më tej me argumente e kundërargumente.

Në rrugën e zgjidhjes së prejardhjes së gjuhës shqipe të gjithë studiuesit kanë hasur në dy vështirësi objektive.

Së pari, në krahasimin që bëhet midis ilirishtes e shqipes, njihet vetëm njëra-shqipja si gjuhë e shkruar; rrjedhimisht për ilirishten mungojnë të dhënat e mjaftueshme si për leksikun, strukturën gramatikore, fonetikën e saj, etj.

Së dyti, edhe për shqipen dokumenti i parë i shkruar, formula e pagëzimit e vitit 1462, e cila është një fjali e vogël në shqip, në mes të një shkrimi latinisht, është e një kohe shumë të largët me kohën kur është folur për herë të fundit ilirishtja.

Krahas vështirësive që përmendëm, nuk mund të lëmë pa vënë në spikamë një fakt historik të dorës së parë, që gjuha shqipe flitet sot në truallin ku në kohën antike banonin ilirët e mirëfilltë, ku flitej ilirishtja a një dialekt i saj. Ky fakt përbën një përparësi ku janë mbështetur studiuesit që kanë argumentuar dhe provuar prejardhjen ilire të gjuhës shqipe. Ja disa nga konkluzionet e gjuhëtarëve më në zë që janë marrë me këtë problem.

J.Thunman: “..Nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të mëvonshëm dhe nuk mund të mos njoh faktin se fqinjët e stërmoçëm të ilirëve kanë qenë grekët dhe romakët. Rrjedhimisht dhe ilirët janë të vjetër” (Çabej,E.1974,12).

G .Mayer: “..Nuk ka asnjë bazë për të mos e konsideruar atë (shqipen) si një fazë të re të ilirishtes së moçme ose më saktë të njërit prej dialekteve të moçme ilire”. Këtë mendim e përforcoi edhe P.Kreçmer, i cili shkruan: “…Pranoj që gjuha shqipe përfaqëson fazën më të re të ilirishtes ose siç shprehet me të drejtë në mënyrë të matur Meyer, një dialekt ilir.” Dhe më tej pohon se shqiptarët banojnë aty ku në kohën antike kanë banuar fise ilire (Mayer, G. 804).

V.I.Georgiev: “Ilirishtja është pasardhësja e gjuhës shqipe, domethënë ilirishtja është baza , gjuha nënë e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974,56).

R.Katičić: “Shqipja qysh në kohën e lashtë është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot. Është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse e ilirishtes” (Katičić,R. 1974,98).

Nga gjuhëtarët shqiptarë është E.Çabej që me veprat e tij “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes” si edhe me disa artikuj, referate e kumtesa ka mbështetur dhe provuar në mënyrë më të plotë tezën se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes. “Analogjitë që vihen re në mes të shqipes dhe mbeturinave të ilirishtes, – përfundon E.Çabej, -dëshmojnë në fakt për një raport filiacioni midis këtyre dy gjuhëve” (Çabej,E. 1969,52).

Në mbështetje të këtij konkluzioni autori analizon dëshmitë gjuhësore që trashëgojmë nga ilirishtja, të cilat duke u mbështetur në një metodë rigorozisht shkencore, i krahason me të dhënat e gjuhës shqipe.

Në sferën e toponomastikës historike, në një trevë të gjerë gjeografike, e cila dihet se në kohën antike ka qenë banuar nga ilirët, ruhen shumë emra qytetesh, lumenjsh, malesh etj., të cilët në trajtën që kanë sot në gjuhën shqipe, dëshmojnë për një vazhdimësi të banimit nga e njëjta popullsi. Dhe ajo që është thelbësore, ato spjegohen vetëm me anën e gjuhës shqipe. Të tilla janë: Scodra-Shkodër, Naissus-Nish, Drivastum-Drisht, Pirustae-Qafa e Prushit, Lissus-Lezh, Dyrrachion-Durrës, Isammus-Ishëm, Scampinus-Shkumbin, Aulon-Vlonë, Vlorë, Thyamis-Çam. Në radhën e këtyre toponimeve, të cilat E.Çabej i quan nga provat më shteruese, për të provuar autoktoninë e popullit shqiptar, duhet përmendur edhe emri i fisit ilir albanoi që banonte në shpinë të Durrësit, emri nacional i vjetër i popullit dhe i vendit tonë, që u ruajt në formën arbëri, arbër, në truallin e Shqipërisë dhe në ngulimet shqiptare të Italisë e Greqisë.

Në vazhdim të këtyre të dhënave toponomastike mund të përmenden edhe shumë emra të zonës ilire, të cilët gjejnë përgjegjësit e tyre edhe në leksikun e shqipes a në toponominë e saj. Krahaso: Bigesti-bigë:“mal me dy maja, majë mali”; Brindia-Brundisium-brim brini; Dardania-dardhë; Delmatia-delme; Lamatis-lamë, lëmë; Molontum-mal; Mathis-mat: “buzë lumi, breg deti”; Pelagonia-pellg më i vjetër; Ragusium-Rush, rrush; Sason emri i ishullit të Sazanit; Tergaste-treg; Ulkinion-ulk; etj.

Një provë tjetër, për vazhdimësinë iliro-shqiptare, përbëjnë emrat vetjak që vijnë nga treva ilire dhe që në një formë të drejtpërdrejtë a të ngjashme, janë ruajtur në antroponiminë shqipe ose shpjegohen me mjetet e saj. Emra të tillë njerëzish do të ishin: Anna, Bardus, Bardyllis, Bato, Dases, Das (s)ins, Dida, Gentius, Grabus, Epicadus, Lydra (Ludra), Licca, Monunins, Pleuratus, Teutana, etj.

Kur parashtrojmë pikëpamjet dhe ndihmesën e gjuhëtarëve shqiptarë për origjinën e gjuhës shqipe, nuk mund të mos veçojmë prof. Sh.Demiraj, i cili, me veprën “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (Tiranë 1988), ka meritën se pas, një shqyrtimi tërësor që i bën problemit, arrin të nxjerrë përfundime të plota e të qarta për gjuhën shqipe dhe historinë e saj (Demiraj,Sh. 1988,19-34).

Pas kësaj parashtrese sintetike, të pikëpamjeve dhe të argumenteve të gjuhëtarëve që mbështesin tezën e birësisë së shqipes nga ilirishtja, është mëse e nevojshme të ndalemi edhe tek dy anë të rëndësishme të problemit, që janë në lidhje të ngushtë e të ndërthurura me çështjen e formimit të gjuhës shqipe. Ështa fjala për vendin dhe kohën e formimit të saj; këto çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë ose anësore, kanë qenë objekt kërkimesh pothuajse nga të gjithë gjuhëtarët. Rrjedhimisht edhe përfundimet e tyre kanë qenë të ndryshme. Përkrahësit e tezës së origjinës trake të ilirishtes apo të tezës trako-ilire N.Jokli (Jokli,N. 1924,32), G.Weigand (Weigand,G. 1927,227-251), mbrojnë pikëpamjen se djepi ballkanik i shqiptarëve duhet kërkuar më në lindje, në trevën ku flitej trakishtja. V.I.Georgiev, ndonëse mbështet tezën se ilirishtja është gjuha nënë e shqipes, kur është fjala për përcaktimin e trevës së ngushtë të formimit të saj, shprehet se: “Gjuha shqipe është me origjinë dakomize (dardaniane) ndërsa ilirishtja s’është veç një komponentë e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974, 56), pra, sipas tij, trualli i formimit të shqipes ka qenë ai i Dardanisë antike. Rreth truallit të formimit të gjuhës shqipe ka edhe pikëpamje më ekstreme. Sipas G. Schramm shqiptarët nuk janë aspak pasardhës të ilirëve, por një popull që është dyndur nga brendësia e gadishullit Ballkanik (Schramm, G. 1994, 9-47).

Mbi fakte më të shumta e më të plota mbështetet teza se shqipja është formuar në trevat e Adriatikut Lindor e të Jonit, në tokat të cilat në kohën antike kanë qenë banuar nga Ilirët e Jugut. Në mbështetje të kësaj teze, një ndihmesë të veçantë ka dhënë gjuhësia shqiptare e 40 viteve të fundit me studimet e E.Çabej, J. Gjinari (Gjinari, J. 1969,175-184), Sh.Demiraj, etj. Po ndalemi më konkretisht mbi disa nga provat gjuhësore që sjellin këta autorë.

Toponimia e moçme e trevave shqiptare, e cila ka qenë në përdorim të pandërprerë qysh nga koha antike e deri në ditët tona, përbën një nga provat më bindëse për vazhdimësinë e banimit nga e njëjta popullsi. Ajo bart me vete shtresëzime të periudhave të ndryshme historike dhe rrjedhimisht edhe gjurmët e ndikimeve të kulturave të tjera, po rëndësi të dorës së parë ka fakti se vijimësia e përdorimit të të njëjtëve emra është në përputhje me evolucionin e sistemit fonetik të gjuhës shqipe, si rrjedhojë, ato përbëjnë argumente të pakundërshtueshme. Toponime të tilla, të analizuara imtësisht nga gjuhëtarët, ka mjaft. Ato ndodhen në pjesën bregdetare të territorit shqiptar si: Shkodra, Buna, Ishmi, Drishti, Shkumbini , Vlora, etj.

Rreth terminologjisë detare të shqipes është diskutuar mjaft. Sipas mendimit të përgjithshëm shumë fjalë, që i përkasin lundrimit e peshkimit, janë marrë nga gjuhët fqinje e kjo merret si një provë për të kundërshtuar tezën e banimit të hershëm të shqiptarëve në brigjet e Adriatikut. Është e vërtetë se një pjesë e këtij leksiku është e burimit të huaj, por është po kaq e vërtetë se një pjesë e terminologjisë që lidhet me florën dhe faunën e detit dhe ajo që i përket lundrimit e peshkimit, është e fondit autokton të gjuhës shqipe. Në këtë fond hyjnë fjalët: det (me kuptimin bazë “thellësi”), bashkë me bregdet e detar; mat-buzë deti a lumi; grykë, valë, etj.

Në të mirë të çështjes së lashtësisë së shqipes në brigjet e Adriatikut vijnë edhe huazimet nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Në shqip ka një tok fjalësh me prejardhje nga greqishtja e vjetër, më saktësisht nga dialekti dorik i saj. Fjalë me prejardhje të tilla gjuhëtarët pranojnë: moken-mokër, bretek (bretkosë), drapën-drapër; laken-lakër; pjepën-pjepër; presh, qershi, shpellë, etj. Prania e këtyre fjalëve me burim nga dorishtja dëshmon për kontakte e marrëdhënie shumë të hershme të grekëve të kohës antike me ilirët-paraardhësit e shqiptarëve. Dhe këto kontakte u zhvilluan në territorin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, aty ku u themeluan edhe kolonitë e hershme helene.

Ndikimet e greqishtes mbi ilirishten e antikitetit të vonë e më pas mbi arbërishten e periudhës së mesjetës së hershme janë të dukshme, sidomos pas vendosjes së greqishtes si gjuhë zyrtare e Perandorisë Bizantine. Në huazimin e fjalëve greke ka ndikuar edhe fakti se një pjesë e madhe e popullsisë së krishtere të territorit të vendit tonë ishte ortodokse e për rrjedhojë gjuha liturgjike ishte greqisht (Demiraj,Sh. 1988,106-117).

Gjerësia e burimeve të shkruara në latinisht u kanë dhënë mundësi studiuesve të venë në dukje kontaktet e hershme e të vazhdueshme të ilirëve me romakët edhe në rrafshin gjuhësor. Pushtimi i Ilirisë nga romakët, në mesin e shek.II p.e.sonë, i cili zgjati deri në vitin 395 të e.sonë, kur Perandoria romake u nda në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, u bë një faktor vendimtar për të gjithë zhvillimin e jetës social – politike e ekonomiko-kulturore të Ilirisë. Masat me karakter administrativ e ushtarak që mori Perandoria Romake, si vendosja e ushtarëve “veteranë” në tokat e pushtuara, ngritja e kështjellave ushtarake në shumë zona të rëndësishme, ndërtimi i rrugëve të mëdha që lidhnin e përshkonin tërë perandorinë, si Via Egnatia, si edhe vendosja e kolonëve romakë në disa qytete dhe kthimi i tyre në koloni u pasua me ndryshime thelbësore në territorin e Ballkanit. Si rrjedhojë, u romanizuan zonat bregdetare të Dalmacisë, Dakia (Rumania e sotme), etj.

Përdorimi i latinishtes, si gjuhë zyrtare në tërë perandorinë, ndikoi fuqimisht në gjuhën e popujve që u përfshinë brenda saj. Latinishtja ishte privilegj i një numri të kufizuar njerëzish dhe mbi të gjitha ishte gjuhë e pakuptueshme për masën e gjerë të popullsisë, por trysnisë së gjuhës zyrtare latine, që u përdor disa shekuj me radhë, nuk mund t’i shpëtonte gjuha e popullsisë vendase ilire. Si rrjedhojë, në gjuhën e folur u futën një numër i madh fjalësh me burim latin, të cilat nuk prekën leksikun themelor të gjuhës shqipe e aq më pak strukturën gramatikore të saj.

Pa mohuar rolin qytetërues që luajti latinishtja si gjuhë e shkruar, ajo mbeti shumë e kufizuar në përdorim. Studiues të ndryshëm janë përpjekur të vënë edhe një kufi ndarës midis zonave ku ushtroi trysninë e vet greqishtja dhe zonave ku si gjuhë zyrtare përdorej latinishtja. Shumë qartë është shprehur për këtë problem E.Çabej, i cili shkruan: “Kufiri gjuhësor greko-latin as nuk mund të hiqet në mbështetje të mbishkrimeve, sepse këto mbishkrime japin një ide për gjuhën e atyre që shkruanin gjuhën e banorëve të shkolluar të qyteteve. Ato nuk na thonë gjë për gjuhën që fliste masa që nuk shkruante, sidomos popullsia fshatare e malësore. Prandaj ky kufi gjuhësor mund të ketë vlerë shumë-shumë për popullsinë qytetare. Që fshatarësia, pohon më tej E.Çabej, – për shumë kohë nuk foli as latinisht as greqisht, këtë na e dëshmon bash ruajtja e gjuhës shqipe, që nga ajo kohë e gjer më sot, ruajtje që ndryshe nuk shpjegohet” (Çabej,E. 1960,49).

Shqyrtimi që u bën S.Anamali mbishkrimeve latine, shpeshtësisë dhe shpërndarjes së tyre, në territorin e Ilirisë së Jugut është një ndihmesë e një rëndësie të veçantë jo vetëm në mbështetje të mendimit të E.Çabejt, por edhe për të hedhur dritë me të dhëna përmes burimeve të mirëfillta arkeologjike që të çojnë në të njëjtat përfundime historike (Anamali,S. “Studime Historike” 1972,3, 121-124).

Numri i mbishkrimeve latine të gjetura në territorin e sotëm të Shqipërisë është rreth 200, numër ky shumë i vogël në krahasim me mbishkrimet e gjetura në provincat e tjera romake. Problemi bëhet edhe më i qartë po të shqyrtohet shpërndarja e këtyre mbishkrimeve. Në Shqipërinë e Veriut, mbishkrime latine janë gjetur në një numër të kufizuar në dy qytetet kryesore, në Shkodër e Lezhë. Zona kryesore, ku janë zbuluar më shumë se gjysma e mbishkrimeve latine, është ajo e kolonisë së Dyrrahut me periferinë e tij. Një zonë tjetër ku janë zbuluar mbishkrime latine është ajo e Bylisit si edhe kolonia e Buthrotit. Gjetja e disa gurëve miliar gjatë rrugëve të rëndësishme, si edhe e disa mbishkrimeve votive në pika të veçuara, nuk mund të shërbejnë si dëshmi e pranisë së një popullsie që fliste latinisht.

Me përjashtim të Dyrrahut, ku ka një numër të konsiderueshëm mbishkrimesh, në mikrozonat ku janë gjetur ato pak mbishkrime nuk mund të pranohet se popullsia e këtyre zonave ishte latinizuar dhe fliste latinisht. Ky përfundim gjen mbështetje edhe në faktin se në mbishkrimet e zbuluara në këto zona, gjejmë një numër të konsiderueshëm emrash ilirë si Gent, Epikad, Plator, Klevata, Tata, Amai, Anula, Dastid, Pladomen, Sura, Pyran, etj., emra që vijnë nga koha ilire, e për rrjedhojë, janë prova të mbijetesës së popullsisë ilire.

Duke analizuar përhapien e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali ndalet edhe në faktin se në disa krahina të Ilirisë së Jugut nuk është gjetur asnjë mbishkrim latin. Kështu fjala vjen, si mund të flitet për popullsi latinofone në trevën e Shqipërisë Juglindore të banuar nga dasaretët, të cilët në kohën e Plinit ishin ilir, kur në këto treva janë gjetur vetëm dy pllaka votive (një në fshatin Memlisht e një në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit), të cilat ndonëse mbajnë emra latinë, janë shkruar në gjuhën greke. Po kështu edhe në Apoloni, Amantia e Foinike, janë gjetur mbishkrime të kohës romake po të shkruara në gjuhën greke. Gjithashtu nuk janë gjetur mbishkrime në krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore dhe as në Mat, Mirditë e Dibër.

Në përfundim të analizës së vet për përhapjen e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali shkruan se teza e “zhdukjes së gjuhës ilire” nuk është bindëse dhe se nuk mund të konsiderohet si kufi gjuhësor, as edhe etnik, përhapja e mbishkrimeve latine e greke, vlen vetëm si një ndarje midis ndikimit të dy kulturave, asaj greke e romake.

Pas kësaj parashtrese të përmbledhur, po të nevojshme të arritjeve të gjuhësisë për origjinën e gjuhës shqipe, do të ndalemi më hollësisht tek ndihmesa e arkeologjisë shqiptare në ndriçimin dhe argumentimin e autoktonisë së popullit shqiptar. /KultPlus.com

Ismail Kadare finalist për çmimin Neustadt International for Literature

Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, është në garë për çmimin prestigjioz The Neustadt International Prize for Literature, që ndahet nga Universiteti i Oklahomës, shkruan KultPlus.

Ky çmim shpesh është krahasuar me çmimin “Nobel” për letërsi, madje gazeta e madhe njujorkeze New York Times e quajti çmimin si “Nobeli amerikan”.

Në të kaluarën çmimin e kanë fituar emra të njohur të letërsisë si  Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti, e të tjerë.

Kadare do të jetë në garë me shkrimtarë si Eduardo Halfon, Jessica Hagedorn, Emmanuel Carrere, Hoa Nguyen e të tjerë. Pritshmëritë janë të mëdha për shkrimtarin tonë, i cili ka korrur suksese të mëdha gjatë karrierës, duke fituar mes tjerash edhe një çmim prestigjioz, “Prince of Asturias” për letërsi.

“Ismail Kadare, është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm në botë sot. I lindur në Shqipëri në vitin 1936, ai filloi të shkruajë poezi dhe prozë të shkurtër në vitet 60’, gjatë regjimit totalitar që mbretëronte në Shqipëri.

Veprat e tij të para janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Vajza e Agamemnonit”. Veprat që e bënë emër të veçantë në fushën e letrave janë “Prilli i thyer”, “Dosja H” e të tjera.

Krijimtaria e tij është përkthyer në dyzet gjuhë të botës. Në vitin 2005, ai u nderua me cimin “Man Booker International”, për “veprën që ka pasur ndikim të vërtet global”. Ai poashtu u laureua me çmimin e “Prince of Asturias” në vitin 2009” shkruhet në prezantimin e shkrimtarit shqiptar që i bën Neudtadt Prizes. /KultPlus.com

Dhjetë romane për t’i lexuar gjatë verës

Rekomandimet e platformës më të madhe të librit shqip, Bukinist.al për pushuesit gjatë verës së vitit 2019. Mes tyre, libra të rinj, ribotime, romanca, thrillera politikë dhe autorë shqiptarë, të cilët janë bestseller-a në tregjet botërore dhe të pëlqyer nga lexuesit në Shqipëri

Vera e vitit 2019 ka shënuar titujt më të nxehtë në treg për të gjithë ata të pasionuar që duan të marrin me vete në çantën e plazhit një libër

Për herë të parë, vjen i përkthyer direkt nga gjuha origjinale prej Mira Meksit “Njëqind vjet vetmi” e Gabriel Garcia Marquez, vlerësuar si një nga romanet më të mira të shekullit të XX. Njëherësh, ribotohet pas rreth dy dekadash mungesë libri më i mirë i Milan Kunderës  “Lehtësia e padurueshme e qenies, shqipëruar nga Saverina Pasho. Autori i bestseller-ave  absolut Paulo Coelho  edhe në shqip, vjen me romanin më të ri për lexuesit shqiptarë, “Hipi”.

Zhanri i romancës vjen me autorët më të njohur në botë të këtij momenti: Sophie Kinsella dhe Mark Sulivan. Ndërsa “Një xhentëlmen në Moskë” i Amor Towles dhe “Presidenti është zhdukur” janë dy romane, gërshetim të thriller me atë politik, duke ndërtuar realitete të botës së lartë politike, me intriga dhe skenare që tronditin botën.

Po ashtu, për të pasionuarit e serisë së princeshës Sulltanë të Jean Sasson, vjen libri më i fundit në shqip, i përkthyer nga Grida Duma. Nga letërsia shqipe, kemi përzgjedhur romanin “15 ditë prilli” të Anisa Makarian, e cila sendërton një raport të frikshëm të pasioneve të individit në diktaturë.

1. “Njeqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez

Vjen për herë të parë i shqipëruar nga gjuha origjinale “100 vjet vetmi”, një nga kryeveprat e letërsisë botërore të shekullit të XX. Pas një përvoje të gjatë të përkthimit nga gjuha spanjolle, Mira Meksi sjell magjinë e vërtetë të Marquezit, e cila nuk është shijuar siç duhet deri më sot nga lexuesi shqiptar

2. “Hipi” nga Paulo Coelho

Duke iu referuar përvojës së tij të pasur jetësore, Paulo Coelho na kthen pas në vite për të përjetuar sërish ëndrrën e një brezi që kërkonte paqe dhe guxonte të sfidonte rendin shoqëror të kohës.

Nëse dëshiron të njohësh vetveten, fillo të eksplorosh botën përreth teje.

3. “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera

Një arritje e madhe e njërit nga shkrimtarët më të shquar të kohës, romanca madhështore e pasioneve dhe politikës, pabesisë dhe ideve. Milan Kundera përfshin ekstreme të komedisë dhe tragjedisë, duke ndriçuar të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore.

4. “Friend Request” nga Laura Marshall

“Kërkesë për miqësi” është romani që do t’ju mbërthejë që në faqen e parë dhe do t’ju lërë pa frymë deri në të fundit. Romani i Laura Marshall është konsideruar si trilleri më i bukur i vitit.

5. “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sulivan

Aksion, aventurë, dashuri, luftë dhe një hero epik, të gjitha këto të vendosura në një nga periudhat më të errëta të historisë. “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sullivan ka gjithçka që mund të kërkohet nga një roman i jashtëzakonshëm i Luftës së Dytë Botërore. Personazhi i librit, Pino Lella nuk e donte luftën. Ai ishte një adoleshent italian i zakonshëm, i pasionuar pas muzikës, ushqimit dhe femrave, por ditët e tija të pafajësisë janë të numëruara. Ai detyrohet me forcë për tu përfshirë në luftë dhe befas e gjen veten brenda Komandës së Lartë Gjermane. Veç horrorit dhe krimeve, dashuria e tij për Anën i jep kurajë për të vazhduar për të ëndërruar.

6. “Qyteti i arinjve” nga Fredrik Backman

Ky roman është konsideruar një prej librave më të mirë të vitit nga LibraryReads, Book Browse dhe Good reads. Autori i shumë shitur i “Një burrë i quajtur Uve” rikthehet me një roman mahnitës e thellësisht të ndier mbi një qytet të vogël me një ëndërr të madhe dhe çmimin që duhet paguar për ta bërë këtë ëndërr realitet.

7. “Jeta ime jo aq e përsosur” nga Sophie Kinsella

Ky roman është një komedi që luan me shumë zgjuarsi me temën e dukjes. Sa njerëz në botë përpiqen të japin një imazh të vetes që nuk përkon aspak me të vërtetën.

8. “Princesha duke dale nga errësira” nga Jean Sasson

Duke intensifikuar komunikimet me personalitetet më të larta të këtij vendi në vitin 1983 krijoi miqësi të ngushtë me Sulltanën një princeshë tjetër mbretërore. Njohja dhe miqësia që pati me Princeshën Sulltana, besimi që ajo krijoi për ti rrëfyer historitë personale intimitetet, jetën dhe marrëdhëniet brenda oborrit mbretëror i shërbyen për të botuar serinë e famshme të Princeshës Sulltana

9. “Presidenti është zhdukur” nga Bill Clinton dhe James Patterson

E gjithë bota është e tronditur. Por arsyeja e zhdukjes së tij është shumë më e rëndë se ç’mund të imagjinohet. Një libër me detaje që vetëm një president mund t’i dijë, dhe me kureshtjen gjithëpërfshirëse që vetëm James Patterson-i mund të ngjallë. Ky roman konsiderohet si thrilleri më intrigues dhe mbresëlënës i viteve të fundit

10. “15 ditë prilli” nga Anisa Markarian

Romani rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht. /KultPlus.com

Mark Hamill shpallet Ikona e Comic-Con për vitin 2019

Mark Hamillit iu dorëzua 2019 Icon Award në Comic-Con në San Diego të Californias.

Aktori i Star Wars ishte në konventën e fansave duke e promovuar filmin e Netflix, “Dark Crystal: Age of Resistance”, kur u befasua me çmimin në fjalë.

“Ju thashë se sa me fat ndihem që mund t’i bëj të gjitha gjërat që i kam dashur si fëmijë dhe të paguhem për këtë, kështu që kjo duket shumë e tepërt, por është shumë e çmuar”, u tha Hamill fansave, shkruan KOHA Ditore. “Dëgjoni njerëz, po të mos ishit ju, unë me siguri nuk do të qëndroja këtu.

“Fillova të vija në këto konventa shumë vite para se ta takoja George (Lucas). Unë isha në konventë kur më thanë, ‘Ke dëgjuar? Do të jenë 5,000 njerëz këtë vit’. Dhe ne thamë, ‘Uau! Sa prej tyre janë femra?” Ju falënderoj vërtet shumë”.

Lucas dhe gruaja e ndjerë e stripave të Marvel, Stan Lee, janë në mesin e fituesve të mëparshëm të çmimit Icon. / KultPlus.com

Sofia Loren kthehet në setin e xhirimit

Për hir të dashurisë së djalit Edoardo, aktorja e madhe Sofia Loren tashmë 84-vjeçe, kthehet në skenë e filmit.

“Jeta përpara teje” titullohet titulli i filmit i frymëzuar nga romani i Roman Gary-t.

Filmi parashikohet të dalë në vitin 2020 dhe tregon historinë e madamë Rosë, hebreje, që arriti të largohet nga kampi i Auschwitz-it dhe krijon një raport tepër intens me një fëmijë me ngjyrë.

Momo ishte braktisur nga e ëma dhe Rosa kujdeset për të dhe ky i fundit kujdeset kur ajo sëmurët dhe detyrohet të qëndrojë në një karrigë me rrota. Sofia Loren e cila prej 10 vitesh i mungonte seti kinematografik ka rolin e protagonistes.

Xhirimet po bëhen në Puglia. /KultPlus.com

110 vjet nga Kongresi i Dibrës

 

Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.

Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti, dhe krijuan një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse ishin në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.

Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.

Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.

Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.

Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.

Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë. / KultPlus.com

Sharon Stone kishte kaluar shtatë vjet për t’u shëruar nga goditja në tru

Duke folur në ceremoninë humanitare kushtuar shëndetit të trurit të femrës në Los Angeles, aktorja e famshme amerikane Sharon Stone tha se si Hollywoodi ka qenë i tmerrshëm ndaj saj, kur ajo përjetoi goditje të rëndë në tru 18 vjet më parë.

Duke e treguar përvojën personale, aktorja theksoi se goditja në tru është shumë e rrezikshme dhe se për shërimin nga ajo nevojitet një kohë e gjatë, shkruan Variety.

“Shtatë vjet më janë dashur ta marr veten. Nëntë ditë kam pasur gjakderdhje truri. Kam përjetuar sjellje të pakëndshme dhe mendjemadhësi nga koleget e mia e deri tek gjykatësja, e cila vendosi për kujdesin e djemve të mi”, tha Stone e cila në atë kohë po shkurorëzohej nga Phil Bronstein.

Në atë kohë, Stone ishte aktorja më e kërkuar, por sëmundja kishte ndikuar në humbjen e atij statusi, shkruan KOHA Ditore.

“Në atë kohë isha aktorja më e kërkuar. Përpiqesha të funksionoja dhe të punoja normalisht, ndërkohë që e kisha marrë një hipotekë të re për shtëpinë në të cilën jetoja. I humba të gjitha që i kisha. Atëherë e humba statusin që e kisha në Hollywood,” e pranoi ajo.

Stone me këtë tregim në ceremoni deshi t’ua përcillte përvojën e vet të tjerëve, por edhe t’i këshillojë ata.

“Nëse vërtet keni kokëdhimbje të madhe, duhet të shkoni në spital. Unë u paraqita tek mjekët në spital vetëm ditën e tretë pas goditjes në tru. Shumica e njerëzve vdesin në atë periudhë, kisha vetëm një për qind gjasa që të mbijetoja deri në operacion. Për një muaj nuk e kanë ditur nëse do të mbijetoja. Nuk e kisha ide se kisha qenë në gjendje aq të keqe, derisa lexova në gazeta,” tha aktorja e bukur. / KultPlus.com

Hapet Panairi i Artizanateve dhe Trashëgimisë Kulturore

Sot në sheshin “Adem Jashari” pranë Komunës së Prishtinës hapet Panairi i Artizanateve dhe Trashëgimisë Kulturore.

Hapja zyrtare e këtij panairi do të bëhet në orën 11:00, ku fillimisht do të ketë fjalë përshëndetëse nga organizatorët dhe përfaqësues të lartë të institucioneve në Kosovë.

Në këtë panair do të ketë edhe punëtori profesionale me temë nga motivet artizanale në produkte moderne, transmeton kosovapress.

Gjithashtu do të mbahet ora e Artit dhe Punëdores me fëmijë të vegjël.

Ndërsa është organizuar edhe një vizitë në Muzeun Etnologjik.

Po ashtu, do të ketë një program të shkurtër kulturor të Ansamblit Prishtina.

Ky projekt financohet Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Programit të Bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë- Maqedonia e Veriut 2014-2020 dhe implementohet nga OJQ National Council for Gender Equality në Maqedoninë e Veriut dhe OJQ Dera e Hapur në Kosovë. / Koha.net / KultPlus.com

Qyteti 3,000-vjeçar mbledh artistët botërorë

Festivali XIV ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, solli në Durrës instrumentistë nga vende të ndryshme të botës, që interpretuan një repertor të zgjedhur të muzikës klasike, për artdashësit e qytetit 3000-vjeçar, si dhe u njohën me Shqipërinë, vendin që ofron mundësi të mëdha.

Sergio Mastro është njëri prej tyre. Ai është një violonçelist mjaft i talentuar italian, po emrin dhe suksesin ia dedikon Vjenës, një prej kryeqyteteve botërore të muzikës klasike.

“Prej 20 vitesh jetoj në Vjenë dhe jam një nga themeluesit e ‘Vienna Chamber Symphony’. Durrës apo Durrazzo siç i themi ne italianët ka një muze fantastik dhe jemi të lumtur që jemi këtu”, tha Sergio Mastro, ‘Vienna Chamber Symphony’.

Sezoni turistik nuk është një periudhë pushimesh, por koncertesh. E përmes tyre dhe punës shijon dhe vende e kultura të reja për të. Serxho është pjesë e një grupi kozmopolit. Lukasi është britanik, Matias, hungarez, Nebojska është serb dhe Felipe që luan në kontrabas është spanjoll. Por ata i ka bashkuar Viena, magjia dhe pushteti i muzikës austriake.

Jam i lumtur që jetoj në Austri, por unë jam italian. Shkoj shpesh të takoj prindërit. Austrinë e zgjodha për mundësitë, shanset e mira që të jep në fushën e muzikës dhe që Italia nuk mundet”, thotë Felipe.

Shokët e grupit instrumental shpresojnë të rikthehen sërish falë bashkëpunimit me ambasadën austriake, apo dhe nismave personale në një të ardhme të afërt. Qyteti dhe mikpritja, historia dhe deti janë një ftesë e hapur për të e shumë të tjerë.

Autostrada Biennale diskuton për lëvizjet artistike në Ballkan

Xhemile Hysenaj

Sot, në ambientet e Hamamit të vjetër të Prizrenit u mbajt konferenca e dytë me radhë në kuadër të organizimit “Autostrada Biennale”.

Në këtë objekt të njohur të qytetit u diskutua për lëvizjet artistike në Ballkan dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Panelistët Nemanja Cvianoviç nga Kroacia, Vladan Jeremiç nga Serbia, Tomasso Pincio nga Italia dhe Milan Zivkoviç nga Maqedonia e Veriut, bënë një diskutim dyorësh nën moderimin e Hajrullah Çekut.

“Në Kroaci gjatë viteve të 90’ta, shumë punëtorë kulturorë kanë përdorur mënyrat e zhvillimit artistik për të vazhduar aktivizmin majtist” ka thënë Nemanja Cvianoviç.

“Kanë bërë shumë revista kundër paradigmës dominante. Askush nuk ka qenë i përfshirë me politika të drejtëpërdrejta” ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Vladan Jeremiç ka elaboruar problemin e raportit mes politikës dhe artit.
Ai ka ngritur pretendimin se arti nuk duhet ta arsyetojë vetveten.

“Mund të punosh pa menduar për politikë por politika asnjëherë nuk harron të mendojë për ju”. Artisti serb e ka mbyllur mendimin e vet me frazën e njohur se në ballkan ‘’gjithçka është politike”.

Tregimi ballkanas në anën tjetër, pretendohet se ka pasur ndikim prej literaturës europiane. Këtë pretendim e ngriti panelisti tjetër, artisti i njohur italian Tomasso Pincio. Ai ka folur gjithashtu për stereotipet masive që kanë ekzistuar në Europë para se këta të fundit të kishin mundësi ta lexonin letërsinë ruse dhe të bindeshin se rusët nuk janë barbarë por dinë të prodhojnë letërsi të bukur.

Me kaq u mbyll pjesa e parë e debatit, për t’i lënë udhë pjesës së dytë e cila ishte shumë më dinamike dhe interaktive duke marrë parasysh edhe angazhimin nga audienca.

I quajtur “Inovation as (R)evolution”, edhe ky debat gjeti vend në të njejtin objekt historik.

Në këtë debat morën pjesë Frank Hantke nga organizata Friedrich Elbert Stiftung (FES), që është edhe mes mbështetësve të organizmit, Giacinto Di Pietrantonio nga Italia e Bujar Ejupi nga MEISTER. Debati u moderua nga Besa Luzha.

Frank Hantke nga FES argumentoi se mentaliteti i prindërve shqiptarë që duan që fëmija i tyre të studiojë me çdo kusht është shumë dekurajues për ata fëmijë që në rrethana normale nuk do të përcaktoheshin për studime por për aftësime profesionale joakademike.

Ai si në shaka tha se ishte më i lumtur kur ishte automekanik sesa kur ndiqte studime për t’u bërë trajnues profesional. Në anën tjetër, Bujar Ejupi nga MEISTER, shpjegoi sesi ndërmarrja e tij tani është kthyer edhe në një pikë rekrutimi për të interesuarit që duan të aftësohen në drejtime profesionale joakademike, si p.sh. instalimi i ashensorëve. Interesimi i tyre, sipas Ejupit, është megjithatë i vogël.

Ky aktivitet kulturor, pjesë e “Bienales”, është një organizim që ka tërhequr mjaft vëmendjen e opinionit kulturor kosovar. / KultPlus.com

Platforma online, “Libra me zë”

Platforma online për regjistrim të librave, “Libra me zë”, është realizuar nga një grup vullnetarësh të cilët vazhdimisht do të lexojnë, incizojnë dhe plasojnë librat në uebfaqen www.librameze.com.

Ky projekt përkrahet nga Instituti Demokraci për Zhvillim dhe është mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike në Kosovë.

Egzon Bunjaku, ideator i iniciativës platformës, shprehet se kjo do të shërbejë në motivimin e personave të verbër për të mësuar dhe studiuar, por edhe të fëmijëve.

Sipas tij, rreth kësaj platforme janë të angazhuar mbi 100 aktivistë të cilët kontribuojnë në forma të ndryshme, si në mbledhjen e fondeve, në lexim, në angazhimin për marrjen e autorizimeve dhe në shume forma të tjera.

Bunjaku, fton të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë platformë t’i bashkëngjiten kësaj iniciative. /RTK/