Vdes muzikanti brazilian Joao Gilberto, themelues i stilit muzikor bossa nova

Muzikanti brazilian, Joao Gilberto, 88 vjeç, ka vdekur të shtunën pasdite në shtëpinë e tij në Rio de Janeiro, kanë konfirmuar të afërmit e tij përmes rrjeteve sociale.

Në profilin e tij në Facebook, djali i tij Marcelo Gilberto tha se “lufta e tij ishte fisnike dhe ai deshi të ruante dinjitetin”. Kunata e tij shkroi: “Trishtim i thellë. Krejt çka deshi ishte të ishte me ne dhe të luante me nipërit e mbesat e tij”, raporton Reuters.

Familja nuk ka treguar shkaktarin e vdekjes.

I lindur në Bahia, në shtet verilindor i Brazilit, Joao Gilberto nisi këndimin në moshën 18 vjeçare. Pasi u zhvendos në Rio de Janeiro, ai lansoi këngën e tij “Chega de Saudade” më 1959, që shënoi edhe nisjen e stilit tashmë të famshëm muzikor, bossa nova, që do të thotë “trend i ri”. Albumi i tij i vitit 1964 “Getz/Gilberto” me saksofonistin amerikan Stan Getz u shit në miliona kopje, fitoi disa çmime Grammy dhe popullarizoi stilin bossa nova nëpër botë.

Vdes Eva Kor, e mbijetuara e fundit e Holokaustit

Eva Kor vdiq gjatë udhëtimit të saj vjetor në Auschwitz, aty ku dëshmonte për tmerret e gjenocidit të Luftës së Dytë Botërore.

Amerikane, e lindur në Rumani, ajo fali gjithë ata që nxitën dhe kryen mizoritë. E mbijetuara e fundit e Holokaustit, ndërsa u largua nga jeta ditën e enjte në Poloni, u pëshëndet nga mijëra dashamirës.

85-vjeçarja vdiq në hotelin e saj në Krakov pas një periudhe të gjatë me probleme te frymëmarrjes dhe zemrës.

Në Rumani në vitin 1934, Eva Kor ishte pesë vjeçe kur familja e saj u transferua në geton e Cehei. Disa vjet më vonë, ata u çuan në Auschwitz, ku shumica e të afërmve të saj u vranë.

Kor dhe motra e saj binjake, Miriam, mbijetuan nga tmerri, por iu nënshtruan eksperimenteve mjekësore çnjerëzore me urdhër të Dr. Josef Mengele, i njohur si Engjëlli i Vdekjes.

Si ishte pasaporta në kohën e mbretit Zog?

Pasaporta shqiptare në kohën e mbretit Zog, ka patur disa veçori që sot nuk janë më.

Kjo ka të bëjë me 6 këshilla që ishin të shkruara në kapakun nga brenda pasaportës.

Ja çfarë shkruhej në të:

1.Ta dish dhe të jesh i sigurt se fatbardhsia dhe lumturia e jote gjindet në Shqipni e cila t`ep nder e të fal emnin shqiptar.

Ruaje mirë karakterin komtar dhe kryenaltsin shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit kudo që të jesh.

8 mite të pavërteta rreth Mbretit Zog

Çdo shqiptar asht vëllau Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ket nevojë.

Mos e përbuz gjuhën e nanës s´ate, tue fole në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja.

Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shenjin e komsis, shnderon vehten e vet.

Dashuria për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandaj ketë dashuri ruaje edhe kur të këthejsh në vendin t´and.

Maria Antonieta, fati i një mbretëreshe; një spektakël i magjishëm tregon jetën dhe vdekjen e saj

Një spektakël i magjishëm në qiellin e natës me fishekzjarre të lëshuara nga një skenë dhe me kostume të kuruara më së miri në kopshtet e Versajës në “Mari-Antonieta, fati i një mbretëreshe. Për katër spektakle në muajin e korrikut, kompania teatrale piroteknike franceze, Grupi F, prezanton një spektakël një orësh ngjyrash, dritash dhe muzike, me të cilin tregon historinë e jetës dhe vdekjes së mbretëreshës së fundit të Francës.

“Të gjithë ne jemi përgatitur që herët dhe presim në prapaskenë. Unë kam edhe një peshë të madhe për të mbajtur mbi shpinë dhe m të duhet të dalë në skenë, të pretendoj se nuk ndjej asgjë, dhe madje edhe të kërcej…është shkatërruese për trupin tim, kjo është e sigurt… Nuk e di se si mund ta përballonin gjithë këtë në atë kohë”, thotë një prej anëtareve të grupit.

Kompania ka katër vite që punon për skenat në Versajë. Dhe këtë vit është përgatitur një spektakël i veçantë. Është punuar për adoptimin e tekstit historik në momentet më të rëndësishme të jetës së Mari Antonetës. Në të njëjtën kohë, autorët janë përpjekur t’i bëjnë ato edhe pak magjike.

Busti i Skënderbeut vendoset në një fshat në Ukrainë, i banuar që 200 vite nga shqiptarët

Busti i heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vendosur në Karakurt të Ukrainës, një fshat të banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh.

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend.

                                                 Ruajtja e traditës nga shqiptarët e Ukrainës

Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u përkujtua me dashuri e nostalgji nga komuniteti shqiptar në Karakurt të Ukrainës. Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, komuniteti shqiptar në Ukrainë, e vendosi bustin e heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Karakurt, një fshat i Ukrainës banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh.

                                                                                                                    Komuniteti shqiptar në Ukrainë

Busti Gjergj Kastriotit është vendosur në qendër të fshatit, ku shqiptarët e Karakurtit do të kenë tashmë mundësinë të identifikohen me heroin e tyre kombëtar dhe pse janë shumë larg vendit amë.

                                         Ruajtja e traditës e kulturës nga shqiptarët e Ukrainës

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh, me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend. Të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht nga rrethinat e Korçës, pjesa më e madhe e tyre vijojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe, shkruan dosja.al.

Kryetarja e Bashkisë Elena Zheceva, në emër të gjithë banorëve vlerësoi vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit në qendër të fshatit dhe nënvizoi rëndësinë që kjo vepër ka në forcimin e unitetit mes tyre dhe shtetit amë. Ajo falënderoi grupin iniciator për këtë nismë si një mesazh i rëndësishëm në komunikimin me diasporën tonë në Ukrainë.

                                              Ruajtja e traditës nga shqiptarët e Ukrainës

Më tej, ata i shoqëruan dhe në shtëpinë e Kulturës, në muzeun dhe bibliotekën e Fshatit Karakurt.

Krahas saj, ministria e Diasporës së Shqipërisë ka parashikuar dërgimin e librave shkollore dhe një mësues të gjuhës shqipe për fëmijët e shkollës së fshatit, si dhe një grup valltarësh që do përformojnë një koncert me këngë e valle shqiptare për disa ditë.

Televizioni shtetëror serb e shfaq Kosovën të pavarur

Televizioni shtetëror serb, RTS, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ka shfaqur një hartë të Evropës, në të cilën Kosova shfaqet si shtet i pavarur.

Gjatë transmetimit, gazetarja ishte duke folur për një spital, i cili është bashkëpunim serbo-italian.

Ndaj këtij transmetimi të drejtpërdrejtë, kanë reaguar edhe mediat serbe, të cilat e kanë konsideruar skandal të televizionit publik.

Madje, në disa media shkruhej “Këto mund të priten vetëm nga mediat në Kosovë, Shqipëri dhe SHBA”, duke shtuar se “ky televizion financohet nga të gjithë qytetarët e Serbisë”, duke e konsideruar të palejueshme, transmeton Express.

Radio-televizioni i Serbisë, është televizion shtetëror, i cili financohet nga taksapaguesit serb.

Madje, gazeta Republike, e ka konsideruar këtë si një imazh tronditës të RTS-së.

Mexhit Prençi: Drama “Natë me hënë” sipas novelës së Kadaresë

Mariana e bukur gris maskën e shëmtuar të sekretares së partisë dhe të të tjerëve…

-Në fokus: Spektakli “Natë me hënë” i regjisorit Edmond Budina, sipas novelës së Kadaresë –

NgaMexhit Prençi

01

Fillimviti 1990, fill pas përmbysjes së diktaturës enveristo-staliniste shfaqet spektakli “Natë me hënë” i Budinës në Teatrin Kombëtar, sfidues i realizmit socialist që u prit me duartrokitje entuziaste si asnjëherë tjetër në këtë skenë. Është një prurje e re regjisoriale, moderne e postmoderne. Regjisori aplikoi mjete të larmishme figurative që nga teatri i hijeve, maskave, vodevilit & gjer te teatri performatist. Larmia e formave të artit skenik realizuar bukur, ngjizen me larminë e fushës së formave të natyrës, siç do të thoshte Hegeli.

02

Shestimi dhe formësimi i spektaklit “Natë me hënë” është sprovë e suksesshme eksperimentale dhe alternative që solli risi në regjisurë duke sfiduar regjisurën e politizuar të soc-realizmit e në të njëjtën kohë ishte promovuese e talentit të regjisorit. Leximi i vëmendshëm dhe i mprehte i tekstit të autorit nga Budina, (Fatos Arapi thoshte: “Lexues i mirë nuk është ai që lexon shumë, por ai që bluam mirë) – e ka orientuar regjisorin në qasjen kritike, për të fshikulluar e stigmatizuar dukuritë negative që përshkojnë ngjarjet, situatat, rrethanat personazhet ‘alibistë’ dhe sekretaren e partisë në një ndërmarrje, e cila terrorizon Marianën e bukur, me akuza për qëndrime liberale ndikuar nga bota borgjezo-revizioniste dhe për lirinë e saj të dashurisë që e konsideron imoralitet.

03

Në gjithë përbërësit e spektaklit aplikimi i GROTESKUT si mjet modern për t’i bërë më të dukshme dukuritë negative dhe për të stigmatizuar botën e shëmtuar të personazheve, është këndvështrim i kthjellët i realizuar mrekullisht.

FRIDRIH DYRENMAT do të thoshte: “Forma mbizotëruese e letërsisë moderne dhe artit modern, është GROTESKU, i cili paraqet pasqyrën e fytyrës se botës personale dhe të shëmtuar”

04

Siç dihet nga njerëzit e teatrit, m i z a n s k e n a, është gjuha e regjisorit ashtu si teksti i veprës – gjuhë e autorit. Tekstin me vlera te larta e gjallëron regjisura profesionale cilësore, e cila krijon hapësira për lëvizjet psiko-vizive të personazheve që ta ndjejnë veten si në shtëpi të tyre ku lirshmëria e natyrshme është çelës për shpërfaqjen emocionale të botës së personazhit.. Mënyra si e ka konceptuar dhe realizuar Budina tregon pjekuri që në krijimin e platformës regjisoriale që e konsideroj te nivelit të klasit të parë. (Më lejoni të bëj një paranteze). Ndër regjisorët më të shquar para 1990-s, Serafin Fanko është mjeshtër i madh i pakrahasueshëm në krijimin e platformës regjisoriale. As dje, as sot, asnjë regjisor nuk ka arritur ta kalojë.

05

Komponenti tjetër kryesor është a k t r i mi, në spektaklin “Natë me hënë”. sipas gjykimit tim kemi dy nivele aktrimi te aktorëve në rolet respektive: Nivel të larte dhe te mesëm. Aktrimi në nivel të lartë është i barasvlershëm me nivelin e lartë të regjisurës siç e analizova më sipër. Vlerat e larta janë mbizotëruese në të gjithë komponentët e tij.

Qasja ime në analizën e spektaklit dhe aktrimit është sipas kritikës moderne, e gjykoj spektaklin ashtu si e ka menduar dhe realizuar regjisori, e në të njëjtën kohë sfidoj ata kritikë që marrin rolin e dhaskalit dhe japin këshilla si duhej të ishte realizuar shfaqja, kështu apo ashtu, si mendonin ata duke cenuar individualitetin e regjisorit.

06

Spektakli “Natë më hënë është kompleks, kërkon një studim të thelluar vertikal e horizontal, për të gjithë komponentët, që nuk është objekt i këtij shkrimi të shkurtër, ndaj do të përqendrohem në aktrim tek tre figura kryesore të spektaklit: Yllka Mujo – Sekretarja e partisë, Ema Andrea -Mariana e bukur dhe Shlëlqim Basha -Drejtori i ndërmarrjes.

Po para se të artikuloj mendimet e mija për vlerat e aktrimit të tyre e shoh të nevojshme të jap një informacion nëpërmjet përshkrimit për të vërtetën e asaj nate me hënë: ç’ndodhi me Marianën dhe Gazmendin, burrin e martuar, çka e bën analizën time më të kuptueshme për lexuesin që të formulojë mendimet dhe qëndrimin e tij për personazhet dhe për analizën sipas optikes sime.

07

Pas akuzave të rënda në gjyqin e kolektivit të ndërmarrjes Mariana largohet e tronditur. Në kokën e saj buçisnin thirrjet në kor të personazheve të depersonalizuar e nënshtruar, egoiste e cmirëzi…: “Imorale, imorale imorale”. Pastaj zëri i frikshëm i sekretares: Vajza e bukur me biografi të keqe, është ndikuar nga shfaqjet e huaja bogjezo-revizioniste, lexon libra të ndaluar, që propagandojnë lirinë e dashurisë, e të tjera e ë tjera … Gazmendi, sapo u largua Mariana e ndoqi pas. Rrugës, në një moment, ajo i lexon një poezi, që indirekt provokonte dashuri. Ai e donte Marianën e bukur dhe fisnike, por besnikëria bashkëshortore e frenoi, sa as një puthje nuk i dha, ndonëse e përqafoi. Këtë skenë ia tregoi te shoqes, e cila u trondit kaq shumë, sa me imagjinatë sajoi puthjen e tyre, në atë natë me hënë dhe dha berihanë… Pjesa m

ë e madhe e personazheve filluan fushatën e trillimeve, sajimeve, kurdisjeve e thashethemnajave me lojë lloj-lloj variantesh për ta diskredituar e poshtëruar atë.. Një pjesë tjetër e kolektivit e mbështetën Marianën e bukur, madje nuk ishin dakord as me kërkesën e keqdashësve, që kërkonin të paraqiste raport mjekësor për virgjërinë. Pas një grindjeje e dylyftimi me veten, Mariana e bëri vizitën, e mori ”certifikatën”e virgjërisë… por e grisi letrën përpara kolektivit dhe sekretares së partisë e në të njëjtën kohë grisi maskat e shëmtuara të tyre dhe alibitë e të pavërtetës që e paraqitnin si të vërtetë duke promovuar shëmtimin shpirtëror të botës së tyre të pistë e të ndyrë.

08

Yllka Mujo– Sekretare e partisë.

Sapo ngrihet sipari, një mjedis i errët me perso

nazhe hije e maska dhe portreti i saj i frikshëm, fantazmagorik si i një shtrige e keqe. Aktrimi fantastik. Më pastaj shfaqet sekretarja e dhunshme e partisë, me autoritet te fortë, personazh i fryrë i realizmit socialist Kur deklamon togfjalësh që thoshte Diktatori i Madh, imitonte bukur intonacionet e zërit tij, deklamon e reciton me ngritje e ulje të zërit dhe intonacione me ngjyrime koloristike duke ironizuar e satirizuar me aktrim mjeshtëror. Portreti i saj ndryshon sipas situatave dhe rrethanave;: Xheloze e smirëzezë për Marianën e bukur nxjerr ligësitë brenda vetes për ta përbaltur dhe kurdis e menaxhon akuzat alib

iste duke nxitur kolektivin që të hidhen ne sulm me çdo mënyrë e mjet. Veprimet psikofizike të saj janë të klasit të parë. Sipas meje në interpretimin tërësor të saj në këtë spektakël shfaqet e mrekullueshmja, e çuditshmja dhe fantastikja, siç do të thoshte kritiku dhe esteti, Todorovski.

09

Ema Andrea- Mariana e bukur

Aktron bukur. Lëvizjet psikofizike të Emës-Marianë realizohen me shije estetike dhe vërtetësi jetësore. Emeson do të thoshte: “E bukura vetë e arsyeton ekzistencën e saj”. Ema e shpirtëzon figurën e Marianës duke i dhënë frymë e shpirt nga të sajat, siç do të thoshte Aleksandër Moisiu. Në aktrimin e saj spikatin, konkretësia dhe thjeshtësia pa rënë në thjeshtëzim. Me interpretim sipas realizmit në zhvillim & me elemente moderne, shpreh bukur shqetësimet e Marianës, tronditjet e saj, përballimin dhe kundërshtimin e akuzave poshtëruese, të rrezikshme e të frikshme duke zotëruar durimin dhe frenuar zemërimin në situata të vështira e të rënda.

10

Shkëlqim Basha- Drejtori

Personazhi i drejtorit është një figurës ndryshe nga drejtorët e fryrë si personazh pozitiv i socrealizmit. Basha- drejtor nuk është i divorcuar nga ideologjia komuniste, ai më shumë luan vetveten se figurën. Basha është i natyrshëm në aktrim. Si figurë artistike është antipod me atë të sekretares se partisë.. Shqetësimin që ka përbrenda e shpreh duke ruajtur sensin e masës në të gjitha veprimet psikofizike, çka sipas meje aktrimi i tij arrin nivelin mesatar ndonëse stili i interpretimit nuk është në unison me stilin e përgjithshëm të aktorëve të tjerë dhe komponentëve të spektaklit. Këtu ka munguar orientimi i regjisorit. Megjithatë kjo nuk ka ndikuar në imazhin e spektaklit modern, postmodern dhe performatist të Budinës.

Konkluzë

Spektakli i regjisorit Edmond Budina “Natë me hënë” padyshim është dhe do mbetet si spektakli i parë që sfidoi teatrin e socrealizmit. Prurjet e reja të një regjisure eksperimentale, moderne, postmoderne dhe performatiste, jo vetëm pasurojnë fushën e larmishme të formave artistike skenike, por sjellin risi në qëndrimin kritik ndaj këtij realiteti ku zhvillohen ngjarjet e dhunohet liria, dashuria e lirë dhe denigrohet njeriu. Alibia e të vërtetë vret të vërtetën. Ema Andrea-Mariana e bukur, gris maskat e shëmtuara të botës personale të shëmtuar ku del në dritë e vërteta.

Mesazhi kryesor ne formulimin tim do të ishte: Revolta për të vërtetën dhe guximi për ta mbrojtur atë e në të njejtën kohë lirinë e dashurisë dhe lirinë në tërësi shkëlqen bukur në interpretim brilant të Emës-Marianë. Emererson do të thoshte: E bukura vetë e aryston ekzistencën e saj.”

Ndërsa Umberto Ecco do të shoshte: “Kritika e vërtetë, është ajo, që qesh e fundit, sepse e lë secilin të shijojë, por u tregon të gjithëve, arsyen përse pëlqehet një vepër”

Poema e lamtumirës

Nga José Ángel Buesa

Përktheu Fatbardha Statovci

Të them lamtumirë e ndoshta ende të dua,
Ndoshta s’duhet të të harroj, por të them lamtumirë.
S’e di nëse më ke dashur… S’e di nëse të kam dashur…
Apo ndoshta u deshëm për së tepërmi.

Këtë dashuri të trishtë, pasionante dhe të çmendur, 
E mbolla në shpirt veç për ty.
S’e di nëse të desha shumë… S’e di nëse të desha pak,
Por e di që kështu s’do të dashuroj më kurrë.

Më mbetet buzëqeshja jote fjetur në kujtimin tim,
E zemra më thotë që s’do të të harroj.
Kur sapo vetëm mbetem dhe e di se po të humbas,
Ndoshta nis e të dua sikur s’të kam dashur kurrë.

Të them lamtumirë dhe ndoshta me këtë përshëndetje
Më e bukura ëndërr brenda meje vdes.
Por të them lamtumirë për gjithë jetën,
Edhe pse gjithë jetën do të vazhdoj të mendoj për ty.

Filmi i animuar “Away” shfaqet në Anibar

Away” është njëri nga tre filmat e animuar të metrazhit të gjatë që vijnë për herë të parë në Kosovë, përmes ekranit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit të animacionit Anibar, që mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në Pëjë.

“Away” do të shfaqet në ditën e katërt të festivalit  Anibar, përkatësisht me datën 18 Korrik nga ora 16:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla”. Ky film, së bashku me filmin “The Tower” të regjisorit Norvegjez Mats Grorud dhe “Ruben Brendt, Colector” të regjisorit nga Sllovenia Milorad Krstic, garon për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë ndërkombëtarë.

Filmi “Away”, është një histori klasike e rikthimit në shtëpi, duke përcjell aventurat e një djali në një motor, duke tejkaluar barriera të ndryshme fizike dhe metafizike me ndihmën e mikut të tij të vogël. Me pamjet mbresëlënëse të skenave të animuara që paraqiten në rrugëtimin e djaloshit,  pyjet, shkretëtira, shpella apo peisazhet detare, sjellin ndjesi mahnitëse gjatë shikimit të filmit.

Regjisori dhe animatori Gints Zilbalodis edhe pse vetëm 25 vjeçar është shumë i suksesshëm dhe me përvojë në realizimit e filmave të animuar, magjepsja e tij me filmat filloi që në moshë të re, filma klasikë dhe ata të shkurtë kishin ndikim në formësimin e tij. Ai ka realizuar shtatë filma të animuar në media të ndryshme duke përfshirë animacion me vizatime, animacion 3D dhe live-action animacion, shpesh duke përzier me karakteristikat e tyre. Dy filmat e tij që i kanë sjellë veçanërisht shumë vëmendje nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare janë: “Priorites” dhe “Inaudible”.

“Away”, është një projekt të cilin regjisori ka arritur të realizojë i vetëm, duke filluar nga regjia, skenari, animacioni, madje edhe për muzikën e filmit dhe gjithçka tjetër në të, është përkujdesur vet Zilbalodis. Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë, jo pak të guximshëm dhe sfidues, sipas regjisorit është “dëshira të mësonte të gjitha aftësitë e kërkuara në krijimin e filmave”, kështu që sa herë të ketë mundësi për të bërë një film me një ekip më të madh, “do të kuptonte më të mirë rolin e gjithsecilit”.

Premiera botërore e filmit u shfaq në “Animafest Zagreb 2019”, ndërsa menjëherë më pas u shfaq edhe në “Annecy Animation Festival”, të Francës ku është shpërblyer me çmimin Contrechamp (2019).

Egjipti kërkon ndalimin e shitjes së bustit të Tutankhamonit

Përpjekje deri në minutën e fundit nga ana e Egjiptit për bllokimin e një ankandi në Londër të kompanisë Christie’s mbi ikonën e egjiptologjisë, faraonin Tutankhamon.

Koka e faraonit, 28 centimetra e lartë, të paktën 3 500-vjeçare, do të mund të shitet në ankand dhe mund të kushtojë më shumë se 4,46 milionë euro, sipas parashikimit nga shtëpia britanike e ankandit.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve Egjiptiane, Moustafa Waziri tha se Egjipti “do të ndjekë rrugë ligjore për të ndaluar shitjen”.

Ministria e Jashtme egjiptiane muajin e kaluar njoftoi një hap të ngjashëm duke i kërkuar Christie’s për të prodhuar dokumentet që vërtetojnë pronësinë e ligjshme.

Kajro kishte njoftuar autoritetet britanike dhe UNESCO-n “për të ndaluar procedurat e shitjes”./Ata.gov.al

Qëllimi i Shqiptarëve

Nga Sami Frashëri

“Qëllim i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombërinë e tyre, tu rrijnë kundreq intrigave të armiqve të tyre e te ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e të ideve te Grekëve e Serbëve, te cilat po i rremojnë themelet e po i nxjerrin rrënjët Shqipërise dhe shqiptarëve.

***

Me rëndesi të parë është gjuha: smund të ketë Shqipëri pa Shqipëtar, e smund të ketë Shqipëtar pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat të mësohet shqipja.

Çdo shqiptar të mësojë më parë të shkruajë e të këndojë shqip, pa pastaj gjuhëra të tjera.

***

E dyta është kisha: të shpëtohen shqipëtarët nga zgjedha e priftërisë së Grekëve, te Bullgarëve, e të Serbëve e të kenë kishën e tyre me priftër shqiptarë e me ungjill shqip; se Krishti s’ish as Grek, as Shqah.

***

Por për të bërë këto, duhet të vihet një qeveri mëmëdhetare, një qeveri që të punojë pas nevojës e pas të drejtave të shqiptarëve.

Ky, është qellim i Shqiptarëvet.”

Rruga e prishur pakëson numrin e turistëve në Syrin e Kaltër

Me rreth 1500 vizitorë në ditë Syri i Kaltër monumenti natyror më i rëndësishëm në aksin nacional Gjirokastër – Sarandë ka një rënie të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.

Burimi në formë ovale i rrethuar nga një kurorë e dendur bimësie dhe pemë qindravjeçare rrapi është më i madhi mes 18 burimeve që burojnë prej rrëzës së malit të Gjerë.

Suada Basho menaxhere e zyrës së informacionit turistik të zonës së mbrojtur thotë se vizitoret kanë nevojë për aktivitete në natyrë. Megjithëse ngritja e çadrave është i lejuar, mungojnë të gjitha shërbimet e tjera që nga tualetet, dushet apo ushqimi.

Svenja dhe i dashuri i saj nga Polonia janë duke ju shkruar kartolina miqve në një kënd brenda parkut.Ata duken të kënaqur me vizitën dhe me Shqipërinë por tërheqin vëmendjen për shërbimet që mungojnë.

“Jemi duke i shkruar familjes dhe miqve.Është shumë bukur. E gjithë vizita në Shqipëri ishte një zbulim i këndshëm, por vende si ky mund të plotësohen me shërbime. Rruga ishte gjithë pluhur dhe këtu vetëm mund të shëtisësh për pak minuta. Ka vetëm për të parë, nuk ka shumë për të bërë.”, shprehen ata.

Të njëjtin shqetësim për mungesën e shërbimeve dhe rrugën e shkatërruar ngre edhe një familje shqiptarësh që viziton parkun natyror për herë të parë.

Megjithë bukurinë e rrallë natyrore që ofron parku, përballja e parë me të është problematike. Era e keqe dhe ndotja e akumuluar prej vitesh në liqen ne hyrje të parkut është duke u kryesuar listën e ankesave të vizitorëve.

Ndryshimet që erdhën pas riorganizimit të administrimit dhe vendosjen e parkut nën varësinë e Agjensisë së Zonave të Mbrojtura diktuan rregullore të re për parkun përfshirë këtu edhe ndalimin e zhytjeve në burim çka duket gati e pamundur megjithë sinjalistikën që e ndalon notin dhe patrullimin disa herë në ditë të specialistëve.

Duket se gjysma e vizitorëve vijnë në Syrin e Kaltër për tu zhytur në ujërat e burimeve të tij.

Edhe Elvana Gjata në festivalin Sunny Hill (FOTO)

Elvana Gjata ka zbuluar se do të jetë pjesë e festivalit tashmë të njohur – Sunny Hill.

Këngëtarja hyri në Instagram për të postuar fotografinë e cila konfirmon pjesëmarrjen, njofton Klan Kosova.

Deri tani, Kida, Ledri Vula dhe Yll Limani, janë emrat që janë zbuluar ndërkaq nga ata ndërkombëtar, janë Miley Cyrus dhe Calvin Harris.

https://www.instagram.com/p/BzlQVSInWuy/?utm_source=ig_embed

Edhe liqeni i Pogradecit futet nën mbrojte të UNESCO-s

Gadishulli i Linit, me pasuritë e shumta natyrore dhe kulturore, burimet e Drilonit, korani por edhe shumë elementë të tjerë të liqenit të Ohrit kanë bërë që ai të jetë pjesë e UNESCO-s.

Pas Maqedonisë së Veriut, e cila e përfitoi statusin në vitin 1979, për pjesën shqiptare të këtij liqeni kanë qenë përpjekje të vazhdueshme për vite të tëra të cilat tashmë janë finalizuar duke bërë që kjo pasuri natyrore të ruhet dhe të ketë statusin e veçantë, raporton Tch.

Por gjithsesi, tashmë që kjo arritje është realizuar për liqenin e Pogradecit, sfidat janë të shumta.

Liqeni i Ohrit llogaritet si një prej 3 liqeneve më të vjetra në botë. Kthjelltësia e ujit, harmonizimi i relievit malor me liqenin vlerat dhe sitet e shumta arkeologjike kanë bërë që sipas specialistëve ai të klasifikohet si një pasuri natyrore dhe kulturore.

Në vitin 1979, si pasojë e sistemit politik të kohës, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit mbeti jashtë listës së pasurive botërore të UNESCO-s. U deshën plot 40 vite që kjo pjesë, ashtu si edhe pjesa maqedonase, të jetë pjesë e listës botërore të UNESCO-s.

Ndërkohë për banorët dhe për turistët priten ndryshime të mëdha në liqenin e Pogradecit çka do të përmirësojë së tepërmi jo vetëm infrastrukturën për banorët, por edhe zhvillimin e turizmit.

Organizata më e madhe e paqes në botë emëron sallën e konferencave “Valdete Idrizi”

Valdete Idrizi është një nga figurat e rëndësishme në Kosovë që ka kontribuar për të arritur paqen në vend. Së fundi një ngë organizatat më të mëdha në botë për paqe emëroi sallen e konferencave me emrin e saj.

Ketë e ka bërë të ditur vet ajo përmes rrjetit social facebook:

Me 2 korrik kam pasur nderin për marr pjesë në inagurimin e dhomes së konferencave të PAX me emrin “Valdete Idrizi”, Organizata Holandeze e Paqes në Utrecht, në Holandë. Përvec emrit tim dhe fotografisë së mirë, është një thënie e imja “ne mund të arrijmë paqe të qëndrueshme vetëm pasi të pajtohemi me të kaluarën dhe pasi të tregojmë tolerancën dhe diversitetin personal”.

Kam ende për të punuar gjithë jetën time, për të merituar ketë nderë nga PAX, një nga organizatat më prestigjoze të paqes në botë, me të cilën kemi filluar të punojmë së bashku pothuaje para 20 vitesh në pjesën e ndarë të Mitrovicës, fillimisht duke krijuar CBM për të vazhduar deri në ditët e sotme, në forma të ndryshme.

Është nder, përgjegjësi dhe pas gjithash motivim për të punuar më shumë për shoqëri më të mirë gjithëpërfshirëse, shtet dhe botë më të mirë për të gjithë, pa lënë askënd pas. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, shtetit tim dhe gjithë botës. Iu lutem vizitoni ketë vegëze www.paxforpeace.nl dhe inspirohuni me punën e shkelqyer te tyre që bëjnë në disa shtete të botës. /KultPlus.com

Ai iku Hanë

Poezi nga Miranda Dobraj

Ai shkoi Hanë. Shkoi përtej çdo shtegu
që unë mund ta gjej. Mbylli çdo derë për
mua. Ai iku Hanë. Më la të vetmume me
melodinë e shiut, më la veç erën që fryen
e më sjell kujtimet. Ai nuk më la diell.
Ai më la me ty Hanë, thua se ti më mjafton
për të çu para çdo ëndërr, për të çu para këtë jetë.

Ah, Hanë! Sa dhimbka shpirti, po
mbytka fryma. Më mbyti më shumë se
helmi që pinë Romeo e Zhulieta, më dhemb
helmi sepse ka kohë që gjindet brenda meje.
Pikoj helm Hanë, në vend që të pikoj gjak.
Pikoj helm e mbushem vrerë me veten.
Nuk mundem më.

Të betohem se secila rrugë dhe secili veprim
më duket që kërkon një forcë shumëtonshe të
cilen unë nuk mund ta përballoj.
Unë po thahem Hanë, kripa e lotëve të mi,
mbyti ëmbëlsinë brenda meje.
Dita-ditës po mbytem. Hanë, të lutem shumë,
ti bëhu qiriu i fundosjes sime.
Kaq për mua, Hanë!

Të birësosh një fëmijë në Shqipëri, historia frymëzuese e Entelës dhe Erjonit

Entela dhe Erjon Sylari, janë një çift bashkëshortësh të cilët janë në pritje për birësimin e një fëmije. Procedurat e tyre kanë nisur prej një viti, dhe tashmë kësaj pritjeje po i vjen fundi. Erjoni 40 vjeç, është mjek dhe pastor i kishës Ungjillore në Lushnje, ndërsa Entela 37 vjeç drejton një kopsht të cilin ata e kanë krijuar vetë. Për Report TV ata kanë rrëfyer historinë e tyre, arsyen pse vendosën që fëmija i parë të ishte i birësuar, si edhe përjetimet që i kanë shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.

Erjoni:  Vjet në janar, vendosëm të dy së bashku që të fillonim procedurat dhe letrat që duheshin, në mënyrë që të ishte një dosje e përshtatshme për birësimin e një fëmije.

Entela: Në fakt ajo lista priti 6 vite tek frigoriferi ynë, që kur unë isha 30 vjeç kemi dashur që të birësojmë, por ne morëm kohë, deri sa të ishim gati.

Erjoni: Ne luteshim domethënë, “Zot na ndihmo”, ta realizojmë këtë gjë, sepse unë them janë punët e Zotit. Sepse ndonjëherë kur ti dëshiron të bësh diçka perëndia mbyll dyert, dhe pastaj të ndihmon ti bësh gjërat.

Entela: Çiftet kanë shumë zgjidhje sot që të mund të bëjnë një fëmijë, dhe të kenë fëmijë, dhe patjetër që edhe teknologjia ka avancuar, por zemra na thoshte, pse të mos restaurojmë jetën e dikujt që tashmë ekziston.

Erjoni: Na ka ndihmuar Zoti, sepse kur kemi aplikuar kemi qenë çifti i fundit, që plotësohej një grup prej 5 çiftesh për të vazhduar proçedurat e përshtatshmërisë si çift. Ne ishim aty në momentin e duhur, sepse vajza në maj ka lindur. Në momentin që ne nisëm dosjen ajo lindi. Pasi bën letrat nga janari deri në maj, dhe bëmë çdo gjë gati, në shtator ne kemi dalë përpara komitetit të birësimeve, dhe ata na kanë aprovuar që ishim çifti i përshtatshëm për të vazhduar. Duke parë shumë emra dhe duke ditur kuptimet e tyre, vendosëm ta quanim Destini, nuk është vetëm fat se ndonjëherë përkthehet si i tillë, por është destinacion, sepse ajo ndryshoi destinacionin e saj.

I emocionuar Erjoni tregon momentin e parë që takoi Destini.  Zemra i dridhej, e zë nuk kishte, por përkëdheljet e vajzës nuk do t’i harrojë kurrë. “Unë vetëm AND nuk kam të asaj vajze, por ndjej dashuri, ndjej afrimitet, ndjej atë që quhet kimi. Jam aq i lidhur sa nuk e kuptoj fare që nuk është biologjikisht fëmija im. Ne kalojmë me vajzën çdo ditë dy orë, sipas rregullave, por nëse ne na merr malli kalojmë edhe dy orë pasdite.

Ditën e parë që e kam takuar vajzën, përveç se ajo më vodhi zemrën, mua më iku edhe zëri. Po përtypesha, po kollitesha, dhe ishte e vështirë, sepse është një emocion që vjen vetëm njëherë në jetën tënde. Që në atë moment pastaj, buzëqeshjet e saj, vëzhgimin që ajo bënte ndaj fytyrës time, prekjet që bënte, dhe sa herë që e marrim ajo është e etur për dashuri” tha ai.

Në shtëpinë e çiftit është gjithçka gati për të mirëpritur vogëlushen. E vetmja dëshirë që kanë ata është që Destini të festojë 1 vjetorin në shtëpinë e saj të re. Ata kërkojnë nga shteti që t;I përshpejtohen procedurat në mënyrë që data 25 maj, ta gjejë vajzën me prindërit e saj.

Erjoni: Kur na thanë që eja të shikoni vajzën, u përshtatëm direkt. Dhe sapo na thanë që nisën procedurat, ne filluam menjëherë të blinim gjërat që na duheshin. Blemë krevatin, blemë karrocën, blemë karriken ku ajo do ushqehet, rrobat, të gjitha gjërat e nevojshme. Jemi gati, vetëm po e presim për të filluar jetën.

Entela: Kërkoj një ndërhyrje nga shteti  për përshpejtimin e procedurave, pasi vendimi ka dalë, vajza na takon ne, dhe kërkojmë që 1 vjetorin ta kalojë në shtëpinë e saj të re.

Historia e Erjonit dhe Entelës është një burim frymëzimi. Dashuria e tyre për fëmijët i lexohej në sy, ndërsa lutja e tyre më e madhe është që Destini, vogëlushja të cilës vendosën ti ndryshonin jetën, të ketë së shpejti një vëlla.

Kosovare Asllani me Suedinë fitojnë vendin e tretë në Kupën e Botës

Suedia e ka fituar medaljen e bronztë në Kupën e Botës në kategorinë e femrave, pasi e ka mposhtur 2-1 Anglinë.

Golin e parë të ndeshjes e shënoi Kosovare Asllani në minutën e 11-të, për t’i dhënë kështu epërsinë suedezeve.

Sofia Jakobsson (22’) shënoi për 2-0 për Suedinë, mirëpo përfaqësueset e ‘Tre Luanëve’ u këndellën shpejtë.

Francesca Kirby shënoi në minutën e 31’-të, për ta ngushtuar kështu rezultatin në 2-1, e që kaq kishte nga pjesa e parë.

Pjesa e dytë kishte disa shanse të mira për shënim, mirëpo futbollistet e të dyja anëve nuk arritën t’i konkretizonin ato.

Kosovare Asllani kishte paraqitje të jashtëzakonshme, e që me golin e shënuar sot (6 korrik), ishte i treti në këtë Kampionat Botëror që u zhvillua në Francë. /Telegrafi/

https://youtu.be/938g6LD-iXM

Statuja e Melania Trumpit në Slloveni, me kritika të përziera

Një statujë ironike e Zonjës së Parë amerikane, Melania Trump, është shfaqur në vendlindjen e saj në Slloveni.

Artisti amerikan, Brad Downey, angazhoi një mjeshtër lokal artizanal, Ales Zupevc, për të gdhendur figurën e zonjës Trump nga një dru në qytetin Sevnica.

Rezultati ishte një “zonjë Trump” e drunjtë e veshur me një pallto të kaltër me dorën e ngritur në ajër, sikur të ishte në disko, shkruan BBC.

Disa banorë e kanë përshkruar atë si “turp”, si “shtrumfe”, duke thënë se ajo “nuk ngjan fare me Melanian”, transmeton Koha.net.

Sevnica është bërë magnet turistik që kur Donald Trumpi u bë president i Amerikës më 2016, dhe zonja Trump – ish-banore e këtij vendi – u bë Zonja e Parë.

Derisa vizitorët kërkojnë të dhëna për vitet e hershme të zonjës Trump, banorët kanë vënë në shitje produkte të ndryshme të “brenduara” me Melanien, përfshirë sandale, ëmbëlsira, si dhe “burgerët Trump”.

Ndërsa për disa skulptura e re është e tepërt, për Katarinan, 66 vjeçe, kjo është “një ide e mirë” për të pasur vepra arti në qytet. “Melania është heroinë sllovene, ajo është ngritur në majë në SHBA”, tha ajo për AFP-në.

Tirana, qyteti që ofron natyrën dhe aventurën

E rrethuar nga mali madhështor i Dajtit dhe liqeneve përreth saj, Tirana ofron një larmishmëri aktivitetesh në natyrë. Por, vizitorët nuk kanë nevojë t’u largohen kufijve të kryeqytetit shqiptar për të shijuar aventurat, shkruan Elisa Morton e faqes së specializuar për udhëtimet partner-britishairways.culturetrip.com., në shkrimin me titull ”Nga natyra te aventurat e qytetit – Si Tirana ofron më të mirën e të dyjave”.

Dikur një emblemë e kaosit urbanistik postkomunist, Tirana bashkëkohore ka gjetur pikënisjen nga peizazhet e mrekullueshme që e rrethojnë. Hapësira, liria dhe ndjenja e aventurës e karakterizojnë këtë qytet në zhvillim, shtuar bollëkun e hapësirave të gjelbërta dhe dizajnin e fokusuar tek njerëzit, kryeqyteti shqiptar po krijon emrin e tij si një destinacion për eksploruesit urbanë.

I njohur gjerësisht si qendra e gravitetit të Tiranës, sheshi “Skënderbej” është një shembull kryesor i ripërtëritjes së qytetit. Ditët pa makina përreth sheshit të gjerë u kanë dhënë hapësirë këmbësorëve. Stola me ngjyra të ndezura dhe ishuj të harlisur nga gjelbërimi ofrojnë relaks për këmbësorët e lodhur, ndërkohë që është gjithashtu një qendër edhe për ata që përdorin patinat.

Narrativa se Tirana po shkëputet nga e kaluara e saj komuniste është ndoshta paksa e keqkuptuar; pasi qyteti është gjithashtu i mbushur me kujtime arkitekturore interesante të para viteve ‘90, që po përfshihen në metamorfozën e Tiranës për t’u shfrytëzuar nga një qytet i ri, pjesa më e madhe e banorëve të rinj të të cilit nuk kanë kujtime nga periudhe komuniste.

Piramida e Tiranës, një strukturë monumentale prej betoni që fillimisht do të bëhej muzeum, është një vend popullor për aventura (ju mund të shihni edhe disa banorë vendas që përpiqen të ngjiten në të). Ndërkohë, Parku i Madh i Tiranës është një shesh lojrash i gjerë dhe i gjelbër ku mund të provosh kajakun apo të zhytesh në një pishinë publike.

Parku është gjithashtu vendi i restorantit “Mullixhiu”, një vend i rafinuar me dekor të ngjashëm me një kasolle druri në fshat. Menuja e provës në këtë restorant “gourmet”, por me çmime të lira ofron një udhëtim nëpër fushat pjellore dhe pyjet. Provoni një sallatë me kunguj dhe hurma, gnocchi me shafran Elbasani ose jufka ala taljatel me djathë nga veriu i largët i Shqipërisë.

Energjia e papërballueshme e Tiranës ka lindur nga e kaluara e saj e pasur dhe prirja për ndryshim – kështu që, ndërkohë që ana rurale mund të provokojë të dashuruarit e hapësirës për të ecur nëpër shtigjet malore, një ditë rreth qytetit garanton një aventurë urbane që nuk do të zhgënjejë.

’Shpia e Agës’ shpërblehet nga Federata e Kritikëve të Filmit të Evropës dhe Mesdheut

Filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj u dha për herë të parë premierë në festivalin prestigjoz dhe pothuajse në mesin e festivaleve më të rëndësishëm të artit filmik, Karlovy Vary, shkruan KultPlus.

Filmi trajon bashkëjetesen midis shqiptarëve dhe serbëve, ku roli kryesor i është mveshur  9 vjeçarit Agës  i cili jeton me nënën e tij në periferi të qytetit dhe mëson gjuhën serbe nga një fqinje e nacionalitetit serb. Qëllimi i tij është për ta gjetur babain për të cilin mendon se është i robnuar nepër burgjet e Serbisë.

“Shpia e Agës” është vlerësuar me cmim nga FEDEORA – Federata e Kritikëve të Filmit të Evropës dhe Mesdheut, ky lajm është publikuar nga vet regjisorja e cila falënderon të gjithë që I bënë të ndjehen si “Yje Hollywoodi”.

Ky është statusi i saj i plotë në rrjetin social facebook:

“Premiera jonë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Karlovy Vary nuk ka shkuar pa u vënë re! “Shpia e Agës” është shpërblyer nga FEDEORA – Federata e Kritikëve të Filmit të Evropës dhe Mesdheut. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar @KVIFF për vëmendjen që i dhanë filmit tonë dhe delegacionit tonë të filmit – na bëri të ndiheshim si një “Stars Hollywood”.

Unë gjithashtu dua të përgëzoj të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë të filmave të debutimit, e di se nuk ishte një udhëtim i lehtë për jo nga ne, por e bëmë! Duke pasur një premierë të filmit të parë në festivalin e filmit prestigjioz, pasi KVIFF na bën të gjithë fituesit. Shpresoj t’ju takoj përsëri me punët tona të ardhshme./KultPlus.com

Dua Lipa paraqitet me shumë stil në “02 Silver Clef Awards”, fiton çmimin ‘Artistja më e mirë femër’

Sukseset për të janë të vazhdueshme.

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka shtruar tashmë një tjetër trofe në vitrinën e saj.

Krijuesja e hitit “New Rules” pati një paraqitje të veçantë në tapetin e kuq të eventit ’02 Silver Clef Awards’ në Londër.

23-vjeçarja i mahniti të gjithë duke u shfaqur me një kostum të bardhë, teksa i la pak vend imagjinatës te pjesa e gjoksit.

“Artistja më e mirë femër” ishte çmimi i rezervuar për bukuroshen shqiptare në këtë mbrëmje, e cila ka shpërblyer me çmime edhe plot artistë të tjerë.

Ajo ndërkohë po punon edhe për kolonën zanore të filmit “James Bond 25”. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Kaçurrelat e tu”, kënga për dashurinë e humbur që u kompozua në qelitë e burgut të Burrelit

Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit.

Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë përmbas tejet, jetën e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjëherë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur. Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij.

Gac Çunilindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.

Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues.

Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.

Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg “kaçurrelave të saj”./kujto.al/KultPlus.com

Fondi amerikan ndan 1 milionë dollarë për 28 bursa për gratë kosovare

Qëllimi i programit është të rrisë numrin e eksperteve kosovare në fusha prioritare për ekonominë kosovare siq janë teknologjia e turbinave të ajrit, menaxhimi i termnocentraleve, rryma e ripërtërishme, eficenca energjetike dhe të tjera.

Sot në prani të Kongresmenit amerikan Eliot Engel, Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) në një ceremoni të veçantë, ndau 28 bursa shkollimi nga programi i bursave “Gratë në Energji”. 

Ky program i dedikohet grave kosovare të interesuara në studime që ndërlidhen me sektorin e energjisë

 Bursat e ndara për 28 gratë studente arrijnë vlerën e mbi 1 milionë dollarë dhe janë të financuara nga Qeverisa Amerikane nëpërmjet Korpoatës së Sfidave të Mijëvjecarit – MCC dhe implementuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK).

Qëllimi i programit është të rrisë numrin e eksperteve kosovare në fusha prioritare për ekonominë kosovare siq janë teknologjia e turbinave të ajrit, menaxhimi i termnocentraleve,  rryma e ripërtërishme, eficenca energjetike dhe të tjera.

Pas një fushate nacionale për ngritjen e vetëdijes për fuqizimin e gruas në sektorin e energjisë, të 28 studentet janë përzgjedhur në një proces aplikimi ku kanë marrë pjesë qindra kandidate, selektuar nga panele përzgjedhëse të përbëra nga ekipe të kombinuara ekspertësh amerikanë dhe kosovarë.

Këto studente do të ndjekin studime profesionale dy-vjecare në kolexhin e Des Moines DMACC, ndërsa gjatë periudhës së studimit do të kenë mundësi të angazhohen në punë praktike në fushat e përzgjedhura.

Gjatë ceremonisë, Kongresmeni Eliot Engel deklaroi: “Jam shumë i ngazëllyer që sot po e festojmë finalizimin e një program konkret të finansuar nga MCC e që fokusohet në gratë që duan një karrierë në sektorin e energjisë. Fuqizimi i grave është i rëndësisë kritike për ekonominë dhe rritjen ekonomike të Kosovës, e poashtu edhe për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Këto bursa studimore do të japin rezultat aty ku është nevoja më e madhe, në fushën e rëndësishme të energjisë. E uroj përzemërsisht Fondacionin e Mileniumit të Kosovës dhe ekipin lokal për implementimin e këtij projekti të rëndësishëm dhe i uroj edhe 28 bursistet kosovare”.

Në një deklaratë të mëhershme, Sean Cairncross, drejtori ekzekutiv i MCC ka deklaruar: “Programi Gratë në Energji adreson faktorin kryesor që po e ngadalson rritjen ekonomike në Kosovë – mungesën e grave në tregun e punës, sidomos në fushat si energjia”.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) Petrit Selimi deklaroi: “Programi ‘Gratë në Energji’ ka dy objektiva kryesore, të rrisë ekspertizën profesionale në fushat prioritare që ndërlidhen me sektorin e energjisë në Kosovë por edhe të përmirsojë hendekun e madh që ekziston në sektorin e energjisë, ku 92% të punësuarve janë meshkuj. Ky program synon të krijoj një gjenerate të re lideresh që do të inspirojnë ndryshim në Kosovë”. 

Ceremonia e sotme përfshiu edhe shfaqjen e një filmi të shkurtë dokumentar që rrëfen nisjen e rrugëtimit të 28 bursisteve drejt shkollimit dhe ndërtimit të një karriere në fushën e energjisë në Kosovë.

Programi i Bursave Gratë në Energji është pjesë e një programi të gjerë për avansimin e gruas dhe ofrimin e mundësive të barabarta në tregun e punës me fokus në sektorin e energjisë. ‘Gratë në Energji’ implementohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) dhe mundësohet nga agjensioni amerikan MCC.