”Kam besim te vetja dhe nuk kam frikë të them çfarë mendoj”

Eliza Dushku u bë e njohur me rolin Faith në TV serinë Buffy dhe nga seriali televiziv Angel. Ajo ka luajtur në dy seriale të rrjetit Fox, Tru Calling dhe Dollhouse. Ajo është gjithashtu e njohur dhe për rolet në filma si True Lies, The New Guy, Bring it On, Wrong Turn dhe Jay and Silent Bob Strike Back, gjithashtu dhe si dublante me zërin e saj për lojra elektronike.

Dushku ndeshi në vëmendjen e agjentëve kur ishte 10 vjeç. Ajo u zgjodh pas një kërkimi pesë-mujor për rolin kryesor të Alice në filmin That Night. Në 1993, Dushku mori një rol si Pearl në krah të Robert De Niros dhe DiCaprios në filmin This Boy’s Life, një rol që sipas saj i hapi shumë dyer. Vitin më pas ajo luajti rolin e vajzës adoleshente të Arnold Schwarzenegeer dhe Jamie Lee Curtis në True Lies. Ajo kishte pjesë edhe në Bye Bye Love si vajza e Paul Reiser, si Cindy Johnson në Race the Sun, dhe role në një film televiziv dhe me metrazh të shkurtër.

Performanca në Tru Calling i siguroi Dushkut dy nominime në vitin 2004 për ndarjen e çmimeve Teen Choice si Choice Breakout Star – Femër, dhe për çmimet Saturn si aktorja më e mirë për një serial televiziv. Revista Maxim e renditi Dushkun në vend të 6-të në listën e femrave më të nxehta të 2009-ës. Dushku u nominua në vitin 2009 për një çmim Scream si aktorja më e mirë Shkencë-Trillim për rolin e saj si Echo. Eliza u quajt dhe Ambasadorja e programit Consumer Electronic Show Entertainment në tetor 2011.

KultPlus jua sjell disa thënie të aktores shqiptare.

Është e lehtë të luash rolin e një vajze të keqe: Ti bën gjithçka që të është thënë të mos e bësh, dhe nuk do t’ia dish për pasojat, sepse je vetëm duke aktruar.

Nëna ime është liberale. E dua pa masë.

Televizioni mund të jetë një përkushtim i gjatë për mua.

Ka diçka joshëse gjithmonë një vajzë me një sjellje të veçantë dhe me një palë pantollona lëkure.

Ne nuk kishim televizor në dhomën tonë të ndenjes dhe të gjithë miqtë e mi mendonin se ne ishim disi të mistershëm. Kur ata erdhën tek ne, nëna ime deshi t’iu fliste atyre për ngjarjet aktuale.

Kur punoja me Jamie Lee Curtis në filmin True Lies (Gënjeshtra të vërteta), ajo më tha mua se ty të duhet një plan B, sepse për gjashtë muaj ti do të duhet të përqëndrohesh në diçka tjetër.

Kur ti shkon në mes të njëzetave, atëherë fillon të ndjesh përgjegjësi për gjëra që bën dhe për njerëzit që ke rrotull. Është një moshë e mrekullueshme. /KultPlus.com

Zbulohet në Peru murali 3800 vjet i vjetër që paraqet rëndësinë e ujit

Një mural që mendohet të jetë 3,800 vjet i vjetër, është zbuluar nga arkeologët në Peru.

Muri, i zbuluar të hënën, u gjet brenda një ndërtese ceremoniale publike në vendin Vichama, në veri të Limas.

Skena komplekse e gdhendur përshkruan ikonografinë duke përfshirë një thithëlopë të ngjashme me njeriun dhe përfaqësime të njerëzve, raporton BBC.

Doktoresha Ruth Shady Solís, drejtoreshë në Zonën Arkeologjike Caral (ZAC), beson se skena paraqet “ardhjen e ujit” përmes të reshurave të shiut.

Ajo thotë se në civilizimin Andean, thithëlopat paraqisnin ujin dhe thotë se fytyra nën të paraqet njerëzit në pritje të të reshurave për t’i dhënë vazhdimësi jetës.

Një përshkrim tjetër i gjetur afër tij paraqet katër koka njerëzish me gjarpërinj që lëvizin rreth tyre dhe njëfarë fare me fytyrë.

Hulumtuesit thonë se skulpturat mund të jenë prodhuar në një periudhë pamjaftueshmërie e urie.

Tatiana Abad, një arkeologe tjetër në vendngjarje, thotë se gdhendjet paraqesin një kohë “krize” për njerëzit që kanë jetuar atje. /KultPlus.com

Iva Tiço: Pse i urrej dasmat shqiptare!

”Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse, s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, – ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen brenda në shtëpinë time).

Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë më pak).

Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).

Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.

Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten.

Urrej kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23.45, pikërisht atëherë kur unë do doja të isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).

Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do ta martonin, do prisnin “të shtrohej”).

Urrej të ulem në tavolinë e të ha me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj fresk me erashkë…

Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses. Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).

Urrej  shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë. Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës).

Urrej dhe ata të thjeshtët (në këto raste nusja pretendon që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!

Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)

Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!/tirananews/KultPlus.com

Poshtërimi i të tjerëve nuk të bën më të fortë, por më të mjerë…

Jo të gjithë arrijnë të shkaktojnë një ndryshim në gjendjen e të tjerëve, janë të paktë ata që e kanë guximin dhe vullnetin të bëjnë përpjekje të përmirësojnë gjendjen emocionale dhe shpirtërore të atyre rreth vetes me gjeste të vogla ose të mëdha përmes së njerëzishmes.

Për të kryer këto akte altruizmi është e nevojshme një shtytje e brendshme, nuk është detyrë, por është të vijosh në mënyrë të tillë duke e lejuar rrugëtimin e të tjerëve në mënyrë të natyrshme. Megjithatë, ka edhe nga ata në këtë botë që nuk dinë të “jetojnë duke i lënë të tjerët të qetë në jetën e tyre”.

Këta individë janë në gjendje të bëjnë përpara vetëm nëse dikush tjetër ka mbetur pas, dhe për ta arritur këtë përdorin të gjitha mjetet, mundësitë ose psikologjitë në dispozicion të tyre.

Nëse këta njerëz po bëjnë një jetë të pakënaqshme, në vend që të përpiqen të përmirësojnë veten, ata preferojnë të punojnë fort për t’i keqësuar të tjerët.

Kur, në vend që ta shijojnë një jetesë të privilegjuar, ata nuk janë në gjendje të arrijnë përmbushjen e mjaftueshme nga jeta pa patur dikë për t’i vënë “shqelmin në fyt”, duke u nënvizuar boshllëqet, fatkeqësitë, gabimet, dobësitë, mangësitë dhe defektet.

Poshtërimi është arma e tyre e preferuar, ata e përdorin atë çdo ditë për të helmuar, varrosur dhe për të muruar të gjithë ata që u dalin në shteg, apo në marrëdhënie e punë.

Kur ata vuajnë nga kompleksi i vogëlsisë dhe u jepet pak pushtet apo autoritet, ata abuzojnë me të për t’u siguruar që të tjerët të mbeten të kufizuar në statusin e tyre të pafavorshëm.

Ata gjithashtu mund të ndodhë që ta gjejnë veten në situata realisht të mira, ose të arrijnë objektivea të rëndësishme, por asgjë nuk është e mjaftueshme për shkak se ata në thelb vuajnë nga një kompleks i jashtëzakonshëm i inferioritetit dhe nuk njohin mënyra të tjera të ngritjes perveçse përdorimi i njerëzve të tjerë si shkallë për të hedhur hapat.

E gjithë arroganca, krenaria dhe mburrja janë vetëm fasada e një pakënaqësie të thellë.

Për fat të keq për këtë nuk ka kurë, nuk ka shërim, në të vërtetë i vetmi lehtësim është ai që vjen duke u tërbuar me ata që janë më të dobët ose duke i dobësuar që pastaj t’u hapet rruga për t’i poshtëruar.

Por poshtërimi i të tjerëve nuk është kurrë një investim i mençur, kjo do të thotë se u mungon diçka jetike për një qënie njerëzore, që është dhuntia e largpamësisë.

Herët a vonë, gjithë helmi i shpërndarë dhe gjithë ligësia e lëshuar kaq pa kursim, do të kthehen te dërguesi, për ligjin e pakundërshtueshëm të “shkakut dhe pasojës”.

Nesër është dita për të korrur atë që mbillet sot, kjo është e pashmangshme, kështu që të jetosh duke përdorur poshtërimin për të nxjerrë kënaqësi, ai njeri dënohet me një fund midis mjerimit dhe vetmisë.

Mos e harroni kurrë se… poshtërimi udhëton gjithmonë me biletën e kthimit në xhep”.

Një jetësë e drejtë nuk duhet të orientohet as nga frika, as nga interesi, por duhet të jetë shprehja e sinqertë e një shpirti të mirë, i cili ndjen kënaqësi kur bëhet shkaktari i gëzimit të tjetrit./shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Abelard dhe Heloiza, një dashuri që trishton dhe ngjeth

Ajo ishte një histori dashuria që mbretëroi epokat dhe sundoi forcat ndaluese dhe pengimin. Abelard dhe Heloiza, ishte dhe mbeti amshueshëm një dashuri plot pasion, dhe një tragjedi që dhemb dhe kafshon.

Shkreptiu qindra vite larg dhe ndrit edhe sot mbi përmendoren e asaj forcë sovrane që bashkoi dy zemra dhe himnizoi një dashuri. Kanonikja, kisha, morali ishin ndëshkuesit e pamëshirshëm të asaj ndjenje, të atij flakërimi që ka ditur gjithnjë të mrekullojë botën, të pasurojë qytetërimet dhe të mbetet e pandëshkueshme edhe përballë ligjit mizorë të vdekjes. E tillë ishte edhe dashuria Abelard -Heloiza.
Filozofi francez, pinjolli i një familjeje fisnike, Pierre Abelard, po kaq sa për idetë e tij revolucionare, ai ka hyrë në kujtesën e botës përmes dashurisë për të cilën u ndëshkua me zhburrërim dhe letërsisë epistolare ku ai u përfshi pas cakut të trishtë që preku zemra e tij e lënduar. Një dashuri si ajo mes, Abelard dhe Heloiza, një kundërvënia ndaj mendësisë dhe rreptësi puritane, po kaq furishëm sa ajo u përjetua, po kaq trishtueshëm dhe mizorisht ajo mori fund. Por nuk u fik ai prush, ajo shpuzë, ajo forcë e shndërrimit të ndjenjave në cakun e kapërcyellin e kohës dhe përplasjes shkundullitëse me kishën. Ajo dashuria, ishte dhe mbeti një emblemë e historive të dashurisë që përcëlluan me pasion çdo ndjenjë, e cila u desh të paguante me zjarrin më të epshëm të ferrit parajsën e kopulimit të zemrave dhe shpirtrave, trupave dhe epsheve.
Pas peripecish dhe kontradiktash me rivalë dhe pikëpamje të tij filozofike, Pierre Abelard mbërriti në Paris rreth moshës 30-vjeçare dhe hapi në malin Sent Zhenevievë, në zemër të lagjes së sotme “Latën”, shkollën e vet filozofike. Ishte viti 1115 kur ai u bë drejtori i shkollës së katedrales Notre-Dame, ku dha me shumë sukses mësim. Këtu të riut filozof i shkreptiu vezullimi i një lidhje dashurie me njërën nga nxënëset e tij të shkëlqyera, Heloiza, mbesën e kanonikut Fylber. Nga kjo lidhje lindi një djalë, Astrolabi, dhe dy të dashuruarit u martuan fshehurazi. Por pasi xhaxhai i saj, Fylberi, e futi Heloise në manastirin e Arzhentëilit, e hamendi si të ndarë dhe, për të vënë në vend nderin që mendonte se ishte përdhosur, në një nga netët e vitit 1118, urdhëroi që Aberaldi fatkeq të kapej dhe të tridhej. Dhe ashtu ndodhi, i riu u ndëshkua mizorisht. Filozofi, i trajtuar në këtë mënyrë, u tërhoq në manastirin e Sen-Denisit, pranë Parisit. “Historia e fatkeqësive të mia”, shkruar nga Pier Abelardi më 1135 dhe letërkëmbimi i tij me Heloiza, i bënë ata një nga çiftet më të njohura të letërsisë. Historia e tyre frymëzoi shumë vepra në shekujt që pasuan.
Abelardi dhe Heloiza rreshtohen mes dashnorëve më të famshëm të botës, falë letërkëmbimit që ka mbërritur deri tek ne. Pas ndarjes së detyrueshme me të dashurin, mbesa e hakmarrësit Flyber, Heloiza u vesh murgeshë, por mbeti e pandashme shoqëruesja shpirtërore e Abelardit. Zhan Zhak Rusoi (1712-1778) u frymëzua nga letërkëmbimi i tyre për të shkruar në vitin 1871, “Zhyli ose Heloiza e Re”, një roman epistolar nëpërmjet të cilit ai parqet parimet e thella të filozofisë së tij shoqërore dhe morale.
Abelardi u nda fizikisht me Heloiza, me dashurinë e saj që u desh ta pagunte shumë shtrenjtë, por vazhdoi veprimtaritë e tij shkencore në manastir. Në përpjekjen e tij për të pajtuar besimin dhe arsyen në teologjinë e tij, u përplas shumë herë me armiqësinë e hapur të teologëve ortodoksë të Kishës dhe kryesisht me kryemurgun me shumë ndikim (shenjtin e ardhshëm), Bernar de Klervo, që mbronte pastërtinë e doktrinës.
Më 1121, në Suason, Bernari arriti ta dënonte për herë të parë Abelardin për herezi. Më pas, si në manastir ashtu edhe në përpjekjet e shumta për t’u kthyer në Paris si mësues teologjie dhe filozofie, Abelardi u ndesh me kundërshtarë të egër. Një proces i ri fetar, mbajtur më 1140, këtë herë në Sans, përfundoi me një dënim të dytë, që e detyronte të digjte librat e veta me dorën e tij. Kur po shkonte në Romë për të mbrojtur çështjen e tij te Papa, Abelardi u sëmur dhe u prit nga Pjer lë Venerablë në manastirin e Klynit, ku vdiq më 21 prill 1142. Përveç veprës së titulluar Sic et non (Po dhe jo, midis viteve 1121 dhe 1140), që e bën një nga themeluesit dhe përfaqësuesit e metodës skolastike, janë edhe shkrimet e tij, sidomos ato për logjikën dhe etikën, që tregojnë për vendin e rëndësishëm që zë në filozofi.
Ky ishte Pierre Abelard, ai që mësoi shkencat dhe filozofinë në Paris mesjetar, dhe po kaq i famshëm ai mbeti në histori si një joshës. Dashurie e tij me 17-vjeçare Heloize lëkundi themelet e brishta të moralit puritan dhe ndëshkoi zemrat e drobitura të pasionit. Nga intensiteti fizik i marrëdhënies së tyre, bashkimi i Heloise dhe Abelard u shndërrua në në një lidhje shpirtërore, që do të rendte flakatare midis një njeriu të thyer dhe një gruaje jokonvencionale që guxoi t’i jepte shpirtit atë nektar që pllenon ende sot të tilla dashuri, të cilat dhunshëm i ndan koha dhe diferencat, kodet dhe morali, por jo zemra. Pavarësisht se janë shuar në ekzistencën e tyre fizike, të dashuruarit Abelard dhe Heloiza janë të bashkuar në përjetësi, duke u prehur pranë njëri-tjetrit banorëve mitikë të varrezës së Pere Lachaise./AlbertVataj/ KultPlus.com

Xhek London i preferuar edhe nga komunistët, edhe nga fashistët

Xhek London (John Griffith Chaney London, 1876-1916) është ndoshta shkrimtari i vetëm në botë, krijimtaria e të cilit është përdorur politikisht edhe nga komunistët, edhe nga fashistët.

Megjithëse me një fëmijëri mjaft të vështirë dhe i pashkolluar, ai u bë autori më popullor amerikan i fillimit të shek.XX, duke u përkthyer suksesshëm edhe jashtë saj. Porse, idetë e tij të majta që i manifestoi në libra dhe në jetën publike, bënë të mundur që ai të botohej sidomos, masivisht në Rusinë bolshevike dhe në të gjithë vendet e kampit socialist lindor.
Mirëpo, pakkush e di që London, ka qenë shkrimtar “bestseller” edhe në Gjermaninë e Hitlerit dhe Italinë e Musolinit. Kjo, për faktin që ai besonte edhe në teorinë e Niçes të “racës superiore”. Kështu, mjaft vepra të prozatorit amerikan, sidomos ato për të rinj dhe fëmijë, u botuan edhe në këto gjuhë, duke u përdorur kështu nga propaganda fashiste dhe naziste. Xhek London, konsiderohet ndër autorët më të lexuar edhe në Shqipërinë komuniste para viteteve ’90-të.

Romanet “Martin Iden”, “Thundra e hekurt”, por edhe të tjerë ishin pjesë e literaturës shkollore për disa dekada dhe emri i tij, zëvendësonte në një farë mënyre tek lexuesi letërsinë e huaj të ashtuquajtur “dekadente”, përfaqësuesit më të spikatur të së cilës, as që njiheshin gjatë 4-5 dekadave të diktaturës.
London u nda nga jeta në moshën 40 vjeçare, si pasojë e p^rdorimit të medikamenteve kundër alkoolit. Por, pjesa më e madhe e biografëve mendon që me anë të tyre, ai ka kryer vetvrasje./koha.mk/KultPlus.com

Zbulohet identiteti i dyfishtë i Mona Lisës

Konsiderohet piktura më e famshme në botë, shumë njerëz e kanë quajtur edhe “Piktura Misterioze” pasiqë ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë shumë konspiracione, rreth asaj se kush dhe cka mund të jetë Mona Lisa, shkruan KultPlus.

Shkencëtari francez Pascal Cotte pretendon se ka zbuluar një portret të fshehtë poshtë figurës së Monalisë-s, veprës më të famshme të Leonardo da Vinçit.

Siç sqaron vetë shkencëtari, imazhin nën shtresat ekzistuese të bojës, ka mundur ta diktojë falë përdorimit të një teknologjie tepër të sofistikuar, asaj të dritës reflektuese.
Për të analizuar pikturën e famshme, Cotte-s i janë dashur më shumë se 10 vjet. Drejtuesit e muzeut të Luvrit, nuk kanë bërë deri më tani asnjë koment mbi të tilla pretendime./standard.al/KultPlus.com

Vuejtja e Migjenit

Millosh Gjergj Nikolla ─ Migjeni, ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Njihet ndryshe edhe si poeti i mjerimit, shkruan KultPlus.

Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, o jetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndërluftat e jetës.

Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh. /KultPlus.com

Genti Kame: Pse duan këta njerëz ta lënë qytetin pa një teatër të vërtetë?

Në Shqipëri ka një kohë që ka filluar dhe po vazhdon një debat, shpesh i ashpër, për ndërtimin apo jo të një Teatri të Ri Kombëtar dhe të rrënimit të këtij që është aktualisht. Kjo temë e nxehtë ka nxitur reagime shoqërore, politike dhe veçmas artistike.

Një nga artistët që ka shprehur mendimin e tij për çështjen e teatrit është edhe Genti Kame, regjisor dhe aktor i cili ka një karrierë të bujshme artistike në Shqipëri, shkruan KultPlus.com.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Pse duan këta njerëz ta lënë qytetin pa një teatër të vërtetë? Ç’interesa ekonomike dhe politike kanë? Si mundet të mbrosh një institucion si vend i shenjtë, kur njerëzit që e ndërtuan, e zhvilluan dhe e bënë të shenjtë i denigrojnë, shajnë, shpifin për ta në mënyrë të ulët ? Çfarë muresh të shenjta mbrojnë këta pseudo, kur përdhosin ikonat?”

“Një farsë qesharake që tregon edhe njëherë se kauzat e mëdha nuk mund të mbrohen nga njerëz të vegjël, që tregon se artistët e vërtetë janë të rrallë dhe se ata gjenden në të shumtën e rasteve në pjesën e heshtur dhe punëtorë. Kunati im, arkitekti francez me banim në Suedi, Philippe d’Aboville, më telefonoi i emocionuar që në Tiranë, arkitekti më i mirë sot në botë, projektoka Teatrin Kombëtar të qytetit tim. Kjo duhet të na gëzojë! Po flitet për ne, për mirë. Lëreni Tiranën ta ketë. Lërini qytetet moderne të shkojnë drejt lartësive”./KultPlus.com

“Kampi me të rinj nga Diaspora”, ku tradicionalja gërshetohet me modernen

Tradita dhe kultura e kombit shqiptar, ka qenë ajo që gjithmonë na ka veçuar në raport me vendet tjera në ballkan. Duke pasur një traditë e një kulturë të veçantë, e cila ka qëndruar e fortë ndër shekuj, për të cilët historia i njeh vetëm si shekuj lufte e sakrificë, na ka bërë kjo që jemi sot, një popull që kulturën e mbi të gjitha traditën mundohemi ta ruajmë me fanatizëm, shkruan KultPlus.

Këtë vit, me po këtë motiv, siç është ruajtja e traditës dhe kulturës sonë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, për herë të parë ka organizuar “Kampi me të rinj nga Diaspora”, përmes të cilit të rinjve u janë ofruar aktivitete të ndryshme, aktivitete këto të lidhura ngushtë me trashëgiminë kulturore në Kosovë.

Pjesë e këtij edicioni ishin mbi 30 pjesëmarrës, nga Kosova dhe Diaspora, të grupmoshave 16-24, me aktivitete që zgjatën për katër ditë radhazi. Pjesëmarrësit, sipas organizatorit Fatmir Hoxha, u ndanë mjaft të kënaqur me eksperiencën e fituar gjatë kësaj periudhe të shkurtë por shumë të dobishme. Aktivitetet kryesisht kanë zënë vend në Prishtinë, duke filluar Muzeu Kombëtar, përmes të cilit promovohej trashëgimia kulturore e popullit tonë, duke vazhduar më pas me ekspozita, lojëra të ndryshme, me ngjitje në murin Aplin që gjendet në Parkun Nacional të Gërmisë etj. Pastaj, të rinjtë kanë pasur mundësinë, që sikur edhe në kohët e mëhershme të mësonin orientimin në natyrë, ashtu siç e kanë mësuar edhe të parët tanë.

Për KultPlus, Fatmir Hoxha organizatori i këtij edicioni deklaroi të jetë shumë i kënaqur nga organizimi dhe realizimi i këtij eventi, poashtu edhe nga interesimi i të rinjëve, duke u shprehur mjaft optomist edhe për rritjen e pjesëmarrësve në vitet në vazhdim.

”Qëllimi i këtij kampi, ka qenë ruajtja e traditës, pasiqë të rinjtë kanë filluar të harrojnë. Ne jemi munduar që sa më shumë, duke provuar mënyra atraktive, të i informojmë rreth trashëgimisë sonë kulture”, u shpreh ai.
Në kuadër të këtij edicioni është krijuar edhe grupi ”Miqtë e muzeut”, grup ky i cili, duke filluar nga viti tjetë do të filloj të merret edhe me aktivitete humanitare.
“Kampi me të rinj nga Diaspora”, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet

Platoni është njëri nga filozofët më të njohur botërorë që ka dhënë një kontribut të madh në fushën e mendimit filozofik dhe shkencave humane. Ai ishte themelues i Akademisë në Athinë ku studioi edhe Aristoteli. Kjo Akademi qëndroi nëntë shekuj me radhë.

Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte 2 vëllezër, Glafkonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte gjoks dhe ball të gjerë. 

KultPlus sonte i sjellë disa nga thëniet e tij më të njohura që gjatë kohës kanë mbetur në përdorim në fushat e ndryshme të jetës shoqërore.

“Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët”.

“Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash”.

“Tregohu i mirë, sepse këdo që e takon, po përballet me një betejë të vështirë”.

“Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave”.

“I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo”.

“Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak”.

“Filozofia nis me kureshtje”.

“Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinjë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet”.

“Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet”.

“Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer”.

Llosa, miku i shqiptarëve: Populli që nuk lexon, manipulohet lehtë

INTERVISTË ME MARIO VARGAS LOSËN

NJË POPULL QË NUK LEXON, MANIPULOHET SHUMË LEHTË

( Miku i shqiptarëve dhe mbrojtësi i flaktë i çështjes së Kosovës, zbraz shpirtin në një rrëfim të sinqertë për shkrimet, idealet komuniste dhe gjeneratën e shkrimtarëve të tretur latino-amerikanë )

Mario Vargas Llosa jeton pas mureve të larta në një lagje pasanikësh në veri të Madridit. Fqinj të tij janë ambasadorët e Kuvajtit, Algjerisë dhe Venezuelës. Hapet një portë e rëndë, një roje hap derën e vilës së madhe dhe na prin drejt bibliotekës. Në dysheme një qilim persian, në dritare perde të gjelbra kadifeje, në tavolinën e divanit një arkë druri me puro. Mbi oxhak qëndron e varur një pikturë në vaj, e cila paraqet partneren e Vargas Llosas, Isabel Preysler, e cila rrjedh nga Filipinet dhe quhet “la perla de Manila”. Ajo është ish-gruaja e Julio Iglesias, Enrique Iglesias është djali i saj. Peruani Mario Vargas Llosa (83) është njëri nga shkrimtarët më rëndësishëm të gjallë, ndër veprat më të njohura të tij janë “Shtëpia e gjelbër”, “Tezja Julia dhe shkrimtari” dhe “Festa e cjapit”; më 2010 mori çmimin Nobel për Letërsi. Libri i tij më i ri “Thirrja e hordhive” është një autobiografi intelektuale e tij.

Das Magazin: Zoti Vargas Llosa, njëherë keni thënë se nëse nuk do të mund të shkruani, do t’ia shkrepnit vetes një plumb në kokë.

Llosa: Kjo është e vërteta e plotë. Nëse nuk do të mund të shkruaja, moti do e kisha vrarë veten.

Das Magazin: Shkruani ende me të njëjtin pasion?

losa: Gjithmonë. Të shkruash është mënyrë e jetës. Jeta ime sillet rreth punës sime si shkrimtar. Hulumtoj shumë, përherë – jo patjetër për të pasqyruar të vërtetën historike, këtu i lejoj vetes shumë liri, por që të kem mundësi të identifikohem me epokën dhe me karakteret.

Das Magazin: Philipp Roth ka thënë se në moshë të shtyrë s’kishte për çfarë të shkruante më…

Losa:Unë jam ndryshe. Do të vdisja nëse nuk do të mund të jetësoja së paku një të dhjetën e projekteve letrare që i kam në kokë. Këto janë edhe së paku dhjetë libra.

Das Magazin: Ju jeni i mbijetuari i fundit i gjeneratës së shkrimtarëve të mëdhenj latinoamerikanë.

Losa: Po, gjenerata “Boom”?

Das Magazin: Gabriel García Márquez nga Kolumbia, José Donoso nga Kili, Julio Cortázar nga Argjentina, Carlos Fuentes nga Meksika.

Losa: Është një privilegj të jesh i mbijetuari i fundit, por ashtu është. Shumë miq kanë vdekur.

Das Magazin: Ju mungojnë?

Losa: Le të themi kështu: ishte një kohë e bukur, një epokë, kur Europa, SHBA-të, madje mbarë bota zbuloi letërsinë e Amerikës Latine. Në të vërtetë ajo ka ekzistuar qëmoti, por ka qenë e mbyllur. Nuk e braktiste Amerikën Latine. Befas, nga fundi i viteve ’50, fillimi i viteve ’60, ndodhi zbulimi i letërsisë latinoamerikane. Edhe Amerika Latine filloi t’i rizbulojë dhe lexojë autorët e vet si për shembull Jorge Borges.

Das Magazun: Çfarë mendoni kur thoni: Amerika Latine filloi t’i lexojë autorët e vet?

Losa; Zbuluam se kemi një identitet të përbashkët latinoamerikan. Kur jetoja në Peru, nuk njihja asnjë autor në Kolumbi, Ekuador, Kili, përveç ndoshta Pablo Nerudës. Nuk kishim haber se çka domethënë të jesh latinoamerikan. Për herë të parë jam ndier i tillë kur jetoja në Paris. Atje fillova të lexojë letërsi latinoamerikane. Ishte inspiruese të shohësh: ne që rrjedhim nga Meksika, Argjentina, Peruja kemi rrënjët e ngjashme.

Das Magazin: Por juve nuk ju mungon Gabriel García Márquez?

Losa: Miqësia jonë mori fund për shkak të mospajtimeve politike. Aty filluan ndarjet, grindjet. Por e vërteta është kjo: ka ekzistuar përherë një miqësi që i mbijetonte këto mospajtime politike.

Das Magazin: Cilët janë zërat e rinj të letërsisë së Amerikës Latine?

Losa: Për shembull peruani Alonso Cueto. Ai është autori shumë interesant, por edhe reprezentativ, sepse ai, si shumë shkrimtarë latinoamerikanë, nuk është më provincial. Të rinjtë nuk kufizohen më në vendin e tyre. Kjo i ka sjellë letërsisë latinoamerikane një horizont shumë më ndërkombëtar. Kjo është e kundërta me jetën politike, e cila ka mbetur e kufizuar siç ka qenë gjithmonë.

Das Magazin: Çfarë po lexoni momentalisht?

Losa: I lexoj klasikët, vazhdimisht. Në moshën time të shtyrë i lexoj ata që më kanë iluminuar: Flaubert, Faulkner, madje edhe Sartre, prej të cilit jam distancuar, por ka ekzistuar një kohë kur Sartre kishte shumë ndikim ndaj meje. Sot kemi qasje ndaj shumë shkrimtarëve interesantë, në të gjitha vendet, atëherë nuk e kemi pasur këtë mundësi. Numri i shkrimtarëve të rinj është shumëfishuar, andaj është e vështirë t’i përcjellim të gjithë.

Das Magazin: Sartre ka thënë se shkrimtari mund të ndikojë ndaj historisë. A ia keni arritur ju?

Losa: Kjo është vështirë të matet. Por besoj se letërsia ndikon ndaj njerëzve dhe ka impakt politik. Pa dyshim.

Das Magazin: Edhe sot?

Losa: Për këtë jam i bindur. Por në jetën moderne kjo është më e vështirë. Letërsia është bërë dytësore – muzika, filmi, interneti kanë ndikim më të madh. Letërsia është shtyrë në qoshe. Për fat të keq sot idetë janë më pak të rëndësishme se pamjet. Ne kemi një kulturë të ekranit.

Das Magazin: A është kjo mirë apo keq?

Losa: Një shoqëri e lexuesve është më e lirë dhe më kritike. Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike. Një popull që nuk lexon manipulohet shumë më lehtë. Lexuesit e mirë janë rebelë, në kuptimin politik, fetar, seksual. Letërsia nuk është vetëm argëtim. E qartë, të lexosh Shakespeare është zbavitëse, Cervantes, Goethe, Thomas Mann, të mrekullueshëm. Por përtej kënaqësisë ne përfitojmë më shumë: idenë se krahas jetës sonë ka edhe jetë të tjera, të cilat janë më intensive, më të begatshme. Kjo krijon brenda nesh një lloj rebelizmi ndaj realitetit.

Das Magazin: Paskeni një dhomë madhështore të punës. A keni rregulluar vetë?

Losa: Jo. Kjo është vështirë të shpjegohet… Është dhoma ime e punës, por i takonte ish-burrit të gruas sime. Ai ka qenë ministër i ekonomisë nën kryeministrin Felipe González. Krejt këto libra janë të tij. Ai ka qenë intelektual. Këtu keni një mur të tërë me libra për astronominë, atje për matematikën, atje përpara ciceronë turistikë – dhe një mur i tërë mbi Egjiptin e lashtë.

Das Magazin: Jeni 83-vjeçar. E kujtoni shpesh të shkuarën?

Losa: Disa epoka të caktuara dhe ngjarje i kujtoj me nostalgji, por nuk jetoj në të kaluarën, fare dhe aspak. E dua shumë të tashmen, shpesh me mendime futem në të ardhmen. Hombre, mosha i bën njerëzit më të mençur, mëson të dallosh çka është e rëndësishme dhe çka jo, çka është e thellë dhe çka është sipërfaqësore. Ky është thesari i neve pleqve.

Das Magazin: Cili është suksesi juaj më i madh si shkrimtar?

Losa: Që unë shkruaj. E kam zgjedhur këtë profesion kur ka qenë shumë vështirë. Atëbotë kush kishte vokacion letrar, dëbohej diku në periferi të shoqërisë. Ishte e pashpresë të jetoje nga të shkruarit. As që mund të merrej me mend. Babai im u alarmua tej mase kur zbuloi se po shkruaja poezi.

Das Magazin: Babai juaj ju ka rrahur. Dhe ju ka dërguar në Akademinë Ushtarake për t’ua flakur tej dëshirën për të shkruar. Ky është materiali i romanit tuaj të parë.

Losa: Atij ia merrte mendja se shkrimi është bileta e sigurt drejt dështimit. Të mos fitosh kurrë para, të bësh jetë bohemi – kështu e shihte babai im jetën e shkrimtarit. Sot të rinjtë që duan të shkruajnë e kanë shumë më lehtë. Në kohën time të shkruarit ka qenë diçka për avokatë, arsimtarë apo profesorë gjatë ditës së diele. Askush nuk ia kushtonte jetën e tij shkrimit.

Das Magazin: Ç’rëndësi ka për ju çmimi Nobel?

Losa: Hombre, çmimi Nobel është lotari. Disa që e kanë fituar, e kanë merituar. Të tjerët që e kanë merituar, nuk e kanë marrë.

Das Magazin: A keni pësuar humbje gjatë jetës suaj?

Losa: Gjithsesi, shumë dështime, shumë gabime, shumë humbje. Njeriu nuk i kujton me qejf dështimet, është më e shëndetshme të mos i hapësh plagët e vjetra. Por unë kam bërë shumë gabime. Disa jam përpjekur t’i korrigjojë, të tjerat jam përpjekur t’i harrojë.

Das Magazin: Nuk dëshironi të përmendni asnjë?

Losa: Hombre, kam qenë komunist. Një gabim trashanik, një rrugë e gabuar! Në të vërtetë kam qenë anëtar i partisë vetëm një vit, sepse stalinizmi ka qenë aq sektar, aq fanatik, saqë e kam duruar vetëm një vit. Por shumë gjatë kam menduar se për njerëzimin marksizmi, komunizmi radikal, do të ishte rrugëdalje nga të gjitha padrejtësitë.

Das Magazin: Cili ka qenë më konkretisht gabimi juaj?

Losa: Që kam besuar në komunizëm. Që ky ka qenë gabim i madh, kjo shihet në dështimin total të shoqërive komuniste. Libri im më i ri – “Thirrja e hordhive” – është gjithsesi autobiografik. Bën fjalë për atë se si e kam zbuluar demokracinë, liberalizmin në bazë të përvojave shumë konkrete dhe autorëve të rëndësishëm, nga Adam Smith, Karl Popper e deri te Friedrich August von Hayek. Ka qenë një proces personal: dalje nga kolektivizmi në një shoqëri të lirë, demokratike, në shtetin ku sundon ligji. Koha na dha të drejtë: shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, zhvillimi i Kinës në shtet kapitalist, ndonëse ka mbetur diktaturë. Shiko çfarë po ndodhë në Venezuelë. Sa tragjike, sa e dhimbshme. Një vend aq i pasur – dhe gjithçka e rrënuar.

Das Magazin: Çfarë u kujtohet nga takimi me Fidel Castron?

Losa: Kam zhvilluar vetëm një bisedë të gjatë me Castron. Si gjithë gjenerata ime edhe unë kam pasur entuziazëm të madh për komunizmin kuban, ai më dukej si përjetim transcendal. Deri kur pësoi kolaps.

Das Magazin: Si erdhi deri aty?

Losa: Shkaktar ishte rasti Padilla. Heberto Padilla ishte poet, i cili la poezinë për t’iu bashkuar revolucionit. U bë ministër, ishte krejtësisht i ndershëm. Pastaj u bë i padëshirueshëm, vetëm për shkak se e kritikoi pak politikën ndaj kulturës, nuk e kritikoi revolucionin. Por Castro e futi në hapsanë dhe e akuzoi se punonte për CIA. Çfarë marrëzie. Ne protestuam.
Protestuan shumë intelektualë të majtë. Susan Sontag, Julio Cortázar, Carlos Fuentes, Hans Magnus Enzensberger.
Llosa: Ishte një thyerje e madhe. Deri atëherë intelektualët e botës kishin përkrahur Kubën. Ata në Kubë shihnin një komunizëm demokratik. Shumë prej nesh u desh ta pranonim se kjo nuk ishte e vërtetë.

Das Magazin: A ishte kjo kthesa intelektuale në jetën tuaj?

Losa: Po, ishte kthesë. Por edhe më herët kishte indikacione. Kur në Kubë krijuan UMAP-in, Unidades Militares de Ayuda a la Producción. Në të vërtetë bëhej fjalë për kampe përqendrimi, ku mbaheshin kundërrevolucionarë, kriminelë dhe homoseksualë. Kam njohur shumë homoseksualë, revolucionarë, poetë, piktorë, valltarë, grupin El Puente. Vuanin shumë, futeshin në kampe, disa vranë veten.

Das Magazin: Si është gjendja e botës në vitin 2019?

Dua ta citoj Popperin. Më 1994, pak muaj para vdekjes, ai erdhi në Spanjë. Në një konferencë për shtyp gazetarët thanë: bota i ka punët keq. Ai tha: po, bota i ka punët keq, ka dhunë, shumë varfëri, mijëra probleme. Por përherë kur besoni se bota i ka punët keq, mendoni se kurrë gjatë historisë së njerëzimit nuk kemi qenë më mirë. Kurrë. Kjo duhet të na inkurajojë. Përgjigjja e tij është absolutisht e saktë.

(Burimi: “AGMIA” revistë letrare-kulturore)

Të jesh vetja

Poezi nga Dafina Syla

A ka më mirë
të jesh njeri
të shikosh
veten 
në pasqyrë
të mos ndjesh bezdi?!

Të paktë janë
kanë mbetur
me shpirt 
të dlirë
pa patur nevojë
të shtiren
të mirë.

Jo,
nuk bëjnë zhurmë.

Janë vetë –
zhurma
për të zhurmëshmit!

7 rregullat e jetës për edukimin e fëmijëve sipas psikiatrit italian

Giovanni Bollea ishte një psikiatër italian, baba i neuropsikiatrisë moderne të fëmijërisë (NPI).

Giovanni Bollea lindi në Cigliano, në provincën e Vercelli, më 5 dhjetor 1913 nga Gelsomino Bollea dhe Rosa Gaida. Ai e jetoi fëmijërinë e tij midis vështirësive ekonomike, por ai mori një arsim të shkëlqyeshëm dhe ndoqi mjedise të klasës së mesme. Ai u rrit me idealet e socializmit dhe të drejtave të barabarta të qytetarëve, ishte i hapur për kritikë dhe mos-konformizëm. Pas mbarimit të shkollës, ai u inkurajua nga prindërit e tij të regjistroheshin në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë në Universitetin e Torinos.

Ai e ka përqendruar avancimin e tij profesional në zhvillimin e fëmijës, duke sjellë një revolucion të vërtetë në fushën e neuropsikiatrisë pediatrike italiane: në fakt, ai ka qenë nismëtari i psikanalizës dhe psikoterapisë së grupit në klinika universitare romake.

Në kursin e karrierës së tij, ka përpiluar një listë të 7 rregullave për rritjen e fëmijëve të edukuar dhe të qetë.

1. “Jepuni më pak. Kanë shumë, nuk ka dyshim. Konsumerizmi shkëput dëshirën dhe hap portat e mërzisë.”

2. “Ajo që ka rëndësi është intensiteti, e jo gjatësia e harkut kohor që kaloni me fëmijët.

Njëzet minutat e para të kthimit në shtëpi nga puna janë thelbësore.

Duhet të jenë të përkushtuara në biseda dhe përkëdhelje. Dhe nuk duhet t’u bëni pyetje rreth detyrave apo rezultateve.”

3. “Lojërat më edukative janë ato që kalojnë nëpër imagjinatën e nënës dhe në duart e babait: mjaftojnë dy pjesëza druri, por prindërit tashëm nuk mund të shpikin më”.

4. “Nga tre deri në pesë vjeç është mirë të filloni t’i shtyni fëmijët të bëjnë punë shtëpie, së bashku me prindërit. Është e dobishme që dinë të hekurosin një rrobë apo të qepin një pullë këmishe”.

5. “Sporti. Para së gjithash ai duhet të jetë një dëshirë. Aq më mirë nëse e ushtron në grup, duke kuptuar se agonizëm do të thotë t’ia dalësh me shumë djersë edhe atëherë kur nuk do të bëhesh kampion…”

6. “Duhet të inkurojani kulturën artistike që të mësohen me të bukurën”. Teatri, muzika, vizatimet artistike krijojnë dëshirën për të përmirësuar. Të ardhurat e shpenzuara për kulturën janë ato që vlejnë më shumë.”

7. “Gratë që punojnë, shumica, në fund të ditës mendojnë për fëmijët e tyre, për pazarin, për punët në shtëpi dhe çojnë në fund shumë pak prej këtyre punëve. A nuk do të ishte më miri t’i linit fëmijët të dalin jashtë gjysmë ore para? Më shumë sesa kurset, kjo është ajo që fëmijët kanë vërtetë nevojë.” / KultPlus.com

Faruk Begolli nderohet me organizim të veçantë kulturor

Ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit organizohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Kosovafilmi në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës, për të kujtuar dhe nderuar veprën e aktorit.

Faruk Begolli është një ndër figurat më të rëndësishme të Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare dhe njëri ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi. Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku ka diplomuar në vitin 1966. Është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966) të Veljko Bulajic. Për të bashkëpunuar me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra). Rrolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj. Ftohen të gjithë kolegët, studentët, adhuruesit, dhe filmdashësit të vijnë me 23, 24 dhe 25 gusht në kinemanë Cineplexx të shiqojnë tre filma të përzgjedhur në të cilët luan Faruk Begolli. Programi: Era dhe Lisi – ora 20:00, kinemaja Cineplexx Kur Pranvera Vonohet – ora 20:00, kinemaja Cineplexx Proka – ora 20:00, kinemajaCineplexx

Ditët e filmit organizohen me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së aktorit Kosovar. Hyrja është falas. / KultPlus.com

Kur jetohet me filter n’ftyrë

Nga Nezir Kraki

Para disa ditësh nga Kina e madhe doli një lajm i vogël por i çuditshëm.
Një video blogere (Vlogere) e re kineze zhgënjeu qindra mijëra ndjekësit e saj kur papritmas, ne komunikim Live, ‘filteri i fytyrës’ që ajo përdorte pësoi defekt. 

Pa një pa dy, kinezja e re dhe e bukur 20 vjeçare u shëndrrua në një grua 55 vjeçare me pamje krejt tjetër. Ndjekësit e saj, sidomos meshkuj që edhe e financonin blogun me video dhe chat, u alarmuan dhe filluan ta çndjekin (fjale e re) « bukuroshen e plakur » duke i bllokuar edhe donacionet që ia kishin bërë. 

Lajmi e çuditi Kinen mbarë por opinioni, megjithatë, tregoi mirëkuptim ndaj « viktimes ». Në fakt, fajtori kryesor këtu ishte inteligjenca artificiale, dmth aftësia e rreme robotike. Dhe tash kur bota veç gjendet në ciklin artificial të dijes, të mendimit, të dukjes, të sjelljes, dmth të krejt jetës, edhe ajo kinezja i ishte pershtatur rendit. Krejt normal. 

Sidoqoftë, në një moment edhe artificialitetit i vie fundi se robotin e algoritmet e tij njeriu i ka lindur. Dmth njeriu i gabueshem. 

Morali i kësaj vakie që po e ndaj me ju është se siperfaqësorja dhe mitomania janë bërë sot mënyra jetese gjithkund.

Çdo gjë e jetojmë me filter sepse realja shpesh na trishton derisa e thjeshta na inferiorizon. Filtrohen foto, video, sy, vetulla, trup, muskuj, flokë …. për të gjitha këto mendon roboti. 
Nejse…krejt kjo mund të kuptohet dhe pranohet si një modë globale e mitomanisë kolektive të normalizuar tashmë. Një ditë edhe kjo modë do demodohet.

Por janë ca filtra që duhet të bien urgjentisht sidomos tek ne shqiptarët. Cili është filtri më i madh dhe më i rrejshëm i këtyre 20 viteve tek ne? Ai që është perdorë nga politika, natyrisht. 

Filtrin me të cilin bandat na dhunojnë prej vitesh nuk e ka ideuar asnjë robot. Ai eshte filter artizanal i krijuar dhe imponuar nga vet bandat. 

Populli (sikur ndjekësit e kinezes) shikojnë dyftyrësi në çdo ekran dhe secili duhet ta kuptojë që « idolin » e ka të rremë, FAKE. Që ajo e cila shihet e dëgjohet s’është e verteta.

Mos u habisni nga filtrimi, shikojini fytyrat e vërteta të atyre që ndiqni. Mos ia besoni fatin një fytyre me filter.

(Statusi është marrë i plotë nga Nezir Kraki dhe pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com

Akademiku Ismajli shpalos çështje shumë të rëndësishme të ndarjes dialektore shqipe

Bujar Meholli

Në kuadër të Seminarit të 38-të, sot kanë filluar aktivitetet me kurset e gjuhës I, II, III, kurse më pas dekania e Fakultetit të Filologjisë prof. Lindita Rugova i ka pritur seminaristët, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 13:00 në amfiteatrin “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë kanë vazhduar aktivitetet me ligjëratën “Ndarja dialektore e shqipes dhe konteksti ballkanik” nga akademiku dhe linguisti prof. Rexhep Ismajli.

Prof. Ismajli para një audience të madhe të mbledhur në sallë, trajtoi çështje shumë të rëndësishme të ndarjes dialektore si dhe solli skema para studiuesve dhe dashamirësve të gjuhës dhe kulturës shqipe.

“Bahri Beci dhe Shaban Demiraj pa e mohuar idenë e ndarjes dialektore sipas etnisë ata kanë thënë se ndarja u krijua para ardhjes së sllavëve dhe pas sundimit romak. Kronologjia është kjo. Në 395 u nda Perandoria, shqiptarët mbetën në lindje me Kostandinopojën kryeqytet dhe në shek. 7 u bë greqishtja gjuhë zyrtare në këto anë, para saj ishte latinishtja”, shpjegoi Ismajli.

“Bahri Beci ngul këmbë se kur u krijua dialekti, u krijua përnjëherë, e kjo të çon te ideja e dy etnive që u shkrinë”.

Më tutje prof. Ismajli, u ndal te tiparet dalluese të dialekteve të shqipes. “Në dialektologjinë shqiptare kemi dy konceptime të ndryshme kryesore. Në njërën anë është ideja për ndarjen në dy dialekte si e trashëguar nga lashtësia si refleksion i dy popullatave ilire dhe epirote, ndikime që këtë ndarje e çojnë te kohët pas romake dhe para sllave që është kohë e barbarëve për të cilën nuk dimë shumë. Nuk mund ta marrim me mend si u krijua bashkësia e folësve në këtë kohë brenda së cilës do të reflektoheshin inovacione”, tha mes tjerash Ismajli duke vazhduar me ndarjen e dytë. “E dyta është ideja se fillimet e kësaj ndarjeje janë më të vona. Shquhet ideja e Çabejt, i cili thotë se nuk janë kaq të hershme por janë të shkall-shkallshme”.

Tutje ligjërata vazhdojë duke pas referime nga linguistë të njohur nga të cilët janë gjetur elemente që tregojnë se ka afërsi mes shqipes dhe rumanishtes.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhësinë, Letërsinë Shqiptare do të vazhdojë nesër me aktivitete tjera sipas programit. /KultPlus.com

Shkrimtari i ‘Game of Thrones’: Seriali nuk ishte i mirë për mua

Shkrimtari George R. R. Martin e ribotoi dhe tha se ishte i lumtur që “Game of Thrones”, që ishte bazuar në librat e tij nga “The Winds of Winter”, kishte përfunduar.

Autori i njohur ka pranuar se shkrimi i një skenari për një seri popullore ka ngadalësuar përfundimin e kësaj serie, e cila duhet të quhet “Erërat e dimrit”.

Ai pranoi në një intervistë për Observer se nuk mendonte se seriali ishte i mirë për të.

“Në vend që të më ndihmonte për t’i mbaruar librat, ajo në të vërtetë më ngadalësoi. Unë shkruaja çdo ditë, edhe kur ishte një ditë e mirë. Por do të ndihej keq, sepse çdo ditë do të mendoja, ‘Zot, më duhet ta mbaroj librin. Kam shkruar katër faqe në vend të 40”, tha shkrimtari i njohur.

Episodi i tetë dhe i fundit i serialit popullor u transmetua në muajin maj. Disa episode të fundit kanë marrë mjaft komente negative, madje është nisur edhe një peticion për të regjistruar episodin e fundit.

Martin, megjithatë, tha që i kushtoi shumë vëmendje këtyre komenteve dhe se njerëzve “duhet t’u lejohet të kenë teoritë e tyre”, raporton Independent.

Libri i fundit që shkroi Martin ishte “Dancing with Dragons” dhe doli në shitje në vitin 2011. Ai ende nuk ka mbaruar punën për romanin e fundit.

Martin gjithashtu është përfshirë në shkrimin e një serie që do të merret me kohën që çon deri në luftën për Fronin e Hekurt, në të cilën Naomi Watts do të luajë një rol kryesor. / KultPlus.com

Harta e vitit 1689, në plan të parë Fushë Kosova (CAMPO CASSOVO)

Në një cep të historisë së Kosovës së moçme: Atllasi i V. M. Coronelli-t i botuar në Venedik më 1689.

Në plan të parë këtu paraqitet Fushë Kosova (CAMPO CASSOVO), me theks të veçantë fortifikata e rrënuar e Veletinit, “Valetino ruin”, e cila është e vendosur në perëndim të Janjevës.

Aty afër e shohim edhe kishën romano-katolike të Shën Nikollës (S. Nicolo), kishë kjo e njohur e Janjevës, si dhe fshatrat e afërta, si Gusteriza dhe Vragolia e banuar nga turqit dhe grekët (Vragolia habitata da Turchi, e Greci), si dhe disa toponime e hidronime të tjera shumë intertesante, të cilat i ndeshim edhe në dorëshkrimet e Martin Segoni Novobërdasit (shek. XV).

Liqeni i Janjevës (Lago di Iagnevo), si dhe disa objekte janë inkuadruar me rastin e kompilimit të hartës së Ilirikut. Këtu duhet përmendur edhe liqenin e Surçinit (Lago di Suarsegno o Suersigno), 35 km në jug nga Prishtina, e cila atëbotë kishte 4000 shtëpi kryesisht të besimit islam dhe më pak të krishterë të shpërndarë. E veçanta e hartës në fjalë është se Kosova paraqitet sipas apelativit KASOVO (CASSOVO), dhe gjendet në kufi me Rashën (Serbinë)…!/shkruan hisotriani Jahja Drançolli. / KultPlus.com

Piktogramat e Fanit dhe heshtja e Ministrisë së Kulturës

Gjetja e Gurit me piktograme në Fan të Mirditës është ngjarja më e rëndësime Arkeologjike e Shekullit të XXI për Kombin shqiptar, por edhe në rang Kontinenti.

Të gjithë prisnim që kryeministri Edi Rama, si njeri i Artit, të ishte i pari që do ta vizitonte bashkë me Ministren e Kulturës, Elva Margariti. Specialisti i kësaj fushe Myzafer Korkurti, (Miratues i të gjitha konkluzioneve që të huajt artikulojnë rreth prehistorisë Shqiptare) tha në një interviste, se do te shkonte ta shihte sapo të gjente kohen. Kjo është pak a shume panorama e injorimit të Kulturës Kombëtare. Franca apo Gjermania nuk e kanë luksin ta kenë në territorin e tyre një monument të tillë të rangut Botëror. Përndryshe të gjitha rrjetet televizive botërore do ta kishin lajm të parë. Të tilla monumente ka në territorin Serb në Vinça dhe në Bosnjë, Visoko…

Po dhe këto i takojnë kulturës parailire (pellazgjike), dhe janë shumë më të reja në moshë se Guri i Xhuxhës. Personalisht kam patur fatin të marr leksione nga Profesor Dieux, njëri nga specialistët më të mirë të Land-Art, i cili më ka mësuar teknikat e Leximit të Artit Prehistorik të njeriut primitiv, sipas metodologjisë arkeologjike franceze, dhe gjithashtu të marr leksione rreth leximit Strukturalist dhe Mitologjisë nga studentja dhe pasardhësja e Claude Levi-Strauss, Profesorja e Akademisë së Komunikimit dhe Menaxhimit, Anderlecht-Bruksel, profesorja AnneEnglebert. Le ta Lexojmë pra këtë Gur, sipas metodave të sotme moderne dhe ta deshifrojmë: Guri i Kultit, Kushtuar Perëndisë Kelte “Aes”, që tek grekët antikë njihet si “Ares”, e që u gjet në Fan te Mirditës, është së paku 45-35 mijë-vjeçar dhe i takon Paleolitikut të Mesëm… kjo mund të shihet fare qartë në saj të një analogjie strukturore:

Nëse Pikturat e Shpellës së Laskos në France janë rreth 18 mijë vite para Erës sonë, Venusof Galgenberg e Gjermanisë, 30 mijë vite para erës sonë, nuk ka dyshim që kulti primitiv i “Aes” në Fan është së paku 45-35 mijë vite para erës sonë.

Dihet tanimë nga Studiuesit që Gjahtarët e paleolitikut, adhuronin Perendinë Aes (Ares), si Perëndinë e Gjahut dhe Luftës, dhe për këtë ngrinin kulte adhurimi me gurë të mëdhenj. Në krye të Afreskut Piktogramik shohim pikërisht “Aes” me Ushtën e Gjahut. (Kuptohet huri i prehur, pa gurë është arma e parë e gjahut)… Kjo tregon vjetërsinë e këtij kulti. Së dyti, në Piktogramat e Fanit, nuk është Kryqi i thyer (që haset 10 deri në 5 mijë vite para erës sonë), por është Dielli (Rrethi me kryq), është Toka,( me shenjën e pemës), hëna me gjysmë-rrethin me kryq dhe figura primitive e një njeriu që adhuron yjet. Është gjithashtu edhe Sistemi i parë i numërimit me dhjetë katrorë në njërin krah. Është nga piktogramet më unike në bote! Fotot flasin vete..

Po pse Aes është mbi kalë… specialistët e paleolitikut të vonë, mendojnë se kali është Domistifikuar 8 mijë vite para Krishtit. Ka të tjerë që mendojnë se njeriu i kavernës e demistifikoi kalin së paku 50 mijë vite në paleolitikun e mesëm. Kjo skulpturë që ka të gjitha shenjat e paleolitikut të mesëm, nuk lë shenjë për dyshim… Aktiviteti i gjahut është shoqëruar paralelisht me Domistifikimin e tyre. Pikturat e Laskos nuk tregojnë aktivitet Gjuetie, por një çoban Gal që shoqëron tufën e lopëve. “Aes” që është një Perendi Kelte e Paleolitikit të mesëm, kur njeriu nisi të jetonte në shpellë apo në kasolle lëkure, e na vërteton se Domestifikimi i kafshëve është shumë më i hershëm nga sa mendohet sot. Pra piktogramat e Fanit kanë rëndësi të jashtëzakonshme dokumentare për shoqërinë njerëzore, dhe si të tilla ato duhen shpallur monument kulture/Albert V. Nikollaj. Shekulli. / KultPlus.com

Aktori shqiptar Etienne Kellici, pjesë e filmit “Ready or Not” në Kanada

Etienne Kellici është një djalë i ri shqiptaro-kanadez që tashmë nën ombrellën e tij bart role të rëndësishme, shkruan KultPlus.

Filmi i tij i fundit ku ai prezantohet me një rol mjaft interesant, nga data 21 gusht do të prezantohet në të gjitha kinematë në Kanada. Bëhet fjalë për filmi “Ready or Not”, një komedi e zezë amerikane e llojit horror.

Aktori 8 vjeçar merr pjesë në këtë film me një rol të rëndësishëm dhe filmi në fjalë është një nga 3 projektet serioze ku ai ka marrë pjesë dhe ku shfaqet plot talent, krijues dhe pasionant.

Etienne Kellici është djali i aktorit Alket Kellici dhe Rudina Luga.

“Ready or not”, është film amerikan i zhanrit triller në të cilin shpërfaqet humori i zi. Filmi është krijuar nën regjinë e Matt Bettindellit dhe Tyler Gilletit, ndërsa skenari i tij është shkruar nga Guy Busick në bashkëpunim me Christopher Murphy. Samara Weaving, një grua e porsamartuar e cila sulmohet nga vjehërrit e saj. Filmi pati premierë e tij botërore në Festivalin Ndërkombëtar në Film Fantasia më 27 korrik 2019, dhe është planifikuar të lansohet më 21 gusht, nga Walt Disney Studios Motion Pictures nën flamurin e Fox Seachlight Pictures. / KultPlus.com

Ava Max publikon këngën e re “Torn” (VIDEO)

Ka kaluar një vit që nga publikimi i këngës “Sweet but Psycho” nga artistja shqiptare me famë tashmë botërore, Ava Max.

Ky projekt i solli asaj famë të madhe, ndërsa arriti shikime e dëgjime në platformat e ndryshme muzikore, përfshirë edhe kanalin YouTube.

Ndërkohë solli edhe këngë të tjera që u pritën mirë prej fansave dhe publikut gjersa tani ka publikuar edhe një këngë të re.

“Torn”, projekti i ri i artistes shqiptare por të cilin për momentin e ka sjellë pa ndonjë videoklip.

Mbetet të shihet nëse në ditët në vazhdim do t’ia bashkëngjit këngës edhe ndonjë video.

Artistja në realitet quhet Amarda Toçi dhe vjen nga Shqipëria, dhe nga viti i kaluar ka shënuar rritje të dukshme në karrierën e saj.

Drejtoria e Burgjeve i jep leje, Kostandin Xhuvani merr pjesë në varrimin e babait

Ka mbërritur sot në mëngjes në Rinas, trupi i pajetë i regjisorit Gjergji Xhuvani, i cili u nda nga jeta më datë 14 gusht, disa ditë më parë, në Romë.

Drejtoria e Burgjeve i ka miratuar lejen djalit të tij, Kostandin Xhuvanit për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së babait të tij, Gjergj Xhuvani.

Artisti i mirënjohur është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare në Itali, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Humbja e tij i ka dhënë një goditje të fortë bashkëshortes së tij, aktores së njohur Luiza Xhuvani, fëmijëve por edhe miqve e të njohurve. Regjisori i njohur për publikun shqiptar ndërroi jetë për shkak të një ataku kardiak në një spital të Romës./27.al