Tifozët grekë me flamurin shqiptar: Lutemi për Shqipërinë!

Tifozë grekë me flamur shqiptar! Askush nuk do ta kishte menduar se një gjë e tillë do të ndodhte, por në në raste katastrofash njerëzit tregohen human dhe solidarë.

Greqia që në momentet e para ka ndihmuar vendin tonë për të përballuar pasojat e pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës.

Tifozët e ekipit të basketbollit AEK, në ndeshjen e tyre të sotme ndaj Prometeus në kampionat, kanë shpalosur një banderolë gjigante që i kushtohej Shqipërisë, duke hapur mbi të edhe flamurin kuqezi.

“Lutemi për Shqipërinë. Solidarizohemi me popullin shqiptar”, shkruhej në banderolën e tifo-grupit, Original 21. /KultPlus.com


Marko Kepi: Familja Qehaja nuk e la shtëpinë për shkak të bagëtive, askush nuk u kishte sjell asgjë

Marko Kepi është duke bërë shumë në grumbullimin e donacioneve pas goditjes së tërmetit në Shqipëri, dhe tashti ai po viziton familjet që janë në nevojë. Ai tashmë ka takuar një familje që do të jetë ndër të parat, që do tu ndërtohet shtëpia.  Më poshtë e keni reagimin e tij dhe disa nga fotografitë e kësaj familje.

Prej ditës së tërmetit pesë antarë të familjes Qehaja në Tapizë vazhdonin të jetonin në shtëpine e dëmtuar duke rrezikuar që ajo ti zinte poshtë. Duke patur pak krerë bagëti ata e kishin te pamundur për tu larguar dhe sistemuar tjetërkund. E pavarësisht kësaj askush nuk u kishte sjellë qoftë edhe një çadër apo disa të tilla për të mos rrezikuar më tej. Përveç ndihmave të momentit i siguruam se kjo shtëpi është ndër të parat që do të ndërhyjmë. Kjo shtëpi duhet dhe do të ndërtohet nga e para. Ne do të jemi pranë çdo familje me zemër deri ditën e fundit pa lejuar askënd të abuzojë. Askënd !!!/KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri: Nga tërmeti janë shkaktuar dëme të rënda në monumente

Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëron se tërmeti i 26 Nëntorit ka shkaktuar dëme të rënda në monumentet e kulturës së zonës, sidomos në Kalanë e Prezës dhe të Krujës.

Hyrja në këto Kala është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet.

Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë shtojnë gjithashtu se ato nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ndërtimi.info /KultPlus.com

CNN: Plaga e hapur prej tërmetit po laget nga shiu

Prestigjozja amerikane CNN, i ka kushtuar një shkrim fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Ndër të tjera në artikull thuhet:

“Tani plaga e hapur e popullsisë shqiptare e prekur nga tërmeti po laget nga rreshjet prej motit të keq dhe mavijoset prej temperaturave që kanë rënë befasisht.

Prej goditjes kanë humbur jetën 51 njerëz por ‘kënga sizmike’ ende po shkakton frikë. Shumë njerëz nuk mund të kthehen në shtëpitë që mezi kanë qëndruar në këmbë.

Në mesin e të plagosurve, të paktën 41 janë akoma të shtruar në spitalet e Tiranës dhe Durrësit. Një vajzë, e cila nuk mund të transferohej jashtë vendit për tu kuruar, vdiq sot. Tre të plagosur të tjerë u transportuan për në Itali për të marrë një kujdes të specializuar.

Në Durrës të pastrehët janë sistemuar brenda një shkolle.

Ndërkohë, nga mëngjesi i së premtes Durrësi, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, është goditur nga rreth 600 tërmete, dy prej të cilave kanë qenë me madhësi 5, kështu që situata është ende larg nga stabilizimi dhe në çdo aspekt”. /KultPlus.com

Pas më shumë se 19 orësh nën rrënoja, flet i mbijetuari i tërmetit në Shqipëri

24 vjeçari Klajdi Qato një nga të mbijetuarit e tërmetit ka rrëfyer për Open momentet e ferrit pas tërmetit.

“Në momentin që rashë isha mirë, kisha shpresë se do ia dilja, mua afruan ekipet që pastaj edhe më shpëtuan , erdhi edhe ekipi grek, nuk e besoja kurrë që mund të dilja që aty, Më mbajti edhe kurajo dhe guximi që më dha doktori , mendova se i humba shpresat.

Gjëja e parë që doja të bëja ishte të takoja ekipin grek, por doktori nuk më la se kisha nevojë për kujdesje”, tregoi Klajdi.

Kujtojmë se pas më shumë se 19 orësh nën rrënoja, Klajdi Qato është nxjerrë nga rrënojat e pallatit.

Qato u dërgua për në spital që të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Operacioni u zhvillua nga bashkëpunimi mes ekipeve shqiptare dhe greke të kërkim shpëtimit.

Finalizimi i këtij operacioni të gjatë gëzoi anëtarët e ekipeve të shpëtimit dhe qytetarët që ndodhën në vendngjarje në Thumanë, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch

Madonna anuloi disa data të turneut “Madame X”

Për shkak të disa problemeve shëndetësore, super ylli botëror Madonna ka anuluar disa data të tuneut të saj “Madame X”. Ky turne ishte paralajmëruar që të fillonte të shtunën dhe do të zgjaste deri të hënën në teatrin Wang, në Bonston, shkruan KultPlus.com.

Anulimi i datave është përcjellur me shprehjen e keqardhjes nga ana e këngëtares sipas një njoftimi në faqen e vendngjarjes dhe sipas postimit në Instagram.

“Ju kërkoj ndjesë për këtë kthesë të papritur të ngjarjeve. Koncertet më japin kënaqësi, ndërsa anulimi i tyre është një lloj ndëshkimi për mua, por dhimbja është e tepërt dhe më duhet të pushojë dhe të ndjek këshillat e mjekëve, kështu që pastaj unë mund të kthehem edhe më e fuqishme edhe më e mirë dhe mund ta vazhdojë turneun “Madame X” së bashku me gjithë ju”, shkroi ajo në Instagram, transmeton KultPlus.com

Përndryshe, Madonna ka shtyrë koncertin edhe në muajin tetor dhe sërisht për arsye shëndetësore, atëherë për shkak të dëmtimit të gjurit. /KultPlus.com

Pronarët tregojnë se si qeni ua shpëtoi jetën natën kur tërmeti goditi Shqipërinë

Një histori shumë interesante vjen nga Durrësi ku një qen i ka shpëtuar jetën një familjeje pasi nuk i ka lënë që të flenë në gjumë në natën e tërmetit tragjik që mori jetën e 51 personave.

Kristina tregon se në natën kur kishte rënë tërmeti, qeni i cili mban emrin Kiko i kishte zgjuar nga gjumi. Madje, ajo thotë se kur e kishte parë që ata nuk po zgjoheshin, ai kishte provuar ta tërhiqte batanijen me të cilën ata ishin të mbuluar.

“Natën që ra tërmeti, ishim në gjumë ne dhe ai na zgjoi nga gjumi pasi filloi që të lehte. Ne nuk u zgjuam dhe ai e kafshoi dhe filloji që të tërhiqte batanijen. Pastaj i shpëtuam ne jetën Kikos”, shpjegon ajo.

Ajo tutje tregon se si e shpëtuan ata qenin, pasi iu kërkua që ta braktisnin e të shpëtonin për vete.

“Ja shpëtuam jetën që nuk ikëm, nuk e lamë në rrugë se na thonin që leje qenin në rrugë dhe ik. Ne nuk pranuan me ik vetëm dhe thamë që po na pranuat me qenin do vijmë, po nuk na pranuat nuk vijmë”, thotë ajo.

Kristina thotë se nga ajo ditë, ata nuk janë kthyer në shtëpinë e tyre, derisa shton se ndërtesa u shemb komplet.

“Jo është gërmadhë atje, u shemb komplet pallati. Na thanë që ta lëmë qenin, por ne nuk e lëmë pasi ai na shpëtoi jetën”, ka thënë ajo./Tch/

Fragment nga romani prekës “Princesha”

Nga: Jean Sasson

Kishte rënë muzgu. Disku i zjarrtë i diellit po zhytej dalëngadalë në horizont. Për besimtarët muslimanë kishte ardhur koha për lutjen e katërt të ditës. E ulur në ballkonin e dhomës së gjumit, shihja tim shoq e tim bir tek largoheshin nga oborri i madh i pallatit tonë në drejtim të xhamisë. Me ta u bashkua edhe një grumbull tjetër burrash që u përshëndetën me njëri – tjetrin shumë përzemërsisht.

Nuk ia shqita sytë djalit tim që e doja si sytë e ballit, derisa pashë të futej në xhami bashkë me të atin, por pa mua. E të mendosh që ai ishte mish i mishit tim, gjaku i gjakut tim! Atë çast u ndjeva krijesa më e vetmuar e rruzullit tokësor.

Lindjet e meshkujve janë të dokumentuara në regjistrat familjarë apo në ato të fiseve, por nuk gjen as edhe një të tillë për femrat. Emocioni i zakonshëm që shprehet në rastet kur lind një femër është keqardhje ose turpi.

Shpesh e kam pyetur veten: Përderisa ardhja dhe largimi ynë nga kjo botë nuk regjistrohet askund, mos ndoshta kjo do të thotë se ne gratë e shkretëtirës nuk ekzistojmë? Më shumë se padrejtësitë e jetës, ishte pikërisht pyetja e mësipërme ajo që më shtyu të ndërmarr këtë hap të rrezikshëm për t’ju treguar historinë time. /KultPlus.com

Meta: Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot punën e gjithë gazetarëve që kanë ndjekur në terren situatën e krijuar nga tërmeti.

Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet se “me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë”.

Kreu i shtetit gjithashtu ka reaguar dhe për qëndrimet e qeverisë ndaj mediave gjatë këtyre ditëve. “Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike”,- shkruan kreu i shtetit”.

Mesazhi i plotë kreut të shtetit:

“Falenderoj të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimin e saktë dhe në kohë reale ditë-natë, në kushte aspak të lehta, të situatës tepër të rëndë dhe të pasojave tragjike në jetë njerëzore dhe prona, që la pas tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit.

Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë.

Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike.

Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe!”. /KultPlus.com

Etërit

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Etërit

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!

KultPlus.com

Përurohet parku “Nënë Tereza” dhe shtatorja e shenjtores në New Jersey

Në qytetin Garfield të shtetit New Jersey u zhvillua ceremonia e inaugurimit të parkut “Nenë Tereza” si dhe u zbulua një shtatore e misionares katolike, aktivitete këto me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ceremonia ishte një organizim i Aleancës Shqiptare të New Jerseyt me mbështetjen e Bashkisë së qytetit.

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, tha se statuja e Nënë Terezës është nderim për ne, ndërkohë që ne nderojmë Nënë Terezën nëse udhëhiqemi nga shembëlltyra e saj.

“Dhembshuria, solidariteti dhe përkujdesja që iu ofrua të goditurve nga tërmeti në Shqipëri, është monumenti me të cilin nderojmë Shenjtoren tonë”, shkroi Çitaku në Facebook.

Edhe Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ishte e pranishme në përkurimin e parkut “Nënë Tereza” dhe shtatores së shenjtores sonë në Nju Xhersi.

“Komuniteti shqiptar në Garfield New Jersey e shndërruan parkun e qytetit në Parkun e Nënës Terezë. Ndonëse temperaturat shumë të ftohta, shumë shqiptarë e amerikanë i bashkoi sot Nëna Terezë”, shkroi Sahatqija në Facebook.

“Harmonia fetare, si vlerë e jona e fuqishme, edhe kësaj radhe shkëlqeu në dritën e saj më të bukur”, tha më tej ambasadorja e Kosovës në New York.

Të pranishëm në përurimin e parkut dhe shtatores së Nënë Terezës ishin edhe Kryebashkiaku i Garfieldit, Richard Rigoglioso, Zëvendësambasadori i Shqipërisë në SHBA, Armand Shandro, përfaqësues të klerit fetar dhe udhëheqës të shoqatave shqiptaro-amerikane në New Jersey. Koha.net /KultPlus.com

Anila Hyka Smorgrav, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Anila Hyka Smorgrav është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Anila Hyka Smorgrav , mes teknologjisë digjitale dhe shoqërisë civile

Posti aktual: Enagement Director- drejtues projektesh tenderash per kontrata min 15m€ në Orange Business Services (pjesë e Orange Group) në Departamentin

e Bizneseve të mëdha. Ky department menaxhon mbi 170 klientë francez dhe korporata internacionale që i kalojnë shifrat vjetore kontrakuale mbi 2 bilion €.

Një eksperiencë prej më shumë se 25 vjetësh në mjedise të ndryshme sociale dhe ekonomike në vende të ndryshme të Europes dhe USA. E specializuar në sektorin e telekomit dhe IT, managim projektesh dhe negocim te sukseshëm kontratash me vlera mbi 15m€ , strategji transofrmimi digjital të ndërrmarrjeve si dhe zhvillimit të produkteve të reja, ajo ka marrë pjesë aktivisht në një numër të madh projektesh internacionale në më shumë se 5 vende të botës. Ajo ka punuar intensivisht si për sektorin privat ashtu dhe për sektorin publik në fushën e zhvillimit te platformave IT infrastrukturës në atë të Telekomit, edukimit, si dhe në sektorin jo-fitimprurës. Ajo ka jetuar dhe punuar në Shqipëri, Norvegji, USA, France, Zvicër dhe Qipro.

Krahas jetës profesionale, Anila është ̈aktive në aktivitete sociale dhe humanitare, qoftë në nisma të mbështetura nga Fondacionet e kompanive ku ajo ka punuar. Nisma të cilat janë të lidhura me promovimin e femrës në teknologji, për të rejat në shkollat e mesme, si dhe në mbështetjen në edukim të të rinjve në zona të defavorizuara./KultPlus.com

Atdhedashuri

Poezi nga Andi Bejtja

ATDHEDASHURI

Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër
që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe
Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile,
po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetëPo unë s’mërzitem
As ofendohem,
Europës nuk i mbaj mëri.


Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin
Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;
Duke mallkuar malet e larta krenarë
Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…
Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.
E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,
Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Time…

Martin Garrix, artisti që po punon për himnin e ‘Euro 2020’

Martin Garrix është artisti i cili do punoj himnin e kampionatit Evropian në futboll.

Që nga viti 1992 çdo kampionat evropian ka pasur himnin e vet, edhe këtë edicion ‘Euro 2020’ do ketë një himn të veçantë nga një artist i veçantë.

Tashmë një kohë është bërë e ditur se Dj i njohur botëror Martin Garix do punoj për himnin e këtij Evropiani, për çka thotë se është një emocion special dhe do bëj çdo evropian të ndihet si pjesë e këtij organizimi.

Titulli i këngës do të bëhet e ditur në pranverën e vitit 2020.

“Ka të bëjë me ndjenjën”, shpjegon Garrix, duke diskutuar frymëzimin për hitin e tij të radhës. “Kurdo që të jeni në skenë, duke luajtur sport ose në turmë kur vendi juaj shënon një gol – ky është momenti për të cilin jetojmë.” Ka thënë ndër të tjera Garrix. /Lajmi.net/ KultPlus.com

Ndriqohet me ngjyrat Kuq e Zi “CN Tower” në Toronto

Në shenjë nderimi ndaj viktimave që humbën jetën në tragjedinë e ndodhur para pak ditësh në Shqipëri, me ç’rast 51 persona kanë vdekur e qindra të tjerë janë lënduar, shumë ndërtesa unike në botë kanë ndryshuar ngjyrat e tyre të zakonshme me ato Kuq e Zi, shkruan KultPlus.com

Edhe “CN Tower” në Toronto, e ka ndjekur këtë shembull, kështu njofton faqja e Hamilton Albanian’s në Toronto.

Përndryshe, përveç ndriqimit të ndërtesave ka pasur edhe ngushëllime nga figura të ndryshme gjithandej botës si dhe angazhim të madh nga figura të ndryshme për stabilizimin e situatës si dhe rindërtimin e dëmeve të shkaktuara.

Ava Max: Ndihmojeni Shqipërinë

Ava Max ka kërkuar publikisht të ndihmohet Shqipëria. Ava Max është këngëtarja shqiptare me famë botërore, e cila ashtu si Bebe Rexha, Dua Lipa e Rita Ora, ka bërë thirrje për ta ndihmuar Shqipërinë.

Së fundi, përmes një postimi ajo vendosi linkun ku mund të dërgohen fondacione, ndërsa shprehu keqardhje për viktimat e dëmet.

“Tërhiqe për donacion, kujtoje se Shqipëria vazhdon të ketë nevojë për ndihmën tonë!!! Mbi 600 njerëz janë të lënduar dhe kanë humbur shtëpitë dhe një numër i pafund kanë vdekur. Ju lutem ndihmini në çfarëdo mënyre që mundeni. KultPlus.com


“Dashuria e burrit pakësohet në mënyrë të ndjeshme pas çastit të plotësimit të kënaqësisë seksuale”

“Dashuria e burrit pakësohet në mënyrë të ndjeshme pas çastit të plotësimit të kënaqësisë seksuale; pothuaj çdo grua tjetër e eksiton më tepër se ajo me të cilën është bashkuar. Dashuria e gruas, përkundrazi, nga ai çast rritet. Kjo është një pasojë e pikësynimit të natyrës, që drejtohet ndaj ruajtjes dhe shtimit të species. Burri mund të krijojë më tepër se njëqind fëmijë në vit fare pa vështirësi, në qoftë se ka në dizpozicionin e vet po aq gra; ndërsa gruaja, edhe po me kaq burra, mund të lind vetëm një fëmijë në vit (duke përjashtuar lindjen e binjakëve). Prandaj ai, burri, hedh shikimin mbi gra të tjera, ndërsa ajo, gruaja, përkundrazi lidhet vetëm me një burrë, sepse natyra e shtyn instiktivisht e pa mendim, të ruajë ushqyesin dhe mbrojtësinë e fëmijës së ardhshëm. Besnikëria bashkëshortore te burrat është artificiale, ndërsa te gratë natyrore.” /KultPlus.com

– Arthur Schopenhauer, “Metafizika e dashurisë”

Historia e Durrësit, qytetit që është rrënuar disa herë nga tërmetet

Durrësi një histori ringritjesh

Si për të kujtuar shkakun e vdekjes një shkundje tërmeti nxjerr nga lokalet pranë një grup njerëzish. Përsëri tërmet, 4.9 ballë siç thotë një nga të rinjtë që sheh të dhënat në kohë reale në telefon.

Durrësi duket sikur po përjeton ditët më të rënda të historisë së tij. Por nuk është e para herë; qyteti 3-mijëvjeçar është rrënuar disa herë nga tërmetet shkatërrimtare dhe përsëri është ringritur.

Jo shumë larg nga vendi ku bëhen homazhet, pjesët e murit murit bizantin që u shembën mëngjesin e së martës e kanë parë qytetin të gjunjëzohet para pushtimesh dramatike dhe lëkundjesh tragjike edhe në vitin 1273, kur për më shumë se 50 vjet qyteti mbeti krejtësisht bosh.

“Katër nga viktimat e atij tërmeti vdjekjeprurës u gjetën vetëm para 10 vjetësh gjatë ekspeditës italo-shqiptare pranë galerive të amfiteatrit antik” – thotë arkeologu Afrim Hoti. Ai shton se skeletet e dy të rriturve dhe dy fëmijëve ndodheshin pranë njeri tjetrit, teksa duket se tentonin të largoheshin nga banesa e tyre për t’i shpëtuar fatkeqësisë.

Vetë muret rrethuese, një pjesë e të cilëve u shembën para 50 orësh janë ndërtuar pas një tjetër tërmeti, edhe më të hershëm, atij të vitit 345, një nga fatkeqsitë e shumta që ka goditur qytetin antik në shekujt e kaluar.

Por qyteti ka mbijetuar përsëri. As pas lëkundjeve të fundit periferia e Durrësit e cila është prekur më shumë nuk është dorëzuar. Nga qendra e qytetit ka qytetarë që vijnë orë e minutë me biçikleta dhe përpiqen të jenë të vlefshëm e të ndihmojnë. /KultPlus.com

Koordinatori Hoti: Të angazhohemi të gjithë që ta shpëtojmë gjuhën dhe kulturën arbëreshe

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka takuar udhëheqës të bashkive, qytetarë arbëreshë dhe ka vizituar institucione shkollore në Kalabri.

Hoti vizitoi bashkinë e San Benedetto Ullando dhe takoi kryetaren e saj Rosaria Amalia Capparelli me të cilën bisedoi për Programin Nacional për Rininë dhe arbëreshët e Kalabrisë.

“Është kënaqësi të jem këtu me ju, por nuk është e lehtë të shoh se si gjuha arbëreshe po shkon duke u harruar. Ne bashkë me ju duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që kjo gjuhë të shpëtoj. Ne në Kosovë jemi duke implementuar Programin Nacional për Rininë, i cili ka tri shtylla kryesore, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, diturinë dhe sportin. Ju arbëreshët mund të fitoni shumë nga ky program, sidomos në pjesën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik”, tha Hoti duke shpjeguar më në detaje programin.

Ndërsa, kryetarja Capparelli pasi falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën, shprehi gatishmërinë e saj për bashkëpunim për Programin Nacional për Rininë. Ajo tha se “ne e vlerësojmë shumë vizitën në bashkinë tonë dhe interesimin për ne arbëreshët, për çka ju falënderojmë shumë. Unë si kryetare jam e gatshme të bashkëpunoj me ju për këtë program dhe çdo projekt tjetër nga i cili do të mund të përfitonim”.

Hoti gjithashtu vizitoi edhe kolegjin italiano-shqiptar në San Demetrio Corone, ku u takua me drejtoreshën e kësaj shkolle Concetta Smeriglio. Ata biseduan për Programin Nacional për Rininë dhe mundësitë që ky program të inkuadrohet edhe për nxënësit arbëresh, italianë dhe të kombësive tjera. Drejtoresha mirëpriti programin dhe tha se është një mundësi e mirë për nxënësit meqë ai parasheh aktivitete jashtëkurrikulare. Ajo tha se e veçantë e tij është tek gjithë përfshirja.

Këtu Hoti takoi edhe disa nga mësimdhënësit nga të cilët u njoftua për bibliotekën e kolegjit e cila përveç librave në gjuhën italiane, posedon edhe libra në gjuhën shqipe e arbëreshe, në formatin e shtypur dhe atë elektronik. Klan Kosova/ KultPlus.com

Si e përjetoi Enver Hoxha tërmetin e 79’tës: Flet ish-mjeku i tij

Shqipëria ka edhe një histori të keqe jo shumë të largët në histori. Më 1979 ajo ishte goditur nga një tërmet shkatërrues. Për dallim nga tërmeti i para pak ditëve, asëkohe Shkodra dhe veriu i vendit ishte goditur nga disa lëkundje të fuqishme. Ish-mjeku i Enver Hoxhës, thotë se asaj kohe, ai nuk e tregonte frikën shumë, shkruan KultPlus.com

Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, në emisionin “Open” disa kohë më parë, u përgjigj se si e përjetoi Hoxha tërmetin, ai u përgjigj;

Në ’79 nuk kam qëlluar të isha pranë tij, në tërmetin e Shkodrës e kam parë, të gjithë udhëheqesit e ndjejnë përgjegjësinë në këto raste, është një moment jo si në të tjerat, testohet gjithë popullata e vendit ajo që quhet human capital.

-Po thoni që nuk e tregonte frikën

Isuf Kalo: Kam parë mënyrën si u reagua, nuk ndryshon shumë nga gjithë vendet e tjera ka një mobilizim të rastit.

-Ka pasur në atë kohë protokolle për mjekim ilace

Isuf Kalo: Për fat të keq nuk ka protokolle të detajuar, psh OBSH merret shumë me aftësinë që kanë sistemet shëndetësore në raste katstrofash. Figura e mjekut dhe personelit kanë ndritur në raste të tilla katastrofdash, Njerëzit fërkonin sytë në këtë rast se thonin më parë e flisnin jo me shumë vlerësime… por e kanë parë punën

Skënder Brataj edhe shefi i Traumës dhe Ortopedisë janë jashtëzakonisht të specializuar. OBSH ka nxjerrë kohët e fundit, njëkoncept të ri që quhet Onë Society, ku të gjithë kanë pjesën e tyre edhe shoqëria që duhet të menazhojë dhe të përballojë situatat.

Marrja e qetësuesve këshillohet apo jo, se njerëzit kanë ankthe panik

Isuf Kalo: Kjo varet, ngjarja është shokuese, ka stres, shtohet pulsi, ndryshon tensione, ka reagime me ilaçe përkatëse. Duhet të perifrazoj shprehjen e shkrimtarëve: Edhe ne të tjerët që nuk ishim në rrënoja, u kalbëm sipër. Ka të bëjë edhe me kulturën. /KultPlus.com


Në varreza

Poezi nga Lulzim Tafa

Në Varreza

I.

Selam alejkum
Qoftë livdue Jezu Krishti
Çka keni ra në mendime
Pse nuk me ktheni përgjigje
Lutje deri në klithje
Gratë në të bardha
Burrat me kostume të drunjta
Burra e gra
Bashkë
Koka të gurta
Gurët flasin
Për ata
Ata nuk flasin
Selam Alejkum
Çka keni ra në mendime

ll

E bekuar qoftë
Mbretnia e atit e t ‘birit e shpirtit të shenjtë
Çka keni ra në mendime
Skelete me koka guri
Burra e gra bashkë
Ku e keni mishin
për asht
ku e keni shpirtin
me dashtë
pse nuk më ktheni përgjigje
lutje
deri në klithje
e bekuar qoftë
Mbretnia e Atit e t ‘birit e shpirtit të shenjtë
çka keni ra në mendime.

KultPlus.com

Festohet 250 vjetori i lindjes së Ludwig van Beethoven-it

Festimet përgjatë vitit jubilar të 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven-it do të nguliten në kujtesë. Rreth 1000 aktivitete janë planifikuar në mbarë federatën përgjatë vitit 2020 në shenjë të muzikës së kompozitorit të madh.

Ministrja e shtetit për Kulturën, Monika Grütters e quajti atë gjatë prezantimit të programit në Berlin “gjermanin më të njohur”. Muzika e tij entuziazmon dhe bashkon njerëzit nga çdo anë e botës.

“Beethoveni me një radikalizëm të padëgjuar e ka revolucionarizuar muzikën e kohës së tij. Ne kemi nevojë edhe sot sërish për forcën vizionare, me të cilën Beethoven-i pozicionohej politikisht e në radhë të parë artisitikisht. Vepra e tij është një simbol për arritjet demokratike të një Europe të bashkuar dhe kundër forcimit të thirrjeve populiste për izolim dhe përjashtim”.

Beethoven: Europian, humanist dhe kozmopolit

Qytete në mbarë Gjermaninë do të përkujtojnë kompozitorin e lindur më 1770 në Bon dhe që ndërroi jetë më 1827 në Vjenë. Vepra të tëra të kompozitorit mjaft produktiv do të interprentohen gjatë aktiviteteve gjatë vitit. Nën patronazhin e presidentit Frank-Walter Steinmeier do të zhvillohen një sërë koncertesh, ekspozita, projekte filmike si dhe veprimtari për fëmijë e të rinj. Boni, qyteti i lindjes së Beethoven-it, ku ai jetoi deri në moshën 22 vjeҁ përpara se të zhvendosej në Vjenë, luan një rol kryesor në vitin jubilar, tha kryeministri i Renanisë Veriore-Vestfalisë Armin Laschet. Beethoven-i, sipas tij, është pjesë e ADN-së së këtij landi. Ai theksoi, se Beethoven-i ishte jo vetëm kompozitor, por edhe një humanist dhe kozmopolit nga Boni. Me Odën e Gëzimit nga Sinfonia e 9 ai është bërë një europian i madh. Më 2020 ne duam të kremtojmë kryesisht muzikën e tij, por edhe të rizbulojmë vizionet e mendimet e tij”, tha Laschet. Për këtë nuk ka vend më të përshtatshëm se Boni, që kultivon pikërisht vlerat që e frymëzonin atëherë Beethoven-in: “Të qenit i hapur ndaj botës, humanizmi dhe vizionet”.

Ndër pikat kulmore të koncerteve në vitin jubilar do të jetë një ditë përpara datëlindjes së Beethovenit më 16 dhjetor në Bon koncerti hapës i London Symphony Orchestra me dirigjent Simon Rattle dhe violinisten Lisa Batiashvili. Berliner Philharmoniker planifikojnë një maratonë 24 orë të Beethovenit më 25 prill. Veprimtaritë dhe aksionet në vitin jubilar do të kenë pesë shtylla programore në të cilat inicialet në logon e jubileut BTHVN2020 përmbajnë: Beethoven si qytetar i Bonit (“B”), si artist i tingujve (“T”), si humanist (“H”), vizionar (“V”) dhe i apasionuar pas natyrës (“N”). Në mbyllje të vitit jubilar dirigjenti Daniel Barenboim më 17 dhjetor do të dirigjojë në Bon “Sinfoninë e 9” me orkestrën West-Eastern Divan Orchestra. Në Berlin ndër të tjera është planifikuar “Laboratori 2020” i Akademisë së Arteve. Në të bëhet fjalë për një projekt bashkëpunimi ndërkombëtar të kompozitorëve të rinj nga e gjithë bota, të cilët frymëzohen nga veprat e Beethoven-it.

DW/ KultPlus.com

Dëmet në shkolla, nuk ka vendim për rifillimin e mësimit

Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, goditi edhe shkollat në vendin tonë. Nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk jepet një datë, se kur do të rinisë mësimi ne vend. Në mbledhjen e radhës së qeverisë u theksua, se 8 shkolla janë dëmtuar rëndë, e një prej tyre është gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet. Tavani i korridorit në katin e tretë është shembur.

Godina në të vërtetë, nuk u dëmtua nga tërmeti i madh. Në shenjë solidarizimi, fill pas lëkundjes së fuqishme, nxënësit e ”Sami Frashërit” organizuan një fushatë solidarizimi me të prekurit dhe gjithë ndihmat u dërguan në qytetin e Laçit. Fill pas kësaj fushatë u shemb tavani. Aktualisht po punohet intensivisht nga ndërmarrje të Bashkisë së Tiranës për riparimin e tij. Një vendim, nëse godina është e sigurt, për nxënësit dhe mësuesit, pritet të merret në orët në vazhdim.

Shkolla 9-vjeçare ”Hasan Prishtina” në Tiranë është një nga të dëmtuarat. Nga ana e bashkisë së kryeqytetit, konfirmohet që kanë rënë suvatë, ndërsa struktura nuk është dëmtuar. Ministria e Arsimit, sapo na konfirmoi që ky dikaster, po merret me situatën e emergjencës së akomodimit të 16 mijë nxënësve, që nuk dihet, se ku do të zhvillojnë mësim. /KultPus.com

Presidentja e Komisionit Europian: Jemi pranë popullit shqiptar

Komisioneri Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic do të vizitojë Shqipërinë të mërkurën, për të mësuar më tepër mbi dëmet dhe problemet të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kështu tha Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Sapo fola me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili më tregoi për gjendjen e vështirë pas tërmetit. Kam respekt të madh për popullin shqiptar, që qëndroi i qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ta dinë se Bashkimi Europian është në krah të tyre, me dhembshuri dhe veprime”, shkroi Von der Leyen në Twitter. /KultPlus.com