Rita Ora e ka përkujtuar emocionalisht shokun e saj të ndjerë Avicii në një koncert humanitar për mbledhjen e fondeve për të sëmurit mendorë në Stokholm.
Rita Ora i ka kushtuar një përkujtim emocional shoku të saj Avicci, në një koncert që përpos mbledhjes se fondeve kishte për qëllim rritjen e vetëdijes tek njerëzit për sëmundjet mendore.
Çifti kishte bashkëpunuar bashkë në hitin e vitit 2017 “Lonely Together” më 2017 dhe Rita shpërthej në vajë kur këndoi këtë këngë në koncertin në Stokholm që u mbajt të enjten, 20 muaj pas vetëvrasjes së muzikantit.
“Dëshiroj ta falënderoj familjen Avicii që organizuan këtë koncert për të rritur vetëdijen për shëndetin mendor që ndikon shumë sidomos në industrinë muzikore”, ka shkruar Rita pas koncertit. /KultPlus.com
Ka mbërritur lajmi për edhe një reboot të ri dhe këtë herë bëhet fjalë për franshizën “Planeti i Majmunëve”.
Projekti aktualisht është në zhvillim e sipër dhe nuk dihet akoma nëse do të jetë një vazhdim i trilogjisë së kaluar që përfundoi në vitin 2017 me “War for the Planet of the Apes”, një reboot krejt i ri i trilogjisë apo një film i pavarur. Dihet vetëm se Disney/Fox tashmë e kanë angazhuar regjisorin për projekt, dhe bëhet fjalë për Wes Ball (trilogjia The Maze Runner), zbulon TheWrap.
T’ju rikujtojmë, Planeti i Majmunëve është titulli i romanit francez SF me po të njëjtin titull, i publikuar në vitin 1963 nga Pierre Boulle, dhe i cili ishte frymëzim për filmin e vitit 1968 “Planet of the Apes” me Charlton Heston, i cili u bë i pari nga pesë filmat e realizuar midis viteve 1968 dhe 1973 kur doli filmi i fundit në atë franshizë, “Battle for the Planet of the Apes”, shkruan KOHA Ditore. Filmat kanë qenë jashtëzakonisht të popullarizuar dhe janë bërë temë e kritikëve për çështje racore, Luftën e Ftohtë dhe çështjet e të drejtave të kafshëve. Të pesë filmat u distribuuan nga studioja 20th Century Fox.
Në vitin 2001, Tim Burton e xhiroi versionin e ri të “Planet of the Apes” me Mark Wahlberg në rolin kryesor dhe Tim Roth në rolin e keqbërësit kryesor, por përkundër suksesit financiar 20th Century Fox nuk vendosi për vazhdim, por vendosi ta bëjë një reboot të plotë të franshizës e cila filloi në vitin 2011 me filmin Rise of the “Planet of the Apes” me regji të Rupert Wyatt me James Franco në rolin kryesor. Filmi ishte një sukses i madh, kritik dhe komercial, ndërsa në vitin 2014 pasoi vazhdimi “Dawn of the Planet of the Apes” me regji të Matt Reeves dhe filmi i tij i fundit në trilogjinë “War of the Planet of the Apes i vitit 2017.
Filmi më i ri i Planetit të Majmunëve do të jetë filmi i parë nga franshiza e studios 20th Century Fox qëkur kjo studio u ble nga Disney. /KultPlus.com
“Facebook” do të ndjekë shembullin e “Instagram”-it në fshehjen e numrit të “pëlqimeve” te postimet e përdoruesve të Australisë.
Nga e premtja, disa nga përdoruesit e rrjetit social nuk do të munden që të shohin sa “pëlqime” apo reagime të tjera ka marrë një postim i bërë nga një përdorues tjetër.
Lidhur me këtë eksperiment, kompania është shprehur se, “nuk duan që ‘Facebook’ të ndjehet si një garë”.
“Kjo është një provë për të parë se si njerëzit merren me këtë format të ri. Me kalimin e kohës do ta kuptojmë nëse do ta përdorim këtë më gjerësisht”, bëri të ditur kompania.
Kjo e fundit ka shtuar se përdoruesit e “Facebook” në Australi, ende kanë mundësi që të shohin “pëlqimet” te postimet e tyre, por jo te të tjerët.
Ndërkohë kujtojmë se më shumë se një miliardë njerëz përdorin “Facebook”-un në të gjithë botën, por gjigandi i mediave sociale është nën presion për të luftuar ndikimin e platformës në shëndetin mendor, shkruan panorama. Nga ana tjetër, “Instagram”-i ende nuk ka nxjerrë një rezultat përfundimtar në lidhje me eksperimentin që bëri me “pëlqimet” në disa vende si Australia, Zelanda e Re, Brazil, Kanada, Japoni, Itali dhe Irlandë. Klan Kosova / KultPlus.com
“Combat” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reagimin e mbretit Zog ndaj krijimit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë” dhe thirrjen e tij drejtuar shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëri
Mbreti Zog konteston legjitimitetin e komitetit “Shqipëria e Lirë”
Kajro, 31 gusht. — Ish-mbreti Zog, i cili banon në Aleksandri, u shpreh mbi formimin e fundit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë”, nëpërmjet një komunikate të publikuar nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë” në Kajro, në të cilën ai thotë se e konsideron veten si “autoritetin e vetëm legjitim që nga agresioni italian i 1939”.
Ai ftoi “të gjithë shqiptarët pa dallim politik” që të arrijnë bashkimin kombëtar për t’i siguruar Shqipërisë “një epokë të re në kuadrin e kombeve të lira dhe demokratike”
Beogradi mohon ekzistencën e komiteteve shqiptare “titoiste”
Beograd, 31 Gusht. — Agjensia Tanyoug e autorizon veten të mohojë si “të pabazuar” informacionin e formimit të dy komiteteve refugjatësh politikë shqiptarë në Jugosllavi.
Tiranë : “Shqiptarët e Lirë” janë kriminelë lufte
Tiranë, 31 gusht. — Qeveria e Z. Enver Hoxha, në një deklaratë të lëshuar dje, tha se nismëtarët kryesorë të komiteteve të ndryshme shqiptare, të përbëra ose në proçes krijimi në vendet perëndimore dhe që synojnë rrëzimin e regjimit aktual, janë ish-kriminelët e luftës, të pretenduar si të tillë nga Shqipëria.
Kjo akuzë është drejtuar veçanërisht kundër Z. Frashëri dhe Kupi, drejtuesit kryesorë të Këshillit të Shqipërisë së Lirë, të formuar së fundmi në Paris me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
“Nëse hidhni një grusht kripë në një gotë me ujë, vështirë se do ta pini dot. Por nëse e hidhni kripën në lumë, njerëzit mund të vazhdojnë ta përdorin ujin e tij. Lumi është i pafund, sepse rrjedh, dhe ka aftësinë të pranojë, të mbajë.
Kur zemrat tona janë të ngushta, mirëkuptimi dhe dhembshuria janë të limituara. Dhe ne vuajmë. Nuk mund t’i tolerojmë ose t’i pranojmë të tjerët dhe dobësitë e tyre, ndaj kërkojmë që ata të ndryshojnë.
Por kur zemrat tona zgjerohen, këto gjëra nuk na bëjnë të vuajmë, sepse kemi mirëkuptim dhe dhembshuri të mjaftueshme; mund t’i pranojmë të tjerët ashtu siç janë.
Kur e mbështesim dhe e ushqejmë lumturinë tonë, ne jemi duke rritur mundësinë tonë për të dashuruar. Kjo është arsyeja se pse të dashurosh do të thotë të mësosh artin e kultivimit të lumturisë. Ta kuptosh vuajtjen e tjetrit është dhurata më e mirë që mund t’i bëni dikujt.
Mirëkuptimi është emri alternativ i dashurisë. Nëse nuk mund ta kuptoni këtë, nuk mund të dashuroni”. / KultPlus.com
Instagrami do të kërkojë nga anëtarët e vet të rinj që gjatë regjistrimit ta shkruajnë datën e lindjes, pasi që planifikon të sjellë më shumë përmbajtje që u përshtaten grupmoshave specifike.
Ky rrjet social për shpërndarje të fotografive tashmë kërkon që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç për të krijuar llogari, shkruan BBC News.
Datat e lindjes do t’i ndihmonin kompanisë të reklamonte shpallje për produkte specifike të cilat nuk janë të destinuara për fëmijët, shkruan KOHA Ditore. Këto informacione do ta ndihmojnë Instagramin që ta ndalojë shfaqjen e reklamave për bixhoz, alkool dhe kontroll të lindjes.
Megjithatë, nga Instagrami thonë që reklamimi nuk qëndron prapa këtij ndryshimi, dhe theksuan se në javët e ardhshme do t’i inkurajojnë përdoruesit e rinj që t’i përshtatin konfigurimet e tyre të privatësisë.
“Kërkimi i këtyre informacioneve do të ndihmojë në parandalimin që fëmijët t’i bashkohen Instagramit, do të ndihmojë në mbajtjen e të rinjve më të sigurt dhe mundësimin e përmbajtjeve përgjithësisht më të pasura që janë të përshtatura për grupmoshat specifike”, theksoi kompania në blogun e saj.
Të kuptuarit e grupmoshës është mjaft i rëndësishëm për punën që e bëjnë, thanë ata, dhe jo vetëm për të krijuar përvoja të përshtatshme për moshat përkatëse, por edhe për ta përmbushur rregullin shumëvjeçar për të mos u lejuar qasje fëmijëve. / KultPlus.com
Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike do të rishikohet bazuar në vlerësimit e Komisionit të Venecias. Kështu ka paralajmëruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke komentuar mendimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten doli me një sërë vërejtjesh lidhur me përmbajtjen e këtij ligji, që edhe në fazën e miratimit kishte shkaktuar tensione e reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.
Zaev tha se do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmanget situata që rrezikojnë të drejtat tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.
Komisioni i Venecias ka konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me të Konventën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
“Gjuhët janë që njerëzit të kuptohen mes veti, ne kemi dalë në një zgjidhje ligjore, por edhe atëherë, kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin, kështu që qëllimi im është të respektojmë Komisionin e Venecias. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t’i dërgojmë ato përsëri për miratim në kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila në vazhdimi është deklaruar kundër Ligjit për gjuhët, kërkon që të respektohet qëndrimi i Komisionit të Venecias, që sipas kësaj partie “konfirmoi vërejtjet dhe kritikat që qytetarët dhe VMRO-DPMNE i patën në kohën e miratimit të ligjit”.
“Pozicioni i Komisionit të Venecias duhet të respektohet, veçanërisht pasi ne jemi një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë thënë se “Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht politikat tona për barazi gjuhësore”, pa komentuar vërejtjet e komisionit.
Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandoi që detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të asaj dispozite sa të jetë e pranueshme.
Ligji për përdorimin e gjuhëve që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqë ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.
Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe./rel/ KultPlus.com
Në mes të urrejtjes zbulova se brenda meje ishte një dashuri e pamposhtur. Në mes të lotëve zbulova se brenda meje ishte një buzëqeshje e pamposhtur. Në mes të kaosit zbulova se brenda meje qëndron një qetësi e pamposhtur. Përmes gjithë këtyre kuptova se… Në mes të dimrit, brenda meje qëndron një verë e pamposhtur. Dhe kjo më bën të lumtur, sepse pavarësisht se sa fuqishëm bota shtyn kundër meje, brenda meje ekziston diçka më e fortë – diçka më e mirë, që e shtyn mbrapa.
“Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane, së bashku me anëtarë të Diasporës shqiptare në New York, nisin ndihmat për familjet e të dëmtuarve nga tërmeti në Shqipëri”, ka shkruar në Facebook Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, Pandeli Majko, njofton KultPlus.com
Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që janë duke ardhur ndihma nga ShBA-ja për të dëmtuarit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Që nga ditët e para pas tërmetit grupe të ndryshme shqiptare atje kanë organizuar mbledhjen edhe dërgimin e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. / KultPlus.com
Sot në një konferencë për media drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari shpalosi detajet rreth koncertit që do të mbahet në nesër mbrëma, ku do të interpretohet vepra ‘Requiem’ e Mozartit, shkruan KultPlus.com
Ky koncert organizohet në kuadër të sezonit 2019/2020 dhe shënon 70 vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi, ndërsa njëherësh me këtë mbrëmje, Filharmonia e Kosovës i bashkohet fushatës 16 – ditore të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Filharmonia e Kosovës interpretimin e ‘Requiem’ të Mozart-it, nesër mbrëma do t’ia dedikojë grave dhe vajzave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e Kosovës, më 1999.
Në këtë koncert është angazhuar Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike, që nesër do të dirigjohen nga kompozitori dhe dirigjenti permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai ndihet i nderuar që nesër do ta mbajë peshën e kësaj mbrëmje dhe të kësaj vepre monumentale.
Rozafa Kelmendi përfaqësuese nga UN Women tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.
“Është një mesazh i fuqishëm i dashurisë që do të përcjellë kjo vepër e Mozart-it, e shpresojmë të jetë një mesazh i tillë për këto gra që nuk gjetën dashuri në këtë botë, njëkohësisht është edhe thirrje për ne si shoqëri që të reflektojmë për mënyrën se si i kemi trajtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, që t’u ofrojmë më shumë dashuri e mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre” tha ajo.
Në koncert përveç solistëve nga Kosova do të ketë edhe mysafirë nga
Franca e Danimarka.
Koncerti do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00, tek Pallati i Rinisë. / KultPlus.com
Edhe kur kujtesa ime e lodhur Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë, Une ty s’do të harroj.
Do të kujtoj Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu, Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi Po iki larg teje… Asgjë e jashtëzakonshme, Veç ndonjë nate Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com
Artes Ferruni është artistja shqiptare 25 vjeçare që po shpalos talentin e saj në regjizurë.
Ajo është fituese e çmimit Ndërkombëtar të Krijuesve të Rinj në “Festivalin Ndërkombëtar të Televizionit IEmmy 2019” në Nju-Jork të SHBA-ve për filmin me metrazh të shkurtër “It starts within” shkruan albinfo.ch, përcjellë KultPlus.
25-vjeçarja ka ngritur flamurin e industrisë shqiptare të filmit në një nga organet më prestigjioze të dhënies së çmimeve.
Që nga mosha shtatë vjeçare, ajo ndihmoi në dyqanet e prindërve të saj. Ata hapën Dyqanin e parë Organik në Shqipëri. Një kërcimtare e etur latine që në moshë të re, ajo tani është në qendër të vëmendjes për punën e saj në film dhe historia e saj është thjeshtë një arritje, krijimtari dhe këmbëngulje.
“Mund të ndjehesh e madhe të bësh qëndrim për paqen. Ku fillon edhe një? Unë shqyrtova një përgjigje të thjeshtë, por të rëndësishme për këtë pyetje. Unë besoj se paqja vjen nga brenda – dhe vetëm atje mund të dalë paqe më e gjerë. ”- tha Artes
“U emocionova kur mësova se ky lloj formati video u dha mundësinë të pranohesha në një ngjarje kaq prestigjioze. Unë besoj në një ditë të mediave sociale dhe konsumit të shpejtë dje kjo është një nga mënyrat më të mira për të krijuar ndikim të prekshëm dhe pozitiv në të gjithë botën,” u shpreh Artes. /KultPlus.com
Sportet zakonisht në botë konsiderohen si ”mashkullore”, mirëpo, gjithmonë kemi pasur gra që në fusha të ndryshme të sportit e kanë dëshmuar të kundërtën, shkruan KultPlus.
Nga Kosova kemi pasur shumë sportiste që kanë treguar suksese të mëdha në Kosovë e në botë, secila prej tyre me ambicie të mëdha drejt majave, ato na e dëshmuan edhe njëherë se Kosova ka gra të talentuara, që Kosovën, para botës e prezantojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mërgimtare Berisha, një vajzë që pasionin dhe energjinë e saj e ka fokusuar në sportin e Rugby-t, ka treguar për KultPlus më gjerësisht se si është të jesh femër e të mirresh me sport.
Berisha tregon për KultPlus, se ka qenë gjithmonë e apasionuar pas sporteve në përgjithësi, mirëpo, për pothuajse dy vite tashmë, ajo është pjesë e ekipit Balkan Lynx, sëbashku me shumë vajza tjera, ku ndër të tjerash tregon se ky sport i ka ndihmuar shumë edhe në formimin e karakterit të saj, duke ndikuar direkt në vetbesimin e saj. ”Ajo fushë ku unë luaj Rugby, është versioni më i mirë i vetes sime, ku unë veten e shoh si një person që nuk dorëzohet kurrë, ku humbja më e madhe është mosbesimi tek vetja”, tregon ajo për KultPlus.
Sportet që luhen edhe nga gjinia femërore, janë të prirura për paragjykime nga të dy gjinitë, sidomos në vende ku sistemi patriarkal vazhdon të jetë i pranishëm. Kështu edhe Mërgimtare Berisha tregon të jetë ballafaquar shpesh me të tilla paragjykime, mirëpo ajo nuk i ka parë si pengesë, pasiqë ka qenë e vendosur në atë që dëshiron ta ndjek në të ardhmen. ”Paragjykimet kanë ekzistuar gjithmonë dhe mendoj që do të ketë edhe në gjeneratat e tjera që vijnë pas nesh, mirëpo është e rëndësishme që ne mos të ndikohemi, pasiqë sportet janë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka ndonjë rregullore të sportit ku thuhet se për të pasur sukses në sport, primare është gjinia”, vazhdon tutje ajo per KultPlus.
Mërgimtare Berisha tregon që duke qenë se vjen nga një fshat që jo shumë femra luajnë sporte, ka marrë shpesh komente e shikime negative nga të tjerët. Një koment që ajo pohon se e mban mend është kur dikush iu kishte drejtuar me ”vendi i femrave është kuzhina jo rugby”, koment ky të cilit ajo i ishte përgjigjur vetëm me sukseset që sëbashku me ekipin e saj i kishin pasur. ”Komentet negative kanë qenë vetë forcë për t’u dëshmuar të kundërtën”, shprehet ajo.
Balkan Lynx është një ekip që tashmë i ka sjellur shumë trofe duke qenë pjesëmarrës në shumë turnire ndërkombëtare, ekip ky që po shkon çdo ditë drejt rritjes.
Të ndjekësh ëndrrën edhe kur paragjykimet nuk janë në baza gjinore, është shumë e vështirë. Mërgimtare Berisha na e dëshmon të kundërtën, që nuk ka rëndësi se nga vjen, kush je, apo çfarëdo, ka rëndësi të besosh se mundesh dhe të punosh shumë’. Fatmirsisht sporti i Rugbyt pas nje periudhe jo shume te gjate do te jete nje nga top-sportet ne vendin tone
”Vajzat që mirren me sport e dijnë mjaft mirë se ka shumë sfida në lojë dhe jo vetëm. Mirëpo ne dhe të gjitha ato nuk duhen të ndalen asnjëherë, duhet që vendit tonë t’i sjellim sa më shumë medalje, duke dëshmuar kështu forcën tonë”, thotë ajo për KultPlus, duke iu drejtuar kështu të gjithë atyre vajzave që janë të dhëna pas sporteve ”mashkullore”. / KultPlus.com
Shkrimtari austriak Peter Handke, të cilit javën që vjen do t’i dorëzohet çmimi “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten në Stokholm, në konferencën tradicionale për media se e do letërsinë, duke i bërë bisht polemikës për qëndrimet e tij proserbe në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.
“E dua letërsinë e jo mendimet”, i është përgjigjur ai një gazetareje, e cila e ka lutur ta thotë mendimin e tij në lidhje me ngjarjet e viteve ‘90 në Ballkan. “I urrej mendimet”, ka thënë ai. Një tjetër gazetar e ka pyetur se përse në librat e tij s’e përmend Tribunalin e Hagës që ka pranuar gjenocidin në Srebrenicë, për të cilin janë shpallur fajtorë liderët ushtarakë e politikë, Ratko Mladiq e Radovan Karaxhiq.
“Vetëm vazhdoni me pyetjet tuaja, më pëlqejnë pyetjet tuaja”, me ironi është përgjigjur ai teksa ka lexuar letrën “armiqësore”, që i është adresuar bashkë me letër tualeti.
“Më shumë më pëlqen një letër anonime me letër tualeti sesa pyetjet tuaja”, ka thënë ai në konferencën për media, e cila ka nisur në një atmosferë të gëzueshme pasi kori ia ka kënduar Handkes këngën e ditëlindjes. Të premten ai ka festuar 77-vjetorin.
Por disa orë para konferencës, reagime kundër tij kanë ardhur edhe nga institucioni që vendos për laureatin e “Nobelit” për letërsi. Një anëtar i Akademisë suedeze, që ndan çmimin “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten se do të bojkotojë kremtimet e sivjetme në shenjë proteste për çmimin e dhënë për Handke, një mbështetës i presidentit të ndjerë serb. /Koha.net /KultPlus.com
KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Homazh e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.
Anita Hoxha është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.
KultPlus, deri më 12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.
Anita Hoxha
Anita Hoxha, poete, ka botuar deri më tani 3 vëllime me poezi dhe ka në proces librin e saj të katërt, ndërkohë që librat e Anitës, janë blerë në të gjithë botën ku ka shqiptarë. Ajo ështënderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si , “Golden pen “ 2015, “Nëntori i Poezisë” 2016, çmimi i Publikut Franfurt 2016, çmimi special i jurisë në Rumani 2016 .Anita, ka marrë vlerësimë ndërkombëare në, Kanada,. Kazakistan, Rumani etj.Faqja e saj në Facebook ndiqet nga 12.150 njerëz, ndërsa blogu i saj ,(anitahoxha.blogspot.com) , nga 82.144 njerëz.
“Dhe në tunelin më të thellë një rreze dielli do të ndrijë gjithmonë”., thotë Anita e cila dhe në vitin 2016, eshte nderuar nga Albanian Excellence, si histori suksesi. / KultPlus.com
Në vitin 2017 në Split të Kroacisë u botua dhe u përurua libri “Dioklecijanov lik između realnosti i transcendencije, Artistički, ikonografski i sociološki aspekti“ (Figura e Dioklecianit mes realitetit dhe transcendentimit, Aspekte artistike, ikonografike e sociologjike).
Është kjo një vepër e rëndësishme nga fusha e arkeologjisë antike, autor i së cilës është Dr. Nenad Cambi (Kambi), profesor emeritus në Universitetin e Zarës, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë (HAZU), ekspert dhe njohës me famë botërore në fushën e arkeologjisë antike dhe autor i një sërë studimesh nga kjo fushë.
Autori në bazë të analizimit të përmendoreve e veprave të ndryshme artistike, siç janë portretet, skulpturat, relievet, hermat, freskat, portat triumfale, stelat, medaljonet, e mbi të gjitha të atyre publike zyrtare që ishin financiarisht mjaft të kushtueshme dhe punoheshin nga artistët dhe mjeshtrit më të mirë, si dhe mbi portretet perandorake nëpër monedha (të cilat punoheshin nga mjeshtrit kulminantë në Romë dhe me kallëpe të dërguara nga Roma nëpër provinca) dhe të artefakteve të tjera që janë gjetur ose ruhen në Split, brenda Pallatit të Dioklecianit, pastaj në vendlindjen e Dioklecianit Solin, në Hvar, Braç, Naronë, Zarë, Pulë, Zagreb, Dubrovnik, Sarajevë, Firencë, Venecia, Vjenë, Grac, Vatikan, Sirmium, Naissus, Zajeçar, Gamzigrad, Luksor, Aleksandri e Kajro, në Leiden, Avinjon, Kopenhagë e në një varg lokalitetesh të tjera ku janë gjetur e institucionesh në të cilët ruhen eksponatet e tilla bënë studimin e anës ikonografike dhe fizike, por edhe të aspekteve të ndryshme shpirtërore të perandorit Dioklecian.
Vend të veçantë në këtë aspekt autori i ka kushtuar portretit reprezentativ të Dioklecianit të gjetur në vendlindjen e Dioklecianit, në Salonë, e i cili ruhet në Joanneum në Grac të Austrisë. /KultPlus.com
Presidenca e Shqipërisë i është përgjigjur ashpër deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili mohoi sërish masakrën e Reçakut.
Zëdhënësi e Presidencës, Tedi Blushi, tha se Presidenca shprehet se gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë dhe shton se faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes në rajon.
“GJAKU I REÇAKUT NUK BËHET UJË! Ish-zëdhënësit e xhelatit Millosheviq dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine! Faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës”, thuhet në reagimin nga Presidenca.
Aty thuhet tutje se krimi mbetet krim, as harrohet e as vjetrohet.
“Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme! Mirënjohje përjetë ambasadorit Walker për zbulimin dhe denoncimin para gjithë botës së Masakrës së Reçakut! LAVDI TË PËRJETSHME MARTIRËVE TË KOSOVËS!”, ka shkruar zëdhënësi Blushi. /KultPlus.com
Askush s’do të mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi.
Më së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një shkrimtari.
Këtyre çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’i pastrojë. Sepse, ato janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh komunistë.
Komunizmi në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar për pak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi nuk përbën kurrfarë risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të Evropës. Madje, në shumicën e vendeve ish-komuniste janë ngritur gjyqe dhe krimet e këtij sistemi janë dënuar në forma të ndryshme.
Në Evropë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Evropës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë, që u nënshkrua më 3 qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e Qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga politikanë të shquar evropianë, ish-të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo deklaratë bëri thirrje që “Evropa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte, dhimbje e lot dhe e kanë më të varfrin në Evropë. /Koha.net /KultPlus.com
Festivali i 58-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar do të zhvillohet përgjatë tre netëve. 20 këngëtarë janë në garë për çmimin e madh, ndërsa nuk do të mungojnë as të ftuarit special.
Festivali i 58-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar ka nisur të marrë jetë. 20 artistët që do të garojnë në këtë festival, nga ku do të përzgjidhet edhe fituesi që do të prezantojë Shqipërinë në Eurosong 2020, në Rotterdam të Holandës, janë duke punuar për t’u përfaqësuar denjësisht në skenën e Pallatit të Kongreseve.
Ndonëse, përzgjedhja e këngëtarëve nga juria që përfaqësohej nga Zhani Ciko, edhe dy anëtarët e tjerë, Dorian Çene edhe Soni Malaj, të cilët janë: 1. Albërie Hadërgjonaj; 2. Aldo Bardhi;3. Arilena Ara;4. Bojken Lako; 5. Devis Xherahu; 6. Eli Fara & Stresi; 7. Elvana Gjata; 8. Era Rusi; 9. Gena; 10. Genc Tukiçi dhe Nadia Tukiçi; 11. Kanita Suma; 12. Kamela Islamaj; 13. Kastro Zizo; 14. Olta Boka; 15. Renis Gjoka; 16. Robert Berisha; 17. Sara Bajraktari; 18. Tiri Gjoci; 19. Valon Shehu; 20. Ëendi Mancaku, nuk kanë kaluar në heshtje, regjisorja Vera Grabocka dhe prezantuesja e festivalit Alketa Vejsiu kanë vijuar punën, për të sjell pranë publikut surpriza të tjera.
Prezantuesja e festivalit në një prononcim publik ka deklaruar se në vëmendje të madhe do të jetë jo vetëm muzika e traditës, gjuha edhe poezia shqipe, e sjell në mënyrë moderne, por edhe të ftuarit special vendas edhe të huaj.
Tre artistë të huaj që i kanë thënë po ftesës së Vera Grabockës janë: këngëtarja e njohur Giusy Ferreri, fituesi i Sanremos që përfaqësoi Italinë në Eurovizion 2018, Mahmood edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira, e cila përfaqësoi Qirpon në Eurosong 2018 edhe u renditë e dyta.
Festivali i 58-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar do të zhvillohet në datat 19, 20 dhe 22 dhjetor në skenën e Pallatit të Kongreseve. /shqiptarja/ KultPlus.com
Ghada Arnaut (Xhada Arnauti) është një nga kandidatet për kryeministre të Libanit. Ajo ka një biografi të pasur, duke qenë emër i njohur në Liban dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa dekadat e fundit ishte larguar në ekzil në Kanada. Xhada Arnauti është shkrimtare, drejtuese e mediave liberale dhe shkencëtare në Universitetin e Albertas në Kanada.
Ajo konsiderohet si një zë i rëndësishëm kritik në mbrojtje të të drejtave të njeriut, për demokracinë dhe kundër qeverive të trashëguara diktatoriale. Xhada Arnauti në një prononcim për gazetën ”INA”, ka konfirmuar se është propozuar për postin e kryeministrit pas tërheqjes së Sadi Haririt, i cili ka qenë në shënjestër të kritikave dhe sulmeve nga protestat që nuk po ndalen rrugëve të Libanit.
“Po është e vërtetë. Ditët e ardhshme do t’ju konfirmoj të ardhmen time se a do të jem kryeministre e Libanit”, theksoi Xhada Arnauti. Ajo pranoi se ka origjinë të pastër shqiptare dhe se nuk heziton të flasë për këtë, sepse nuk i ka harruar rrënjët që ka. Kandidatura e saj është nominuar nga koalicioni i ri qeverisës dhe se ajo do të kthehet në Liban për të qeverisur të rinjtë që kanë pushtuar rrugët e Bejrutit.
Siç mësohet nuk është vetëm Xhada Arnauti që identifikohet me Libanin, pasi ishte edhe Pashko Vasa guvernator i Libanit në periudhën e perandorisë osmane (1883-1892). /KultPlus.com
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit.
Ai ka konfirmuar se ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi do të bojkotojë këtë ngjarje, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit.
“Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme”, ka shkruar ai në Facebook./koha.net/ KultPlus.com
Kemi luajtur në rrugë pa frikë, dhe kishim shumë pak: disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litar!
Dhe ishim të lumtur brenda, nuk kishte rëndësi pasuria.
Fjalë që duket se janë marrë nga një roman nga kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.
Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë.
Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijuehsmëri, gëzim të zbulimit dhe jetës.
Disa përvoja të caktuara, sidomos ato që janë jetuar në fëmijërinë dhe në adoleshencën tonë, nuk harrohen lehtësisht.
Ato përbëjnë dyert përmes të cilave kemi filluar të kuptojmë jetën, botën.
Dhe si të tilla nuk munden të harrohen. Mësuesit, shokët e klasës, shokët e rrugës, një univers që dukej një hap larg, diçka që mund të linte shenja të pashlyeshme.
Qendra e vëmendjes sonë, thelbi i mendimeve që na shoqëroi çdo natë para se të binim në gjumë.
Vende, shtëpi, mjedise që mbushën jetët tona, shumë prej të cilave u skalitën në shpirtrat tanë.
Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja?
Disa momente ikën me nxitim, dhe jo gjithmonë mendonim që t’i jetonim me intensitetin që meritonin, sepse donim të rriteshim sa më shpejt, që të hynim në atë botë të të rriturve që na dukej të ishte skena që të gjithë e dëshironim.
Por duke u kthyer me mendje në ato ditë, dhe duke shikuar mënyrën se si sot shumë fëmijë kalojnë kohën e tyre, nuk mund të mos arrijnë të ndjejmë një formë nostalgjie.
Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme sot, kishim shumë pak, disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litare, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.
Nuk shihnim koston e gjërave, ndoshta nuk i përballonim dot, por ishim fëmijë dhe të rinj të mbushur me jetë.
Kjo ka qenë fëmijëria jonë, dhe na vjen pak keq që sot nuk është më kështu.
U urojmë të rinjve të sotëm të kenë të njëjtën fantazi dhe të njëjtën dëshirë për të zbuluar, ajo që lind nga zemra dhe nga askund tjetër. /një mendje e bukur/ KultPlus.com
Me daten 9 dhjetor, do të promovohet libri ”Unë jam Anemone”, në hapsirën e Teatrit Kombëtar në ora 12:00, shkruan KultPlus.
Ky promovim do të manifestohet më ndryshe se promovimet e zakonshme të librave, duke bërë kështu që personazhet e librit të vihen në skenë përmes aktorëve.
Nën regjinë e Besim Ugzmajlit, do të interpretohen shtatë role nga: Gresa Pallaska, Anisa Ismaili, Rebeka Qena, Ylber Bardhi, Lena Kryeziu, Shengyl Ismaili dhe Edona Reshitaj.
Libri “Unë jam Anemone” është i pari i këtij lloji i shkruar në Kosovë. Libri përfshin rrëfimet e 24 grave dhe 1 burri të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. / KultPlus.com
Festat e fundvitit, kryesisht Krishtlindja nuk mund të kuptohen pa njëri prej simboleve të saj më popullore, Pema e Krishtlindjeve. Ndër vendet që e kanë shndërruar këtë ritual në simbolin kryesor të festës, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë ndoshta kultivuesit dhe tregtuesit, zbukuruesit dhe manifestuesit më festiv të Pemës së Kritshlindjeve.
Jo vetëm në familje, por edhe në qytete dhe shtete të botës, Pema e Krishtlindjeve është tashmë një pjesë e rëndësishme dhe zyrtare e dekorit festiv.
Pjesë e rëndësishme e këtij manifestimi është data e vendosjes së pemës, gjithashtu dhe ndezaj e dritave që përbën një prej elementeve të rëndësishëm të këtij rituali festiv. Sipas hulumuesve, data e përgatitjes është 5 dhjetori ku zakonsht marrin pjesë të gjithë pjestarët e familjes, ku rol kryesor e kanë fëmijët. Më data 6 dhjetor ndizen dritat e pemës duke kurorëzuar kështu filimin e atmosferës festive që zgjaton deri në mesin e muajit janar.
***
Origjina e pemës se Krishtlindjeve, si shumë ardhje të hershme është jo shume e qarte për shkak gojëdhënave apo këngëve të ndryshme të kulturës Evropiane, prej të cilave u njoftua dhe erdhi, për t’u shndërruar në ritin më domethënës festiv. Sipas dijeve të krishtera, pema e Krishtlindjeve është lidhur me Shën Boniface dhe qytetin gjerman Geismar. Një herë gjatë jetës së tij, Shën Boniface (672-754) preu pemën e Thorit, në mënyrë që të hidhte poshtë legjitimitetin e perëndive skandinave mbi fiset lokale gjermane. Shën Boniface pa një peme bredhi të mbinte në rrënjët e lisit të vjetër. Duke marrë këtë si një shenjë të besimit të krishterë ai tha: “Le të jetë Krishti në qendër të familjeve tuaja”, duke përdorur drurin e bredhit si një simbol të krishterimit.
Tradita e pëmës së Krishtlindjeve, ashtu siç njihet ditët e sotme është mjaft e larmishme dhe secila nga këto prurje rreket ta pasurojë dhe ta intrigojë gjithnjë e më dendur këtë të vërtetë, e cila ashtu siç u përvetësua edhe u refuzua, siç mori tagër hyjnor, ashtu edhe u gjetën shkase anatemimi, për të ardhur aty ku është sot, aty ku Pema e Krishtlindjeve, të jetë një nga magjitë më shkëlqimtare të festës . Ajo u vendos nga Martin Luther si një homolog protestant i skenës Katolike të lindjes së Krishtit. Luther vendosi pemën e Krishtlindjeve si një simbol te “pema e jetës” në kopshtin e Edenit.
Zakoni i ngritjes se pemës se Krishtlindjeve mund te gjurmohet historikisht në shekullin e 15 në Livonia (sot Estoni dhe Letoni), dhe një shekull më pas në Gjermaninë veriore. Sipas dokumentave, dhe dëshmimeve të ndryshme, përdorimet e para të pemës së Krishtlindjeve datojnë në Estoni më 1441, 1442 dhe 1514 në “Vëllazërinë e Kokzinjve”, ti cilët ngritën një pemë për pushimet në shtëpinë e tyre të vëllazërisë në Reval (tani Talin). Në natën e fundit të festimeve, pema u dërgua në sheshin e qytetit ku pjesëtaret e vëllazërisë kërcyen rreth pemës. Më 1584 pastori dhe kronisti, Balthasar Russoë shkroi një traditë të konsoliduar për ngritjen e një bredhi të dekoruar në sheshin e tregut, ku të rinjtë, shkonin me “një tufe me vasha e gra, fillimisht duke kercyre e kënduar, e më pas ndizeshin dritat e pemës”.
Në fillimet e shekullit XVIII, përdorimi i pemës se Krishtlindjeve u bë traditë në qytezat e Rhineland-it të Sipërm, por nuk ishte shpërndare akoma nëpër zonat rurale. Pema e Krishtlindjeve qëndroi si tradite për një periudhe relativisht të gjatë në Rhineland-in e Sipërm. Po ashtu si Krishtlindjet, pema e Krishtlindjeve u detyrua te pranohej nga Kisha Katolike e Romes sepse ajo nuk mund te ndalonte përdorimin e saj.
Në lashtësi, shumë bimë me blerim të përhershëm, të tilla si «dushku i egër, rrushkulli, dafina dhe degët e pishës ose të bredhit mendohej se kishin veti magjike ose mjekësore që të mbronin nga sëmundjet». «Më 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjeve, Adami dhe Eva përkujtoheshin me skenën e njohur të Pemës së Parajsës tokësore … Pema duhej të ketë qenë një pemë molle, por meqë pema e mollës nuk do të ishte e përshtatshme në dimër, u vu një bredh. Në degët e tij vareshin disa mollë ose, për të paraqitur Shpengimin e ardhshëm nga mëkati, vareshin oste të përgatitura me biskota të thërrmuara në forma të veçanta, që simbolizonin praninë eukaristike të Jezuit, si edhe ëmbëlsira e dhurata për fëmijët.» thuhet në një shkrim të “L’Osservatore Romano”. Kjo gazetë ndër të tjera shton se: «Italia ishte ndër vendet e fundit që e pranoi pemën e Krishtlindjeve. Kjo pjesërisht ngaqë qarkullonin shumë zëra se pema e Krishtlindjeve ishte traditë protestante dhe, si e tillë, duhej zëvendësuar me grazhdin [skena e lindjes së Krishtit].» Papa Pavli VI «nisi traditën që të vihej [në sheshin e Shën Pjetrit në Romë] një pemë e madhe Krishtlindjesh» pranë skenës së lindjes së Krishtit.
***
Tradita u përplas ne Kanada në dimrin e vitit 1781, nga ushtaret Brunswick të pozicionuar në provincën e Quebec-ut për të ruajtur koloninë nga sulmet e amerikaneve.
Në fillim të shekullit XIX, zakoni i pemës për periudhën e Krishtlindjeve u bë i njohur midis aristokratëve dhe e praktikuar edhe nga familjet mbretërore, duke mbërritur deri në Rusi. Princesha Henrietta e Nassau-t prezantoi pemën e Krishtlindjeve në Vjenë në vitin 1816, dhe zakoni u përhap në të gjithë Austrinë për pak vite. Në France gjithashtu Pema e Krishtlindjeve, pariherë u paraqit nga dukesha d’Orlèans.
Në Britani, pema paraqit fillimisht në familjen mbretërore, jo më parë se në fillim të shekullit XIX. Më pas ajo u prezntua nga një postim në gazetën e Mbretëreshës Victoria, për tu përhapur pak e nga pak në të gjithë vendin. Gazeta më të tjerash shkrunte se për Krishtlindje, pas darkës familja mblidhej te salloni ku priteshin miqtë. Aty ndodheshin dy tavolina të rrumbullakëta dhe mbi to qëndronin 2 pemë të mëdha të zbukuruara më drita dhe ëmbëlsira. Poshtë dhe përreth pëmëve të stolisura qëndronin dhuratat.
Një gdhendje në dru të familjes mbretërore që qëndronte pranë pemës, mbrëmjen e Krishtlindjes u kopjua nga amerikanët në vitin 1850. Godey, i cili kopjoi gdhendjen, e kopjoi atë ekzaktesisht siç ishte përveç kurorës se mbretëreshës dhe mjekrës se Princit Albert. Një foto, ripublikim i gdhendjes se Godey-t u shpërnda shpejt Amerikë. Në vitin 1860 u realizua një kopje tjetër, dhe deri në vitin 1870, të gjithë amerikanët e kishin tradite tashmë Pemën e Krishtlindjeve.
Edhe pse sipas fakteve zyrtare, Pema e Krishtlindjeve ka mbërritur në Amerike në shekullin XIX, në disa vende që kanë pasur lidhje me Gjermaninë, thuhet se kjo traditë ka udhëtuar më shpejt duke u bërë pjesë ë atmosferës festive të Krishtlindjeve. Një nga datimet që flet për pemën e parë të Krishtlindjeve të mbërritur në Amerikë është viti 1777.
Fakte të tjera të shumta e pasurojnë këtë traditë festive të festave të fundvitit dhe secila ndër ta rreket të japë të njëjten afri të njerëzve me Pemën e Krishtlindjeve, e cila nën sundimin komunist u shndërrua si Pema e Vitit të Ri, që në vetvete ishte as më shumë e as më pak se ajo pemë që erdhi ngadalë për tu bërë një nga simbolet e festave. /albertvataj/ KultPlus.com