Nano: Teksti i këngës së Rovena Dilos, mizerabël

Me tekst mizerabël e ka konsideruar Mustafa Nano në “Provokacija” këngën e Rovena Dilos, me të cilën mori pjesë në “Kënga Magjike”. Në monologun e tij, Nano u referua një deklarate të dhënë nga këngëtarja për mediat, e cila ishte shprehur se “një numër halabakësh kanë penetruar në botën e muzikës shqiptare”.

Mirëpo, siç theksoi Nano, edhe vetë teksti i këngës së Dilos nuk bëri diferencën.

“Para dy ditësh këngëtarja Rovena Dilo mori pjesë në “Kënga Magjike” duke kënduar një këngë bashkë me dy artistë të tjerë dhe ne mund ta shohim në ekran. Rovena Dilo dha një intervistë dhe ngriti zërin për të denoncuar një numër halabakësh, kështu foli ajo që kanë penetruar në botën e muzikës shqiptare dhe me halabakë pati parasysh, autorë, këngëtarë, të cilët sipas saj po e dëmtojnë, po e e korruptojnë shpirtin e muzikës shqiptare. /KultPlus.com

“Pasardhësi” i Kadaresë, ndër romanet më të rëndësishëm të shekullit XXI

Serialet televize janë zhanri i shekullit XXI, dëgjojmë herë pas here. Ato po e zëvendësojnë romanin si medium narrativ.

Nëse kjo është e vërtetë, mund të na e tregojë e ardhmja. Është e vërtetë që televizioni tërheq gjithashtu njerëzit me magjinë e tij, duke u shpenzuar kohën e leximit. Por është gjithashtu e vërtetë se librat vazhdojnë të blihen, lexohen, dhe diskutohen në shifra të mëdha. Dhe cilësia e tyre nuk ka rënë.

Romani “Pasardhësi”

Çfarë ka ndodhur në natën e 13 dhjetorit në dhomën e gjumit të Pasardhësit, trupi i të cilit u gjend me një plumb në zemër? Romani i fundit i Kadaresë sjell në kujtesë enigmën më të madhe të historisë së Shqipërisë: vdekjen misterioze të pasardhësit të diktatorit komunist shqiptar.

Ende sot, gati një çerek shekulli pas ngjarjes dhe dymbëdhjetë vjet pas rënies së regjimit, pas hapjes së arkivave dhe pas anketave të pafundme, misteri ka mbetur krejtësisht i pazbuluar. Duke nisur nga një ngjarje reale, të cilës i ka dhënë përmasa universale, Kadare nëpërmjet “Pasardhësit” ka shtuar një personazh të ri, në familjen e arketipeve të mëdhenj të letërsisë botërore, Judës, Agamemnonit, Brutit, Jozef K, etj. “Pasardhësi” është pjesa e dytë e diptikut, i cili lidhet me të parin, “Vajza e Agamemnonit”, nëpërmjet personazhit kryesor.”

Romanet më të rëndësishëm të shekullit XXI

2001: “The Corrections” nga Jonathan Franzen

2002: “Abbitte” nga Ian McEwan,

2004: “On the Slope” nga Markus Werner

2005: “All we had to give” nga Kazuo Ishiguro

2006: “The Successor” nga Ismail Kadaré

2006: “Anyone” nga Philip Roth

2006: “The Cloud Atlas” nga David Mitchell

2007 (që prej 1998): “Harry Potter” nga Joanne K. Rowling

2007: “Pandora in the Congo” nga Albert Sánchez Piñol

2008: “The Tower” nga Uwe Tellkamp,

2009: “A Woman Escapes A Message” nga David Grossman

2010: “Tschick” nga Wolfgang Herrndorf

2010: «Museum of forgotten secrets» nga Oksana Sabuschko

2013: “Secondhand Time” nga Svetlana Alexievich

2014: “The Circle” nga Dave Eggers

2015: “Lenin’s Kisses” nga Yan Lianke

2016-2018: “My brilliant friend” nga Elena Ferrante

2017: “Kraft” nga Jonas Lüscher

2018: “A girl’s memory” nga Annie Ernaux

2019: “The Books of St. James” nga Olga Tokarczuk /KultPlus.com

Gazetari ndërkombëtar që e filmoi masakrën e Reçakut: Unë i kam të dokumentuara të gjitha krimet

Kohët e fundit liderët serb kanë ngjallur reagime në lidhje me deklaratat për masakrën e Reçakut.

Presidenti serb, Aleksader Vuçiq, e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, duke ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe disa ambasadave të huaja të cilat kërkuan që të mos fyhen viktimat e luftës së fundit.

Por njëjtë si Vuçiq nuk po mendon Bill Neely, një nga gazetarët e parë të huaj që kishte shkuar në Reçak, duke parë trupa të shqiptarëve të vrarë

Në një bisedë për Magazina.al, Neely i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte raportuar për televizionin ITN, ka thënë se masakra e Reçakut nuk ishte trillim, sepse këtë e thanë trupat e mbi 40 të vrarëve atje.

“Nuk ishte trillim. Mbi 40 trupa e thanë historinë e tyre të cilët unë i kam dokumentuar me shumë kujdes”, ka thënë Neely

Gazetari i INT, kishte raportuar gjatë gjithë luftës nga Kosova, ishte ndër të parët që kishte shkuar në Reçak duke bërë që bota të shoh atë çfarë kishte ndodhur.

Më poshtë mund ta shihni raportimin e Bill Neely nga Reçaku në vitin 1999:

https://www.youtube.com/watch?v=jjuHpVjNe4g&feature=emb_title

Shkrimtari proserb në Kosovë rreth vitit 1996, pak para fillimit të luftës

Shkrimtari austriak Peter Handke që së fundmi fitoi “Nobelin” për letërsi, është një nga figurat më kontoverse për shkak se ai hapur mbështeti politikat e Sllobodan Millosheviqit.

Për këtë shkak me t’u përmendur emri i tij si fitues i çmimit të lakmueshëm Nobel për Letërsi, Akademia Suedeze u vërshua nga kritika të shumta nga studiues, shkrimtarë e profesorë.

Akademia sikur ra ndesh me vetveten duke ia ndarë një cmim këtij shkrimtari i cili sado i mirë qoftë në fushën e letërsisë, ka pas vetes një të kaluar kontoroverse, pasiqë edhe në funeralin e Millosheviqit ishte pjesëmarrës madje duke mbajtur një fjalim me nota të dhimbshme për serbin, i cili e pati nderuar me çmim.

Në këtë foto shihet Handke në Kosovë rreth vitit 1996 dy vite pa shpërthyer lufta e tmerrshme e serbëve ndaj kosovarëve.

Handke e ka vizituar edhe më vonë Kosovën, madje me paratë që i fitoi nga një çmim që mori, ai iu ndihmoi serbëve nëpër fshatrat e Kosovës. /KultPlus.com

U hap ekspozita “Gjenocidi XX”, Bogujevci: Këto fotografi dhe tregime duhet t’ia përplasim në fytyrë Serbisë

Me gjithë mohimin e Serbisë për masakrën e Reçakut, janë faktet ato që dëshmojnë gjithçka. Disa nga këto fakte mbrëmë ishin vendosur në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës si një replikë ndaj Serbisë, shkruan KultPlus.

Ishte kjo ekspozita me fotografi e autorit Enver Hoxhën që mbrëmë komunikoi me publikun e pranishëm ku tek secili mund të vëreje çfarë po përjetonin deri sa po i shihnin ato fotografi që i quanin të tmerrshme.

Kjo ekspozitë simbolizon atë se çfarë gjenocidi u krye tek populli shqiptar nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, pikërisht gjatë shekullit XX.

 “Gjenocidi XX: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, kështu po e quan autori Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi.

 Enver Hoxha gjatë luftës ishte pjesë e stafit mjekësor në zonën operative të Llapit. Ai punoi në spitalin ushtarak, por ishte edhe në terren me ushtarët e UҪK-së dhe popullatën civile. Edhe pse ai kishte një detyrë dhe mision tjetër, Enveri gjithë kohës ka mbajtur me vete foto-aparatin e tij, me të cilin ka shkrepur fotografi në çdo moment dhe falë tij, po e kujtojmë atë se me çka u përball populli kosovar.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci në fjalimin hyrës të kësaj ngjarje tha se me kënaqësi është përkrahur kjo ekspozitë nga muzeu. E sipas tij këto pamje  tregojnë sakrificën dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Objekt i kësaj ekspozite janë rreth 100 fotografi të cilat përfshijnë vetëm pjesën e popullatës civile, ku paraqiten shpërnguljet, vrasjet, masakrat e kryera nga forcat serbe në muajt mars dhe maj të vitit 1999.

Profesori, Ismet Salihu tha se këto fotografi tregojnë krimet e pushtetit serb ndaj popullatës të pafajshme shqiptare. “Në këtë ekspozitë jemi tubuar për të rikujtuar tmerrin dhe gjenocidin e pushtetit serb ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës në vitet ’98- 99”, tha ai.

 Qemail Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se kjo ekspozitë pasqyron një luftë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore.

“Ndihem i shokuar tek shikoj këtë ekspozitë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore, se si në mesin e shek XX mund të ketë ndodhur një katrahurë e madhe antihumane, jashtë çdo rregulli ndërkombëtar”, shprehet ai.

Ambasadori gjithashtu tha se “sot nuk është koha për hakmarrje, po për të reflektuar që gjëra të tilla të mos ndodhin më, në mënyrë që të jetojmë si dy popuj kufitarë, si njerëz që duhet të  marrin vesh njëri- tjetrin.”

Se në Kosovë është kryer gjenocid dhe janë kryer masakra të shumta, e dëshmon edhe masakra e Reçakut, e cila u përkujtua dje. Për të folur për këtë fakt, e pranishme ishte edhe e mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci.

“Puna e Enver Hoxhës është e jashtëzakonshme, e para se ka qenë afër njerëzve në momentet më të vështira në këtë periudhë kohore dhe tjetra për vetë faktin që ka arritur ta dokumentojë këtë rrugëtim. Të gjithë e dini për mohimin që i është bërë Reçakut, në fakt është mirë që kjo ekspozitë u hap në këtë kohë kaq të rëndësishme, duhet t’i mbledhim këto fotografi dhe tregime, e t’ia përplasim në fytyrë Serbisë”, tha ajo.

Komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa tha se Kosova për njëzet vite nuk ka mundur të dokumentojë ato që kanë ndodhur atë kohë e të cilat i di secili prej nesh, e këtë ka arritur ta bëjë Hoxha me fotografitë që janë dokument i asaj periudhe.

Vetë autori i ekspozitës pa dashur të flas shumë tha: Nuk ka nevojë për fjalë, sepse fotografitë flasin dhe dokumentojnë atë që Serbia po mundohet ta mohojë, e të tilla mohime thotë se po i shërbejnë armiqësisë ndaj Kosovës.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor duke ju ofruar mundësin që të shihni fakte që flasin në mënyrën më të mirë për ndodhitë e vitit 1999. / KultPlus.com

73-vjetori i themelimit të UNICEF-it, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët

UNICEF-i është organizatë bamirëse ndërkombëtare me seli në qytetin e Nju-Jorkut. Kjo organizatë ofroi ndihmë humanitare dhe zhvillimore afatgjate për fëmijët dhe nënat nëpër vendet në zhvillim, shkruan KultPlus.

Asambleja e Pëgjithshme e Kombeve të Bashkuara e krijoi UNICEF-in me datën 11 dhjetor të vitit 1946, si sigurim i urgjencës dhe kujtesit shëndetësor të fëmijëve në vendet që ishin shkattërruar nga Lufta e Dytë Botërore.

Organizata UNICEF, u shtri në mbi 390 vende dhe territore të ndryshme. Ajo dha çmimin Nobel për Paqen në vitin 1965 si dhe Princin e Asturias në vitin 2006.

Programet e UNICEF-it mbështeten në kontributet nga qeveritë dhe donatorët privatë si dhe nga donatorët privatë.

Vetëm në vitin 2008 të ardhurat totale të UNICEF-it ishin $ 3372540239. /KultPlus.com

Shitet 1,11 milionë euro një safir i rrallë i Kashmirit

Një unazë me iniciale të vendosura në sipërfaqen e një safiri nga Kashmiri, me vlerë 18 karat u shit për 1,11 milionë euro, njoftoi Hoteli i Shitjeve të Monte Karlos, organizator i shitjes së bizhuterive, që mblodhi në total 2,5 milionë euro në dy ditë.

Kryesisht e mbuluar me diamante, kjo unazë, e vlerësuar rreth 800000-1,2 milionë euro, i detyrohet vlerës së saj për cilësinë dhe veçantinë e gurit të çmuar, safiri i Kashmirit, shumë i kërkuar nga koleksionuesit.

E gjetur duke nisur nga vitet 1880 pas rrëshqitjes së dheut në malet Himalaje, safiri i Kashmirit dallohet nga ngjyra e ëmbël dhe e kadifenjtë, ndriçimi dhe butësia në të njëjtën kohë, një blu e qartë por e thellë, përmirësuar nga një nuancë e lehtë e purpurt. Minierat e saj nuk janë më aktive sot.

“Kjo bizhuteri, që u vu në shitje nga një familje princërore, ka parë tre blerës të përballen, i pari e ka vlerësuar me 900 000 euro ndërkohë që dy të tjerët nuk e kaluar pragun e një milionë eurove”, theksoi zëdhënësi i kësaj shtëpie shitjesh.

Blerësi final kërkoi të mbetet anonim.

Kjo shitje mbetet gjithashtu larg rekordit botëror të arritur nga “Blue Belle of Asia”, një safir i Ceilonit, 392 karat vendosur në një gjerdan diamanti dhe që arriti shumën katastrofike prej 17,29 milionë dollarë tek shtëpia e ankandeve Christie’s në Gjenevë në 2014./atsh / KultPlus.com

Mal Berisha sjell historinë e ambasadorit anglo-amerikan në Shqipëri

Ish-ambasadori i vendit tonë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha ka vendosur të sjellë për lexuesit shqiptarë historinë e ambasadorit anglo amerikan në Shqipëri, Herman Bernsteinit. Ky libër ka për qëllim njohjen me një figurë të harruar intelektuale, njeri i shquar i kulturës, diplomat, përfaqësues i SHBA-ve, por edhe luftëtar i paepur për të drejtat e hebrenjve dhe për vlerat universale të paqes.

Përmes kësaj figure autori Mal Berisha synon të plotësojë edhe fragmente të rëndësishme të procesit të brishtë të konsolidimit të shtetit shqiptar pas Pavarësisë.

Bernstein sipas autorit Mal Berisha ishte një avokat i madh i vendit tonë të vogël.

Mal Berisha: “Është hebre i lindur në Lituani. Kur ishte 8-vjeç i ati emigroi në SHBA. Arriti të bëhej një nga gazetarët më të njohur të SHBA-ve duke raportuar gjithçka që ka ndodhur në revolucionin e tetorit të vitit 1917. Bernstein ishte një individ i tillë që kishte lidhje me 3 presidentë të rëndësishëm të fillimisht të shekullit 20 në SHBA.”

Herman Beinstein ishte niveli më i lartë që Departamenti i shtetit ka dërguar ndonjëherë në vendin tonë. Njohja e ish-ambasadorit amerikan na jep një pamje të qartë të kontributit të Mbretit Zog në konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe të marrëdhënieve tepër të vështira me Italinë fashiste. OraNews / KultPlus.com

Minire Islami Veliu, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Minire Islami Veliu është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Minire Islami Veliu, mësuese veterane e cila ka dhënë kontributin e saj në zonën e Preshevës dhe në  Prishtinë! Duke qenë një luftëtare e pamposhtur për arsimimin e brezave të rinj dhe çështjes kombëtare, si dhe për emancipimin e femrës shqiptare, dashuria e pafund ndaj fëmijëve në përgjithësi, e ka nxitur të merret me profesionin e edukatores-mësueses. Është nderuar me shumë cmime për kontributin e saj  në zhvillimin e brezit të ri./KultPlus.com  

Vuçiq: Nobeli për Handken, sikur të ketë fituar njëri prej nesh

Ndërkohë që shumë vende të Ballkanit Perëndimor reaguan ashpër pas dhënies së Çmimit Nobel në Letërsi për novelistin austriak Peter Handke, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka zgjedhur, ashtu edhe siç pritej, ta urojë atë për këtë vlerësim.

Vuçiç deklaroi se Handke është një mik i vërtetë i Serbisë dhe se vendi i tij e konsideron sikur e ka fituar një qytetar i saj këtë çmim të rëndësishëm.

“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të Nobelit”, tha Vuçiç

Dhënia e Çmimit Nobel për austriakun Handke u pasua me kritika të shumta sidomos në rajonin e Ballkanit, pasi novelisti njihej për lidhjet e tij të afërta me ish presidentin Slobodan Milosheviç.

Ceremonia e dhënies së çmimit Nobel u zhvillua këtë të martë në Stokholm dhe mbërritja e Handke u prit me protesta. Ajo u bojkotua nga ambasadorët e Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë./Express/ KultPlus.com

Pas tërmetit Durrësi stoliset për festat e fundvitit

Durrësi i është kthyer në normalitet dy javë pas tërmetit shkatërrues që tronditi qytetin.

Qendra e qytetit antik dhe rrugët janë zbukuruar me drita duke sjellë një atmosferë  festive.  Në sheshin “Liria” është vendosur Pema e Krishtlindjeve ndërsa në shesh janë vendosur edhe e zbukurime argëtuese për më të vegjlit e qytetit.

Edhe pse atomsfera e këtij viti është më e zymtë se vitet e kaluara, qytetarët e Durrësit vazhdojnë jetën duke u munduar t’i rikthehen normalitetit pas tragjedisë që iu ra për pjesë.

Si Durrësi, ashtu edhe Tirana e zonat e tjera të prkura nga tërmeti u zbukuruan për festat e fundvitit në mënyrë që të lihej pas krahëve tërmeti i 26 nëntorit dhe të vazhdojë jeta. / KultPlus.com

Mjekja suedeze e kthen çmimin Nobel të fituar 31 vite më parë, shkaku i Peter Handkes

Dhënia e çmimit Nobel për letër për shkrimtarin austriak Peter Handke, ka ngjallur polemika të shumta në opinionin publik në lidhje me mbështetjen e tij për regjimin Slobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, dhe protestat u organizuan me rastin e këtij çmimi.

Për këtë mjekja suedeze Christina Doctare e kthen prapa çmimin Nobel të fituar në vitin 1988 për shkak të Handkes.

Ceremonia u pasua nga një bojkot nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Turqia. Protestat spontane, përpara ceremonisë zyrtare të ndarjes, u mbajtën para Qendrës Memoriale Potocari në Srebrenica, dhe më vonë në kryeqytetin Suedez, Stokholm.

Të mbledhur në një minutë heshtje për nder të viktimave të genocidit të Srebrenicës në verën e 1995 dhe viktimave të armiqësive në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, shkruan Al Jazeera përcjellë Klan Kosova.

Doctare kujtoi luftërat në Ballkan, nga të cilat raportoi dhe tregoi krimet që kanë ndodhur. Ajo foli për trupat e masakruar e të rënë dhe tmerret që ajo dëshmoi.

“Për sa kohë që unë jetoj, unë do të dëshmoj se e vërteta e një lufte të tmerrshme nuk do të ekuilibrohej kurrë,” shtoi ajo. / Klan Kosova / KultPlus.com

Atdheu u shit, ankandi u mbyll

Poezi nga Petrit Ruka

Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…

U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”

/KultPlus.com

‘Çka Ka Qëllu’, në mesin e dhjetë restauranteve më të mira në New York

Në mesin e dhjetë restauranteve më të mira të hapura së fundmi në Nju Jork, New York Times ka përzgjedhur edhe atë nga shqiptari Ramiz Kukaj.

Kritikët e gastronomisë në faqet e prestigjiozes njujorkeze e kanë futur në listë edhe ‘Çka ka Qëllu’, restaurant ku servohen ushqime tradicionale shqiptare.

Vendi është i mbushur me elemente shqiptare në të katër anët e brendësisë.

“Hyn brenda dhe menjëherë je në një tavernë të ndonjë fshati të Kosovës apo Shqipërisë. Pronari dhe kryekuzhinieri vijnë nga të dyja vendet. Do ta shijosh bukën, kërko edhe më shumë, ndërsa më pas do të duash edhe jogurt. Patjetër do të ketë edhe salsiçe. Plot sheqerpare, kafja vjen e shoqëruar. Mund ta dini se është kafe turke por përdërisa e pini në Çka ka Qëllu, do ta quani kafe shqiptare” shkruan mes tjerash New York Times për restaurantin në Belmont, Bronx.

“Kavi”, “Hutong”, “Llama San” janë disa prej restauranteve tjera në këtë listë të formuluar nga Pete Wells, me restaurantet më të reja në metropolin amerikan, shkruan KultPlus.

Këtu do të gjeni, byrekun shqiptar që sfidon biftekun xhamajkan. Dyshemetë dhe muret duket sikur janë transportuar nga një shtëpi apo fermë shqiptare dhe mikpritësit luajnë meloditë popullore mbi instrumentet tradicionale. / KultPlus.com

I varur nga kokaina dhe koleksionues reliktesh, dy nga disa karakteristikat e Frojdit

Freud ishte një neurolog dhe psikanalist austriak, themelues i psikanalizës, një ndër degët kryesore të psikologjisë. Ja disa kuriozitete nga jeta dhe disa rezultate të punës që ndoshta jo të gjithë i dinë.

Ishte pararendës i terapisë së kafshëve

Sigmund Freud e konsideronte të papërshkrueshme praninë e qenit të tij Jofi gjatë seancave të psikanalizës, si një formë qetësimi për pacientët. Jofi ishte mësuar aq shumë me seancat e të zotit, saqë me kohën kishte mësuar të llogariste dhe kohën për çdo takim. Kur ngrihej në këmbë, Freud e dinte se kishte ardhur momenti të ndërpriste takimin me pacientin.

Divani i famshëm i tij ishte një dhuratë

Gjithnjë në lidhje me seancat, divani i famshëm ku psikanalizonte pacientët ishte dhuratë nga njëri prej tyre, zonja Benevenisti. Ideja për të shtrirë pacientët në divan i erdhi në kohën kur praktikonte hipnozën dhe zbuloi se ishte më e thjeshtë t’i çonte njerëzit në fazën trans kur ishin të shtrirë.

I adhuronte purot

Freud pinte 20 puro në ditë dhe mes tymnajës, mërmëriste. “Ndonjëherë, një puro është thjesht një puro”. Prej tyre, Freud pati një tumor të rëndë në fyt, që e çoi drejt vdekjes në vitin 1939.

S’i kushtonte rëndësi veshjes

Thuhet se në dollapin e tij kishte vetëm tre komplete, tre veshje intime dhe tre palë çorape. Jo për të kursyer, por i dukej e kotë të shpenzonte për veshjet.

Pinte kokainë

Freud vuante nga dhembje të forta koke. Në moshën 28-vjeçare zbuloi kokainën, atëherë thuajse e panjohur. Nisi ta përdorte për terapitë kundër ankthit dhe për dhembjet e kokës, por u bë i varur, të paktën deri në moshën 40-vjeçare.

Ishte njohës i disa gjuhëve

Freud dinte disa gjuhë. Përveç gjermanishtes, fliste anglisht. Kur ishte i ri, mësoi spanjishten thjesht për kënaqësinë për të lexuar “Don Kishotin” në gjuhën origjinale.

U nominua 12 herë për çmimin “Nobel”

Një rekord i veçantë, por gjithsesi një rekord. Psikanalisti i famshëm u nominua 12 herë për çmimin “Nobel”, por nuk fitoi asnjëherë. Nominimet u ndërprenë, kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i “Nobel”-it, deklaroi se puna e Freud nuk kishte prova shkencore.

Koleksiononte objekte arkeologjike

E lexuat mirë. Freud ishte koleksionist dhe pëlqente të mblidhte objekte arkeologjike të çdo lloji. Nuk dihet se si i gjente sendet, por në atë kohë ishte një praktikë e ligjshme. Sot, Freud do të kishte probleme të mëdha ta zgjeronte koleksionin e tij, që përfundoi në shtëpinë e vjetër të familjes, që është një muze i hapur për publikun.

Kishte një fiksim të madh

Thuhet se Freud ishte i fiksuar pas numrit 62. Mendonte se në atë moshë, 62 vjeç, do të vdiste. Por, në të vërtetë u shua në moshën 83-vjeçare. Nuk qëndronte asnjëherë në ndonjë dhomë hoteli që kishte atë numër.

Ka një krater të dedikuar në Hënë

Në Hënë, ka një krater të vogël që i është dedikuar pikërisht psikanalistit austriak. Ndodhet saktësisht në pjesën verilindore të pjesës së dukshme nga Toka.

‘Qengji i vogël’, versioni i vitit 1986 nga ‘Lindja’

‘Lindja’ ka qenë një grup Yugoslavian Punk, Post Punk/Alternative Rock dhe Darkwave nga Prishtina, të cilët kanë performuar aktivisht në fund të viteve 80-të.

Grupi nuk ka qenë i njohur shumë por megjithatë ka kënduar dhe ka plot demo incizime.

Në këtë incizim të demos së vitit 1986, ata këndojnë “Q&V” apo Qengji i Vogël, në një version interesant.

“Lindja”, ndonëse relativisht më të rinj se grupet “Gjurmët”, “403”, “Telex”, “Seleksioni “039”, është një nga grupet e para të viteve ’80 që në Kosovë solli një frymë të re.

Anëtarët e grupit Lindja kanë qenë:

• Luan R. Osmani, voc, git
• Fatos Berisha, drum
• Bekim Mahmuti, bas
• Bujar Hundozi, git
• Afrim Maloku, bas
• Ergin Fejza, git

‘Gjëra t’bukra e gjëra t’reja, mi mësoi o vetëm Peja’

Një prej këngëve më të dashura për Pejën është ajo e kënduar nga Ramadan Krasniqi.

Pejës që asnjë këngë nuk ia tregon asnjëherë bukurinë përrallore, Ramadan Krasniqi i ka kënduar me disa këngë, e prej tyre më e veçanta është kjo që po e sjellim sonte.

“Peja ime” është këngë e mirëfilltë shqipe që tregon dashurinë për Pejën, kënduar nga kush tjetër pos Danit.

Pejës i kanë kënduar plot këngëtarë dhe sonte po e kujtojmë, si një ndër qytetet më të bukura në tokën shqiptare. / KultPlus.com

Vende të famshme nga librat, që vizitohen çdo ditë nga turistët

Përse qindra turistë vizitojnë çdo ditë ujëvarën Reichenbach në Zvicër? Sepse Sherlock Holmes ka vdekur aty. Pse shumë të tjerë vizitojnë rrugën “Cappello” në Verona të Italisë dhe bëjnë foto pafund? Sepse aty ndodhet ballkoni i Romeo dhe Xhulietës. Vetëm legjendë? Nuk ka rëndësi. Ja disa vende në botë, ku ndërthuren realiteti, historia, legjenda dhe kinematografia.

Verona, Itali – ballkoni i Xhulietës

Të dashuruarit më të famshëm të letërsisë? Pa dyshim që janë Romeo e Xhulieta. Kur vizitohet Verona, një ndër etapat e detyruara është shtëpia e Xhulietës, personazhi (i krijuar) i bërë i njohur në tragjedinë e William Shakespeare. Sot, në rrugën “Cappello 23”, muret e ndërtesës janë të veshura me letra dashurie dhe qindra turistë ndalojnë poshtë ballkonit të famshëm për të bërë foto. Dikur, shtëpia s’ishte fare e njohur, deri kur në vitin 1935, drejtori i një muzeu deklaroi se ajo ishte shtëpia e Xhulietës. Madje dhe ballkoni është shtuar më vonë. Në fakt, shtëpia e Kapuletëve nuk ndodhet në këtë zonë, por pranë lumit Adige.

Kronborg, Danimarkë – kështjella e Hamletit

“Të rrosh apo mos të rrosh” është një ndër frazat e njohura në të gjithë botën, që ka hyrë dhe në gjuhën e përditshme, e shkëputur nga “Hamleti”, e shkruar në fillim të viteve ‘600 nga William Shakespeare dhe e ambientuar në kështjellën Kronborg, në qytetin danez Helsingør. Ishte mbreti Frederik II që e ndërtoi kështjellën në vitet 1574-1585, në zonën ku Danimarka është më pranë Suedisë. Prej vitit 2000, fortesa është pjesë e Pasurisë së Unesco-s dhe vizitohet nga mijëra turistë, edhe pse nuk është shtëpia e princit danez, i biri i mbretit Hamlet. Gjithsesi, çdo verë, në oborrin e kështjellës zhvillohet një festival shekspirian.

Transilvani, Rumani – kështjella e Drakulës

Transilvania është sinonim i vampirëve dhe mistereve. Dhe një ndër zonat më të vizituara në Rumani është kështjella e Bran, njohur edhe si kështjella e Drakulës. Por, kështjella e vërtetë e Vlad III të Valakisë, i përshkruar në romanin e Bram Stoker si Konti, ndodhet në Poienari (në Valaki), ku sot janë vetëm rrënojat. Vlad ishte një personazh i dhunshëm, por edhe vampir, ose jo i vdekshëm, që kishte nevojë të ushqehej me gjak, falë dhëmbëve të mprehtë të qenit.

Londër, Britani – stacioni “King’s Cross”

Në librat dhe filmat “Harry Potter”, magjistarët e vegjël duhet të kalonin përmes murit te binari 9¾, në stacionin “King’s Cross” në Londër, për të shkuar në shkollën e magjisë “Hogwarts”. Në të vërtetë, nuk është kështu. Aty gjendet vetëm një tabelë dhe një karrocë për valixhe që është duke u zhdukur brenda murit. Dhe pas gjendet një dyqan që shet suvenire të magjistarëve.

Meiringen, Zvicër – ujëvara Reichenbach

I kishte ardhur në majë të hundës, nuk donte të shkruante më asnjë rresht për Sherlock Holmes dhe kështu shkrimtari Arthur Conan Doyle vendosi ta vdiste detektivin e famshëm, duke zgjedhur kantonin e Bernës si vend për aktin final. Në “The Final Problem”, Sherlock Holmes lufton me armikun e tij, profesor Moriarty, dhe të dy bien nga ujëvara Reichenbach, e lartë 120 metra dhe trupat nuk u gjetën më. Edhe sot e kësaj dite, fansat e detektivit vizitojnë vendin për “ta gjetur”.

Winchester, Britani – tavolina e rrumbullakët e mbretit Artur

Winchester ka qenë gjithnjë e lidhur me mitin e mbretit Artur. Sipas disa legjendave, ky qytet ishte në të vërtetë Camelot. Në Great Hall, salla e madhe e shekullit XIII, që dikur i përkiste kështjellës së Winchester, gjendet një riprodhim antik i tavolinës së rrumbullakët. Por, në fakt është thjesht legjendë. / KultPlus.com

Film anglez me këngë Labe

Një film për këngën labe është realizuar nga regjisori anglez Dan Shutt. Filmi ka si temë këngën labe, muzikën polifonike popullore shqiptare. Protagonistët kryesorë janë Artisti i Popullit Golik Jaupi, Vullnet Silaj dhe Endri Hodaj.

Grupi Lab vizitoi Mbretërinë e Bashkuar për të shfaqur për herë të parë këto këngë baritore 3000-vjeçare, në premierën e tetorit 2019, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

Pjesëtarët e grupit rrotullohen rreth zërit kryesor, zukatjes së fuqishme (‘iso’) dhe teknikave të ndryshme të ndërlikuara të cicërimave zanore, që imitojnë dhitë, kambanat dhe tingujt e maleve shqiptare. Kur këndon Grupi Lab, dridhet toka!

“Isoja mund të këndohet nga kushdo dhe sa më shumë njerëz të përfshihen në një këngë, aq më e fortë është forca emocionale. Kur këto grupe këndojnë dridhen xhamat e dritareve dhe toka tundet, në kuptimin e plotë të fjalës!” – thotë Dan Shutt, regjizori i filmit, “Ëashed by the Moon” (Larë në Hënë). Titulli i filmit bazohet në një këngë të njohur labe të titulluar “Labëri larë në Hënë”.

“Po punoja në Londër në vitin 2016, duke bërë një regjistrim, kur dëgjova një këngë të quajtur “Janinës ç’i panë sytë”, – tregon regjisori Shutt, mbi takimin e tij të parë me këtë muzikë. “Ajo është një këngë shumë ë famshme në Shqipërinë jugore, me një harmoni që të këput shpirtin. Më bëri që ta lë punën time në mes menjëherë, dhe të fluturoja për në Shqipëri. Të ndihur nga një fat i mirë i pabesueshëm, unë dhe shoku im i fëmijërisë, Isaac-u, një kinematograf i madh, përfunduam në Shtëpinë ku shpall Pavarësia e Shqipërisë, më 1912, me një grup vendas këngëtarësh legjendarë të polifonisë. Na dhanë fjalën se do na jepnin çdo gjë të tyren, thjesht e vetëm për ta ndarë muzikën e tyre me ne, që tashmë ishim miqtë e tyre.” Koha.net / KultPlus.com

Fillon mësimi në gjuhën shqipe edhe në Rüti të Cyrihut

Në vazhdën e përpjekjeve për hapjen e shkollave shqipe kudo ku janë shqiptarët, këtë javë u ngrit lart flamuri i shkollës shqipe edhe në Rüti të Kantonit të Cyrihut, ku dhjetëra nxënës filluan mësimin në gjuhën shqipe.

Grupi i parë i nxënësve të shkollës shqipe në Rüti të Cyrihut

Gjatë javës së kaluar listës së gjatë të shkollave shqipe iu shtua edhe pika shkollore në Rüti të Kantonit të Cyrihut, ku dhjetëra nxënës ishin pjesë e orëve mësimore në gjuhën shqipe. Nuk ka gëzim më të madh kur i sheh dhjetëra prindër, të cilët mundohen që sa më parë të fillojë mësimi në gjuhën shqipe. Në mesin e shumë prindërve, të cilët u angazhuan gjatë këtyre javëve vlen të përmendet znj. Hidajete Islamaj, e cila në këtë rrugëtim ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar. Dhe fare thjesht në këtë ditë të bukur nëntori,  dhjetëra nxënës të buzëqeshur me libra në duar filluan përpjekjet e tyre për ta mësuar sa më mirë gjuhën e të parëve të tyre.

Disa prej nxënësve të shkollës shqipe, të cilët ishin prezent në hapjen e shkollës shqipe në Rüti, të Cyrihut

Angazhimi i tyre gjatë orëve mësimore është tepër motivues se këta fëmijë, edhe pse të moshave të ndryshme shumë shpejt do t`i përforcojnë njohuritë  e tyre në gjuhën amtare. Dhe, si zakonisht ky numër i madh i nxënësve filloi me dy grupe mësimi:  grupi i parë që përshinë nxënësit  e klasës së parë deri në klasën e tretë dhe grupi i dytë nga klasa e katërt deri në klasën e gjashtë. Por, vetëm në javën e dytë vëmë re se edhe kjo nuk mjafton. Në bazë të interesimit të prindërve dhe fëmijëve të tyre  shumë shpejt do të bëhet edhe grupi i tretë i nxënësve të shkollë shqipe.

A ka gëzim më të madh se kur i sheh këta fëmijë, si Elinën, Anikun, Aurorën, Leonën, Diartin, Erinën, Beratin, Lerzën, Enesin, Elsën, Erjonin, Albën, Berinën, Leon, Diartin, Sarën, Engjullin, Elonin, Sarën, Arianin, Samiun, Aulonin, Aminën, Fatjanën, Lirakun dhe shumë të tjerë, të cilët me një dëshirë të madhe janë pjesë e mësimit në gjuhën shqipe.

Grupi i dytë i nxënësve të shkollë shqipe në Rüti të Kantonit të Cyrihut

Dhe fare në fund vlen të përmendet se edhe pse viti shkollor 2019/20 që moti ka filluar përpjekjet e Ambasadës Shqiptare në Bernë dhe të  disa mësuesve si Mimoza Dako, Qefsere Sejdiu, Albulena Jusufi, Nora Macula, Ardian Shaqiri, Teuta Myrtaj dhe Vaxhid Sejdiu dëshmuan dhe dëshmojnë se ky rrugëtim nuk kanë të ndalur. Gjatë këtyre tre muajve ishim dëshmitarë të hapjes së më se 23 pikave shkollore të kantonit të Cyrihut me 349 nxënës si dhe disa pikave shkollore në kantonet e tjera, të cilat shumë shpejt do të prezantohen në faqet e medieve tona. Albinfo / KultPlus.com

Peter Handke pranon Nobelin për Letërsi (VIDEO)

Shkrimtari austriak Peter Handke ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në një ceremoni të organizuar në Stokholm.

Këtu u vlerësuan lartë veprat e Handkes, për punën e së cilit u tha se kishte shpirt zbulues dhe se ishte inspiruese për gjeneratat e ardhshme.

Handke është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës Srpska që nga viti 2008 dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë që nga viti 2012.

Nderimi i tij me Nobelin për Letërsi u përcoll me reagime dhe kundërshti të mëdha nga vende të ndryshme të botës, kjo pasi Handke ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pikërisht për këtë Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës kishte dërguar letër Akademisë Suedeze ku potencohej se Handke kishte mohuar krimet gjenocidale të Millosheviqit, për të cilën kjo e fundit pati thënë se “Nobeli ndahej për arritjet në letërsi e jo për personalitetin e tij”. Klan Kosova /KultPlus.com

Kryqi i Kuq Kinez dhuron 100 000 USD për të prekurit nga tërmeti

Kryqi i Kuq Kinez mbështet Kryqin e Kuq Shqiptar në operacionin në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Sot në Selinë e Kryqit të Kuq Shqiptar u organizua një takim ndërmjet Ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës Zhou Ding dhe Presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi.

Duke i dorëzuar aktin e dhurimit të një shumë prej 100 000 usd Presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Ambasadori kinez shprehu solidaritetin e popullit dhe të qeverisë kineze, dhe të Kryqit të  Kuq të Kinës në këto ditë të vështira për popullin shqiptar. Kjo ndihmë e Kryqit të Kuq Kinez është vazhdim i mbështetjes në vite për Kryqin e Kuq Shqiptar,  si shenjë e frymës miqësore e humane të popullit kinez ndaj popullit shqiptar.

Duke marrë këtë donacion, Presidenti Alushi tha se “Në çdo fatkeqësi që ka goditur vendin, populli kinez është ndodhur pranë popullit shqiptar. Ne e vlerësojmë pa masë ndihmën e dhënë Kryqit të Kuq Shqiptar, si një akt vlerësimi dhe besimi për shoqatën tonë. Organizimi i ndihmës deri te përfituesi konkret do të jetë pjesë e një procesi trasparent.”

Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar falënderoi përzemërsisht ambasadorin kinez,  dhe nëpërmjet tij qeverinë kineze dhe Kryqin e Kuq Kinez për këtë mbështetje të vyer dhënë shoqatës në këto ditë të vështira për popullin shqiptar.  ATSH / KultPlus.com

TruAktiv sot ka organizuar aksionin “1651 storie pa za” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me ç’rast edhe aktivistët e komunitetit truAktiv kanë organizuar një aksion rrugor “1651 storie pa za”, shkruan KultPlus.com

Ky organizim është realizuar përpara dy institucioneve të shtetit të Kosovës: Parlamentit dhe Qeverisë. Përmes këtij aksioni është shprehur revolta ndaj institucioneve të shtetit për punën e dobët të bërë për gjetjen e 1651 personave të pagjetur nga lufta e Kosovës.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Aktivistët e komunitetit truAktiv sot organizuan aksionin rrugor “1651 storie pa za” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut përpara Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo revoltë vjen si pasojë e neglizhencës institucionale për 1651 persona të cilët vazhdojnë të jenë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, ku të gjithë kanë prapavijë të ndryshme etnike. Duke e neglizhuar këtë çështje, institucionet e Kosovës vazhdojnë duke e mohuar të drejtën për të vënë drejtësinë në vend dhe të familjarëve të të pagjeturve për ta ditur të vërtetën rreth fatit të tyre.

Përmes këtij aksioni rrugor synuam që me ngritë vetëdijën qytetare dhe institucionale rreth çështjes së pazgjidhur të personave të pagjetur në Kosovë. Kjo cështje duhet të prioritizohet nga insitucionet si e drejtë fundamentale e njeriut për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë rreth personave të pegjetur. E në të njëjtën kohë që të dialogohet për zbardhjen e fatit të 1651 personave të pagjetur për të pasur paqe të mirëfilltë në mes të dy vendeve duke u ballafaquar me të kaluarën, e jo të dialogohet “sa për shkrepje të fotove”.

Ne sot e ngritëm zanin për 1651 personat e zhdukur gjatë luftës dhe familjarëve të tyre të cilët vuajnë mungesën e tyre dhe të vërtetës në baza ditore”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Agron Tufa: U kërkova ndihmë ambasadave, por nuk m’u përgjigjën

Prej disa muajsh ish-drejtori i ISKK Agron Tufa kanosej nga ithtarët e regjimit të vjetër. Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër. Tufa i tha DW. e “I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç”.

Në fillim të dhjetorit u bë e ditur, fillimisht nëpërmjet mediave sociale, se Agron Tufa, deri para pak kohësh drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, kishte kërkuar azil politik në Zvicër. Si shkak për këtë  vendim Tufa, laureat i  disa çmimeve kombëtare në letërsi, dha kërcënimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të ndryshëm, kryesisht nëpërmjet telefonatave dhe mesazhesh të shkruara. 

Heshtje e ambasadave

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s  se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore: “Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, i tha Tufa Deutsche Welle-s. 

E pyetur nga Deutsche Welle, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë,u përgjigj: “Ambasada në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.

Injorim nga prokuroria

Tufa vetë i tha Deutsche Welle-s se ka bërë disa kallëzime penale në lidhje me kërcënimet, por se prokuroria nuk ka reaguar. “Mua nuk mu pergjigjën asnjëherë. As kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajes te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”, i tha Tufa DW.

Në qershor të këtij viti, Agron Tufa, në cilësinë e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, për  veprën penale “Krime kundër njerëzimit”. 

Sipas burimeve të DW , edhe organet e drejtësisë në Gjermani aktualisht po shikojnë mundësinë e ngritjes së një akuze kundër të njëjtit person, i cili prej shumë vitesh ka marrë shtetësinë gjermane dhe jeton në Bavari. 

Në luftë  me kastën e vjetër

Kërcënimet e shumta që i vinin si mesazhe, Agron Tufa i ka publikuar gjatë tërë kohës në mediat sociale. Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, deri tani (10.12.19) nuk ka arritur t’i kthejë përgjigje Deutsche Welle-s, nëse Agron Tufa ka pasur nevojë për mbrojtje personale,

Siç i tha Tufa Deutche Welle-s, vala e kërcënimeve filloi në prill të këtij viti, kur një grup politikanësh dhe intelektualësh të lidhur me regjimin e vjetër komunist donin t’i merrnin Institutit të drejtën për të pasur si objekt studimi edhe krimet e bëra nga komunistët në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (1939-1944).

Por Tufa i tha DW se ky ishte vetëm një pretekst që u gjet për të mbuluar shkakun e  vërtetë të luftës kundër tij. Tufa tha se në të vërtetë, shkaku ka qenë një kërkesë që bëri ISKK në fund të vitit të kaluar, për të marrë informacione nga të gjitha institucionet shtetërore për numrin e ish-oficerëve të sigurimit në stafin e tyre. “Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syresh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”, i tha Tufa DW.

Sigurimi ende në administratë

Sipas Tufës, numri i ish-sigurimsave në administratën e Shqipërisë mendohet të jetë rreth 3000. A mendon se strukturat e vjetra të sigurimit kontrollojnë ende jetën politike në Shqipëri. I këtij mendimi është edhe Jordan Daci, profesor i së drejtës në Tiranë. Sipas tij regjimi i vjetër nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. “Edhe një pjesë e mirë e të rinjve që janë sot me poste në administratë janë bij dhe bija të ish-nomenklaturës komuniste”, thotë Daci për DW. 

Deputeti Spartak Braho, gjyqtar në kohën e komunizmit dhe ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është një nga kundërshtarët më të zëshëm të Agron Tufës. Ai e komentoi kërkesën e Tufës për azil politik në Zvicër edhe para disa ditëve në një artikull botuar në gazetën “Dita”. Gjuha e përdorur të kujton retorikën e diktaturës komuniste: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj, se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do ta denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore”, shkruante Braho.

Gjergj Erebara, nga rrjeti investigativ BIRN, i tha Deutsche Welle-s, se beson që Agron Tufa dhe familja e tij ishin të rrezikuar në Shqipëri: “Sulmet e Spartak Brahos ndaj Tufës kanë vijuar prej muajsh dhe Braho ka qenë persekutues në kohën e komunizmit. Pra, Agron Tufa ka arsye të shëndosha të kërkojë azil politik. Ndër të tjera atë e kishin akuzuar edhe si spiun rus dhe donin ta përgjonin”, tha Erebara. 

Keqardhje ndër intelektualë

Në rrethin e shkrimtarëve dhe shumë aktivistëve që merren me zbardhjen e së kaluarës komuniste në Shqipëri largimi i Agron Tufës  është pritur me shumë trishtim dhe keqardhje.

Keqardhës është shprehur edhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS): “Agron Tufa ka qenë gjithmonë një partner i mirë dhe i besueshëm për ne dhe bashkëpunimi ka funksionuar shumë mirë”, i tha Deutsche Welle-s Florian Constantin Feyerabend, referent për Evropën Juglindore në selinë qendrore të KAS-it në Berlin. “Kjo ngjarje tregon se është ende tejet e rëndësishme që në Shqipëri të vijohet me zbardhjen e së shkuarës komuniste dhe përballjen me të”.

Agron Tufa megjithatë nuk e quan dorëzim largimin e tij nga Shqipëria: “Përkundrazi. I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç. Do jetë kalim ne një cilësi tjetër, ku përgjegjësitë i marr përsipër personalisht, pa u shkaktuar “faturë” të tjerëve”, i tha babai i pesë fëmijëve Deutsche Welle-s. Ballkani/KultPlus.com