Artisti nigerian që ua kthen jetën në normalitet njerëzve në nevojë me proteza silikoni

Një artist nigerian bën protetikën e lëkurës së errët për të rritur besimin e pacientëve.

Michael Sunday ndihet i lumtur derisa admiron dorën e tij të djathtë të re, një protezë silikoni për të ndihmuar atë të kthehej në jetën normale.

Ai humbi tre gishta në një aksident automobilistik një vit më parë.

Protetika ka një ndjenjë hiper-reale dhe, në mënyrë të pazakontë, është me ngjyrë të errët, që përputhet në mënyrë të përkryer me tonin e lëkurës së Sundayt, raporton Reuters.

“Me të vërtetë më ka ndihmuar, sepse unë mund të vazhdoja jetën time normale pa e shikuar dorën time, pa frikë nga diskriminimi ose keqardhja”, tha Sunday, i cili nuk donte që identiteti i tij të zbulohej në kamerë.

Zëri i tij u përfshi nga emocioni, teksa vështroi për herë të parë protetikën.

Shumica e tyre në dispozicion në Nigeri deri më tani kanë qenë të bardha, ose janë bërë nga materiale të tilla si druri.

Studenti 22-vjeçar humbi gishtin e madh dhe gishtat e katërt dhe të pestë në dorën e djathtë, kur automjeti me të cilin udhëtonte bashkë me prindërit e tij më 31 dhjetor 2018, u përplas me një automjet tjetër, transmeton KTV.

E artisti që qëndron pas kësaj mrekullie është John Amanam, një 32-vjeçar, ish-ekspert i efekteve speciale të filmit.

Ai pati interes për protetikën, pasi një anëtar i familjes humbi një gjymtyrë në një aksident.

“Thjesht dua që ata të ndihen mirë dhe mundohem që me punën time t’ua lehtësojë dhimbjen”, tha mes të tjerash Amanam.

Kështu që ai filloi të bëjë gishta, duar, krahë, këmbë dhe veshë protetikë në vitin 2017.

Në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të protetikës, duhen tri javë deri në dy muaj për ta bërë një të tillë.

Amanami nuk ka trajnim zyrtar në bërjen e protetikës, por studioi skulpturën si student i artit.

Ndërmarrja e tij, Immortal Cosmetic Art, është pjesë e një industrie në rritje të shërbimeve që ka ndihmuar ekonominë e Nigerisë të bëhet më e madhja në Afrikë.

Amanami tha se toni i lëkurës që nuk përputhet e bën më të vështirë për njerëzit të ndihen të sigurt me gjymtyrët e tyre artificiale. /KultPlus.com

Joey Kramer humb rastin gjyqësor për t’iu ribashkuar “Aerosmithit”

Bateristi i “Aerosmith” Joey Kramer e ka humbur padinë e tij për t’u kthyer si baterist i bendit në Grammy Awards të së dielës (26 janar), pasi që një gjyqtar i mbështeti shokët e tij të bendit dhe vendosi që ai të mos interpretojë në këtë ceremoni.

Rockeri u bëri thirrje ligjvënësve që ta detyrojnë Steven Tyler dhe pjesën tjetër të bendit që ta rikthejnë atë në bend për koncertin e madh të bendit, pasi që e larguan pas një problemi me krahun në vitin 2019, por gjykatësi pohoi se Joey nuk dha prova mjaft bindëse për t’u rikthyer në skenë pas tërheqjes nga koncertet vitin e kaluar.

“Duke pasur parasysh që Kramer nuk ka interpretuar me bendin në 6 muajt e fundit dhe për shkak të mungesës së provave para koncerteve të ardhshme, Kramer nuk e ka treguar ndonjë drejtim realist alternativ të veprimeve të mjaftueshme për t’i mbrojtur interesat afariste të bendit”, thuhet në aktgjykim.

Kramer e kishte paditur Aerosmithin duke pretenduar se ata po e bllokonin atë t’i ribashkohej bendit për ceremoninë e Grammy dhe galanë MusiCares Person of the Year, pasi që e detyruan t’i nënshtrohej audicionit për t’u rikthyer në vendin e tij në bend.

Burimet e Aerosmithit thanë për TMZ se shokët e bendit konsideruan se performanca e bateristit nuk ishte në maksimum dhe se duhej ta zëvendësonin, shkruan KOHA Ditore.

“Do t’u bënim dëm Joeyit, vetvetes dhe fansave tanë po të interpretonte ai pa kohën adekuate për t’u përgatitur dhe ushtruar”, thuhet në një deklaratë. /KultPlus.com

Duke pritur diellin

Nga: Jim Morrison

Shqipëroi: Bujar Meholli

Kur për herë të parë vezulloi Kopshti i Edenit
ne u dyndëm poshtë në det.

Kemi qëndruar atje në atë bregdet të lirisë
gjithçka kemi bërë është pritja e diellit
po, kemi qëndruar duke pritur diellin

A nuk mund ta ndjesh tani
që pranvera iku e shkoi?

E sheh, tani është koha të jetojmë
nën këto rreze dielli
që kudo po shpërndahen

Të qëndrosh duke pritur diellin
kjo është jeta më e çuditshme që e kam njohur
a mund ta ndjesh këtë? /KultPlus.com

Nata finale e ‘Pen For Culture’ vjen me leximin e eseve nga të rinjtë

E diele, 26 janar | ora 19:00 | KultPlus Caffe Gallery

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë do të mbajë në datat 24, 25 dhe 26 janar, punëtorinë tre ditore me të rinjtë e të gjitha komuniteteve në kuadër të projektit “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen, socializmin dhe punën ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë punëtori janë përzgjedhur dhjetë të rinj prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë talent në të shkruarit e eseve.
.
Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e profesoreshës Vjosa Sadriu – Hamiti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të kenë të gatshme nga një ese të cilën do ta lexojnë para publikut në një mbrëmje dedikuar veçanërisht atyre.

Ky event do të mbahet ditën e diele, në KultPlus Caffe Gallery duke filluar nga ora 19:00.

Në këtë mbrëmje të rinjtë do t’i shoqërojë me muzikë artisti Endrit Rexhepi. Ngjarja është e hapur për të gjithë. Ju presim!

Artisti Taulant Qerkini me mural në Lushnjë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit

Dizajneri kosovar Taulant Qerkini e ka dhënë zgjidhjen për logon/dizajnin për shënimin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës.

Qerkini ka krijuar një mural në Lushnje dhe e ka shpërndarë këtë me publikun përmes faqes së tij në Facebook, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta.

Ky Kongres e zgjodhi për kryeministër Sulejman Delvinën, me kabinetin e tij qeveritar që përbëhej nga Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafëve.

Më 31 janar të vitit 1920-të, Kongresi u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.

Më poshtë gjeni disa foto nga murali i realizuar nga Qerkini. /KultPlus.com

Nânës

Poezi nga Flamur Maloku.

Me fjalë të mëdhaja m’i zgjate krahët,
më përkunde gëzueshëm,
ma rrite shtatin e më dhe dashní.

Nânë,
arra qi mbolle për mue n’borr
Tani zê hijen tonë gjatësisht
Ajo ruen gjethin e lumtunisë
Frymën tânde, n’gjoksin tim.

Nânë,
nji dua me ta thânë qi kurrë nuk ta kam thânë:
Mit i dashnisë je për mue, NÂNË!

Gjermania ia kthen veprat artistike familjes hebraike

Tre vepra të artit që i përkisnin një koleksionuesi hebre, i janë kthyer familjes nga shteti gjerman që i mbante që prej vdekjes së tij në vitin 1941.

Dy prej pikturave vinin nga një grumbull veprash që mbaheshin nga koleksionisti i njohur Cornelius Gurlitt.

Këto vepra janë zbuluar në vitin 2012 nga inspektorët gjermanë në Munich. Babai i Corneliusit ishte një tregtar veprash dhe i shiti ato që nazistët i konsideronin si art i degjeneruar.

Në një ceremoni në Berlin, ministrja e Kulturës, Monika Gruetters, ka thënë se kthimi i pikturave ishte një hap i vogël, por i rëndësishëm, transmeton KTV.

“Ne gjermanët e dimë çfarë kemi bërë dhe e dimë se kurrë nuk do të zhbëhet. Por kthimi i veprave të artit është një hap për drejtësinë”, ka thënë ajo.

Stërmbesa e pronarit të këtyre pikturave, një avokate parisienë, ka thënë se është e prekur me kthimin e veprave.

“Nëse pikturat do të mund të flisnin, ato do të na tregonin për udhëtimin e tyre që prej vjedhjes e shitjeve të rrejshme”, ka thënë ajo në ceremoni, por nuk ka dashur të identifikohet.

Dy pikturat e koleksionit të Gurlitit ishin me ngjyra të ujit dhe të vajit.

Të tre veprat e artit i përkisnin Dorvillit që kërkoi strehim në Francë në qershorin e vitit 1940. Ai vdiq një vit më vonë.

Anëtarët tjerë të familjes së tij u zhdukën në kampin e vdekjes në Auschwitz.

Kur në Francën e okupuar nga nazistët u miratua një ligj anti-semitizmit, trashëgimtarët e Dorvillit vendosën që t’i shisnin të gjitha pikturat në një ankand në Nice gjatë vitit 1942.

Nuk dihet se kush i bleu, por familja kurrë nuk i mori parat e shitjes.

Gurlitti i trashëgoi veprat e artit nga babai i tij dhe me dekada të tëra i ruajti në apartamentin e tij në Munich.

Një ditë pas vdekjes së tij, një muze zviceran mësoi se Gurlitti ishte trashëgimtari i vetëm i 1 mijë e 500 veprave të artit, përfshirë piktura të Pablo Picasos dhe Henri Matisses. /KultPlus.com

Drama “Heda Gabler” vihet në skenën e “ArTurbinës”

“Heda Gabler” është drama e radhës që po vihet në skenën e “ArTurbinës” nga regjisori rumun, Boton Negej.

Në qendër të veprës është vajza e një gjenerali e mësuar të jetojë në luks, por pas martesës gjithçka ndryshon. Në këtë betejë ajo ka partner kujtimin e babait të saj.

“Kjo ishte gjëja më personale për mua, të gjeja disa momente, pak atmosferë sepse fjalët dhe të thënat janë të limituara, ndërsa imazhet janë absolut”, tha mes të tjerash Negej. /KultPlus.com

Gazetarja Fjora: Lufta për Eurovizion “fshatarësi e madhe”

Gazetarja Fjodora Fjora, komenton luftën e fundit për Eurovizion si ”fshatarësi e madhe e ngelur pas mode”.

Edhe festivalin ”Sanremo” i cili përflitet çdo vit edhe në Shqipëri, sidomos këtë vit ku një nga prezantueset e saj do të jetë Alketa Veisiu e sheh si shumë të vjetruar. E ftuar në ”Ditë e Re” në televizionin ”Ora”, Fjora kishte këtë koment: ”Nuk më pëlqen fare Sanremo. Shumë i vjetruar.

Nuk e kuptoj këtë luftën në Eurovizion. Një fshatarësi e madhe e ngelur pas mode. Pse duhet të merremi me një Eurovizion. Është gjëja më koti që ndodh më koti që ndodh në Europë sa i takon artit e kulturës. Nuk e di çfarë përbën për muzikën ndërkombëtare.

Nuk dua as ta minimizoj e as të tregohem fodulle por asnjë nga yjet e muzikës botërore nuk ka pasur asnjë ngasje. Duhet të jemi realistë. Megjithë respektin Eurovizioni apo.. nuk ngre ndonjë peshë të madhe”. /KultPlus.com

Gjashtë librat që shiten me çmime marramendëse

Njerëzimi ka dokumentuar fillesat në letërsi apo ngjarjet historike, përmes shkrimit. Mes morisë së titujve në mbarë botën, ashtu si pikturat edhe librat, mund të kenë çmime marramendëse.

Por, nga të gjitha kohët, numërohen këta libra, si më të shtrenjtët në botë.

‘The Codex Leicester’, Leonardo da Vinçi, 30.8 milionë dollarë

Janë 27 faqe, të mbushura me dorëshkrime të mendimtarit të madh. Libri përmban teoritë e Da Vunçit mbi gjithçka, nga fosilet tek astronomia. Dorëshkrimi ishte blerë për herë të parë, në vitin 1717, nga Thomas Coke, i cili më vonë u bë “Earl & Leicester”. Më pas, në vitin 1980, librin e bleui koleksionisti i artit, Armand Hammer. Në vitin 1994, Bill Gates e bleu në një ankand, për 30.8 milionë dollarë, duke e bërë librin më të shtrenjtë në botë.

‘Ungjijtë, Urdhri i Shën Benediktit’, Henry Lion, 11.7 milionë dollarë

I porositur fillimisht nga Henry Lion, Duka i Saksonisë, për altarin e Virgjëreshës Mari në katedralen “Brunswick”, ky libër ungjilli u ble nga qeveria gjermane, në vitin 1983, për 11.7 milionë dollarë. Libri ka 266 faqe, 50 prej të cilave, me ilustrime. Konsiderohet një kryevepër e shekullit të 12-të.

‘Zogjtë e Amerikës’, James Audubon, 11.5 milionë dollarë

Në vitin 2000, një kopje e këtij libri u shit për 8.8 milionë dollarë. Dhjetë vjet më vonë, një tjetër botim i plotë i kopjes së parë u shit në Londër për 11.5 milionë.

‘The Canterbury Tales’, Geoffrey Chaucer, 7.5 milionë dollarë

Një botim i parë, i shekullit të 15-të, është shitur për 7.5 milionë dollarë në Londër.

‘Folio i parë’, William Shakespeare, 6.1 milionë dollarë

Në vitin 2001, bashkëthemeluesi i Microsoft, Paul Allen, bleu një kopje në Nju Jork.

‘Bibla – Gutenberg’, 4.9 milionë dollarë

Një kopje e Biblës së Gutenbergut, është shitur në vitin 1987, për vlerën-rekord prej 4.9 milionë dollarësh, në Nju Jork./konica.al/ KultPlus.com

Libri shkollor francez sulmet e 11 shtatorit i nxjerr të orkestruara nga CIA

Një shtëpi botuese franceze ka kërkuar falje për një libër shkollor ku sugjerohej se sulmet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA ishin orkestruar nga CIA.

Libri universitar i titulluar “Historia e shpejtë e shekullit XX” është publikuar nëntorin që shkoi dhe përmbante teori të pabaza konspiracioni, por pretendimet e faqes 204 u bënë shpejt virale me mediat sociale kur u pikasën nga bija e një mësueseje që e kishte blerë.

Duke diskutuar mbi grupin xhihadist Al Kaeda, libri thotë: “Kjo ngjarje globale – pa dyshim e orkestruar nga (shërbimet sekrete të) CIA për të imponuar influencën amerikane në Lindjen e Mesme – goditi simbolet e fuqisë amerikane në territorin e saj.”

Më 11 shtator 2001, avionë pasagjerësh të marrë peng goditën Qendrën Botërore tregtare në Nju Jork dhe ndërtesën e Pentagon në Uashington, duke vrarë rreth 3 000 njerëz të pafajshëm.

Por, megjithëse grupi terrorist al-Kaeda, i drejtuar nga kreu i lig Osama Bin Laden, mori përgjegjësinë për sulmet, teori të sëmura konspirative vijojnë të pretendojnë se kjo ishte një “punë e brendshme”.

Libri francez në fjalë është shkruar nga Jean-Pierre Rocher, mësues historie e gjeografie.

Shtëpia botuese Ellipses tha se autori dëshironte të hiqte pretendimin, dhe një korrektim do të shtohet në versionet ‘online’.

Në faqen e saj të internetit kompania kërkonte ndjesë.
“Kjo frazë që i bën jehonë teorive të konspiracionit pa baza faktike nuk duhet të ishte përfshirë kurrë në punim”, thuhej në të. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Tregimi i të mbijetuarës së Auschwitz-it: Ne na dëbuan nga vendi që babai im e bleu, një copë e zemrës sime është thyer

Sheindi Ehrenwald, e mbijetuara e Luftës së Dytë Botërore ka treguar përvojën e saj për median gjermane ‘Bild’, shkruan KultPlus.

Sheindl kishte shënuar në 54 faqet e ditarit të saj dhe dokumentuar tmerrin e Holokaustit të hebrenjve gjatë luftë së dytë botërore me gjithë rrezikun për jetën e saj.

E mbijetuara kishte shkruar në 54 faqet e ditarit të saj duke shpalosur tmerrin që hebrenjt kishin përjetuar gjatë asaj kohe.

Ajo ndër të tjera kishte shkruar në ditarin e saj për internimin e familjes së saj në Hungari dhe se si një pjesë e madhe e familjes së saj ishte vrarë gjatë asaj periudhe.

Atëherë 14 vjeç Sheindi kishte shkruar në ditarin e saj ngjarjen se si ishte përzënë nga shtëpia e tyre familja e saj.

“Po mbledhim plaçkat. Të gjithë mbajnë diçka në duar. Ngutuni, ngutuni. Banesa është zbrazur nga të gjitha. Vrapova shpejt edhe një herë e shikova brenda. Nuk mund të duroj dhe u largova përsëri nga banesa. Dera përplaset dhe mbyllet. Nuk e pashë, pasi nuk po shikoja, por e dëgjova çelësin në dry. Një copë letre e vulosur është ngjitur në të. U ktheve prapa dhe ajo derë është e mbyllur përgjithmonë. E kyçur, e ne na dëbuan. Nga vendi që babai im e bleu. Një copë e zemrës sime është thyer”.

Ndërkaq sot, Sheindi thotë se: “Ndoshta prindërit tonë e dinin atëherë se ku donin të na dërgonin. Por gjithsesi ne nuk dyshonim se donin të na vrisnin”.
Sheindi e familja e saj ishin ishte transportuar me tren të gjedheve, fillimi i një përvoje të hidhur.

Sheindi Miller-Ehrenëald tani 90 vjeç e ulur në apartamentin e saj në Jerusalem. Në pasaportën e saj shkruan se ka lindur në vitin 1928 por ajo beson të ketë lindur dy vit emë vonë, dokumentetet e saj ishin humbur apo shkatërruar në kaosin e luftës së dytë botërore. Para saj janë 54 faqet e ditarit të saj të zverdhura nga vjetërsia. Disa prej faqeve janë të shqyera, të tjerat janë madhësi e kartolinave, të gjitha të mbushura me dorëshkrimin e një vajze.. Kjo është trashëgimia dhe dëshmia e saj. Ajo thotë se tani ajo mund të tregoj për jetën e saj.

Janë 54 faqe tmerri. Sheindi e zgjed me kujdes njërën faqe dhe thotë se ende befasohet se sic ka guxuar të shkruaj gjithë atë. Nuk do të duhej të ishte e mundshme. Ishte shumë me rrezik atje. E unë vazhdoja e shkruaja. Ajo i mbushte ato faqe në fshehtësi në etiketa të pakove derisa punonte në fabrikën e armatimit “Karl Diehl”.

Vetëm tani 75 vite më pas, Sheindi e bën ditarin e saj publik: ”Tani jam gati të tregoj tregimet e ditarit tim botës. Unë së shpejti do të vdes, dhe nuk dua që njerëzit e vrarë të harrohen”. /insajderi/ KultPlus.com

Kolegji Universum organizon konferencën e dytë ndërkombëtare në Kosovë me 7 Universitete partnere nga Evropa

Për të dytin vit me radhë Kolegji Universum organizon Konferencën e dytë ndërkombëtare – Përafrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në: Vlerësimet Ekonomike, Sociale, Politike, Ligjore dhe Teknologjike që do të mbahet nga 27-29 Prill 2020 në Prishtinë.

Këtë vit Kolegji Universum konferencën e organizon në bashkëpunim me 7 Universitete Partnere nga Evropa, siç janë Hochschule Ludwigshafen am Rhein, Instituto Politécnico de Tomar, Universiteti Nova, University de Valladolid, Instituto Politécnico de Beja, Vilniaus kolegija, Adana Alparslan Türkeş Bilim ve Teknologji iversniversitesi.

Kjo konferencë synon të bashkojë studiues, shkencëtarë dhe studentë për të shkëmbyer përvojat e tyre, ide të reja dhe rezultate kërkimore për të gjitha aspektet e çështjeve sociale, ekonomike, ligjore dhe teknologjike.

Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Komiteti Shkencor ka hap thirrjen për dorëzimin e punimeve shkencore, shiko temat për punime https://www.universum-ks.org/conferences/ 

Për më shumë informata rreth Konferencës dhe Universiteteve Partnere të Kolegjit Universum klikoni këtu apo kontaktoni [email protected].

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Isa Boletini për Daily Telegraph: Gjithë jetën time deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.” / KultPlus.com

:https://www.darsiani.com/la-gazette/isa-boletini-gazetarit-te-daily-telegraph-1913-gjithe-jeten-time-deri-ne-%C3%A7lirim-apo-ne-vdekje-une-do-te-luftoj-serbet-greket-malazezet-italianet-austriaket/

Për një shkronjë

Poezi nga Odhise Grillo

Me rrëmujë detyrat,
i bëri Besniku.
E la fletoren hapur,
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo ç’të lexoj!
Në ç’do fjalë të shkruar,
mungonte ndonjë shkronjë!

Atë ditë Besnikun,
e hoqa nga loja.
“Sot,” i thashë, “je ngopur
duke ngrënë shkronja!”

“Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!”

“Nuk bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një shkronjë,
që ti s’e vë,
fjala derë,
bëhet erë,
dhe shtëpia ngel pa derë.

Për një M,
që ti s’e vë,
fjala mik,
bëhet ik.
Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?

Shih, pa shih,
ka dhe më keq!
Për një B,
që ti e heq,
fjala bujk,
bëhet ujk.”

Sytë e Nikut,
mbushen me lot,
do të flasë,
por ç’farë të thotë? / KultPlus.com




100-vjetori i Tiranës kryeqytet, Veliaj: Do të kemi Teatrin më të bukur në Europën Juglindore

Krahas një godine të re për bashkinë, Tirana në këtë 100-vjetor do të hedhë edhe themelet e një teatri të ri modern.

Nga Bulevardi i Ri, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për ndërtimin e një godine të re të teatrit, duke krijuar kushte komode për të gjithë artdashësit.

“Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetarët të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë shtoi se gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente, kurse nisja e punimeve për Teatrin e ri do të lajmërohet publikisht.“Për të gjithë ata që po lodhen aty, për mua rrini sa të doni, po nuk do jua bëjmë pa ditur, do ju lajmërojmë ditën që do të fillojë ndërtimi i Teatrit të ri.

Në finale të gjithë do të mundohemi që të harrojmë kush ishte kundër, siç po harrojmë kush ishte kundër sheshit “Skënderbej, Pazarit të Ri, Lodrave te Liqeni, këtij Bulevardi dhe shumë prej investimeve të tjera sepse besoj kur ndodh gjëra e bukur të gjithë duan të jenë bashkëautorë. Suksesi ka shumë prindër, dështimi ngelet zakonisht jetim se të gjithë e pasojnë. Teatri do të jetë një sukses i këtij 100-vjetori, ku do të fillojmë teatrin e ri, bashkinë e re dhe shumë prej projekteve që i kemi pranë zemrës”, theksoi Veliaj./ atsh / KultPlus.com

Isa Boletini: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

‘Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje, është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës’

Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.

Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?

Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?

Pjesë e shkëputur nga fjalimi  i Mahatma Gandit “To the Women of India”, 4 Tetor, 1930. / KultPlus.com

Rrno për me m’harrue

Poezi nga Ndriçim Ademaj

Flej e dashtuna jeme
e çohu pa mue…

T’kam pa tinëz
tuj ba dashni me mungesën teme
si nji dashnore e hazdisun
t’kam pa e kam lotue,
e kam pa vetminë tande shtri n’vendin tem
si nji dashnor i ri
flej e dashtuna jeme,
un’ sonte nuk vij…

Harroi krejt sonte,
hijen teme dembele tuj u endë nëpër shpi,
flokët e mia t’fjetuna n’gjoksin tand
si rrugë t’shtrume gjethesh
që ke dashtë me i ecë pa mue,

rrno e dashtuna jeme,
rrno për me m’harrue…/KultPlus.com

Salvador Dali, surrealisti më kokëkrisur dhe më përfaqësues i pikturës

Nga Albert Vataj

Kur ndërmendim Salvador Dali, përulemi si nën peshën e një detyrese dhe ndërsejmë në memorien e të tashmes këtë rrufe krijimi.

Në fillimtarin e kësaj qëmtese mëtoj nji prej “predikimeve” të tij, që munet me ken dhe nervi i kësaj shtjelle rrapëllitëse: “Inteligjenca na bën të çlirojmë nëpër mjegull disa nuanca të skepticizmit, që kanë mbi të gjitha për efekt kryesor të zvogëlojnë për ne në disa koeficientë të një pasigurie gastronomike dhe superxhelatinoze, prustiane, të një loje parimisht të lartë. Për këto arsye është mirë dhe njëkohësisht e nevojshme që kohë pas kohe, spanjollët si Picasso dhe unë, të vinim në Paris për t’u vënë para syve francezëve një copëz të papjekur dhe të gjakosur të së vërtetës”. Jo vetëm Parisi por bota krejt u përmend nga kjo përpjekje titanësh.

Salvador Dali është një prej majave që ngërthehet ngulmues përnga lartësitë më të epërme të kuadratit të tablosë. Dhe jo vetëm aq, ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm. Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara fort. Kurrnji oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dali dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dali padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalinë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti i tij, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i rradhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Dali është penelata më e jashtëzakonshme. Nuk kanë nguruar ta thonin këtë shumë ekspert, shumë njohës të korpusit të tij artistik. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dali në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyne, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq gangull. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. Në rrapëllimën e tekave, shprehi këto të gjenialiteti që trashëgoi, ai u ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art./KultPlus.com

GKK shpalos programin e ekspozitave për vitin 2020

Programi i Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2020 është aprovuar nga Këshilli Drejtues i Galerisë dhe është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës për aprovim, shkruan KultPlus.

Menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues, sërish mëtuan që në program të inkuadrojnë sa më shumë projekte që pasqyrojnë realitetin tonë, si dhe atë të artit bashkëkohor në botë.

”Qëllimi ynë me rastin e përpilimit të programit ishte që të prekim sa më shumë çështje globale dhe lokale, që e influencojnë kulturën dhe artin dhe anasjelltas. Këtë do ta realizojmë duke ngritur ide të reja përmes qasjes inovative, drejt një shoqërie sa më të pasur kulturalisht dhe artistikisht, jodiskriminuese dhe gjithpërfshirëse – pa dallim gjinie, race, orientimi seksual apo bindjeje politike.”, thuhet në kominikatën për media.

Galeria Kombëtare ndër të tjerash synon të pasurojë programin me aktivitete të ndryshme që tejkalojnë kufijtë tradicional mes diciplinave artistike, duke shpresuar kështuqë kushtet në të cilat punojnë të përmirësohen dukshëm, duke filluar nga infrastruktura e ndërtesës së galerisë e deri te puna e pavarur institucionale

Programi i ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Kosovës përfshin 11 ekspozita që do të hapen në GKK, nga të cilat 7 janë individuale ( Burim Gashi, Lirie Buliqi, Alban Muja, Sigmar Polke, Jakup Ferri, Zharko Bashevski, Eliza Hoxha) dhe 4 grupore ( Onufri Remade, Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, Artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Bienalja Muslim Mulliqi).

Pos kësaj, përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë Veriore, BiH, dhe Turqinë.

Ndërkaq, në Strehimoren e Bregut të Dielllit do të hapet ekspozita permanente e koleksionit të GKK në kuadër të projektit “Strehimorja e Artit Modern dhe Bashkëkohor” të filluar qysh para dy vitesh me Komunën e Prishtinës.

Programi i Edukimit do të vazhdojë për të tretin vit me rradhë me projektin “ARTTEEN CLUB” i cili u tregua shumë i suksesshëm përnga rritja e interesimit për aktivitete produktive nga ana e të rinjve, si dhe për nga orientimi në karrierë duke i mësuar ata diçka më shumë për artin bashkëkohor.

Programi i Ligjeratës dhe Debatit do të zhvillohet në GKK në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare, ku persona të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare e artit bashkëkohor si kuratorë, teoricienë etj, do të mbajnë punëtori dhe ligjerata në GKK me qëllim zhvillimin e strukturave të qëndrueshme punuese dhe bashkëpunuese mes artistëve dhe punëtorëve kulturorë.

Pos përgaditjeve që tanimë kanë filluar edhe ky do të jetë një nga hapat e parë të GKK si partnere e Manifesta 14, bienales nomadike që do të mbahet në vitin 2022 në Prishtinë.

Gjatë vitit 2020 GKK planifikon të dalë me disa publikime të pavarura nga ekspozitat e përkohshme, në kuadër të Programit të Hulumtimit dhe Publikimeve, e që do të jenë të fokusuara në Koleksionin e GKK. / KultPlus.com

‘Multimedia’ bën përzgjedhjen e shkrimtarëve pjesëmarrës në ‘Prishtina nuk ka lum’

Qendra ‘Multimedia’ në bashkëpunim me ‘Reading Balkans’, ka bërë përzgjedhjen e shkrimtarëve që do të jenë pjesë e rezidencës së programit ”Prishtina nuk ka lum”, për vitin 2020, shkruan KultPlus.

Artistët e përzgjedhur janë:

Zlatko Pakovic nga Serbia, që do të jetë pjesë e këtij programi në muajin tetor të këtij viti.

Jasna Jasna Zmak nga Kroacia dhe Jean Lorin Sterian nga Romania të cilën do të jenë pjesë e këtij programi në muajin dhjetor.

Të tre të përzgjedhurit janë shkrimtarë të cilët kanë treguar mjaft suksese në fushën e letërsisë.

Bashkangjitur keni linkun e plotë për të dhëna më të detajuar rreth fituesëve të këtij programi. / KultPlus.com

Vajza me palltë të kuqe në filmin “Schindler’s List”, nuk përmbushi premtimin ndaj Spielberg

Oliwia Dabrowska, atëherë 3 vjeçe kur edhe e ka luajtur këtë vajzën me palltë të kuqe, pat deklaruar për medie se nuk ka përmbushë premtimin që i kishte dhënë Spielberg, shkruan KultPlus.

Ajo është një ndër skenat më të prekshme, kur një vajzë me palltë të kuqe ec krahas numrit të madh të herbenjëve në filmin e famshëm “Schindler’s List”, të regjisorit të famshëm Steven Spielberg, shkruan KultPlus.

Oliwia Dabrowska, atëherë 3 vjeçe kur edhe e ka luajtur këtë vajzën me palltë të kuqe, pat deklaruar për medie se nuk ka përmbushë premtimin që i kishte dhënë Spielberg.

Regjisori i famshëm Spielberg i kishte kërkuar Oliwias që këtë film ta shikojë kur ti mbushë 18 vjet, mirëpo ajo ka zbuluar se filmin e ka parë në moshën 11 vjeçe./KultPlus.com

Në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit

Në mbarë botën më 27 janar, shënohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, për të nderuar viktimat e luftës së dytë botërore që u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz dhe u lanë të vdisnin urie, shkruan KultPlus.

Bashkësia Hebraike në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizojnë ngjarjen që shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Të pranishëm për të hapur këtë ngjarje do të jenë edhe shumë fytyra publike të njohura, si George Katcharava, Presidenti i Kosovës Hashim Thaqi, Ambasadori Jan Braathu, Votim Demiri kryetar i Komunitetit Hebre të Kosovës, Ambasadori amerikan Philip S. Kosnett dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.

Në këtë ngjarje do të hapet edhe ekspozita ”Komuniteti Hebre i Kosovës para luftës së dytë botërore dhe pas saj”, duke vazhduar më pas edhe me një prezantim të Muezut të historisë së hebrenjëve të Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve.

Ngjarja do të mbahet në Doku Kino – Kompleksi Europa, më datë 27 janar të këtij viti, duke filluar nga ora 12 në mesditë. / KultPlus.com