Të gjeta… Mes rreshtave dhe shkronjave, I fshehur mes kujtimesh, Aty isha dhe unë.
Ishim të padukshëm. U pamë në poezinë ku pinim kafe bashkë!
Kafenë që e lamë në gjysëm herën e fundit.
Ishte aroma e kafesë që i thurrnim dikur vargje. Atë kafe që nuk e pimë kurrë! Në kafenenë që i thonim kafeneja e poezisë, që e shihnim vetëm unë dhe ti.
Në kafene ku kishte shumë njerëz e askush nuk na pa…asnjëherë.
I thonim kafeja e mëngjesit, nganjëherë edhe e mesditës por shpeshherë edhe e mesnatës.
Aromë kafeje mes rreshtave që e nuhasnim vetëm unë dhe ti.
Mbi portretin tënd shkruaj një lutje zotit, Balli i shndërroi fjalë në dritë mëngjesi. Dy epitetet e vetullave Dhe sytë e mëdhenj, sugjestionues, Që unë të besoj se gjithnjë penat e botës Mërmëritin lutjen blu Të syve të tu.
Te buzët Ngjalën fjalët e mia (si puthjet?) Dhe thonë të vërtetën.
Ja lutja-liqen i vogël, dallgëzon Dhe fytyra jote-mozaik I gjallë nën ujë. /KultPlus.com
100 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre. Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.
Në këtë përvjetor u përkujtua nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, shkruan KultPlus.com
Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit. Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.
Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /KultPlus.com
Kanë nisur debatet dhe mendimet rreth rastit të Blert Morinës, djalit i cili e fitoi betejën me shtetin duke e ndërruar emrin dhe gjininë e tij.
Reagim i fortë ka ardhur sot nga Armend Ibrahimi, një aktivist i ri dhe i angazhuar edhe në jetën politike, për disa vite pjesë e LDK-së. Ai e ka quajtur rastin si goditje ndaj institucionit familje.
Ky është postimi i tij i plotë huazuar, pa lejen e Ibrahimit, nga Facebook i tij zyrtar.
Armend Ibrahimi (marrë nga Facebook)
Rasti i Blert/a Morina dhe përdhosja e identiteteve gjinore të Qytetarëve të Kosovës
Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blerta Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në shpërputhje me identitetin e saj gjinor. Pra, emrin nga Blerta ne Blert, dhe identifikuesin e gjinisë, nga F (Femër) në M (Mashkull).
Nuk besoj dikush prej nesh të ketë problem me atë se si dikush ndihet për veten, synojmë ta lëmë të lirë secilin që të ndihet si të dojë për veten e tij, madje edhe për të tjerët, nuk është kjo çështje ndjenjash!
Nëse dëshiron ajo, Shteti mund ta thërras apo ta regjistroj si Ganimete, apo Gani, apo Blert, sido që të dojë. Nuk është problemi se çfarë emri ta kane zgjedhur, apo e zgjedh për veten.
Papajtueshmëria qëndron te fakti se e vërteta natyrore është më e rëndësishme se ndjenjat e dikujt për fenomenin. Njoh qytetarë të Kosovës që do të donin të ishin më të gjatë, njoh të tjerë që do të donin të ishin më të shkurtë. Nuk duhet tash ta pyesim secilin se sa CM dëshiron të ta shkruajmë se je i gjatë në dokumentet e identifikimit (apo se cfarë ngjyre i ke sytë). Ne rastin e gjinisë, kur të lindesh, mjekët të identifikojnë dhe të regjistrojnë.
Pra, secili ka të drejtë ta ketë opinionin e vet personal, por nuk mundet që secili të ketë faktet e veta personale, sepse natyra e fakteve kërkon që të mund të verifikohen edhe nga burime të tjera. Imagjinojeni një situatë kur Meshkujt e ndërrojnë gjininë dhe bëhen Femra për t’u futur në ligën e femrave të Futbollit apo Basketbollit (me demek për tu integruar). Është diskriminim i të dy palëve!
Kur flasim për vlerat, me këtë dhe shumë veprime të tjera Republika e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë sulme të vazhdueshme në Familjen si institucion, vlerë për të cilën karakterizohet Populli ynë.
Madje Gjykata duke i ‘bërë’ të pavërtetat – të vërteta natyrore (pra, duke thënë se Femra mund të bëhet Mashkull dhe Mashkulli – Femër), bënë sulm në të drejtat e njeriut, madje edhe atyre që ende nuk janë, njeriut që do të vjen në jetë, apo atyre që sapo kanë ardhur.
Nga fillimi rasti është dashur të trajtohet si kërkesë për ndryshimin e emrit, gjinia nuk ndryshohet, gjinia nuk prodhohet, është kategori natyrore, është fenomen i matshëm biologjik. Madje edhe Darvini i kishte identifikuar dy gjini, edhe tek Njeriu edhe tek Majmunet.
Teknikisht, ky është një rast me të cilin lejohet falsifikimi i dokumentit identifikues. Faktikisht është cenim i identitetit të më shumë se Milion qytetarëve të Kosovës.
Problemi qëndron se ata që duhet ta kryejnë punën e tyre nuk e kryejnë, e ata që duhet ta ngritin zërin në këto raste, nuk flasin.
Tash duhet të jap përgjegjësi Avokati i Popullit, duhet të flas Myftiu i nderuar Naim Ternava, i nderuari Ipeshkvi ynë Dodë Gjergji. Apo nëse doni ua sjellë një Rabin të nderuar nga Jerusalemi, madje edhe një liberal të shquar nga bota perëndimore.
Shpresoj në mirëkuptimin e kujtdo qe mendimi im apo faktet qe ua solla, ua lëndojnë ndjenjat (pavarësisht gjendjes së tyre mentale). Unë besoj se secili individ i gjallë duhet të trajtohet me dinjitet, pra nuk është kjo çështje e Blertit apo Blertës, por e të vërtetës, veçanërisht kur personalja behet politike!
Frati françeskan shqiptar, i njohur për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, ishte deklaruar edhe për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
At Zef Pllumi, i cili kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë: “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.
Pllumi ishte një prej burrave më me ndikim në ideologjinë fetare ndër shqiptarë. Ai është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com
Pa më të voglin hezitim, ai është aktori që spikati deri edhe me rolet më të vogla. Ndriçim Xhepa, feston sot, 63-vjetorin e lindjes. Pa portretin e tij, ku lexohet qartësisht ndjeshmëria e lartë artistike, eleganca dhe fisnikëria, kinematografia shqiptare nuk do ta kishte këtë spektër nuancash e profilesh.
Ndriçim Xhepa u lind në Tiranë, më 21 Janar 1957. Që prej përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve më 1979, z. Xhepa ka interpretuar në mbi 30 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë: Arseni në Dramën “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahës, Prometeun në dramën me të njëjtin emër të Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën e pasionante të Romeos në tragjedinë e famshme të Uilliam Shekspirit: “Romeo dhe Zhuljeta”. Për interpretimet e roleve e tij, ai është shpallur 3 (tre) herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’ në vitet: 1987, 1989 dhe 2000; 2 (dy) herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ me 1986 dhe 1995. Gjithashtu, ai mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’. Pikën kulminante të karrierës, ai e arriti me interpretimin e rolit të Fernandos në vitin 1995 në Dramën “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit në komedinë “Kapitulli i Dytë” e Nail Saimonit, ku ndryshoi formatin dhe u fut në zhanrin e komikes dhe lirikes.
Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi.
Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën psikologjike në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982). Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse ishte ajo e Alush Beut në filmin “Dasma e Sakos”. /KultPlus.com
Në kohën e mashtrimeve universale, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.
Xhorxh Oruell (George Orwell), me emrin e vërtetë Eric Arthur Blair, lindi në 25 qershor 1903. U arsimua në kolegjin Eton në Britaninë e Madhe. Në vitin 1922, zgjodhi karrierën ushtarake, me qëllim që të shkonte në Lindje, por përvoja si rreshter në Birmani e përballi me brutalitetin e imperializmit britanik, ndaj në 1927 dha dorëheqjen. Më pas, vendosi t’i kushtohet shkrimit. Jetoi duke kryer punëra të vogla, por për shkak të pneumonisë shëndeti filloi t’i përkeqësohej, gjithsesi arriti të botojë disa romane, shkruan Konica.al.
Në vitin 1936, Oruell u nis drejt Spanjës me idenë për të shkruar për luftën civile, por edhe për të marrë pjesë në luftimet kundër Frankos. I plagosur, u kthye në Londër dhe botoi “Homazh për Katalonjën”, dëshmi e angazhimit në radhët e PPBM (Partia e Punëtorëve të Bashkimit Marksist) të likuiduar nga stalinistët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë gazetar pranë BBC-së dhe filloi të shkruante “Ferma e kafshëve”, një përrallë satirike që denoncon stalinizmin. I sëmurë nga tuberkulozi, ai ndërmori shkrimin e romanit të fundit, që u bë më i famshmi: “1984”, botuar disa muaj para vdekjes. Xhorxh oruell vdiq më 21 janar 1950.
Oruell është padyshim një nga shkrimtarët më të rëndësishëm britanikë të të gjitha kohërave, jo vetëm për krijimtarinë artistike, por edhe për filozofinë e tij të jetës dhe për angazhimin perosnal dhe shoqëror. Duke marrë parasysh që shumicën e kohës e kaloi në varfëri dhe i persekutuar nga sëmundje të vazhdueshme, është mrekulli që Oruell arriti të botonte dhjetë libra dhe dy koleksione me ese në vetëm dyzet e gjashtë vjet.
Një filozof vizionar dhe thellësisht humanist, Xhorxh Oruell ende vijon të na tregojë për botën e sotme. Shpeshherë, puna e tij shpesh kufizohet në “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, megjithatë esetë dhe artikujt e shumtë të shkrimtarit hedhin dritë në kohën tonë, nga totalitarizmi kinez deri në “fakte alternative”.
Novelist, poet, eseist dhe kritik, Xhorxh Oruell njihet botërisht për dy romanet “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. Disonanca e thellë e Oruellit me shoqërinë dhe këndvështrimi pesimist për civilizimin modern janë thelbësore për interpretimin e punë së tij. Satira alegorike antisovjetike, që paraqet dy derra si personazhe kryesore: “Ferma e kafshëve” është romani i parë shumë i suksesshëm i autorit. Libri është përshtatur për disa shfaqje televizive dhe filma.
“Në moshën pesëdhjetëvjeçare, secili ka fytyrën që meriton”, – shkruan Xhorxh Oruell. Shtatëdhjetë vjet pas vdekjes, ai është shndërruar në ikonë. “Ferma e kafshëve” është një klasik që deshifron totalitarizmin dhe mekanikën e tij, “1984” është një bestseller universal që hedh dritë si në mbikëqyrjen dixhitale globale, ashtu edhe në epokën e “pas të vërtetës”. Nëse shekulli i 19-të ishte balzakian, i 20-ti kafkian, shekulli i 21-të u bë oruellian. Figura e tij si reporter antitotalitar dhe shkrimtar vizionar është bërë një standard i vërtetë. Për shumë njerëz, Oruell është një vështrim, një fanar. Për të mos përmendur trashëgiminë e tij pa një testament, i cili kundërshtohet nga populistët dhe anarkistët, konservatorët dhe përparimtarët. Në librin “Midis përbuzjes dhe pasionit” del një figurë eklektike dhe pasionante, një reporter tejet mendjelehtë dhe një aktivist politik provokues dhe i pabesë, një personalitet radikal i ngjashëm me romanet e tij.
Shprehja “Të shohësh se çfarë ndodh nën hundë kërkon shumë përpjekje” tregon për vështirësinë që ka gjithsecili prej nesh në përballjen me të vërtetën. Na ndodh rëndom të ndiejmë nevojën për t’u vetëmbrojtur, për ta hedhur vështrimin drejt një perspektive më pak tronditëse dhe të dhimbshme të realitetit që na rrethon, si dhe mënyrën e kufizuar të jetesës tonë. Në një botë të udhëhequr nga rrjetet sociale, ku vetëvlerësimi është rezultat i konkluzionit për famë, ajo çfarë ne jemi të gatshëm të ndajmë është gjithmonë një përpjekje për manipulim, një lloj promovimi vetjak, ku nuk përfshihen defektet dhe veset. Megjithatë, mënyra e vetme për ta kuptuar se kush jemi në të vërtetë dhe ta pranojmë plotësisht identitetin tonë, mund të kalojë vetëm përmes një analize medituese, e cila synon të zbulojë çfarë ofrojmë çdo ditë në botë në mënyrën më të keqe. Dhe këtu e vërteta bëhet një gjest revolucionar, një akt vetësabotimi që ndryshon formën dhe bëhet një manifestim i guximit dhe besnikërisë.
Sado e maskuar qoftë, lëmosha është gjithmonë e tmerrshme: ekziston një parehati, pothuajse një urrejtje sekrete, mes atij që jep dhe atij që merr. /KultPlus.com
Prej vitit 1990, Hank Azaria, i cili është i bardhë, ka vetëstilizuar një theks të “stereotipizuar” indian për Apu Nahasapeemapetilon, pronarin e dyqanit “Kwik-E-Mart” në seritë e animacionit “The Simpsons”.
Apu njihet për frazën e tij: “Faleminderit, eja përsëri”. Por, krijuesit e “The Simpsons” ishin subjekt i kritikave në fund të vitit 2017, me publikimin e një dokumentari nga komediani Hari Kondabolu, i cili intervistoi artistët e tjerë me origjinë indiane dhe nga Azia jugore për të dokumentuar ndjenjat e tyre për personazhin. Në dokumentarin “The Problems with Apu”, komediani krahason portretizimin që të bardhët ia bëjnë një karakteri indian me atë të një afrikano-amerikani.
Dokumentari citoi Azarian, duke folur në një intervistë të mëparshme. ”Që në ishte: “’a mund të bësh një zë indian dhe sa ofensiv mund ta bësh atë”, ka kujtuar ai, kur i ishte kërkuar ta bënte rolin.
Të dy, Azaria dhe krijuesi i “The Simpsons”, Matt Groening, nuk pranuan të shfaqeshin në dokumentar.
Por, tani Azari po largohet pas 30 vjetëve si Apu.
“E gjitha për të cilën jemi pajtuar është që unë nuk do ta bëj më zërin e Apus”, ka thënë Azari të premten për “SlashFilm”. “Se çfarë do të bëjnë ata me karakterin, u mbetet atyre. Është në duart e tyre, por nuk është se kanë marrë ndonjë vendim”.
Debati që ishte shkaktuar nga “The Problem with Apu” në një mënyrë të argumentueshme, ka qenë frymëzim për vendimin.
“Ideja se kushdo, i ri apo i vjetër, në të kaluarën apo tani, ishte ngacmuar, përqeshur apo edhe më keq, bazuar në karakterin Apus në ‘The Simpsons’, në zë apo çfarëdo karakteristikë tjetër, është shqetësuese”, ka thënë aktori, pasi që e kishte parë dokumentarin. “Dhe veçanërisht në Amerikën e pas 11 shtatorit, ideja që dikush ishte i margjinalizuar bazuar në të ose kishte një kohë të vështirë, ishte shumë shqetësuese për mua personalisht dhe profesionalisht”.
Por, disa adhurues të emisionit kanë argumentuar në mediat sociale se personazhi Apus, gjatë tri dekadave, kishte evoluar në një personazh kompleks, i cili kapërcen stereotipet.
Disa në mediat sociale argumentuan se të ashtuquajturit luftëtarë të drejtësisë sociale, po mbyllnin personazhin për hir të korrektësisë politike, një pikë që “The Simpsons” gjithashtu e bëri në vitin 2018 në një episod pas publikimit të “The Problem with Apu”.
Në këtë drejtim, moderatori irlandez Niall Boylan, ka thënë se “disa zëra të fyer janë duke diktuar atë që mund të themi”.
Të tjerët e mbështetën vendimin. Një komentues në Twitter ka thënë se aktori Azaria ka marrë një “mendim të duhur”
Por, prodhuesit dhe kompania “Fox Broadcasting” nuk e kanë konfirmuar akoma daljen e Azarias, ose fundin e personazhit Apu, i cili është pjesë e “The Simpsons” që në episodin e parë në vitin 1990.
Seriali i animuar, i cili u transmetua për herë të parë më 1989, ka fituar më shumë se 30 çmime “Emmy”. Dhe përkundër rënies së audiencës në vitet e fundit, prodhuesit e “Fox” kanë treguar besim dhe thanë që ata ishin të përkushtuar që të vazhdojnë “The Simpsons”, të paktën deri në sesionin e 32-të në vitin 2021. /KultPlus.com
Dita e dasmës është e gjatë dhe kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Takat e larta shpesh janë problemi kryesor i kësaj dite të gjatë, andaj shumë nga vajzat vendosin të veshin atlete në këtë ditë të rëndësishme, përcjellë KultPlus.
Për të ju bërë
më të lehtë zgjedhjen, kompania e famshme Converse ka nisur tashmë dizajnimin e
atleteve të cilat do të jetë enkas për nuset dhe dhëndurët.
Prej disa
sezonesh tashmë, markat më në zë të modës kanë vendosur t’i kombinojnë kostumet
me atlete të ndryshme, por Converse ka ofruar edhe mundësinë që atletet të jenë
edhe të personalizuara me emrin tuaj.
Marka e
njohur ka zbuluar tashmë një gamë të gjerë stilesh të përshtatshme për nusen
dhe dhëndrin, por, për fat të keq, për momentin, i gjithë koleksioni i ri është
hedhur në treg vetëm në Amerikë. Megjithatë, disa prej këtyre modeleve janë në
dispozicion edhe në Britani dhe shumë shpejt, harta e shpërndarjes do të jetë
edhe më e gjerë.
Koleksioni
përfshin këpucë të bardha të thjeshta, të sheshta, por edhe të larta, madje
edhe të zeza të qëndisura me trëndafila, të cilat do të ishin ideale për
dhëndrin.
Postimi në faqen e internetit të Converse thotë: “Krijuar me teknologjitë më të fundit dhe më inovative të këpucëve, Converse është krijuar për t’u mbajtur veshur gjithë ditën, kështu që mund të vallëzoni deri vonë në dasmën tuaj e të ndiheni rehat deri në orët e para të mëngjesit.” / KultPlus.com
Instrumentistja shqiptare Hava Bekteshi e cila po zhvillon karrierë në arenën ndërkombëtare, ka arritur të jetë pjesë e një koncerti të madh në Gjermani, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për koncertin “Stadtlied” në Elbphilharmoninë e Hamburgut, në të cilin ajo ka marrë pjesë si instrumentiste e çiftelisë dhe si këngëtare. Bekteshi gjatë workshopit që u mbajt aty, u admirua nga stafi pasi performoj një pjesë me çifteli, po ashtu Milaim Islami e shkroi një tekst për të në të cilin përshkruhet e kaluara e saj që nga mërgimi e deri te arritjet në muzikë.
Ai këtë këngë e emëroi “Tingëllon teli i çiftelisë” nën kompozimin e melodisë nga Fatmir Makolli. Teksti është përkthyer në gjuhën gjermane dhe i njëjti tani gjendet në mediatekën e Elbphilharmonisë të Hamburgut.
Përveç këngës që e ka performuar ajo, ka kënduar edhe këngë tjera, e madje ka luajtur edhe në instrumentin e kitarës. Instrumentistja shqiptare pati vëmendje pas performancës me çifteli, andaj edhe u zgjedh nga stafi i njërit prej televizioneve më të shquara gjermane “RTL-Nord” si protagonistja kryesore, ndërsa më pas asaj i është bërë edhe një portret për pjesëmarrjen e saj me instrumentin e çiftelisë.
Në koncert kanë qenë 100 pjesëmarrës, dhe jo të gjithë pjesëmarrësve u dha mundësia të performojnë aty. Duhet theksuar se ky koncert është i madh në Gjermani, aty ka pasur ushtrime përmbi gjysmë viti me të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti shquhet për programin e pasur që ka, ku hyn edhe muzika klasike.
Instrumentistja Hava Bekteshi po vazhdon të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, me lojën e saj në instrumentin e çiftelisë të cilin po e bën të njohur në botë, sikurse kulturën tonë në përgjithësi. Ajo do të marrë pjesë edhe në koncerte tjera të mëdha. /KultPlus.com
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare, në një ripostimit të statusit të Kongresit Botëror të Hebrenjve në Twitter, shkruan se “gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare, në një ripostim të statusit të Kongresit Botëror të Hebrenjve në Twitter, shkruan se “gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Postimi i plotë i ambasadores
“Krenar të jesh pjesë e një kombi që qëndroi në anën e duhur të historisë, në kohën e duhur, dhe mori vendimin e duhur. Gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Në postimin e tij në Twitter, Kongresi Botëror të Hebrenjve (The World Jewish Congress) shkruan:
Gjatë Holokaustit, qindra hebrenj gjetën strehim në Shqipëri, një nga vendet e pakta me shumicë myslimane të Evropës. Shqipëria ishte i vetmi vend që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebreje sesa kishte më parë. #NeKujtojmë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 14-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se ai ka qenë përfaqësuesi dhe artikuluesi më i mirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në akademinë përkujtimore që LDK mbajti sot për të nderuar veprën e Rugovës, Mustafa theksoi rëndësinë e tij në shtet-formimin e Kosovës.
“Humanist i rrallë, dijetar i mbrehtë mbi të gjitha njeri i urtë, por shumë konsistent në pikëpamjet dhe qëndrimet e tij, Rugova u bë zëri i plotë i popullit të tij kudo në botë. U bë përfaqësuesi dhe artikuluesi më i mirë dhe më i besueshëm i synimeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci”, tha ai, përcjell kp.
I pari i LDK-së, duke folur për presidentin Rugova, tha se ai do të kujtohet gjithmonë si një politikan i urtë dhe këmbëngulës.
“Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, por këmbëngulës që synonte të edukonte me konceptet, mendimet e humanizmin, skenën e ashpër politike në Kosovë. Rugova thërriste për mirëkuptim për solidaritet të brendshëm, thërriste për dominim të arsyes. Kjo thirrje është aktuale edhe sot aq sa ishte edhe aktuale edhe periudhën në të cilën jetoi Ibrahim Rugova”, u shpreh Mustafa.
Mustafa mes tjerash theksoi se ish-presidenti Rugova më mirë se kushdo tjetër e ka dëshmuar se Kosova i takon Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe në pikëpamje kulturore.
“Rugova më mirë se kushdo tjetër e provoi se Kosova i takon Evropës, jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe politikisht dhe në pikëpamje kulturore. Mbi këtë koncept, ai i krijoji Kosovës shumë miq, të cilët pastaj patën ndikim shumë në ndërtimin e aspiratës të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi’, tha Mustafa.
Pas një sëmundje të rëndë më 21 janar të vitit 2006, ish-presidenti dhe njëherësh kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë. Çdo përvjetor, përfshirë edhe të sotmin qytetarë dhe anëtarë të LDK-së bëjnë homazhe te varri i tij. / Koha.net / KultPlus.com
Libri “Katalogu i Dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës”, u promovua sot, në 51 vjetorin e themelimit të Arkivit Komunal të Prishtinës.
Në vitin 2017, një delegacion i Komunës së Prishtinës i kryesuar nga nënkryetari Muhedin Nushi, ka zhvilluar një vizitë në Arkivin e Perandorisë Osmane në Stamboll dhe ka arritur të tërheqë mijëra dokumente, në formë digjitale, të dokumenteve të kohës së administratës së Perandorisë Osmane, për dhe nga Komuna e Prishtinës.
Këto dokumente janë të përkthyera dhe listuara në një botim të veçantë. / KultPlus.com
Jo vetëm për rrëfimin dhe rolet e aktorëve, por filmi “Joker” ka hyrë në garë edhe për kolonën zanore të filmit.
Është 36-vjeçarja, Hildur Gudnadottir, e cila është bërë gruaja e parë që ka fituar çmimin “Golden Globe” për krijimin e muzikës në filmin “Joker”.
Ajo është nominuar edhe për shpërblimet “Oscar” dhe “Bafta”, raporton KTV.
Islandezja deri tash ka bërë jetë të qetë në Berlin, por tani ajo pritet t’iu bashkohet yjeve të Hollivudit në tepihun e kuq.
36-vjeçarja thotë se ka ushtruar që nga mosha 4-vjeçare derisa suksesin e saj e lidh edhe me fat.
“Ka pasur shumë diskutime për rolin e gruas në industrinë e filmit e atë të muzikës. Në përgjithësi duam të dimë se ku janë gratë”, ka deklaruar ajo.
Ajo është gruaja e pestë kompozitore që nominohet për “Oscar” në 92 vjet.
Ajo thotë se zakonisht krijon tingujt pasi që të përfundojnë filmat. Në rastin e filmit “Jocker”, ajo e ka marrë skenarin më herët dhe me punën e saj, ka ndikuar direkt edhe në skena sikurse ajo e vallëzimit në banjë.
Ajo thotë se kur e ka krijuar muzikën për “Chernobyl” ka udhëtuar deri në Lituani që të arrijë ta përçojë mesazhin për pasojat e rrezatimit.
E kur të përfundojë ndarja e çmimeve, Gudnadottir thotë se do të pushojë nga muzika e filmave për t’u marrë me muzikë si solo këngëtare.
Çmimet “Grammy” do të ndahen më 26 janar derisa ato “Oscars” më 10 shkurt. / KultPlus.com
Në kohën e “Ikjes së Madhe” të pasardhësve të familjeve shkodrane që
vendosën themelet e politike dhe kulturore
të Rilindjes dhe formimit kombëtar nga qyteti i tyne i zemrës, publikut
i vjen nji libër i veçantë, që përmban mesazhe kuptimplote mbi kujtesën
historike dhe nevojën korigjuese dhe ripërtëritëse të ish kryeqendrës së
Shqipnisë.
Albumi HISTORI SHKODRANE NË FOTOGRAFI, i konceptuem dhe i realizuem nga
zotni Pjetër Logoreci, asht fryt i nji pune sistematike kërkimore disavjeçare
të autorit në disa arkiva të Republikës Federale të Austrisë: në Arkivin e
Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, Arkivin e Bashkisë
së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e
Bibliotekës së Universitetit të Gracit.
Të ecësh besnikërisht sot në udhën kulturore, politike, atdhetare dhe
emancipuese të përcaktueme nga nji bashkësi e papërsëritshme qytetarësh dhe
intelektualësh të shquem, asht nji sfidë dhe betim fisnik që e ndeshim rallë në
ditët tona. Megjithate, ne e gjejmë atë të konkretizuem në aktivitetin e
përditshëm të Pjetër Logorecit. Do të mjaftonte ky album, për të kuptue përkushtimin
dhe betimin me veten, që autori ka ba, per me i qendrue rrugës së dikurshme të
përsonaliteteve krenare të familjes së tij dhe Shkodrës së njërëzve të urtë,
themeluesve të gjuhës së shkrueme shqipe, të shkollës, historisë kombëtare, bazave
të politikës albanianiste dhe europianiste, lëvizjes ma të përparueme drejt
mevetësimit, konceptimit të shtetformimit dhe jetës politike bazue mbi
kushtetutë dhe liri.
Pa e njoftë modelin edukativ familjar dhe komunitar shkodran ku asht formue
Pjetër Logoreci, nuk mund të shpjegohet, se si nji emigrant i zakonshëm në
dukje, përdor oportunitetin rastësor të rezidencës për 22 vite në Austri, për
t’iu kushtue zbulimit nga arkivat e vendit të drejtë protektor të Shqipnisë, të
historisë kulturore, politike, sociale të Shkodrës, kryeqendrës tradicionale të
Gegnisë, historisë politike të Shqipnisë, njerëzve të shquem të saj që
themeluen shtetin. Asht modeli i dashnisë së pa interes për Shqipninë arbnore
të europianizueme, shtysa qe ka udheheqë prej kohëve të errëta të pushtimit
otoman, dhjetra e qindra familje shkodrane, në aspiraten dhe lëvizjen për
emancipim kulturor, administrativ dhe politik. Janë të njejtat familje që
sfiduan me qendrese të naltë intelektuale, regjimet autoritare të krijueme në
vend në vitet 1920-, 1930’. Të njëjtat qe nuk u përkulen dhe e sfiduan me urtësi,
në heshtje diktaturen e injorancës gjakatare. Asht pjesa e Shqipnisë së
vetedijshme, minoranca e qytetnueme e dashnise së pa-interes ndaj atdheut,
popullit dhe te ardhmes në progres dhe unitet të padallimtë. Asht ajo bashkësi
që u nxor jashtë në heshtje dhe me djallëzi, ne vitet e tranzicionit prej
vendit, duke e dobësue rrugën qytetnuese dhe normalizuese të Shqipnisë. Ajo që
sot sheh nga jashtë vatrës labeate, rrugën pa krye dhe pa udhëzim atnor që ka
marrë vendi.
Duke ndjekun me mundësitë e tij modeste, udhen e ideatorit te
Klubit «Gjuha Shqipe” (1908), autorit të “Historise së Përgjithshme”,
delegatit të Shoqnisë «Agimi» në Kongresin e Manastirit, Kryetarit të «Komisis
Letrare», Kryeredaktorit të Fletores “Vullneti i Popullit”, 1929-1930,
shkrimtarit dhe patriotit në za Mati Logoreci, anetarëve të tjerë të familjes
së vet, nder te cilet spikat shkrimtari, gazetari i BBC, Anton Logoreci, Pjetri
na sjell sot nji libër që duhet «lexue» me kujdes përmes fotove të vendosuna në
nji rend tematik dhe kronologjik mjaft mirë të menduem.
Të përpilosh nji vepër për Shkodrën, nuk mund të mos thuash dy fjalë për
këtë zhvillim të posaçëm të këtij qyteti, nuk mund të lësh pa shpjegue arsyet e
zhvillimit të diferencuem dhe të spikatun, në aspektin e kandit të naltë të
konceptimit të Shqipnisë, se lirë, të pavarun dhe të modernizueme. Rrethanat
lidhen jo vetëm me faktin se ky qytet ishte ndër ato qendra urbane në Veri që i
mbijetoi proceseve ruralizuese në trevat shqiptare gjatë pushtimit otoman, por
se me Shkodren lidhet rihyrja graduale e Europës në Shqipni, përmes ndriçimit
të vatrave mbijetuese të Arbnisë. Nji rol të posaçëm në këtë depërtim kulturor
dhe rizgjues të popullsisë ka luajtë
Austria dhe ma vonë edhe Italia.
Duhet të kujtojmë, se Austria,
që nga shekullit XVII kishte marrë mbi vete të drejtat e
mbrojtjes së katolikëve të Perandorisë Osmane. Në konceptin e Protektoratit të
Kultit përfshiheshin ngritja dhe mirëmbajtja e kishave, arsimimi i klerit dhe
mbrojtja e kongregacioneve në Shqipni. Mirëpo aktivitetin e vet në politikën e
shtrirjes drejt Lindjes, Austria nuk e kufizoi vetëm në kufizat komunitare
religjioze, por e shtriu për të gjithë popullsinë shqiptare, pavarësisht
besimit. Pas marrjes së kësaj të drejte, që në shekullin e XVIII, Austria
filloi të hapte konsullatat dhe nën-konsullatat e veta në trevat shqiptare,
ndër të cilat, ajo e Shkodrës zën nji pozicion me randësi të cilësueme. Gradualisht,
për shkak të këtij aktiviteti austriak, filloi gjallërimi i veprimtarisë
humaniste, ngritja e institucioneve të arsimit, përkrahja indirekte e
zhvillimit kombëtar dhe mbajtja me subvencionime dhe bursa mësimore e kuadrit
të ri vendas. Austria sidomos që nga Kongresi i Berlinit deri në fund të Luftës
së Parë Botërore e intensifikoi në nivele shumë të nalta këtë aktivitet në
drejtim të formësimit arsimor, kulturore dhe mëvetësues të Shqipnisë, nga
Shkodra. Për rivalitet, nga dekada e fundit e shekullit XIX, kësaj veprimtarie
iu bashkue edhe Italia. E gjithë kjo veprimtari edhe u prodhua prej dy fuqive
mike dhe rivale, por edhe rastisi me Rizgjimin Kombëtar të Shqipnisë.
Falë punës së palodhun të Austrisë, në Shkodër u themeluen institutet
mësimore dhe kulturore të drejtueme prej Klerit Katolik, në Shkodër e në
rrethet e saj. Gradualisht, në dekada, në shkollat e etërve Jezuitë dhe
Françeskanë, rinia shkodrane, shkollore dhe jashtëshkollore, mori prej barinjve
të kishës së financuem me mençuri nga vendi protektor, një arsimim solid
shkencor dhe një edukatë të naltë morale dhe atdhetare. Jo vetëm në qytet, por
edhe në viset ma të largëta të Alpeve tona, frati shqiptar ndezi kudo votren
arsimore dhe kulturore arbnore, duke zgjue atdhedashuninë e ndrydhun prej
shekujve të shtypjes mizore dhe duke edukue gradualisht fatosat e lirisë së
ardhshme.
Ky tharm i ngjizun prej Austrisë dhe Italisë, nuk prodhoi shërbenjës të
politikave të Vjenës dhe Romës; nuk prodhoi austriakë apo italianë, por veç
shqiptarë të denjë të pararojës mëvetësuese në fillimin e shekullit të XX.
Ishte rrjedhojë logjike e nji programi zhvillimi dhe emancipimi të gjithanshëm
të kombit që dilte nga errësina.
Albumi i Pjetër Logorecit sjell pikërisht këtë kohë kur Shkodra udhëheq me
arritjet e saj nën proteksion, drejton me vizion dhe stekë të naltë Shqipninë
Arsimore, Gjuhësore, Letrare dhe komb-formuese. Janë vitet, kur mbas shpalljes
së Kushtetutës së vitit 1908, liria e parë e arbënve e dalun në dritë vetvetiu,
nuk mund të futej ma në errësinë. Janë vitet kur Malësia, Kosova dhe e gjithë
Shqipnia buçet prej pushkëve të djeljmnisë së saj, të frymëzuem prej flamurit
të qendisun nga shkodranët dhe të naltësuem prej Lekëve të Malësisë të drejtuem
prej Ded Gjo’Lulit. Janë kohët e projektit të autonomisë dhe mëvetësisë, që
ringjallën ndërkohë frikërat e krajlëve për të ndalun daljen madhështore në
Adriatik të Ilirisë. Këtë kohë të madhe të Rilindjes Kryengritëse (1908-1912),
të Qendresës ndaj Krajlëve (1912-1913), Shtetformimit të parë (1912-1914), Luftës së Madhe
(1914-1918) dhe administrimit të lavdishëm austro-hungarez (1916-1918), Pjetër
Logoreci, përmes fotove të vendosuna në nji rend tematik na e sjell ne sot. Në
këtë album gjejmë fotografi të realizueme nga grupi i gazetarëve të kuartierit
të luftës në Shkoder, por edhe në të gjithë Shqipninë.
Skenat e luftës me Malin e Zi, llogoret në Tarabosh, bombardimi i qytetit,
pamjet e kishave dhe shtëpijave të shembuna, trupave malazeze në rrugët e
Shkodres, do na kthejnë ne, në rrëfimet e gjyshërve tonë mbi kohën e rrethimit
6 mujor të qytetit, tetor 1912 deri në prill 1913.
Fotot e delegacjonit të fisnikëve shqiptarë të primë nga Nikollë Kaçorri,
në Vjenë, apo të figurave të njohtuna të atdhetarëve shqiptarë, që kanë pasë
Lidhje me Vjenën, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Kolë Rrota,
Gjergj Pekmezi etj., i japin nji mesazh aktual ndërgjegjës sonë të sotme të
ç’orientueme, mbi nevojën e një vendosjeje të qendrueshme përkrah miqve të
vertetë të europianizimit dhe perëndimizimit të Shqipnisë, së ndalun sot në nji
kryqëzim të panjohun. Autori, sipas meje, jo pa qellim na ka sjellë fotot e
mirënjohjes së elitës shqiptare të kohës ndaj Perandorit Franc –Jozef. Bahet
fjale për delegacionin shqiptar që ka shkue me ba homazhe tek vorri i sovranit
të vëmendshëm dhe largpamës, por edhe për të përshëndetë e njohtë Kaiserin e ri,
Karl, i cili udhëhoqi perandorinë dualiste në dy vitet e fundit të jetës
shtetnore. Në këtë album ne do të gjejmë foto-dëshmi të vizitës së Arqidukës
Maximilian (pjestar i familjes perandorake), i shoqnuem nga trupat ushtarake
austro-hungareze; foto nga ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhës nga ushtarakët
austro-hungarezë, në kohën e administrimit austriak të Shqipnisë, kohë që la
vulën e vet në rithemelimin shtetnor pas Luftës së Parë Botnorë, nga dhjetori
1918 deri në nëntor 1921. E them këtë sepse në vitet 1916-1918 u hodhën bazat e
europianizimit institucional të vendit nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë
austriake; gjuha shqipe u ba gjuhë zyrtare për herë të parë në administratën
vendase, drejtimi u vendos mbi kriteret e respektimit të hierarkisë
intelektuale, konservatorizmi feudal i trashëguem u zmbraps në mënyrë
rrënimtare, fuqitë ballkanike që punonin më vendosmëri kundër Shqipnisë për ta
destabilizue, u dërrmuen nën goditjet e ushtrisë së perandorisë mike.
Albumi asht jo vetëm nji kujtim i nji kohe të shkueme dhe homazh për brezin
e gjyshërve tonë idealistë dhe atdhedashës, por unë e lexoj ate edhe si nji
thirrje për të gjithë ne, brezin e sotëm të të mbijetuarve të përsekutimit të
komplikuar komunist dhe neokomunist, që të bajmë çfarë kena mundësi për të
ndalun tatëpjetën e fundosjes në heshtje të një kulture krenare dhe identitare.
Pjetër Logoreci indirekt dhe me finese ban thirrje për të mos e lëshue vendin, përfaqësinë krahinore dhe qendrore të Shkodrës, në duar servitorësh terminale të politikave asgjësuese të pozicionit parësor të Rozafatit, fatin e vendit në mëshirë të duerve të mbrapshta që e kanë kapërthye. Asht koha e ndërtimit të nji programi politik të mbështetun në traditën dhe në bashkëkohësinë dhe e përdorimit të studiuem të burimeve të kualifikueme intelektuale dhe teknike, që familjet shkodrane kanë formësue në dekadat e fundit, për t’i shërbye si vullnetarë rilindas vendlindjes që lengon dhe therret për ndihmë./KultPlus.com
Diskutohet shpesh, se kur janë gjurmët e para që dëshmojnë ekzistencën e Tiranës si vendbanim. Së fundmi po qarkullojnë teza se Tirana është themeluar nga iranianët.
Lidhur me këtë tezë ka reaguar avokati Altin Gonxhaj i cili ka shpërndarë dokumentin e nxjerrë nga studiuesi Aurel Pasari nga libri i autores Brunehilde Imhaus.
Në atë dokument referohet se që në vitin 1372 ka gjurmë të ekzistencës së Tiranës si vendbanim arbëror. Sipas autores, emri i Tiranës gjendet në Venezia, si mbiemër i refugjatëve shqiptarë që kërkuan azil pas dyndjeve osmane.
Postimi i plotë Gonxhajt:
TIRANA EKZISTONTE SI VENDBANIM ARBËROR PARA 1372!
Studiuesi Aurel Plasari sot nxorri dokumentin (librin studimor) të autores Brunehilde Imhaus që referon se që në vitin 1372 ka gjurmë të ekzistencës së Tiranës si vendbanim arbëror dhe kjo e dhënë sipas autores gjendet në Venezia, (madje dhe është e noterizuar nga noterët e kohës) emri i TIRANËS si mbiemër i refugjatëve shqiptarë që kërkuan azil në Venezia pas dyndjeve osmane! Deri më sot gjurma më e hershme si vendbanim Tyranna e kishim nga Barleti tek Historia e Skënderbeut (1508-1510) Ndërkohë pre dekadash vazhdon loja e shpikjes së identitetir turk të Tiranës (shek. XVII,) dje për t’i bërë qejfin Birit të Ahmenedinexhsdit, na e nxorrën Tiranën të themeluar nga iranianët!!!
“A proposito di nomi e relative provenienze geografiche, troviamo una sorpresa particolarmente degna di nota allorché ci imbattiamo in un certo Petrus “de Tirana”, il che dimostrerebbe che, già nel Quattrocento, Tirana era già abbastanza nota e forse sufficientemente sviluppata perché il suo nome potesse essere utilizzato come indicativo di provenienza. Fatto ancor più rilevante, se si considera che, nelle descrizioni dei viaggiatori europei del primo Ottocento, e nelle cronache storiografiche in genere, Tirana viene indicata come città di fondazione turca, “dove intorno al 1600 non c’erano che una foresta e alcune misere capanne”.”
Në koment, për skeptikët, edhe një foto nga faqja 528 e librit…
Ibrahim Rugova është një personalitet i njohur, i botuar dhe i studiuar kryesisht si estet, kritik e teorik i letërsisë dhe si prijës e krijues i pavarësisë së shtetit të Kosovës. Gjatë punës sime tashmë të përfunduar për një bibliografi për dhe mbi Rugovën, kam vërejtur se shumë pak është thënë e shkruar për kontributin e tij në fushën e bibliografisë dhe atë të përkthimeve. Po thuaj se nuk ka më shumë se tre a katër autorë të cilët janë marr me Rugovën si bibliograf e përkthyes dhe këtë e kanë bërë qoftë kur shkruajnë për ndonjërën prej veprave të tij apo edhe kur shkruajnë për ndonjë autor tjetër si ndihmë për arsyetim e argumentim të asaj që shtrojnë në studimet e tyre. Në këtë mes po përmendim Tahir Foniqin, Ilir Shytën e Albanë Mehmetajn për bibliografinë, Iljaz Kadriun mbi përkthimin e librit Nocione të estetikës të Sharl Lalos.
Rugova bibliograf
Puna bibliografike e Rugovës e botuar në gazeta e revista dhe në veprat e tij për kah rëndësia dhe vëllimi e rendit atë ndër bibliografët më të rëndësishëm të kohës. E konsiderojmë të tillë thjesht për shkakun se me punën e tij bibliografike Rugova ka vu themelet e bibliografisë komentuese te ne, apo siç thotë një bibliograf i ditëve tona Ilir Shyta “Ibrahim Rugova ngelet pionieri i parë i kësaj metode për bibliografinë e arsyetuar”.
Përpjekjet e para për këtë lloj metode (për bibliografinë e komentuar) i gjejmë në kapitullin e IV. Vlerësime të librit Strategjia e kuptimit botuar më 1980. Në këtë kapitull që lidhet me vlerësimin e vëllimeve poetike të botuar në Kosovë në periudhën kohore 1945-1979 ai bënë cilësime vlerësuese për secilin autor dhe vëllim poetik. Kjo punë e bërë në këtë libër nuk është përmendur thuaj se asnjëherë publikisht. Ndoshta edhe për shkakun se metoda që përdor dhe rezultatet që nxjerrë në studimin e tij janë konsideruara si punë jo serioze varësisht prej “notave” që kanë marrë librat e komentuar apo edhe për shkaqe të mos njohjes së kësaj fushe.
Këtë punë dhe këtë metodologji Rugova e ka finalizuar në librin Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983.
Në strukturën e kësaj monografie një vend me rëndësi për librin e në veçanti për bibliografinë zë kapitulli Bibliografi. Përmes saj Rugova ka treguar se ka dije të thellë edhe nga fusha e bibliografisë. Kapitulli i këtij libri i takon llojit të bibliografisë përshkruese e pjesa më e madhe saj komentuese për çka edhe është i ndarë në: 1. Bibliografi përshkruese e librit 1861 – 1944; 2. Bibliografi komentuese e kritikës në shtypin shqiptar 1883-1944 dhe 3. Lista e organeve të shtypit 1848-1944. Rëndësia e veçantia e bibliografisë komentuese qëndron në hulumtimin, arkivimin dhe dijen mbi metodat dhe analizat e teksteve që individi përpiqet që lexuesit e studiuesit t’ia jap jo si informim por si komentim tekstesh. Prandaj edhe dija teorike e estetike e Rugovës i ka mundësuar atij që secila njësi bibliografike të merr përmasat e tilla komentuese e vlerësuese. Me të drejtë studiuesja Albanë Mehmetaj duke analizuar këtë vepër dhe kapitullin në fjalë të Rugovës konstaton “ se Rugova merret intensivisht e sistematikisht me këto dy probleme (është fjala për kritiken letrare dhe bibliografisë kritike) del qartë, sepse kur diskuton për kritikën shpeshherë komenton si bibliograf, duke hetuar çdo detaj, kur diskuton për bibliografinë, merr përsëri rolin e kritikut, duke vlerësuar e komentuar tekste të ndryshme”.
Natyrisht që kjo punë shkon përtej referencave bibliografike, mbi të gjitha përmes saj Rugova jo vetëm që vë në dijeni të ekzistimit të shtypit të kohës përkatësisht teksteve por përmes komentimit të së cilës njësi i jep trajtim shkencor, të zotërueshëm e të shndërrueshëm për komunikim me të tjerët dhe në kursim kohe.
Përfundim: Rugova, me hartimin e disa bibliografive, jo vetëm që dëshmon një punë të jashtëzakonshme, por të gjithë ata që merren me këtë e dinë se ç’punë kolosale i është dashur për ta mbledhur, arkivuar, renditur e komentuar informacionin, që me qartësinë e rrjedhshmërinë e tij e shndërrojnë atë në pjesë komunikimi dhe të dobishëm sot dhe në të ardhmen. Shpresojë se kjo do të ndikojnë në të ardhmen në zgjerimin dhe pasurimin e këtij lloji bibliografik që do të mundësonte konsolidimin e një dege të veçantë për këtë fushë.
Rugova përkthyes
Ibrahim Rugova në gjuhën shqipe ka përkthyer poezi, prozë, ese, kritikë letrare, studime estetike e deri edhe fejtone kryesisht nga gjuha frënge, ruse dhe serbokroate. Tashmë dihet se krijimtarinë e vet letrare e nisi me poezi e të njëjtën gjë e bëri edhe me përkthime të cilat nis ti botojë në vitin 1968, për të vazhduar përgjatë viteve të ’70 e përfunduar në vitet ’80 të cilat gjenin hapësirë publikimi në gazetat e revistat tona kryesisht te Rilindja, Jeta e re, Fjala, Bota e re, Zëri i rinisë.
Përkthimi i parë i botuar është poezia Poeti e Sergej Jeseninit te “Zani i rinisë”, Prishtinë, 1968, 27 prill, nr. 17-18, f. 6, dhe i fundit është një tekst i Radosllav Katiçiqit Mbi gjuhën e ilirëve, botuar te “Fjala”, Prishtinë, 1988, 1 – 15 dhjetor, nr. 21 – 22., f. 1, 7.
Çka dhe kë përktheu Rugova? Shumica e teksteve të përkthyera janë të lidhura me prirjet, interesimet dhe leximet personale të tij. Rugova ka përthyer poezi të Jeseninit, Ahmatovës, Jeftushenkos, Voznesenskit, Bllokut, Vesna Parunit, Dane Zajc, Lermontovit etj., disa poezi e proza të autorëve serbë e kroatë, pastaj tri fejtone për Kafkën, Dostojevskin e Jeseninin.
Pa dyshim përkthimet më të rëndësishme të Rugovës mbesin ato të cilat lidhen me kritikën letrare, teorinë, estetikën e filozofinë qofshin si tërësi tekstesh, fragmentesh apo edhe si libër me autorë si: Tomas Man, Abraham Mol, Gilbert Hajet, Jan Mukarzhovski, Sharl Lalo, Ivan Foht, Sreten Mariq, Vuk Filipoviq e tjerë. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe tekste të përkthyera nga frëngjishtja të autorëve shqiptar si të Faik Konicës dhe Skënder Luarasit të botuara te libri I. Rugova & S. Hamiti Kritika letrare. Një pjesë tjetër e përkthimeve lidhen kryesisht me kërkesat e redaksive të gazetave e revistave, të nevojave financiare, apo edhe si informacione të rëndësishme të zhvillimeve letrare e teorike të kohës në hapësirat e ndryshme gjuhësore.
Puna më e rëndësishme e Rugovës në fushën e përkthimeve mbetet libri i estetit frëng Sharl Lalo Nocione të estetikës (Rilindja, Prishtinë 1978) sidomos kur kihet parasysh mungesa e madhe e literaturës, për çka është i vetëdijshëm edhe përkthyesi kur thotë se “kur është fjala për literaturën e estetikës, të kritikës letrare dhe të teorisë në përgjithësi, thuaja se nuk kemi asgjë”. Ky përkthim, në fushën e estetikës dhe dy përkthime të Rexhep Ismajlit në fushën e gjuhësisë (André Martinet Elemente të gjuhësisë së përgjithshme, 1974 dhe Ferdinand de Sausure Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, 1977) dëshmojnë jo vetëm interesimet personale dhe një hapje ndaj tendencave të reja të teorive estetike e linguistike por edhe me shkrimet e tyre kritike origjinale sjellin një frymë të re qasjesh, metodash e hulumtimesh, që luftonin dogmat, shabllonet dhe qasjet sociologjike e ideologjike të literaturës së përkthyer por edhe të shkrimeve autoriale në frymën e kohës që dominohej në hapësirat krijuese shqiptare.
Janë një mori tekstesh të përkthyera e të botuara që nuk kanë autorësi sidomos gjatë kohës sa redaktonte gazetën Bota e re ( por mendoje se edhe te revista Fjala). Në disa numra të kësaj gazete përkthehen e sidomos komentohen shkrimet e kohës të autorëve si Leshek, Kolakovski, Raseli, Garodi, Goldmani, Jasperis, Fromi etj. E theksuam këtë sepse Rugova ka përkthyer edhe poezi e përmbledhje poezish në të cila nuk e ka vu firmën e tij. Për këtë dëshmon poeti i mirënjohur Skënder Sherifi i cili deklaron me mburrje se janë dy vëllime poetike Lojë e kundërlojë (1980) dhe Oksigjen (1989) që ia ka përkthyer udhëheqësi shpirtëror i popullit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe se janë të vetmet përkthime poetike të Rugovës. Deklarime të tilla Skënder Sherifi ka bërë disa herë në mjetet e informimit dhe në vitin 2008 te Shtëpia Botuese Faik Konica boton librin Poezi (ku përfshihen dy përmbledhje Lojë e kundërlojë dhe Oksigjen) ku pas redaktorit Nazmi Rrahmani shkruan se nga frëngjishtja përktheu dr. Ibrahim Rugova.
Pse u morëm me këtë çështje? Sepse është vështirë të thuhet se bibliografia në vazhdim Rugova përkthyes është e plotë, shteruese edhe për kundër përpjekjeve të mia (përmes bisedash me njerëzit me të cilët ka punuar e redaktuar gazeta e libra e që nuk ishin në gjendje të saktësojnë këtë problematik dikush si harresë e dikush si punë e pa rëndësishme).
Si do që të jetë Ibrahim Rugova me përkthimet e tij sikurse në shkrimet origjinale ka treguar dije e kulturë të madhe letrare, estetike e filozofike për tu shndërruar me kohë në njeriun ikonë apo siç thotë njëri ndër njohësit e studiues i veprës së tij Kujtim M. Shala Rugova u bë dijetar i frymës evropiane , madje shkoi e studioi në Paris, te Rolan Barti, dhe njohu për së gjalli dijetarët e mëdhenj frëng të kohës. Kjo dije e kulturë evropiane e Rugovës dhe veprës së tij do të vlerësohet e të shtrijë ndikim, në kuptimin e mirë të fjalës, te shumë krijues e studiues të gjeneratës së re këtu në Kosovë e fatbardhësisht edhe në Shqipëri.
Sot në përvjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, është kujtuar veprimtaria e tij intelektuale dhe politike, shkruan KultPlus. Në vazhdën e personaliteteve që e kujtuan sot Presidentin e ndjerë është edhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëzivjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në përvjetorin e 14 të vdekjes
Dr. Ibrahim Rugova ka qenë kritik letrar i kalimit nga strukturalizimi te post-strukturalizmi francez gjatë viteve ‘70, intelektual i angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet, njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut, dhe, shqiptar i urtë që e don popullin e vet ashtu siç ai është.
Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës:
Spiegel: A ekziston shansi që Serbia të pranonte kërkesën e juaj për një shtet të pavarur të Kosovës?
Rugova: Alternativa e kësaj nuk mund të ishte synimi për Serbinë – pra një konstrukt i krizës së vazhdueshme brenda kufijve të saj. Ne do ishim të gatshëm, që të deklarohemi shtet neutral dhe që të heqim dorë tani për tani nga bashkimi me Shqipërinë. Sidoqoftë, më duhet ta pranoj se qëllimi ynë, për t’iu bashkangjitur Shqipërisë, është një synim i natyrshëm.
(Der Spiegel 24/1992
Spiegel: Besteht denn die Chance, daß Serbien Ihrer Forderung nach einem unabhängigen Staat Kosovo zustimmen könnte?
Rugova: Die Alternative dazu wäre für Serbien nicht erstrebenswert – nämlich ein permanenter Krisenherd innerhalb seiner Grenzen. Wir wären bereit, uns zum neutralen Staat zu erklären und vorerst keine Vereinigung mit Albanien einzugehen. Allerdings ist der Anschluß an Albanien, zugegebenermaßen, unser natürliches Ziel.)
Pyetje: Cilat janë propozimet tuaja për ekzistencën e shqiptarëve në një perspektivë afatmesme?
Përgjigje: Së bashku me të gjitha partitë e tjera përfaqësuese të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, ne patëm formuluar tre opsione. I pari kërkonte një Kosovë të pavarur, sigurinë për shqiptarët e Maqedonisë që të njiheshin si komb shtetformues në Maqedoni dhe vetadministrimin për shqiptarët e Malit të Zi dhe jugut të Serbisë. Ky opsion i parë bazohej te hipoteza e mosndryshimit të kufijve mes Republikave të ish Jugosllavisë. Në rast se kufijtë ndryshonin, atëherë ne kërkonim një Republikë që të përbashkonte të gjithë shqiptarët e ish Jugosllavisë. Ky ishte opsioni i dytë. Opsioni i tretë: nëse ndryshonin kufijtë ndërkombëtarë, ne kërkonim bashkimin e tyre me Shqipërinë.
“Ne zhvillojmë luftë në Kosovë që dhjetë vjet, por nëse vjen deri te konflikti i hapur, normalisht se do të dimë se si të mbrohemi. Kuptohet, Shqipëria është këtu, madje do të kërkojmë ndihmë nga të gjithë ata që përkrahin çështjen tonë. Shpresoj se nuk do të ketë luftë, por ne shqiptarët luftën dhe vdekjen i kemi gjithmonë me vete, kështu që as luftës eventuale nuk i frikohemi. Nëse vjen deri te lufta, të jetë me sa më pak viktima sepse ne edhe ashtu dhamë shumë bij e bija krejt të rinjë për çështjen tonë. Internacionalizimi i çështjes sonë u bë pikë së pari duke iu falënderuar atyre që dhanë jetën për Kosovën.” – Ibrahim Rugova «Ne do të fitojmë», përgjigje lexuesve të revistës Zëri, 7 shtator 1991, faqe 8-12.
“Në këtë situatë është normale që të ketë edhe individë e grupe më radikale në këtë lëvizje të madhe të rezistencës paqësore, por në këtë situatë është vështirë që edhe radikalët të bëjnë diçka. Dallimet që kemi – rezistencë paqësore apo rezistencë e armatosur – i shoh jo si konfrontim, ashtu siç po dëshiron Sërbia t’i paraqesë, por si shenjë e frymës demokratike e tolerante, ndonëse nën okupim.” – Ibrahim Rugova «Qëndrojmë në opcionin tonë për Kosovën e pavarur e neutrale», intervistuar nga Ruzhdi Demiri, Bujku, 6 nëntor 1992, faqe 3. /KultPlus.com
Christian Dior ka qenë stilist i njohur francez, i cili është njëri nga themeluesit e shtëpive më të mëdha të modës, shkruan KultPlus.
Modelet e Diorit u bënë të njohura në mbarë botën, ato shquheshin për ndikimin e pëlhurës.
Dior arriti të bëhet mjeshtër i krijimit të formave të siluetave. Ai padyshim ka mbetur njëri nga stilistët më të njohur të të gjitha kohëve, dhe sot në ditëlindjen e tij KultPlus ka përzgjedhur disa nga thëniet e tij të njohura:
“Pas grave, lulet janë gjëja më e bukur që Zoti i ka dhuruar botës.” “Eleganca e vërtetë gjendet kudo, sidomos në gjërat që nuk duken.” “Njeriu nuk gabon kurrë nëse ndjek si shembull natyrën.” “Uniformiteti është nëna e mërzisë.” /KultPlus.com
Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.
Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” Ishte ky amaneti i tij.
Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.
Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.
Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Dr. Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944. Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor, 1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese. Me këtë rast u hapën një numër bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor 1941”, në Prishtinë. Këto shkolla, shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.
Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.
Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.
Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com
“Grammy Awards 2020” në listë e nominimeve ka një numër të madh artistësh, por këngëtaret shqiptare kësaj radhe nuk janë bërë pjesë e këtyre nominimeve, shkruan KultPlus.
Por,
megjithatë në mbrëmjen e 26 janarit në Los Angeles në skenë do të ngjitet edhe
Bebe Rexha në rolin e prezantueses. Ajo
do të prezantojë një nga çmimet e “Grammy” dhe kjo është një emocion i veçantë
për Beben.
“E ngazëllyer që do e ndajë këtë natë me bashkëmoshatarët e mi tejet të talentuar këtë vit në Grammys”, ka shkruar ajo në Instagram. /KultPlus.com
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së tij.
Osmani ka thënë se në 14 vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne, Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.
Osmani tutje ka thënë se vlerat e veprimtarisë së Presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.
Postimi i plotë:
Në katërmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne, Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.
Rugova, sa qe gjallë, na ka mësuar se me miq mund të sendërtohet çdo aspiratë, kurse pa ta, e ardhmja e vendit tonë është e mjegullt. Po ashtu, Rugova na ka lënë testamentin e përhershëm të nevojës për bashkëpunim të brendshëm pa të cilin nuk mund të konsolidojmë shtetin tonë, si dhe domosdonë që te përcjellim rrugën e vullnetin që qytetarët tanë të urtë e të durueshëm e trasojnë për ne, nëpërmjet votës së tyre.
E sot, vlerat e veprimtarisë së Presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme. Në këto ditë të acarta, figura e urtë e tij, na ndihmon që të tejkalojmë vetveten dhe mosdurimin për njëri-tjetrin, drejt bashkimit për interesat e përgjithshme të vendit dhe në respekt të plotë të vullnetit qytetar.
I përhershëm kujtimi për Presidentin dhe njeriun e madh të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova! / KultPlus.com
Sot bëhen 14 vite nga vdekja e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ishte larguar për pak kohë nga aktivitetet e përditshme si
president i Kosovës. Nuk kishte paraqitje publike dhe nuk shfaqej në ekran.
Ibrahim Rugova po u mungonte shqiptarëve të Kosovës, por
askush nuk e dinte arsyejen. Spekulimet nisin të qarkullojnë për sëmundjen e
ish presidentit të Kosovës por asgjë nuk thuhej me saktësi të plotë.
Ishte vet presidenti ai që thirri një konferencë për shtyp
dhe njoftoi se vuan nga kanceri në mushkri.
Në këtë video shihet momenti tejet prekës kur Rugova jep lajmin për sëmundjen që për shumë kë ishte goditje e madhe. / KultPlus.com
Sot shënohet 14-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, i cili u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e 14-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani dhe do të vizitohet familja Rugova, ndërsa LDK në ora 12:00 do të mbajë akademi përkujtimore.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës. /KultPlus.com