Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit “Kisha e Shën Todrit, Kadipashaj”, Lushnjë, më e vjetra në zonën e Myzeqesë dhe daton që në shekullin e XIII.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Kisha e Shën Todrit, e cila mendohet se është e dyta më e vjetër pas manastirit të Ardenicës mbart në vetvete jo vetëm vlera historike e fetare, por edhe arkitekturore.
Afreskët dhe të gjitha punimet e drurit të ikonostasit janë origjinale dhe unike në llojin e vet.
Në periudhën e mesjetës ka shërbyer si manastir e më vonë rreth viteve 1800 si kishë. Ky fakt vërtetohet nga konaqet që kanë shërbyer për bujtësit e manastirit përbri me objektin. /KultPlus.com
“N’art + woof films” është një nga studio më të mëdha multidisiplinare në Kosovë, veprimtaria e së cilës e përfshinë industrinë e filmit, marketingut si dhe dizajnit grafik.
Qëllimi i kësaj
studioje është t’i rrënojë kufijtë e komunikimit vizual, por njëkohësisht të
injektojë vlera narrative dhe artistike në këto fusha.
Ideja bazë është që të
krijohet mundësia për të fuqizuar imagjinatën dhe për ta ruajtur energjinë
krijuese si edhe potencialin.
E gjithashtu të
krijohet dëshira për inovacion dhe përvoja të reja.
Prodhimet e studios
kanë dalë edhe jashtë hapësirave shqiptare, e janë përzgjedhur për pjesëmarrje
në festivale të njohura ndërkombëtarisht.
Kjo studio së fundmi ka
hapur një audicion për filmin e metrazhit të gjatë artistik “Hotline” me skenar
dhe regji të Dren Zherkës.
Për të konkuruar në
këtë audicion, detajet mëposhtë.
Për filmin e
metrazhit të gjatë artistik “Hotline”
me skenar dhe regji nga Dren Zherka.
Për role të ndryshme, duke filluar nga kryesore, dytësore e role të treta.
Ftojmë dhe inkurajojmë të aplikojnë edhe personat që nuk janë aktorë apo nuk
janë duke studiuar aktrimin.
• Aktore / Femra (Mosha 20-60)
• Aktorë / Meshkuj (Mosha 20-60)
Të
interesuarit të dërgojnë në email adrësen e produksionit:
[email protected] së paku 3 foto të kandidatit/es me këto informata:
• Emri dhe mbiemri i plotë i kandidatit/es
• Data e lindjes dhe vendbanimi aktual
• Informatat e kontaktit (emaili dhe telefoni)
Aktorëve
profesional ju rekomandohet të dergojnë “showreel” apo skena te
shkëputura nga filmat e xhiruar paraprakisht.
Rekomandohet por nuk është obligative edhe një video e shkurtë e kandidatit/es
(jo më e gjatë se 3 min. ku tregon diçka rreth vetës ose tregon ndonjë
eksperincë të veçantë që ka përjetuar).
Në subjekt të emailit të specifikohet emri dhe mbiemri, gjinia dhe mosha. Pas shqyrtimit të materialit të dërguar, produksioni do t’i kontaktojë kandidatët potencial për audicion. /KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook se Bibliotekës Komunale ”Hivzi Sylejmani” i janë shtuar edhe 1426 tituj të ndryshëm të cilat prej kohe ishin të kërkuara nga lexuesit e këtij institucioni.
Në listën e shfrytëzuesëve të rregullt përpos qytetarëve ka edhe një numër te madh studentësh, kërkesat e të cilëve janë mirëpritur nga menaxhmenti i Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”.
Prej literaturës angleze dhe asaj franceze e deri tek përrallat për më të vegjëlit, tirazhi për Bibliotekën ”Hivzi Sylejmani” po vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë. /KultPlus.com
Ali Pashë Tepelena, të cilit nuk i mungonte asgjë në oborrin e vet, do ta kishte pasur zili një pipë të gdhendur nga duart e mjeshtrit Isuf Skënderi. Në murin e ballkonit, nën pjergullën e rrushit, ku më së shumti i pëlqen të punojë i qetë, ka fiksuar pikërisht një pipë një metër e 5 centimetra.
Isuf Skënderi i takon brezit të tretë të mjeshtërve të gdhendjes së pipave e llullave, e ndoshta i vetmi në Shqipëri, që punon me të njëjtat mjete, ashtu si edhe babai e gjyshi i tij, që dikur kishin një dyqan mjaft të njohur në Pazarin e vjetër të Tiranës.
“Me prishjen e pazarit dhe zhdukjen e punës private, të gjithë zanatçinjtë i mblodhën te Ndërmarrja Artistike “Migjeni”. Unë kam pasur profesion tjetër. Për 23 vjet kam dhënë teknologji prodhimi këpuce në shkollën profesionale, e vetmja në Shqipëri, Shkolla e Ekonomisë Komunale. Me ndërrimin e sistemeve dhe lejimin e punës private, nisa të merrem me zanatin e të parëve të mi, sidomos pas vitit 2002, kur me reformat e kohës u shkatërrua arsimi profesional. U largova dhe iu përkushtova këtij profesioni”, tregon Isufi për “Sekrete mjeshtërie”.
Është i kënaqur që profesionin ia ka trashëguar edhe fëmijëve dhe mes një albumi fotografish shkëput njërën, ku kanë dalë gjyshi me nipin 6-vjeçar, teksa i mëson si përdoret trapani. Ndërsa në një tjetër është e bija, që po ashtu ka mësuar zanatin. Veçse ai i ka lënë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre.
Ai prodhon kryesisht objekte që lidhen me përdorimin e duhanit: pipa, llulla, cingarishte, mbajtëse llullash, por kjo nuk do të thotë se nxit duhanpirjen.
“Të pirët e duhanit është ves dhe unë përpiqem ta mbroj duhanpirësin. Druri ka veti të ftohë tymin e të mos djegë laringun, ndërkohë që një pjesë e mirë e nikotinës mbetet këtu. Por nga ana tjetër mbron edhe gishtat”, thotë Isufi.
I gjithë procesi i realizimit të një pipe është manual, që nga tornimi, hapja e vrimave, tharja, lyerja me bojëra natyrale dhe gdhendja. Objektet e prodhuara për treg, kryesisht mbajnë sipër markën “Albania”, por ai mund të realizojë edhe të personalizuara me emra, iniciale, emra shtetesh e bojëra sipas dëshirës.
Një nga sekretet e zanatit është materiali, por edhe përgatitja e thikave të gdhendjes. Zakonisht përdoret druri i shqopës. “Druri duhet të jetë sa më i fortë, me strukturë të ngjeshur, ndaj përdorim shqopën, panjën. Plepi është i papërdorshëm, po ashtu edhe ahu, shkoza, mareja. Struktura e tyre nuk të krijon mundësinë të krijosh gdhendje të bukura dhe shformohet”, thotë mjeshtri, që pedagogjinë e ka në gjak dhe kur të shpjegon një proces, duket sikur po të jep një leksion.
Me xhamadanin e kuq të zonës së Tiranës, me këmishën e bardhë dhe cigaren në buzë, ai nuk përton të tregojë ca sekrete të zanatit.
“Puna nuk më lodh”, thotë ai, por ka ca të tjera gjëra që e lodhin, siç janë respektimi i rregullave të tregtisë, krijimi i hapësirave dhe lehtësirave për ruajtjen e zanatit. Falë duarve të tij ai ka arritur të shkollojë fëmijët, t’i krijojë vetes një jetesë të mirë, të marrë pjesë në panaire jo vetëm në Shqipëri, por deri në Teheran, por sot ndihet i lodhur duke bërë tregtarin e mallit që prodhon. E lodh ideja e çantës në krah dhe trokitja nëpër dyqanet e suvenirëve.
“Kjo është punë e politikave. Unë di të bëj këtë që di, politikanët le të bëjnë politikën”, thotë Isufi, teksa vazhdon të gdhendë nën hijen e pjergullës. /Atsh /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot legjendën e skenës dhe ekranit Kadri Roshi, në 96-vjetorin e lindjes.
“Bëhen sot 96 vite që nga lindja e aktorit të madh shqiptar, Kadri Roshi. Një legjendë e skenës dhe ekranit tonë, emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë”, tha ajo.
Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 2007 në Tiranë. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare, duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai luajti rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.
Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik dhe në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit.
Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku luajti role dhe figura të spikatura, të cilat nuk do të harrohen kurrë. /KultPlus.com
Albanian Excellence shpalli në Nju Xhersi, në një takim me Anëtare të Albanian Excellence në USA, projektin shumë dimensional që do të zhvillojë në vitin 2020, “Zonjat shqiptare që bëjnë botën” projekt që në fakt përbën fazën e tretë të përmbylljes të pikave të përcaktuara në memorandumin e nënshkruar në Manhattan, në shtator të vitit 2016 , “Të jesh grua në shekullin e XXI “ .
Firma e parë në këtë memorandum, ishte
hedhur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë kohe, zoti Bujar
Nishani, gjatë organizimit nga Albanian Excellence të aktivitetit “Zonjat
shqiptare në Nju Jork “.
Në prani të Zonjave të pranishme
të ftuara nē këtë takim nga Zonja Ana Marky Walsh, pjesë e Albanian Excellence,
ku u shpall “ Zonjat shqiptare që bëjnë botën “, pas organizimit me sukses të “Zonjat
që bëjnë Shqipërinë në vitin 2018 dhe Zonjat që bëjnë Shqiptarinë në vitin
2019! Po ashtu gjatë këtij takimi shumë miqësor u shpall organizimi gjatë vitit
2020 , i ekspozitës Ndërkombëtare dhe botimi i librit me të njëjtin titull, “
Suksesi i Zonjave shqiptare në botë” që do të zhvillohet në mesin e vitit 2020!
Po ashtu zonjat pjesëmarrëse, ishin dakord me idenë e propozuar për te organizuar në Tiranë, konferencën ndërkombëtare, “Sfidat e integrimit të shqiptarëve në botë ”. Gjithashtu, në kalendarin e vitit 2020 qe po përgatitet në Shqipëri, me zonjat e suksesit mbarëshqiptar, u vendos që do të marrin pjesë edhe zonjat Ana Marky Walsh, Zonja Liljana Gashi, të shpallura Zonja që bëjnë Shqiptarinë në qershor 2018 , si dhe zonjat Shqipe Malushi , Loreta Stamo , Deshira Ahmeti Kërliu, të treja pjesë e librit “ Zonjat shqiptare në Nju Jork” , anëtare nderi të Albanian Excellence. Në qershor të vitit 2018 në shtëpinë e zonjës së nderuar Liljana Gashi, në Paramus , Nju Xhersi nga Albanian Excellence, shpall projekti Zonjat që bëjnë Shqiptarinë si dhe u nënshkrua Peticioni në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, peticion i cili është nënshkruar deri më tani nga 12 mije nënshkrues në të gjithë botën ! Nju Jorku gjithmonë duket se ka qenë një ogur i mirë për Albanian Excellence, ashtu si dhe në këtë vit që sapo ka nisur, ku në një ambient mikëpritës të ofruar nga Zonja Ana Marky Walsh dhe Zonjave të suksesit shqiptar në Nju Jork, Albanian Excellence, shpalli sfidat e saj për vitin 2020, ku me një përformancë është prezantuar sopranoja jonë e mirënjohur Dëshira Ahmeti Kërliu, e cila këndoi “Për ty Atdhe” dhe “Ave Mariá” dhe angazhimi i Zonjave pjesëmarrëse për të qenë së bashku në sfidat e Albanian Excellence!./KultPlus.com
Pas një pauze shtatëvjeçare, rock bendi i famshëm amerikan “The Strokes” ka paralajmëruar albumin e ri. Në prag të Vitit të Ri ata e prezantuan edhe këngën e re, “Ode to the Mets”.
Frontmeni i bendit, Julian Casablancas, njoftoi se bendi ishte “shkrirë” dhe ishte kthyer.
Në maj, në një koncert bamirësie në Los Angeles ata gjithashtu e performuan një këngë të re “The Adults Are Talking”, ndërsa tani kanë paralajmëruar studio albumin e ri. Albumi i fundit të cilin e publikuan ishte ‘Comedown Machine’ në vitin 2013, ndërsa pas tij pasoi EP ‘Future Present Past’ në vitin 2016.
Në vitin 2018, si pjesë e projektit të tij Voidz, Casablancas publikoi albumin “Virtue”.
Albumin e ri të The Strokes publiku mund ta presë qysh këtë vit, shkruan KOHA Ditore.
“Nëse vërtet e doni dikë, do të shkriheni me të. Ju dua njerëz dhe është nder i madh për mua ta ndaj skenën edhe këtë natë me këta djem”, tha në koncert Casablancas.
Bendi pastaj për herë të parë që nga viti 2003 e këndoi në New York këngën “Modern Girls & Old Fashion Men” me ndihmën e Mac DeMarco.
The Strokes e filloi karrierën 22 vjet më parë, ndërsa në vitin 2001 e publikoi albumin debutues “Is This It”, të cilin Rolling Stone menjëherë e renditi si një nga dhjetë albumet më të mira debutues të të gjitha kohërave. Deri më tani i kanë publikuar pesë albume. /KultPlus.com
I paformësuar, ngjyrë gri ishte guri i fundit,
i gjuajtur nga tokat e shenjta,
nga duar të çara prej përuljeve në dhe,
që s’pati fatin të godasë asgjë përpos dheut.
Vejushë që humbi shikimin në lindjen e parë,
Askush nuk e kontestoi diagnozën latine të shkruar nga mjeku i ri për abortin.
As shpenzimet e dështimit s’kishte kush t’i mbuloj.
Protagonisti s’pati fatin të lindë.
Fati do të të punojë në herën tjetër,
e fatit mos i punofsh kurrë.
Ajo vazhdon duarkryq nënqiellin e parashiut,
para shkallëve të shtëpisë të mbështet
fatin në Zot.
Lutjet që pëshpëriteshin me ton mëshire,
mbetën të aprovohen në të ardhmen.
Antagonisti iku të thith tjera gjokse femrash.
Iku duke u zgërdhyer fushave deri te rruga më e afërt.
Rrugë që të shpien më shpejtë në rrugicat e pasqyreve,
ku shpirtrat mbanin kremtën e netëve të ngjizjes
në kërkim të protagonistit të ri.
Kjo u konfirmua nga sytë e atyre që s’kishin fatin të humbin shikimin në abort,
ngaqë kishin fatin të paguajnë ilaçe më të mirë.
Derisa mbledhja rërë të ndërtoi,
kështjellën prej rëre sërish.
Gjeta të pafomësuarin,
gurin gri.
S’ishte vetëm,
kishte grumbuj gurësh të njëjtë në qëllim
të ndryshëm në formë.
Mora njërin,
desha t’i thyej pasqyrat e para që më shohin,
t’i argëtoj pleqtë dhe fëmijët,
guri u thye, pasqyret jo.
Njerëzit u bënë bashkë.
Grumbuj dheu.
Copëza guri ranë mbi ta.
pasqyret mbetën siç ishin.
Fati do më punojë herën tjeter, e unë fatit mos i punofsha kurrë.
Mbretëresha Elisabetta e rrethuar nga tre trashëgimtarët e fronit mbretëror britanik, Charles, William dhe George.
Është kjo fotoja e re e publikuar nga Buckingham Palace me rastin e fillimit të dekadës së re. Fotoja është bërë më 18 dhjetor nga Renald Mackechnie që është edhe autori i fotos së vetme të katërshes mbretërore së bashku, e publikuar në 2016 për ditëlindjen e mbretëreshës Elisabetta.
Në foto sovrania është veshur me një fustan të bardhë ku duket një spilë blu dhe me një çantë që nuk mungon kurrë në dorën e saj, princi i Galles është vendosur prapa saj, i veshur me një kostum blu të hapur dhe kravatë të kaltër.
Ai ka vendosur dorën e tij mbi supin e trashëgimtarit më të ri, George. William në të djathtë të mbretëreshës që buzëqesh me një kostum të errët. /KultPlus.com
Sot është e shtunë… Për mua dhe për ty Për të gjithë. Për të gjithë ata Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që janë mërzitur Për ata që nuk dinë të jetojnë. Është e shtunë edhe për ata Që nuk janë më.
Sot është e shtunë Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë Për lodrat që u luajtën Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë Që vuajnë e s’janë të lumtur. Vetëm sot është e shtunë, E dëgjova në rrugë Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë Edhe sikur askush të mos e kujtojë… Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur, Por për madhështinë e një dite Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër Si kjo e sotmja Dhe dikush mund të thotë Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë, Se asnjëherë, asnjë ditë Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh Jetën e madhe përpara një bluze Të thjeshtë dite Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot Që u përsërit aq shumë Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot Me lehtësinë e atyre që jetojnë Të mbështjellë nga e shtuna Që si letër karamelesh Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi Për t’ua bërë më njerëzore, Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës, Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune Ndaloi lozonjare dhe tha: Sot është e shtunë Kur filluam të kuptojmë Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë Për të larguar diku drejt pafundësisë Nyjen e vërtetë, Që lëkundet me përkëdheli Brenda thellë së shtunës Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim Për të bërë një hap Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com
Ky shënim merr shkas, përveç shumë arsyeve të njohura në hapësirën shqiptare të debatit gjuhësor, edhe nga një ndodhi e para pak kohëve këtu në Toronto.
Rastisa në një tavolinë me një avokat shqiptar
të Maqedonisë dhe më bëri shumë përshtypje shqipja e pastër e tij.
Meqë në atë grup kishte shqiptarë nga veriu,
por edhe nga jugu, avokati kalonte lehtësisht nga një dialekt në tjetrin në
varësi të personit që kishte përballë.
Çudia u bë më e madhe kur, pas pak ditësh,
pata një korrespondencë në email-e me të. Shqipja e tij ishte nga më korrektet
që mund të bëhej. Shqipja e shkruar zyrtare pa asnjë cënim dialektor në drejtëshkrim.
E pyeta se si shpjegohej që ishte kaq i saktë në gjuhën shqipe, qoftë në dy
dialektet kryesore, qoftë edhe në shqipen e shkruar zyrtare dhe përgjigja e tij
ishte kjo: “Unë jam nga Manastiri dhe tradicionalisht në atë qytet flitet një
shqipe e pastër dialektore dhe shkruhet shqipja zyrtare. Mësuesit e gjuhës
shqipe në shkollat e Manastirit nuk toleronin asnjë deformim të gjuhës së
shkruar shqipe të versionit të Kongresit të 1972-shit. Në Maqedoni për dekada
me radhë të shkruarin e saktë të shqipes e kemi parë si një mjet të ruajtjes së
identitetit tonë kombëtar”.
Po kaloj në temë tani.
Quhet “Gegnisht”, por në ditët tona është një
përzjerje e tipit “tallava” e të gjithë mënyrave të të folurit e tё tё
shkruarit në hapësirën urbane dhe suburbane nga Shkumbini e lart, çdo
nëndialekt krahinor, çdo e folur katundi, kodre, mali, çdo e folur lagjeje dhe
fisi.
Të gjithë pretendojnë se po flasin e shkruajne
“Gegnisht”.
Sa më e deformuar shqipja e tyre aq më
“Gegnisht” u tingëllon.
Ekspansioni i muzikёs dhe kёngёve bashkёkohore
kosovare e çoi kёtё deformim tё “Gegnishtes” nё zenit.
Njё tallava gjuhёsore qё sot flitet e shkruhet
nё treçerekun e hapёsirёs mbarёshqiptare.
Bëhet fjalë më shpesh për një “gegnishte”
analfabetësh, neglizhentësh, injorantësh apo njerëzish me arsim të cunguar,
këtej dhe andej kufirit të Shqipërisë londineze. Të gjithë pretendojnë se po
flasin e shkruajnë “Gegnisht”. Sipas tyre çdo gjë e shkruar që nuk ngjason me
toskërishten apo versionin e shqipes zyrtare është automatikisht “Gegnisht”.
Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë Gegnishtja kaq e
bastarduar.
Mendoj se ka ardhur koha të unifikohet
Gegnishtja, përndryshe do të katandiset si variant gjuhësor tallava jo vetёm i
shqipes, por i vetё Gegnishtes sё Mjedёs e korifenjve tё dikurshёm tё atij
dialekti magjik.
Nëse diktatura e konsideroi Gegnishten si një
vejushë që, pasi ia vrau me pёrdhunё prindёt, e la të jetonte në izolim total,
në ditët e sotme Gegnishtja po trajtohet si një e përdalë, të cilën mund ta
pallojë cilido, sidomos nga Shkumbini e lart.
E kam thënë edhe herë të tjera, “gegnishtja” e
sotme sidomos ne poezi është bërë perçja e mediokritetit. Vargje të cilat nëse
i kthen në gjuhën shqipe zyrtare nuk kanë asnjë vlerë artistike, por që
abuzojnë me tingëllimën poetike që ka ai dialekt, qoftë edhe në versionin
bashkëkohor “tallava”.
Do t’u dridheshin eshtrat në varr Mjedës,
Fishtёs, Shirokës e Koliqit nëse, falë teknologjisë, do mund t’u përcillnim
poezitë në “gegnisht” të pasardhësve të tyre.
Gjuha zyrtare e shkruar shqipe e dalë nga
Kongresi I 1972, mund të jetë e kontestueshme deri në zhbërje për padrejtësinë
që iu bë Gegnishtes në favor të Toskërishtes, me shkaqe më shumë politike, se
sa gjuhësore. Ka shumё prova e shembuj qё e mbёshtesin kёtё padrejtёsi tё atij
kongresi.
Por duam apo nuk duam, deri sot, ne atë
variant të shqipes së shkruar kemi të pranuar zyrtarisht.
Dhe ka veç një shqipe të shkruar.
Siç ka veç një anglishte tё shkruar, një
gjermanishte të shkruar e kështu me rradhë.
Nuk është as shpikje shqiptare e as perversion
komunist unifikimi i dialekteve në krijimin e një gjuhë të përbashkët të
shkruar.
Çdo gjuhë ka disa dialekte, ndonjëherë edhe
qindra dialekte, por ka veç një version zyrtar kur bëhet fjalë për gjuhën e
shkruar.
Një gjuhë shkruhet vetëm në versionin e
pranuar zyrtar, por mund të flitet në cilindo dialekt sipas preferencës.
Shqiptarët pa dallim dialekti apo përkatësie
territoriale, shqiptarë të Shqipërisë londineze, shqiptarë Kosove apo
Maqedonie, shqiptarë nga veriu apo jugu, të gjithë janë të detyruar të mësojnë
të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe.
Kur shkojnë jashtë vendit ata mësojnë gjuhën
zyrtare të shkruar të atij vendi dhe jo dialektet e atyre gjuhëve.
Shqiptarët duhet të mësojnë të shkruajnë
gjuhën zyrtare shqipe.
Mendoj se duhet të jetë e detyrueshme me ligj
që askush nuk mund të marrë diplomën e shkollës së mesme, nëse nuk kalon testin
e gjuhës së shkruar shqipe.
Për të folur le të flasin në atë dialekt apo
zhargon të shqipes që iu pëlqen.
Dhe pasi të mësojnë te shkruajne gjuhën zyrtare shqipe atëhere le të shkruajnë edhe në versionin e gegnishtes së Mjedës, Fishtës, Koliqit e mjeshtrave të tjerë që atij dialekti ditën t’i zbulojnë melodiozitetin dramatik nëse kanë aftёsi ta bëjnë kёtё gjё. Gegnishte dhe jo tallava “gegnishteje”./ KultPlus.com
Prestigjiozja “Financial Times” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve për t’u vizituar në vitin që sapo ka nisur, 2020.
Në një artikull kushtuar vendeve që duhen vizituar gjatë këtij viti, “Financial Times” shkruan se Shqipëria tërheq vizitorët me malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdetin e shkëlqyer, qytetet e lashta, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritjen.
Më poshtë pjesa për Shqipërinë, në artikullin e “Financial Times”.
Shqipëria
“Mali i Zi ishte destinacioni kryesor i vitit 2019, por i gjithë rajoni është në rritje”, sipas Jonny Bealby, themeluesi i kompanisë britanike të turizmit të aventurës “Wild Frontiers”, i cili njofton se rezervimet për vitin 2020 janë rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Vizitorët tërhiqen nga malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdeti i shkëlqyer, qytetet e lashtë, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritja e vendasve”.
Alpinistët po zbulojnë që Bjeshkët e Namuna në veri të vendit – një mollë e ndaluar gjatë epokës së izolimit komunist të vendit dhe gjatë luftës në Kosovë, ofrojnë sot një alternativë ndaj Alpeve, ku turizmi është thuajse i pazhvilluar. Ndërkohë, numri i vizitorëve në objektet historike po rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në parkun arkeologjik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të zbuluar rrënojat romake, bizantine dhe otomane anembanë vendit.
Ndërkohë, në një atmosferë krejt tjetër, Festivali i Muzikës në Kala, një aktivitet një-javor në bregdetin jugor të Dhërmiut, po e rendit Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e rinj, njëlloj siç ka ndodhur në rastin e festivaleve “Garden”, “Outlook” dhe “Sonus” në Kroaci.
Për të shpalosur entuziazmin e autoriteteve shqiptare për zhvillimin e turizmit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Kalasë në vitin 2018. “Njerëzit e mendojnë si një vend ku mund të grabiten, ose vriten”, u shpreh Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, sipas gazetës britanike “The Guardian”. “Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush e viziton këtë vend dhe shpëton gjallë, ata kuptojnë se këtu është parajsë”!
Shifrat duket se vërtetojnë thëniet e tij: numri i vizitorëve të huaj në 11 muajt e vitit 2019 arriti në 6.1 milionë, ose 8.3 për qind më shumë se në vitin 2018, dhe një shifër shumë më e lartë se 1.9 milionë turistë që vizituan vendin gjatë gjithë vitit 2009./atsh/ KultPlus.com
Dokumentari i Peter Jackson për seancat e Beatles “Get Back” do të mund të vijë në tetor. Data e publikimit të asaj që duket është një libër shoqërues tani në dispozicion për paraporosi.
Një listing për Get Back: The Beatles është vërejtur në Amazon nga Daily Beatle. Edhe pse nuk jepet asnjë informacion përveç datës së publikimit të 15 tetorit, një lexues e kontaktoi botuesin, i cili tha se libri “është tregim i autorizuar i bërjes së albumit “Let It Be” dhe shpërbërjes së “
“Beatles”, i treguar përmes fotografive ekskluzive, transkriptimeve të seancave të regjistrimit dhe një eseje nga dramaturgu dhe novelisti britanik Hanif Kureishi”.
Jackson e paralajmëroi filmin vitin e kaluar, duke theksuar se ai ishte duke punuar me 55 orë të xhirimeve të papara më parë të xhiruara nga Michael Lindsay-Hogg dhe me 140 orë audio të cilat bendi i ka regjistruar në janar të vitit 1969. Regjisori i quajti pamjet “një thesar të mahnitshëm historik.
Sigurisht, ka momente dramatike – por asnjë nga mosmarrëveshjet me këtë projekt nuk është shoqëruar prej kohësh. Ta shikosh Johnin [Lennon], Paulin [McCartney], Georgein [Harrison] dhe Ringon [Starr] të punojnë së bashku, duke i krijuar këngët tani klasike nga fillimi, nuk është vetëm fascinuese, është qesharake, frymëzuese dhe befasisht intime.”
Get Back, i cili i filloi xhirimet sot 51 vjet më parë, ishte një përpjekje e Beatlesve që të ktheheshin në rrënjët e tyre pas seancave të frakturuara të “White Album”. Synimi origjinal ishte që të shfaqej bendi duke e bërë një album të ri, me asnjë prej mbidubimeve e gjata në studio që i shënuan rekordet e tyre më të fundit. LP-ja duhej të pasohej nga koncerti i tyre i parë që nga gushti i vitit 1966.
Në vend të kësaj filmi e ekranizon bendin në pikën më të ulët, ku anëtarët shihen dukshëm të pakëndshëm në një skenë zanore në vend të një studioje regjistrimi. Kishte grindje – Harrison madje hoqi dorë shkurtimisht në një moment – dhe performanca live doli të ishte vetëm me disa këngë në çatinë e selisë së tyre, një koncert që u mbyll nga policia për prishjen e qetësisë./koha.net/ KultPlus.com
Këto ditë shtëpia e njohur botuese sllovene “Amonit” ka botuar një përmbledhje me poezi të zgjedhura të poetit nga Kosova, Lulzim Tafa me titull “Ne kliči me v nedeljo” (“Të dielave mos më thirr”), i cili libër është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të botës. Libri ka zgjuar interesim te lexuesit e poezisë në Slloveni dhe është shpërndarë nga rrjeti më i madh i distribuimit të librit në Slloveni.
Parathënien e këtij libri e ka shkruar
studiuesi i njohur slloven, profesori dhe shkrimtari i shquar Jože Brenčič i
cili në parathënien e tij ndër të tjera shkruan:
Tafa është një poet që dramën e tij jetësore
përpiqet ta përmbledhë, portretizojë dhe pastaj ta unifikojë me pamjen e botës
përreth nesh. Mendimet e tij janë të qarta dhe koncize. Në mënyrë precize ai e
bën të mundur vendosjen e një komunikimi të plotë dhe pothuajse të përsosur me lexuesit.
Që në fillim kur bëhet fjalë për poezinë e këtij poeti, është e domosdoshme për
të përcaktuar arritjet estetike dhe veçantitë e lirikës së tij.
Edhe pse përmbledhja me Poezi “ Të dielave mos më thirr” është e
ndërtuar nga një larmi njësish të shkurtra konceptuale-tematike, megjithatë,
ato arrijnë në një tërësi unike mendore dhe artistike, duke përfaqësuar poetin
në çdo shkëlqim në gjithë opusin e tije krijues.
Kështu, në poezinë e tij me titull “Poetët”
lexojmë vargjet e bukura e mbresëlënëse /kur zemërohen zotat/ lindin
poetet/në të parën shenjë të jetës/protestojnë/ për të vazhduar /shpërndajnë
afishe kundër vetvetes /nëpër qytet/dhe për ta përmbyllur /fëmija i
tepërt i secilës nënë/ bëhet poet/
Pra, poetë janë disa njerëz të veçantë, me
shqisa të mprehta që vërejnë gjithçka, vërejnë se shteti shpejt do të ju vërë
/taksa për ëndrrat/për buzëqeshjet/ por që megjithatë ngushëllohen me
vargjet se /sa mirë që nuk i takson dhembjet/shteti human/ (poezia Taksat).
Poeti nuk shkruan asnjë varg të vetëm kot, ai
nuk vdes as kur i /vdes muza/,(poezia Epitaf)e as /kur i bie pika e vargjeve në zemër/
(Poezia Lament). Poeti
gjithashtu është një kritik mendjemprehtë kur thotë çka po na duhen gjithë këta
heronj dhe vëren se heronjtë tani prodhohen me bollëk dhe në /kushte të
dobëta higjienike/(poezia
Laboratori).
Tafa në poezi ironizon edhe me të drejtat e
njeriut kur thotë se, /këtu nuk shkelen të drejtat e njeriut/këtu shkelen
vetëm kokat/ (poeziaReportazh)
kurse për të drejtat e kafshëve thotë se /respektohen plotësisht/
në secilën kasaphane/(poezia
Ligji për Kafshët).
Libri është i mbushur përplot me poezi edhe të
dashurisë /Të dielën mos më thirr më/mund të mos zgjohem/përjetë të rri në
gjumin e vdekjes/ mos i harro çastet e ngrira/veç të dielës/ zgjidhe ditën
tënde/për ty kur të vdes/ pas shtatë bjeshkësh do ta gjejë emrin/ dhe për
ta përmbyllur me /ah/pse nuk vjen ditëve të tjera/, kështu që na bënë të
konstatojmë se në jetë vetëm momentet e këndshme numërohen.
Prandaj, të gjithë atyre që janë të interesuar dhe duan të njohin fjalë të bukura poetike me të cilat fjalë të bukura janë ndërtuar këto poezi dhe ky libër, unë iu rekomandoj leximin e këtyre poezive, pasi tani është e mundshme, ngase e kemi edhe në gjuhën sllovene, ka shkruar ndër të tjera Jože Brenčič./KultPlus.com
“La Petite République” ka botuar të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen e tretë, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit dhënë gazetës “Neues Wiener Tagblatt”.
Shkrimi është si më poshtë:
“Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë. Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë”.
“Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të”./KultPlus.com
Miley Cyrus është në bisedime për ta luajtur Suzi Quatro në një film biografik për jetën e saj, transmeton KultPlus.
Krijuesja e hitit “Can the Can” do t’i ndjekë gjurmët e Elton John dhe Freddie Mercury si performuesja më e fundit veterane jeta e së cilës përshkruhet në ekran, pas arritjeve të tyre përkatëse në biletaritë për “Rocketman” dhe “Bohemian Rapsody”.
Suzi, 69 vjeç, tani po e rrëfen tregimin e saj për ekranin e madh, ndërsa në emisionin britanik të mëngjesit ajo tha: ‘Mirëmëngjesi Britani, ylli i Slide Away, Miley (27) është në garë për rolin kryesor.
“Zot, do të dëshiroja ta bëja vetë, por Miley Cyrus. Ajo është kontaktuar dhe është e bukur, apo jo? Ajo është një vajzë e talentuar”, tha ylli. Ajo shtoi: “Por unë do të përfshihem në kasting natyrisht, dhe nëse nuk më pëlqen…”
Ylli i “Devil Gate Drive” gjithashtu premtoi që filmi nuk do t’i censurojë asnjë nga përvojat e saj dhe do ta ofrojë një vështrim të sinqertë për jetën e një prej emrave më të mëdhenj të rokut të viteve ’70./koha.net/ KultPlus.com
Si çdo herë, që nga 21 dhjetori i vitit të largët 1962, atëherë kur Shqipëria sapo kishte nisur garën e saj Festivali i Këngës në Radio, edhe këtë vit ky aktivitet i patjetërsueshëm i këngës e zhvillimeve të reja muzikore alternative në Shqipëri (ndër të tjera pop, rock, soul, r&b, ethno-folk, apo jazz) ngjalli një lloj kërshërie relative në opinionin shqiptar.
I mbuluar si përherë më një tis mjegulle informative, i plotësuar me lajme dhe informacione kundërshtuese, të cilat shkonin deri në thirrje të hapura për mospjesëmarrje, akuzave për favorizime të njëanshme për këngëtarë apo kompozitorë të veçantë, edhe FEST’ 58, në bulëzën e tij ndërtuese qëlloi mjaft polemik dhe konfliktual, i ndryshëm nga notat e pritshmërisë në publik.
Në vëzhgimet e mia të përgjithshme në lidhje me zhvillimet teknologjike dhe ofertat programore të Radio Televizionit Shqiptar(RTSH), të para në këtë rast nga larg, kam vënë re kohëve të fundit disa anë pozitive dhe sfiduese në lidhje me vetëdijesimin e institucionit në lidhje me rolin e tij parësor në qasjen radiofonike/televizive në shoqëri.
Roli edukues, mbështetës dhe ruajtës i vlerave të shëndosha shoqërore i takon vetëm RTSH-së, si institucion publik dhe kombëtar radioteleviziv në Shqipëri. Kjo është një e drejtë ligjore dhe morale, sikurse edhe përgjegjësi shoqërore, e cila në rastin më të mirë duhet të jetë udhërrëfyesja kryesore e çdo zhvillimi teknologjik, përmbajtjesor e ideor në RTSH. Sidoqoftë, edhe këtu të gjithë ne duhet të jemi në radhë të parë të sinqertë me veten, Festivali i Këngës në RTSH, sidomos pas mundësisë së dhënë Shqipërisë për pjesëmarrje në Eurovision Song Contest (ESC), jo vetëm ka humbur karakterin dhe qëllimin e krijimit të tij, – prezantimin e ideve të reja në muzikë, tekst, orkestrim e vokal të këngës moderne shqiptare – por sa po vjen dhe po e ngushton rrezen e veprimit, sikurse po karakterizohet viteve të fundit jo më si një platformë serioze e hapur garuese, por si një nismë më shumë personale, private, aq më pak gjithëpërfshirëse e kombëtare. Shkëndija e zhvillimit të një konflikti përmbajtjesor në këtë rast është e pashmangshme.
Në rastin e Festivalit të Këngës në RTSH përplasen dy botë artistike krejt të ndryshme. Nga njëra anë kemi karakterin tërësisht garues, të lirë, nga çdo lloj kornize përgjithësuese 3-minutëshe, hovin e natyrshëm artistik eksperimental dhe provokues, kërshërinë profesionale për të zbuluar rrugë të reja të këngës bashkëkohore shqiptare, cilësi këto, të cilat mund të shfaqen (ashtu sikurse edhe janë shfaqur jo rrallë) lirisht në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, ndërkohë që nga ana tjetër kemi të bëjmë me një pjesëmarrje ndoshta të detyruar, apo përqendrim artificial drejt një konkursi europian të këngës, lidhje apo favorizim kompozitorësh/producentësh e studiosh prodhuese të saj, kufizimin e gjinisë së këngës vetëm drejt motiveve afatshkurtra argëtuese, të cilat ndër të tjera e vendosin gjininë përkatëse (jo vetëm shqiptare) nën një standardizim të thellë ideor, përmbajtjesor, politik dhe gjatësie artistike.
Unë, i çliruar nga çdo paragjykim përmbajtjesor, i hapur dhe me shpresën për zhvillime pozitive, e kam ndjekur me dëshirë e kërshëri të veçantë festivalin e sivjetshëm, ndryshe nga herët e tjera, në gjithë tërësinë e tij, pra që nga momenti i parë, thirrjen për sjellje të këngëve garuese, shpalljen e tyre nga juria përzgjedhëse e deri në momentet e fundit me 22 dhjetor 2019.
Duke qenë ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të viteve të fundit të këtij formati artistik në RTSH, përshëndeta personalisht marrjen në dorë të drejtimit të FEST ‘58 nga vetë kupola drejtuese e institucionit, ndryshe nga vitet e tjera kur kishim të bënim me drejtues nga institucioni i Radios. Në mendjen time, ky ishte një hap i natyrshëm drejt marrjes së përgjegjësive institucionale pas dështimeve të herëpashershme të ndodhura viteve të fundit. FEST’ 58 premtonte pra, në momentin fillestar dhe parimor korrektesë institucionale, rregulla të qarta garuese si dhe transparencë etike deri në minutën e fundit të zhvillimit të tij.
Të jem i sinqertë, në mbyllje të çdo Festivali të Këngës në RTSH të viteve të fundit, kam menduar që kemi arritur në kufirin e padurueshëm të mediokritetit intelektual e artistik, që nuk ka më keq, apo që ka ardhur më së fundmi momenti i një reflektimi institucional, njerëzor e mbi të gjitha etiko–artistik, krijimi i një vizioni të ri (jo vetëm për Festivalin e Këngës) si pjesë e përgjegjësisë edukuese të RTSH-së ndaj shoqërisë në tërësi. Por mbas mbarimit të natës së tretë të FEST’ 58, kuptova që kisha menduar gabim, ndjeva që kufiri i paaftësisë e mediokritetit artistik, manipulimit shembullor të publikut, i falsitetit njerëzor dhe shkeljeve të rregullave garuese në institucionin e vetëm radioteleviziv të shtetit amë nuk i kishte ardhur fundi, por vazhdonte të ishte një realitet i hidhur, i pranishëm dhe i prekshëm nga çdokush.
Fatkeqësisht edhe këtë vit, Festivali i Këngës në RTSH e nisi me të kundërtën e asaj që shpalli me nota “moraliste” edhe vetë prezantuesja Alketa Vejsiu (minuta e 52-të e natës së parë – Meritokracia). Fest’ 58 nuk e hodhi hapin e parë të tij – përzgjedhjen e këngëve garuese – në bazë të një rregulloreje të qartë, transparente e të hapur dhe si pjesë e një zhvillimi artistik, të paktën të logjikshëm e të merituar. Treshja përzgjedhëse Ciko, Çene dhe Malaj tregoi edhe një herë që ishin vetëm marioneta dhe zbatues të një politike, të një vendimi të ngushtë, i cili, siç u duk më vonë, ishte i paracaktuar.
Duke prezantuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shpjegim të mirëfilltë vetëm emrat e këngëtarëve, por jo të kompozitorëve, autorëve të tekstit e aq më pak të orkestruesve të këngëve, juria e zgjedhur “me kujdes” nga përgjegjësit kryesorë të Fest’ 58 shkeli jo vetëm një rregullore të brendshme të vetë RTSH-së, por hodhi hapin e parë drejt një manipulimi pothuajse tremujor, rrotullimit të qëllimshëm drejt emrave “VIP”, apo stisi pseudokomplote e legjenda urbane, duke vendosur kështu standarde aspak profesionale, aq më pak parimore, drejt netëve përfundimtare të “kompeticionit” të këngës shqiptare. Duke njohur profilin e deritanishëm të anëtarëve të jurisë, prapavijën e tyre profesionale, kjo mënyrë të vepruari pa principe e përgjegjësi mbi vendimet që po merrnin, nuk më çuditi aspak! Ndërkohë, konfliktet e interesit, të cilat e kanë zanafillën e tyre dhe kanë zënë vend këmbëkryq prej shumë vitesh në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, në Fest’ 58 ishin aq të hapura dhe irrituese, saqë linin për një çast larg vëmendjes çdo lëvizje sadopak pozitive e risi artistike të netëve të zhvillimit të garës, siç ishte p.sh., zgjidhja skenografike e italianes Patrizia Bocconime, ndryshimet e planeve dritore, të cilën e vlerësoj si një gjetje origjinale dhe aktive për skenën e trishtë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Në këtë prizëm, ndërhyrjet e shumta të reklamës (së bashku me minutazhin e tejzgjatur të tyre) ishin përherë absolutisht të papranueshme, ndërkohë që shtroja përherë pyetjen, se përse RTSH-ja ka nevojë për kaq shumë mbështetës privatë, ndërkohë që financohet nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht direkt nga taksapaguesit shqiptarë, apo pse në mes të ngjarjes më serioze të këngës moderne shqiptare, publiku i gjerë duhet të shikonte në ekranin e RTSH-së pulat, tavat e tepsitë, pluhurat larës, apo edhe çdo reklamë tjetër bajate (direkt në sallë, apo e regjistruar), kur njëkohësisht thelbi i festivalit, karakteri i tij parësor, gara artistike mes këngëve e protagonistëve të saj, ndërpritej dhunshëm e në mënyrën më të palogjikshme të mundur.
Apo në këtë rast lepuri fle diku tjetër? Kështu i gjithë padurimi, kërshëria apo argëtimi i thjeshtë njerëzor, sikurse edhe vlerësimi profesional, humbitnin lidhjen e natyrshme me skenën e Pallatit të Kongreseve nga ndërhyrjet pa kuptim, e folura plot gabime gjuhësore, apo me mungesë të theksuar integriteti ideor prezantues, bashkuar këto të gjitha jo vetëm me një inteligjencë të ulët skenike, krejtësisht si të një kukulle “Barbie”, por edhe pa shije të Alketa Vejsiut.
Ajo më së miri ia arriti qëllimit të na tregonte të gjithëve, se si NUK duhet të jetë një prezantuese e një ngjarjeje kaq të rëndësishme artistike në vend. Vejsiu gjatë tri netëve të FEST’ 58, e ndodhur në të shumtën e rasteve jashtë kornizave profesionale dhe nivelit absolutisht të paanshëm që ia kërkon rasti përkatës, jo vetëm që cenoi në mënyrë të pacipë në përgjithësi inteligjencën e përbashkët dhe në veçanti të femrës shqiptare, por e ndodhur në gjendje të vazhdueshme hipnoze vetëkënaqësie, në mungese të një skenari të mirëmenduar (FEST’ 58 zyrtarisht nuk kishte skenarist/e), së bashku me krijuesen e saj Grabocka, ishte në cakun e kryerjes së akteve të dënueshme penale, siç ishte p.sh., rasti i shkeljes së privatësisë familjare të së miturës Sara Bajraktari dhe falsiteti i mesazheve në lidhje me të, apo duke nxjerrë e shfrytëzuar vetëm për imazh në skenën e Pallatit të Kongreseve fëmijë në orën 23:30!
Edhe nëse të kënduarit e shpeshtë me playbacke pa asnjë vlerë artistike të prezantueses Vejsiu, rrjedhimisht personalizimi i tejskajshëm i skenës së Festivalit të Këngës në RTSH, përdorimi artificial i fjalëve të huaja (vajbin/vibe – dridhje, apo suspancë/suspense – tension/pasiguri etj.), hartimet “moraliste” alla “Revista Class”, të cilat në gojën e Vejsiut u kthyen gjithmonë në bumerangun e vetë ideve të përcjella, parada e veshjeve shpeshherë joserioze dhe aspak në nivelin e duhur artistik për një skenë kaq të rëndësishme artistike kombëtare, ndërprerjet e vazhdueshme e të stërpërdorura të garës muzikore, si p.sh., me numrat e baletit, apo të humorit politik me nivel të ulët, të shoqëruara me duartrokitje të regjistruara, pyetjet e çastit drejtuar anëtarëve të jurisë, kur ata nuk mund t’i përgjigjeshin në mungesë të një mikrofoni, mund të quhen si zgjedhje regjisoriale apo skenariste të çastit (dritëshkurtre), të sjella sidoqoftë me bindje të plotë si “risi” artistike, si imazh pa qëllim të vërtetë përmbajtjesor e mbi të gjitha me një arrogancë provinciale në skenën e Fest’ 58, treguan më së miri se dyshja Grabocka–Vejsiu është prej kohësh përfaqësuesja më e rëndësishme e antivlerës artistike të spektakleve televizive në Shqipëri.
Gjithashtu, i papranueshëm institucionalisht, për të mos thënë profesionalisht amator, ishte fakti i mungesës së përkthimit paralel të të gjitha bisedave që Vejsiu bënte me të ftuarit e huaj (Alessandro Mahmoud, Eleni Foureira, Giusy Ferreri). Qasje e pabazuar në mungesë të një skenari paraprak ishte po ashtu edhe trajtimi jo i barabartë ndaj këngëtarëve garues pas paraqitjes së këngës së tyre – dikush e linte skenën pa folur asgjë, dikush thoshte vetëm një falënderim, dikush tjetër kishte lirinë të përshëndeste familjen dhe shoqërinë, ndërkohë që të tjerë intervistoheshin gjerë e gjatë.
Nga ana tjetër, moskujdesi artistik (orkestrimet mediokre, që të kujtonin spektaklet skandaloze të tjetërsimit të këngës shqiptare në formatet private televizive) shoqëruar me mungesë ideore, paraqitja e pamenduar skenike, e fshehur nën petkun e “vlerësimit” të figurave të nderuara të këngës së kultivuar shqiptare, e ktheu shpeshherë skenën e Fest’ 58, në një arenë prezantimesh personale narciste apo të tregimeve e barsoletave të moshës së tretë, gjithmonë duke mos harruar falënderimet hiperbolike për ftueset. Duke lënë kështu figura të njohura të këngës shqiptare në vrullin e “emocionit të çastit”, drejtueset artistike, Grabocka dhe Vejsiu, treguan, në fakt, mospasjen e një koncepti të mirëfilltë mbi rrjedhën logjike të skenarit në lidhje me vetë të vlerësuarin/vlerësuarën, duke shfaqur kështu në të vërtetë një mungesë të theksuar respekti ndaj vetë festivalit dhe institucionit të RTSH-së
Duke u kthyer te kënga, si elementi kryesor artistik i një formati të tillë televiziv, oferta muzikore e Fest’ 58, ashtu e cunguar që në rrënjë/ përzgjedhje, u soll përgjatë tre netëve të tij e vakët, pa profile të mirëfillta artistike, si rezultat i një gare pa rregulla të qarta e të hapura, me shumë konflikte të pastra interesi, mungesë totale vetëndërgjegjësimi etik e profesional. Në vazhdimësi nga viti i kaluar, në pushimet e garës muzikore, prezantuesja shfaqej në reklama deri te biznesi i saj privat, drejtori muzikor merr pjesë në garë si kompozitor apo kompozitorë të veçantë arrijnë me dy krijime personale deri në natën përfundimtare apo publikut iu prezantohen autorë tekstesh, që janë familjarë të dyshes drejtuese artistike. Të gjithë ne dëgjuam tekste këngësh mjaft të varfra dhe jashtëzakonisht të cunguara në mesazh, ndoqëm paraqitjet e “VIP”-ave të këngës shqiptare në të shumtën e rasteve me produkte artistike vokale, elemente koreografike apo veshjeje të nivelit banal (shpeshherë nuk isha i sigurt nëse ata ishin të vetëdijshëm që po merrnin pjesë në Fest’ 58 dhe nuk ishin duke kënduar në ndonjë dasmë, “sebep” familjar, apo klub nate shqiptarësh në Europën Perëndimore) dhe pa asnjë motiv estetiko–artistik të mirëqenë. Gjithashtu, prezantimi i përhershëm i bazës muzikore të këngëve të Fest’ 58 me playback (të regjistruar), ndërkohë që në skenë ishin mbi 40 muzikantë të nderuar profesionistë, të shndërruar, në këtë rast, mbi bazë të konceptit artistik/ regjisorial, thjesht në statistë, pianot koncertale që lyheshin nga nata në natë, nga e bardha në vjollcë, rrjedhimisht keqpërdoroheshin nga regjia vetëm si dekor skenik apo këngët që iu prezantuan publikut shqiptar në mënyrë manipulative si “risi muzikore” e të krijuara nga këngëtare të ashtuquajtura “kompozitore”, kur në të vërtetë protagonistet nuk i njohin elementet themeltare të muzikës së shkruar, nuk sollën pothuajse asgjë të re nga çfarë kemi dëgjuar e parë gjatë viteve të kaluara. Përkundrazi, të gjitha këto elemente u bënë edhe një herë një dëshmi e gjallë e mungesës totale të vizionit afatgjatë sesi mund të zhvillohet kënga bashkëkohore shqiptare.
Në këtë rast vlen të përmenden gabimet e rënda në ndarjen/theksin ritmik të fjalës shqipe, siç ishte p.sh. rasti i këngës “Me tana” (sipas dialektit shkodran – Me t’tàna – Me të gjitha), ndërkohë që E. Gjata e sjell në versionin e kënduar, me saktë me melodi të ritmizuar në rrokjen e dytë “…Me tanà…”, pra, me një fjalë shqipe të tjetërsuar nën theksin tipik sllav. E njëjta gjë ndodh edhe me këngën fituese “Shaj” ku që në fillim, te togfjalëshi “mbaj dot/mbaj dot”, apo “ta ndaj/ta ndaj” vendoset një melodi e theksuar ritmikisht gabim, kundër rrjedhjes melodike natyrale të gjuhës shqipe.
Këtu lind pyetja, se mos ndoshta këngëtaret tona porosisin vetëm këngët, mjaftohen me zërin e tyre, të cilin e përdorin në të shumtën e rasteve pa mbështetjen apo përgatitjen e nevojshme trupore/mendore dhe nuk interesohen shumë në lidhje me thelbin e asaj që këndojnë? Mos ndodh kjo edhe nga padija profesionale? A mos vallë kemi të bëjmë këtu me krijime vokale nga e njëjta dorë, e huaj, natyrisht jo e ndjeshme ndaj ritmit natyral të gjuhës shqipe? A e kanë menduar ndër të tjera këtë gjë të përbashkët të këtyre dy këngëve përfaqësueset shqiptare në jurinë e Fest’ 58, kur kanë votuar në mënyrë të ndryshme për to? Këto janë vetëm disa pyetje, të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të gjejnë një përgjigje të hapur e të sinqertë, por sidoqoftë ia vlejnë që të shtrohen hapur dhe pa dorashka.
Personalisht e gjej të rëndësishme hapjen e Festivalit të Këngës në RTSH ndaj bashkëpunimeve me artistë të huaj (këngëtarë, kompozitorë, autorë tekstesh apo orkestrues e producentë). Duke qenë që tashmë të gjithë vrapojnë drejt ESC, pa pyetur shumë për pasojat, formati gjeopolitiko–artistik që mbart në vetvete ky aktivitet i këngës europiane, ta imponon të menduarin e të vepruarin në mënyrë të zgjeruar, jashtë rrezes lokale të veprimit. Parë nën këtë dritëhije, në kuadratin e sotshëm artistik të Festivalit të Këngës në RTSH, nuk ka asgjë të keqe, nëse kjo garë e këngës shqiptare i hap dyert për të huajt, kjo edhe pse deri tani e kemi treguar me vepra, se nuk dimë ta bëjmë vetë, se nuk jemi në gjendje të kalojmë ndasitë e çastit, se nuk mundemi të kemi një vizion serioz e të ndërtojmë një skuadër artistike absolutisht profesioniste, e cila do të na nderonte me një pjesëmarrje dinjitoze në ESC. Pra, pjesëmarrja e Darko Dimitrov-it nga Maqedonia e Veriut si kompozitor në Fest’ 58, në princip, nuk paraqet asnjë blasfemi. Deri këtu nuk ka absolutisht asgjë të kritikueshme, qoftë edhe moralisht. Aq më pak kjo pjesëmarrje e tij mund të quhet tradhti ndaj Festivalit apo gjithë brezave që e kanë ndërtuar atë që nga viti 1962.
Por kjo pjesëmarrje, dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet publikisht, nuk vjen nga vullneti personal apo dëshira e z. Dimitrov së bashku me kolegun e tij, Lazar Cvetkov, për të garuar si të barabartë në festivalin tonë, por absolutisht e paracaktuar dhe e drejtuar në mënyrë të detajuar drejt një fitoreje të sigurt nga drejtuesit kryesorë të Fest’ 58
Me këtë rast dua të rendis vetëm disa nga arsyet pse u bë e gjitha kjo zgjedhje:
a) Darko Dimitrov është prej vitesh një emër i njohur e aktiv mes kukullave këngëtare shqiptare anembanë trojeve autoktone;
b) Darko Dimitrov bashkëpunon prej kohësh me spektaklet e këngës në mediat private, atje ku dyshja Grabocka – Vejsiu vepron lirisht e plotfuqishëm;
c) Fituesja e Fest’ 58, Arilena Ara, si produkt artistik i spektakleve të drejtuara e ideuara nga dyshja Grabocka – Vejsiu, bashkëpunon, që nga fillimet e suksesit të saj vokal, përveç disa këngëve të prodhuara nga TETA Records (Izrael), në mënyrë të përqendruar me Darko Dimitrov;
d) Pas suksesit të Tamara Todevska në ESC 2019, bashkëpunimi me z. Dimitrov u pa nga drejtuesit e Fest’ 58 si një mundësi (ndër të tjera naive) për një sukses (të garantuar) shqiptar në Roterdam.
Sidoqoftë. duke krahasuar fare thjesht këngët përkatëse të z. Dimitrov (“Proud” me “Shaj” apo “Eja merre”), dallohet qartë ndasia dhe mënyra e ndryshme e prezantimit të këngës nga vetë ai. Mesazhi global, thjeshtësia e interpretimit, forca muzikore apo realizimi artistik për bashkëqytetaren e tij, janë ndër të tjera ato elemente artistike, të cilat janë shumë larg ofertës muzikore që ai ka sjellë në Fest’ 58 si kompozitor i dyfishtë.
Unë dyshoj që këtu kemi të bëjmë me një ofertë të sinqertë ardhur si nismë nga Shkupi. Më shumë besoj në një kërkesë nga pala shqiptare, më shumë sajdisje (servilosje) politiko–financiare (Mini–Schengen-iste), e cila i plotësonte më së miri kushtet për katapultimin përfundimtar të së “të mikluarës” të Grabockës–Vejsiut drejt ESC 2020.
Të gjitha pikat e lartpërmendura (lista mund të zgjatet lehtësisht) mund të jenë të zbatuara, disi të kuptuara apo deri diku të pranuara, kur përqendrohen në transmetues televizivë privatë. Të sjella sidoqoftë ashtu hapur e pa drojë, me një vetëvlerësim prej budallai, me tone të vazhdueshme delirie, duke sfiduar hapur të zotin e shtëpisë, Fest’ 58 dhe RTSH-ja – rasti më flagrant ishte komenti i Vejsiut mbi rëndësinë e formateve televizive private në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të reja – ndërkohë që është detyra institucionale, morale e logjikisht profesionale, pikërisht e RTSHsë, që të marrë në dorë zbulimin, zhvillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të talenteve të reja – na treguan të gjithëve sa shterpë, sa pak përmbajtje dhe ide të reja kishte në drejtimin artistik të dyshes Grabocka–Vejsiu, fatkeqësisht mbështetur edhe nga titullari i RTSHsë në Fest’ 58. Rrjedhimisht, oferta artistike e grupit realizues të Festivalit të Këngës në RTSH 2019, e parë në planin afatshkurtër, mund të ndihet nga publiku i gjerë ndër të tjera si irrituese, me mungesë totale të një autokritike e vetëpërmbajtjeje profesionale, me mendësi të vjetruara e amorfe drejtimi televiziv, e parë me largpamësi, edhe pse e dhimbshme, ajo është një ofertë shembullore për të mos u përsëritur më kurrë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, gjithmonë nëse mendojmë se RTSH mendon sinqerisht dhe me seriozitetin e duhur në lidhje me humbjen e mundshme të besueshmërisë institucionale në shoqërinë shqiptare majtas e djathtas kufirit politik.
Së fundmi, do të kishte qenë shume shpresëdhënëse nëse Arilena Ara (sikurse dhe shumë shoqe e shokë të talentuar të saj), të mbërrinin në ESC, pikërisht në bazë të meritës e nivelit të tyre të pastër profesional, pa makinacionet, ndryshimet në minutë të fundit, apo vlerësimet subjektive të shoqeve bashkëqytetare në juri. Arilena Ara, me talentin e saj, pa dyshim të dukshëm dhe me një të ardhme artistike shpresëdhënëse, nuk e ka të nevojshme këtë “damkosje” artistike që në fillimet e karrierës së saj. Nga ana tjetër është absolutisht naive dhe në fakt humbje kohe të presësh gjëra të mira, vizione afatgjata, principe profesionale apo paraqitje ndryshe të Festivalit të Këngës në RTSH nga njerëz, të cilët më së paku janë arkitektët kryesore të prishjes së ekuilibrave të natyrshëm profesionalë, të futjes së një stili pune pa rregulla dhe vizion, kudo ata kanë pasur detyra shtetërore, institucionale.
Le të shpresojmë që Arilena Ara, në javët e muajt në vazhdim, ta përvetësojë artistikisht më thellë këngën e saj, pa pasur qëllim në vetvete prezantimin e tërësisë së gjerë tingëllore të saj, duke u fokusuar kështu në një timbër vokal natyral, i cili rrezaton automatikisht mbështetje të vetëdijshme trupore. Ajo i ka të gjitha mundësitë për një paraqitje të mirë artistike para dhe sidomos mbrapa skenës së ESC 2020 në Roterdam, ndryshe nga çfarë na u përpëlitën sytë turpërueshëm majin e kaluar nga paraardhësja e saj./KultPlus.com
Lindi në në 4 janar 1924 në Ballsh. Pas fëmijërie të vështirë (humbi nënën në moshën 4-vjeçare dhe babain kur ishte 12) duke punuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kontaktin e parë me artin skenik e pati në vitin 1945, kur u pranua në shkollën e sapo-hapur të arteve në Tiranë.
Vijoi 2 vjet studime në Jugosllavi dhe 2 të tjera në Çekosllovaki.
Pas shkollës u kthye në Tiranë dhe filloi punën në Teatrin Kombëtar, skenë ku do t’i dhuronte art publikut shqiptar përgjatë gjithë jetës së tij.
Me mbi 30 role në ekran dhe mbi 100 në skenën e teatrit, kujtojmë gjigandin e skenës dhe ekranit shqiptar, që la në memorien kolektive të shqiptarëve personazhe të jashtëzakonshëm, nga skllavi Ezop te kujdestari i pashpirtë i jetimëve, luftëtari për gjuhën shqipe në Rilindje te spekulanti i grurit dhe plaku Mere, dashnori i refuzuar nga Tana dhe Parandili i varfër apo babai i drejtë në Rrethimin e vogël.
Ai la pas artin e mrekullueshëm të fjalës dhe mbeti i pavdekshëm.
I martuar me aktoren gjakovare Drita Taho, Kadri Roshi ka lënë pas 2 fëmijët Ermirën dhe Klitin./ KultPlus.com
Sanxhaku me kryeqendrën Pazarin e Ri, kanë qenë të banuar me shumicë shqiptare por, politika e egër asimiluse të zbatuar nga Jugosllavia, sot shqiptarët janë asimiluar në kombësinë artificiale boshnjake.
Në foto shihen ushtarër shqiptarë së basku me ushtarët italianë dhe gjermanë duke mbajtur flamurin shqiptar dhe nazist në Pazarin e Ri, në vitin 1941.
Shqiptarët e Kosovës dhe të Sanxhakut nuk kishin zgjedhje tjetër përpos bashkimit me gjermanët dhe italianët sepse gjatë pushtimit 20 vjeçar serb ata ishin nënshtruar represionit të egër të Mbretërisë Jugosllave, duke iu mohuar çdo e drejtë elementare.
Prandaj, shqiptarët i panë gjermanët dhe italianët si çlirues të tyre.
Nxënësit shqiptarë në Pazarin e Ri, 1941
Gjatë kësaj periudhe në Sanxhak ishin hapur shkollat në gjuhën shqipe, që kurrë më parë nuk kishin ekzistuar.
Më ardhjen e komunistëve shkollat shqipe u mbyllen dhe fillon proçesi i asimilimit të shqiptarëve./KultPlus.com
Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.
‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?
Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:
‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër‘
Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hici) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundesinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.
Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “idea e vdekjes” Idea e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Idea e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?
“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:
‘Humanizmi më ka humbur thuajse, Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’
Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.
‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat. Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra. Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut. Barra tanimë është bërë e papërballueshme, Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’
Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.
Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.
Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetem sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:
“Une kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”
Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.
Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.
Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.
‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’
Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:
‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’
Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithe ekzistencës ështe vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.
‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit, Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’
Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)
Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme
Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetem vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë: “Së paku do hysh ne histori”.
Me të vertete? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.
Atëherë cili është qellimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetesh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.
Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.
Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.
I cmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetesh? Po para 2000 vjetesh?? Kështu edhe une do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër: koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?
Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë./KultPlus.com
Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.
“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”
“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”
“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”
“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”
“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”
“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”
“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”
“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”
“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”
“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.
“Durimi siguron fitoren.”
“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”
“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”
“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”
“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”
“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”
“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.” “Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”
“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”
“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”
“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”
“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”
“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”
“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”
“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”
“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”
“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”
“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com
Më shumë se të vendosim një kufi dallues mes këtyre tri veprimtarive përkthimore – të cilat jo medoemos kanë përse të gjenden, si të thuash, të “papërlyera” njëra me tjetrën – kam përshtypjen se është e udhës, për çdo sipërmarrje përkthimi, një qartësim paraprak që ka të bëjë me lëmin e një vepre të caktuar që mund të marrim në shqyrtim. Thënë shkurt, kemi përballë një tekst të karakterit shkencor apo të llojit letrar? Apo, çka e bën më të ndërlikuar dilemën, një vepër si një nga ato të historianit bashkëkohor italian Carlo Ginzburg, ku rreptësia hulumtuese nyjëzohet me një gjuhë të këndshme plot figuracion?, shkruan Exlibris.
Do të thosha, fillimisht, se njëfarë tradite kërkon që renditja e mësipërme të shkojë në një hap me atë përmasë fiction-i (trillimi) që një vepër e caktuar mund të ketë. Vështirë se shqipërimi do të ishte më i duhuri për një disertacion doktorate në të drejtën kanonike.
Njësoj, një monografi e karakterit shkencor, një antologji kontributesh në sferën e ekonomisë industriale apo gjeopolitikës rajonale, një traktat hijerëndë i biologjisë molekulare apo dhe një biografi e dokumentuar e ndonjë personaliteti të spikatur të periudhës politike (afërmendsh të nxehtë) të Luftës së Ftohtë, do të ishte fushëveprimi i përsosur për një përkthim të kthjellët, ku të ndrydhej çfarëdolloj tundimi shqipërues nga ana e përkthyesit.
Që do të thotë se vetë-depersonalizimi nga ana e këtij të fundit, në përcjelljen e një teksti të një natyre të tillë, duhet të mbretërojë në marrëdhënien mes origjinalit dhe përkthimit. Çka i kërkohet një përkthyesi, është një prurje e ngurtë (veç jo e gurtë) e tekstit origjinal në një gjuhë tjetër; ndërmarrje në të cilën ftohet të dalë në pah aftësia e tij prej interpretuesi, më shumë se – larg qoftë! – zotësia prej krijuesi, çka do të na vendoste brenda suazës së ushtrimit të mirëfilltë të interpretimit.
Krejt ndryshe ndodh në rastin e një vepre letrare, sidomos nëse duam përcjelljen e një krijimtarie poetike (le të mendojmë për një monument si “Eugjen Onjegini” pushkinian, apo një margaritar si “Sonata e hënës” e Ricosit). Këtu fillon të marrë trajtë gjithmonë e më domethënëse raporti dialektik mes përkthyesit dhe lexuesit të parë – që rastisin të jenë i njëjti subjekt. Dua të them se, në shumicën e rasteve, lexuesi i përditshëm, pra ai që merr në dorë një vepër në gjuhën e vet pa e njohur paraprakisht origjinalin (ose pa ditur ta lexojë këtë të fundit), është vetvetiu një lexues i dytë, i cili patjetër që “pëson” leximin e parë në renditje: atë që i ka dhënë veprës shqipëruesi. Do të ishte paksa retorike të ngrinim pyetje mbi praninë e këtij të fundit në atë çka është përcjellë pra.
Nëse Noli, exempli gratia, do të merrte përsipër të përcillte në shqip ndonjë reportazh mbi luftën civile në Spanjë, jam i bindur se nuk do të yshtej nga i njëjti tundim “shqipërues” si te “Don Kishoti” i Servantesit. Këtu ai jo vetëm tjetërson disa pjesë me qëllim për të afruar një lexues të caktuar shqiptar – të një epoke të caktuar – në një tekst spanjoll, por shkon deri atje sa ndërfut terma si “universitetet e Domosdovës, Librazhdit dhe Rrogozhinës”, të trilluara ex novo mbi një trill që tejkalon, deri dhe zë në besë, autorin origjinal.
Ekuilibri shpesh dinamik mes përkthyesit dhe lexuesit të parë, i stigmatizuar përmes kundërshtisë paradoksale traduttore/ traditore, është në të vërtetë çast kritik për t’u çmuar. Në këtë vazhdë, “tradhtia” është jo vetëm e lejueshme, por edhe e mirëpritur, nëse përmes kryerjes së saj i japim dum tundimit për ta parë marrëdhënien mes dy gjuhëve – origjinalen dhe shqipen, në këtë rast – si hapësirë problematizimi: mes të tjerash, në këtë mes mund të sfidohet, si dhe të ndreqet, paragjykimi i vjetër se gjuha shqipe nuk është mjaftueshëm e pasur për prurjen e veprave, fjala bie, të karakterit filozofik apo sociologjik (argumenti më i përsëritur në këtë vazhdë është se kjo gjuhë, për një sërë arsyesh kryesisht historike dhe politike, nuk ka terma të gatshëm për të përvetësuar elemente gjuhësore si, fjala bie, nocionet hegeliane, apo më keq, ato metafizike të skolastikës së ngrysur mesjetare). Pikërisht këtu, unë besoj, hyn nevoja e talentit personalizues të një shqipëruesi, ngase na ndihmon të kuptojmë se gjuha nuk është besëtytni, nuk është një standard i gozhduar përgjithmonë, por ideologji e prirur drejt lëvizjes zhvillimore, e si e tillë përherë në përçapje rikrijuese.
Të përkthesh nga gjuhë origjinale apo nga gjuhë e dytë
Nëse do të ndërmerrnim një krahasim, kuptohet se lloji i përkthimit të drejtpërdrejtë nga një gjuhë origjinale do të ishte shumë më i vyer se një kalërim përmes një a më shumë gjuhësh të tjera. Nëse vetë përkthimi është, në thelb, një akt ndërmjetësimi, mund të kuptohet se dyfishimi i aktit veçse i largon dy palët që janë ulur për të bashkëbiseduar. Së paku si distancë. Kjo vlen sidomos në rastet kur përfshihet përkthimi i një materiali fiction nga një letërsi tek tjetra.
Megjithëkëtë, një përkthim nuk është vetvetiu i mirë vetëm si pasojë e një kontakti të menjëhershëm mes origjinalit dhe gjuhës mikpritëse. Mund të jemi mjaftueshëm me fat që të kemi njohës të mirë të gjuhëve më të largëta me shqipen, por që nuk mund të klasifikohen automatikisht si përkthyer gjithaq të mirë. Siç mund të ndodhë edhe e kundërta; pra të kemi përkthyes shumë të mirë të cilët, edhe falë një pune të çmuar filologjike dhe kritike arrijnë të përcjellin në shqip, në mënyrë thuajse të përsosur, vepra dy gjuhë larg (shembuj të tillë ka plot, që nga përkthimi i Orestisë eskiliane prej Ismail Kadaresë deri te poezitë e Hikmetit nga ana e Mustafajt, të dy raste të sjella në shqip, besoj, përmes gjuhës frënge).
Aq më tepër që, nëse përkthimi nga gjuha origjinale do të trajtësohej me domosdoshmëri dogmatike, do të vështirësohej tejet kontakti mes lexuesit shqiptar dhe krijimtarisë në ato gjuhë e letërsi me të cilat, për rrethana nga më të larmishmet, kultura shqiptare nuk ka shtrirë ura bashkëpunimi kulturor (them, letërsia japoneze, ajo afrikane, apo ajo hebraike dhe apo jidish)./KultPlus.com
Dyqanet e departamenteve Fortnum & Mason po përmbushin prej 28 vitesh një nga dëshirat e fundit të Fredi Merkurit.
Ylli i Muzikës, i cili ndërroi jetë në 1991, në fakt kishte rregulluar që një pjesë e trashëgimisë së tij të shkonte për blerjen e dhuratave për miqtë dhe familjen e tij çdo vit.
Të afërmit e vokalistit të ‘Queen’ vazhdojnë të marrin dhurata për Krishtlindje. Këngëtari i donte aq shumë të dashurit e tij, saqë dëshironte t’u linte atyre nga një dhuratë çdo vit.
Kështu që nga pragu i Krishtlindjes së 1992, nga depot e Fortnum & Mason në Piccadilly 181, shpërndahen shporta diskrete të Krishtlindjeve tek të njohurit e vjetër, nipërit dhe të afërmit e Mërkurit.
Një punonjës i depos e zbuloi këtë sekret për Daily Mail. Një dëshmi vjen edhe nga shoku i tij Elton John i cili, në biografinë e tij, tha se ai mori një dhuratë të papritur të Krishtlindjes një muaj pas vdekjes së mikut të tij.
Dhurata ishte një pikturë e çmuar e fund shekullit XIX nga piktori anglez Henry Scott Tuke. Pakoja u shoqërua me një shënim ku shkruhej: “I dashur Sharon, mendova se mund të të pëlqeje. Gëzuar Krishtlindjet! Me dashuri, Melina.” Sharon dhe Melina ishin emrat me të cilët thërrisnin njëri tjetrin dy miqtë./cna/ KultPlus.com
Në Coupvray të Francës, më 4 janar të vitit 1809, lindi Louis Braille, i cili e sfidoi verbimin qysh si adoleshent.
Kur ishte fëmijë, Braille pësoi një aksident dhe mbeti i verbuar, por derisa ishte ende nxënës shkolle, krijoi një formë të re komunikimi që do transformonte jetën e miliona personave të verbër.
Braille vdiq më 6 janar 1852, dhe sistemi i tij i shkrimit që mund të ndihet dhe të interpretohet nga të verbrit, do të njihej gjerësisht vetëm pas vdekjes së tij.
Pothuajse dy shekuj më vonë, sistemi Braille vazhdon të jetë instrument tepër i çmuar i të mësuarit dhe komunikimit për të verbrit, dhe i përshtatur për gjuhët në mbarë botën. / KultPlus.com