Instagrami po e bën edhe më të lehtë për të dërguar mesazhe direkte.
Kompania ka konfirmuar të premten se tani do të mund të bëni bisedë në Instagram edhe në desktop, e kjo ka nisur nga sot në ora 10:00, shkruan The Verge.
Një gjë të tillë Instagram ka qenë duke e testuar me një grup të vogël të përdoruesve që nga janari, dhe tani ka filluar në nivel global, transmeton KOHA.
E gjithashtu ka bërë ndryshime duke ia bashkuar një tabelë me emotikonë, dhe e ka shtuar një galeri për të parë bashkuar fotot dhe videot.
Shfletuesit kanë rëndësi posaçërisht për personat që e përdorin gjatë gjithë kohës Instagramin, si reporterët, ndikuesit apo menaxherët e rrjeteve sociale.
Kjo është mënyra më e lehtë për të komunikuar privatisht në këtë platformë, në veçanti për personat që duhet t’iu përgjigjen qindra mesazheve çdo ditë.
“I kemi thirrë t’dashtunit tonë me i pytë për çka i ka marr malli ma së shumti këto kohë “, është njoftimi i Katarzë Films që ka realizuar një video me rrëfimet e shqiptarëve se për kë dhe për çfarë i ka marr malli në këtë kohë të Koronavirus, shkruan KultPlus.
Ka rrëfime dhe emocione të ndryshme të cilët tregojnë ndjenjat e tyre nga karantina. KultPlus ju sjell këtë videorealizim./KultPlus.com
Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës është takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin, i cili ka marë një vendim në favor të gastronomëve, shkruan KultPlus.
Ky është postimi i Petrit Kllokoqit.
Në emër të Gastronomëve të Prishtinës më duhet që nga zemra ta falenderoj Kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti për lirimin e pagesës nga tatimi për terasë, për këtë vit, për të gjithë Gastronomët e Prishtine.
I nderuar Kryetar, me këtë lehtësim i ke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme këtij sektori, në këtë krizë që po kalojmë të gjithë, për çka do të jemi falënderues të gjithë, përherë.
Duke e ditur rolin e Gastronomisë në ekonomi, shpresoj që këtë shembull ta ndjekin edhe Komunat tjera!/KultPlus.com
Studiuesit grekë thonë se një rënie e papritur mbarëkombëtare e niveleve të zhurmës të krijuara nga njeriu prej bllokimit nga koronavirusi, u ka dhënë atyre njohuri të vlefshme për zhurmat më të vogla në thellësitë e tokës.
Greqia është përshkuar shpesh nga tërmetet, shumica nuk shkaktojnë dëme serioze. Një ulje e ndjeshme e niveleve të zhurmës pasi shteti vendosi një bllokim për shkak të koronavirus muajin e kaluar nuk ndikon në aktivitetin sizmik. Por ndërsa toka vazhdon të lëvizë, dridhje të përmasave shumë të ulta tani mund të regjistrohen, tha Efthimios Sokos, profesor i asociuar në Universitetin e Patras i cili drejton studimin me sizmologun Dimitris Yannopoulos dhe studiues në Observatorin Kombëtar të Athinës Christos Evangelidis.
“Eshtë qetësi,” i tha Sokos, Reuters, duke shtuar se ulja e zhurmës së krijuar nga njerëzit është vërejtur globalisht pasi shumë vende kanë imponuar një bllokim në përpjekjet për të frenuarpërhapjen e koronavirusit. “Deri më tani tërmetet në shkallë shumë të vogla ishin fshehur prapa asaj zhurme të shkaktuar nga njerëzit kurse tani ne mund t’i gjurmojmë ato më saktë.”
Ai krahasoi sizmologët me astronomët që nuk mund t’i shohin yjet nga qytetet për shkak të ndotjes së ajrit. “Por për ne, dukej sikur dritat qenë fikur,” tha ai. Syri.net / KultPlus.com
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, sot ka vizituar Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit, ku nga afër ka parë punën dhe zbatimin masave për parandalimin e virusit Covid-19 si dhe kushtet në të cilën po qëndrojnë rastet e trafikimit me nivel të mesëm dhe të lartë të rrezikshmërisë, si dhe viktima të trafikimit.
Gjatë kësaj vizite, Haxhiu njoftoi për veprimet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë përmes së cilave tashmë Strehimorja Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Tafikimit është në kuadër të MD-së.
Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të përkujdeset edhe për ngritjen e kapaciteteve dhe programet e ri-integrimit dhe qëndrueshmërinë financiare të kësaj Stehimore.
Sipas njoftimi të MD-së thuhet se prioritet Haxhiut mbetet edhe forcimi i sundimit të ligjit dhe angazhimi me akterët tjerë relevant, që kësaj kategorie t’i sigurohet strehim dhe mbrojtje dhe që trafikuesit të marrin dënimet e merituara, transmeton Klan Kosova.
Ministrja e Arsimit Hykmete Bajrami së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe me Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadanin kanë vizituar shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë.
Kjo shkollë po shërben si vend-xhirim i ligjëratave për mësimin në distancë për nxënësit e klasave 1-9.
Bajrami ua shpjegoi bashkëbiseduesve rrjedhën e realizimit të këtij projekti për nxënësit e Kosovës, derisa shtoi se përkundër situatës së krijuar për shkak të pandemisë falë punës vetëmohuese të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt deri në këtë fazë janë arritur rezultate mjaft inkurajuese.
Ajo tha po ashtu se përveç ofrimit të përmbajtjes mësimore, në përputhje me planprogramet e Kosovës, mësimi në distancë po kontribuon në angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve dhe në këtë mënyrë po ndihmohet edhe përpjekja e gjithëmbarshme e institucioneve të Kosovës për mospërhapjen e koronavirusit.
Gjatë takimit është biseduar edhe për masat parandaluese që janë marrë, respektimin e tyre nga ana e qytetarëve, por edhe për mundësinë e marrjes së masave të reja në mënyrë që të parandalohet sa më shumë që të jetë e mundur përhapja e infeksionit.
Besnik Emërllahu, tashmë ka marrë titullin inxhinier pasi ditë më parë diplomoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ai u bë studenti i parë që temën e diplomës arriti ta mbrojë në mënyrë virtuale me temën “Diagonstikimi kompjuterike i sistemeve të automjeteve në autoservisin “Fatoni”, njofton Klan Kosova.
Kjo formë e re e diplomimit, erdhi pasi UP-ja mori vendim që temat e diplomës të studentëve të mbrohen përmes platformave online, pas situatës së krijuar nga virusi Covid- 19.
Besniku thotë se kjo metodë është aq e mirë sa që duhet të përdoret edhe pas daljes nga karantina.
“Kjo metodë duhet të gjejë aplikim edhe pas kësaj pandemie sepse për studentët është më e lehtë, pasi që studenti është më pak i stresuar dhe ndjehet më lirë në mënyrën e të shprehurit”, tregon ai.
Këtë ceremoni e nisi dekani i FIM-it, prof. dr. Ahmet Shala dhe sipas procedurave mbrojtja u bë para komisionit i cili u përbë nga: prof. dr. Ilir Doçi (kryetar), prof. dr. Arbnor Pajaziti (mentor-anëtar) dhe prof. ass. ar. Ramadan Duraku (anëtar).
Kjo mënyrë e diplomimit ka nisur për nivelin baçelor, por pritet të vazhdohet edhe me atë master, me qëllim që të u mundësohet studentëve diplomimi në kohë.
Ndër këto dhoma të errëta ku kaloj ditë të rënda, endem rretheqark për të gjetur dritaret. – Kur të çelë një dritare, do të kem ngushëllim. – Por dritaret nuk gjenden, ose nuk mundem t’i gjej. Dhe ndoshta më mirë të mos i gjej. Ndoshta drita ka për të qenë një tirani e re. Kushedi ç’gjëra të reja do zbulojë.
Joseph Pulitzer (1847- 1911) me prejardhje nga nje familje cifute hungareze, dhe gazeta e tij Bota e New Yorkut paten ndikim shume te madh ne zhvillimin e mass medias.
Betejat e tij me konkurrentin William Randolph Hearst (1863- 1951) dhe produkti mediatik i ketyre perplasjeve flitet te kene pershpejtuar luften amerikano – spanjolle. Edhe gjate kohes qe shetiste boten, Joseph Pulitzer asnjehere nuk hoqi dore nga kontrolli me dore te hekurt mbi Boten e New Yorkut, gazeten e tij me mjaft influence ne kohet e reja te komunikimit masiv.
Pothuajse nje rrjedhe e panderprere telegramesh, te gjitha te shkruara ne menyre te koduar, fluturonin nga portet dhe destinacionet e ndryshme te botes per ne New York, per te drejtuar cdo element te veprimtarise se gazetes.
Mesazhet perfshinin dhe detaje te tilla si lloji i germave te perdorura per reklama apo planifikimi i pushimeve te editoreve.
Manaxheret dergonin me poste pako te tera letre me te dhena financiare, raporte editoriale, dhe raportime alla spiunesh per punet e njeri-tjetrit.
Megjithese ai kishte shkelur ne zyrat qendrore te grataceles se tij ne Park Row vetem tre here, kurdohere qe dikush fliste per gazeten, ish gjithmone ‘Bota e Pulitzer-it’. Dhe flitej shume per gazeten e tij. Qe kur Pulitzer mori frenat e gazetes qe ish duke dhene shpirt ne 1883 dhe prezantoi marken e tij te gazetarise ne New York, Bota ish rritur me shpejtesi drite, duke u bere ne nje moment te caktuar gazeta me qarkullim me te madh ne glob.
Gati 2.5 ha druresh priteshin cdo dite per te perballuar nevojat e gazetes per leter. E perfolur per zgjedhje presidentesh, guvernatoresh, dhe kryetaresh bashkie; per dergim politikanesh ne burg; dhe per diktimin e axhendes publike, gazeta e tij Bota ish nje instrument i fuqishem ndryshimi.
Si nje burre ne moshe te re dhe i nxituar, Pulitzer e kish perdorur gazeten pa turp si sherbetore te reformes, per te rritur ndergjegjesimin social dhe promovuar nje axhende politike progresiste- gati radikale.
Ndryshimet qe ai kish trumbetuar, si per shembull idete jopopullore per taksimin e trashegimise, te te ardhurave, dhe korporatave, ishin pranuar ne shkalle te gjere. ‘Bota duhet te jete me e fuqishme se presidenti,’ u shpreh njehere Pulitzer…
Shperthimi i anijes luftarake USS Maine ne 15 Shkurt 1898, qe ndodhi gjate tensioneve ne ngritje mes Spanjes dhe Amerikes ( shume aluduan ish veper e spanjolleve- shenimi im), u kthye ne dru zjarri ne duart e editoreve te gazetave konkurruese ne New York. William Randolph Hearst, nje imitues i ri nga Kalifornia, i armatosur me nje pasuri te madhe familjare, kishte bere te paimagjinueshmen.
Ne 1898 gazeta e tij, gazeta e New Yorkut (New York Journal ne origjinal) po e konkurronte shume afer dominimin e Botes ne Park Row.
Duke luftuar per cdo lexues, dhe secili duke u perpjekur t’ia kalonte tjetrit ne entuziazmin per te cuar vendin ne lufte, dy gjigandet e gazetarise ndezen ethe patriotizmi agresiv.
Dhe kur lufta ndodhi, ata vazhduan konkurrencen e tyre me thike ne gryke duke grumbulluar ushtri gazetaresh, ilustratoresh, dhe fotografesh per te mbuluar cdo detaj te lavdise se premtuar te luftes…
Kjo lloj sjelljeje i coi te dy gazetat ne nje spirale ne renie per shkak te sensibilizimit te tepruar, fabrikimeve totale, dhe shpenzimeve ekstravagante. Nese nuk do kontrollohej, kercenonte te falimentonte reputacionin dhe kredibilitetin e te dy gazetave…
Ne fund, te dy gazetat i mbijetuan kesaj lufte te shkurter dhe intensive por rivaliteti i tyre u be po aq i famshem sa dhe vete lufta spanjollo-amerikane.
Pulitzer ishte pazgjidhshmerisht i lidhur me Hearst si tregetar i ‘gazetarise se verdhe’ (gazetari qe bazohet ne sensacion dhe ekzagjerim te tepruar- shenimi im).
Ne fakt, disa kritike dyshojne se planet e Pulitzer per te financuar nje shkolle gazetarie ne Universitetin e Kolumbise dhe per te krijuar nje cmim kombetar per gazetaret ishin ne fakt perpjekje disi te maskuara per te pastruar trashegimine e tij profesionale ndersa po i afrohej vdekja.
Dhe nje tjeter thenie e tij e madhe: “Nje shtyp cinik, mercenar, demagog me kalimin e kohes do te prodhoje nje popull po aq te ulet sa vetja e vet.”
Marrë nga libri, “Pulitzer: Nje Jete ne Politike, Gazetari, dhe Pushtet nga James McGrath Morris”/KultPlus.com
Rrëfimi më poshtë vjen pas disa mesazhesh të disa grave të cilat kanë ndarë me mua një ditë të tyre në karantinë. Deri diku për pjesën më të madhe të grave dita është po thuaj e njëjtë dhe ngarkohet nëse kanë më shumë fëmijë apo dhe nëse jetojnë edhe me vjehrrit.
Dhe aq herët nuk zgjohem, por para fëmijëve dhe burrit zgjohem përherë një orë para. Ajros kuzhinën, vë vezët të ziejnë, laj nja dy enë të darkës, shkund pecetën, rregulloj mbulesat, e libra apo lodra që kane ngel nëpër cepat e shtëpisë. Të mbaroj këto punë mendoj e do shoh ndonjë video humoristike që më kanë dërguar nja dy shoqe.
Sapo ulem para kompjuterit, nisin zhurmat nga dhoma dhe unë lutem të jenë komshinjtë, por jo. Vijnë në kuzhinë e të shohin ulur sikur e ke në terezi, kur ti je as dy minuta në karrige.
Filloj vesh vajzën e vogël dhe nis udhëzimet e më të madhes që ndërkohë shkon në tualet. Shkoj dhe unë dhe laj vajzën e vogël që mezi rri në këmbë pasi është e përgjumur. Pastaj vazhdon luf-ta e të dyjave për pultin e tv, dhe të qarat e kota. Bëj gati mëngjesin dhe i thërras të ulemi të gjithë. Nisin ankesat se veza është shumë e zier, tjetra e do më të fortë. Të paktën burri nuk bën zë. Mbaron mëngjesi dhe tavolina është plot dhe ti duhet t’i kujtosh që pjatat t’i çojnë në lavaman. Po askush nuk e ndjen të çojë gjë më shumë.
Burri del të hedhë plehrat dhe unë vazhdoj punët e ditës, ndërkohë udhëzoj gocën e madhe të mësojë se ka njëqind projekte për të dorëzuar në lëndë të ndryshme. Ndërroj çarçafët, vë rrobat në lavatriçe, i hedh zbardhuesin banjos, e shkoj laj enët. Burri pyet çfarë kemi për drekë dhe ikën të hapë laptopin të punojë.
Qëroj disa perime dhe fus dhe të voglën të bëjë gjoja sikur gatuan dhe ajo. Të bëj supë sot mendoj, të vë dhe ca perime në furrë, por nesër çfarë të gatuaj? -Nesër çfarë do na gatuash, i them burrit si nga larg. – Po është mbyll ai i peshkut se kisha marrë ca koce të mira dhe ja e kishim zgjidh, pason me seriozitet ai. -Po ja qe nuk ka peshk pra, them unë, se dua ta coj sërish muhabetin pse ai nuk mëson të gatuajë. – Epo mirë, futi makarona, oriz…e përmbyll ai. -Ah sa mirë, ti cilën do mësosh të parën?, dhe pres me padurim përgjigjen. -Po hic mos bëj gjë, hamë bukë me djathë. Kur e kanë barkun plot kështu flasin burrat, por kur kanë uri e di unë djathin e këtyre. … Pastaj shkoj të laj banjon dhe e vogla më thërret çdo dy minuta. Ik te babi i them, por jo i pëlqen me mua. Dhe nuk e di sesi për pak vjen dreka. Nder rrobat, laj sallatën, i jap një detyrë me vizatim të voglës, i sqaroj kohët e foljes të madhes, vendos pecetën në tavolinë. Më duket sikur shtroj e ngre tavolina nga mëngjesi deri në darkë. Harroj cilin kam profesion të vërtetë.
Mendoj çastin kur të gjithë të flenë gjumë në drekë e do punoj çik për qejfin tim. Nuk mund ta besoj që edhe puna më duket më me qejf se punët e shtëpisë. Nëse i mbaroj shpejt ato dokumentet, mund ta nis të lexoj atë librin që kam blerë në panairin e librit 2012. Të gjithë ekspertët këto kohë karantine thonë lexo, lexo hiq mendjen…
Vesh të voglën me rroba gjumi, i lexoj një përrallë, dy, dhe gjumi s`po duket gjëkundi. Po normal se nuk lodhen gjatë ditës. E madhja është shtrirë me cel në dorë. Tani nuk i thua dot hiqe atë cel se të thotë direkt po flas me zyshën.
Kur ja duket afër gjumit dhe e vogla thotë nën zë… -O ma, kaka. Ç`është kjo kaka në orën 3 o ma. Ka rregulla dhe kaka, nuk mund të vijë tani që vjen gjumi. Thuaji të ikiii. Ok hajde çohu…
Pas dy orësh ato më në fund po flenë. Burri ma bën me shenjë miratimi se kujdeset ai tani për gjumin e tyre. Hap kompjuterin dhe nis të bëj punën që kam për ditën. Punoj e shoh orën dhe them ku ikën kaq shpejt. Hë se e vazhdoj punën dhe nesër mendoj dhe hap librin. Kam lënë një shënim tek faqja 12. Nuk e mbaja mend që i paskam lexuar aq dhe e nis nga e para. Dëgjohen zhurma nga dhoma.. mos u zgjuan. -Ma çfarë do hamë. -Ma po kjo detyra, ma hajde luajmë, ma nesër kam provim. Ndërkohë dëgjon burrin që ankohet: -Boo u trashëm duke ndenjur kot…
Edhe pasditja vijon me punë e detyra të tjera deri sa thur sërish ëndrra për darkën kur ato të flenë. Ora 23:00. Vajzat janë gati për gjumë. Të fle, të rri pak me burrin se zëre nuk u pamë sot, të lexoj librin të paktën deri te faqja 13? Uuu janë dhe rrobat për tu hekuros…
Fliii se nesër do zgjohesh herët edhe pse je në karantinë. /supergrate.net/KultPlus.com
Një pronare e një restoranti në Georgia të SHBA-së ka humbur tre ditë kohë për të larguar dollarët e ngjitur në mure për të paguar punëtorët e vet të papunë.
Klientët në “Sand Bar” në Tybe Island kishin ngjitur nga një kartëmonedhë njëdollarëshe nëpër mure përgjatë gati 15 vjetëve, por tani ky biznes është mbyllur shkaku i izolimit nga koronavirusi. Si pasojë, Jennifer Knox ka hasur në problem të paguajë punëtorët. Andaj ka vendosur të largojë monedhat nga muret për të mos mbetur borxh, shkruan CNN.
Deri tash ajo ka arritur të grumbullojë më shumë se 3700 dollarë dhe klientët po ashtu hynë në aksion për të ndihmuar.
Në fund, Knox ishte në gjendje të paguante nga 600 dollarë banakierët dhe muzikantët. /KultPlus.com
Që kur publikoi këngën e parë nga albumi ‘Dont start now’, ‘Future Nostalgia’ u cilësua si një nga albumet më të mira të vitit 2020 nga tabloidet e ndryshme.
E kështu po del të jetë, albumi i dytë nga Dua Lipa po shënon sukses të hatashëm, sipas matjeve të fundit nga ‘Official charts’, ‘Future Nostalgia’ është albumi më i dëgjuar në Britani.
Dhe për këtë është shumë e lumtur këngëtarja, pasi pas vete ka lënë artistë të mëdhenj të cilët po ashtu po shijojnë sukses të jashtëzakonshëm me projektet e tyre. / KultPlus.com
Shpërthimi i pandemisë së virusit COVID-19, edhe në Kanada ka marrë përmasa të gjera, dhe kjo është shoqëruar me mungesë të madhe të maskave.
Tatjana Kaci- Sherifaj, stiliste në profesion i lindi ideja që të dizajnonte maskat për vete dhe për një rreth të ngushtë.
Pak ditë më parë ajo ka dhuruar rreth 150 maska për miq e klientë të saj, ndërsa tani ka nisur prodhimin në seri të maskave mbrojtëse të cilat kanë filluar të shpërndahen në qytetin e Torontos, dhe jo vetëm.
Tani, thotë Tatjana, meqë kërkesat janë të mëdha, krahas punës së saj të përditshme, vazhdon prodhimi i maskave, dhe pret që sado pak ta jap kontributin e saj të çmueshëm për kanadezët, por edhe për komunitetin shqiptar këtu, me të cilin është e lidhur fort.
Dihet botërisht se në Kanada, sidomos në qytetin e Torontos, ku popullsia është më e dendur, ka mungesë maskash.
Me një përvojë 28 vjeçare në rrobaqepësi dhe dizajnim të rrobave të ndryshme për meshkuj dhe femra, Tatjana ka gjetur një mënyrë unike për mundësinë e parandalimit të virusit më vdekjeprurës që e njohim ne. Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare”, ajo rrëfen se në Kanada ka ardhur para 9 vitesh nga Greqia ku kishte jetuar atje rreth dy dekada, dhe ku kishte udhëhequr biznesin e saj të suksesshëm të dizajnit. Pas përvojës së mjaftueshme në Evropë, dhe pas angazhimeve të saj të menjëhershme në Kanada, duke punuar dhe bashkëpunuar me kompani dhe organizata të mëdha modelimi e dizajni, para tri vitesh ka arritur ta hapë biznesin e saj në qendër të Torontos, të quajtur “European Fashion Design, Boutique and Tailoring”.
Aty ajo dizajnon fustane nusërie dhe kostume formale meshkujsh, ku ka kredite të mjaftueshme për një punë të mrekullueshme që bën për klientët e saj. Për shqiptarët ka një vëmendje më të veçantë, duke dizajnuar rroba me elemente dhe simbole kombëtare. Meqë ky profesion nuk i është ndarë asnjëherë nga jeta e saj sepse ka nisur që në moshë të re, ajo tregon se mësimet fillestare i kishte marrë në Shqipëri, ku i pëlqente të sajonte rroba për vete dhe të tjerë, me ç’rast qepja dhe dizajnimi u bënë pasione të jetës së saj.
Tatjana është e lidhur edhe me komunitetin shqiptar këtu, ku shpesh ka dhënë kontributin. Në organizime të ndryshme ajo ka ndihmuar në realizmin e kostumeve popullore.. Ngujimi në shtëpi nuk është i mundur për të gjithë, prandaj secili duhet t’i përshtatet realitetit të ri, distancimi social, por edhe mbajtja e maskës kurdo që ke punë me të tjerët, andaj, të gjithë ata që nuk e duan më të keqen, vendosja e maskës është thuajse e domosdoshme. Kjo maskë, pra maska e prodhuar me dorën e saj, siç shpjegon Tatjana, është me pambuk dhe një filtër, pra ka tre shtresa, dhe ndihmon në mbrojtjen e fytyrës nga mundësia e infektimit me virus. Maska mund të përdoret, përvec ga qytetarët e thjeshtë, të cilët veç kanë nisur përdorimin, edhe nga personeli dhe punonjësit shëndetësorë.
Tatjana tha se është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që e duan maskën e saj në këtë kohë të vështirë… Diasporashqiptare /KultPlus.com
Nëse gratë amerikane do të merrnin një rrogë minimale për punët e shtëpisë dhe përkujdesjen e familjarëve, totali i të ardhurave të tyre do të kapte shifrën 1.5 trilion dollarë në vit. Globalisht këto të ardhura shkojnë në 10.9 trilion.
Në 24 tetor të vitit 1975, 90% e grave në Islandë refuzuan të gatuanin, të pastronin dhe të kujdeseshin për fëmijët e tyre për një ditë. I gjithë kombi u paralizua. Burrat u përpoqën ta kryenin vetë këtë punë duke çuar fëmijët në shkollë dhe duke u ushqyer në restorant.
Puna e papaguar, e cila nga Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik përkufizohet si një periudhë kohore e shpenzuar për punët e shtëpisë, pazaret, përkujdesje për fëmijët, përkujdesje për të tjerë të afërm apo për të moshuarit si edhe për aktivitete të tjera pa pagesë që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë, vazhdon të jetë e padukshme për ekonomistët.
Kjo nuk është pjesë e llogaritjeve të buxhetit të shtetit apo e faktorëve të tjerë të rritjes ekonomike. Është e vështirë për tu vlerësuar sepse sinjalet e kërkesave dhe ofertave të tregut nuk janë funksionale. Besimet tradicionale se kujdesi për fëmijët, për të moshuarit dhe për të sëmurët duhet të jetë falas në familje, errësojnë vlerën e vërtetë ekonomike të kësaj pune.
Megjithatë nëse i referohemi shembullit të Islandës kuptojmë se gratë sigurojnë një subvencion të madh e të panjohur për funksionimin normal të ekonomive tona, të cilat do të merrnin fund nëse gratë do të hiqnin dorë nga këto punë.
Këtë 8 mars, ditën Ndërkombëtare të Gruas kuptuam se nëse gratë do të paguheshin me një rrogë minimale për punët që kryejnë falas, sasia e të ardhurave të tyre vetëm për vitin e kaluar, do të ishte mjaft e madhe.
Sipas analizës së Oxfam vlera e kësaj pune fantazmë shkon në 10.9 trilion dollarë. Një shifër tronditëse e cila tejkalon edhe të ardhurat e kompanive më të mëdha në botë si Walmart, Apple dhe Amazon.
Gjithashtu u krahasua edhe shpërndarja e punës së papaguar tek gjinitë e ndryshme. India rezulton vendi me hendekun më të madh pasi gratë shpenzojnë 6 orë në ditë për të mirëmbajtur shtëpinë ndërsa burrat vetëm 52 minuta. Në shtetet si Suedia, Danimarka dhe Norvegjia kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit kryhet nëpërmjet programeve të ofruara nga sigurimet shoqërore.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gratë shpenzojnë 4 orë në ditë ndërsa burrat 2 orë e gjysmë në ditë. Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 1965 në SHBA ishin pikërisht gratë ato që merreshin me të gjitha punët e shtëpisë.
Në Islandë ka kaluar një vit nga dita e rebelimit të grave e cila u quajt ‘e premtja e gjatë’, kur qeveria mori vendimin e pagave të barabarta për gratë. Sot, gratë islandeze kanë nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në botë.
Pikëpamja për pjesën tjetër të botës është më negative. Sipas llogaritjeve të studiuesve në Forumin Ekonomik Botëror do të duhet edhe një shekull për të arritur barazinë gjinore në çdo shtet./ New York Times/Përktheu për bitchmagazine.al, Emi Bibolli / KultPlus.com
Janë ditët, kur kinemaja dhe teatri kanë zgjedhur të mos ju lënë vetëm. Për të kaluar kohën, zgjedhim të punojmë, të ushtrohemi në kushtet e shtëpisë, sikurse edhe të jemi pranë të bukurës. Nuk ka munguar as angazhimi i artistëve – aktiviteti online është i vazhdueshëm.
Kinemaja shqiptare mbetet një tërheqje pa kushte… Filma që mbajnë emrin e regjisorëve të mëdhenj: Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Pirro Mani, Xhanfize Keko dhe plot e plot të tjerë, janë përherë të dashur për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.
Ju sjellim ndërmend sot, këto tituj, prej të cilëve ju mund të zgjidhni:
Emisioni “Fshatrat e Shqipërisë” i televizionit Top Channel, shumë i rëndësishëm që për Shqipërinë e për shqiptarët të mësohet edhe çka s’ dihet sa duhet e ndoshta as si duhet, më nxiti sot të them edhe atë që e kam shkruar para disa vitesh.
Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe as nuk e kanë sot shqiptarët. Por, shqiptarët kanë pasur dhe kanë diçka që Evropa s’e ka pasur kurrë dhe s’e ka as sot.
Evropa ka pasur dhe ka mirëqenie të madhe lëndore e kulturore. Por, shqiptarët kanë pasur e kanë dy madhështi të jashtëzakonshme shpirtërore: kanë dy familje të mëdha që vunë themelet e dy shteteve të tyre të sotme.
Shqiptarët kanë familjen madhështore të Frashëriotëve. Kanë:
Abdyl Frashërin – diplomatin dhe shtetarin e madh, që me diplomacinë dhe me politikën e tij shtetare bëri Shqipërinë e ardhshme.
Naim Frashërin – vëllanë e tij, poetin e madh kombëtar, që bëri veprën e madhe poetike e historike të Kombit shqiptar e të Shqipërisë së sotme e të ardhshme.
Sami Frashërin – vëllanë e Abdylit e Naimit, ideologun e madh kombëtar, i cili bëri programin kombëtar sipas të cilit u ndërtua Shqipëria, shteti i ardhshëm kombëtar shqiptar.
Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe s’e kanë ende shqiptarët, por shqiptarët kanë familjen e madhe, historike të Jasharajve: kanë kryefamiljarin e madh Shaban Jasharin dhe të bijtë e tij, heronjtë e lavdishëm, Adem dhe Hamëz Jasharin me anëtarët e familjeve të tyre.
Evropa ka pasur e ka shumëçka që s’e kanë pasur shqiptarët, por shqiptarët, ja, kanë dy familje të mëdha që me emrat e tyre, me sakrificat e tyre madhështore, me etikën e tyre vunë themelet e shtetit të tyre: familjen e Frashëriotëve me tre bijtë e saj: Abdylin, Naimin e Samiun dhe familjen e Jasharajve që me sakrificën e lavdishme, heroike të të gjithë anëtarëve të saj me të rinj e të vjetër, me të vegjël e të mëdhenj – të kryefamiljarit, të bijve, të bijave, të grave, të nipërve e të mbesave e vunë jetën në themelet e shtetit të ardhshëm të Kosovës, në të vërtetë të Kosovës së bashkuar me Shqipërinë.
Shqiptarët s’kanë pasur e s’kanë ende shumëçka që jetën e evropianëve e bën të pasur, të mirëqenë; por shqiptarët kanë diçka që s’e ka pasur dhe s’e ka Evropa e madhe e cila aq përparim i ka sjellë njerëzimit me mendjen e saj: s’e ka madhështinë e dy familjeve shqiptare të cilat me sakrificat e tyre të lavdishme vunë themelet shpirtërore, ideologjike, morale, kombëtare të Kombit të tyre siç janë Frashëriotët dhe Jasharajt.
Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk ka pasur kurrë e nuk ka as sot tre vëllezër siç ishin e janë Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët idealin e tyre madhështor “të bëjmë shqiptarin e të bëjmë Shqipërinë” e bënë njëmendësi.
Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk e ka pasur kurrë dhe nuk e ka as sot një familje të madhe historike që për Kombin e vet u sakrifikua njëkohësisht, njëherësh, aq vendosmërisht, aq etikisht, aq madhërishëm siç u sakrifikuan Adem dhe Hamëz Jashari me familjen e tyre
Kjo është e veçanta e madhe, e lavdishme, madhështore me të cilën shqiptarët bëhen të veçantë me historinë e të veçantë me dinjitetin në historinë e përbashkët evropiane. /KultPlus.com
Duke pirë kafenë, në tavolinën ku tashmë ishim katër veta, meqë s’më interesonte biseda akademike, nxora letrën dhe e pashë fillimin: I dashur Poet. Ngreha veshët përpjetë si ujk. E palosa shpejt dhe u mundova të dukesha se po dëgjoja bisedën që zhvillohej aty, sado që mendja ime kishte fluturuar tashmë te ti. M’u kujtuan sytë e tu të përqendruar në gojën time, derisa e mbaja meshën para deleve të perëndisë. Nuk ishte bariu që shikonte me syrin e ujkut delen e tij. Këtë herë ishte delja ajo që e shikonte me syrin e ujkut bariun. E çuditshme, por kjo ishte meshë mes djajsh.
Si erdhëm këtu?
Ishte eklips dhe mesdita dukej si mbrëmje. Unë, me një mantel të zi dhe jaka të ngrehura përpjetë, po sillja shtatin tim të hollë e të gjatë në kampusin Alma Mater, para të cilit qëndronte statuja e një korbi gjigant. Mund të jetë hija e këtij korbi shkaku i mungesës së diellit në këtë roman? Kjo hije nga e cila nuk po mund të lirohemi?
Pas një shtrëngimi duarsh me dekanin, u ulëm përballë njëri-tjetrit. Dialogun tonë e përcillte nga një gravurë në mur heroi ynë me brirë cjapi. Tunda kokën në shenjë pohimi dhe të dy dolëm për t’u njohur me ambientin ku do të punoja. Në fund të shkallëve njëri nga referentët na përshëndeti me një selam alejkum[1].
– Duhet të di arabisht këtu? – e pyeta dekanin.
– Jo, por s’mund t’i ndalojmë të flasin ata që dinë, – ma ktheu derisa më printe korridorit.
Meqenëse mjekra më ishte bërë dy gisht, tjetri mund të ketë menduar se jam njeri i fesë. Por, në fakt, feja ime kushton pesëdhjetë cent. Vetëm në raste kur duhet t’i blej dy zhileta, kushton një euro.
Në katin e parë, në ballë të korridorit ishte varur një kopje e madhe e triptikut Kënaqësitë e kopshtit tokësor, ndërsa në sallë, siç mund të shiheshin nga dera gjysmë e hapur, ndodheshin pra ndonjë rend: këmbalecë, kanavacë, ngjyra, brusha, amerë, skalpetë, statuja e çkamos, derisa profesoresha i bërtiste studentit, i cili ishte i vendosur të mos bënte portrete, sepse feja nuk ia lejonte.
Në katin e dytë, në ballë të korridorit ishte varur një afishe e Fantomit të Operës, ndërsa në sallë siç shihej nga xhami i thyer i dritarëzës së derës, instrumentet kishin mbyllur gojën dhe partiturat kishin hapur krahët, derisa profesori tullac i bërtiste studentit të parruar e të pakrehur që refuzonte të luante ritmin ¾ sepse, sipas tij, ky ishte ritmi i aktit seksual dhe një gjë të tillë nuk ia lejonte morali.
[1] Arabisht: As-salam alaykum – përshëndetje muslimane që do të thotë paqja qoftë me ty.
Ata thyen miliona zemra kur u ndanë në fillim të viteve 1970, por, gjysmë shekulli më vonë, ”Beatles” nuk kanë humbur asnjë nga popullariteti i tyre dhe ende mbizotërojnë skenën botërore të muzikës pop.
10 prill 1970, dita fatale e ndarjes.
Paul McCartney njofton se “Fab Four” (Katër të Mrekullueshmit – shën. i përkth.) nuk do të regjistronin më asgjë së bashku.
“Beatles’ konsiderohen aventura më përrallore e shekullit XX, askush nuk mund të parashikonte se një sukses i tillë i jashtëzakonshëm do të vazhdonte edhe në shekullin tjetër,” tha historiani i grupit, Mark Lewisohn.
“50 vjet pas ndarjes së tyre, ‘Beatles’ mbeten artistikisht të patejkalueshëm dhe shtyjnë krijuesit të shtyjnë kufijtë”, nënvizon autori i librit “Beatles: All these years”.
10 prilli i vitit 1970 shënohet përgjithmonë me rreth të zi për ithtarët e grupit: atë ditë u shfaq një intervistë me Paul-in, ku ai tha se ”Beatles” do të ndalnin së punuari së bashku, pak para lëshimit të albumit të tij të parë solo.
Pa arritur aq larg sa të njoftojë qartë përfundimin e grupit, Paul, i pyetur në lidhje me rifillimin e bashkëpunimit të tij me John Lennon-in, u përgjigj thatë “jo”.
“McCartney prishet me ‘Beatles-at”, ishte titulli i ”New York Times”.
Prishja e lidhjeve të tyre të biznesit pak më vonë, në një gjykatë britanike, vulosi përfundimisht edhe ndarjen e tyre./ atsh/ KultPlus.com
Nga Platoni deri tek Kamy, 20 thënie mbi të vërtetën.
“Faktet nuk pushojnë së ekzistuari vetëm sepse ato injorohen.” – Aldous Huxley
“Të thuash të vërtetën në një kohë mashtrimi është veprim revolucionar.” – George Orwell
“Më shumë se dashurinë, se paranë, se famën, më jepni të vërtetën.” – Henry David Thoreau
“Kur i tregoni dikujt të vërtetën, bëjeni të qeshet, përndryshe ata do të ju vrasin.” – George Bernard Shaw
“Çdo gjë që e dëgjojmë është një opinion dhe jo fakt. Çdo gjë që e shohim është një perspektiv dhe jo e vërtetë.” – Marcus Aurelius
“E vërteta nuk është gjithmonë e bukur, por ama etja për të është.” – Nadine Gordimer
“Ne jetojmë në një epokë ku nevojat e vetme janë gjërat e panevojshme.” – Oscar Wilde
“E vërteta kurrë nuk e dëmton një kauzë të drejtë.” – Mahatma Gandhi
“Kur e vërteta zëvendësohet me heshtje, heshtja është gënjeshtër.” – Yevgeny Yevtushenko
“Nëse dëshironi të jeni një kërkues real i së vërtetës, është e domosdoshme që të paktën një herë në jetën tuaj të dyshoni, sa më shumë që të jetë e mundur, në çdo gjë.” – Rene Descartes
“Ashtu sikur të gjithë ëndërrimtarët, edhe unë e ngatërroj zhgënjimin më të vërtetën.” – Jean Paul Sartre
“E vërteta është në anën e të shtypurve.” – Malcolm X
“Njeriu mendje lartë më shumë duhet të brengoset për të vërtetën se sa për atë se çfarë mendojnë të tjerët.” – Aristoteli
“Nuk duhet kurrë ta nderoni njeriun më shumë se të vërtetën.” – Platoni
“Idealet të cilat gjithmonë kanë ndriçuar para meje dhe më kanë mbushur mua me kënaqësi janë mirësia, e bukura dhe e vërteta.” – Albert Einstein
“Bindjet janë armiqë shumë më të rrezikshëm të së vërtetës se sa gënjeshtrat.” – Friedrich Nietzsche
“Hipokritët ofendohen nga e vërteta.” – Jess C. Scott
“Nuk është e lehtë të rrish i heshtur atëherë kur heshtja është gënjeshtër.” – Victor Hygo
“Ajo që nuk mund të thuhet mbi të gjitha nuk duhet të heshtet por të shkruhet.” – Jacques Derrida
“Ta thuash të vërtetën është shumë e vështirë dhe të rinjtë rrallëherë janë në gjendje ta thonë atë.” – Leo Tolstoy /filozofia.al / KultPlus.com
Të vetizoluar brenda shtëpive, për shkak të pandemisë Covid-19, njerëzit kanë nevojë për më shumë se kurrë për një shtysë të brendshme, që të mbajë shpresën gjallë.
Arti mbetet gjithmonë, leva që zhvendos mendimet negative, e artistët shqiptarë për bashkëkombësit nuk i kanë kursyer dhuntitë e tyre. Artistja Eva Golemi, imazh i muzikës klasike shqiptare, besnike e skenës vendase, misionin e saj, e rimerr prej ambienteve të saj familjare, për të zbutur zemrat edhe ankthin e shqiptarëve.
“Dua më shumë Shqipërinë” me zërin magjik të Golemit, troket në shtëpitë tuaja për t’ju thënë me të bukurën këngë, se edhe kësaj here ky vend, do të qëndrojë i pamposhtur edhe së bashku do t’ia dalim mbanë. /KultPlus.com
Shkrimtari Stefano Massini na tregon sesi ky virus, po ndryshon thellësisht perceptimin tonë për kohën dhe, në veçanti, për të ardhmen.
Të flasim për të ardhmen si të mirëqenë
Koronavirusi na e hoqi këtë abuzim në përdorimin e së ardhmes. Të ardhmen e kishim marrë absolutisht të mirëqenë. Përcaktuam kontrata që na lidhnin me këste për dy ose tre vjet, i rregulluam pushimet shtatë ose tetë muaj përpara, për të mos përmendur hipotekat tridhjetëvjeçare të shtëpive. E ardhmja ishte përgjithësisht një përfundim i parathënë. Tani mekanizmi ka ndaluar. Dhe ai na ka deklaruar që e ardhmja nuk është aspak e mirëqenë. Një gjë e tillë u vu në mëdyshje nga virusi. Është një revolucion kopernikian, gjendemi në mëshirën e diçkaje që vendos për ne, kështu që na bën të ndjehemi plotësisht të privuar nga ajo e drejtë e vetes, mbi të cilën njerëzimi u orvat të nënshtrojë krijuesin. Por si? Kemi shpyllëzuar pyje, kemi nëpërkëmbur ekosistemin, kemi zhdukur specie shtazore, shkrirjen e akullnajave, kemi ndikuar në oqeane, kemi ngritur në mënyrë arbitrare ngrohjen globale të planetut me disa gradë… dhe tani të gjithë të gjunjëzuar, për të lypur mëshirën e një spërke të vogël vrastare? Po. Na pëlqen apo jo, kështu është.
Para, gjatë dhe pas
Gjithsesi, ka edhe një gjë tjetër në marrëdhënien tonë me kohën, që virusi ka futur në krizë. Ka nga ata që thonë se do të ketë një kohë para virusit dhe një kohë pas virusit. Por nuk është saktësisht kështu. Do të ketë një para, një gjatë dhe një pas. Ne nuk e pranojmë “gjatë”. Faza kalimtare, faza e paqartë, në të cilën gjithçka është pezulluar, nuk është në mentalitetin tonë të përparuar teknologjikisht. Ne mendojmë se mund të sigurojmë kohë në favorin tonë. Për shembull, kur porosisim diçka në internet, edhe nëse nuk kemi ndonjë urgjencë, ne zgjedhim transportin e menjëhershëm. Sepse ne nuk mund ta konceptojmë një kohë pezull, pritjen, përpara se ajo që dëshirojmë të arrijë në duart tona. Këtë herë jo. Ne jemi të detyruar t’i nënshtrohemi një “gjatë”. Ne jemi duke pritur për këtë të mallkuar pik, që nuk vjen kurrë.
Çfarë do të na lërë virusi?
Kjo fazë është përtej kapacitetit tonë të kontrollit, pasi ka një mospërputhje të tmerrshme me mënyrën se si e menaxhojmë ne kohën, që është në thelb, e menjëhershme. Midis shumë gjërave që do të na lërë ky virus, ekziston edhe diçka jo aq negative: do të na japë një mësim mbi abuzimin e së ardhmes. Tani e tutje, para se të bashkojmë një folje për të ardhmen, ne do të ndalemi të mendojmë nëse po e hedhim hapin më shumë se ç’duhet. I vetmi mësim që do të mbetet, besoj, është ndërgjegjësimi drastik i ekuilibrit të vërtetë të forcës: njerëz, ne nuk kemi asgjë në dorë, ne jemi vogëlsira, mysafirë në një planet që në çdo moment mund t’i soset durimi duke na toleruar. /Konica.al/KultPlus.com
Në këto ditë izolimi për qytetarët, Galeria Kombëtare e Kosovës po mundohet që përmes formave të ndryshme të sjell artin sa më pranë jush, shkruan KultPlus.
Përveç serisë së Muzeut Virtual ku po shpalos punime të koleksionit te GKK-së, të përcjellura me tekst përshkrues nga kuratori Zeni Ballazhi, Galeria Kombëtare e Kosovës po zhvillon edhe një “ekspozitë virtuale” përmes së cilës po shpalos punime të artistëve aktivë në këtë kohë karantine të quajtur “Artist në karantinë”.
“Artist në karantinë” kësaj radhe na sjell Arbnor Karalitin me portretet e tij unike të shoqërisë së tij në vende të zakonshme. Ai e pasqyron realitetin e gjeneratës së tij duke i glorifikuar momentet e rëndomta, që në kohë karantine duken më të vërteta se kurrë.
Arbnor Karalit është artist vizuel i cili vepron në Prishtinë.
Deri më tani në këtë ekspozitë virtuale janë prezantuar punimet e artistëve si: Jakup Ferri e Lorik Sylejmani. / KultPlus.com
Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan.
Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari i ndarë nga jeta pak vite më parë.
Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868.
Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat. Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885.
Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.
Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare. Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.
Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.
Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.
Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.
Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze. Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë. The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit. Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit. Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit. Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911. Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit). /KultPlus.com