Me zhurmë tenxheresh nga ballkonet demonstrohet për 1 Majin në Cyrih

Me fishkëllima, instrumente me frymë, me tenxhere e tigane, njerëzit demonstruan nga shtëpitë, gjegjësisht ballkonet e tyre, duke kërkuar për paga më të mira.

Jo vetëm në Prishtinë protestohet ose demonstrohet me zhurmë lugësh e tenxheresh nga ballkonet. Kjo ndodhi sot edhe në Cyrih, shkruan albinfo.ch.

Në mëngjesin e të premtes pati shumë zhurmë në qarkun 4 të Cyrihut, të njohur si lagje ku mbizotërojnë të majtit: PS dhe Partia e Gjelbër. Me fishkëllima, instrumente me frymë, me tenxhere e tigane, njerëzit demonstruan nga shtëpitë, gjegjësisht ballkonet e tyre, duke kërkuar për paga më të mira, njofton srf.ch.

Sindikatat e kantonit të Cyrihut kanë organizuar këtë demonstrim të llojit të veçantë, duke iu përshtatur kushteve të lëvizjes së kufizuar të shkaktuar nga masat kundër koronavirusit.

Ndonëse në numër të vogël, disa demonstrues janë parë edhe në Helvetiaplatz për të demonstruar, ku fillojnë tradicionalisht aktivitetet e 1 majit në Cyrih. Në kushte normale, në këtë dhe sheshe jerë të qytetitv grumbullohen mbi dhjetë mijë demonstrues.

Grupe të vogla duke qëndruar në një distancë, kanë tundur flamuj të kuq ose kanë rrahur këmbanat. E gjithë kjo është bërë nën vëzhgimin e afërt të policisë. /KultPlus.com

Kriza e librit në Gjermani, dëmi financiar nga covid-19 arrin gjysmë miliardë euro

Janë përgjysmuar shitjet e librave në Gjermani. Shitjet janë ndikuar pasi që dyqanet e librave kanë mbetur të mbyllura për javë të tëra, shkruan KultPlus.

Që nga 20 prilli, në Gjermani libraritë janë hapur përsëri. Ato u mbyllën detyrueshëm për një muaj përveç disave në Berlin, ku lejohej blerja duke i zbatuar rregullat higjienike.

Megjithatë dëmi financiar për këto javë izolimi është i madh, ai arrin në gjysmë miliardë euro.

Disa nga Shtëpitë Botuese gjermane janë skeptik edhe kur të rihapen libraritë, sipas tyre shitjet s’do të përmirësohen shpejt.

“Njerëzit janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe s’ma ha mendja që do të shpenzojnë para për libra”, shprehet Dirk Rehm nga Shtëpia Botuese “Reprodukt”.

Shtëpitë e vogla botuese janë veçanërisht të prekura nga koronavirusi. Anulimi i Panairit të Librit në Lajpcig, si dhe anulimi i festivaleve të leximit kanë ndikuar shumë, dhe i kanë bërë praktikisht librat të padukshëm. /bm /KultPlus.com

Alba Çakalli emërohet producente e festivalit DokuFest

DokuFest ka njoftuar që ka emëruar Alba Çakallin si producente të Festivalit.

Karrierën e saj në DokuFest, Alba Çakalli e filloi pothuajse një dekadë më parë si koordinatore e vullnetarëve. Që nga atëherë ajo ka punuar nëpër sektorë të ndryshme dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen e organizatës. Më herët, Alba ka punuar si Asistente e Programit dhe Koordinatore e Sistemit të pranim-dorëzimit të filmave si dhe ka menaxhuar suksesshëm projektet si ‘Filmi dhe Mediat Faktike’ dhe ‘Klubet e Medias Dixhitale’. Ajo gjithashtu ka kontribuar drejt krijimit të infrastrukturës dhe strategjive për zhvillimin e departamentit të edukimit ‘DokuLab’.

Si Producente e Festivalit, Alba Çakalli do ta drejtojë ekipin në përgatitjen dhe ekzekutimin e aspekteve të shumta të Festivalit dhe në të njëjtën kohë do të ndjekë dhe do të mbikqyrë iniciativat dhe partneritetet e reja. Së bashku me ekipin bazë të organizatës, ajo do të vazhdojë fuqizimin e rolit të DokuFest-it si ngjarje kulturore e rëndësishme në Kosovë dhe si platformë që u jep zë çështjeve bashkëkohore në të gjitha nivelet— nga ato lokale dhe rajonale tek ato kombëtare dhe ndërkombëtare.

Emërimi i Alba Çakalli vijon gjurmët e udhëheqjes jashtëzakonisht të suksesshme të Nita Dedës— e cila u largua nga organizata në fillim të këtij viti për të bashkë-themeluar kolektivin muzikor Andrrat Moderne. / KultPlus.com

Publikohet dokumentari i vitit 1961 i xhiruara në Rugovë, shpalos jetën e atëhershme në atë zonë (VIDEO)

Rugova është trevë malore në Veri-Perëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Rugova është e pasur me forma të shumta si shpellat, ujëvarat, liqenet glaciale, majat e larta, tunelet etj.

Rugova njihet edhe për shumë zakone e tradita të cilat ende ruhen me fanatizëm.

Një dokumentar i vitit 1961 i xhiruar në Rugovë është publikuar para dy dite në YouTube nga arkivi I Ministrisë së Kulturës në Mal të Zi.

Ky dokumentar shpalos pamje shumë të veçanta mbi jetën e atëhershme të shqiptarëve në atë zonë.

Muzika për këtë dokumentar është realizuar nga kompozitori I njohur shqiptar, Rexho Mulliqi. / KultPlus.com

Sipas një studimi, koronavirusi mund të përhapet lehtë në ambientet e punës

Të informuar nga shpërthimet e mëparshme të SARS dhe MERS, zyrtarët shëndetësorë të Koresë së Jugut ishin tashmë të njohur me procesin e kontrollit në vend.

Më 9 mars, një ditë pasi u raportuan rastet e para, e gjithë ndërtesa ishte e mbyllur. Testimi u krye pothuajse menjëherë në 1,143 njerëz (punëtorë, banorë dhe disa vizitorë) me rezultate të shpejta në dispozicion të të prekurve dhe ekipit që punonte për të kontrolluar situatën.

Një diagram nga studimi tregon planin e katit të 11-të të një ndërtese në Seul, Koreja e Jugut, që ishte vendi i një shpërthimi të sëmundjes koronavirus në vitin 2020. Hijezimi blu tregon vendet ku punonin njerëzit që u infektuan.

Testimi tregoi se 97 njerëz (8.5%) ishin infektuar. Shumica e rasteve ishin gra në të 30-at dhe pothuajse të gjitha (94 nga 97) kanë punuar në katin e 11-të të ndërtesës, në qendrën e thirrjeve.

Çuditërisht, ndryshe nga shumë shpërthime të raportuara më parë dhe që atëherë, praktikisht të gjithë të infektuarit, në 92% të rasteve, kishin simptoma aktive Covid-19 në kohën e diagnostikimit.

Hetuesit atëherë ndërtuan një hartë të detajuar se kush ishte dhe nuk ishte infektuar, duke demonstruar se shumica dërrmuese e rasteve kishin punuar në njërën anë të katit të 11-të në afërsi jashtëzakonisht të madhe.

Skuadra e Koresë së Jugut testoi familjet dhe familjarët e 97 personave të infektuar. Nga këto, rreth 16% ishin pozitive për Covid-19. Çuditërisht, nuk u diagnostikuan asnjë rast “me para-simptoma” ose pa simptoma. Kjo gjithashtu shkon kundër të menduarit aktual për transmetimin, që ndodh edhe përpara se njerëzit të shfaqin simptoma.

Në diskutimin e tyre, hetuesit e Koresë së Jugut reflektuan mbi efektin që mund të ketë puna për biznesin në Seul. Ata theksojnë se rastet ishin në një “mjedis pune me densitet të lartë” dhe se përhapja ishte kryesisht e kufizuar në një seksion të një kati.

Por ata nuk arrijnë t’i japin vetes kredi për atë që arritën. Po, distanca midis karrigeve dhe kohëzgjatja e ekspozimit janë përcaktues kritik të transmetimit në një moment të vetëm, por lejimi i personave të pa diagnostikuar që të shkojnë në punë, rrit mundësinë që gjithnjë e më shumë njerëz të pa infektuar të kenë një kontakt të ngushtë dhe të qëndrueshëm me ta, duke shkaktuar një valë të dytë.

Sapo të infektohet një biznes, i gjithë komuniteti mund të infektohet shpejt, përveç rasteve nëse ndërmerret një veprim dramatik, siç ndodhi në Seul. /KultPlus.com

Filmi “Shpia e Agës” – gruaja diku zotit (burrit) pas shpine

Nga Ballsor Hoxha

Regjisorja Zeqiraj në filmin e saj në përgjithësi po arrin dy gjëra krejtësisht esenciale për kinematografinë tonë: të bërit të thënshme përvojën tonë dhe sidomos bashkëkohësinë tonë; dhe aq më shumë ballafaqimin tonë me/dhe njohjen e gruas. Në të vërtetë të njohjes së gruas nga vetë gruaja, pikë së pari, e pastaj edhe krejt shoqëria.

Më në fund po ndodh, regjisorja Lendita Zeqiraj ka kthyer vëmendjen e shikuesit kosovar ndaj filmit të vet, të shoqërisë dhe për shoqërinë e vet kosovare. Filmi “Shpia e Agës” i regjisores Lendita Zeqiraj tanimë është një prej filmave më të shikuar në Kosovë.

“Shpia e Agës” si titull premton atë që ka qenë gjithherë parajsa, apo thënë më saktësisht prehja e gruas prej vuajtjes. Shpia e Agës shkurt konoton shtëpinë e babait të gruas kosovare ku ajo ka hequr mërzinë e të qenit grua. Por në të vërtetë Shpia e Agës, si titull i filmit të Zeqiraj është ironi tejet e thellë për zhdukjen të edhe kësaj strehe të gruas kosovare. Në të vërtetë “Shpia e Agës”, shtëpia ku ndodh tërë ngjarja e filmit të Zeqiraj është ferri dhe parajsa e disa grave të ‘leçitura’ nga shoqëria jonë, diku “zotit pas shpine”.

Ajo që nisë si premtim i të mirës – gruas kosovare duke jetuar jetën e saj, kalon në të vërtetë në – ndodhje të jetës së gruas kosovare në tërë brutalitetin e realitetit të saj. Është narracion që na bartë tejet bukur dhe thellë në natyrën e huaj të femrës për shoqërinë tonë. Paradoksalisht të huaj edhe për gruan e edhe për burrin kosovar. Ky kalim dhe kjo – ndodhje e gruas në tërësinë e jetës së saj, në përgatitje të ajvarit, në rrahje grash, në të “qeshur” me fatin e “të qenit të lidhur bashkë me lopë”, në të priturit e “menaxherit për t’u bërë këngëtare, në “cigaret e mërzisë” (marihuanë) etj, ky kalim pra dhe shtrirje e guras në të gjitha refleksionet e jetës së saj, është i pa pushtetin e regjisë klasike dhe ideologjike. Pa premtimin për një moral, pa motivin moralizues. Është jeta në tërë realen e pandjeshme të saj. Është regji bashkëkohore, e vetëdijshme, me mendimin e saj dhe e perfeksionuar në idenë e saj.

Por të nisemi nga fillimi, filmi i regjisores Zeqiraj në tërësi, prej filmit “Ballkoni”, “Gardhi” dhe deri tek “Shpia e Agës” është film i skenave në grup të aktorëve. Ndodhi që krijojnë dinamikën grupore dhe kakofoninë e jetës reale, është kërkim artistik në jetën që ndodh, jo të premtuar as të moralizuar. Aq më shumë Zeqiraj si regjisore në dy filmat e saj “Gardhi” dhe “Shpia e Agës” ka për trajtim vetëm gruan. Në të vërtetë, kur e shikojmë filmin “Gardhi” dhe “Shpia e Agës” struktura e personazheve është e njëjtë: një grup grash në tërësinë e shtrirjeve të refleksioneve të jetës së saj dhe një fëmijë djalë që “pështillet” rreth tyre. Është e çuditshme por në filmin “Gardhi” të regjisores Zeqiraj, festa e një numri konsiderueshëm të madh të grave të të gjitha moshave, gjatë tërë filmit, ngjanë me jetën klanore të filmit “The Sopranos” (film për mafinë dhe klanet mafioze të Amerikës). Gratë në filmin “Gardhi” e marrin si të mirëqenë rrahjen e gruas nga burri, si të përditshme shtrirjen e pushtetit të ‘klanit, dhe në thelb mbrojtjen e – racës, po sikur mafia dhe klanet mafioze në “The Sopranos”, në të vërtetë kjo ngjashmëri me burrin, apo gruaja e humbur në vazhdimësinë e burrit në to, është konotim i menduar i autores Zeqiraj. E tëra është mbrojtje e asaj që është brenda ‘gardhit’. Në të vërtetë gratë në këtë film janë vetë burrat.

Në këtë, duke iu kthyer ironisë së filmit “Shpia e Agës”, ky film rrëfehet brenda një institucioni, e që është zonë – zotit pas shpine. Është ‘leçitje’ e grave me tragjedi të pazgjidhshme. Por rrëfimi ndodh në kujdesin e autores së filmit që të jemi dëshmitar të gruas në të gjitha refleksionet e saj, para se ta marrim vesh këtë. Është shndërrim i një idile grash në ferr grash. Dhe pikërisht ky ferr është në pamundësinë e patriarkalizmit dhe të institucioneve të shoqërisë sonë për t’i bërë vend tragjedisë së gruas. Në të vërtetë rrëfimi krijon perspektivën e tij kinematografike reale, që ndodh, dhe na le të pavarur në dëshminë tonë ndaj këtij rrëfimi. Dhe po ashtu ky rrëfim mjeshtëror i autores Zeqiraj është – kalim krejtësisht i sofistikuar dhe i kapshëm për secilin, në shndërrimin e saj. Mbyllur, lëçitur dhe lënë në pazgjidhshmëri dhe pa relacion me shoqërinë, në “Shpinë e Agës” tërë filmi shpërfaq shtresat e mungesës së gruas. Pamundësinë e jetësimit të saj, si njeri dhe si raport ndërnjerëzor. Aq më shumë, gjuha në këtë rrëfim, si në shembullin e padallueshmërisë ndërmjet fjalës “shkinë” dhe “horvat”, armikut dhe mikut apo asaj që bashkëvuan (aktorja Rebeka Qena), kjo gjuhë është pikërisht mungesa e refleksionit të shoqërisë sonë, refleksionit si kalimit të Shtëpisë së Agës nga parajsa në ferr.

Pse ndodh ky sukses i regjisores Zeqiraj për t’i folur dhe për të mundur të krijoj një raport me shoqërinë tonë, më në fund? Gruaja dhe përvoja e gruas dhe raporti ynë me atë, në filmin e regjisores Zeqiraj është bërë i thënshëm. Është bërë i kapshëm. Dhe është bërë i rrëfyeshëm në raport me realitetin dhe bashkëkohësinë tonë. Narrativi/rrëfimi i kosovarëve për veten e tyre ishte tëhuajsuar aq shumë nga vetë përvoja jonë sa që vetë shoqëria e kishte ndëshkuar atë, qoftë nga moskuptimi, keqkuptimi apo edhe përsëritja jo reale e përvojës sonë. Filmi “Shpia e Agës”, mjeshtëri e përkryer rrëfimi kinematografik, duke qenë dëshmi për gruan sot, shndërrimin e saj gjatë kalimit nëpër përvojë të re kolektive, duke qenë në raport real me atë, kalon shkëputjen e shoqërisë sonë pikërisht nga rrëfimi ynë, në të gjitha fushat, dhe krijon estetiken e reales të lexueshme për ne. / KultPlus.com

Fotografja shfrytëzon kohën e izolimit të bëj portrete familjare, i fotografon nëpër dritare (FOTO)

Virusi korona dhe izolimi që i ka shkaktuar gjithë botës, ka goditur rëndë shumë biznese, mes tyre edhe atë të fotografisë. Kështu, ky virus ka goditur edhe fotografen Theresa Rooney, e cila në vend të që të fotografojë dasma, ka nisur të bëjë portrete familjare, duke i fotografuar njerëzit nëpër dritare shkruan KultPlus.

Ana dhe bashkëshorti i saj Mario janë izoluar në shtëpinë e tyre dy muajt e fundit për të shmangur kërcënimin e infeksionit me virus. Çifti për ta hequr sadopak mendjen nga izolimi, marrin dy fëmijët e tyre dhe afrohen tek dritarja ku e presin fotografen Rooney që t’i fotografojë.

Rooney zakonisht bën fotografi dasmash. Ky izolim, thotë ajo, i ka shkaktuar mjaft dëme pasi që tashmë janë të ndaluara shërbesat fetare dhe tubimet e mëdha.

Kështu 34-vjeçarja Rooney nisi t’iu bënte fotografi familjeve dhe çifteve që pozonin pranë dritareve apo tarracave të tyre. Ajo e reklamon pastaj aktivitetin e saj edhe në rrjetet sociale.

Rooney thotë se fotografitë që i bën, do t’iu shërbejnë familjeve si kujtesë, apo si dokument nga koha sa ishin në karantinë.

Ana dhe Mario mblidhen para dritares. Bashkë me ta edhe fëmijët. Rooney vjen dhe iu tregon se ku duhet të qëndrojnë dhe si të pozojnë. Ajo e shkrep aparatin dhe thërret e gëzuar: “E përsosur!”.

Kjo është familja e 15-të që Rooney ka fotografuar kohët e fundit. Ajo thotë se secila prej tyre është unike. Tutje, kujton ajo, një çift që po festonin përvjetorin e 48-të të dasmës.

“Ata ishin aq të lumtur dhe unë isha aty për të ndarë atë ditë të veçantë për ta” thekson Rooney.

Para se t’i fotografojë ajo bashkëbisedon me ta, i pyet se si po ia çojnë në izolim dhe çfarë presin të bëjnë porsa t’i kthehet jetës normaliteti.

Pasi i bën fotografitë familjes së Anës dhe Marios, iu premton se do t’jua dërgojë fotografitë me e-mail, shumë shpejt…

“Kjo është aq argëtuese” shprehet ajo, derisa shton se ky aktivitet e ka ndihmuar ta largojë mendjen nga izolimi. /bm/ /DW /KultPlus.com

Nismëtari i ‘afrobeatit’ Tony Allen vdes në moshën 79 vjeçare

Bateristi nigerian Tony Allen, themelues i zhanrit të muzikës ‘afrobeat’, ka vdekur në Paris të enjten në moshën 79 vjeçe, ka bërë të ditur menaxheri i tij.

“Nuk e dimë shkakun e saktë të vdekjes”, tha për AFP-në Eric Trosset, duke shtuar se vdekja nuk ishte e lidhur me koronavirusin.

Allen ishte bateristi dhe drejtuesi muzikor i bendit të famshëm të muzikantit Fela Kuti të quajtur Africa ’70 në vitet 1960-70.

Fela, ashtu si e quanin të gjithë, vdiq në vitin 1997. Ai kishte thënë njëherë se “pa Tony Allenin, nuk do të kishte ekzistuar ‘afrobeati’”.

Allen gjithashtu u quajt “bateristi më i mirë që ka jetuar ndonjëherë”, nga muzikanti britanik Brian Eno.

Jeta dhe karriera e Allenit u dokumentua në autobiografinë “Tony Allen: Bateristi Mjeshtër i Afrobeatit”, në vitin 2013.

“Afrobeat” kombinon elementet e muzikës ‘fuji’ nga Afrika Perëndimore me zhanrin ‘highlife’ së bashku me jazzin dhe funkun amerikan.

Allen, i lindur në Lagos në vitin 1940, mësoi vetë të bënte muzikë me bateri në moshën 18 vjeçare.

Ka thënë se e ka mësuar teknikën duke dëgjuar jazz-bateristët amerikanë si Art Blakey dhe Max Roach.

Allen e takoi Felan për herë të parë në vitin 1964 dhe krijuan me dhjetëra albume me bendin Africa ’70, përfshirë albumet “Gentleman” dhe “Zombie”.

Ai lëshoi bendin në vitin 1979, pasi u raportua se kishin mosmarrëveshje me udhëheqësin e bendit rreth të drejtave të autorit. Fela pas kësaj pati nevojë për katër bateristë për të mbushur zbrazëtinë. Allen imigroi në Londër në vitin 1984, dhe pastaj u shpërngul në Paris. Ai bashkëpunoi më shumë artistë gjatë karrierës së tij të gjatë. / KultPlus.com

Tripadvisor: Saranda e dyta mes 25 destinacioneve më të reja në botë për ta vizituar në 2020

Faqja e njohur e udhëtimeve turistike TripAdvisor ka shpallur listën me 25 destinacione, të cilat i sugjeron për t’u vizituar këtë vit.

Në renditjen e Tripadvisior, qyteti i Sarandës renditet në vendin e dytë, që duhet vizituar këtë vit. Vlerësimi bëhet sipas destinacioneve që panë rritjen më të madhe të vlerësimeve pozitive dhe sipas kërkesës së turistëve.

Saranda është një qytet që nga viti në vit, ka një rritje të numrit të turistëve të huaj që kalojnë pushimet në këtë vend.

Në vendin e parë të TripAdvisor, është krahina ruse e Kaliningrad, dhe pas saj vjen Saranda dhe pas saj Bejruti i Libanit.

25 destinacionet më të reja në botë sipas “TripAdvisor” janë si më poshtë:

Kaliningrad, Rusi

Sarandë, Shqipëri

Bejrut, Liban

Luxor, Egjipt

Naoussa, Greqi

Ishulli Rugen, Gjermani

Ishulli Phu Quoc, Vietnam

Monopoli, Itali

La Paz, Meksikë

Curaçao, Karaibe

Ile d’Oleron, Francë

Guayaquil, Ekuador

Tulsa, Okla., SHBA

Ipswich, BM

Franschhoek, Afrika e Jugut

Tangier, Marok

Takamatsu, Japoni

Cala d’Or, Spanjë

Petropolis, Brazil

Antwerp, Belgjikë

Mirissa, Sri Lanka

Alvor, Portugali

Winnipeg, Kanada

Darvini, Australi

Agra, Indi./ atsh/ KultPlus.com

Përmes artit, arkitekti shqiptar nga Finlanda në ndihmë të fëmijëve me autizëm

Situata e Covid -19 ka bërë që shumë njerëz të jenë më kreativ gjatë kohës së izolimit të tyre. Kështu ka ndodhur edhe me arkitektin kosovar Lulzim Behxheti, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Helsinki të Finlandës. Ai njihet si arkitekti i shtëpive ekologjike dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar portrete të ndryshme të miqve e personaliteteve shqiptare në një teknikë të veçantë me një laps e një letër të thjeshtë blloku. Kjo nismë nisi si një komunikim me miqtë në mungesë të tyre.

Duke parë që portretet në FaceBook u pëlqyen, ai nisi ta zgjeronte hartën e miqve, duke përfshirë edhe ata virtualë. Pas këtij pasioni dhe malli për miqtë lindi dhe ideja për ndërtimin një fondacion bamirësie të quajtur “ Vjosa “ me seli në Helsinki në mbështetje të fëmijëve me autizëm.

Qëllimi është hapja e një ekspozite në Bruksel e hapi tjetër mbajtja e një mbrëmje Gala në Prishtinë për të nxjerrë punimet në ankand. Të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm.

Arkitekti nuk është i fokusuar vetëm tek fëmijët me këtë sindromë, por edhe tek adoleshentët që kanë nevojë për një trajtim ekstra në këtë moshë delikate, në mënyrë që të fillojnë të jetojnë të pavarur, duke u integruar në shoqëri e duke u bërë pjesë e tyre.

Në galerinë e këtyre portreteve mund të përmendim familjen Ora ( të këngëtares Rita Ora ) atë të Kastriotëve, Adi Krasta, Vjosa Osmani, etj. Ambasadore e këtyre portreteve është princesha, siç e quan vetë arkitekti Alea Mehaj, Miss Bota për fëmijë, e cila jeton në Norvegji.

“E kam bërë miken më të mirë. Bashkë me të dhe me të tjerët synojmë të bëjmë mrekulli. Më e pakta që mund të bëjmë është shitja e portreteve, ndërkaq maksimumi që mund të bëjmë është t’i ndërtojmë 30 shtëpi modulare, të gjitha prej druri, për fëmijët me autizëm. Kam kontaktuar edhe me Shoqatën e personave me autizëm në Finlandë, për të na dhënë instruksionet e tyre se si të ndërtohen këto shtëpi. Ideja është që këto shtëpi do të ndikojnë që fëmijët me autizëm të ndihen të pavarur kur të arrijnë moshën madhore. Por, ato mund të përdoren edhe në formë të shkollave, për parashkollor dhe ciklet tjera” – përfundon ai. / Living / KultPlus.com

Historiku i 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës. /KultPlus.com

Shoqata e Bashkësisë shqiptaro-kanadeze në Toronto, dhuron maska me simbole kombëtare

Ndonëse në Kanada numri masiv i rasteve me virusin “Corona” ka arritur pas kontinentit evropian, masat mbrojtëse këtu janë marrë gati paralel me shumë vende të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Dhe tashmë kur po bëhen më shumë se gjashtë javë në karantinë të detyrueshme të shoqërisë kanadeze, nevoja për ndihmë ndaj njëri-tjetrit sa vjen e shtohet.  Meqë aktivitetet komunitare shqiptare janë anuluar të gjitha, aktivistët e mbledhur rreth Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos në Kanada kanë nisur aktivitetin e tyre human me dy gjeste me vlerë.

Organizata e famshme bamirëse në Kanada “Compass Food Bank” në Toronto që kujdeset për ushqime dhe veshmbathje për shtresat e ndryshme të kësaj shoqërie, por edhe për shpërndarje falas të ushqimit tek njerëzit me nevoja të veçanta, ka njoftuar se ka marrë disa maska si dhuratë nga shoqata më e madhe e komunitetit shqiptar të Kanadasë.

Maskat u dorëzuan nga kryetari i shoqatës Bujar Zejnullahu dhe nënkryetarja Irena Breznica, aktivistë të dalluar në komunitet prej disa vitesh. Ata, në emër të komunitetit shqiptar, falënderuan punonjësit dhe vullnetarët e “Compass Food Bank” për punën e tyre në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese për gjithë njerëzimin, me ç’rast shkëmbyen edhe përvojat e tyre në punët vullnetare në mbarëvajtjen e komunitetit në përgjithësi. Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare”, Zejnullahu theksoi se kanë dorëzuar rreth tridhjetë maska për punëtorët dhe vullnetarët e organizatës bamirëse në Toronto. Përmes një postimi në rrjetin e saj në Facebook, Organizata Bamirëse Kanadeze “Compass Food Bank” ka falënderuar shoqatën dhe komunitetin dhe drejtuesit e saj për dhuratën shumë të nevojshme në këtë kohë pandemie.

Vetëm pak kohë pas këtij gjesti human me shoqatën bamirëse të Torontos, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze “ka ndërmarrë një iniciativë për porositjen dhe shpërndarjen e disa maskave me motive shqiptare, edhe për komunitetin shqiptar këtu”. Sipas kryetarit të shoqatës, Zejnullahut, tashmë ka nisur pajisja me maska e anëtarëve të shoqatës, të cilët kanë nevojë.  “Maska të tilla do t’i dhurohen edhe bizneseve thelbësore shqiptare që operojnë në Toronto apo GTA (Greater Toronto Area), varet sipas kërkesave dhe mundësive që t’i mbërrijmë bizneset shqiptare në Ontatio”, thekson Zejnullahu.

Maskat me ngjyrë të kuqe dhe të kaltër u punuan nga stilistja e njohur shqiptare Tatjana Kaci- Sherifaj, ndërkaq stemat e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës u vendosën nga aktivistët e vetë shoqatës. Stilistja në fjalë para disa ditësh ka qenë personazh human edhe në gazeta nga fakti se kishte nisur prodhimin e maskave mbrojtëse për komunitetin. Maska e prodhuar me dorën e Tatjanës është maskë pambuku dhe me një filtër, e cila ndihmon në mbrojtjen e fytyrës nga infektimi i mundshëm, andaj prej lancimit të projektit te saj, ajo ka hasur në mirëkuptim edhe të komunitetit shqiptar, por edhe të shoqërisë kanadeze.
“Duke e parë interesimin dhe nevojën e anëtarëve tanë, ne e pamë të arsyeshme që t’i ofrohemi butikut të Tatjanës, e cila na ka dhuruar falas disa maska, ndërsa disa të tjera i kemi paguar nga buxheti i shoqatës. Ideja është që ne duke blerë e shpërndarë të ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë derisa të kalon pandemia, për fundin e së cilës po lutemi të gjithë”, përfundo Zejnullahu.

Drejtuesit e Shoqatës u bëjnë thirrje të gjitha bizneseve thelbësore shqiptare në Toronto të lajmërojhen në e-mailin: [email protected]  ose të kontaktojnë dikë nga kryesia e shoqatës për t’u pajisur me maska mbrojtëse. / KultPlus.com

Konkurs për artistët e rinj, tema qendrore, “Hapësira e jetuar”

Një konkurs ndërkombëtar, për të ndihmuar artistët e pavarur edhe për të ringjallur artin, ky është propozimi i Institutit Italian të Kulturës, në këtë periudhë të vështirë që çdo aktivitet është pezulluar për shkak të Covid 19.

“Në këto momente po diskutohet shumë, se si mund të ndihmojmë artistët e pavarur, që s’kanë një galeri që t’i mbrojnë. Kemi vendosur, që të jenë të datëlindjes së pas vitit 1979, sepse në vështirësi më të mëdha gjenden veçmas artistët e rinj. Nuk ka kufizime nacionaliteti, të gjithë artistët që kanë marrë pjesë të paktën në tre ekspozita mund të marrin pjesë”, thotë drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Alessandra Bertini Malgarini. 

Tema që do të trajtojnë artistët është “Hapësira e jetuar – Ndryshime të perspektivës për dekadën e ardhshme”.

 “Është një reflektim në hapësirën tonë, në hapësirën që jetojmë aktualisht. Me këtë projekt në varësi të situatës do të bëjmë edhe një ekspozitë me këta 25 artistë që do të përzgjidhen”, shprehet drejtoresha Alessandra Bertini Malgarini.

Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë teksa shprehet se ministria e Kulturës në Itali, do të ndihmojë artistët e pavarur me fonde, përfundon se ekspozita në Tiranë do të prezantohet brenda dhjetorit të vitit 2020. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Kurti: Papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook është shprehur se 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Ai tutje papunësinë e sheh si sfidën më të madhe në vendin tonë.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit.

PËR PUNË, TË DREJTA, E DINJITET

Të dashura punëtore e të dashur punëtor,

Rëndësinë e punës që ju bëni çdo ditë nuk mund ta reduktojmë në një ditë. 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Përmes tyre e kuptojmë se kundërthëniet mes kapitalit dhe punës, pronarit dhe punëtorit, nuk kanë përfunduar. Prandaj sot kemi aq shumë sfida të punëtorëve para vetes.

Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë.

Por as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve. Puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim. Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore.

Kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë. Kurse kjo pandemi e ka kthjelltësuar këtë domosdoshmëri. Pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Pa të, ai as nuk krijohet e as nuk na shpëton nga sëmundja.

Duke e ditur se pasuria krijohet kolektivisht nga ju, por akumulohet individualisht nga pronarët, rishpërndarja bëhet e nevojshme. Ajo është drejtësia sociale që e mban bashkë popullsinë. Pa të, mundësitë e barabarta nga stadi i pabarabartë riprodhojnë pabarazi. E këtë drejtësi nuk e shtyen askush më shumë sesa një Qeveri socialdemokrate.

Me Pakon Fiskale Emergjente jemi siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria. Dhe, kjo të vlejë edhe për ata punëtorë në ekonominë joformale, por me kushtin që punëdhënësi t’ua sigurojë një kontratë njëvjeçare. Ndërsa për punëtorët që e humbin punën, kemi siguruar një asistencë të përkohshme deri në një zgjidhje më afatgjatë. Pikërisht Pakoja e dytë, ajo për Rimëkëmbje Ekonomike, do të përfshijë një skemë kombëtare të punësimit.

Si aktivist kam qenë gjithnjë pranë jush. Si Kryeministër në detyrë jam pranë jush. Në mbështetje të organizmit sindikal e të respektimit të Ligjit të Punës si mënyra e forma për avancimin e të drejtave tuaja. Duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat institucionalë për ta rritur punësimin, sigurinë e të drejtat në punë.

Për aq sa shoqëria organizohet rreth ekonomisë e për mirëqenie, përpjekja do të vazhdojë. Për aq sa vazhdon përpjekja, do të jem krah jush. Për punë, të drejta, e dinjitet. / KultPlus.com

Filip Gjergji, themeluesi i koreografisë shkodrane, feston 93-vjetorin e lindjes

Filip Gjergji i lindur 1 maj 1927 njihet si themeluesi i koreografisë shqiptare në Shkodër. Pinjoll i familjes së njohur Gjergji të ardhur nga Mirditë në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës para qindra vitesh është i afërm dhe i përfaqësuesit kualitet të jareve shkodrane Ndrek Gjergji, shkruan KultPlus.

Bashkohës dhe koleg i personaliteteve të artit si Fadil Kraja dhe Prenk Jakova, Filipi është dhe autor i disa botimeve si “Barcoleta shkodrane”, “Për Shkodrën dhe njerëzit e saj” si dhe pritet të botojë Historikun e Serenatës së parë të mbërritur nga Spanja në qytetin e humorit, argëtimit dhe kulturës.

Gjergji u radhit në grupin më të madh të valleve me artistë të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Në këtë grup kërceu si solist në disa valle.Ky grup iu bashkëngjit Ansamblit Kombëtar Popullor që mori pjesë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest. Kanaçi, nga kujtimet e tij, më ka treguar se”në këtë evenimet Filip Gjergji ishte korifeu i disa valleve popullore, me të cilat la mbresa të thella,një baletmaestër hungarez foli mbi finesën e tij.”Për fat të keq grupi u shpërnda, sapo erdhi nga Hungaria…” Në vitin 1949 Filipi u emërua koreograf në Shtëpinë e Kulturës ,Shkodër,të cilin e drejtonin tre personalitete:Prenk Jakova,kompozitor, AndreaS, regjisor dhe Filipi.

Vlerësimet për Filip Gjergjin mbeten gjithnjë në kontekstin,jo vetëm të mirënjohjes për një mësues,po shtrihen më gjërë në parimet e kujtesës , kur na duhet të kthejmë sytë dhe të shohim se si jeta e një artisti sillet në hapësirën e kohës, por i tejkalon ato në përmasat e dhënies së ndihmesës për artin,sidomos për artistë të tillë që vunë bazat e koreografisë kombëtare dhe, me modelin e tyre, bëhen shembull frymëzues për artistët e rinj.Arti i fuqishëm mbetet gjithnjë një përcjellje vlerash që ushqjejnë njëra tjetrën si rrjedhat e një lumi të pashtershëm.Në këtë hulli Filip Gjergji është një shembull frymëzues dhe ,nga krijimtaria e tij e niveleve të larta artistike, jo vetëm mund të mësosh, por edhe frymëzohesh… /KultPlus.com

Lumi i Vjosës, trashëgimi natyrore dhe potencial i madh turistik

Presidenti Ilir Meta, ndërsa ka vizituar Këlcyrën, tha se lumi Vjosa është një trashëgimi natyrore dhe një potencial i madh për turizmin.

Meta thekson se Vjosa mbetet lumi i fundit i egër në Europë, i cili është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik.

“Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik. E duam Vjosën dhe duhet ta mbrojmë! Nga Këlcyra ju uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme!”, shprehet Meta. /atsh/ KultPlus.com

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre, transmeton Kosova Press.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës. / KultPlus.com