Aktorë yje të Hollywoodit pritet të jenë pjesë e filmit të ri “Gucci”

Robert De Niro, Al Pacino, Adam Driver dhe Jared Leto, janë në bisedime e sipër për t’u angazhuar me rol në filmin e ardhshëm të regjisorit Ridley Scott, “Gucci”.

Drama kriminalistike e bazuar në ngjarjen e vërtetë të vrasjes së afaristit italian dhe ish-drejtorit të shtëpisë së famshme të modës, Maurizio Gucci, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në vitin 1995, pritet ta përfshijë një ekip të madh të aktorëve yje, transmeton Koha.

Në mesin e tyre janë edhe aktori i filmit “American Hustle”, Jack Huston dhe këngëtarja e shndërruar në aktore, Reeve Carney.

Lady Gaga tashmë është konfirmuar për portretizimin e Patrizia Reggianit, ish-gruaja e Guccit e cila ishte dënuar për orkestrimin e vrasjes së tij, pas një afere jashtëmartesore.

Skenari është shkruar nga Roberto Bentivegna dhe bazohet në librin e autores Sara Gay Forden, “The House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madness, Glamour, and Greed”.

Giannina Scott vjen në rolin e producentes së filmit së bashku me burrin e saj, ndërsa prapa realizimit të këtij projekti kinematografik gjendet studioja “MGM”. Kjo kompani tashmë ka nënshkruar marrëveshje në realizimin edhe të dy filmave të tjerë që për protagonist do t’i kenë aktorët Ryan Gosling dhe Channing Tatum.

Regjisori 82-vjeçar, Ridley Scott, planifikon ta fillojë punën rreth realizimit të filmit menjëherë pasi ta përfundojë projektin “The Last Duel”. Drama me protagonist aktorët, Ben Affleck dhe Matt Damon, është pezulluar përkohësisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Gucci” pritet të lansohet për publikun e gjerë më 24 nëntor të vitit 2021.

Kanga që s’kuptohet

Poezi nga Migjeni

Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun… / KultPlus.com

Përfundon kolonia artistike Art Camp, Sajmir Strati: Sllupçani dhe arti janë një familje

Suada Qorraj

Kolonia artistike e maleve të Sllupçanit “Art Camp” ka përfunduar edicionin e saj të dytë. Për katër netë me radhë Komuna e Likovës është bërë qendër e artit, ku shumë artist, adhurues të pikturave, muzikë e filmit shfaqën talentin e tyre përgjatë mbrëmjeve të freskëta të maleve të Maqedonisë Veriore.

Drejtori i Art Camp Adrian Kadrija ka thënë se ndonëse pandemia ka kufizuar procese e punë të shumta programi i këtij viti ka pasur shumë aktivitete interesante si dhe një respektim të rregullave për parandalimin e pandemisë.

“Pandemia ka kufizuar shumë punë, por si do qoftë programi ka qenë plotë i mbushur me aktivitete interesante, janë respektuar rregullat e mbajtjes së maskave dhe dezinfektuesve. Çdo ditë ka pasur diçka te re, e veçanta ishte edhe ligjërata nga Metin Izeti, ku në natyë biseduam për artin dhe të vërteten”, ka deklaruar ai.

Edicioni i dytë i kolonisë artistike krahas pikturës ka qenë mbushur edhe me komedi, shfaqje muzikore dhe filma të metrazhit të shkurtër. “Ballkoni”, “Ajo”, “Më fal” dhe “Toka” janë vetëm disa nga dokumentarët që  të përkuan netët e freskëta verore në koloninë e malit të Likovës.

Sipas Kadriaj pjesëmarrësit dhe vizitorët e maleve të Sllupçanit dhe kolonisë artistike kanë qenë të habitur nga mikpritja që kanë bërë banorët e këtij fshati.

“Gjithsej ishin 45 artistë pjesëmarrës dhe shumë vizitorë, te gjithë kaluan bukur në gjithë ngjarjet artistike që kanë qenë në program. Vizitorët dhe pjesëmarrësit që kanë ardhur në Sllupçan, kanë qenë të habitur dhe shumë mirënjohës nga mikpritja e fshatarëve te këtij fshati” ka pohuar ai.

Kolonia artistike këtë vit ka mirëpritur mbi 25 pjesëmarrës nga shumë qytete shqiptare, Korça, Mitrovica, Suhareka, Prizreni, Kërçova, Tetova, Tirana, Prishtina, Gostivari, Shkupi, Struga e Gjakova.

Sipas Adrian Kadriaj kolonia dhe Sllupçani nuk mund të përshkruhen më mirë se sa me fjalët e artistit nga Shqiperia, Sajmir Strati, që Sllupçani dhe arti janë një familje.

“Siç ka thënë edhe artisti i madh nga Shqipria Sajmir Strati, Sllupçani dhe arti janë një Familje. Është e vërtetë qe ka shumë gjëra të shtrenjta ne botë, por asnjë gjë nuk është më e shtrenjtë se familja, e Sllupçani është një familje”, ka deklaruar drejtori i Art Camp.

Kadriaj ka shtuar se banorët e këtij vendi kanë nevojë për art, madje sipas tij ata janë të uritur për art dhe është detyra e kësaj kolonie artistike që të ofrojnë art sa më shumë që të munden në ditët në vijim. Ai shpreson që vitin tjetër të gjejnë përsëri përkrahje nga Ministria e Kultures dhe Komuna e Likovës.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme në faqen zyrtare të Art Camp në Facebook është njoftuar se lokacioni i Art Camp për vitin e ardhshëm do të ndryshoj kjo për shkak se disa nga banorët e fshatit janë kundër kësaj ideje e kolonie.

Në postim gjithashtu thuhet se përgjatë netëve të Art Camp 45 pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë për fshatin dhe malet e Likovës. Sipas tyre Art Camp nuk ka qenë më i zhurmshëm sesa dasmat.

Tutje në njoftimin e tyre ata kanë falënderuar banorët e fshatit Sllupçan për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre si dhe kanë shtuar se kolonia artistike e maleve të Likovës do të shkoj në një vend të ri shumë larg fshatit Sllupçan, por jo për të festuar e  e lëshuar muzikë më shumë. / KultPlus.com

Pacolli rrëfen bisedën që kishte me Nënë Terezën në një udhëtim biznesi në Kalkuta

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka ndarë momente të një diskutimi që kishte pasur kohë më parë me Nënë Terezën.

Pacolli shprehet se takimi kishte ndodhur në fund të viteve ’70-të, ndërsa ai po bënte një udhëtim biznesi në Kalkuta të Indisë, njofton Klan Kosova.

”Ti po fle në hotel?

Paratë e hotelit jepja të varfërve dhe hajde fli në misionin tonë, më tha Nëna Terezë, kur shkova me e takuar në fund të viteve 70 në një udhëtim biznesi në Kalkuta të Indisë. Mora mësimet e kursimit dhe bujarisë prej saj, të njëjta me ato të gjyshit Osman.

Sot në 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, duhet të përulemi me respekt para kësaj figure të madhe të kombit. Ajo është shndërruar në markë botërore e shqiptarëve.

Na njohin më mirë për shkak të saj.

Jemi më të mirë në sytë e botës dhe për shkak të saj. Unë me leksionin që mora në Kalkuta në 1979, u bëra më i mirë”.

Greqia kërkon që Shqipëria të harrojë historinë

Athina ankohet për Shqipërinë në Komisionin Europian: Duhet të ndryshojnë urgjentisht librat e historisë dhe gjeografisë.

Greqia akuzon Shqipërinë se nuk po zbaton një marrëveshje për ndryshimin e teksteve në librat e gjeografisë dhe të historisë, duke vazhduar të kultivojë, sipas Athinës “irredentizëm”.

Shqetësimi është ngritur deri në Komisionin Europian nga eurodeputeti grek i “Demokracisë së Re”, Manolis Kefalogiannis.

Eurodeputeti grek thotë se më 2018, të dyja palët ranë dakord që të hiqnin nga librat e gjeografisë dhe të historisë referenca që lidhen me “territoret shqiptare në Greqi”, përfshirë këtu edhe ilustrimet, si harta, foto e të tjera.

“Sipas autoriteteve të Bashkimit Europian, kjo kërkesë themelore do të forconte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të siguronte që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të mos keqinformohen”, thotë eurodeputeti grek.

Sipas eurodeputetit të “Demokracisë së Re”, ndryshimet në librat e historisë dhe gjeografisë duhet të hynin në fuqi në shtator të 2019. Ai thotë se deri më tani nuk ka asnjë zhvillim për këtë temë dhe akuzon palën shqiptare se ka refuzuar vazhdimisht kërkesat për informacion mbi këtë çështje nga ana e Athinës.

Kefalogiannis i kërkon Komisionit që të ndërmarra hapa të nevojshme për t’u siguruar që Shqipëria të përmbushë zotimet e saj dhe të heqë nga librat, sipas tij, “tendencat irredentiste kundrejt një vendi anëtar të Bashkimit Europian”.

Sipas gazetës SI shqetësimi i Athinës lidhet kryesisht me përdorimin e terminologjisë, komenteve dhe përcaktimeve gjeografike e territoriale të Çamërisë në librat e historisë dhe të gjeografisë shqiptare. Greqia kërkon prej vitesh ndryshimin e këtyre teksteve/Dita.

Kampionati Botëror i Tangos mbahet virtualisht

Kampionati Botëror i Tangos, që mbahet çdo vit në Argjentinë, do të nisë sot – por në vend se të mbahet në një arenë në Buenos Aires gara do të zhvillohet online.

Kjo garë e vallëzimit do të organizohet vetëm virtualisht për shkak se Argjentina ka raportuar 8713 raste të reja me COVID-19 vetëm të hënën që është shifër rekorde.

Gjyqtarët e jurisë do të vlerësojnë videot e dërguara nga konkurrentët që tani lejohen të garojnë edhe individualisht.

I pari i kulturës në Buenos Aires Enrique Avagardo tha se “do të jetë më ndryshe, por me të njëjtën energji sikur viteve të kaluara”, transmeton Klan Kosova.

Por,  me vendimin që Kampionati Botëror i Tangos të organizohet në këtë mënyrë nuk janë pajtuar të gjithë.

Virginia Vasconi, një koreografe dhe anëtare e rregullt e jurisë tha se “ta dërgosh një video që mund ta editosh nuk është e njëjta gjë sikur të vallëzosh në skenë para jurisë”.

Dumoshi kujton Shën Nënë Terezën, në rastin e përvjetorit të lindjes së saj

Ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, ka kujtuar Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Shën Nënë Tereza në përvjetorin e 110 të lindjes.

Dumoshi ka shkruar në facebook se Bojaxhiu është figurë e madhe që u përket të gjithëve, dhe e cila me fuqinë e saj hyjnore, ia doli të pushtojë zemrën e njerëzimit dhe të qytetarëve të mbarë botës, njofton Klan Kosova.

“Në ditëlindjen e saj lutemi për dashurinë e pakushtëzuar të cilën përpiqemi ta plotësojmë çdo ditë me gjëra të vogla – siç do të thoshte vet ajo”.

“Sot kujtojmë dhe lutemi me lutjet e saj për ndershmëri, sinqeritet dhe shërbim në ndihmë të njerëzve”.

“Nënë Tereza solli shpresën e paqen tek secili njeri që preku, por edhe të atyre që e ndoqën në misionin e saj”.

“Nderojmë me përulje veprën frymëzuese të Nënë Terezës e cila hapi horizonte të reja gëzimi e shprese në botë. Vepra e saj humane mbetet githmonë një burim i pashterrshëm frymëzimi për ne”, ka shkruar ajo.

Qeveria miraton master-planin për fillimin e vitit të ri shkollor

Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për fillimin e vitit shkollor 2020/21 ku Ministrisë së Arsimit i janë ndarë 9 milionë euro të cilat kjo e fundit ka kërkuar për realizimin e mësimit në kushtet e pandemisë.

Nga këto fonde, të ndara nga plani për rimëkëmbje ekonomike, përfshihen edhe mësimi online dhe mirëmbajtja e shkollave sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Në mbledhjen e qeverisë u bë e ditur se nuk do të ketë punësime shtesë në arsim për shkak të pandemisë, veçse do të ketë studentë rezervë që do të shërbejnë në rast nevoje.

E ministri i Arsimit Ramë Likaj tha se procesi mësimor parashihet të fillojë në tri faza.

“Vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor e marrim menjëherë pasi Qeveria e Kosovës të aprovojë master-planin dhe kërkesën për buxhet të cilën ne po e bëjmë sot, ky vendim parasheh fillimin e vitit të ri shkollor në tri faza – faza e parë pikërisht në datën 1 shator qysh është planifikuar gjithmonë për arsimin parashkollor për klasën 1,2,3, 6 dhe 10. Më datën 7 shator është faza e dytë për klasën 4, 5, ndërsa më datën 10 shator është për klasën 7, 8, 9, 11 dhe 12. Task- forcat e krijuara në kuadër të DKA-ve do të vendosin cilin prej tre skenarëve e zbatojnë”, tha ai.

Sipas ministrit të Arsimit, duhet të shihet çdo dy javë se si do të vazhdojë procesi mësimor.

“Nuk mund të bëjmë plane më shumë se për dy javë sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe duhet gjithmonë task-forcë të raportojë në mënyrë ditore, por në baza javore ose dy javore të merren vendime se në cilin skenar, cili institucion mund të vazhdojë procesin mësimor. Ka disa shkolla që mund të punojnë plotësisht, sepse kanë numër të vogël të nxënësve, kanë kushte më të mira dhe mund të punojnë në skenarin A, pa e ndërprerë procesin mësimor”, tha ai.

Likaj tha se në plan është e qartësuar se kur duhet të mbyllet institucioni arsimor në rast se paraqiten raste të infektimit.

Mbi 9 milionë euro i janë ndarë Ministrisë së Arsimit për të realizuar mësimin gjatë pandemisë, ku u tha se një rëndësi i kanë kushtuar dezinfektimit të hapësirave shkollore, që sipas ministrit Likaj, është paraparë të behët dezinfektimi çdo ditë pas të përfundojë mësimi.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se për vitin 2020 do të ndahen 4 milionë euro, ndërsa 5 milionë të tjera për vitin 2021, fonde këto nga plani i rimëkëmbjes ekonomike.

“Për të mos pasur probleme në ekzekutim, ne jemi pajtuar që pjesë e propozim- vendimit është edhe pjesa e aneksit që direkt fondet që nevojiten për aktivitetin e komunave shkojnë direkt të buxheti komunal dhe ministria normalisht i mbikëqyrë. Për shkak të ligjit dhe legjislacionit aktual nuk do të ketë rritje të numrit të stafit, po flas për personelin arsimor, normat shtesë për punëtorët aktual që janë, mund të ketë angazhime shtesë të studentëve për me qenë pjesë rezervë”, tha ai.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se mësimi online do të bëhet edhe në gjuhët e komuniteteve, dhe në master-plan janë paraparë protokollet për sjellje të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve nëse ndodh ndonjë infektim me COVID-19.

“Janë bërë përgatitjet për vendosje ne shenjave informuese nëpër shkolla se si duhet të mbahet distanca, maska, parashihen dhe materialet e tjera për dezinfektim. Pastaj, roli që do të ketë inspektorati i arsimit për të ndihmuar shkollat në respektimin e masave por edhe për të inspektuar, për të siguruar që ato masa respektohen nga shkollat. Është punuar gjatë këtyre ditëve në trajnimin e mësimdhënësve për mësimin online dhe besoj që po bëhen përgatitjet edhe për një liste rezervë të mësimdhënësve varësisht prej nevojës që kanë komunat në rast se duhet të ndahen klasat në gjysmë për të zvogëluar numrin e nxënësve për klasë”, tha Hoti.

Shkollat në Kosovë janë mbyllur në mesin e muajit mars të këtij viti kur edhe janë identifikuar rastet e para me COVID-19 dhe procesi mësimor është mbajtur në distancë. / Klan Kosova / KultPlus.com

Për nder të 110 vjetorit të lindjes së saj promovohet libri kushtuar Nënës Terezë

Suada Qorraj

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni në Bashkëpunim me Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta për nderë të 110 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë ka promovuar librin “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, e autorit Skënder Aasani, shkruan KulPlus.

Në promovimin e mbajtur pranë shtatores së Nënës Terëzë, në Prishtinë, Skënder Asani ka thënë se Gonxhe Bojaxhiu është shkupjania jonë, e Nëna e botës mbarë. Ai është shprehur i gëzuar për faktin se nga kryeqendra e Dardanisë po sjellë hapërimin e kalldrëmit të çarshisë të vjetër të Shkupit.

“Unë them shpesh se Gonxhe Bojaxhiu është Shkupjane e jona, ndërsa Nënë Terëza është e botës mbarë. Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që sot këtu në Prishtinë, të sjellë nga kryeqendra e Dardanisë jehonën e një hapërimi të imtë nëpër kalldrëmin e çarshisë të vjetër të Shkupit, do të kalojnë 110 vite dhe ky hapërim do të bëhet gjithnjë e më kumbues për kohën që shkoj, e sidomos për atë që do të vijë, sepse njerëzit e mëdhenj siç ishte Nënën Tereza vijnë në këtë botë për të mbjellë farën e dashurisë dhe ngrohtësinë njerëzore”, ka deklaruar Asani.

Tutje ai ka shtuar se në kuadër të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni themeluar një departament që merret kryesisht me studimin e jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës. Sipas tij ky departament do të ndihmoj në shndërrimin e trashëgimisë të Nënës Terezë në një aset nacional.

Asani ka thënë se pllaka përkujtimore e gavruar në gjuhën shqipe mu në qendrën e Shkupit ka kthyer gjuhën e Nënës Terezë në gjurmët e themeleve dhe shtëpinë e lindjes së saj.

Ndërkaq zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se botimi i këtij libri vërteton një të vërtetë për Gonxhe Bojaxhiun që na bënë krenar të gjithëve.

“Ky botim përveç që ngërthen në vete të dhëna faktike empirike studime të sakta rreth jetës, veprimtarisë, biografisë së Nënë Terezës, reflekton edhe mbi trungun familjar, shkollimin e saj, babain e saj që e vërteton saktë një të vërtetë që ne e dimë, që një shqiptare që na bënë krenar të gjithëve me punën e saj me angazhimin e saj i ka bërë nderë kombit, vendit, vendlindjes dhe të gjithë neve”, ka thënë Tahiri gjatë promovimit të këtij libri.

Ipeshkvi Don Lush Gjergji ka pohuar se promovimi i këtij libri si dhe promovimi i pllakës përkujtimore në gjhunë shqipe mu në qendër të Shkupit nderon familjen e Gonxhe Bojaxhiut, shkollën shqipe ku ajo kreu vitet e para të shkollës e mbi të gjitha na nderon të gjithë ne sepse Nënë Tereza është nëna e bija jonë që dëshmoi krishterimin tonë të lashtë arbëror dhe shqiptar si dhe vlerat e kombit tonë.

Sipas tij ishte Nënë Tereza ajo që i dha vulë dëshmisë për traditën tonë të lashtë, bukë kryp e zemër.

“Kush ma mirë se Nënë Tereza e ka dëshmuar këtë traditë, bukë, kryp dhe zemër si dhe shtëpinë e zotit e mysafirit. S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe mjerë ajo shtëpi e cila nuk ka pleq dhe fëmijë”, tha ndër të tjera Don Lush Gjergji.

Ai ka shtuar se Nëna Terezë është dhe do të mbetet e pavdekshme prandaj sipas tij ne na mbetet që ta kujtojmë e ta imitojmë atë.

“Nëna Terezë ishte, është dhe do të mbetet një shqiptare e madhe dhe e pavdekshme tashmë edhe ndërmjetësuese para zotit për të gjithë ne. Kurse neve na mbetet një borxh i madh që gjurmëve të saja të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë por mundësisht edhe ta imitojmë”, përfundoj ipeshkvi.

Recensenti i librit “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, Mehmet Prishtina, gjatë këtij promovimi tha se recensionin e tij e kishte titulluar “gjetja e copëzave gati të humbura të një mozaiku shpirtëror” sepse ky libër synon që të rikthej në binarët e duhur studimin dhe hulumtimin shkencor mbi një traditë pak a shumë të mohuar por asnjëherë të harruar.

Ai ka shtuar se në këtë libër për herë të parë bëhen publike fotografi, faksimile e disa letra origjinale që Nëna Terezë i kishte dërguar familjes së saj.

“Aspekti i dokumentar dhe arkivor këtë libër e bënë më të besueshëm në sytë e lexuesit për faktin që përpos jepet një tablo më e zgjuar e historive individuale të familjeve katolike shqiptare në Shkup për herë të parë bëhet publike edhe disa dokumente, fotografi e faksimile përfshirë edhe letra origjinale e Nënë Terezës dërguar familjes së saj” ka deklaruar Prishtina.

Profesoresha Migena Orlati ka vënë në pah faktin që historia jonë çdoherë ka pasur burra të fuqishëm, por sipas saj ishin gratë, motrat e nënat shqiptare ato që humanizmin e kishin pjesë të jetës së tyre.

“Është shumë interesant se në historinë tonë shqiptare gjithmonë kemi pasur burra të fuqishëm, po ashtu duhet të kthejmë sytë nga nënat, motrat nga ato të cilat patriotizmin e kishin në mendje përpara se ta kishin si veprim, ato të cilat humanizmin e kishin në çdo sjellje, në çdo fjalë dhe gjatë gjithë jetë së tyre e promovuan qoftë si nëna, si bija apo si humaniste të të gjthë botës sikurse që ishte nëna jonë e shtrenjtë Nënë Tereza” ka deklaruar ajo.

Tutje Orlati ka shtuar se ky libër por edhe monumentet që janë kushtuar Nënës Terezë anë kënd trojeve shqiptare dhe Evropës shënojnë vulën e saj të përjetësisë.

Gjatë ditës së sotme në qytetin e Shkupit është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar Nënës Terezë. Pllaka e re e cila është rindërtuar në vendin ku ishte shtëpia e lindjes së Nënës Terezë do të jetë në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Berlin Film Festival nga viti i ardhshëm me kategorin e çmimeve ”Performanca më e Mirë Drejtuese”

Berlin Film Festival nga viti i ardhshëm do të ketë ndryshime në ndarjen e çmimeve, shkruan KultPlus

“Ky vendim do të vlej për festivalin e vitit të ardhshëm, i cili do të mbahet në peridhën 11-21 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Berlin Film Festival, nga viti i ardhshëm në kategorin e çmimeve nuk do të ketë më çmime si aktori më i mirë apo aktorja më e mirë, por çmimi i vetëm do të jetë ”Performanca më e Mirë Drejtuese”.

Organizatorët e Berlinale, Mariette Rissenbeek dhe Carlo Chatrian, thanë se “mos ndarja e çmimeve në fushën e aktrimit sipas gjinisë përfshin një sinjal për një vetëdijësim më të ndjeshëm gjinor në industrinë e filmit”.
Ky vendim do të vlej për festivalin e vitit të ardhshëm, i cili do të mbahet në peridhën 11-21 shkurt 2021″, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Testi i Maturës do të mbahet duke respektuar masat anti – covid

Testi i Maturës do të mbahet këtë të shtunë, nën masa të shtuara të sigurisë shkaku i pandemisë COVID-19.

Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të ditur se “testi i maturantëve do të mbahet në masa të shtuara të kujdesit, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithë pjesmarrësëve në këtë proces”.

Në ditën e shtunë, kur edhe do të mbahet testi, do t’u ndalohet hyrja në qendrat e testimit të gjithë personave të paautorizuar, kurse mediat do të mund të kenë qasje me qendrat e testimit deri në orën 9:30.

Testi i Maturës i cili ishte paraparë të mbahej në muajin maj, me vendim të Ministrisë së Arsimit është shtyrë për në muajin gusht shkaku i pandemisë COVID-19.

Ekspozitë retrospektive në kuadër të përkujtimit të 110-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës

Rrugëtimi jetësor i Gonxhe Bojaxhiut, duke përfshirë fëmijërinë, rininë dhe aktivitetin e saj human është bërë temë ekspozite për 110 vjetorin e vdekjes së saj në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, përcjell KultPlus.

Ekspozita e hapur në Hollin Kryesor të Muzeut, do t’i pres vizitorët deri më 6 shtator, teksa ishte organizuar edhe një vit më parë.

“Kjo ekspozitë është organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në vitin 2019 me rastin e 3-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza”, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar. / KultPlus.com

Korça përgatitet për Festivalin e Komedisë, kësaj radhe në ambient të hapur

Festivali i Komedisë në Korçë do të nisë në 8 shtator ndërsa për shkak të numrit të kushtëzuar të publikut secila shfaqje do të luhet për disa ditë me radhë për të krijuar mundësinë që të gjithë të shijojnë humorin e “Koko Fest”.

Prej shtatë vitesh komeditë e realizuara nga trupat teatrale nga gjithë trevat shqipfolëse, bëhen bashkë në Korçë në Festivalin e Komedisë “KoKo Fest”.

Tri skena të improvizuara në ambient të hapur, oborri i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Hani i Pazarit dhe parku “Rinia” do të mirëpresin publikun korçar dhe vizitorët.

Me pjesëmarrjen e trupave nga Korça, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Tetova, ky festival nuk i ka ndryshuar rregullat për sa i përket garës dhe çmimeve, ku trupat profesioniste do të marrin vlerësime nga një juri e përzgjedhur./atsh / KultPlus.com

Ndikimi i Dua Lipës, 126 foshnje në Britani më 2019 morën emrin e saj

Këngëtarja Dua Lipa dhe personazhi i filmit “Star Wars”, Kylo Ren, janë mes ndikuesve më të mëdhenj në zgjedhjet e prindërve për emrat e foshnjeve të tyre, sipas të dhënave më të fundit.

Zyra e statistikave kombëtare në Britaninë e Madhe bëri të ditur se numri i bebeve të quajtura Dua u dyfishua në vitin 2019, krahasuar me 2017-ën kur këngëtarja shpërtheu në Britaninë e Madhe me “New Rules”.

Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare, 126 foshnje u pagëzuan Dua gjatë vitit të kaluar në Britaninë e Madhe, krahasuar me 63 në vitin 2017, duke sugjeruar se ashtu si hiti i parë i saj që arriti majat në Britaninë e Madhe, këngëtarja ka vendosur rregulla të reja për sa i takon frymëzimit për emra.

Popullariteti i Kylo Renit është rritur ndërkohë që kur filmat “Star Wars” nisën së transmetuari në vitin 2015. Sidoqoftë, Oliver dhe Olivia mbesin ende emrat më të përzgjedhur në Angli dhe Uells, me më shumë se 8 mijë foshnja që morën këta emra në 2019, transmeton Top Chanel. / KultPlus.com

Oğuz Atay: Sepse të duash nuk është një punë e lehtë sikur ta vazhdosh një libër të lënë gjysmë

Oğuz Atay është romancier turk, shkrimtar dhe dramaturg, i lindur në 1934. Ai shkroi veprat e tij me të kuptuarit e postmodernizmit. Ndërsa shkruante, ndikohej nga shkrimtarë të famshëm si Dostojevski, Franz Kafka, Xhejms Xhojs dhe Vladimir Nabokov. Disa nga veprat e tij janë: “Lojëra të rrezikshme”, “Një roman i shkencëtarit”, “Duke pritur frikën”, “Ata që jetojnë me lojëra”, etj.

KultPlus ju sjell sot disa nga thëniet më të njohura nga Oğuz Atay:

“Para se të të njihja ty, më kanë ikur gjithmonë stinët kur pemët po lulëzonin dhe po binin gjethet”

“Thënë shkurt doja të të shihja. Njeriu edhe duke parë mund të mbajë peshën e disa gjërave, të hutohet, të vazhdoj të ëndërrojë. Natyrisht ti s’e kupton. Për ta kuptuar, njeriut duhet t’í mungoj diçka”

“Disa nga ne po mbahemi në poezi, këngë, filma, libra. Me sa duket njeriu nuk po mundet të mbahet për njeriun më”

“Po rikthehem në botën time të brendshme. Aty nuk ka vend për zhgënjime”

“Pasi ta thotë gënjeshtrën e parë, nuk duhet të flas më njeriu”

“Edhe kur flisja me veten time, tentoja t’í pëlqeja asaj”

“Jam duke ndjerë mall për një vend të largët ku secili jeton ashtu siç do”

“Nëse do të më harrosh, nëse një ditë do të më lësh e të ikësh, mos më lodh më tha; mos më nxjerr për së koti nga shpella ime”

“Sepse të duash nuk është një punë e lehtë sikur ta vazhdosh një libër të lënë gjysmë”

“Ndërkaq e gjithë bukuria jonë ishte pasqyrim i dhimbjes sonë në mes të asaj çka kemi jetuar dhe asaj çka kemi menduar”. / KultPlus.com

Takohen ministrat Dumoshi e Likaj: Orientimi i të rinjve në aftësim profesional për t’u përgatitur për treg të punës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi priti sot në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj.

Ministrat Dumoshi e Likaj gjatë takimit diskutuan për pikat e bashkëpunimit në mes të MKRS dhe MASH-it në projekte të interesit dhe fushave të përbashkëta që dy ministritë mbulojnë, duke veçuar mësimin në vendin e punës, kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve si dhe për qendrat e kompetencës të cilat duhen lidhur me qendrat rinore.

Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë që MKRS-ja ka për bashkëpunim me me MASH-in, sidomos për fushën e rinisë. Ministrja u shpreh përkushtuar të punojnë në çështje të cilat lidhen edhe sipas programit qeveritar që parasheh bashkëpunimin e ministrive në projekte të përbashkëta.

Ministrja theksoi që është shumë e rëndësishme që aftësimi për të rinjtë të ndërlidhet me tregun e punës dhe kështu t’i kontribuohet objektivit së përbashkët të qeverisë për punësimin sa më të madh të të rinjve.

Ministrja Dumoshi e informoi Ministrin Likaj për mbështetjen që MKRS i ka bërë organizatave rinore duke u dalë kështu në ndihmë sidomos për periudhën e pandemisë, për memorandumet e bashkëpunimit me UP-në në fushën e trashëgimisë të cilat integrojnë sferën akademike në rrafshin praktik dhe për gatishmërinë e saj dhe të ministrisë që drejton për orientimin e fondit emergjent në punësim.

Ministri Likaj e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë e saj që të thellojnë bashkëpunimin aq më tepër kur këto dy ministri kanë shumë fusha të përbashkëta.

Ndër shumë të tjera Ministri Likaj përmendi qendrat gjithëpërfshirëse rinore ku përfshihet edhe arsimimi profesional dhe qendrat e karrierës në të cilat bashkëpunimi mes dy ministrive është shumë i rëndësishëm.

Ministrja Dumoshi e Ministri Likaj u zotuan që të bashkëpunojnë në të gjitha projektet e përbashkëta që dy ministritë kanë në mënyrë që të bashkërisht të shtyjnë papara objektivat e qeverisë dhe ti kontribuojnë zhvillimit të gjithmbarshëm rinor e arsimor në vend. / KultPlus.com

“DoMore” fushata më e re kundër racizmit në Australi

Hugh Jackman dhe Margot Robbie janë në mesin e të famshmëve të shpallur ambasadorë të fushatës së re kundër racizmit, “DoMore”, e cila u lansua të mërkurën në Australi.

Sipas një komunikate për media, kampanja “DoMore” shërben si thirrje për të vepruar dhe që të gjithë australianët të jenë aleat në luftën kundër racizmit, transmeton Koha.

Videoja me titull “#DoMore to challenge rasicm” e publikuar së fundmi online, përfshinë mesazhe personale nga ambasadorët e kësaj fushate të tillë si: ylli i basketbollit Ben Simmons, aktorët Miranda Tapsell dhe Samara Weaving, ikona e tenisit Nick Kyrgios dhe të tjerë. Përmes saj, ata i adresohen në përgjithësi komunitetit australian.

Qëllimi i “DoMore” është që të shtohen diskutimet rreth racizmit në vend dhe ndikimin negativ që ky fenomen e sjellë në shoqëri. Po ashtu synim i tyre është inkurajimi i ndryshimeve pozitive përmes debateve dhe bashkëbisedimeve.

Video të reja do të publikohen çdo javë në uebfaqen e “DoMore”, përfshirë këtu intervista të cilët I dokumentojnë eksperiencat personale të australianëve nga prejardhje të ndryshme. Këto tregime synojnë të nxisin pjesëmarrje aktive të popullatës në emër të luftës ndaj racizmit. / KultPlus.com

“Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia”

Shën Tereza dhe Migjeni lidhen bashkë me këtë datë, 26 gushtin, atë të vitit 1910 kur erdhi në jetë nëna e madhe e të varfërve të kësaj bote dhe atë të vitit 1938, kur ndërroi jetë poeti i madh i grushtit të kësaj toke.

Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse.

Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi në këmbët e malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi.

Të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t’i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij. Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur gojarisht për ta kthyer përmbys.

Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë.

Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve.

Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet.

Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës./ Edi Rama/ KultPlus.com

Botohet libri “Dardania – antika, mesjeta” nga Jusuf Buxhovi

Del nga shtypi libri “Dardania – antika, mesjeta” me autor Jusuf Buxhovin dhe redaktor Ramadan Musliu.

Botues i libri është Shtëpia Botuese “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston

“Dardania – antika dhe mesjeta” mbështetet mbi faktorët kryesorë parahistorikë dhe historikë, që kanë të bëjnë me antikitetin dhe mesjetën si djep i qytetërimit të vjetër botëror në përputhje me zhvillimet shoqërore dhe politike nëpër të cilët ka kaluar e ku Dardanët, si pjesë e botës pellazge-ilire-trake dhe mbretëria e Dardanisë në kuadër të formacioneve shoqërore dhe politike, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e në disa prej tyre, edhe vendimtar.

Në këtë konfigurim, Dardania antike tejkalon atë nga shekulli IV para erës sonë, pra si mbretëri, në një thellësi, diku nga mesi i mileniumit të dytë, në hapësirën euro-aziatike – te Troja si themelues të saj. Në këtë aspekt, edhe pamja historike e mbretërisë së Dardanisë, nga shekulli IV si dhe raportet e saj me mbretërinë maqedonase, atë të Molosëve, mbretëritë ilire si dhe rivaliteti i tyre i vazhdueshëm për hegjemoni që do të marrë fund me pushtimet romake, është e një rëndësie të veçantë, ngaqë Dardania mbetet forcë gravituese në të gjitha zhvillimet. Madje edhe në strukturat shoqërore dhe politike të Perandorisë së Romës dhe veçmas në atë të Bizantit, kur Iliriku u kthye në krahun perëndimor të perandorisë lindore si pjesë e identitetit të saj politik dhe kulturor, nxjerr në pah fillimisht rolin akomodues në to, dhe atë ndërtues në Bizant gjatë dhjetë shekujve të ardhshëm, ku i ka themelet identiteti shtetëror arbëror-shqiptar.
Krahas problematikës së antikitetit, rëndësi e veçantë i kushtohet edhe Mesjetës. Edhe këtu roli i Dardanisë dhe i Dardanëve, rivlerësohet, duke i nxjerrë ata në qendër të zhvillimeve, që atyre ua përcaktuan kahun jo vetëm në raport me Bizantin po edhe Perëndimin, si një hapësirë ku ato u konfrontuan, duke krijuar realitete të ndryshme shoqërore, politike dhe kulturore në përputhje me garën e tyre për mbizotërim.

Në këtë aspekt, edhe dalja në skenë e dinastisë së Nemanjajve nga Dioklea në Rashë,shikuar nga këndvështrimi i kontekstit të përbashkët historik, Dardaninë Mesjetare, që konsiderohet kështjellë e fundit ilire në Bizant, e kthen në një referencë të pashmangshme të saj. Natyrisht se pamja e Zhupanisë së Rashës si kështjellë e fundit e Bizantit në Dardani si dhe luftërat e vazhdueshme thuajse dyqindvjeçare të dinastisë Tribale të Nemanjajve, për ta zgjeruar atë në përputhje me trashëgiminë historike si fuqi hegjemone në qendër të Ilirikut me pretendimin që ta ndikonte në tërësi ose ta zëvendësonte Bizantin, gjë që jo rastësisht në kulmin e saj gjatë kohës së Stefan Dushanit, u quajt edhe “Illyricum Magnum”(Iliria e Madhe), hap njërin ndër kapitujt me problematikë të vetë çështjes. Ngaqë thyen dy stereotipe të ndërtuar mbi baza antishkencore: atë të historiografisë nacionaliste dhe hegjemoniste serbomadhe, ku Nemanjajt shihen “mbretër serbë” dhe Rasha “qendër e Serbisë Mesjetare”, siç thyen dhe diskursin “shpirtëror” të saj, pra te Rashës dhe Nemanjajve – themel i kishës ortodokse serbe ku edhe thuhet se e ka origjinën autoqefalia e kishës ortodokse serbe në shekullin XIII, që është një mashtrim prej tetë shekujsh.
Thyerja e këtyre diskurseve po ashtu, nxjerr në pah një pamje tjetër historike të Rashës dhe mesjetës në përgjithësi – të një formacioni shoqëror dhe politik, historikisht i lidhur me etninë ilire dhe Dardaninë si qendër e saj, që si themë e veçantë në kuadër të Bizantit, pas pushtimeve bullgare, me fuqizimin në hapësirën e Dardanisë, të Maqedonisë dhe të Epirit, njëherësh u kthye në faktor të asaj që merret si Arbëri mesjetare.

Këto dy qëndrime antishkencore dhe antihistorike mbështeten mbi falsifikimet, retushimet e dokumenteve të ndryshme dhe sidomos mbi rishkrimin e tyre në qendrat e caktuara të fabrikimit (Vjenë, Raguzë, Odesë, Karlovc e gjetiu), të cilave u jepet përgjigje te shtojca :“Mashtrimet e historiografisë serbe rreth mesjetës me konvertime popujsh dhe falsifikime të dokumenteve kishtare”. Në këtë kapitull, pos tjerash bëhet fjalë edhe për “punishtet” të themeluara gjoja për hulumtime mesjetare, duke filluar nga mesi i shekullit XVIII e në vazhdimësi, ku janë seleksionuar, rishkruar dhe falsifikuar dokumentet kishtare sidomos nga Hilandari, pastaj ato kishtare nga Kostandinopoja, nga peshkopata e Ohrit, Raguzës, Karlovcit dhe të tjera,ndër të cilat, si më flagrante në këtë aspekt shfaqen vepra e Orbinit “Kronika e Duklesë”, nga viti 1601 dhe kronika e perandorit Konstantin Porphyrogenitus “De Administrando imperio – Corpus Fontium Historiae Byzantinae” e vitit 1611. Të kësaj natyre, janë edhe kristobulat e manastirit të Deçanit (e vitit 1330) si dhe vepra “Zakonik Cara Dushana” e S. Novakoviqit, të rishkruara në shekullin XIX, të cilat shfrytëzohen si “dokumente emblematike të shtetësisë serbe”!

Pas themelimit të shtetit serb dhe atij grek, në shekullin XIX, atyre u janë shtuar edhe “platformat akademike shtetërore”. Kështu, në përputhje me to, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve dhe më vonë ajo jugosllave kanë punuar pareshtur në këtë drejtim. Në botimet e tyre “enciklopedike”, Tribalët dhe Keltët, po edhe popujt e tjerë antikë, vazhdimisht janë konvertuar në serbë! Madje, edhe dokumentet meritore të autorëve antikë nga Chalconcandylea, Dukas e deri te perandori i Bizantit, Kantakuzini, janë retushuar në mënyrë brutale, siç mund të shihet më së miri me paraqitjen e librit “Popujt e Jugosllavisë në dokumente bizantine”, në gjashtë vëllime!
Diskursi i falsifikimit të historiografisë nga Akademia Serbe e Shkencave dhe simotrat e tyre, me ç’rast promovohet i ashtuquajtur “shtet mesjetar serb” me Kosovën “qendër shpirtërore” dhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, në masë të madhe ka ndikuar edhe historiografinë shqiptare, atë zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë. Edhe pas rënies së ideologjisë komuniste si dhe shfaqjes së realiteteve të reja, sidomos të shtetit të pavarur të Kosovës, një pjesë e mirë e historianëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë të përfshirë në institucionet shkencore, kanë ruajtur diktatin hegjemonist të historiografisë së Beogradit nga koha e klisheve ideologjike dhe të gënjeshtrave të tyre.

Në këtë diskurs antishkencor të historiografisë shqiptare, interpretimi i Rashës dhe dinastisë Nemanjane me origjinë tribale-ilire, luan rol të veçantë, ngaqë ajo pikë për pikë dhe pa asnjë hezitim që të merren në shqyrtim autorët e njohur antikë (Chalconcandylea, Dukas, Kantakuzini e të tjerë, duke përfshirë edhe dokumente meritore të Vatikanit ku zhupania e Rashës me cilësimin “Rex Rasia” ose “Regia Rasian” shfaqet entitet i pavarur shoqëror dhe politik),shihet ekskluzivisht si “qendër e shtetësisë mesjetare serbe” dhe e “kishës ortodokse serbe”!

Ky fiksim, bëhet edhe më absurd edhe për faktin se në vend se të shqyrtohen pozicioni i Dardanisë mesjetare në këtë proces historik si dhe roli i saj në zhvillimet e gjithëmbarshme të Bizantit, ku pasqyrohen edhe identiteti i saj etnik, ai shpirtëror (me pranimin e krishterimit) si dhe administrativ-vetëqeverisës, me të cilat në mesjetën e vonshme lidhet edhe qenia shoqërore dhe politike e Arbërve, në mënyrë që edhe shfaqja e Rashës në Dardani të shihet si pjesë e këtij mozaiku shoqëror dhe politik, ruhen shabllonet propaganduese të Beogradit rreth “shtetit mesjetar serb në Kosovë” të sajuara në shek. XIX për qëllime hegjemoniste, në radhë të parë për t’u arsyetuar platforma “historike”, që nuk e ka shteti artificial serb, e me këtë për t’u arsyetuar përvetësimi dhe asimilimi i faktorit ortodoks shqiptar, dominues në hapësirën e Dardanisë, të Maqedonisë dhe Epirit, në krijimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë! Teza antihistorike e të ashtuquajturit shtet mesjetar serbe, ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë edhe tezën tjetër antihistorike, që ka filluar të marrë krye: “të çlirimit” nga “pushtimi mesjetar serb” që erdhi nga Perandoria Osmane me ç’rast u pranua islami!

Në këtë aspekt, “Dardania – antika, mesjeta”, pozicionimet e shfaqura në “Kosovën” I-VIII nga vitet 2012-2019, rreth Dardanisë si qendër e antikitetit në hapësirën euro-aziatike si dhe rolit të saj të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet historike në mesjetë e këndej, i çon më tutje me demistifikimin e të ashtuquajturi shtet mesjetar serb, me ç’rast zhupania e Rashës, e parë si Rashë Dardane, e dominuar nga përkatësia ortodokse e ritit sllav, nxirret nga matrica sllavo-serbe, si një faktor i rëndësishëm historik për t’u bartur te opsioni i hapur që lidh antikitetin ilir-dardan me mesjetën arbërore, si pjesë e realiteteve shoqërore-politike të kohës. / KultPlus.com

Festivali Berlinit nuk anulohet pavarësisht pandemisë

Festivali i Filmit në Berlin do të zhvillohet në Shkurt, ashtu siç ishte e planifikuar. Sipas Reuters, edhe pse shifrat në Gjermani vijojnë të jenë të larta, festivali do të zhvillohet pasi nëse nuk ndodh është një humbje e madhe.

Organizatorët po shikojë  mundësinë që eventi më i rëndësishëm i filmit të zhvillohet në sale, megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e transmetimit online.

E quajtur ndryshe Berninale, ky festival është një nga ngjarjet më të mëdha të tregut ndërkombëtar të filmit në botë.

Festivali do të zhvillohet në datat 11-21 Shkurt dhe do të respektohen të gjitha udhëzimet shëndetësore si mbajta e maskave, testimi i aktorëve, producentëve, matja e temperaturës etj.

Salla, prezantuesit dhe numri i përgjithshëm i filmave do të përcaktohen nga organizatorët brenda javës së ardhshme

Festivali i Filmit në Berlin tërheq 480.000 kineastë, yje filmash dhe adhurues në kinematë e kryeqytetit gjerman.

Statuja “Ariu i Artë”, që është edhe çmimi simbol i këtij i festivalit, është një nga çmimet më prestigjioze në Evropë, së bashku me festivalin e Kanës në Palme d’Or të Francës dhe çmimin Lion i Artë i Festivalit të Filmit në Venecia. / KultPlus.com

Papa Françesku: Shën Nënë Tereza, grua e buzëqeshjes

Papa: Nënë Tereza ishte e mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e të varfërve, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Sot në 110-vjetorin e lindjes se Ganxhe Bojaxhiut, po rikujtojmë fjalët që Papa Françesku tha në Vatikan, më 4 shtator 2016, për Nënë Terezën, duke e shpallur Shenjte, duke ngritur lartësinë e shenjtërisë që pati jeta dhe vepra saj.

Mbrojtëse e jetës

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. 

Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…

U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;

…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë

E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.

Mëshira për të ishte kripë e dritë

Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë

Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

Ishte e është model i shenjtërisë

 Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!

Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive

 Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.

Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.

Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës

Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! (radio vatikani). /KultPlus.com

Digjitalizohen dy libra shkollorë

Pandemia ka shkaktuar mësimin online, mirëpo edhe librat shkollorë kanë filluar të ndjekin rrugën e digjitalizimit. Faqja “Mësuesit kosovarë” bëjnë të ditur për formën online të librave “Gjuha Shqipe 11” dhe “Letërsia 11”.

Njoftimi i Mësuesit kosovarë:

Tekstet “Gjuha shqipe 11” dhe “Letërsia 11” janë të digjitalizuara tashmë dhe mund të shkarkohen prej mësuesve dhe nxënësve!

Teksti i digjitalizuar krijon mundësinë që të shpjegohet apo të mësohet në mënyrë interaktive. Ai përmban dije shtesë, që përcillen përmes videove, audiove, fotove dhe lehtëson kryerjen e detyrave, të ushtrimeve, të testeve me anë të plotësimeve, nënvizimeve e
mbajtjes së shënimeve.

Librin elektronik ju mund ta shkarkoni në
kompjuter përmes kodit përkatës të secilit libër.

Linku për shkarkimin e librit:
https://albas.al/botime/liber-mesuesi-per-tekstin-shkollor-gjuhe-shqipe-dhe-letersi-10-kosove-2/

Shtatori, muaji i filmit kosovar në Zvicër



Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë të Zvicrës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se në muajin shtator do të mbahet muaji i filmit kosovar në Zvicër, përcjellë KultPlus.

Artisti kosovar, Sabahet Meha në bashkëpunim me Kino in der Reitschule dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK) ka arritur të realizoj një ngjarje të filmave kosovar në muajin shtator ku shumica e filmave do të jenë në gjuhën shqipe dhe atë gjermane.

“Kulturalink, respektivisht Sabahet Meta një artist kosovar tejet kreativ dhe me një vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për të promovuar kulturën tonë përmes industrisë së filmit të Kosovës, fal bashkëpunimit me Kino in der Reitschule dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK) ka arritur të realizoj një ngjarje të filmave kosovar në muajin shtator, që do shfaqen çdo të premte dhe të shtunë, dhe shumica e filmave do të jetë në gjuhën shqipe/gjermane por të gjithë kanë titra në gjuhën angleze”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Përgjatë këtij muaji “Kulturalink” dhe “Kino In Der Reitschule” do të shfaqin filma nga dhe për Kosovën, filma që trajtojnë tema të ndryshme sociale. Pjesë e programit janë “Nëntori i Ftohtë”, “Zana”, “Ajo” e shumë filma të tjerë, ndër to dhe prodhime të regjisorëve shqiptarë në Diasporë e të vlerësuara ndërkombëtarisht.

Shfaqja e filmave do të filloj me 4 shtator dhe ata do të shfaqen në fundjavat e këtij muaji. Shfaqja e këtyre filmave do të filloj në orën 20:00 dhe do të zgjas afërsisht 2 orë me filma artistikë, të shkurt dhe dokumentarë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fambasadakosovesneberne%2Fposts%2F1503309929851705&width=500

Publikohet ligji për pandeminë, këto janë të gjitha masat dhe gjobat për shkelësit

Është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi Ligji për Pandeminë që është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë ligj parashihet rregullimi i anës ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Në këtë ligj janë të saktësuara edhe gjobat me të cilat do të dënohen qytetarët në rast se veprojnë ndesh me ligjin.

Me 500 euro gjobë do të dënohet personi që nuk e respekton vendimin për kufizim të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar.

Në ligj thuhet tutje se drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro.

Ai person që nuk e  respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro.

“Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro”, thuhet tutje.

Me nga 35 euro gjobë do të dënohen edhe ata persona që nuk mbajnë maska, apo nuk respektojnë distancën fizike.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”.

Në ligj janë të parapara edhe dënime për personat që kryejnë aktivitete që janë të ndaluara në mjedise private dhe publike.

Me 2 mijë euro gjobë dënohet personi që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me 2000 euro.

“Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit. Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro”, thuhet tutje.

Kushdo që është i dyshuar apo konfirmuar me COVID 19 mund të dënohet në rast se nuk e respekton izolimin dhe karantinën.

“Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë: 1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim; 1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro”.

Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej 150 euro, ndërsa, personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej 150 euro.

Me nga 500 euro ndërkaq do të dënohen të gjithë ata persona që në mënyrë legale hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk e deklarojnë vendin e origjinës nga vijnë.

“Personi i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë legale dhe nuk deklaron vendin e origjinës prej nga vjen si dhe nuk vepron sipas udhëzimeve të organeve kompetente ose refuzon ti nënshtrohet masave të kontrollit të detyrueshëm mjekësor dhe izolimit apo karantinimit dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro. 2. Personi i cili ka hy në mënyrë ilegale në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk deklarohet si dhe nuk iu nënshtrohet masave të detyruara të kontrollit mjekësor dhe izolimit apo karantinimit të obligueshëm dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si masë shtesë përpos masave ligjore për kalim ilegal të kufirit të paraparë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në këtë ligj./GazetaExpress/ KultPlus.com

https://drive.google.com/file/d/1BNCb7LgjEgouI-LAoDVTa96Yao51pFbT/preview