Shënimi i përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shfaqje e tre filmave kosovar

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të shfaqë tre filma kosovar me rastin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Filmat do të shfaqen në Kinemanë ABC në Prishtinë.

Programi

E hënë, 15 shkurt

17:00-19:00

‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina

Sinopsisi:

Fadili (Kashtrim Hoxha) një arkivist e gjen veten në një situatë të vështirë, ai duhet të zgjedhë midis dy opcioneve, duke qenë i vetëdijshëm se të dyja janë të gabuara. Si pasojë, vendimi i tij Fadilit padashur dhe pa dëshirë, “gëlltit” turpin, duron presionin që vjen nga të gjitha anët.

E martë, 16 shkurt

17:00-19:00

‘Babai’ nga Visar Morina

Sinopsisi:

‘Babai’ shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu siç ka qenë.

E mërkurë, 17 shkurt

17:00-19:00

‘Zana’ nga Antoneta Kastrati

Sinopsisi:

‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare, Lumja (Adriana Matoshi), e cila përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës. / KultPlus.com

Pjesa e pestë e ‘La casa de papel’ vjen këtë gusht?

Seriali spanjoll ‘La Casa De Papel’ arriti të ketë një shikueshmëri tejet të lartë, duke i bërë admiruesit e tyre të mbesin në pritje të sezonit të ri, përcjell KultPlus.

Sezoni i pestë mendohet të jetë i fundit për këtë serial, meqë sezona e katërt ofroi pasiguri për aktorët që luajnë aty.

Media spanjolle Marca ekskluzivisht raportoi se sezoni i ardhshëm do të lansohet në Netflix në mes të gushtit 2021.

“Ne do të duhet të presim deri në verë kur episodet të mbërrijnë në platformën e transmetimit”, shkruhet në raport

Në raportin e tyre të hënën, faqja në internet shtoi: “Njoftimi zyrtar me datën e saktë do të bëhet në ditët e ardhshme”.

Nga sa dihet deri më tani, sezoni i pestë dhe i fundit do të përbëhet nga 10 episode. / KultPlus.com

Botohet në Kosovë vepra e dramaturgut arbëresh, Mario Caliva

Është publikuar vepra dygjuhëshe e dramaturgut arbëresh, Mario Caliva, shkruan KultPlus.

Libri “Deti me ngjyrë portokalli” ka kaluar nën redaktimin e Xhemajl Avdylit.

Hyrja e veprës është shkruar nga u.d. drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli, parathënia nga Nicasio Anzelmo dhe pasthënia nga Edoardo Erba.

Edoardo Erba, një nga dramaturgët më të mëdhenj bashkëkohorë italianë në pasthënie shkruan se Mario Calivà me këtë vepër “na drejton në këtë labirint simbolesh dhe citimesh me një shkrim që alternon realizmin, magjinë, surrealitetin dhe absurditetin, në sekuenca të shpejta dhe origjinale”.

“Deti me ngjyrë portokalli” është financim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Rita Ora i pyet fansat për këngën me veshje kombëtare: Cila është pjesa juaj e preferuar?

Rita Ora mbrëmë ka publikuar këngën e shumëpritur për publikun shqiptar, “Bang”, shkruan KultPlus.

E shfaqur me veshje kombëtare të dizajnuara nga Valdrin Sahiti, Ora bëri një përfaqësim kulturor nëpërmjet artit të saj.

Në anën tjetër, përveç dëgjueshmërisë dhe komenteve të shumta pozitive, artistja shqiptare nuk ka ngurruar që të merr edhe mendimin e fansave të saj.

Në një postim në Instagram, Ora i pyeti artdashësit e saj: “Cila është pjesa e preferuar e videoklipit për ju?”

Ora ka paralajmëruar lansimin edhe të 3 këngëve të tjera. / KultPlus.com

Imazhi i famshëm i Sandersit tani edhe në ambalazhin e një birre

Një birrari ka vendosur që të hedhë në treg një lloj të veçantë të birrës për ta nderuar senatorin Bernie Sanders, i cili u bë i famshëm me pozicionin që kishte marrë gjatë inaugurimit të presidentit Joe Biden.

Ata që e përdorin alkoolin tani mund ta blejnë birrën e quajtur “Bernie’s Smitten Mittens”, që prodhohet në Vermont. Sidoqoftë, këtë mundësi e kanë vetëm për Ditën e të Dashuruarve, që është të dielën.

Vëmendje të veçantë më 20 janar, ditën e inaugurimit të presidentit të ri, morën dorezat e senatorit Sanders, të cilat ia kishte punuar Jen Ellis, që jep mësim më shkollën Essex Westford.

Senatori i kishte marrë dorezat si dhuratë para gati tre vjetëve, shkruan Daily Mail.

Një pjesë e të hollave që do të grumbullohen nga shitja e kësaj birre do t’i dhurohen një qendre lokale për shpërndarjen e ushqimit.

Ndryshe, fotografia e Sandersit i ka nxitur shumë njerëz që të bëjnë montazhe të ndryshme, duke e vendosur atë në situata nga më të çuditshmet dhe qesharaket. /express/ KultPlus.com

Elisabeta Karabolli, kampionja e parë shqiptare e Europës

Qitësja e njohur shqiptare Elisabeta Karabolli feston sot 63-vjetorin e lindjes.

Ajo ka qenë kapitene e ekipit përfaqësues shqiptar deri në Lojërat Olimpike të Atlantës më 1996. Që prej atij viti, ajo nisi të jetojë në ShBA, por gjithmonë pa hequr dorë nga sporti i saj i adhuruar.

Që prej vitit 1997, ajo nisi pjesëmarrjen me sukses në kampionatin amerikan të qitjes, ku për vite u rendit mes më të mirave, kurse në vitin 2008 u shpall kampione, në disiplinën e qitjes me pistoletë.

Bashkë me Diana Mata, Ermira Dingu dhe Lindita Zeqo u dekoruan nga Presidenti Meta pak kohë më parë. Ato janë sportistet që i kanë shtuar vlerat sportit shqiptare dhe që nga dita e sotme mbajnë titullin “Mjeshtër i Madh”. Ky sport i ka dhënë vendit tonë 4 kampionë Europë, duke filluar që nga viti 1979 me Elisabeta Karabollin në Frankfurt të Gjermanisë, duke vazhduar me Ermira Dingun në vitin 1980 në Madrid të Spanjës.

Elisabeta aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka qenë kapitene e ekipit përfaqësues shqiptar deri në Lojërat Olimpike të Atlantës më 1996. Që prej atij viti, ajo nisi të jetojë në ShBA, por gjithmonë pa hequr dorë nga sporti i saj i adhuruar.

Që prej vitit 1997, ajo nisi pjesëmarrjen me sukses në kampionatin amerikan të qitjes, ku për vite u rendit mes më të mirave, kurse në vitin 2008 u shpall kampione, në disiplinën e qitjes me pistoletë. /dp/ KultPlus.com

Rita Ora së shpejti me një rol tjetër në një film të ri

Këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora shumë shpejt do të filloj të interpretoj një rol në filmin e ri, të quajtur “Sheroes”, shkruan KultPlus.

E ndodhur aktualisht në Australi, Ora do të udhëtojë së shpejti në Tajlandë për të filluar xhirimet.

Aktualisht ajo është në përgatitjen e programit “The Voice”, teksa artistja është e vetmja gjyqtare e “Masked Singer”.

Së fundmi, Ora ka luajtur në një film të frymëzuar nga tregimet e një autori anglez, teksa dje bëri edhe publikimin e projektit të ri muzikor, “One” dhe “Bang”. / KultPlus.com

Pianisti Kostandin Tashko në Koncertin e Orkestrës Simfonike të Teatrit Verdi

Pianisti shqiptar Kostandin Tashko do të jetë pjesë e Koncertit të Orkestrës Simfonike të Teatrit Verdi në Trieste.

Koncerti do të transmetohet live në “Telequattro” në Itali.

Tashko ka lindur në 1997 dhe ka kryer studimet në Liceun Jordan Misja në Tiranë, dhe përfundon masterin në Konservatorin e Muzikës “Giuseppe Tartini” në Trieste të Italisë. Ai ka interpertuar në disa nga vendet dhe festivalet më të rëndësishme dhe fitues i shumë konkurseve kombëtare e ndërkombëtare dhe autor i dy CD-ve solo./ KultPlus.com

Fotoja e një njeriu pas një dite pune në temperaturë prej minus 49 gradë celsius

Një grua amerikane postoi një foto të burrit të saj në rrjetin social Reddit pasi kaloi ditën duke punuar në atë që ajo tha se ishte -49 gradë/Celsius.

Fotoja tregon se burri, megjithëse është i veshur me rroba të trasha, ka një fytyrë të kuqe nga të ftohtit, derisa flokët, mjekrën, mustaqet, vetullat dhe qerpikët e tij janë të ngrirë, raportojnë mediat e huaja.

Gruaja që postoi foton në komente shpjegoi se si burri i saj punon në mirëmbajtjen e fermave me erë në Dakota Veriore./ KultPlus.com

Newborn po merr dukje të re, në këtë monument mund të vendoset edhe dora e juaj

Monumenti Newborn, ka filluar të ndryshojë pamje pak ditë para 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës. Këtë vit janë duart me ngjyrën e ushtrisë që do zënë vend në shkronjat e këtij monumenti, shkruan KultPlus.

Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova shënoi 12-vjetorin e pavarësisë së saj, ky monument iu kushtua të mbijetuarve të abuzimit seksual.

Monumenti ishte për vite i ngjyrosur në të verdhë, ngjyrë e cila përfaqësonte flamujt e Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ndërsa këtë vit nëpërmjet faqes kryesore të monumentit të Newbornit-it është bërë e ditur se tema ketë vit do të jetë që i bashkon të gjithë.

Nëpërmjet ngjyrosjes së sivjetme të këtij monumenti synohet që ti tregohet botës se jemi bashkë, sikur në ditën kur shpall pavarësia dhe të gjithë lam një shenjë.

Nga nesër janë ftuar qytetarët që të dalin dhe ta ngjyronin shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument.

Ky proces i ngjyrosjes do të vazhdojë edhe në datat 15 dhe 16 shkurt, që në fund ky monument të ketë pamjen e uniformës së ushtrisë të krijuar nga duart e vetë qytetarëve./ KultPlus.com

E PRUMË PAQEN BASHKË 🖐️ Në një kohë kur po na cenohet dinjiteti dhe lufta e pastër si asnjëherë më parë, është momenti…

Posted by Newborn Monument on Saturday, February 13, 2021

Rita Ora: Videoklipi i ri ishte më i vështiri dhe më emocionuesi që kam bërë

Këngëtarja shqiptare më famë ndërkombëtare, Rita Ora pas publikimit të këngës së saj të re ‘Bang’, ka treguar se pse videoklipi i kësaj kënge ishte më i vështiri për t’u realizuar dhe njëherësh më emocionuesi, përcellë KultPlus

Rita Ora e ka përshkruar videon e saj më të fundit muzikore, në të cilën ajo ka veshur veshje tradicionale të Evropës Lindore dhe kalëron një kal, si “më e vështirën dhe më drithëruesen” e karrierës së saj, shkruan Evening Standard, transmeton KultPlus.

Ylli i pop-it, e cila mbushi 30 vjeç në nëntor, është bashkuar me producentin 20-vjeçar të muzikës elektronike Imanbek për një EP me katër këngë me titull Bang.

Një film i shkurtër i lëshuar të premten në YouTube, i xhiruar në Bullgari, përfshin tre nga këngët dhe shfaq trashëgiminë e përbashkët të dyshes, prindërit e Oras janë shqiptarë, ndërsa Imanbek është nga Kazakistani.

Videoja paraqet Orën të veshur me një veshje tradicionale shqiptare të dizenjuar dhe punuar me dorë në Kosovë nga dizajneri Valdrin Sahiti.

Ajo tha: “Unë kam realizuar shumë video muzikore deri më tani në jetën time dhe kjo është me të vërtetë videoja muzikore më e vështirë dhe më drithëruese që kam bërë ndonjëherë”.

“Ka shumë vendndodhje, shumë temperatura të ftohta. Unë me të vërtetë dëshiroja të bëja diçka vizualisht unike dhe të krijoja një film fantastik të tokës së mrekullive. Videoja me të vërtetë ka ndjesinë e EP-it të përgjithshëm dhe unë doja që filmi të ishte po aq i gjallë dhe i ngadaltë, si një rrotullues”, shtoi këngëtarja.

“Ishte kaq e mahnitshme të isha në gjendje të përzieja të gjitha këto kultura së bashku dhe të dilja me një trup të punës që është një botë më vete”, thotë Rita.

Gjykatsësja e “The Masked Singer” tha se “gjithçka, nga meloditë dhe muzika” në EP ishte një kujtim për trashëgiminë e përbashkët të saj dhe Imanbek.

Ajo shtoi: “Çdo detaj i filmit ishte planifikuar me përpikëri për të krijuar diçka që ndihet kaq e vërtetë për prejardhjen time kulturore.

“Xhirimi i filmit në Bullgari më dha një shans për të shfaqur arkitekturën e pabesueshme, peizazhin epik dhe monumentet historike, unë jam aq e ngazëllyer që mund të ndaj bukurinë e kësaj pjese të botës dhe vetëm të bëj homazhe për historinë time”.

E nominuara për çmimin Brit, Ora shtoi: “Ishte një nder i vërtetë të isha në gjendje të vishja një veshje tradicionale shqiptare të punuar me dorë, të dizajnuar nga Valdrin Sahiti i pabesueshëm. Është si asgjë që kam veshur ndonjëherë në një video më parë, por u ndje e rëndësishme të pasqyroja vërtetësinë e filmit”.

Në nëntor, Ora kërkoi falje pasi organizoi festën e saj të ditëlindjes  së 30-të në një restorant në shkelje të rregullave të mbylljes.

Midis të ftuarve ishin modelja Cara Delevingne dhe motra e saj Poppy, sipas policisë.

Casa Cruz në Notting Hill, Londra perëndimore, që nga ajo kohë i është pezulluar licenca për gjashtë javë.

Kohët e fundit Ora udhëtoi në Australi për t’u shfaqur si trajnere në shfaqjen televizive The Voice. /KultPlus.com

Në Prishtinë shkatërrohen, në Britani ka minibiblioteka edhe në oborret e shtëpive

Përderisa minibibliotekat në Prishtinë dëmtohen e shkatërrohen, këto objekte trajtohen krejt ndryshe në Britaninë e Madhe. Një vajzë e dhënë pas librave madje e ka vendosur një të tillë edhe në oborrin e shtëpisë.

Olivia Clements, 23 vjeçe, e vendosi në qoshin e oborrit minibibliotekën e ndërtuar vetë dhe të bërë nga dërrasat për ta ndihmuar komunitetin në Bristol gjatë ditëve të vështira të pandemisë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Ajo gjeti një vitrinë të vjetër në skaj të rrugës dhe e rinovoi atë, duke e quajtur kutinë e gjelbër “Libraria e vogël”. Më pas, Olivia e mbushi vitrinën me libra dhe i inkurajoi të tjerët që të shkëmbenin libra.

Si duket, disa librashitës e xhelozuan idenë e saj, sepse ajo mori ca komente negative në rrjetet sociale. Dikush tha se librat e vendosura në këtë vitrinë mund ta përhapin koronavirusin, ndërsa një tjetër tha se ky objekt nuk i zëvendëson dijen dhe ndihmën që ua ofrojnë njerëzve librashitësit.

Një burrë u ankua se shumë librashitës kanë mbetur pa punë si rezultat i ideve si të Olivias.

Ajo u habit nga komentet negative. “Është shumë çudi se si diçka kaq e vogël shndërrohet në diçka shumë të keqe. E publikova postimin dhe në fund të ditës ishte postimi më i suksesshëm. E bëra me qëllim të mirë. Nëse njerëzit nuk duan ta cilësojnë si vitrinë për shkëmbimin e librave por librari, për mua është në rregull”, tha Olivia.

Ajo shtoi se është e vetëdijshme për ndikimin negativ që ka pasur pandemia e koronavirusit në librari, por nuk ka pasur për qëllim që t’i dëmtojë ato./gazetaexprees/KultPlus.com

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur Andon Qesari

Andon Qesari, aktori dhe regjisori i njohur shqiptar është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Lajmi është bërë i ditur nga djali i të ndjerit, Edon Qesari nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare”, ka shkruar ai

Të dashur miq e të njohur, Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në…

Posted by Edon Qesari on Saturday, February 13, 2021

Ai ka interpretuar në shumë role duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”. Emërohet përfundimisht aktor i TK në 1977. Realizoi më vonë Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku” “Kapuleti” “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. I suksesshëm edhe si regjisor: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Lindi më 27 qershor 1942 në Qeparo dhe më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në ILA. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar./ KultPlus.com

‘E kisha vjedhë rrafshjanën e zallinave e s’bajsha za, edhe nji def e pata ble’

Shkruan Çun Lajçi

Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni

E kisha vjedhë rrafshjanën e zallinave e s’bajsha za. Nji strufullog e kisha ba n’banesën ku banonte Ahmet Brahimaj e Gani Loshi, me balerinët tjerë, dikund përfundi Velanisë, të nji bijë  e Mekulve, e dimnin po e prisja me gëzim, thuase kisha pre pastermë e do t’zihej mishi i thatë me pasul n’vegëshin e zi, si kullave të Dukagjinit!

Lahutën, që e pata ble me Xhevat Qenën, n’Kafën e Çakorrit e kisha sa me ia shkundë mallin dasmës që kurrë s’e bana.

Edhe nji def e pata ble të Çarrshi Xhamia n’Pejë, e kur m’shkonte mendja të Hamidja e Rrushja, e rrehsha e kcejsha për bukuri!

Kjo kaçurrelja e zallinave veç qeshej. N’sytë filxhan ia lëxojsha mendimet: Ore, ç’me gjet me ket delidreq! U martova me rugovasin a me lahutarin? Me artistin a me defatoren? E unë, sa kangën sa vallën. E recitimet s’ndaleshin kurrë.

Kjo e bukur. Rrunxë. Shtjerrë. Rudinë e pa kullotun! Unë i dalldisun si hamshori!

N’Rugovë s’e çova atë dimni. Thash m’ftofet! Pritsha me dalë vera, e si xheraçina me ia shprush pendlat të Krojet e Pasmajes, atje ku i kisha ruejtë me vite delet. Atje ku s’do na shihte kush, pos skyfterëve e dhive t’egra. Pritsha me qitë të Guri i Kuq e t’kuqe me iu ba faqet kur t’ia mbushi tasin me borë e t’ia mjeli delen bardhokë.

– Pi tamel e borë moj rrafshjane me i thanë se boll ke pi ujë zhabash n’zallinat e Drinit!

Kjo ishte dëshira që ma vlonte gjakun e s’m’linte rehat atij dimni, e vera ishte larg.

Edhe fjala kishte dalë andej kah Novosella. Jo fort e mirë! Nji kopilan Rugove e grabiti çikën e Tahir Sefës e tërrt veshi s’asht tue i ba! Kështu m’erdhën fjalët nga ai bardhoshi gazetarë, Bajram Sefaj, që kullotë e kishte nji Mbretni Jugosllave tue punua nëpër gazetat e tyne!

E pata cimer dhome n’Ulpianë e të Tre Soliterat, e nji ditë m’tha: Vllau im e baba i grues tande asht hatrua fort. Ban mirë m’u takua me te, nëse e ke zgjedhë për mik!

Unë kopil-stërkopili ia ktheva kopilançe: Kur të doni e ku të doni, se pa i ba shtatë gjaqe ma s’e lëshoj! Jam nipi i Ramë Mulës, e pa u shterë Limi, Galicën s’e merrni ma!

Ai m’i zgurdulloi sytë e verdhë. I mbeti hatri. Shkoi e s’foli!

Të nesërmen ma pruni fjalën!

– Tahir Sefa e Sali Sefa, të dielën n’orën 11-të, të presin n’Hotel Bozhur!

Kur shkova n’dhomën e vogël e gjeta ket shejtanën tue i ra defit. Krejt all iu banë faqet që e pashë. E vjerri n’gozhdë sikur të donte ta shfajsonte vetën. Sikur m’tha: Pata qejf m’u mësua me rreh, por ja që s’paskom vesh si ti për muzikë!

Ia mora ngrykë atë fajsi e ato faqe. Edhe gjoksin e gufuem ia mora n’grykë. Me hasape edhe buzet ia vodha.

Nesër n’orën 11-të (nëse e ban zoti dritë), baba yt ka me t’ba për hajër për qet Çunin e lahutës i thashë, dhe e putha!

Sytë i banë dritë e dy çuka n’faqe iu gropuen hala ma shumë nga gëzimi. Ajo s’kishte guxua me m’thanë, se babë e nanë s’po pajtoheshin m’u martua hajnisht!

Të nesermën e thirra edhe unë nji dukagjinas, kolegë timin.

– Xhevat Qorraj, i thashë! Dua me kanë ispat nesër kur t’ma ban përhajër Tahir Sefa, Galën për nuse!

Dhe shkuem. Cigare Kent bleva. Raki “Llozë” rrushi iu qita. Muhabet tjetër tybe n’pata, se s’kisha pare. Veç fjalë boll e s’përtova as nuk u skuqa me iu thanë miqëve t’ri: O Tale! O Sali Sefa! Unë bijën tuej e kam grabitë, se djalë kaçaku jam e zanat tjetër s’kam, e babës s’ia luej rrajën pa m’marrë martina e Karadakut. Ajo asht grueja jeme, e ju n’daç bamani me hajër n’daç m’shkrijni plumb n’ball,  por i zoti me ba dasëm s’jam!

Tahir Sefa u çua n’kamë.

– Për artist të di, por që je edhe bir kaçaku tash e mësova. Ty t’kjoftë përhajër çika jeme, e ti ndaç mbaje n’sheher ndaç çoje n’shpellë se qesi burrash po lypi!

Vetëm nga nji kafe e nga nji raki, me cigare Kent, atë të diele e kemi pi n’Hotel Bozhur e kemi marrë rrugët tona. Ata për Pejë unë n’gjinin e Galicës sime.

Tash derën e kemi të çelun të Tahir Sefa në Novosellë, e ti s’je ma e vjedhun dhe trokiti dera e m’la pa e puthë.

– A don mysafir o Rugovë, bërtitën njizani Gani Loshi e Ahmet Brahimi t’cilët banojshin n’dhomën tjetër.

Ma banë me hajër, por u ngushtova se s’kisha bash kurgja mbas shpirtit. Por iu thashë: Ne mbramje kafet e dasmës i pimë në Bufetin e Teatrit. Po, se aty i kalonim mbramjet edhe kur kishte shfaqje edhe kur s’kishte. Dhe iu thashë: Hapeni fjalën sa t’mundeni, e thuejuni atyne artistëve sheherli, mos gaboni me ma kqyrë shtremt Galicën se pushkë qes për te!

Ahmet Brahimaj, (shpirti i pastë rahmet), qeshi e tha: Përmbrapa m’ke, se jam i Burrnutit unë e t’kam dhandërr!

Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni./ KultPlus.com

Rita Ora me veshje kombëtare në ekranet gjigante të New York Times Square

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar së fundmi mini-albumin e saj më të ri, “Bang”.

Njërën nga këngët e këtij albumi ajo e shoqëroi edhe me videoklip dhe bëhet fjalë për projektin me emrin e njëjtë sikurse albumi. Këtë videoklip këngëtarja e ka cilësuar si mini-filmin e saj.

Aty ajo shfaqet me veshje kombëtare të punuar nga Valdrin Sahiti dhe nuk munguan as çizmet e saj të famshme me shqiponjë.

Motra e këngëtares, Elena ka publikuar një fotografi duke u treguar të gjithë ndjekësve se ekranet gjigante të Times Squares, ka shfaqur sekuenca të këngëtares në veshje kombëtare. /Prive.al/ KultPlus.com

Idriz Ajeti: Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish!

Intelektuali Idriz Ajeti u nda nga jeta dy vite më parë. Karriera e tij ishte e gjatë, ai dha kontribut të madh në fushën e albanologjisë, shkruan KultPlus.

KultPlus po ju sjell sot këtë copëz të Ajetit sa ishte gjallë.

Shqipëri quhet toka deri në Nish.

Kështu shprehet veprimtari i shquar dhe ambasador i gjuhës shqipe, akademiku shqiptar nga Medvegja prof.dr.Idriz Ajeti në një intervistë për agjencinë e lajmeve « Presheva jonë ». Në një intervistë, Ajeti thotë se «Pas prishjes së Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1941 Kosova, bashkë me Luginën e Preshevës i takoi Shqipërisë, gjë krejt normale sepse zonat i lidhte jo vetëm, historia, gjuha dhe flamuri por edhe doket, traditat, kultura…”

“Mesazhi im do të ishte që mundësisht popullsia, sidomos rinia jonë të mos lëvizin nga trojet e tyre etnike. Në këtë drejtim mund të kontribuojnë me shumë edhe partitë politike dhe intelektualët në Medvegjë dhe në mbarë Luginën e Preshevës. Për të penguar ketë eksod edhe komunat mund të bëjnë më shumë për t’ju siguruar punë, perspektivë. Ndryshe Lugina e Preshevës nuk mund të quhet Kosovë Lindore pa shqiptarë. Rinia mund të lëvizë për të kërkuar punë apo studiuar, por kurrsesi t’i kthjenë shpinën përgjithmonë vendlidjes dhe të mos e harrojë atë, të kthehen aty ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre. Ne dhe askund nuk ka të drejtë apo mund ta detyrojë dikë të mos lëvizin nga vendi kur ai është i kërcënuar apo ushtrohet dhunë seri mbi ta, sepse ne bile sot që jemi në Kosovë e dimë mire se Serbia të vetmen armë, për spastrimin etnike e përdor mjetet e dhunës, provokimet dhe diskriminimin të cilat do të nxisnin shpërnguljet e imponuara sepse askush sot nuk ka dëshirë ta lëshojë vendlidjen pa pasur ndonjë hall të madh.

Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish….

Akademiku Ajeti fillimisht ka pohuar se «Lugina e Preshevës pa shqiptarë nuk mund të quhet Kosovë Lindore. Ju, a nuk po e shihni se Serbia për 2 dhe 3 kisha në Kosovë, madje edhe pas kapitullimit ende vazhdon ta quajë Kosovën, Serbi?! Qëllimet e Serbisë në Luginën e Preshevës po i realizon me sukses. Për Medvegjën do të thoja se situata atje është e mjerueshme. Sa i përket perspektivës së shqiptarëve në atë komunë, ku dikur ishte e populluar me shumicë shqiptare, ndërsa sot aty dominojnë serbët dhe janë bërë artificialisht shumicë. Në Medvegjë sot mjerisht mbi 80 për qind shqiptarëve e kanë lëshuar vendlindjen për shkaqe tashmë të njohura, por pjesa dërrmuese nga dhuna, represioni e kush tjetër nga mos perspektiva, ku Serbia po ju përgatit terrenin duke ju imponuar largimin nga trevat e tyre. Këtu kisha pasur dëshirë të përkujtoj se, qysh nga koha e luftës 1941-‘45, ashtu edhe në kohën e sundimit të Miloshevicit, shqiptarët e komunës së Medvegjës, nga më pak se dhjetë katunde, zunë, herë më pak e herë më shumë, të lëvizin, të luajnë nga vendi stërgjyshor pos në Kosovë sot edhe në drejtime të ndryshme. Fundja edhe shqiptarët, sikur të mos jenë të diskriminuar apo sikur t’i kishin kushtet sikur serbët në Medvegjë apo Nish sigurisht nuk do ta braktisnin vendin e tyre… Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish. Këtë e kanë thënë dhe vet intelektualët, historianët serb se ne jemi autokton, kurse serbët ardhacakë..»

Akademiku Idriz Ajeti është lindur në Topalë të Medvegjës së Kosovës Lindore. Shkollën fillore e ka mbaruar në Banjën e Sijarinës më 1930, ndërsa atë mesme në Shkup më 1938, kur në atë kohë Serbia dëbonte shqiptarët nga trojet e tyre etnike në drejtim të Kosovës apo Shqipërisë, por një pjesës e madhe nga ky presion detyrohej të shpëngulen në Turqi. Akademiku Idriz Ajeti është dhe mbetet ndër emrat më të njohur në fushën e linguistikës dhe ambasador i kulturës shqiptare. Ai ka marrë disa cmime mirënjohje. Në vitin 1958 ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: “Zhvillimi historik i formës gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë” Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

Zonja e Parë, Jill Biden sjell Shën Valentinin më herët në Shtëpinë e Bardhë

Zonja e pare Jill Biden ka një dashuri për popullin e saj amerikan.

Ajo ka zbukuruar zemrat gjigande rozë, të bardha dhe të kuqe që mbajnë thirrje për “unitet”, “shpresë” dhe “dashuri”, që kanë zbukuruar sot Shtëpinë e Bardhë, shkruan Associatet Press, transmeton KultPlus.

“Unë thjesht doja një gëzim,” u tha zonja e parë gazetarëve gjatë një vizite të befasishme në oborrin e Shtëpisë së Bardhë ku ishte së bashku me burrin e saj, tashmë president Joe Biden.

“Unë mendoj se gjërat kanë qenë kështu – me pandeminë – të gjithë ndihen pak poshtë, kështu që është vetëm pak gëzim, pak shpresë, kaq”, ka thënë tutje zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zemrat e përmasave të mëdha të zbukuruara, gjithashtu me fjalë të tilla si “mirësia”, “shërimi” dhe “dhembshuria”, synohet të shihen nga miliona amerikanë gjatë Ditës së Dashuruarve me 14 shkurt.

Ata janë ngritur pas kamerave të vendosura për fotografitë e drejtpërdrejta të reporterëve të Shtëpisë së Bardhë dhe do të shfaqen dukshëm në kanalet e lajmeve në të gjithë Amerikën gjatë gjithë ditës. Njëra nga zemrat u nënshkrua, “Dashuria, Jill”.

Zyra e saj tha në një deklaratë: “Siç mund ta dini, zonja e parë njihet për sensin e saj të humorit, dashurinë për të papriturat dhe festimin e traditave, veçanërisht me familjen e saj. Dita e Shën Valentinit ka qenë gjithmonë një nga festat e saj të preferuara”.

Presidenti u tha gazetarëve se Dita e Shën Valentinit është dita e preferuar e zonjës së parë.

I pyetur se si do ta shtrinte atë “histori dashurie” te populli amerikan në një kohë kur kaq shumë vuajnë për shkak të pandemisë së koronavirusit, Biden tha, “tregoju atyre se ka shpresë, thjesht duhet të qëndrosh i fortë”./ KultPlus.com

Fotografi i famshëm francez, Henri Cartier – Bresson: Gjon Mili, mjeshtër i fotografisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Shkurt 2021

Në faqen n°254 të librit “Gjon Mili : photographs & recollections”, botuar në vitin 1980 nga New York Graphic Society (Boston), gjejmë shkrimin (mendimin) e fotografit të famshëm francez Henri Cartier-Bresson për fotogfrafin shqiptar me famë botërore Gjon Milin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Meqenëse jam fotograf, do ta përdorja aparatin tim për të fotografuar Milin; dhe në mbishkrimin (epitafin) tim do të shkruhej se sa mirënjohës i jam atij për gjykimin e tij të mprehtë dhe krijues.

Kur bëjmë shaka, siç bëjmë shpesh, ai më quan “një amator i thjeshtë”, ndërsa unë i referohem atij, “se jam një profesionist i vërtetë”.

E vlerësoj përkushtimin e tij për profesionin në të cilin ai hyri si në urdhrat e shenjtë, gati një mijë vjet më parë; sepse mësojmë aq shumë nga kjo aftësi teknike për të cilën Mili është mjeshtër./darsiani/ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/fotografi-i-famshem-francez-henri-cartier-bresson-gjon-mili-mjeshter-i-fotografise/?fbclid=IwAR1jaCdxuLqbMlFCrobgDrzNJBhATiFUOX4EJJfP7jzeegSgKCTHW-jMbUs

Stonehenge ndodhej diku tjetër, e kanë çmontuar dhe rindërtuar 5 mijë vite më parë

Stonehenge është një nga monumentet më të njohura dhe të vizituara të Britanisë së Madhe, dhe ndoshta të botës. Padyshim, së bashku me pikturat në shpellat e Lascaux në Francë, ky kompleks gurësh të vendosur në formën e një rrethi gjigant përbën shembullin më të lartë të artit parahistorik.

Por historia e monumentit të paktën 5 mijë vjeçar mund të ndryshojë pas studimit të një grupi arkeologësh britanikë, të drejtuar nga profesori Mike Parker Pearson, i University College në Londër.

Nga viti 2017, dihet që gurët gjigantë janë transportuar, në mënyrë ende të mistershme, nga disa lokalitete që ndodhen pothuajse 200 kilometra më larg, në Uells.

Por studimet e reja, të botuara në revistën prestigjioze Antiquity, tregojnë që jo vetëm gurët vijnë nga ai vend, por edhe vetë struktura. Gjatë kërkimeve në kodrat e Preselit, në ekstremitetin perëndimor të Uellsit, një vendbanim i njohur prehistorik ku ndodhen struktura megalitike të shumta, është zbuluar një kompleks i quajtur Waun Mawn, ku sipas studiuesve ndodhen gjurmët e asaj që ishte struktura e hershme e Stonehenge, që vetëm më pas është transportuar në vendndodhjen e tanishme, në Wiltshire të Anglisë.

Studiuesit kanë gjetur në disa gropa ku mendohet se ishin mbështetur gurët, copëza identike të materialit të Stonehenge, madje disa kanë ruajtur ende formën, si dhe drejtimin e kompleksit nga solstici i verës, që ndodh më 21 qershor, dhe që shquhet si një nga festat më të hershme të njerëzimit.

Studiuesit mendojnë se edhe personat që më vonë kanë rindërtuar me ato gurë Stonehenge, ose pjesë të saj, vijnë pikërisht nga ajo zonë e Uellsit./ KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e gjuhëtarit dhe intelektualit Idriz Ajeti

Më 13 shkurt të vitit 2019, në moshën 102-vjeçare, është ndarë nga jeta albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, akademik Idriz Ajeti.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si deh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Idriz Ajeti, lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit është një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. / KultPlus.com

Rita Ora: Kosovë urime Pavarësia, më mungoni shumë (VIDEO)

Këngëtarja e njohur kosovare, Rita Ora, ua ka uruar festën e Pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve.

Ora në një intervistë për Prive ka theksuar se shpreson që do të organizojë një koncert në vendlindje.

“Ju mund të prisni shumë gjëra nga unë në vitin 2021, muzikën time, shumë videoklipe dhe shumë filma. Unë mezi po pres të kthehem dhe ndoshta mund të performojë para jush sërish”.

“Më mungon çdo gjë nga pjesa e të qenurit në shtëpi. Nuk më pritet të ju shoh sa më shpejt”.

“Hej! Kosovë urime pavarësia ,të dua shumë. Shpresoj se do të vijë të bëjë një koncert për ju. Më mungoni shumë, ju dërgojë gjithë dashurinë time”.

Ora ka folur për mini-albumin që ka publikuar, ku ajo në videoklipin e këngës “Bang” ka veshje me motive shqiptare.

Veshjet e saj i ka përgatitur dizajneri, Valdrin Sahiti.

“Fillimisht kur për të parën herë me erdhi ideja për ta realizuar këtë mini-album doja ta bëja një paraqitje vizuale të mahnitshme, për ta përfaqësuar prejardhjen time gjë që gjithmonë e kam bërë me artin tim”.

“Personi i vetëm që e kisha ne mendje ishte Valdrini, sepse i dua dizajnet e tij. Ai është i mirë në atë që bën, dhe ai zbatoi aq bukur esencën e kostumeve tradicionale që ishte perfekte për mua”, ka thënë Ora. /kk/ KultPlus.com

‘Në mbrëmjen e bardhë të dimrit, në duar me buqetë me lule të kaltërta, do vij më prit’

Poezi nga Abdurrahim Karakoç:

DO VIJ

Edhe po të jenë vitet njëzet apo tridhjetë

Edhe po të jenë rrugët me borë, lloç e akull

Trupi im i lodhur, uritur e etur po të jetë

Një ditë këmbëzbathur, këmishë djersitur

Do vij, më prit

Ndoshta së shpejti e ndoshta më vonë

Mbi shpinë kujtimet e në flokë të bardhat

Ditë, datë nuk di por gjithsesi

Me një zell, durim e përpjekje të pafund

Do vij, më prit

Mos mendo s’e harroj, e mundur nuk është

Mos beso edhe po të thonë nuk do të vjen

Mos e humbë shpresën në kalimin e kohës

U vonua, duke thënë mos u hidhëro

Do vij, më prit

Mbase në një mbrëmje të ngrohtë vere

Mbase në një mbrëmje të verdhë vjeshte

Mbase në mbrëmjen e bardhë të dimrit

Në duar me buqetë me lule të kaltërta

Do vij, më prit

Edhe po t’i marrë vërshimi të gjitha urat një nga një

Kam premtuar një herë pengesë nuk njoh

I mbuluar nga bora, maleve me dëborë duke kaluar

Me një copë bukë e një pikë ujë në gojë

Do vij, më prit

Edhe po që se nuk na e kthen rininë e humbur

Do të na bashkojë një ditë Ai që na ka ndarë

Dhe me dashurinë më të pastër në brendi

Me zemër të pastër e mbushur me ty

Do vij, më prit

(Përkthyer nga Fatjona Bajraj) / KultPlus.com

Disney ka arritur shifrën, e cila Netflix-it i duhej një dekadë për ta arritur

Sezoni i ri i serialit “The Mandalorian”,  ka rritur shifrën e të anëtarësuarve në Disney në 95 milionë.

Shërbimi tashmë 15-mujor me Disney Plus shtoi 8.1 milionë anëtarë vetëm gjatë muajit dhjetor me shfaqjen e “The Mandalorian”. Disney zbuloi për herë të fundit se që nga 2 dhjetori, Disney Plus kishte tërhequr 86.8 milion nënshkrime.

Disney tani ka arritur qëllimin prej 90 milionë abonentësh që kishte vendosur më parë për regjistrimet në Disney Plus deri në fund të vitit 2024. Ai gjithashtu ka arritur një moment historik që i duhej Netflix gati një dekadë për të arritur.

Disney Plus ka arritur këtë sukses në treg edhe falë marrëdhënies me transmetuesin indian, Hotstar, të cilin ajo e bleu si pjesë e blerjes së aseteve të kompanisë “20 Century”. Kompania zbuloi në dhjetor që Hotstar, i cili shoqërohet me programim Disney Plus në Indi, përbënte 30 përqind – ose rreth 26 milion të pjesëtarëve të përgjithshëm të Disney Plus. /paper/ KultPlus.com

Artisti me sindromin down që synon të bëhet profesor

Artisti nga Kolumbia, Franco Parra po dëshmon që sindromi Down nuk mund të jetë asnjëherë pengesë për asgjë, përcjell KultPlus.

Kështu ai ka krijuar një lidhje të veçantë me artin, teksa kalon shumë kohë me pikturat e tij.

Ai ka treguar se së fundmi është duke punuar një muaj në njërën prej pikturave të tij.

Parra është student i programit ‘Links’, e cila është një mundësi për fëmijët me aftësi të kufizuara për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Krijimtarinë në artin pamor, ai po e sheh si një rrugë drejt realizimit të ëndrrës, e që synon të jetë profesor i artit.

Po ashtu, me anë të shitjes së pikturave të tij ky artist po mundohet që të bëjë para të mjaftueshme për të udhëtuar në disa vende që të shoh punime artistike. / KultPlus.com