Salvador Dali, artisti i apasionuar pas filozofisë

Megjithëse ai ishte i mendimit se: “I vetmi ndryshim midis një të çmenduri dhe meje, është që unë nuk jam i çmendur”, bëri një jetë ku, “Të vetmen gjë, për të cilën bota nuk do ta ketë asnjëherë mjaftueshëm, është ekzagjerimi.” Gjithsesi ai mbeti një i “çmendur” që arriti të na magjepste me “çmenduritë” e tij krijuese. Ishte zëri më i buçimshëm i penelit të surrealizmit. Erdhi për të bërë epokë dhe vetë epoka mori emrin e tij. U shndërrua një nga personazhet më të spikatur të shekullit XX.

Ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm, me një jetë larushitëse, dengur gjer në buzë me çmosgjë. Në vërshimin e rrëmetshëm, jeta dhe peneli krijuan më shumë se një vepër të tjetërllojtë, ngjizën dhe na kumtuan një njeri si ai, një prurje galaktike e shkasit për befasi.

Testamentin e tij krijues e përbëjnë plot 1648 piktura, mbivensoi këtij mali kanavacash, libra të ilustruar, dizenjime të skenave dhe kostumeve për teatër, gjithashtu një numër të madh vizatimesh, duzina skulpturash, dhe projekte të tjerë, përfshirë këtu dhe një film vizatimor për Disney.

Por ajo që gjithnjë intrigon është jeta e artistit të këtyre përmasave, e cila shpërfaqet në librin “Jeta ime e fshehtë”.

Nga çfarë ai ka shkruar për veten

Në kolegj vazhdoja të isha një student me vlerësime të mjaftueshme. Të gjithë e këshillonin tim atë të më lejonte të bëhesha piktor. Zoti Nunjes, i bindur në mënyrë absolute për talentin tim, këmbëngulte më shumë nga të gjithë, por babai nuk lëshonte pe dhe nuk donte të bënte asnjë ndryshim. Ai nuk donte që unë të bëhesha piktor. Megjithatë, bënte gjithçka që varej prej tij që t’i zhvillonte prirjet e mia: më blinte libra, revista dhe të gjitha veglat e materialet e nevojshme.

– Do ta vendosim gjithçka, kur të marrë dëftesën e pjekurisë, – thoshte ai.

Sa për vete, unë e kisha vendosur me kohë! Ndërkohë nuk lexoja, por i kapërdija librat e bibliotekës së babait. Gjatë dy vjetëve i lexova të gjitha deri në një. “Fjalori filozofik” i Volterit më bëri një përshtypje të jashtëzakonshme, kurse “Kështu foli Zarathustra” mendoj se unë mund ta shkruaja më mirë. Mësuesi im më i mirë u bë Kanti, nga i cili nuk mora vesh asnjë gjë, por kjo më mbushte me krenari e kënaqësi. Më pëlqente të endesha nëpër labirintet e arsyetimeve të tij, të cilat bënin jehonë brenda meje me një muzikë hyjnore. Njeriu që kishte shkruar të tillë libra të rëndësishëm, mund të ishte vetëm një engjëll dhe asgjë tjetër! Pasioni im për librat, të cilët nuk i kuptoja, e kishte burimin tek etja e madhe shpirtërore. Ashtu siç ndodh me fëmijët, të cilët kur kanë mungesë kalciumi në organizëm shtyhen të hanë gëlqeren e suvasë së mureve, pikërisht ashtu edhe shpirti im kishte nevojë për ata imperativë kategorikë, që unë i përtypja e i ripërtypja në ato vite, por pa i kapërdirë. Por, befas, një herë arrita t’i kapërdija! Deriçka u hap dhe unë e kuptova gjithçka. Nga Kanti kalova te Spinoza dhe u tërhoqa prej tij. Gjithçka që përthitha u bë më pas baza e kërkimeve të mia të mëvonshme metodike dhe logjike. E fillova leximin e filozofisë me të qeshur dhe e përfundova me të qarë. Atë që nuk mundën ta bënin romanet dhe shfaqjet teatrore, u krye atë ditë kur unë zbulova përcaktimin lëbyrës të dijeve aprioritare. Edhe sot e kësaj dite, kur nuk interesohem më për filozofinë e pastër, shembujt që sjell Kanti, teksa flet për arsyetimin praktik, më bëjnë të më dalin lot nga sytë.

Mbrëmjeve, një nga profesorët e kolegjit zhvillonte filozofi sipas dëshirës dhe unë, pa e bërë dy, u regjistrova në të. Atë pranverë ne jetuam veçanërisht shkëlqyeshëm dhe mësimet zhvilloheshin sipas Platonit, në ajër të pastër, poshtë pishës së rrethuar nga myshku. Ndihmëse të profesorit ishin shumë vajza. Unë nuk njihesha me to dhe të gjitha më dukeshin të lezetshme. Gjithsesi unë zgjodha njërën. Vështrimet tona u kryqëzuan. Edhe ajo më zgjodhi mua. Kjo gjë qe aq e dukshme, saqë ne, pa e biseduar qysh përpara, u ngritëm dhe dolëm. Ndjenja që na kishte kapluar ishte aq e fuqishme, saqë nuk folëm asnjë fjalë, vetëm se i përshpejtuam hapat, ia nisëm vrapit si të çmendur dhe mbërritëm deri në majën e kodrës, ndërsa pas kodrës shtrihej një fushë e gjerë, me një udhë midis dy arave me grurë. Vajza më hidhte më të rrallë ndonjë vështrim të zjarrtë, sikur të donte të më nxiste dhe dihaste pa qenë në gjendje të shqiptonte asnjë fjalë. Ndërsa unë munda vetëm t’i thosha:

– Këtu!

Ajo ra në tokë, e shtrirë në të gjithë gjatësinë e saj dhe, befas, m’u duk shumë e rritur, pak më e madhe nga sa e mendoja unë. Ajo ishte shumë e bardhë, me gjoks të bukur dhe, kur e përqafova, e ndjeva se si ata lëviznin poshtë mbajtëseve, si dy qenie të gjalla. Unë e putha gjatë në buzë dhe kur ato u hapën paksa, u ngjesha me gojë te dhëmbët e saj aq fort, saqë ndjeva dhembje. Ajo kishte rrufë të fortë dhe prandaj në dorë mbante një shami të vogël, me të cilën fshinte hundët, aq sa ajo ishte njomur e gjitha. Unë nuk kisha shami me vete që t’ia jepja, prandaj dhe nuk dija çfarë të bëja. Ajo teshtinte shpesh dhe piklat e qurrave dilnin herë pas here nga vrimat e hundëve të saj, kështu që ajo, e zënë ngushtë, kthente kokën dhe teshtinte në palat e fustanit. Unë desha ta puthja edhe një herë, që t’i tregoja se nuk më vinte ndot, gjë që ishte e vërtetë, piklat e lëngshme e të tejdukshme të saj rridhnin njëlloj si lot. Dhe unë harroja që ajo ishte me rrufë, por kujtoja se qante.

– Unë ty nuk të dashuroj, – i thashë për ta ngushëlluar. – Unë, në përgjithësi nuk mundem t’i dashuroj femrat. Kam për të qenë gjithmonë i vetëm… Kur unë ngrita kokën, ajo më pa me një zhgënjim të hidhur.

– Pra, nuk do të shihemi?

Duke e ndihmuar të çohej, e qetësova.

– Nesër, patjetër. Edhe pesë vjet të tjera. Por asnjë ditë më tepër.

I tillë qe plani pesëvjeçar. Dhe me të vërtetë, ajo u bë dashnorja ime përgjatë pesë vjetëve, me përjashtim të pushimeve verore, që unë i kaloja në Kadakes. Gjatë gjithë asaj kohe, ajo ruajti njëfarë besnikërie mistike ndaj meje. Takohesha me të vetëm mbrëmjeve, në kohë të përshtatshme për mua. Ndërsa, kur unë doja të rrija vetëm, i dërgoja asaj një pusullë nëpërmjet ndonjë djali të rrugicës. Ky idil pesëvjeçar më lejoi të vija në punë të gjitha rezervat e ndjeshmërisë së shthurur. Në fillim atë e lidha fort pas vetes. Pastaj, në mënyrë cinike, përcaktova shpeshtësinë e takimeve tona, temat e bisedave, mashtrimet e mia, për sajimin e të cilave unë isha mjeshtër. Ndikimi im tek ajo rritej çdo ditë e më shumë. Ajo ishte një joshje mashtruese metodike, rrethim, shfarosje dhe vrasje. Mjaftonte që unë ta ndieja se kishim arritur deri te “pika”, deri te kufiri, dhe filloja, aty për aty, të kërkoja viktima. A nuk ishte ajo që ma përsëriste vazhdimisht, deri në fund, se ishte gati të vdiste për mua? Epo, mirë, ta shohim nëse ishte vërtet ashtu apo jo! Atyre që mendojnë se suksesi im në këtë pasion ka të bëjë me vetitë e mia prej Don Zhuani, mund t’u them se midis meje dhe asaj vajzës, përgjatë pesë vjetëve, nuk ndodhi gjë prej gjëje. Unë e puthja atë në buzë, ledhatoja gjoksin e saj dhe e vështroja në sy. Kjo ishte e gjitha. Ndjesia e pavlefshmërisë së saj nuk kishte dyshim që e kishte burimin te dita e parë e takimit tonë, për shkak të rrufës së saj të bezdisshme. Ajo ishte e etur ta përligjte veten në sytë e mi dhe sa më i ftohtë tregohesha unë, aq më shumë i nxitej asaj dashuria dhe i shtohej etja për një dashuri gjithnjë e më të hollë në ndjenja, e më të veçantë, gjë kjo që e shtynte në kriza nervore. Pas asaj përvoje, dashuria e paplotësuar ishte për mua jermi më i madh në mitologjinë e ndjenjave. Vetminë time nuk e turbullonte asgjë, madje unë mund t’i pranoja “parimet e mia të veprimeve lirike” si diçka të bukur nga forma estetike. Isha i bindur se të dashuroja ashtu siç adhuroja Galoçkën time, Dulita Redivivën timen, ishte diçka krejt tjetër, domethënë shfarosje e plotë e të gjitha ndjenjave. Dashnorja ime, përkundrazi, më shërbente si shenjë, objekt për goditje.

***

…Një herë në darkë, i kapluar nga përfytyrimet e mia, ndjeva duart e dikujt të më preknin në sup. Brofa në këmbë, u mbyta me pështymën time dhe, i përskuqur në fytyrë, u kollita. E njoha sakaq se djali që rrinte përpara meje ishte Buçakasi. Ai ishte më i madh se unë dhe ia kishin vënë këtë nofkë, që në gjuhën katalanase donte të thoshte “xhep”, për shkak të veshjes së tij të habitshme me një numër të madh xhepash. Ai ishte më simpatik se të tjerët, prandaj edhe më kishte tërhequr vëmendjen, por nuk guxoja ta vështroja veçse vjedhurazi. Sa herë që takoja sytë me të, unë ngrija. Nuk kishte dyshim që kisha rënë në dashuri me të, ndryshe nuk ka se si shpjegohet pse e humbisja fare toruan në prani të tij dhe pse ai zinte vend aq të lartë në ëndërrimet e mia, atje ku nuk mundja ta ngatërroja me Galoçkën, ose me ndonjë person tjetër. Nuk po e dëgjoja se çfarë po më thoshte Buçakasi. Isha gati të më binte të fikët, në veshë kisha një zhurmë të lehtë, që më pengonte të dalloja tingujt e botës së jashtme. Por Buçakasi u bë njëherë e përgjithmonë shoku im më i ngushtë dhe, sa herë që përshëndeteshim për t’u ndarë, e puthnim gjatë njëri-tjetrin në buzë.

Jeta ime, duke qenë në luftë të vazhdueshme për konsolidimin e personalitetit, në çdo kohë ishte një novelë mbi fitoren e “Unit” tim, ndërkohë që njerëzit përreth meje ishin në kompromis të plotë me atë vdekje. Unë nuk pranoja të hyja në ujdi me të. / KultPlus.com

‘ Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka’ (VIDEO)

Legjenda e artit shqiptar, Muharrem Qena, ka lënë pas vetës vepra të ndryshme arti.

KultPlus iu

O vendi im! 
Të thërras unë me mall, 

Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë, 
se anë e kand, kudo që kërkoj 
pa si ty të dashtun nuk gjej 

Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba 
Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka 
[2x] 

I huaj jam! 
Dashuni nuk kam 
Për mue nuk lind dielli më 

O vendi im! 
Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim 

O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im, 
Tash vetëm po ju kujtoj /KultPlus.com

Uta Ibrahimi përfundon aventurat në Festival ‘Erzurum’: Ishe fantastik kësaj radhe

Alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi, ka përfunduar aventurën e saj në Festivalin “Erzurum”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Ibrahimi i ka dhënë lamtumirën këtij festivali.

“Mirëupafshim Erzurum, ishte fantastik kësaj radhe. Ditën e fundit duke u ngjitur në Ice Park e sfidova vetën edhe në një shkallë më lartë dhe tani nuk frikësohem që të udhëheqi në një rrugë. Tani është koha që të kthehem në shtëpi dhe të trajnohem për Himalaya 2022”.

Në fund ajo gjithashtu falënderoi të gjithë që ndihmuan atë në këtë Festival.

“Utalaya partnerët e mi në ngjitje në akull dhe ngarje së bashku për 3000 km, janë më të mirët”, shtoi ajo.

Ibrahimi ka shkruar disa herë histori për Kosovën në ngjitje të majave më të larta të botës. /KultPlus.com

IKSHPK: Omicron po vazhdon të përhapet me intensitet të lartë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), po vazhdon thirrjet e vazhdueshme për qytetarët që të respektojnë masat e mbrojtjes ndaj COVID-19, shkruan KultPlus.

IKSHPK ka shkruar se varianti Omicron po vazhdon të përhapet me intensitet të lartë dhe është varianti dominues në qarkullim.

“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Ne jemi çdo ditë në shërbimin tuaj!

Ju lutemi bartni maskat në çdo vend dhe vaksinohuni!

Omicron (B.1.1.529) po vazhdon të përhapet me intensitet të lartë dhe është varianti dominues në qarkullim.

Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje:

Mbulo gojën dhe hundën me maskë! /KultPlus.com

Filmat më të njohur nga kineasti, Dhimitër Anagnosti

Kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, feston 86- vjetorin e lindjes, ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.

Disa prej filmave të tij më të njohur janë të renditur më poshtë:

Gjoleka, djali i Abazit (2006) Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989) Përrallë nga e kaluara (1987) Gurët e shtëpisë sime (1985) Kujtime nga Gjirokastra (1983) Vëllezër dhe shokë (1982) Në shtëpinë tonë (1979) Monumenti (1977) Lulëkuqet mbi mure (1976) Kur hiqen maskat (1975) Cuca e maleve (1974) Përjetësi (1974) Motive nga dita e diel (1973) Malet me blerim mbuluar (1971) Parafabrikatet (1970) Plagë të vjetra (1968) Duel i heshtur (1967) Komisari i dritës (1966) Njeriu kurrë nuk vdes (1961). /KultPlus.com

Anadollaku në mesalle

Poezi nga: Faik Konica

Anadollaku në Mesalle

Ka ndenjur si nje ka 
Po ha edhe po ha, 
Shembet me pilaf, 
Fruhet me hoshaf; 
S`ka kohe te flase 
Hedhe sa te pelcase: 
Llop nje bakllava, 
Llop nje hallva, 
Llop nje revani, 
Llop muhalebi. 
Therret:-Hic jemedum! 
– O burra, bre dudum! 
Kerkon nje syltjac, 
Porosit nje kulac, 
Rremben nje bugace, 
– Te rrembec nje kapace! 
Te tere per nje darke, 
Te tera ne nje barke! 
Kur lodhet sa ngjinjet, 
Pushon e shtrihet 
Shtrihet dudumi 
Dhe na e ze gjumi. 
Neser kur te zgjohet 
E, me “bismil-lah”, 
Prape pilaf 
E prap hoshaf. 
“Qebap boll-boll 
Koxha Anadoll!” 
More dudum kokekungull 
Gojebuall e barkrrumbull 
Thuame, te rente pika! 
C`te duhet ty politika? 
Hiq, more dudum dore, hajde 
Te te kllasem ne nje kade 
Plot me mjalt`e me recel 
Ha pi e kurre mos del. /KultPlus.com

Kurti njofton për rikthimin e bllokut B2: Po paguajmë çdo orë 50 mijë euro import më pak

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është rikthyer në funksion, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Kurti ka njoftuar se sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve”, shkruhet mes tjerash.

Kurti gjithashtu thotë se do të ishte shumë mirë që Kosova ta kishte tani TC “Kosova A”.

“Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”.

Në fund të këtij muaji do të vendoset përfundimisht në qoftë se Kosova do të ketë çmim të faturës së energjisë elektrike. /KultPlus.com

Çast njeriu

Shkruan: Ibrahim Berisha

Çast njeriu

Më tha rruga imë është më e largëta
I thashë secili ka rrugën e vet.
Më tha ëndrra ime është më e bukura
I thashë secili ka ëndrrën e vet.
Më tha unë jam më i miri
I thashë secili është i miri.
Më tha unë jam më i pasuri
I thashë secili është i pasur.
Më tha unë jam më trimi
I thashë secili është trim.
Më tha unë e bëj punën time
I thashë secili bën punën e vet.
Më tha unë nuk jam i njëjtë
I thashë secili është i njëjtë. /KultPlus.com

Tre librat shqiptarë që u kthyen në filma të mirënjohur

Kinematografia ka ecur përkrah literaturës, edhe pse thuhet shpesh se ‘Filmat nuk janë po aq të mirë sa librat’.

KultPlus ju sjellë tre libra shqiptar që u kthyen në filma dhe njohën edhe sukses ndërkombëtar.

Filmi ‘Përse bie kjo daulle’ – E para vepër që u kthye në një film artistik ishte romani ‘Dasma’ e Ismail Kadaresë. Në vitin 1969, rregjizori Pirro Milkani përdori romanin e Kadaresë si subjekt të filmit ‘Përse bie kjo daulle’.

Filmi rrëfen historinë e dashurisë së Kaltrinës dhe Xhavitit. Dy të rinjtë punonin si vullnetarë në ndërtimin e një hekurudhe dhe bien në dashuri. Pas njëfarë kohe vendosin të martohen edhe pse i ati i vajzës e kishte fejuar vajzën pa dëshirën e saj me dikë tjetër. I ati i vajzës, i cili ishte malësor, nuk mund ta pranonte martesën. Ndaj, shkon në ceremoninë e dasmës për të vrarë të bijën…Libri, gjatë asaj kohe mori famë dhe u radiodramatizua nga BBC në Londër me titullin ‘Dasma dhe Fantazma’.

‘Përrallë nga e kaluara’ – Vepra e paharrueshme e shkrimtarit karizmatik Andon Zako Cajupi, ‘14 Vjeç Dhëndër’ u kthye në film fale rregjizurës së Dhimitër Anagnostit. Filmi u titullua ‘Përrallë nga e kaluara’ në vitin 1987. Libra të tillë si të Çajupit janë të rrallë.

Edhe sot mbetet një nga fimat më të dashur të të gjitha kohërave për shqiptarët. Historinë e filmit nuk po jua shtjellojmë pasi jemi të bindur që e dini tashmë. Filmi u nderua me çmimin ‘Aleksandër Moisiu’ në vitin 1988 për skenarin. Ndërsa në vitin 1990 mori çmim të dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar. Filmi mori edhe një çmim të dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë, 1990.

‘Parrullat’ – Një tjetër libër që u kthye në një nga filmat më të vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. ‘Parrullat’ u realizua si film nga rregjizori Gjergj Xhuvani, me ndihmën e shkrimtarit Ylljet Alicka. Filmi u realizua në fakt më herët se sa botimi i librit. Në vitin 2001 filmi ndërsa në 2006-ën libri.

Ngjarja përfshin brënda sigurisht edhe një histori dashurie. Ngjarjet zhvillohen në vitet e diktaturës komuniste, në një shkollë fshati. Të gjithë si nxënës dhe mësues ishin të detyruar t’u bindeshin urdhrave që vinin nga lart për të vendosur parrrulla me gurë nëpër kodra. Filmi mori pjesë në Festivalin e Venecias, të Bratislavës, Festivalin e Kanës, të Cotbus-it e deri në Tokio, ku u vlerësua me disa çmime. /aktoret/ KultPlus.com

Si e organizuan vrasjen e Isa Boletinit?

Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diel të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.

Si u organizua vrasja

Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.

Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.

I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.

Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.

Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.

“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.” .

Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:

“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”

Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.

Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.

Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Sëire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 19284 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.

Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Sëire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:

“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.

Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.

Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”

Arma që vrau Boletinin, një trofe i rrallë

Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

Varrimi

Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.

Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.

Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.

Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.

Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.

Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën./konica/ KultPlus.com

SHËNIM: Marrë nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, Roland Qafoku.

Festivali i Dramës origjinale shqipe ‘Talia e Flakës’ hapet sot me shfaqjen “Viganët”

Sot me fillim nga ora 18:00 do të hapet edhe festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës”, në kuadër të Flakës së Janarit, shkruan KultPlus.

Me regji të Ilir Bokshit shfaqja “Viganët” do të jepet premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, me një kastë profesionale të aktorëve.

Alban Shahiqi, Ali Demi, Artan Selimi, Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Lavdije Idrizi, Safete Mustafa Baftiu, Patriot Osmani dhe Tringa Hasani do të luajnë në këtë shfaqje.

”Viganët me trup të mëdhenj, me fuqi mbinatyrore, me tipare të jashtëzakonshme, na vijnë të teatralizuar më ndryshe, bazuar në eposin “Cikli i Kreshnikëve”, që populli i njeh si “Këngë kreshnike”. Ato tashmë janë në rrugëtimin për t’u njohur institucionalisht edhe si trashëgimi shpirtërore botërore dhe me vlera universale njerëzore. Viganët, gjigantët, kreshnikët, dramat dhe stili i tyre jetësor, me tipare njerëzore e hyjnore, me dobësi e madhështi, na vijnë në skenën e teatrit, ngjashëm siç na vijnë universalisht edhe drama të tjera nga qendrat e civilizimeve të ndryshme nëpër histori. Shfaqja “Viganët” do të ofrojë qasje të veçantë, në kontekstin e ri teatror, qoftë edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve retorike të kreshnikëve: “A don forcë, Mujo, me qindrue? A don luftë, Mujo, me luftue? A don gjâ, Mujo, a don máll? A don dije, Mujo, a don gjuhë? Lyp shka t’duesh Mujos te i kan thânë.”

Për shkak të Vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që hyri në fuqi sot më 22 janar dhe që vlen deri më datën 4 shkurt 2022, të gjitha shfaqjet teatrore “Talia 2022”, do të fillojnë ora 18:00. /KultPlus.com

May be an image of text

90 vjet nga lindja e akademikut dhe politikanit, Fehmi Agani

Në janar gjithmonë e kujtojmë Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e mori seriozisht studimin gjatë tërë jetës.

Fehmi Agani lindi pikërisht në janar, me 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë.

Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvua politikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.

Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.

Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.

Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.

Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.

Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com

Isa Boletini për Daily Telegraph: Gjithë jetën time deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.” / KultPlus.com

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 86-vjetorin

Kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, feston 86- vjetorin e lindjes, ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike. Anagnosti rrëfen në këtë intervistë të shkuarën dhe të ardhmen e kinemasë shqiptare.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Mban titulllin “Nderi i Kombit”. /KultPlus.com

Para 106 viteve, heroi Isa Boletini u vra në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

123 vite nga fillimi i Lidhjës së Pejës

Në fund të shekullit 19-të  tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Teritori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.

Më 23 janar 1899 nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë u mblodh një kuvend me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës. Në kuvendin gjashtë ditor zuri fill Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, u drejtua, dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Kuvendi doli me një program 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vjet.

Pas suksesit të pjesshëm në përhapjen e programit në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore e të Mesme në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar që do ta aprovonte programin e Lidhjes, sulltani reagoi duke përdorur edhe reaksionit shqiptarë. Në maj 1899 përpjekjet për mbajtjen e këtij kuvendi në Prizren u penguan. Kjo solli deri te një kryengritje e armatosur deri në maj të vitit 1900 kur u dërguan forca shtesë otomane që përfunduan Lidhjen e Pejës.

Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri.

Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.

Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.

Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.

Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.

Sot, në ketë 120 vjetor kryeministri Ramush Haradinaj do të bëjë nderime para përmendores dhe kullës së Haxhi Zekës në Pejë. /KultPlus.com

‘Këtë natë të lehtë gjumi s’më merr, vetëm hana m’bën shoqni’ (VIDEO)

Bilbili kosovar Nexhmije Pagarusha, ka lënë pas vetes shumë këngë të cilat sot e kësaj dite këndohen, e shpesh duke u sjellur edhe versione të reja të tyre.

KultPlus ua sjell tekstin e këngës “Sytë për ty i kam të njomë”.

Këtë natë të lehtë gjumi s’më merr
Vetëm hana m’bën shoqni
Veç për ty i dashur qaj
pse s’vjen ma s’di çka të baj
S’më lanë lotët djal me t’shikju

Eja xhanin me ma qetësu
Dal n’dritare me ndëgju
Zanin tand a mos ta ndij
Era e lehtë me flokët e mia lun
Tuj shpresue se po vjen
S’më lanë lotët djal me t’shikju

Eja xhanin me ma qetsu
Sytë për ty i kam të njomë
Si s’dien dhimbje hiç për mu
E ty Hanë t’lus me më ndihmu
Ta gjej djalin që e du
S’më lanë lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu./ KultPlus.com

Vdes Meat Loaf, ylli i këngës ”I’d Do Anything For Love”

Meat Loaf, ylli amerikan i rrokut, i njohur për “Bat Out of Hell”, një nga albumet më të shitura të të gjitha kohërave, ka vdekur në moshën 74-vjeçare, transmeton KultPlus.

Këngëtari dhe aktori, i njohur ndryshe si Michael Lee Aday, shiti më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën dhe pati role në filmat “The Rocky Horror Show” dhe “Fight Club”.

Me hite duke përfshirë titullin 10-minutësh të këngës nga “Bat Out of Hell”, “Paradise by the Dashboard Light” nga i njëjti album dhe “I’d Do Aything for Love (But I Won’t Do That )”, apeli i Meat Loaf shtrihej përtej fansave të hard rock-ut.

Këngëtari ka ndërruar jetë me bashkëshorten në krah. Vajzat e tij, Pearl dhe Amanda, kishin qenë me të në orët e tij të fundit. Asnjë shkak i vdekjes nuk u zbulua menjëherë.

“Zemrat tona janë thyer për të njoftuar se i pakrahasueshëm Meat Coaf ka ndërruar jetë”, tha familja e tij në një deklaratë. “Nga zemra e tij në shpirtrat tuaj … kurrë mos ndaloni së tunduri!”./ KultPlus.com

‘Bij të Sulit, qysh e duroni‘

Poezi nga Xhorxh Gordon Bajroni

Bij të Sulit

Bij të Sulit, qysh e duroni,
Në beteja sot marshoni!
Nuk ju mposhtin gërxhet dot!
Burra! Burra! O suliotë!
Mundin tuaj ta kërkoni,
Atje ku ju fton zakoni!
Mbi flamur të shenjtëruar,
Po shkel hasmi i mallkuar,
Mbi flamurin malësor,
Përmbi nderin prindëror.
Ngrehuni në luftë sot!
Burra! Burra! O suliotë!
Plugje kemi pallat tona,
Korrje janë fitoret tona!
Në kështjellën që do shembet,
Mundi, djersa juaj gjendet!
Atje kemi ne lavdinë!
Zjarr për zjarr pra me stuhinë./ KultPlus.com

Dy filmat e ardhshëm ‘Mission: Impossible’ shtyhen deri më 2023 dhe 2024

Pjesa e shtatë dhe e tetë e filmit “Mission: Impossible” me Tom Cruise janë shtyrë deri në vitin 2023 dhe 2024 për shkak të pandemisë COVID-19, thanë producentët Paramount Pictures dhe Skydance në një deklaratë të premten, transmeton KultPlus.

“Mission: Impossible 7” ishte planifikuar të debutonte në kinema në shtator 2022, e ndjekur nga “Mission: Impossible 8” në korrik 2023.

Datat e reja për filmat janë 14 korrik 2023, për pjesën e shtatë dhe 28 qershor 2024, për filmin e tetë të serisë.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, Paramount Pictures dhe Skydance kanë vendosur të shtyjnë datat e publikimit për Mission: Impossible 7 & 8 në përgjigje të vonesave për shkak të pandemisë në vazhdim”, thuhet në një deklaratë të kompanive./ KultPlus.com

Djalin e kishte marrë malli për Prishtinën

Poezi nga Binak Kelmendi

Djalin e kishte marrë malli për Prishtinën

Ardi erdhi në Kosovë dhe ndenji vetëm katër ditë
E mirë qenka liria tha
Këtu çdokush bëka çfarë duaka
Edhe rryma po u ndalka pa e prek butonin
Edhe uji po u ndalka pa e shtypur rubinetin
Kontejnerët e bërllokut qenkan nëpër shkallë
Fiks liri

Nuk di a është kështu te “Hasan Prishtina”
Në kohën time shkonim kokulur në shkollë
Nëpër derën e gjerë hynin serbët e serbet duke u kakarisur   
Mësuesit i prisnin me revole në brez dhe me dorën në revole 
Ne ulnim kokën
Mezi përbiroheshim nëpër derën e vogël 
Mësuesja na merrte përdore: 
Mos shikoni andej nga porta e madhe
Andej janë ata
Po duan të zënë në thua në ne 
Kanë për të rënë në kokërr të shpinës
kanë për ta thyer kokën…
e thefshin.
Qenka e mirë liria, 
Nxënësit në shkollë po kaluakan nëpër derën e madhe me këngë tha dhe iku me lirinë tjetër të vet.   
(tetor, ’21)./ KultPlus.com

Dokumentet historike dëshmojnë vazhdimësinë e gjuhës iliro-arbërore

Nga Gjon Keka

Gjuha jonë iliro-arbërore është folur e shkruar edhe përkundër pengesave e ndalesava që i kanë bërë pushtues të ndryshëm.

Si para, por ,sidomos gjatë pushtimit otoman ,gjuhën e kanë ruajtur kleri i krishterë arbëror të cilët shumica prej tyre kishin formim intelektual dhe ishin të arsimuar si brenda ashtu edhe në kolegjet dhe universitetet e vendeve tjera europiane.Ndërsa vazhdimësia e gjuhës sonë iliro-arbërore deri në ditët tona dëshmohet nga dokumente të shumta historike, sikur që është edhe ky që kam nxjerr nga “Oratio Dominica,Anno R.S.,18.05”./ KultPlus.com

Nesër nis Festivali i Dramës Kombëtare ‘Talia e Flakës 2022’

Edhe sivjet, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”, në Gjilan, që nis më 23 janar dhe zgjat deri më 28 janar.

Në natën e parë, është paraparë që të jepet shfaqja “Viganët” me tekst të Visar Krushës e regji të Ilir Bokshit, ku do të paraqiten aktorët e Teatrit të Gjilanit.

“Nata e dytë është e rezervuar për shfaqjen “Aroma e Hënës” me skenar të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit, derisa në këtë shfaqje do të luajnë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “5 ditë mbret”, është shfaqja që do të jepet në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Kombëtare në kuadër të “Flaka…2022”, ku skenarist është Stafan Çapaliku e regjisor Gjergj Prevazi. Kësaj radhe nga Shqipëria, Festivalin do ta nderojë trupa teatrore e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça. Në mbrëmjen e katërt do të paraqiten aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, me shfaqjen “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj e me regji të Blerta Nezirajt. E në mbrëmjen e pestë do të paraqitet edhe një trupë teatrore nga Shqipëria, ajo e Teatrit “Metropol” nga Tirana, të cilët do të japin shfaqjen “GOF” nga Anton Pashku, me regji të Shkëlzen Berishës. Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar do të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, që është prodhim nga “Integra”. Të gjitha shfaqjet do të fillojnë nga ora 18:00. Ndryshimi i terminit ka ndodhur për shkak të masave të reja anit-Covid”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Festivali i dramës origjinale shqipe është një manifestim teatror me përmasa mbarëkombëtare.

“Talia e Flakës” është njëra ndër shtyllat më të forta të manifestimit, me të gjitha prerogativat e një evenimenti unik e kredibil, si një element, ndër të parët e kulturës së bashkuar mbarë shqiptare, e me një gjakim fare të vetëkuptueshëm: që ta stimulojë e avancojë dramaturgjinë kombëtare, që t‘i inkurajojë e nxisë shkrimtarët e në radhë të parë dramaturgët, që ta begatojnë këtë gjini tonën, gjini e lloj letrar, i cili shkruhet (në radhë të parë) për t‘u inskenuar, më shumë se për t‘u lexuar si letërsi./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Sportin ta kthejmë në kulturë të shoqërisë

Sot, në Brezovicë, u përmbyll  ngjarja dy ditore “Tryeza e Sportit”, ku akterët më të lartë vendorë të komunitetit sportiv, diskutuan tema të ndërlidhura me këtë fushë.

Në vazhdën e diskutimeve u arritën disa përfundime dhe pajtueshmëri, të cilat do të ndihmojnë në orientimin e qeverisë dhe komunitetit të gjerë sportiv drejt zhvillimit të mëtejmë të sportit në vend.

Ndër pikat për të cilat palët u pajtuan për të vazhduar më tutje ishin:

Hartimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e sportit, mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe integrimit të të gjitha palëve të interesit në vend. Si hap fillestar për hartimin e startegjisë, të pranishmit u dakorduan për rëndësinë e procesit të analizës së gjendjes ekzistuese të sportit, e cila do të fokusohet mbi dy shtylla kryesore: grumbullimi dhe përpilimi i bazës së të dhënave në sektorin e sportit dhe në infrastrukturën fizike sportive. Procesi i përpilimit të bazës së të dhënave, i cili do të filloj gjatë këtij muaji, do të bëhet në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe organizatave tjera qeverisëse të sportit në Kosovë.

Në temën e Sportit për të gjithë, me fokus të veçantë u adresua procesi i integrimit të aktiviteti fizik dhe sportiv në sistemin e arsimit në Kosovë. Përpos rëndësisë që kjo luan për zhvillimin e një shoqërie të shëndosh, me këtë qasje synohet të ndërtohet edhe sistemi i identifikimit të talentëve të rinj në sport dhe shndërrimi i sportit në kulturë shoqërore.

Për këtë, të pranishmit u dakorduan për inicimin e hartimit të programit “Sporti në shkolla”,  proces për të cilin do të nevojitet koordinimi dhe bashkëpunimi i thellë mes organizatave sportive dhe ministrive të linjës. Përtej kësaj, të pranishmit u dakorduan që në kuadër të këtij programi të rëndësisë së veçantë të adresohet edhe qasja, përkrahja dhe ofrimi i mundësive të barabarta edhe për personat me aftësi të kufizuar.

Një temë tjetër me rëndësi, ishte tema e Sportit Elitar, që ka të bëjë me ngritjen e rezultateve sportive në nivel shtetëror dhe përfaqësimi i sportit në arenën ndërkombëtare. Të pranishmit u pajtuan se me prioritet të lartë duhet trajtuar ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, i trajnerëve, stafit ndihmës – mjekë sportiv, fizioterapeut, psikolog, nutricist – e të tjera profile deficitare dhe të nevojshme për përgatitjen maksimale të sportistëve vendor.

Në lidhje me infrastrukturën fizike, fokusi duhet përqendruar në identifikimin dhe adresimin e nevojave emergjente në infrastrukturë, e më pas në investimet e mëdha të interesit nacional. Si fillim u dakordua që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth gjendjes në teren, duke marrë parasysh shpërndarjen hapësinore të infrastrutkurës ekzistuese, demografinë në ato zona, kërkesat dhe nevojat. Në përfundim të kësaj analize, u dakordua të organizohet një takim i përbashkët ku do të diskutohet rreth orientimit strategjik për investime kapitale në fushën e sportit.

Pika e fundit për të cilën u diskutua gjatë këtyre dy ditëve, ishte diplomacia sportive. Përtej diskutimeve rreth rëndësisë dhe rolit të diplomacisë sportive për shtetin e Kosovës, të pranishmit u dakorduan që bashkarisht të hartojnë protokolle specifike të cilat do të udhëzojnë organizatat sportive për pjesëmarrje dhe përfaqësim në garat ndërkombëtare. Poashtu u diskutua rreth rëndësisë së organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve të natyrës ndërkombëtare në vendin tonë për promovim dhe zhvillim të diplomacisë sportive.

Në përmbyllje të tryezës dy ditore, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin, Kurti, për të ritheksuar vëmendjen dhe dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e sportit. Kryeministri ndër tjerash foli për rëndësinë e masivizimit dhe shkëlqimit në sport. Ai tha se “E para do ta shndërroj sportin në kulturë të shoqërisë, me ndikim në shëndetin publik. Ndërsa e dyta, do ta bëjë diplomacinë sportive të suksesshme përmes të arriturave të larta në arenën ndërkombëtare”./ KultPlus.com