Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është inauguruar monumenti përkujtimor për nder të kontributit të profesionistëve shëndetësorë. Monumenti ‘Për jetën’, i materialit hekur, u realizua nga artisti Butrint Morina, përcjell KultPlus.
“Personalisht si artist jam i lumtur që Prishtinës dhe Kosovës ju shtua edhe një monument bashkëkohor. Në realizimin e këtij projekti, pjesa më e vështirë ishte të marr guximin të propozoj një monument të tillë duke e ditur që në vend dominon skulptura figurative përkujtuese e dëshmorëve, heronjve dhe figurave të tjera publike”- thotë Morina për KultPlus.
“Për jetën” është projekti për monumentin përkujtimor për nder të të gjithë profesionistëve shëndetsorë të cilët në periudha të ndryshme sakrifikuan edhe jetën e tyre .
Skulptori Morina thotë se në realizimin e këtij monumenti u inspirua nga linja e aparatit elektrokardiografik, EKG-së, që tregon rrahjet e zemrës duke ndërtuar një kompozicion me forma gjeometrike ku QRS-ja dhe EKG-ja ngriten në formën e një obelisku modern .
“Obelisku është pjesë e tërësisë së formës që figurativisht ngjason në një masë me linjën e EKG-së. Kompozicioni i formës ka shtrirje të gjatë dhe e plotëson mirë hapsirën e percaktuar. Lartësia e formës së monumentit e madhështon tërësinë e tij duke e marrë tërë vëmendjen e hapsirës përreth dhe duke e lartesuar kontributin e profesionistëve shëndetësorë.”- thotë më tutje artisti Morina.
Përveç formës, në këtë monument dallohet edhe ngjyra e gjelbër, kur artisti thotë se kjo ngjyrë simbolizon veshjet në ngjyrë të gjelbër që doktorët përdorin gjatë ndërhyrjeve të tyre kirurgjike./ KultPlus.com
Filmi “Spider-Man: No Way Home”, zyrtarisht ia zuri vendin filmit të James Cameron “Avatar”, të vitit 2009, duke u bërë kështu filmi i tretë më i suksesshëm deri më sot në historinë e box office-it amerikan.
Ky film në total fitoi 1.8 miliard dollarë amerikan, ndërkaq së fundmi në box office-in amerikan fitoi 760.5 milion dollarë.
Kjo shumë ia kalon shumës që fitoi filmi tjetër i sukseshëm në periudhën e pandemisë, ai i Disney, i titulluar “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”.
Filmi “Shang-Chi” ka fituar 224 milionë dollarë.
Filmi “Spider-Man: No Way Home”, për të arritur në pozitën e dytë duhet të fitojë edhe 100 milionë dollarë në boks ofisin amerikan. Në këtë pozitë kryeson filmi “Avengers: Endgame” me fitim të 858 milion dollarëve.
E për të fituar pozitën e parë duhen edhe më shumë para. Këtë listë e kryeson filmi “Star Wars: The Force Awakens” me fitim të 936 milion dollarëve.
Globalisht, filmi “Spider-Man: No Way Home” është filmi i gjashtë më fitimprurës në të gjitha kohërat. Ai vjen në këtë pozitë pas filmave: “Avatar”, “Avengers: Endgame”, “Titanic”, “Star Wars: The Force Awakens” dhe “Avengers: Infinity War”.
Ky film që është me regji të Jon Watts, ka çimentuar me arritje disa herë radhazi në box office. Vetëm gjatë vikendit të lansimit të tij, ai shënoi debutimin e dytë më të sukseshëm në vend në histori me fitim të $260 milionë dollarëve, ndërkaq në botë shënoi debutimin me fitim të 600 millionë dollarëve.
Kapitulli i tretë i trilogut të Holland Spider-Man zhvillohet pasi që zbulohet identeti i vërtetë i Spider-Man në botë, duke nxitur kështu kaos global.
I dëshpëruar që të kthej normalitetin, kërkon ndihmë nga Doctor Strange rolin e të cilit e luan aktori Benedict Cumberbatch, magjia e të cilit shkon gabim.
Tashmë ka filluar të zhvillohet edhe filmit tjetër vazhdimësi Spider-Man./ KultPlus.com
“Combat” ka botuar, të mërkurën e 10 tetorit 1973, në faqen n°15, një shkrim në lidhje polemikën e krijuar asokohe në doganën shqiptare ndaj futbollistëve të kombëtares finlandeze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
“Futboll
Doganierët shqiptarë kanë protestuar në Federatën Finlandeze të Futbollit për gjatësinë e flokëve të anëtarëve (lojtarëve) të skuadrës finlandeze që do të përballen me shqiptarët sot në Tiranë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës FIFA.
Megjithatë mësuam nga një burim i informuar në Helsinki, se finlandezët u lejuan të shkelnin në tokën shqiptare kur mbërritën të hënën në Tiranë.
Sqarojnë se në një shkresë drejtuar zotit Osno Karttunen, Presidentit të Federatës Finlandeze të Futbollit, kreu i doganave shqiptare nënvizonte : “Të rinjtë tuaj janë të pahijshëm”.
Në ndeshjen e parë të luajtur në Helsinki vitin e kaluar, Finlanda mundi Shqipërinë 1-0.”
Festivali gjerman i Filmit, Berlinale, nderoi aktoren franceze Isabelle Huppert duke i dhënë 68-vjeçares çmimin e karrierës ”Ariu i artë”.
”Huppert mori pjesë në një ceremoni çmimesh, të martën në mbrëmje, përmes një lidhjeje video nga Parisi”, theksuan organizatorët e festivalit.
Aktores iu desh të anulonte vizitën e saj të planifikuar për në festivalin e filmit sepse ajo rezultoi pozitive ndaj Covid-19.
Drejtoresha e festivalit, Mariette Rissenbeek e përshkroi Huppert si një “aktore shumë të pasionuar”, ndërsa kolegu i saj Carlo Chatrian foli për rolet e Huppert si “një personazh klasi”.
Aktori Lars Eidinger, bashkëprotagonist i Huppert në filmin e tij të fundit “About Joan”, ka folur për pamjen e saj të rezervuar në dukje.
“Në momentin që kamera sheh atë, ajo hapet”, vuri në dukje Eidinger.
“About Joan” u shfaq premierë të martën në mbrëmje si një shfaqje speciale gala në Berlinale.
Në filmin e regjisorit francez Laurent Larivière, Huppert dhe Eidinger, 46 vjeç, luajnë një çift me një ndryshim të dukshëm në moshë.
Disa filma do të shfaqen gjithashtu gjatë Berlinales duke përfshirë Huppert si “Tetë gratë” e François Ozon, “Gjërat që do të vijnë” të Mia Hansen-Love dhe thrillerin e Paul Verhoeven “Elle”./ KultPlus.com
Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.
E hidhur vjeshtë e këtij viti Kosovën gjeti nën terror. Korba të zez mbi të ia mbërritën, Hetues, gjykatës e prokurorë.
Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë, Me dymbëdhjetë dënojnë diku. Kështu mes jush shekullin ndani, Dhe mijëvjeçarin ndani ju.
Kështu e prekni historinë, Mbi supe e mbartni ju sërish. Prangat në shkollë që i mësonit Në duar ndjetë befasisht.
Dhe patë se koha e mesjetës S’qe larg dhe veç në libra s’qe, Dhe u kthye nata e Prishtinës Në natë Shën Bartolemeu.
U ngritët ju viganë, fisnikë Me korrektesë e madhështi. Ngaqë kërkuat Republikë, U shtypët si në monarki.
Por koha kurrë s’vjen përgjysmë, Natë e masakrës vetëm s’mbërrin, Se pas Dushanit car të frikshëm Rrufeshëm Skënderbeu arrin.
S’kish dëshmitarë, TV nuk pati Zinxhiri i tankut kur ju griu, Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu. Kështu në vorbull të epokës U ngritët ju si monument, Ju që e prekët historinë, Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com
Skitari Albin Tahiri, në një intervistë në televizionin shtetëror i ka kërkuar Qeverisë së Kinës ta njohë shtetin e Kosovës.
Tahiri tha se shpreson që mikpritja që i ka bërë Kina ekipit Olimpik të Kosovës të ndikojë edhe në vendimin për njohje.
“Siç e dimë të gjithë, Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe deri tani më shumë se 115 vende na kanë njohur neve. Më duhet t’ju falënderoj juve patjetër, sepse gjatë kohës sonë këtu në Kinë, ju na keni trajtuar shumë mirë, megjithëse qeveria e kineze nuk na njeh, por nëse do ta kemi këtë marrëdhënie të mirë, siç na e keni dëshmuar sot, ndihem shumë pozitiv se në të ardhmen ju do të na njihni”./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, përkthyesin Gjon Shllaku.
“Mirënjohje për përkthyesin Gjon Shllaku, që na dhuroi në shqip klasikët e mëdhenj”, u shpreh Margariti.
Gjon Shllaku lindi më 24 mars 1923 dhe ishte më i madhi i brezit të dytë të Shllakëve në Shkodër. Në moshën 12-vjeçare filloi mësimet në seminarin papnor të drejtuar nga etërit jezuitë.
Në vitin 1945 Gjon Shllaku ishte veprimtar i organizatës antikomuniste: “Bashkimi shqiptar”, në vitin 1946 aktiviteti i tij ra në sy dhe ai dënohet me 101 vjet heqje lirie.
Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16-vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit, përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.
Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë.
Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nisi më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat.
Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Në prill të 2003 i akordohet urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”./atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të programit festiv të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me 16 shkurt në ora 18:00, në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës prezantohet ekspozita me fotografi dokumentuese të shkatërrimit të qytetit të Mitrovicës përgjatë Luftës së viteve 1998-1999 nga autorë të ndryshëm si: Ismail Syla, Ismail Smakiqi, Besfort Hasani, Mustafë Meholli, Halit Berani dhe Ismail Imeri.
Aspekti konceptual i ekspozitës dokumentuese u punua në bashkëpunim në mes të stafit profesional të muzeut si dhe bashkëpuntorëve si: Kushtrim Hoti, Anisa Suhodolli Mujka si dhe Lulzim Hoti./ KultPlus.com
Në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës është edhe koncerti i sopranos kosovare që po prek majat e suksesit nëpër botë, Elbenita Kajtazi, përcjell KultPlus.
Koncerti do të mbahet sot, më 16 shkurt nga ora 18:00.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Ejani të festojmë bashkë 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Mysafire speciale Elbenita Kajtazi, sopranoja kosovare me suksese ndërkombëtare do ti sjell publikut të Kosovës magjinë e skenave botërore.
Kori i fëmijëve ‘Siparantum’ do të mbajnë koncert për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
‘Siparantum Kids’ me dirigjent Memli Kelmendi do të mbajnë koncertin në Kino Teatrin ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë nga ora 18:00.
Ky koncert do të mbahet në kuadër të manifestimeve për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që organizon Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./ KultPlus.com
Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, me rastin e 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës, i ka dërguar një telegram urimi presidentës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Një ditë përpara, Osmani ka pranuar disa urime nga liderë të ndryshëm të botës, përfshirë edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Me rastin e festës së rëndësishme të ditës suaj të pavarësisë, dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj dhe t’ia dërgoj urimet e mia popullit të Kosovës. Ndërsa i kapërcejmë sfidat globale shëndetësore së bashku, me vendosmëri dhe këmbëngulje, uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen”, thuhet në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth.
Ndërkaq, Osmani ka falënderuar Mbretëreshën Elizabeth dhe ka potencuar se Mbretëria e Bashkuar është aleat strategjik i Kosovës dhe e ka mbështetur vendin tonë jo vetëm në procesin e arritjes së lirisë, por edhe në procesin e shtetndërtimit. /KultPlus.com
Filmi “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit do të vazhdojë aventurën e tij në Zvicër, shkruan KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Forumi për të Drejtat e Njeriut në Konkurrencën Fiction do të japë premierën e filmit kosovar.
“Më 9 mars, regjisorja Kaltrina Krasniqi do të jetë atje për ta prezantuar filmin. Shihemi së shpejti”, shkruhet në postimin e tyre.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
KultPlus e riboton këtë intervistë të Shyqri Nimanit, e realizuar në vitin 2018.
Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite. “Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai. Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju? Shyqri Nimani: Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë. Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota. Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh. KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë? Shyqri Nimani: Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën. Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës. Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe. Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë. KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim? Shyqri Nimani: Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë. Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër. KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh? Shyqri Nimani: Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës. I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit. KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate? Shyqri Nimani: Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.
KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar? Shyqri Nimani: Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit. Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë. KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument? Shyqri Nimani: Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë. Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar. Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë. Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.
KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh? Shyqri Nimani: Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.
KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite? Shyqri Nimani: Jo, nuk më ka ftuar askush.
KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente? Shyqri Nimani: Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.
KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë? Shyqri Nimani: Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat. Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com
Skiatori nga Kosova, Albin Tahiri, i cili është duke përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, ka garuar në dy pjesë për disiplinën e sllallomit, shkruan KultPlus.
Në disiplinën e sllallomit, në lëshimin e parë ai mori rezultat jo edhe aq të mirë, duke zënë vendin e 44-të nga 88 garues në total, kurse garën e përfunduan 52 sosh.
Albini pati kohën 1 minutë e 04.1 sekondë.
Në anën tjetër, Albin Tahiri ka zënë vendin e 37-të në disiplinën e sllallomit në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Photo: GEPA pictures/ Harald Steiner
Tahiri përmes një postimi në llogarinë në “Facebook”, tha se duhet të jetë i kënaqur me rezultatin e sotëm.
“Duke qenë se nuk stërvitem fare për sllallomin, duhet të jem i kënaqur me rezultatin e sotëm. Bëra disa kthesa të forta, por përndryshe ishte një ditë tjetër lufte për të qëndruar në kurs”.
Albini garoi në katër disiplina. Në lëshim ishte i 35-ti, në kombinim alpin i 15-ti, në sllallom të madh i 30-ti. Kiana garoi në sllallom të madh dhe doli e 49-ta. /KultPlus.com
PEN Qendra, e cila së fundmi ka pruar projektin më të ri të titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, tashmë po sjell aktivitete kulturore çdo të marte dhe të enjte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u zhvillua edhe një tjetër diskutim mjaft i frytshëm që rezultoi në një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe panelistëve të ftuar, shkruan KultPlus.
Si çdo herë, edhe kësaj radhe, ora shënoi 17:00 për të vënë në rëndësi temën e rëndësishme që do të shpalosej pas pak. Letrarë të rinj, artistë dhe jo vetëm, ishin të pranishëm për të parë e dëgjuar nga afër analizat e mendimet diversive të dy panelistëve që kanë të bëjnë me temën “Letërsia dhe teknologjia”, temë kjo që përhapi një interesim të dukshëm e mjaft interesant tek publiku.
Nata e shtatë me radhë e këtyre mbrëmjeve kulturore solli në panel profesorin e Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni si dhe profesoreshën Lindita Tahiri, të cilët nën moderimin e Binak Kelmendi, si dhe me inkuadrimin e mjeteve të tyre teknologjike dhe asaj fizike siç është letra, e bënë kështu këtë natë edhe aq më të përafërt me temën e përzgjedhur për këtë natë, “Letërsia dhe teknologjia”.
Pra, “Letërsia dhe teknologjia” titullohet tema që u shpalos para një publiku i cili qëndron gjithmonë besnik ndaj këtyre aktivitete letrare me pjesëmarrjen e tyre të përhershme, e që sonte patën rastin të dëgjonin rëndësinë dhe ndikimin që ka teknologjia në letërsi. Se a është relacioni mes letërsisë dhe teknologjisë një aspekt pozitiv apo negativ apo thjesht një aspekt që po zhvillohet me evoluimin e botës, u tregua edhe nga të pranishmit që shqyrtuan rolin e teknologjisë në letërsi, të mirat dhe pasojat që ajo sjell me vete.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre. .
“Ju dëshiroj mirëseardhjen në aktivitetin e radhës të PEN Qendrës. Para se të hyjmë në temën që do të zhvillohet sonte, do të njoftojmë se PEN Qendra e Kosovës ende nuk i ka të gjitha shënimet e pjesëmarrësve në këtë projekt, andaj do të publikohen menjëherë kur edhe do i kemi në duar shënimet. Sonte kemi temën me titull ‘Letërsia dhe teknologjia’, e cila është një temë mjaft komplekse dhe mendoj se letërsia dhe teknologjia kanë bashkëjetuar gjithmonë”, thotë Kelmendi.
Fillimisht në këtë mbrëmje për të treguar një anë më studimore për sa i përket temës, foli profesoresha Lindita Tahiri.
“Që nga zbulimi i Gutenbergut kur libri i parë që u shumëzua për publik ishte Bibla, teknologjia e re e shtypit u pa si e rrezikshme meqenëse e rrezikonte autoritetin e elitave, të cilat e humbisnin kontrollin e përhapjes të ideve. Prodhimi masiv i fjalës të shkruar, që zhvilloi shkencën dhe e përhapi arsimin, përpos në përhapjen demokratike të dijes, gjithashtu ndikoi edhe në komercializimin e librit, duke e ndryshuar përgjithmonë civilizimin. Libri filloi gradualisht të shndërrohet në medium masiv: në gjysmën e shekullit nëntëmbëdhjetë, vëllezërit Beadle në ShBA filluan të botojnë romane me çmim të lirë, dhe për pesë vite shitën më shumë se katër milionë vëllime”, thotë ajo.
Të gjithë fjalimin e saj, Tahiri e përqëndroi në ndikimin e teknologjisë për popullarizimin e letërsisë, në ndikimin e teknologjisë në raportin mes shkrimtarëve dhe lexuesve, dhe në ndikimin e teknologjisë në procesin e krijimit letrar.
“Sot, shkrimtari nuk është i vetëm në studion e vet me makinën e shtypit dhe fletët e shtypura apo të shkruara, si dikur, por e ka një botë të tërë në kompjuter, një univers në izolimin e vet, ku çdo lëvizje e jonë digjitale lë gjurmë të cilat mund të përcillien, të rruhen, e të shiten, për t’u shfrytëzuar në psikometri për profilizimin e personaliteteve tona. A paraqet kjo liri njëkohësisht edhe survejim, një sfidë për shkrimtarin dhe raportin e tij/saj me gjuhën?”, tha në fund profesoresha Tahiri.
Ndërsa, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni foli rreth trillimeve dhe shpikjeve të ndryshme që janë zhvilluar përgjatë viteve, duke sjellë kështu në pah aspekte të reja të relacionit mes teknologjisë dhe letërsisë.
“Ideja ndryshon kur bëhet gjuhë, gjuha ndryshon kur bëhet shkrim. Ideja është imazh, gjuha është fjalë, shkrimi është varg shkronjash. Pra, kemi këtë linjë: përfytyrim, tingull, shkronjë. Edhe sot, gjatë të folurit, shpesh themi ‘më fal, se ndryshe e mendova’. Kjo do të thotë që të folurit kurrë nuk arrin ta bartë mendimin njëqind për qind të saktë. Kur nuk arrin të folurit, merreni me mend sa largohet shkrimi. Ndërsa, në anën tjetër shpikja e shkrimit e ka zbehur rëndësinë e fjalës. Pra, njeriu ka kërkuar vazhdimisht materialin më praktik për ta ruajtur shkrimin, për ta ruajtur traditën”, shpalos ai.
Sipas tij, dihet se letërsia është gjuhë, por gjuha s’është letërsi, andaj dhe gjuha ka lindur për arsye praktike, letërsia për arsye estetike. Pra, letërsia vjen pas gjuhës dhe para shkrimit. Ai tutje konsideroi se shkrimi e shtrembëron mendimin.
Për Apollonin, çdo transformim është pritur me dyshim, e kjo nuk flet për atë mosbesimin tradicional ndaj të resë, sa për nevojën për t’u siguruar në efikasitetin e materialit të ri. Tashmë mund të thuhet se çdo brez e shfrytëzon traditën nëpërmjet materialit të kohës së tij, çka do të thotë se ne nuk e lexojmë Librin e të vdekurve në papirus, as Epin e Gilgameshit në pllaka argjiri; të gjitha i lexojmë në letër dhe në gjuhët e gjalla, kryesisht në gjuhën amtare dhe në ndonjë gjuhë tjetër, kjo e shpjeguar mitologjikisht si pasojë e shembjes së Kullës së Babelit.
“Shpikja e shtypshkronjës e ka përshpejtuar përhapjen e teksteve, rrjedhimisht edhe të ideve. Me kalimin e shekujve, librat u bënë të qasshëm për të gjithë dhe ndikues te të gjithë. Shpesh nëpërmjet fletushkave dhe broshurave u përshpejtuan ndryshime politike dhe u shkaktuan revolucione. Shkrimi, apo libri, u bë mjet efektiv, ai i transformonte njerëzit nga brenda. I ndriçonte dhe i rebelonte, por nganjëherë edhe i manipulonte. Sidoqoftë, me shpikjen e shtypshkronjës një gjë ishte e sigurt: e vërteta do të ishte shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, për t’u ndaluar. Shtypshkronja ishte neutrale ndaj shkrimeve, pra shtypte art, filozofi, shkencë dhe propagandë, por ajo u pa sidomos si një armë në duart e të diturve. Mekanizmi i shtypshkronjës e përshpejtoi modernizimin e jetës. Shpikja e makinës së shkrimit, apo edhe e kompjuterit nuk e ka zëvendësuar ende shtypshkronjën”, thotë ai.
Ai tutje tregon se mjafton të kujtojmë që interneti, në formën e tij të avancuar, po i sfidon dy shpikjet e mëdha: letrën dhe shtypin, ku tashmë miliona libra janë të qasshëm në formë elektronike, që mund të lexohen pa i shtypur. Ndërsa, brezat e shekullit 21, nuk e kanë të domosdoshme letrën, përveç në ato vende ku nuk lexohet. Ata lexojnë libra elektronikë, bëjnë nënvizime në tekst, shkruajnë në margjina, dhe e ruajnë tekstin me të gjitha shenjat e leximit të tyre. Leximi i tyre, por edhe shkrimi në raste të shpeshta, është konsideruar ekologjik.
“E ardhmja e librit, pavarësisht ku shkruhet e si shkruhet, nuk po rrezikohet, por po pasurohet. Dikur, Iliada dëgjohej. Ndërsa ka disa shekuj që Iliada lexohet. Nesër Iliada do të lexohet dhe dëgjohet. Pra, letërsia nuk po e humb lexuesin, por po e fiton edhe dëgjuesin”, përfundon Apolloni.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit, përderisa shkrimtarja Nerimane Kamberi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha, profesori Sali Bashota, shkrimtari Ibrahim Kadriu si dhe Avni Spahiu zgjeruan bisedën tutje me mendime e informata të ndryshme që u shprehën e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes të pranishmëve dhe panelistëve.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, Leximi dhe Biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot dhe Letërsia dhe teknologjia.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Më 17 shkurt, Kosova do të festojë 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e tani veçse kanë filluar edhe përgatitjet për të shënuar këtë festë, shkruan KultPlus.
Si çdo vit, edhe kësaj radhe janë paraparë disa aktivitete shtetërore, e madje është publikuar edhe agjenda shtetërore.
Zyra e Kryeministrit njofton se aktivitetet për 14 vjetorin e Pavarësisë do të fillojnë nga ora 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Me kurora lulesh do të viziohet kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, derisa i njejti aktivitet do të ndodhë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, konkretisht nga ora 09:10-09:30.
Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.
Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.
Që nga data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra, si shtet i pavarur dhe sovran, deri tani 117 shtete kanë njohur vendin më të ri në kontinentin e vjetër. /KultPlus.com
PrPresidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka uruar Kosovën për vjetorin e 14-të të pavarësisë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani, e cila ka ndarë urimin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Ai thekson se e mban mend mirë 17 shkurtin 2008, meqë atëherë ishte ministër i punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe menjëherë ishte deklaruar pro njohjes së Kosovës.
Për më tepër, ai i jep mbështetje të fuqishme institucioneve të Kosovës në agjendën e reformave dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, si një faktor qendror për zhvillim ekonomik dhe investime të reja
“Gjatë takimit tonë të fundit, kur me ftesë të tij e vizitova Gjermaninë zyrtarisht, Presidenti Steinmeier ritheksoi përkrahjen e palëkundur të shtetit të tij si dhe përkrahjen e tij personale për rrugën e Kosovës drejt arritjes së konsolidimit të plotë në arenën ndërkombëtare.Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, thuhet në njoftimin e të pares së shtetit.
Ndërkaq, më poshtë KultPlus iu sjellë edhe letrën e plotë të presidentit të Gjermanisë. /KultPlus.com
At Anton Xanoni, figurë e shquar e arsimit katolik, vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Ai është një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes. Ishte Anton Xanoni, i cili dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe.
At Anton Xanoni lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892).
Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali.
At Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedjën (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.
Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912.
Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.
Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë.
Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. At Xanoni vdiq në Shkodër më 15 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare./VN/ KultPlus.com
Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990. Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë. Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë. Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit. Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura. Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999. Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999. Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi). Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.Këtij diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe, që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja, ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!Ky sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.Ndonëse djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane (Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë gjendje. Andaj, shteti i Kosovës, katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke. Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë. Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra si ardhacakë. (Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, që doli së voni nga shtypi). /KultPlus.com
Nesër shënohet 14 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.
-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta
-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi
-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.
-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë
-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.
-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.
-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com
Shime Deshpali lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike me origjinë nga Kraja.
Punoi si mësues muzike dhe si dirigjent. Botoi shumë shkrime në organet letrare të Kosovës. Disa nga librat e tij të botuar janë: libri “Tregime arbnore”, përmbledhjet poetike “Agimet dhe parambramjet e Arbneshit” dhe “E vërteta” me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës.
Shkrimet e tij shquhen për notat romantike dhe për thjeshtësinë e shprehjes. Gjithashtu, ai ka krijuar disa këngë, si dhe operën me temë patriotike “Vana”.
Shime Deshpali, poeti i shquar i arbëreshëve të Zarës në Dalmaci qe një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Ai lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike të ardhur nga Shestani në vitin 1721. Familja e tij u vendos në Arbnesh të Zarës dhe u mjor kryesisht me bujqësi dhe blegtori për të siguruar bukën e gojës larg atdheut të të parëve. Gjendja e vështirë ekonomike, varfëria dhe mundimi, jeta e vështirë do të linte gjurmë të thella tek djaloshi i vogël.
Rreth vitit 1903, nis mësimet në shkollën fillore të fshatit me mësues Atë Pashka Bardhin përmes të cilit u pais me kulturë të gjërë dhe me dashuri të pakufishme për dheun e të parëve. Pasi përfundoi shkollën fillore, vijoi mësimet në shkollën normale në zarë ku u përgatit dhe mori njohuri në fushën e edukimit. Studimet e larta i vijoi në Zagreb në fushën e muzikës, pasioni për të cilën i kishte lindur që në moshë të re.
Për shumë vite me radhë punoi si mësues i lëndës së muzikës në Arbnesh të Zarës, ku veç edukimit muzikor dhe dirigjimit i praktikonte nxënësit edhe në fushën e këngës, sidomos atë patriotike. Gjatë kësaj periudhe hartoi shumë këngë kryesisht për atdheun etij, për figurat e shquara, për fshatin e tij Arbnesh, madje krijoi edhe një opera me titull “Vana” me motive patriotike. Kjo krijimtari e bëri Shime Deshpalin një intelektual dhe krijues të njohur në koloninë arbreshe të zarës dhe një mësues patriot të nderuar.
Shpesh kur bisedonte me prindërit e tij rreth oxhakut në netët e gjata të dimrit, tema qëndrore ishte ajo e dashurisë për atdheun. Gjyshi i tij i tregonte histori dhe ngjarje për vende dhe trima nga vendlindja duke i edukuar Shime Deshpalit ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun.
Kjo temë do të sundonte edhe krijimtrainë e tij të mëvonshme. Këtë e verteton edhe fakti që së bashku me shkrimtarin e shquar Josip Rela, është ndër të parët qe merret me veprimtari artistike dhe në vitin 1921 patë vënë në skenë dhë shfaqur pjesën dramatike “Lundërza e Jozhës, qe përben tekstin e parë serioz të arbreshëvë të Zarës si dhe pati formuar shoqërinë kulturore dhe artistike “Arbëneshi” në Zarë, ku hartoi një program për edukimin patriotik të të rinjve me qëllim që, siç e pati thënë edhe ai vetë: “…këtë e kam ba me qëllim që të ndihet Arbneshi, Ti kallxoj botës shpirtin e katundit tem, virtytet e vllazëne të mij, të merret vesh se na jena arbën…”.
E në kuadër të kësaj shoqërie, Shime Deshpali si një atdhetar i vërtetë pati organizuar mjaft aktivitete kultuore dhe artistike, takime, vizita, koncerte në funksion të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave, zakoneve, veshjeve dhe cilësive të tjera morale të arbneshëve. Ka nisur të botojë krijimet e para në revistën “Jeta e re“ qe në vitin 1953, pastaj botoi edhe në revistat “Lenës” dhe “Romanea”.
Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit vijon me librin me tregime “Tregime arbnore”, botuar në vitin 1966 nga “Jeta e re” në Kosovë. Në këta tregime autori synon lartësimin e virtyteve morale dhe patriotike të arbneshëve. Tregimet e këtij vëllimi janë pasqyrë e jetës dhe veprimtarisë të arbneshëve, e karakterit burrëror dhe mjediseve fshatare ku gjallen puna dhe jeta. Përshkruan mjedise, tradita, zakone, tipa dhe portrete të arbneshëve duke synuar ti afrojë sa më shumë me shqiptarët e sotëm.
Kudo ndjehet vuajtja, mundimi, jeta e vështirë që shqiptarit të gjorë nuk iu nda as në mërgim. Në një tregim të titulluar “Fyerje”, shkëputur nga “Tregimet arbneshe”, botuar në Prishtinë në vitin 1966, ai shkruan: “…Moni zbriti prej kulmit e duke dalë përpara Vancit zbathur e pa këmishë, nxori pesë solda prej kulete që mbante në tirqet gjithë arna.
-Mbaji, – i tha së shoqes duke i dhënë soldat. –Kjo është gjithë pasuria ime. Në këtë kohë të vështirë s’ka kuptim ruajtja. Bli diçka për fëmijët. Thotë se i ndalon të dridhurat kafja e zezë. –Ashtu më tha e shoqaja e Kolës, -tha Vanci…”. E më tej, përmes një tregimi të thjeshtë, me ndjenjë dhe të shpalosur më çiltërsi njerëzore ngre zërin kundër varfërisë, kundër dhunës dhe kundër padrejtësive shoqëroreqë bëhen ndaj shqiptarit. Ai tashmë është në moshë të pjekur rreth 70 vjeç, prandaj më mirë se kushdo e analizon dhe gjykon gjendjen e vështirë të arbneshit të zarës duke thënë … -Eh, -tha Vanci, -do tia dalim mbanë edhe ne varfërisë sonë? –Ja dalim! Ja dalim mbanë, Vanci? –tha Moni hidhur.
–Do t’ja shtrydh kokën gjarprit, që mbështolli edhe stërgjyshin tim në varfëri… Nga dita në ditë po ripem në punë të huaj, e me mundim dhe djersën tipe po nxjerrin të tjerët dobi, e ne gjithmonë arna, arna e të urët!. . . ”. Shihet qartazi se autori di të përshkruajë atmosferën me ngjyrimet karakteristike negative por plot aktivitet dhe vlerësim të vendlindjes, ditët plot vuajtje, plot punë e halle, përpjekjet e bashkëfshatarëve për të dalë nga gjendja e mjeruar e tyre, duke synuar shpesh të japë edhe zgjidhje.
“Hero ii përbahskët i tregimeve të Shimes, -thutë diku studiuesi Nasho Jorgaqi, -është arbëneshi i ndershëm, punëtor e krenar, më nje botë pasur shpirtëore, me temperament të gjallë e i vrullshëm, njeri i drejtë dhe guximtar…”. Vepra ka vlera jo vetëm përshkruese, por edhe kompozicionale dhe artistke.
Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit kulmon me librin me poezi “Agimet dhe parambarmjet e Arbneshit” – poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1968 dhe vëllimin “E vërteta”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1972, ”Këngë shqiptare”-korale. Në poezinë e tij mbizotëron fryma atdhetare, malli për të parët, për gjuhën, për traditat më të vjetra të kombit tonë. Ashtu si mjaft të tjerë arbreshë, edhe Shime Deshpali kërkon të derdhë emocionet dhe mallin në vargje të thjeshta poetike, por plot ndjenjë dhe emocion.
Objekt i poezisë së tij është katundi Arbnesh, plot jetë dhe gjallëri, pjesë e shkëputur nga trungu arbëror: “…O katund/me arbnesh të ndershëm, /guximtar, /krenar, /shikim, flakë, /O katundi jem, /sa të due, / me t’tregue, /fjal s’kam…”. E vështron katundin e tij plot krenari, sepse ka ruajtur traditat e të parëve, burrërinë, besën dhe vlerat njerëzore të trimave arbëror dhe me sytë e mendjes poeti sheh atdheun e tij të dashur Shqipërinë, ku lindën dhe u rritën stërgjyshërit e tij, ata njerëz trima dhe bujarë, punëtorë dhe mikpritës.
Ai i sheh në beteja duke luftuar, nëpër ara duke punuar, nëpër kuvende duke biseduar, por dëgjon edhe fallin nëpër gryka dhe lugina tek gjëmon duke dhënë kushtrimin për luftë, prandaj shprehet: “…Ma shumë se dyqind e katërdhjet vjet janë, /se rrembi jonë/u këput prej trungut, /të paradheut, /porn e s’kemi harrue, /as nuk i harrojmë, /Kështu paradheut dhe juve, /Po ju thomi…”, u drejtohet qi vëllezërve të tij të një gjaku, atyre njerëzve me karakter të hekurt, krenarë, të guximshëm dhe patriotë.
Në krijimtarinë poetike të Shime Deshpalit mbizotërojnë notat romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e mendimeve. Në këtë poezi pulson gjaku arbëror. Ai këndon dhe kënga e tij jehon e dëgjohet në tërë krahinën “…se kombiarbëresh, /e ka një histori botnore, /me nder të posaçëm një vend…”, pra vepra e Deshpalit është një thirrje krenare, plot dhimbje dhe shpresë për të mos humbur, për ti qëndruar kohës plot dallgë e stuhi, për të mbijetuar me nder e lavdi.
Poezia e tij të ngjan me një kronikë artistike që vjen gjithnjë në rritje kun ë të është Arbneshi, Zara, Arbëria, Shqipëria e mbi të gjitha njeriu-arbnesh, i cili kujton të parët, burrat e mençur e patriotë, gjyshin dhe nanën, ata që i edukuan dashurinë për atdhe. I këndon me pasion bukurive të fshatit, ndryshimeve të tij, punës plot vrull të fëmijëve, të rinjve e deri tek të moshuarit për të ndryshuar diçka në fshatin e tyre, në jetën e tyre të varfër. Por malli e digjte për gjithçka, për atdheun dhe për njerzit, prandaj dote shkruante:”…
Mbas se jemi takue, /të parën herë, /të kam marrë me të jaseminit, /të amblën erë. Të dytën here, /si hije m’je duke, /si hija m’je zhdukë. Prap i vetëm kam mbetë, /”A takohemi edhe një here?/Vetveten degjoj tu pvetë…”. E kjo poezi është e mbrojtun me dashuri, me dashuri njerëzore që nuk shuhet kurrë, kjo dashuri përshkon poezitë e tij duke u dhënë atyre ndjenjë, emocion, jetë.
Arbneshit i duhet luftë, mundë, sakrificë për të përballuar jetën, për të mbijetuar Brenda kontureve të trungut arbëror. Këtë e kërkon poeti përmes poezisë, përmes artit kur thotë: Mos më thuaj se je Arbnesh, /në mos bolla me nderje, /nuk të rrezaton, /në mos syni guximisht, /nuk të vekton, /në mos zemra parzmat, /me muburrje nuk t’i gjanon, /Këta virtyte në mos i ke, /ti s’di se kush je, /as çfarë trimash të lavdueshëm, /
stërgjyshët i ke, /Mos më thuaj se je arbënesh, /nëse gjuhën e jonë, /pasdore e lëshon, /me me të huaj pispillohe, /dhe krenohe, /se për tingëllim t’ambël, /të gjuhës jonë, /vesh s’ke, /Dhe jo vetëm arbnesh, /por as njeri nuk je!. . . ”.
Këtë thirrje artistike autori e bën përmes poezisë “Mos më thuaj” shkruar në vitet e fundit të jetës, e cila shërben sistematikisht filozofik që grish bashkëkombasit e vet për të qëndruar, për të mos u asimiluar, për të mbetur krenar si shqiptarë. E kërkon në emër të trungut arbëror për të cilin poeti Shime Deshpali mburret me krenari të ligjshme, sepse për këtë qellim do të punonin edhe pasardhësit e tij. Këtë na e thotë në një intervistë studiuesi i njohur Aleksandër Stipçeviq, i cili thekson ”…Mos ta zgjas shumë, nga arbreshët e Zarës janë shquar shumë emra, qe nga shkenca, artet, politika e deri në estradën muzikore. Familja Dashpali, pra fëmijët e poetit dhe muzikologut Shime Deshpali, Valteri, Pali, Maja sot praktikisht dominojnë në skenën muzikore të Zagrebit dhe të Kroacisë…”
Simbolet e dashura të Shime Deshpalit, por edhe të krijimtarisë tij janë atdheu dhe flamuri. Madje për këtë të fundit Nasho Jorgaqi na tregon një ngjarje që poeti ja ka treguar vetë dhe që do të ketë ndodhur aty nga viti 1901, në Arbnesh të Zares: “…Kam qenë jo më shumë se katër vjeç, kur gjyshi më ka marrë për dore, më ka çue rrazë lisi të naltë të katundit dhe m’ka qitë prej prazmit nji flamur kuq e zi: Hyp n’majë t’lisit, -m’urdhnoj dhe m’dha flamurin n’dorë.
Atë ditë frynte erë dhe degët e lisit lëkundeshin. Po unë s’kam dasht me ditë. Jam ngjitë n’majë tu kacavjerrë deri dera sa kam nigjue zanin nga poshtë: -Ndalu! Lidhe flamurin në majë t’majës…Kisha me vedi shpirtin e arbneshit. E thom tash këtë se atherna nuk e kuptojsha… M’pa mir kur e lidha dhe m’pyeti: -Shikon si valvitet? Nga valvitet nga juga a nga veriu? …Nga deti a nga toka? –Nga Deti, -i them menjëherë. “Të lumtë, -ndigjova zanin e tij, -po shikoje mirë dhe gëzohu”…Kah valvitet flamuri, -më thotë, -asht Arbnia, paradheu i jonë. Kte mos e harro kurrë…”.
Gjithë motet e tij të jetës prej 84 vjetësh e kaloi në fshatin Arbnesh të Zarës, mes vëllezërve të tij të një gjaku, të një gjuhe duke folur shqip dhe duke menduar për atdheun e të parëve, sepse dikur pati thanë: “…Unë jam mjellma e arbneshëve këtu, që po këndoj. Atëherë si mund të iki prej këtu? Këtu i kemi të tana gjanat të vyeshme që kemi sjellë nga Arbnia, shpirtin fisnik, gjuhën, shpijat plaka, oborret me lule…”.
E me këtë ndjesi të ëmbël, një ditë të ftohtë janari të vitit 1981, mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e tij të lindjes në Arbnesh të Zarës i paharrueshmi poeti dhe krijuesi i mirënjohur arbresh Shime Deshpali. Mendoj se kjo figurë e shquar e letersisë së arbreshëvë të Zarës në Kroaci, duhet të trajtohet në tekstet tona shkollore krahas poetëvë të tjerë arbreshë të Italisë qe studiohen sot, sepse ai la një vepër me vlera atdhetare, ai la një emër teper të njohur, ai la një zë të bukur dhe kumbues që vazhdon të gjëmojë ëndë edhe sot brigjeve të detit Dalmat. /KultPlus.com
Zonjushës Shqipe, Lasgush Poradeci, Rruga “Ismail Qemali” nr. 26, Tiranë, më 12 të marsit 1940.
Shqipe e ëmbla ime fort, U mendova kësaj here se më s’ duhet të të shkruaj, thashë le të le të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të le unë ty, po mua vetë – nuk më le mua zemra për ty, s’më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç’të të them?
Ja! Atë që kam dashur kaq herë, që s’kam mundur, që s’kam gjetur rast të ta them asnjëherë! Është e madhe shumë, e lartë mbesoj dhe e rëndë shumë, e rëndë për t’u thënë shumë për mua ajo që dua të të them. Ajo quhet “si” të dua. “Si” të dua unë ty Shqipe, shpirti dhe jeta dhe e vërteta ime?
Shqipkë ëngjëlli im, ëmbëlsia e kësaj jetës s’ime. “Si” të dua? Të dua me gëzim e dhembje, me shpresë dhe frikë.
Me gëzim dhe shpresë dhe shpirtin e mbushur se je dhe do të jesh, sepse do të mbetesh, sepse ke karakterin, fuqinë e karakterit, granitin e karakterit që të mbetesh, – po në gjithë atë kohë të dua dhe me dhembje dhe me frikë e me zemrën e zbrasur fund – e – krejt, të bërë pa brendësirë të brendshme, pa thelb dhe qëndër pa pikë mbështjetje, pa një themel qëndror ku të mbështetem, prej të cilit të mbahem, të qëndroj, të jem i sigurt, i siguruar si një – e – një – bëjnë dy për ty, për dashurinë t’ënde të tanishme, që të jetë dhe e pastajmja e imja, të mos jetë (ah) e tjetërkujt. Si të jetë e tjetërkujt? Atëherë ç’bëhem unë? Përse rrojta duke punuar dhe punova dhe shpresova dhe gjeta – e gjeta vashën t’ime të ëndëruar shqiptare?
Përse e gjeta? Që t’a humbas? Që të humb dhe më dhe të tretet lumturija ime që kam me Shqipen t’ime? Të shkatërrohet përgjithnjë gjithësija e idealeve të mija të kësaj jete të shtrenjtë për lumturinë që m’u fal me dashurinë e pëllumbeshës s’ime së bardhë shqiptare, po të llaftarosur për mjerimin që më duket sikur e shoh se mund të më vijë” njëherë”, sikur e shoh nga frika mbase që të dua kaq shumë, kaq shumë, kaq shumë?
(Oh zot, mos arthtë kurrë, ay do mos vijë, nuk vjen, s’është e mundur, jo, të vijë ndonjë herë-e le më të vijë ay ashtu pa lejen t’ime?! )
T’i thashë këto Shqipkë dhe më ndje që t’i thashë po ashtu jam unë, unë Lasgushi yt, t’i them sepse nuk dua të jetë siç më ze frika nga ndonjëherë, kur t’i them më duket sikur “do mos jetë” sikur u sigurova kundër mjerimit, sikur e fitova lumturinë për vete. Me drithmë të puth e të shtrëngon e copton fare nga dashurija Lasgushi yt. /KultPlus.com