Pas kërkesës së amerikanëve, Qeveria e Kosovës shtyn zbatimin e vendimit për një muaj

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë për 30 ditë implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë. Shtyrja erdhi si pasojë e kërkesës së SHBA-së.

Kjo është komunikata e plotë e qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin./ KultPlus.com

‘MIK Festival’, 4 netë muzikë dhe balet në Korçë

Mik Festival në Korçë është pa diskutim eventi më me klas dhe sharm i muzikës internacionale në Shqipëri.

Bashkia Korçë publikoi në rrjetet sociale foto nga ky event, që ka mbledhur në Hanin e Pazarit, artdashës, vizitorë dhe turistë të ndryshëm për të ndjekur nga afër mbrëmjen muzikore ku interpretojnë artistë të njohur.

“Një mbrëmje e mrekullueshme dje tek Hani i Pazarit me zërin mahnitës të Elina Dunit, e cila vijoi në qendër të Pazarit të Vjetër me muzikën e kompozitorëve të famshëm grekë, interpretimin e balet maestros Ilir Shaqiri, dhe vokalin e shkëlqyer shqiptar Ledina Çelo”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.

“Mik Festival” do të mbahet në 4 vende të ndryshme,  teatri “Andon Zako Çajupi”, Hani i pazarit të vjetër, Shtëpia muze e Sterjo Spases dhe ishulli i Maligradit në Pustec. Përveç edukimit me muzikë të bukur, MIK Festival ka për qëllim dhe promovimin e turizmit në juglindje./KultPlus.com

Reagon Osmani: Përpjekjet e Vuçiq për destabilizimin e Kosovës me metodat e Putinit do të dështojnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës duke thënë se Policia e Kosovës po punon pa ndaluar që të garantohet respektimi i ligjit dhe liria e lëvizjes. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se veprimet janë duke u marrë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.  Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar”, shkruan ajo.

Tutje Osmani tha se veprimet nga grupet serbe në veri janë përpjekje të Vucicit që të destabilizohet Kosova.

“Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Dyshja ikonë, Walter dhe Pinkman me statuja në Albuquerque

Statujat prej bronzi të dyshes legjendare, Walter White dhe Jesse Pinkman, u vendosën në një qendër kongresi në Albuquerque të premten për të festuar serialin televiziv “Breaking Bad” dhe trashëgiminë e tij argëtuese, duke fituar duartrokitje në një qytet që luajti rolin e tij si shumë mbështetës, përcjell KultPlus.

Politikanët vendas, duke përfshirë kryetarin e bashkisë së Albuquerque, Tim Keller, u bashkuan me yjet e “Breaking Bad” Bryan Cranston, Aaron Paul dhe regjisorin Vince Gilligan për të ndihmuar në zbulimin e veprës së artit, dhuruar nga Gilligan dhe Sony Pictures. /KultPlus.com

Prej nesër, këshillim ligjor falas për gra dhe vajza

Çdo të hënë në ora 12:00-18:00, duke filluar prej nesër (1 gusht) e deri me 30 tetor, në Banesë (Rr. Shaip Spahia, nr. 2) ju mirëpresin këshilluese profesioniste si Arrita Rezniqi, Iliriana Jaka Gashi, Leonida Molliqa, Riola Morina dhe Xhulieta Devolli.

Pa nevojë të regjistroheni, vetëm të paraqiteni në banesë në 13 të hënat e ardhshme në orar.

Përtej artit, Manifesta Biennial ofron shërbime me programe edukative pranë qytetarëve. Përmes projektit “Banesat Motra” (Sister Flats), autorja Alicja Rogalska trajton mungesën e grave (motrave) në trashëgiminë familjare, duke siguruar kështu varësinë financiare nga baballarët, vëllezërit, bashkëshortët dhe bijtë.

Si reagim, në Banesë, na fton të imagjinojmë se si gjërat mund të ishin ndryshe; si pasuria dhe pushteti mund të shpërndahen barabartë, dhe strukturat e shtypjes të shpërbëhen.

Për të lexuar më shumë ndiqeni linkun “Manifesta 14“. /KultPlus.com

“Vizatime n’letër” – ekspozita e radhës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Galeria e Ministrisë së Kulturës do të hap së shpejti ekspozitën e tyre të radhës, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, GMK ka ftuar të gjithë qytetarët që të vizitojnë këtë ekspozitë.

“Galeria e Ministrisë së Kulturës ka kënaqësinë të ju ftoj në hapjen e ekspozitës “Vizatime n’letër” të artistes Nurhan Qehaja e kuruar nga Majlinda Hoxha, e cila do të hapet me datën 03 gusht 2022 në ora 19:00″, thuhet në postimin e tyre.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 20 shtator 2022. /KultPlus.com

“Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj”

Jorge Luis Borges

Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.

Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.

Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.

Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.

Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.

Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.

Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.

Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.

Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.

Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.

Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.

Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.

Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.

Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…

Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?/ KultPlus.com

Më 4 gusht në Kino Lumbardhi do të shfaqet filmi dokumentar “Aktivisti i Gjelbër”

Më 4 gusht, në orën 12:00, në Kino Lumbardhi në Prizren do të shfaqet filmi dokumentar “AKTIVISTI I GJELBËR” i regjisorit Ixhet Lutfiu.

Ky film dokumentar trajton problemet mjedisore në Kosovë të trashëguara nga periudha komuniste dhe të krijuara edhe më shumë gjatë viteve të fundit. /KultPlus.com

Dua Lipa pas performancës në ‘Lollapalooza’: Është një moment historik për mua

Dua Lipa ka ndarë një moment shumë të veçantë nga karriera e saj, kjo pasi ka arritur që të performojë në Chicago përpara më shumë se 120 mijë shikuesve, shkruan KultPlus.

Më 29 korrik, ajo është ngjitur në skenë dhe ka performuar siç di vetëm Lipa.

Postimi i saj:

“Nata e kaluar ishte një moment historik për mua në karrierën time dhe jam përpjekur të gjej fjalët gjatë gjithë mëngjesit. Unë jam shumë mirënjohëse për çdo hap në këtë rrugëtim që më solli këtu në këtë moment – të jem në gjendje të bëj KËTË shfaqje për ju. Faleminderit të gjithëve që më besuan mjaftueshëm për të më vendosur në këto skena. Nuk do ta harroj kurrë lollapalooza-n time të parë në Çikago më 29 korrik 2016 – Kisha këtë dëshirë që të vazhdoja të kthehesha dhe të shihja turmën duke u rritur pak më shumë. Ky do të jetë viti im i tretë në Lolla dhe performanca ime e 5-të këtu – nuk mund të kisha bërë asnjë nga këto pa grupin tim të jashtëzakonshëm, këngëtarët e mi, kërcimtarët dhe ekipin tim. Jam e nderuar të ndaj skenën me të gjithë ju dhe t’ju shikoj duke shkëlqyer. Unë shpërtheva nga krenaria dhe lumturia dhe nuk mund të shpresoja për ndonjë gjë më të mirë. E mbushur me dashuri dhe mirënjohje. Faleminderit Chicago”, ka shkruar Lipa në “Instagram”.

Komuniteti shqiptar i Worcester feston 100 vjetorin e marrdhenieve Shqipëri-SHBA

Me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë nën kujdesin e Ambasadores Floreta Luli-Faber, u organizua një aktivitet festiv nga Albanian Community of Worcester të shtetit Massachusets dhe u mbështet nga Worcester Historical Museum.

Një përzgjedhje fotografish mbi 100 vjeçare mundësuan kthimin në kohë, dhe sollën historitë e një komuniteti sa të vjetër aq dhe vital që prej më shumë se një shekulli. Kryetari i Bashkisë së Worcester Joe Petty, pasi përshëndeti aktivitetin, i dorëzoi Ambasadores Faber Çelësin e Qytetit, në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e treguar ndaj komunitetit shqiptar në Worcester.

Festimet kulmuan me një koncert madhështor të mbajtur në sheshin ‘Skënderbej’. Atmosfera festive dhe mijra vetë që mbushën sheshin, treguan dhe një herë që lidhja mes popujve tanë ka në themel një miqësi dhe dashuri të pa kushtëzuar.

Shqipëria mbetet gjithmonë mirënjohëse për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjes së vazhdueshme ndaj popullit tonë. /diasporashqiptare.al /KultPlus.com

“Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës”

Thënie të vlefshme për jetën

Mundohem të jem gjithnjë vigjilent dhe i hapur për atë që jeta më sjell.
Kjo që jetojmë nuk është provë, është jeta jonë.

Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës.

Në jetë të trajtojnë ashtu siç i mëson ti të tjerët të të trajtojnë.
Sepse thjesht disa njerëz janë kaq shumë të veçantë, i’a vlen të jetosh, vetëm dhe vetëm për t’i takuar, dikur …

Takoni qindra njerëz dhe askush nuk ju prek me të vërtetë. Dhe pastaj, takoni një njeri dhe tërë jeta juaj ndryshon përgjithmonë.

Ne jetojmë në një periudhë historike kur ndryshimi është aq i shpejtë saqë fillojmë të shohim të tashmen kur ajo tashmë po largohet.

Kur ndjeni se keni arritur në fund
dhe nuk mund të merrni një hap më tej,
kur jeta duket se ka drenazhuar nga çdo qëllim,
çfarë mundësie e mrekullueshme për të filluar përsëri nga fillimi,
për t’u kthyer një faqe të re!

“Mënyra më e mirë për të jetuar me nder në botë, është të jesh ajo që vërtet jeni, dhe nëse vëreni, do të shihni se të gjitha virtytet njerëzore rriten dhe forcohen me praktikë. “

Kur të fitosh jetën duke luajtur piano, duhet të dish të vlerësosh gishtat.

Nëse nuk jeni zotërues i rrjedhës së jetës tuaj, kjo do të thotë që ju lejoni që ekzistenca juaj të jetë një aksident.

Keni lindur me fletë, pse e kaloni jetën tuaj duke u zvarritur.

-” Gjithkush ka një person në këtë jetë.
Dhe le të mos jetë si në filma.
Dhe le të mos përfundojnë së bashku.

Le të takohen fshehurazi, duke u thënë gënjeshtra të gjithëve.

Dhe le të humben për muaj të tërë dhe pastaj të takohen përsëri.

Njeriu juaj është dikush që lidhet me ju në mënyrë magjike,
pa përpjekje, me intimitet që ju frikëson që nga fillimi “.

Jeta fillon në të 40-tat. Por do të humbni pjesën më të mirë nëse prisni deri atëherë.

Prano ritmin e jetës. Është ashtu si nata dhe dita: ditën punoni, natën pushoni. Nëse jeni me të për një-dy orë, e shijon, por pastaj doni të arratiseni sepse uria është zhdukur dhe ju ndiheni të kënaqur.

Nëse nuk mund të jesh lapsi që vizaton buzëqeshjen në jetën e atyre që do,
atëherë bëhu goma që fshin vuajtjet e tyre.

Para se të gjykosh jetën time, të kaluarën time, karakterin tim…

Vish këpucët e mia dhe shkel nëpër shtigjet që ka kaluar jeta ime. Jetoje me “shpirtin tim”, me “dyshimet e mia”, me “frikën time”, me “dhimbjen time”.

Dhe kur të keni jetuar jëtën time, atëherë dhe vetëm ju jap të drejtën të gjykoni jetën time!!!

Ju mund të ikni nga shumë gjëra në jetë, por nuk mund të largoheni nga vetja. Çelësi i lumturisë është të kuptosh dhe të pranosh se kush je.

Në jetë, të besosh ata që mund të dallojnë këto tre gjëra:
Dhimbjen që fsheh pas një buzëqeshje….
Dashurinë që fsheh kur shpreh zemërimin tënd….
Dhe…fjalët që fsheh brenda heshtjes tënde….

Askush nuk do të ndërtojë për ju një urë nga ku ju, dhe vetëm ju, duhet të kaloni lumin e jetës.

Ndoshta do të harrosh nesër fjalët e mira që i the dikujt sot, por marrësi mund t’i rikujtojë gjatë gjithë jetës së tij.

Ndonjëherë jeta krijon situata, ku thjeshtësia dhe sinqeriteti kalojnë si një dinakëri e imët.

Mund të jetojmë pa luks-e, por nga momenti që e arritëm, nuk është në natyrën tonë ta braktisim me vullnetin tonë. 

Shumë pak janë ata që jetojnë të sotmen. Shumica po përgatitet të jetojë më vonë.
Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni jetën tuaj ashtu siç dëshironi, përpiquni të paktën sa më shumë që mundeni: mos e përulni atë në afinitetin e shumtë të botës, në shumë lëvizje dhe fjalime
Njeriu është pjesë e një tërësie që e quajmë “univers”. Qëllimi ynë duhet të jetë të zgjerojmë rrethin e dashurisë dhe të përqafojmë të gjitha qeniet dhe gjithë bukurinë e botës.
Albert Einstein
Është gabimi ynë të kërkojmë kuptimin e jetës në këtë botë, pikërisht sepse misioni ynë themelor këtu është ta krijojmë atë
Jeta në tokë është shumë e këndshme për këdo që gjen kuptim në shëmtinë.
Dy janë rregullat për një jetë plot harmoni: së pari, mos u torturoni për gjëra të vogla. Së dyti, gjithçka është gjë e vogël.
Po aq e vështirë është të jetoni me atë që doni, si dhe ta doni atë me të cilin jetoni.
Nëse jeta është një lule, kujtimet janë parfumi i saj.
Ne jetojmë në një kohë kur gjërat e kota janë nevojat tona të vetme.
Jetoj vetëm sepse nuk dua të vuaj.
Lehtësitë e shumta të jetës moderne e kanë bërë jetën të vështirë për njeriun.
Jeta shpesh i ngjan një anije të mbytur, copat e të cilës janë miqësia, lavdia, dashuria. Brigjet e ekzistencës njerëzore janë mbushur me to.
Duhet të jetojmë ashtu siç mendojmë, ndryshe do të mendojmë ashtu si jetojmë.
Në këtë palo-jetë na sjellin pa na pyetur dhe na përzënë pa e dëshiruar.
Duke u përpjekur të jetoni në harmoni me të tjerët, përfundoni në mosmarrëveshje me veten.
Në jetën tënde të jesh gjithmonë përzgjedhje dhe jo nevojë.
Para se të qani për dashuritë e humbura, shkoni ne spitale të shikoni si qajnë për jetët e humbura.
Jeta është e mbushur me pyetje, por idiotët kanë të gjitha përgjigjet. /KultPlus.com

Viti 2022 është viti i projekteve të mëdha të piktorit Ramë Beqiri

Pas shumë projekteve në fushën e artit, viti 2022 ishte mjaft i frytshëm me shumë projekte për artistin Ramë Beqiri, shkruan KultPlus.

Rama këtë vit mori pjesë në simpoziumin e pikturës në Paris të organizuar nga zervas art i mbështetur nga Unesco në kujtim të Nelson Mandelës, ku marrin pjesë shumë artistë nga vende të ndryshme të botës.

Në këtë simpozium pati edhe një ekspozitë kolektive ku puna e tij u vlerësua shumë nga njohësit e artit.

Menjëherë pas kësaj Rames ka marrë ftesa të ndryshme për ekspozita të ndryshme, njëra prej të cilave është hapur këto ditë në Milano të Italisë në galerinë MADS. Në këtë ekspozitë Rama prezantohet me tre vepra arti: Hëna, karamele dhe kirurgji.

Kështu, ekspozita e radhës së shpejti do të jetë në Geneve të Zvicrës, ku do të ekspozohen pikturat dhe fotografitë e tij nga Portugalia, Mèl DoS Santos.

Ekspozita do të hapet më 8 shtator në galerinë Hermance, një galeri që daton nga shekulli i 16-të, nga fundi i periudhës gotike.

Projektet do të vazhdojnë në disa qytete të tjera botërore Pocitelje Bosnje-Hercegovinë Barcelona, Venecia, Charlottetown Kanada, derisa ai të shpresojë të përmbushë dëshirën e tij për të ekspozuar veprat e tij në dy qytete shqiptare, Ferizaj dhe Shkodër. /KultPlus.com

“Duej. Duej e vetem duej Dashuno. Po mos jep arsye”

Shkruan: Ndre Mjeda

Ëndrro, Dashuno

Ëndrro. Njeri, sot ma Shum se kurrë
Vepro. E len prova t’prekshme
Fol. E t’nihet zani deri n’skaje
Jeto. At’ jet’ tanën, Jo tjerve
Ngihu. Me gjanat Si t’mushin zemren
Pi. Bukurinë e deteve e oqeaneve
Meso. E burimi dijes mos tdij me shterru
Puno. Kopshtin e mendjes gjithmon
Lexo. Poemat e shpirtit tan
Kupto. Vuejtjen njerzore tpakufi
Ndimo. At T’paudhin tkthehet
Ndriqo. Fike terrin
Urreji. Vetem padrejtsit
Duej. Duej e vetem duej
Dashuno. Po mos jep arsye… /KultPlus.com

Sot fillon ”Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur”

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Hapur, i themeluar në mars të këtij viti, do të mbahet për herë të parë nga 31 korriku deri më 4 gusht, shkruan KultPlus.

Ky event kulturor pritet të sjellë artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Europës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.

Sipas njoftimit, në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të  prezantohet teatri nacional i Bosnjes me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur është i themeluar nga artistët: Shkelzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku. /KultPlus.com

Triologjia performative “Koha Matriarkale” sfidon stereotipin patriarkal në mendësinë e shoqërisë kosovare

Artistja Ms. Indefinite ka paraqitur triologjinë performative “Koha Matriarkale”, që sfidon stereotipin patriarkal në mendësinë e shoqërisë Kosovare me revoltën artistike performuse ndaj portretizimit diskriminues të një shtepiake në rolin e nënës, kundrejt përceptimit shtypës të profesionit amvisëror të gruas, përcjell KultPlus.

Koha Matrikale kundërshton artistikisht sistemin kapitalist që shtypë dhe diskriminon “rolin dhe profesionin e saj” si grua dhe nënë, për punët e shtëpisë, në shtyllat si: përgatitjen e ushqimit, pastrimin e shtëpisë, kujdesin për fëmijët – profesione këto që nuk iu paguhen as për ditë dhe as për muaj, rol ky që nuk i vlerësohet as për javë dhe as për vite.

Pa pagë, honorar dhe mëditje, për angazhimin e përditshëm dhe kontributin vjetor.

“Gruja është shtylla e shtëpisë” – kjo fjali që duhet të shtyej çdo grua të reflektoj mbi shtypjen brenda katër mureve të secilës shtëpi, reflektim ky që duhet të rrënoj nga jashtë duke ndërtuar përbrenda seciles një ambient ku asnjëra nuk do mund të konsiderohet vetëm si amvise.

Nga ky refelektim (përtej të qenurit nënë dhe grua), hudhen dhe përplasen të gjitha gjësendet dhe objeketet shtëpiake drejt “pasqyrës së shtëpise” dhe “shtëpisë pasqyrë” për “thyrjen e pasqyrës”, për të pasqyruar shtypjen që nuk shihet si e tillë nga sistemi kapitalist dhe mendësia patriarkale. /KultPlus.com

Yje të skenës botërore ngjiten sot në mbrëmjen gala ‘Ramë Lahaj & Friends’, mbi 2500 bileta të shitura

Flonja Haxhaj

Pas dhjetë ditësh festival, me shumë koncerte e punëtori të ndryshme, sot përmbyllet ‘Rame Lahaj international Opera Festival’. Ky festival do të kurorëzohet me koncertin ‘Ramë Lahaj & Friends’ i cili do të mbahet në sheshin ’Skëndërbeu’ në Prishtinë ku do të performojnë artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, përcjell KultPlus.

Për t’i paraprirë këtij koncerti, sot ‘RLIOF’ ka mbajtur një konferencë, ku përveç organizatorëve ishin të pranishëm edhe artistët që do të ngjisin skenën në natën e sotme.

Hapjen e konferencës e bëri koordinatorja artistike e këtij festivali,Ulpiana Alijaj, e cila fillimisht shprehet e lumtur për prezencën e të ftuarës speciale, sopranos, Pretty Yendee.

“Në të gjitha këto mbrëmje keni mundur të shijoni gjithëpërfshirjen e publikut, keni mundur të shijoni një muzikë shumë të larmishme por patjetër që ajo çka sot konkludojmë është pikërisht galaja ‘Ramë Lahaj & friends’, ku jemi vërtet të nderuar të këmi si përfaqësues të skenës botërore duke nisur pikërisht nga sopranoja Pretty Yendee, orchestra e dirigjiar nga mjeshtri Valerio Galli, kemi baritonin Franco Vassallo, kemi pjesëmarrjen shumë të veçantë të këngëtares Erza Muqolli, kemi pjesëmarrjen e sopranos Anna Bondarenko, e cila vjen ekskluzivisht nga Ukraina dhe që është një pjesë shumë e veçantë e festivalit të natës së sotme  dhe sigurisht edhe maestro Jean Bernard Thomas i cili ka patur një punë shumë intensive përgjatë këtyre ditëve”, u shpreh Aliaj në fjalimin hyrës.

Më pas, fjalën e mori i pari i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili falënderon të gjithë ata që e përkrahën dhe e bënë të mundur mbajtjen e këtij festivali e së sipas tij që do të ndihmojë në krijimin e një culture operistike në Kosovë.

“Ajo që unë e ndjej dhe ajo që më bën krenr është që kjo gala quhet ‘Ramë Lahaj & friends’ që do të thotë që të gjithë këtu janë miq për mua, dhe kjo nënkupton shumë më shumë sesa vetëm të bërit një concert, shumë më shumë se sa të bërit një festival sepse i kam vënë vetes një qëllim bashkë me kolegët e mi për të krijuar një kulturë operistike edhe në Prishtinë edhe në Kosovë.”, u shpreh mes tjerash Ramë Lahaj.

Mbështetëse shumë e madhe e mbajtjes së këtij festivali këtë vit ishte edhe Komuna e Prishtinës, e në veçanti kreu i saj, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm në panelin e kësaj conference.

“Sot është nata përmbyllëse, pra , nata gala në sheshin ‘Skëndërbeu dhe përmbi 2500 bileta janë shitur për natën e sotme që do të thotë se ka nevojë të madhe për ngjarje të tilla, pra ka nevojë Prishtina që të transformohet në një kryeqytet të artit.”, deklaroi Rama.

Fjalën e mori edhe e ftuara special e kësaj mbrëmje e cila pranoi të jetë pjesë e festivalit pak ditë më parë. Ajo e përshkruan si një befasi ftesën që i erdhi nga Ramë Lahaj, që ajo të perfomojë në Kosovë për herë të parë.

“Ramë më pyeti se si jam dhe menjëherë me ftoi të vij në Kosovë për t’u bërë pjesë e koncertit pasi kishte nevojë për mua dhe unë pranova t’i ndihmoj mikut tim të vjetër”, deklaroi Yende, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, dirigjenti italian, Valerio Galli, thotë se ndjehet tejet falënderues për këtë organizim të cilin ai e quan fantasik dhe që jo shpesh mund të gjendet kudo nëpër opera apo koncerte të tilla.

“Koncerti i sotëm do të ketë shumë repertory sepse do të kalojmë nga  Mozarrt, Rossini, Puccini , të gjitha këto muzikë të mrekullueshme shqiptare, kështu që për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë që të njihem nga afër me këtë lloj muzike.”, u shpreh Galli ku ndër të tjerash tha që ndjehet i privilegjuar që do të performojë në një skenë me artistë të këtij kalibri.

Kurse baritonit, Franco Vassallo, iu desht një shikim në sy i Ramë Lahajt për të marrë vendimin për të ardhë në Kosovë krahas thirrjes së tenorit kosovar që duhej të vinte sepse publiku këtu është i hapur dhe entuziast ndaj pritshmërisë së kësaj muzike.

“Përmes shikimit të tij më rikujtoi që melodrama në Itali sot është bërë me të vërtetë një zhanër i cii konsiderohet pak snob për të treguar ndonjëherë në lloj klasi social, por kur në të vërtetë në lindjen e Verdit viheshin në skenë operat e tij si ‘Nabuko’ të cilën do ta kemi edhe sot në mbrëmjen tonë, melodrama ishte një spektakël i popullit dhe për popullin sepse përfshinte një entuziazëm të tillë të cilën tash e përceptoj këtu, dhe kjo është diçka shumë e bukur.”, tha Vassallo sot në konferencën e ‘RLIOF’”

E sigurisht që nuk mund të mungonte ai që dha shumë nga vetja për gjatë këtyre 10 ditëve të festivalit, mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas i cili ritheksoi që është shuëm i lumtur që i kaloi 10 ditë ktu.

‘Jam shumë i lumtur që do të performoj sonte dhe do të bashkëpunoj me artistë të mrekullueshëm si Ramë, Franco dhe Pretty sepse e njoh atë si një profesioniste të shkëlqyer dhe shpresoj që do të jem i ftuar edhe në vitin e ardhëm.”, tha Bernard Thomas.

Sivjet, pjesë e këtij edicioni të ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ është edhe këngëtarja shqiptare, Erza Muqolli e cila ndonëse e re në moshë, ka shënuar suksese të mëdha në fushën e muzikës ndërkombëtare.

“Për mu është shumë kënaqësi me qenë në këtë festival, sepse me ardhe edhe me perform në vendin tim s’ka më mirë”, tha Erza duke falënderuar Ramën që e ka bërë pjesë të këtij festivali.  

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe sopranoja ukrainase Anna Bondarenko, e cila dëgjoi për këtë festival pasi u largua nga lufta në vendin e saj dhe erdhi në Evropë.  Ajo falënderon publikisht Ramë Lahajn për ftesën.

Koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ fillon nga ora 20:30./ KultPlus.com

Bekim Lumi dhe veprat e tij mjeshtërore teatrale, të cilat e bënë të pavdekshëm

Uranik Emini

Të gjithë, përfshirë këtu edhe njerëzit, përfundimisht një ditë duhet të vdesin. Të gjitha gjallesat largohen nga ky planet dhe pranojnë vdekjen, por ata që krijojnë art lënë një trashëgimi që ruhet dhe kujtohet nga brezat e ardhshëm, duke i bërë ata të pavdekshëm. Vetëm arti dhe veprat njerëzore që i veçojnë individët si të lartë apo të ulët në jetën e tyre janë të përjetshme në këtë vend. I tillë është edhe rasti i regjisorit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi, i cili u përkujtua në katër vjetorin e vdekjes së tij me ekspozitën “U artësofshi”, e cila në koncept ka artin unik teatror të Lumit. Ekspozita u hap mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku miq, familjarë e artdashës u bënë bashkë që të kujtojnë, siç e bëjnë tradicionalisht, edhe një herë tjetër Lumin, shkruan KultPlus.

Përgatitjet për hapjen e ekspozitës kishin nisur prej kohësh, por planet nuk po shkonin ashtu siç duhej, për shkak të motit, i cili në bipolaritet ekstrem ndryshonte nga minuta në minutë. Në momentin që njerëzit po përgatiteshin të uleshin jashtë në amfiteatrin e Lapidariumit, filloi të bjerë shi. Mirëpo, shiu i verës, i cili mbi të gjitha na freskon të gjithëve, u ndal dhe ekspozita nisi siç ishte planifikuar që në fillim.

Ndihmës-kuratori dhe aktori i njohur, Afrim Muçaj, bëri hapjen e kësaj ekspozite, me ç’rast edhe pati një fjalë hyrëse.

“U Artësofshi, ishte shprehja më e dashur e Lumit, prandaj me këtë titull në shënimin e përvjetorit të vdekjes së tij po e hapim edhe këtë ekspozitë të kuruar nga artisti Mentor Berisha”, thotë Muçaj, i cili ftoi dramaturgun dhe kritikun e artit, Arian Krasniqi për një fjalë rasti.

“Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para katër vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi! Çdo përvjetor i vdekjes së tij është më i veçantë se tjetri, sepse, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore. Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh”, thotë Krasniqi.

Ai tregon se në vargun e përkujtimeve për Lumin, ky vit shënon një veçanti të theksueshme.

“Kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura me kujdes dhe kreativitet nga ana e kuratorit. Në thelb të ekspozitës qëndron koncepti për artin unik teatror të Lumit. Fotografitë nuk janë kronologji e jetës dhe veprës së Bekimit, përkundrazi, konceptualisht qëndrojnë mbi idenë e përshfaqjes vizuale, jo vetëm të shfaqjeve teatrore, por edhe të procesit krijues laboratorik, që Lumi e kultivoi, ndër vite, me aq pasion”.

Krasniqi shton se imazhet e sjella këtu reflektojnë një pasqyrim më besnik të krijmatrisë unike dhe të botës artistike të Bekim Lumit.

“Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjajshëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të pa ekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri”.

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndjejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor”, përfundon dramaturgu.

Liburn Jupolli në kuadër të Ministrisë së Kulturës, adresoi disa fjalë rreth krijmtarisë dhe punës së Bekim Lumit ndër vite.

“Nuk mund të flas vetëm në cilësinë e këshilltarit për të ndjerin Bekim Lumi, për arsye se edhe vetë kam pasur rastin që të jem bashkëpuntor i tij i afërt dhe të ndjej atë energjinë “solare” që e ka pasur për gjithë artin. Fillimisht do të doja që të adresoja si fakt veprimtarinë e tij që është shumë me rëndësi edhe në nivel shtetëror por edhe gjithë trashëgimisë tonë kulturore. Veprimtaria e tij jo vetëm shfaqet, por edhe gjithë procesi i tij, ku kemi rastin ta shohim në këtë ekspozitë, është një shembull vetë figura e Bekim Lumit se si dokumentohet edhe procesi i punës. Në njërën prej shfaqjeve më shumë se gjashtë muaj më ka rastësis që të jem si bashkëpunëtor në kompozim dhe e kam parë se sa shumë i ndjeri e ka dashtë procesin. Ministria e Kulturës do të vazhdojë që të mbështesë të gjitha organizimet e tilla që e shtyjnë përpara dokumentimin e figurave tona artistike, specifikisht Bekim Lumin me tërë pasionin e tij për artin dhe për trashëgiminë tonë shpirtërore”, përfundon ai.

Ndërkaq, kuratori Mentor Berisha, me emocione në fytyrë falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre.

“Faleminderit që jeni të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite në nderim të Bekim Lumit. Unë vërtet jam shumë i gëzuar që jam kurator i kësaj ekspozite. Kemi përzgjedhur 10 shfaqje të tij e materiale të tjera të veçanta. Kur ke parasysh edhe kur ke pranë vetes një art shumë dimensional si të Bekim Lumit, vërtetë është vështirë që të bësh përzgjedhjen e tyre, sepse secila shfaqje meriton që të ketë një ekspozim në vete. Por në anën tjetër, të gjitha këto që ne i kemi përzgjedhur për shkak të një arti kaq unik të Lumit, funksionojnë si tërësi. Puna ime duhet të prezantohet në ekspozitë”, thotë ai mes tjerash, duke kujtuar edhe një herë krijmtarinë e jashtëzakonshme të Lumit.

Në një prononcim për KultPlus, e mbushur me emocione dhe me lot në sy, Drita Lumi, kujton kohën e momente të ndryshme që ka kaluar së bashku me Bekimin nëpër vite, përfshirë këtu edhe shfaqjen e saj më të preferuar.

Dashuria për teatrin, e pranishme çdo herë

“Bekimi qysh në fëmijërine e hershme ka tregu shumë talent për teatrin. Ai edhe në jetën e përditshme ka qenë gjithmonë artist. Bekimi ka qenë një djalë i saktë, i zellshëm e punëtor qysh si fëmijë, ka qenë shumë preciz. Nuk mendoj që ai ka qenë ndryshe në jetën artistike dhe ndryshe në familje. Mund të them padyshim që Bekimi ndoshta edhe ka lindur artist”.

Shfaqja e preferuar e Dritës sipërfaq talentin e madh të artistit

“Shfaqja më e preferuar. Kur unë e kom vetë se cila shfaqje është e preferuar, ai ka thënë sikur gishtat e dorës. Por për mua më së shumti më pëlqen shfaqja “Nëna dhe fëmija”, kur e kam parë atë shfaqje kam mbetur shumë e impresionume, e prekur, pasi në thelb ka qenë një shfaqje që prek abortin, fëmijët jetim dhe në përgjithësi i ka dhënë kuptim asaj që artistët klithin dhe çojn procese sociale e politike, gjë që Bekimi e ka bërë në çdo shfaqje të tij”.

Msheftësia e “poemës” së Lumit

“Bekimi ka shkruar poezi si i vogël. Ndoshta ka qenë 10-12 vjeç kur vendosëm që të shkruajmë një poemë, ne po prisnim që ai ta shkruante dhe në atë kohë ne lexonim gjëra të ndryshme sikurse milingonat, shpezët e ndryshëm e gjëra të tjera. Unë i thash atij, Bekë boll e zgjate”, ai mu përgjigj “Jo jo, deri sa ta mbyti milingonën, nuk e përfundoj këtë poemë”. Bekimi ka qenë krijues, ka shkruar si fëmijë, ka bërë regji të ndryshme në klasë. Ai çdo gjë që gjente në shtëpi, mbulesë, kapare ose kapela të ndryshme, ato i ka bërë rekuizita dhe ia ka dhënë shokëve e shoqeve për të bërë shfaqje. Ka bërë shfaqje në klasë, prandaj Bekimi jo rastësisht ky që është, me të vërtet ai ka treguar talent gjithnjë, kjo është e vërteta për Bekimin”.

Shumë artistë kërkojnë të krijojnë diçka që i lëviz emocionalisht njerëzit e tjerë, dhe kështu arti është (për ta) një formë bisede në të cilën ata bëjnë një propozim ose bëjnë një pyetje dhe i takon shikuesit të përgjigjet.

Të punosh me “Lumin”

Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Muçaj shpjegoi se si është eksperienca e punës me Lumin.

“Unë kam punuar dy shfaqje me Bekën, “Këmishën e Gjakut” në 2010 dhe shfaqjen e fundit të tij, “arturo ui” në vitin 2018-të. Padyshim që për mua është kënaqësi e madhe dhe jam i lumtur që sot i kemi ekspozuar, fotografitë e rekuizitat që unë personalisht i kam pasur në dorë në vitin 2010. Janë emocionuese kur i shoh e kur i preki këto rekuizita. Më rikthen në kohë dhe më kujton gjithçka, mënyrën se si i kemi përdor e shumë të tjera”.

Ikja e Lumit, varfëroi gjithë Ballkanin

“Në përvjetorin e tij të vdekjes po shoh shumë zbrazëti dhe jam i mërzitur që nuk e kemi në mesin tonë dhe nuk i kemi këto lloj shfaqjes që i shohim në fotografi sonte. Jam i mërzitur që nuk i kemi aktive nëpër teatrot e Kosovës. Unë mendoj që Ballkani në përgjithësi është shumë i varfër prej artistëve, sidomos prej nivelit të Bekimit, e ka varfëru shumë skenën kulturore e teatrore ikja e tij. Ai ka punuar në Kosovë kryesisht, por edhe në Gjermani një kohë. Shfaqjet e tij kanë udhëtuar në Ballkan e në Evropë. Unë personalisht mendoj që jemi të varfur edhe si shtet kulturalisht me mos-prezencën e shfaqjeve të Lumit në arenën ndërkombëtare”.

Bekim Lumi, i njohur zakonisht si “Lumi”, la një numër të madh shfaqjesh pas tij, por më së shumti do të mbahet mend për punën e tij mjeshtërore teatrale, e cila e ngriti në pavdekësi. Artistët dhe puna e tyre janë pjesë e përhershme e njerëzimit. /KultPlus.com

Gazeta ‘Blick’ shkruan për Kosovën: Këto vende ia vlen të vizitohen

Italia, Greqia, Spanja – këto janë zakonisht destinacionet kryesore të pushimeve për zviceranët. Kosova nuk është në krye të listës edhe pse ka vende të bukura që ia vlen të vizitohen, shkruan Blick, transmeton Gazeta Express.

Gjeravica

Gjeravica është maja më e lartë në Kosovë dhe një atraksion i vërtetë për adhuruesit e natyrës që çdo alpinist amator mund ta pushtojë. Pas një udhëtimi njëorësh me xhip nga Juniku, duhen rreth katër deri në gjashtë orë ecje për të arritur majën. Shpërblimi: një pamje spektakolare dhe një not në një nga liqenet akullnajore.

Rugova

Rugova ndodhet jo larg Gjeravicës në rajonin e Pejës. Rajoni të bën përshtypje me malet, pyjet, lumenjtë dhe liqenet e tij. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë të huaj e kanë zbuluar Rugovën – dhe me të drejtë.

Artana

Artana është një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë për sa i përket historisë mesjetare të vendit. Në këtë qytet dikur jetonin mbi 50.000 banorë, popullsia përbëhej nga minatorë saksonë, osmanë, kozakë, shqiptarë, sllavë dhe shumë popuj të tjerë që u sollën në këtë vend për të punuar në minierat e argjendit. Në fakt, Artana ishte një Nju Jork apo Londër e ditëve moderne në Mesjetë pasi ishte një metropol i vërtetë që ofronte vende pune për njerëzit e aftë në artin e nxjerrjes së argjendit dhe përpunimit të argjendit.

Qendra e skijimit në Brezovicë

Ka një arsye kryesore për të ardhur në Brezovicë: skijimi. Është destinacioni dimëror më i vizituar në Kosovë. Brezovica ka 16 kilometra shpate me gjatësi mesatare prej katër kilometrash. Vendi shërben si qendër stërvitore për ekipet kosovare të sporteve dimërore.

Liqenet e Mirushës

Liqene, gryka të lë pa frymë dhe fauna e bukur: një vizitë në Liqenet e Mirushës ia vlen patjetër një udhëtim. Por kini kujdes: ka shumë hardhuca dhe disa gjarpërinj në rrugë.

Shpella e Gadimes

Është 1500 metra e gjatë, por për turistët është e mundur të shohin vetëm 1300 metrat e para të shpellës, pasi kalimet nuk janë ende të mundshme për pjesën tjetër të kalimeve të shpellës. Shpella e Gadimes është shpella më e njohur e stalaktiteve në Kosovë dhe aktualisht e vetmja e hapur për vizitorë. Ajo që e bën të veçantë shpellën është aragoniti, i cili rrallëherë gjendet si dekor i shpellës.

Kalaja e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit është monumenti më i famshëm i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është e ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i Prizrenit. Rruga për në kështjellë zgjat 15 minuta në këmbë.

Nënës time

Poezi nga Hermann Hesse

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë.

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.
Edhe çdo natë e njëjta ëndërr

Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?
E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?
Në fushat

Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.
Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im./ KultPlus.com

Johnny Depp prezanton ekspozitën e tij të parë të pikturës

Johnny Depp e kemi njohur si një aktor i njohur dhe si një muzikant i talentuar i muzikës rock. Tani është koha për ta admiruar atë edhe piktorin!

Para aktrimit dhe para muzikës ka qenë piktura dhe vizatimi, si elementë të rëndësishëm të shprehjes dhe krijimit të tij. Përveç të qenit krijues, ai është gjithashtu një koleksionist i sëmurë dhe zotëron një koleksion privat që përfshin gjithçka nga Basquiat tek Banksy.

Koncertet e tij të fundit me Jeff Beck dhe pranimi i madh që mori nga publiku i dhanë atij shtysë për të ndarë me botën dhe pikturat e tij.

Ekspozita e parë e pikturës së Johnny Depp mban titullin Friends & Heroes dhe fokusohet te njerëzit që ai i njeh mirë dhe që e kanë frymëzuar atë si personalitet. Çdo imazh është një pasqyrim intim i karakterit të tyre në sytë e Depp. Miku i tij i dashur dhe kitaristi ikonë i Rolling Stones, Keith Richards , e frymëzoi stilin e tij në portretizimin e Jack Sparroë, deri tek Bob Dylan, Al Pacino e Elizabeth Taylor.

Siç u përmend për veprat, Depp ka krijuar një stil të tijin ekspresionist me shumë shtresa. Artistët neo-ekspresionistë braktisin çdo qëllim për të imituar natyrën dhe në vend të kësaj kërkojnë të shprehin përvojën e tyre emocionale në art të përqendruar rreth ndjenjave dhe trazirave të tyre të brendshme. Arti neo-ekspresionist, si arti i Depp-it, karakterizohet nga subjektivitet i fortë, aplikime me teksturë të lartë të bojës dhe materialeve të tjera, ngjyra të forta të kundërta dhe imazhe që tregojnë një histori.

Duke punuar nga referencat fotografike, çdo imazh në koleksionin e parë të Johnny Depp është zhveshur në një përshkrim më të thjeshtë dhe më ikonik të subjektit, të cilin artisti më pas e zhvilloi dhe aktivizoi me nënshkrimin e tij që lulëzon pa rrjedhë. Arti i Johnny Depp kalon kufirin midis “Pop Art” dhe “Street Art”. Imazhet e njohura të njerëzve të kulturës pop janë ripërpunuar me ngjyra të gjalla, të ndezura dhe të veshura me energjinë dhe frymën e Artit të Rrugës. Rezultati është një seri imazhesh ikonike të figurave mediatike që kanë tejkaluar thjeshtësinë grafike jopersonale të Artit Pop.

Duke folur për veprat e tij, Johnny Depp thotë: “Unë e kam përdorur gjithmonë artin për të shprehur ndjenjat e mia dhe për të reflektuar mbi ata që kanë më shumë rëndësi për mua, si familja ime, miqtë dhe njerëzit që i admiroj. Pikturat e mia rrethojnë jetën time, por i mbajta vetëm për vete. Askush nuk duhet ta bëjë këtë dhe të kufizojë veten.”/abcnews.al/ KultPlus.com

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë: Institucionet e Kosovës të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar gjendja aktuale dhe bashkërendimi i aktiviteteve ndërinstitucionale lidhur me zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa të lëshuara nga Serbia, raporton Gazeta Express.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës”, njofton ZKM.

Nesër hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, dhe shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin e Kosovës.

“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit thotë se “vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit”.

“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet në njoftim.

Të shtunën, kryeministri Kurti iu drejtua të gjithë serbëve në Kosovë në gjuhën e tyre duke iu thënë se arsye për marrjen e këtyre vendimeve është mbrojtja e të drejtave të tyre./ KultPlus.com

Comœdia në vitin 1925: Shkrimtari shqiptar Stavri dhe zonja e tij Alice Brenot do të sjellin së shpejti librin ‘Përralla nga orienti’

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Korrik 2022

“Comœdia” ka botuar, tre shkrime gjatë muajve gusht, shtator dhe dhjetor të 1925 rreth veprës dhe jetës së shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit shqiptar Stavro Stavri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Një shkrimtar shqiptar

Comœdia, e hënë, 3 gusht 1925, f.3 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Stavro Stavri së shpejti do të botojë me bashkëpunimin e çmuar të zonjushës Alice Brenot një përmbledhje me “Përralla nga Orienti”. Z. Stavro Stavri pati botuar, në vitin 1922, një vëllim interesant “Studime mbi Shqipërinë”; ai përshkroi aty zakonet, historinë fetare e letrare, zakonet familjare të këtij vendi, ku ai është një nga përfaqësuesit më të shquar.

Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Deputet i i Tiranës, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Beograd, ish-profesor i gjuhës shqipe në Shkollën tonë të Gjuhëve Orientale, z. Stavro Stavri, i cili ka përfunduar tek ne doktoraturën në degën e drejtësisë është një mik i madh i Francës dhe propagandon me zjarr kulturën e saj. Së shpejti, në Shqipëri do të ketë pesë shkolla të mesme franceze për djem dhe vajza (gratë atje janë pothuajse të gjitha të bukura dhe pjellore). Dhe le të theksojmë gjithashtu se nëse “Skypetarëve” (kështu e quajnë veten shqiptarët) nuk u mungojnë as automobilat dhe as avionët, ndërsa hekurudhat, si të thuash, nuk ekzistojnë akoma.

Shqipëria ka ruajtur pamjen e dikurshme, një pamje shumë e veçantë pavarësisht pushtimit turk që zgjati pesë shekuj. Do të gjejmë në botimin e radhës, i cili u mundësua sipas traditës gojore, të gjithë folklorin, ritet, dashuritë, skenat tragjike apo idilike të një populli të lashtë, të ashpër, besnik, për të cilin fjala e dhënë mbetet një gjë e shenjtë.

Dasma e Stavro Stavrit

Comœdia, e premte, 25 shator 1925, f.2 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Stavro Stavri, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd, është martuar në Paris me zonjushën Alice Brenot, Doktorante në degën e Letërsisë, e diplomuar në “Ecole des Hautes Etudes de Paris”.

Folklori oriental

Comœdia, e enjte, 17 dhjetor 1925, f.4 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zonjusha Alice Brenot, e cila është bërë, siç kemi bërë të ditur, zonja Stavro Stavri, aktualisht ndodhet në Beograd ku autorët dhe artistët francezë gëzojnë një pritje të lumtur. Nuk mendojmë se po bëjmë një zbulim të madh duke thënë se të preferuarit janë z. Pierre Benoit dhe princesha e bukur Aurore de Kœnigsmark, luajtur nga zonja Huguette Duflos.

Për sa i përket zonjës Stavro Stavri, ajo po përfundon, me bashkëpunimin e të shoqit, një përmbledhje me “Përralla nga Orienti”, të titulluar kështu, sepse çdo vend i Orientit do të gjejë vendin e vet në të. Ne do të vlerësojmë veçanërisht në këtë libër legjendat shumë të vjetra vendase, nga të cilat folkloristët do të mund të përfitojnë.

Tirana Art Colony, ekspozohen punimet e artistëve nga 17 shtete të ndryshme

Tirana Art Colony, këtë vit ka hapur ekspozitën me artistë nga 17 vende të ndryshme të botës në Galerinë e Artit të Tiranës.

Me një traditë të gjatë që nga edicioni i parë më 2010 e deri me sot kolonia ka mirëpritur shumë artistë dhe njëkohësisht ka ekspozuar në hapësira të ndryshme.  Që nga Suedia, Gjermania, e deri në Jordani e Gjeorgji këta të rinj gjejnë ura komunikimi nëpërmjet artit.

Qendra “Tirana Art”, për të disatin vit, organizon koloninë e artistike. Duke u bërë aktiviteti i parë i këtij lloji në Shqipëri, që nga viti 2010, organizuar në qytetin e Tiranës. Shumica e të rinjve artistë vinin për herë të parë në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit këtu realizuan dhe veprat e ekspozuara. Sipas organizatorëve kjo shërben dhe për rritjen e turizmit kulturor.

Ekspozita në GAT do të qëndrojë deri më 2 gusht./ KultPlus.com

‘Sytë e tu, sytë e tu, me gjithë dritat që kam parë’ (VIDEO)

Frederik Ndoci është këngëtar, kompozitor, poet, shkrimtar dhe aktor. Ai përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2007 me këngën “Hear my plea” (Dëgjo lutjen time), e cila ishte një këngë e kombinuar në gjuhën angleze dhe shqipe, duke u ranguar në vendin e 17-të. Ai këndon në gjashtë gjuhë të ndryshme në tre vargje të veçanta vokale. U emërua “Njeriu i Mijëra Zërave” sepse këndon bariton, tenor, bas dhe countertenor.

KultPlus ju sjell sot këngën “Sytë e tu” me të cilën Federik Ndoci mori pjesë në vitin 1989 në festivalin “Kur vjen Pranvera”, tekstin e secilës e gjeni më poshtë:

Syt’ e tu, syt’ e tu,

Me gjithë dritat që kam parë,

Me gjithë yjet rreze-ar,

Me gjithë lum-liqenet blu,

Shëmbëllejnë, syt’ e tu.

Qesh atje fytyra ime,

Shket një varkë me gëzime,

Fluturon një pulëbardh,

Unë e ti të pandarë

Ti deti, unë lundërtar.

2X Ja erdhëm ne do ikim larg,

Lumturi e gjatë dhe fillestare,

Që tani gjokset po t’i hapim,

Rrugët tona mbushen me petale.

Syt’ e tu, syt’ e tu,

Sa i hap më sjell behar,

I shikoj dhe mbetem djalë

Ju them se jam këtu,

Dhe qeshin syt’ e tu…

Qesh atje fytyra ime,

Shket një varkë me gëzime,

Fluturon një pulëbardh,

Unë e ti të pandarë

Ti deti, unë lundërtar.

3X Ja erdhëm ne do ikim larg,

Lumturi e gjatë dhe fillestare,

Që tani gjokset po ti hapim,

Rrugët tona mbushen me petale.

Syt’ e tu, syt’ e tu,

Me gjithë dritat që kam parë,

Me gjithë yjet rrezeartë,

Me gjithë lum-liqenet blu,

Shëmbëllejnë, syt’ e tu.

Shket një varkë,

Shketë nje varkë me gëzime fluturon,

Një pulëbardh, ti deti unë lundërtar…

Syt’ e tu,

Me gjithë dritat që kam parë,

Me gjithë lum-liqenet blu,

Shëmbëllejnë, syt’ e tu…/ KultPlus.com