80 vjet nga lindja e poetit të njohur, Ali Podrimja

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Ali Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.

Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005. / KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike hedhin dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare

Të tjera zbulime arkeologjike mbresëlënëse hedhin dritë mbi vendbanimet e hershme në territoret shqiptare.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se pranë fshatit Buqezë në Lin, po kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e vendbanimit “palafit”, që sipas arkeologëve daton 7500 vjet më parë.

Sipërfaqja e vëndbanimit prehistorik, mendohet të jetë rreth 35.000 m2

Projekti shqiptaro-zviceran “LIN 3”, është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë-ASA-Akademia e Studimeve Albanologjike me Universitetin e Bernës, Zvicër dhe me mbështetjen e laboratorëve të Universitetit të Oxford-it, Angli, si dhe Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Korçë.

Sipas drejtuesit shkencor te projektit, Adrian Anastasi, janë zbuluar elemente drusore, që dëshmojnë pë mënyrën e ndërtimit dhe arketekturës.

“Gjatë gërmimeve, po dalin në dritë vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza në laboratorë. Gërmimet dhe studimet e mëtejshme pritet të nxjerrin rezultate të rëndësishme për arkeologjinë dhe historinë tone”, u shptreh Margariti në rrjetet sociale./atsh/ KultPlus.com

‘Ëndërr, o ëndërr, dëshirën ti çoja asaj’ (VIDEO)

Një ndër këngët nga artisti i madh i muzikës shqipe, Agron Berisha është “Ëndërr”, shkruan KultPlus.

E interpretuar me zërin e fuqishëm të Berishës, ajo është një këngë dashurie, e gërshetuar me mallin ndaj gruas dhe atdheut.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Ëndërr”:

Sonte Ne Natë të errët të kujtoj
i trazoj endrrat te ketij qyteti
te qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ëndërr, o ëndërr,
dëshirën ti çoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

Sonte Ne Natë të errët të kujtoj
i trazoj un endrrat te ketij qyteti
te qytetit ku jam a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ndonëse Jam ndjerë i vetmuar
ne atdhe kam deshirë për të takuar
a m’beson a m’beson
Une Te Therras ne argetim

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

E Dashur Këtu Jam i Vetmuar në qytet te huaj larg prej teje
larg prej deshires por zemrat bashkohen pres me mall që të kthehem ne atdhe

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe / KultPlus.com

Lamtumirë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më del e zë pshon me të fshehtë,
Një brengë hije-rëndë mbi sy
Përbrenda në zemrën e shkretë
M’i shtje drejt-për-drejt që të dy.

E loti prej syve të tua
Rëngjethet valome perdhe:
M’ja ndjen vështrimin-bukur-pallua
Ti zemres greminen e re…

Po këngët qe sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa ana,
Ndrin Yll’ i të rriturit t’im./ KultPlus.com

Instalacioni ‘Marquee’, e dhuruar nga Philippe Parreno

“Marquee”, një vepër arti instalative me dritë, i është dhuruar popullit shqiptar nga Philippe Parreno.

Duke ndriçuar hyrjen historike të ndërtesës së Kryeministrisë, vepra mirëpret vizitorët e COD dhe vepron si një pikë takimi midis kulturës dhe politikës.

Parreno ka krijuar më herët edhe për Muzeun Guggenheim dhe Park Avenue Armory në New York, Palais de Tokyo në Paris dhe Palazzo Grassi në Venecia.

Ky instalacion ishte pjesë e ekspozitës hapëse së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në vitin 2015./ KultPlus.com

Piktori performon live në Tiranë, Amarlido Ruçi do ekspozojë pikturat në Francë nga data 1 deri në 4 shtator

Ashtu si e kishte paralajmëruar, piktori surrealist Amarildo Ruci zhvilloi  performancën ‘live’ në sheshin “Skënderbej” mbrëmjen e 24 gushtit.

Në përreth tre orë, artisti realizoi një vepër në një tablo me përmasa 2x 3 metër, në teknikën e vajit. Kjo përballë të pranishmëve që e duartrokisinin hap pas hapi. E shoqëruar me muzikë dhe një ekspozitë të disa prej veprave të artistit.

Artisti do të ekspozojë disa nga punët e tij në hollin e “Carrousel Du Louvre” dedikuar artit bashkëkohor nga 1 deri më 4 shtator. Dhe kjo ishte një shfaqe “Pre Louvre” që ai ia kushtoi publikut të tij në Tiranë.

Loja e simbolikës është e pranishme në veprat e autorit me elementet figurative. Nga ana tjetër, ngjyra është arma e tij e fortë e hedhur shpesh një telajo të bardhë minimaliste.

Autori do të përfaqësohet në “Carrousel Du Louvre” me gjashtë vepra të artit bashkëkohor nga data 1 deri më 4 shtator./ KultPlus.com

Ed Sheeran mban flamurin ukrainas në një koncert në Poloni (FOTO)

Këngëtari angelz, Ed Sheeran dhe grupi ukrainas pop-rock, Antyila, mbrëmë dolën në skenë teksa mbanin flamurin e Ukrainës.

Në koncertin e mbajtur në Varshavë të Polonisë, ata mbanin lart flamurin blu dhe të verdhë, ku shfaqej edhe logoja UNITED24, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

“Faleminderit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme. Është e rëndësishme që yjet botërore të vazhdojnë të flasin për Ukrainën,” tha parlamenti i Ukrainës në Twitter.

UNITED24 është një fushatë e nisur nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky për të mbledhur donacione bamirësie.

Më pas fondet transferohen në llogaritë zyrtare të Bankës Kombëtare të Ukrainës dhe ndahen nga ministritë e caktuara për të mbuluar nevojat më të rëndësishme të vendit./ KultPlus.com

Titaniku, sekretet që mund të mos i keni ditur mbi aksidentin e bujshëm

Në orën 02:20 të mëngjesit të 15 prillit 1912, ajo që vlerësohej si një nga anijet më luksoze dhe të sigurta të ndërtuara ndonjëherë, u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në brigjet e Njufaundlendit, duke i marrë jetën më shumë se 1.500 njerëzve.

Anija më e madhe e pasagjerëve në botë deri në atë kohë, ishte në udhëtimin e saj të parë zyrtar, duke udhëtuar nga porti anglez i Sauthemptonit për në Nju Jork të SHBA-së. Reliket e saj do të zbuloheshin pas 73 vjetësh, më 1 shtator 1985 nga Robert Balard dhe Zhan-Lui Mishel. Ndërsa tragjedia ka frymëzuar shumë filma, libra dhe artikuj, anija dhe pasagjerët e saj, bartin ende mbajnë sekrete dhe fakte pak të njohura, që mund t’ju habisin. Ja cilat janë disa prej tyre:

Aktorja amerikane e filmave pa zë Doroti Gibson, ishte një nga afro 700 të mbijetuarit e aksidentit. Ajo luajti në një film të quajtur “E mbijetuara nga Titaniku”, që u shfaq në kinema vetëm 1 muaj pas tragjedisë. Xhirimet për filmin nisën menjëherë pasi ajo mbërriti në Nju Jork. Në film, Gibson mbante veshur të njëjtat rroba, që kishte gjatë fundosjes së Titanikut.

700 pasagjerët e klasës së tretë, duhej të ndanin dy banjo gjithsej. Kjo u pasqyrua me vërtetësi edhe në filmin “Titanik” të vitit 1997 me regjinë e Xhejms Kameron.

Një nga muzikantët e anijes, Rozhe Briku, ishte vetëm 21-vjeç kur vdiq në atë tragjedi. Por ai nuk u shpall zyrtarisht i vdekur deri në vitin 2000. Madje ushtria franceze e quajti atë një dezertor, kur ai nuk u paraqit për të shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Shoqata Franceze e Titanikut, u përpoq për vite me radhë të pastronte figurën e tij, por e ariti këtë vetëm 88 vjet pas fundosjes së Titanikut.

Pak para përplasjes, ekuipazhi i anijes ishte detyruar të vëzhgonte me sy të lirë rrugën përpara. Për këtë arsye oficerët e turnit  Frederik Flit dhe Rexhinald Li, nuk mund të shihnin shumë larg. Oficeri i dytë i anijes u zëvendësua në minutën e fundit, dhe harroi t’u dorëzonte çelësin e dollapit ku ndodheshin dylbitë. Çelësi u nxorr në ankand në vitin 2010, dhe u shit për 130 mijë dollarë.

Sipas të dhënave zyrtare të hetimit që u krye po atë vit, ekuipazhi pati vetëm 37 sekonda kohë nga identifikimi i ajsbergut, në dhënien e alarmit, dhe vendosjes së çfarë duhej bërë.

Titaniku u karakterizua që në origjinë nga tragjeditë. Tetë punëtorë vdiqën vetëm gjatë ndërtimit të anijes, por vetëm 5 prej tyre janë të njohur:Samuel Skot, Xhon Kelli, Uilliam Klark, Xhejms Dobin dhe Robert Mërfi. Një pllakatë përkujtimore, u zbulua në ndërtim të tyre në Belfast në vitin 2012.

Njeriu më i pasur në bordin e Titanikut ishte Xhon Astor IV, që besohej gjerësisht se ishte njeriu më i pasur në botë në kohën e vdekjes. Pasuria e tij ishte rreth 150 milionë dollarë, ose 3.5 miliardë dollarë me kursin e sotëm. Ai po kthehej nga muaji i mjaltit me gruan e tij të re, Madlein Fors, 28 vjeçe më e vogël se ai. Trupi i Astor, ishte një nga të paktët që u gjet në ujërat e oqeanit Atlantik. Me vete iu gjetën 2.440 dollarë, ose afro 60 mijë dollarë më kursin e sotëm.

Thuhet se disa burra u maskuan si gra, për të gjetur një vend në varkat e shpëtimit, të cilat ishin vetëm për gratë dhe fëmijët. Madje këto zëra shkaktuan divorcin mes Dikinson dhe Helen Bishop në vitin 1916, që të 2 të mbijetuar nga Titaniku. Edhe të mbijetuarit J.Brus Ismei, Uilliam Karter dhe Uilliam T.Sloper, u përndoqën gjatë gjithë jetës nga të njëjtat aludime.

Të 25 inxhinierët e anijes u mbytën, teksa u përpoqën që të mbanin sa më gjatë anijen mbi ujë. Ata arritën të garantonin funksionimin e energjisë elektrike dhe pompave të shkarkimit, deri kur anija u fundos. Falë tyre, anija transmetoi sinjalin SOS përmes radios deri disa minuta para fundosjes së anijes.

Vëllezërit Edmond dhe Mishel Navratil, ishin 2 dhe 4 vjeç kur u fundos Titaniku. Ata ndodheshin në anije me të atin e tyre, Mishel Sr., që i kishte rrëmbyer nga e ëma. Ai vendosi t’i çonte në Amerikë, me shpresën që gruaja e tij do ta ndiqte, dhe ata mund të nisnin në SHBA një jetë të re.

Babai i tyre, i hipi të miturit në një varkë shpëtimi, dhe nuk u pa më i gjallë. Asnjeri nga fëmijët nuk fliste anglisht. Ata u ndihmuan nga francezja e mbijetuar, Margaret Heis, derisa autoritetet e gjetën nënën e tyre 1 muaj pas katastrofës, falë fotot së tyre të botuar në të gjithë gazetat e botës.

Të paktën 15 dëshmitarë, u betuan se e kishin parë Titanikun të ndahej më dysh, para se të fundosej. Por pretendimi u injorua, dhe hetimi zyrtar nga autoritetet amerikane, arriti në përfundimin se anija u mbyt si një e tërë. Në fakt 73 vjet më vonë kur u gjetën rënojat, u vërtetua se dëshimtarët kishin patur të drejtë: anija ishte e ndarë më dysh.

Shkencëtarët, mendojnë se për shkak të baktereve që e rrethojnë, reliket e anijes mund të zhduken tërësisht brenda vitit 2030.

Njëri nga kuzhinierët e anijes, Çarls Xhauglin, mbijetoi shumë më gjatë në ujë të ftohtë se të tjerët, për shkak të sasive të mëdha të uiskit që kishte pirë. Raportohet se ai i mbijetoi ujërave të akullta të Atlantikut të Veriut për të paktën 2 orë, ndërsa shumica vdiqën nga hipotermia brenda 15 minutave.

Nga mbi 1.500 njerëz që vdiqën, vetëm 4 prej tyre ishin gra nga klasi i parë. Njëra prej tyre ishte Ana Isham, e cila vdiq pasi nuk pranoi ta braktiste qenin e saj. Thuhet se ajo u hodh nga një varkë shpëtimi, kur e kuptoi se nuk mund të merrte më vete qenin e saj. Më pas u spekulua se një grua u gjet e pajetë në ujë duke shtrënguar qenin e saj, edhe pse është e pamundur të dihet me siguri nëse ishte pikërisht ajo.

Nga mbi 1500 viktimat, u gjetën vetëm trupat e 300 prej tyre. Një nga trupat e gjetur u quajt “fëmija i panjohur”. Ai u identifikua gati 100 vjet më vonë si Sidnej Guduin.

Një nga të mbijetuarat më të famshme ishte Molli Braun. Ajo kandidoi më vonë për në Senatin e SHBA, edhe pse nuk fitoi. Braun ishte një aktiviste e të drejtës së grave për të votuar, dhe punoi me Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.

Katastrofës i shpëtuan jo pak njerëz të famshëm. Ata kishin blerë biletat e udhëtimit, por për arsye të ndryshme nuk hipën në të. Mes tyre ishin biznesmenët e njohur Milton Hershej, J.P Morgan, dhe shpikësi italian i radios Gulielmo Markoni.

“Titaniku” i Xhejms Kameron, nuk është filmi i vetëm në lidhje me këtë ngjarje. Nazistët realizuan në vitet 1930 një film propagandistik, që i përshkruan ngjarjet nga një “këndvështrim” gjerman. Filmi u përpoq të fajësojë britanikët për fundosjen e Titanikut. Pretendohej se ata e nxitën anijen të udhëtonte me shpejtësi të plotë, pavarësisht nga paralajmërimet e një zyrtari (imagjinar) gjerman, që gjoja ishte i vetmi person në bord që u shqetësua për jetën e njerëzve.

Skandali i prapaskenave të këtij filmi, është gati i pabesueshëm. Pak para se të vritej në burg se kishte folur kundër regjimit nazist, regjisori i atij filmi kërkoi nga autoritetet një anije me madhësinë e Titanikut, që të mund ta xhironte filmin. Nazistët i siguruan transoqeanikun luksoz gjerman SS Cap Arcona. Por kjo anije u përdorur më vonë si një kamp përqendrimi lundrues, dhe u fundos nga aleatët, duke shkaktuar 2.750 të vdekur. / Insider/ KultPlus.com

‘Jam udhëzues për në labirint, eja dhe më shih’

Poezi nga Jim Morrison

Muret bërtasin sëmundje poezie/seks
Rënkim i brendshëm si një makinë e çmendur
Rënë në një shpellë buburrecash apo brejtësish
Kompjuteri
Fytyra burrash
Kolazh muri
Çështje leximi
Tregtarët
Jam udhëzues për në labirint
Eja dhe më shih
Në hotelin e gjelbër
Dhoma nr.32
Do të jem aty pas orës 9:30 në mbrëmje
Do t’ju tregoj vajzën geto
Do t’jua tregoj djegien
Do t’ju tregoj njerëz të çuditshëm
Fanitje, si bisha në prag revolucioni
Kini frikë Zotërat
që janë sekrete midis nesh
duke lënë kabinën e telefonit, isha goditur nga një duhmë e çuditshme
Grua e çmendur e një vendi të vjetër
Vjen t’i ngacmoj fantazmat e qytetit
Këmbë leshtore me plagë të hapura
Nga cili moçal apo shkëmb
u zvarrite që të na kujtosh
çfarë kemi zgjedhur që të lëmë./ KultPlus.com

Bebe Rexha do të jetë një nga prezantueset e ‘MTV VMA 2022’

MTV ka shpallur listën e prezantuesve të Video Music Awards 2022 që nis të dielën, 28 gusht. Në mesin e tyre është dhe këngëtarja shqiptare Bebe Rexha. Lajmin e ka konfirmuar vetë ajo përmes një postimi në InstaStory, ku bën me dije se do të jetë një nga prezantueset në ngjarjen e madhe.

Përpos yllit shqiptar, do të prezantojnë dhe të tjerë si Ashley Graham, Avril Lavigne, Becky G, Billy Eichner, Cheech & Chong, Chlöe Bailey, Dixie D’Amelio, DJ Khaled, Dove Cameron, Joel Madden, Latto, Lili Reinhart si dhe Offset.

Bebe Rexha ka fituar një çmim “MTV Video Music Awards” në vitin 2019. Asokohe ajo ishte vlerësuar me çmim në kategorinë “Best Dance (Kënga më e mirë ritmike)”, për këngën e saj “Call You Mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers. /abcnews.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore

Kryeministri Albin Kurti nuk ka folur për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë që e shpalli përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Ai në rrjetin social Twitter e ka publikuar një intervistë që e ka zhvilluar rreth një javë më parë për gazetën gjermane Die Welt.

Kryeministri Kurti, krahas intervistës ka thënë se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore.

Kurti tregoi se një javë më parë, për gazetën gjermane ka folur për masat reciproke për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse me Serbinë.

“Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore. Javën e kaluar fola me @weltpër masat tona reciproke për targat e makinave dhe dokumentet e hyrje-daljeve me Serbinë, por edhe për fuqinë tonë të re të punës, të kualifikuar, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë”, tha Kurti.

Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare, me këtë rast duke u hequr pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët./ KultPlus.com

Marrëveshja Kosovë – Serbi për dokumentet, Osmani: Reciprocitet e barazi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për dokumetet.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Reciprocitet e barazi.

Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet.

Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropia për rolin e tyre mbështetës.

Do të vazhdojmë  pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke./ KultPlus.com

Fillojnë ‘Ditët e Nënë Terezës’, Imzot Dodë Gjergji: Gjatë këtyre ditëve do të mundohemi të ecim në shembullin dhe mendësinë e saj

Flonja Haxhaj

“Jeta është mundësi, pranoje!
Jeta është bukuri, sodite!
Jeta është lumturi, shijoje!
Jeta është ëndërr, realizoje!
Jeta është sfidë, përballoje!
Jeta është detyrë, kryeje!
Jeta është lojë, luaje!….”

Janë pikërisht këto vargje e uratë e Nënë Terezës, me të cilat filloi Akademia Solemne që edhe i parapriu ‘Ditëve të Nënë Terezës’, të cilat mbahen për nder të ditëlindjes dhe 25-vjetorit të vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Para pjesëmarrësve të cilët kishin mbushur plot sallën e qendrës ‘Bogdanopolis’, të parit iu dha fjala Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

“Përgjatë këtyre 10 ditëve të Nënë Terezës do të përpiqemi që të ecim në shembullin e saj, në mendësinë e saj dhe në sugjerimet që na i jep ajo nëpërmjet jetës, nëpërmjet fjalës dhe nëpërmjet uratës. Janë 25 vite që kur Nënë Tereza kaloi në amshim dhe ajo nuk është më fizikisht në mesin tonë, por janë 25 vite kur ne intenzivisht jemi me të sepse dëshirojmë t’i ngjajmë asaj”,  u shpreh Dodë Gjergji, duke bërë thirrje që nëpërmjet rrugëve që ndoqi Nënë Tereza, të punohet për të dhënë sa më shumë dashuri, sepse është pikërisht kjo për çka njerëzit janë të etur.

Akademia Solemne vazhdoi me promovimin e librit në gjuhën angleze të Don Lush Gjergjit, ‘I hold my albanian people in my heart’, i cili është përkthim i librit shqip ‘E kam në zemër popullin tim shqiptar’, bashkëbisedime me Nënë Terezën.

E për të folur rreth këtij libri, foli vetë përkthyesi i tij në gjuhën angleze, Avni Spahiu, i cili mes tjerash tha se Nënë Tereza është një prej shenjtoreve të pakta që u përzgjodh për ta shenjtëruar botën, dhe e cila hyri në historinë botërore e shpirtërore.

“Ka pasur shumë humanistë në historinë e botës, shumë njerëz që i kanë sjellë njerëzimit vepra të mira, që kanë mbetur në historinë e përgjithshme, por prej tyre vetëm disa në historinë shpirtërore, një numër i vogël i të përzgjedhurve që e kanë shenjtëruar botën. Kombi ynë dha të paktën një shenjtore në historinë e vetë, dhe Nënë Terezë të vetmen në shekullin e XX-të. Nënë Tereza qëndron mes këtyre njerëzish të përzgjedhur.”, tha Spahiu, i cili më tutje shtoi se kjo shenjtëri i shtoi virtytet për kombin shqiptar dhe e lartësoi atë mbi kombet e tjera.

Më pas, sopranoja Arta Jashari dhe pianistja Pranvera Hoxha interpretuan ‘Valsin hyjnor’ e i cili edhe konsiderohet si himni i Nënë Terezës.

E menjëherë pas kësaj pike muzikore, fjala iu dha Don Lush Gjergjit, i cili ka shkruar me dhjetëra libra në nderim të figurës dhe jetës së Nënë Terezës. Në këtë Akademi Solemne, Don Lush Gjergji mbajti ligjëratë me temën ‘Shën Nënë Tereza, 25 vite pas kalimit në amshim, trashëgim dhe frymëzim’.  

“Çka kam parë, çka kam dëgjuar dhe çka kam përjetuar gjatë shoqërimit me Nënë Terezën prej takimit tim të parë më 29 mars të vitit 1969, një kohë të gjatë i kam ruajtur në rezervuarin e mendjes dhe zemrës sime dhe pastaj i kam thënë vetvetes, kjo mund të jetë vetëm një egoizëm dhe një egocentrizëm, prandaj kishës sime dhe popullit tim shqiptar dua me një libër përmbledhës t’ua dhuroj atë çka unë me sytë e mi pashë, me veshët e mi dëgjova, me zemrën time përjetova”, tha Don Lush Gjergji, duke u shprehur më tutje se të gjithë ata që nuk e kanë pasur mundësinë të takohen me Nënë Terezën, të jenë pjesëmarrës të kësaj ngjarje nëpërmjet librit.

Don Lush Gjergji, po ashtu, dha lajmin se në ditën e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, libri i tij është botuar edhe në gjuhën gjermane.

Mbrëmja vazhdoi edhe me interpretimin e këngës ‘Kroi i fshatit tonë’, që u interpretua sërish nga Arta Jashari dhe Pranvera Hoxha.

I pranishëm në akademinë që hapi ‘Ditët e Nënë Terezës’ ishte edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili rrëfeu para publikut edhe lidhshmërinë e tij me figurën e Nënë Terezës.

“Isha 16-vjeçar kur kam dalë prej Prishtinës dhe kam shkuar në Londër dhe aso kohe si 16-vjeçar në një kryeqytet kaq të madh dhe krejt ndryshe nga ai që kam lindë e jam rritë deri në atë kohë. Kur njerëzit më pyesnin se nga vija, kur i thoja nga Prishtina, njerëzit në vitin 1992 nuk e dinin ku është Prishtina, as ku është Kosova, as ku është Shqipëria. E ajo që u thosha në Londër është ‘Unë jam shqiptar, si Nëna Terezë’”, tha Rama, duke i uruar të pranishmit për hapjen e kësaj akademie./ KultPlus.com

Kam shumë shpresë

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë./ KultPlus.com

Serbia pranon dokumentet kosovare, hiqen pengesat për lëvizje të lirë

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare, me këtë rast duke u hequr pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët.

Këtë sapo e bëri të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”, ka shkruar Borrell në Twitter, transmeton Klankosova.tv.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë”, shtoi ai.

“Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, përfundoi Borrell./ KultPlus.com

Etno Fest rikthehet nga 3-9 shtator

Festivali Etno Fest rikthehet në fshatin Kukaj nga data 3 deri më 9 shtator, përcjell KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të këtij festivali.

“Etno Fest po rikthehet nga 3-9 shtator në fshatin Kukaj. Publik shumë i dashur, faleminderit që nuk e keni humbur besimin tek ne. Ju mirëpresim me padurim dhe me plot dashni në oazën e artit, kulturës dhe muzikës!”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Hija e shpirtit tim

Poezi nga Federico Garcia Lorca

Hija e shpirtit tim
Fluturon në një perëndim alfabeti,
Mes librash
Dhe fjalësh.

Hija e shpirtit tim!

Kam arritur në vijën ku bie
Malli,
Dhe pika e vajit shndrrohet,
Në albastër shpirti.

(Hija e shpirtit tim!)

Kupa e dhimbjes
u mbarua,
por kjo është arsyeja dhe përmbajtja
e buzëmbledhjeve të vjetra të mesditës
e vështrimeve të vjetra të mesditës.

Një labirinth i mjegullt
Yjesh të tymtë
Grackon iluzionet e mia
Aq të venitura.

Hija e shpirtit tim!

Dhe një aluçinacion
Mëkon vështrimet.
E shoh fjalën dashuri
Të zhveshur.

Bilbili im!
Bilbil!
A po këndon?./ KultPlus.com

“Pasi të jetë themeluar shteti, nuk mund të ketë më asnjë trim. Ata vijnë në skenë vetëm në kushte të paqytetëruara”

Georg Wilhelm Friedrich Hegel ishte një filozof gjerman dhe konsiderohet si një nga filozofët më të rëndësishëm.

Ai konsiderohet gjithashtu një nga figurat themelore të filozofisë perëndimore, me ndikimin e tij që shtrihet në të gjithë gamën e çështjeve filozofike bashkëkohore, nga estetika te ontologjia te politika, si në traditën analitike ashtu edhe në atë kontinentale.

Po ju sjellim sot një koleksion të thënieve më të thella të tij:

Pasi të jetë themeluar shteti, nuk mund të ketë më asnjë trim. Ata vijnë në skenë vetëm në kushte të paqytetëruara.

Asgjë e madhe në botë nuk u arrit pa pasion.

Historia na mëson se ne nuk mësojmë nga historia.

Të jesh i pavarur nga opinioni publik është kushti i parë për të arritur ndonjë gjë të madhe.

Natyra njerëzore është që t’i shtyjë njerëzit në dakordësi me njëri tjetrin, dhe ekzistenca e njerëzimit varet nga përbashkimi i vetëdijes që e ka krijuar.

Tragjeditë e mirëfillta në botë nuk janë konflikte midis së drejtës dhe së gabuarës. Ato janë konflikte midis dy të drejtave.

Ajo që na mëson përvoja dhe historia është se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë asgjë nga historia, ose kanë vepruar sipas parimeve të nxjerra prej saj.

E vërteta nuk gjendet as në tezë dhe as në antitezë, por në një sintezë emergjente e cila i pajton të dyja.

E keqja qëndron në vetë shikuesin që e percepton të Keqin rreth vetes.

Vetëm një burrë më ka kuptuar njëherë, kur ai tha se nuk më ka kuptuar.

Edukimi është arti për ta bërë njeriun etik.

Vetëm duke rrezikuar jetën fitohet liria; . . . individi që nuk ka dhënë jetën e tij ose të saj, pa dyshim, mund të njihet si Person; por ai ose ajo nuk e ka arritur të vërtetën e kësaj njohjeje si një vetëdije e pavarur.

Trimëria që lufton është më e mirë se dobësia që duron.

Kur përmendet liria, ne gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm për të vëzhguar nëse nuk është futja e interesave private që përcaktohet në këtë mënyrë.

Shumë e drejtë për t’u adhuruar, shumë hyjnore për t’u dashur.

Bufi i Minervës fillon fluturimin e saj vetëm me ardhjen e muzgut.

Njerëzit të cilët janë tepër të shpejtë në drejtim të fundit nuk e arrijnë kurrë realitetin, por zgjaten në abstraksion dhe drita e tyre vdes.

Një ide është gjithmonë një përgjithësim, dhe përgjithësimi është një veti e të menduarit. Të përgjithësosh do të thotë të mendosh.

Amerika është pra vendi i së ardhmes, ku, në epokat që shtrihen para nesh, barra e Historisë së Botës do të zbulojë vetveten.

Historia nuk është toka në të cilën rritet lumturia. Periudhat e lumturisë në të janë faqet bosh të historisë.

Arti nuk e zbulon thjesht Zotin: ai është një nga mënyrat me të cilat Zoti zbulon, dhe kështu aktualizon veten e tij.

Historia në përgjithësi është pra zhvillimi i Shpirtit në Kohë, pasi Natyra është zhvillimi i Idesë është Hapësirë.

Gjatësia e udhëtimit duhet të përballohet, sepse çdo moment është i nevojshëm.

Leximi i gazetës së mëngjesit është lutja e mëngjesit të realistit. Dikush orienton qëndrimin e tij ndaj botës ose nga Zoti ose nga ajo që është bota. E para jep po aq siguri sa e dyta, në atë që di se si qëndron.

Ajo që është e arsyeshme është reale; ajo që është reale është e arsyeshme.

Anti-njeriu, thjesht kafsha, konsiston në qëndrimin brenda sferës së ndjenjës dhe të qenit në gjendje të komunikojë vetëm në atë nivel.

Shpallja e paqes dhe dashurisë pa angazhim praktik ose institucional është mashtrim, jo ​​virtyt.

Të menduarit është, në të vërtetë, në thelb mohimi i asaj që është para nesh.

Njerëzit e pashkolluar kënaqen me argumentin dhe gjetjen e gabimeve, sepse është e lehtë të gjesh faj, por është e vështirë të njohësh të mirën dhe domosdoshmërinë e saj të brendshme.

Çdo vetëdije ndjek vdekjen e tjetrit.

Është më lehtë të zbulosh një mungesë tek individët, në shtetet dhe në Providencën, sesa të shohësh peshën dhe vlerën e tyre reale.

Ligësia qëndron gjithashtu edhe në vështrimin që e percepton veten të pafajshëm dhe të rrethuar nga ligësia. / KultPlus.com

Escobar në koncertin e pianistit kosovar në Vjenë, Popaj: Të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbrëmë ka ndjekur koncertin e pianistit kosovar, Zakir Popaj, në Vjenë, përcjell KultPlus.

Popaj ka publikuar fotografi bashkë me emisarin pas koncertit në ‘Palais Schönborn-Batthyány’ teksa për takimin me të thotë se “rasti është mbret i botës”.

‘RASTI MBRET I BOTËS’

Gabrijel Eskobar

Pas koncertit në Palais Schönborn-Batthyány në Vjenë.

Çdokush mund të ju dojë kur ka diçka për të fituar nga ju, por të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë dhe një zemër të pastër“, ka shkruar Popaj në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Mbahet afati i dytë i provimit të maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, “provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës”.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

“Burgu i Idealit”, ekspozita që sjell krijimtari artistike të burgut

MKRS ka bërë thirrje që në këtë vikend të vizitohet Muzeu i Burgut të Prishtinës, më saktësisht ekspozitën “Burgun e Idealit”.

Shihni ekspozitën që rrëfen historinë, shtypjen e idesë për liri, rrëfimet dhe rezistencën e të burgosurve politik të vendit, që tani po tregohen dhe ndjehen në një mënyrë të veçantë, brenda njërit prej objekteve ku ndodhën keqtrajtimet.

Ekspozita “Burgu i Idealit” sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptar në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës.

Ekspozitën mund ta vizitoni pa pagesë nga e marta deri të dielën, nga ora 10:00-19:00. / KultPlus.com

E sulmuan me acid në fytyrë në mes të Tiranës, Dule: Rindërtova fytyrën time, jetën time dhe qepja shpirtin tim si një enigmë

Shkruan: Vilma Dule

S’ka data që shënojnë jetën tonë, një numër i thjeshtë ose një ditë është e ngarkuar me një kuptim të keq ose të bukur bazuar në atë që na solli ose fatkeqësisht ndonjëherë që na largoi.

27 gushti ka qenë ditë zie për mua këto vitet e fundit, në fakt edhe këtë vit po bie shi (rastësi?!).

Më 27 gusht 2013 në Tiranë u sulmova me acid për arsye profesionale. Unë (E di që shumica e njerëzve thjesht pyesin veten por pse! ), sepse isha grua dhe sepse kisha fuqinë që meshkujt e vegjël dhe narcizistë donin me çdo kusht (sikur me të drejtë të kishin të drejtë për këtë vetëm sepse kishin lindur burra) edhe me koston që të më hiqnin buzëqeshjen, fytyrën, identitetin tim… lënduan brenda, shkrijnë temperamentin tim siç u përpoqën të shkrinin lëkurën time me acid.

Një pjesë e imja vdiq më 27 gusht 2013, dhe ndërsa ti vajton një të vdekur, për 8 vitet e ardhshme çdo 27 gusht qaja kujtimin për veten, për jetën që kisha humbur dhe për zgjuarsinë që ma morën.

Rindërtova fytyrën time, jetën time dhe qepja shpirtin tim si një enigmë… por sa gra si unë e bëjnë? Sa gra kanë “fat” që i mbijetojnë dhunës?

Pse e themi të gjithë; me ligje që nuk na mbrojnë dhe pa rrjet mbështetës për viktimat. Mbijetesa jonë (qoftë në Itali, Shqipëri) ose diku tjetër) dhe tani është bërë çështje FATI.

Pra, edhe sot qaj pak, me lotët e fundit që më kanë mbetur nga ajo 26 vjeçarja që u dogj me acid, “se po e kërkonte”, sepse “kush e di çfarë bëri”, sepse “askush nuk të pëlqen fare”.

Vajtoj për atë vajzë, një nga shumë, që për ty nuk do të kishte pasur kurrë emër nëse nuk do të kishte mbijetuar.

Por unë jam GJALLË dhe jam Vilma Dule.

Jam një e mbijetuar, një luftetare dhe pas 9 vitesh i premtoj vetes që ky do jetë viti i fundit që qaj por jo i fundit që do flas për historinë time dhe kundër dhunës ndaj grave.

Jetë të gjatë luftëtarët e mi.

Kokën lart dhe zemrën hapur, gjithmonë. / KultPlus.com

Kryetari Veliaj: Krenar për triumfin e Florian Markut në Tiranë

Gjatë ceremonisë për nderimin e kampionit Florian Marku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Floriani mund të kishte zgjedhur çdo arenë, në çdo vend të botës, por zgjodhi Shqipërinë dhe Tiranën për të triumfuar. Kryebashkiaku tha se pas një fitoreje të madhe, ka shumë punë, mund dhe djersë.

“Sot jam shumë i lumtur për suksesin e vëllait tonë, Flor Markut. Një histori e jashtëzakonshme, nga ato historitë që fantazia ndoshta nuk e përshkruan dot, por realiteti ndonjëherë tejkalon edhe fantazinë. Pas fytyrës se tij nuk është vetëm fati, por ka shume mund dhe djersë e shumë punë”, u shpreh Veliaj.

Florian Marku të enjten në stadiumin ‘Air Albania’ mposhti meksikanin Miguel Parra Ramirez, duke fituar titullin WBC Silver./ KultPlus.com

Harry Styles shpall data të reja të koncerteve për vitin 2023

Harry Styles ka njoftuar një shfaqje në Coventry si pjesë e turneut të tij evropian 2023.

Ish-ylli i One Direction do të mbështetet nga dyshja indie Wet Leg për performancën e tij në Coventry Building Society Arena më 22 maj të vitit të ardhshëm, transmeton KultPlus.

Coventry do të jetë i pari nga pesë shfaqjet në Mbretërinë e Bashkuar, i cili gjithashtu përfshin shfaqje në Londër, Cardiff dhe Edinburgh, dhe koncertin e vetëm në Midlands.

Biletat do të dalin në shitje nga ora 10:00 më 2 shtator.

Njoftimi i turneut pason publikimin e fundit të albumit të tretë solo të këngëtarit, “Harry’s House”, me hite duke përfshirë ‘Late Night Talking’ dhe ‘As It Was’.

Albumi kaloi gjashtë javë në vendin e parë dhe i fitoi Styles një nominim për çmimin ‘Mercury’.

“Ne jemi të emocionuar që po mirëpresim Harry Styles në Coventry Building Society Arena si pjesë e turneut të tij evropian,” tha drejtori komercial i lokalit, Paul Michael.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të parë një nga yjet më të mëdhenj në botë këtu në Coventry dhe West Midlands.” / KultPlus.com