Babai i një vajze iraniane 22 vjeçare, e cila vdiq në paraburgim javën e kaluar, ka akuzuar autoritetet se kanë gënjyer për vdekjen e saj, ndërsa protestat janë ndezur në mbarë vendin, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar mospajtimin me ndërprerjen e internetit.
Amjad Amini, vajza e të cilit, Mahsa, vdiq pasi u arrestua në Teheran nga policia e moralit, tha se mjekët kishin refuzuar ta linin atë të shihte vajzën e tij pas vdekjes së saj.
Zyrtarët iranianë kanë pohuar se ajo vdiq pasi pësoi një “sulm në zemër” dhe ra në koma, por familja e saj ka thënë se ajo nuk kishte ndonjë sëmundje paraekzistuese të zemrës, sipas Emtedad, një media iraniane pro-reformës mediale. Skepticizmi publik mbi rrëfimin e zyrtarëve për vdekjen e saj ka shkaktuar një shpërthim zemërimi që është përhapur në protesta vdekjeprurëse.
“Ata po gënjejnë. Ata po thonë gënjeshtra. Gjithçka është një gënjeshtër… pa marrë parasysh sa shumë u luta, ata nuk më lanë ta shihja vajzën time,” tha Amjad Amini për BBC Persia të mërkurën raporton CNN, transmeton Gazeta Express.
Kur ai pa trupin e vajzës së tij deri në funeralin e saj, ai ishte tërësisht i mbështjellë, përveç këmbëve dhe fytyrës së saj – megjithëse vuri re mavijosje në këmbët e saj. “Nuk e kam idenë se çfarë i kanë bërë asaj”, tha ai.
Të paktën tetë persona, përfshirë një adoleshent, janë vrarë ditët e fundit për shkak të përleshjeve në protesta, sipas grupit të të drejtave të njeriut Amnesty International.
Të paktën katër nga ata tetë “vdiqën nga plagët e marra nga forcat e sigurisë duke gjuajtur fishekë metalikë nga një distancë e afërt”, tha Amnesty në një raport të botuar të mërkurën.
Katër të tjerë u qëlluan nga forcat e sigurisë, tha Amnesty, duke cituar burime në Iran. Ai shtoi se rrëfimet e dëshmitarëve okularë dhe analizat e videove tregojnë një model të “forcave iraniane të sigurisë që gjuanin në mënyrë të paligjshme dhe të përsëritur fishekë metalikë direkt mbi protestuesit”. / KultPlus.com
Kampionati Botëror – “Katar 2022” po afrohet. Jemi vetëm dy muaj larg kësaj ngjarje të madhe botërore që këtë vit do të luhet në fundvit, shkruan KultPlus.
Ndër të tjera, ajo çka i intereson publikut është edhe kënga zyrtare e Kampionatit Botëror që gjithmonë shndërrohet në hit.
Tashmë është konfirmuar se kush do të realizojë këngën për këtë vit. Është reperi i njohur amerikan, Lil Baby i cili e ka konfirmuar këtë lajm nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Kujtojmë që në vitin 2018, për herë të parë në histori, një këngëtare shqiptare ishte pjesë e këngës se Kampionatit Botëror. Era Istrefi përkrahë emrave të njohur Will Smith dhe Nicky Jam, ishte ngjitur në skenën e madhe të Kampionatit Botëror, në stadiumin Luzhinki në Moskë të Rusisë në vitin 2018. Zëri i saj së bashku me dy zërat e këngëtarëve të tjerë është dëgjuar nga 3 miliardë njerëz të cilët kishin mbushur të gjitha këndet e stadiumit. / KultPlus.com
Rina Lipa ka sfiluar për markën “GCDS Spring/Summer 2023” të enjten gjatë Javës së Modës në Milano, shkruan KultPlus.
Me një fustan në formë rrjete të kombinuar me çizme të gjata, Rina ka shkëlqyer në këtë paraqitje, teksa ka bërë krenare edhe motrën e saj, yllin e muzikën botërore, Dua Lipën.
Këtë paraqitje të Rinës, Dua e ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram teksa ka shkruar: Rina Lipa walking for GCDSwear. Miss Rina.
Kjo ishte hera e dytë që Rina bëhet pjesë e sfilatës së markës në fjalë, pasi vitin e kaluar bëri hapjen e shfaqjes. / KultPlus.com
Qendra e Botimeve për Diasporën do të organizojë në muajin tetor një cikël trajnimi për të gjithë mësuesit që japin gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në shkolla shqipe në Diasporë për modulin “Mësimdhënia e gjuhës shqipe për mësuesit e diasporës”.
QBD fton të aplikojnë për të ndjekur trajnimin të gjithë mësuesit që japin gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në shkolla shqipe, kurse të gjuhës shqipe apo klasa të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë.
Ky trajnim në fazën e parë të tij do të organizohet në javën e dytë të tetorit në formatin online në platformën “Zoom” dhe do të përfshijë deri në 100 mësues. Mësuesit e tjerë përtej këtij numri do të përfshihen në fazat e mëtejshme të trajnimit, për të cilat QBD-ja do të lajmërojë në vijim.
Trajnimi bëhet me qëllim që mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë të njihen me përmbajtjen shkencore dhe aspektin didaktik e pedagogjik të mësimdhënies së librit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli 1.
Mësuesit do të pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.
Aplikimet pranohen nga data 22 shtator – 6 tetor 2022.
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
Vërtetim nga shoqata/institucioni ku mësuesi ushtron profesionin përkatës.
Vokacioni artistik i Marie Logorecit do të shpalosej që në krye të vajzërisë, teksa pat nisur të luante rolet e para në teatrin e shkollës. Talenti që zotëronte depërtonte edhe në drejtim të muzikës. Në vitin 1945, nisi të këndojë në valët e Radio Tiranës dhe repertori i saj u zgjerua në koncertet e njëpasnjëshme të mbajtura brenda dhe jashtë vendit. Mandej, në vitin 1947 u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor, për të mishëruar personazhin e Elmirës në kryekomedinë e Molierit, “Tartufi”.
Në ekranin e zi të filmit do të plazmohej së pari në filmin “Skënderbeu”. Nuk do të mungonte as në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”, si edhe as në filmin e parë tërësisht shqiptar, “Tana”. Disa prej roleve të saj të pritura më mirë nga publiku janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja tek “Toka jonë”, Gertruda tek “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe Gjela te “Përmbytja e madhe”.
Logoreci ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Krahas urdhrave dhe medaljeve të shumta, artistja ka përftuar edhe titujt e lartë “Artiste e Popullit”, “Artiste e Merituar” (dokumentet më poshtë) dhe “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com
Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.
Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.
“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.
Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.
Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.
Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”
… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.
Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.
***
Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.
Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.
Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.
Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.
Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.
Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com
Përmes rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 22 dhjetor 1992, Asambleja e Përgjithshme ka shpallur datën 17 tetor si Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.
Kjo ditë domethënëse e avokimit paraqet një mundësi që të njihet përpjekja dhe lufta e njerëzve që jetojnë në varfëri dhe është një mundësi që të dëgjohen shqetësimet e tyre.
Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e përpjekjeve për zhdukjen e varfërisë në kontekstin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet të ngushtë me UN Kosovo Team (UNKT), përmes Zyrës së Koordinatorit të Zhvillimit, organizon edicionin e 17-të të çmimit vjetor “Çmimi për raportimin më të mirë Kundër Varfërisë – 2022″. Kjo ngjarje gjithashtu përkrahet nga korniza e projektit “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë”, i cili implementohet nga UNOPS dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë”.
Qëllimi i Çmimit të Gazetarisë për Varfërinë është të promovojë dhe të rrisë debatin për çështjet dhe shkaqet e varfërisë, dhe të ndikojë në mënyrë indirekte në zvogëlimin e varfërisë duke bërë presion te vendimmarrësit për ndryshimin e politikave. Njëkohësisht, iniciativa ka për qëllim të inkurajoj zgjidhje kreative për zvogëlimin e varfërisë duke caktuara prioritete konstruktive dhe duke iu drejtuar audiencës në mënyrë efikase.
Konkursi është i hapur për të gjithë gazetarët që janë banorë të Kosovës. Fituesit, autorë të storjeve më të mira do të shpërblehen me nga një çmim prej 1.000,00 € (një mijë euro) për pesë kategoritë si në vijim:
Video-storja e shkurtër më e mirë
Dokumentari më i mirë televiziv
Audio-storja më e mirë
Storja e shkruar më e mirë
Fotografia më e mirë
Afati i fundit për aplikim është: 3 tetor, 2022, ora 16:00. / KultPlus.com
Në kuadër të 60-vjetorit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, janë duke u përgatitur një sërë eventesh “live” dhe të regjistruara, të cilat do i paraqiten së shpejti publikut.
Televizioni Shqiptar në HD2, do të risjellë një koncert të Orkestrës Simfonike RTSH, me vepra të kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi dhe pjesë nga Ludvig V. Beethoven, me solist, violinistin virtuoz Elvin Hoxha Ganyev dhe dirigjent Murhan Cen Orhan. Koncerti do të transmetohet në (prime time) ora 21:00 dhe vetë kompozitori Peçi falenderon solistët dhe Orkestrën për 8 vitet punë së bashku dhe 10 veprat e tij të punuara me këta artistë.
Ndërkohë, Orkestra Simfonike RTSH po përgatitet për datën 26 shtator, për koncertin që do të mbahet në TKOBAP. Ky koncert do të shënojë hapjen e sezonit e njëkohësisht të 60- vjetorit të ngritjes së kësaj orkestre, me një kontribut të paçmuar në vënien në skenën shqiptare të kryeveprave të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Ky sezon dhe koncert gjithashtu shënon debutimin e drejtorit të ri artistik të orkestrës, dirigjentit të mirënjohur francez Aurelien Azan Zielinski.
Programi i koncertit të datës 26 premton muzikë me veprat më të njohura të repertorit vendas e të huaj; Georges Bizet, Gaetano Donizetti, Tonin Harapi, Endri Sina, Kujtim Laro, Ferdinand Deda e Dmitri Shostakoviç, dhe me dirigjentët Eno Koço, Oleg Arapi e Aurelien Azan Zielinski, si dhe solistët Kostandin Tashko, Merita Rexha Tërshana e Remi Joussemet./ atsh/ KultPlus.com
Edicioni i parë i “Peza Adventure Festival” do të mbledhë sot dhe nesër adhurues të natyrës, sporteve, lojërave dhe aktivitetit fizik. Ky festival ka në fokus promovimin e turizmit, sporteve me kuaj dhe shumë disiplinave të tjera sportive në Pezë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot qytetarët të marrin pjesë në festivalin që promovon turizmin përmes sporteve në natyrë, nga gara me kuaj, te ecja dhe çiklizmi, por do të ketë edhe ping pong, volejboll, judo, basketboll.
Gjatë festivalit do të organizohen aktivitete të disiplinave të ndryshme sportive. Larmia e lojërave dhe garave, si dhe hapësirat e përshtatshme të zonës, mundësojnë përfshirjen e shumë pjesëmarrësve, të cilët përgjatë dy ditëve do të kalojnë kohë argëtuese me familjen apo miqtë.
Një vëmendje të veçantë në këtë festival do të kenë sportet me kuaj si dhe Fondacioni ‘‘Miqtë e Kuajve’’, përfaqësuar nga Arjan Rugji. Gjatë festivalit, do të kryhet një demonstrim sportiv me kalorës profesionistë, një paradë me kuaj, shëtitje me kuaj në natyrë si dhe certifikimi i disa kalorësve të spikatur.
Të ftuar do të jenë sportistë të suksesshëm dhe kampionë nga disiplina të ndryshme sportive, si Klodiana Shala, Deborah Keci, Alban Beqiri, Denis Nurja, Juirdo Cani,etj. / atsh / KultPlus.com
Ka një pikë në të cilën të gjithë bien dakord: Qoftë mirë apo i sëmurë, Sigmund Frojdi, më shumë se çdo eksplorues tjetër i psiqikës njerëzore, ka hartuar mendjen e shekullit XX.
Nuk ka neutralë në luftën e Frojdit. Admirimi dhe lajkat në njërën anë; skepticizmi dhe përçmimi në anën tjetër. Nuk ka asnjë hiperbolë. Një psikoanalist që aktualisht po mundohet ta mbajë Frojdin në panteonin e heronjve kulturorë mund të kënaqet vetëm me kritika të pamëshirshme kundër atyre që e kalojnë jetën, duke e shfaqur Frojdin si një sharlatan. Por, ka një pikë, në të cilën të dyja palët bien dakord: Qoftë mirë apo i sëmurë, Sigmund Frojdi, më shumë se çdo eksplorues tjetër i psiqikës njerëzore, ka hartuar mendjen e shekullit XX. Vetë egërsia dhe qëndrueshmëria e diktatorëve të tij ishte një atribut i dhunshëm i faktit që idetë e Frojdit vazhdojnë të jenë në fuqi.
Nuk ka asgjë të re rreth këtyre konfrontimeve të acaruara; ata kanë ndjekur një pas një hapat e Frojdit, që kur zhvilloi vargun e tij të teorive, të cilat i quajti psikoanalizë. Ideja e tij thelbësore, që të gjitha qeniet njerëzore janë të pajisura me të pavetëdijshmen ku potenca seksuale dhe agresive dhe mbrojtja kundër tyre ndeshen me njëri-tjetrin për epërsi sikur të jetonin pas shpinës së një personi, është parë nga disa njerëz si një nocion romantik i paprovuar shkencërisht. Kundërshtimi i tij se, katalogu i sëmundjeve neurotike prej së cilave njerëzit janë shumë të prekshëm, është gati gjithmonë i lidhur me çrregullimet seksuale dhe se dëshira erotike nuk fillon në pubertet, por që në foshnjëri, është komentuar nga të respektueshmit si asgjë më shumë se një paturpësi.
Evokimi i tij dramatik i kompleksit universal të Edipit, në të cilin një djalë i vogël dashuron të ëmën dhe urren të atin, duket më shumë si një mendjemadhësi e thjeshtë se sa një tezë që ia vlen të studiohet shkencërisht nga psikologët.
Frojdi e përdori për herë të parë termin psikoanalizë në vitin 1896, kur kishte mbushur të dyzetat. Ai ishte drejtuar nga ambicia në fillim të karrierës së tij dhe ishte nxitur nga prindërit e tij të marrosur që ta mbivlerëzonte veten. I lindur më 1856, në një familje të varfër çifute në fshatin e vogël Moravian të Freiberg (tashmë Pribor e Republikës çeke), ai u zhvendos me rrymën e shpejtë të emigrantëve në Vjenë. Ai ishte fëmija i parë i nënës së tij, “Djaloshi i saj i Artë”. Pasi arritën të vinin re brilancën dhe gjenialitetin e tij, prindërit e trajtonin si të privilegjuar nga fëmijët e tjerë, duke i dhuruar një dhomë të veçantë ku të mund të studionte në paqe. Natyrisht, që ai nuk e zhgënjeu pritshmërinë e prindërve të tij. Pas një karriere të mahnitshme në shkollë, ai u diplomua në vitin 1873, në Universitetin e Vjenës… /Albert Vataj /KultPlus.com
Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953), një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptar i panjohur në ditët e sotme.
Ai ishte një nga intelektualët më të spikatur, pedagog, publicist, jurist, filozof, poet por Ivanaj dallonte dhe për cilësitë e karakterit të tij, si një njeri serioz, patriot, trim, i palëkundur në bindjet e tij, idealist, i ndershëm por mbi të gjitha ai do të mbahet mend për drejtësinë ekzemplare që shpaloste në jetën e përditshme dhe në veprimtarinë e tij në punët e shtetit.
Ivanaj rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi, ku mësimet e para i mori në Mal të Zi dhe Serbi, kurse studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy laura për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj. Duhet nënvizuar se në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja të përvetësuara falë intelektit të tij të shfaqur që në vogëli dhe vullnetit të tij të palëkundur. Ivanaj, gjatë studimeve në Itali dhe më pas kur u kthye në Atdhe duke ju përkushtuar punëve tepër delikate që iu ngarkuan, ka bërë një jetë të veçuar, i lidhur ngushtë me librin, fletoret, dokumentet që hartonte.
Pasi erdhi në Atdhe, në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti. / KultPlus.com
Le të zbulojmë se kush është Pablo Neruda. Historia e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, i cili. Ka marrë çmimin prestigjioz Nobel për letërsinë.
Pablo Neruda është padyshim një nga personazhet më me ndikim të shekullit XX. Përveç që ishte një pikë referimi e letërsisë së Amerikës Latine, ai ishte politikan dhe diplomat dhe luftoi për Kilin, vendlindjen e tij. Poeti lindi në Parral, me emrin Ricardo Eliécer Neftalí Reyes Basoalto, më 12 korrik 1904. Prindërit e tij. José del Carmen Reyes Morales dhe Rosa Neftalí Basoalto Opazo, ishin punonjës hekurudhe dhe mësuese. Nëna e tij vdiq nga tuberkulozi kur Pablo ishte ende fëmijë.
Interesimi i Pablo Nerudës për letërsinë dhe poezinë erdhi me adoleshencën dhe mbi të gjitha falë inkurajimit të poetes Gabriela Mistral, e cila ishte profesorja e tij. Edhe pse babai i tij ishte kundër këtij pasioni, nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeç poeti filloi të botojë shkrimet nën pseudonimin Pablo Neruda. Emri u zgjodh në nderim të shkrimtarit Jan Neruda, me origjinë nga Republika Çeke, dhe për të mos lejuar që babai i tij ta pengonte të realizonte ëndrrën e tij. Në moshën njëzet e tre vjeç, pasi kishte botuar tashmë vëllimin e parë në vargje të quajtur Crepuscolario, Neruda u transferua në Birmani.
Iu desh të lëvizte për të ndjekur një karrierë diplomatike si konsull. Në vitet e kaluara në Azinë Juglindore ai u martua me bankieren holandeze Maryka Antonieta Hagenaar Vogelzang dhe vazhdoi të shkruajë poezi. U kthye në Kili pasi kishte mbajtur rolin e konsullit në Buenos Aires, Barcelonë dhe Madrid. Në vitin 1945 ai u bë senator i Partisë Komuniste të krahinave kiliane të Antofagastas dhe Tarapacás. Për shkak të një mosmarrëveshje me Presidentin Videla ai u detyrua të largohej nga vendi në 1949 dhe të jetonte në mërgim.
Më 21 tetor 1971 ai u bë poeti i tretë i Amerikës së Jugut, pas profesores Gabriela Mistral dhe Miguel Ángel Asturias, i cili u dekorua me Çmimin Nobel për letërsinë. Rreth dy vjet më vonë, kur qeveria e Augusto Pinochet u krijua në Kili, Pablo Neruda vdiq në Santiago de Kili më 23 shtator 1973. Vdekja e tij është ende e mbështjellë me mister: raportet zyrtare thonë se ai vdiq për shkak të një tumori, por shumë besojnë se poeti ishte viktimë e një vrasje të urdhëruar nga Pinocheti. / bota.al/ KultPlus.com
Godina historike e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Tiranë, ndërtuar në vitin 1924, po i nënshtrohet një restaurimi të thellë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga punimet restauruese, të cilat do të transformojnë godinën e Teatrit të Kukullave.
Godina historike e Teatrit të Kukullave po i nënshtrohet restaurimit, si pjesë e programit EU4Culture Albania dhe zbatuar nga UNOPS.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme edhe në këtë godinë monumentale. Projekti përfshin restaurimin e çatisë, muraturës dhe ruajtjen e elementëve origjinalë.
Godina e “Teatrit të Kukullave” në fillim u ndërtua nga austriakët dhe më pas në vitin 1925 pjesa e mbetur u përfundua prej shtetit shqiptar. Gjatë viteve 1925-1944 ka shërbyer si selia e legjislativit shqiptar. Më pas kjo ndërtesë shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas përfundimit të luftës ky objekt shërbeu edhe si Shtëpia e Pionierëve.
Pas kësaj, përfundimisht në të u vendos Teatri i Kukullave sikurse shërben edhe në ditët e sotme./atsh/ KultPlus.com
Pedagogu i shquar dhe kompozitori me gamë të gjerë të krijimtarisë në muzikën klasike, Vinçenc Gjini, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.
Gjini vdiq të enjten në Istër të Kroacisë ku jetonte prej vitit 1992.
Vinçenc Gjini lindur më 22 janar të vitit 1935 në Ferizaj, Kosovë. U diplomua për teori dhe pedagogji muzikore në Akademinë e Muzikës në Beograd; në Shkup studioi dhe u diplomua për kompozim. Punoi kryesisht si pedagog në SHLP-dega e muzikës dhe në Akademinë e Arteve (FA-dega e muzikës). Pavarësisht nga fillimet disi të vona krijuese, ai arriti të krijonte një numër të konsiderueshëm veprash të formave të ndryshme të muzikës serioze, midis të cilave bëjnë pjesë: tri simfonitë, Simfonieta, 10 kantatat (jo të mëdha), Sonata për violinë e piano, Variacionet për klarinetë e piano, cikli i vogël i këngëve solo Letrat, disa këngë korale, përpunime e stilizime. Faktura e veprave të tij simfonike është e qartë, me simetri dhe ekuilibër klasik, me harmoni neoromantike me përdorim të shpeshtë të bazës tonale modale dhe mjaft herë me tingëllim të melosit popullor shqiptar. Është gjithashtu autor i një numri të konsiderueshëm veprash të muzikës kishtare.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat në Krasica të Istrës së Kroacisë. / KultPlus.com
Sonte KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në New York, ku në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shkruan KultPlus.
Osmani së fundmi ka ndarë një fotografi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.
“E informova atë [sekretarin Blinken] për zhvillimet e fundit që nga takimi ynë i fundit dhe e falënderova për angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter, derisa në takim është bashkë me minsitren e Jashtme, Donika Gërvalla me sekretarin amerikan Blinken. /KultPlus.com
Profesori Valon Murtezaj është nominuar për “Çmimin për Ekselencë në Mësimdhënie”, në IESEG një nga shkollat më të mira në botë në fushën e menaxhimit, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë profesori, duke publikuar një postim në “Facebook”.
“Nominimi është mirënjohje në vete, për cilësinë dhe përfshirjen e profesorit në mësimdhënie cilësore dhe në suksesin e studentëve. Sido që të jetë vendimi final, për mua është nderim dhe privilegj jetësor të jem në mesin e profesorëve finalistë në kuadër të programeve të studimeve master (postgraduate), kolegëve e miqve profesorë eminentë të botës në fushat e tyre të shkencës dhe mësimdhënies. Në veçanti falenderoj studentët që vijnë nga të gjitha kontinentet për vlerësimin që më kanë bërë”, thuhet në postimin e tij mes tjerash.
Murtezaj kishte pranuar këtë çmim vitin e kaluar. /KultPlus.com
Është mbajtur për herë të parë në Kosovë Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, një ndër ngjarjet më të mëdha në sektorin e TIK-ut, shkruan KultPlus.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se eventi është organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).
Postimi i plotë:
Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor
Ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), që ka filluar në kuadër të Procesit të Berlini, u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.
Prishtina ishte nikoqire e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, edicioni i pestë, i organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).
Në këtë samit dy ditor, me 9 panele e 16 ngjarje anësore, morën pjesë rreth 500 pjesëmarrës, më shumë se 200 biznese, mbi 30 organizata joqeveritare, e më shumë se 60 folës, përfshirë anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të qeverive, përfaqësues të Bankës Botërore, akademisë, përfaqësues të bizneseve nga Ballkani Perëndimor, BE dhe më gjerë.
Shkathtësitë digjitale, infrastruktura digjitale, siguria kibernetike e ekonomia digjitale, janë theksuar gjatë samitit si prioritete nga shtetet e rajonit në fushën e digjitalizimit.
Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së sektorit të TIK-ut në Kosovë. Në bashkëpunim me BE-në dhe Bankën Botërore janë duke u trajnuar mbi 3.500 të rinj në fusha të ndryshme të TIK. Këtë vit kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes dhe 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM.
Rinia jonë e aftë në teknologji dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve tonë, është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital. Me këtë synojmë avancimin e administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.
Javën e kaluar në Qeveri e aprovuam Ligjin për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, Kjo agjenci do të kontribuoj në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Këtë javë bëmë lansimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor që ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.
Në kuadër të zhvillimit të e-Qeverisjes, disa nga shërbimet e digjitalizuara që janë lansuar në portalin eKosova përfshijnë: pagesat elektronike për shërbime qeveritare, certifikatat online të gjendjes civile, vazhdimin e regjistrimit të veturës për qytetarë dhe biznese, shërbimet online për aplikim për shtesa për fëmijë e lehona, si dhe një sërë shërbimesh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Sot portali eKosova ka mbi 690 mijë shfrytëzues të regjistruar. Deri më tani janë realizuar mbi 630 mijë përdorime të shërbimit të faturës së tatimit në pronë, mbi 425 mijë përdorime të shërbimeve për gjobat në trafik, dhe mbi 133 mijë përdorime të shërbimeve për automjete.
Jemi duke bërë hapat e parë drejt hapjes së dyerve për pilotimin dhe zbatimin e rrjeteve 5G.
Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët. Mbesim të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit. /KultPlus.com
Regjisori nga Kosova, Besim Ugzmajli, është nominuar për të fituar çmimin më të mirë ndërkombëtar të filmit të shkurtër në Milledgeville and Eatonton Film Festival, SHBA, shkruan KultPlus.
“ME Film Festival”, ka njoftuar për nominimin e Ugzmajlit me filmin e tij “Ditë e Kuqe”.
Filmi “Ditë e Kuqe” ka udhëtuar nëpër shume vende të botës duke fituar çmime të ndryshme.
Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve paraqiten te filmi “Ditë e Kuqe”. /KultPlus.com
Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal. Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri. Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh. Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë. E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj. Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka shkruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të ndarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkruan KultPlus.
Në një ceremoni solemne të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot iu dha titulli “Doctor Honoris Causa” trajnerit dhe selektorit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai u vlerësua për kontributin e dhënë në fushën e sportit, rezultatet e arritura në xhudo në arenën ndërkombëtare dhe kontributin që ka dhënë në afirmimin dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.
Kuka është propozuar për këtë çmim nga dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi dhe senati i UP-së, me në krye rektorin, prof. dr. Naser Sahiti, i ka dhënë këtë titull nderi trajnerit.
Në këtë ngjarje e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përfaqësues të institucioneve, kampionët olimpikë dhe personalitete të rëndësishme nga fusha e sportit. /KultPlus.com
Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.
Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.
Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».
Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze :
« Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.
Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.
E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.
Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.
Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.
I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».
***
Z. Drioux :Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?
Avni Rustemi :Oh, kanë folur shumë për të !
Z. Drioux :Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.
***
Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.
…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.
***
Z. Drioux :Çfarë burimesh financiare keni ?
Avni Rustemi :Pak më shumë se 6000 lireta.
Z. Drioux :Nga vijnë këto para ?
Avni Rustemi :Nga vëllai im.
Avokati i Rustemit, De Monzie :Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.
***
Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.
***
Avni Rustemi :Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.
Z. Drioux :Dhe pastaj, ju qëlluat ?
Avni Rustemi :Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !
Z. Drioux :Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.
Avokati i Rustemit, De Monzie :Franca ka besuar disa herë gabimisht.
***
Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :
Avni Rustemi :Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.
***
Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.
***
Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.
Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.
***
Avokati i Rustemit, De Monzie :Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?
***
Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.
Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.
***
Z. Julia :Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.
Avokati i Rustemit, De Monzie :Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »
***
Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.
Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.
Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës organizon ngjarje përkujtimore për 16 vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit Muharrem Qena, transmeton KultPlus.
Aktiviteti do të filloi nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës Alternative, Defy Them.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist.
Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale. /KultPlus.com