“Peza Adventure Festival”, 2 ditë promovim turizmit dhe sportit

Edicioni i parë i “Peza Adventure Festival” do të mbledhë  sot dhe nesër adhurues të natyrës, sporteve, lojërave dhe aktivitetit fizik. Ky festival ka në fokus promovimin e turizmit, sporteve me kuaj dhe shumë disiplinave të tjera sportive në Pezë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot qytetarët të marrin pjesë në festivalin që promovon turizmin përmes sporteve në natyrë, nga gara me kuaj, te ecja dhe çiklizmi, por do të ketë edhe ping pong, volejboll, judo, basketboll.

Gjatë festivalit do të organizohen aktivitete të disiplinave të ndryshme sportive. Larmia e lojërave dhe garave, si dhe hapësirat e përshtatshme të zonës, mundësojnë përfshirjen e shumë pjesëmarrësve, të cilët përgjatë dy ditëve do të kalojnë kohë argëtuese me familjen apo miqtë.

Një vëmendje të veçantë në këtë festival do të kenë sportet me kuaj si dhe Fondacioni ‘‘Miqtë e Kuajve’’, përfaqësuar nga Arjan Rugji. Gjatë festivalit, do të kryhet një demonstrim sportiv me kalorës profesionistë, një paradë me kuaj, shëtitje me kuaj në natyrë si dhe certifikimi i disa kalorësve të spikatur.

Të ftuar do të jenë sportistë të suksesshëm dhe kampionë nga disiplina të ndryshme sportive, si Klodiana Shala, Deborah Keci, Alban Beqiri, Denis Nurja, Juirdo Cani,etj. / atsh / KultPlus.com

Kuka kritikon gjeneratat e reja: Rrjetet sociale, shisha e konsumimi i alkoolit penguesit kryesor të zhvillimit të tyre

Trajneri i suksesshëm i xhudos, Driton Kuka, ka publikuar sot një shkrim ku kritikon gjeneratat e reja që nuk po bëjnë sport sa duhet për prezentim dinjitoz të vendit e popullit e më shumë për interesa personale e materiale.

Kuka potencon se shisha dhe konsumimi i alkoolit janë bërë penguesit kryesor.

“Nga këndi i trenerit… Xhudo po vazhdon me rritjen e rezultateve në fakt emra të rinj po dalin në skenë, rrjedhimisht sukseset po vazhdojnë me një kontinuitet!”, është shprehur Kuka.

“Si trener kur kam në duart e mia një talent zakonisht e di rrugën me ngrit drejt majave Evropiane, Botërore e Olimpike por … Lëndimet, rrjetet sociale, jeta josportive që përfshin qëndrimin deri vonë, besa edhe shisha e konsumimi i alkoolit tashmë janë ba penguesit kryesor të rritjes në nivele Kulminante!”, shtoi ai.

“Një problem i ri që ska ekzistuar në të kaluarën është që gjeneratat e reja më pak po bajnë sport për prezentim dinjitoz të vendit e popullit e më shumë për interesa personale e materiale!”.

“Kjo po del tash problemi kryesor! Gjenerata tjera, mentalitet tjetër”, shkruan Kuka. / KultPlus.com

Osmani takohet me Fischer, diskutojnë për sportin dhe Lojërat Olimpike 2024

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani sot priti në takim Ambasadoren për sport të Republikës së Francës, Laurence Fischer, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë për të marr pjesë në konferencën e diplomacisë sportive, që organizohet në bashkëpunim mes Ambasadës Franceze në Kosovë dhe Kolegjit AAB, në kuadër të javës frankofone.

Bashkë diskutuan për gjendjen aktuale në sport, sukseset e arritura në garat ndërkombëtare dhe proceset tjera të rëndësishme në zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit në Kosovë.

Temë diskutimi ishte edhe rëndësia e fuqizimit të sportit për të gjithë dhe zhvillimi i sportistëve të rinj, duke ju ofruar atyre mundësi për pjesëmarrje në kampe të ndryshme stërvitore pranë trajnerëve të nivelit të lartë ndërkombëtar, të cilat organizohen në Francë dhe në shtete të ndryshme evropiane.

Ambasadorja Fischer tregoi nismat inovative që po ndërmerr shteti francez në kuadër të organizimit të Lojërave Olimpike verore Paris 2024, me qëllim të promovimit sa më të mirë të vlerave të vendit.

Duke përmendur përvojat e shtetit francez në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive, ajo shprehu gatishmëri për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për ofrimin e mbështetjes në forma të ndryshme për organizim të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare sportive edhe në Kosovë.

Në këtë takim ajo ishte e shoqëruar nga Atasheu për bashkëpunim në Ambasadën Franceze, Cecilia Maronnier, si dhe menaxheren e projektit në delegacionin për sport të Ministrisë Franceze për Evropë dhe Punë të Jashtme, Marie Roy. /KultPlus.com

Ministri Çeku: Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport

Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë gjithsej 335 mijë euro për mundësimin e qindra nxënësve në pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri, përcjell KultPlus.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka publikuar një postim në rrjetet soicale duke thënë se të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport.

Sot zotuam mbështetjen e radhës për sportin shkollor në Kosovë. Bashkë me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendës Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, Rektorin e Universitetin të Prishtinës, Naser Sahiti, Dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku nënshkruam marrëveshjen në vlerë 335 mijë Euro që u mundëson qindra nxënësve pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri.

Së fundmi kemi zotuar mjete në vlerë prej 100 mijë eurove për Federatën e Sportit Shkollor për organizimin e garave sportive në shkollat fillore të Kosovës. Gjithashtu, me 100 mijë Euro po mbështesim Federatën e Sporteve Universitare për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll gjatë vitit 2022.

Të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport. Qeveria jonë po punon intensivisht dhe po vepron konkretisht për të arritur këtë synim. Duke e masovizuar sportin shkollor e universitar, ne zbulojmë talentë, parandalojmë devijime, mbrojmë shëndetin. Gjatë mandatit tonë, krahas rritjes së mbështetjes për sportin shkollor dhe universitar, po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshi hapësirat sportive të shkollave. Bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, bashkë edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe komunat është parakusht i suksesit.

Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport“, thuhet në statusin e tij. / KultPlus.com

Pesë milionë euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, në mënyrë që këto fusha të fuqizohen akoma më shumë, përcjellë KultPlus.

“Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale”, ka shkruar MKRS-ja.

Tutje, ata bënë të ditur se në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.

Po ashtu, është konsideruar se kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

Pesë milionë Euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë Euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Përmes kësaj mbështetje shtesë synojmë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia.
2.5 milionë Euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale. Në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.
Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë Euro. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë, rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen aktive.
Ndërsa dy milionë Euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit. Skema e mbështetjes për sportin synon të përkrahë organizata dhe individë që promovojnë konceptin e ‘sportit për të gjithë’, sportistët, klubet sportive dhe federatat.
Thirrjet publike do të hapen së shpejti, ndërsa ne do t’ju mbajmë rregullisht të informuar për të gjitha detajet për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes. / KultPlus.com

Ndahen mjetet financiare nga fondi emergjent për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë

Kryeministri Avdullah Hoti vizitoi sot Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku me këtë rast mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave mes MKRS-së dhe 38 Federatave Sportive të Kosovës, për ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Memorandumet të cilat u nënshkruan sot ndahen nga fondi emergjent dhe kapin vlerën prej 1 milion e 539 mijë euro ku rrjedhimisht do të përfitojnë 627 klube sportive nga të gjitha kategoritë sportive, pra përfitues janë mbi 26.000 sportistë aktiv që ushtrojnë aktivitete në këto klube sportive.

Gjatë vitit 2020 Qeveria e Kosovës ka mbështetur me 3 milionë e 985 mijë euro për investime kapitale në përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Përmes subvencioneve të ndryshme përgjatë vitit 2020 klubet sportive janë ndihmuar edhe me 2,586,540.20 euro.

“Qeveria e Kosovës ka treguar përkushtim dhe vëmendje maksimale ndaj dikastereve të MKRS-së duke mbështetur financiarisht kulturën e sportin në përballjen kundër Covid-19 dhe duke pasur në vëmendje artistët e sportistët si kategori e prekur nga situata aktuale”, ka thënë Dumoshi. / KultPlus.com