Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë? S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ? O ëngjëll I bukur mos meno në botë Kthehu të të shomë të na mbeten lotë
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare
Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë E ke lenë foshnje tani u bë burrë S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë
Për ty shumë herë çoç do të më thotë Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë
O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë Kur i more mëmën dhe më le të gjallë Të më keshe marrë do të qe më mirë Dhe të rronte mëma të rriste të birë Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë Doje dritë o qiell more dritën time dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com
Hapësirat publike në kreqytet shumë shpejt do të vëzhgohen nga kamerat, kështu bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se sot u nënshkrua marrëveshja me Policinë për vendosjen e sistemit të kamerave.
“Tash e sa kohë jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës për hartimin e marrëveshjes për vendosjen e sistemit të kamerave dhe mënyrën e mirëmbajtjes së rrjetit të kamerave në hapësirat publike të Kryeqytetit, marrëveshje e cila u nënshkrua sot” – tha Rama.
Ai theksoi se së bashku me organet e rendit do të realizojnë aktivitete të përbashkëta për sigurinë në kryeqytet.
“Bashkë me Policinë e Kosovës u zotuam se do të koordinojmë aktivitete të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë në hapësirat publike të Kryeqytetit” – theksoi ai./ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është pasuruar me mbi 1 milion njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll.
Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe, etj., dhe dokumente të karakterit religjoz.
Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente gjenden edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse.
Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.
Kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë./ atsh/ KultPlus.com
Më 1 shtator 1939 avionët ushtarakë gjermanë shkatërruan qytetin e vogël polak, Vielun. Bombardimi i Vielunit shënoi jo vetëm fillimin, por edhe krimin e parë të Luftës së Dytë Botërore.
“Nga gjumi më zgjuan sirenat e alarmit. Në fillim nuk e dija, se çfarë po ndodhte. U ngrita nga shtrati dhe i pashë prindërit në ballkon. Nëna i tha babait, se ndoshta është një test alarmi. Edhe babai mendonte kështu dhe ishte i habitur, që kjo bëhej në orët e para të mëngjesit”, rrëfen Jan Tyszler, lindur në vitin 1933 në bisedë me Deutsche Wellen. Në të vërtet ranë bombat në Vielun – bombat e para të Luftës së Dytë Botërore.
Një sulm i papritur
Jan Tyszler kujton, se që në fund të gushtit 1939 “lufta ndjehej në ajër” dhe se gjithmonë flitej për të. Por askush nuk e kishte menduar, se qyteti i tij Vielun do të bëhej objekt sulmi i aviacionit ushtarak gjerman.
Vielun, më shumë se 200 kilometra në jugperëndim të Varshavës është sot një qytet i qarkut. Në vitin 1939 ai ndodhej vetëm 20 kilometra larg kufirit gjerman. Nga ana strategjike nuk kishte asnjë rëndësi. Ky qytet nuk ishte as pikëlidhje rrugësh, nuk kishte urë, që duhej mbrojtur. Për këtë arsye ishin stacionuar shumë pak ushtarë polakë.
Krimet e para të luftës
“Që me bombat e para ne shkuam shpejt në ofiçinën në anë të shtëpisë, ku babai punonte si mekanik . Aty qëndruam në gropën, mbi të cilën kalonin makinat për kontroll. Dridheshim nga frika. Pasdite ishim të vetmit me shtëpinë ende të parrënuar. Të gjitha ndërtesat ishin shkatërruar.”
Familja e Jan Tyszlerit, si shumë familje të tjera e braktisi qytetin po atë ditë. kur Vehrmahti hyri në qytet gjeti vetëm disa qindra banorë. Sulmi kundër Vielinut me 87 bombardues u urdhërua nga Wolfram von Richthofen. Në prill 1937 ai ishte kreu i shtabit të Legjonit Condor, përgjegjës për shkatërrimin e qytetit bask Guernica, ku mijëra civilë humbën jetën. Taktikën e atëhershme të luftës me bombardime në stil të gjerë, një taktikë që pranonte edhe çmimin e vrasjes së civilëve si pjesë e luftës, von Richthofen mund ta ritestonte në Vielun. Pa humbje për vete, sepse nuk llogaritej me rezistencë të qytetit ende në gjumë, e ku kishte shumë pak forca ushtarake.
Bombardimi i Vielunit shënoi krimin e parë të Luftës së Dytë Botërore. Në disa sulme ajrore nga ora 4:35 e mëngjesit deri në orën 14:00 pasdite qyteti u shkatërrua 70%.
Provokime para luftës
Sulmit ndaj Polonisë i paraprinë disa aksione të trilluara, me të cilën makineria e propagandës së Rajhut të III kërkonte të justifikonte sulmin. Një nga provokimet më të njohura ishte sulmi kundër transmentuesit gjerman, Glajvitc (Gleiwitz) në afëri të kufirit polak. Në pasditen e 31gushtit 1939 disa anëtarë të SS-ve erdhën në civil, por të armatosur për të transmentuar prej aty thirrjen për gjoja kryengritjen e polakëve që jetonin në Rajhun e III. Disa media të tjera gjermane raportuan për rebelët polakë në tokën gjermane, që me gjasë merrnin mbështetje edhe nga ushtria polake. Kështu Hitleri duke inskenuar gjermanët si viktima përpiqej të mobilizonte ushtarët e tij.
Sulmi në Vesterplate
Dhjetë minuta pas sulmit në Vielun pasoi bombardimi i Vesterplate, në afërsi të Gdanskut. Në këtë qytet gjermanët dhe polakët kishin një marrëdhënie të tensionuar. Gdansku i banuar kryesisht nga gjermanë, në Marrëveshjen e Versajës pas Luftës së Parë Botërore u deklarua qytet i lirë, jo më nën kontrollin e Rajhut. Porti, dogana dhe hekurudha ndodheshin në administrimin polak dhe pranë Balltikut, Polonia kishte stacionuar kazerma ushtarake dhe ushtrinë.\
Më 1 shtator 1939, gjermanët sulmuan kazermën me municion. Sulmet kundër Gdanskut zgjatën afër një javë. Në një kohë që viktimat nga pala gjermane llogariten afër 3.400 vetë, nga pala polake flitet për 15 të vrarë. Në Poloni mbrojtja e Vesterplate para fuqisë së padiskutueshme ushtarake gjermane shihet si simboli i heroizmit polak. Prej dekadash fëmijët polakë mësojnë, se oficerët gjermanë kanë salutuar ushtarët polakë në nderim të luftës së tyre të guximshme, kur ata duhej të largoheshin të kapitulluar.
Kujtesa për Vielunin
Gdansk dhe Vesterplatte shihen ende sot si simbole të fillimit të luftës. Në jubiletë përkujtimorë qeverisja e partisë PiS nuk harron të zbatojë politikat e saj aktuale. Që këtë vit si presidenti polak ashtu edhe qeveria nuk udhëtojnë në Gdansk në orët e para të mëngjesit, por në Vielun, ku për herë të parë është ftuar edhe presidenti gjerman, Steinmeier nuk është rezultat i ndonjë zbulimi të ri historisë.
Gdansk është një nga bastionet e fundit të opozitës në Poloni, ceremonitë përkujtimore aty përcaktohen shumë nga zërat e opozitës polake. Vesterplate është po ashtu një temë grindjeje mes PiS dhe opozitës liberale, që kryeson bashkinë. Kjo sepse PiS pjesën historike e ka integruar në Musuen e Gdanskut për Luftën e Dytë Botërore, e me këtë e ka kthyer në instrument të luftës së saj për ndërgjegjen historike të polakëve.
“Me siguri është më e lehtë të flasësh për ceremonitë përkujtimore me dikë, që është më i hapur ndaj qendrave të pushtetit në Poloni, se me persona që janë më pak të afruar”, tha zëdhënësi i presidentit në pranverën e këtij viti, kur u mor vendimi që hapja e ceremonive përkujtimore të zhvendosej në Vielun. Me këtë ai indirekt përmend edhe atmosferën në qytetin Gdansk. Qytetarët aty janë ende nën shok pas vrasjes së kryetarit të bashkisë, Pavel Adamovicz.
Çdo vit në orët e para të mëngjesit të 1 shtatorit qytetarët e Vielunit zgjohen nga sirenat e alarmit, që kujtojnë sulmin e Gjermanisë naziste para 80 vjetësh. Jan Tyszler që ishte atëherë 6 vjeç, vjen çdo vit në Vielun. “Dëshira ime është që gjithmonë të dëgjojmë sirenat simbolike dhe kurrë më të vërtetat”, thotë 86 vjeçari. Vizitën e presidentit gjerman, Steinmeier në Vielun ai e sheh si një gjest që duhej bërë prej kohësh./balkanweb/ KultPlus.com
Me sloganin “Hernation. Collective Future”, për herë të parë në Kosovë dhe rajon, vjen festivali “WUMAN”.
Ideuar, organizuar dhe fuqizuar nga gratë, WUMAN mbledhë në Kosovë gratë dhe vajzat DJ, më me ndikim dhe më në zë të muzikës techno-electro për festivalin një ditor.
Me 10 Shtator, që nga ora 8:00 do të nisin aktivitetet e festivalit.
WUMAN do të mbahet në Ferizaj, nën mbështetjen e Qeverisë Japoneze, CDF-së dhe Komunës së Ferizajt.
Qëllimi kryesor i festivalit është promovimi i vlerave dhe pozitës së gruas në fushën artistike dhe ndikimi i saj në zhvillimin kolektiv.
Tashmë është publikuar edhe LINEUP me emrat të cilët do të performojnë: Dani Ramos nga Berlini, Hatari nga Zvicra, Pa Emër nga Tirana, Ivana Dragsic nga Shkupi dhe Dona K nga Zvicra.
Përpos muzikës, festivali do të përfshijë edhe aktivitete të tjera gjatë ditës, me temë dhe theks të vecantë zhvillimin e gruas.
Festivali është i hapur për të gjithë ata që e njohin dhe e pëlqejnë muzikën elektronike.
Wuman synon të zgjerohet dhe të depërtojë edhe në rajon në edicionet e radhës./ KultPlus.com
KEDS njofton qytetarët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3.
Megjithatë, KEDS thekson se kursimi është i domosdoshëm dhe fton konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike.
Njoftimi i plotë:
Stabilizohet situata e furnizimit me energji elektrike pas rikthimit të bllokut B2 dhe A3
Njoftojmë konsumatorët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin.
Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm! Prandaj, ftojmë konsumatorët t’i bashkohen thirrjes sonë për kursim të energjisë sepse çdo kilovat është i rëndësishëm të kursehet duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë botën.
Ne në vazhdimësi do ju përcjellim udhëzime praktike se si mund ta kurseni energjinë elektrike dhe ta përdorni racionalisht.
Në këto rrethana të vështira, ajo se çfarë na duhet është të jemi të bashkuar për tejkalimin e krizës.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se e mirëpret fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi për lirinë e lëvizjes.
Hovenier shkroi në Twitter se liria e lëvizjes është thelbësore për marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.
Ambasadori amerikan tha se presin të shohin përparim edhe në çështje të tjera në muajt e ardhshëm.
“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrje/daljeve. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën & Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, shkroi ambasadori Hovenier./ KultPlus.com
Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen me edicionin e tij të 20-të, si një histori suksesi, që nisi në 2003 dhe tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të Ballkanit dhe Europës.
Festivali, i cili do të zhvillohet nga 24 deri në 30 shtator, për herë të parë do të ketë “Official Partner”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Organizatorët krenohen që Tirana International Film Festival është përzgjedhur ndër 29 festivalet më të mira europiane, përkrahë simotrave të Venecias, Kanës, Lokarnos e Berlinit, për të kandiduar filma në “European Film Academy Awards”. Të frymëzuar nga ky vlerësim maksimal, organizatorët shprehen se kanë dhënë maksimumin që edhe edicioni i 20-të të jetë i suksesshëm. Një tjetër arritje e këtij festivali është fakti se Akademia “Oscar” ka TIFF, si një nga festivalet zyrtare me atributin e nominimit për “Oscar” për Çmimin e filmit të shkurtër.
Tiff vjen në këtë edicion me një numër rekord aplikimesh, program të pasur dhe premiera.
Komisioni Ndërkombëtar Përzgjedhës sugjeron më shumë se 100 filma të cilët do të garojnë në kategoritë: Feature (të gjitha zhanret), EYE on TIFF, Film Aksion I shkurtër, Animacion, Film dokumentar (të të gjitha gjatësive), filma studentore, Video Art & Eksperimental, Filma Ballkanike & Film shqip.
Përveç filmave që garojnë për çmimet TIFF, organizatorët I kanë kushtuar një hapësirë të veçantë programeve speciale dhe projektimeve jashtë gare, që kane lidhje me tematika me ndjeshmëri të lartë sociale, të përmbledhura në seksionin “Panorama”.
Ky edicion, sipas themeluesit e drejtorit të TIFF, Agron Domi, do të ketë një vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve, të cilët do të mund të ndjekin filmat e përzgjedhur, të ndara në 2 nën-kategori sipas moshave; KIDs Program -10 dhe KIDs Program +11, filmat e të cilave do të projektohen pranë Liceut Artistik./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës është duke bërë përgatitjet për projektin: “Ndërtimi i Fushës së Minigolfit”.
Duke e vlerësuar bashkëpunimin me qytetarët, Komuna e Prishtinës fton qytetarët në një takim konsultativ për të diskutuar rreth këtij projekti.
Takimi do të mbahet të enjten, me datë 08 shtator 2022, duke filluar nga ora 17:00 deri në orën 18:00, në Parkun e Taukbahçes, pranë Restaurant “Parku”. / KultPlus.com
Në datat 3 dhe 4 shtator, Shoqata shqiptare “Nënë Tereza” organizon në Trento dhe Bolzano dy aktivitete kulturore me pjesëmarrjen e autorit arbëresh Mario Cliva dhe pianistes shqiptare me banim në Zvicër Ermira Lefort.
Gjatë këtyre dy mbrëmjeve do të prezantohet vepra “NOSTALGJIA” e Mario Calivàs, një histori dinjitoze edhe pse me lotët e dramës, të largimit nga trojet e veta, me mbijetesën plot punë, për jetën , kulturën e traditën, integrimin, jo thjesht për të frymuar…
Në dy evente në Itali, në shtator, do ngjyrosin rrëfimin Monodramës të Mario Calivà, fotot e tij magjike aktuale, të vajzave, djemve, fëmijëve, veshur me vezullimin e veshjeve arbërore, bashkë me tingujt klasikë, romantikë, arbërorë, shqiptare.
E gjitha kjo shoqërohet në piano nga pianistja, Ermira Lefort që për herë të dytë i bashkëngjitet këtij prezantimi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Zëvendësuesin e zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, takuan zyrtarët përgjegjës të programeve rehabilituese brenda institucioneve korrektuese, organizatat nga shoqëria civile, si dhe partnerët strategjik të SHKK-së, ICITAP dhe EULEX.
Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidave kryesore, me të cilat përballen institucionet korrektuese, veçanërisht mbi fushën e rehabilitimit për të burgosurit, e veçanërisht për të miturit.
Gjatë takimit, palët u dakorduan që bashkërisht të punojnë në hartimin e një plani të ri, i cili do të mundësojë një reformë të thellë në trajtimin e personave të mbajtur në institucione korrektuese. / KultPlus.com
Kolegji Universum dhe Knappschaft Kliniken nga Gjermania kanë zhvilluar një akademi të përbashkët të arsimit profesional “Shkollim dhe Punësim në Gjermani”. Në kuadër të kësaj akademie, Kolegji Universum dhe Knappschaft Kliniken kanë hapur thirrjen për BURSA TË PLOTA për maturantë për studime në Programin Infermieri në Kolegjin Universum (Kampusi Ferizaj).
Ky program përgatitor u shërben maturantëve të përzgjedhur që të ndjekin studimet në periudhën prej 18 muajsh (tre semestra) në Kolegjin Universum në Ferizaj, për të vazhduar më pas shkollimin e rregullt trevjeçar (ausbilding) në Gjermani. Kandidatët e suksesshëm që mbarojnë shkollimin (ausbildung), e kanë të siguruar punësimin në qendrat mjekësore që ka në menaxhim Knappschaft Kliniken.
Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet përmes testit vlerësues dhe intervistes. Maturantët e përzgjedhur do të studiojnë vitin e parë në Kolegjin Universum dhe vazhdojnë vitin e dytë dhe të tretë në Gjermani. Aplikimi bëhet online përmes këtij linku https://bit.ly/3bvXNLG
Pra të gjithë maturantët e përzgjedhur përfitojnë: – Shkollim FALAS në Programin Infermieri në Kolegjin Universum (Kampusi Ferizaj) dhe në Gjermani; – Kurs FALAS të Gjuhës Gjermane në Universum; – Asistencë për aplikim për vizë dhe qëndrim në Gjermani; – Banim, sigurim shëndetësor dhe kushte për jetesë, të siguruara në Gjermani gjatë studimeve; – Punësim i Garantuar në Gjermani;
Dy arbërorët e mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në Austri dhe në mbarë Botën: Karl Ghega la gjurmë në fushën inxhinierisë, dhe Aleksandër Moisiu në atë të aktrimit.
Në lidhje me këtë do ta nënvizoj një gjë këtu: kur dramaturgu, mjeku dhe shkrimtari Friedrich Wallisch kishte mbajt një leksion me Temën më të dashur të tij mbi historinë e popullit shqiptar (Ö.i.Z.1928), të pranishmëve në sallë i kishte bërë pyetje retorike mbi prejardhjen e këtyre dy personaliteteve mbikohore.
„Të dashur zonja dhe zotërinj , e dini se nga e ka origjinën Aleksandër Moisiu? Të gjithë të pranishmit ngrinin supet duke mos ditur prejardhjen e tij të vërtetë.
„Aleksandër Moisiu ishte një arbëror. E keni ditur këtë ,nuk besoj se po“, ishte përgjigjja e tij.
A e dini se kush e ndërtoi hekurudhën Semmering? Karl Ghega u përgjigjen, plotësisht e saktë.
Por ,a e dini të dashur zonja dhe zotërinj se prej nga e ka origjinën ky gjeniu Ghega?
„Edhe ai ishte me origjinë arbërore…” / KultPlus.com
Dy arbërorët e mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në Austri dhe në mbarë Botën: Karl Ghega la gjurmë në fushën inxhinierisë, dhe Aleksandër Moisiu në atë të aktrimit.
Një Kaproll (Capreolus capreolus) është fotografuar për herë të pare në Peizazhin e Mbrojtur “Krast Vrion” në Krujë, nga specialistët e AdZM Durrës.
Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila thekson se ” përgjatë monitorimit në terren, specialistët u hasën me një kaproll, i cili për herë të parë shihet në lartësi 100 m mbi nivelin e detit. Kjo për shkak se habitati i tyre është terreni shkëmbor dhe kullotat e larta”.
Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë ka bërë të mundur vitet e fundit mbrojtjen dhe shtimin e kafshëve në peizazhet e mbrojtura dhe parqet kombëtare.
Në janar të këtij viti kaprolli u shfaq pas shumë vitesh edhe në rrugët e parkut kombëtar të Qafështamës./ atsh / KultPlus.com
“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.
“U zumë të dy aq shumë për punën Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”.
“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.
“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.
“E vërtetë e pabesueshme E mbajta në krah tërë ditën Edhe zemër i dhashë: ‘Mbahu!’ Të nesërmen ne fshat kur arritëm, U tha te tjerëve: ‘Më rrahu!’”
“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Republikën Çeke, ka takuar sot kryetaren e Dhomës së Deputetëve, Markéta Pekarová Adamová.
Sikurse edhe në takimet e tjera me zyrtarë të lartë të shtetit çek, edhe në këtë takim Osmani ka kërkuar përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës në përgjithësi. Presidentja ka ritheksuar se Kosova prej disa vjetësh ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar mbështetjen çeke që ky proces të përmbyllet nën Presidencën çeke të Këshillit të BE-së.
Të njëjtën përkrahje, Presidentja e kërkoi edhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas edhe në NATO.
“Ajo në veçanti diskutoi për rolin e rëndësishëm të parlamentarëve të Çekisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të na duhet përkrahje për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Në takim me Pekarová Adamová, Osmani, u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe, duke diskutuar për fusha të ndryshme në të cilat mund të thellohen më tej raportet dhe në këtë kontekst përmendi miqësinë e hershme të Kosovës me Republikën Çeke, që nga vitet e 80-ta dhe përkrahjen e palëkundur që Çekia ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com
Shtatori konsiderohet “muaji i trashëgimisë” dhe çdo ditë e tij, do t’i dedikohet trashëgimisë së qëndrueshme dhe aktivitetet do të kulmojnë me Ditën Europiane të Trashëgimisë.
Në kushtet e ndryshimeve klimatike, por edhe të ruajtjes së identitetit në një botë gjithnjë e më globale, vëmendja është drejtuar veçanërisht te ruajtja e trashëgimisë kulturore e qasja më e shëndetshme ndaj mjedisit, për të krijuar një të ardhme të qëndrueshme.
“Ringritja e Kullës C, në Durrës, pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, është simbol i këmbënguljes sonë, për të shkuar drejt kësaj së ardhmeje”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja ka renditur partnerët që mbështetën financiarisht këtë proces dhe pa të cilët realizimi do kishte qenë i pamundur: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeverinë Suedeze dhe Fondacionin “Prince Claus”./atsh / KultPlus.com
Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.
Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.
Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.
• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. • Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. • Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. • Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. • Mos jini kategorikë. • Gjithçka shikojeni me sy kritik. • Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. • Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta • Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. • Mos bëni asnjë punë shkel e shko. • Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. • Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. • Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. • Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se abetarja e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë është një vazhdim i punës së të parëve për gjuhën shqipe.
Ai, në ceremoninë e përurimit të abetares në Gjakovë, ka theksuar se fati i shkollës shqiptare ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit, sipas tij, raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik.
“Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejt dashuria për kombin, sot në gjirin e barazisë dhe lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë”.
“Në ditë si këto duhet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve, albanologëve, mësimdhënësve, studiuesve,kontribuuesve të parezervë, burrave dhe grave që e ruajtën gjuhën shqipe në kohët më të vështira e ruajtën pasurinë tonë të përbashkët. Jam i lumtur që andaj sot e kemi në duar këtë abetare për të cilën u zotuam me marrëveshjen e përbashkët nga mbledhja e dy qeverive tona”, ka thënë Kurti./klankosova/ KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet. Madje ata janë shprehur senesë nuk marrin përgjigje do ta radikalizojnë rezistencën.
“Dje, pas më shumë se shtatë orë protestë, përfaqësues/e të zyrës së Kryeministrit dolën për të dëgjuar kërkesat tona. Të pranishme/ëm ishin: Luan Dalipi, Rozafa Kelmendi, Përparim Kryeziu dhe Arta Berisha. Ne e dhamë fjalën e fundit që kjo Qeveri ka kohë deri të premten të zotohet se do të nisë punën për kërkesat tona ose ne do të thërrasim prapë protestë gjithëpopullore”, thuhet në njoftim.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka renditur edhe kërkesat për të cilat presin përgjigje.
Kërkesat mbesin këto:
1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray); 2. Shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj dhe që kanë zbutur dënimet nën minimumin kohëzgjatjes së dënimit për dhuniminpër rastet e dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave; 3. Shkarkim të zyrtarëve policorë dhe prokurorëve për neglizhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore ndaj grave; 4. Krijimin e mekanizmave efektivë të cilat e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarave të dhunës seksuale; 5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla
“Nëse Qeveria nuk na përgjigjet dhe ne nuk marrim garancion për sigurinë tonë, rezistenca jonë veç sa do të radikalizohet. Ne nuk do të lejojmë që asnjë vajzë e grua të jetojë nën dhunë e frikë”, thuhet tutje. / KultPlus.com
Ambasada britanike në Prishtinë ka lansuar “Bursën Përkujtimore Vjosa Berisha” si pjesë të programit të bursave “Chevening”.
Çmimi është i hapur për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë për master në Mbretërinë e Bashkuar, të financuar plotësisht në: Film (çdo disiplinë); Menaxhimi dhe Administrimi i Arteve, Festivalit ose Kulturës; Praktikë Kreative; ose Studimet e Komunikimit/Media.
Bursa i kushtohet Vjosa Berishës dhe fushat e studimit i përshtaten fushave ku ajo pati ndikim.
“Çmimi i kushtohet kujtimit dhe trashëgimisë së Vjosa Berishës. Zgjedhja e subjekteve pasqyron gamën e fushave në të cilat Vjosa pati ndikim gjatë karrierës së saj, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë trashëgiminë e saj”, thuhet në njoftim.
Vjosa Berisha ka qenë fituese e bursës për një master në studimet e Medias dhe Komunikimit në Universitetin Westminster.
Aplikantët në Kosovë mund të aplikojnë për bursë për vitin akademik 2023/24 deri më 1 nëntor. / KultPlus.com
Një anije shprese, mbushur me libra ka mbërritur në Portin e Vlorës.
Kjo është libraria më e madhe lundruese në botë e quajtur Logos Hope , që do të qëndrojë e ankoruar në Portin e Vlorës për dy ditë.
Një panair i gjallë, në një anije me gjatësi prej 132,5 m, që përmban 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë.
“Një mesazh dijeje, që udhëton në të gjithë botën, që prej viteve ’70, që ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë dhe sot ka prekur edhe brigjet tona”, ka shkruar ministrja Elva Margariti. / KultPlus.com
Pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ( SBAShK ) e drejtuar nga Rrahman Jasharaj ka ftuar mësimdhënësit që t’i bashkohen grevës dhe ka bërë thirrje që nxënësit të mos dalin sot në shkollë, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës – KNK kanë reaguar duke u shprehur se nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”.
Sipas njoftimeve në disa shkolla procesi arsimor është duke u zhvilluar, ndërsa në disa të tjera jo. / KultPlus.com
Ditën e sotme, 1 shtator do të zhvillohet ceremonia e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Ndërkohë bëhet e ditur se në ceremoninë e përurimit janë të pranishëm ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi dhe homologia e saj në Kosovë, Arbërie Nagavci.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri i Kosovës Albin Kurti , u shpreh falënderues për arritjen e kësaj marrëveshje, raporton Express.
‘Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë dhe këtë po e bëjmë në bashkërendim me qeverinë shqiptare”, tha Kurti.
Kujtojmë se trajnimet e mësuesve për abetaren e përbashkët nisën më 29 gusht./ KultPlus.com