Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912

Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

KultPlus ju sjell fjalimin origjinal nga Ismail Qemali

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija! / KultPlus.com

Shkëlzen Halimi sjell veprën “A filloi shfaqja”, një dramë për dramën njerëzore

Autori Shkëlzen Halimi ka botuar këto ditë librin e tij të titulluar “A filloi shfaqja”, përcjell KultPlus.

Teksti dramatik “A filloi shfaqja!”, siç thotë autori Shkëlzen Halimi, është shkruar në kohën e pandemisë, pikërisht në kohën kur filloi loja e një virusi të padukshëm me tërë njerëzimin. Në fakt, ky tekst, ka të bëjë me kthimin në thelbin e familjes, përkatësisht në vlerat e familjes, sepse dinamika e jetës në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, thjeshtë na ka bërë që më të mos e njohim as veten.

Dy protagonistë, AI dhe AJO, thuajse njoftohen për herë të parë dhe kanë dilema të shumta. Nga frika e virusit, jeta e tyre rrjedh në një hapësirë pa derë e dritare dhe, ndonëse presin që të ndodhë diçka, që të fillojë ndonjë shfaqje, ata nuk e hetojnë se janë pjesë e shfaqjes (globale). Thjesht, është një dramë për dramën njerëzore.

Shkëlzen Halimi, edhe me këtë vepër dëshmon se është një nga krijuesit tanë me profil të qartë letrar.

Vepra është botuar nga SHB Konica në Shkup. / KultPlus.com

Përurohet shtatorja e Anton Çettës në Kampusin e UP-së (FOTO)

Në kuadër të manifestimeve për shënimin e festës së 28 Nëntorit, sot është bërë përurimi i shtatores së profesorit dhe nismëtarit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve gjatë viteve ’90 në Kosovë, prof. Anton Çetta, shkruan KultPlus.

Shtatorja e Anton Çettës është vendosur në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përpara Fakultetit Filologjik, në krahun e majtë të shtatores së Fehmi Aganit.

Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të pajtojë hasmëritë mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.

Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës. 

Për të shënuar këtë moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, para të pranishmëve, pak para zbulimit të shtatores, doli për një fjalë rasti profesori Riza Krasniqi, pjesë e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, i cili u shpreh se gjaqet në atë kohë  u falën për çështje kombëtare.

“Ne që patëm fatin ta njohim nga afër, e vetmja festë për prof. Anton Çettën ishte 28 nëntori, andaj faleminderit kryetarit Përparim Rama që e ka vendos shtatoren po këtë ditë sepse edhe Anton Çetta do ta zgjidhte pikërisht këtë ditë. Profesori jetoi ndershëm dhe e udhëheqi Lëvizjen ndershëm. Vargjet e Fishtës ‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’, më së miri i jetësoi Anton Çetta me Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve”, u shpreh Krasniqi.

Tutje Krasniqi e citoi edhe një thënie të Çettës në një nga tubimet e asaj kohe: “Obligimet ndaj kombit nuk kanë kufi. Andaj askush nuk mund të thotë që unë i kam kryer obligimet nga kombi”.

Tutje, për  një fjalë rasti doli edhe Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama i cili tregoi përshtypjet e tij të veçanta për figurën e Anton Çettës që nga fëmijëria.

“Që nga fëmijëria ime e hershme, kujtimi im i parë për prof. Anton Cettën, nuk lidhej me veprën e tij shkrimore por me një detaj të vogël që më ngjallte kërshëri. Profesor Çetta ishte vërtetë i veçantë. Të gjithë ja njohim punën e palodhshme dhe të jashtëzakonshme në mbledhjen e folklorit tonë. Një pjesë e mirë e urtisë sonë popullore u sistemua në përmbledhjen e Çettës. Kushdo që sot ushqehet nga kjo prozë popullore, arrin të vërejë se sa punë të përkushtuar i dha kësaj vepre të rëndësishme për ne”, tha Rama.

Kryetari tutje u shpreh se populli i Kosovës është më fat që ka një figurë të tillë si kjo e Çettës.

“Jemi njerëz me shumë fat që Kosova jonë e vogël, lindi një njeri kaq të madh ku me përurimin e kësaj shtatore po shënojmë përjetësimin e tij.”

Pas këtyre fjalëve, kryetari Përparim Rama bashkë me dy vajzat e prof. Anton Çettës zbuluan shtatores e cila u përcolle me duartrokitje nga të pranishmit. / KultPlus.com

Pavarësia e Shqipërisë – shqiptarët i riktheu në familjen europiane

– Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

Nga Jusuf Buxhovi

Në Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:

“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Para pesëqind vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.

Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirë qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.

Ndonëse mbas më shumë se një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.

Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje e Hasan Prishtinës me Osmanët në Shkup, paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane, që nuk ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.

Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështir. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.

Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të saj.

Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.

Kjo paraqiste sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.

Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.

Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.

Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.

Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.

Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do “t’i garantohet” mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, nxiteshin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë i ngushtohej hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij,si fundin i saj.

Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën anë, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.

Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik mbi të, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman, ngaqë një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.

Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.

Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unitarizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.

Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh luante fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.

Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.

Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.

Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.

Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.

I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.

Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.

Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.

Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.

Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.

Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.

Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.

Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.

Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.

Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.

Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.

Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.

Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.

Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.

Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.

Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.

Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.

Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.

Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.

Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.

Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.

Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.

Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.

Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.

Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.

Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.

Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?

Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.

Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.

Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.

Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.

Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.

Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.

Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:

“Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

(Shkëputje nga “Kosova” IV, 2017). / KultPlus.com

Ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë (VIDEO)

Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.

Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Ndërkaq, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot një video nga ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Në këtë ceremoni është i pranishëm edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti. / KultPlus.com

“Rrënjët”, ekspozita e Nagip Tashit vjen sot në nderë të Ditës së Flamurit

Në Bibliotekën “Ernest Kolliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, Nagip Tashi do të prezantojë sot ekspozitën e tij të radhës “Rrënjë”, që këtë herë do të prezantohet në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Rrënjë”, përfshinë 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti.

Ekspozita e Nagip Tashit do të hapet sot, më 28 Nëntor në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, në ora 17:00 dhe kjo ekspozitë që do të prezantohet, veprat e saj janë të punuara dru, stil tashmë i njohur i Nagip Tashit i cili nxjerr portretet nga copëza të drurit.

Kjo ekspozitë organizohet nga “Drita” dhe “KultPlus”. Ekspozita do të rri e hapur deri më 2 dhjetor./ KultPlus.com

Rrëfehet një histori mes Isa Boletinit dhe Ahmet Delisë nga ‘Drama e Madhe e Nëntorit 1912’

Nga Blerim Latifi

Një histori nga Drama e Madhe e Nëntorit 1912

Pasi nuk ia kishte dalë të ndalonte serbët për të marrë Prishtinën, Isa Boletini me një pjesë të luftëtarëve të tij ishte tërhequr në drejtim të Vushtrrisë. Aty e kaluan lumin Sitnica dhe u nisën në drejtim të Prekazit për të kaluar natën në konakun e mikut të tij të vjetër, Ahmet Delisë. Luftëtarët e tjerë u shpërndanë nëpër katund, ndërsa Isa qëndroi me plakun e Prekazit.

Tanë natën e kaluan duke folur për gjamën e madhe që kishte ra n’Kosovë, pushtimin serb.

– Kam marrë habere se n’Shqypni asht t’ue u ba nji kuvend i madh e une duhna me kanë aty, – i tha Isa, Ahmet Delisë. – Po du qe ti me ardh shoq me mue!

Kur zbardhi dita e re të dy burrat u vunë në krye të luftëtarëve dhe nisën udhëtimin e gjatë. Kur kaluan Përroin e Keq dhe u ngjitën në rrafshlartën e Qubrelit, u ndalën për të pushuar. Midis dy burrave nisi një bisedë e vështirë.

– Duhet të kthehemi, Isa Beg! – i tha Ahmet Delia. – Qysh po shkojmë n’ Shqypni e gratë e thmitë po i lamë n’ dur t’shkaut.

– Nuk mujm me qëndru ma shumë ktu ; atje kena me u bashku e kur t’vjen Pranvera kemi me liru tanë Kosovën, – ia ktheu Isa.

Por Ahmet Delia nuk u bind.

– Ty udha e mbarë e unë po kthehna; nuk m’bajnë kambët me shku manej! – ishin fjalët e fundit të tij para se të ndahej nga Isa Boletini.

Në fillim të dhjetorit Isa Boletini u shfaq në Vlorë, ku tanimë ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa pak ditë më vonë Ahmet Delia u vra në një betejë epike me një njësi paramilitare serbe, e cila e kishte sulmuar Prekazin për ta plaçkitur e dhunuar. / KultPlus.com

ASK: Në 10 vitet e fundit, në Kosovë janë 104 persona që janë pagëzuar me emrin Flamur

Emrin Flamur ia kanë vendosur prindërit. Por, më shumë me insistim të babit të tij, Hazir Shalës.

Kjo, për shkak se i njëjti ishte i burgosur për idetë e tij politike, e që ishin për flamur, për bashkimin e shqiptarëve e për gjuhë letrare.

Djali i Hazirit, Flamur Shala, i cili është prof.Asoc.Dr, thotë se vendosja e emrit Flamur ishte një lloj proteste, për të plotësuar kërkesën e patjetërsueshme, historike e kombëtare të identitetit kombëtar.

“Unë jam pagëzuar nga prindërit e mi, nga babai, Prof. Hazir Shala. Babai im, Prof. Hazir Shala, është njëri nga ata intelektualë që janë burgosur për idetë e tyre politike: për një flamur, për një gjuhë letrare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Ishte bashkëthemelues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, grupi i të cilit kishte filluar së vepruari fshehtë që në fund të viteve 50-ta të shek XX, sa ishte student. Kjo Lëvizje u zgjerua shumë deri në vitin 1964, deri në arrestimet dhe dënimet e rënda me burgje politike të shumë pjesëtarëve të saj. Lëvizja Kombëtare në Kosovë kishte vazhduar aktivitetet e saj edhe pas burgosjes së anëtarëve të saj, gjatë gjithë viteve 80-ta e 90-ta deri në Luftën e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Shala

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), kanë dhënë statistika vetëm për 10 vjeteshin e fundit.

“Në 10 vjetshin e fundit në Kosovë, numri i personave me emrin Flamur është 104 persona”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.

Kurse, kanë bërë të ditur edhe sa është numri i personave me emrin Vlorë, Valon e Marigona, shkruan Frontonline

“Vlora janë: 52 persona, Valon janë: 79 persona dhe Marigona janë: 139 persona”, kanë thënë nga ASK-ja.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

28 Nëntori i vitit 1912 shënoi një kthesë historike për popullin shqiptar, pasi që nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shqipëria këtë vit shënon përvjetorin e 110 të pavarësisë. / KultPlus.com

Google uron shqiptarët për 110 vjetorin e Pavarësisë

Flamuri shqiptar që valëvitet në qiellin blu, është “doodle” i motorit gjigant të kërkimit Google për ditën e sotme, 28 Nëntorin.

Të gjithë ata që do të përdorin Google sot do të “përshëndeten” nga flamuri ynë kombëtar.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Vizatimi i sotëm për Ditën e Pavarësisë shfaq flamurin kombëtar shqiptar që valëvitet në qiellin blu,” shkruhet në shpjegimin e Doodle-t për sot. / KultPlus.com

67 vjet nga lindja e komandantit Adem Jashari

Sot është dita e lindjes së Adem Jasharit, një nga luftëtarët më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955.

Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Deri në vitin 1989, qëndroi në ilegalitet për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Në vitin 1991, ai së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.

Forcat serbe nuk mundën të hynin më në Drenicë deri më 22 janar 1998, por më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari.

22 pjesëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë, duke mbetur të vrarë nga kjo familje 21 vetë nga mosha 3 deri në 74 vjeç. Mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, i cili u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët./ KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe në Prekaz në nderim të Adem Jasharit: Ai është i gjallë

Sot, më 28 Nëntor, në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do ta kujtojmë me patjetër komandantin legjendar Adem Jasharin, i cili po të ishte gjallë do t’i bënte 67 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mëngjesin e sotën ishte për vizitë në Prekaz për tu përulur para varrit të Adem Jasharit dhe familjarëve të tij të cilët u bën fli për lirinë tonë.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë.

Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike.

Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë!

Ai është i gjallë!”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

110 vjet shtet, Shqipëria sot feston 28 Nëntorin

Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.

Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Ndërkaq, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.

Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pra, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Kështu, si sot, më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë, u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë e Shtetet e kohës. Prandaj, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës qё ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.

Pra, Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, na nxit të meditojmë për fatet historike të Kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe fatet e çdo shqiptari e për vlerat që përmban e rrezaton Flamuri Shqiptar. Kujtimi që sot na çon sa në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë vjetëve e shelujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim e me përkushtim, bindje punuan dhe flijuar gjithçka, madje edhe jetën për Atë Ditë e për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi.

Një kontribut domethënës që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi otoman, dhanë edhe katolikët shqiptarë.

“Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Shqiponja nuk e harron folenë po fluturon gjithnjë lart”.

Papa Françesku, Tirane 21 shtator 2014. / KultPlus.com

Mbyllë perden festa e madhe e teatrit shqiptar, shpallen fituesit e trofeut “MOISIU”

Edicioni i parë i Festivalit të Teatrit Shqiptar – MOISIU – ka përfunduar me shumë sukses, shkruan KultPlus.

Ky festivali, i cili bëri bashkë në një organizim teatrot shqiptar, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u mbyll sonte.

Një ëndërr e kahmotshme u bë realitet – Edicioni i parë i Festivalit të Teatrit Shqiptar MOISIU i bashkë-organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u mbyll sonte.

Nga 16 deri me 27 nëntor 2022, çdo natë nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup mbi 300 krijues të teatrove shqiptare paraqiten produksionet teatrore nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ferizaji, Shkodra, Tetova, Prizreni, Korça, Gostivari e Presheva për një numër rekord të shikuesve.

Trofeun e MOISIU-t sivjet e fituan:

Shfaqja më e mirë: Tri Motrat – Teatri Shqiptar Shkup
Regjia më e mirë: Qendrim Rijani – Tri Motrat
Aktori më i mirë: Sotiraq Bratko – Tregtari i Venedikut
Aktorja më e mirë: Ilire Vinca – Babi dhe Babai
Aktorja/roli i dytë më e mirë: Elia Zaharia – Ivanov
Aktori/roli i dytë më i mirë: Alfred Trebicka – Ivanov
Artisti i ri më i mirë: Kosovare Krasniqi – Babi dhe Babai
Skenografia më e mirë: Beqo Nanaj – Tregtari i Venedikut
Kostumografia më e mirë: Sofi Kara – Ivanov
Kompozitori më i mirë: Trimor Dhomi – Tri Motrat
Çmimi i dramës shqipe: Babi dhe Babai – Jeton Neziraj

Ndërsa çmimin e karierës organizatorët e ndanë Post Mortem për aktorin Luran Ahmeti!

Ky festival është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të organizohet çdo nëntor në rotacion: Shkup, Tiranë, Prishtinë.

Ky fesitvali do të mbahet vitin tjetër në Tiranë. /KultPlus.com

“Po ku ka si ti o Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gur” (VIDEO)

Vaçe Zela është një nga emrat më të pavdekshëm në rrafshin artistik në gjithë hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.

Shumica e këngëve të saj, janë ripërpunuar dhe vazhdojnë të këndohen e dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Ato qëndrojnë si ‘monumente artistike’, që koha vetëm sa i forcon.

“Rrjedh në kënge e ligjërime”, është pa asnjë dyshim, kryevepra e e të madhes Zela, e cila bart emocione të pafundme nacionale dhe artistike.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngës lugjeve
i përcjell.

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr
flakëron!

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
O fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

(x2)

Eh i fortë po bien ai tel
dhe lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai tel,
partizanët nëpër mend mi sjell,
po m’i sjell.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.

Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime,
Oh fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
(x2)

“Gëzuar ditëlindjen zog”, i uron bashkëshorti Rita Orës në shqip

Rita Ora dje ka festuar ditëlindjen, ku mbushi 32 vjeç, shkruan KultPlus.

Pikërisht në këtë ditë të veçantë për të, ylli botëror është bërë pjesë e pullës postare të Kosovës.

Rita Ora ka falënderuar për këtë dhuratë vendin e saj. Ajo përmes një postimi ka shkruar se ndihet e nderuar dhe e lumtur që do të jetë pjesë e postës së Kosovës, pranë gjyshit të saj Besim Sahatçiut.

Në mesin e urimeve të shumta që mori këngëtarja, ajo që ra në sy ishte urimi në gjuhën shqipe i bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi.

Ai foton e pullës postare e ka shpërndarë në rrjetin social “Instagram”, në mesin e disa fotografive tjera, ku ka shkruar: Gëzuar ditëlindjen Zog. /KultPlus.com

Çeku pranon mesazhe kërcënuese nga Serbia: Shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka pranuar së fundmi shumë mesazhe fyese dhe kërcënesue nga Serbia, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka thënë se këto mesazhe kanë ardhur nga momenti kur ai ka publikuar veprimin shovinist të Serbisë.

Postimi i plotë:

“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.

Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.

Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

U ktheva për diçka tjetër

Nga Jamarbër Marko.

Unë u ktheva
Për të parë një lot që mund të bjerë kudo
Nuk u ktheva
Për të hyrë në një buzëqeshje
Nuk u ktheva
Për të provuar se kam ditur gjithcka
As për të hequr një kokrrizë pluhuri
Që rëndon pezull mbi hapsirën e moskuptimit
Unë nuk u ktheva
Për të ndier tingujt dhe frymëmarrjen e emocionit
Nuk do të kthehesha
Për të marrë çka më takonte
Nuk u ktheva te ditët që lashë
Se e dija që ishte e pamundur
Nuk do të kthehesha
Për të provuar po atë gjë
Që kanë jetuar të tjerët /KultPlus.com

“Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri”

KultPlus ju sjellë thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!

Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole). /KultPlus.com

Prishtina ‘Kuq e Zi’, nesër shënon 28 nëntorin me shumë aktivitete

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur agjendën e aktiviteteve që do të mbahen nesër në Prishtinë, të cilat janë organizuar për të shënuar festën e 28 nëntorit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Drejtoria e Kulturës ka paraqitur shtatë ngjarjet që do të mbahen nesër.

Postimi i plotë:

“Në prag të festës së flamurit, Kryeqyteti ka kënaqësinë që të shpalosë agjendën e të gjitha aktiviteteve që janë organizuar për ditën e shënuar të 28 nëntorit.
Në orën 11:00 pranë 📍Fakultetit Filologjik do të bëhet përurimi i shtatores së Prof. Anton Çettës.
Në orën 11:30 do të mbahet ekspozita personale e prof. Anton Çettës në 📍Bibliotekën Kombëtare të Kosovës;
Në orën 12:15 do të bëhet përurimi i veprës artistike “Këmbëkryqi” tek 📍sheshi “Zahir Pajaziti”;
Nga ora 10:00 – 22:00 do të mbahet panairi “Blej Shqip” tek 📍sheshi “Nënë Tereza”;
Në ora 13:30 do të mbahet edicioni i parë i “Festivali i Plisit” ku do të bëhet inagurimi i monumentit të Plisit;
Ndërsa nga ora 10:00 – 16:00 do të mbahet koncerti madhështor me program te pasur artistik:
*DJ WEST,
*Shkolla e muzikës “Prenk Jakova”,
*Program kulturo-artistik nga asambli “Qamili Vogël”,
*Ilirët dhe Aurela Makolli,
*Korab Shaqiri,
*Stresi.
Nga ora 19:00-22:30 koncerti per 35 vjetorin e tifozërisë së kryeqytetit, Plisat me “Besa Besë”.
Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen në festën e madhe!
Urime 110 vjetori i Pavarsisë së Shqipërisë!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Forcës: FSK-ja, e tashmja dhe e ardhmja e sigurisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherësh Komandante e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Ditën e Forcës ka vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në Ditën e Forcës, Presidentja Osmani, inspektoi të gjitha stacionet e njësive të FSK-së, respektivisht aftësitë dhe kapacitetet  taktike dhe operacionale të ekspozuara.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë, të sublimuar me rënien epike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familje”, ka deklaruar Presidentja.

Sipas saj, Kosova është krenare me të arriturat e ushtrisë sonë, e cila e ka mision të shenjtë, mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës.

“E tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës  dhe parakusht për paqe e stabilitet në rajon e përtej”, është shprehur Presidentja Osmani në Ditën e Forcës. /KultPlus.com

Festa e nëntorit bashkon dy institucionet qendrore të kulturës nga Kosova e Shqipëria

Festa e Nëntorit ka bashkuar në Tiranë dy institucione qendrore të kulturës, Filharmoninë e Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë, në shënim të përbashkët të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Me titullin “Dua më shumë Shqipërinë”, mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza” u mbajt koncerti me vepra të përzgjedhura të literaturës muzikore shqiptare.

Kori i Filharmonisë, Kori e Orkestra e TKOB dhe Kori i fëmijëve në drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi dhe me pjesëmarrjen e solistëve nga Shqipëria dhe Kosova: Josif Gjipali (tenor), Kastriot Tusha (tenor), Vikena Kamenica (mexosoprano), Adelina Paloja (soprano), Besa Llugiqi (soprano), Liridon Sadriu (tenor), Xhieldo Hyseni (bas) dhe aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi përpara qindra të pranishmëve sollën emocione me programin e përzgjedhur. /KultPlus.com

Fotografitë: Arben Llapashtica

Rrëfim interesant i gazetarit që braktisi profesionin për t’u bërë fermer gomaricash

Me një fermë të rrallë – vetëm të dytën të tillë në Shqipëri – Elton Kikia thotë se përmbushi veten.

Ai hoqi dorë nga profesioni i gazetarit dhe jeta në Tiranë, u kthye në fshatin e tij në Papër të Elbasanit dhe ka katër vjet që mban fermën e gomaricave.

“Nuk jetohet në fshat – është frazë që e dëgjoj shpesh”, thotë Eltoni.

Por, duke qenë gazetar, ka edhe shumë pyetje për ata që e thonë këtë:

“Çfarë mundësish ke apo mund të krijosh me tokën apo bagëtitë që ke? A e ke studiuar tregun, ekonominë, a ke bërë llogari se si mund ta ndryshosh këtë situatë? Nuk mjafton të dalim në të tilla përfundime”.

“Duhet ta vrasim mendjen se çfarë mund të bëj dhe a ia vlen? Nuk mund të presësh nga Zoti apo nga Qeveria”, thotë Eltoni për Radion Evropa e Lirë.

Pse e braktisi gazetarinë?

Pas 13 vjetësh në profesionin e gazetarit, ai thotë se ndihej i zhgënjyer. Jo nga profesioni që e ka ende pasion, por nga gjendja e gazetarisë në Shqipëri.

“Pagat e ulëta, trajtimi që u bëhet gazetarëve, kushtet në të cilat punojnë, mungesa e lirisë së fjalës dhe medias. Kështu që braktisja e gazetarisë erdhi si nevojë”, thotë ai.

Shqipëria, vazhdimisht, është kritikuar në raportet e organizatave ndërkombëtare për keqësimin e lirisë së mediave.

Herën e fundit këtë muaj, kur Partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve, pas një misioni fakt-mbledhës në këtë vend, kanë deklaruar se liria e mediave atje është përkeqësuar më tej, për shkak të ndërhyrjes së pronarëve dhe të Qeverisë.

Eltoni thotë se, për një kohë, i mbajti të dyja punët.

“Kur pashë se sa mirë po ecte biznesi, zgjedhja ishte shumë e lehtë. Sigurisht që e zgjodha fermën”, thotë ai, duke shtuar se ajo i ofron edhe më shumë të ardhura, edhe më shumë kohë të lirë.

Nga i erdhi ideja për fermë të gomaricave?

Zhgënjimi në gazetari, prej vitesh, i shoqërohej me mendimin se çfarë mund të bënte tjetër?

Ai tregon se për dy vjet ka lexuar dhe ka diskutuar me ekspertë të ekonomisë se ku mund të fokusohet për të pasur sukses.

“Nuk mjafton të jesh me origjinë nga fshati që të bëhesh fermer dhe të ngresh biznesin tënd. Të duhet të studiosh tregun fillimisht. Kisha shumë ide në kokë, kur befas lexova se sa të suksesshme ishin në botë fermat e gomaricave dhe aty e mora vendimin”, kujton ai.

“E nisa me pesë gomarica. Nuk ishte e lehtë as t’i gjeje, sepse janë kafshë në zhdukje. Më është dashur të bredh në çdo cep të vendit”, thotë Eltoni.

Ai tregon se këto kafshë janë të lehta për t’u mbajtur, pasi nuk kërkojnë ndonjë kujdes të veçantë veteriner dhe nuk preken nga sëmundje të rrezikshme. Gjithashtu, nuk shpenzon për ushqyerjen e tyre, sepse hanë çfarëdo në natyrë.

Nga pesë gomaricat me të cilat nisi punën, sot ka 35.

“Brenda dy vjetëve të parë u bë biznes serioz, që donte kohë të menaxhohej. Kështu që u ndava përfundimisht nga gazetaria, nuk mund t’i mbaja më të dyja. Duhet të bëhesh agjent shitjeje, të gjesh tregun për qumështin e gomaricave, të gjesh klientët, të ruash marrëdhënien me ta. Kjo është ajo që bëj çdo ditë”, thotë Eltoni.

Qumështi i gomaricave është i njohur për vlerat ushqyese. Hulumtime të ndryshme tregojnë se ai ndihmon në rritjen e funksionit imunitar.

“Një litër qumësht gomarice kushton 50 euro. E kërkojnë kryesisht për sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, për ata që vuajnë nga astma, për alergjitë… Në kohën e pandemisë COVID-19 e kanë kërkuar shumë për të shëruar pasojat që linte sëmundja”.

“Nga të gjitha rrethet në Shqipëri vijnë dhe blejnë te ferma, po ashtu edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe emigrantë të shumtë që vijnë në Shqipëri herë pas here”, tregon Eltoni.

Ai thotë se është i kënaqur me zgjedhjen e tij dhe aspak i penduar që ka lënë gazetarinë dhe Tiranën. Po qe se punon dhe fokusohesh në një projekt, mund t’ia dalësh, thotë Eltoni.

Një fermë e ngjashme gomaricash gjendet edhe në Delvinë – pjesa jugore e Shqipërisë.

Pse gomarët përballen me rrezikun e ekzistencës?

Në një raport që ka publikuar BBC në vitin 2017 është thënë se gomarët në botë përballen me rrezik të ekzistencës, për shkak të kërkesës së madhe për lëkurën e tyre në Kinë.

Mishi i gomarit është gjithashtu ushqim i kërkuar, por rënia e madhe e numrit të gomarëve kinezë dhe fakti që ata janë të ngadalshëm në riprodhim, i ka detyruar furnitorët të kërkojnë gjetiu.

Afrika është goditur keq, sepse këto kafshë atje janë një pjesë e rëndësishme e transportit dhe bujqësisë – sidomos në komunitetet më të varfra.

Uganda, Tanzania, Botsvana, Nigeri, Burkina Faso, Mali dhe Senegali kanë ndaluar eksportet e gomarëve në Kinë/REL/ /KultPlus.com

Fuqia e jashtëzakonshme e futbollit, skena “të çmendura” të tifozëve argjentinas në Bangladesh (VIDEO)

Tifozët e Argjentinës në Bangladesh duke festuar golin e Lionel Messit në fitoren e Kupës së Botës kundër Meksikës mbrëmë. /KultPlus

Kurti: Të punojmë së bashku, këtu kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin, të ndajnë ide me njëri-tjetrin, të pranojnë perspektivat e ndryshme, e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pasi, theksoi ai, hapësira publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vënë të gjithë nga një gurë.

Në fjalën e tij, në seancën e përbashkët të dy Kuvendeve që po mbahet në Tiranë, me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kurti uroi shqiptarët anekënd botës, duke e cilësuar këtë si festë e shenjtë për identitetin kombëtar.

“Deklarata e Pavarësisë evidenton Islmail Qemalin si prijës mes të barabartëve, pra si prijës republikan. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi. Por 7 vite më pas, teksa në rendin e ditës ishte Traktati i Londrës dhe copëritmi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, vetëm pak ditë para festës së Flamurit, Gurakuqi kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi e shkruante: festa e 28 nëntorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm ditë gëzimi, por edhe pendimi në të cilën duhet të bëjmë shqyrtimin e vetdijës sonë. Në këtë ditë duhet të vënë të gjithë dorën në zemër e të pyesin vetës nëse kemi bërë gjithmonë detyrën që kishim për atdheun. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllazërisht dorën njëri-tjetrit dhe të betohemi mbi besën e gjyshërve tanë se sot e më pas do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë“, tha kryeministri Kurti.

Kurti theksoi se ndarjet krahinore ishin edhe dje e edhe sot pengeseë.

“Gurakuqi vet nuk mjaftohej me Shkodrën e gegnin. Ai ishte pjesëmarrës edhe në toskëri e Kosovë, ashtu siç nuk mjaftohej Çerçizi me Gjirokastrën, Hasani me Prishtinën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi me Manastirin , Mehmet Pasha me Tetovën, apo Bajram e Isa Begu me Kosovën. Ndarjet krahinore ishin pengesë atëherë e janë edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në jetën publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Kurti vuri theksin në rëndësinë e të qenurit më shpesh bashkë.

“Duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në festa, jo vetëm politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, të pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu theksoi se thellimi i ndarjes nuk i shërben kombit.

“Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia e muri i Berlinit ra, e Gjermania festonte lirinë, duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog kosovar Ukshin Hoti thoshte se: politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen mes tyre përtej kufijve të demokracisë, po ju japin arsye atyre që dëshirojnë ti shohin të ndarë si popull. Në veprën e tij madhore “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ai kërkon nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën ndërkombëtare të Kosvës së Shqipërisë dhe jo atë vetjake. Jam i sigurtë që shumica këtu bini darkord brenda vetes me mesazhet e Luigjit dhe Ukshinit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ndau dhe disa nga arritjet që janë bërë sa i takon bashkëpunimit dypalësh.

”Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB –së ka nisur negociatat për anëtarësim në BE dhe ka bërë hapa të dukshëm në shumë fusha. Urojmë që sukseset e Shqipërisë, bashkëkombasve tanë t’u shtohen çdo dit të Flamurit. Jam i sigurtë që po njëlloj gëzon dhe Shqipëria për Kosovën dhe sukseset e saj. Kemi tashmë Abetaren e përbashkët dhe po punohet për Fjalorin e Përbashkët Enciklopedik. Teksa ministritë e Arsimit bashkëpunojnë çdo ditë për avancim në këtë fushë kyçe për zhvillimin tonë kombtar. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin e sistemit doganor e tatimor. Kemi financuar së bashku fizibilitetitin e hekurudhës Durrës-Prishtinë“, u shpreh ai.

Për Kurtin problem më i mprehtë i dy vendeve, në këto momente, është largimi i të rinjve, ndërsa premtoi se nuk do të reshte përpjekjet për përmirësimin e shtetbërjes dhe kthimin e besimit në institucione.

“Situata nuk është kurrë rozë dhe nëse ndalim përpjekjen e pushojmë se punuari, rrezikojmë. Pra rreziku është mosverpimit, jo veprimi, Vendet tona ballafaqohen me probleme, më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që morën rrugën e dhimbshme të kurbetit. Kjo ditë është edhe e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture. E di që skemi bërë ende mjaftueshëm që tu kthejmë besimin në institucione, që ju të mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj, si opsionin më të mirë. Premtoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund edhe me ndihmën tuaj”, tha ai. /KultPlus.com