FIFA ndalon tifozët të vishen si kryqtarë në ndeshjen Angli-SHBA

Tifozëve iu është ndaluar të vishen si kryqtarë në ndeshjen  Angli-SHBA, e vlefshme për Kupën e Botës.

”Tifozë të veshur me zinxhirë, me shpata plastike dhe mburoja me kryqin e Shën Gjergjit ndalohen të hyjnë në stadiumin ‘Al Bayt’, në Al Khor, në veri të Dohas”, sipas ”The Times”.

Gazeta citoi FIFA-n të thoshte se ideja e kryqtarëve, në kontekstin arab, mund të jetë ofenduese kundër myslimanëve.

Grupi kundër diskriminimit ”Kick It Out” këshilloi gjithashtu fansat që të mos vishnin kostume me veshje të bukura që përfaqësonin kalorës ose kryqtarë, të cilat kujtojnë luftërat fetare që të krishterët zhvilluan kundër myslimanëve gjatë Mesjetës.

Një zëdhënëse e grupit tha se “ne do t’i këshillonim tifozët që po ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës që veshje të caktuara, të tilla si kostumet me veshje të bukura që përfaqësojnë kalorës apo kryqtarë, nuk mund të mirëpriten në Katar dhe vende të tjera islame”.

Një video e shpërndarë në Twitter tregonte dy tifozë të veshur me kostume kryqtarësh që dukej se po largoheshin nga hyrja në një stadium të Katarit nga stafi i sigurisë.

Federata e Futbollit e Uellsit (FAW) i kërkoi FIFA-s t’i përmbahej mesazhit të tyre se “të gjithë do të jenë të mirëpritur” në Katar gjatë turneut, pasi java e parë u dëmtua nga trajtimi i simboleve LGBTQ+.

Temperaturat mund të arrijnë deri në 29 gradë Celsius kur Uellsi të luajë me Iranin, në stadiumin ”Ahmad Bin Ali” me kapacitet 40 000 persona./ atsh / KultPlus.com

Sot arrijnë shtatoret e Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës, përurohen më 28 Nëntor

Sot në fshatin Mushtisht të Suharekës, arrijnë dy shtatoret e heronjve kombëtarë Hasan Prishtina dhe Adem Jashari.

Këshilli i fshatit Mushtisht ka njoftuar se dy shtatoret e Hasan Prishtinë dhe Adem Jasharit nisen sot nga Tirana dhe në fshat arrijnë rreth orës 15:00.

Sipas njoftimit të Këshillit, fshati ka planifikuar që të organizohet për pritjen e tyre sot, derisa zbulimi i tyre bëhet ditën e hënë.

Në nderim dhe përkujtim të 28 nëntorit, festës së katërfishtë kombëtare, me 28 nëntor 2022, nga ora 12:00, përurohen shtatorja e ideologut të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, Hasan Prishtina, dhe  ajo  e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari./ KultPlus.com

Ibrahim Madhi, virtuozi i violinës shqiptare

Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.

Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.a

Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.

Mungesa e tij ka pesë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq. /Albert Vataj /KultPlus.com

Më 28 Nëntor bëhet përurimi i shtatores së Anton Çettës

Në kuadër të manifestimeve për shënimin e festës së 28 Nëntorit, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka njoftuar se do të bëhet përurimi i shtatores së profesorit dhe nismëtarit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve gjatë viteve ’90 në Kosovë, prof. Anton Çetta, shkruan KultPlus.

Përurimi bëhet më datë 28 Nëntor 2022, Ora: 11:00, në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përpara Fakultetit Filologjik. / KultPlus.com

25 nëntori shënoi një kthesë rrënjësore për arbëreshët

Data 25 nëntor mbahet mend nga Arbëreshët si një datë e rëndësishme, që shënoi një kthesë rrënjësore për gjuhën arbëreshe në pikëpamje të politikave shtetërore të vendit pritës, pikërisht me 25 nëntor të vitit 1999 u miratua në formë përfundimtare nga Senati i Republikës Italiane ligji nr. 482, i cili mbron minoritetet historike e gjuhësore në Itali.

Ky ligj u publikua dhe hyri në fuqi me 15 dhjetor 1999 dhe solli mbështetjen institucionale në drejtim të promovimit, nxitjes dhe forcimit të gjuhëve dhe kulturave minoritare, përfshirë ato arbëreshe. Me këtë ligj, komuniteti arbëresh në Itali e përfshiu brenda suazave ligjore trashëgiminë e vet shpirtërore e kulturore.

Sot numërohen në Itali rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë kryesisht në shtatë krahina italiane. Ligji 482/1999 “Norma për tutelën e minorancave gjuhësore historike” ka njohur veçantinë e gjuhës që ata flasin, arbërishtes, dhe të drejtën e mbrojtjes së saj dhe të kulturës arbëreshe: të letërsisë që lindi shekuj më parë, këngëve dhe rrëfimeve të përcjella gojarisht brez pas brezi, të kostumeve dhe valleve, të artit të krijimit të stolive, të kuzhinës dhe të shumë e shumë të tjerave. Me pak fjalë, mbrojtjen e të gjithë përbërësve të identitetit arbëresh. /KultPlus.com

25 Nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Në këtë datë zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor,Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Fushata UNiTE e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara fton qeveritë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile dhe individë nga të gjitha vendet e botësnëpërpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Theksi i fushatëse cila synon parandalimin,do të përqendrohet në çështjen e përdhunimit, si një nga format më të dëmshme që bëhet ndaj grave dhe vajzave në kohë paqeje ose lufte. /KultPlus.com

Konferencë shkencore mbi periudhat më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar

Në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë në ASA organizoi sot konferencën shkencore “Rruga e shqiptarëve drejt pavarësisë dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit”.

Referues ishin studiues të njohur nga Tirana dhe Prishtina (Gazmend Shpuza, Marenglen Verli, Ledia Dushku, Erjon Papagjoni, Hasan Bello, Skënder Lutfiu, Haxhi Ademi, Sali Kadria, Çlirim Duro, Beqir Meta, Romeo Gurakuqi, Sonila Boçi, Ana Lalaj, Afrim Krasniqi, Ibrahim Gashi, Arbër Hadri, etj).

Referimet dhe diskutimet sollën kundështrime e teza të reja, të bazuara në dokumentacion të ri arkivor, si dhe qasje të re studimore mbi periudhat më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar, në prag të Pavarësisë deri në ditët e sotme.

Konferenca u përshëndet nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike Prof. Dr. Luan Perzhita, i cili vlerësoi kontributet shkencore te Institutit Konferenca u ndoq edhe nga studentë të Universitetit New York në Tiranë.

Referimet do të jenë pjesë e një botimi profesional të dedikuar lidhur me 110-vjetorin, botim i programuar për t’u publikuar gjatë vitit 2022. / atsh / KultPlus.com

“Venus” premierë në ‘Dodonë’, një komedi e zezë që shpërfaq fantazinë, dëshirën e dashurinë në aspektin psiko-social

Era Berisha

Një komedi e zezë rreth dëshirës, fantazisë dhe dashurisë sonte ka vu këmbë në skenën e teatrit ‘Dodona’. Premiera e shfaqjes së ardhur nën emërtimin “Venus” ka shpalosur historinë e aktores Vanda Xhordan dhe regjisorit-dramaturgut Tomas Novaçek, një histori kjo që nëpërmjet situatave dhe relacioneve të ndryshme që në thelb trajtojnë aspektin psiko-social, flet shumë për emblemën e të mos ndaluarit së kërkuari atë për të cilën njeriu ka nevojë thellë në brendësinë e tij, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi fiks në orën 19:41 me zbehjen e dritave deri në errësirë. I kthyer me shpinë nga publiku që pothuajse ka mbushur sallën plot, qe aktori Besart Zeneli i cili me një cigare në dorë, hedh hapin e parë drejt një shfaqjeje që zgjati gjithsej një orë e gjysmë. Me meloditë që shpeshherë vijnë në momentin dhe kohën e duhur, nis loja e tij e personazhit të Tomas Novaçek.

Novaçek me një telefon në dorë nis e ankohet për numrin e pamjaftueshëm të aktoreve që ishin paraqitur tek ai në audicion për të interpretuar rolin kryesor, Vanda (Valmira Hoti). Asgjë nuk ishte në favorin e tij atë natë dhe dukej se gjithçka po shkonte si mos mëkeq. Por, në minutën e fundit, personazhi i aktores Vanda (Wanda) shfaqet si një shpresë që pothuajse po fikej nga çasti në çast.

Është një shfaqje e rrallë e regjisorit dhe dramaturgut Novaçek i cili fillimisht nuk e vë në dyshim që Vanda është thjesht një tjetër aktore që nuk e njeh tekstin, nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe ashtu si në përditshmëri, është po aq vulgare edhe në interpretim. Nën aktrimin e mrekullueshëm të Hotit, personazhi i Vandës arrin të na befasojë tej mase.

Në jetën reale ajo është thjesht një grua që e thotë çka do që i bie në mend, por shumë shpejt shpërfaq talentin e saj në interpretimin e rolit kryesor. Me një qëndrim ndryshe, zë sensual, veprime që i shkojnë për shtat rolit kryesor që po e kërkon vetë regjisori, Vanda arrin të bind regjisorin që ta pranojë si aktore për rolin kryesor në shfaqjen e tij. Por, nuk mjafton thjesht me kaq.

Bazuar në romanin e vitit 1870, “Venus in Furs” të autorit austriak Leopold Ritter von Sacher-Masoch, shfaqja “Venus”  nën përkthimin e Qerim Ondozit, tregon për anët e errëta të mazokizmit si një nga ndjenjat që prek thellë psikikën e njeriut, asisoj që të dëshirojë të përjetojë ndjenjën e poshtërimit dhe dhunës apo torturave fizike në mënyra të ndryshme.

Në anën tjetër është vetë personazhi i Tomasit ai që ngadalë joshet nga Vanda, e cila nëpërmjet mënyrave të fshehta të saja të cilat vetëm ajo i di, e bind atë që të luajë rolin tjetër përkrah Vandës. Pra, ai lexon pjesën e personazhit të Severin von Kushemskit përkrah Vandës dhe kësisoj radhazi ndodhin shumë dinamika përbrenda çdo leximi të tekstit. Teksa rrufetë e bubullimat gjejnë vendin e tyre jashtë dritares, Vanda dhe Tomasi interpretojnë rolet e tyre karshi njëri-tjetrit. Tanimë, është vetëm një fije e perit ajo që e ndan realitetin nga loja aktoreske mes tyre.

Reflektorët në ngjyra diversive në skenë janë një sinjal i dukshëm për ndodhitë serioze të nënshtrimit dhe dominimit që rolet e tyre ia bëjnë njëri-tjetrit, por që vetëm njëri nga ta arrin ta fitojë atë ndjesi që pothuajse i përket brendësisë së tyre shpirtërore. “Venus” është një komedi misterioze, qesharake dhe erotike që vjen si një mbizotërim mbi bilancin e fuqisë që posedon një qenie njerëzore.

Regjisori i shfaqjes “Venus”, Bashkim Ramadani ka arritur që nëpërmjet skenografisë të mrekullueshme e tejet të veçantë nga Burim Arifi dhe kostumografisë nga Blendina Xhema, të sjell një histori që kalon përtej një teatri brenda teatrit.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisori Bashkim Ramadani.

“Shfaqja nuk flet vetëm për aspektin e fitimit të një roli në skenë apo teatër apo vetëm për një vend të punës por edhe më gjerë, ngaqë këto raporte mes njerëzve janë prezente në gjithë shoqërinë tonë. Si në çdo vend të punës, ballafaqohet një ekonomiste, një infermiere e të tjerë. Koncepti regjisorial nuk ka ik shumë prej konceptit të cilin e prodhon teksti. Mënyra e vendosjes zhvillohet në një hapësirë teatrore, domosdoshmërisht apo një studio teatri. Me vullnetin tim, nuk kam dashur t’i ik atij aspekti. Me punën e aktorëve jam shumë i kënaqur dhe aq sa jemi marr vesh për të bërë, është arritur”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktorja Valmira Hoti është shprehur tejet e lumtur me rezultatin e shfaqjes, teksa ka thënë se është dashuruar menjëherë pasi që e ka parë tekstin.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur këtë rol. Fillimisht kur e kam lexuar tekstin, menjëherë jam dashuruar në të dhe çdo gjë ka ec shumë këndshëm. Besoj që edhe sot, duke u bazuar në mënyrën se si publiku e priti, gjithçka ka qenë bukur. Është shumë interesant, sepse nganjëherë tekstet nuk të tërheqin menjëherë por ky tekst nuk doli ashtu, ngaqë u thellova shumë në të. Besoj që e kam arritur atë që e ka paraqitur autori. Në anën tjetër, bashkëpunimi ka qenë tejet i mirë. Teksti në këtë gjuhë është krijuar asisoj që të paraqitet një përditshmëri e jona më reale, dhe kjo ka qenë përzgjedhje e regjisorit”, thotë Hoti.

Po ashtu, aktori Besart Zeneli e ka cilësuar bashkëpunimin me partneren dhe regjisorin, si shumë të bukur, por ai që i ka bërë bashkë ata, ka qenë teksti i mrekullueshëm.

“Bashkëpunimi me partneren është shumë i rëndësishëm, sidomos kur duhet ta ndash skenën me të, për një orë e gjysmë, pa hyrje dhe dalje. Kam kaluar shumë mirë me kolegen si dhe regjisorin, pastaj ajo që na ka bashkuar ka qenë teksti. Teksti është shumë i mirë dhe tejet interesant, herë psikologjik e herë sipërfaqësor por ka shumë domethënie e tematika të ndryshme. Në fakt, vetë teksti si tekst ka shumë guxim. Provat dhe përkushtimi e kanë bërë të vetën, dhe më e mira është ajo energjia në ekip që na ka ndihmuar shumë”, ka thënë Zeneli.

Gjithashtu, sipas regjisorit Kushtrim Mehmeti, kjo shfaqje pati gjithçka nga pak, kësisoj edhe gjithçka ka qenë në vendin e duhur në mënyrë të duhur.

“Më ka bërë shumë përshtypje mënyra e vendosjes së aktorëve në skenë, përveç shfrytëzimit të skenografisë. Pati pamje tejet të bukura dhe u trajtua në një formë regjisoriale ku pati gjithçka nga pak. Shfaqja na dhuroi një vizion të mirë, formë të mirë dhe studio që fillimisht ke një studio e një regjisori e pastaj u shndërrua edhe në kopsht dhe gjithçka tjetër që mundet me pas një zonë e zotërave të antikës. Më pëlqeu shumë mënyra se si regjisori i ka shfrytëzuar elementet që ishin në skenë si shtrati, tavolina. Një teatër minimalist në dukje por në anën tjetër pati shumë gjëra totale. Gjithashtu pati edhe raport, relacion e emocion. Mënyra e lojës së aktorëve po ashtu më la mbresa të mëdha. Gjithçka ke e vendosur në mënyrë të duhur”, thotë ai. / KultPlus.com

Përse nuk vjen

Poezi e shkruar nga Mikai Eminesku.

Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!

Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Konferenca shkencore “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizuan në 23 nëntor Konferencën shkencore “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”, në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Në Konferencë morën pjesë akademikë, profesorë e studiues nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Në Konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kumtesat e mbajtura nga akademikë, profesorë e historianë të njohur prezantuan gjetje të reja, të bazuara në dokumente, të arshivave, kancelarive apo vepra të autorëve të huaj dhe risollën në vëmendje rrugën e gjatë dhe të vështirë për të mbërritur në aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën përshëndetëse, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, nënvizoi se “Shpallja e Pavarësisë është ngjarja më e madhe në historinë shtetërore të popullit shqiptar”.

“Gjatë më shumë se një shekull, Shqipëria ia doli të ruajë vetveten përmbi paqëndrueshmërinë; ia doli të fitojë subjektivitetin e denjë ndërkombëtar dhe sot të ecë e vendosur drejt familjes evropiane. Kuvendi përshëndet nismat e Akademisë së Shkencave për hartimin e disa veprave themelore në albanologji, enciklopedisë, historinë kombëtare të gjithëmbarshme të shqiptarëve etj., që do të ndriçojnë qartazi edhe disa nyja të rëndësishme të historisë shtetërore. Kjo histori duhet të ketë karakter integrues dhe duhet të përurojë vlerat më të përveçme të identitetit shqiptar”, tha ajo.

“Le të na nxisin këto vlera për progres më të shpejtë në rrugëtimin tonë evropian; po aq edhe për integrim brenda nesh, për ato çështje bazike që kanë nevojë për konsensus kombëtar”, theksoi Felaj./atsh/ KultPlus.com

‘Shkolla e Arbërve’, prezantohet libri i historianes Lucia Nadin

Studiuesja dhe historiania Lucia Nadin sapo promovoi librin “Matrikulli i Shkollëse së Arbërve”.

Në praninë e studiuesve dhe historianëve të ndryshëm, ajo u përqëndrua te rëndësia e zbulimit të këtij teksti sa i takon ndriçimit të një pjese të historisë së Arbërisë ende të panjohur.

“Ndryshe është historia e shqiptarëve në jug të Italisë dhe ndryshe është historia e shqiptarëve në Republikën e Venecias. Nëse do ishte e mundur dhe unë do kthehesha mbrapsht 30 vite në strudime, megjithëse kjo në histori nuk është e mundur, nuk do të përdorja më termin emigracion përsa i përket shqiptarëve në Venecia. “

Mbi rëndësinë e këtij dorëshkrimi, ruajtur prej shekujsh në ‘Biblioteca Marciana’ të Venezias, u shprehën dhe historiani Italo Sarro dhe profesori Ardian Ndreca.

“Matrikulli është  shumëi dobishëm sepse ndihmojnë të gjejmë skenaret e prezantimit të shqiptarëve, që u bënë të gjithë venecianë.’

Teksti rrëfen për shkëmbime materiale të kulturës në dy anët e Adriatikut, për ngjashmëri dhe veçori zakonesh, të migracioneve dhe integrimit mes popullatave.

Botimi është pjesë e kolanës “Rradhonjtë e Shejzave”, nën kujdesin e Ardian Ndreca dhe vjen në tri gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht./TopChannel/ KultPlus.com

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë (FOTO)

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave.

KultPlus ua sjell më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIA, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. 

Dubai po planifikon të ndërtojë rrokaqiellin më të lartë të banimit në botë

Deri më tani, Central Park Tower i Nju Jorkut kryesonte listën e ndërtesave më të larta në botë, me 98 kate apartamentesh dhe një lartësi prej 472 metrash. Megjithatë, Dubai ka vendosur që të thyejë atë rekord dhe të marrë drejtimin duke ndërtuar rrokaqiellin më të lartë në botë, i cili do të përfshijë gjithashtu rezidenca.

Sipas planit të paraqitur, është gradacela Burj Binghatti Jacob & Co Residences, e cila është projektuar nga zhvilluesi i pasurive të paluajtshme të Emirateve Binghatti dhe kompania e bizhuterive dhe orëve Jacob & Co.

Burj Binghatti Jacob & Co Residences, megjithatë, nuk pritet të bëjë përshtypje vetëm me lartësinë dhe 100 katet e saj. Në krye do të ketë frëngji që duken si diamante, ndërsa sipas dy kompanive që do ta ndërtojnë, edhe pjesa e brendshme e godinës do të jetë veçanërisht luksoze.

Do të ketë rezidenca me dy ose tre dhoma gjumi, do të ketë një ekip që do të ofrojë shërbime  për njerëzit që do të qëndrojnë atje, nga kujdesi për fëmijët dhe shoferët, te një truprojë dhe një kuzhinier privat.

Në krye të gradaceles do të jenë pesë penthouse “nga më luksoze” në Dubai dhe në botë. Secila prej tyre do të ketë emrin e njërës prej orëve luksoze të Jacob&Co, ndërsa kompania do të mbikëqyrë dizajnin e brendshme të tyre./abcnews.al/ KultPlus.com

Festimet e Ditës së Pavarësisë në Tiranë nga nëntori 1944

 Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në rubrikën “Si sot në histori” publikoi një foto nga festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë nga nëntori i vitit 1944.

Imazhi paraqet një grup fëmijësh të mbledhur në bulevardin e sapondërtuar të kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit”, gjatë një parakalimi.

Përfaqësues ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtete të tjera u mblodhën në bazën përshëndetëse, ndërsa avionët e Forcave Ajrore Mbretërore Britanike “Halifax” fluturuan mbi kryeqytet për të përkujtuar Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin nga kontrolli gjerman.

“Ai që pendohet për ato që ka bërë është dyfish i mjerë”

Shumë prej thënieve të Spinozës janë jashtëzakonisht të kthjellta dhe të fuqishme, kjo është arsyeja pse ato janë me ndikim të madh edhe sot e kësaj dite, shkruan KultPlus.

Frazat e Spinozës kanë karakteristikën unike të të qenit të thjeshta, por në të njëjtën kohë përfshijnë mësime të shkëlqyera. Diçka që vetëm mendjet e mëdha mund ta prodhojnë. Shumë filozofë, si Hegel dhe Schelling, e konsiderojnë atë babanë e mendimit modern. Në të njëjtën kohë, nëse bëhet një krahasim me prozën komplekse të këtyre filozofëve, vëzhgimet e tij janë të thjeshta dhe të arritshme për të gjithë.

Spinoza dhe pendimi

Një nga frazat e Spinozës për keqardhjen dhe pendimin thotë: “Nuk pendohem për asgjë. Ai që pendohet për ato që ka bërë është dyfish i mjerë”. Për një njeri të shekullit të shtatëmbëdhjetë, kjo frazë ishte tërësisht revolucionare: shumë nga bashkëkohësit e tij e konsideruan atë profane dhe fyese.

Le të kujtojmë se një nga shtyllat themeluese të Krishtërimit është pikërisht pendimi. Sot ne e shohim atë nga një këndvështrim laik, por në kohën e Spinozës të folurit në këtë mënyrë ishte thuajse blasfemi. Edhe sot, këto fjalë na ftojnë të reflektojmë. Sa pendim dhe faj hedhim mbi veten tonë?

Dallimet në mendime

Spinoza ishte një mendimtar i lirë, tepër modern për kohën e tij. Ai u rebelua kundër dogmave, paragjykimeve dhe besimeve të pabaza. Fryma e tij liberale përshkonte mendimin e tij me një sens të thellë kritik.

Nga kjo vijnë fjalitë e tij më emblematike: “Mendjet janë aq të ndryshme sa edhe shijet”. Kjo deklaratë e shkurtër në favor të diversitetit të mendimit nuk u prit me dashamirësi nga bashkëkohësit e tij. Në fakt, në kohën e Spinozës, idetë mbizotëruese mbështesnin të vërtetat pa përjashtime dhe arsyet unike e të fuqishme.

Mbi origjinën e lirisë

Një deklaratë tjetër e filozofit holandez është: “Aktiviteti më i rëndësishëm që një qenie njerëzore mund t’i kushtojë vetvetes është të mësojë të kuptojë, sepse të kuptosh do të thotë të jesh i lirë”. Në këtë fjali gjejmë një nga arsyet pse Spinoza u konsiderua një nga racionalistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Liria merr një vlerë transhendentale, ajo lind nga arsyeja, nga dija. Ky mendim është në kundërshtim me idenë e përgjithshme të asaj epoke kur fjala “liri” vlerësohej me dyshim dhe të mohoje fenë ishte një veprim prej të çmendurish.

Dëshira dhe mirësia

Mendimi i Spinozës shënoi vërtetë një moment historik, veçanërisht në fushën e etikës. Fjalitë e tij shfaqen në veprat e Freud, Lacan, Foucault. Puna e tij la shenjë në shpirtin perëndimor aq thellë sa që edhe sot shumë postulate moderne janë të rrënjosura në mendimin e këtij filozofi holandez.

Një tjetër nga frazat e tij thotë: “Ne nuk duam një gjë sepse është e mirë, përkundrazi themi që diçka është e mirë sepse ne e duam atë”. Këtu është një shembull tjetër i mprehtësisë në përshkrimin e natyrës njerëzore. Në këtë rast ai flet për shtrembërimin subjektiv që prodhohet duke filluar nga prirjet personale. Me fjalë të tjera, roli i emocionit dhe mënyra se si ai imponohet në mendimet tona.

Zoti dhe injoranca

Vepra e Spinozës ka qenë e ndaluar dhe e fshehur për më shumë se një shekull, dhe kjo varej mbi të gjitha nga mendimi i tij për Zotin.Vizioni i tij modern nuk u prit mirë në qarqet e fuqishme dhe dogmatike të kohës së tij. Spinoza, në të vërtetë, shënoi një dallim midis fesë dhe arsyes, e cila si duket nuk gjeti shumë mbështetës midis atyre që ruanin pushtetin fetar.

Një nga frazat e Spinozës në lidhje me këtë është: “Ata që, duke injoruar diçka, i drejtohen vullnetit të Zotit, ulërasin drejt qiejve: çfarë forme qesharake, pa dyshim, për të rrëfyer injorancën e tyre”. Edhe pse vetë Spinoza ishte një njeri thellësisht fetar, në këtë fjali ai na flet për ekzistencën e forcave të tjera, shumë prej të cilave janë nën kontrollin tonë, dhe të cilat na lejojnë të formësojmë të ardhmen tonë.

Baruch Spinoza u përplas me presione shumë të forta ideologjike të epokës së tij. Sidoqoftë, ai nuk pushoi së menduari lirisht dhe së analizuari realitetin me pavarësi. Ai vdiq nga tuberkulozi në moshën 44 vjeç. Pasuritë e tij të vetme ishin dy shtretër, dy tavolina, një pastrues lentesh dhe 150 libra. / KultPlus.com

390 vite nga lindja e filozofit holandez, Baruch de Spinoza

Filozofi nga Holanda Baruch de Spinoza, jetoi në shek XVII dhe së bashku me Dekartin konsiderohen si pararendësit e epokës moderne.

Sot shënohen gjithsej 390 vite nga lindja e tij. Filozofia e Spinozës përfshin pothuajse çdo fushë të diskursit filozofik, duke përfshirë metafizikën, epistemologjinë, filozofinë politike, etikën, filozofinë e mendjes dhe filozofinë e shkencës. Ajo i dha Spinozës një reputacion të qëndrueshëm si një nga mendimtarët më të rëndësishëm dhe origjinal të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Filozofia e Spinozës përmbahet kryesisht në dy libra: Traktati Teologjiko-Politik dhe Etika.

Këto janë disa nga thëniet e tij më të njohura:

“Të gjitha gjërat e shkëlqyera janë aq të vështira sa janë të rralla.”

“Paqja nuk është një mungesë lufte, është një virtyt, një gjendje shpirtërore, një prirje për dashamirësi, besim, drejtësi.”

“Nuk ka frikë pa shpresë e as shpresë pa frikë.”

“Unë kam luftuar për të mos qeshur me veprimet njerëzore, për të mos qarë me ta, as për t’i urryer, por për t’i kuptuar ato.”

“Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën.”

“Lumturia është një virtyt, jo shpërblim.”

“Bota do të ishte më e lumtur nëse burrat kishin të njëjtën aftësi për të heshtur siç kanë për të folur.”

Për shkak të aktivitetit të tij intelektual ai u ‘c’kishërua’, u shpall herë heretik, herë ateist dhe i rrezikshëm për shoqërinë / KultPlus.com

Këngët e pavdekshme të këngëtarit më me ndikim në histori, Freddie Mercury (VIDEO)

Suksesi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i “Bohemian Rapsody”, filmi mbi historinë e grupit ”Queen”, që me një buxhet prej 52 milionë dollarësh ka arritur të fitojë një miliard dollarë duke fituar katër Oscar, përfshirë atë për aktorin më të mirë në rolin kryesor (Rami Malek), është demonstrimi më i bujshëm i asaj që grupi përfaqëson në historinë e rock-ut dhe deri tani në imagjinatën kolektive, transmeton KultPlus.

Mercury ndërroi jetë me 24 nëntor 1991, vetëm 45 vjeçar, dhe morri shumë sekrete me vete në varrin e tij. Dikur punoi si fotomodel, ishte shok i mirë i David Bowie, ndërsa këngën “Bohemian Rhapsody” nisi ta shkruante kur ishte student.

KultPlus ua sjellë disa prej këngëve të Mercuryt, të cilat konsiderohen si të pavdekshme. / KultPlus.com

Fotografitë arbëreshe të Mario Calivàs nesër ekspozohen në Peru

Tri foto të poetit, dramaturgut dhe fotografit arbëresh Mario Calivà do të jenë pjesë e një ekspozite të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Lima në Peru.

Tema e ekspozitës është Siçilia dhe aspektet e saj kulturore. Ekspozita do të inaugurohet të premten, 25 nëntor 2022, në orën 18:00, në Sala Sironi e institutit Italian të Kulturës në Lima.

“Me shumë kënaqësi ju informoj se tre nga fotot e mia do të jenë pjesë e një ekspozite të rëndësishme të organizuar nga instituti italian në Lima, Peru. Një mundësi për të paraqitur arbëreshët përtej oqeanit” shkruan Caliva. / KultPlus.com

Premiera “Club Albania” me regji të Fatos Berishës vjen më 28 nëntor në Amfiteatrin e TKK-së

Premiera “Club Albania” bazuar në “Pas Vdekjes” të A.Z. Çajupit, do të ipet më 28 nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë – Prishtinë), përcjell KultPlus.com

Shfaqja vjen në regji të Fatos Berishës me aktorët: Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi.

Ndërsa, për KultPlus ai pati potencuar se shfaqja “Club Albania” flet për popullin tonë.

Dramaturg: Shpetim Selmani

Kompozitore: Rona Castrioti Berisha

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: YIlka Brada

Koreograf: Robert Nuha

Asistente regjie: Yllka Lota

Inspicient: Bajram Mehmeti

Mjeshtër Ndriqimi: Mursel Bekteshi & Sherif Sahiti

Realizator skenografie: Ardit Rexhepi

Realizator kostumografie: Shemsi Avdiu

Udhëheqës teknik: Aziz Maloku

Repriza e parë: 29 Nëntor 2022, ora 20:00 / KultPlus.com

Taika Waititi së shpejti me filmin e ri “Next Goal Wins”

“Next Goal Wins” titullohet filmi i ri të cilin e realizoi regjisori Taka Waititi.

Në këtë film me rol paraqitet aktori Michael Fassbender.

Ky film bazohet në ngjarje të vërtetë. Ai paraqet një ekip futbollistik me trajnerin Thomas Rongen në vitin 2001. Rolin e tij e luan Fassbender.

Ai bëhet trajner i tyre me qëllim që të kthejnë famën pas humbjes nga Australia me 31 me zero.

Waititi në një intervistë për Entertaintment Weekly, këtë projekt filmik e ka krahasuar me filmin e vitit 1993 “Cool Runnings”.

Ai e ka quajtur filmin “tregimi për ekipin më të keq futbollistik në botë”.

Sipas tij, filmi ka të bëj me një ekip futbollistik i cili përjeton humbjen më të madhe në lojë ndërkombëtare kundër Australisë, që do të thotë se Australianët kanë shënuar nga një golë në çdo katër minuta.

Waititi ka thënë se pëlqen tregimet që janë për të dobët, dhe shumica e filmave të tij janë për njerëz të lënë paksa anash.

Ai ka thënë se filmi bazohet në ngjarje të vërtetë, dhe ka të gjitha elementet që kanë të gjithë filmat e mirë dedikuar sporteve.

Ndërkaq sa i përket inspirimit për realizim të tij, Waititi ka thënë se është inspiruar kur ka parë dokumentarin e vitit 2014, me po këtë titull.

Filmi “Next Goal Wins” do të shfaqet në kinema në prill të vitit të ardhshëm./21Media/ KultPlus.com

Sopranoja Besa Llugiqi dhe kuarteti ‘Suonos Albanicus’ për herë të parë prezantojnë muzikë autentike shqiptare në Stara Zagora

Për herë të parë në Stara Zagora është luajtur një koncert me muzikë autentike shqiptare. E krejt kjo nga bashkëpunimi i sopranos së njohur Besa Llugiqi me kuartetin “Suonos Albanicus”, të cilët në mënyrë të mahnitshme kanë sjell koncertin e zhvilluar në natën e gjashtë të Festivalit të Operas dhe Baletit, shkruan KultPlus.

Për KultPlus, sopranoja Llugiqi ka bërë të ditur se koncerti është pritur me duartrokitje nga publiku, teksa në sallë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Pesë interpretuesit e njohur shqiptarë si: violinistët Abigaile Voshtina Visar Kuçi, Herida Duro në violë, Mario Guralumi në violonçel dhe sopranoja Besa Lugiqi, kanë prezantuar veprat më domethënëse të kulturës shqiptare, këngët tradicionale popullore, si dhe muzikën bashkëkohore.

Ndërsa, drejtori i Operës në Staro Zagora, Ognyan Draganov, ka bërë të ditur se ky është koncerti i parë me muzikë shqiptare që shfaqet në skenën e Stara Zagorës.

“Për të shtatin vit radhazi, ne po ftojmë një ansambël dhomash nga një vend ballkanik që të marrë pjesë në FOBI dhe tashmë jemi të bindur se kjo është një traditë e mirë”, tha Draganov.

Po ashtu, sopranoja Llugiqi për KultPlus është shprehur tejet e lumtur që kanë prezantuar muzikën shqipe.

“Publiku e vlerësoj shumë koncertin duke e cilësuar si muzikë të bukur dhe melodi që mbahen në mend në të gjitha pikët që u interpretuan. Ishte një ndjenjë e bukur për ne të prezantojmë muzikën dhe krijimtarinë e trevave tona, duke bërë që të njihen me muzikën tonë dhe kompozitorët e interpretët që kemi“, thotë ajo. / KultPlus.com

Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen për targat, pret progres në dialog

Ministri për Europën i Britanisë së Madhe, Leo Docherty, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai tha se tashmë palët duhet të ulen në tryezë dhe të bisedojnë për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

“E mirëpres marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në hapat për uljen e tensioneve. Është jetike që të dyja vendet tani të ulen në tryezë që të bëjnë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, për të mirën e të gjithë qytetarëve të tyre”, ka thënë ai në rrjetin social Twitter. / KultPlus.com

Është e ndaluar

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty…