Sa mençuri kishte  në këto troje të cilat ende nuk i njohim

Nga Ibrahim Kadriu

Sa mençuri kishte  në këto troje të cilat ende nuk i njohim

(Me akademiken Edi Shukriu)

Kosova e meriton të quhet kopsht, jo pse kështu e ëndërrojmë, por pse vërtetë është e tillë, kurse ne që jemi brenda saj, nuk e shohim, apo nuk ia kuptojmë përmbajtjen që është e jashtëzakonshme qoftë mbi sipërfaqe të tokës, qoftë në brendi. Këtë e kuptojmë nga të tjerët, nga ata që ishin kalimtarë, udhëpërshkrues, ose nga ata të tjerët që ia falen mendjen dhe zbuluan (e vazhdojnë të zbulojnë) mrekullitë, qofshin ato mbi tokë, apo edhe nën tokë. Falë atyre mrekullive që ne, dua të them brezat e mëparshëm, nuk i panë e as kuptuan kurrë – Kosova ishte, është dhe, me siguri, do të jetë pjesë e etjeve të të tjerëve që në vazhdimësi e eksplorojnë. Ndoshta pikërisht për këtë shkak Kosova ishte dhe mbeti në qendër të vëmendjes  të orekseve të jashtme. Nëse i shfletojmë faqet e historisë nëpër shekuj, shohim se në Kosovë u kryqëzuan shpatat, në çdo kohë: i kryqëzuan ata që e dëshironin, kurse ne që nga kjo tokë e mistershme dhe magjike nxirrnim vetëm bukën, nuk i kuptonim veprimet me thyerje shpatash të atyre që vinin kush e di se prej nga dhe lenin eshtrat në këtë tokë. Nuk e dinim sepse as një pushtues nuk lejonte që edhe ne të dinim se mbi tokë dhe nën tokë të Kosovës kishte dhe ka pasuri të mëdha: pasuri minerale dhe pasuri arkeologjike, por dhe pasuri natyrore të ruajtura nga një klimë e cila, këtu në Kosovë, iu afrohet të gjitha stinëve në mënyrën më të mrekullueshme. Se Kosova ishte gjithmonë një mister i pa zbuluar, mund ta kuptonim përmes kujtesës të ndonjë kalimtari, të shënuar në ndonjë faqe libri të cilin nuk mund ta kishim pronë tonën, sepse të gjithë pushtuesit qëllim parësor kishin të na mbanin analfabetë; na dëshironin të ishim ose veç analfabetë ose të vdekur. Me një alivanosje të tillë kapërcyem shekujt, erdhëm  në ditët e sotme kur po ndërtojmë shtetin e pavarur dhe, pikërisht tash, ndeshim do harta që kurrë s’i shihnim, do harta mineralesh dhe bindemi se edhe nën shtëpitë tona ka minerale, të tilla që ne nuk i dinim, por që në hartat e të tjerëve që ishin të gatshëm t’i thyenin shpatat –  i kishin, siç i kishin edhe hartat arkeologjike, ato harta mbi vendbanimet antike prej nga të tjerët plaçkitën aq shumë artefakte dhe me to stolisën muzetë tjera…Por, megjithëkëtë, kurrë nuk arritën që, si tërësi territoriale, ta merrnin Kosovën dhe ta fusnin brenda kufijve të shteteve grabitëse. Kosova mbeti këtu ku është, por tash në mëshirën e vetvetes dhe, vetvetja është ajo që mund ta zbulojë si tërësi , të dëshmojë ekzistencën e saj në mileniume, edhe kur ishte liqe, sepse për këtë dëshmojnë guacat që edhe sot gjenden në kodrinat e Rahovecit, dhe ta kujtojnë Barkën e Noes; muret antike, gurë varresh me mbishkrime të para mija vjetësh, e tj. e tj.

Fat që të huajt nuk kanë mundur t’i plaçkitnin të gjitha dhe nuk kanë arritur t’i bartin të gjitha  mineralet dhe artefaktet, dhe Kosova  sot, në këto kushte të ngritjes së kuadrove, u ofron vullnetin atyre që kanë afinitetin shkencor e hulumtues dhe, në kohën që e kemi përpara, do ta njohim shumë më mirë, dhe do ta vlerësojmë në shkallën që e meriton, si territor i veçantë dhe i mrekullueshëm. Për këtë do ta kemi shikimin e orientuar kah gjeologët e arkeologët, siç është, fjala vjen, arkeologia dhe poetja Edi Shukriu, në të vërtetë prof. Dr. Edi Shukriu, apo më shkurt Akademike Edi Shukriu. Duke përcjellë me kohë veprimtaritë e saja hulumtuese dhe zbuluese në fushën e arkeologjisë, e kisha parasysh të shoqërohesha me portretin e saj prej studiuese, në kuadër të buzëqeshjeve  miqsh, andaj më interesoi biografia e saj. E gjeta të shënuar: Edi Shukriu – shkrimtare, profesoreshë universiteti, politikane, u lind më 1950 në Prizren. Autore e librave shkencorë “Dardania paraurbane” (1996), “Kosova antike” (2004), , “Ancient Kosova” (2004) “Gra të shquara shqiptare” (2000, 2003) “Eminentne albanke” (2011) “Distinguisshed” (2012), pastaj vëllimet me poezi:  “Sonte zemra ime feston” (1972)  “Gjakim” (1978), “Përjetësi” (2001), “Syri i natës” (1986), “Legjenda e Hasit” (1980), “Kthimi i Euridikës”(1986), “Likeni i Hasit” (1992), “Nënqielli” (1999, për të cilin edhe mori Çmimin Vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe “Përjetësi” (2001).

Te shënimet biografike figuron edhe përkushtimi si politikane, si veprimtare që nga nisma e ndarjes nga monizmi, atëherë kur kundërshtohej brutaliteti i politikës serbe mbi shqiptarët. Ajo ecte në rreshtin e parë të të rebeluarve kundër politikës serbe, dhe në këtë drejtim kapërcente edhe kufijtë për të senzibiluar opinionin e jashtëm mbi trysnitë serbe ndaj etnisë shqiptare. Ajo, menjëherë pas përzënies të forcave serbe nga trualli e Kosovës, ishte edhe ministër e, në të njëjtën kohë, vazhdonte ligjëratat në fakultet, por vazhdonte gjithashtu edhe hulumtimet në terrenet e Kosovës për të hetuar e zbuluar gjurmët tona në lashtësi. Me një përkushtim të tillë të hulumtueses, Edi e botoi edhe librin “Kisha e Shën Prendës në Prizren”  për të dëshmuar, siç thotë, se … Kisha e Shën Prendës në Prizren është një ndër monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës, e vendosur mbi bazën e kishës së mëhershme trianiatëshe të shekujve XI e XIII dhe të atyre paraprake, kishë kjo që sjell frymë rrezatuese lashtësie. Me këtë vepër del në pah mënyra e paskrupull  sllave për përvetësimin e trashëgimisë sonë. Duke i pasur të gjitha këto të dhëna parasysh, e gjeja arsyen të bisedoja shtruar me profesoreshën, arkeologen dhe poeten Edi, kurse ajo, derisa pimë kafe në pjesën e Ulpianës në Prishtinë, rrëfen mbi gjurmët tona që deshën t’i shkatërrojnë nëpër shekuj; flet mbi punët ekipore në terrenet e Kosovës dhe mbi bindjen se fusha e arkeologjisë është e pazbuluar dhe se kuadrot, por edhe përkushtimi institucional, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë maksimale në mënyrë që me seriozitetin më të madh ta nderojmë atë që është vlerë e jona.  Mbase, në profesionin e arkeologes kërkoj të përgjigjet se çfarë e nxiti të merret me arkeologjinë?

-Nxitja për studimin e arkeologjisë ishte pasuria me trashëgimi kulturore e Kosovës, mosnjohja e saj nga të tjerët dhe mungesa e kuadrove shqiptare. Dashurinë për trashëgimi, njohjen e së kaluarës dhe për letërsi e fitova nga prindërit, Margarita Mjeda e Muhamed Shukriu. Ecja në natyrë dhe sporti, ishin pjesë përbërëse e jetës që në fëmijëri. Gara bënim në përshkrimin e natyrës dhe çdo të diele secili anëtar i familjes, pra edhe vëllai më i vogël Gemi, duhej të tregonte një përrallë të sajuar vetë. Kemi garuar dhe në boks, pasi që daja im Cani kishte sjellë nga Shkupi dy palë dorëza boksi në Prizren. Mendoj se këto ishin dorëzat e para të këtij sporti të sjella në Kosovë, siç mendoj se skijat prej druri të babit ishin ndër të parat…Njohuritë e para për arkeologjinë i fitova nga babi. Në fillim, dhe unë e shihja me ngjyrën e romantizmit, duke përfytyruar antikitetin e Egjiptit, Greqisë, Italisë… Ndërkohë mësova se krahasimet janë të pashmangshme, për të parë se ku ishim dhe ku jemi, së pari duke e njohur veten. Profesioni i arkeologut ngërthen në vete edhe ‘romantikë’, andaj njohësit sipërfaqësore e shohin si të tillë. Pos tjerash, arkeologjia ka dhe faqen tjetër të medaljes. Dielli, për shembull, nuk është përcjellës i përhershëm, ose bën vapë e madhe ose ka të reshura dhe çdo gjë nis nga mugëtira e mëngjesit të hershëm. Gjatë hulumtimeve arkeologjike në Kalanë e Prizrenit (1969), ngjitja në Kala niste në orën 5 të mëngjesit, për dy muaj rresht. Deri tek tuma e Romajës (1970-1971) udhëtonim nga Prizreni që herët në mëngjes me një ‘gazikë‘ të vjetruar, pa çelës kontakti – motori ndizej pasi që lidheshin dy tela kontakti dhe mbështjellshin me leckë. Disa herë e kemi kaluar lumin Drin për ta shkurtuar rrugën…

Arkeologjia ka dhe rreziqe, sidomos kur hapen varret apo hapësirat e mbyllura. Viruset mund të qëndrojnë me qindra vjet dhe pastaj të aktivizohen. Kështu, nuk e kemi ditur se nga çfarë ka lënguar luftëtari nga varri 14 në tumën e Romajës apo çfarë pësoi pronari i brezit të argjendtë nga tuma e Përçevës. Në Kosovë kemi pasur fat – nuk e kemi ‘ringjallur’ asnjë virus apo po, por pa pasoja. Pasoja kisha nga gërmimet ‘dimërore’ në Gradinën e Gadimes së Epërme – disa muaj qëndrova në spital… Më duhet të them se profesioni im si arkeologe dhe si femër ka ndihmuar mjaft që të thyhen paragjykimet mbi shqiptarët në kohën kur kam qenë pjesë e diplomacisë së Kosovës, aq më tepër kur dihet se vetëm në shoqëritë e emancipuara  ushtrohet ky profesion.

-Sa është arritur në këtë fushë në hapësirën e Kosovës?

-Arritje ka, por ende jemi larg nga njohja e ofertës së plotë arkeologjike të Kosovës. Për këto flet hijerorja me art parahistorik shkëmbor e Vlashnjës (2005), labyrinthi autokton nga Smira (1988) apo zbulimet e reja nga rrethi i Gjilanit. Kosovës i duhet një rinjohje e plotë arkeologjike. Një nismë e mirë është Harta Arkeologjike e Kosovës, por as për të nuk kishte bashkëpunim të duhur. Evidentimi i plotë i lokaliteteve arkeologjike të Kosovës, në çdo komunë veç e veç, është i domosdoshëm. Ndërkohë do të ndaloja çdo gërmim arkeologjik, pos kur është në pyetje arkeologjia shpëtuese.

Të kuptuarit e trashëgimisë kulturore në rend të parë do të thotë njohje e shtresimeve kulturore në kohë dhe në hapësirë, si dhe të kuptuarit e shumë dimensionit të saj. Andaj, studimi i trashëgimisë kulturore ka të bëjë me arkeologjinë, arkitekturën, historinë, filozofinë apo dhe psikologjinë, duke përfshirë edhe shkencat natyrore. Tradita dhe shkalla e studimit dhe e kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore janë shprehje e dy komponentëve kyçe që përcaktojnë nivelin kulturor të një populli apo të një hapësire: (1) të nivelit kulturor në të kaluarën, dhe (2) të nivelit kulturor në të tashmen. Natyrisht, studimi i arkeologjisë, si dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi, nënkupton plotësimin e tri kushteve thelbësore: 1. Profesionalizmi, 2. Dija / Njohja dhe 3. Pasioni. Duhet përkujtuar se arkeologjia u zhvillua në shoqëritë që kishin shkallë të zhvillimit ekonomik dhe, si rrjedhojë, të atij kulturor. Shpenzime kthehen me vlera të shumëfishta dhe i tejkalojnë investimet e bëra. Kosova ka mundësi të tilla sikur menaxhimi të ishte më i mirë.

-Si janë zhvilluar raportet studimore të kësaj fushe në bashkëpunim me studiues të tjerë të cilët kanë shprehur interesimin të bëjnë hulumtime në Kosovë?

-Ka një zhvillim, por jo në shkallën e dëshiruar. Interesimi është i orientuar kryesisht tek Ulpiana antike, në të cilën për herë të parë nisi bashkëpunimi i Universitetit të Prishtinës me Francën (2006-2010). Sot në të veprojnë disa ekipe, jo gjithherë të koordinuara. Për hulumtimet në Ulpianë duhet bërë një Këshill Shkencor, i cili do t’i propozonte politikat e hulumtimeve, të konservimit, të prezantimit dhe të shfrytëzimit për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Këtë e kam propozuar që në vitin 2000, siç kam propozuar që në të të themelohet Shkolla Ndërkombëtare e Arkeologjisë dhe Shkolla Ndërkombëtare e Konservimit. Kishte shumë premtime politike… Ende sot shumë pak njerëz mund ta gjejnë Ulpianën. Kalaja e Prizrenit vizitohet, Kalaja mesjetare e Artanës/Novobërdës/ gjendet lehtë, por vizitorët nuk dinë që jo larg gjendet dhe qyteza parahistorike dardane. Lokalitetet e tjera i kemi lënë në gjumë të thellë…

  -Në fillim ishin arkeologë serbë, më pastaj në meset arkeologjike arritën edhe shkencëtarë nga Shqipëria, a mund të cilësohet farë bashkëpunimi i mirëfilltë mes arkeologëve kosovarë dhe të tjerëve jashtë Kosovës?

Bashkëpunimi në arkeologji është parakusht pa të cilën nuk ka hap para. Puna ekipore është baza e kësaj shkence, duke u nisur nga përnjohja e terrenit, gërmimi arkeologjik e deri tek botimi final. Termi bashkëpunim duhet të jetë i shenjtë për arkeologun, si dhe për shumë shkenca e profesione të tjera. Kjo përfshinë dhe punën dhe studimin me ekspertë të fushave të përafërta shkencore dhe profesionale, gjithnjë duke u bazuar në fakte.

Periudha e paraluftës në Kosovë kishte rezultate, por kishte dhe ngarkesa të shumta politike. Në Kosovën e pas vitit 1999, në vend të zhvillimit të politikave nacionale, nisi të qet krye interesi i grupeve politike dhe ai material. Mbase nuk do të pengonte aq shumë vërshime e “ekspertëve” të arkeologjisë sikur të mos mbylleshin dyert për shkencëtarët e profesionistët e fushës. Si rrjedhojë edhe Instituti Arkeologjik, ku gati nuk ka arkeologë të mirëfilltë, ende nuk i plotëson nevojat e kohës. Mosfunksionimi i Bordit / Këshillit të këtij institucioni/ është çështje më vete, ndërsa mungesa e prezantimit të gjendjes reale dhe, mbi të gjitha, të programit nacional për arkeologjinë janë çështje për brengosje. Në këtë fushë veprojnë disa institucione dhe ndërlidhen disa ministri, të cilat bëjnë shtyrje të pakuptimtë. “Lufta” që Universiteti i Prishtinës të mos zhvillojë hulumtime arkeologjike është po aq e pakuptimtë, aq më tepër që kjo praktikë zbatohet në të gjitha vendet e përparuara. Pengesat dhe mungesa e mjeteve bënë që Universiteti i Prishtinës t’i ndërpresë hulumtimet në Ulpianë (2006-2010), ndonëse çdo vjet ndahen mbi 100.000 euro.  

Bashkëpunimin me Shqipërinë e kam menduar të jetë më efikas, që nga viti 2000 kur propozova themelimin e Institutit Arkeologjik. Ndërkohë Kosova u bë “treg pune” dhe bashkëpunimi, mjerisht, u zhvillua me të tillët në Kosovë që kishin punuar nën okupimin serb, pra edhe gjatë viteve 1991-1999 kur shqiptarët u dëbuan nga puna, si dhe me të papërvojët. As në këtë fushë nuk duhet të ketë eliminime dhe vetëm nga bashkëpunimi i mirëfilltë mund të priten rezultate pozitive. Në kuadër të kësaj nuk duhet harruar se trashëgimia kulturore, përfshirë dhe ajo arkeologjike, ende shfrytëzohet nga Beogradi si mjet i presionit politik ndaj Republikës së Kosovës dhe se kjo, bashkë me të drejtat e gruas dhe të fëmijëve janë në mesin e çështjeve më sensitive në botë.

-A mund të dëshmohen tezat ilire me të gjeturat nën tokë?

Varet se për cilat teza është fjala. Nëse mendohet për urbanizmin në Ilirinë e Jugut ajo është dëshmuar kaherë. Faza paraurbane në Dardani është evidente, duhet hulumtuar më tej për atë urbane pararomake. Për tezën e vazhdimësisë pellazge-ilire duhet punuar ende shumë… Një ndër çelësat mendoj se është deshifrimi i shkrimit Linear A, për të cilin duhet njohur tejet mirë gjuha e vjetër shqipe, bashkë me gjuhët e antikitetit. Teza e vazhdimësisë ilire-shqiptare është dëshmuar (pos disa mendimeve ndryshe). Këtë e dëshmon dhe identitetet i formësuar me krijimin e shteteve ilire dhe e folmja shqipe, madje deri vonë edhe në Nish të Serbisë. Jo larg saj gjendet dhe Molla e kuqe, term kufitar që është ringjallur edhe në mesin e të rinjve.

Nëntoka ilire është mjaft e pasur, në gjithë Ballkanin lindor e qendror, Gjetjet e shumta arkeologjike ofrojnë mundësi që të shpalohet më shumë qytetërimi i zhvilluar kaherë, por kjo duhet të bëhet me përkrahje institucionale dhe profesionale të shteteve në rajon. Botimi i një enciklopedie bashkëkohore ilire mund të jetë fillim i mirë…

-Si i presin studiuesit e huaj vlerat studimore mbi arkeologjinë nga fushëveprimi yt? Theksin e kam te vizita që i bëtë Universitetit të Harvardit…

-Në Universitetin e Harvardit isha si shkencëtare hulumtuese dhe kryesisht kam punuar në Widener Library. Aty gjendej e gjithë literatura botërore, nuk kaplonte ‘nervozë’ se çdo libër apo artikull i nevojshëm gjendej menjëherë. Andaj kam punuar ‘28 orë’ në dite… U nisa për të kërkuar analogji për labyrinthin rrethor të Smirës. U nisa nga diçka që ishte krijuar në tokën e Kosovës për t’i studiuar vrojtuesit parahistorikë të qiellit dhe u dëshmova se labyrinthi ishte prodhim vendës. Thellësia filozofike-religjioze dardane ende më mahnit dhe ende them se sa mençuri kishte  në këto troje e të cilat ende nuk i njohim. Lidhur me këto kam biseduar me kolegët e Departamentit të Klasikes dhe të atij të Antropologjisë, por edhe për aspekte të tjera, duke theksuar dhe nevojën që në kurikulat dhe studimet e tyre të përfshihen dhe ilirët. Libri im Ancient Kosova është pritur mirë dhe kush nuk e gjen në Kosovë e pret edhe atje.

-Keni arritur të botoni shumë vepra shkencore, çfarë është interesimi institucional ndaj atyre veprave?

-Mbase mjafton të them se për librat e botuar nuk kam marrë honorar dhe e di se këtë askush nuk mund ta besojë. Shumica e intelektualëve e dinë sa vështirë është të gjenden financa për botimin e një libri. Që gjërat të vijnë në binarë të nevojshëm duhet të ketë plane me prioritet nacional dhe në institucione të vendosen individë që i shërbejnë përparimit të Kosovës, dhe jo ministrave e partive politike. 

-Është me rëndësi që veprat e tilla shkencore, mbi arkeologjinë, të kenë depërtim edhe atje ku fliten gjuhët botërore, çfarë është vepruar në këtë drejtim?

-Veprat mbi arkeologjinë dhe antikën e Kosovës duhet të jenë sa më të pranishme në planin ndërkombëtar, si botime shkencore e profesionale apo dhe si shkencore-popullarizuese.  Aq më tepër që kanë të bëjnë edhe me çështjet e identitetit dhe që nuk njihen shumë. Depërtimet në gjuhët botërore janë bërë kryesisht në mënyrë individuale, andaj institucionet e Kosovës duhet ta kenë prioritet përkthimin e veprave origjinale shkencore e profesionale, si dhe ato letrare dhe promovimin e tyre. T’i flasim vetes sonë dhe të kënaqemi me ‘të arriturat’ nuk mjafton. Jo rastësisht botova njëkohësisht librin Kosova antike dhe atë në gjuhën angleze Ancient Kosova në vitin 2004. Ishte paraparë që ta kishte dhe CD, por ajo ‘treti’ diku, ndonëse mjetet kishin shkuar në Muzeun e Kosovës. Gratë e shquara shqiptare (2000, 2003) është botuar mjaft e plotësuar në gjuhën malazeze (2012) dhe versionet edhe më të plotësuara në anglisht dhe shqip presin të dalin në dritë. Në anglisht është botuar, në 200 ekzemplarë, në vitin 2012. Puna në libër më ka ndihmuar ta njoh më mirë botën shqiptare, andaj mendoj se përmes kontributit të gruas shqiptare në shkencë, kulturë e histori ndihmon që të tjerët të na njohin në dritën e vërtetë. Përkundër dëshirës për qasje pozitive, më duhet të them se gjendja nuk është për lëvdatë, aq më tepër që nuk ka shumë hapësira të përjetimit të trashëgimisë kulturore, me të edhe të inspirimit të mundshëm letrar dhe të promovimit kulturor, flet mjaft. Bukuritë natyrore dhe trashëgimia e saj janë çështje tjetër.

-Meqë jeni pedagoge në Universitet, pedagoge e lëndës së arkeologjisë, a mund të thoni se çfarë është interesimi i të rinjve për këtë fushë studimesh?

-Interesimi është mjaft i madh, sidomos për studimet bazike të arkeologjisë, që nuk ka ende as në Shqipëri. Pas luftës kam dërguar grupe studentësh në gërmime në Butrint dhe në Apoloni, si dhe disa studentë për studime Master në Francë. Një ka doktoruar dhe tre janë në rrugë e sipër. Më në fund ka shpresë që me themelimin e Departamentit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës të ketë dhe drejtim të arkeologjisë, ashtu si kisha planifikuar që në vitin 2000. Kam punuar në këtë drejtim, si dhe për drejtimin e antropologjisë fizike, për të cilin po aq mungojnë kuadrot në rajon dhe ku janë ofruar për ndihmë profesorët e fushës nga universitetet me renome. Mjerisht, në UP nuk ka pasur vullnet për këtë, mos të them se ka munguar vizioni.

-Sipas të dhënave që dalin nga shkrimet në mjetet e informimit Muzeu i Kosovës ka një zbrazëti për shkak se Beogradi, me tërheqjen e forcave ushtarake dhe shërbimeve tjera policore, me përfundimin e luftës ka tërhequr edhe shumë artefakte muzeore, vlera të trashëgimisë së Kosovës, dhe ende nuk i ka kthyer. Çfarë mund të thoni për këtë?

-Në Serbi ende gjenden artefaktet e krijuara në nënqiellin e Kosovës, ku dhe ishin të ekspozuara, pos dokumentacionit të përvetësuar. Kërkesa për kthimin e eksponateve arkeologjike nga Beogradi është bërë që në pranverë të vitit 2000, me iniciativën e Bashkëdrejtuesve të Departamentit të Kulturës, për të vazhdur me Drejtorin e Muzeut të Kosovës, z. Hadrin, dhe më pas të ministrisë përkatëse. Të marra nga Muzeu i Kosovës, por edhe nga muzetë e tjera të Kosovës, këto artefakte të çmuara janë bërë peng i politikave serbe. Artefaktet arkeologjike janë huazuar për ekspozitë në Beograd në kohën kur lufta e armatosur kishte nisur në Kosovë, Asokohe i kisha të qarta prapavijat politike serbe për përvetësimin e tyre, ashtu siç ishin të qarta tentimet për të dëshmuar se dardanët nuk ishin ilirë, përkatësisht se Kosova, si trevë dardane, nuk u takonte shqiptarëve. Mjerisht, kolegët shqiptarë të Muzeut të Kosovës nuk dëgjuan… Mendoj edhe se ka munguar dhe mungon trysnia më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu mendoj se Qeveria është dashur të ngris padi në nivel ndërkombëtar, për kthimin e artefakteve arekologjike, që janë huazuar dhe marrë me revers. Për thesarin etnologjik është e ditur se është marrë nga Muzeu i Kosovës me kamionë ushtarak pak para hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

-Ashtu siç i kanë uzurpuar edhe shumë vlera arkeologjike, mentaliteti (mesjetar) serb ka uzurpuar edhe objekte fetare që, siç shkruhet, i takonin paraardhësve tanë.

-Për çdo arkeolog është e njohur se lokalitetet sakrale përmbajnë shtresime të periudhave dhe të besimeve të ndryshme. Qëllimi i vetëm ishte ‘shlyerja’ e gjurmëve të mëhershme dhe krijimi i një tradite të re. Pa marr parasysh këtë, gjurmët arkeologjike flasin vet ashtu si dhe tradita shpirtërore, e cila është marramendësisht jetëgjatë. Pos tjerash, manifestimi i Shën Gjergjit, tek popullata myslimane me kalendar ortodoks, është dëshmia më e mirë për këtë. Historia botërore njeh tentime për ta shfrytëzuar trashëgiminë kulturore si mjet për arritjen e qëllimeve politike, por e njëjta dëshmon dhe për dështime të këtyre qëllimeve. Kur kihet parasysh se trashëgimia kulturore është element kyç për çështjet e identitetit, qëllimi për t’i përvetësuar del mjaft i qartë. Duhet përkujtuar se e kaluara e Kosovës është e stërngarkuar me shfrytëzimin e trashëgimisë për krijimin e të drejtës false historike të serbëve mbi Kosovën. Andaj mendoj se për këtë fushë, për ndjeshmërinë politike dhe për nevojat e Kosovës është dashur kaherë të veprohet me më shumë seriozitet, përkundër pengesave të ndërkombëtarëve, të cilët shpesh kanë lëshuar pe ndaj trysnive politike të Beogradit dhe kanë përkrahur “të dëgjueshmit” shqiptar.

-Kohëve të fundit keni botuar librin Kisha e Shën Prendës në Prizren, të cilën serbët e konsiderojnë si të tyre, ku qëndron e vërteta?

-Libri Kisha e Shën Prendës – Prizren u botua në fund të vitit 2012 dhe mendoj se ajo duhet parë botën në gjuhën angleze o në një gjuhë tjetër, përndryshe sërish i flasim vetëm vetes sonë. Një botim i tillë është më se i nevojshëm pasi që ky monument i rëndësishëm në zemër të Prizrenit shihet si serb dhe në listën e UNESCO-s figuron të jetë në Serbi. Në këtë libër kam punuar me vite, duke analizuar një pjesë të madhe të të dhënave, që nga hulumtimet arkeologjike të pjesshme të arkitektit nga Beogradi Slobodan Nenadoviq. Libri mbështetet në argumente që dalin nga trajtimi multidisiplinar shkencor, me aspekte arkeologjike, arkitekturore, historike, gjuhësore dhe etnologjike. Në të dëshmohet ekzistimi i 7 fazave arkitekturore, shumë prej të cilave i përkasin kohës para sundimit të mbretërve serb. Sjellën dhe emrat e kishës në periudha dhe gjuhë të ndryshme që përdoren në Prizren, si dhe mbijetesa e emrit të vjetër, përkundër ripërkushtimit të mbretit serb Millutinit (1307).

-Ju, paralelisht me studimet arkeologjike, merreni edhe me shkrime letrare. Bile mund të thuhet se shkrimet e para i keni në këtë fushë, kur kihet parasysh  botimi i librit të parë poetik “Sonte zemra ime feston” që e botuat (më 1972), pikërisht atë vit kur përfunduat studimet.

-Po, veprat letrare i kam botuar më parë dhe ndërkohë kam punuar që të krijoj përvoja shkencore dhe profesionale. Letërsia më ka ndihmuar në shumë aspekte, sidomos poezia, duke u nisur nga ‘herrja’ e fjalëve që ngarkojnë kuptimin. Fillimisht mësova që në krijimtarinë letrare të bëhem ‘kasap’ i shprehjeve që dilnin nga brendia e qenies sime, gjë që ishte mjaft e dhembshme. Si rezultat i kësaj pune me veten, e kam më të lehtë t’i mënjanoj kur shkruaj artikuj shkencor apo profesional.

          -Viteve në vazhdim paralelisht keni botuar libra poetikë, por edhe libra shkencore. Në cilin krah e keni përkushtimin më të madh, në shkencë apo në letërsi?

-Në të dyja bashkë, aq më tepër që nuk mund t’i ndaj se janë pjesë e pandashme e qenies sime. I ndihmojnë njëra tjetrës, më nxisin të mendoj. Natyrisht, kur merrem me shkencë ndjenjat i lë anash. Por, të them edhe këtë të vërtetë: botimi i librave sot është bërë problem më vete dhe të vraposh pas financave do të thotë njëkohësisht humbje kohe për shkrime të reja. Andaj pres ditë më të mira dhe mbase paraqitjen e menaxherëve që do të merreshin me këto çështje.

-Sipas motiveve që hasen në shkrimet poetike fitohet përshtypja se më shumë jetoni me arkeologjinë, çfarë është mendimi juaj?

-Po, jetoj me arkeologjinë dhe historinë antike, përkatësisht me rrënjët. Pa rrënjë jemi askush. Kush jam, çka jam dhe ku po shkoj? janë pyetje që i shtron njeriu që nga koha e vetëdijesimit. Pyetje të tilla shtruan dhe popujt, në çdo kënd të rruzullit dhe në kohë të ndryshme. Të merresh me to është ta njohësh veten dhe të tjerët. Të merresh me to është dhe vjelje e përvojave, gjë që mundëson dhe krijimin e vizionit për të nesërmen. Përndryshe, derisa dëgjoj të flitet për globalizmin, për rrezikun që mund të vijë nga kjo – e them me bindje se nga globalizimi bashkëkohor nuk duhet pasur frikë se ai nënkupton dhe ruajtjen e rrënjëve e të diversitetit kulturor. Duhet pasur frikë nga vetja nëse lejojmë ta harrojmë veten e t’i nënshtrohemi kërkesave të tjerëve. Në kuadër të kësaj, më duhet të them se shqetësohem kur dëgjoj që Kosovës i themi ‘Kosovo’. Arsyetimi se ashtu na qenka në gjuhë të huaja nuk qëndron…

-Më kujtohen vargjet e një poezie ku e thërritni Lekë Dukagjinin të largohej nga mesi ynë, pse?

-Po, në ciklin Leka i ri (Syri i natës, 1986) i them T’ia bëjmë si burrat Lekë / koha është / të na lësh. E ngrita zërin se edhe vetë ballafaqohesha me reliktet e patriarkalizmit anakronik, në përditshmëri, në fakultet… ‘Leka i ri’ ende gjendet në mesin tonë. Ai është prezent edhe në botën mbarë dhe mendoj se mund ‘të lihet anash’ kur nis të dominojë arsyeja dhe jo konfrontimi gjinor.

-Kohëve të fundit i jeni përkushtuar edhe shkrimit të vlerave letrare për fëmijë, çka ju ka nxitur?

-Për fëmijë kam shkruar gjithherë, por ishte një kohë kur nuk mund të botoja se e kisha burrin (Ukshin Hotin) në burg… Flas për periudhën prej vitit 1981. Ndërkohë mendova mos botohen veprat për fëmijë. I kisha disa dhe inspirimin për t’i krijuar mora nga vajza ime Erleta, atëherë shumë e vogël. 3 libra i bëra me vizatime. Pëlqeheshin shumë nga fëmijët. Lepurosh zijoshi që jetonte në fshatin Lepurajë ishte i preferuari, po pëlqehej dhe Hëna zemërbardhë  apo Zogu, që të dyja të bazuara në  tregime shumë të vjetra. Nuk u botuan kurrë nga Rilindja. Familja serbe, e vendosur dhunshëm në banesë gjatë bombardimeve të NATO-s, i mori edhe ato. Pos disa vjershave e tregimeve, arrita ta botoj dramën për fëmijë Kësulëkuqja e  rrokaqiellit (1997). Në të, përmes manifestimit të një ditëlindjeje, pasqyrohet jeta e fëmijëve shqiptarë gjatë kohës së okupimit, të mbylljes së shkollave në gjuhën shqipe dhe dëbimit të prindërve nga puna. Gëzohem që ka qenë e pëlqyer nga fëmijët, madje dhe është vënë në skenë nga disa shkolla. Më vjen keq që nuk u botua dhe libri ABC, ku secila shkronjë kishte vjershën e saj, me fjalë që përbënin atë shkronjë.

(Nga vëllimi i tretë i librit “Buzëqeshje miqsh” Prishtinë, 2014)./ KultPlus.com

Margaret Atwood: Për çdo letër dhe libër, ekziston një lexues i vërtetë

Kur isha fëmijë, ishte një lojë shumë popullore në ditëlindjet e vajzave të vogla. Loja ishte kjo: Fëmijët formonin një rreth. Njëri prej tyre ishte Dikush, i cili rrotullohej përqark rrethit nga jashtë duke mbajtur një shami, ndërsa të tjerët këndonin: I shkrova një letër të dashurës time /Dhe rrugës më humbi,/ Një qenush e kapi/ Dhe në xhep e rrasi. Pas këtyre vargjeve të kënduara bëhej ham –ham, dhe një shami lëshohej pas njërit, e pasuar nga ndjekja prej tij në anën e jashtme të rrethit. Asnjë nga këto nuk më interesonin. Unë isha e shqetësuar për letrën. Sa e tmerrshme që kishte humbur, dhe se personi për të cilin u shkrua nuk do ta merrte kurrë! Po aq e tmerrshme ishte fakti që e kishte gjetur dikush tjetër! Ngushëllimi im i vetëm ishte që qentë nuk lexojnë dot.

Që nga shpikja e shkrimit, aksidente të tilla kanë qenë një mundësi e veçantë. Sapo fjalët shkruhen ato bëhen pjesë e një objekti material, dhe si të tilla duhet të kenë shanset e tyre. Letra nga mbreti që shkëmbehet, e panjohur për të dërguarin, duke bërë që një person i pafajshëm të dënohet me vdekje – nuk është thjesht një motiv i vjetër përralle. Letra të falsifikuara, letra të humbura dhe asnjëherë të marra, letra që shkatërrohen, ose që bien në duar të gabuara – jo vetëm kaq, dorëshkrime të falsifikuara, libra të tërë që humbin dhe nuk lexohen kurrë, libra që digjen, libra që bien në duar e atyre që nuk i lexojnë në frymën me të cilën janë shkruar, ose që e bëjnë, por prapë iu ngjallin zemëratë – të gjitha këto pështjellime, gabime, akte keqkuptimi dhe keqdashje kanë ndodhur shumë herë, dhe vazhdojnë të ndodhin. Në listat e atyre që janë në shënjestër dhe të burgosur dhe të vrarë nga çdo diktaturë, gjithmonë ka mjaft shkrimtarë, veprat e të cilëve kanë arritur –krejt dukshëm – lexuesin e gabuar. Një recensë e keqe është si plumbi pas qafe.

Por për çdo letër dhe libër, ekziston lexuesi i synuar, një lexues i vërtetë. Si ta dorëzojmë atëherë letrën ose librin në duart e duhura? Uinston Smithi, duke shkruar ditarin, zbulon se nuk mund të ishte i kënaqur si lexuesi i tij i vetëm. Ai zgjedh lexues ideal – një zyrtar të partisë të quajtur O’Brien, tek i cili beson se zbulon shenjat e një armiqësie të barabartë me të tijën. Ai mendon se O’Brien do ta kuptoj. Dhe ka të drejtë: lexuesi i tij i synuar e kupton. O’Brien-i tashmë ka menduar mendimet që Uinston Smithi po mendon, por ai i ka menduar në mënyrë që të përgatit kundër-lëvizjet, sepse O’Brien është pjesëtar i policisë sekrete, dhe ajo që ai e kupton është se Uinstoni është tradhtar i regjimit. Ai bën të mundur arrestimin e Uinstonit të shkretë, dhe më pas shkatërrimin jo vetëm të ditarit por edhe të mendjes së tij. O’Brien-i është version negativ ose demoniak i shkrimtarit, i asaj marrëdhënies ideale për tek personi që lexon, teka pikërisht personi që duhet të lexoj. Një variant tjetër i lexuesit demon është krijuar nga Stephen King, i cili ishte mjeshtër i paranojës së skajshme dhe meqenëse ka një lloj tjetër paranoje për çdo shije, ai ka një paranojë të veçantë vetëm për shkrimtarët. Libri është “Mjerimi” (1987), dhe tek ky libër një shkrimtar i romancave të vuajtjes në rolin e një heroi fatkeq bie në duart e një infermiereje të çmendur, e cila shtiret si adhuruesja e saj më e madhe./Hejza / KultPlus.com

Letër nga burgu e Pjetër Arbnori për mbesën

Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babanë e tij.

Në këtë ditë kujtojmë një letër të rrallë të cilën Arbnori e kishte shkruar nga burgu për mbesën e tij.

Mbesë e dashur!

Sot bëhen 25 vjet që jam ndarë nga familja. Ti atëherë nuk kishte lindur, as nëna jote nuk ishte fejuar e martuar, kurse tani je rritur e vazhdon shkollën e mesme. Është kohë provimesh e do të jesh e mbytur në mësime. Unë s’mund të të ndihmoj, por do të tregoj diçka që do ta shtojë vullnetin për të mësuar.

Kur më futën në burg, së pari e kisha me tepri atë që më kishte munguar gjithmonë: kohën. Isha bërë 26 vjeç pa u ngopur një herë me gjumë, pa u kënaqur me asgjë, se gjithnjë sikur dëgjoja dikë që më thoshte: “U bëre vonë! S’ke kohë! Të pret provimi, takimi, puna!” Të gjitha i kisha nxjerrë me mundim në jetë. Tani, përveç andrrallës së madhe, s’kisha halle të tjera. As bukën për të fituar, as probleme të familjes për të zgjidhur. Do të gdhija e të ngrysja mijëra, në mos dhjetëra mijëra ditë me durimin e pikës së ujit që shpon gurin. Duhet të gjeja nj mënyrë për t’i kaluar dobishëm gjithë këto qindra mijëra orë, që të mos lija të më shtypnin me peshën e vet. Ëndërrimi i tepruar të bën melankolik. Po edhe ata që provojnë ta kalojnë burgun me gjumë, nuk bëjnë tjetër veçse ndryshojnë orën e tyre biologjike, flenë ditën dhe vuajnë natën. Po nata ka mendime të këqija, rraskapitëse dhe, përgjithësisht, ata që çrregullojnë gjumin, kanë prirje të parët për t’u çmendur. Punët e tjera, sidomos të larat e të qepurat, s’ta hanë gjithë ditën, sado të bubërrosh. S’mbetet vetëm një rrugë: studimi. Për fat të keq nuk kisha libra dhe nga shtëpia këtu nuk lejoheshin. Veç kësaj, në burg librat artistikë përpihen shpejt dhe s’ka bibliotekë që ta ngopë të burgosurin. Mbasi pata përpirë gazetat e palexuara gjatë dy vjetëve të fundit, kur isha shkëputur nga jeta, solla sytë se mos gjeja diçka tjetër për të studiuar. Të burgosurit që kisha në dhomë s’më vinin dot në ndihmë. Kisha një kamerier, një bujk, një murator, një oficer, një brigadier, një çoban, një llogaritar dhe një ambasador, të gjithë me nga një “ish” përpara. Vetëm oficeri më dha 4 vëllimet e romanit “Lufta dhe Paqja” të L. Tolstoit, libër i mrekullueshëm, që e kisha lexuar në rusisht, e vetmja gjuhë që dija kur isha i lirë. Që në faqet e para ndesha në bisedat që shkëmbenin frëngjisht konteshat e princeshat, siç ishte zakon i aristokracisë ruse të shek XIX.

Ndala leximin e po mendoja: Po sikur t’i mësoj disa fjalë frënge! Gjuha e huaj është puna më e dobishme dhe të cilën kalon kohën pa u ndier. Po me se të studioja kur nuk kisha një metodë, asnjë gramatikë, asnjë fjalor? Çobani dinte vetëm vllahçe, bujku e llogaritari dinin një greqishte të përdhosur. Kisha ngrirë me “Luftën e Paqen” në dorë. Mora një fletore dhe nisa të kopjoj rresht për rresht dialogët e shtypur në frëngjisht bashkë me përkthimin e dhënë në shqip. Më dolën, në mos gabohem, rreth 16 faqe të mira, duke përfshirë aty edhe letrat e Julisë, të Napoleonit apo Carit. Kur e kisha lexuar para disa vjetësh në origjinal, qeshë bezdisur nga gjithë ato shprehje frëngjisht, të dhëna edhe rusisht, me shkronja të vogla. Ç’nevojë ka pasur për këtë formalitet,- ankohesha atëherë me vete kundër Tolstoit. Tani po i shikoja me sy tjetër. E qortoja Tolstoin përse nuk kish futur edhe disa faqe më tepër frëngjisht. Sepse kjo ishte pasuria e vetme e frëngjishtes. Caktova tri fletore për fonetikën, për gramatikën dhe për fjalorin. Si do të mësoja pa ndihmën e asnjeriut?! Vërtetë shkollën e lartë e kisha kryer pa ndihmën e askujt, pa dëgjuar asnjë leksion, mirëpo, kisha librat. Këtu ishte ndryshe. Në bisedë, ambasadori më kishte thënë se kishte bërë metodat e frëngjishtes, por kur ia hodha fjalën largas, për ndonjë ndihmë, e bëri veshin shurdhër. E dija që frëngjishtja nuk lexohej ashtu siç shkruhej dhe ky ishte një telash i madh për mua.

Kur isha 11 vjeç, më 1946, na patën vënë në programin shkollor gjuhën frënge. Mësues kishim Hydajet Cenkën. E patëm marrë me qejf si unë, si Margarita[2]. Gjithë ditën cicëronim fjalët e para në frëngjisht. Patëm bërë 7 a 8 mësime, por pas pak javësh na e hoqën. Ishte një kohë kur programet e gjuhëve të huaja ndryshonin me muaj, derisa përfundimisht u vu rusishtja, pak gjë mbaja mend nga ajo kohë. Diçka tjetër më erdhi ndër mend jrejt papritur. Kisha në kujtesë me qindra emra gjeografikë apo emra shkrimtarësh francezë. I mbaja mend se si shkruheshin, por edhe se si lexoheshin. Nisa pra, e i shënova si më vinin ndër mend: Bordeaux = Bordo, Voltaire = Volter etj. Filluan analizat e mundimshme fonetike së bashku me pikëpyetjet e para. Kështu, duke studiuar për shumë ditë e net qindra emra të përveçëm unë i nxora qindra ‘rregulla’ të fonetikës së frëngjishtes, deri në shterim. Kur e mbusha fletoren me gjithë ato ligje, nisa ballafaqimin e tyre. Kuptohet se frëngjishtja duhet të ishte shumë më e thjeshtë nga ç’më dilte mua dhe për këtë po përpiqesha edhe unë. Dhe inatosesha me vete për tri a katër tabela që më mungonin, më duhej të rropatesha ditë e net të tëra për t’i kodifikuar vetë dhe me gjithë mundin e djersën e derdhur, isha i ndërgjegjshëm për zbrazëtitë e krijuara.

Në çdo tre-katër shënime ngrihej kërcënuese një pikëpyetje e madhe e shënuar me të kuqe. Dhe kur arrija ta zhdukja njërën, më dilnin sërish dy të tjera. Kur m’u duk se mbarova punë me fonetikën, mora frymë i lehtësuar. Rrëmbeva atëherë fletoren me tekste frëngjisht dhe në orën e ajrimit nisa të lexoj në oborr me zë, në bazë të rregullave që kisha nxjerrë. Më vinte mirë që nuk dëgjonte ndonjë që e dinte frëngjishten se me siguri do të më shikonte i habitur për të më kuptuar se në cilën “gjuhë afrikane” po bëja ushtrimin. Ish-ambasadori më pati thënë në fillim se kishte bërë frëngjisht e rusisht. Po ai më tha se dinte fare pak, madje edhe atë që e kishte mësuar, tani e kishte harruar. Ndërsa në frëngjisht më tha se mbante mend më mirë. Që kur kisha nisur të mësoja, ambasadori më shikonte si me çudi, madje vinte buzën në gaz me dhembje.

Të them të drejtën, unë në fillim pata menduar ta pyesja për ndonjë paqartësi, duke menduar se frëngjishten do ta dinte më mirë se rusishten. Por më mundonte një sedër e theksuar, e cila sa të jep krahë, edhe të pengon në mësimin e gjuhëve të huaja. Sedra të shton vullnetin për të mësuar, por frika se mos po gabon, ët bën të skuqesh para se të gabosh dhe s’të lë të shprehesh lirshëm. I mësova përmendsh ato 16 faqe tekst në frëngjisht e në shqip, pastaj nisa të bëj analizën e përkthimit. Në të vërtetë përkthimi ishte shumë i mirë, por mua s’ma bënte qejfin se e doja fjalë për fjalë si fillestarët. Po më dilnin halle të reja me fjalorin dhe pikëpyetjet me laps të kuq po shtoheshin. Fjalori arriti në disa qindra fjalë, por gati gjysma kishte kuptime të dyshimta, madje edhe të kundërta, kurse disa të tjera gjysma kuptimesh. Iu ktheva me ngulm gramatikës, duke menduar se ajo e kishte fajin. Kur m’u mbush mendja se i kisha bërë “ujë” ato faje, e bëra zemrën “gur” dhe iu luta ambasadorit që të më dëgjonte një herë. Ai më dëgjoi me habi dhe më pyeti nëse kisha mësuar më parë ndonjëherë. Kur i tregova mënyrën se si kisha mësuar, ai shtrembëroi buzët dhe më dëgjoi pa dëshirë.

Teksa lexoja, duket se bëra një gabim trashanik (vetëm një?!) dhe ai qeshi me një zë të keq që më theri në zemër. Ndërsa përktheja, më shikonte me sy të çakërryer. E pyeta për disa çështje të thjeshta gramatikore, por nga shpjegimet e tij m’u mblodh një lëmsh në kokë. Te numërorët prapë bëra një gabim të pafalshëm. Duke u nisur nga analogjia, i thashë dy fjalë që nuk ekzistonin fare. Kjo e bëri të shkulej në gaz ambasadorin. Aso kohe unë s’e dija se frëngjishtja kishte mbeturina nga sistemi i numërimit vigesimal (një njëzetëshe, si shqipja e dikurshme: dyzet, trezet etj.). Që nga ajo ditë nuk e pyeta më për asgjë. Në atë kohë më erdhën dy buletine të shkencave shoqërore e natyrore, ku isha abonuar. Gëzimi im ishte i pafund kur pashë se pas çdo artikulli kishte një rezymè në fund. Tani materiali im u shtua së tepërmi. Të isha jashtë, vështirë se do të kisha lexuar, p.sh. për skifterin kthetraverdhë, shpend shtegtar që ushqehet me insekte, por halli të bën të shkosh edhe në derë të hasmit. E keqja ishte se shkurtimet e përmbledhjes nuk përkonin me tekstin e shkrimit. Kështu që detyrohesha të bëja përkthimin “me tahmin”. Fjalori trashej, por unë nuk kënaqesha me kuptimet e nxjerra dhe mundohesha të shkrija dhjamë nga pleshti. Më kujtohet një artikull mbi përkrenaren ilire. Eh, sa djersë kam derdhur mbi të! Po artikuj të tjerë të arkeologjisë, që më kishin ardhur te hunda! Sidomos dy fjalë aty, që s’dija kurrsesi t’i përktheja, ma prunë ngushtë. Por, me gjithë mungesat, tani isha më i sigurt në vetvete. Materiali tani ishte shtuar mjaft dhe unë kisha “zgjidhur” tani shumë probleme, që bota i dinte me kohë. Mirëpo, unë isha brenda e “bota” jashtë. Megjithatë, fati s’do të ishte gjithnjë kundër meje.

Në ditë përgjegjësi i të burgosurve, i cili ndihmonte në hapjen e dyerve dhe ruajtjen e depos, po ziente qiriç me letra. Në mes të flakës, syri më kapi menjëherë disa fletë frëngjisht. Dogja duart duke u shuar nën britmat kërcënuese të përgjegjësit, që ankohej që ia lashë qiriçin pa rënë në valë. I mbajta dorën që të mos i hidhte letra të tjera zjarrit nga një turrë aty pranë. Ky s’ishte fort i dhënë pas leximit. I shpjegova se ndërsa unë po vuaja për një fletë në gjuhën frënge, ai po ia falte flakëve pa pikë mëshire. Vura re i ngazëllyer se ato ishin revista “Temps Nouveaux” dhe i tërhoqa nga vetja. Por përgjegjësi, që dikur kishte qenë tregtar, ma mbajti dorën. “Është e ndaluar,- më tha. – Pa leje nuk mundem”. Mora vesh se ishin të një të dënuari të kulturuar të shëtitur, që rrinte në dhomën tjetër, i veçuar nga unë. E lusja çdo ditë të merrte leje sa më parë, se kisha nevojë për to. Sa më shumë padurim tregoja, aq më tepër e zvarriste punën vegtari. Kur i thosha që të kërkoj leje unë vetë, më përgjigjej që të mos e prishja punën që ai e kishte vënë në vijë.

Tani përgjegjësi më lypte pa teklif çdo gjë, sidomos caraga të thata, të cilat i pëlqente shumë. Në të vërtetë, caragat i hante shumë edhe “macja” e burgut, se para zbulimit të revistave, dy-tri herë më kishte qëlluar ta gjeja torbën kur i mbaja përtokë, thuajse bosh dhe përgjegjësi më porosiste që t’i ruaja mirë se macja ishte kobashe e madhe. E keqja ishte se ajo, me sa dukej, ua shpërndante caragat edhe maceve të tjera, meqë llogaria tregonte se pesha edemit dilte më e madhe se e barkut të saj. Një ditë, mbasi më kishte premtuar kush e di për të satën herë se do të ma jepte revistën e parë, përgjegjësi i tha ndihmësit të tij: “Kam bërë një spinaq për të lënë thonjtë në të. Tani për vezë nuk di si t’ia bëj! Ka njëri, por s’kam qejf t’ia marr”. Kam unë, – ndërhyra, – dhe i dhashë katër vezë. Vezë të mëdha, të freskëta, që m’i sillte nëna e dashur çdo muaj. E dija se një ditë para se të nisej në takim, ajo dilte ndër të gjitha shoqet e mëhallës për t’i ndërruar me vezë të freskëta, të porsadala nga furriku. Revista që mora kishte 48 faqe të ngjeshura me artikuj, përshtypje udhëtimi, kronika etj. Kur qeshë “i lirë”, e kisha lexuar atë revistë në rusisht e, falë kujtesës, shumë gjëra i rikujtoja. Po ec e zgjidh frazat në frëngjisht me atë fjalor të çalë që kisha hartuar vetë! Çdo fjalë për mua përbënte janë problemë matematike me shumë të panjohura që më kushtonte shumë mund për ta zgjidhur, por edhe kënaqësi të veçantë kur i bija në të. Fletoret mbusheshin gjithnjë dhe frëngjishtja tani më ngjante si një egërsirë që kisha zbutur me durim dhe forcë vullneti, pa asnjë mjet tjetër, po mos llogarisja 30-40 kokrra vezë e ndonjë copë proshutë që kisha shpenzuar për të “zbutur” përgjegjësin – ruajtësin e thesarit – që mezi e bëri zemrën “gur” dhe më dha brenda disa muajve 3 revista.

Koha kalonte dhe ambasadorit i lejuan dy metoda frëngjisht dhe dy rusisht. Ai më kishte parë shumë ditë e net duke thyer kokën mbi rebuset e frëngjishtes dhe e qeshura përçmuese kishte ardhur duke iu ngrirë në buzë. Por edhe unë ama s’e hapja një herë gojën për t’i kërkuar ndihmë në hapat e parë, por edhe nuk ndjehesha shumë krenar kur m’u duk se kisha arritur diçka. Sepse gjuhët nuk janë luks, por shërbëtorë të njeriut. Më dëgjoi zemra t’i shikoja ato metoda në mënyrë që të kontrolloja dijen time e të zhdukja te qeshurën tallëse të ambasadorit dhe nuk ia shtriva asnjëherë dorën, sado që i linte në një vend të dukshëm. Ai përgatiti fletoret, mprehu lapsat me kujdes te perberi, shkroi bukur blloqet me të kuqe e blu, caktoi orarin e punës krejt të detajuar, të gjitha shenja të sigurta se s’do të bënte asgjë. Në atë kohë mora edhe unë leje nga komanda e burgut të blija metodat e anglishtes dhe gjermanishtes dhe ndjehesha tepër i gëzuar. Ndërsa unë filloja studimin në pesë të mëngjesit dhe ndahesha nga librat kur bëhej pushimi, ai nuk e gjente lehtë pozicionin e përshtatshëm, nga ndenjur mbështetej në jastëk, pastaj pa e kuptuar, duke u shtrirë pak e nga pak në dyshek, niste e kotej dhe brenda dhjetë minutash ndizte “motorët” dhe gërhiste ndërmjet librit të rrëzuar dhe lapsit të varur.

Kjo skenë përsëritej çdo ditë, deri sa e la metodën e frëngjishtes, duke e cilësuar si gjuhën gjysmë të vdekur dhe kapi metodën e rusishtes, që qenkësh gjuha e së ardhmes. Unë, në muajin e tretë po mbaroja metodën e dytë të anglishtes, kurse ai s’po qulloste gjë as në “gjuhën e së ardhmes” dhe e la te mësimi i pesëmbëdhjetë, deri sa të kalonte të nxehtit. Isha i bindur se shumë stinë të nxehta dhe të ftohta do të kalonin për të deri në fund të këtij burgu dhe ai vështirë të mësonte gjë. Ndërsa unë po sulmoja gjermanishten në atë pisk vape, shpesh më shkonin sytë te blloqet e shkruara me qa kujdes të ambasadorit, por që kishin mbetur të panisur. E dëgjoja tek jepte mendime e konkluzione. Gjuha, po s’e fole nuk është gjuhë! Ama, për gjuhë burgu mësoj katër në vit! Janë disa që thonë se e dimë, por kur takohen me ndonjë të huaj, bëjnë mëk-mëk!

Një ngjarje na ndau me ambasadorin. Dhoma jonë u shkri, ai shkoi në kamp, ndërsa mua më transferuan te qelia e pronarit të revistave. E njihnim njëri-tjetrin me të dëgjuar. Më priti mirë. Me turp i thashë se kisha mësuar gjuhë të huaja, por ashtu si mund të mësosh në burg. E falënderova për revistat dhe i thashë se ia kisha ruajtur që të mos i prishej koleksioni. “E ç’koleksion,- tha ai, – revista po u lexua, iku. Koha i kapërcen ngjarjet që përshkruajnë ato. S’kuptoj përse nuk i ke marrë të gjitha. T’i kisha lënë turrë në depo”. I tregova historinë e vezëve. Hë, batakçiu, – tha ai, – sa këso lodrash më ka bërë edhe mua! Më foli aq fjalë të mira për studimin, thjeshtë e pa mendjemadhësi, sa m’u rrit guximi, nxora fletoret e mia të çuditshme dhe i tregova kaluarin tim të frëngjishtes. Pa metoda e fjalor, u habit ai. Të lumtë! Unë mora zemër. A mund të më dëgjoni paksa? Veç mos u trembni nga shqiptimi im. Unë nuk kam dëgjuar njeri të flasë frëngjisht.

Fillova të lexoja dhe prisja kur do shpërthente e qeshura e tij. Se ky kishte parë botë më tepër se ambasadori dhe diç kishte qenë më tepër se ai, e kishte hak të qeshte. Kisha vendosur të bëhesha më i durueshëm, dëshiroja ta shkelja sedrën time me këmbë. Ndryshe si do të mësoja? Po leximi vazhdonte e ai po buzëqeshte me dashamirësi. Oh, sa mirë! Oh, sa mirë! – Foli ai sinqerisht dhe pastaj vazhdoi të më fliste frëngjisht. Nga emocioni nuk mora vesh asnjë fjalë. U përflaka, por ai e kuptoi menjëherë dhe më tha: Mos u tremb! Kështu e kam pasur të vështirë edhe unë në fillim. Edhe unë me të vjedhur e kam shkollën. Më bëri vetëm nj vërejtje: Mbaresa “ent” e vetës së tretë shumës të foljeve në të pakryerën, nuk lexohet fare. Po edhe këtë ma tha në mënyrë kaq të njerëzishme, sa më erdhi turp për atë hundore që unë e lexoja me një zë gomari për t’u dukur gjoja si francez. Më ndreqi edhe disa gabime të vogla. Në atë dhomë të errët të burgut lexova nja 6000 faqe reviste dhe rrallë kisha nevojë të pyesja…

Këtë histori ta shkrova për të treguar se kushtet e mira nuk janë gjithçka për të mësuar. Kryesorja mbetet sedra, ambicia pozitive. Madje, shpesh njeriu me sedër, mungesa e kushteve nuk e pengon, por e shtyn të përpiqet të kalisë një vullnet të hekurt për të mësuar. Tani mund të them i sigurt se frëngjishten ma ka mësuar “e qeshura” e atij ambasadori, sado që ai vetë mbeti tek mësimi i pesëmbëdhjetë.

Të përqafoj, daja yt që të do fort, PJETRI. /KultPlus.com

Atomistja Laura Dragusha pranohet në universitetin prestigjioz, Yale University

Atomistja Laura Dragusha është pranuar për të studiuar neuroshkencë me bursë të plotë në njërin ndër top universitetet më të mira të botës, në Yale University në SHBA, përcjellë KultPlus.

Sipas të gjitha rangimeve kredibile, Yale University është ndër top universitetet më të mira në botë dhe konkurrenca për t’u regjistruar në Yale University është globale dhe shumë e madhe, prandaj arritja e Laurës është e jashtëzakonshme.

Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Atomi duke konsideruar se ky sukses i jashtëzakonshëm i Laurës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, sukseseve të saj dhe aktivitetit të pashoq në të mirë të komunitetit përgjatë shkollimit si dhe punës së saj të palodhshme drejt arritjes së majave të suksesit. Veç këtyre, ky sukses i saj do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

“Instituti ATOMI iu shprehë mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuar në realizimin e potencialit të Laurës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj. Instituti ATOMI i uron Laurës studime të suksesshme në Yale University dhe karrierë profesionale të shkëlqyeshme në të ardhmen!”, thuhet në njoftim duke potencuar tutje se

Instituti ATOMI nuk pretendon merita për arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve, meqë ato suksese janë rezultat i potencialit të tyre të jashtëzakonshëm intelektual dhe punës së tyre të madhe. Instituti ATOMI i promovon arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve në mënyrë që t’i motivojë ata dhe në të njëjtën kohë ta rrisë vetëdijen e publikut për potencialin e jashtëzakonshëm të atomistëve dhe rëndësinë e tyre, dhe kështu të krijojë një ambient sa më përkrahës për atomistët në shoqërinë tonë. / KultPlus.com

Ermonela Jaho shpallet “Artistja e vitit” nga Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho është shpallur nga Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023 si “Artistja e vitit”.

Mes shumë emrave të njohur të muzikës klasike nga e gjithë bota, shqiptarja ka arritur të vlerësohet me një çmim kaq të rëndësishëm.

Lajmin e bukur e ka bërë të ditur vetë faqja e njohur e çmimeve ICMA, e cila e konsideron Jahon me një zë të lavdishëm dhe me një estetikë të pastër vokale.

“ARTISTJA E VITIT Ermonela Jaho, soprano me bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr të sigurt dhe shkëlqyeshëm vezullues, Ermonela Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. 

Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prania e saj teatrale elektrizuese. Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë identifikimi me rolet e tyre, një vërtetësi kaq totale dhe një emocion thellësisht prekës. Pasi del në skenë, Ermonela Jaho hedh si një mantel personalitetin e saj dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë”, thuhet në njoftimin për sopranon shqiptare. / KultPlus.com

MKRS prezanton logon e Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Opera e Kosovës është bërë me logon e saj, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, MKRS njofton se në mesin e gjashtë propozimeve, është përzgjedhur ajo e artistit Berin Hasi.

Postimi i plotë i MKRS-së

Opera e Kosovës bëhet me logon e saj e cila do të jetë një identitet i qëndrueshëm me të cilët do të përfaqësohet ky institucion.

Në konkursin publik të shpallur nga MKRS-ja, janë pranuar gjashtë propozime dhe në mënyrë unanime është përzgjedhur logoja e Berin Hasit.

Origjinaliteti, niveli estetik dhe kreativ, përdorimi i simbolit ‘Neum’ në krijimin vizual të frekuencës akustike, pasqyrimi artistik i veprimtarisë së Operës së Kosovës, përdorimi i një fonti të ri origjinal nga autori, janë disa nga arsyet e vendimit të jurisë së kryesuar nga Arlinda Hajrullahu teksa anëtarë tjerë ishin Alisa Gojani, Dhurata Ramosaj, Dardan Selimaj dhe Meriton Ferizi./ KultPlus.com

Nderohet jeta dhe vepra e akademikes Edi Shukriu, vlerësohet si ikonë e kombit shqiptar

Jeta Zymberi

Kosova dje mbeti pa një prej figurave më të rëndësishme të kombit. Akademikja, arkeologia, historiania, poetja e profesoresha Edi Shukriu sot “u përshëndet” për herë të fundit me familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e deshën e e respektuan për veprimtarinë e pazëvendësueshme e për njeriun që ishte, shkruan KultPlus.

Vendi ku ajo ka kaluar shumë ditë të jetës së saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u bë hapësira ku për herë të fundit po mirëpriste Edin Shukriu.

Një intelektuale, arkeologe dhe historiane e njohur, Edi Shukriu dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë nëpërmjet kërkimit të saj novator dhe botimeve të shumta. Ajo u respektua gjerësisht për ekspertizën e saj në qytetërimet e lashta dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e vendeve dhe objekteve historike.

Puna e madhe dhe përkushtimi, Edin e çoi në shumë vende të botës, ku kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo ishte një mësuese dhe mentore e përkushtuar për shumë studentë dhe arkeologë të rinj, të cilëve do t’u mungojë shumë udhëzimi dhe mençuria e saj.

Vdekja e Edi Shukriut është një humbje e madhe për komunitetin akademik dhe për botën e arkeologjisë, dhe jo vetëm. Ajo do të mbahet mend si një studiuese e shkëlqyer dhe një avokate e pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Për të nderuar veprën e saj, AShAK sot mbajti mbledhje komemorative në nderim të kësaj figurë të rëndësishme dhe më pas po në këto ambiente u mbajtën edhe homazhe.

Salla ishte mbushur përplot më akademikë, familjarë, miq e artistë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Edi Shukriut.

Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja mori fjalën para të pranishmëve i cili tha se kujtimi për Shukriun do të jetë i përhershëm, duke shtuar se ajo do t’u mungojë të gjithëve.

“Edi Shukriu do të lë një vend të zbrazët. Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe, historiane të shkëlqyeshme, profesoreshë universitare e poete. Edi do t’u mungojë të gjithëve edhe atyre që e deshën dhe atyre që nuk e deshën. Por të jetojë mes nesh respekti dhe vepra e saj”, u shpreh Kraja.

Pas Krajës, fjalën e mori Gjyljeta Mushkolaj – sekretare e seksionit të Shkencave Shoqërore e cila u shpreh se me dhimbje dhe pikëllim të madh janë mbledhur për të kujtuar veprën e gruas të parë të Akademisë së Shkencave.

Biografia e gjatë dhe e jashtëzakonshme për Edi Shukriun u dëgjua me vëmendje nga të pranishmit e të jepte përshtypjen se po flitej për veprimtarinë e një grupi njerëzish e jo për një grua të vetme që kontributi i saj në shumë sfera e bëjnë një figurë unike.

Për të folur për një aspekt tjetër të Edit, tutje fjalën e mori Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, e cila në emër të familjes tha se ndihen të nderuar me pjesëmarrjen e kaq shumë miqve në përkujtimin e saj.

“Faleminderit që jeni sot këtu të ndani dhimbjen me ne. Falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që po e bëjmë këtë ditë më të lehtë për ne. Për veprimtarinë shkencore dhe profesionale të Edit, për përkushtimin e saj në fushën e arkeologjisë e të historisë, folën kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj. Si për të gjithë shoqërinë, edhe për ne, Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj. Përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëfortë për emancipim e barazi, mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, u shpreh Valtida.

Pas këtyre fjalëve, të pranishmit u shpërndanë e shumë prej tyre po prisnin në ambientet e Akademisë për të bërë homazhe të cilat prisnin të fillonin pas pak. Gjatë këtyre minutave, për KultPlus ndau disa fjalë edhe politikania e njohur Edita Tahiri, njëherit mike dhe bashkëpunëtore e ngushtë me Edi Shukriun.

“Edi Shukriu ishte dhe mbetet ikonë e kombit shqiptar. Gjithë veprimtarinë ka synuar cilësinë prandaj edhe ka shkëlqyer në çdo aspekt, si atë kombëtar, akademikë, politik, diplomatik e letrar. Ishte një luftëtare e vendosur, jo vetëm patriote, ishte një shtyllë e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe pavarësi. Unë e kisha mike të madhe të jetës por edhe bashkëpunëtore në të gjitha angazhimet e mija. Njihet edhe për luftën e saj për barazi gjinore. Në fund dua të them se Edi do të jetë udhërrëfyese për të gjithë gjeneratat e ardhshme. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, ajo ka lënë trashëgimi dhe gjeneratat e reja do të frymëzohen dhe do të marrin shembuj nga veprimtaria e saj”, u shpreh Tahiri.

Ndërkohë Don Lush Gjergji e vlerëson humbje të madhe vdekjen e Edi Shukriut, një grua shumëdimensionale e cila la gjurmë në shumë fusha, shpesh herë duke qenë edhe nismëtare e themelimit të disa prej institucioneve kulturore e shkencore, sikurse edhe nismëtare e shumë kauzave.

“Është humbje e madhe, po na ikin njerëz të mëdhenj, një brez po na shkon, e me këtë humbje po na shkëputet edhe zinxhiri. Më e keqja që hallkat e këtij zinxhiri nuk po kem kujt t’ia dorëzojmë, na kanë mbet hallkat në dorë”, tha Gjergji.

Kur homazhet nisën, ambientet e Akademisë së Shkencave ishin përplot njerëz që kishin ardhur ta nderojnë figurën e Edi Shukriut. Nën shoqërimin e tingujve muzikorë dhe leximin e poezive, Edit po i jepej lamtumira e fundit e dhimbja po vërehej në secilën fytyrë që dilte nga salla.

Edi Shukriu vdiq të martën në moshën 73 vjeçare, përderisa varrimi do të bëhet sot, e mërkure në varrezat në Prizren. / KultPlus.com

Vendet që duhet të vizitoni në 2023 sipas New York Times, Shqipëria në ‘top’ listë

Londra, Japonia dhe Arizona dolën në krye të listës vjetore të “New York Times” të destinacioneve që duhen vizituar. Nëse kërkoni të rezervoni një udhëtim këtë vit, por nuk po vendosni se ku të shkoni, ekspertët në gazetës prestigjioze kanë publikuar listën e tyre vjetore të 52 vendeve që duhen vizituar në vitin 2023.

Për të përcaktuar vendet kryesore në botë, ata shtruan pyetjen shumë të rëndësishme se përse udhëtojmë. Këto destinacione në mbarë botën u zgjodhën sepse u ofrojnë udhëtarëve ushqim, kulturë, aventurë ose bukuri natyrore që është unike për atë vend dhe për të cilën ia vlen të udhëtosh.

Ajo që bijë në sy është se Shqipëria renditet e 8-ta në këtë listë, dhe vendi që “New York Times” sugjeron është lumi Vjosa. “Mbrojtja e Vjosës , një nga lumenjtë e fundit të Evropës, nuk ka qenë e lehtë”, shkruan “New York Times”. “Pas një dekade projektesh të propozuara që kërcënonin të ndryshonin rrjedhën e egër të tij dhe ekosistemet e panumërta, qeveria shqiptare mori një angazhim qershorin e kaluar për të krijuar Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Realizimi i këtij zotimi, i planifikuar të bëhet realitet në vitin 2023, do të krijojë një model global ruajtjeje duke ruajtur shtrirjen e tij me kanione prej 120 milje të rrugës ujore nga 169 milje e cila shkon nga malet Pindus në Greqi deri në detin Adriatik si dhe duke përfshirë rreth 60 milje nga degët e lumit”, thuhej më tej. New York Times vlerëson gjithashtu mikpritjen e vendasve, duke thënë se ata mirëpresin aventurierët për kafe, raki dhe ushqime tradicionale.

Lista e plotë e vendeve për të udhëtuar në 2023 sipas “New York Times” në 2023.

1. London, UK

2. Morioka, Japan

3. Monument Valley Navajo Tribal Park, Arizona

4. Kilmartin Glen, Scotland

5. Auckland, New Zealand

6. Palm Springs, California

7. Kangaroo Island, Australia

8. Vjosa River, Albania

9. Accra, Ghana

10. Tromsø, Norway

11. Lençóis Maranhenses National Park, Brazil

12. Bhutan

13. Kerala, India

14. Greenville, South Carolina

15. Tucson, Arizona

16. Martinique

17. The Namib Desert, Southern Africa

18. The Alaska Railroad

19. Fukuoka, Japan

20. Flores, Indonesia

21. Guadalajara, Mexico

22. Tassili n’Ajjer, Algeria

23. Kakheti, Georgia

24. Nîmes, France

25. Ha Giang, Vietnam

26. Salalah, Oman

27. Cuba

28. Odense, Denmark

29. Uluru-Kata Tjuta National Park, Australia

30. Boquete, Panama

31. Tarragona, Spain

32. Charleston, South Carolina

33. Cayos Cochinos, Honduras

34. Burgundy Beer Trail, France

35. Istanbul, Turkey

36. Taipei, Taiwan

37. El Poblado, Medellín, Colombia

38. Lausanne, Switzerland

39. Methana, Greece

40. Louisville, Kentucky

41. Manaus, Brazil

42. Vilnius, Lithuania

43. Macon, Georgia

44. Madrid, Spain

45. Grand Junction, Colorado

46. La Guajira, Colombia

47. Bergamo and Brescia, Italy

48. American Prairie, Montana

49. Eastern Townships, Quebec

50. New Haven, Connecticut

51. The Black Hills, South Dakota

52. Sarajevo, Bosnia and Herzegovina./ KultPlus.com

Madonna nis turneun botëror “Celebration”

Pas shumë spekulimeve në rrjetet sociale, Madonna ka njoftuar fansat e saj se do të nisë një turne botëror për të festuar karrierën e saj 40-vjeçare.

Njoftimi erdhi në një video të NSFW, e cila u postua në faqen e saj në YouTube. Klipi pesë minutësh ku shfaqen Jack Black, Dido, Meg Stalter and Judd Apatow rikrijoi një skenë nga dokumentari novator i këngëtares së vitit 1991 “Truth or Dare”.

“Jam i emocionuar të performoj sa më shumë këngë që të jetë e mundur, me shpresën që t’u jap fansave të mi shfaqjen që ata kanë pritur”, tha superylli i muzikës botërore në një deklaratë.

Turneu global në 35 qytete do të nisë më 15 korrik në Vankuver, Kanada, dhe më pas do të vazhdojë në qytete të shumta në Amerikën e Veriut, BM dhe Evropë, duke përfshirë Barcelonën, Parisin dhe Stokholmin.

Turneu “Celebration”, i cili pritet të përfundojë më 1 dhjetor në Amsterdam, do t’i çojë fansat në rrugëtimin artistik të Mbretëreshës së Popit në katër dekada. Gjithashtu, sipas një njoftimi për shtyp, Madonna do të performojë në Nju Jork, qyteti ku filloi karriera e saj muzikore.

Në fillim të vitit të kaluar, artistja 64-vjeçare u bë gruaja e parë me 10 albumet më të mira në çdo dekadë që nga vitet 1980, pasi albumi i saj i fundit më një përmbledhje remix të këngëve u rendit në vendin e 8-të në chart-in e Billboard, më 3 shtator./ KultPlus.com

Botohet antologjia me poezi, prozë dhe ese “Urë në ëndërr”  

Libri “Urë në ëndërr” është një antologji përmbledhëse letrare e një periudhe të caktuar kohore që nuk kalon kohën prej një dekade krijuese dhe përmban krijime letrare të anëtarëve të PEN Qendrës së Kosovës.  

Në libër janë përfshirë krijimet letrare të autorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët tashmë e kanë bërë emër në këto fusha të krijimtarisë.

Siç thuhet në parathënien e librit, nuk ka pasur ndonjë kriter të veçantë për t’u bërë pjesë e këtij projekti letrar dhe nuk është përdorur ndonjë metodologji speciale në hartimin e kësaj antologjie.

Hartuesit e librit e kanë respektuar shijen dhe vetëzgjedhjen autoriale të krijimeve të tyre letrare, në poezi, në prozë dhe në eseistikë. Dhe këta autorë, hartuesit i kanë bërë bashkë në këtë libër që, ndoshta i mungon lexuesit tonë.  

Libri ‘Urë në ëndërr”, që përfshin 22 autorë  mund të jetë edhe një katalog i shkurtër letrar për aktivitetin e sotëm krijues të shkrimtarëve të Kosovës në këtë fushë.

Autorët e prezantuar janë: Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Dije Demiri Frangu, Sali Bashota, Haqif Mulliqi, Osman Gashi, Engjëll I. Berisha, Lindita Tahiri, Naim Kryeziu, Nerimane Kamberi, Naime Beqiraj, Lulzim Tafa, Fahredin Shehu, Gëzim Aliu, Agron Y. Gashi, Blerina Rogova Gaxha, Adil Olluri, Ag Apolloni dhe Flamur Maloku.

Libri “Urë në ëndërr” (poezi, prozë, ese) është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com   

Kur Kadare pyeste Pjetër Arbnorin: A dashurohet i burgosuri me qelinë?

Nga Edison Ypi

Zoti Pjetër, iu drejtua Ismail Kadareja, Pjetër Arbnorit gjatë një vizite në shtëpinë e Kadaresë ku veç Arbnorit ndodhesha dhe unë e ca të tjerë, a është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë ?

-Po udhëtoj nëpër botë, tha Arbnori, po shoh qytete të kristalta, grataçiela marramendës, autostrada si gjarpërinj të zinj kilometrikë, ura të varura të bukura si nëpër ëndrra. Po vizitoj ekspozita dhe muzeume të arteve figurative me vepra madhështore me tu mbush trupi me mornica. Por rrëqethja estetike që nuk më shqitet asnjë çast nga mendja; betoni i mureve të qelisë me pllanga gjaku të tharë, fije flokësh të ngjitur, copa lëkure ngecur nëpër plasatitje, gërvishtje nga prangat dhe goditjet, është kryevepra e kryeveprave. Po, i burgosuri dashurohet me qelinë./ KultPlus.com

Parashqevi Qiriazi, e vetmja veprimtare grua në Konferencën e Paqes në Paris

Më 18 janar të vitit 1919 nisi punimet Konferenca e Paqes në Paris, e cila bëri bashkë fuqitë aleate fituese të Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Ajo ishte e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe çështjet e ngutshme që prisnin zgjidhje. Konferenca zgjati me intervale deri më 21 janar të vitit 1920.

Synimi parësor ishte vendosja e një rregulli të ri botëror, për të parandaluar një konflikt të radhës të një dimensioni të këtillë. Ky zhvillim i arenës ndërkombëtare, qe edhe shtysë për vizitën e parë në Evropë të presidentit amerikan, Woodrow Wilson, i cili shpërfaqi 14 pika në drejtim të rendit të pasluftës. Në pikëpamjen e parashtruar prej Willsoni-t, spikaste parimi i vetëvendosjes së kombeve, krijimi i një organizate ndërkombëtare për garantimin e paqes, si dhe kufizimi i armatimeve.

Shqipëria, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis palëve kundërshtare, dërgoi në dhjetor delegacionin e qeverisë së Durrësit në Paris, të kryesuar nga kryeministri i atëhershëm, Turhan Pasha. Krahas kësaj përfaqësie zyrtare, në Konferencë qenë pjesëmarrës edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” (SHBA) si dhe të tjera nga Turqia, Rumania, Zvicra etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një dokument me anë të të cilit Parashqevi Qiriazit njoftonte në revistën “Ylli i Mëngjezit”, lidhur me vendimin e saj për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës.

Qiriazi ishte e vetmja veprimtare grua e pranishme në Paris, për të evokuar mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar./ atsh/ KultPlus.com

Kurti me përgjigje epike kur pyetet në Zvicër për festën e Xhakës e Shaqirit kundër Serbisë

Zvicra është shtëpia e klasës sonë punëtore, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën Blick.

Kurti foli edhe për futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pasi u pyet për festën e tyre kundër Serbisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës, përcjell Gazeta Express.

“Zvicra është edhe shtëpia e disa futbollistëve të shkëlqyer me rrënjë kosovare. Këto bënë sërish polemika në Kupën e Botës, kur Granit Xhaka veshi një fanellë me mbishkrimin Jashari, emri i komandantit të parë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas fitores ndaj Serbisë. A jeni në rregull me deklarata të tilla politike në fushën e futbollit?”, e pyeti Kurtin gazetarja Lea Hartmann.

“Varet. Mendoj se deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tij, kjo është në rregull edhe për mua”, u përgjigj kryeministri i Kosovë.

“Keni një mesazh për Xhakën, Shaqirin dhe të tjerët?”, e pyeti gazetarja më tej.

“Faleminderit që frymëzuat kaq shumë talentë të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë”, ishte përgjigjja e Kurtit./ KultPlus.com

Shqiptari që nuk dinte asnjë fjalë shqip

Agim Vinca

Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.

Në udhëtimet e mia nëpër botë, nuk ka vend ku nuk kam takuar shqiptarë. Vetëm në qytetin Sète (Setë) në jug të Francës, ku qëndrova këto ditë në festivalin poetik Zërat e Gjallë të Mesdheut, nuk po takoja dot. M’u duk pak e çuditshme kjo gjë, por thashë me vete: “Ky është një qytet i vogël, i veçuar, ku nuk paskan mbërritur ende bashkatdhetarët e mi”.

Po afrohej koha e kthimit, kur, ditën e fundit, derisa po shkoja në leximin që kisha në program atë ditë, tre vetë po vinin drejt meje dhe po më shikonin me një vëmendje disi të pazakonshme. Kur u afruan, dy prej tyre m’u drejtuan në frëngjisht: “A mund t’i flisni shqip këtij shokut tonë?”. “Po”, u thashë, “mund t’i flas atij dhe juve: Mirëdita!”. Njeriut me kapelë e me mjekër të bardhë a la Lenin, i shkëlqyen sytë. “Unë, tha, jam shqiptar, nga Kosova, por nuk di shqip!”. Gjer këtu asgjë e jashtëzakonshme: sa shqiptari i arratisur nëpër botë e ka humbur gjuhën. Disa, madje, jo vetëm atë. Njeriu që kisha përballë, rreth të gjashtëdhjetave, duket se ishte një nga ata: shqiptar që, për shkak të rrethanave në të cilat ka jetuar, e ka humbur gjuhën, por jo edhe kujtesën.

E pashë orën. Për pesë minuta fillonte takimi dhe iu drejtova tre burrave që kisha përballë, e në radhë të parë bashkatdhetarit tim shqiptar: “Mund të vini në rrugën këtu pranë, ku unë do të lexoj poezi shqip (të njëjtat aktorët i lexonin në frëngjisht) dhe, pastaj, pas takimit, mund të rrimë sa të doni e të bisedojmë bashkë”.   

Ashtu edhe u bë. Pas takimit letrar, në të cilin lexuan dy poetë francezë, dy italianë, një poet frankofon nga Haiti dhe një shqiptar (unë, A. V.), u ula me njeriun të cilit ende nuk ia dija emrin, por e dija se ishte shqiptar dhe se jetonte këtu në Setë. E filluam bisedën, natyrisht në frëngjisht, tani vetëm. Mësoj se bashkëbiseduesi im është nga Kosova, se ka lindur në Prishtinë në vitin 1955 dhe se quhet Jusuf Shahini ose Shahin, si e shkruan ai mbiemrin e vet, ngaqë një kohë të gjatë ka jetuar në Turqi. Shtëpinë e kemi pasur, thotë, jo larg nga “hoteli i madh”, në qendër të Prishtinës. Nuk e di a mendon për Grandin e ndërtuar shumë më vonë nga koha kur ka lindur ai, apo për Bozhurin e dikurshëm, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai është nga Prishtina dhe se rrjedh nga ato familje prishtinase, që i kanë pasur shtëpitë në qendër të qytetit. Familja e tij është shpërngulur nga Kosova për në Turqi në vitin 1956, në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, kur Jusufi ka qenë vetëm një vjeç e gjysmë.

Janë vendosur në Izmir. Atje është rritur dhe shkolluar (ka kryer studimet për grafist dhe merret me zanatin e tij, si thotë, por këtu jeton nga një restorant). Me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, që shpreh njëlloj vetironie, thotë dhe se i ka takuar lëvizjes marksiste-leniniste, e cila, në vitet ’70, ka qenë mjaft e përhapur në Turqi, veçanërisht në mesin e të rinjve. Pak më vonë, kur bisedën do ta vazhdojmë në restorantin e tij, do të thotë, me të qeshur: “Mua këtu më thërrasin Enver Hoxha!”. (Le të themi kalimthi se udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ka studiuar jo larg nga këtu, në Monpelje, që është rreth njëzet minuta larg nga Seta).

Bashkëbiseduesi im, njeriu me mjekër a la Lenin e me kaçketë të bardhë, që s’e heq për asnjë çast nga koka, flet qetë, ngadalë dhe disi rëndë, ndoshta ngaqë evokon të kaluarën e vështirë (të vetën dhe të familjes së tij), ose ngaqë i vjen rëndë që nuk di asnjë fjalë shqip. Madje, as përshëndetjen time në fillim të takimit letrar, shqip: “Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur!”, thotë se nuk e ka kuptuar dhe se nuk do ta dinte kuptimin e atyre fjalëve, po të mos i kisha thënë të njëjtat edhe në frëngjisht.

Herë pas here buzëqeshja e tij e lehtë, në fytyrën e mprehtë, pak të kuqe, shoqërohet edhe me një ndjenjë malli e mallëngjimi, në mos edhe faji. Është e pamundur të të mos kujtohet në këtë rast poçari i Dritëro Agollit, i poezisë së famshme me të njëjtin titull, i cili, në dyqanin e tij, në Stamboll, i hidhet në qafë bashkëbiseduesit të vet, turistit shqiptar që ka hyrë në dyqan të blejë një vazo për kujtim, duke e lutur që ta shajë dhe një herë shqip! “Ngjarja” është pak a shumë e ngjashme, veçse në këtë rast nuk zhvillohet në qytetin e madh e të zhurmshëm buzë Bosforit, por në qytetin e vogël e të qetë Setë në breg të detit Mesdhe, ku janë mbledhur poetë nga 35 vende të botës, kryesisht nga vendet e Mesdheut, por edhe nga Amerika latine (Argjentinë, Meksikë etj.) e Kuebeku, që flasin e shkruajnë në 18 gjuhë të ndryshme dhe që do të qëndrojnë plot tetë ditë këtu, nga 24 korriku deri më 1 gusht.

Personazhi i këtij shkrimi, prishtinasi i vjetër Jusuf Shahini, i cili është larguar përgjithmonë nga vendlindja e tij pothuajse sapo ka ardhur në jetë, i ka parë në qytet pllakatet me emrat e poetëve dhe të vendeve nga vijnë, e ka shfletuar librin me portretet e poetëve dhe programin e Festivalit, që u është shpërndarë të gjitha bizneseve në këtë qytet, i cili një javë të plotë jeton vërtet me poezinë dhe është nisur, bashkë me dy miq të tij francezë, për në zyrën e Festivalit për të takuar dikë që vjen nga vendi i tij i lindjes dhe që flet gjuhën e të parëve të tij.

Fati i familjes së Jusufit është i ngjashëm me atë të shumë familjeve të tjera shqiptare nga Kosova e Maqedonia, të cilat, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më vonë, për shkak të presionit politik dhe gjendjes së vështirë ekonomike, braktisën vendlindjet e tyre dhe morën rrugën e mërgimit.

Babai im, thotë Jusufi, ishte komunist, kurse daja ballist. Që të dy mendonin se i shërbenin Kosovës: i pari, i bindur se socializmi do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Ballkanit, përfshirë edhe çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar, kurse i dyti duke pandehur se me ndihmën e forcave hitleriane, do të mund të arrihej Republika Shqiptare e Kosovës, në të vërtetë bashkimi i saj me Shqipërinë. Luftë ishte dhe në luftë jo gjithmonë njerëzit dinë të orientohen drejt e të zgjedhin anën e duhur, kurse në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët këndej kufirit e pësuan edhe atëherë kur zgjodhën rrugën e vërtetë: atë të luftës kundër fashizmit. Kur lufta mori fund dhe erdhi “liria”, vazhdon Jusufi, daja ra në burg, kurse babai u përjashtua nga partia, sepse nuk deshi të ndahej nga motra e “armikut të popullit”, që ishte gruaja e tij dhe nëna e Jusufit të vogël, pothuajse të posalindur në një shtëpi të vjetër prishtinase, diku në qendër të kasabasë së dikurshme.

Në fillim rrëfimi i Jusufit ishte disi i ndrojtur, i rezervuar dhe ngapak fragmentar. E kuptueshme. Sapo jemi njohur dhe kemi përjetuar që të dy nga një befasi, secili në mënyrën e vet: unë që takova, më në fund, një shqiptar në Setë, në ditën e shtatë të qëndrimit tim këtu, kurse ai që po takonte një poet dhe intelektual shqiptar, që vinte këtu jo thjesht për vizitë, por për të ligjëruar shqip si i barabartë mes të barabartëve. Flasim në një gjuhë që për të dy ne është e huaj, sado që ai jeton në vendin ku flitet kjo gjuhë gati një çerek shekulli, kurse unë kam ardhur këtu vetëm për disa ditë, për t’u bërë pjesë e një manifestimi të madh e letrar e kulturor, festivalit poetik VOIX VIVES de Méditerranée en Méditerranée (ZËRA TË GJALLË nga Mesdheu në Mesdhe) dhe për t’u kthyer sërish andej nga kam ardhur dhe tek e kanë zanafillën vargjet e mia, që këtu, për çudi, hasën në një pritje të ngrohtë të publikut dhe të kolegëve poetë, e cila më befasoi, pak a shumë, edhe mua, autorin e tyre.

Derisa po bisedoja me Jusufin në bufenë e improvizuar të Zyrës së Festivalit, ku orë e çast parakalojnë njerëz, kryesisht poetë ngjyrash, pamjesh, gjuhësh, veshjesh e shprehish të ndryshme, por edhe anëtarët e vyeshëm të ekipit që kujdeset për mirëvajtjen e Festivalit, kryesisht vajza e gra, befas ia behu kolegia ime, poetja dhe arkeologia Edi Shukriu (ish-bashkëshortja e Ukshin Hotit), po ashtu pjesëmarrëse në festival, me të cilën punojmë tash dyzet e më shumë vjet në të njëjtin universitet – në Universitetin e Prishtinës.

Edi është nga Prizreni dhe flet ngapak turqisht, kështu që biseda bartet herë-herë edhe në këtë gjuhë. Edhe unë çoç ia them ndonjë fjalë, nga ato që kam mësuar në gjimnaz, rreth pesëdhjetë vjet më parë, nga bashkënxënësit e mi të qytetit apo edhe më vonë me rastin e ndonjë vizite në Turqi a diku tjetër ku flitet turqishtja.

Jusufi insiston të shkojmë në restorantin e tij, të hamë dhe të pimë diçka. “Drekë sapo kemi ngrënë, Jusuf”, i themi gati njëzëri, “kurse për të pirë edhe mund të pimë diçka”. Nisemi ngadalë në këmbë që të tre, duke shkëmbyer rrugës ndonjë fjalë. “Qenkeni ftohur”, i thotë Jusufi zonjës që kemi në mes. Ajo nuk e merr vesh, ngaqë nuk flet frëngjisht. “Jo”, i them unë. “Pi shumë duhan”.  Dhe m’u kujtua vargu që shkroi Edi në koleksionin “Livre de pauvre” (Libri i të varfërve) të poetit dhe animatorit francez Daniel Leuwers, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikës Letrare, që ka degë edhe në Prishtinë:  “Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”. Danieli na luti të bëheshim pjesë e këtij koleksioni, i cili përbëhet nga gjithsej katër kopje me vargje të shkruara me dorë në karton dhe me ilustrimet e një piktori, të piktorit Thierry Lambert/ Tjeri Lamber, “artist autsajder”, siç prezantohet vetë dhe që ilustrimet i bën aty për aty, natyrisht pasi e kupton përmbajtjen e vargjeve. Unë shkrova një pjesë nga poezia lirike Kur jam me ty, kurse Edi vetëm vargun e cituar më lart.

“Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.

Restoranti i Jusufit, Jusuf Shahinit, gjendet në rrugën Mario Roustan nr. 51 dhe e ka emrin “Ephese”, që është emri i vjetër i Izmirit, i kohës kur ky qytet ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe një nga qendrat e rëndësishme të saj. Tarraca e vogël ku zëmë vend sheh nga Kanali Mbretëror (Seta ka dy kanale të lundrueshme), që lidh detin me liqenin dhe quhet kështu për shkak se është ndërtuar në kohën e dinastisë mbretërore të Luigjëve. Si meny restoranti “Ephes” ofron specialitete turke, armenase dhe greke, edhe pse pronari i tij është shqiptar i lindur në Prishtinë. Duke gjerbur kafenë që na e servir Jusufi (është pasdite vonë dhe në restorant nuk ka njeri tjetër pos nesh), vazhdojmë bisedën. I çliruar pak nga emocioni i fillimit, Jusufi vazhdon rrëfimin për veten. Thotë se nga viti 1991 jeton në Francë, fillimisht në Lion, pastaj në Strasburg, kurse në vitin 2001 është vendosur këtu në Setë, ku ka zënë vend.

Po përse shqiptari Jusuf Shahini u shpërngul nga Turqia në Francë?

Në qoftë se babai i tij, ndonëse komunist me bindje, u shpërngul nga Kosova në Turqi për shkak të presionit të regjimit jugosllav, i biri i tij, Jusufi, iku nga Turqia në Francë shkaku i trysnisë së regjimit turk. Meqenëse si student i takonte lëvizjes revolucionare të proveniencës marksiste (tradita familjare e të qenit “i majtë”, do të ishte për të, sikurse edhe për babanë e tij, fatale), Jusufi u mor disa herë në polici, ku u keqtrajtua në mënyrë brutale, por i shpëtoi burgut, si thotë vetë, sepse nuk pranoi asgjë. “Nuk di. Nuk e njoh. Nuk kam ç’të them!” – thotë  dhe shton: “Këto ishin përgjigjet e mia në zyrat e policisë turke”.

Marrjet në pyetje dhe keqtrajtimi fizik e psikik vazhduan me muaj e me vjet, derisa një ditë Jusufi mori një vendim të prerë: të ikte nga Turqia në Perëndim. Bëri ç’bëri, e kaloi Mesdheun dhe erdhi në Francë, ku jeton edhe sot me gruan e tij turke dhe dy fëmijët e rritur, djalë e vajzë. Djali student, vajza nxënëse e shkollës së mesme.

E pyes Jusufin: “A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe përse nuk vjen më shpesh në vizitë në vendin e të parëve? Hijet e  tyre enden ende në sokaqet e Prishtinës, në oborret e shtëpive, nën hijet e minareve, në gurët e kalldrëmit, në Tauk bashçe, në Gërmi. Kudo”. “Po, thotë, kam qenë. Vetëm një herë. Erdha në verë të vitit 1998 në Prishtinë. Gjendja ishte shumë e rëndë. Rrugët ishin përplot policë serbë. Njerëzit frikësoheshin të flisnin me mua. Si erdha, ashtu edhe u ktheva …”.

Pastaj, shton, shpërtheu lufta që tronditi botën dhe edhe ne këtu u përpoqëm të bënim diç për vendlindjen: të mblidhnim ndihma, të strehonim dikënd, të flisnim ndonjë fjalë për Kosovën dhe vuajtjet e saj në takimet me njerëzit. Dikush edhe në shtyp dhe në mediet e tjera.

Gjatë qëndrimit prej rreth një ore, shumë-shumë një e gjysmë me të, bashkatdhetari ynë i mërguar, që e ka harruar gjuhën e të parëve, njësoj si poçari i Dritëroit, mësoi disa fjalë shqipe: ”Mirëdita. Ditën e mirë! Mirupafshim!”. Sa për fillim kjo nuk është pak. Ndoshta pas këtij takimi, tek ai do të ringjallen zërat e humbur të gjuhës amtare, të strukur thellë në ndërdijen e tij./ KultPlus.com

88 vjet nga lindja e Pjetër Arbnorit, konsiderohej si ‘Mandela i Ballkanit’

Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij. Qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit.

Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.

U lirua në vitin 1989, vite ku ndjehej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.

Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj.

Pjetër Arbnori vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006./ KultPlus.com

Arkeologët në Norvegji kanë gjetur shkrimin runik më të vjetër në botë 

Arkeologët në Norvegji njoftuan sot se kanë gjetur një mbishkrim runik që sipas tyre është më i vjetri në botë dhe ndoshta është deri në 2000 vjet.

Guri i sheshtë katror ka të gdhendura “shkarravitje” mbi të, të cilat mund të jenë shembulli më i hershëm i fjalëve të regjistruara në Skandinavi, tha Muzeu i Historisë Kulturore të Oslos, duke shtuar se bëhet fjalë për një nga mbishkrimet më të vjetra runike.

“Ky zbulim na jep një pasqyrë të përdorimit të runave në epokën e hershme të hekurit. Kjo mund të jetë një nga përpjekjet e para për të përdorur runat në Norvegji dhe Skandinavi në gur”, tha profesori i Universitetit të Oslos, Kristen Zillmer.

Runat janë zbuluar më parë në objekte të tjera, por jo në gur, dhe regjistrimi më i vjetër runik i gjetur në Danimarkë është në një krehër kockash.

Guri i runës u zbulua në vjeshtën e vitit 2021 gjatë gërmimit të një varri në Tirifjord, afër Oslos, në një rajon të njohur për vendet e tij monumentale arkeologjike.

Guri i gdhendur në rune do të ekspozohet për një muaj në Muzeun e Historisë Kulturore, i cili ka koleksionin më të madh të objekteve historike të Norvegjisë nga epoka e gurit deri në epokën moderne./ KultPlus.com

Më 18 janar 1919 hapi zyrtarisht punimet Konferenca e Paqes në Paris

Konferenca e Paqes në Paris hapi zyrtarisht punimet më 18 janar 1919. Ajo u organizua nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore.

Për të përfaqësuar kombin shqiptar, krahas delegacionit zyrtar të Qeverisë së Durrësit morën pjesë edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Boston të SHBA, Partia Politike Shqiptare në SHBA, kolonitë shqiptare në Turqi, Rumani, Zvicër e vende të tjera.

Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913. Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915.

Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes. Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit.

Në janar të vitit 1920 u hartua një një projekt për zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut, i cili parashikonte aneksimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene e disa viseve veriore të Shqipërisë, por ky projekt ndeshi në kundërshtimin e presidentit amerikan U. Uillson./ KultPlus.com

Më 1914, ushtria Austro-Hungareze iu drejtua Shqipërisë me pamflet: Çonu shqiptarë, ta thejmë armikun bashkë

Më 18 janar 1914, komanda e ushtrisë Austro-Hungareze iu drejtua popullatës shqiptare me një pamflet, shkruan KultPlus.

Në pamfletin shkruante se kjo ushtri po futet në territor si miq të Shqipërisë, dhe assesi si një pushtues i ri ose diçka e ngjashme.

“Ushtrija jonë po vjen për ndihmë, prandaj çonu ju shqiptarë në këmbë, bashkë do ta mujmë e do ta thejmë armikun”, shkruante mes tjerash./ KultPlus.com

Rrëfimi i mbesës së Al Capones: Ishte baba i dashur

Ishte dita e Krishtlindjeve e vitit 1946 kur gangsteri famëkeq i Çikagos Al Capone mori gruan e tij dhe katër mbesat për një shëtitje në molin e vilës së në Palm Island duke shijuar lirinë e tij pas Alcatrazit ku shleu dënimin për shtatë vite për evazion fiskal.

174 artikuj që i përkasin familjes Capone  do të dalin në ankand në California  ku midis tyre fotografi personale, armë zjarri, bizhuteri, etj.

Ora e xhepit Patek Philippe prej platini e diamanti është e vlerësuar të shkojë deri në 50,000 Dollarë, ndërsa pistoleta e tij e preferuar Colt 45 në 150,000 Dollarë.

Diane Capone, 77 vjeç, e dyta nga katër mbesat e gangsterit tha se vendimi për të shitur sendet erdhi për shkak të moshës dhe zjarreve në Kaliforninë Veriore.

Deri më tani në ankand janë regjistruar 1.000 ofertues ndërkohë që Diane tha se shpresonte që këto objekte të zbulonin anën njerëzore të gjyshit të saj, në vend të dhunës së pamëshirshme të Çikagos së viteve 20 ku ai mori edhe famën.

Artikulli që ilustron më shumë këtë, tha ajo, është një letër personale që Al Capone i shkroi djalit të tij, Sonny nga Alcatraz e vlerësuar 50,000$.

“Është një letër kaq e bukur. Këto nuk janë fjalët apo idetë e një njeriu që është një gangster i pamëshirshëm. Këto janë fjalët e një babai të dashur”, tha ajo./KultPlus.com

Lamtumirë për ty

Poezi nga Anne Bronte

Lamtumirë për ty! por jo lamtumire
Për të gjitha mendimet e mia më të dashura për ty:
Brenda zemrës sime ata do të banojnë akoma
Dhe ata do të më gëzojnë dhe do të më ngushëllojnë.

O, e bukur dhe plot hir!
Nëse nuk do ta kishe takuar kurrë syrin tim,
Nuk kisha ëndërruar një fytyrë të gjallë
A mund të fantazohet sharmi deri më tani i jashtëzakonshëm.

Nëse mund të mos e shoh përsëri
Kjo formë dhe fytyrë kaq e dashur për mua,
As nuk e dëgjoj zërin tënd, përsëri nuk do të më binte mendja
Ruani, për ajet, kujtesën e tyre.

Ai zë, magjia e tonit të të cilit
Mund të zgjoj një jehonë në gjoksin tim,
Krijimi i ndjenjave që, vetëm,
Mund ta bëj shpirtin tim të qetësuar.

Ai sy qeshur, rrezja e diellit e së cilës
Kujtesa ime nuk do të çmohej më pak –
Dhe oh, ajo buzëqeshje! shkëlqimi i gëzueshëm i të cilit
As gjuha e vdekshme nuk mund të shprehet.

Adieu, por më lër të çmoj,
Shpresa me të cilën nuk mund të ndahem.
Përbuzja mund të plagoset, dhe ftohtësia të ftohtë,
Por gjithsesi më mbetet në zemrën time.

Dhe kush mund të tregojë përveç Qiellit, më në fund,
Mund të përgjigjem të gjitha mijëra lutjeve të mia,
Dhe ofertoni që e ardhmja të paguajë të kaluarën
Me gëzim për ankth, buzëqeshje për lot?./KultPlus.com

“Ose shkruaj diçka që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka që ia vlen të shkruhet”

Benjamin Franklini ka lindur më datën 17 janar të vitit 1906 në Filadelfia dhe ka vdekur më 17 prill të 1790’ës shkruan KultPlus.

Ka qenë burrë shteti, shkrimtar, botues dhe filozof politik. Konsiderohet si njëri etërit e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë karrierës së tij, ai është marrë edhe me cështjet me interes publik, duke dhënë kontribut me shkrimet e tij. Franklin botoi edhe shumë traktate dhe ese nga të gjitha llojet e temave, me theks të vecantë politike, si dhe me cështjet ligjore arsimore.

Sonte, po i risjellim disa nga thëniet e tij më të famshme:

“Ose shkruaj diçka që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka që ia vlen të shkruhet.”

“Sigurisht, duhet të thuash gjënë e duhur në vendin e duhur, por njëkohësisht duhet edhe të mos e thuash gjënë e gabuar në çastin kur ndjehesh i tunduar”.

“Ji në luftë me veset e tua, ji në paqe me fqinjët e tu, dhe bëj të mundur që çdo vit që vjen të të gjejë njeri pak më të mirë nga ç’ishe.”

“Njeriun që vështron tokën dhe është ateist, e kuptoj, por njeriun që vështron qiellin natën dhe prapë s’beson në Zotin, nuk kuptoj.”

“Në këtë botë nuk ka asgjë të sigurtë përveç vdekjes dhe taksave.”

“Ji i edukuar me të gjithë; i shoqërueshëm me shumë; i afërt me pak, mik me vetëm një; armik me askënd.”

“Nëse dëshiron të zbulosh defektet e një femre, fillo të lavdërosh shoqet e saj.”

“Kush dashurohet me veten nuk asnjëherë ka rivalë.”

“Siguria pa lirinë quhet burg”.

“Mos kini frikë nga vdekja. Sa më shpejt të vdesim, aq më gjatë do të jemi të pavdekshëm.” /KultPlus.com

Heroi Jusuf Gërvalla me vajzën Donikën (FOTO)

Një fotografi e rrallë e heroit Jusuf Gërvalla, ku afër tij shihet Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës.

Fotografia është e realizuar në Ludëigsburg – Stuttgart të Gjermanisë në vitin 1980.

Nga e djathta është veprimtari e heroi Jusuf Gërvalla (afër tij, vajza e Jusufit – Donika) ndërsa nga e majta bashkëveprimtari i tij Nazmi Selmanaj. / KultPlus.com

Fotografët e parë në Shqipëri, në rrëfimin e Robert Elsies

Robert Elsie i kushtoi jetën historisë dhe studimit të Shqipërisë.

Një ndër temat që ai ka prekur ka qënë dhe ajo e udhëtarëve të huaj që e njohën herët këtë vend. Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni në vjeshtë të vitit 1863, albanologu Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) u shoqërua nga fotografi austriak Jozef Sekeli (Josef Székely, rreth 1838- 1901), i cili thuhet se ka bërë ndër fotografitë më të hershme të Shqipërisë.

Koleksioni i tij përfshin 50 fotografi, me pamje të Shkodrës, të Prizrenit, të Ohrit dhe të Manastirit. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë ishte dukuri e zakonshme për udhëtarët, shkencëtarët dhe albanologët në Shqipëri të merrnin në aparat fotografik me vete për të fotografuar vendin. Ky material, jo gjithmonë fotografi me cilësi të lartë, u shfrytëzua për të ilustruar librat e tyre për Shqipërinë.

Disa koleksione nuk u botuan kurrë, dhe mbeten tani – një shekull më vonë – për t’u zbuluar. Historia e fotografisë vendase në këtë rajon të Evropës juglindore, d.m.th. të fotografëve nga rajoni vetë, lidhet në mënyrë të veçantë me dy koleksione me famë. Fototeka Marubi në Shkodër përfshin rreth 150.000 fotografi, shumë prej tyre me një rëndësi të dukshme historike, artistike dhe kulturore. U përpilua nga tre breza fotografësh. Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) ishte piktor dhe fotograf italian i cili, si përkrahës e Garibaldit, u detyruan të ikte nga Piaçenca të Italisë për arsye politike dhe gjeti strehim në Shkodër rreth vitit 1850. Aty, themeloi dyqanin Foto Marubi me disa aparatë fotografikë që i kishte sjellë me vete. Fotografitë më të vjetra të koleksionit janë nga vitet 1858-1859. Disa foto të Marubit u botuan në revistat The London Illustrated Neës, La Guerra d’Oriente dhe L’Illustration. Marubi u ndihmua nga djali Rrok Kodheli (1862-1881) dhe nga vëllai i tij, Kel Kodheli (1870-1940), i cili më vonë, pas vdekjes së Pjetrit, e mori në trashëgim firmën familjare dhe u bë i njohur si Kel Marubi.

Keli mësoi të përdorte efekte të posaçme dhe të përpunonte negativat. Gjithashtu filloi të fotografonte jashtë studios me aparate më bashkëkohore. Lidhur ngusht me familjen Marubi ishte fotografi dhe piktori Kolë Idromeno (1860-1939) i Shkodrës. Me mbështetjen e Pjetër Marubit, prej të cilit mësoi artin e fotografisë, ai shkoi në Venedik në vitin 1875 për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai nuk arriti të përfundonte mësimin dhe e braktisi Akademinë pas gjashtë muajve, mirëpo mbeti në Venedik dhe punoi disa vjet si ndihmës i një piktori venecian, për të kthyer në Shqipëri në vitin 1878. Në vitin 1883, Idromeno hapi një fotostudio me aparatë fotografikë të marrë nga shoqata Pathé në Francë.

Në vitin 1912, importoi për herë të parë në Shqipëri aparate filmike dhe shfaqi filme. Në gusht të atij viti, firmosi një kontratë me shoqatën Josef Strauber në Austri për të krijuar atë që mund të quhet kinemaja e parë në Shqipëri. Brezi i tretë i fotografëve Marubi ishte djali i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984). Ai studioi në Lion të Francës në 1923- 1927 pranë shkollës së parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lymier, dhe punoi në Shkodër si fotograf nga viti 1928-1940. Ishte i pari në familje që përdori celuloid në vend të pllakave prej xhami. Fotostudio Marubi kap dhe dokumenton historinë e Shqipërisë së Veriut që prej Lidhjes së Prizrenit e mëtej. Përfshin fotografi të mahnitshme të udhëheqësve të fiseve të veriut, të kryengritjeve të malësorëve, të jetës qytetare në Shkodër dhe të ngjarjeve publike të ndryshme.

Vetëm pak fotografi janë botuar deri tani. Që prej vitit 1994, me mbështetjen e UNESCO-s, bëhen përpjekje për të shpëtuar koleksionin dhe për ta bërë të njohur. Koleksioni tjetër i njohur i fotografisë dhe të cinematografisë ballkanike ështe ai i vëllezërve Manakis në Maqedoni. Janaki Manakis (1878-1954) dhe vëllai Milton Manakis (1882-1964) lindën në fshatin Avdela afër Grevenës, tani në veri të Greqisë, dhe ishin me prejardhje vllahe (aromune). Nga 1898-1904 kishin një dyqan fotografik në Janinë dhe në vitin 1905 u vendosën në Manastir, tani në Republikën e Maqedonisë, ku hapën Studion për Artin Fotografik. Janaki dhe Milton Manakis bënë më shumë se 17.300 fotografi në 120 vende të ndryshme. Në vitin 1905 realizuan edhe filmin e parë në Ballkan.

Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit (me rreth 70.000 fotografi), të Dedë Jakovës (me rreth 50.000 fotografi) dhe të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me shkollën e Marubit në Shkodër. Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë. Ndër ato janë veprat e Petro Dhimitrit (1861-1946), i cili filloi si fotograf bredhacak në vitet 1890; të Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës të Bukureshtit i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet 1920. Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit (1883-1970) të Korçës, student i Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në 1902-1903 dhe punoi fotograf në Nju Jork dhe Los Anxheles.

Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me piktorin e njohur korçar Vangjush Mio (1891-1957), hapi fotostudion Sotiri, të njohur në juglindjen e Shqipërisë. Janë ruajtur rreth 14.000 fotografi të këtij koleksioni. Mund të përmenden edhe Ymer Bali i Tiranës, Mandi Koçi (1912-1982) i Voskopojës, Jani Ristani i rrethit të Gjirokastrës, Misto Cici i Pogradecit dhe Xhimitiku i Beratit. Megjithëse nuk lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, nuk duhet harruar në historinë e fotografisë shqiptare edhe emri i Gjon Milit (1904-1984), i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, studioi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusec-it (Massachussetts Institute of Technology) dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane si Life dhe Fortune./shqip/ KultPlus.com

‘Mendoj se çdo njeri duhet të bëhet i pasur dhe i famshëm në mënyrë që ta kuptoj se kjo nuk është përgjigja’

James Eugene Carrey, i njohur përgjithësisht si Jim Carrey, është një aktor dhe këngëtar Kanadez i famshëm i cili gjatë karrierës së tij filmike ka luajtur shumë role komike.

Ky aktor është protagonist i filmave të tillë si: Ace Ventura: Pet Detective, The Mask, Dumb and Dumber e shumë të tjerë.

Gjatë karrierës së tij, Carrey ka fituar dy Golden Globes dhe është nominuar në çmimet BAFTA për aktorin më të mirë, konkretisht në 2005.

Përkundër që Jim Carrey njihet si një prej komikëve më të mëdhenj që është shfaqur në ekran, ai nuk e ka pasur aspak të lehtë jetën.

Kur ka qenë i ri, babai i tij ka humbur punën dhe, si rezultat i kësaj, e tërë familja është dashur të jetojnë në një furgon të vogël.

Pavarësisht kësaj, Carrey gjithmonë ka besuar në ligjin e tërheqjes.

Nëse e pyetni atë, Jim Carrey do të insistojë se jeta e tij është dëshmi që universi na i dëgjon dëshirat.

Por, çdo histori ai e tregon duke na rikujtuar se duhet të përkushtohemi dhe të punojmë shumë për t’i realizuar dëshirat që i kemi.

Prandaj, më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tija më inspiruese që do t’jua ndryshojnë pikëpamjen mbi jetën dhe do t’ju ndihmojnë ta vazhdoni rrugën drejt suksesit.

– “Jeta gjithmonë hapë mundësi për ju, dhe ose duhet t’i shfrytëzoni ato ose të frikësoheni për t’ i shfrytëzuar”

– “Më mirë të rrezikoni të vdisni nga uria sesa të hiqni dorë. Nëse hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, çfarë ju ka mbetur?”

– “Fokusi im është ta harroj dhimbjen e jetës. Ta harroj dhimbjen, të bëjë shaka me të, ta zvogëlojë atë. Dhe të qesh!”

– “Mendoj se çdo njeri duhet të bëhet i pasur dhe i famshëm dhe të arrijë çdo gjë që ka dëshiruar në mënyrë që ta sheh se kjo nuk është përgjigja”

– “Dëshpërimi është përbërësi i domosdoshëm për të mësuar çfarëdo, ose për të krijuar çfarëdo. Pikë. Nëse nuk jeni të dëshpëruar ndonjëherë, ju nuk jeni interesantë”

-“Jam duke e bërë një zgjedhje për t’i parë sfidat si fitimprurëse në mënyrë që të ballafaqohem me to në mënyrën më produktive të mundshme”. / KultPlus.com