47 vjet nga vdekja e Agatha Christie, shkrimtares së njohur britanike

Më 12 janar të vitit 1976 ndërroi jetë Agatha Christie, autorja e cila u bë e njohur në botë për novelat e saj të zhanrit krim, gjithsej 66 të tilla, 14 vëllime me tregime të shkurtra dhe po ashtu për dramën më të shfaqur në histori “The Moustrap”.

Ajo është autorja më e shitur në botë, me 2 billion kopje të shitura, duke e thyer edhe rekordin botëror në Guiness World Records.

Shumë libra të Christie janë adaptuar për televizion, radio, dhe libra grafik. Janë dikund rreth 30 filma të bazuar në romanet e saj. Autorja u edukua në shtëpi nga prindërit e saj dhe filloi të shkruante tregime të misterit gjatë Luftës se dytë Botërore.

Fillimet e saj ishin të vështira dhe shpesh nuk iu pranuan librat nga shtëpitë publikuese, megjithatë libri i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles” ishte një sukses i madh. Gjatë fundit të karrierës së saj ajo flloi të shkruante romane të zhanrit romancë me libra si “Unfinished Portrait” dhe “A daughter’s daughter” ndër pseudonimin Mary Westmacott.

Chrisite u titullua Damë nga shteti i Anglisë në vitin 1971, ndërsa ajo u pa për herë të fundit në publik në vitin 1974 kur u shfaq drama e saj “Murder on The Orient Express. “./ KultPlus.com

39 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Iniciativa e Rexhep Malës për të formuar një Komitet të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, u pëlqye nga bashkëveprimtarët e tjerë, dhe kësisoj ky komitet shërbeu edhe si Lëvizje Çlirimtare e Shqiptarëve për të çuar në protestat e njohura studentore të vitit 1981.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi.

Veprimtaria e tyre nderohet edhe në manifestimin “Flaka e Janarit”, e cila fillon nga 11 janari dhe zgjat deri më 31 janar me aktivitete të ndryshme. / KultPlus.com

Luvri nuk është më për të gjithë, hyrja pritet të bëhet ekskluzive

Muzeu i Luvrit në Paris ka kufizuar numrin e vizitorëve. Tashmë hyrja në këtë muze do të jetë më ekskluzive.

Nëse deri më tani muzeu i Luivrit ka qenë në listën tuaj të destinacioneve për t’u vizituar, sigurohuni mirë përpara se të shkoni, pasi mund të mbeteni jashtë.

Luvri i njohur i Parisit, muzeu më popullor në botë, po kufizon frekuentimin e tij të përditshëm në një përpjekje për t’u ofruar vizitorëve “një vizitë më të rehatshme dhe për të siguruar kushte optimale pune për stafin”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar javën që shkoi.

Muzeu që deri përpara pandemisë priste mesatarisht 45,000 vizitorë në ditë, prej muaj e ka ulur ndjeshëm fluksin e numrit të vizitave në afro 30, 000 dhe duket se këto ritme do të ruhen.

“Shifrat jashtëzakonisht pozitive për vitin 2022 janë jashtëzakonisht inkurajuese për të gjithë stafin tonë”, shprehet presidenti i Luvrit, Laurence des Cars.

“Shpresoj që vizitorët të shijojnë kalimin e kohës në Musée du Louvre, veçanërisht ata që zbulojnë muzeun për herë të parë, të cilët përfaqësojnë 60 përqind të tyre. Ne po punojmë gjithnjë e më shumë për të përmirësuar kushtet e vizitës dhe për të vazhduar të ofrojmë një program me cilësi të shkëlqyer dhe një grup unik performancash live që rezonojnë me atë që ndodh në muze.”

Ky vendim i heshtur i stafit drejues të Louvre ka hasur në kundërshtime nga artistë dhe kuratorë të cilët nuk mendojnë se kufizimi i vizitave në një muze si ai i Luvrit përmirëson përvojën e vizitorëve të cilët udhëtojnë nga anë e mbanë globit për të parë veprat e ekspozuara në këtë muze ikonik./Gazeta Tema/ KultPlus.com

Shqipëria do të hapë ambasadë në Ukrainë

Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadën e saj në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainës.

Kështu njoftoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në kohën kur po shënohet 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike”, shkroi Xhaçka në një postim në Facebook.

Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.

Në kuadër të kësaj mbështetje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë 1 vjeçare si dhe krijimin e një task-force për të menaxhuar aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit që vijnë nga Ukraina.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.

Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina.

Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, që nga shkurti i vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar afërsisht 3 mijë shtetas ukrainas.

Më 3 maj të vitit që shkoi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim online Kuvendit të Shqipërisë. Përveç falenderimit për mbështetjen, ai kërkoi që t’u ndalohej hyrja në Shqipëri, turistëve rusë.

Kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga qeveria shqiptare.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.

Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.

Në Ukrainë, në rajonin e Odesës jetojnë rreth 3500 shqiptarë./REL/ KultPlus.com

Takim me rastin e 79-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim me shkrimtarë, studiues dhe lexues, me rastin e 79-vjetorit të lindjes së Fatos Kongolit, një prej shkrimtarëve bashkëkohorë më të vlerësuar në letrat shqipe të pas viteve ’90, për frymën e tij të re në prozë dhe temën ekzistenciale mbi fatin e njeriut në shoqërinë shqiptare.

Takimi u zhvillua në mjediset e QKLL-së ku i pranishëm ishte edhe vetë shkrimtari i cili mori urimet për shëndet e krijmtari të mëtejshme.

Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 dhe sot është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të pas viteve ’90. Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin e pjesërisht në Tiranë. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një numri të madh librash si: “Lëkura e qenit”, “Dragoi i fildishtë”, “Ëndrra e Damokleut”, “I humburi” e shumë të tjerë, të cilët janë përkthyer edhe në Francë, Itali, Gjermani, Zvicër etj.

Edhe ministrja e Kulturës, në këtë ditë, e uroi shkrimtarin të ketë “jetë të gjatë e krijimtari të pavdekshme”. /atsh / KultPlus.com

HRW sjell në pah klimën e rënduar të të bërit gazetari në Kosovë

Në raportin për vitin 2022 të Human Rights Watch – HRW, të publikuar më 12 janar 2023, ku monitorohen të drejtat e njeriut në mëse 100 vende të botës, përfshihet edhe Kosova.

Në raportin për Kosovën, rëndësi e veçantë iu kushtua kushteve të punës së gazetarëve, ku u vu theks mbi sulmet, kërcënimet dhe ngacmimet në drejtim të tyre. Raporti e vë në pah gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit të kaluar iu referua mediave dhe gazetarëve si “Organizatë e Përbashkët Kriminale”, si dhe gjuhën denigruese të Luan Dalipit, Shefit të Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i quan mediat “biznese kriminale” .

Sadriu në shkurt, ndërsa Dalipi në mars këto pastime i bënë në rrjetin social “Facebook”. HRW iu referua raportimeve të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK ku citohet se “në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe frikësim në platformat e rrjeteve sociale”.

Në raportin e HRW këto deklarata u cilësuan si shtytëse për krijimin e një ambienti armiqësor për gazetarët, ku ndër të tjera u tha se “deklarata të tilla rrezikojnë të ulin besimin e publikut në media dhe se po krijojnë ambient armiqësor për gazetarët”. / KultPlus.com

Rita Ora befason fansat, bëhet nuse

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora ka shpërndarë një video ku shihet e veshur si nuse, me të cilën ka tërhequr vëmendjen e publikut.

Por, përmes kësaj video ajo duket se paralajmëron projektin e ri, këngën “You Only Love Me” e cila pritet të publikohet më datë 27 janar.

Të tjera lajme janë ato që ka kohë që shkruajnë se Rita Ora është martuar me regjisorin Taika Waititi, verën e kaluar në një ceremoni të vogël, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga dyshja. / KultPlus.com

Fatos Kongoli: Gruaja as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti

Me një krijimtari intensive, pas Kadaresë, Fatos Kongoli është shkrimtari më i përkthyer në gjuhë të huaja.

I konsideruar shkrimtari i tranzicionit, veprat e tij mbajnë dhimbjen dhe trazimet shpirtërore në Shqipërinë e pas viteve ’90; jo pak herë librat e tij janë bërë fokus i debateve për pësimin e individit në një shoqëri si e jona, të egër e të ashpër, ndërsa flet se si kanë lindur personazhet e tij, në një proces krijues unik ku kanë ndikuar Balzak, Kamy, Çehov…

Kohë më parë, në një bisedë me Violeta Muratin, Kongoli kishte treguar se në çdo libër që ka shkruar gruaja është personazhi qendror dhe asnjë nga personazhet e tij nuk mund të realizohej pa një grua.

Çdo libër që keni shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo, ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?

Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti. / KultPlus.com

“Nga bota e re”, koncerti që nis vitin e ri të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës

Pas një viti të mbushur me koncerte, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sjell programin e sezonit 2022-2023, me një koncert, të parin për këtë vit të titulluar “Nga bota e re”.

Në këtë koncert të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të paraqiten: Antonín Dvořák, Joaquín Rodrigo, Kreshnik Aliçkaj. Petrit Çeku në kitarë dhe koncerti do të përcillet nën dirigjimin e Maayan Franco.

Koncerti vjen më datë 29 janar, në ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe. / KultPlus.com

LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) sot ka votuar pro liberalizimit të vizave.

48 eurodeputetë votuan me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime, raporton Gazeta Express.

Për këtë LIBE ka njoftuar edhe në Twitter.

Pas votimit në LIBE duhet të ndodhë edhe votimi në Parlamentin Europian, që tashmë është dëshmuar pro heqjes së vizave edhe më herët.

Për këtë nga Parlamenti Europian më herët kanë thënë për Gazetën Express se janë disa data kur ky institucion do ta hedhë në votim çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Seanca e radhës fillon të hënën më 16 janar, por kjo mund të jetë shumë shpejt pas votimit në Komitet. Mundësitë e ardhshme janë datat 1 ose 2 shkurt dhe 13 ose 16 shkurt”, ka thënë një zëdhënëse e PE’së për Express.

Pas votimit në PE, radha u vjen votimeve nga ambasadorët e BE’së dhe Këshillit të Ministrave me shumicë të thjeshtë.

Tutje, akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.

Pastaj, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.

Ndryshe, Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka premtuar se do ta vazhdojë ritmin e paraardhëses së saj çeke për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për hapat e radhës, Presidenca suedeze pati dhënë zotim se do të kryhen në muajt e parë të këtij viti.

“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, ka thënë ditë më parë për Express një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE. / KultPlus.com

Temperatura e oqeaneve më e larta në histori

Ngrohja e oqeaneve theu një rekord të ri në vitin 2022, me temperaturat që u rritën për të shtatën vit radhazi dhe Mesdheu si pellgu me ngrohjen më të shpejtë.

”Studiuesit parashikojnë një klimë gjithnjë e më ekstreme në të ardhmen”, thotë një studim i botuar në revistën ”Advances in Atmospheric Science” dhe i udhëhequr nga Akademia Kineze e Shkencave.

Shqetësimi kryesor nuk është vetëm me jetën detare dhe ekosistemet, por edhe me njerëzit dhe ekosistemet tokësore, pasi oqeanet thithin pjesën më të madhe të ngrohjes së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.

Studiuesit e udhëhequr nga Lijing Cheng analizuan të dhënat, të mbledhura nga viti 1950 deri në ditët e sotme.

Në veçanti, përmbajtja e nxehtësisë së oqeanit në 2 000 metrat e parë të thellësisë u rrit me rreth 10 Zetta xhaul krahasuar me një vit më parë, thënë ndryshe një xhaul (njësi matëse e nxehtësisë) e ndjekur nga 21 zero.

Për të dhënë një ide mbi vlerën e madhe, 10 Zetta xhaul nxehtësi mund të mbajnë 700 milionë kazanë me 1,5 litra, të zier për një vit të tërë.

Kjo konfirmon rritjen e vazhdueshme të temperaturës së oqeaneve, e kombinuar me nivele gjithnjë e më të larta të kripësisë dhe një ndarje më të madhe të ujit në shtresa, të cilat mund të reduktojnë ose eliminojnë përzierjen midis sipërfaqes dhe zonave më të thella.

Midis shumë pasojave, këta faktorë ndryshojnë mënyrën se si nxehtësia, karboni dhe oksigjeni shkëmbehen midis oqeanit dhe atmosferës.

Kjo, nga ana tjetër, ndikon në biodiversitetin dhe lëvizjen e llojeve të peshqve, me efekt kaskadë në komunitetet e varura nga peshkimi./ atsh /KultPlus.com

Anët

Sali Bashota

Një ditë ajo anë
Do të bëhet si kjo anë
Kur largohet mjegulla
Përtej syve

Pastaj nga shpirti
Fshihet pluhuri i harresës
Dhe toka përmallohet
Për qiellin e vet

Edhe kjo anë
Do të bëhet si ana tjetër
Kur s’ua prejmë flatrat
Engjëjve të dashurisë

Të dy anët
Kurdisin orët e sakta
Në të njëjtën kohë
Si do Zoti. / KultPlus.com

Rama: Hoteli i brandit prestigjioz Meliá hap dyert në pranverë buzë Adriatikut

Pas një sërë hotelesh prestigjioze me 5 yje të cilët kanë vendosur që të investojnë kapitalet e tyre në vendin tonë, një tjetër emër i madh i hoteleve i shtohet konkurrencës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga hoteli më i ri e më i madh në vend i brandit prestigjioz ndërkombëtar Meliá.

“Me 520 dhoma dhe 470 të punësuar, hoteli hap dyert në pranverë buzë bregdetit Adriatik si një shembëlltyrë e Shqipërisë turistike që përparon çdo ditë”, tha Rama.

“Melia Hotel”, është grupi i cili po investon në zonën e Gjirit të Lalzit, duke krijuar kushte mjaft të mira për pushuesit, ndërsa hapja e tij pritet që të ketë edhe një impakt në zhvillimin ekonomik të zonës./atsh / KultPlus.com

Kalaja e Bashtovës, shumë shpejt destinacion i trashëgimisë kulturore


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi se Kalaja unike e Bashtovës, shumë shpejt do të kthehet në destinacionin më të kërkuar të trashëgimisë kulturore. “Ajo tashmë po i nënshtrohet restaurimit falë programit të ringritjes pas tërmetit”, shkroi Margariti në rrjetet sociale.

Kalaja e Bashtovës është një kështjellë mesjetare katërkëndore, e pozicionuar aty ku lumi Shkumbin derdhet në Adriatik. Kalaja ngrihet në terren të sheshtë, pranë rrugës Egnatia. Historianët janë të ndarë sa i përket faktit se cilës periudhë i përket ndërtimi i kalasë. Disa pretendojnë se është ndërtuar në periudhën kur vendi ishte nën pushtetin e Venedikut ndërsa të tjerë thonë se venedikasit ndërtuan mbi rrënojat e një kalaje ekzistuese, e cila mund të ketë qenë e shekullit të gjashtë, kur zona ishte nën Perandorinë Bizantine, gjatë dinastisë së Justinianit.

Struktura ka 3 hyrje, me mure 9 metra të lartë që rrethojnë një hapësirë 60 x 90metra. Në veri dhe në lindje ka kulla rrethore, secila prej tyre 12 metra e lartë. E veçanta e kësaj Kalaje qëndron tek fakti se është e vetmja në Ballkan, që është ndërtuar në fushë.

Kalaja e Bashtovës do të restaurohet me mbështetjen e programit EU4Culture të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë shqipe, Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 79-të

Fatos Kongoli lindi më, 12 janar 1944 në Elbasan dhe sot feston ditëlindjen e 79-të. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Kongoli ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës. Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004).

Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për vitin 2006, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Në vitin 2016 është shpallur “Shkrimtari më i mirë i vitit”, nga Fondacioni Kulturor “Harpa” në Fier.

Disa nga veprat kryesore të tij janë:

“Ne të tre” (1985)”Karuseli” (1990), “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003), “Te porta e shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh”, roman, 2007. / KultPlus.com

Shtëpia e kulturës dhe një pjesë e QMF-së në Ferizaj, përfshihen nga zjarri

Shtëpia e kulturës dhe një pjesë e Qendrës së Mjekësisë Familjare janë përfshi nga zjarri në rrethana të panjohura.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 15:00 në fshatin Mirosalë të Ferizajt.

Tutje në raport bëhet e ditur se zjarrfikësit kanë arrit ta lokalizojnë zjarrin.

“Fsh. Mirosalë, Ferizaj 11.01.2023 – 15:00. Është raportuar se në rrethana të panjohura është përfshi nga zjarri shtëpia e kulturës dhe një pjesë e Qendrës së Mjekësisë Familjare. Zjarrfikësit kanë arrit ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në raport.

Ndërkaq, vlera e dëmit për momentin nuk dihet. Rasti nën hetime./ KultPlus.com

“Germin” lanson platformën për Angazhimin e Profesionistëve të Diasporës

“Germin” ka lansuar platformën digjitale të Programit për Angazhimin e Profesionistëve nga Diaspora në vendet e origjinës (versioni BETA).

Programi për Angazhimin e Profesionistëve të Diasporës (EDP) ka nisur në vitin 2019 dhe që nga ajo kohë janë angazhuar 94 profesionistë, të cilët kanë ndarë ekspertizën dhe njohuritë e tyre me institucionet publike, organizatat joqeveritare dhe kompanitë private në Kosovë dhe Shqipëri.

Angazhimi i tyre me prezencë fizike është realizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore mes 1 deri në 6 muajsh, ndërsa shumë prej tyre kanë vazhduar edhe më gjatë kontributin në formë virtuale.

“Duke pasur parasysh kërkesën nga ana entiteteve pritëse në vendet amë dhe potencialin e madh njerëzor në diasporë, ne kemi dizajnuar një platformë që ka për qëllim të lehtësojë lidhjen mes tyre. Me lansimin e platformës për profesionistë, të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në vendin amë mund ta bëjnë duke u regjistruar në këtë VEGËZ (LINK)”, thuhet në njoftim.

Platforma funksionon në mënyrë të tillë që të bëhet përputhja automatike mes profileve të profesionistëve të diasporës dhe kërkesave dhe nevojave të entiteteve pritëse në vendet amë. / KultPlus.com

Cilat janë qytetet më të sigurta në botë

Kur zgjedhim një qytet për të jetuar, kemi parasysh punën që do të bëjmë atje, koston e jetesës e shumë faktorë të tjerë.

Por, një faktor i rëndësishëm është edhe shkalla e kriminalitetit në atë qytet. Ky element analizohet nga Numbeo, një portal që krahason statistika të ndryshme nga vende dhe qytete të botës, si kostoja e jetesës, çmimi i ushqimit dhe banesave, ndotja, cilësia e jetës, trafiku dhe shërbimet shëndetësore, ndër të tjera.

Por, ky portal gjithashtu përditëson periodikisht një indeks krimi për qytetet botërore dhe bën një renditje. Ndërkaq, njihuni me 5 qytetet më të sigurta në botë, duke nisur nga vendi i pestë.

5.Sharjah (Emiratet e Bashkuara Arabe)

4.Ajman (Emiratet e Bashkuara Arabe)

3.Taipei (Tajvan)

2.Doha (Katar)

1.Abu Dhabi (Emiratet e Bashkuara Arabe)

Kemi hyrë tashmë në muajin e parë të këtij viti të ri. Shumë prej nesh e kanë parë plot pozitivitet dhe shpresë e disa të tjerë nuk e kanë ndierë ende diferencën. E ndoshta ajo që është më e rëndësishme në sezonin e fundvitit, janë padiskutim pushimet.

Fatkeqësisht për vendin tonë, klima e ngrohtë ka mbizotëruar më së shumti këtë vit duke mos i lënë vend borës dhe argëtimit në vende të tilla. Megjithatë, disa të tjerë kanë preferuar që pushimet t’i kalonin diku jashtë Shqipërisë. Thënë kjo, ne ngritëm një sondazh duke pyetur ndjekësit tanë se ku i kanë kaluar pushimet e tyre dimërore. / Express / KultPlus.com

Vdes legjenda e muzikës rock

Ka vdekur në moshën 78 vjeçare një ndër legjenda e muzikës rock, Jeff Beck. Kitaristi legjendar humbi jetën si pasojë e një forme vdekjeprurëse të meningjitit bakterial.

“Në emër të familjes, me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Jeff”, njoftoi faqja në Twitter e muzikantit britanik që u bë i famshëm me Yardbirds, ku kishte zëvendësuar Eric Clapton.

Muzikanti ishte një figurë kyçe në evolucionin e kitarës moderne , me të cilën ai eksploroi një sërë zhanresh, duke përfshirë blues, heavy metal, fusion dhe hard rock .

Fituesi i gjashtë Grammy për performancën më të mirë instrumentale rock dhe një tjetër për performancën më të mirë instrumentale Pop, Beck vdiq në një spital pranë shtëpisë së tij në Surrey.

Revista Rolling Stone e caktoi atë të pestin në listën e 100 kitaristëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ndërsa në vitin 2009 ai u fut në Hall of Fame të “Rock and Roll”. / KultPlus.com

Berat, nis restaurimi i ikonave të Zografit dhe Çetirit

Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi, do të bëjnë të mundur nxjerrjen në dritë të këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi të një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK-Berat.

Më herët, Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të ikonës “Fjetja e Shën Marisë”, një vepër me autor anonim, me prejardhje nga kisha e Profet Ilias dhe e dimensioneve të mëdha. Kjo ikonë i ofrohet tashmë e restauruar publikut të Muzeut të Ikonografisë Onufri duke pasuruar koleksionin e tij. /atsh / KultPlus.com

70-vjetori i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit

70 vjet më parë, më 11 janar të vitit 1953 u themelua teatri “Aleksandër Moisiu”, institucioni teatror i qytetit të Durrësit. Shfaqja e parë e këtij teatri, ishte komedia “Vajza nga fshati” e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu.

Menjëherë pas suksesit të shfaqjes së parë u vendosën edhe vepra të tjera por ajo që do të ishte edhe kulmi i këtij teatri në ato vite ishte komedia “Prefekti” e Besim Levonjës, kjo edhe për shkak edhe të interpretimit të mrekullueshëm të Nikolin Xhojës. Shfaqja qëndroi për një kohë të gjatë në repertorin e teatrit dhe do të shënjonte edhe kulmin artistik të këtij teatri.

Në fillimet e tij ky teatër kishte një trupë me 14 aktorë dhe këta veteranë që përbënin këtë trupë ishin emra të njohur si Meropi Xhoja, Nikolin Xhoja, Koste Lezha, Teodor Rupi, Spiro Urumi etj.

Me rastin e kësaj date të shënuar, teatri zhvilloi edhe një takim gala me trupën aktuale, artistët më në zë të Teatrit, si dhe personalitete e figura të shquara të artit shqiptar. /atsh/ KultPlus.com

Margariti: Mbi 260 mijë vizitorë në muzetë kombëtarë gjatë 2022

Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë në të gjithë vendin ka shënuar një rritje domethënëse, duke arritur në mbi 260 mijë vizitorë gjatë 2022.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e vitit të kaluar duke theksuar se, “muzetë kombëtarë gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendës e të huaj, si tregimtarë të së shkuarës”.

Sipas saj, statistikat për vitin 2022 tregojnë për një interes në rritje.

Nga janari deri në dhjetor të 2022 muzetë u vizituan nga 267 599 vizitorë. Ndërsa për të njëjtën periudhë në vitin 2021 u regjistruan 132 223 vizitorë dhe në 2020 u vizituan nga 49 288.

Muzetë kombëtarë janë ndër atraksionet më të preferuara për vizitorët e huaj, pasi shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë. / KultPlus.com

IKSHPK bën thirrje për vaksinim dhe bartje të maskës në ambiente të mbyllura

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë apel te qytetarët që të bartin maska në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.

Në njoftim thuhet se në fillim të vitit ka rritje të rasteve të reja, mirëpo nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë! 

Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe  vaksinohuni! 

Ju lutemi për kujdes të shtuar ndaj COVID-19!

Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar.

Fillim viti ka shënuar rritje të rasteve të reja me COVID, por fatmirësisht nuk kemi te regjistruar asnjë rast fatal.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që të vaksinohen.

MSh dhe IKSHPK  rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të  vaksinohen kundër COVID-19. / KultPlus.com

Cilat janë gjuhët më të përdorura në ShBA, pas anglishtes?

Në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që flasin një gjuhë tjetër përveç anglishtes në familje u trefishua mes viteve 1980 dhe 2019, thuhet në një raport të Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë. Pothuajse 68 milionë vetë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara flasin një gjuhë të dytë në shtëpi. Në vitin 1980, vetëm 23 milionë njerëz flisnin një gjuhë të dytë me familjet e tyre në Amerikë.

“Kjo tregon larminë për të cilën njihet ky vend”, thotë Dina Arid, nënë e tre fëmijëve nga Kalifornia, e cila përveç anglishtes, gjatë fëmijërisë fliste edhe arabisht në shtëpi. “Pra, është mirë që nuk flitet vetëm anglishtja. Këtu ka një grup të madh emigrantësh.”

Arabishtja është një nga pesë gjuhët e dyta më të folura në Shtetet e Bashkuara. Arid, e cila u flet kryesisht në anglisht fëmijëve të saj, po përpiqet t’u mësojë atyre edhe arabishten.

“Gjatë fëmijërisë, unë kisha të afërm të cilët nuk arritën të mësonin arabishten. Ndonëse nuk janë të mërzitur me prindërit e tyre për këtë, ata thonë se do të donin ta flisnin gjuhën tani”, thotë ajo.

Spanjishtja është gjuha e dytë më e njohur në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 41 milionë njerëz, 12 herë më shumë se gjuhët e tjera të dyta më të zakonshme, flasin spanjisht në shtëpi. Hispanikët janë grupi më i madh i pakicës në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se gjysma (55%) e atyre që flasin spanjishten kanë lindur në Shtetet e Bashkuara.

Gjuha kineze, tagalo dhe ajo vietnameze janë në grupin e pesë gjuhëve që fliten më së shumti në Amerikë.

“Prindërit e mi flisnin edhe anglisht në shtëpi, por ata u përpoqën ta ruanin gjuhën e tyre. Gjatë ditës në shkollë unë flisja anglishten, ndërsa në mbrëmje, në shtëpi, e flisja vetëm gjuhën vietnameze”, thotë Jenny Nguyen, studente e stomatologjisë në Virxhinia, prindërit e së cilës emigruan nga Vietnami. “Kur isha më e re, nuk e kuptoja rëndësinë e saj, por tani jam shumë e lumtur që mund të flas dhe të shkruaj në gjuhën vietnameze në një nivel kaq të mirë”, thotë ajo.

Ajo e vuri gjuhën kur udhëtoi në Vietnam për të ofruar kujdes dentar falas për komunitetet e varfra. Shumë nga bashkëmoshatarët e saj, që ishin pjesë e kësaj nisme, ishin gjithashtu vietnamezo- amerikanë.

“Ata nuk mund të komunikonin mirë me pacientët sepse nuk e flisnin gjuhën në një nivel të mjaftueshëm”, thotë Jenny Nguyen. “Unë isha një nga vullnetarët e rinj të paktë që mund të komunikonin me pacientët”, thotë ajo.

Sipas Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë, ata që flasin gjuhën kineze, vietnameze, tagaloge dhe arabe kishin më shumë gjasa të ishin të pajisur me shtetësinë amerikane.

Raymond John “R.J.” Mosuela, rekrutues punonjësish të kujdesit shëndetësor në Virxhinia, prindërit e të cilit janë nga Filipinet, nuk mund të flasë gjuhën e tyre amtare, por thotë se i kupton kur ata i flasin në gjuhën e tyre.

“Tagalo, dialekti kryesor i gjuhës që flitet në Filipine, flitej në shtëpi, por ai përzihej me anglishten”, thotë zoti Mosuela. “Unë jam më i vogli nga tre vëllezërit. Dy nga vëllezërit e mi më të mëdhenj kanë lindur në Filipine. Unë linda pasi prindërit e mi mbërritën në Amerikë. Nëna më fliste në gjuhën tagalo dhe unë i përgjigjesha në anglisht”, thotë ai.

Përcjellja e kulturës amtare të prindërve tek fëmijët e tij është e rëndësishme për zotin Mosuela.

“Kur të martohem dhe të bëhem me fëmijë, ndoshta jo gjuhën, por të paktën do të përpiqem të ruaj ushqimin dhe traditat tona kulturore”, thotë ai.

Cathy Erway, autore e shkrimeve për ushqimin në Nju Jork, po përdor një aplikacion të telefonave inteligjentë për të mësuar dialektin mandarin të gjuhës amtare kineze.

“Është interesante se babai im, i cili është amerikan i bardhë, flet gjithashtu gjuhën kineze”, thotë zonja Erway. “Prindërit e mi komunikonin në gjuhën kineze kur nuk donin që fëmijët, unë dhe vëllai im, të dëgjonin se çfarë po thoshin. Pra, ata e trajtuan atë si një gjuhë sekrete”, thotë ajo.

Ndërsa më shumë njerëz flasin një gjuhë të dytë në shtëpi, Byroja amerikane e Regjistrimit të popullsisë raporton se numri i njerëzve që flasin vetëm anglisht në shtëpi gjithashtu u rrit, me rreth 25 për qind, nga 187 milionë në 1980 në 241 milionë në 2019./VOA/ KultPlus.com