72 vjet nga vdekja e nobelistit Andre Gide

Nobelisti Andre Gide dëshiron të na dritësojë mendjen. Një punë e artit, e artit të bukur të botës të cilin nuk ka sy njeriu që nuk e çmon, për të qenë e përjetuar duhet të përmbajë këto pesë elemente.

Por, para se ti zbulojmë elementet, titani i letërsisë dhe fituesi i Nobelit për Letërsi, francezi Gide – i cili vdiq më 19 shkurt të vitit 1951, duhet lexuar në vazhdimësi për librat të cilat ia dha botës, dhe ia la në fund asaj.

“Të gjitha punët artistike janë të vështira. Ai që i sheh si të lehta, ka dështuar ta kuptojë esencën e veprës” tregon Gide.

Për pesë elementet që e përbëjnë një vepër të mahnitshme arti, ai thotë

– Rendi (logjika, dispozita e arsyeshme e pjesëve)
– Bukuria (profile, linja)
– Luksi (Pasuria e disiplinuar)
– Qetësia (Qetësimi i trazirës emocionale)
– Kënaqësia e shqisave, ndjenjave (sensualiteti, aktraktiviteti

Andre Gide i ka lënë të shkruara pasuritë e tij dhe këshillat e tij në “The Journals of Andre Gide”.

Gide e fitoi Nobelin në vitin 1947. Atë e influencuan Franz Kafka, Niçe, Dostojevski, Tagora e Stephane Mallarme. / KultPlus.com

Bob Dylan: Nëna jote thotë që unë jam i huaj

Poezi nga Bob Dylan

Unë jam burrë në vuajtje të vazhdueshme
Kam pas telashe gjatë gjithë ditëve të mija
Do t’i them lamtumirë Kolorados
Aty ku linda dhe pjesërisht u rrita

Nëpër këtë botë të hapur jam i detyruar të eci
Nëpër akull, borë, breshër e shi
Mëngjeseve mbi hekurudhë jam i detyruar të kaloj
E, ndoshta do vdes një ditë në atë tren

Nëna jote thotë që unë jam i huaj
Fytyrë që ndoshta s’do e shihni më
Por ja një premtim për gjithë juve:
Do takohemi në bregun e artë të Zotit

Unë do e bëj një të kthyer në Kolorado
Në vendin prej nga jam nisur
Se po ta dija që më dhuronit aq shumë dhimbje
Zemër, s’do të kisha ardhur kurrë.

Përktheu: Shkëndije Berisha/ KultPlus.com

7 vjet nga vdekja e shkrimtarit të madh, Umberto Eco

Umberto Eco, i lindur më 5 janar 1932, ishte një shkrimtar, filozof, kritik letrar, semiolog dhe profesor universiteti italian. Njihet më së shumti për romanin e tij të 1980 Il nome della rosa, më pas shkruajti romane të tjera si Il pendolo di Foucault dhe L’isola del giorno prima. Romani i tij Il cimitero di Praga, botuar më 2010, kryesoi listën e librave më të shitur në Itali.

Umberto Eco, një shkollar në fushën e errët të semiotikës, që u bë autor i suksesshëm romanesh, mbi të gjitha me veprën “Emri i Trëndafilit”, vdiq në vitin 2016 në Itali. Ai ishte 84 vjeç. Si një semiotikan, Eko kërkoi të interpretonte kulturat përmes shenjave dhe simboleve të tyre ? fjalëve, ikonave fetare, banerave, veshjeve, notave muzikore dhe madje edhe filmave vizatimorë.

Ai ka publikuar mbi 20 libra mbi këto çështje ndërsa jepte mësim në Universitetin e Bolonjës, më i vjetri në Europë. Por në vend që të veçonte jetën e tij akademike nga krijimtaria e tij popullore, Eko përfshiu në shtatë romanet e tij shumë prej shqetësimeve të veta akademike. Në bashkimin e këtyre dy botëve, ai nuk ka qenë kurrë më i suksesshëm sesa tek “Emri i Trëndafilit”, romani i tij i parë, që u publikua në Europë në vitin 1980.

Suksesi qe i madh dhe ai shiti më tepër se 10 milionë kopje në rreth 30 gjuhë dhe pati edhe një adaptim kinematografik në Hollivood.

Libri tregon për ngjarjet që ndodhin në një manastir italian në shekullin 14, kur murgjit vriten nga besimtarë të tjerë duke risjellë bukur një qasje filozofike të Aristotelit, harruar kohë më parë.

Umberto Eco ishte një prozator, kritik, filozof, semiotikan dhe profesor italian me peshë të madhe në letërsinë dhe kulturën europiane. Ai lindi më 5 janar 1932 dhe u nda nga jeta më 19 shkurt 2016. /KultPlus.com

‘Ani more djalë përpara bajrakut ani seç mu dogj zemra prej marakut’ (VIDEO)

Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.com

“O ti n’at kodër e unë n’ket kodër”, është vetëm njëra nga këngët që ka kënduar Duni me interpretimet tashmë të njohura të saj.

Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet. Këmbëzbathur e plotë emocione, mund të përshkruhet shkurt performanca e saj.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

Ani more djalë përpara bajrakut
ani seç mu dogj zemra prej marakut.

Ani more djalë përpara shtëpisë
seç po ti merr era tufat e shamisë.

Ani unë n’at kodër, ti n’kët kodër
ani boll e mirë po veç pak e vogël.

Ani as e vogel, as e madhe
ani porsi dardha rrushëtake
ani porsi molla o rrumbullake./ KultPlus.com

Gratë e para shqiptare që luajtën në teatër

Në shumë nga pikëpyetjet e ditëve të sotme, nga shumë drama të mëdha të gruas shqiptare pikërisht sot, nga një tragjedi e ditëve të sotme ku burri qëllon dhe vret gruan, më vjen imazhi i jashtëzakonshëm i gruas së parë të vërtetë të emancipuar në Shqipëri.

Shembullit unikal të guximit qytetar. Kush mund të ishte ajo, dhe ku mund të ishte një grua e tillë. E para, vërtetësisht mund të ishte në një qytet, ku kishte shfaqje reale publike e dyta, duhet të ishte një vënd ku kishte relacione të larta si letrare, politike dhe mundësisht diplomatike, e ky ishte vetëm qyteti i madh, më i madh i Shqipërisë ose Shkodra e viteve 1910-1930.

Po pra, unë po flas në një kohë “boom-i” artistik në qytetin liberal dhe konservator njëkohësisht që ishte Shkodra. Që nga viti 1911-të dhe sidomos në vitin 1912-të, Kolë Idromeno, sajon një salon ku mund të projektoheshin diapozitiva të “kalueshëm” me shpjetësi në një klub të organizuar i cili u mbyll më vonë. Ishin shfaqjet e para të filmit, dhe në vitin 1912-të, Idromeno që është dhe “lindësi” i filmit në Shqipëri, kinemasë së parë dhe xhirimeve të para, bën një kontratë për shfaqje filmi, kontratë qiraje nga një austriak, dhe shfaq tashmë rregullisht në zonën katolike të Shkodrës ose shtëpinë e tij filmat e parë në Shqipëri. Ishin momentet e para të filmit, dhe padyshim aty ka pasur dhe gra që shikonin , por mbas viteve 1913, mbas ardhjes së Internacionalit, Shkodra u bë qyteti më i lirë dhe diplamatik, por edhe kulturor, jo vetëm në tokat shqiptare por dhe rajon, sepse konsullatat e shumta dhe të huajt e shumtë në qarkullim, impononin dhe modernizmin real të kohës dhe shkëmbimet e litaraturës, fillimet e sportit dhe teatrit të parë real.

Kjo gjë prej kohe në Shkodër, sidomos mbas viteve 1860-të. Pra ishte vëndi fertil dhe mundësisht me talent sidomos në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, brënda zejtarëve dhe zanatlinjve, për të filluar dhe rrugën e madhe të artit dhe sidomos teatrit. Aty ishte tendenca për të marrë pjesë gjërësisht dhe gruaja e emancipuar. Ajo grua, e cila tashmë mësonte edhe gjuhë të huaja, i kishte ikur, ose tentonte t’i ikte otomanizmit dhe kishte marrë rrugën perendimore të civilizimit. Nga 1914-ta dhe deri në vitin 1919-të, as që bëhej fjalë se një grua të mund të dilte në skenë. Jo, në asnjë mënyrë dhe në Shkodrën moderne. As në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, por në vitin 1919-të, ndodh një diçka e madhe për Shkodrën dhe Shqipërinë. Duke pasur Arkivin e Muzeut në dispozicion dhe me ndihmën e një miku të Arkivit dhe pikërisht zotit Gjon Stefa i cili pasuroi arkivin me postera të tjerë të kohës, arrij të rikonceptoj dhe dëshmoj qartë, se kush ishin dhe femrat e para shqiptare, që çanë orientalizmin dhe prambetjen e madhe, duke luajtur krahas burrave në shfaqe të hapura në Shkodër. Është pra viti 1919-të dhe nga Kol Gurakuqi i frymëzuar nga një shfaqe kinematografike të pikërisht Idromenos, vihet në skenë një “dramë dashtnore” e shoqërisë “Vëllazënija” e quajtur “Erminja e Vorfën”. Ishte madhështore kjo gjë dhe luajtën në “dramën dashtnore” ose dramën e dashurisë Kol Mjeda, Lin Deda, Kel Feta, Junuz Buliqi, Ali Borshi, Omer Ruzhdi dhe Muhamed Reçi. Dakort, por në rolin e Erminjes luajti dhe një grua, jo në të gjitha shfaqet dhe pa ju nxjerrë emri në afishe në vitin 1919-të, por luajti ama një grua. Po ashtu në një natë shfaqeje luajti sërish një femër, në rolin e pikërisht gruasose të Madalenës së shoqes së Viktor Paolit. Kishte dhe shoqërim orkestral drame, dhe dirigjent ishte Luigj Kakariqi. Sot akoma nuk dihet mirë kush ishte ajo grua, (normaloisht që të interesuarit e dinin) ajo grua, vajzë apo e shoqa e kujt ishte apo ishte një beqareshë. Por gjithsesi deri në atë kohë dhe pak më vonë, rolet e grave luheshin nga meshkujt të veshur pikërisht si gra në teatër. Bëri bujë se spektatorët ( të ftuarit) e kuptuan se tashmë gruaja ishte qartësisht femër, dhe biles disa thanë jashtë në qytet sepse u bë si barcoletë se ajo ishte një nga Italia, apo nga Beogradi, por këto ishin vetëm gojët që nuk mbyllen në Shkodër.

Gjithsesi vimë në vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër, dhe tashmë janë vite guximi për teatrot dhe shoqëritë, e padyshim kulmi është shfaqa gjimnastikore “Katër Caqet Temelore” e gjitha nga femra. Imagjinoni femrat që jo vetëm luajnë, por bëjnë ushtrime gjimnastikore në vitin 1922!! Zyrtarisht kjo gjë. Por akoma më shumë drama “E Tradhtuemja”. Në lojën e gjimnastikës, kanë luajtur femrat, vajzat e para në Shqipëri dhe emrat janë dhënë kështu: Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejell Koliqit, Karitina e Ejëll Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit. Shikohet qartë dhe mirë, se nga kush familje ishin dhe se kush ishte dhe do të vazhdonte si trashëgimi artistike dhe kulturore në Shkodër.

Por kryevepër ishte drama “E Tradhëtuemja”. Ishte një dramë me pesë akte e luajtur me vetëm femra në Shkodër. Posteri kishte shtylla anash me fytyra gruaje, dhe normalisht të gjithë po merrnin vesh se aty luhesh pjesa kryesore dhe e përgjithshme nga pikërisht femrat. Në dramën e jashtëzakonshme “E Tradhëtuemja” luanin: Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.

Zyrtarisht, me dokumenta, me lojë reale, në shfaqje të drejtpërdrejtë. Me fytyrë të zbuluar e tekst të jashtëzakonshëm, ishin fermrat e para të guximshme, familjaret e para të njerëzve të lartë të kulturës dhe artit në Shkodër, që po bënin edhe gruan, por kryesisht vajzën nxënëse që po nderonte Shkodrën. Në fund, të gjitha bashkë, luanin një valle patriotike e titulluar “Rrnoftë Shypnia” ku nxënëset e sipërpërmndura, jepnin performancën e fundit. Ishin pinjolle të familjeve patriotike dhe kështu duheshin mbyllur shfaqjet në atë kohë.

Ishte diçka që nuk mund të përsëritej, dhe që tregon në mënyrë të jashtëzakonshme nivelin e madh të qytetarisë shkodrane, dhe të lagjeve kulturore të saj.

Ishte tendenca për modernizëm, qytetërim europian dhe patriotizëm njëkohësisht. Ato janë vajzat dhe gratë e para të çmontimit të mentalitetit oriental, dhe ishin vajza të njerezve të jashtëzakonshëm të kulturës shkodrane. Unë po i bëj një homazh të vogël, pikërisht këtij brezi, që luajti rolin e madh të shkëputjes së parë nga mbyllja mbas “kafazeve dhe penxhereve” të femrës shkodrane dhe shqiptare dhe dalja e barabartë me burrin në publik. Ishin vërtetë femrat e para të teatrit dhe pjesëve të para artistike dhe kulturore në Shqipëri.

Ishin vërtetë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Po dhe ishin pikërisht në Shkodër. Nuk janë përmëndur shumë dhe nuk janë njohur, sepse pak është kujdesur që ato të përmënden realisht. Por emrat e tyre kanë mbetur në një poster të jashtëzakonshëm të nëntë dekadave më parë./Besi Bekteshi/Shkodra News/ KultPlus.com

Një natë pa gjumë

Poezi nga Migjeni

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. ….
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote?
Kur ti këndon thonë se asht afer drita…
Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./KultPlus.com

Drejtoresha e UNESCO-s viziton muzeun ‘Shtëpia me gjethe’

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, në përfundim të vizitës në Shqipëri, ishte edhe në  Muzeun e Përgjimeve Sekrete, “Shtëpia me gjethe”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila e shoqëroi në këtë vizitë u shpreh se,  ““Shtëpia me gjethe”, është një nga projektet më sfiduese që kam pasur fatin të drejtoj dhe shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes profesionistëve dhe pasionantëve të kulturës, i cili për më tepër u vlerësua me çmimin “Muzeu i Këshillit të Evropës” për vitin 2020 , që do të lërë përshtypje të pashlyeshme edhe në kujtesën e mikeshës Azoulay”.

“Konceptuam punë të mira në këtë vizitë dy ditore, ndërsa bëhemi për fillimin e projekteve të reja në mjedis siç është përfshirja e Vjosës dhe degëve të saj në listën e pasurive natyrore botërore të mbrojtura nga Unesco!”, theksoi Kumbaro./atsh/ KultPlus.com

30 thënie të mençura nga Gabriel Garcia Marquez

Ai kujtohet më së shumti për veprat “100 Vjet Vetmi” dhe “Dashuri në Kohën e Kolerës”.

Gabriel Garcia Marquez konsiderohet si shkrimtari më popullor në gjuhën spanjolle që nga Miguel de Cervantesi.

Veprat e tij letrare kanë qenë shkrimet më të shitura në spanjisht, përveç Biblës. Romani i tij epik “100 Vjet Vetmi” është shitur në mbi 50 milionë kopje në 25 gjuhë të ndryshme.

García Márquez fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 për tregimet dhe romanet e tij. Në fjalën e falenderimit kur mori çmimin, ai u shpreh “Amerika Latine është një burim i pashtershëm krijimtarie, dëshpërimi dhe bukurie”.

‘Gabo’ siç thirrej shpesh, pionieri i zhanrit të realizmit magjik i dhanë një perspektivë tërësisht të re letërsisë dhe botës së fjalës së shkruar.

Por puna e tij gjithashtu mbart grimca mençurie rreth dashurisë, luftës dhe jetës, të cilat janë bërë tashmë të përjetshme në veprat “Njëqind vjet vetmi”, Dashuria në kohërat e kolerës, dhe klasikët e tjerë.

Ja disa nga leksionet e “Gabos” përzgjedhur nga librat e tij që do të jetojnë përgjithmonë:

1- Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij.

2- Jeta nuk është ajo që jetojmë, por ajo që ti kujton dhe si e kujton atë.

3- Ai që pret gjatë ka pritshmëri të vogla.

4- Një person nuk vdes kur duhet, por kur mund.

5- Seksi është ngushëllimi kur ju nuk mund të keni dashurinë.

6- Kam zbuluar për kënaqësinë time, se është jeta, jo vdekja, ajo që nuk ka kufij.

7 – Asnjë ilaç nuk mund të shërojë atë që s’mund ta shërojë lumturia.

8- Një burrë e kupton kur plaket, sepse ai nis t’i ngjajë babait të tij.

9- Liria është shpesh viktima e parë e luftës.

10- Mençuria vjen tek ne në atë moment kur nuk na hyn më në punë.

11- Mbetet gjithmonë diçka për t’u dashur.

12- Të gjitha qeniet njerëzore kanë tri jetë: publike, private dhe sekrete.

13- Trillimi u shpik ditën, kur profeti hebre Jonah u kthye në shtëpi dhe i tha gruas se ishte tri ditë me vonesë sepse ishte përtypur nga një balenë.

14- Problemi me martesën është se përfundon çdo natë pas aktit të dashurisë dhe duhet të rindërtohet çdo agim përpara vaktit të mëngjesit.

15– Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.

16- Sekreti i një moshe të madhe nuk është asgjë tjetër përveç një pakti të ndershëm me vetminë.

17- Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalojnë së ndjekuri ëndrrat kur plaken, ata plaken sepse ndalojnë së ndjekuri ëndrrat.

18- Zemra ime ka më shumë dhoma se një bordello.

19- Asgjë nuk e përfaqëson një njeri më shumë sesa mënyra sesi vdes.

20- Jo, nuk jam pasur. Unë jam një njeri i varfër me para, por kjo nuk është e njëjta gjë.

21- Kur një grua vendos të flejë me një burrë, nuk ka asnjë mur që ajo nuk mund të ngjisë, asnjë fortesë që s’mund ta shkatërrojë, asnjë konsideratë morali që ajo nuk do injorojë dhe mbi të gjitha: nuk ka Zot për të cilin t’ia vlejë të shqetësohesh.

22- Thuaji atij po. Edhe nëse po vdes nga frika, edhe nëse do të të vij keq më vonë, sepse çfarëdo që të bësh, do të pendohesh për gjithë jetën nëse thua jo.

23- Në qoftë se Perëndia nuk do të pushonte dielën, do të kishte pasur kohë për të përfunduar botën.

24- Vjen gjithmonë mëngjesi dhe jeta ne na jep prapë mundësi t’i bëjmë gjërat si duhet.

25- Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.

26- E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

27- Nevoja e ka fytyrën e një qeni.

28- Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.

29- Në gazetari vetëm një fakt i rremë, e vë në dyshim të gjithë punën e bërë, ndërsa në fiksion vetëm një fakt i vërtetë e legjitimon të gjithë punën e bërë

30- Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri./KultPlus.com

17 vite nga vdekja e piktorit Kel Kodheli

17 vite më parë u nda nga jeta piktori i njohur shqiptar Kel Kodheli, autori i pikturave të njohura si “Vallja e shpatave” ,”Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”. “Lahutari”, “Portret shkodraneje”.

Në kohë e fundit para se të ndahej nga jeta, Kel Kodheli u muar edhe me pikturë moderne.

Ai lindi më 24 dhjetor 1918 në katundin Kodhel të Lezhës. Kur kishte 6 vjeç, familja e tij vendoset në Tiranë. Pas kryerjes së shkollës fillore në vitin 1933, Keli vazhdoj shkollimin e mesëm teknike por ndoqi kurset e vizatimit nën drejtimin e Odhise Paskalit e të Lasgush Poradecit.

Prindërit e tij babai Gega dhe nëna Eile, kishin dëshira kontradiktore për arsimin e mëtejshëm të djalit të tyre. Babai donte inxhinierinë, ndërsa nëna pikturën. U bë që Kel Kodheli të vazhdoj studimet në Romë në atelienë e Karlo Silvierës. Nga Roma kthehet në vitin 1943 dhe 10 vite punon në Bankën Kombëtare, si modelues.

Me 17 prill të vitit 1945 hapi ekspozitën e parë, titulluar “Nëna e dëshmorit” bazuar në pikturën e tij që e pat pikturuar “Gruaja që i ka vdekur burri”. 20 vjet punoi si edukator në Lice (Gjimnaz) për të dalë në pension si mësues i një shkolle fillore, edhe pse me Akademi të Arteve të Bukura të Romës.

Më 24 dhjetor 2003, Presidenti i asaj kohe Aleksandër Moisiu, në shtëpinë e tij Kel Kodhelit i dorëzon çmimin e “Piktorit të Merituar”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e sajë, ruhen 12 kompozime dhe 11 portrete të piktorit Kel Kodheli. / KultPlus.com

Rama: Ura e Kurçajt, atraksion turistik gati për t’u vizituar

Ura e Kurcajt e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto të kësaj ure, si ishte para restaurimit dhe si ka ndryshuar pamja dhe funksionaliteti i saj, pas restaurimit.

“Një tjetër urë historike, që gëzon statusin monument kulture, Ura e Kurçajt, ka rilindur pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019”, shkroi Rama.

“E ndërtuar në shek.XVIII, si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë, dhe një atraksion turistik gati për t’u vizituar”, theksoi kryeministri Rama.

Kjo urë është një tjetër sit që është restauruar nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh./atsh/ KultPlus.com

Ëndrra ime e zakontë

Poezi nga Paul Verlaine

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.

Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata./ KultPlus.com

Shfaqet premiera e dokumentarit të Sean Penn për Zelenskyn në Berlin

Aktori dhe regjisori Sean Penn ka dhënë premierën e filmit të tij “Superpower” në Festivalin e Filmit në Berlin.

Ky film, i cili portretizon presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është thirrje për demokracinë fragjile të Amerikës.

Fituesi dyfish i Oscar, ishte në Kiev për të bërë dokumentarin për ngritjen e Zelenskyt nga një komedial në lider kombëtar kur Rusia nisi agresionin e saj para një viti, shkruan Variety, përcjell Klankosova.tv./KultPlus.com

Qyteti i Sportit 2023, Veliaj: Tirana, ‘shtëpia’ e mundjes për të rinjtë në qershor

Në qershor të këtij viti, Tirana do të mirëpresë Kampionatin Europian të Mundjes për të rinjtë e moshës 17 vjeç, teksa vitin e ardhshëm Shqipëria synon të jetë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Mundjes. Për këto evente të rëndësishme sportive, në Tiranë ka ardhur një delegacion i Federatës Botërore të Mundjes, të cilët u pritën nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Mundja në Shqipëri është ardhur në një nivel tjetër. Sot kemi mbi 12 medalje nga ky sport dhe më vjen mirë që Tirana, në qershor, do të jetë mikpritëse e Kampionatit Europian të Mundjes U-17. Për sa kohë që SHBA-të dhe vende të tjera i janë rikthyer sporteve klasike, siç është mundja, kanë filluar t’i përfshijnë të rinjtë në këto aktivitete që të vegjël, nuk ka asnjë arsye pse edhe ne, këtu në Ballkan, të mos marrim mësime nga më të mirët”, u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin te rëndësia e një brezi të rritur me sport. “Një lojtar i mirë, një sportist i mirë, është mbi të gjitha një qytetar i mirë sepse respekton rregullat e lojës, di të punojë në ekip, mëson që ka edhe humbje, ka edhe fitore. Asgjë nuk zgjat përjetësisht, ndaj edhe e vlerësoj shumë që Tirana do të jetë ‘shtëpia’ e mundjes gjatë muajit qershor, për të gjithë të rinjtë e moshës 17 vjeç dhe mezi pres që, ndoshta edhe për vitin tjetër, në Kampionatin Botëror, ne të konsiderohemi si një vend mikpritës. Sigurisht, nuk do kursehemi edhe për investimet që do bëjmë jo vetëm për sportin komunitar, por edhe sportistët elitarë,” vlerësoi Veliaj.

Ai solli shembullin e mundësit Zelimkhan Abakarov, i cili u shpall Kampion i Botës me ngjyrat kuqezi, si një arsye për të investuar më shumë në sportin elitar.

“Fakti që Zelimkhan është kampion bote na bën besimplotë se skuadra jonë ka një shans të mirë për Paris 2024. Ne do punojmë me sportin në komunitet dhe palestrat e reja, që janë hapur, por do punojmë edhe me sportin elitar. Mbështetja juaj është shumë domethënëse. Faleminderit që keni vizituar Tiranën dhe na keni dhënë mundësinë që në qershor të jemi shtëpia e mundjes. Dëshira më e madhe është të kurorëzohemi në Paris me një fitore”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

Zbulohet një sallë 2000-vjeçare në vilën italiane, ku festonte perandori i parë romak dhe kalorësit

Më shumë se 2000 vjet më parë, kalorësit romakë, tregtarët dhe madje edhe perandorët u dyndën në një zonë të vogël banimi pranë Napolit, ku ata jetonin, pushuan dhe festuan.

Tani shtëpia e një vendi të famshëm arkeologjik, Posillipo u ka dhënë ekspertëve më shumë informacione për jetën e lashtë romake për vite me radhë.

Arkeologët nga Universiteti Oriental i Napolit zbuluan kohët e fundit një sallë masive në atë që dikur ishte një vilë e famshme. Ekipi tha se salla është bërë me mozaikë të bardhë dhe tapeti i mozaikut të dyshemesë ka një kornizë të dyfishtë me pllaka të zeza.

Salla është gjetja e fundit në fushatën e gërmimeve të universitetit në Pausilypon, një vilë perandorake 2000-vjeçare që dikur i përkiste perandorit romak Augustus, tha universiteti.

Augusti, mbretërimi i të cilit zgjati nga viti 31 para Krishtit deri në vdekjen e tij në vitin 14 pas Krishtit, ishte perandori i parë romak. Ai mbahet mend për kryesimin e transformimit nga republika në perandori pas vdekjes së xhaxhait dhe kujdestarit të tij, Julius Caesar./abcnews.al/ KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ do të shfaqet në Uells gjatë marsit

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron Detin”, do të shfaqet në Uells gjatë marsit në kuadër të festivalit ‘Wales one World’, përcjell KultPlus.

Njoftimi është bërë përmes një postimi në faqen zyrtare të filmit.

Në vijim gjeni njofimin:

Ne do të shkojmë në Uells këtë mars!

Filmi ynë do të shfaqet si pjesë e edicionit të 22-të të Festivalit të Filmit #WalesOneWorld.

Sipas përzgjedhësve:

“Një performancë qendrore e paharrueshme ndriçon këtë dramë të mirëndërtuar dhe suspensive.”

Kontrollo linkun për datat e shfaqjes dhe transmetimin online: https://www.wowfilmfestival.com/veradreamsofthesea?fbclid=IwAR1tOn8FNLwDrdTPYjT9B31-v6iIZdx3FlJBI0WYIdyfan3m4XgQdC32eY4

Isopolifonia, pjesë e listës së pasurive botërore të mbrojtura

 Isopolifonia shqiptare është pjesë në listën e pasurive botërore të mbrojtura.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, vizituan Muzeun e ri Etnografik, në Gjirokastër, ku krahas shumë asetve kulturore spikat edhe isopolifonia.

“Nga Vjosa në Gjirokastrën e UNESCO-s ku ç’të shohësh më parë, por sigurisht nuk mund të mungonte një vizitë në Muzeun e ri Etnografik, aset i kulturës sonë kombëtare dhe një pikë e re turistike në qytet”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja bëri të ditur se, “përpara se t’i dorëzohej “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i bashkisë Flamur Golemi dhe me mirënjohjen e gjithë gjirokastritëve, kishim edhe një surprizë të bukur për Drejtoreshën e Përgjithshme, Audrey Azoulay, që jo veç e dëgjoi, por edhe e këndoi isopolifoninë, që po ashtu bën pjesë në listën e pasurive botërore të mbrojtura”./atsh/ KultPlus.com

Kënga ‘Shingjergjat po sillen’, nga zëri emocionues i Plator Gashit

Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit.

Këngën nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite.

Po e sjellim poshtë edhe tekstin e këngës bashkë me videon e zërit kaq të ëmbël të Platorit.

SHINGJERGJAT PO SILLEN

Shingjergjat po sillen, mor djalë
Shingjergjat po sillen, mor djalë
Vjeshtat po përcillen medet-o
Vjeshtat po përcillen medet-o
Qajo guja e gat, mor djalë
Qajo guja e gat, mor djalë
M’i këputi dy kraht medet-o
M’i këputi dy kraht medet-o
Qajo guja e shkurt, mor dajë
Qajo guja e shkurt, mor djalë
M’i këputi dy gujt medet-o
M’i këputi dy gujt medet-o. / KultPlus.com

Dashurisë…

Poezi nga Ndoc Gjetja

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon. / KultPlus.com

Tre të pavërteta të mëdha, që duhet të mos ua themi më fëmijëve

Në vitin 2018, psikologu social i famshëm, Jonathan Haidt, profesori Thomas Cooley i Udhëheqjes Etike në Shkollën e Biznesit Stern të Universitetit të Nju Jorkut dhe gazetari Greg Lukianoff, presidenti i Fondacionit për të Drejtat Individuale dhe Shprehjen, publikuan librin e tyre “The Coddling of the american mind”. Në të, ata argumentojnë bindshëm se brezi aktual i prindërve dhe edukatorëve po i çon fëmijët në rrugë të gabuar. Duke përjetësuar tre të pavërteta të mëdha – (1) “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”;  (2) “Gjithmonë besoju ndjenjave të tua”; dhe (3) “Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij” – të rriturit po i zhgënjejnë të rinjtë, duke i lënë fëmijët të papërgatitur për t’u përballur me një botë komplekse.

E pavërteta Nr. 1: Ajo që nuk të vret të bën më të dobët

E pavërteta e parë, “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”, duket se është një përmbysje e plotë e një fjale të urtë më fuqizuese: “Ajo që nuk të vret të bën më të fortë”. Prindërit dhe edukatorët sot po shqetësohen gjithnjë e më shumë se mos shkaktojnë çfarëdolloj “traume” te fëmijët, të merakosur se kjo mund të lërë plagë mendore jetëgjata. Parandalimi dhe prindërimi tejet protektiv janë nënprodukte të kësaj dëshire për të mbrojtur fëmijët nga çdo burim i mundshëm dëmtimi, qoftë fizik apo emocional.

Por kjo tendencë në rritje shkon kundër dekadave kërkime që tregojnë se të rinjtë priren të jenë jashtëzakonisht elastikë ndaj përvojave negative. Në vend që të jenë të brishtë, ato janë “anti-të brishtë”, thotë Haidt. Ashtu si kockat dhe muskujt duhet të përdoren dhe të tendosen për të qëndruar të forta, dhe sistemi imunitar duhet të ekspozohet ndaj patogjenëve për të qëndruar në formë të mirë, psikika e fëmijëve duhet të sfidohet për t’i mbajtur ata të ekuilibruar dhe të shëndetshëm.

“Duke i mbrojtur me tepri fëmijët tanë, ne po i vendosim ata në pozicion të dobët, që të dëmtohen më kollaj, të dekurajohen më lehtë”, thotë Haidt për Big Think. “Kur i mbrojmë fëmijët nga pakënaqësia, nga konfliktet, nga fyerjet, nga ngacmimet, nga përjashtimi, ne jemi duke parandaluar psikologjinë e tyre sociale, jemi duke parandaluar aftësitë e tyre sociale, jemi duke penguar zhvillimin e forcës së tyre.”

E pavërteta Nr. 2: Gjithmonë besoju ndjenjave të tua

Një e pavërtetë e dytë që Haidt dhe Lukianoff e shpjeguan është “beso gjithmonë ndjenjat e tua”.

“Ajo që kemi filluar të shohim në kampus është se studentët inkurajohen të ndjekin ndjenjat e tyre; nëse ndihen të ofenduar nga diçka atëherë ata ndihen të sulmuar. Ata nuk duhet t’i vënë në dyshim ato ndjenja, “tha Haidt.

Frazat fantastike si “e vërteta personale” dhe “përvoja e jetuar” tani përdoren shumë shpesh për të vendosur ndjenjat në të njëjtin skalion si faktet. Por ato nuk janë aspak në të njëjtin nivel. Ndjenjat janë subjekt i qindra paragjykimeve njohëse që lodhin të menduarit e njerëzve. Faktet, nga ana tjetër, janë fakte.

“Ne duhet t’i mësojmë të rinjtë në të gjitha fazat që të vënë në dyshim interpretimet e tyre të menjëhershme, të kërkojnë prova dhe të përmirësojnë mënyrën se si e interpretojnë botën,” tha Haidt.

E pavërteta Nr. 3: Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij

E pavërteta e fundit e madhe, “më e keqja, më e rrezikshmja dhe më e errëta nga të gjitha”, sipas Haidt, është se jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij. Kjo e pavërtetë ushqehet me ndjeshmërinë e rrënjosur të njerëzimit ndaj tribalizmit.

“Ne kemi evoluar në shoqëri të vogla që ishin të kapura në luftë me shoqëri të tjera të vogla,” shpjegoi Haidt. “Natyra njerëzore është me të vërtetë e përshtatur mirë për konfliktin ndër-grupor, për luftën fisnore.”

Pra, kur edukatorët dhe studentët i filtrojnë njerëzit në identitetet e tyre të ndryshme dhe ngrenë idenë se veprimet dhe pikëpamjet e tyre përcaktohen pothuajse tërësisht nga ato identitete, ata po përforcojnë idenë se njerëzit janë automatikë bardh e zi dhe jo individë kompleksë, në nuanca të ndryshme të grisë.

“Në disa kampuse të kolegjeve dhe në disa shkolla të mesme ne shohim forma edukimi, forma trajnimi që i mësojnë studentët të bëjnë gjithnjë e më shumë dallime, të shohin gjithnjë e më shumë dimensione binare midis njerëzve”, shtoi Haidt. “Sa më shumë t’i inkurajojmë njerëzit që t’i shohin njerëzit rreth tyre si të mirët kundër të këqijve, aq më i vështirë do të jetë krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës dhe të larmishëm.

Ja përfundimi i Haidt:

“Fëmijët janë anti – të brishtë, ne të gjithë jemi të prirur ndaj arsyetimit të motivuar dhe paragjykimeve konfirmuese, dhe të gjithë jemi të prirur ndaj të menduarit bardh e zi. Nëse duam të rrisim një brez fëmijësh që mund të përballen dhe pranojnë diversitete të të gjitha llojeve, të cilët mund të ecin para në një botë që është fizikisht mjaft e sigurt dhe megjithatë plot me përmbajtje atakuese, ne duhet t’i bëjmë praktikat tona edukative në përputhje me këto tre parime psikologjike”. / Big Think – Bota.al/ KultPlus.com

Bonusi i Rijetësimit, mbështetje për restaurimin e shtëpive tradicionale e monumenteve të kulturës

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantuan në Shkodër nismën e Qeverisë: Bonusi i Rijetësimit, që ka hapur thirrjen për të dytin vit radhazi.

“Falë kësaj nisme në 2022 kanë marrë jetë plot 41 projekte fituese në vend, dhe këtë vit ky program do të vijojë të ofrojë mbështetje ndaj kujdo që kërkon të restaurojë shtëpi tradicionale apo objekte-monument kulture”, informoi Spiropali.

Spiropali tha se, pret një numër të laartë aplikimesh nga Shkodra, që mbart plot thesare të fshehura gati për të dalë në dritë.

Aplikimet janë të hapura deri më 10 mars 2023.

Bonusi i rijetëzimit”, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, është një nisëm e pervitshme e Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë Shqiptare për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendra historike në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin.

Kjo nismë është një ndihmë në formë granti, për të gjithë ata individë që janë pronar të një objekti në qendrat historike të qyteteve dhe kanë iniciativën për ta zhvilluar më tej atë duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal.

Për vitin 2022, aplikuan 96 individë dhe u mbështetën nëpërmjet kësaj nisme 41 projekte fituese në Shkodër, Krujë, Berat,Gjirokastër, Korcë, Përmet, Pogradec, etj. /atsh/ KultPlus.com

Prishtina festoi dje me ‘Jazz Big Band’, në koncertin për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë

Flonja Haxhaj

Përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës jehoi me tingujt e muzikës Jazz që erdhën nga një grup i muzicientëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Spanja, të cilët u paraqitën për herë të parë në këtë formacion duke dhënë një emocion të pashoq të dirigjuar nga dirigjenti Armend Xhaferi, përcjell KultPlus.

Me një repertor të përzgjedhur enkas për të shënuar festën e pavarësisë, ”Jazz Big Band’ përcollën frymën e muzikës jazz modern para publikut që kishin mbushur plot Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Ndonëse me vetëm një provë të realizuar para koncertit, muzicientët arritën të realizojnë në përpikmëri të repertorin, e kjo u dëshmua edhe me duartrokitjet që pasonin pas çdo performance.

Pas koncertit, për KultPlus foli dirigjenti Xhaferi i cili tha se ky koncert që erdhi për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i përmbushi të gjitha pritshmëritë e tij.

“Ka qenë një performancë edhe më e mirë se sa që e kam pritur, marrë parasysh që e kemi realizuar vetëm një provë para koncertit”, u shpreh Xhaferi.

“Jazz komuniteti është i vogël, janë pak njerëz dhe ata kur takohen janë si një familje, i kanë dëshirat, idetë, qëllimet dhe ëndrrat e njëjta. Kështu që edhe ne e kemi pasë një komunikim shumë të mirë”, përfundoi ai duke folur edhe për bashkëpunimin mes muzicientëve e për të cilët ky bashkëpunim me njëri-tjetrin ishte i pari.

Më pas për KultPlus foli edhe pianisti Ilir Bajri i cili vlerësoi lart koncertin e djeshëm, duke u shprehur i lumtur për realizimin e tij pikërisht më 17 shkurt.

“Armend Xhaferi me idenë dhe punën e tij ka arritur të mbledhë një ekip shumë të mirë të muzicientëve të regjionit dhe me i sjellë me festu bashkë këtë festë kaq të rëndësishme për neve. Me këtë lloj të muzicientëve, përveç që është hera e parë, është edhe një lloj motivimi i ri për neve me punu me këso lloj kualitetesh”, tha mes tjerash Bajri.

Ndërkaq, formacioni i orkestrës u përbë nga Armend Xhaferi si dirigjent dhe kitarist, Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe dhe Ivan Yordanov në saksofonë, Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov dhe Rajkard Bardhi në bori, Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi dhe Nikola Ristevski në trombonë, Ilir Bajri në piano, Kiril Tufekćievski në kontrabas si dhe Nesim Maxhuni në bateri./KultPlus.com

“Laufen”, kënga më e re nga Dardani, një minifilm që shpërfaq vuajtjet e kosovarëve gjatë luftës  (VIDEO)

Nëpërmjet publikimit të këngës “Laufen”, artisti i ri shqiptar i lindur në Stuttgart të Gjermanisë, Dardan Mushkolaj, pikërisht në pesëmbëdhjetvjetorin e Pavarsisë së Kosovës, përmes vargjeve e pamjeve ka sjellur ndërmend fatet njerëzore dhe sakrificën për liri, shkruan KultPlus.

Kënga e re “Laufen” e reperit të njohur shqiptar Mushkolaj, e kënduar në gjermanisht, shpalos pamje të refugjatëve që detyrohen të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Protagonist në klipin e këngës është edhe vetë Mushkolaj, i cili përmes refrenit në shqip:

“Më ka marrë malli për ty

Malli për ty

Malli për ty

Më ka marrë malli për ty

Malli për ty”, ka dashur t’i tregojë publikut gjerman dhe atij ndërkombëtar dhimbjen e madhe që shqiptarët kanë përjetuar në luftën e fundit dhe se gjurmët kanë mbetur ende të pashlyera.

Titulli i këngës në shqip do të thotë “Vrapo”, me të cilin Dardani rikujton thirrjet e refugjatëve për mbijetesë, por në të njëjtën kohë, tash, duket edhe si një ftesë për ikje nga traumat dhe pasojat që ka lënë lufta në Kosovë.

Videoklipi është realizuar nga produksioni “Fati Tv”, produksion ky i cili ka realizuar edhe shumë videoklipe të tjera të këngëtarëve me famë ndërkombëtare.

Pjesë e klipit të këngës janë artistë të njohur shqiptarë, mes tyre edhe aktorja e mirënjohur Molikë Maxhuni e cila vjen në rolin e nënës. Përgjatë rrugës përjeton plot tmerre e njëra ndër to është edhe ndarja nga bija e saj, duke ikur nga kjo botë. Ndaj kësaj pjese i është dedikuar edhe shumica e tekstit të këngës. Në anën tjetër ngushëllimi i vetëm për babain, mbetet fakti se për shkak të moshës, bija e tij ende nuk është e aftë të kuptojë se çfarë po ndodh vërtetë.

Kënga vie si një pasqyrë e historisë së Kosovës, të cilën e ka shpërndarë edhe vetë reperi Mushkolaj, duke i uruar ditëlindjen Kosovës.

“Kjo këngë është për të gjithë njerëzit në këtë botë që kanë kaluar kaq shumë dhe nuk do ta harrojnë kurrë sa e vështirë ishte. Le të shohim përpara dhe ta duam dhe respektojmë njëri-tjetrin. Le të vazhdojmë të ecim dhe të përpiqemi ta bëjmë këtë botë një botë më të bukur. Siç tha dikur Mahatma Gandhi: “Një sy për një sy vetëm e bën të gjithë botën të verbohet”. Urime Pavarësia”, shkruan ai. 

Kënga tashmë gjendet e lansuar në të gjitha aplikacionet dhe KultPlus ua sjell këngën të cilën mund ta dëgjoni e përjetoni më poshtë, si nga ana melodike ashtu edhe nga ajo vizuale. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Mynih për Konferencën për Siguri

Presidentja Vjosa Osmani është duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri që po mbahet në Mynih të Gjermanisë. 

Nga atje ajo ka njoftuar se është takuar me homologen e saj sllovene, Nataša Pirc Musar, me të cilën tha se ka folur për forcim të partneritetit.

“Bashkëpunimin e ngushtë me Slloveninë do ta vazhdojmë edhe gjatë mandatit të Presidentes së re Nataša Pirc Musar. Në Mynih, diskutuam forcimin e partneritetit tonë, bashkëpunimin për të kontribuar në paqe të qëndrueshme në rajon e më gjerë, si dhe mbështetjen për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”.

Osmani mori pjesë edhe në një panel me temë diskutimi për gruan, paqen dhe sigurinë. / KultPlus.com

Vdiq Stella Stevens, ylli i Hollywoodit që luajti krah Elvis Presleyt

Aktorja e Hollywoodit Stella Stevens, e cila luajti bashkë me Elvis Presleyn në filmin “Girls! Girls! Girls!” dhe me Jerry Lewis në “The Nutty Professor”, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Djali i saj tha për Hollywood Reporter se ajo kishte qenë në kujdes mjekwsor për disa kohë pasi ishte me sëmundjen e Alzheimerit.

Ajo mbahet mend edhe për rolin e saj në filmin aksion “The Poseidon Adventure”, raportoi BBC.

Stevens ka punuar edhe në televizion, në seriale si “Murder She Wrote” dhe “Magnum, P.I”.

Stevens fitoi një Golden Globe për debutimin e saj në film në vitin 1959.

Tek “Girls! Girls! Girls!”, duke luajtur përballë Presleyt në vitin 1962, Stevens tha se nuk i pëlqente skenari, por Paramount i tha asaj se ishte e detyruar ta bënte atë sipas kontratës. / KultPlus.com