Më 15 qershor 2010 vdiq aktori që do të linte gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë e Ballkanit dhe më gjerë, Bekim Fehmiu.
Sarajeva, ku familja e tij gjakovare vuajti internimin, do të ishte edhe vendi ku Fehmiu do të vinte në jetë. Familja e tij qëndroi me banim në Shkodër deri në vitin 1939. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, u zhvendosën drejt Prizrenit. Gjatë viteve 1956-1960, Bekim Fehmiu studioi në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd.
Spikati veçanërisht në filmin “Mbledhësit e puplave” dhe menjëherë ra në kontakt me shumë shtëpi filmike ndërkombëtare. Ka luajtur një sërë rolesh, duke interpretuar në shqip, në maqedonisht, në serbisht, në turqisht, në spanjisht, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht. Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Shoè, John Huston, Dirk Bogard, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972, ndonëse nuk e fshehu kurrë dashurinë për vendin e origjinës. / KultPlus.com
Sot është Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve. Abuzimi me të moshuarit është një çështje sociale globale që ndikon në shëndetin dhe të drejtat e personave të moshuar në mbarë botën, prandaj meriton vëmendjen e të gjithëve.
Ishte Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ajo që caktoi datën 15 qershor si Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve. Format e abuzimit me të moshuarit janë ai fizik, emocional, psikologjik, seksual dhe financiar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i rasteve të abuzimit me të moshuarit parashikohet të rritet sepse shumë vende kanë popullsi me plakje të shpejtë.
Është parashikuar që deri në vitin 2050, popullsia globale e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart do të jetë më shumë se dyfish, nga 900 milionë në vitin 2015 në rreth 2 miliardë, me shumicën dërrmuese të të moshuarve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nëse përqindja e viktimave të abuzimit me të moshuarit mbetet konstante, numri i viktimave do të rritet shpejt për shkak të plakjes së popullsisë, duke arritur në 320 milionë viktima deri në vitin 2050.
Kontaktet e shpeshta me të moshuarit mund të ndihmojnë anëtarët e familjes të vlerësojnë statusin e tyre shëndetësor, kushtet e jetesës, cilësinë e kujdesit dhe mirëqenien emocionale. / KultPlus.com
Kushtetuta e Republikës se Kosovës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi me 15 Qershor 2008.
Më parë Kosova ishte qeverisur nga një Kornizë Kushtetuese e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB dhe e ratifikuar më 2001 që i mundësonte Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes disa kompetenca të rezervuara ndaj Përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara.
Qeveria e Serbisë, që e konsideron Kosovën si pjesë e territorit të saj sovran dhe refuzon pavarësinë e saj, nuk e pranon këtë kushtetutë. Këto moskuptime dhe vënie në pyetje të sovranitetit filluan në fund të shekulli të 20të me ndarjen e Jugosllavisë, në të cilën Serbia bënte pjesë.
Në Kosovë për herë të parë u kalua Ligja Kushtetuese më 1968. Vite më vonë, më 1974, u miratua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Më 1990, u nxor Kushtetuta e Kaçanikut e Republikës së Kosovës, ligj ky që nuk arriti të zbatohet në tërësi për shkak të okupimit serb. Pas Luftës Çlirimtare u adoptua Korniza Kushtetuese, ligj i përkohshëm për vetëqeverisje, kurse më 2008, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, hyri në fuqi Kushtetuta moderne e Republikës së Kosovës.
Një draft i Kushtetutës së re ishte përgatitur dhe publikuar në prill të 2008-ës. Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do të largohet nga Kosova në një të ardhme të afërt, sepse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e ka terminuar misionin e tij. Meqënëse kushtetuta e re nuk do të përforcohet në Enklavat Serbe të Kosovës, hyrja në fuqi e saj në pjesët e dominuara me shqipëtarë dërgon tek një de-facto ndarje e Kosovës.
Preambula thotë:
Ne, Populli i Kosovës, Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit; Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social; Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje; Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë. Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kushtetuta gjithashtu thotë se “Republika e Kosovës nuk do të ketë pretendime territoriale, dhe nuk do të synoj bashkim me asnjë vend ose pjesë të një vendi.”, ky është një mesazh i qartë ndaj pretendimeve irredentiste (bashkim me Shqipërinë, ose aneksimin e zonave shqiptare brenda territorit të Serbisë). Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene. / KultPlus.com
James Adam Belushi ose Jim Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois), është aktor amerikan i kinematografisë, teatrit dhe televizionit me prejardhje shqiptare.
Fëmijërinë e rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adam dhe Agnesë Belushit. Babai i tij, Adami, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934 në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnes Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollivudit dhe shoqërisë në SHBA.
Belushi studioi në universitetin e Ilinoit të quajtur Southern Illinois University Carbondale dhe u specializua në degët e Artit: Të shprehurit dhe Teatri.
Nga viti 1977 deri më 1980-in, Xhimi punoi së bashku me grupin teatror të Çikagos të quajtur: The Second City. Gjatë kësaj periudhe prezantohet si deputant në televizion më 1978-ën, në: Who’s Watching the Kids po ashtu kishte disa pjesëza në serinë: Brian De Palma’s The Fury.
Roli i tij i parë i gjatë ishte në filmin: Michael Mann’s Thief (1981). Që nga 1983 deri më 1985, shkroi dhe mori pjesë në programin e mbrëmjes së shtunës: Saturday Night Live. Kulmin e famës së tij, drejt rolit kryesor e arriti me rolet ndihmëse në: About Last Night dhe Salvador (të dy më 1986). Luajti role në filmat:Real Men (1987), The Principal (1987), Red Heat (1988), K-9 (1989), Taking Care of Business (1990), Mr. Destiny (1990), Royce (1994), Retroactive (1997).
Po ashtu Xhimi, punoi në filmat vizatimor. Një ndër sinkronizimet, është edhe ai në filmin vizatimor Geppetto, një version i filmit artistik Pinokio.
Sipas prezantimeve të tij në skenën e shoqërisë amerikane, dhe në përgjithësi me intervistat e tij, ai mburret me prejardhjen e tij. Në një intervistë të dhënë ZDF (Radio Televizion Shtetëror Gjerman), ai flet me kënaqësi për vizitën e fundit të tij me të atin në vendlindje. Ai thotë se “kur, isha në vendlindjen e babait, nga të gjitha anët shikoja si në pasqyrë, figurën time, të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë”.
Në vitin 2001 Xhimi luan në serialin According to Jim rolin kryesore me Courtney Thorne-Smith. / KultPlus.com
Sot janë bërë 37 vjet nga vdekja e intelektualit të shquar, Jorge Luis Borges.
Borges ka lënë gjurme të mëdha në letërsinë botërore, duke mbetur kështu një shkrimtar i pavdekshëm.
Më poshtë, KultPlus ju sjell një fragment nga po ky shkrimtar i madh.
Nuk jam i sigurt nëse ekzistoj. Në të vërtetë, unë jam gjithë shkrimtarët që kam lexuar, gjithë njerëzit që kam njohur, gjithë gratë që kam dashur dhe gjithë qytetet që kam vizituar.
Unë nuk flas për hakmarrje, as për falje. Harresa është e vetmja hakmarrje dhe e vetmja falje. Nga tërë mjetet e shpikura prej njeriut, pa dyshim, më i mrekullueshmi është libri. Gjithë mjetet e tjerë janë shtojca të trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë shtojcë e të parit të tij; telefoni është shtojcë e zërit të tij; pastaj kemi parmendën dhe shpatën që janë shtojca të krahut.
Por libri është tjetër gjë: libri është një shtojcë e memories dhe e imagjinatës së njeriut. E kaluara është argjila që e tashmja gdhend sipas trillit të tij, pambarimisht. Të gjithë udhëtojmë drejt anonimatit, por mediokrit mbërrijnë atje pak më përpara. Njeriu është i dashuruar me dikë tjetër, kur ka bindjen se ai tjetri është i veçantë. / KultPlus.com
Parlamenti Evropian ka planifikuar rregulla më të rrepta për përdorimin e inteligjencës artificiale (IA).
Ligjvënësit e BE-së kanë rënë dakord sot për formën përfundimtare të Aktit të Inteligjencës Artificiale, në Strasburg.
Parlamenti i BE-së tha se Akti i IA-së do të ishte ligji i parë gjithëpërfshirës në mbarë botën që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas kuadrit ligjor, sistemet e inteligjencës artificiale duhet të ndahen në grupe të ndryshme rreziku, sa më shumë rrezik të paraqesë aplikacioni përkatës, aq më të rrepta do të jenë rregullat e aplikuara.
“Sistemet e IA-së që klasifikojnë njerëzit sipas sjelljes së tyre sociale ose karakteristikave etnike gjithashtu do të ndalohen”, sipas aktit.
Sipas Parlamentit të BE-së, negociatat me shtetet e BE-së do të fillojnë sot në mbrëmje.
Inteligjenca artificiale zakonisht i referohet aplikacioneve, në të cilat softueri kërkon sasi të mëdha të dhënash.
Aplikacione të ndryshme të IA-së përdoren në shumë fusha, duke përfshirë programe që vlerësojnë imazhet nga kompjuterët me saktësi dhe shpejtësi më të madhe se njerëzit.
Automjetet që drejtojnë vetë, përpiqen të parashikojnë sjelljen e përdoruesve të tjerë të rrugës me teknologjinë e IA-së.
“Chatbots” ose playlist-at automatike nga shërbimet e transmetimit funksionojnë gjithashtu me IA-në. /KultPlus.com
Katër muaj punë të pandalshme iu deshtën artistit, Dashnor Ajeti, për të sjellë tek publiku ekspozitën e parë kushtuar invalidëve civilë të luftës së fundit në Kosovë. Ekspozita ‘Në Pah ‘ është hapur ditën e sotmenë Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani ‘ në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në muret e kësaj biblioteke janë të vendosura vetëm dhjetë fotografi, por që secila nga to mbart në vete me dhjetëra mesazhe. Sytë e njerëzve drejtuar nga kamera, shfaqin dhimbje e tmerr. Dhimbje këto, që lënë shenja të pashlyeshme në jetën e tyre dhe në historinë e popullit shqiptar.
Por, nga ana tjetër, këto fotografi, tregojnë më së miri rezistencën për ekzistencë, të secilit prej tyre. Kjo është edhe fuqia e fotografisë “të faktojë, pa pasur nevojë të argumentojë”.
Përkundër vuajtjeve të shkaktuara nga lufta, këta individë po përballen edhe me një problem tjetër, mungesën e fondeve për protezat e vendosura në gjymtyrët e humbura të tyre.
Dashnor Ajeti, realizues i këtyre fotografive tha se lufta për këta njerëz nuk ka përfunduar, pasi që ata mbijetojnë me shumë vështirësi.
“Këta njerëz jetojnë me stres, ankth dhe kanë probleme bazike siç janë amputimet e dorës apo të këmbës. Për tri vite, shpenzimet mbërrijnë koston deri në 6000 euro për një person të vetëm. Shpenzime për të cilat nuk ka fonde të posaqme”, shprehet Ajeti për KultPlus.
Vështrimi i personazheve në drejtim të kamerës nuk është rastësore, por detaj i mirëmenduar nga artisti Ajeti.
“Me anë të syve personazhi komunikon me publikun, duke rrëfyer për ngjarjet e përjetuara dhe për plagët që ende kullojnë”, vazhdoi ai.
Fotografitë e ekspozuara të Dashnor Ajetit janë pjesë të projekteve fituese të zhvilluara nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Ndërkaq, ekspozita ‘Në Pah’, do të jetë e hapur për një muaj./KultPlus.com
Në historinë e njerëzimit, e shenjta ka qenë gjithmonë një mënyrë për të heshtur njerëzit. E shenjta do të thotë: “Ne e tregojmë historinë, jo ju”. Dhe, nga ideja e së shenjtës vijnë inkuizicionet, ajatollahët dhe gjithë ato gjëra.
Toka nën këmbët tuaja është një roman i parespektueshëm, sepse privilegjon fjalën e individit, autorit të librit, mbi zërin e të tjerëve. Rilexojmë libra dhe na duken interesante, sepse në to dhe në veprat e artit gjejmë zërin e krijuesit, i cili i përket vetëm atij. Askush tjetër nuk e zotëron atë: asnjë parti politike ose grup interesi, asnjë ideologji … Bëhet fjalë për një individ i cili thotë: “Unë mendoj se kjo është kështu, çfarë mendoni? Secili lexues mund ta pranojë ose refuzojë atë. Kur lexoni një libër dhe mendoni se nuk ia vlen, lëreni, sepse nuk ka asgjë të keqe”.
Si student universiteti, shkova një herë në një librari në Kembrixh dhe gjeta një kopje të Fiksioneve të Horhe Luis Borhesit (Jorge Luis Borges). Ishte e vetmja kopje e disponueshme në anglisht. Mora librin nga tavolina dhe pas një ore vazhdoja ende ta lexoja në këmbë. Nuk mund të ndaloja së lexuari. Ishte sikur dikush të kishte hapur ca dyer magjike në mendjen time dhe unë mund të vizitoja vende ku nuk mendoja se ishte e mundur të shkoja. Papritmas, shitësi m’u afrua dhe më pyeti: “A do ta blesh librin?” Në fakt po mendoja ta vidhja, por e bleva.
Nëse je me fat, librat ndonjëherë hapin dyer magjike në mendjen tënde dhe të çojnë në vende të reja. Këtë gjë bëri Borhesi me mua, ndërkohë që zëri i tij i përkiste vetëm atij, askujt tjetër. Ishte një zë i rrallë, i fuqishëm dhe befasues, ashtu siç e duam prej shkrimtarëve tanë. Ne duam që ata të jenë vetvetja dhe jo shërbëtorët e dikujt tjetër. Kjo është mënyra. Pastaj, autori mund ta ketë parasysh ose jo mendimin e lexuesve, për atë nëse është i mirë, i përshtatshëm dhe i respektueshëm apo jo. Por, detyra e autorit është të përpiqet të thotë atë që ka për të thënë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është ajo që në fund u ofron lexuesve; gjithçka tjetër varet prej tyre. / KultPlus.com
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh, sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur, e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh, madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur, me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim, të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh, dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh… Në durofsh dot thëniet e tua të drejta në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë, t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë… Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh si në kumar, në një të vetme lojë, të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh, dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë, e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit, që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë… Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon… Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash, dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda me vepra që peshojnë dije dhe mos kij asnjë dyshim, se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda, dhe NJERI do të jesh, o biri im!/KultPlus.com
Beyonce filloi turneun e saj botëror dhe shteti i parë në Evropë ku ajo interpretoi ishte në Suedi. Vendi pa një rritje të rezervimeve në hotele dhe restoranteve. Sipas statistikave ekonomike inflacioni u rrit me afro 10% muajin e kaluar.
Suedia raportoi inflacion më të lartë se sa pritej prej 9.7% në maj.
Rritja e çmimeve për hotelet dhe restorantet qëndronte pas kësaj rritje.
Michael Grahn, ekonomist në Danske Bank, tha se ai mendonte se Beyonce ishte fajtore për këtë rritje.
Nuk ka dyshim se turneu i parë solo i këngëtares pas shtatë vitesh shënon një moment të madh ekonomik. Të paktën një vlerësim sugjeron se fitimet mund të arrijnë pothuajse 2 miliardë paund deri në kohën kur përfundon në shtator.
Kërkimet për akomodime në qytete e turneut u rritën, raportoi Airbnb. Biletat për shumë koncerte u shitën brenda disa ditësh dhe çmimet u rritën në tregun e rishitjes.
Koncertet e Stokholmit, ku Beyonce luajti në një turmë prej 46 mijë personash për dy netë, thuhet se erdhën fansa nga e gjithë bota, veçanërisht SHBA, ku dollari është më i fortë kundrejt koronës dhe ndihmoi që biletat në vendin nordik të dukeshin një vjedhje relative.
Në një email për Washington Post muajin e kaluar, Visit Stockholm e përshkroi bumin e turizmit në qytet si “efekti Beyonce”.
Inflacioni në Suedi arriti kulmin në 12.3% në dhjetor. Shkalla prej 9.7% muajin e kaluar ishte më e ulët nga 10.5% në prill, tregojnë shifrat zyrtare.
Që një yll të ketë një ndikim të tillë është shumë e pazakontë, tha Grahn për Financial Times.
Ai ka shkruar në rrjetet sociale se pret që situata të kthehet në normalitet në qershor./KultPlus.com
Një raport i ri nga një firmë analitike e burimeve njerëzore ka zbuluar se inteligjenca artificiale (Al) kërcënon të zëvendësojë një numër disproporcional të punëve që zakonisht mbahen nga gratë. Sipas studiuesve në “Revelio Labs”, gjetjet e tyre pasqyrojnë paragjykimet sociale që i kanë futur gratë në role ku mund të zëvendësohen nga AI, të tilla si asistente administrative dhe sekretare.
“Revelio” identifikoi dhjetëra vende pune që ka shumë të ngjarë të zëvendësohen nga AI bazuar në një studim të Byrosë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas, identifikoi ndarjen gjinore në ato punë. Gratë mbanin shumë nga ato punë, sipas studimit të tyre. Ato përfshinin zyrtarët që merren me fatura dhe llogari, nëpunësit e listëpagesave dhe sekretarët ekzekutivë.
“Gratë, si dhe njerëzit me ngjyrë, priren të delegohen në profesione që janë të përsëritura në natyrë kur bëhet fjalë për detyrat. Kjo do të thotë se ato do të ndikohen në mënyrë disproporcionale nga çdo punë që është plotësisht e automatizuar”, ka thënë Nicol Turner Lee, drejtoreshë e Qendrës për Inovacionin Teknologjik në SHBA. “Ato vende pune janë duke rënë si rezultat i teknologjive të reja që janë prezantuar. Megjithatë, AI ka më shumë gjasa të përfshihet në role që mund të automatizohen, dhe në këto vende pune janë shumica gra”, ka thënë Lee./KultPlus.com
Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.
Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.
KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:
Salvatore Quasimodo – Letër Nënës
«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten, flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga, pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen; nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton si tërë nënat e poetëve, e varfër dhe e drejtë sa duhet në dashurinë për bijtë e largët. Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion të vdekur trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle, në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska, kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj, këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja. Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet. Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur, tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës, vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”
Muzetë e Gjirokastrës po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj, duke u cilësuar si qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit kulturor.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se “ gjatë periudhës janar-maj këto muze u vizituan nga 7107 vizitorë vendas e të huaj”.
“Në muajin maj Muzeu Etnografik u vizitua nga 1128 vizitorë, muzeu “Kadare” nga 676, “Tuneli” nga 350 dhe muzeu në “Kala” u vizitua nga 1408 vizitorë”, theksoi Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës.
Investimet e zbatuara në muzeun Etnografik dhe “Kadare” për rijetësimin e tyre kanë bërë që të ofrojnë standardet e duhura për vizitorët vendas dhe të huaj.
Krahas vlerave turistike muzeumet që funksionojnë në qytetin e gurtë janë edhe qendra të përkujdesjes dhe promovimit për vlerat e trashëgimisë historike dhe kulturore. Muzeu i Armëve, ai Etnografik etj., tashmë janë shndërruar në marka të njohura për muzeumet jo vetëm në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga një numër i lartë vizitorësh vendas dhe të huaj çdo vit./KultPlus.com
Të dashur Hildita, Aleidita, Camilo, Celia dhe Ernesto
Nëse e lexoni këtë letër një ditë, do të thotë se nuk jam më gjallë. Vështirë se do të më kujtoni dhe më i vogli mes jush, do të më ketë harruar plotësisht.
Babai juaj, ishte një njeri që veproi ashtu siç mendonte më mirë dhe ishte absolutisht besnik ndaj bindjeve të tij. Rrituni si revolucionarë të mirë. Studioni shumë për të zotëruar teknikën, që ju bën të zotëroni natyrën.
Mos harroni, se, është Revolucioni, që është i rëndësishëm dhe se, secili prej nesh, i kapur veçmas, nuk vlen asgjë. Mbi të gjitha, kini shpirtin e ndjeshëm ndaj çdo padrejtësie, kundrejt gjithkujt kudo në botë.
I juaji gjithmonë, fëmijët e mi. Shpresoj të shihemi përsëri.
Një puthje e madhe e fortë, nga babi./ KultPlus.com
Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.
Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.
Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…
Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.
Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…
Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.
Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.
Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.
Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.
Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.
Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht: Elvi Sidheri
Fotografitë: Eduardo Forte/Juan José Pérez. / KultPlus.com
Numri i njerëzve në mbarë botën që informohen nëpërmjet gazetave apo tv ka rënë me 10% që nga viti 2018. Grupmoshat më të reja preferojnë të aksesojnë lajmet përmes mediave sociale, sipas një raporti të publikuar të martën.
Përdoruesit janë më të interesuar për personat e famshëm, influencuesit dhe personalitetet që shfaqen në rrjetet sociale, në platforma të tilla si TikTok, Instagram dhe Snapchat, sipas Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë në Raportin e tij vjetor.
TikTok është rrjeti sociale me rritjen më të shpejtë i paraqitur në raport, i përdorur për informacion nga 20% e përdoruesve të moshës 18 deri në 24 vjeç, 5% më shumë nga viti i kaluar. Më pak se gjysma e të anketuarve shprehën një interes të madh për lajmet në përgjithësi.
“Nuk ka asnjë arsye për të shpresuar që të lindurit në vitet 2000 do të fillojnë papritur të preferojnë faqet e vjetra të internetit, aq më pak lajmet e shtypit dhe televizionit”, theksoi drejtori i Institutit në raport, Rasmus Nielsen. Raporti u bazua në një anketë në internet me afro 94,000 të rritur në 46 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më pak se 1/3 e të anketuarve thanë se një mënyrë e mirë për të qëndruar të informuar është përmes lajmeve të zgjedhura nga algoritme dhe jo nga redaktorët apo gazetarët. Besimi në lajmet ka rënë me 2% gjatë vitit të kaluar, duke përmbysur fitimet e vërejtura në shumë vende në kulmin e pandemisë së koronavirusit.
Mesatarisht, 40% e të anketuarve thanë se i besojnë shumicës së lajmeve që ata lexojnë. Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rritje prej 6% në besimin e tyre ndaj lajmeve, duke arritur në 32%, por mbeten ndër më të ulëtat në renditje.
Ndërsa, 56% e qytetarëve në tregjet mediatike thonë se nuk mund të bëjnë dallimin midis lajmeve reale dhe të rreme në internet, kjo shifër është rritur me 2% rritje nga viti i kaluar.
Sondazhi zbuloi se 48% e të anketuarve thanë se janë shumë të interesuar për lajmet, nga 63% në 2017./KultPlus.com
Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.
Slogani i sivjetmë i kësaj dite do të jetë “Jepni gjak dhe mbajeni botën duke rrahur”.
Mesazhi thekson kontributin thelbësor që dhuruesit e gjakut japin për të mbajtur botën pulsuese duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar shëndetin e të tjerëve. Ai përforcon thirrjen globale për më shumë njerëz në të gjithë botën për të dhuruar gjak rregullisht dhe për të kontribuar në një shëndet më të mirë.
Një fokus i veçantë i fushatës së këtij viti do të jetë roli i të rinjve në sigurimin e një furnizimi të sigurt me gjak.
Në shumë vende, të rinjtë kanë qenë në ballë të aktiviteteve dhe iniciativave që synojnë arritjen e furnizimeve të sigurta të gjakut përmes dhurimeve vullnetare të gjakut, pa shpërblim.
Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet prej vitit 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Aktivitetet për këtë ditë bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut dhe për të shprehur falënderime për të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.
Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.
Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike. / KultPlus.com
Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujton se ky event i rëndësishëm që do të zhvillohet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë, do të jetë falas.
Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.
“Ju presim në Gjirokastrën e bukur dhe turistike ku artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet”, shkruan Margariti, në rrjetet sociale. Më herët, gjatë një interviste televizive, ministrja e Kulturës është shprehur se risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.
“Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike”, është shprehur Margariti./atsh/KultPlus.com
Sot nisi Java Kulturore e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, aktivitetet e së cilës do të zhvillohen nga 14-18 qershor 2023, në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Kjo Javë Kulturore nisi me eventin përmbyllës të projektit MATRA të zbatuar nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin. Ky projekt mbështet Shkollën e Magjistraturës dhe programin e saj të trajnimit.
Ekspertiza holandeze vjen në mbështetje të kurrikulave të Shkollës së Magjistraturës dhe duke stabilizuar programin trajnues sipas standardeve evropiane.
Ky takim u zhvillua në Shkollën e Magjistraturës në Tiranë, ku i pranishëm ka qenë edhe ambasadori holandez Reinout Vos. Aktivitetet e tjera të Javës Kulturore të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta përfshijnë edhe qytete si Berati, Durrësi e Shkodra.
Javët Kulturore Ndërkombëtare pas artistëve holandezë do të sjellin në Shqipëri, kulturën e artin francez, aktivitete të cilat do të zhvillohen nga data 19-28 qershor./atsh/KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media është pyetur për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahet sot në Gjakovë.
Ajo tha se është detyrim kombëtar që Kosova e Shqipëria të bëhen bashkë kur kanë sfida.
“Sa i përket mbledhjes së dy qeverive, kjo është çështje mes dy qeverive, besoj se mund t’i merrni përgjigjet më konkrete prej tyre se pse ka ardhur deri te kjo. Jam e bindur se Kosova e Shqipëria do të ulen bashkë, duhet të ulen bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinj, por si dy motra. Është detyrim kombëtar që të punojmë me njëra-tjetrën edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, tha presidentja Osmani. / Express / KultPlus.com
Mbrëmë në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, me përkrahjen e MKRS-së, është mbajtur koncerti i përbashkët i Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova e Shqipëria.
Audienca e pranishme shijoi performancën e bukur të artistëve të njohur si Irma Libohova, Lambert Jorganxhi, Riza Bytyçi, Selami Kolonja, Korit Okarina, Samir Krasniqi dhe AKKV Shota.
Koncerti i parapriu takimit mes dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, takim ky i cili u anulua në momentet e fundit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. / KultPlus.com
Portreti i fundit i përfunduar nga Gustav Klimt pritet të arrijë rreth 80 milionë dollarë kur të dalë në shitje në Londër në fund të këtij muaji – vlerësimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për një vepër arti në një ankand evropian.
Duke përshkruar një subjekt femër të paidentifikuar, “Dame mit Fächer” (Zonja me një tifoz) ishte një nga dy pikturat e gjetura në studion e artistit austriak pas vdekjes së tij në vitin 1918, sipas shtëpisë së ankandit Sotheby.
Duke shpallur shitjen të mërkurën, Sotheby’s e quajti portretin “kryeveprën e fundit” të Klimt. Kreu i shitjeve të mbrëmjeve të artit impresionist dhe modern të shtëpisë së ankandeve, Thomas Boyd Bowman, ndërkohë e përshkroi atë si “mahnitëse”.
“Bukuria dhe sensualiteti i portretit qëndron në detaje: njollat e blusë dhe rozës që gjallërojnë lëkurën e personit, linjat me pupla të qerpikëve të saj dhe buzët e grumbulluara që i japin karakter fytyrës së saj”, tha ai në një deklaratë për shtyp.
Filluar në vitin 1917, “Dame mit Fächer” është interpretuar në stilin karakteristik të pasur dhe ekspresiv të Klimt. Ashtu si pjesa më e madhe e prodhimit të tij, ai tregon ndikimet e Azisë Lindore që i dhanë formë punës së tij – jo vetëm në tifozin e mbajtur nga mësuesi i tij i panjohur, por edhe përdorimin e motiveve të feniksit dhe të luleve të zambakut. Perspektiva e rrafshuar e sfondit ndërkohë ngjall printimet japoneze të blloqeve të drurit që u shfaqën dukshëm në koleksionin e madh të artit aziatik të piktorit.
Shumica e veprave më të njohura të Klimt (përfshirë ikonën e tij “The Kiss”) dolën nga “Faza e Artë” e tij e mëparshme, në të cilën ai shpesh përfshinte fletë ari në artin e tij. Kjo periudhë e karrierës së tij përfundoi në fund të viteve 1910. Por Klimt ishte, në kohën e kësaj vdekjeje, në moshën 55-vjeçare, në “kulmin e tij artistik dhe duke prodhuar disa nga veprat e tij më të arrira dhe eksperimentale”, tha në një deklaratë kreu i Sotheby’s i artit impresionist dhe modern, Helena Newman.
“Dame mit Fächer” është një nga portretet e pakta të Klimt ende në duar private. Në mënyrë të pazakontë, ajo është në formë katrore, me përmasa afërsisht një metër (3.3 këmbë) si në lartësi ashtu edhe në gjerësi. Newman gjithashtu vuri në dukje se – ndryshe nga shumë nga portretet më të njohura të Klimt – puna nuk ishte një porosi, që do të thotë se ka të ngjarë të ishte pikturuar për kënaqësinë e tij.
“Kjo … është diçka krejtësisht e ndryshme – një turne teknik, plot eksperimente të shtyrjes së kufijve, si dhe një odë e përzemërt për bukurinë absolute,” tha ajo.
Piktura më parë ishte në pronësi të industrialistit vjenez Erwin Böhle, një mik dhe mbrojtës i Klimt-it. Ajo u ble më vonë nga koleksionisti i artit Rudolf Leopold, i cili ia shiti familjes së pronarit aktual në Sotheby’s në 1994 për nën 12 milionë dollarë, sipas bazës së të dhënave Artnet. Piktura nuk është shfaqur në ankand që atëherë, megjithëse u ekspozua vitin e kaluar në The Belvedere, një muze austriak që strehon “The Kiss” dhe disa vepra të tjera të rëndësishme të Klimt.
“Portreti i Adele Bloch-Bauer I” i Klimt ndërkohë u ble nga biznesmeni amerikan Ronald Lauder për 135 milionë dollarë të raportuar në vitin 2006. Dhjetë vjet më vonë, Oprah Winfrey shiti një tjetër përshkrim të të njëjtit subjekt, “Portreti i Adele Bloch-Bauer II”. për një blerës kinez për 150 milionë dollarë, sipas Bloomberg.
“Dame mit Fächer” është ylli i ankandit veror të artit modern dhe bashkëkohor të Sotheby’s, i cili zhvillohet më 27 qershor. Me kohë që të përkojë me rihapjen e shumëpritur të Galerisë Kombëtare të Portreteve të Londrës, ankandi do të shfaqë portrete të tjera nga artistë të shquar, duke përfshirë Alberto Giacometti dhe Edvard Munch.
Shitja vjen mes frikës se tregu i ankandeve po ftohet pas një rikuperimi fillimisht të gjallë nga Covid-19. Edicioni i fundit i raportit vjetor të tregut të UBS dhe Art Basel zbuloi se të ardhurat globale të ankandeve, duke u rritur me 47% në vitin 2021, ranë me 1% vitin e kaluar./cnn/KultPlus.com
Jam kosovar pra jam shqiptar: Zot e krenar, – Zot e bujar mbi këtë Dhe q’e e kam si fe;
E kam Vatan! e kam Atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brezi, që gjithëmon!
Ti shkja thërret, ti shkja bërtet,- gjer lart në retë; se jam barbar.
Jo, s’jam! si bërtet ti, si buçet ti, ti Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua, lirinë e dua,- e s’dua zot mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; Kur nga një det në tjatrin det Isha zot vet!
Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem -dem baba dem- sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!
Kënga e dytë: Durimi
Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që vogëli.
Jam si më sheh e si më njeh; kësulë-bardh e krye-lidh, krye-lidh me një shami, me tri shami; për trimëri!
Jam eshtër-madh, i vrazhdë jam e bojalli- jam’ plot shkëndi, si batërdi. Dhe kam uri -Si s’ka njeri- Për drejtësi e për Liri!
Si gjithë Asimët e gjith Qerimët e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim, mbetur jetim që vogëli; Se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët dhe gllavnikët.
ma vranë, Se urdhër dha Vojvodi e Krali- vetë; Të vritet. Se ishte Kosovar! Dhe se ish zot mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba nga Gjyshi – rrënjë pas rrënje- prej qindra vjet, prej mijra vjet! ma muarr. Ah! ma muarr Vatanin q’e desha si xhanin!
Ma muarr me armë në duar, – me gjak nëpër duar- Agrarët! Xhandarët! Tyxharët! Të gjithë tok, u bënë shokë; si sorrat! për kërmë!
Oborrin ma muarr gjer në shtëpi dhe ngrehnë për vete shtëpi në sytë e mi!
Dhe unë, ja, unë! që isha zot që qëmot; mbeta pa dhe, – bujk pa dhe, bari pa kope- këtu, në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk, Hambari m’u myshk… …………………………… Po shpresa s’m’u vyshk! Durova, durova,- Sa nuk duron njeri, as perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras vëllanë sipas kanunit të gjakut…, Po s’desha! Dhe në e bëra, ma falni; Se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej! Se vetëm andej paska për ne -Popull pa zot- vend boll…
Po malli i Tokës s’më la, po malli i Fushës s’më la, as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu, i huaj, – si qen!- në vendin tim, të Babës tim…
Mbeta raja, ndënë raja si për hata;
në uri në qesëndi, në skllavëri të shkjaut të zi.
Më thanë të ik n’Allbani, – Vatan i ri i Kombit tim- si shkoi Selmani, Hasani e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava, Dhe mbeta të jem, ku jam e ku do të jem!
Më thanë të shkoj në sheher të shkjaut të madh me sharrën më krah, me kryet përdhe, jaban e beter; portë më portë derë më derë i mjerë e zemër- sterrë; për një kotherrë bukë,
Po malli i Vendit s’më la e mbeta këtu, raja ndënë raja të ha një bukë- zeher lagur me lot, njomur me vrer dhe të pres! një tjatër mëngjes.
E dit për dit, e net pas net, e vjet pas vjet rrojta e vojta kaba ndënë shkjash; raja ndënë raja, si në hata si tjatër s’ka!
Po prita dhe prita të vijë dhe për mua dita!
Tani, tani, Liri!
Kënga e tretë: Sulmi
Ta shemba shkjah kufinë që ngrite ti në Vendin tim e përmbi varr të Babës tim.
Ta shemba ta dogja; me zjarrin e shpirtit të vojtjes dhe të urrejtjes.
Me zemërim me vrull të madh, e bubullim që s’ka mbarim.
Se vjete ti më çave më ndave më vrave! armik- lugat! armik- xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba, Ti ngrite kufire me gjemba fortesa ti ngrite; t’i shemba!
Tani, tani! atje ku ti o Mal i Zi! ngrite kufi që ndanin e çanin vëllazëri; Hej!
sot! shkon, e valon parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t’u zhduk si në ujë.
Ta shemba armik kufinë -derë burgu- dhe është tani si ish! -si do të jetë;- përjetë; Lëndinë!
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes e gjer në brez, e përmbi brez humbas me gas në grurin tim, të Dheut tim, të Babës tim, të Birit tim; sot e përpjet, jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet me zë të qet im Atë vet nga balta posht;
Të mbroni Dhenë ku eshtrat kam, ku hi e tokë e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë që e ushqe’ dhe sot si dje; me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni. Të derdhni gjakun me grushte plot- po kurrë lot! as sot, as mot!….
Se loti është robëri, Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti.
Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim më rreh si Drim. Dhe Babën tim kur e kujtoj Lotoj…. Të pash të vrarë, or Baba, e pa qefin si për hata, rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot, e të bërtas, s’bërtita dot. pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani, tani, unë jam gati! të vdes që sot- se rroj përmot; mbytyr me gjak por jo me lot, për këtë Dhe që e kam si fe e përmbi fe. E kam Vatan! E kam Atdhe!
Hej! po buças me zë kaba sa të dëgjohet në qiell la sa të dëgjojë fund e krej kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla! Destan- baba! Hej!
Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar, ti Zot krenar ti djalëri- ti pleqëri bëju gati! Bëhu gati për vrull të ri; ta djegësh botën ta bësh hi; për Liri! Për Shqipëri!
Tani tani! -O Mal i Zi- ja un, ja ti! Po un- jo ti, se jam këtu kur s’kish njeri dhe as kufi as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi Me Shumadi, Me Dallmati- Sa mban e gjitha Shqehëri, Ish Iliri! Kur nga një det në tjatrin det isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën – fushë e malin mal.
Un jam këtu e do të jem – dem baba dem- Sa mali të bëhet hi E hiri mal përsëri!
Në Sarandë nisi aktiviteti kinematografik “Open Cinema” i cili mbrëmë pati shfaqjen e parë dhe që do të vazhdojë për tri netë rresht.
Ky është sezoni i 7-të i këtij aktiviteti i quajtur ndryshe “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”. Filmat e fundit të kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, emra të njohur të skenës dhe ekranit, yjet e këngës dhe muzikës shqiptare, do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë. Qytetarët e Sarandës por edhe vizitorët e shumtë që gjenden aty në këtë sezon veror, do të përjetojnë çaste magjike që do të sjellë ky show kinematografik.
“Open Cinema” vjen përmes financimit të Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare Kinematografike, Bashkisë Sarandë si edhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, i cili siguron materiale arkivore siç janë filmat e vjetër shqiptarë që ngjallin nostalgji tek shikuesit.
Kinemaja shëtitëse nisi rrugëtimin e saj me shfaqjen e filmit të Herion Mustafarait, “Çkrepja”, me interpretimin e emrave të njohur si Bujar Asqeriu dhe Lulzim Zeqja./atsh/KultPlus.com