Po vjen edicioni i katërt i Festivalit të Baballarëve, trajton prindërimin pozitiv

Edicioni i katërt i Festivalit të Baballarëve, i cili do të festojë Ditën Ndërkombëtare të Baballarëve vjen këtë javë, përcjell KultPlus.

Festivali i Baballarëve është festivali i parë i tillë në Kosovë që e trajton prindërimin pozitiv, rëndësinë e angazhimit të baballarëve në rritjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, ndarjen e përgjegjësive të barabarta brenda familjes, si dhe promovon lejen prindërore.

Qëllimi i këtij Festivali është të frymëzojë baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

Festivali vjen më datë 18 qershor 2023, duke filluar nga ora 12:00 tek Parku i Marashit në Prizren (afër lumit Lumbardh) dhe do të përfshijë disa aktivitete: garën e baballarëve, ekspozitë, muzikë, lojëra, kuiz, art, kulturë, piknikun familjar, këndin e leximit, dhe aktivitete të tjera interaktive.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “Future 4 Youth” nga SIT me mbështetje nga UNFPA – zyra në Kosovë, Agjensioni Austriak për Zhvillim, CARE International në Ballkan, Fondacioni Oak, Koalicioni për Shëndetësi K10, dhe mbështetet edhe nga disa biznese private. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

Sot është Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, e cila synon të shërbejë si një katalizator për lëvizjen mbarëbotërore kundër punës së fëmijëve. Duke theksuar lidhjen midis drejtësisë sociale dhe punës së fëmijëve, slogani i këtij viti është: “Drejtësi Sociale për të Gjithë. Fund punës së fëmijëve!”.

Kombet e Bashkuara thonë se përvoja në trajtimin e punës së fëmijëve gjatë tri dekadave të fundit ka treguar se puna e fëmijëve mund të eliminohet, nëse adresohen shkaqet kryesore. Më shumë se kurrë është urgjente që të gjithë të kontribuojnë për të sjellë zgjidhje për problemet e përditshme të njerëzve dhe puna e fëmijëve është, ndoshta më e dukshme nga këto probleme.

Prandaj, OKB e konsideron Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve 2023 si një moment që të gjithë ne të përkushtohemi për t’i dhënë fund punës së fëmijëve për të treguar se ndryshimi mund të arrihet kur vullneti dhe vendosmëria bashkohen.

Sot janë rreth 160 milionë fëmijë që punojnë. Thënë ndryshe 1 në 10 fëmijë është i detyruar të punojë. Vendin e parë në rang global e mban Afrika, ndjekur nga Azia e vendet e Paqësorit./ atsh / KultPlus.com

Kaltrinë Rrustemi për herë të parë me ekspozitë personale në Kosovë

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita “Mrena” e artistes Kaltrinë Rrustemi, kuruar nga Elise lammer, përcjell KultPlus.

“Mrena” është ekspozita e parë personale e Kaltrinë Rrustemit në Kosovë. Ekspozita shënon njëvjetorin e kthimit të artistes nga Zvicra në Prishtinë dhe përmban një përzgjedhje të veprave që gjurmojnë pajtimin e artistes me legjitimitetin e saj: si artiste, fëmijë e diasporës, shtetase zvicerane dhe grua shqiptare e Kosovës.

Studimet e Rrustemit në HEAD të Gjenevës shënojnë fillesën e një procesi të gjatë vetëpajtimi, gjatë të cilit artistja është marrë me nocionin e identitetit në kontekstin e diasporës.

Ekspozita do të hapet më datë 16 qershor, në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”

sharethis sharing button

Dhjetë thënie për shiun.

“Mos u zemëroni me shiun. Bie në tokë sepse nuk di të shkojë për lart”.

Vladimir Nabokov

“Ditët me shi duhet të kalohen në shtëpi, me një filxhan çaj dhe një libër të mirë”.

Bill Watterson

“Të qullesh deri në kockë kur je vetëm është ftohtësi. Të dalësh në shi me mikun e ngushtë është aventurë”.

Emily Wing

“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë… në fakt kujdesen njerëzit për këtë”

Barbara Delinsky

“Natën ëndërroj sikur ne të dy jemi bimë të rritura bashkë, rrënjëngatërruar, dhe sikur ti e njeh tokën dhe shiun sikur gojën time, sepse jemi lindur nga toka dhe shiu”.

Pablo Neruda

“Të vështrosh shiun, do të thotë ti takosh apo të bëhesh pjesë e diçkaje. Të kesh dikë që do të qajë për ty”.

Haruki Murakami

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”

Fabrizio de Andrè

“Shiu seç ka një të fshehtë të vagëllimtë, diçka si dremitje magjepsëse dhe të ëmbël, një muzikë përvuajtëse zgjohet me të dhe bën të shpërgjumet vetë shpirti i peizazhit.”

Federico Garcia Lorca

“Shiu bie kur retë nuk mund të mbajn peshën, lotët bien kur zemra nuk mund të mbaj më dhimbjen”

“Njerëzit thonë se e duan shiun, por i hapin çadrat kur bie shi, njerëzit thonë se e duan diellin, por kërkojnë hije kur dielli del, njerëzit thonë se e duan erën, por kur era fyn, dritaret janë të mbyllura, prandaj edhe unë buzëqesh kur dëgjoj njerëzit të thonë se më duan”./ KultPlus.com

Dita e Çlirimit të Kosovës, përmes fotografive

facebook sharing button

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Në vijim, KultPlus risjell disa fotografi të 12 qershorit të vitit 1999. Fotografi këto që shfaqin emocionet e mëdha të qytetarëve të Kosovës, në ditën e çlirimit të vendit.

Fotografitë: Profili i Kenneth Andresen. / KultPlus.com

Trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë

Çdo ditë e më shumë trashëgimia jonë kulturore po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendës e të huaj.

Nga analiza statistikore e muajve janar-maj, rezulton se vizitueshmëria në muzetë e vendit tonë është rritur ndjeshëm nga viti në vit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, nga muaji janar deri në maj, përgjatë 4 viteve të fundit. Grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, nga 2020 deri më 2023-shin.

Në 2020-ën muzetë janë vizituar nga 9553 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa kjo shifër arrin në 86002 vizitorë në muajt janar-maj të vitit 2023./ atsh / KultPlus.com

Fjalimi i Wesley Clark më 12 qershor të vitit 1999: Millosheviq u bind që po humbiste

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, më 12 qershor të vitit 1999, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.

Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.

Ai i kishte falënderuar ushtarakët e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke pohuar se familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.

“Jo vetëm që forcat tona kanë kryer një fushatë të suksesshme ajrore e cila e detyroi Millosheviqin të përmbushte pesë kërkesat tona qendrore, por ato gjithashtu kanë qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar”, ka thënë Clark.

“Puna jonë, natyrisht, është shumë larg nga kryerja dhe rreziqet janë larg nga përfundimi. Forcat tona po hyjnë në një territor të vështirë, por ata e dinë se kauza e tyre është e drejtë dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar Kosovën dhe për t’u përgatitur për kthimin e qindra mijëra refugjatëve që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ky spastrim etnik brutal”.

Gjenerali Clark ka pohuar se Slobodan Millosheviq ishte bindur që NATO po fitonte, dhe se duhej të largoheshin forcat e ushtrisë së tij nga Kosova.

“Në fillim, ne thamë se do të sulmonim sistematikisht dhe në mënyrë progresive, do të sulmonim, degradonim, shkatërronim nëse presidenti Millosheviq nuk do t’i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfundimisht t’i shkatërrojë forcat serbe në Kosovë, objektet e tyre, logjistikën dhe të gjitha asetet e saj. Presidenti Millosheviq e vlerësoi dhe ne e bëmë pikërisht këtë, dhe Millosheviqi u bind”.

“Kur u pyetën se sa kohë do të zgjaste, udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se mund të duheshin ditë, javë ose muaj, në fund të fundit do të varej nga sa dënime dhe vuajtje do të ishte i gatshëm Presidenti Millosheviq t’u impononte forcave të tij të armatosura. Edhe kjo ishte e vërtetë dhe ne kemi thënë prej javësh që ne po fitonim, ai po humbiste dhe e dinte. Mendoj se ngjarjet na kanë nxjerrë në pah në çdo rast”.

“Tani, një detyrë tjetër e madhe është duke u zhvilluar, nxjerrja e forcave serbe dhe futja e forcave tona është një operacion i madh logjistik që nuk është pa rrezik”, ka thënë Clark. / KultPlus.com

24 vjet nga dita e çlirimit të Kosovës, ndërhyrja e NATO-s ktheu refugjatët në atdhe

Ishte mëngjesi i 12 qershorit të vitit 1999 në Kosovë. Kjo datë do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në librat e historisë pasi shënon triumfin ndaj agresorit serb dhe natyrisht çlirimin e vendit. Asokohe sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’i mundësuar këmbësorisë hyrjen në Kosovë, që më pas do të largonin forcat serbe nga aty.

Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës do të ktheheshin në shtëpitë e tyre pas vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, që dërgoi 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Falënderimi i refugjatëve të kthyer në atdhe, për forcat paqeruajtëse, ishte tepër prekës.

Sot Kosova feston 24 vjetorin e Çlirimit. Trupat paqeruajtëse të KFOR-IT janë ende prezente në territorin e Kosovës edhe pse tashmë misioni i tyre është zvogëluar ndjeshëm në numër, pasi Kosova ka konsoliduar institucionet shtetërore, policinë dhe madje ushtrinë.

Integriteti territorial është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës. / KultPlus.com

NATO nis manovrat më të mëdha ajrore në historinë e saj

Manovrat më të mëdha ajrore në historinë e NATO-s do të nisin sot në hapësirën ajrore gjermane, me dy javë stërvitje që përfshijnë rreth 10 000 trupa dhe 250 avionë nga 25 vende.

Të udhëhequra nga Bundeswehr-i gjerman, të ashtuquajturat stërvitjet “Air Defender 2023″ ato do të zgjasin deri më 23 qershor dhe synojnë të trajnojnë se si ”një sulm fiktiv nga një agresor lindor mund të zmbrapset nga trupat e NATO-s”.

Megjithëse manovrat po zhvillohen në mes të një lufte të furishme midis Rusisë dhe kandidatit të mundshëm të NATO-s, Ukrainës, zyrtarët e forcave ajrore gjermane thonë se ”ideja për stërvitjet daton në vitin 2018, përpara se të fillonte pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në 2022”.

Manovrat po zhvillohen gjatë një piku të udhëtimit ajror veror dhe vlerësimet e nivelit të ndërprerjes së trafikut ajror civil ndryshojnë. /atsh / KultPlus.com

Zhvillohet në Parkun e Liqenit të Farkës edicioni i pestë i Tirana Triathlon

Për të pestin vit radhazi u zhvillua sot në Parkun e Liqenit të Farkës trigarëshi në not, vrap dhe çiklizëm Tirana Triathlon me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga shumë vende të tjera sidomos të rajonit të Ballkanit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve të fituesve të të 3 disiplinave u shpreh i lumtur që sporti e sidomos këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme në qytetin e Tiranës.

Kjo, tha Veliaj, falë investimeve që e bëjnë të mundur, ku veçoi Parkun e ri të Farkës, donatorëve që bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës por mbi të gjitha falë të gjithë atyre që i bashkon shpirti sportiv për të garuar pavarësisht çmimit.

“Farka sot është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm. E filluam këtu me Kostas Bakoyannis, kryetarin e Bashkisë së Athinës kur hapëm Parkun Helen. Shumë veta mendonin që ishte diçka e vogël, një akupunturë, askush nuk e imagjinonte dot që pas pak kohësh ne do të kishim një park të dytë të Tiranës, pas Liqenit të Tiranës. Kjo nuk do ishte bërë e mundur pa një grup të jashtëzakonshëm donatorësh që zgjodhën të sponsorizonin jo vetëm aktivitetin, por edhe çmimet dhe për të gjithë ata që na kanë ardhur këtu sot. U jam vërtet mirënjohës! Ftesa për të gjithë prindërit është, regjistrojini fëmijët në sport! Më shumë sesa trajnojmë muskujt, ne duam të trajnojmë mendjen tonë, shpirtin tonë me kulturën sportive edhe me lojën në skuadër,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.

Kryebashkiaku tha se, eventet e mëdha sportive sidomos në këtë vit ku Tirana është qyteti evropian i sportit nuk do të mbeten me kaq.

Ai tha se, në Tetor sikurse çdo vit do të zhvillohet maratona e Tiranës.

“Do kemi disa surpriza këtë vit. Sapo të mbarojmë këtu, do të fillojmë përgatitjen për Maratonën e Tiranës në tetor. Kështu që do të shihemi të gjithë në aktivitete të tjera, sepse duam shumë që ky vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit ne të dallohemi posaçërisht për kulturën sportive dhe të dalim nga ky vit i sportit, jo vetëm me këto aktivitete kartolina, kujtime dhe medalje e çmime, po të dalim si një qytet që merret me sport, dimë të lozin në skuadër, të humbasim me modesti, por edhe të fitojmë gjithashtu me modesti dhe me këmbë në tokë. Kjo është Tirana jonë, qyteti ynë fitues,” deklaroi ai.

Veliaj tha se, sporti është ai që bashkon popujt.

“Ne jetojmë në Ballkan, unë jam shumë i përgjegjshëm për këtë. Dhe është një vend ku të gjithë kemi pak më shumë zell për debat, apo një fjalë më shumë seç duhet, por sporti na ka mësuar që në një fqinjësi ku ne jetojmë bashkë, ne biem bashkë dhe rrëzohemi bashkë. Nëse ne nuk kuptojmë që fqinjët nuk i zgjedhim dot, por ama jemi të destinuar që të jetojmë bashkë, të destinuar që të bashkëpunojmë, të destinuar që të lulëzojmë së bashku, sporti është diplomacia më e mirë. Ndaj motra dhe vëllezër le të kujtojmë që sporti na bën bashkë. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Kosova, nga Serbia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, apo nga Bullgaria, jemi pjesë e një mëhalle. Ndaj siç rrëzohemi bashkë, ashtu dhe ngrihemi bashkë edhe bashkëpunojmë të gjithë me njëri-tjetrin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij./atsh/KultPlus.com

Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit

Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, me valët e forta të detit, është kthyer në atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit.

Të apasionuarit e kitesurfing, windsurf, wakeboard, si dhe sporteve të tjera ujore i janë drejtuar këto ditë bregdetit të Fierit për të shijuar dallgët e forta.

Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Darzezës dhe Pish Poros në Fier, me vijën e gjerë bregdetare që ofron hapësira publike dhe frekuentohet çdo ditë nga pushues të shumtë.

“Tashmë ky bregdet i mrekullueshëm frekuentohet nga turistët e huaj dhe vendas që ushtrojnë sportet ujore”, u shpreh Balla.

Me rreth 9.5 km vijë bregdetare, Pish Poro në Fier ofron plazhe ranore të pashfrytëzuara me detin e pastër dhe pyllin me pisha të buta.

Vija bregdetare ranore e Pish Poros në Novoselë, mbetet një destinacion turistik ende për t’u zbuluar.

E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pish Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.

Pishë Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare.

Në ujërat e pastra të deltës së Vjosës takohet lloji globalisht i rrezikuar lundërza, si dhe peshqit migratore (troftat). Pish Poro mbetet po ashtu një zonë e rëndësishme për shpendët./atsh/KultPlus.com

Thënie mbi madhështinë: Nga e madhërishmja te qesharakja është vetëm një hap

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë sot një koleksion me brilantë të ndritshëm prej mençurive të thëna për madhështinë e njeriut.

Tipari dallues i njerëzve të mëdhenj shfaqet në faktin se të tjerëve ato u venë kërkesa shumë më të vogla se vetes.

Me të hipur në supet e viganit dhe shkurtabiqi nis të lëvdohet se është më i madh se vigani

Miniatura është një nga format e fshehta të madhështisë.

Zemra, kjo është leva e vërtetë e çdo vepre të madhe.

Në qoftëse dëshironi që bashkohasit t’ju njohin për të madh, përpiquni të jeni pak më të mëdhenj nga ata.

Njeri me të vërtetë i shquar mund të jetë vetëm ai që është i aftë të mbetet i zakonshëm edhe në punët e përditshme.

Njerëzit e mëdhenj vdesin dy herë: së pari si të gjithë njerëzit, së dyti si njerëz të mëdhenj.

Njerëzit e mëdhenj nuk bëjnë asgjë përgjysmë.

Njerëzit janë si lumenjetë: me më të madhin prej tyre nuk është gjithmonë e këndshme dhe as gjithmonë e lehtë të rrosh në fqinjësi.

Madhështia e një vendi përcaktohet nga madhështia e qytetarëve të tij të thjeshtë.

Herë-herë njerëzit e mëdhenj janë të mëdhenj në gjëra të vogla.

Kush nuk dashuron lirinë dhe të vërtetën, mund të bëhet njeri i fuqishëm, por i madh nuk do të bëhet kurrë.

Serioziteti i vazhdueshëm s’është veçse maska e rëndomësisë.

Epoka e madhe ka nevojë për njerëz të mëdhenj.

Njerëzit e mëdhenj janë titujt e librave të njerëzimit.

Kur je nisur në një rrugë të madhe, largoju sa të mundësh pengesave të vogla.

Madhështia e vërtetë ngrihet mbi njohjen e forcave të tua, e gënjshtra mbi njohjen e dobësive të të tjerëve.

Ai që nuk është i aftë të sfidojë urrejtjen dhe të ngrihet mbi përtalljet nuk do të kryejë kurrë ndonjë vepër të madhe.

Madhështia i ngjet malit: për të arritur aty duhet t’i ngjitesh një të përpjetë të rrëpirtë e të vështirë.

Shkrimtarët me të vërtetë të mëdhenj janë ata, mendimi i të cilëve depërton në të gjitha kthesat e stilit të tyre.

Egziston një pamje më madhështorë se qielli: kjo pamje është thellësia e shpirtit.

Madhështia e një populli nuk matet aspak me numrin e tyre, sikundër edhe madhështia e njeriut nuk matet me shtatin.

Për të qenë njeri i madh duhet të kryesh vepra të mëdha, por nuk mjafton të kryesh punë të mëdha për t’u bërë njeri i madh.

Rrallë bëhet i madh ai që nuk gjeti forca në vetvete të përbuzë njohjen e shumë gjërave të panevojshme.

Të madhin e presin edhe sprova të mëdha.

Kush poshtëron njerëzit që ka përreth, nuk do të bëhet kurrë i madh vetë.

Askush nuk është i detyruar të jetë njeri i madh. Mjafton plotësisht të jesh thjeshtë njeri.

Njerëzit me të vërtetë të mëdhenj janë të thjeshtë: sjellja e tyre është e natyrshme dhe e çiltër.

Madhështia e rreme është një hiçësi, siç është virtyti i rremë- shtirësi.

Vetëm njerëzit e mëdhenj mund të kenë të meta të mëdha.

Për punë të mëdha nuk ka aq rëndësi krijimi i rrethanave se sa zotësia për të shfrytëzuar ato që tashmë egzistojnë.

Të gjithë njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë.

Hegeli ka thënë diku se të gjithë ngjarjet dhe individët e mëdhenj me rëndësi historike botërore shfaqen, si të thuash dy herë. Ai ka harruar të shtojë; herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.

Të ngrihesh lart nuk është e vështirë, vështirë është që me këtë rast të mbetesh vetvetja.

Për të kryer punë të mëdha, nuk duhet të jesh gjeni i pakapërcyeshëm, nuk duhet të jesh mbi njerëzit, duhet të jesh bashkë, me ta.

Nuk janë të gjithë të aftë të kryejnë gjëra të mëdha, por t’i ndjejnë ato munden të gjithë.

Kush qëndron lart dhe në sy të të gjithëve, nuk duhet t’i lejojë vetes lëvizje të pastudiuara.

Nga madhërishmja te qesharakja është vetëm një hap.

Cezarit nuk i lejohen shumë gjëra, pikërisht sepse atij i janë lejuar të gjitha.

Kujtimi i njerëzve të mëdhenj nuk ka më pak rëndësi për ne nga prania e tyre e gjallë.

Shumë gjëra të mëdha ka në botë, por më të madh se njeriu nuk ka.

Punët e mëdha nuk bëhen menjëherë.

Është i madh ai qytet ku jeton një njeri i madh. Le të ketë ai vetëm disa pak kasolle të vjetra, megjithatë ai është qyteti më i madh i botës.

Nuk mund të perceptojmë madhështinë e njerëzve të tjerë në qotë se ne vetë nuk kemi diçka të ngjashme me ta.

Asgjë më tepër se madhështia nuk shquhet për thjeshtësi; të jesh i thjeshtë do të thotë të jesh i madh.

…individualiteti karakterizohet jo vetëm me atë çfarë bën, por edhe si e bën.

Të bësh me lehtësi atë që për të tjerët është e vështirë, kësaj i thonë talent; të bësh atë që s’e bën dot talenti – është gjenialitet.

Gjenialiteti varet para së gjithash nga energjia.

Gjenitë nuk bien nga qielli, ato duhet të kenë mundësintë për t’u formuar e për t’u zhvilluar.

Gjenialiteti nuk është gjë tjetër, veçse dhuntia e durimit shumë të madh.

Për të rëndomtin nuk ka ngushëllim më të madh se edhe për gjeniun ka vdekje.

Kush e quan përpara kohës veten gjeni, është njeri i humbur.

Gjenitë gëzojnë një privilegj, për ata jeta nuk është kurrë e mërzitshme, siç mund të jetë për të gjithë ne.

Personalitetet e shquara formohen jo me anë fjalimesh të bukura., por me vetë punën e tyre e rezultatet e tyre.

Në çdo vepër gjeniale ne gjejmë mendimet tona të braktisura.

Gjeninë e vërtetë mund ta njihni nga fakti, se me t’u shfaqur ai të gjithë trutharët bashkohen në komplot kundër tij.

Vlera e shumë individëve të rëndësishëm përcaktohet nga shumëllojshmëria e atyre roleve ku ata e ndjenjë veten të aftë./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Joana Schopenhauer i shkruan të birit, Arthurit!

Joana Shopenhauer (Johanna Schopenhauer) vendos të çlirojë të birin nga detyrimi atëror për të vazhduar profesionin familjar prej tregtari. Mjeti ishte një letër profetike, të cilën ajo ia drejtoi Artura Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer), më 28 mars të vitit 1807, dy vjet pas vdekjes së babait të tij. Filozofi gjerman Shopenhauer, në moshë të thyer do të shkruante se pasi përfundoi së lexuari këtë letrër, derdhi lot.

“I dashur Artur,

Toni serioz dhe i qetë i letrës tënde, më datë 28 mars, që shkoi nga mendja jote tek e imja, më zgjoi dhe zbuloi se mund të jesh duke marrë një rrugë në drejtim të kundërt me prirjen tënde!

Prandaj, unë nuk duhet të lë gurë pa lëvizur që të të shpëtoj, sado e mundur që të jetë kjo; unë e di çfarë do të thotë të jetosh një jetë të pështirë për shpirtin dhe, nëse është e mundur, dua të ta kursej, bir i dashur, këtë fatkeqësi.

Oh i dashur, i dashur Artur, përse zëri im pati kaq pak peshë, ajo që ti dëshiron tani ishte, në fakt, dëshira ime më e flaktë, se shumë u përpoqa që ta bëja realitet, pavarësisht të gjitha atyre që u thanë kundër meje… nëse ti nuk dëshiron të ndjekësh rregullin e nderuar filistin, unë, Arturi im i dashur, vërtet që nuk dua të vendos ndonjë pengesë në rrugën tënde; vetëm ty të takon që të kërkosh rrugën tënde dhe ta zgjedhësh atë.

Më pas, unë do të të këshilloj dhe të ndihmoj aty ku është e mundur dhe si të mundem. Në fillim, përpiqu që të bësh paqe me veten… mbaj mend, duhet të zgjedhësh studime që të premtojnë një rrogë të mirë, jo vetëm sepse është e vetmja mënyrë me të cilën ti mund të jetosh, pasi ti nuk do jesh ndonjëherë aq i pasur, saqë të mund të jetosh vetëm në saje të trashëgimisë.

Nëse e kë bërë zgjedhjen tënde, më trego cila është, por ti duhet që ta marrësh këtë vendim vetë… nëse ndjen se ke fuqinë dhe zemrën për ta bërë këtë, unë me dëshirë do të të jap një dorë. Por, mos imagjino që jeta e një njeriu tepër të mësuar është shumë e këndshme. Unë e shoh tani përreth meje Artur. Është një jetë e lodhshme, me probleme, një jetë plot punë; bukuria qëndron vetëm në kënaqësinë që ajo sjell si punë; njeri nuk pasurohet me të; si shkrimtar, njeriu merr me vështirësi atë që nevojitet për mbijetesë… që të jesh në gjendje të nxjerrësh jetesën duke qenë shkrimtar, duhet që të jesh në gjendje që të nxjerrësh diçka të shkëlqyer.. tani më tepër se kurrë ka nevojë për mendje të shkëlqyera.

Artur, mendo për këtë gjë me kujdes dhe zgjidh, por më pas qëndro i vendosur; lër që këmbëngulja jote të mos tepet asnjëherë dhe ti me siguri që do ta arrish qëllimin tënd. Zgjidh atë që dëshiron.. por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten. Trajtoje veten me seriozitet dhe ndershmëri. Mbarëvajtja e jetës tënde është në rrezik, sikurse dhe lumturia e ditëve të mia të fundit, sepse kam shpresë, që vetëm ti dhe Adela mund të zëvëndësoni rininë time të humbur. Nuk mund të duroj që ti të mos jesh i lumtur, veçanërisht nëse duhet të fajësoj veten që e lashë këtë fatkeqësi të ndodhte, për shkak të përultësisë time.

Më kupton, Artur i dashur, që ti je i shtrenjtë për mua dhe unë dua të të ndihmoj me çdo gjë. Më shpërble me vetëbesimin tënd dhe që pasi të kesh ndarë mendjen të ndjekësh këshillën time në përmbushjen e zgjedhjes tënde. Dhe mos më lëndo duke u treguar rebel. Ti e di që unë nuk jam kokëfortë. Unë i kuptoj argumentet dhe nuk do të kërkojë ndonjë gjë nga ty, që nuk do jem në gjendje ta mbështes me argumente…

Adieu, i dashur Artur, posta është urgjente dhe gishtat po më dhëmbin. Mendohu për të gjitha gjërat që të dërgoj dhe të shkruaj dhe m’u përgjigj shpejt.

Nëna jote,

J. Shopenhauer”

Kam shumë shpresë

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë./KultPlus.com

‘Edhe një herë’, hiti i pavdekshëm i Armend Rexhepagiqit (VIDEO)

Këngëtari i mirënjohur, Armend Rexhepagiqi, edhe pse tash nuk është më aktiv në skenën muzikore ai veçse ka krijuar një bagazh të madh muzikor i cili do të jetojë gjatë në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Armend Rexhepagiqi njihet si legjenda e muzikës shqiptare, i cili ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë : Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurine ku e kam, Nasht, Ne radio, Kaqurrele, Te furra e Qerimit, Kuj do t’ia shpreh pikellimin tim, Dude dudie, Ti nuk me meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem me këngë, Shko, Qendresa, e shumë e shumë këngë të tjera.

KultPlus ju risjell një nga baladat e tij më famshme “Edhe një herë”:

Ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë
që bar nuk ka e s`më le të jetoj
ka shumë ditë që rrugët përherë na janë nda
e ditët e mija netët e mija kot unë i harxhoj

A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje
o më beso se faj nuk kam që forca po më le
se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashuri

Edhe një herë o veç edhe një herë
këngët që i këndoj të kam o kujt të ja dhuroj
edhe një herë o veç edhe një herë
gjakun o prapë ta ndez
veç një mëngjes me ty ta pres

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Diçka e rëndë sikur hyri në mua
më shtrëngon e po dhemb
ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri
dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashurinë

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Se ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj
faj unë nuk kam që forca mua më le
e s’mund të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
edhe një herë, edhe një herë
./KultPlus.com

Letra e Bajronit për shqiptarët

Ja çfarë shkruan Bajroni për shqiptarët në një letër dërguar nënës nga Preveza, më 1809:


“….. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Gratë e tyre janë përherë një gjë fisnike, por burrat i përdorin si skllave, i godasin, pra me pak fjale janë si nen zgjedhë. Ato punojnë tokën, mbjellin dhe korrin. Merren me prerjen e drurëve në pyll e deri në rregullimin e rrugëve publike. Burrat janë te gjithë luftëtare. Lufta dhe gjahu janë të vetmet zeje me të cilat ata merren”. / KultPlus.com

‘Një lulishte me trëndafila’, nga zëri i veçantë i Ismet Bogujevcit (VIDEO)

Ismet Bogujevci ëshë një ndër figurat më të shquara të muzikë dhe folklorit kombëtar, shkruan KultPlus.

Fillet e karrierës së tij mjaftë të bujshme, ishin në shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë në vitin 1972 në muzikë dhe aktrim pasi në atë kohë kjo shoqëri kulturo-artistike kishte shtrirje paralele në muzikë dhe në aktivitete teatrore.

Drama ‘Halili dhe Hajria’ ishte ngjarja e parë që i mundësoi Bogujevcit të ngjitet në skenë në rolin e Qatipit.Më vonë ai ka vazhduar aktivitetin e tij artistik edhe në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ duke pasur paraqitje në Prishtinë dhe në gjithë rajonin ballkanik.

Nga viti 2000, ai ka punuarsi solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kurse nga viti 2012 – 2013 ishte në pozitën e UD Drejtor i Ansamblit.

Disa prej këngëve të tij janë:

“Kur ta fala një tufë gërshetë”

“Martesa jonë”

“O moj bukuroshe”

“Ke selvite e namazgjasë”

“Tefik Canga”

“Bajram Curr o Bajram Curr”

Ai vdiq më 13 maj të vitit 2021.

KultPlus ju sjell interpretimin e tij “Një lulishte me trëndafila”:

Nji lulishte me trandafila
Asht parajsa e vërtetë,
ky asht ven, qi knojn’ bilbilat
flak q’mu dogj ashiku i shkretë.

Vetë më the mëre xhanan
n’at lulishte jetën ta çojm
Mos më le në kët zindan
Të gjithë jetën nuk do t’rrojmë.

Maraku asht nji shkendi
Djeg si dielli në qeshor
Kët’ sevda, kush ma din’
Shpirtin tem’ ja jap në dorë.

Të gjitha lulet jane lavdëru
Trandafili asht me famë
Ashiku ç’u përvëlu
ç’u dogj flakë si përvan.

N’Elbasan asht një gur varri
Të zest ashket si se panë
Flakë u dogj Isuf Myzyri
Si Mexhnuni për Lajlanë./KultPlus.com

Lutja e shiut

Poezi nga Sezai Karakoç
Shqipëroi: Alban Tartari

Që kur bujta unë qiejt nuk çelin
Ose unë nuk i kuptoj këto retë
Ose retë nga unë diçka presin
Jeta është vdekje dashuria humnerë
Që kur bujta unë qiejt s’çelin

Di një shi dhe një kalldrëm di
Njëri pikë-pikë më bie në ballë
Në tjetrin vështroj qiellin tek rri
As qytete e as anije që erëdeti mbajnë
Di një shi dhe një kalldrëm di.

S’di pse ish gënjyer të parën natë nëna
Më kish veshur një këmishë magjike
Por qiejt s’më vendosën fre mua,
Nuk heshti furtuna që ish brenda meje
S’di pse ish gënjyer të parën natë nëna.

Dikush sikur doli prej një varri t’zbrazët
Rretherrotull mbretëron një qetësi varri
Ç’më erdhi mua më erdhi nga lart
Ç’më bënë ma bënë retë për së gjalli
Sikur ka dalë dikush prej një varri t’zbraztë

Sa mirë që turmat nuk dinë
Ta shikojnë shiun nga pas xhamit
Shyqyr që ka ndryshim mes njeriut e njeriut
Njërit i jep parajsën e tjetrit zindanin
Sa mirë që turmat nuk e dinë

Sikur të dalim në lutjen e shiut miq,
Retë ndahen në mes koha çelet
Tani s’ngeli më as rast as mundësi
Çka më të lehtë se të drejtosh qiejt
Sikur të dalim në lutjen e shiut miq

Që kur erdha unë qiejt s’çelin
Ose unë nuk i kuptoj retë
Ose retë nga unë diç presin
Jeta është vdekje dashuria humnerë
Që kur erdha unë qiejt s’çelin./ KultPlus.com

600 motoristë nga e gjithë bota në “Korça Moto Festival”

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në kuadër të këtij festivali që u gërshetua jashtëzakonisht mirë edhe me mikpritjen e traditën e mirënjohur korçare.

“600 motoristë nga e gjithë bota morën pjesë në “Korça Moto Festival” duke krijuar një super atmosferë, të gërshetuar jashtëzakonisht mirë edhe me mikpritjen e traditën e mirënjohur korçare”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Ky aktivitet u organizua për herë të 5-të duke sjellë motoristë të shumtë që u mblodhën në sheshin para katedrales dhe zhvilluan një paradë përqark qytetit.

Të shumtë ishin dhe qytetarët e Korçës apo turistët që u bënë pjesë e festivalit për të shijuar spektaklin që ata ofruan./atsh/KultPlus.com

“Një fat na lidhi e një fat na la”

SONET nga Eqrem Çabej

Kur shkon sokakut si një sut’ e vratë,
Me sy përdhe e me të rëndë hie,
Ndihem gjahtar që me shtigjetë bie,
Zëmra me mblidhet dhëmbjes në gujatë.

Pa rri mendohem tek e rënda natë:
Si do të shkosh ti jetë vetëmie?
Më ç’lis do mbahesh, degëzë erdhie?
Do mund të ecësh kësaj rrugës gjatë?

Tani që ëndrra e një jete ra,
Na ra përdhe gjith’ ajo hie e parë:
Të qënët bashkë, një e të pandarë;

Ditët e bardha edhe nett e arta,
Kodra jonë me selvi të larta.
Një fat na lidhi e një fat na la./KultPlus.com

Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” rikthen traditën e isopolifonisë në Pilur

Për dy ditë me radhë (9-10 qershor), Piluri i Himarës u kthye në kryeqendrën e muzikës popullore.

Grupe të ndryshme të polifonisë morën pjesë në edicionin e katërt të festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë”, ku nuk munguan as vallet popullore.

Pjesëmarrës në këtë festival ishin shumë grupeve folklorike nga jugu i vendit, ndërsa përshëndeti festivalin edhe grupi i Janinës.

I cilësuar si një festë e madhe e folklorit dhe kulturës, dy netët e këtij festivali me këngë e valle mes traditave baritore tërhoqën turistë të shumtë.

Organizatorët e këtij festivali synojnë ta përcjellin traditën e ipolifonisë ndër breza, bashkë me vlerat më të mira të zonës tashmë të vëna në funksion të turizmit./atsh/KultPlus.com

Resistenca e 29 gushtit 1990 e përjetësuar në fotografi, hapet pas 33 vitesh ekspozita e Hazir Rekës

Flonja Haxhaj

Sot, në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, në ambientet e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë, është hapur ekspozita personale ‘Rezistenca’ e fotoreporterit, Hazir Reka, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila sjell fotografi të rezistencës së 29 gushtit të vitit 1990, risjell pas 33 vitesh në kujtesën kolektive periudhën e tmerrshme në popullit të Kosovës nën okupimin serb.

‘Rezistenca’ është një përmbledhje e fotografive të protestave dhe vizitës së ish-senatorit amerikan, Bob Dole, vizitë kjo që bëri një kthesë historike për Kosovën, pasi ishte momenti kur edhe delegacioni amerikan u njoftua nga afër me situatën e vështirë me të cilën përballej Kosova.

Për më tepër, kjo ekspozitë u hap në këtë ambient, meqë 33 vite më parë, pikërisht në këtë vend u mbajt edhe takimi me delegacionin amerikan, e ku Reka ka shkrepur me aparatin e tij momente delikate nga ai takim, e të gjitha këto imazhe u sollën sot para publikut.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte i pari i Prishtinës, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që e kanë këto fotografi në njohjen, përkujtimin dhe dokumentimin e ngjarjeve të vështira nëpër të cilat kanë kaluar populli i Kosovës.

“Këtë ditë kur po e festojmë edhe 24-vjetorin e çlirimit, tregimi i 29 gushtit të vitit 1990  vjen në këtë ekspozitë e cila edhe e rrëfen këtë ditë kritike të atij viti, të atyne vlimeve të mëdha në Kosovë, të lumenjve të njerëzve që po i shihni në këto fotografi. Kjo ditë nuk do të kishte namin e madh që e ka po mos të ishte shkrepja e fotografit tonë të mirënjohur, Hazir Reka. Kanë ndodhur punë  të mëdha, me dekada për çlirimin të cilin sot e festojmë e gëzojmë, mirëpo, të gjitha këto nuk do të ishin të mundura, madje mund të ishin të zbehëta pa i pasë të gjitha këto fotografi që na tregojnë se nëpër çka ka kaluar populli jonë”, theksoi Rama, i cili më tutje përgëzoi fotografin Reka për hapjen e kësa ekspozitë.

Më pas, fjalën e mori Halil Matoshi, poet dhe publicist, i cili foli për rëndësinë fotografive të shkrepura nga fotografi Reka, duke vlerësuar se ato paraqesin të gjitha dritëhijet e përballjes së të mirës me të ligën, paqësores me brutalen.

“Për nder të vizitës historike të Bob Dole në Kosovë, 33-vjet më përpara, nën përkujdesje të Komunës së Prishtinës çelet ekspozita tematike e Maestro Hazir Rekës “Rezistenca”, në Hotelin Grand, në vendin autentik ku ndodhi kjo ngjarje që karakterit historik të kryeqytetit ia shton edhe karakterin epik dhe estetik. Përjashta këtij holli,  dhjetëra mijëra shqiptarë që kishin dalë ta prisnin delegacionin e Senatit amerikan, u përplasën me policinë serbe. Reka dëshmon duke i zgjatur në kohë ato fytyra, atë epokë dhe personazhin tashmë eternal, Faik Rexhepin, njeriun që lidhjen me tokën e tij e bën dramë universale mbijetese e qëndrese”, shtoi Matoshi.

E krejt në fund, për KultPlus foli vetë autori i këtyre fotografive, i cili i risjell ato pas 33-vitesh si një dëshmi e gjallë dhe e fortë e asaj nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës në ato vite.

“Kjo ekspozitë ndoshta do të duhej të kishte vend në ndonjë galeri më të madhe e me ndriçim më të mirë, por unë kam insistuar ta sjell këtu sepse të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur, kanë ndodhur pikërisht këtu, në hotelin ‘Grand’. Pas 33 vitesh i kam risjellë të gjitha ato personazhe përsëri këtu. Ndoshta ekspozita do të lëvizë sërish, mirëpo ka qenë e rëndësishme për mua që fillimisht ta sjell këtu”, shpjegon Reka.

Më tutje, ai po ashtu thekson rëndësinë që kishte për të, që ta sjellë këtë ekspozitë pikërisht në Ditën e Çlirimit.

“Kjo ekspozitë erdhi në marrëveshje me komunën, dhe kemi vendosur ta sjellim pikërisht në Ditën e Çlirimit. Duke marrë parasysh edhe situatën e ndërlikuar edhe me amerikanët, kam dashur që nëpërmjet kësaj ekspozite të tregoj që lidhjen me Amerikën e kemi shumë moti”, përfundoi Reka për KultPlus.

“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot./KultPlus.com

145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, ekspozitë me materiale arkivore nga Shqipëria e Kosova

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kanë shfaqur sot ekspozitën e titulluar “Lidhja e Prizrenit”.

Në këtë aktivitet të organizuar me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, DPA-ja dhe ASHAK-u risollën në vëmendje prapavijën, orvatjet dhe synimet e kësaj organizate me karakter politik, përmes paraqitjes së dokumenteve të vyera.

Të pranishëm në këtë aktivitet qenë Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut, Hysen Azemi, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.

Mes materialeve arkivore të ekspozuara në Sheshin e Dëshmorëve, gjendeshin thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve për kundërshtimin e copëtimin të trojeve të vendit, si edhe memorandumi dërguar Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtohen vendimet e Kongresit të Berlinit.

Ndërsa ditën e djeshme, më 10 qershor 2023, u mbajt në Manastir Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që erdhi në vazhdën e një tradite solide ndërveprimi mes institucioneve bashkëpunuese, DPA-së, ASHAK-ut, Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).

Ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtej kufirit diskutuan mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm./atsh/KultPlus.com

Përmbyllet edicioni i parë i PriDoX, ‘Paved Paradise’ shpallet filmi fitues

Përmbyllet edicioni i parë i PriDox – java e filmit dokumentar të metrazhit të gjatë, me projeksionin e mbrëmshëm të filmit ‘My worst enemy’.

Juria, në përbërje: Zana Hoxha – regjisore, Kushtrim Koliqi – regjisor dhe Agnes Nokshiqi aktore, nga 5 filmat që ishin në konkurencë zyrtare zgjodhi filmin fitues, ‘Paved Paradise’ nga regjisori Karsten de Vreugdt dhe producentja Jolijn van Rinsum.

Për filmin fitues, juria deklaroi: “Filmi ‘Paved Paradise’ është edukativ nga një perspektivë tjeter dhe pak të njohur. Gjithashtu në aspektin teknik një realizim i arrirë dhe në të njejtën kohë edhe shumë argëtues që e bën audiencën për vete.”

PriFest vazhdon me aktivitetin vjetor, me edicionin e 15-të në datat 12-17 shtator./KultPlus.com